
Dr. Mehmet Prishtina/
Karvani ynë kombëtar, i cili sivjet shënon 115-vjetorin e Kuvendit historik të Junikut dhe kujton veprën madhore të Hasan Prishtinës e patriotëve të tjerë shqiptarë, sot ndalet në Junikun tonë krenar – në vendin ku historia shqiptare mori një nga kthesat më të rëndësishme të saj. Para 115 vitesh, në këto kulla që edhe sot presin e përcjellin me bujari miq nga të gjitha trojet shqiptare, u mblodhën burrat më të shquar të kombit për të lidhur besën shqiptare në shërbim të lirisë. Nga 21 deri më 25 maj 1912, Juniku u bë qendra politike dhe kombëtare e shqiptarëve, duke i paraprirë kryengritjes së përgjithshme dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
Me nismën dhe vizionin e Hasan Prishtinës, Kuvendi i Junikut mblodhi mbi 300 delegatë nga të gjitha vilajetet shqiptare. Aty u artikulua qartë platforma politike e shqiptarëve për vetëqeverisje, liri dhe bashkim kombëtar.
Programi i miratuar në Junik, i njohur si programi me 14 pika, përfaqësonte një projekt të qartë shtetformues dhe dëshmonte pjekurinë politike të shqiptarëve në prag të pavarësisë.
Kuvendi i Junikut nuk ishte vetëm një ngjarje historike, por një akt i madh uniteti kombëtar. Në një kohë sfidash të mëdha dhe kërcënimesh nga fqinjët shovinistë, shqiptarët lanë anash dallimet krahinore e politike dhe u bashkuan rreth interesit kombëtar. Pikërisht ky mesazh mbetet aktual edhe sot.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2026, fryma e Kuvendit të Junikut duhet të shërbejë si udhërrëfyes për klasën tonë politike dhe për gjithë qytetarët e Kosovës. Kosova ka nevojë për më shumë unitet, përgjegjësi shtetërore dhe vizion kombëtar. Përballë sfidave politike, ekonomike dhe gjeostrategjike, ndasitë e tepërta partiake nuk duhet të mbizotërojnë mbi interesin e shtetit dhe të ardhmen e qytetarëve tanë.
Ashtu siç burrat e Junikut në vitin 1912 ditën të bashkohen për fatin e kombit, edhe sot politika dhe shoqëria jonë duhet të gjejnë forcën për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim institucional. Zgjedhjet e vitit 2026 nuk duhet të jenë vetëm një garë për pushtet, por një moment reflektimi për drejtimin që dëshirojmë t’i japim Kosovës në dekadat që vijnë.
Kuvendi i Junikut mbetet simbol i vendosmërisë, sakrificës dhe vizionit shtetformues shqiptar. Detyra jonë sot është që këtë trashëgimi ta ruajmë dhe ta kthejmë në frymë bashkimi e zhvillimi për brezat që vijnë.