Bajram Mjeku/
Sa herë ofrohet ndonjë festë apo event familjar, është e pamundur të mos e kujtosh Nanën, më saktë shenjtërinë e njerëzimit në këtë botë.
Lidhja midis Nanës dhe fëmijës mbetet gjithmonë e veçantë dhe dashurinë për nanën e ka të vështirë ta portretoj secili njeri, qoftë edhe ne që e njohim zejen e shkrimit. Vjen një moment i vështirë e thua; asnjë gjuhë amtare në botë nuk ka leksik aq të pasur për të shprehur ndjeshmërinë dhe dashurinë për nanën!
Me lexuesit e mi, dua të ndaj një episod të jetës time në prag të festës, por që nuk do të bëj ndonjë “zbulesë”, pasi secili nga brezi im i ka përjetuar këto episode siç i kam përjetuar unë.
Në prag të festave, nana ime kujdesej fort për pastërtinë e trupit të secilit nga ne fëmijët dhe sa herë më fuste në banjo, përdorte një refren që më është ngulitur fort në kujtesë:
– Nuk ia vlen të kesh vetëm shpirtin e pastërt, pa e patur edhe trupin!
Ceremonia e larjes nuk bëhej sa për të thënë, por zgjaste disa minuta dhe në prag të festave ishte edhe më e veçantë. Edhe sikur të isha larë një orë më parë, ajo e përsëriste këtë, për respekt të festës dhe për dashurinë ndaj Zotit. Në fillim me duart e saj provonte ujin mos ishte tepër i nxehtë, pastaj vazhdonte pastrimin e trupit tim me shumë pasion, ashtu siç është pasionante dora e nanës mbi trupin e fëmijës së saj.
Nana ime ishte një besimtare e devotshme, por jo “pompoze”, duke lëshuar zë që ta dëgjojnë të tjerët se i lutej Zotit. Kam ndjesinë se derisa lutej në këtë mënyrë, lutjet e saj ishin më kuptimplote dhe më të fuqishme, derisa në këtë pjesë vazhdoj ta admiroj derisa të jem gjallë.
Mbas ceremonisë së larjes, e veçantë ishte edhe ajo e veshjes. Nanat e brezit tim nuk mbanin parfime të ndryshme siç përdoren sot, por arkat e tyre ku i mbanin të palosura rrobat tona, mbanin erë mollësh dhe ftonjësh dhe këto erëza të ëmbla nuk i zëvendëson asnjë parfim i kohës sonë.
Ditën e Bajramit të Vogël, do t’ia dedikoj nanës time dhe lutjet e mia nuk do t’i bëj pompoze, ashtu siç nuk i bënte nana ime e mirë. Lutjet e mia për shpirtin e saj do t’i ndjej vetëm Zoti…