• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

2 korrik 1990 – Prishtinë, Shpallja e “Deklaratës Kushtetuese”!

July 2, 2022 by s p

2 korrik 1990 – Tiranë, Fillimi i fundit të diktaturës komuniste!

AMBASADOR FLAMUR GASHI

“DEKLARATA KUSHTETUESE” Gurthemel i PAVARËSISË së KOSOVËS !

Teksti i plotë i Deklaratës:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA (Akademisë së Shkencave dhe Arteve) të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq.

Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit.

Me këtë ndryshim u pajtua edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.

………………………………………………………………

Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

Nuk ka asnjë dyshim se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpjerë deri në ditët e sotme, kur Kosova tashmë është shtet i pamvarur dye sovran, i njohur nga mbi 115 shtete në botë.

Në rrethanat e tashme dhe pas përfundimit të luftës, të masakrimeve, të eksodit masiv të popullit të Kosovës e të shkatërrimeve të tmerrshme, mund të thuhet se ekziston një kontinuitet i fuqishëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi e për shtetësi.

Ky kontinuitet nuk mund të mohohet nga askush dhe kjo që po përjeton tash Kosova është meritë e popullit, e atyre që për lirinë e Kosovës u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht, e atyre që u sakrifikuan dhe që dhanë jetën për lirinë, për demokracinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Deklarata na bashkoi në rrugën e pavarësisë !

Kanë kaluar 32 vite nga 2 korriku i vitit 1990. Shumë ngjarje kanë pasuar pas saj, por duhet të kujtojmë se në atë kohë kishin filluar të shihen shenjat e para të dekompozimit të ish-Jugosllavisë dhe siç bënin të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë edhe ne aspironim për njësi federale, edhe ne ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa mbrojtës kushtetues, juridikë e politikë, në mënyrë që të jetësohet vullneti i popullit shqiptar.

Qysh atëherë ishte fare e qartë që Kosova duhet të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Ishte kohë e karakterizuar edhe me një lëvizje jashtëzakonisht të fuqishme politike, që rrjedhimisht ka filluar në Kosovë me paraqitjen e partive të reja politike, konkretisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera, të cilat e artikulonin vullnetin e popullit të Kosovës.

Natyrisht, delegatët e Kuvendit të Kosovës e përcjellin në mënyrë shumë të përpiktë vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ishte kjo faza e parë e një veprimi të tillë legal të institucioneve legale, në mënyrë që vullnetit të popullit t’i jepej forma kushtetuese juridike.

Nuk duhet harruar se fillimisht është paraqitur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rezolutën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe me pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara.

Në rezolutën e ASHAK-ut ishte e formuluar shumë qartë pozicioni politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj.

Mund të themi se rëndësia e Deklaratës Kushtetuese për atë kohë ka qenë se ka filluar përfundimisht që Kosova ta marrë një rrugë të mëvetësisë, për ta përcaktuar fatin e saj dhe të popullit të vet.

Të gjitha ngjarjet, që kanë ndodhur më pas, kanë një lidhshmëri dhe janë pjesë e një procesi…

Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot e ka një rëndësi të veçantë, sepse e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës.

Ky ishte mesazh shumë i qartë sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe ishte një akt, që i bashkoj qytetarët e Kosovës në rrugën e tyre për pavarësi dhe për krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur.

Deklarata, ishte dhe mbetet projekt i pavarësisë !

……………………………………………………………..

2 korriku 1990, për shtetasit e Shqipërisë zyrtare, është data e fillimit të fundit të zhgarrnimit të diktaturës komuniste…

Mijëra të rinj dhe të reja “pushtuan” ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë, si mundësi e vetme e momentit për të krijuar hapësira të lirisë për vehte por edhe për mbarë vendin…

Me 2 korrik 1990, u vra frika dhe lindi shpresa për liri dhe demokraci!

2 korriku 1990, për të gjithë shqiptarët do të memorizohet si dita e madhe e shpresës për liri…

…………………………………………………………….

#JamShqiptar…🇦🇱❤️🇽🇰

Filed Under: Fejton Tagged With: Flamur Gashi

NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE

June 28, 2022 by s p

????????????????????????????????????

Në Bashkimin Evropian vendosin Gjermania dhe Franca. Vendet e tjera anëtare, nuk përfillen gjithaq, për të mos thënë fare. 

Pikëpamja se Ballkanit Perëndimore i kanoset rreziku nga Rusia, nuk është shumë e vërtetë. Po të ishte e vërtetë, rajoni shpejt do të pranohej në BE. Frika nga rreziku rus ndaj rajonit nuk duhet të shndërrohet në mit. Vendet të cilëve u kanosej rreziku i pushtimit rus, u pranuan në BE. Këto janë vendet që kufizohen me Rusinë apo që janë afër saj. Këto vende u pranuan në BE, përkundër faktit se nuk i plotësonin kriteret dhe standardet e Unionit. Për vendet që pranohen në organizmat euroatlantikë, pa i plotësuar standardet, kriter është interesi strategjik i Perëndimit. Arsyet e pranimit të tyre në strukturat euroatlantike, janë gjeopolitike. Greqia ka hyrë në BE në vitin 1981 dhe është vendi i dhjetë që ka hyrë në Union. Greqia është borxhliu më i madh i BE-së. Ajo është pranuar në BE ngase ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë, vend me popullsi myslimane. Vendet e Baltikut – Letonia, Lituania dhe Estonia u pranuan në strukturat euroatlantike për arsyet gjeopolitike dhe strategjike të Perëndimit. Me zgjerimin e pestë të Unionit, më 1 janar 2007 anëtarësohen Bullgaria dhe Rumania, pa plotësuar asnjë kusht dhe asnjë kriter. Për të hyrë në BE duhet të kesh edhe miq. Më 1 korrik 2013, me ndihmën e Gjermanisë anëtarësohet Kroacia. Askush s’e di saktë përse Shqipëria duhet të hyjë në BE bashkë me Maqedoninë.  

Në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 23 qershor 2022, Ukrainës iu dha statusi i vendit kandidat. Moldavisë iu çel rruga e anëtarësimit, ndërsa Gjeorgjisë i njihet perspektiva. Edhe këto tre vende të sipërthëna do të pranohen për interesa strategjikë dhe gjeopolitikë të Perëndimit. Këtyre tre vendeve u kanoste rreziku i drejtpërdrejtë  nga Rusia.    

*   *   *

Përpos kësaj, shqiptarët sa më proamerikanë të jenë, aq më në distancë mbahen nga Parisi, mbase edhe nga Berlini. Sa më afër Erdoganit të jetë qeveria e Tiranës, aq më në distancë mbahet nga Makroni. 

Askush s’ka të drejtë të përzihet në kontestin ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Ky kontest nuk zgjidhet pa ndërhyrjen e ShBA-së. Ky problem është më i madh se ai midis Athinës dhe Shkupit. Përveç kësaj, duhet shtuar se po ta pranojë qeveria e përtashme e Shkupit propozimin e Makronit, LSDM-ja shpallet tradhtare dhe i humb zgjedhjet e ardhshme. Për shkak të Marrëveshjes së Prespës, në zgjedhjet vendore LSDM-ja pësoi debakël. 

Kryeministri Rama, s’ka kurrfarë të drejte të përzihet në mosmarrëveshjen ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Ky është një problem historik ndërmjet dy vendeve. Sulmi i Ramës ndaj Bullgarisë është absurd dhe i pakuptimtë. Madje Sofja, as që e vë në llogari sulmin e Ramës. Nuk duhet harruar se shqiptarët nuk kanë kurrfarë problemi me Bullgarinë. Ajo është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën.

BE-ja ka bërë gabime. Para se të anëtarësoheshin vende të caktuara, është dashur të pyeteshin, në kanë ndonjë kontest me ndonjërin prej fqinjëve. Të rralla janë vendet pa probleme të këtilla. Sipas këtij pyetësori, Greqia dhe Bullgaria do të kishin thënë me kohë: “Po, kemi problem me Maqedoninë”. Si rrjedhojë asnjëra prej tyre s’do të ishte pranuar në BE, pa e zgjidhur kontestin me Shkupin. Tani Maqedonia e Veriut vihet në pozitë të pafavorshme dhe diskriminuese. 

Në BE dhe në NATO duhet të hiqet parimi i konsensusit. Shteti që i plotëson kriteret duhet të pranohet me automatizëm. Vendi të cilit i kanoste rreziku nga agresioni i shtetit fqinj, duhet të integrohet me automatizëm. 

Brukseli ka mundësi të krijojë një BE me dy dhoma. Në njërën prej tyre do të hynin vendet që nuk i plotësojnë sa duhet kriteret dhe standardet integruese dhe të cilat, ndonëse anëtare të Unionit, do të privoheshin nga të drejta, favore dhe privilegje të caktuara.       

*   *   *

Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë preokupim, as integrimin në BE, as Ballkanin e Hapur. Integrimi në BE është shndërruar në problem të politikanëve dhe jo të popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Politikanët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, integrimin në BE e kanë shndërruar në propagandë. Ky integrim zgjat plot tridhjetë vjet. Popujt e këtyre vendeve janë lodhur dhe janë ngopur nga klishetë e kësaj propagande sterile, të pafrytshme. Qëllimi i këtyre farë politikanëve është t’u thonë popujve të vet: “Ja, ju anëtarësuam në BE”. Meqë ju anëtarësuam në BE, tani na i jepni votat edhe nja tri dekada të tjera. Tridhjetë vjet premtime, gënjeshtra dhe mashtrime. Prandaj qytetarët e këtyre gjashtë vendeve fare nuk e çajnë kokën, si për BE-në, ashtu edhe për Ballkanin e Hapur. Përse të mërziten për mosintegrimin në BE, kur ikin për në Gjermani, hiç pa u anëtarësuar. Mali i Zi dhe Serbia i kanë çelur negociatat me BE-në para dhjetë vjetëve. Megjithëkëtë, s’janë askund. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sot ta marrin statusin e vendit kandidat, për t’u anëtarësuar pas nja dhjetë vjetëve, në mos dhe më tepër. Deri atëherë, këto gjashtë vende rrezikojnë të mbeten pa popuj. Si krah pune do të vijnë nga Bangladeshi. 

*   *   *

Nuk është faji te Makroni, është te vetë politikanët e këtyre gjashtë vendeve. Nuk hyhet në BE në Bruksel. Në BE hyhet në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Sarajevë, në Shkup dhe në Beograd. Këto gjashtë vende, janë më të varfrat e kontinentit, por të parat me vjedhje. Ku ka varfëri, s’ka demokraci. Ku ka varfëri, s’ka shtet ligjor. Demokracia dhe shteti ligjor nuk shkojnë me varfërinë. Demokracia dhe shteti ligjor shkojnë krahas zhvillimit ekonomik. E që të mos kesh varfri, duhet të mos vjedhësh. 

Politikanët e Ballkanit Perëndimor hyjnë në politikë si të varfër, për t’u pasuruar brenda një kohe të shkurtër. Për ngecjen ekonomike të këtyre gjashtë vendeve, prej vitit 1991 e deri më sot, përgjegjësi mbajnë: liderët partiakë, kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, ministrat, deputetët, shefat e kabineteve, këshilltarët e ministrave, drejtorët e përgjithshëm, kryetarët e bashkive apo të pushtetit vendor, anëtarët e komisioneve dhe të këshillave drejtues. Përgjegjësi mbajnë mediumet, studiot televizive, radiostacionet, gazetat ditore, portalet, kryeredaktorët, analistët e shitur dhe të blerë, domethënë mercenarë, të cilët të zezën ta shesin si të bardhë dhe ta lustrojnë realitetin si në kohën e Stalinit. Mediumet në këto gjashtë vende janë nën kontrollin e shtetit, të qeverisë, të partisë në pushtet, të opozitës, po qe se ajo opozitë është e pasur. Në këto gjashtë vende s’ka mediume të pavarura. S’ka liri shprehjeje, mendim të lirë, mendim ndryshe, mendim oponent. ka pseudodemokraci. Në këto gjashtë vende veprojnë edhe shërbime sekrete të huaja: ruse, kineze, turke, arabe, greke, serbe, iraniane. Vegla të këtyre shërbimeve janë shoqata të caktuara humanitare dhe klerikë të caktuar fetarë. Në këto gjashtë vende ka mediume që mbështeten financiarisht nga qendra majtiste globale. Instrumente të së keqes janë edhe shoqata të caktuara joqeveritare. Pjesë e së keqes dhe në shërbim të saj janë edhe shoqata të caktuara që merren kinse me veprimtari kulturore. Po qe se nga Ministria e Kulturës ia dalin të nxjerrin do mjete, atëherë qeveria dhe shteti janë të mirë. Ndryshe, janë si mos më keq. Gjatë periudhës së pluralizmit, në këto gjashtë vende, nuk ka pasur pothuajse asnjë dorëheqje nga ndonjë politikan në shenjë akti moral. 

Në këto gjashtë vende edhe inteligjencia është e heshtur, për të mos thënë e shitur dhe  e blerë. Është inteligjencie oportuniste, konformiste dhe poltrone. Ideali i saj është të rrëmbejë pozita, të ruajë pozitën, të avancohet në pozitë, ta punësojë të birin, të bijën, renë, t’u sigurojë tituj akademikë, qoftë edhe me njohuri të kufizuara. 

Nuk shkohet në BE me kiç dhe shund, me reality programe, me muzikë pornografike. Në një anë, vend i varfër, në anën tjetër, luksi i një segmenti të shoqërisë, si në Amerikë. Për fat të keq, tash edhe shkrimtarë s’po ka. Në vendin me paga më të ulëta në rajon, dikush jeton si në përralla. Në këto vende e kanë mbyllur gojën edhe akademitë dhe universitetet. 

Me vrasje, të parët në kontinent, ndër të parët në botë, me aksidente rrugore, ndër të parët në botë, me emigrim dhe ikje të trurit – të parët, me shkurorëzime – ndër të parët. Vjedhje  shtëpish, pikash karburanti, herë-herë edhe bankash. Politizim i të gjitha poreve të shoqërisë. Partizim i të gjitha segmenteve të shtetit. Pa ndërhyrjen e partisë, as shërbëtor shkolle katundi nuk mund të punësohesh. Cilësi e ulët e arsimit. Duke pritur rend me orë të tëra për të marrë terapi, më tepër sëmuresh se mjekohesh. Krejt shteti ka vetëm një qendër terapie, madje me kapacitet të kufizuar. Administrata në këto gjashtë vende ka përmasa gjigante. Një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit shkon për rrogat e administratorëve. Gjysma po të largohen prej zyrave, puna do të kishte shkuar më mirë. Çdo parti që vjen në pushtet, veprimtarët dhe militantët e vet i punëson në zyrat e shtetit, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë vendor. Kryetar bashkie, me të kaluar të dyshimtë, deputet apo ministër me dosje kriminale, për të mos shkuar në nivele më të larta, deri te kryetari i shtetit apo te kryeministri. Le të jetë paga njëmijë   apo dymijë euro. Shtëpitë apo vilat që i posedojnë, mobiliet, veturat, jahtet, shkollimi i fëmijëve jashtë shtetit, ceremonitë familjare, shëtitjet nëpër vende ezoterikë etj. kushtojnë qindra mijë euro, shtuar këtu edhe mjetet nëpër llogaritë bankare, të huaja apo të vendit. Nga erdhi kjo pasuri me një pagë prej 1000 apo 2000 eurove. Të mos i përmendim këtu edhe pasuritë e tjera të paluajtshme. S’ka BE me tituj akademikë të kopjuar, të përkthyer, të blerë dhe të shitur. S’ka integrim me profesorë universiteti apo me pedagogë që s’ka botuar asnjë punim në asnjë revistë prestigjioze të Perëndimit, që s’i ka shkelur këmba në asnjë arkiv të botës, që s’ka shpikur, s’ka hulumtuar, s’ka nxjerrë asnjë risi. S’ka integrim në BE me burgje të mbingarkuara. Një shtet që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira, është larg BE-së. Nuk quhen zgjedhje me shitblerje të votave, me shantazhe, me mbushje kutish. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sektorin privat e kanë të pazhvilluar. Si pasojë, partitë ua mësyjnë institucioneve publike. Këto vende, arsimimin profesional e kanë të pazhvilluar. Në këto gjashtë vende, një përqindje e madhe e tokës së punueshme, nuk mbillet, nuk punohet dhe nuk shfrytëzohet. Borxhet apo kreditë e këtyre gjashtë vendeve kanë përmasa të frikshme. Privilegjet e politikanëve apo të nomenklaturave të këtyre vendeve, janë në shpërpjesëtim me kapacitetet e shtetit. Favoret e familjarëve të klasës politike janë si në asnjë vend të kontinentit. Fajin nuk duhet kërkuar te Makroni. Zha-Pol Sartri thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”. 

Zënkat midis shumicës parlamentare, në një anë dhe opozitës, në anën tjetër, janë si në asnjë vend të kontinentit, për të mos thënë si në asnjë vend të rruzullit. Një vend i tillë është larg BE-së. Në rajon është Amerika dhe punët nuk po shkojnë si duhet dhe sa duhet. Po të mos ishte Amerika, a thua ç’do të kishte ndodhur?!

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pa pasuri natyrore, që të katandisen në këtë gjendje të papëlqyeshme. Shtetin me ekonomi të ngecur mund ta udhëheqin vetëm politikanët idealistë. Këta quhen burra shteti.  

Xhelal Zejneli                                                           

Filed Under: Fejton Tagged With: Xhelal Zejneli

VIZITË FAMILJEVE TË ÇLIRIMTARËVE

June 23, 2022 by s p

Prishtinë, Burojë, Gllogjan, Negrofc e Marinë.

Nga Nusret Pllana

Unë dhe bashkëluftëtari im, Ing.Xhavit Muqolli nga Pokleku i Drenicës legjendare(përfaqësuesi i njërës ndër Familjet më të martirizuara në Kosovë), znj.Zahrie Podrimçaku- Subashi (ish e burgosur dhe veprimtare e devotshme e çështjes kombëtare, kontribuesi i palodhur i çështjes kombëtare z.Ahmet Bytyqi me bashkëshorten Lumnijen – të cilët me dekada punojnë dhe jetojnë në Danimarkë, Zelfia Pllana dhe Zoja Muqolli, brenda dhjetë dite i vizituam Familjet e krerëve kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(ata të Presidentit Hashim Thaçi, Kryeparlamentarit Kadri Veseli, Prof.dr.Jakup Krasniqi, Gjeneral Rexhep Selimit e Gjeneral Nasim Haradinajt, Komandant Sali Mustafës – Calit e luftëtarit emblematik dhe invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hysni Gucati, të cilët padrejtësisht po mbahen në burgun famkeq të Gjykatës së Dhomave Speciale në Hagë, nga kjo Gjykatë njëetnike(Gjykatë e turpit të “drejtësisë ndërkombëtare”), e cila i akuzon për krime të supozuara, ndërkaq kriminelët e Serbisë pushtuese e gjenocidiale, për të gjitha ato barbari e mizori mbi shqiptarët civilë duarthatë, të dëshmuara e të faktografuara edhe nga faktori vendor edhe ai ndërkombëtar, i ka fal dhe i ka rehabilituar pa fije turpi!!

Kjo është ajo Evropa “demokratike” e cila shqiptarët gjithmonë i ka trajtuar shekuj me radhë, dhe vazhdon t’i trajtoj qytetarë të rendit të dytë edhe sot e kësaj dite!!

Ne besojmë thellë në pafajsinë e bashkëluftëtarëve tanë, sepse ata e kanë sakrifikuar jetën për ta mbrojtur popullin tonë të shumëvuajtur e liridashës nga gjenocidi serb, ata ishin aleat të përbetuar të NATO-s e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, prandaj kërkojmë lirimin e tyre të shpejtë dhe pa kusht, e në vendin e tyre të ulet e të marrë dënimin e merituar sajuesi dhe trilluesi i kësaj aktakuze absurde, Dick Marty – argati i përbetuar i Serbisë dhe Rusisë barbare, i cili, kur e pa që u zhvesh i tëri nga ato trillime ogurzeza për t’i akuzuar çlirimtarët tanë për krime të supozuara, që me çdo kusht të barazohet viktima me kriminelin(sepse për këtë shërbim të ndytë i kishte marrë milionat nga Beogradi dhe nuk i doli matematika siç kishte planifikuar) atëherë filloi të ‘aktroj’ e ta luaj rolin e viktimës, duke kërkuar mbrojtje shtetërore nga Zvicrra, se gjoja serbët duan ta vrasin, për t’ua lënë fajin shqiptarëve!!

Familjarët e shokëve tanë çlirimtarë, i falënderojmë nga zemra për respektin, mikpritjen e bujarinë shqiptare që na e bënë këto ditë, me rastin e vizitave tona dedikuar familjeve të tyre, me një moral të lartë e qëndrim dinjitoz e të paluhatshëm, duke shpresuar e besuar se më në fund drejtësia do të fiton, e djemtë e tyre, bashkëshortët e tyre, vëllezërit e tyre, nëse vetëm një minimum i drejtësisë ndërkombëtare ekziston në këtë nënqiell, ata duhet të gjithë të lirohen të pafajshëm, edhe pse çdo drejtësi e vonuar është padrejtësi!!

P.S. I kërkojmë falje luftëtarit të lirisë Pjetër Shala, i cili gjithashtu ndodhet në Hagë për akuza të tilla absurde, se familjen e tij, për shkak të faktit që ndodhet në Belgjikë, nuk mundëm ta vizitojmë, por edhe Pjetrit i dëshirojmë shëndet e lirim të shpejtë nga ai burg famkeq, i cili po vazhdon t’i terrorizoj shokët tanë çlirimtarë, mu sikur në kohën e fashizmit hitlerian.

LIRI PËR ÇLIRIMTARËT TANË!

Filed Under: Fejton Tagged With: Nusret pllana

LIQENI I LUCIFERIT

June 21, 2022 by s p

Nga Muç Xhepa

– “Neroni” i ngrirë mes e poshtë në liqenin, që Luciferi krijoi me lot, pasi tradhtoi Zotin, rënkonte netëve me zë.

Skënder Tufa, mik i imi, azilant politik në Zvicër prej shumë vitesh, më tregon në mesinxher një ngjarje të cilën e kishte mësuar në burg, Gulagun shqiptar.

– “Pantera” merr në duar raportin, ulet në vendin, ku “Neroni” thurte palnet kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, ndez abazhurin dhe lexon e përqendruar. Lotët s’e lënë të shohë qartë. “Të jenë të ikur nga spitali psikiatrik, apo vuajnë nga deluzioni… iluzioni. Rrena, rrena!” thërret si e marrë. Dëshminë e kishin dhënë ushtarët e shërbimit dhe punonjësi që mirëmbante varrin. Të nesërmen, jo në orën e caktuar, sepse pas varrimit e kish bërë zakon të shkonte me buqetë lulesh dhe qirinj. Lutej që t’i faleshin krimet. Priti të bjerë muzgu. Ashtu, në fshehtësi, mori Sulon, besnikun e “Neronit” dhe u nis për te varri. Vendosi të dy duart në pllakën e ftohtë, uli ngadalë kokën duke prekur me veshin e majtë mermerin e lëmuar. U drodh e tëra. Në fillim dëgjoi zhurmë. Përplasje duarsh mbi një gjë të fortë. Pëllëmbësh, grushtesh. “Neroni” kërkonte të çlirohej nga diçka që e kishte mbërthyer. Pastaj zëri. I tij. I mbytur. “Ndihmë, ndihmë, jam brenda! Liqen gjaku! I ngrirë!”.

Pranverë. Njerëzia kanë filluar të shpresojnë për ditë më të mira. Ai që mbyti vendin në gjak ka shkuar të gjykohet. I ktheu këmbët nga dielli, thotë populli. Miku im Jorgji Santo, punojmë mësues në të njëjtën shkollë, më fton për kafe tek hotel “Skampa”. Është i shoqëruar me një mesoburrë. Ulemi te veranda në katin e dytë, që shikon nga “Rrapi i Bezistanit”. Jorgji porosit fërnet, miku i tij dhe unë pije freskuese.

– Arbeni është kushëriri im i parë. Është mjek.

Arben Santo me sy inteligjentë, hundë malësori e fytyrë të tërhequr buzëqesh.

– Më ka folur Jorgji për ju.

– Jemi miq të besës.

– Familje të vjetra elbasanase.

– S’mjafton të qenurit nga i njëjti qytet. Duhen prova. Dhe, ne i kemi dhënë.

Jorgji ka të drejtë, them me vete. Kemi folur hapur për gjendjen e rëndë ekonomike. Natyrë impulsive, varfëria ekstreme e nxënësve, e revoltonte aq, sa shpërthente me të shara të hidhura kundër “Neronit”.

– Arben na trego si ia bëre autopsinë… ekzaminimin për të zbuluar shkakun e vdekjes… Shtrirjen e sëmundjes.

Jorgji s’i përmend emrin kufomës.

– Si çdo të vdekuri tjetër.

Arbeni buzëqesh me sy.

– Raportin e autopsisë. Si ta besuan.

Jorgji më shkel syrin.

– Petrit Gaçja më rekomandoi. Vetë s’besonte… s’donte ta besonte se kishte vdekur…

Edhe Arbeni s’ia zë emrin.

– Përse, mund të ishte gjallë… vërtet.

Jorgji s’e mban të qeshurën.

– Jashtë ç’do dyshimi. Organet i ishin bërë blozë… duhej të kish mbaruar… ditë më parë.

Eh, ashtu bënë për Leninin, Stalinin… punë djajsh them me vete.

– Mënyra si po ma tregon, më ngjeth mishtë.

– Duro se ka edhe më.

Skënderi buzëqesh.

– “Ç’bëre moj Nënë Tereza”, i tha Papa shenjtores, kur u kthye ajo nga vizita në Shqipëri. “Vajte te varri i djallit. U lute t’i faleshin mëkatet”.

– Në fakt të tërëve na bëri shumë përshtypje sjellja e saj.

– Që prej asaj dite, “Neroni” ra në qetësi. Liqenin e Luciferit e shkrinë lutjet e Nënë Terezës.

Filed Under: Fejton Tagged With: Muc Xhepa

KALAJA PELLAZGE E SOPOTIT

June 16, 2022 by s p

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

Fortifikimi i lashtë i Sopotit, i cili ndodhet në majën e kodrës mbi fshatin Borsh 500 m mbi nivelin e detit, ka një pozicion strategjik të jashtëzakonshm, pasi kontrollon njëkohësisht detin, rrugëkalimin e bregdetit dhe luginën e lumit të Borshit, që lidhnin në lashtësi, ngushtazi, Onkezmin me Panormin dhe Himarën; dhe, më gjërë, nga rruga bregdetare, Apolloninë, Aulonën, Orikun, ndërsa nga lugina e lumit Kelydnos, Amantien me Foiniken dhe Buthrotin, deri në qytetet e Thesprotisë. Ky pozicion strategjik i kësaj majë kodre, nuk mendojmë se nuk ka tërhequr vëmendjen e banorëve pellazgë të Kaonisë, që ata të mos e shfrytëzonin për ngritjen e një fortifikimi të rëndësishëm.

        Por që Kalaja e Sopotit, në prehistori ka qënë edhe një fortifikim pellazg, nuk e thonë arkeologët, por dhe as historianët. Ndoshta nuk kanë pasur të dhëna. Por trakte të veçanta të këtij fortifikimi të bëjnë që të mos dyzosh se ato janë mure pellazge. I pari që ka folur për to ka qënë një i huaj erudit, konsulli francez pranë Ali Pashë Tepelenës, Pukëvili, dhe pas tij, një klerik katolik,    Zhan Klod Faveirial, i cili  për kalanë  e Sopotit pohon: “Sopoti-thotë Pukëvili-gjëndet në  malet Akrokeraune, përballë  Korfuzit (saktësisht ndodhet në fshatin Borsh.B.I). Në  muret mbrojtës të  tij, dallohen qartë  gurët ciklopikë  që  përbëjnë  themelin e tyre…” Pas tyre, në kohët e sotme, i përmend edhe pellazgologu Luftulla Peza. Por, arkeologu vendas, Jano Koçi, ndryshe nga të tjerët, e vendos këtë venbanim antik në periudhën e fundit të bronzit, duke i dhënë kësisoj, pa dashka, një pasaportë pellazgjike.

         Fortifikimi i lashtë i Sopotit (Borshi i sotëm) paraqitet me të njëjtat karakteristika si fortifikimet e tjera të Epirit dhe Ilirisë: Foinike, Buthroti, Amantia, Olympe, Nikaja, Lisi, Zgërdheshi, etj, me akropol, me disa periudha dhe rrethime të mureve të qytetit, mure tërthorë dhe të përbashkët që ndanin qytetin në pjesë, me themele të mureve direkt mbi tabanin shkëmbor dhe me blloqe gurësh të mëdhenj dhe të papunuar, etj.

        Arkeologu Jano Koçi gjatë një ekspedite vrojtuese të kryer në vitin 1976 tregon se, ky fortifikim kishte një akropol me një sipërfaqe prej rreth 1,2 ha,..qyteti i poshtëm kishte mur të përbashkët me akropolin…Muri mbështet mbi një themel të fortë me blloqe gurësh të mëdhenj. Shpesh si themel përdoren shkëmbinj natyrorë…Qyteti së bashku me akropolin, përfshin një sipërfaqe prej rreth 2,5 deri në 3 ha. Muret që e rrethojnë kanë një sipërfaqe prej rreth 1000 m.

Description: http://www.pashtriku.org/fckeditor/image/2015/pellazget-iliret/bashtova/kalaja-e-sopotit-borsh-luftulla-peza-11.jpg

Trakt muri pellazgjik i Sopotit. 

        Ndërsa arkeologu Dhimosten Budina për kalanë e Sopotit tregon se, ajo ndodhet 500 m mbi nivelin e detit…sipërfaqja e saj është shkëmbore…Mbeturina muresh të kohës antike ndodhen në anën jugperëndimore me gjatësi prej 10 m dhe një lartësi prej 1,33 m…Ato janë ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj, me forma paralelopipedi dhe trapezoidalë…kanë përmasa: 1,20 x 0,30 m…muret datohen të shek. IV-III p.e.s…”

        Në lidhje me këtë fortifikim Jano Koçi, në një periudhë më të vonë, shprehet: “Kalaja e Sopotit ku ndodhet akropoli i qytetit antik të Borshit muri parahistorik ruhet pranë akropolit dhe hyrjes së kalasë mesjetare. Është ndërtuar me të njëjtën teknikë ndërtimi si Karosi. Muri parahistorik mbështetej në  një horizont banimi me qeramikë që datohet në  Bronzin e vonë.”        

         Arkeologu Neritan Ceka, me të drejtë, shikon ngjashmëri midis fortifikimeve amantine dhe atij të Sopotit për sa i perket tipologjisë dhe teknikës së ndërtimit të mureve dhe të  vetë qytetit, madje është i mendimit se ai është një fortifikim i avancuar në pjesën jugperëndimore të territorit të amantëve. 

IMG_20211230_160100

Trakt muri pellazgjik i kalasë së Sopotit. Foto Jano Koçi.

        Nëqoftëse do ta shikojmë nga pikëpamja strategjike, për të hyrë në territorin e amantëve nga jugperëndimi dhe bregdeti dhe për të dalë në luginën e lumit Kelydnos (Shushica e sotme) duhet të kalohet nga tri drejtime: së pari, nëpërmjet luginës së fshatit Çorraj, së dyti, nëpërmjet luginës së Qeparoit dhe Kudhësit, dhe, së treti, nëpërmjet qafës së Pilurit dhe pllajës së Vumlosë. Për të mbrojtur hyrjen nga lugina e përroit të Çorrajt ka qënë i nevojshëm një fortifikim për të mbrojtur këtë rrugëkalim. Pa dyshim, këtë funksion do ta kryente më së miri një fortifikim i ngritur në kodrën e fshatit Borsh, prandaj në antikitet, apo prehistori, këtu është ngritur fortifikimi pellazg, që në mesjetë do të merrte emrin kalaja e Sopotit. Ndërsa hyrjen në territorin e amantëve nga qafa e Pilurit e mbron më së miri fortifikimi tjetër pellazgjik, kalaja e Himarës. 

         Arkeologia Nevila Molla është e mendimit se emrin kalaja e Sopotit ky fortifikim e ka marrë në shekullin e XIII, kur ai kaloi në zotërim të despotit të Epirit Mihal II Komneni, i cili, madje, duhet të ketë ngritur në pjesën e akropolit antik, kalanë mesjetare. 

        Vetë emri Sopot ka një prejardhje pellazgjike dhe rrjedh drejtëpërsëdrejti nga emri i Poseidonit. Sopot ka kuptimin So-Pot, sipër potamit, sipër burimit të ujit. Emri i Poseidonit në kuptimin dorik (siç e është shpjeguar nga Spiro Konda tek paragrafi-Mitologjia e Epirit në këtë studim) ndoshta ka qënë Potidan=Poti-Dan=Poti-Dhan=Poti-Dhen. Përpiqemi të bëjmë një shpjegim më sqarues të kësaj fjale.

         Nikolas Hamond për adhurimin e Poseidonit nga Dorianët thotë: “…Poseidoni sipas mbishkrimeve Dore ‘Poteidan’ dhe Dorishtes së lashtë, ‘Potidan’ dhe dëshmive mbishkrimore tregojnë se në Epir adhurimi i Poseidonit ishte popullor…”

        Me etimologjinë e kësaj fjale për Poseidonin merret edhe Spiro Konda, i cili i referohet edhe (“Fjalorit Homerik” të Jani Pantazidhit, Athinë, viti 1885, f,458): 

“…Hesiodi tek “Teogonia”, f,52 e quan Poseidonin-Potidan…fjala “Poseidon” nxirret nga “Potis” që do të thotë lumë dhe nga “Dan” ose “Das” = “Zeus”. Si rrjedhim, trajta “Potidan” ose “Potidas” është më e vjetra dhe do të thotë: “Perëndi e ujrave”…”

        Pra këtu, nga njera anë kemi emërtimin e Poseidonit nga Hesiodi-Potidan, i cili thotë se ky është një emër i lashtë i Poseidonit; nga ana tjetër, kemi mbishkrimet e lashta Dorike, të cilat, edhe ato nga ana e tyre, e quajnë Poseidonin-Potidan. Pra në Epir emri i lashtë pellazgjik i Poseidonit ka qënë Potidan. 

         Në të mirë të kësaj teze vjen edhe fakti, që çuditërisht nuk është përmendur nga Spiro Konda, pleqtë tanë dhe nënat tona këtu në Toskëri (pasuesen e Epirit të lashtë) përdornin fjalën “Potis”.  Potis lulet, potis avllinë, potis perimet në baçe. Pra potis ka kuptimin e lagies me pak ujë, madje, kur bie shi i imët thuhet: potisi dhenë (dheun, tokën). Pra Poseidoni nuk ishte vetëm perëndia e deteve, lumenjve, liqeneve; por dhe perëndia që binte shiun në tokë, i cili ishte aq i domosdoshëm për bimët.

        Shpjegimin etimologjik në këtë formë e bën edhe Aristidh Kola, i cili thotë: “Poseidoni: ishte përgjithësisht perëndia e ujrave dhe emri i tij vjen nga fjala ‘potis’, që në arbërisht do të thotë ujis dhe formohet nga greqishtja e lashtë ‘potos’, ‘posis’ dhe fjala ‘Dhenë’, që e shohim tek dorët si ‘Dhan’ dhe tek arbëreshët si ‘Dhea’. Gjithashtu ekzistonte dhe qyteti Posidhea dhe Potidhea. Pra, Posidhon, Posidhan apo Potidan, do të thotë ai që potis dhenë, pra, ai që ujit dheun…” 

        Pra Potidan do të thotë edhe Zot i ujitjes. Por mund të jetë edhe ndryshe, pasi Poti(s)-Dan mund të jetë fare mirë edhe Poti(s)-Den ose Poti(s)-D(h)en. Pra ai që potis dhenë ose ai që ujit dhenë, vadis dhenë, zot i shiut. Zoti që potis dhenë.      

        Sot, në fshatrat dygjuhësh, shqip dhe greqishtfolës, të Himarës, fjala ‘Potam’ ka kuptimin e burimit të ujit, kroit, ose përroit. Kjo fjalë mbase, kështu e transformuar, nëpërmjet pellazgjishtes kaloi tek greqishtja e vjetër dhe vjen deri në greqishten e sotme. Por më e mundshme është ajo që, kjo fjalë e përdorur në këtë territor, Bregdetin Jonian qysh në kohë të pellazgëve, ka mbetur deri në ditët e sotme si një atavizmë e lashtë e pandryshuar dhe  ruajtur me konservatorizëm nga banorët e kësaj zone si një fjalë fosile që tregon adhurimin e Poseidonit, zotit të ujërave. Prandaj edhe rrënja e fjalës potam, që përdoret sot është ‘pot’ dhe ka kuptimin e një burimi uji të dhënë apo të dhuruar nga zoti. Këtë dhuratë që zoti, Poseidoni u ka bërë njerzve ata ja kanë shpërblyer me adhurim duke ngritur faltore dhe tempuj për Poseidonin. Në këtë kuptim emri Sopot i këtij vendbanimi ka kuptimin sipër ujit apo sipër burimit, apo sipër përroit, apo lumit. Tani shtrojmë pyetjen: a kemi ndonjë fenomen të tillë në Borsh. Në rrëzë të fshatit Borsh dhe në rrëzë të fortifikimit të Sopotit ka rrjedhje të mëdha uji, madje në formë ujëvare. Me siguri edhe emri i vendbanimit Sopot në rrjedhën e Shkumbinit në krahinën e Shpatit këtë kuptim duhet të ketë.

        Fortifikimi i Sopotit ka qënë një fortifikim i rëndësishëm i vendosur në një pikë nyje, prandaj ka pasur edhe një jetëgjatësi, më e pakta, 2500 vjeçare. Kalanë e Sopotit, e kanë përdorur pellazgët, kaonët epirotë, por në antikitetin e vonë dhe në mesjetë ajo ka pasur rindërtime. Në antikitetin e vonë fortifikimi, për rëndësinë që kishte u meremetua nga Justiniani. Bizanti e përdori dhe mirëmbajti këtë fortifikim. Në vitin 1192 atë e përmend vajza e perandorit, Aleks Komneni, Ana Komnena. Despotët e Epirit, ashtu siç meremetuan kalanë e Beratit (1216) të Durrësit (1225), Kaninës, etj, meremetuan dhe riforcuan kalanë e Sopotit, madje sipas arkeologëve, Mihal Engjëll Dukë Komneni ngriti brenda akropolit të fortifikimit antik, kështjellën mesjetare. Ata e bënë Sopotin qëndër të Arhondisë së Sopotit: Archonteea Sopotu. Në vitin 1266 ajo ra nën sundimin e Karlit të I Anzhu dhe më pas në zotërimin e Republikës së Venedikut. Në shekullin e XV Sopoti zotërohet nga turqit, për disa kohë ka qënë edhe nën zotërimin e Ali Pashë Tepelenës, dhe nga turqit deri në vitin 1913, ku komandant i fundit i kësaj kalaje në vitet 1913-1914 ka qënë ai i qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Selim Shahaj, dërguesi i ulitimatumit të Luftës së Vlorës, i njohur si Mehmet Selimi. 

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT