• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1934 / DEKLARATA E RËNDËSISHME E MINISTRIT TË JASHTËM TË SHQIPËRISË, Z. XHAFERR VILA, NË GAZETËN JUGOSLLAVE “POLITIKA”

January 6, 2024 by s p


Xhaferr bej Vila (1888 – 1938)
Xhaferr bej Vila (1888 – 1938)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Janar 2024

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të hënën e 18 qershorit 1934, në faqen n°2, deklaratën e rëndësishme të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Xhaferr Vila, bërë asokohe në gazetën jugosllave “Politika”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëri

Deklaratë e rëndësishme nga z. Xhaferr Vila

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Z. Xhaferr Vila, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe ish-ambasador në Beograd, i intervistuar nga një korrespondent i gazetës jugosllave “Politika” për politikën e jashtme të Shqipërisë, deklaroi ndër të tjera :

“Shqipëria është një popull krenar. Ne i kemi qëndruar gjithmonë besnikë parimit të ruajtjes me xhelozi të sovranitetit të Shqipërisë. Kemi lexuar deklaratat e z. Yevtitch (Jevtiç) për marrëdhëniet e këtyre dy vendeve dhe në veçanti për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Për sa u përket deklaratave të z. Venizelos për vasalitetin e vendit tim, më vjen keq që ish-kryeministri grek ka bërë një interpretim të gabuar të dokumentit të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921, sepse akti i regjistruar në Lidhjen e Kombeve duhet të forcojë pavarësinë e një shteti dhe jo ta dobësojë atë. Ky dokument nuk ekziston për Shqipërinë, sepse nuk u konsultua dhe nuk mori pjesë në hartimin e tij.”

Në përfundim, z. Vila deklaroi se Shqipëria, duke qenë një shtet i Adriatikut, kishte një vijë bregdetare për të mbrojtur kundër sulmeve ngado që vijnë.

Filed Under: Histori

Rezistenca e shqiptarëve të sanxhakut të Nishit kundër pushtuesve serbë gjatë viteve 1877-1878

January 4, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Lufta ruso-turke (1876-1877) ishte një ngjarje e rëndë për Perandorinë Osmane. Objektivi kryesor i ushtrisë ruse ishte pushtimi i qytetit të Plevnës. Më 10 dhjetor 1877, pas një qëndrese gjashtëmujore, osmanët u dorëzuan. Në këtë kohë ushtria serbe kaloi në mësymje dhe pushtoi 6 qytete, duke e rritur territorin serb(Grbić, 2007:15). Në luftë kundër Turqisë kishin hyrë Serbia, Mali i Zi dhe Rumania. Ushtria serbe operacionet luftarake i zhvilloi në sektorin e Nishit, Pirotit, Prokupljes, Leskovcit dhe të Vranjës, me synimin e zgjerimeve territoriale në kurriz të shqiptarëve. Nw sanxhakun e Nishit, popullsia në fshatra ishte shqiptare, ndërsa në qytete e përzierë me turq dhe serbë.

E ndodhur nw njw luftw nw disa fronte, forcat turke nuk po u bënin rezistencë forcave serbe që po kryenin spastrime etnike të territoreve të pushtuara. Serbia donte ta vinte Perandorinw Osmane para faktit tw kryer, duke i pushtuar dhe spastruar me luftw territoret qw pretendonin t’i merrnin me traktatin e paqes qw do tw pasonte humbjen turke. Ndwrsa ushtria e rregulltw turke po trwhiqej nw mwnyrw poothuajse tw organizuar, vetë shqiptarët luftuan dhe e goditën ushtrinë serbe, kudo ku mundën. Në luftën e viteve 1877 – 1878, forca kryesore kundër Serbisë përbëhej nga shqiptarët, që vinin kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Ata ishin të organizuar në 72 njësi, me nga 550 burra secila(Jagodić,1998). Shqiptarët vendës nga rrethet e Prokuplës, Kurshumlisë dhe të Leskocit nuk ishin të organizuar në formacionet ushtarake, por luftuan në mënyrë të pavarur. Të ndarë në grupe të vogla, ata mbrojtën çdo fshat dhe çdo shtëpi, duke mbrojtur pragun e vet. Kjo ishte arsyeja pse fshatrat e tyre u “pastruan” kaq thellësisht(Jagodić,1998).

Luftimet u shpërthyen më 15 dhjetor 1877, pas një kërkese ruse për Serbinë të hyjë në konflikt. Forcat pushtuese serbe kudo u ndeshwn me grupe shqiptarwsh tw armatosur. Forcat e vetëmbrojtjes shqiptare, më 19 dhjetor 1877 u ndeshën me një kompani serbe, të komanduar nga kapiteni Millan Stojanoviç dhe togeri Sima Petroviç. Serbët u sulmuan në Dragaçevë nga një njësit i vogël shqiptarësh prej 30 – 40 vetash. Luftimet zgjatën më shumë se gjysmë ore. Më 11 janar 1878 në Kastrat u zhvillua një betejë midis një njësiti shqiptarësh dhe ushtarëve serbë. Shqiptarët u përforcuan me 200 luftëtarë, të cilët e pritën batalionin e Aleksincit. Në ndihmë u erdhën edhe 100 shqiptarë të tjerë, të cilët i sulmuan serbët vetëm me jataganë dhe ata menjëherë nisën të tërhiqen. Serbët dërguan në mbështetje dhe batalionin e dytë të Aleksincit, të cilët i ndaluan shqiptarët e çakërdisur, që e përsëritën sulmin e tyre me thika dhe të dy këto batalione filluan tërheqjen e shpejtë dhe të parregullt. Pas tyre ishte bateria fushore e Qiriqit, e cila me atë rast i sulmoi me granata radhët e shqiptarëve, ndërkohë që ushtarët serbë u tërhoqën me shpejtësi, pasi bateria e artilerisë, për shkak të terrenit me ndërprerje, nuk mund të qëndronte më aty, se mund të zihej rob. Në ato luftime nga pala serbe pati 12 ushtarë të vrarë, 19 të plagosur dhe 2 të zhdukur. Të nesërmen, më 17 janar, rreth orës 9.30 në mëngjes, dy batalione: i Levakut dhe i Temikut me baterinë e artilerisë u vendosën buzë Kosanicës. Kur iu afruan pikës së caktuar, ata u sulmuan nga shqiptarët, të cilët ishin fshehur në pyje në një terren të thyeshëm. Aty u zhvillua një luftë e gjatë. Serbët me të gjitha forcat suleshin që t’i shkatërronin dhe t’i përzinin, por shqiptarët e çmendur me shprehitë e tyre suleshin me jataganë nga të gjitha anët, çka bëri që serbët të tërhiqeshin me luftime të pandërprera. Shqiptarët, pasi kaluan deri në afërsi të fshatit Vilikë, kah ora tre pasdite, e ndërprenë luftën dhe u kthyen në vendet e tyre, çka bënë edhe ushtarët e Jagodinës, të cilët e patën zaptuar pozitën një natë më parë. Në këtë konflikt u vranë 13, u plagosën 57 dhe u zhdukën 49 ushtarë serbë(Koha Jonë, 21 shkurt 2018).

Gjatë avancimit të mëtejshëm drejt Kurshumlisë, trupat serbe hasën në refugjatët shqiptarë, të cilët ishin shpërndarë në të gjithë malet ngjitur. Ndërsa po tërhiqeshin, ata rezistuan ndaj serbëve dhe nuk pranuan të dorëzohen(Hadži-Vasiljević,1905:653). Në luftimet e datave 11, 12, 22, 25, 26 e 31 dhjetor 1877 në Kurshumli serbët patën gjithsej 130 të vrarë e 136 të plagosu(Koha Jonë, 21 shkurt 2018).

Kurshumlia u kap në ditët e para të muajit janar 1878 nga forcat e bashkuara shqiptare të Prizrenit, Podrimes dhe të Lumës, por për shkak të mungesës së artilerisë, atyre iu desh të përballeshin me një sulm të ri nga armiku, i cili duhet të kishte 30 topa në atë linjë. Përplasja me serbët në Kurshumli ishte e pafat për shqiptarët. Në anën serbe fillimisht ishin angazhuar tre dhe pastaj gjashtë batalione këmbësorie, së bashku me kalorësinë dhe artilerinë, kundër pesë bajrakëve nga Podrimja, rreth 2500 burra, që e morën luftën me vrullë, por pas një rezistence të shkurtër u tërhoqën me rreth 40 burra të vdekur dhe të plagosur(Çeku, 2022:181).

Refugjatët shqiptarë kishin arritur deri në shpatet jugore të Kopaonikut. Ndërkohë, forcat turke u përpoqën të depërtonin në luginën e Toplicës, për të dërguar ndihmë në Nishin e rrethuar, kështu që zona rreth Kurshumlisë u shndërrua në fushëbetejë. Në luftimet e zhvilluara më 11, 16, 19 e 22 janar 1878, serbët kishin 216 të vrarë e 785 të plagosur në ushtrinë e Moravës. Pra, humbjet ishin 346 ushtarë të vrarë dhe 921 ushtarë dhe oficerë të plagosur, humbje që i gëlltiti Samakova dhe Kurshumlia. Në ato luftime, më së shumti, qëndroi ushtria e Çaçakut, e cila humbi 300 njerëzit e vet(Koha Jonë, 21 shkurt 2018).

Pasi kishin rrethuar Nishin, serbët dërguan një pjesë të forcave në luginën e Moravës Jugore, drejt Leskocit. Myslimanët u larguan nga qyteti sapo dëgjuan se ushtria po afrohej. Ata shkuan në jug, drejt Vranjës dhe Shkupit(Kanic,1986:238). Një pjesë e madhe e shqiptarëve të arratisur u detyruan të qëndronin në male. Ata prisnin që serbët të dëboheshin nga fshatrat e tyre, por Nishi u kap nga serbët dhe turqit u tërhoqën, kështu që refugjatët nuk u kthyen dot në shtëpitë e tyre(Jagodić,1998). Myslimanët e Nishit nuk i rezistuan ushtrisë serbe, por vetëm u tërhoqën së bashku me trupat e rregullta turke(Jagodić,1998).

Pas pushtimit të Nishit, trupat serbe u ndanë në dy grupe. I pari duhej të përparonte në jugperëndim, në luginat e Toplicës, Kosanicës, Pusta Rekës dhe Jabllanicës (degët e Moravës së Jugut), ndërsa i dyti duhej të shkonte në jug, poshtë luginës së Moravës së Jugut, për të pushtuar Vranjën dhe më pas të kthehej në perëndim. Detyra e tyre e përbashkët ishte të depërtonin në Kosovë. Të dy drejtimet kalonin nëpër rajonet e banuara nga shqiptarë(Jagodić,1998).

Përparimi i ushtrisë në jugperëndim ishte shumë i ngadaltë, për shkak të terrenit kodrinor dhe luftimeve të përhershme me shqiptarët vendas, të cilët i kishin strehuar familjet e tyre në malet fqinje Radan dhe Majdan dhe më pas ishin kthyer për të mbrojtur fshatrat e tyre. Përballë rezistencës së forte, serbët u detyruan t’i pushtonin vendbanimet shqiptare një nga një.

Për shkak të një qëndrese të ashpër, fshatrat shqiptare mbetën krejtësisht bosh. Refugjatët dalëngadalë po tërhiqeshin në Kosovë, matanë malit Golak. Ata përfundimisht arritën në rajonin e Prishtinës, i cili doli të ishte destinacioni i tyre përfundimtar(Hadži-Vasiljević, 1905:659).

Ushtria që vepronte në drejtimin jugor duhej të depërtonte nga ana e dy kanioneve: Gërdelicë (ndërmjet Vranjës dhe Leskovcit) dhe Veternicë (në jugperëndim të Gërdelicës). Pas betejave për Gërdelicën dhe përballë Vranjës, serbët e morën këtë qytet. Shqiptarët mbrojtën kanionin e Veternicës, ndërsa familjet e tyre u strehuan në malin Golak. Në luftime morën pjesë edhe serbët vendas, të cilët treguan një armiqësi të madhe ndaj shqiptarëve, duke u djegur shtëpitë, plaçkitur dhe duke i ndjekur. Shqiptarët në bregun e djathtë të Moravës, në rajonin e quajtur Masuricë, nuk rezistuan dhe mbetën në fshatrat e tyre(Jagodić, 1998).

Depërtimi i shpejtë i ushtrisë dhe i njësiteve të vullnetarëve serbë në tokat e banuara me shqiptarë, që arritën deri në Graçanicë dhe në Lipjan, u ndërpre pas marrëveshjes së armëpushimit midis përfaqësuesve të ushtrisë ruse dhe osmane, e cila u nënshkrua në Edrene me 31 janar 1878(Stojanćević, 1977:115). Pas përfundimit të luftës, Kongresi i Berlinit njohu ato fitimet territoriale dhe tokat u bë pjesë e Mbretërisë së Serbisë, i njohur si Novi Krajevi/Novi oblasti apo krahinat të reja. Qytetet kryesore të territoreve të fituara ishin: Nishi, Piroti,

Vranja, Leskoci, Prokuplja dhe Kurshumlia. Të ashtuquajturave zona të reja iu dha forma e fundit juridike me një ligj të veçantë, në formën e qarqeve: Nish, Vranje, Pirot dhe Toplicë(Svirčević, 2007:111).

Në territoret që pushtuan, serbët kryen spastrimin etnik. Pothuajse të gjithë myslimanët, me përjashtim të disa romëve, ishin dëbuar nga rajoni i Luginës së Moravës, ku kishte pasur qindra fshatra shqiptare, si dhe një përqindje të konsiderueshme të popullatës shqiptare në qytetet Prokuple, Leskovc dhe Vranjë(Malkolm, 2001: 237). Pas humbjes së trojeve të tyre, shqiptarët iu drejtuan Sulltanit me anë të një telegram. Ata kërkuan që ai t’i sqaronte “nëse qeveria kërkonte ta mbronte popullin nga armiku, apo e kishte shitur atë territor”. Në Prishtinë debatet shkuan deri në deklarata shumë serioze në mes të valiut Refat Pasha dhe udhëheqësve të shqiptarëve. Shqiptarët folën për “tradhëti nga ana e organeve qeveritare” dhe Rifat Pasha duhej t’i lejonte përfaqësuesit e shqiptarëve, që t’i inspektonin rezervat e armëve dhe municioneve, për t’i bindur se nuk kishte patur martina ose pushkë të tjera me furnizues të prapmë.(Çeku, 2022:183).

Rezistenca shqiptare kishte qenë diku e organizuar e diku spontane, por e pa mbështetur nga ana e forcave osmane, të cilat e kishin nënshkruar kapitullimin dhe ishin të gatëshme të lëshonin territore shqiptare, me kushtin që të ruanin territoret e tyre, kryesisht Stambollin. Traktati i Shën Stefanit është kapitullimi turk, pasojat më të mëdha të të cilit ranë mbi territoret shqiptare.

Shqiptarët nuk u pajtuan me rezultatet e luftës në sanxhakun e Nishit. Në mesin e shkurtit 1878, qeveria serbe i njoftoi përfaqësitë e huaja diplomatike për problemet që shqiptarët i shkaktonin në jug të kufirit. Beogradi, duke i ekzagjeruar detajet e ndodhive të këtij lloji, mundohej që këtë çështje ta paraqiste të rrezikshme edhe pse caktimi i kufirit gati ishte vendosur. Informatat e Ministrisë së Jashtme të Qeverisë së Serbisë bënin me dije se “një numër i konsiderueshëm i forcave shqiptare kishin kaluar kufirin, duke depërtuar në drejtim të Kopaonikut”. Sipas Beogradit, “shqiptarët kishin shkaktuar dëme të mëdha me sulmet e tyre shkatërruese”. Kjo ishte arsyeja që ushtria serbe kishte vënë në dispozicion 6 batalione, të cilat ishin angazhuar për t’i ndjekur këta shqiptarë të armatosur nga territori i Serbisë(Çeku, 2022: 189).

Largimi i shqiptarëve nga trojet e tyre në sanxhakun e Nishit bëri që ata të përqendrohen kryesisht përgjatë vijës së demarkacionit, të cilën shpesh e kalonin, duke shkaktuar konflikte me rojet serbe të kufirit. Përleshje të tilla u bënë mjaft të shpeshta në prill dhe maj 1878. Pas Kongresit të Berlinit, situata në zonën kufitare ishte ende e tensionuar. Në qershor të vitit 1879, shqiptarët sulmuan edhe qytetin e Kurshumlisë. Qeveria serbe protestoi pranë Portës së Lartë, por ankesat e saj mbetën pa përgjigje(Kanic,1986:334-335).

Pas dëbimit të shqiptarëve, Serbia kishte dërguar ekipe për ta populluar atë pjesë territori të fituar me kolonistë, para se të mbahej Kongresi i Berlinit. Ekipet për formimin e komunave dhe regjistruesit, ndër të tjera shkruanin: “Këtu të gjitha fshatrat kanë qenë shqiptare, tani janë të shkreta, të djegura dhe të rrënuara, prandaj edhe nuk mund të formohen komuna“. Mirëpo, përkundër kësaj, Serbia zyrtare filloi me nxitim kolonizimin e atyre vendbanimeve me elementin sllav, të sjellë nga viset e ndryshme si: Serbia, Mali i Zi, Bosnja etj. Me këtë rast, pushteti serb dhe kolonët e rinj serbo-sllavë plaçkitën tërë pasurinë e shqiptarëve.

Literatura:

Çeku, Ethem. Shqiptarët, 1830-1908)botimet “Artini”, Prishtinë 2022.

Dëshmia e rrallë, Libri i autorit serb më 1877: Si i dëbuam dhe i vramë shqiptarët nga Nishi, Koha Jonë, 21 shkurt 2018.

Grbić, Meho. Bosnia and Hercegovina 1878 – 1945 Islam, War and Politics, (Lund University, 2007),

Hadži-Vasiljević, Jovan. “Pokret Arnauta za vreme srpsko-turskih ratova 1876 i 1877/1878” Ratnik, 59, 1905, s. 659.

Jagodić, Miloš. The Emigration of Muslims from the New Serbian Regions 1877/1878, Balkanologie, Vol. II, n° 2, 1998, https://journals.openedition.org/balkanologie/256

Kanic, Feliks. Srbija, zemlja i stanovništvo II, Beograd, 1986.

Malkolm, Noel. Kosova, një histori e shkurtër, Koha ditore dhe Shtëpia e Librit, 2001.

Stojanćević, Vladimir. “Misija generala Milojka Leṥjanina u San Stefanu pred zakljućanje Ruski – Turski ugovor 1878. Godine, Godiṥnjak grad Beograd, Knj. XXIV, 1977.

Svirčević,Miroslav. The Establishment of Serbian Local Government in the Counties of Niš, Vranje, Toplica and Pirot Subsequent to the Serbo-Turkish Wars of 1876–1878, Balcanica XXXVII, Serbian Academy of Science and Arts, 2007.

Vasiljević, Jovan Hadži. “Pokret Arnauta za vreme srpsko-turskih ratova 1876 i 1877/1878” Ratnik, 59,1905.

Filed Under: Histori

Kur Roma filloi të qeverisej nga jo-italianë

January 3, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Pasi Kaligula u vra në vitin 41 nga kreu i gardës pretoriane, Cassius Chaerea u arrestua dhe u dënua me vdekje. Kërkesa për të vdekur mbi shpatën e tij iu pranua. Kjo ishte “hakmarrje e ëmbël” për ‘të.

Chaerea mund të shihet edhe si tradhtar edhe si hero. Ai e tradhtoi betimin për të mbrojtur Perandorin e Romës, por i dha fund sundimit të tiranisë. Chaerea njihej edhe si bashkëluftëtar i gjeneralit iliro romak Bato Deasitiati, para se ky të kalonte në anën e ilirëve në rebelimin e njohur si lufta e Batos kundër romakëve në vitet 6 – 9.

Përveç Chaereas, burimet romake nuk përshkruajnë sa komplotistë kishte, identitetin e tyre, sa u arrestuan dhe as dënimin e tyre kur u kapën. Komploti ishte me sa duket një nga shumë përpjekjet për të eliminuar perandorin Gaius (Caligula), djalin e Germanicus, dhe linjën e fundit të gjakut me Jul Çezarin.

Gaius ishte një personazh i ndërlikuar. Ndër incidentet më të famshme të mbretërimit të tij ndodhi, kur u përpoq ta bënte kalin e tij senator. Është ende mister pse në mënyrë progresive ai i largoi të gjithë rreth tij, duke përfshirë edhe truprojet.

Kaligula u bë perandor kur ishte 24 vjeç. Një falltar i kishte thënë në mënyrë alegorike se ai do të gjente vdekjen nga kali i tij – Kaligula u vra pas 4 vjetësh nga pretoriani Cassius Chaerea, të cilin e kishte përdorur si kal, duke i hypur në kurriz, kur ishte fëmijë.

Garda e tij gjermane ishte afër dhe me sa duket nuk ishte përfshirë në komplotin e vrasjes. Së bashku me pretorianët, ata kishin gjithashtu përgjegjësi për sigurinë perandorake, por për çfarëdo arsye, nuk ishin në gjendje ta mbronin Kaligulën ose gruan dhe vajzën e tij.

Megjithatë duket se garda gjermane ishte kapur në befasi. Ndoshta të zënë ngushtë nga dështimi, ata u lëshuan duke kërkuar vrasësit që përpiqeshin të fshiheshin. Kërkimi vazhdoi derisa pretorianët, të pa përfshirë në komplot, gjetën rastësisht Klaudin dhe e shpallën Perandor për të shmangur trazirat. Klaudi u bë i pari perandor romak i lindur jashtë Italisë, në Lyon, në vitin 10 pes. Ai ishte i çalë dhe deri diku shurdh, i papërfillshëm, dhe kjo e shpëtoi nga komplotistët. Kaligula kishte qenë nipi i tij.

Suetonius vëren se kur ishte i qetë dhe i ulur, Klaudi ishte një figurë e gjatë dhe me dinjitet. Kur ishte i zemëruar ose i stresuar, simptomat i përkeqsoheshin; belbëzonte, hutohej në fjalimin e tij, llomotiste dhe i rridhte hunda, kur ishte i emocionuar. Seneka thekson se zëri i Klaudit nuk i përkiste asnjë kafshe tokësore dhe se duart e tij ishin të dobëta.

Historianët pajtohen se kjo gjendje u përmirësua me ardhjen në fron. Vetë Klaudi thoshte se i kishte ekzagjeruar sëmundjet për për të shpëtuar jetën e tij. Ai i befasoi të gjithë, duke qëndruar si perandor i Romës për 13 vjet, derisa vdiq në vitin 54.

Garda pretoriane kishte anëtarë të tërhequr nga grupe etnike në të gjithë Perandorinë. Emrat e rojeve krijojnë pak konfuzion. Asnjë nuk përbëhej ekskluzivisht nga gjermanë. Perandorët i besonin Gardës së tyre gjermane më shumë se Pretoriane, sepse ajo nuk kishte lidhje keqdashëse politike ose familjare me fisnikërinë romake. Klaudi gjithashtu hapi rrugën që të tjerë gjeneralë romakë që kishin lindur në vende të huaja – përfshi ilirë – të bëheshin një ditë edhe perandorë.

Filed Under: Histori

Anton Çetta, zëri i shpirtit dhe vullneti i epërm që paqtoi hakmarrjet dhe ndaloi gjakderdhjet ndër shqiptarë

January 3, 2024 by s p

Gjakmarrja ishte një nga plagët më të rënda në shtatine drobitur të përpjekjeve shqiptare për t’u ngritur, për të zënë vendin e merituar në radhën e vendeve dhe civilizimeve. Edhe pse ishte një nga zakonet kanunore të njohura dhe të praktikuara prej shumë kohësh për ligjësi dhe të drejtë, me ndryshimin e qasjeve dhe interesave, duhej shëruar kjo plagë, bashkë me të duhej denoncuar dhe dënuar të gjithë ata segmente, të cilët ishin të interesuar që përmes gjakmarrjes të mbanin shqiptarët të ndarë.

Ishte shumë i kushtueshëm çmimi që u desh të paguhej ndër shqiptarë gjakmarrja dhe ata që hidhnin gurin dhe fshihnin dorën, ata që fusnin ndasi dhe yshtnin hasmëri dhe hakmarrje, që ti linin shqiptarët jo vetëm të ndarë dhe në gjak, por edhe pa të drejtën për aspirata dhe ardhmëri.

Dhe do të vinte një burrë i urtë, një zemër e bardhë, dhe një vullnet i mirë, i cili me fjalën e tij do të vinte ballsam në plagën që lëngonte, do të pajtonte shtëpi e fise, do të ndalonte gjakderdhjen dhe do të lidhte në besë shqiptarët.

Ai ishte Anton Çetta, shkrimtari, studiuesi e profesori, ai që do të zinte një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare ai personi që dha kontributin e pajtimin e gjaqeve.

Anton Çetta u lind më 3 janar 1920 në Gjakovë. Çetta shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse mësimet e mesme i vazhdoi në Tiranë e Korçë.

Po atë vit familja e tij u shpërngul për në Tiranë, ku ai ka kryer edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e ka kryer në Liceun e Korçës, ku asokohe studionte elita intelektuale e trojeve shqiptare. Më pas, ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali.

Vite më pas, Çetta diplomoi për Gjuhë dhe kulturë romane në Universitetin e Beogradit, ku më vonë do të emërohej edhe si asistent i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë.

Gjatë kohës sa qëndronte në Beograd, Çetta mbildhte këngë tradicionale të gjuhës shqipe, kryesisht të anës së Dukagjinit. Por për shkak se këngët kishin karakter patriotik, Çetta ra në sy të regjimit serb, për çka edhe iu desh ta linte Beogradin.

Në vitin shkollor 1945-1946, meqë kishte arsim të lartë për kohën, punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj.

Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Frënge, në Universitetit të Beogradit, në Serbi. Studimet i kreu në vitin 1950 ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti, në tri vëllime, këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin.

Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik.

Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.

Libri i parë iu botua më 1953. Vazhdoi të botojë libra e tekste të ndryshme për nevojat e shkollës shqipe dhe sidomos poezi për fëmijë. Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, por edhe në të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968, ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Pasi ishte kthyer në Prishtinë, Çetta vazhdoi të merrej me studimin e folklorit shqiptar, çka edhe ia mundësoi të vizitonte për së afërmi shumë krahina e familje shqiptare. Atë kohë, plot familje ishin në hasëm dhe të përçarë. Andaj Çeta konsiderohet si njeriu i duhur në kohë të duhur.

Në vitin 1990, Çetta themeloi “Komitetin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë”, i cili për afro një dekadë pajtoi mijëra familje, dhe shpëtoi nga gjakmarrja shumë burra e djem shqiptarë.

Në vitet e 90-ta, tubimet për pajtimin e gjaqeve u bënë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, në të cilat merrin pjesë shumë njerëz. Madje, nga videot që janë ruajtur nga ajo kohë, thuhet se në një tubim në Verrat e Llukës (Deçan), morën pjesë rreth gjysmë milioni njerëz.

Me anë të këtij komiteti, Çetta dhe aktivistët e tjerë, promovuan faljen, tolerancën, rëndësinë e të qenurit të bashkuar dhe atdhedashurinë. Në këtë mënyrë, Çeta u bë personazh i nderuar për popullin shqiptar, por edhe frymëzim për shumë të rinj që e ndoqën në rrugëtimin e tij, duke u bërë pajtimtarë të gjaqeve.

Anton Çetta u nda nga jeta në vitin 1995 në Prishtinë, sot e 26 vjet më parë, dhe në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë mijëra njerëz nga Kosova. Përpos krijimtarisë me rreth 20 libra, Çeta la pas vetes shembullin e një intelektuali atdhetar, paqe e frymëzim për gjeneratat e ardhshme.

Megjithëse Çetta pajtoi e bashkoi shumë shqiptarë, vite më vonë, shtatorja e tij i “përçau” ata. Ideja për ta vendosur shtatoren e Anton Çettës në oborr të Institutit Albanologjik të Kosovës, i ndau shqiptarët në dy anë.

Njëra pjesë konsiderojnë se Çetta më shumë është meritor për pajtimin e gjaqeve sesa si studiues i folklorit, dhe sipas tyre, nuk ishte e aryseshme që shtatorja e tij të vendosej në Institut. Kurse pjesa tjetër e përkrahnin, duke thënë se “plaku i urtë” meriton edhe më shumë.

Megjithëse nuk u gjetë një vend për shtatoren e tij në Prishtinë, një bust i tij është vendosur në Rrëshen (Shqipëri). Po ashtu, Çeta ka marrë mirënjohje e çmime për kontributin e dhënë për shqiptarët, në mesin e të cilëve me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit.

Po ashtu, për nder të tij është krijuar Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta, e cila u jepet banorëve të Kosovës dhe atyre jashtë saj, për kontributin e dhënë për pajtim mes njerëzve. Jeta dhe vepra e Çetës është jetësuar edhe nëpër libra e këngë.

Anton Çetta do të jetë në kujtesën e shqiptarëve si vullneti shpirtëror që erdhi për të ndalur gjakderdhjen dhe vëllavrasjen, për të paqtuar hakmarrjet dhe lidhur në besë gjithë ata që jetën dhe nderin e tyre e lidhnin me flamurin kombëtar, me interesat për bashkim.

Anton Çetta zgjati duart e faljes së gjakut duke e kthyer pajtimin në një erë të re ku hynin shqiptarët, të cilët fatkeqësisht i ndau mesvedi jo vetëm gjakmarrja, por edhe hasmi që ndërsente këtë përbindësh mesjetar, për ta patur më të lehtë për t’i mbajtur nën hyqëm shqiptarët dhe për t’i nënshtruar ata.

Përgatiti: Albert Vataj

Referencë dhe foto: https://observerkult.com/anton-cetta-intelektuali-qe…/

Filed Under: Histori

118 vite nga themelimi i shoqërisë atdhetare “Malli i Mëmëdheut”

January 2, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

E para shoqëri e krijuar nga mërgata e shqiptarëve në SHBA, qendroi edhe në pararojë të grupimeve të tjera të diasporës. Në vendbanimin e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju-Jork, u mblodhën veprimtarë të spikatur të çështjes kombëtare, të mbrujtur me frymën patriotike, për t’i dhënë trajtë një shoqërie që do të angazhohej në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare.

Predikuesi i gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasi, Thanas Viso Mborja, Mina Grameno, Thanas Floqi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle dhe Mihallaq Kristaq Bimbli, ishin emigrantët korçarë që themeluan këtë shoqëri pionere në SHBA, përmes të cilës synohej edhe arritja e kohezionit në radhët e komunititet të gjerë të shqiptarëve të atjeshëm.

Veprimtaria e shoqërisë bazohej në një statut. Anëtarët e saj zhvilluan një sërë aktivitetesh dhe bashkëpunuan me intelektualë përtej Atlantikut, me qëllim inkurajimin e Zgjimit Kombëtar. Me t’u konsiliduar, “Malli i Mëmëdheut” u bashkua me një tjetër organizatë patriotike të rëndësishme, federatën “Vatra”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#MalliiMëmëdheut

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT