• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJME XHEVATIN, NJENIN NDER PERSONALITET ME TE SHQUARA TE MERGATES SHQIPTARE

April 23, 2022 by s p

Nga Tonin Mirakaj/

Ndiej kenaqesi per kete organizim qe po sjell ne kujtese njenin nder personalitet me te shquara te mergates shqiptare ne Amerike, te ndierin Xhevat Kallajxhi. U jam mirenjohes organizuesve qe me dhan rastin te them pak fjale ne kujtim te mikut tim Xhevatit. Nga une do ndegjoni per pak minuta kujtime qe ruej, jo analize e veprave qe Xhevati kishte lene ne doreshkrim. Per ato, do ndegjojme sigurisht nga dy persona shume kompetent ne letersi, zoterinjt Lamaj dhe Greca. Ishte vere e vitit 1961 qe e takova per here te pare. Ky takim qelloj rastesisht ne zyren e Profesor Nexhat Peshkepise, ne 14 East 34th street ne Manhattan. Aty ishte qendra e Komitetit “Shqiperia e Lire”, ku Nexhati pregatiste gazeten “Shqiptari i Lire”.

Ndersa po bisedonim me Nexhatin ne lidhje me nje tregim qe i kisha dergue per botim ne gazete, hyri ne zyre nje burr i madh, i pashem, pak si i verenjtur. Ky ishte Xhevat Kallajxhi. Shpejt u ngriten ne kembe ata qe qelluen present, qe e njifnin Xhevatin. Ne kembe u ngrita edhe une, qe nuk e njifnja! Mbas pershendetjeve te rastit, Nexhati na e beri prezentimin. Une dhe Xhevati i shternguem doren njeni tjetrit. Ai, me beri urimin e zakonshem ne ate kohe, per te riardhurit. “Te marrte Amerika per te mire”, ishte kjo pershendetje qe ndegjohej shpesh. A ishte e mundur qe Amerika te mirrte per te keq? Po, ishte e mundur! Xhevati ishte per ngute, nga se po udhtonte per ne Washington. Ne ate kohe punonte ne Zerin e Amerikes, qe i kishte zyret ne New York, dhe po transferohej ne Washington. Xhevatit i duhej te nderronte vendbanimin per arsye te punes. Pa vonese u dha “lamtumire” personave qe u gjeten present, Profesor Rexhep Krasniqit, sekretarit te Komitetit Kostandin Vangjelit, profesor Peshkepise dhe mue, e u largue.

Kush eshte Xhevat Kallajxhi, pyeta une Nexhatin? Ai qeshi pak, nga se u befasue si nuk e njoh Xhevat Kallajxhiun, dhe vazhdoj:

Xhevati eshte nje njeri i drejte dhe objektiv, independent dhe burim i pashterrshem idenash perparimtare.Eshte gazetar dhe penden e zoteron shume mire. Ndjeh mire historine dhe mentalitetin e shqiptarve. Ndjeh gjithashtu miqt dhe  armiqet e Shqqiperise. Ne pune nuk lodhet kurr, dhe as nuk ankohet nga puna e tepert. Eshte i urte dhe i arsyeshem. Po u atakue padrejtesisht,eshte shume i rrepte. Eshte Shqiptar i mire, tha profesori!

Pune e madhe, thash nder mend! Te gjith shqiptaret jane “Shqiptar te mire”!

Me kalimin e kohes fillova te njof Xhevatin si shkrimtar ne fillim,me librin “Lincoln” qe botoj ne vtin 1961, mandej “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare”, me 1964, “Skenderbeu” me rastin e 500 vjetorit te vdekjes se Heroit Kombetar. Keto vepra vertete tregonin se e zoteron penden,qe u permnd me pare!

Njohja me afer per mue filloj mbasi Xhevati prendoj kerkesen e kryasise se Vatres per te marre persiper gazeten “Dielli” si Editor,me 1 Tetor 1976. Ne ate kohe isha “Board Member” gje qe i bente takimet me te shpeshta, nga se Editori merrte pjese ne mbledhjet e kryesise. Gjate mbledhjeve ne mes meje dhe Xhevatit u formue nje miqesi dhe bashkpunim, qe vazhdoj deri sa u nda nga jeta, me 8 Nandor 1989.

Gjate 10 viteve si Editor i gazetes “Dielli”, i ndieri Xhevat mundi te bashkpunojë me shume emra te njohur ne Mergaten Shqiptare ketu dhe ne Europe, te cilet me shkrimet e tyre e pasuruen dukshem gazeten Dielli. Editorialet qe shkruente Xhevati, paraqesnin mendime rreth ngjarjeve kombetare dhe nderkombetare, qe ne nje mendyre apo tjeter, kishin te bejne me situaten e veshtire ne vendlindje, Kosove dhe vende te tjera te banuara nga Shqiptar. Paraqesnin gjithashtu permbajtjen ne mbrendsine e gazetes, gje qe terhiqte lexuesin. Editorialet jane shpirti i gazetes, thoshte i ndieri Xhevat.

Reverend Father Arthur Liolin i krahasonte editorialet e Xhevatit me ato te nje Editori te meparshem te gazettes Dielli, Qerim Panariti, i cili njifet si  nje nder me te miret editor te gazetes Dielli.

Ne shej mirenjohje per punen e shkelqyeshme qe po bente Xhevati per gazeten Dielli, kryesia e Vatres organizoj “Dreke Testemoniale” qe u mbajte ne Anthony’s Pier 4, me daten 6 Nendor 1983, ku moren pjese me se 300 persona. Ne ate rast pati tre foles. Me kerkese te kryesise, foles kryesor isha une Tonin Mirakaj. Te tjeret Dr Andrea Elia dhe Revend Arthur Liolin. Te tre fjalimet gjinden ne Dielli date 16 Mars 1984.

Kuvendi i Federates Vatra per vitin 1984, po pregatitej ne Detroit. Ne kuader te Kuvendit, do kremtohej 75 vjetori i gazetes Dielli. Per ket rast, Xhevati shkroj nje vjershe shume te bukur, ecila u botue ne librin perkujtimor qe u pregatit per ket rast, nga vatranet Fehmi Kokolari dhe bashkpuntoret e tij Gjon Lulgjuraj dhe Kolec Pikolini. Ne nje bisede me telefon, Xhevati sugjeroj qe une te bej nje shkrim per ket rast. Thuej shume me pak fjale, tha Xhevati! Nuk i pelqenin  shkrimet e gjata? E bana shkrimin dhe ja dergova. E pelqej, dhe e botoj ne gazeten e dates 16 Mars 1984.

Ne ate kohe, aktivitetet kryesore te Federates Vatra beheshin ne New York, nga se ketu ishte Dega me e madhe e Vatres. Xhevati vinte per kremtimet e festes kombetare 28 Nandorit. Disa here ishte mik ne familjen time. Kjo ishte kenaqesi per mue, bashkeshorten dhe femiljt e mije. Xhevati kenaqej me pritjen qe i benim. Ishte shume i thjeshte. Insistonte qe mos te pregatishim ushqime te

posaqme, vetem ato qe kishim per vehte.I pelqente bureku (pite) qe pregatiste bashkeshorte e ime Miliana.

Gjate kohes qe kalonim bashke, me bisedonte per aktivitete te tije qe ne moshe te re. Kur ishte 22 vjeq, filloj botimin e gazettes “Demokratia”, e cila u be shpejt nje nder gazetat krahinore me te preferuara ne ate kohe. Kjo gazete u botue per 14 vjet. U mbyll me 1939.

Xhevati ishte udheheqes ne aktivitete shoqerore me vlere ne qytetin e tije. Ishte inisiator i ngritjes se  statujes se luftarit te lirise Cercis Topullit. Dha kontribut me rendsi ne ndertimin e ujesjellsit te qytetit si edhe vepra te tjera me rendesi ne jeten e qytetarve te Gjirokastres.

Sherbeu si antar i Kshillit te Bashkise se qytetit. Nder detyra politike, Xhevati sherbeu si kryetar i Bashkise ne Sarande, dhe me vone kryetar i Bashkise ne Gjirokaster. Sherbeu gjithashtu si Nen Prefekt ne Gostivar dhe ne Kercove, vise keto te Shqiperise Ethnike qe bashke me Kosoven ishin bashkue administrates Shqiptare me 1941. (Ne kete administrate sherbente edhe kushriri i im Kole  Mirakaj si Minister i Mbrendshem). Ne gjith detyrat qe ju ngarkuen, Xhevati tregoj zotesi, vision, enthusiazme dhe emri i tije u be i njoftun si emer i mire ne gjith zonat qe sherbeu.

Nder biseda qe zhvillonim, Xhevati tregonte se mori pjese ne Levizjen Nacionaliste “Balli Kombetar” ne krahinen e Gjirokastres. Ne veren e vitit 1943, Italianet e arrestuen dhe kaloj disa muej ne burgjet e Gjirokastres (burgun e kalase) dhe te Vlores. U lirue me 8 Shtator 1943.

Ne Nendor te vitit 1944, Xhevati dhe shume te tjere, tuej pa rrezikun qe u kercenohej nga fitore e komunisteve, largohet nga Shqiperia, dhe strehohet ne kampet e Aleatve ne Itali. Mbas afer 4 viteve ne keto kampe, ne fund te vitit 1948 emigron ne Shtete te Bashkuara, dhe vendoset ne New York.

Ne New York filloj pune menjehere ne nje restaurant si “piata-lares”. Megjithse punonte nga 12 ore ne dite, bashke me Fehmi Kokolarin fillojne botimin e gazettes “Shigjeta”, ecila u botue vetem 4 numbra, nga se Xhevati mori persiper botimin e gazettes “Shqiperia” organ i Komitetit “Shqiperia e Lire”. Me 1952, Xhevati zen pune si Editor ne sherbimin Shqiptar te Radios “Europa e Lire”. Ne Korrik te vitit 1954 Xhevat punesohet ne “Zerin e Amerikes”, sherbimin Shqiptar.Te dyja keto Radio e kishin qendren ne New York.

Ne “Zerin e Amerikes” Xhevati punoj me se 20 vjet, deri sa dolli ne pension.Gjate kohes ne ‘Zerin e Amerikes mundi te botoj disa vepra ne proze dhe poezi, te cilat provuen zotesin e tije te shkelqyeshme si shkrimtar. La dy vepra ne doreshkrim qe po promovohen ne ket mbremje. Mirenjohje atyre qe bene botimin dhe Vatres qe po i promovon.

Ndiente dhimje te madhe per gjendjen ne Atdhe.Dhimje gjithashtu per femijt e tij qe mbeten jetim pa nane pa babe. Ne vjershen shkrue per bashkeshorten e tije Faikat,qe kishte vdeke 10 vjet me pare, strofa e fundit eshte aq e prekeshme sa eshte zor te lexohet,pa derdhe lot!

Po e mbylle fjalen time, me ket strofe, qe mund tu permalloj edhe  ju:

                                            Dhjet me vone tjeter fat i zi

                                            U ruejt per mua dhe femijt e mi:

                                            U desh te largohem,te le Shqiperine,

                                            Vater e femije dhe njerezine.

                                            U ndava perj tyre me lot duke qare,

                                            Sic bera per Faikon dhjet vjet me pare.

                                            Femijt e gjore u rriten jetim

                                            Me nenen ne varr, atin ne megrim.

                                                                                                                     U falem nderes!

Vjersha Faikat gjindet ne

Tingllime te Zemres, faqe 25

20 Prill 2022

Filed Under: Fejton Tagged With: Tonin Mirakaj, Xhevat Kallajxhi

BESOJ DHE SHKOJ NË KISHË, T’ I FALEM ZOTIT MË SHUMË SE DIKUR

April 21, 2022 by s p

Thanas L. Gjika(Dëshmi besimi)/


Në fëmijëri, nëna ime më mësoi t’i drejtoja Zotit lutjen “Ati Ynë” dhe lutje më të thjeshta për ta falenderuar për të mirat që gëzoja dhe t’i kërkoja ndihmë për të realizuar dëshira e synime të tjerë. Kur mësova të lexoj ajo më nxiti të lexoja pjesët e Biblës që ishin përkthyer shqip prej Shoqërisë Biblike të Londrës. Babai, nga ana e tij më merrte herë pas here për ta ndihmuar në punët e tij private për të fituar ca lekë më shumë se rroga. Këto mësime më ndihmuan të behesha djalë punëtor dhe i ndershëm. Me të tilla vetira, plus zgjuarësisë personale, arrita të kryeja studimet e larta në Universitetin e Tiranës me rezultate të larta dhe si pasojë të më emëroin redaktor në “Radio Tirana”. Pastaj kalova me punë në Institutin e “Historisë dhe të Gjuhësisë”, i cili më 1972 u përfshi në Akademinë e Shkencave. Puna në atë institut dhe jeta e përditshme e asaj kohe, kur luftohej besimi fetar, më bënë të largohesha nga besimi te Zoti dhe të mendoja si shokët se njerëzit ateistë ishin superiorë në krahasim me prindërit që vijonin të besonin te Zoti. Ashtu si kolegët e mij edhe unë e ndjeja veten për intelektual. Kështu që leximin e “Biblës” e lashë mënjanë. Shumë rrallë, kur ndodhesha ngushtë, i drejtoja Zotit ndonjë lutje si gjysmë i penduar për të më ndihmuar pët të dalë nga situata e vështirë…Erdhën vitet e përmbysjes së madhe, 1990-1992, kur regjimi komunist pranoi kapitullimin dhe ndërroi regjimi. Rezervat e mia ndaj atij regjimi filluan të kthehen në bindje. Sa më shumë njihja krimet e sistemit, aq më shumë e urreja diktaturën dhe diktatorin. U hapën kishat e xhamitë. Njerëzit filluan të shkonin në to për të kryer rritet fetare. Fillova të shkoja dhe unë në kishë, jo si besimtar i devotshëm, por më shumë për të shprehur protestën time ndaj dhunimit që më kishte bërë regjimi komunist në mentalitetin tim dhe sidomos për të shprehur dënimin e masakrimeve që u kishte bërë ai regjim të përndjekurve të ndërgjegjes.
Në këtë kohë të re mjaftohesha me faktin se isha bashkëshort, baba dhe koleg i ndershëm që nuk i bija askujt më qafë, që nuk më pëlqente të merresha me thashetheme, me gënjeshtra e lakmira të ndryshme.
Kaluan vite, erdha në Amerikë me lotarinë Green Card. Gjatë takimeve e bisedave me një shokun tim të shkollës, i cili kishte ardhur pas meje po në qytetin ku jetoja unë, mësova disa gjëra që më bënë t’i thërres ndërgjegjes dhe të bëhem fetar më i ndërgjeshëm se në fëmijërinë time. Një herë ky shok klase më kishte ardhur në shtëpi për të këmbyer detyrat e shkollës dhe kur pa nënën time që lexonte “Biblën” greqisht, tha: “Sa libër i trashë qenka! Po ti nënë Meropi je shqiptare, ku e paske mësuar greqishten?”
Nëna ime e sqaroi se kishte mbaruar shkollën fillore greke me pesë klasë, ku të gjitha mësimet zhvilloheshin në greqisht. Kur u ndamë jashtë, shoku im më tha si me të qeshur:
– “Ne kemi më shumë se shtatë vjet që bëjmë rusisht dy herë në javë, po nuk po e mësojmë dot këtë gjuhë.”
Gjatë viteve të para të tranzicionit djali i këtij mikut tim të vjetër kishte kryer një gabim të rëndë korruptiv. Miku im me bashkëshorten, të tronditur, të shtyrë nga frika se djali i tyre do të dënohej shumë vjet burg, dhe se familja e tyre do të humbiste opinionin e mirë, vendosën ta ndihmonin djalin duke e fshehur e dërguar jashtë shtetit. Prindërit më vonë erdhën dhe ata me lotari në Amerikë. Rastisi që u vendosën në qytetin ku jetoja unë. Ai nuk më tregoi gjë për fatkeqësinë e djalit dhe zgjidhjen që i kishte dhënë asaj ngjarjeje. Mirëpo një shok tjetër ma tregoi dhe miqësia jonë sikur u ftoh. Miku im kur e vuri re këtë, më kërkoi takim dhe gjatë bisedës më tha:
“E kuptova që e paske mësuar krimin tim. Tani, unë dhe ime shoqe, e kemi kuptuar se djalin do ta kishim ndihmuar më shumë po ta kishim detyruar të dorëzohej në polici e të kishte kryer dëmimin. U nxituam dhe e nxitëm të fshihej e të largohej nga Shqipëria për t’i shpëtuar dënimit. Mirëpo me këtë zgjidhje e humbën djalin për jetë, nuk e dijmë ku ka shkuar, rron apo jo. As nderin e famijes nuk e shpëtuam, as tranzicionit nuk i dhamë një mësim të vlefshëm si kërkonte koha. Erdhëm në Amerikë, por asgjë nuk na hyn në sy. Rrojmë si të përhumbur e po plakemi para kohe.”
“Më vjen shumë keq që të paska ndodhur kjo tragjedi, i thashë dhe vijova: Nuk e kuptoj si e bëre ti këtë. Ti shquheshe për zgjuarësi e ndershmëri më shumë se unë”.
“Kjo ngjarje dhe pasojat e saj, vijoi ai, më dhanë të kuptoj se nuk mjaftoka që njeriu të jetë i ndershëm e i zgjuar. Ndershmëria dhe zgjuarësia nuk mjaftokan për të qenë njeri plotësisht human, njeri i vërtetë. Po të kishim qenë të krishterë të devotshëm unë me gruan do ta kishim edukuar djalin ndryshe dhe ndoshta ai nuk do të ishte dhënë pas fitimeve. Kur gaboi, do ta kishim nxitur e ai besoj do të kishte pranuar të dorëzohej në polici, për të kryer dënimin që do t’i jepte gjykata. Tani do ta kishim djalin mes nesh. Unë me time shoqe po presim vdekjen si gjynahqarë. Në kishë nuk shkojmë dot, sepse vijojmë të jemi më tepër ateistë. Ndoshta do të jetë më mirë të kthehemi në atdhe.
Nga kjo goditje kuptova një gjë të rëndësishme: nuk mjaftoka të jesh i ndershëm dhe i zgjuar, prandaj ti vijo të shkosh në kishë. Lexo “Biblën” dhe vijo lutjet ndaj Zotit, si të kishte mësuar nëna jote. E ndjej se midis nesh paka pasur dhe ka një ndryshim të madh. Jeto me besimin fetar dhe gëzoje jetën!”
Këto fjalë të mikut tim, që u nda nga jeta disa vjet më parë, më lanë një mbresë të madhe. Më përforcuan mësimin e Jezusit: “Mbretëria e Perëndisë është brenda jush”, pra mbi të gjitha u dashka siguruar qetësia e shpirtit. Propaganda komuniste me idenë e sakrifikimit të së sotmes për hir të së ardhmes komuniste, parajsës mbi tokë, që do të vinte përmes ndëshikeve të pafund të atyre që i dukeshin udhëheqjes së partisë si armiq, na e paskej shpëlarë trurin. Pra nuk ishte feja që na kishte shpëlarë trutë me idenë për ta jetuar të sotmen duke u lutur për shlyerjen e fajeve për të siguruar paqen shpirtërore. Ndaj kam filluar të shkoj më regullisht në kishë. Zoti i dëgjon lutjet tona kudo, por atje te salla e shenjtë më duket se më dëgjon më mirë.
M’u kujtua kjo ngjarje në këto ditë pashke. E shkrojta duke shpresuar se mund të ndihmoj dikë t’i afrohet besimit fetar si unë, jo për t’u bërë besimtar fanatik, por fetar i ndërgjegjshëm e i logjikshëm, për t’u bërë më human, njeri më i vërtetë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Thanas Gjika

NJË PYETJE SA PËR KURIOZITET!

April 19, 2022 by s p

Pse nuk ishte e ftuar Shqipëria në takimin e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s të Evropës Jug-lindore në Sofie të Bullgarisë me 28 Mars?

Nga Frank Shkreli
A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Në fund të muajit që kaloi, me 28 Mars, Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov organizoi në Sofie një takim të nivelit të lartë të udhëheqsve të shteteve dhe qeverive të Evropës Jug-lindore, antare të NATO-s. 

Në atë takim, sipas të dhënave në media fund muajin e kaluar — të ftuar nga Kryeministri bullgar për të marrë pjesë në atë mbledhje rajonale të nivelit të lartë — morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. Por jo, Shqipëria, por as Serbia nuk ishin të ftuara, sipas lajmeve.

Sipas njoftimeve zyrtare bullgare, takimi kishte për qëllim diskutimin e ndërlikimeve që lufta në Ukrainë mund të ketë për rajonin e Evropës Jug-lindore dhe shqyrtimin e masave që mund të merren bashkarisht për të përballuar pasojat e krizës energjetike dhe ekonomike.  “Lufta në Ukrainë ka krijuar një krizë energjetike si dhe një krizë furnizimi ushqimesh. Por takimi është gjithashtu një mundësi që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen për të mirën e popujve të tyre dhe të bashkrendojnë veprimtaritë e tyre, për të përballuar pasojat e krizës”, në Ukrainë, është shprehur Kryeministri bullgar, Petkov, në lidhje me mbledhjen e mbajtur në Sofie në fund të marsit që kaloi. 

Ndërsa, Kryeministri i Maqedonisësë Veriut, Dimitar Kovaçevski është cituar të ketë thenë me atë rast se, “Takimi kishte për qëllim parandalimin e çfardo pasojash që kriza në Ukrainë mund të ketë mbi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, në kontekstin e pasojave të mundëshme që mund të rrjedhin nga kriza humanitare dhe nga gjëndja e sigurisë në Ukrainë”, duke shtuar se vendet që morën pjesë në takimin e Sofies me 28 të Marsit që kaloi, mbeten të vendosura në dënimin e luftës në Ukrainë si një pushtim illegal i Ukrainës nga Rusia, është cituar ai nga portali European Western Balkans. 

Kur të merren parasysh objektivat e atij takimi si dhe rrethanat nën të cilat u mbajtë – për të marrë në shqyrtim pasojat ekonomike dhe të sigurisë që mund të ketë lufta në Ukrainë për rajonin e Ballkanit Perëndimor — por edhe ngërçin e procesit të zgjërimit të Bashkimit Evropian (BE) të disa vendeve të Evropës Jug-lindore, përfshir Shqipërinë – natyrisht lindë pyetja kurioze: Pse nuk mori pjesë Shqipëria në takimin e Sofies të 28 marsit dhe pse nuk u ftua të merrte pjesë me vendet e rajonit si vend anëtar i NATO-s dhe si vend i Evropës Jug-lindore, që aspiron antarësimin e saj në BE.   

A group of men sitting at a table with microphones

Description automatically generated with low confidence

Në takimin e Sofies morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. (28 Mars, 2022)

A thua se mungesa e ftesës Shqipërisë për të marrë pjesë në atë takim në Sofie, mund të ketë lidhje me këmbënguljen kokëfortë të Shqipërisë dhe të Serbisë për të shkuar përpara me nismën e përbashkët famëkeqe të Presidentit serb, Vuçiq dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Rama, të “Open Balkans”, ose të ashtuquajturit “Ballkan i Hapur”, megjithë pushtimin barbar të  Ukrainës nga Rusia dhe gjithë pasojat gjeopolitike dhe ushtarake që mund të ketë ky akt barbar për Evropën dhe botën?  Siç dihet, nisma “Open Ballkans” është konsideruar nga shumë eskpertë vendas dhe ndërkombëtarë, si një mjet ose proces i shtrirjes së mëtejshme të influencës ruse, nepërmjet vasalit të saj Beogradit zyrtar, në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  “Nisma Ballkani i Hapur”, është parë gjithashtu edhe si një akt kundër Republikës së Kosovës, pavarësisë dhe integritetit territorial të saj, që ende nuk njihet nga Serbia as nga aleatja e saj e ngushtë, Rusia. Ndërsa, Moska dhe Beogradi po bëjnë çmos për të minuar shtetin e Kosovës në nivel rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.

Fatbardhësisht, nuk është sekret qëndrimi i Bashkimit Evropian e sidomos i Gjermanisë ndaj nismës Vuçiq-Rama për Ballkanin e Hapur. Qeveria e re gjermane e bëri këtë të qartë gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Gjermani, se Berlini zyrtar është i përkushtuar ndaj procesit të Berlinit dhe JO ndaj “Open Balkans”, sa i përket Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të vërtetë, po qarkullojnë lajme sipas të cilave disa vende perëndimore, duke përmendur Britaninë e Madhe si nismëtare e një fushatë — deri tani prapa skene — për të hequr qafe njëherë e mirë, nismën “Open Balkans”, si një përpjekje edhe për të minimizuar rolin e Serbisë në Balkanin Perëndimor, duke marrë parasysh qendrimin prej vasali të Beogradit ndaj pushtimit illegal dhe barbar të Ukrainës nga Rusia, si dhe pasojat që ajo luftë mund të ketë tashti dhe eventualisht, jo vetëm në Evropë, por sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ka ardhur koha që edhe Tirana zyrtare t’i hapi sytë, veshët dhe gojën dhe të shpallë nismën e rrezikshme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, “Ballkani i Hapur”, si një nismë e vdekur, që e ka vendin në koshin e plehrave të historisë. Hiqni dorë nga “Ballkani i Hapur”! Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf . S’do mendë se zvogëlimi i rolit të Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe minimizimi i influencës ruse në atë rajon, nepërmjet aleatës së saj të vjetër Serbisë (“Këlyshve të Rusisë”), është në interesin e shqiptarëve. Kështu e shohin edhe aleatët perëndimorë të Kombit shqiptar.

Frank Shkreli

See the source image

              Vuçiq, Zaev, Rama – tre aleatët e nismës “Ballkani I Hapur”

Filed Under: Fejton Tagged With: Frank shkreli

LAMTUMIRA, MADELEINE ALBRIGHT, ARMIKE E TIRANËVE. GRUAJA E PARË NË KRYE TË DIPLOMACISË SË SHBA

April 12, 2022 by s p

Nga MASSIMO GAGGI/

Kur e intervistova në Washington, tre vite më parë, për të folur mbi fashizmët e rilindur, veçanërisht n’Evropë, tema e librit të saj të fundit, ajo i u përgjigj pyetjes sime të parë duke cituar jo vetveten por Primo Levin: “Ai thonte se çdo kohë ka fashizmët e tij, e që mund t’arrihet në tragjeditë e përbindëshme si Holokausti edhe pa kaluar nëpër një terror policer: mjafton të mohohen faktet, të shtrembërohet informacioni, të ndotet Drejtësia, të përhapet malli për një të shkuar prrallore. Fjalë mbi të cilat duhet përsiatur duke parë se ç’po ndodh nën sytë tanë”.

Larg totalitarizmave

Sytë e Madeleine Albright janë mbyllur dje përgjithmonë mbasi kishte parë atë që ajo, e ikur dy herë nga totalitarizmat e mëdha evropiane të Nëntëqindit, me sa duket e kishte përfytyruar e së cilës i ishte frikësuar. Gruaja e parë që kishte marrë detyrën e Sekretarit të Shtetit, Albright, u vra në moshën 84 vjeçe nga një tumor kanceroz. Bijë e një diplomati çekosllovak (në gjëndjen civile të Pragës ishte regjistruar si Maria Jana Korbelová, Albright është mbiemri i bashkëshortit amerikan), Madeleine-s i u desh të ikte nga Vëndi i saj herën e parë më 1938, si vazhdim i përndjekjes së hebrenjve dhe copëtimit të Çekosllovakisë të kryer nga nazistët, e më vonë, përsëri, dhjetë vjet më pas, për t’i ikur shtypjes staliniste.

Thellësisht e lidhur me Evropën lindore të zanafillës së saj, e shënuar nga totalitarizmat dhe Holokausti, ashtu si shumica e t’afërmëve të saj, përfshirë tre gjyshër, të vdekur në kampet e përqëndrimit të Raihut të tretë, vit mbas viti Albright-i ka parë të rilindin fashizmët dhe ka njohur mirë udhëheqës të kthyer në diktatorë nën sytë e saj. Në Fashizmi-n e saj ajo ndalet në analizën e tre figurave, në pushtet edhe sot e me role të rëndësishme në konfliktin ukrainas: Putini, protagonisti i madh, hungarezi Orbán dhe turku Erdogan që armatos ukrainasit dhe dënon Moskën në OKB, por pastaj nuk zbaton sanksionet kundër Rusisë dhe ndërmjetëson me Putinin.

Nga Karteri në Ballkan

Veprimtare demokratike, karriera e Albright-it në Administrim fillon më 1976, me zgjedhjen e Jimmy Karterit. Këshilltari i presidentit për politikën e jashtëme, Zbigniew Brzezinski, e thërret në Shtëpinë e Bardhë si asistente. Më pas do të bëhet këshilltare e Geraldine Ferraro gjatë garës (së dështuar) për nënpresidente e të guvernatorit të Massachussets, Michael Dukakis. Kur Bill Clinton arriti në Shtëpinë e Bardhë, e emëron ambasadoren e parë të SHBA në OKB dhe, më pas Sekretare të Shtetit. 

Aspak izolacioniste, Albright-i ndërpreton rolet e saj si zbatuese e një politike ndërhyrjeje në konfliktet ndërkombëtare të një Amerike që për të është “Kombi i domosdoshëm”. Lëviz duke kërkuar të vlerësojë atë që quan epërsi morale të Shteteve të Bashkuara, por edhe duke angazhuar Vëndet e tjera  ‘atë që përcakton “një multilateralizëm të fuqishëm”.

Bën edhe gabime, të rrëfyera më pas në kujtimet e saj, si mos ndërhyrja e e vendosur në Ruanda, ku më 1994, një mision i vogël ruajtës i paqes i OKB-nuk mund të ndalonte një gjenocid: së paku një milion të vdekur.

Imponoi parimin e ndërhyrjes njerëzore në luftën e Ballkanit: mbas plojës së Srebrenicës të kryer nga sërbët pavarësisht nga prania e një kontigjenti të vogël të “helmetave të kaltërta”, vendosur ndërmjet luftuesve, mposhti qëndresën e Pentagonit dhe i hapi rrugën bombardimeve amerikane. Dy muaj më vonë, në Dayton, i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Holbrooke, mori firmat e një marrëveshjeje që, me gjithë se linte çështje të ndryshme të pazgjidhura, i dha fund një lufte që kishte kushtuar së paku njëqindmijë të vdekur.

“Corriere della Sera”, 24 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Fejton

Fejton nga Rafael Floqi – NATO, RAMA DHE 1 PRILLI

April 6, 2022 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Një gënjeshtër e pëlqyer, apo një servilizëm në ekstrem do të shpalosej në një këndvështrim sa qesharak dhe aq për të ardhur keq këtë vit më 1 Prill. Të gjitha mediat televizionet dhe gazetat më me emër në Shqipëri, u përpoqën t’i krehin sedrën kryetarit të qeverisë, edhe pse e dinin që ishte e ashtuquajtur “dita e gënjeshtrave”, duke vënë dyshim dhe vetë atë që besojnë se 1 Prilli është ditë si të tjerat. 

Po e habitshme, këto rrenat me Ramën, nuk mund të jenë ‘Fake news” nuk ka mundësi të jenë, pasi nuk janë shqiptare, pasi njoftimi tashmë vinte “ kafet e Tiranës”, por mall importi, nga Gjermania. Një ksenofili deri në absurd, për çdo gjë të huaj, një kompleks inferioriteti tek shqiptarët, i njëjti, sado çdo ambasador e shpallim guvernator të pa shpallur të vendit tonë, se po qe rrenë e jashtme besohet.      

Këtë një1 Prill një papërgjegjshmëri kolosale, media që duhet të jetë pushteti i katërt, shpërndan llogje pazari, fake news, me një përkushtim  që mund të shpjegohet me një adhurim deri në vetëmohim si dalldi spiropaliste për “Skënderbeun “ e mediave shqiptare. Te gjitha gazeta e mëdha, të gjithë televizionet e bombarduan publikun me titujt se “kryeministri shqiptar do të bëhej së shpejti shef i NATO-s”. Artikuj shkruesit me një pasion vuajarist prej ndjekësi emisioni “Bigbrother”i e me një servilizëm të pa kërkuar. Imagjinoni “Piktori shefi i NATO-s” pavarësisht se vendi i tij nuk ka asnjë aeroplan dhe se tanket janë shitur për skrap pas marrëzisë kolektive të 1997.

Megjithatë është fakt ky thashethem qarkullon për disa kohësh në rangjet e larta të qeverisë shqiptare, ku njësoj si në rastin kur u përhap fjala se Rama do ndërmjetësonte për të zgjidhur sherrin mes Turqisë dhe Greqisë, apo Rusisë dhe Ukrainës.  Në mediat shqiptare ka adhurues të tij të çmendur që besojnë se Zeusi mund të arrijë gjithçka. Madje edhe vete Zeusi s’u ndje fare edhe duket që i kishte pëlqyer “cette pioson d’ avrille” se gjuhë brisk, siç është nuk mund të rrinte pa bërë zë, siç duket pse kishte mbyllur një ditë më parë diskutimin me popullin e tij, siç duket po bëhet gati për transferimin tek “Olimpi imagjinar” ku i kishin caktuar të zëvendësonte Marsin. Heshtja shton suspensën, dhe  trashëgimtari gjuhë shpatë i  Nolit dhe Konicës sipas fjalëve të tij heshti. Dhe heshtja i pëlqeu, do të ketë menduar se i mjafton që diskutohet ideja.  

Duke ditur që ishte 1 Prilli, një grua shqiptare me mbiemrin e martesës që tingëllon si i huaj që banon në Gjermani, një farë Suzana Starikov, cicëroi për shaka në twiter se “Kryeministri Edi Rama mund të zgjidhet në krye të NATO-s dhe ngriti pyetjen “Kush do të jetë kryeministri i radhës i Shqipërisë?”. Sipas saj kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas janë dy kandidaturat për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s në vend të Jens Stoltenberg. Kaq duhej, dhe fakti u bë i vërtetë “ vloi kazani”. Që ta bërë “zbulimin e besueshëm” iu dhanë zonjës edhe tituj që s’i ka. Jo vetëm kaq…

Kush rrëmon për të vërtetën,  me dy klikime në Facebook zbulon se kjo “ analiste e NATO-s” që shkruan artikuj vetëm më një Prill , është  Suzana, një shqiptare dhe siguron jetesën me përkthime, dhe emrin e vajzërisë e ka Suzana Skenderi.

Ku ka rënë gazetaria, ku ka rënë vërtetimi i burimit, kur “lajmet merren “ nga konspiracionistë, si lefterisuri Alfred Çako, shqiptar dhe ky, si Suzana dhe bëhen fakte?  Pavarësisht dhe pse ishte 1 Prill, ç’rëndësi ka e vërteta,  duhej që lajmi me insistim të shpërhapej në Shqipëri, pikërisht lajmi për liderin global, ndaj duhej që një portal vlonjat një “ ripërtypës interneti” ta shpallte Suzanën edhe akademike por eksperte e NATO-s. 

Pre e kësaj dalldie ra edhe një media serioze serbe si B92 e cila e botoi lajmin në faqen e saj. Kjo ndoshta e lidhur dhe me reagimet e fundit të Ramës ne Samitin e NATO-s ku nuk u shpreh, pro nismës se Kroacisë dhe Turqisë për ta futur Kosovën në NATO. Serbët duhet të kenë fërkuar duart. 

Por pse të gjithë harruan se ishte 1 Prilli, dita e gënjeshtarëve. Atë e sqaroi vetë Suzana Starikov me një postim të dytë kur pa që ky njoftim u bë viral. “OK më duhet të shpjegoj se e gjitha kjo ishte një shaka për 1 Prillin”, shkroi ajo duke insistuar: “Pavarësisht se kam deklaruar se ishte thjeshtë një shaka e imja për 1 Prillit, mediat nuk ndalojnë së publikuari sikur të ishte një lajm i vërtetë. Kjo është çenduri. Është vetëm një shaka, fshijeni ju lutem, nuk dua të jem burimi i një lajmi të rremë”. Çfarë vetësakrifice , por asnjë media shqiptare nuk e përgënjeshtroi.

Sot Shqipëria shënon 13 vite si anëtarë e NATO-s dhe cicërimat e “akademikes gjermane ne Twitter “nuk duken te jenë rrufe ne qiell të hapur, pasi ideja që Edi Rama mund të zgjidhet ne krye te NATO-s ka kohë që qarkullon në mjediset mediatike dhe politike, si një fakt që gatuhet ne “kazanin”, siç i pëlqen Ramës të 1 Prillit të mediave shqiptare.

“Por, a synon Edi Rama postin e sekretarit të përgjithshëm të aleancës së atlantikut te veriut? Koha do ta tregojë, shkruan Top Channel, por një tjetër kohë që po ecën drejt fundit është ajo e mandatit te Jens Stoltenberg, që mbyll ciklin e tij në këtë post ne shtator të 2023, me një vit shtyerje për shkak të luftës në Ukrainë, luftë e cila ka marrë vëmendje të posaçme e nga NATO. Ndërsa “Shqiptarja “ shtonte se  “Publikisht Edi Rama nuk ka folur kurrë për një ambicie të tij për karrierë politike ndërkombëtare, por të gjithë kujtojnë se ai nisi të shijonte shume turet e tij si kryetar i OSBE, përfshirë edhe vizitat ne Moskë dhe në zonat e konfliktit ruso-ukrainas në Donbas. Rama bëri lajm kur u duk se negocioi mes Erdogan dhe Micotakis për krizën greko-turke, ndërsa shkoi vetë në New York, kur Shqipëria filloi turin dy vjetor si anëtar i Këshillit të Sigurimit. Atij i pëlqen shpesh të vjedhë dritat e spektaklit në takime ndërkombëtare, me këpucë sportive dhe rrëfime hokatare, por të jesh sot sekretar i përgjithshëm i NATO-s, nuk është një spektakël, por një detyrë me përgjegjësi.

“Gjithçka mund të ndodhë, por Brukseli nuk është Tirana, aq më tepër në 1 Prill, shkruan, Top Channel, që mund të përkthehet, nuk kemi se mos besojmë se sot është 1 Prill, pasi lajmi vjen nga burime të jashtme.  Çfarë poshtërimi i rolit të gazetarit dhe të vërtetës, dhe mere mend kur Top Channel që vetë cilësohet se është “një burimin kryesor dhe me prestigjioz të informimit të të gjithëve në Shqipëri, në hapësirën mbarë shqiptare dhe kudo tjetër në botë ku shqiptarët jetojnë”, merre me mend të tjerat.

Lajmi i rremë” është “informacion i fabrikuar që imiton përmbajtjen e medias së lajmeve në formë, por jo në proces apo qëllim organizativ. Nga ana tjetër, organeve të lajmeve të rreme u mungojnë normat dhe proceset editoriale të mediave të lajmeve për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Lajmet e rreme mbivendosen me çrregullime të tjera informacioni, të tilla si dezinformatat informacione të rreme që përhapen qëllimisht për të mashtruar njerëzit.

Nga ana e kryeministrit nuk ka patur asnjëherë reagim lidhur me ambicien për një gjë të tillë, edhe pse kreu i qeverisë ka intensifikuar takimet jashtë vendit. Së fundmi ai u takua me Henry Kissinger, një prej figurave më të njohura në botë, i cili ka mbajtur disa poste të rëndësishme në SHBA. Gjithashtu, Rama u takua edhe me shumë të atakuarin në Shqipëri, manjatin George Soros. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një takim në Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju-Jork, ku mbajti një fjalim të shkurtër para qindra studentëve. Nga studio e emisionin “Breaking” në Top News, analisti Artur Zheji tha se kjo do ishte një arritje e madhe për Shqipërinë, por nuk beson se Rama e synon atë post.

“Pse të mos e bëjë. Nëse kupola e madhe vendos se një shqiptar do zgjidhjet sekretar i përgjithshëm, pse jo. Por nuk e ha atë Rama. Nuk ikën nga Shqipëria ai. Këtu i ka rrënjët. Nuk do që ti thahen rrënjët, ku i ka ngulur fort”, tha Artur Zheji.

Gjithsesi, poste të tilla, edhe pse duket të paarritshme për zyrtarët shqiptarë, nuk janë të pamundura. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur edhe detyrën e kreut të OSBE, ndërsa zhvilloi edhe disa takime në Moskë dhe Krime, dhe duket si e shmangu luftën. Ndërkohë pas kësaj hajt, mos beso se Piktorit nuk i duhej më këshillimi me popullin, e mos spekulo se tani pasi kishte në dore fatet e Botes “. Procesi i Këshillimit Kombëtar duhej mbyllur më 31 Mars. Qe vet “kandidati për sekretar të NATO-s që bëri me dije se në këtë proces kishin marrë pjesë mbi gjysmë milioni qytetarë. Dhe kjo ishte një dite para bombës se 1 Prillit.

Sipas Ramës me postë kanë dhënë mendimin e tyre 340 143 qytetarë, online 127 130 qytetarë dhe në tenda 95 922. Kreu i qeverisë siguron pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh.

“Dhe me një falënderim të me gjithë zemër për mbi gjysmë milionë shprehje interesi për Këshillimin e parë Kombëtar, si edhe duke i siguruar të tërë pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh, ju uroj të gjithëve një fundjavë të qetë”, shkruan Piktori që pritet që tani të justifikojë çdo veprim te tij me fjalët « Vox Populi , vox day»

Thonë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por kjo e 1 Prillit, doli se nuk ishte kështu, gazeta Tema , botoi një shkrim ku “Nikollë Lesi” pronari i gazetës “ Koha e Jonë” kërkonte me forcë të drejtën e “Copywrite” e dhe kasnecoi se ka muaj që e ka parashikuar këtë gjë, duke e thënë se ai qe i pari, dhe vërtet, ka pasur një shkrim konspiracioni të tillë, bazuar në sondazhe tw gazetës në fjalë. 

“Edi Rama ka realizuar qëllimet e tija në Shqipëri, shkruante ai. U bë kryebashkiak, kryeministër sa asnjë kryeministër tjetër pas vitit 1990 dhe po turret drejt NATO-s. Pas Edi Ramës fillon epoka e Erion Veliajt. Ai merr PS-në dhe qeverinë pasi, siç thamë në shtator të vitit të ardhshëm mbaron mandati i drejtuesit të NATO-s.

Ndaj po të shikosh me kujdes edhe prononcimet e Erion Veliajt në takimet nuk thotë më zoti kryeministër, por i drejtohet me emrin Edi. Kaq mjafton për te vluar kazani. 

Me kaq historia 1 Prillit u mbyll po duke lënë të hapur dilemën: mediat tona u treguan kaq syleshë thjesht, besojnë në fake news, jetojnë në flluskën e twiterit,  apo adhurojnë aq shumë Ramën edhe pse e dinin që ishin me një 1 Prill?

Për ironi, edhe vete origjina e 1 Prillit,  është një reng që thonë se rrjedh nga mesjeta nga koha e ndryshimit te kalendarëve Julian dhe Gregorian, apo më e lashte, se thonë se rrjedh nga festimet qesharake të Perëndeshës Romake Hillaria, nga vjen edhe në anglisht fjala « hilarious » -super qesharake ashtu si burahaja e mediave shqiptare me këtë lajm në 1 Prill. 

Pasi vetëm po të besojmë dihet se si Rama ka zgjidhur problemet e Shqipërisë, pasi i ka ikur gjysma e popullsisë, do të kujtonim Mark Twain që thoshte “Kjo është dita që na kujton se çfarë jemi në 324 ditët e tjera të vitit.” 

Dhe do na vinte në mendime ideja se si do ta pikturonte botën piktori me kërpudhat bërthamore kur njerëzimi të kërcënohej nga zhdukja… 

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT