• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve

April 4, 2026 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Retrospektivë, 1924. Kryeministri i Shqipërisë Fan Noli mbajti një fjalim në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Një fjalim që nga njëra anë tregon erudicion, dije, kulturë, karakter dhe kurajë, por nga ana tjetër reflekton mungesë konceptesh mbi demokracinë, legjitimitetin, shtetin dhe politikën. Ishte koha kur Noli u bë kryeministër pa një vendim parlamenti, ky i fundit nuk ekzistonte më, dhe kur fuqitë e kohës kushtëzuan mbështetjen financiare dhe politike ndaj Shqipërisë me zhvillimin e një procesi zgjedhor për rivendosjen e legjitimitetit kushtetues të parlamentit dhe qeverisë. Noli refuzoi. Duke akuzuar të tjerët. Një nga dijetarët më të aftë të botës shqiptare, intelektual dhe atdhetar, megjithatë ditën kur ishte në pushtet mori vendime të gabuara. Me kosto të lartë për veten dhe vendin.

Mesazhi? Shumë prej atyre që kanë ushtruar pushtet në Shqipëri kanë qenë/janë individë “të shëtitur”, të lexuar, me përvojë dhe në dijeni mbi rrugën që duhet të zgjedhin dhe në rast gabimi, në dijeni edhe të pasojave që mund të kenë gabimet e tyre. E megjithatë kanë vijuar të marrin vendime të gabuara, sidomos në çështjet e praktikave demokratike, zgjedhjeve, legjitimitetit dhe shtetit të së drejtës. Me ndërgjegje, me vetëdije, me këmbëngulje, dhe si në rastin më sipër, edhe duke e paraqitur gabimin si meritë historike.

Salus populi suprema lex esto, – thonin romakët. Interesi publik duhej të ishte qëllimi dhe ligji më i lartë. Xhorxh Uashington refuzoi mandatin e tretë. Mjaftojnë dy për një lider. Mandela ishte më konkret “një lider i madh e di kur duhet të largohet”.

Ne kemi pasur e kemi shumë kryetarë, edhe në tranzicionin post ‘90. Liderë? Modele frymëzuese? Identitete demokratike dhe burrë shtetas? Ende jo. Dhe nuk duken në horizont. E duan vendin por e duan pronë të tyre, e duan partinë por e duan pronë të tyre, e duan politikën por e duan në shërbim të tyre, e duan ligjin por e duan në anën e tyre.

Pasoja? Kemi mite, adhurues të marrëzisë dhe madhështisë së gabimeve të ndërgjegjshme. Dhe si shoqëri vijojmë të jetojmë duke mbijetuar, “të krijuar nga Zoti dhe të shpëtuar nga rastësitë” sic thoshte një shekull më parë Konica.

Filed Under: Histori

Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike

April 2, 2026 by s p

Paulin Zefi/

Banesa e familjes Turkaj në Shënkoll të Lezhës përfaqëson një nga shembujt më të spikatur të arkitekturës së elitës drejtuese në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë në fillim të shek. XX. Familja Turkaj udhëhoqi Bajrakun e Nikçit në Kelmend të Malësisë së Madhe për pothuaj një shekull, nga themeluesi i kësaj “dinastie”, Gjekë Vuksani, i njohur kryesisht si Tur(k) Vuksani dhe deri te Nikollë Dedë Kaçeli (Kapedani), duke ruajtur autoritetin lokal (në Kelmend e në Bregun e Matës) dhe duke tërhequr edhe vëmendjen e vetë princit të Malit të Zi, Knjaz Nikollës ose Krajl Nikollës. Familja e Turkajve kishte lidhje miqësore me derën kapidanore të Mirditës, pasi Gjergj Kaçeli, i biri i Kaçel Turkut, i lindur në Shënkoll të Bregut të Matës më 1846, kishte dhënë motrën e tij, Marën (e njohur kryesisht si Mara Lleshja), në familjen e Gjomarkajve. Po ashtu, i sipërpërmenduri Gjegj Kaçeli ishte bashkëpunëtor i ngushtë dhe bashkëluftëtar i Ded Gjon Lulit. Krahas aktivitetit patriotik dhe luftës heroike kundër pushtuesve osmanë dhe forcave serbo-malazeze, familja Turkaj dha një kontribut të shënuar edhe në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Bregut të Matës, përfshirë dhurimin e tokës për ndërtimin e Kishës së Shënkollit.

Duke u mbështetur në analizën e gjurmëve të ruajtura të Kishës së vjetër të Shën Kollit (mbi gërmadhat e së cilës është ndërtuar kisha e re që ndodhet në qendër të fshatit me të njëjtin emër), e cila afërsisht ka pasur një sipërfaqe prej 21.5 m × 9.45 m, G. Hoxha, L. Përzhita dhe F. Cavallini sugjerojnë se ndërtimi i saj mund të datojë në shek. XVIII. E, pikërisht në gjysmën e dytë të shek. XVIII vërehet një rritje e shtuar e pranisë së malësorëve të Kelmendit në Bregun e Matës, si rezultat i privilegjeve të fituara prej tyre nga Bushatllinjtë e Pashallëkut të Shkodrës (1757–1831). Përsa i përket ndërtimit të Kullës, kjo kryevepër arkitekturore i atribuohet prijësit te parafundit të familjes së Turkajve, i cili trashëgoi titullin e bajraktarit të Nikçit, Lush Llani, i lindur në Shënkoll të Bregut të Matës në vitin 1870. Ai ishte i biri i Llan Turkut dhe përmendet si një djalë trim dhe shumë aktiv në çështjet kombëtare. Së bashku me të atin, mori pjesë në Kuvendin e Pejës (23-29 janar 1899) të organizuar nga Haxhi Zeka, kuvend në të cilin u themelua Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900), e njohur edhe si “Besa-Besë.” Po ashtu, ai shquhet në aksionet kryengritëse, që zhvilluan kryengritësit bregamatas kundër administratës osmane për mospagimin e taksave në vitet 1902-1904.

Lush Llan Turku së bashku me Gjeto Cokun do të arrestohen dhe internohen në Izmir të Turqisë për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj sulltan Abdyl Hamitit II dhe pas kthimit në atdhe më 1908, Lushi organizoi lëvizjen e malësorëve të Bregut të Matës për liri dhe pavarësi, duke bashkëpunuar ngushtë me Cokajt dhe Llesh Nikë Dakën, i mbiquajtur “Leonidha i Bregut të Matës.” Lush Llani është ndër krerët më të rëndësishëm që mori pjesë në Kuvendin e Zejmenit (11 maj 1912) dhe, së bashku me krerët e tjerë malësorë, mirditorë, zadrimorë dhe ata të Lezhës, mori pjesë në çlirimin e qytetit dhe në ngritjen e Flamurit Kombëtar në Lezhë, më 3 dhjetor 1912. Po ashtu, ai u zgjodh anëtar i Qeverisë së Përkohshme. Krahas miqësisë së trashëguar familjare me Gjomarkajt e Mirditës, Lush Llani ishte po ashtu mik i Toptanëve të Tiranës, me të cilët kishte marrëveshje pronësie (në Breg të Matës e Gurrëz të Kurbinit) dhe ndërsa në verën e vitit 1914 luftoi kundër forcave dumbabiste të Haxhi Qamilit, duke dhënë një kontribut të shënuar në mbrojtjen e Princit të Shqipërisë, Wilhelm Wied. Andej nga fundi i vitit 1914 dhe në fillim të Luftës së Parë Botërore (1914–1918), kur forcat austro-hungareze po marshonin nga Durrësi në drejtim të Shkodrës përmes arave të mbjella të familjes Turkaj, ato u bllokuan menjëherë nga vetë bajraktari Lush Llani, i cili, për pasojë, u arrestua dhe u internua për plot 18 muaj në Austri.

Ndërsa në verën e vitit 1919, bashkë me trimat e Bregut të Matës, u përfshi në çetat e lirisë me Bajram Currin dhe Azem Galicën, duke rënë heroikisht në Pejë gjatë luftimeve të zhvilluara kundër ushtrisë pushtuese serbe. Përfaqësuesi i fundit i kësaj familjeje që trashëgoi titullin e bajraktarit të Nikçit, siç e kam përmendur pak më lart, ishte Nikollë Dedë Kaçeli (Kapedani). Pas vrasjes së Lush Llanit, ai e ushtroi këtë funksion deri në vitin 1945, kur vendi jonë hyri në një fazë të re politike, e cila shënoi fundin e institucioneve tradicionale dhe solli privacione e përndjekje krejtësisht të pamerituara ndaj përfaqësuesve të tyre. Megjithatë, përkundër sfidave me të cilat u përballën, trashëgimia e pasur dhe vlerat e spikatura të familjes Turkaj në Bregun e Matës vazhduan të mbeten të gjalla dhe të ruhen nga pinjollët e saj, jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe në ditët e sotme. Simboli kryesor dhe më emblematik i kësaj familjeje, që njëkohësisht përfaqëson edhe një simbol të statusit dhe prestigjit të saj shoqëror, është pikërisht Kulla e Lush Llanit, e njohur kryesisht si Kulla e Turkajve. Ajo ndodhet në pjesën veriore të fshatit Shënkoll dhe në jug të Rrilës, në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Lezhë–Shënkoll, rreth 9 km larg qytetit të Lezhës. Kulla e Turkajve u ndërtua nga mjeshtër dibranë nga Golloborda gjatë viteve 1917–1919 dhe i gjithë procesi i ndërtimit ka zgjatur rreth 2 vite e 3 muaj, duke nisur në fillim të vitit 1917 dhe përfunduar në pranverën e vitit 1919.

Kulla është ngritur mbi themelet e një objekti më të hershëm, të ndërtuar andej nga fundi i shek. XIX nga bajraktari i Nikçit dhe pinjolli i famshëm i kësaj familjeje, Llan Turku. Ajo ngrihet mbi një truall fushor dhe dallohet për një volumetri të qartë: një trup qendror masiv me planimetri katërkëndëshe (16.50 × 12 m), i përbërë nga dy kate të plota, si dhe një kullë imponuese në pjesën jugore me planimetri katrore (7 × 7 m), e zhvilluar në tri kate të plota dhe me lartësi maksimale që arrin rreth 11 m, e cila shërbente si element vrojtimi, identitar dhe prestigji. Kjo ndërtesë përfaqëson një tipologji banese tradicionale me zhvillim të ndarë në disa faza, ku bërthama fillestare është zgjeruar me volume të reja, duke krijuar një planimetri komplekse dhe një çati shumëplanëshe. Ky lloj organizimi përbën një dëshmi të drejtpërdrejtë të mënyrës së jetesës dhe të evolucionit familjar ndër breza.

Kjo formë, shumë e rrallë për rajonin e Lezhës, e afron banesën me tipologjitë urbane të Shkodrës, duke dëshmuar një shkallë të avancuar zhvillimi shoqëror dhe arkitektonik në mjedisin rural të Shënkollit dhe të gjithë Bregut të Matës. Fasadat e suvatuara, sot pjesërisht të degraduara, ruajnë ende simetrinë e elementëve arkitekturorë. Veçanërisht dallohen harqet gjysmërrethore të dritareve në fasadën jugore, të shoqëruara me korniza të theksuara, të cilat dëshmojnë ndikime neoklasike dhe sidomos elementë të arkitekturës së ndikuar nga modeli austriak i fund shek. XIX dhe fillim shek. XX. Pothuajse të gjitha dritaret janë të pajisura me kangjella metalike të punuara me një nivel të lartë artistik, me funksion njëkohësisht mbrojtës dhe estetik. Ballkoni i hekurt në katin e tretë, i vendosur në fasadën lindore të kullës jugore dhe i mbështetur mbi një strukturë konsole, përbën një element me vlera të veçanta kompozicionale dhe lidhet me modelet e banesave të shtresave të konsoliduara ekonomikisht. Muret e katit përdhes, të ndërtuara me gurë gëlqerorë, ndërsa katet e sipërme kryesisht me tulla të kuqe dhe më pas të suvatuara, paraqiten sot mjatt të amortizuara, me zhveshje të shtresës së jashtme dhe ekspozim të materialit bazë.

Trashësia e tyre e konsiderueshme sugjeron një funksion të qartë mbrojtës dhe izolues. Kati përdhes i trupit qendror masiv të ndërtesës paraqet ndërhyrje më të vona, duke përfshirë dy veranda të vogla me soleta betoni, që janë të mbështetura mbi kolona të thjeshta kuadratike, të cilat krijojnë hapësira hyrëse gjysmë të mbuluara. Çatia me pjerrësi të ulët, e mbuluar me tjegulla tradicionale dhe e pajisur me oxhakë monumentalë, përforcon karakterin tradicional dhe qëndrueshmërinë e ndërtesës, ndërsa strehët lehtësisht të dala mbrojnë fasadat nga reshjet atmosferike. Hapësira e brendshme ndriçohet nga një numër i madh dritaresh. Ndërsa, në planin funksional, banesa paraqet një organizim të brendshëm me një holl ose hapësirë qendrore, rreth së cilës shpërndahen dhomat e banimit dhe një ambient i madh për pritjen e miqve, në përputhje me modelin patriarkal dhe mikpritës të shtëpive të mëdha shqiptare. Katet e sipërme shërbenin kryesisht për banim, ndërsa kati përdhes për funksione ekonomike dhe shërbimi. E ndërtuar në një periudhë tranzicioni, në prag të konsolidimit të shtetit shqiptar, Kulla e Turkajve përbën një dëshmi të rrallë të mënyrës se si shtresa e përfaqësuesve të lartë të institucioneve tradicionale afirmoi identitetin e saj përmes arkitekturës. Ndërtesa ruan elementë të dukshëm të trashëguar nga periudha osmane, veçanërisht në strukturën e bazës dhe përdorimin e gurëve gëlqerorë në katin e parë, ndërsa katet e sipërme, ndërtuar kryesisht me tulla të kuqe, shfaqin një ndikim të qartë perëndimor.

Stilistikisht, elementët austriakë spikasin në trajtimin e volumetrisë, simetrinë e fasadave dhe detajet dekorative, duke dëshmuar një ndërthurje të rrallë mes traditës lokale dhe estetikës perëndimore, që rrallë haset në arkitekturën shqiptare të fillimit shek. XX. Kjo banesë përbën një objekt me rëndësi të veçantë, jo vetëm për historinë, arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore të Shënkollit dhe Bregut të Matës, por edhe për gjithë rajonin e Lezhës dhe për trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, duke pasqyruar vlerat e saj unike dhe rolin e saj të veçantë në identitetin historik dhe kulturor të vendit tonë. Duke marrë parasysh shkallën e lartë të amortizimit dhe nevojën për të parandaluar degradimin e mëtejshëm, ky monument historik duhet t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë dhe masave të mbrojtjes konservuese, të cilat duhet të realizohen me urgjencë. Për më tepër, ai duhet të përfshihet në rrjetin kombëtar të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit kulturor, duke i siguruar kështu vlerësimin dhe promovimin e merituar në nivel kombëtar.

Filed Under: Histori

Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë

April 1, 2026 by s p

Reflektim mbi një kapitull tragjik të historisë që meriton njohje, kujtesë dhe një diskutim të ndershëm.

“Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë.” – George Santayana

Cafo Boga – 28 Mars 2026

Për një kohë shumë të gjatë, Masakra e Tivarit është heshtur dhe është përjashtuar nga diskursi publik. Megjithatë, siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, e vërteta mund të varroset, por herët a vonë ajo del në dritë.

Në përpjekje për ta nxjerrë këtë të vërtetë në pah, janë shkruar libra nga historianë shqiptarë, si dhe dëshmi nga familjarë të viktimave. Megjithatë, pavarësisht se Mali i Zi sot është një shtet demokratik, mungon ende një njohje zyrtare—duke reflektuar një heshtje që dikur karakterizonte ish-Jugosllavinë.

Kjo heshtje nuk është pa arsye. Një shqyrtim i plotë dhe i hapur i fakteve historike tregon se kjo masakër nuk ishte një incident i izoluar, por një akt i koordinuar dhe i qëllimshëm, i konceptuar dhe i zbatuar nga nivelet më të larta të ushtrisë dhe drejtuesve politikë jugosllavë. Qëllimi ishte të dekapitoheshin forcat shqiptare të Kosovës dhe të pengohej kërkesa e tyre që, pas çlirimit nga pushtimi nazist, Kosova të bashkohej me Shqipërinë, siç ishte premtuar.

Në vend të kësaj, ata që u mobilizuan me bindjen se do të merrnin pjesë në operacione të mëtejshme ushtarake në pjesën veriore të vendit, u grumbulluan, u çarmatosën dhe më pas u ekzekutuan në kushte të kontrolluara—një akt që mbart të gjitha tiparet e një masakre të paramenduar.

Sipas raportimeve, Zëvendëskryeministri i Malit te Zi është informuar se Prokuroria Speciale e Shtetit është në posedim të të dhënave të reja, deri më tani të panjohura, lidhur me fatin e rekrutëve shqiptarë dhe boshnjakë nga Kosova, të cilët u ekzekutuan në masë në Tivar më 1 prill 1945, përfshirë edhe të dhëna mbi vendndodhjet e mbetjeve të tyre.

Në këtë kontekst, është shprehur nderim për viktimat, si dhe është vlerësuar puna e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Këshillit Boshnjak në Mal të Zi, të cilët po organizojnë simpoziumin ndërkombëtar shkencor “Masakra e Tivarit 1945 – E vërteta e fshehur.” Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një shqyrtimi të plotë dhe shkencor të fakteve.

Ka ardhur koha që këto fakte të flasin vetë—përmes një dialogu profesional që thellon kuptimin e të drejtave të njeriut, kontribuon në përballjen me të kaluarën dhe nxit njohjen zyrtare të shkeljeve që kanë ndodhur.

Kjo nismë përmend gjithashtu të ashtuquajturit rekrutë “boshnjakë”—një element që deri më sot ka marrë pak ose aspak vëmendje dhe që i shton një dimension të ri diskutimit. Një analizë e kujdesshme dhe e bazuar në prova mbetet thelbësore për të sqaruar identitetin e viktimave.

Burimet ekzistuese tregojnë se viktimat ishin në shumicë dërrmuese shqiptarë, megjithëse është e mundur që, me kalimin e kohës, disa familje të kenë adoptuar një identitet mysliman boshnjak si pjesë e proceseve më të gjera të asimilimit shoqëror dhe kulturor.

Së paku, kjo është një detyrim ndaj mijëra njerëzve që humbën jetën—të sakrifikuar jo për mungesë besnikërie, por për shkak të identitetit të tyre, pavarësisht se luftuan përkrah forcave që në fund u kthyen kundër tyre.

Shpresohet që qeveria e Malit të Zi, me kalimin e kohës, do ta konsiderojë të drejtë dhe të nderuar njohjen zyrtare të këtij krimi, nxjerrjen e një deklarate përkatëse dhe ndërtimin e një memoriali në vendin e ngjarjes.

Një akt i tillë do të shërbente jo vetëm si njohje e padrejtësisë së së kaluarës, por edhe si një kujtesë e përhershme e pasojave të politikave shtetërore me karakter ekspansionist—si dhe si një mësim për brezat e ardhshëm që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

Në fund, kjo nuk është vetëm një çështje historie, por edhe një çështje drejtësie dhe përgjegjësie.

Siç u theksua nga Robert H. Jackson: “Krimet kundër njerëzimit nuk mund të justifikohen—ato mbeten krime kundër vetë njerëzimit.”

Filed Under: Histori

A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?

March 30, 2026 by s p

Avni Alcani/

Prof. Dhimiër S. Shuteriqi, në artikullin “Në kërkim të origjinave të shqipes së shkruar” (Mbi Barletin dhe Shkrime të tjera, 1979) pati shtruar pyetjen: “Ç’u bë letërsia e shkruar shqipe e periudhës para osmane”? (1) dhe përgjigjen e jep po ai vetë, ku shkruan se ajo ishte zhdukur, apo “e konsideruar e zhdukur”.

Por, për ekzistencën e një letërsie në gjuhën shqipe para periudhës osmane, Shuteriqi ka sjellë disa fakte, siç janë ato të kronikës së arqipeshkvit francez të Tivarit, Gulielm Adae, i cili sjell dëshmi për ekzistencën e një literature shqipe me gërma latine, të shkruar në viset e Shqipërisë së Veriut. “Në vitin 1332, – shkruan ai, – arqipeshkvi francez i Tivarit, Gulielm Adae, nuk thotë vetëm se shqiptarët kanë një gjuhë të tyre, por dëshmon se, se duke “pasur një gjuhë tjetër, fare të ndryshme nga ato latine, megjithatë ata kanë në përdorim, si dhe në të gjitha librat e tyre, shkronjën latine”. Me këtë rast mësojmë për ekzistencën e një literature shqipe, të shkruar me gërma latine, në pjesën e parë të shek. XIV”.(2) Pas pushtimit të trojeve shqiptare nga ushtria osmane, shkruan ai, shkrimet dhe librat shqipe me alfabetin latin në shek. XIV e lart, u zhdukën, ashtu siç u zhdukën edhe shkrimet shqipe me alfabete të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Shuteriqi ngulmon, “jemi të sigurtë se kanë ekzistuar, posa i gjejmë te arbëreshët e Italisë në shek. XVI”.(3)

Dihet se pas vdekjes së Skënderbeut, një pjesë e popullsisë dhe e aristokracisë arbërore emigruan në Itali. Dh. Shuteriqi, duke iu referuar kronistit italian G. Marafioti, që shkruante se në vitin 1601 abëreshët e Kalabrisë i kishin ndërtuar kishat e tyre dhe se arbërorët katolikë i kryenin ritet fetare sipas zakonit latin, kurse arbërorët ortodoksë sipas ritit greko-bizantin.(4) Shuteriqi shkruan: “…dhe kjo gjuhë, na mëson historani i Kalabrisë, është e pastër nga fjalët e greqishtes (të cilën ai e njeh mirë) Këta arbëreshë duhej domosdo të kishin edhe libra fetarë shqip, se pa libra nuk bëhen shërbesat.(5)

Po ku i kishin gjetur librat e shërbesave arbëreshët në vitin 1601? A mund t’i kishin ribotuar librat e tyre në mërgim? Ndofta, por do të kishte qenë e pamundur që ta rishkruanin gjuhën e tyre, shkruan Shuteriqi, pasi botimi i një libri në ato kohë kishte kosto të madhe dhe arbëreshët ishin qenë të varfër, pasi shumica e tyre ishin larguar vetëm me rrobat e trupit, për t’i shpëtuar shtypjes dhe linçimit të ushtrisë otomane. Por Shuteriqi insiston, “që ata (arbwreshët, A.A), zakonin e ushtrimit të kishës në shqip, librat e tyre të shërbesave, i sollën nga atdheu”,(6) që do të thotë se arbërorët i kishin pas sjellë me vete librat në gjuhën e tyre, me të cilat ata do t’i kryenin shërbesat fetare.

A ishte “Psalltiko” pasardhës i një tradite të shkrimit shqip para pushtimit osman?

Në një artikull të botuar në vitin 2018, kam çfaqur mendimin tim se dorëshkrimi i gjetur në fshatin Polis, ne titullin “Psalltiko”, “është pasardhës i një tradite të hershme të shkrimit të shqipes para pushtimit turk…”.(7) Këtë përfundim e kam mbështetur te disa faktorë historikë, si dhe te përfundimi i analizave shkencore të dy prej studiuesve më të njohur këtij dorëshkrimi, siç janë prof. Dh. Shuteriqi dhe prof. I. Zamputi.

Por cilët ishin faktorët historikë që kanë ndikuar, që shërbesat kishtare në trojet shqiptare të kryheshin në gjuhën shqipe? Pas ndarjes së kishës, në ortodokse në lindje, me qendër në Kostandinopojë dhe katolike në perëndim, me qendër në Romë, kishat në trojet shqiptare u ndanë në kisha katolike në veri dhe kisha ortodokse në jug. “Në Shqipëri, – shkruan Shuteriqi, – copëzimi i madh feudal e krahinor, pushtimet e huaja, lufta fetare, dëmet që pësonte vazhdimisht përpjekja kulturore e vëndit, s’kishte si të mos shkaktonin edhe lëkundjet në mënyrën e shkrimit të shqipes në alfabet”.(😎 Me siguri që në fillimet e saj, priftërinjtë arbërorë kanë pasur coroditje, pasi meshat në veri mbaheshin në gjuhën latine dhe ato në jug mbaheshin në gjuhën greke, apo dhe në sllavishten zyrtare. Në këto kushte priftërinjtë mund dhe duhet të kenë përdorur gjuhën shqipe, për t’u kuptuar nga populli, pasi popullsia vendase nuk i kuptonte mirë as në latinishten dhe as në gjreqishten, apo sllavishten.

Në disa nga zonat më të thella malore, ku ishte e vështirë që të kontrollohej nga qendrat kishtare, ka pasur më shumë liri për përdorimin e gjuhes vëndase. “Sundimet sllave në mesjetë, – vijon Shuteriqi, – mvarja e kishës në Shqipëri të Mesme dhe pjesërisht të jugut nga patriakati i Ohrit, lufta kundër kishës byzantine, bënë që shqiptarët e këtyre anëve ta shkruajnë shpesh gjuhën e tyre me alfabete të krijuara në fytyrën e glagolitikut (alfabeti i parë i krijuar për gjuhët slave, A.A.)”.(9) Një fakt tjetër nund të ketë qenë dhe përhapja e ideve humaniste në fund të mesjetës, ndikimet kulturore të kohës dhe dobësimi i kontrollit të drejtpërdrejtë nga qendrat kishtare. Një ndikim ka pasur edhe përhapja e bogomilizmit (shek. 9-14) në disa pjesë të Ballkanit, e cila ishte një lëvizje “proteste sociale me karakter anrifeudal dhe platform fetare…, masat popullore ballkanase, midis tyre dhe shqiptarët, vazhdimisht të e të varfshtypur e të varfëruar në kulm, hidheshin edhe kundër kishës byzantine apo dhe asaj slave…”.(10) Lëvizja heretike qe aq e madhe, shkruan Shuteriqi, sa, nga dëshmia e një kleriku anonim perëndimor, del se arbëreshët ishin, në fillim të shek. XIV, të një sekti të vecantë Kristian, pra të një lloj herezien të tyre. Krerët e kishës së tyre, shkruan Shuteriqi, “…kur predikonin, ishin të detyruar të përdornin gjuhën e masave, gjuhën popullore… Një nevojë e tillë praktike, ndër të tjera nevoja të mundshme, si, p. sh., nevoja e teksteve të posacme kishtare për herezinë, conte natyrisht në shkrimin e gjuhës”.(11)

Në vitin 1965, në Konferencën e Parë të Studimeve Albanolojike, prof. I. Zamputi, gjatë një diskutimi, kishte paraqiyur tezën e tij, se autori i dorëshkrimi të Polisit ishte anonim dhe se libri ishte hartuar në shek. e 16-të, d.m.th., në kohën e Buzukut. Për këtë ai shkruan: “Na bile kemi një mendim personal: ndikimin e padiskutueshëm të Rinashimentos italiane (Rilindjes italiane – Shënimi im A.A.) qi mendojmë se ka në pikturën e Onufrit tonë të shekullit të XVI-të, ia detyrojmë pikërisht këtij kontakti dhe kësaj pozite që patriarkia e Ohrit kishte kundrejt arbëreshëve. Nuk do të ishte e pamundur, – vijon ai, – që Anonimi i Elbasanit të jetë një bashkohës i Onufrit, pra jo i shekullit të XVIII-të, as i shekullit të XVII-të, por i të XVI-tit”.(12) Nuk duhet të harrojmë, e mbështet argumentin e tij Zamputi, se “Anonimi i ynë nuk asht përkthim i ungjillit, por i disa copave nga ungjijt e ndryshëm, të caktueme për t’i lexue gjatë meshimit. Asht pra nji meshar, që hyn në lëvizjen e futjes së gjuhës shqipe në celebrimin e meshës, po ashtu si qe përpjekja e Buzukut”.(13)

Rreth 14 vite pas Konferencën e Parë të Studimeve Albanolojike, në vitin 1979 prof. Dh. Shuteriqi paraqitet më i avancuar me tezat e reja të tij, si për kohën e hartimit, ashtu dhe për vëndin e origjinës së dorëshkrimit. Në librin “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera” (1979), ai përmend viset e mundshme të origjinës së dorëshkrimit, që, sipas tij, janë Shpati, Polisi dhe Vërça. Prof. Shuteriqi shkruan: “Janë vise kulture me vlera të shquara, vise prej ku kanë nismën njëra nga familjet më të vjetra të feudalëve shqiptarë, Aranitët (shek. X-XVI) dhe shteti i tyre… Polisi ishte kryeselia e Gjergj Aranitit, e shtetit të tij… Kishte arsye dhe mundësi të plota që në një trevë të tillë gjuha shqipe të shkruhej me kohë dhe herët (shënimi im-A.A.”.(14) Dhe ishte pikërisht Polisi, vendi ku e kishte origjinën dhe ku ishte zbuluar dorëshkrimi ynë, dhe është më se e mundshme që në këtë trevë, ku ka qenë kreqendra e shtetit të tij, të ketë pasur një traditë të shkrimit shqip.

Përfundime

Që nga botimi i parë i prof. Shuteriqit (viti 1949) dhe deri në botimin e fundit të dr. R. Elsie (viti 1994), rrugëtimi i dorëshkrimit ka kaluar përmes debateve dhe problematikave të ndryshme, veçanërisht të përqëndruara rreth autorit, vëndit dhe kohës kur është hartuar dorëshkrimi.

Studiuesit që kanë trajtuar çështjen e autorësisë së dorëshkrimit kanë hasur vështirësi në përcaktimin e autorit, për shkak se emri i tij nuk figuronte mbi kapakun e librit. Por dhe mungesa e një libri të dytë të ngjashëm, i shkruar me të njëjtin alfabet si i pari, e ka vështirësuar gjetjen e autorit dhe të kohës. Për kohën se kur dhe për vëndin e ku është hartuar dorëshkrimi studiues të ndryshëm kanë pasur pretendime të ndryshme, të cilat, shpesh herë, kanë qenë kontraditore, duke e vendosur në kohë dhe në vënde të ndryshme.

Por, sa kohë që nuk do të kemi një raport shkencor nga specialistët e fushës, për moshën e pergamenit dhe të tekstit të dorëshkrimit, do të ketë përherë hamendësime dhe supozime të ndryshme. “Studimet e mëtejshme historike dhe gjuhësore, – shkruan prof. Zamputi, – do të vlejnë për të zgjidhë problemet e shumta e të koklavituara, por me randësi që dalin për historinë e gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës sonë në përgjithësi, kur të përcaktohet me saktësi autorësia e dorëshkrimit, pra edhe e epokës dhe e vendit ku u hartue”.(15) Për të përcaktuar kohën e saktë, se kur është hartuar dorëshkrimi i librit “Psalltiko”, do kërkohet ndihma e specialistëve të fushave të tjera të shkencës, siç janë specialistët e gjuhësisë historike, të cilët merren me analizën e teksit të vjetër dhe studimin në zhvillim të gjuhës në kohë, si dhe ndihma e specialistëve të fizikës bërthamore, të cilët kryejnë analizën e pergamenit me metodën e karbonit C14, që përcakton moshën saktë të tij. Duke gjetur moshën e pergamenit, do të mund të gjëndej afërsisht edhe mosha e dorëshkrimit.

_________________________

1) Dh. Shuteriqi: “Në kërkim të origjinave të shqipes së shkruar”. Mbi Barletin dhe Shkrime të tjera, f. 26, Tiranë 1979.

2) Po aty, f. 24.

3) Po aty, f.26-27.

4) “Fano gl’uifficij della chieza secondo l’uso latino e Greco” (Ata i ndërtojnë zyrat e kishës sipas zakonit latin dhe grek). Shuteriqi 1979, f. 41

5) Po aty, f. 27.

6) Po aty.

7) Alcani 2018: “Psalltiko”. Përkthimi i parë shqip orthodoks i Biblës. “Gazeta Shqiptare”, 15 korrik 2018.

😎 Shuteriqi 1979, f. 18.

9) Po aty.

10) Po aty, f. 22.

11) Po aty, f. 25.

12) Zamputi 1965, “Diskutim rreth kumtesës së prof. M. Domit”, Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike, Tiranë 1965, f. 400.

13) Po aty, f. 400.

14) Shuteriqi 1979, f. 34-35. Polisi “ishte kryeqendra e Gjergj Aranitit dhe e pasardhësve të tij, me kështjellën në Kryekorrë (Crepakore-Krepi i Korrës), midis Vilanit e Sopotit të sotëm”. Shuteriqi 1981: Aranitia në vitin 1467, Rev. Studime historike, f. 135; “S’ka asnjë dyshim se, më 1454, me emrin e Aranitisë kuptoheshin domenat e Aranitëve në viset e Librazhdit të sotëm… me kryeqendër Komnenovilin, “Qyteti i Komnenit” … që s’ishte tjetër veçse Polisi, apo Vilani i sotëm, lagje e Polisit”, Shuteriqi 1981: f. 130.

15) Zamputi 1965, f. 399.

Filed Under: Histori

Instituti i Historisë “Ali Hadri” sjell botimin e ri për dokumentet diplomatike të Kosovës

March 29, 2026 by s p

Ditët e fundit, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka publikuar vëllimin e parë të përmbledhjes me dokumente “Kosova në Dokumentet e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë 1990-1991”, nga autori prof. as. Dr. Haxhi Ademi.

Ky botim sjell për herë të parë një grup të gjerë dokumentesh origjinale, të transkriptuara dhe të sistemuara sipas rendit kronologjik, që pasqyrojnë qartësisht qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës në periudhën vendimtare të fillimit të viteve ’90. Në një kohë kur Federata Jugosllave po shembej dhe rajoni i Ballkanit po përballej me tronditje të mëdha politike, Shqipëria, megjithëse në tranzicion të thellë, luajti një rol aktiv dhe historik në mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.

Dokumentacioni përfshin raportet e ambasadave shqiptare, komunikimet zyrtare me organizatat ndërkombëtare dhe reagimet ndaj krizës në Kosovë, duke dëshmuar përpjekjet e Tiranës për ndërkombëtarizimin e çështjes dhe denoncimin e shkeljeve të të drejtave të popullsisë shqiptare nga regjimi serb. Materialet pasqyrojnë ngjarjet dramatike të viteve 1990–1991, duke filluar nga demonstratat masive e dhuna sistematike, deri te nismat diplomatike për sensibilizimin e institucioneve ndërkombëtare.

Një dimension i veçantë i këtij dokumentacioni lidhet me bashkëpunimin kulturor dhe arsimor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, përfshirë shkëmbime akademike dhe pranimin e studentëve nga Kosova në universitetet shqiptare, duke treguar se diplomacia shqiptare e trajtoi çështjen e Kosovës jo vetëm si problem politik, por edhe si detyrim historik për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Vlera shkencore e botimit qëndron në përpikërinë kronologjike të dokumenteve, gjuha e saktë zyrtare dhe konteksti ndërkombëtar që ndihmon studiuesit të analizojnë veprimet diplomatike të asaj kohe. Botimi ofron një bazë të gjerë për kërkime akademike në fushën e historisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë shqiptare, duke u mundësuar studiuesve qasje të drejtpërdrejtë dhe të barabartë në burime origjinale.

Prof. Haxhi Ademi thekson se ky botim është një dëshmi e angazhimit të shtetit shqiptar për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, si dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Dokumentet, të deklasifikuara nga Ministria për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, sjellin informacion të pazëvendësueshëm për historiografinë shqiptare dhe për studimet mbi periudhën vendimtare të viteve 1990-1991.

Filed Under: Histori

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 707
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT