• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kapedan Odise Kasneci (In memoriam)

November 17, 2026 by s p

Dr. Kriledjan Çipa/

Në vigjilje të festave të Nëntorit, kur të gjithë festojmë kurorëzimin e një ëndre mbarëkombëtare për pasjen e një shteti të pavarur Shqiptar, duhet të kthejmë kokën pas, dhe të kujtojmë me respekt e nderim të thellë sakrificat dhe flijimin e qindar jetëve patriotësh, nga gjaku i të cilëve u ushqye dhe lindi kjo krijesë e brishtë dhe e paplotë që kemi prej pak më shumë se 100 vjetësh. Në Panteonin e patriotëve të shumtë që ranë dëshmor të kauzës sublime, duhet të kujtojmë me respekt, por njëkohësisht duke reflektuar, jetën dhe veprimtarinë e patriotëve nga bregdeti i Himarës. Nga kjo hapsirë gjeografike e Shqipërisë, një rol të rëndësishëm në përpjekjet për lirinë dhe krijimin e një shteti të pavarur kanë luajtur shumë personalitete nga fshati Vuno, ndër të cilët edhe pinjollët e familjes Kasneci.

Në qendër të ansamblit arkitektonik të këtij fshati ruhet ende kompleksi i banesave të familjes Kasneci, familje e cila mbante titullin domethënës të Kapedanëve, titull që mbanin dikur krerët e krahinës së Himarës. Në këtë kompleks në vitin 1848 ka bujtur shkrimtari dhe piktori i famshëm anglez Edward Lear, i cili në përshkrimin e detajuar që i ka kushtuar banesës, thotë se i ngjan pallateve të qyteteve italiane. Indirekt, nëpërmjet bisedës me Anastas Kasnecin, i cili ishte shoqëruesi i tij në këtë rëfim, ai sjell copëza nga historia e kësaj familje, duke na e prezantuar si një ndër familjet më të mëdha dhe të rëndësishme, jo vetëm të Vunoit, por në përgjithësi të bregdetit të Himarës. Ky profil i lartë i kësaj familje dëshmohet mjaft mirë edhe nga burimet arkivore, të cilat janë kryesisht raporte të shkruajtura nga kancelaritë e ndryshme, që bëjnë fjalë për Himarën dhe përpjekjet e saj për ti rezistuar pushtimit osman.

Në këto përpjekje, aktiviteti i pinjollëve të familjes Kasneci është shumë i rëndësishëm. Nga kjo dinasti e ka prejardhjen edhe Odise Kasneci, i cili, i rritur me frymën patritoike të familjes së tij, u shndërrua në një nga njerëzit më aktiv gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai rezultoi të ishte një patriot i spikatur, i cili morri pjesë në ngjarje të rëndësishme për kohën, ku veçohet lufta për mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë. Krahas kësaj, ai mbështeti fuqishëm dhe u përfshi në aktivitetin për përhapejn e mësimit në gjuhën shqipe. Në mungesë të burimeve dokumentare të kohës, aktivitetin e tij patriotik e njohim në mënyrë të pjesëshme, por mund ta rindërtojmë nëpërmjet traditës orale, kryesisht këngëve të zonës.

Ajo që dimë me siguri, është përfshirja e tij në të quajturën Lufta e Lëkurësit, kur në vitin 1878 një ushtri andartësh grek zbarkoi nga ishujt përballë Sarandës dhe përkohësisht okupoi Lëkurësin dhe disa fshatra përreth. Tentativa e tyre e parë ishte të zbarkonin në Himarë, duke qenë se një pjesë e tyre kishin origjnë nga kjo trevë. Popullsia e kësaj zone e refuzoi këtë përpjekje, madje ishte kjo popullsi që mbajti edhe peshën kryesore në luftën kundër këtyre bandave, siç dhe e konfirmojnë historjanë dhe personalitete politike greke të kohës. Në dëbimin e këtyre bandave nga Shqipëria e Jugut, nën drejtimin e Zenel Gjolekës luftuan shumë patriot të njohur të kohës, ndër të cilët Kapedan Odise Kasneci dha një kontribut të madh. Ai ishte gjithashtu anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe përfaqësoi zonën e Himarës në Kuvendin e Gjirokastrës në 23 korrik të vitit 1880, madje ai u zgjodh anëtar i kryesisë së degës së Gjirokastrës.

Në fillim të viteve 1900, Odise Kasneci u bë një ndër anëtarët e lëvizjes së fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë” së bashku me Themistokli Gërmenjin, Ҫerçiz Topullin, Mihal Gramenon e shumë të tjerë. Në këtë kontekst, Odise Kasneci dhe patriot të tjerë nga Vunoi, mundësuan edhe krijimin e kushteve për të përhapur shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Siç dëshmon në kujtimet e tij Mihal Grameno, në 19-29 maj të vitit 1907 në fshatin Vuno, ai së bashku me antarë të tjerë të çetës së Çerçiz Topullit, propaganduan gjuhën shqipe nëpërmjet teksteve mësimore, duke përdorur si vendëstrehim kishën e Shën Sotirës. Duke nisur që nga shek. XIX, por kryesisht në fillimet e shek. XX, në krahinën e Himarës ishin formësuar dy qëndrime kryesore në lidhje me identiteti dhe të ardhmen e kësaj zone.

Nga njëra anë ishin patriotët shqiptarë, ku bënin pjesë shumica e popullsisë, ndërsa pjesa tjetër ishte popullsia progreke që mbështeste platformën separatiste të “Megali Idesë”, të cilët ishin dhe vijojnë të jenë minorancë. Këto dy qëndrime, do të shënjojnë edhe histoinë e trazuar të kohëve moderne të Himarës. Siç rëfen Petro Marko në kujtimet e tij, pas viteve 1920, këto dy parti do të quhen “Pendëkuqtë” ku bënin pjesë patriotët shqiptar, si dhe ajo e “Pendëbardhëve” ku bënin pjesë përkrahësit e “Megali Idesë”. Në këtë luftë të brendshme vëllavrasëse, Odise Kasneci duke qenë patrioti më aktiv dhe një nga krerët kryesor të Lëvizje Kombëtare Shqiptare të Himarës, për fat të keq u bë dëshmori i parë i këtyre përplasjeve. Në pabesi, në një pritë të organizuar në qafën e Vishës (rrugëkalim natyror midis Himarës dhe Vunoit), pasi ai kthehej nga Himara drejt Vunoit së bashku me bashkëpuntorin e tij të ngushtë Sulo Bolenën, në 20 korrik të vitit 1908, u vranë nga antishqiptarët Jani Milo Spiromilo nga Himara dhe Llukë Zhupa nga Dhërmiu. Kjo vrasje nuk u harrua kollaj nga patriotët shqiptar të Vunoit, “Pendëkuqtë” pritën gjatë për të marrë hakun e Odise Kasnecit.

Pas plotë 36 vitesh, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nipi i Odisesë, Lefter Kasneci me detyre drejtues në Ҫetën e Bregut, së bashku me Zaho Kokën dhe Paskal Andonin shkuan në ishullin e quajtur “Mali i Vetëm”, ndryshe Othonos. Rrethuan fshatin dhe arestuan Jani Milon. Me varkë e sollën të lidhur në brigjet e Shqipërisë. Në 18 gusht të vitit 1944 në fshatin Pilur të Himarës, Shtabi i Brigatës së Gjashtë me vendim të Gjyqit Partizan e dënuan Jani Milon me vdekje për veprimtari antikombëtare dhe e ekzekutuan me pushkatim. Edhe sot e kësaj dite, varri i tij i rrënuar gjendet pranë kambanores së kishës së Gjithëshenjtorëve në Himarë. Në kryqin e tij, në gjuhën greke shkruhet: Milo Spiromilo u vra nga Partizanët si armik i popullit në datë 18.08.1944. Kjo ngjarje është ilustruar mjaft mirë tek filmi “Mision përtej detit”, me regji të Lisenko Malaj dhe skenar të Anastas Kondos. Drejtësia për dëshmorët e kombit vonon, por nuk harron.

Foto: memorie.al

Filed Under: Histori

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË KONFERENCËN E AMBASADORËVE NË LONDËR SHIKUAR NGA KËNDVËSHTRIMI I DIPLOMACISË BULLGARE

November 17, 2026 by s p

Mehmet Prishtina/

Diplomacia bullgare gjatë dy dekadave të fundit të shekullit XIX dhe sidomos dekadën e parë të shekullit XX, angazhimin e saj e kishte përqëndruar në dy drejtime: t’i luftojë dy projektet e mëdha të Serbisë dhe Greqisë (Serbia e Madhe dhe Megalo Idea). Ndërsa, angazhimi tjetër ishte kryesisht në objektivat e politikës shtetërore për të ndjekur zhvillimet e çështjes së pazgjidhur shqiptare, e cila drejtpërdrejt kishte të bënte me revidimin e vendimeve të Kongresit te Berlinit, të cilat e ndanë Bullgarine e Shën Stefanit në tri pjesë: në Bullgarinë vasale, në një autonomi lindore të Rumelisë dhe pjesa e Maqedonisë– Odrinit, e mbetur në jurisdikcionin e Perandorisë Osmane. Duke u nisur nga fakti se pjesa e Maqedonisë kishte të bënte edhe me trojet etnike shqiptare, ndërsa shqiptaret konsideroheshin si popull me i vjeter i Ballkanit, por njëkohësisht edhe palë më e dobët kundrejt Serbisë e Greqisë, pikërisht për këto arsye diplomacia bullgare ishte shumë e interesuar për të ndjekur zhvillimet diplomatike të Fuqive të Mëdha rreth çështjes shqiptare në Ballkan.

Nga qarqet diplomatike bullgare liferoheshin informacione për kalkulimet diplomatike të shteteve ballkanike rreth krizës së mundshme që do të sjellte shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Në këtë drejtim më 28 tetor të vitit 1911 në Sofje u takuan ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë, Millovanoviç dhe ai i Bullgarisë, Geshov. Në mes tjerash në këtë takim u diskutua edhe propozimi i grof. Arentall i cili kishte humbur çdo shpresë për rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane dhe sipas tij për këtë arsye për të qetësuar Ballkanin, i domosdoshëm ishte formimi i shtetit autonom shqiptar. Në këtë takim rreth propozimit të grof. Arental për një Shqipëri autonome, do të prononcohet ministri Millovanoviç, i cili këtë propozim e shihte si rrezik të madh për shkak se në të parashikoheshin të hynin vilajetet e Manastirit dhe Kosovës dhe do të paraqiste rrezik për sllavët e Ballkanit nëse shqiptarët në kufijtë e tyre i kanë fqinj.

Për këto arsye Milovanoviç do t’i propozojë kolegut të tij Geshov që territoret e banuara me shqiptarë të ndahen kësisoji: pjesët jugore të Shqipërisë dhe Maqedonisë t’i takojnë Greqisë; ndërsa pjesa veri – lindore në vijën tokësore Bregallnicë – Veles – Durrës t’i takojë Serbisë dhe pjesa e mbetur t’i takojë Bullgarisë. Ndaj këtij propozimi ministri Geshov i ishte përgjigjur me gjuhën diplomatike se për këto çështje duhet diskutim më i gjërë. Ndërsa në qarqet e ndryshme politike në Bullgari theksohej se nëse gjatë bisedave Shkupi i lëshohet serbëve, atëherë bullgarët do të humbin çelësin e Maqedonisë.

Diplomacia bullgare edhe gjatë krijimit të aleancës ballkanike edhe pas Luftës së Dytë Ballkanike dëshironte t’i impononte aleancës ballkanike jetësimin e vendimeve të Shën Stefanit. Ndërsa, diplomacia serbe dëshironte të impononte vendimet e Bukureshtit, ku asaj i ishin bërë koncesione të mëdha edhe për territoret të banuara me shqiptarë.

Në këtë drejtim shumë shpesh diplomacia bullgare liferonte nëpërmjet shtypit bullgar propozime konkrete për qetësimin e situatës në Ballkan dhe evitimin e një lufte të mundshme gjithëpërfshirëse. Ky objektiv do të arrihej vetëm nëse Maqedonia fitonte autonominë, por vihet në dukje se kjo mund të arrihet vetëm nëse edhe Shqipëria e fitonte këtë autonomi të plotë.

Gjatë periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare shpesh herë politika zyrtare dhe ajo akademike u sugjeronte popullatës maqedonase që të solidarizohen me kërkesat e shqiptarëve për të fituar lirinë e dëshiruar dhe vetëqeverisjen kombëtare, se këto zhvillime ishin edhe në favor të politikës bullgare. Aktivitet të jashtëzakonshëm zhvilloi edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Mal të Zi. Kjo politikë pozitive e ndjekur ndaj popullit shqiptar, do të ndërojë me përfshirjen e Bullgarisë në alencën ballkanike.

Diplomacia bullgare kishte informacione të duhura për zgjerimin gjithnjë e më shumë të Lëvizjes kryengritëse në verën e vitit 1912 si dhe disponimin gjithëpopullor kundër regjimit xhonturk, gjë që ka ndikuar që çështja shqiptare të ngritet si problem evropian që dëshiron zgjidhjen përfundimtare.

Këto ngjarje në trojet etnike shqiptare i përcillte me interesim të madh diplomacia bullgare dhe i vlerësonte si shumë serioze, me një karakter të thellë revolucionar e gjithëpopullor. Për faktin se në krye të saj ishin vënë ish deputetët e Parlamentit osman dhe prijës të Lëvizjes Kombëtare: ish deputeti i Prishtinës, Hasan Prishtina, i cili në shtypin bullgar paraqitej me virtyte të larta kombëtare, i qëndrueshëm dhe intelegjent. Diplomacia bullgare ishte shqetësuar me hyrjen e kryengritësve shqiptarë në Shkup dhe i kishte kushtuar rëndësinë e veçantë duke theksduar se synimet e Shqipërisë Autonome kishin qenë që ajo të shtrihet që nga bregdeti Adriatik, deri te rrjedha e majtë e lumit Vardar, me Shkupin duke vazhduar më poshtë në Selanik. Me këto synime të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, cënoheshin interesat e shteteve ballkanike dhe sipas diplomacisë bullgare këtu qëndrojnë arsyet për përshpejtimin e vënies në funksion të alencës ballkanike.

Konferenca e paqës në Londër ishte thirur për të qetësuar shtetet e Aleancës Ballkanike dhe për të orientuar për lidhjen e një marrëveshje për kufijtë e Ballkanit pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Apetitet territoriale të shteteve Ballkanike ishin rritë pas ngadhënjimit në Luftën e Parë Ballkanike dhe ishin paraqitur mosmarrëveshjet për definimin e kufijve. Nga ana tjetër mosmarveshjet e shteteve ballkanike, kishin shqetësuar Fuqitë e Mëdha se konflikti mos po merte përmasa evropiane, këtu qëndronte arsyeja pse u thir Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Sepse Fuqit e Mëdha nuk ishin të përgatitura për një konfliktë me përmasa botërore.

Më 31 marsë 1913, qeveria bullgare i ishte përgjigjur notës serbe nga 1 shkurti, ku kategorishtë hedhi poshtë kërkesën serbe për revidimin e marrëveshjes ushtarake për formimin e Aleancës ballkanike. Dy ditë më herët ( 29 marsë ) autoritetet ruse, i propozuan Serbisë se me kërkesat e saja maksimale do të humbë mbështetjen e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.Nikolla Pashiqi i ishte përgjigjur autoriteteve ruse se “ Shteti i Serbisë nuk do të lejoi asnjëherë që Bullgaria të kufizohej me Shqipërisë edhe me çmimin e humbjes së simpative të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër “.

Në Konferencën e ambasadorëve në Londër, diplomacia ruse ishte shumë e shqetësuar për shkak se ajo kishte investuar në krijimin e aleancës sllave të Ballkanit për të ngadhënjyer ndaj Perandorisë Osmane dhe pas Luftës së Parë Ballkanike ndërmjet tyre kishin filluar përplasje të mëdha për territore. Bullgarët dhe grekët u zunë për shkak të Selanikut, serbët dhe bullgarët për shkak të vijës kufitare të Vardarit dhe kufijve të Shqipërisë. Diplomacia ruse shqetësohej për konfliktin ndërmjet shteteve ballkanike, sepse informacionet që dispononte ajo tregonin se Austro – Hungaria stimulonte përçarjen e aleancës ballkanike, si element kyç për të realizuar ndikimin e saj në Ballkan. Problemi do të kulmon për territorin e Maqedonisë që asaj kohe (pjesa dërmuse ishin territore që i përkisnin vilajeteve të Manastirit dhe Kosovës që ishin të banuara me shumicë shqiptare ) ishte mollë sherri ndërmjet Bullgarisë që i vlerësonte si territore të saj kundrejt Serbisë dhe kjo do të jetë arsyeja kryesore që në qershor të vitit 1913 të fillojë Lufta e Dytë Ballkanike.

Në fillimet e punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër diplomacia bullgare kishte për synim të realizojë qëllimet e saj territoriale në Vilajetin e Kosovës dhe Manastirit. Për realizimin e këtyre synimeve mbështetjen më të madhe e kishte tek diplomacia ruse. Me marrëveshjen e Bukureshtit më 10.gusht të vitit 1913, Serbia jo vetëm që e morri territorin kontestues që ishte pikë e marrëveshjes për lidhjen e Aleancës Ballkanike, por edhe Greqia morri një territor të madhë të Bullgarisë. Diplomacia bullgare pas Luftës së Dytë Ballkanike kërkonte nga shqiptarët një aleancë kundër Serbisë dhe Greqisë, duke lënë përshtypje se ata janë të gatshëm të bëjnë kompromis sa i përket kufijve me shqiptarët. Ndërsa, diplomacia serbe dëshironte të impononte vendimet e Bukureshtit, ku asaj i ishin bërë koncesione të mëdha edhe për territoret e banuara me shqiptarë.

Pasi Serbia kishte ngadhënjyer në Luftën e Dytë Ballkanike, përveç që forcohet pozicioni i saj në Konferencën e ambasadorëve në Londër, asaj i hapej rrugë për të realizuar synimet shekullore për të okupuar territorin e luginës së lumit Vardar dhe të kufizohej me Greqinë. Me këto synime drejtpërdrejt cenoheshin trevat lindore të banuara me shqiptarë, po ashtu dobësohej ndikimi Austro – Hungarez në Ballkan si dhe ngulfateshin edhe shpresat e Bullgarisë për të jetësuar projektin e Shën Stefanit. Për tu rikthyer në synimet e saj në Maqedoni, qeveria në Sofje mbështeste në mënyrë aktive lëvizjen nacionaliste maqedonase, që dëshironte bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë. Lufta kundër Serbisë ishte objektivi i parë i kësaj aleance. Por për ta bërë sa më të fuqishme këtë aleancë duheshin zgjeruar radhët e saj dhe shqiptarët ishin të prirur për tu bashkuar me të gjitha forcat që kundërshtonin Serbinë dhe u premtonin atyre rikthimin e territoreve etnike shqiptare të Vilajetit të Manastirit dhe atij të Kosovës.

Ngjarjet dhe veprimit të kryengritjes së shtatorit, e cila në çarçet diplomatike vlerësohej si Lufta e Tretë Ballkanike, e cila kishte për synim që të bëjë presion deri te Konferenca e Ambasadorëve në Londër për të rishiku vendimet e mëhershme për kufijtë, që ishin në dëm të çështjes shqiptare dhe bullgare. Situata do të ndryshonte, kurë ushtria serbe kishte shuar kryengritjen shqiptare në Maqedonin Perëndimore.

Zhvillimet në terren i shkonin përshtati Serbisë dhe Rusisë, por ishin tepër negative për Austro – Hungarinë dhe Italinë. Sishte i rastësishëm që në fundë të nëntorit 1913 përfaqësuesi i Vjenës në Sofje u autorizua që tu deklaronte autoriteteve bullgare se ishte në interesin e Bullgarisë që të mos u jepte përkrahje manovrave të drejtuara kundër personalitetit të Princ Vidit, se ajo kishte një interes të natyrshëm që Shqipëria të bëhej një faktor, i cili duhej të llogaritej në të ardhmen në Ballkan. Ndërsa në fillim të dhjetorit Vjena e Roma bënë demarshe edhe te kryeministri Radosllavov dhe te ministri i Jashtëm për të ndalur stimulimin e veprimeve të grupeve të armatosura shqiptaro – bullgare.

Filed Under: Histori

ISA BOLETINI NË DOKUMENTËT AUSTRO-HUNGAREZE TË VITIT TË VITIT 1912

November 16, 2026 by s p

Prof. dr. Lush Culaj/

Kosova u bë vatra kryesore e kryengritjes të vitit 1912, kurse Isa Boletini ishte njëri ndër udhëheqësit e saj. Raportet konsullore austro-hungareze ishin të vazh­dueshme për veprimtarinë e tij dhe familjes së tij. Konsulli nga Mitro­vica, më 30 janar 1912, konfiden­cialisht e informonte kontin Aehrenthal se Isa Boletini e rriti numrin e rojeve të tij personale në 30 vetë më të shumtët nga Shala. Ra­porti i nënkonsullit Pozel nga Mitro­vica, i datës 28 shkurt 1912, dërguar ambasadorit Pallaviçini në Stamboll, lidhur me zhvillimet në Sanxhakun e Prish­ti­nës, arma­tosjen e popullsisë, kontrabandën e armëve, inci­dentet kufitare dhe figurën e Isa Boletinit, ndër të tjera, thek­sonte: “Isa Boletini tani rri i qetë në kështjellën e shkëm­binjve pranë Mitrovicës dhe duket se do të tërhiqet me pushim të përkohshëm.

Flitet se ai është grindur me qeveri­në mala­zeze, nën mbrojtjen e së cilës ishte vënë gjoja vetëm në ngushticën e tij më të madhe. Në vazhdën e interesimit të vazh­­dueshëm, ministria e Punëve të Jashtme të Austro-Hun­garisë nga Vjena, më 19 prill 1912, kërkonte nga konsullata e tyre në Mitrovicë informa­cione lidhur me shëndetin e Isa Boletinit dhe të afërmve të tij. Nga ana tjetër, nga një raport i kësaj periudhe i konsullit austro-hungarez në Mitro­vicë, Tahy, dërguar ministrit të Jashtëm Berthold, lidhur me për­gatitjet për një kryengritje kundër-osmane në Vila­jetin e Kosovës, thek­sohet se veprimtaria e Isa Boletinit po shkonte drejt një revolucioni, ener­gjia e papërkulshme dhe heroizmi i tij, që po i nxjerrin aq shumë telashe regjimit të ri, e afrojnë më tepër mundësinë e një kryengritjeje edhe në këto vise. Ky raport dëshmon se Isa Boletini kishte pa­pajtueshmëri me Qeverinë e Stambollit.

Ndërkaq zëvendëskonsulli austro-hungarez, Pozel, më 5 maj 1912, nga Mitrovica, i raporton konfidencialisht kontit Berchtold ku theksohet se Isa Bole­tini, njëra ndër figurat kryesore e shqiptarëve të Kosovës në luftën për pavarësinë e Shqipërisë, prej një jave qëndronte në viset e Shalës dhe bënte bisedime me bajraktarët e atjeshëm.

Nga një telegram i konsullit austro-hun­garez në Prizren, Prochaska, i datës 22 maj 1912, dërguar Minis­trisë së Jasht­me në Vjenë, në lidhje me mbledhjen e Junikut dhe pjesë­ma­rrësit në të, theksohet se shqiptarët së bashku me fisnikët e Pejës, Gjakovës dhe të Vuçitërnit janë mble­dhur qysh dje në Junik, në veriperëndim të Gja­kovës, me qëllim që të li­dhin një besë të përgjithshme. Të prani­shëm ishin Isa Bole­tini dhe Zenjullah Beu, kurse si drejtues intelektual i lëvizjes ishte Hasan Prishtina.

Qëllimi i politikës austro-hungareze, ndonëse kishte interesa të veta, nuk ishte pushtimi i territoreve shqiptare, por pengimi i Serbisë për të siguruar dalje në det nëpërmjet Bosnjë-Herce­govinës, me çka do të pengohej shtrirja e sfe­rës të ndikimit rus në pjesën perën­di­more të Gadishullit Ballkanik.

Në këtë kohë, në radhët e krerëve të kryengritjes shqi­p­tare, krahas problemeve të tjera, kishte edhe dallime rreth zgjedhjes së aleatëve për luftë kundër xhonturqve. Hasan bej Prishtina, Zenjullah Aga dhe Riza bej Krye­ziu anonin kah Austro-Hungaria, ndërsa Isa Boletini, Sadik Rama, Mahmut Zajmi etj. nga Serbia. Këta të fundit tërhiqnin pas vetës Baj­ram Currin, Bajram Daklanin dhe Hasan Jakup Ferrin, sepse Isa Boletini ishte në krushqi me Ferrajt, kurse me Mahmut Zajmin ishin të të njëjtit fis (Shalë). Megjithatë, përballë synimeve të përbashkëta, këto përçarje ishin të vogla dhe të parëndësishme, por nëse the­lloheshin mund të ishin të rre­zik­shme ta dëmtonin Lëvizjen Kombëtare.

Kryeministri serb, në realizimin e politikës së tij, shpre­sonte dhe kërkonte nga Rusia t’i kundërvihej çfarëdo përkrahjeje të auto­nomisë shqiptare nga ana e Austro-Hun­garisë. Nga ana tjetër, ajo ishte e interesuar t’i mbante nën vëzhgim autoritetet shqiptare, përfshirë këtu edhe Isa Bole­tinin. Me sa duket Serbia donte të dinte ç’li­dhje mund të kishte Isa Boletini me Austro-Hungarinë e Malin e Zi, sepse interesat e tyre në Shqipëri kryqëzoheshin me ato të Serbisë.

Nganjeherë raportet duhet marrë me rezervë por ajo që spikat në bisedimet me të dërguarit e Serbisë është kjo: Isa Boletini nuk u bëri atyre asnjë lëshim dhe në të gjitha rastet ai diti ta ruan­te pavarësinë e krye­ngritjes dhe nuk pra­noi asnjë çmim, qoftë edhe të dyshi­mtë, që qarqet politike e ushtarake serbe të ndërhynin në punët e saj.

Qëndrimi i Isa Boletinit ndaj propozimeve serbe ishte i palëkun­dshëm, megjithatë diplomacia serbe nuk hoqi dorë prej tij. Ajo synonte që me çdo kusht ta bënte Isa Bo­letinin për vete e ta vinte në shërbim të po­litikës së saj. Raporti i nënkonsullit Tahy nga Mitrovica, më 18 qershor 1912, drejtuar zotit Franz Kolossa në Stamboll, me të cilin informon që Isa Boletini po përgatiste shqiptarët për kryengritje, ndër të tjera, theksonte se Isai (Boletini) është kthyer në Boletin.

Diplomacia vjeneze, krahas raporteve nga terreni dhe nga qendra diplomatike në Vjenë, më 19 qershor 1912, in­for­monte disa ministri e zyra qeveritare në Vjenë mbi krye­ngritjen e shqiptarëve dhe mundësisë së kalimit të kufirit të Malit të Zi. Po ashtu, përcillej informata se më 6 qershor Isa Boletini, për të marrë mu­nicion, përmes Serbisë, u nis për në Sofje.

Në vijim të informacioneve, konsulli austro-hungarez i Mitrovicës, Von Tahy, informon nga Mitrovica më 21 qer­shor 1912 se Isa, me një­qindepesëdhjetë shokë në rrethin e Labit- Llapit, u nis dje për ta ngritur edhe këtë krahinë në këmbë. Qeveria qëndron krejtësisht inaktive, duke pro­vo­kuar kështu zgjerimin e kryengritjes.

Konzujt raportonin në vazhdimësi për aktivitetin e Isa Boletinit

Në vazhdën e informacioneve të detajuara për kryen­gritjen përfshirë këtu edhe kontributin e Isa Boletinit, nën­konsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Tahy, më 1 korrik 1912 e informon ambasadorin austro-hungarez në Stamboll, Pallaviçini, mbi organizimin e kryengritjes antiosmane nga Isa Boletini, ku, ndër të tjera, theksonte: “Isa Boletini punoi pa pushim për orga­nizimin e kryengritjes. Ai përshkoi të gjithë Shalën, krahinën e Labit dhe Kolakut (Llapit dhe Gollakut- L.Culaj) duke nxitur arnautët kundër qeverisë. Kurse telegrami i konsullit austro-hungarez, Kral, nga Selaniku, më 5 korrik 1912, dërguar kontit Berthold, mbi të dhënat e marra nga Fadil Pasha rreth luftimeve në Boletin, theksonte se Fadil Pasha njofton zyrta­risht për një luftim dymbëdhjetë orësh ndërmjet 1000 e ca shqiptarëve, nën udhë­heqjen e Isa Boletinit dhe forcave ushtarake të tij një gjysmë ore larg Vuçi­tërnës.

Udhë­heqësit e kryengritjes në Kosovë, si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë, e përshë­ndetën formimin e qeverisë së re osmane. Ajo u for­mua më 22 korrik e kryesuar nga Ahmet Murat Pasha. Se kryengritja kishte një shtrirje të gjerë dhe se kon­tributi i Isa Boletinit ishte i konsiderueshëm dëshmon edhe raporti austro-hungarez i datës 24 korrik 1912, ku theksohej: “dje më 23 korrik erdhi në Novi Pa­zar, Isa Bole­ti­ni, i cili u prit me brohoritje nga popullsia. Përveç popu­llsisë, me Isa Boletinin u bashkuan edhe nëpunës si dhe garnizoni i vogël që aktualisht ka vetëm një kompani.

Pas hyrjes të krerëve të kryengritësve shqiptarë në Shkup, më 14 gusht 1912, konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, informon mi­nistrin e Jashtëm në Vjenë, Ber­thold, ku thekson se ndër udhë­he­qësit kryesorë që hynë në Shkup është edhe Isa Boletini.

Austro-Hungaria i quajti të arsyeshme të 14 kërkesat e shqiptarëve, ndërsa konti Berthold u përpoq që ato të përkraheshin edhe nga Fuqitë e Mëdha. Këto për­pjekje diplomatike të Austro-Hungarisë syno­nin ta detyronin Stambollin t’i pranonte kërkesat shqiptare dhe njëherazi ta parandalonte ndërhyrjen e shteteve ballkanike. Më 14 gusht 1912, ministri i Jashtëm austro-hungarez, Bertholdi, ftoi kancelari­të evropiane që të bënin një ndërhyrje të përbashkët në Stamboll. Edhe diplomacia italiane kërkonte një gjë të tillë. Ishte ky presion që e detyroi qeverinë xhon­turke të futej në rrugën e lëshimeve dhe kompromiseve.

Se sa ishte i rëndësishëm perso­naliteti i Isa Boletinit për diplomacitë ndërkombëtare, për­fshirë këtu edhe atë au­stro-hungareze, tregon e dhëna se përveç akti­vitetit të tij ush­tarak përcilleshin dhe raportohe­shin edhe vizitat që i bë­heshin Isa Boletinit dhe korres­podencat e tij.

Kështu, konsulli von Tahy nga Mitrovica, më 4 shta­tor 1912, e infor­­mon ministrin e Jashtëm, Berthold, lidhur me udhëtimin e deputetit britanik Aubrey Herbert dhe disa udhë­tarëve të huaj në këtë rajon. Kurse në një raport të ditës së nesërme e informon se në Mitrovicë zoti Herbert vizitoi ve­tëm kolegun e tij rus dhe i bëri një vizitë Isa Bole­tinit.

Në analizën që ambasadori austro-hungarez në Stam­boll i bën situatës së krijuar në Perandorinë Osmane, dërguar ministrit të Jashtëm Berthold, më 5 shtator 1912, e infor­mon se Isa Boletini mban pushtetin në duart e veta, ndërsa nga ana tjetër, shumë afër qytetit, gjen­den dy divizione tru­pash të rregullta.

Telegrami i nënkonsullit Rudnay, nga vapori i Lloydit “Konti Wurmbrand” në Durrës, për eprorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë lidhur me bisedën me Ismail Qe­malin dhe deklaratat e tij për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 22 nëntor 1912, theksonte ndër të tjera: “Is­mail Beu mu lut ti parashtroj Shkelqësisë Suaj falenderimet e tij për besimin dhe tu njoftoj se, me anën e një telegrami se ai i ka telegrafuar të gjithë qyteteve të Shqipërisë për të dërguar delegatë në Vlorë. Në bazë të përgjigjeve të marra, tanimë ai është i sigurt se atje kanë për tu mbledhur dele­gatët e shumicës së qyteteve të Shqipërisë. Prej Dibre, Isa Bo­letini ka siguruar pjesëmarrjen e tij. Është ftuar edhe ka­pe­­­dani i Mirditës.”

Sipas dokumenteve austro-hungareze Isa Boletini u mirëprit në Vlorë

Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 26 nëntor 1912, informon Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vje­në në lidhje me pushti­min e viseve shqiptare nga ushtria serbe dhe sjelljen ndaj popullsisë vendase, ku, ndër të tjera, theksohej: “Pasi ra Peja, më 4 të këtij muaji pas një lufte të ashpër, prej ushtarëve serbë të divizionit të Drinit u pushtua edhe Gjakova. Ata mundën të hyjnë pa hasur në rezistencë, sepse Xhavid Pasha nuk luftoi. Riza Beu Kryeziu e Bajram Curri janë në Has kurse Isa Boletini në Lumë. Thuhet se ushtria serbe nga këtu do të shkojë në Shëngjin.” Më 15 të këtij muaji, lumjanët nën komandën e Isa Boletinit, që ka me vete dhe 4 topa, ngritën krye papritur e pa kujtuar.

Deri në momentin e nisjes sime, (ata) po vazhdojnë ende një luftë të ashpër e të përgjakshme, që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjitha forcat e ty­re”. Kurse raporti konfidencial i konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, për ministrin e Punëve të Jashtme, në lidhje me mbledhjen e Kuvendit dhe shpalljen e pava­rësisë së Shqipërisë, informonte nga Vlora më 29 nëntor 1912 se sot pasdreke pritet ardhja këtu e Isa Boletinit, së bashku me njerëzit e tij, dhe e delegatëve të tjerë që kanë mbërritur dje në Fier. Të nesër­men, diplomacia austro-hungareze njof­tohej nga Vlora, nga konsulli i tyre, me listën e delegatëve shqiptarë që, më 28 nëntor 1912, kanë marrë pjesë në Ku­vendin e Vlorës, ku, ndër të tjera, përmendej edhe emri i Isa Boletinit (si jo i pranishëm). Konsulli Lej­hanec nga Vlora informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me bisedën me Ismail Qemalin për situatën në Shqipëri më 30 nëntor 1912, ku, ndër të tjera, theksonte se Isa Boletini, i cili erdhi këtu dje me rreth 100 burra të arma­tosur, është zgje­dhur që ta organizojë një trupë të vogël.

Më 3 dhjetor 1912, konsulli Lejhanec nga Vlora, in­for­monte mini­strin e Jashtëm, Berthold, në lidhje me komi­sionin shqiptar që do të nisej në Evropë dhe kapitu­llimin e trupave osmane në Shqipëri, ku, ndër të tjera, theksonte: “Për momentin, shqetësimi kryesor është çështja e çarma­timit të trupave osmane në Berat. Ismail Qemali dëshiron të dërgojë atje Isa Boletinin për të bindur Said Pashën për kapitullimin dhe një­kohësisht për të pranuar postin e Ministrit të Luftës së Shqipërisë”.

Njoftimi i fundit i konsullit të Austro-Hungarisë, Lejhanec, për vitin 1912 është i datës 5 dhjetor 1912, me anën e të cilit njofton nga Vlora eprorët e tij në Vjenë mbi përbërjen e qeverisë së përkohshme të Vlo­rës. Nga këto të dhëna kuptojmë qartë interesimin e Austro-Hungarisë në çështjen shqiptare gjatë vitit 1912.

Në për­gjithësi, transformimi i qëndrimit mosbesues i Isa Boletinit ndaj depërtimit austro-hun­garez, që përcaktohej nga lidhja e tij e fortë me sulltan Abdyl Hami­tin dhe nga intrigat e politikës serbe, nga momenti i shpërthimit të luf­të­rave ballkanike në tetor 1912, karakterizohet si shumë miqë­sore kun­drejt Vje­nës. Pikërisht për këtë fakt, edhe qarqet diplomatike filluan të llo­ga­risnin në Isanë lidhur me çështjen e Ko­sovës, por kur erdhi momenti ndodhi fundi i tij.

Në fakt, të gjitha këto momente historike janë gërshetuar mirë në portretizimin analitik që i bën figurës së Isa Boletinit gazeta vjeneze “Fremdenblatt”, vetëm pak ditë pasi ai të vritej në Podgoricë, në një kurth të orga­ni­zuar nga forcat malazeze, të cilat i pamundësuan Isait ba­shkimin me trupat ushtarake austro-hungareze, të cilat atë­botë po perceptoheshin si çlirim­ta­re përballë dhunës dhe krimeve që po bënin trupat serbo-mala­zeze.

Filed Under: Histori

NGA UNITETI I ALFABETIT TE UNITETI I VIZIONIT

November 14, 2026 by s p

(Reflektime historike mbi Kongresin e Manastirit dhe sfidat e shqiptarëve në kohën tonë)

Prof.dr.Skender ASANI/

Historia ka dëshmuar se momentet përcaktuese në jetën e kombeve nuk krijohen vetëm nga fuqia politike apo ushtarake, por, mbi të gjitha, nga aftësia e tyre për ta kuptuar kohën në të cilën jetojnë dhe për të vepruar përpara se mundësitë historike të humbasin. Një nga këto momente vendimtare ishte Kongresi i Manastirit, i mbajtur më 14-22 nëntor 1908, kur elita intelektuale dhe patriotike shqiptare dëshmoi një vetëdije të lartë për zhvillimet historike dhe rreziqet që kërcënonin të ardhmen e kombit. Në një Ballkan ku Perandoria Osmane po përjetonte procesin e shpërbërjes, Fuqitë e Mëdha po ripërcaktonin interesat e tyre strategjike, ndërsa shtetet fqinje po përgatiteshin për zgjerime territoriale, shqiptarët ndodheshin përballë një domosdoshmërie historike: të përcaktonin qartë jo vetëm identitetin e tyre kombëtar, por edhe orientimin historik, kulturor dhe qytetërues.

Që nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878, çështja kombëtare shqiptare ishte përballur me kërcënimin e copëtimit territorial dhe mohimit të të drejtave kombëtare. Në diskursin politik dhe diplomatik të kohës, shqiptarët shpesh paraqiteshin përmes përkatësisë së tyre osmane ose fetare, duke lënë në hije individualitetin e tyre të veçantë etnik, historik dhe kulturor. Një paraqitje e tillë nuk ishte gjithmonë e rastësishme. Qarqe të caktuara politike të shteteve fqinje e shfrytëzonin këtë perceptim për të krijuar një alibi përpara diplomacisë evropiane, duke i paraqitur territoret e banuara nga shqiptarët si mbetje të sundimit osman dhe jo si hapësira historike të një kombi me identitet, gjuhë dhe aspirata të veta politike. Në këtë mënyrë, mohimi ose relativizimi i identitetit kombëtar shqiptar mund të shndërrohej në instrument për legjitimimin e pretendimeve territoriale dhe të politikave ekspansioniste.

Pikërisht në këtë kontekst, Kongresi i Manastirit fiton një domethënie që shkon shumë përtej njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Ai përfaqësonte një hap vendimtar drejt afirmimit të orientimit kulturor evropian të kombit shqiptar. Pranimi i alfabetit me bazë latine, krahas alfabetit të Stambollit në kuadër të kompromisit fillestar, nuk ishte vetëm një zgjidhje praktike e çështjes gjuhësore. Ishte një akt me rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare, që krijonte mundësi më të gjera për komunikim me botën evropiane dhe ndihmonte në shkëputjen e identitetit kombëtar shqiptar nga identifikimi i njëanshëm me strukturat politike të Perandorisë Osmane. Shqiptarët duhej të dëshmonin se nuk ishin thjesht një popullsi e mbetur brenda një perandorie në shpërbërje, por një komb evropian me gjuhën, kulturën, historinë dhe aspiratat e veta për liri e mëvetësi.

Në Manastir, personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Parashqevi Qiriazi dhe shumë veprimtarë të tjerë, arritën ta vendosnin interesin e përgjithshëm kombëtar mbi dallimet krahinore, fetare dhe politike. Ata e kishin kuptuar se përkatësia fetare nuk mund të shndërrohej në kufi të identitetit kombëtar dhe se diversiteti kulturor e shpirtëror i shqiptarëve nuk duhej të ishte pengesë për bashkimin e tyre. Përkundrazi, ky diversitet duhej të përbënte një pasuri të përbashkët, të mbështetur mbi gjuhën, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare. Ishte pikërisht kjo frymë bashkimi që i dha një shtysë të re Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe, përmes zhvillimeve politike e kryengritjeve të mëvonshme, ndihmoi në përgatitjen e rrugës drejt Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.

Por, më shumë se një shekull më vonë, lind një pyetje që duhet të na shqetësojë të gjithëve: a e kemi kuptuar ne, si shqiptarë, mesazhin e përhershëm historik të Manastirit?

Sot, shqiptarët ndodhen përballë një konfiguracioni të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku rivalitetet gjeopolitike, krizat globale dhe ndryshimet e aleancave strategjike kërkojnë qartësi orientimi, përgjegjësi historike dhe aftësi për të menduar përtej interesave të çastit. Ndryshe nga viti 1908, sot shqiptarët kanë dy shtete, institucione kombëtare, universitete, përfaqësim diplomatik dhe një diasporë të fuqishme, e cila përbën një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor, intelektual dhe ekonomik. Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, mbetet shqetësuese mungesa e një vizioni mjaftueshëm të bashkërenduar për interesat tona afatgjata kombëtare.

Në këtë kuadër, vëmendje të veçantë meriton dukuria e fragmentimit të identitetit kombëtar shqiptar përmes instrumentalizimit të përkatësive shtetërore, rajonale dhe fetare. Liria e besimit dhe përkatësia qytetare ndaj shteteve ku jetojnë shqiptarët janë realitete legjitime, që duhen respektuar pa asnjë rezervë. Problemi fillon atëherë kur këto përkatësi përdoren politikisht për ta relativizuar, zbehur ose mohuar vetëdijen e përbashkët kombëtare. Historia na mëson se dobësimi i lidhjeve identitare dhe kulturore të një kombi mund të krijojë hapësirë për ndikime të jashtme dhe, në rrethana të caktuara, për ambicie territoriale.

Përvoja historike shqiptare na obligon të jemi të vëmendshëm ndaj çdo përpjekjeje që synon ta zëvendësojë identitetin e përbashkët kombëtar me ndarje përjashtuese. Nëse në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX shqiptarët përballeshin me përpjekje për t’u identifikuar si mbetje të Perandorisë Osmane, në rrethanat bashkëkohore rreziku mund të marrë trajta të tjera, më të ndërlikuara dhe më pak të dukshme. Ai mund të shfaqet përmes nxitjes së dallimeve të brendshme, politizimit të përkatësive fetare, theksimit të identiteteve shtetërore si identitete përjashtuese, apo relativizimit të lidhjeve historike dhe kulturore ndërmjet shqiptarëve.

Kjo nuk do të thotë se çdo identitet qytetar, rajonal ose fetar përbën kërcënim për identitetin kombëtar. Përkundrazi, një shoqëri demokratike duhet t’i garantojë dhe t’i respektojë të gjitha këto përkatësi. Por kur dallimet shndërrohen në instrumente të përçarjes politike dhe të dobësimit të kohezionit kombëtar, ato kërkojnë vlerësim kritik, argumentim shkencor dhe përgjegjësi të lartë shoqërore.

Një tjetër shqetësim serioz i kohës sonë është fragmentimi i skajshëm i jetës politike shqiptare. Rivalitetet e vazhdueshme ndërmjet subjekteve politike, në vend që ta forcojnë demokracinë përmes pluralizmit, debatit dhe konkurrencës së ideve, shpesh e zhvendosin vëmendjen nga interesat strategjike drejt luftës së pandërprerë për pushtet. Në këto rrethana, politika rrezikon të humbasë dimensionin e saj shtetformues dhe kombëtar, duke u shndërruar në një arenë ku fitorja ndaj kundërshtarit vlerësohet më shumë sesa mirëqenia e shoqërisë.

Një proverb popullor shqiptar e përmbledh në mënyrë të goditur absurditetin e kësaj mendësie: “Për inat të vjehrrës, më vdektë djali!” Kjo shprehje, sado e rëndë në përmbajtjen e saj, pasqyron një realitet politik që nuk mund të shpërfillet. Kur rivaliteti politik arrin deri aty sa dëmtimi i kundërshtarit të konsiderohet më i rëndësishëm sesa mbrojtja e interesit të përbashkët, atëherë nuk rrezikohet vetëm një parti, një qeveri apo një mandat politik, por vetë perspektiva e brezave të ardhshëm.

Edhe më shqetësuese do të ishte nëse kjo përçarje do të krijonte rrethana në të cilat përfaqësues të caktuar politikë shqiptarë, në vend që përgjegjësinë dhe llogaridhënien ta orientonin ndaj qytetarëve dhe institucioneve të tyre, do ta zhvendosnin besnikërinë politike drejt qendrave të jashtme të vendimmarrjes. Ndikimet e tilla nuk mund të përgjithësohen pa fakte dhe duhen vlerësuar mbi bazën e veprimeve konkrete e të dëshmive të verifikueshme. Megjithatë, parimi mbetet i patjetërsueshëm: asnjë interes partiak, asnjë ambicie personale dhe asnjë varësi politike nuk mund të vendoset mbi sigurinë, dinjitetin dhe të ardhmen e një shoqërie.

Pikërisht këtu qëndron edhe aktualiteti i jashtëzakonshëm i Kongresit të Manastirit. Në vitin 1908 shqiptarët nuk kishin një shtet të pavarur, por kishin një elitë intelektuale dhe patriotike që dinte ta artikulonte një vizion të përbashkët. Sot kemi institucione shtetërore, por duhet të pyesim veten nëse kemi arritur të ndërtojmë një strategji të përbashkët që ngrihet mbi interesat e ngushta politike. Atëherë kërkohej një alfabet i përbashkët për të mbrojtur identitetin kombëtar; sot kërkohet një mendim strategjik i bashkërenduar për të mbrojtur të ardhmen. Atëherë shqiptarët duhej ta afirmonin identitetin e tyre evropian; sot këtë identitet duhet ta dëshmojnë përmes demokracisë funksionale, arsimit cilësor, përparimit shkencor, zhvillimit ekonomik dhe institucioneve të qëndrueshme.

Orientimi perëndimor i shqiptarëve nuk duhet kuptuar vetëm si përcaktim gjeopolitik apo si aspiratë për integrim në strukturat euroatlantike. Ai duhet të jetë, para së gjithash, një zgjedhje e vetëdijshme qytetëruese, e mbështetur mbi sundimin e ligjit, respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë individuale, pluralizmin demokratik dhe përgjegjësinë institucionale. Përkatësia evropiane nuk mund të mbetet thjesht një deklarim historik; ajo kërkon të dëshmohet çdo ditë përmes mënyrës se si ndërtojmë shtetin, si e kultivojmë dijen, si e trajtojmë tjetrin dhe si e mbrojmë interesin publik.

Prandaj, përkujtimi i Kongresit të Manastirit nuk duhet të reduktohet në një ceremoni përvjetori apo në një rikthim simbolik te ngjarjet e së kaluarës. Ai duhet të shndërrohet në një thirrje për zgjim intelektual, kombëtar dhe shoqëror. Ky zgjim duhet të fillojë nga institucionet akademike, universitetet, qendrat kërkimore dhe debati i përgjegjshëm publik, për të krijuar një vetëdije kombëtare që nuk mbetet peng i interesave të përkohshme politike.

Një komb që dëshiron ta ndërtojë të ardhmen e vet nuk mund të mbështetet vetëm në krenarinë për të kaluarën. Ai duhet të investojë në dije, në mendim kritik, në edukimin e brezave të rinj dhe në krijimin e një kulture politike që e vendos të mirën e përgjithshme mbi përfitimin individual. Pa këtë vetëdije, edhe trashëgimia më e ndritur historike rrezikon të shndërrohet në një kujtim pa ndikim në realitetin e sotëm.

Historia nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën formë, por shpesh i vendos kombet përballë dilemave të ngjashme. Në vitin 1908 shqiptarët duhej të vendosnin nëse do të mbeteshin brenda një rendi perandorak që po shpërbëhej, apo do ta ndërtonin vetë rrugën e tyre kombëtare. Sot sfida nuk është më e njëjtë në përmbajtje, por është po aq e rëndësishme në kuptimin historik: të mos mbetemi spektatorë pasivë të zhvillimeve globale, por të fitojmë aftësinë për të ndikuar në drejtimin e së ardhmes sonë.

Kombet që nuk arrijnë ta kuptojnë kohën në të cilën jetojnë, rrezikojnë të bëhen objekt i vendimeve të të tjerëve.

Ky është një nga mësimet më të rëndësishme që mund të nxjerrim nga përvoja historike e shqiptarëve. Nëse në fillim të shekullit XX mungesa e një orientimi të qartë kombëtar dhe politik mund të shfrytëzohej nga faktorë të jashtëm për të kontestuar të drejtat dhe aspiratat shqiptare, sot mungesa e një vizioni strategjik mund të krijojë forma të reja të varësisë politike, ekonomike dhe institucionale.

Manastiri na mësoi se uniteti nuk nënkupton mungesën e dallimeve, por vetëdijen se ekzistojnë qëllime që qëndrojnë mbi dallimet individuale, krahinore, fetare dhe partiake. Në vitin 1908, elita intelektuale shqiptare arriti të bashkërendonte simbolet e komunikimit kombëtar dhe të forconte orientimin historik e kulturor të shqiptarëve drejt Evropës. Sot na nevojitet e njëjta përgjegjësi historike për të bashkuar dijen, vullnetin politik dhe energjinë shoqërore rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen.

Në fund të fundit, madhështia e Kongresit të Manastirit nuk qëndron vetëm te vendimet që mori, por edhe te guximi i një brezi për ta vendosur të ardhmen e kombit mbi interesat dhe dallimet e kohës së vet. Ai brez e kuptoi se historia nuk i pret ata që ngurrojnë dhe se mundësitë e humbura shpesh shndërrohen në pasoja që i bartin brezat e mëvonshëm.

Në vitin 1908, në Manastir, shqiptarët vendosën se si do ta shkruanin gjuhën e tyre; sot duhet të vendosin se si do ta shkruajnë të ardhmen e tyre.

Filed Under: Histori

MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

November 12, 2026 by s p

Primo Shllaku/

Me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës u vendos një kompleks skulpuror monumental i konceptuar dhe i zbatuar sipas parimeve të realizmit socialist mbi moinumentalitetin dhe narrativën historike të së ashtuquajturës teori e marksizëm-leninizmit.

Vepra është me autorësi kolektive dhe në të kanë punuar Mumtaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri. Më vonë, këto vitet e fundit, monomenti “është ngritur” edhe me tri këmbë shkallë që sipas Dhramit i ka bërë keq përceptimit kundrues dhe kjalimtar të këtij monumenti.

Por ajo që ka më tepër rëndësi është se lidhur me fazën përgatitore për derdhjen në bronx të këtij kompleksi kolosal, ekziston një narrativë shumë interesante që ka të bëjë me plotësinë apo paplotësinë e kësaj vepra, me mangësitë e realizimit përfundimtar dhe me modifikimin superideologjik të këtij monumenti, simba të dhënave gojore dhe indiskrecionit të vetrë autorëve. Kjo vepër u mbajt gjatë në dorë dhe u rishikua simbas Dhramit edhe me vërejtjet e vetë diktatorit Hoxha, i cili e priste që ky të mos ishte aq statik dhe të kishte nji dinamikë që i përshtatet ngjarjes më të rëndësishme të historisë shqiptare në kohët moderne. U tha se kompleksit iu shtua një apo më shumë figura, nominalisht ajo e luftëtarit verior.

Legjenda urbane e mbushur me prapaskena dhe shpikje të gjithfarë natyrave na sjell nji ngjarje që edhe nëse nuk është e vërtetë, në vetvete shpreh një shqetësim real dhe serioz të shoqërisë shqiptare, e cila asokohe shifte diskriminime dhe diferencime jo të shëndosha edhe pse lufta e dytë botërore kishte 30 e kusur vjet që kishte mbaruar. Tregohet se, kur vepra ishte përfunduar në baltë dhe autorët kishin arritur në përfundimin se ata e kishin realizuar idenë, formën dhe kompozimin e monumentit dhe po përgatiteshin për çuarjen e saj në fonderi për ta derdhiur në bronx sipas projektit, ata duhet të lajmëronin porositësin e monumentit që t’i idhte një sy të fundit dhe eventualisht t’i bëheshin prekjet përfundimtare.

Çuan fjalë në Komitetin qendror të PPSH dhe po rrinin në pritje se kush do të caktohej nga lart për ti bërë ekspertizën ideologjike nji monumenti kaq qendror dhe kaq të kushtueshëm edhe financiarisht. KQ dërgoi sekretarin ideoligjik, Ramiz Alinë. Ai erdhi, e pa, bëri pyetje rreth realizimit, mbase edhe rreth ripunimit të kësaj vepre “në dritën” e vërejtjeve të Enver Hoxhës dhe, si përfundim, i përgëzoi të tre skulptorët për veprë e realizuar me cilësi nga ana e tyre.

Por kur po e përcillnin që të largohej nga studioja e skulptorëve, Ramiz Alia i futi krahun Kristaq Ramës dhe në nji fragment të shpejtë dhe me tone intime e konfidenciale i tha Kristaq Ramës:

“Mirë e keni bërë, por po mendoj se figura e Luigj Gurakuqit sikur e zbeh monumentin. Gurakuqi ka qenë i lidhur me kishën katolike dhe m e planit të parë të monumentite Vatikanin dhe kjo sikur nuk shkon…”

Skulptori Rama kishteheshtur një moment, ndoshta nga habia e argumentit të ideologut të Partisë, aq më tepër se Luigj Gurakuqi ishte i shpallur po nga ai regjim si “Hero i Popullit”, titulli më i lartë që u jepej asokohe atyre që kishin humbur jetën për shpëtimin dhe lirinë e atdheut.

Ramiz Alia e kishte kuptuar heshtjen e skulptorit Rama dhe menjiherë kishte shtuar me të qeshur dhe me dashamirësi:

“Nejse, ju mos u ashtu… Shikojeni vetë me kolegët dhe vendosni ju se si duhet bërë monumenti…”

Dhe ishte larguar duke ua lënë skulptorëve një fjalë që duhej marrë jo si këshillë, por si direktivë.

Siç është edhe e pritshme skulptorët ishin mbledhur për ta diskutuar vërejtjen e “shokut Ramiz” dhe pa shumë ngurrime e kishin vendosur heqjen e figurës së Luigj Gurakuqit nga kompleksi i planit të parë për të mos e vënë asgjëkundi aty.

Por për ata që pavarësinë e shohin si rezultat i një klime luftarake me kryengritjet e Malësisë së Madhe dhe të luftarëve të Kosovës dhe si akt final rezultat i një ekipi të fortë negociatorësh shqiptarë me perandorinë austro-hungareze dhe me mbretërinë e Italisë mes të cilëve përveç figurës së Ismail Qemalit, rol mbështetës e negociator kishin pasë edhe dy figura të klasit të parë, Luigj Gurakuqi dhe imzot Nikollë Kaçorri, ky i fundit ndërmjetës i përherëshëm pranë autoriteteve austriake dhe pastaj edhe zv/kryeministër i qeverisë që doli nga 28 nëntori i 1912.

Për një sy të stërvitur dhe dikë që e ka marrë vesh këtë truk në çastet e fundit të krijimit të monumentit, bie në sy nji hapësirë e pajustifikuar menjëherë pas supit të Ismail Qemalit, por gjithsesi ajo hapësirë (e zvogëluar apo jo në çastin e zbatimit emergjent të direktivës partiake) bie një sy si një papërsosuri kompozicionale e veprës.

Historiografia shqiptare, gjithnjë e paçliruar nga determinizmi politik priret të mos e ballancojë aktin e shpalljes së pavarësisë si një kombinim fatlum të disa kryengritjeve me punën metikoloze të diplomatëve shqiptarë si vlonjati Ismail Qemali, shkodrani Luigj Gurakuqi dhe luraku, Nikollë Kaçorri, e cila u krye me sukses në mënyrën më optimale të mundshme. Pra kryengritjet kishin përfunduar më 1911 e pavarësia po gatuhej një vit ma vonë. Kjo tregon se diplomacia dhe intelektualizmi i shqiptarëve të kohës plotësuan gjysmën tjetër të punës dhe ia dolën me faqe të bardhë. Gurakuqi e Kaçorri mungojnë në monument dhe demokracia që ardhun ndër ne, ndër të tjera ka ardhur edhe për të ndrequr e plotësuar gollet e mëdha të diktaturës së mendimit estetik që ajo dirigjonte përmes metodës së realizmit socialist.

Monumenti nuk është as i vitit të parë e as i vitit të dytë mbas shpalljes së Pavarësisë. Është i një epoke tjetër të cilës mund t’i përkasë ruajtja e Pavarësisë, por jo shpallja e saj. Epokat vijnë njera pas tjetrës për t’u korrigjuar retrospektivisht në kahen e progresit dhe të përsosmërisë së mesazheve. Pra ne do të na duhej një monument ma me pak anonimë e ma me shumë përfaqësues territorialë të asaj që ma vonë u quajt Shqipëria londineze.

Foto: https://commons.wikimedia.org/…/Category:Independence…

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 741
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 114 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
  • FALENDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR PATRIOTEN ERJOLA XHEKO, DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • VLERËSIM HISTORIK I RAPORTIT DIPLOMATIKO-USHTARAK FRANCEZ MBI SITUATËN POLITIKE NË SHQIPËRI PAS PRANIMIT TË 14 KËRKESAVE TË HASAN PRISHTINËS
  • MARIE ALEKSANDRA IVEZAJ – KRENARIA E NJË VAJZE MALËSORE QË NGRITI SHQIPONJËN SHQIPTARE NË SKENËN E BOTËRORE
  • Nga qëndresa te qytetërimi: 28 Nëntori dhe përgjegjësia historike e shqiptarëve
  • Lef Nosi (1877–1946)
  • “Ditë e shenjtë” – Nëntorët e Pavarësisë
  • DEDË GJO’ LULI DHE FLAMURI I SKËNDERBEUT NË DEÇIQ
  • RRUGËTIMI I QYTETËRIMEVE BOTËRORE NË SHEKUJ
  • SOTIR PECI – PATRIOTI E PUBLICISTI, MESUESI E GJUHETARI, POLITIKANI E MINISTRI VIZIONAR
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Anton Raja, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Artisti Flori Lloga dhuroi 2 mijë dollarë për Darkën e Flamurit Kombëtar
  • THANKSGIVING – NGA RRËNJËT E HISTORISË TE FESTA E MIRËNJOHJES AMERIKANE
  • NËNTORI – MUAJI I FESTAVE DHE KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Pse Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT