• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ekziston “marrëveshja” e Esat Toptanit me Pashiqin në shtator të 1914?

September 27, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

1-Në shtator të vitit 1914, Esat Toptani me leje dhe miratim të qeverisë italiane e ministrit të Jashtëm San Xhuliano kaloi nga Selaniku në Nish për t`u takuar me kryeministrin e Serbisë, Pashiqin, për të biseduar lidhur me mobilizimin dhe hyrjen e tij nga territori i saj drejt Dibrës.

2-Pashiqi ngurronte të takohej me Esatin, të cilin e konsideronte si njeri të pabesueshëm. Ai i deklaroi përfaqësuesit italian se Esati mund të ishte i dobishëm vetëm për shmangur një konflikt mes Serbisë dhe Shqipërisë apo një sulm të Serbisë nga territori shqiptar. Diplomati italian këmbënguli, që Pashiqi të takohej me Esatin, sepse ishte në interesin e Italisë dhe Serbisë që të shmangeshin komplikimet në Shqipëri.

3-Më 15 shtator 1914 Esati mbërriti në kryeqytetin serb të luftës, në Nish ku ishin zhvendosur të gjitha institucionet qeveritare, bankat, legatat e huaja etj. Ai u prit dy herë nga Pashqi, i cili i deklaroi se Serbia nuk kishte asnjë qëllim për të sulmuar Shqipërinë. Ai kërkoi gjithashtu që fiset shqiptare të mos zhvillonin inkursione në brendësi të territorit serb dhe të mos bëhej vegël e austro-hungarezëve apo bullgarëve, sepse përndryshe do të vinte ndëshkimi. Për këto kërkesa, Esati e siguroi Pashiqin se synimet e tij ishin të ekzistonin marrëdhënie miqësore e paqësore me Serbinë. Kjo bëri që ai ta lejonte atë të futej në territorin shqiptar nëpërmjet Dibrës.

4-Sipas disa burimeve i dërguari i Esatit në Nish, Shahin Dino, kishte përgatitur paraprakisht me diplomatët e Pashiqit një projekt-marrëveshje. Ajo është botuar nga historiani shqiptar i Maqedonisë Shukri Rrahimi në vitin 1976. Studiuesi dhe gazetari Ilir Ikonomi thekson se pavarësisht përpjekjeve në arkivat e Beogradit, nuk ka arritur ta gjejë atë për të verifikuar autenticitetin e saj. Kjo për shkak se jo vetëm studiuesit shqiptarë që kanë shkruar më pas, por edhe historianët serbë i referohen tekstit të botuar nga Shukri Rrahimi. Sipas tij, marrëveshja është shkruar në osmanisht, ndërsa Esati ka firmosur me gërma latine. Një kopje, thekson ai është edhe në serbisht. Ajo mban datën 17 shtator, ka 15 pika dhe është firmosur nga Esati në emër të popullit shqiptar, ndërsa emri i përfaqësuesit serb mungon. Kjo marrëveshje, sipas studiuesit Shukri Rrahimi, u rishikua në qershor të 1915 kur forcat serbe ndodheshin në Tiranë. Edhe ky tekst është shkruar në osmanisht dhe serbisht dhe në fund është emri i Esatit si kryetar i qeverisë shqiptare, pa firmë dhe pa vulë.

5-Në historinë e Shqipërisë ka dy marrëveshje që konsiderohen si “fake news-et” më të përhapura, ajo e Esat Toptanit dhe e Ahmet Zogut, të cilat “rastësisht” lidhen me emrin e kryeministrit serb, Nikolla Pashiq. Ndëkoh që në arkiva nuk ka asnjë marrëveshje autentike të firmosur nga dy politikanët më të rëndësishëm shqiptarë të pas vitit 1912. Në periudhën kur pretendohet se janë nënshkruar, ata nuk mbanin më asnjë funksion zyrtar. Madje, nga aq sa kemi arritur të zbulojmë, kërkesave të Pashiqit për të nënshkruar marrëveshje, Esati i është përgjigjur se edhe sikur ta nënshkruaj ne nuk kemi parlament që ta ratifikojë. Pra, çdo marrëveshje e tillë konsiderohet nul (e paqenë).

6-Kush i gjen këto marrëveshje me firmë, me vulë dhe me numër protokolli të nënshkruara nga Esati dhe Zogu, është i lutur që t`i publikoi.

7-Ndërkoh që të gjitha pikat e këtyre marrëveshjeve të supozuara në favor të Serbisë, i ka nënshkruar Enver Hoxha dhe drejtuesit e lartë të regjimit komunist në vitet 1945-1948: bashkim doganor, unifikim i monedhës etj, etj. Këto marrëveshje i kemi me firmë, me vulë dhe me numër protokolli, që të gjitha të ratifikuara nga parlamenti shqiptar.

Filed Under: Histori

Fjalimi i rrallë i Hasan Tahsinit në çeljen e  Universitetit të Stambollit

September 25, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Në shtator të vitit 1869, korifeu i Dijeve, Kryerilindasi Shqiptar, Hoxhë Hasan Tahsini, u emërua si Rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Me këtë rast ai mbajti një fjalim të shkurtër në çeljen e universitetit të parë osman në Stamboll, fjalim ky i panjohur deri më sot. 

I vetmi informacion në lidhje me inagurimin e universitetit osman kanë qenë disa rreshta nga shkrimtari dhe diplomati Mehdi Frashëri, në gazetën Minerva (Nr.23-24) viti 1934. Mehdi Frashëri, funksionar i lartë në admistratën e Perandorisë Osmane, ministër në kohën e Mbretërisë dhe për pak kohë kryeministër, shkruan: “Hoxha Tahsini, si shënjë hoxhe ka pasur vetëm sarëkun dhe xhybenë, por nga diturija dhe mentaliteti ka qënë me gjithë kuptimin e fjalës një dijetar i vërtetë edhe një filosof i shekullit ku jetonte. Sidomos ndjenjat kombëtare të tij dhe marrja pjesë në lëvizjen kombtare që u çfaq piksëpari në Stamboll pas luftës Ruso-Turke (1877-1878), jetëshkrimit të tij i japin një rëndësi të posaçme për edukimin e brezit të ri. Në një artikull, botuar në një të përkohshme të Stambollit, të quajtur «Haftallěk Risale», Shemsedin Sami Beu, e kujtonte fjalimin e Hoxha Tahsinit si një fjalim programatik që dëshmonte për dijenitë e gjera dhe shquhej për rrjedhshmëri mendimi”. (Sami Frashëri ‘Revista Haftallěk, Hoxha Tahsin’ Stamboll 1881, Nr 5-6).

“Shemsedin Sami Frashëri më pati thënë se ditën e çeljes së universitetit Hoxha Tahsini, me pamjen e vet madhështore që e dallonte, doli në tribunë përballë një ushtrie nxënësish dhe me një gojtari të pashembullt deri asokohe në Stamboll, mbajti një fjalim të nxehtë me dijeni të gjera, duke përcaktuar kështu boshtin ideo-shkencor dhe ideo-politik të asaj qendre të madhe kulturore. Në fjalimin e tij ai vuri në dukje se shkaku i prapambetjes së theksuar të popujve islamike ishte mungesa e kulturës moderne.” Ishte një fjalim “i pashembullt”– shkruan Mehdi Frashëri. 

Në lidhje me ceremoninë e inagurimit të Universitetit, në një nga Enciklopeditë e fundit turke, (Turk Ansiklopedisi, ‘Darulfunun’, vol.12 Ankara 1964, faqe 320-322) lexojmë: “U bë një ceremoni madhështore ku morën pjesë mijëra vetë, kryesisht studentë të medreseve të Stambollit. Gjithashtu edhe personalitetet më të larta qeveritare si kryeministri, ministri i arsimit, personalitete të ndryshme të kulturës, gazetarë, klerikë te rangjeve të ndryshme… Në këtë ceremoni u mbajtën disa fjalime. E mori fjalën në fillim ministri i arsimit të asaj kohe Safet Pashai, pastaj foli kryetari i komisionit të lartë të arsimit turk Mynif Efendiu dhe rektori i Universitetit Hoxha Tahsin Efendiu. Këta të tre folën në gjuhën turke. Në miting u mbajtën fjalime edhe nga pedagogët Xhemaledin Afganiu në gjuhën arabe dhe Aristokli Efendiu frëngjisht”. 

Në një botim të viteve të vitit 2012 për Universitetin në Republikën Turke jepet edhe fjalimi i Hoxha Tahsinit me këtë titull: “Ligjërata e drejtorit të universitetit të përndritshmit Tahsin Efendi”. (‘Universiteti’ Stamboll 2012, faqe 963-964.Përkthyer nga dr. Laurant Bica).

Ligjërata e Tahsinit në inaugurimin e Universitetit:

“Në një komb investimi me para me fitimin më të madh është në shkencë dhe dituri dhe në edukimin e popullatës dhe për atdheun është pasuria më e madhe”. Siç del nga shumë vepra që kanë lënë në fushën e politikës Aristoteli dhe Platoni kanë thënë që për përparimin e një shteti, pikëmbështetja më e fortë për këtë është edukimi i mirë. Dihet që Platoni në veprën e tij ‘Republika’ si qeverisje ideale konsideronte atë që në krye të ishin njerëz të dijshëm, filozofët, dijetarët, kurse Aristoteli ka qenë ‘princi’ i dijeve të antikitetit, zotëruesi dhe ‘mendja më universale’, midis grekëve. Platonit i takojnë edhe këto fjalë që kanë të bëjnë me mënyrën e edukimit. Ushtrimet fizike të bëra me detyrim ndikojnë mirë tek trupi, por dijet e marra me detyrim nuk mbeten në mendje.

Ashtu si një gonxhe e freskët në kopshtin e trëndafilave që kur goditet nga ndriçimi i diellit kundërmon erën e këndshme të lëvizjes së bukur, ashtu njësoj dhe pishtari i shkencës dhe i arsimit në shoqërinë e bashkëqytetarëve këtej e tutje, duke ndriçuar zotësitë dhe kapacitetet e mendjes të atdheut tonë, pa pikë dyshimi që do të kundërmojë erë të mirë. Duke u shumëfishuar Arsimi, dhuna pakësohet. Errësira e injorancës ndriçohet me dritën e shkencës. Është e nevojshme që progresi të bëhet shkallë-shkallë. Ej populli ynë..! Ky shekulli jonë siç po e shihni është kohë e zhvillimeve dhe përmbysjeve të mëdha! Zgjohuni, t’i praktikojmë nevojat tona sipas kohës dhe duke ia përshtatur mësimdhënien profesionale shekullit të arsimimit dhe të mos mbetemi mbrapa nga rruga që preferohet apo ndiqet nga të gjithë! Ej, bijtë e vatanit! Botën e lartpërmendur (të zhvilluar) që është dëshirë e të gjithë njerëzve, nënshtetas të denjë të këtij shteti të dashur (ku jetojmë) për të qenë të aftë të banoni dhe që të meritoni shpërblimin (për punën e bërë) si dhe të keni një vend të deklaruar dhe të nderuar, duhet të dini të sillni prova për të argumentuar të vërtetën: Ejani të lidhemi me njëri tjetrin, duke biseduar miqësisht të bashkohemi si një familje! Ejani të bëhemi shtegtarë dhe të ngjitemi me durim (e këmbëngulje) malit shumë të lartë të arsimit dhe të ecim rrugës së drejtë të shkencës. Të ecim, të ecim në shekullin tonë që është shekulli i arsimit dhe të hyjmë në Universitet!’’.

Fill pas këtyre fjalëve të thëna me solemnitet para mijëra vetëve që po u fliste Prof.Dr. Hasan Tahsini ishte i vetëdijshëm se po hapte një periudhë të një epoke të re në fushën e arsimit të lartë për një perandori të tërë .

Hasan Tahsini (1811 – 1881)

Mehdi Frashëri (1872-1963)

Filed Under: Histori

109 VJETORI I VRASJES SË DEDË GJON LULIT, “FLAMURIT” UDHËHEQËS TË KRYENGRITJEVE DHE LUFTRAVE PËR PAVARESINË E SHQIPËRISË

September 24, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Me 24 shtator të vitit 1915 në Orosh të Mirdites vritet pabesisht nga falangat serbo-malazeze dhe esadiste , Dedë Gjon Luli, “flamuri” udhëheqës i kryengrtijeve dhe luftrave për pavarësinë e Shqipërisë. Vritet nga komandanti serb me emrin Gjura , që gjindej (jo rastesisht) në Mirditë me një kompani ushtaresh serb në vendin e quajtur Sheshaz..Vritet kur baca Dedë kishte shkuar atje per të realizuar një beslidhje të Madhe me parinë e Mirdites e më gjerë, per të kordinuar luftën çlirimtare e mbrojtëse të trojeve shqiptare nga grykesia shekullore e shkjeve të Ballkanit e më gjerë.. Lufta e parë Boterore kishte filluar dhe kishte rrezik që të realizonte vendimet famkeqia të traktatit të fshehtë të Londres të 26 prillit 1915 , duke coptuar edhe atë Shqiperi që kishte “tepruar” nga konferenca e Londres 1913.. Ndaj Trimi i urtë Dedë Gjon Luli duke qënë zemra, mendja dhe pushka e parë e Malesisë Madhe dhe shqiptarisë, për më shumë se një gjysem shekulli , kishte perbuzur moshen e thyer dhe rrezikun per jeten, duke u bërë keshtu faqja e bardhë në perjetsi e Hotit, Malësisë e Shqiptarisë… Pas vrasjes së Dedë Gjon Lulit, falangat serbo-malazeze dhe esadiste trupin e tij të pajetë e kishin mbuluar me landë drusore e gjethe në Malin Shejtë ,ku e zbuluan disa barinjë rastesisht pas disa diteve…Me 8 tetor (1915), famulltari i Oroshit të Mirdites e varrosi te kisha e “tij”. Ndersa me 29 maj 1924 eshtrat e Dedë Gjon Lulit u rivarrosen me një cermoni madhështore të organizuar nga Etnit Franceskan në Shkoder, ku muaren pjesë mbi tremijë veta , si dhe delegati Apostolik imzot Ernesto Kozi. Në ketë cermoni perveç tjerave një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi, ligjeratë nga e cila citoj: ”Sikurse Athina e Roma mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndertesen e Lirisë ,ashtu per të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikeve të sterpikë krepat e Maleve tona…Mbas 400 vjetësh Dedë Gjon Luli me çeten e vet lufton per të paren herë nën Flamurin e Shqipnisë ,per Lirinë kombetare. Ai kje tre here Fatos se i fali Atdheut dy djemtë dhe veten ,tuj u ba shenjë i salvimit të xhonturqëve ,të sllavëve dhe esadisteve….Ai së dyti provoi se bashkë me Atdhetarinë në gjoksin e tij ,vloi edhe zelli per Fe…Në të vertetohet fjala e popullit se ndihma e Zotit dhe pushka e Hotit e shpejtoi Lirinë Kombetare..” 21. (Fritz Radovani “Dedë Gjon Luli”, fq.38).

NJË KUJTESË VOGËL NGA JETSHKRIMI I MADH ATDHETAR I DEDË GJON LULIT

Dedë Gjon Luli do të ishte pushkë e parë në Luftën e Kernices(1862) , në Luftën te Mulliri i Vrakes (1871), në tre Luftrat e Shpuzes (1870-1877) , në Luftrat per mbrojtjen e Hotit , Grudes , Plaves , Gucisë , Ulqinit e tjer të cilet zhvillohen nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878 -1881). (Hamdi Bushati ,Shkodra dhe Motet ,v.I , fq.413-431 ,Shkodër 1998). Dedë Gjon Luli ishte komandant i ushtrisë (vullnetare) të Lidhjes shqiptare të Prizrenit per Malesinë e Madhe dhe Zevendëskomandant i ushtrisë të Deges së Lidhjes Prizrenit Shkoder. (Hysni Myzyri , Ded Gjon Luli –patriot dhe luftëtar i shquar i Rilindjes sonë , gaz. “ZP” dt. 23.9.1975). Por lufta më e madhe e Malësorëve me në krye Dedë Gjon Lulin është ajo e vitit 1911 që njihet si kryengritja antiosmane që çoi në ngritjen e flamurit kombëtar të Gjergj Kastriotit me 6 prill në Bratilë të Deçiqit , pas 432 viteve “mungesë” nën pushtimin turko-osman… Dedë Gjon Luli ishte udhëheqesi i kesaj kryengritje që shpesh identifikohet edhe me emrin tij. (Romeo Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës 1911, fq.86-88, Phoenix;Shkodër 2002). Por trimi i urtë baca Dedë ishte pushkë e parë dhe udhëheqës i parë edhe në luftrat per mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmit e shoveneve serbo-malazez të viteve 1912 -1913-1915.. Dedë Gjon Luli ishte jo vetem pushkë e parë e mbrojtjes të trojeve shqiptare ,por edhe “firmë” e parë në memorandumet , kerkesat dhe protestat e 8 majit 1878 , 13 qershorit 1878 , 15 qershorit 1878 , 16 qershorit , 2 korrikut, 7 korrikut, 7 tetorit, 22 tetorit e 8 nëntorit të vitit 1878, si dhe ato të 21 shtatorit 1879, të 1 marsit 1880 , 12 marsit, 4 prillit , 2 majit , 18 majit , 16 korrikut , 7 gushtit , 15 shtatorit, 19 shtatorit 1880 , 26 prillit 1883 , 9 qershorit dhe 26 qershorit 1883 , të majit 1903… Dedë Gjon Luli shquhet si organizator dhe protagonist i Kuvendit të Greçes të 23 qershorit 1911 që formuloi e miratoi memorandumin (e Greçes) me trajtat e një një programi politik per pavaresinë e trojeve shqiptare ,per të vijuar me kerkesat e 9 shkurtit 1912…(Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptare… Tiranë 1978) etj… Vlen të cilësohet se Dedë Gjon Luli njihet edhe si një ndër perkrahesit e zjarrtë dhe nënshkruesit e vendimit prej 7 pikave të dates 5 mars 1899 (të zhvilluar në Shkoder) , në të cilen në emer të të gjithë vilajetit të Shkodres , u shpall besa dhe bashkimi i popullsisë së ketij vilajeti me Kuvendin apo Lidhjen Shqiptare të Pejes (të 26-30 janarit 1899) dhe komitetin e saj të kryesuar nga udhëheqësi trim e patriot Haxhi Zeka etj… (Kristaq Prifti , Lidhja Shqiptare e Pejës , fq.221, Tiranë 2002).

EPILOG:

Familja e Dedë Gjon Lulit është shuar në luftërat për liri , por fatkeqësisht bashkë me Dedë Gjon Lulin u shua edhe një pjesë e atdhetarizmit të trojeve tona, që prej më shumë se një shekulli kanë nevojë per një Dedë Gjon Lul të “ri”… Për këtë ketë heroizem dhe atdhetari të kulluar Dedë Gjon Luli “gezon” titullin e lartë “HERO I POPULLIT” dhe që nga nentori i vitit 2015 është dekoruar nga presidenti i asaj kohe (B.Nishani) me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Megjithë këtë Dedë Gjon Luli nuk ka vorr ku pushojnë eshtrat e tij. (Dedë Gjon Luli ishte varrosë në vorret sëbashku me Franceskanët, vorri me eshtrat e Dedë Gjon Lulit do të tretëshin diku rreth vitit 1967, nga komunistet ateist të Shkodres gjatë luftë kundër besimeve dhe klerikëve të gjallë e të vdekur). Dedë Gjon Luli ka vetem një vorr “bosh” te vorri i djalit tij deshmor Gjergjit , në vendlindje në Traboin . Ndërsa deri me 27 nentor 2015 nuk ka pasur asnjë bust , shtatore apo monument të ndertuar në Republiken e Shqiperisë. Me data 27 nentor (2015) me financimin e diaspores malësore-shqiptare në Amerikë, në qendër të Tiranës (në lulishten e muzeut historik kombëtar ), u vendos shtatorja impozante e heroit të popullit Dedë Gjon Lulit, shtatore që do të zënë në perjetsi vendin që i takon në memorien e historisë të luftrave mbrojtese dhe çlirimtare , që me 28 nentor 1912 u kurorzuan me shpalljen e pavaresisë së Shqipërisë nga Vlora…

Filed Under: Histori

Ekspedita e Viktor Lebzelter dhe kafkat Ilire në Pukë

September 23, 2024 by s p

Nga Ndrek Gjini
MA, University of Galway, Ireland

Kush ishte Viktor Lebzelter?

Viktor Lebzelter ishte një antropolog austriak i njohur për punën e tij në antropologjinë fizike gjatë fillimit të shekullit të 20-të. Ai lindi në vitin 1889 dhe zhvilloi studime të gjera në Europë dhe Afrikë, duke u fokusuar kryesisht në kraniometri dhe klasifikimin racor, një praktikë e zakonshme e kohës. Një nga ekspeditat e tij u zhvillua në veri të Shqipërisë, veçanërisht në rajonin e Pukës, ku ai studioi tiparet fizike dhe etnografike të fiseve lokale, duke bërë matje të detajuara të kafkave dhe duke vëzhguar kulturën dhe traditat e tyre. Puna e tij në këtë rajon synonte të lidhte shqiptarët me origjina të lashta, si ajo ilire. Lebzelter vdiq në vitin 1936, duke lënë pas një trashëgimi të madhe në fushën e antropologjisë. Ekspedita e tij në Shqipëri, përfshirë edhe rajonin e Pukës dhe zonat përreth, kishte për qëllim studimin e veçorive fizike, kulturës dhe etnografisë së popullatave lokale, të cilat ai i qasej përmes lenteve të antropologjisë fizike dhe klasifikimit racor. Për këtë ekspeditë flet edhe antropologu i famshëm Amerikan i Universitetit të Harwardit-t, Prof. Sacleton Coon. Në faqën 185 të veprës së tij monumtale ‘Racat e Europës’ , Coon thekson: ‘Në Shqipëri, një vend ende pak i njohur nga ana arkeologjike, është zbuluar një kafkë që i përkiste një grupi ilirësh të romanizuar, në një vendbanim të epokës së hekurit në zonën e fisit të Pukës. Kjo kafkë është mesocefalike dhe duket se, aq sa mund të gjykojmë, përfaqëson një përzierje mes ilirëve të tipit të vjetër dhe popullsisë dinarike.’ Prof. Coon i referohet një studimi shkencor të botuar në vitin 1919 nga Viktor Lebzelter, ose më saktë nxjerrë nga AFA ,Volumi 45 faqet 143-146.

Gjetjet Kryesore dhe Kërkimet në Veri të Shqipërisë

Studimet Kraniometrike

Metoda kryesore e studimit e përdorur nga Lebzelter ishte kraniometria, matja dhe analiza e formës së kafka, që ishte e zakonshme në antropologjinë fizike të asaj kohe. Kafka që ai gjeti pranë Pukës u bë pjesë e studimit të tij më të gjerë për të dokumentuar dhe krahasuar veçoritë kraniale të popullit në veriun e Shqipërisë me ato të popullatave të tjera evropiane dhe ballkanike.
Lebzelter besonte se veçoritë fizike të popullatave, veçanërisht forma e kafkës, mund të jepnin të dhëna për origjinat e tyre racore dhe migrimet historike. Ai i konsideronte shqiptarët, veçanërisht ata të veriut, si njerëz me tipare fizike të dallueshme që i lidhnin me origjinat e lashta ilire. Gjetjet e tij përfshinin matje të detajuara të kafkave, të cilat ai i përdorte për të nxjerrë përfundime mbi sfondin historik dhe racor të rajonit.

Vëzhgimet kulturore

Ndërsa puna e tij fokusohej kryesisht te antropologjia fizike, Lebzelter bëri gjithashtu vëzhgime kulturore dhe etnografike për njerëzit e Veriut të Shqipërisë. Ai ishte i interesuar për zakonet lokale, strukturat shoqërore dhe traditat, përfshirë sistemin e fiseve të rajonit, Kanunin (kodi tradicional i ligjeve) dhe stilin e jetesës së izoluar malore të banorëve. Këto aspekte kulturore, të kombinuara me studimet e tij fizike, kontribuan në portretizimin e malësorëve të veriut të Shqipërisë si një popullatë të veçantë dhe të lashtë, relativisht të paprekur nga ndikimet e jashtme në krahasim me pjesët e tjera të Ballkanit.

Klasifikimi Racor

Një nga aspektet kryesore të punës së Lebzelter ishte përpjekja e tij për të klasifikuar njerëzit e Veriut të Shqipërisë brenda kornizave racore të kohës së tij. Ai besonte se popullata tregonte tipare të racës dinarike, një kategori e përdorur në antropologjinë e fillimit të shekullit të 20-të për të përshkruar disa karakteristika fizike të popullatave në Ballkan dhe pjesë të Evropës Qendrore, si shtati i gjatë, kafkat e gjata dhe tiparet e spikatura të fytyrës.
Lebzelter, së bashku me antropologë të tjerë të kohës së tij, përdorte këto tipare fizike për të bërë përgjithësime të gjera për sfondin etnik të popullatës, duke sugjeruar lidhje me ilirët e lashtë ose popujt e tjerë të hershëm të rajonit. Kjo ishte pjesë e një interesi më të gjerë evropian për të identifikuar origjinat “racore” të popullatave të ndryshme bazuar në karakteristika fizike.

Ndikimi i Gjetjeve

Puna e Lebzelter, megjithëse me ndikim në atë kohë, është kritikuar për mbështetjen e saj në teori racore. Antropologjia moderne deri në vitet 2010 nuk e pranonte konceptin e klasifikimeve racore të qëndrueshme të bazuara në tipare fizike, pasi popullatat njerëzore janë shumë më komplekse gjenetikisht dhe kulturalisht sesa e lejonin këto teori. Por analizat e AND-së e kanë rikonsideruar këtë teori. Gjithësesi, kërkimet e tij ofruan dokumentim të hershëm të popullatave shqiptare, duke kontribuar në kuptimin më të gjerë antropologjik të Ballkanit gjatë asaj periudhe.

Etnografia e Komuniteteve të Izoluara

Përveç tipareve fizike, Lebzelter gjithashtu dokumentoi izolimin kulturor të fiseve veriore të Shqipërisë. Ai vuri re se këto zona ishin relativisht të paprekura nga ndikimi osman, i cili kishte pasur një ndikim të madh në pjesët e tjera të Shqipërisë. Ky izolim pasqyrohej në qëndrueshmërinë e zakoneve tradicionale, veshjeve dhe strukturave shoqërore, gjë që tërhiqte antropologë evropianë si Lebzelter, të cilët i shihnin këto fise si mbetje të gjalla të së kaluarës së Evropës.

Kontekst dhe Kritikë

Puna e Lebzelter duhet kuptuar brenda kontekstit të antropologjisë së fillimit të shekullit të 20-të, e cila pasqyronte përpjekjet e antropologëve evropiane për të kategorizuar popullatat njerëzore në terma hierarkikë, ku “racat” perëndimore evropiane shpesh vendoseshin në krye të këtyre hierarkive.
Në rastin e Shqipërisë, studiues si Lebzelter kërkonin të shpjegonin veçorinë fizike dhe kulturore të malësorëve të veriut duke i lidhur ata me popujt e lashtë si ilirët, duke ushqyer kështu narrativat nacionaliste që kërkonin të krijonin një identitet ilirjan për shqiptarët.

Gjetjet e Viktor Lebzelterit

Gjetjet e Viktor Lebzelterit në Veriun e Shqipërisë, veçanërisht përreth Pukës, janë një reflektim i trendeve të antropologjisë fizike të kohës së tij, duke vënë theksin në studimet kraniometrike dhe klasifikimin racor. Puna e tij ofroi njohuri të thella shkëncore antropologjike për popullatat e rajonit. Shkrimet e tij studimore mbi jetën kulturore dhe shoqërore të fiseve të veriut mbeten të vlefshme nga një perspektivë historike, duke dokumentuar jetën e fiseve në një rajon malor të paprekur në fillim të shekullit të 20-të.

Filed Under: Histori

PUERTO RICO ILLUSTRADO (1935) / “SHQIPËRIA, VENDI I BURRAVE TË BUKUR!”— INTERVISTA ME POETIN ANONIM SHIPTAR TË HUMBUR NËPËR KAFENETË E HAVANËS (KUBË)

September 21, 2024 by s p


Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18
Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Shtator 2024

“Puerto Rico Illustrado” ka botuar, me 2 nëntor 1935, në faqet n°6 dhe 18, një intervistë asokohe me një poet anonim shiptar të humbur nëpër kafenetë e Havanës (Kubë) rreth situatës së brendshme të vendit tonë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Vendi i burrave të bukur

Nga MAX

Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18
Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

Revolucion ! Një tjetër revolucion ! Dhe, pastaj, më shumë revolucione …

Si një ndërmjetësim në konfliktin italo-abisinian, një herë dy ditë, pastaj tre dhe në fund disa ditë të tjera, Shqipëria ka fituar nderin e faqeve të para të gazetave, përmes një revolucioni më shumë, ku pati edhe vdekjen e një gjenerali, vartës të Mbretit Zog I… Më në fund, rendi u rivendos dhe bashkë me të, edhe një herë, heshtja mbi këtë vend të komplikuar.

Çfarë është Shqipëria për botën ? Shqipëria gjendet në rrugicën e Ballkanit. Duke iu kthyer enciklopedisë, ne e dimë se është një vend asgjë më pak se i egër. Gratë mbulojnë fytyrat e tyre, burrat kanë mustaqe të mëdha dhe pushkë që i ndezin me strall. E gjithë kjo, për llogari të enciklopedisë. Por, më interesantja është se këtë herë enciklopedia tregon të vërtetën.

Muajin e kaluar — një lajm që tashmë na ka rrëshqitur nga duart, por që ende shërben për të folur për diçka të pazakontë — Shqipëria u zhyt plotësisht në redaksitë e gazetave, me bujë të madhe, pa arritur të gjejmë dikë që të sqaronte shtigjet misterioze që motivuan revoltën. Më në fund, në një nga ato qoshet e Havanës, gjetëm një tip, origjinën e të cilit e kishim dyshuar prej kohësh dhe që besuam se mund të ishte shqiptar. E gjetëm.

Siç për ta përshkruar, ai mban një zinxhir të frikshëm në bark, në fund të të cilit duhet të ketë një orë të madhe, flokë të gjatë ngjyrë gështenjë, etj. Pi shpesh. Ai është një poet. Ai ka qenë mësues në Havanë, madje besojmë se është mësues i frëngjishtes. Ne dinim edhe këtë detaj : Njeriu ynë e kishte ushtruar mësimin e tij në Shqipëri dhe jo më pak se në oborr, në oborrin që ruan pushkët e tmerrshme me strall. Kur e gjetëm ai ishte përballë kafesë së tij që po avullonte :

— Miq : jeta është mizore, — na tha — por kjo ndodh. Unë shpresoj të harroj.

Na bëri përshtypje, sepse këto fraza janë të denja për epokën romantike. Para nesh pamjet u gjallëruan sërish dhe pseudoshqiptari tha :

— Zbarkova në Durrës, një nga portet e Shqipërisë, në të njëjtin vend ku vite më parë mendova të zbarkoja një nga Domecq-të, — Aladro Domecq Kastriota —, prodhues të konjakut të njohur botërisht, i cili si pasardhës i një dinastie të famshme shqiptare, aspironte për fronin që gëzon sot Zogu I. Durrësi është afër Tiranës, kryeqytetit të vendit, ashtu si Pireu me Athinën, kryeqytetin e Greqisë.

— Ne nuk e kemi idenë se çfarë është Shqipëria, ia bëjmë të ditur.

— Epo, dëgjoni diçka për atë vend : “Zbrita me këmbët e mia dhe mora rrugën e menjëhershme për në Tiranë. Një shërbëtor i improvizuar, i veshur me një çallmë, papritur filloi të dridhej dhe iku. Shumë shpejt erdhi një tip i rrethuar nga roje. Më pas mora vesh se nuk ka hekurudhë për në kryeqytet. Nuk e besoni se ky vend i çuditshëm është në Evropë ? Epo ja ku është ! Ai gjendet në anën tjetër të Adriatikut, pikërisht përballë Italisë. Kufijtë e tij kufizohen me Jugosllavinë dhe Greqinë. Është vendi më perëndimor i kombeve të Evropës Qendrore. Ka një shtrirje dhe formë gjeografike të ngjashme me Portugalinë.

A po më dëgjoni ? Por, pa hekurudhë.

“Në Durrës, më këshilluan të merrja një makinë. Janë vetëm 40 kilometra”.

— Ja ku është Tirana, — bërtiti papritmas shoferi.

“Por, nuk pashë asgjë; vetëm disa baraka, copa hekuri, copa teli nga gardhe me tela, fusha në të cilat ushtarë të shumtë të hollë, të veshur keq dhe zbathur, bënin ushtrime… Pastaj u shfaqën disa shtëpi të bardha njëkatëshe, rrugë fshatrash modeste, ku bari ngjitej nëpër mure. Shoferi u kthye dhe tha :

— Dhoma e Deputetëve! (Parlamenti)

“Pak më tutje, valëvitej një banderolë prej pelhure të bardhë, brenda së cilës ishte varur një burrë”.

— Një hajdut, — vazhdoi shoferi. Dhe shtoi : ose një ministër i shkarkuar.

“Shoferi më ndaloi përballë të vetmit hotel të mundshëm të quajtur Internacional. Kur e pyeta për çmimin e udhëtimit, ai m’u përgjigj me shumë thjeshtësi dhe në frëngjisht :

— Një Napoleon !

Njësia monetare shqiptare quhet “Lek”. Por paratë që qarkullojnë janë ato të vitit 1810, Napoleoni, pra një Luigj floriri. Dhe pashë të dilte nga duart e këtyre myslimanëve, që nuk e dinë kush është Napoleoni apo Franca, çfarë nuk gjendet më në vetë Parisin : Luigjin e shëndoshë, të ndritshëm, mrekullibërës : Napoleoni i artë.

“Në hotelin Internacional, katër anglezë të Legatës po luanin “bridge”. Tre italianë, po nga Legata, po debatonin për poezinë. Një francez nga Legata bindi një shërbëtor që donte të sulmonte një francez tjetër se ai ishte një çirak joshës. Kjo është, pak a shumë, e vërteta. Dhe kjo është Shqipëria!”

Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18
Burimi : Puerto Rico Illustrado, 2 nëntor 1935, faqe n°6 dhe 18

“Të nesërmen dhe ditët në vijim, nuk bëra gjë tjetër veçse shëtisja dhe dëgjoja.”

“Mbreti i këtij vendi komik, Zogu, është 36 vjeç. Është i bukur, beqar dhe melankolik. Kanë kaluar dhjetë vjet që kur ai u ngjit në fron, si pasojë e trazirave që pasuan luftën dhe diktaturës së përmbysur të Princ Vidit. Ai ka një nënë, e cila është gjithashtu një mbretëreshë dhe jeton si një myslimane (Kur është bërë ky rrëfim, nëna e Ahmet Zogut ka pas ndërruar jetë), e tërhequr në apartamentet e saj, e cila pret vizitorë të privilegjuar të mbështetur mbi një grumbull jastëkësh dhe rrobash mëndafshi, me dorën e mbështetur në gjunjët e saj, duke pirë cigare me aromë të veçantë, tymi i të cilit fryn në fytyrat e vizitorëve të saj. Zogu gjithashtu ka gjashtë motra, nga 20 deri në 30 vjeç, të gjitha të ngjashme sikur të ishin binjake; Ato jetojnë së bashku, si të disiplinuara. Në rrugë, në ceremoni, ato vishen sipas modës myslimane, me vellon (ferexhenë) e pashmangshme. Por në privatësinë e atij pallati mbretëror që i ngjan shumë një kazinoje, ato vishen si Paquín ose Patou, duke mbërritur përmes një hyrje sekrete. Në verë, oborri zhvendoset në Durrës dhe shkojnë në pyje si një koloni pushuesish.”

… Pikërisht këtu i erdhi fatkeqësia këtij miku, i diplomuar për letërsi, poet shqiptar “honoris causa”. Lexoni siç na e shpjegon vetë ai :

— Unë rashë në dashuri me gjashtë motrat e mbretit në të njëjtën kohë dhe u desh të largohesha. Zogu është një mbret i mirë. Ai është i vendosur për ta bërë Shqipërinë një komb. Ai është sentimental dhe autoritar; dhe problemi politik i Shqipërisë është brenda këtyre dy fjalive.

“Sentimental dhe beqar, aty ndodhet pylli i të gjitha aventurave. Ai ka kaluar një kohë shumë të mirë me balerinat e Folies Bergere. Autoritar, ai ka vendosur diktaturën me ndihmën dhe modelin e Italisë. Ushtria e tij ka instruktorë italianë. Pasuria e tij kontrollohet nga Italia, dhe për Romën, megjithatë, ai është një vasal që duhet vëzhguar”.

“Dhe këtu qëndron sekreti i revoltës së kaluar, të cilën asnjë agjenci kabllore nuk e ka publikuar : është inkurajuar nga babai, i një të preferuare (vajze), të shkarkuar nga Zogu. Zogu, personazh piktoresk dhe plot ngjyra i Evropës moderne, udhëheqësi ngurrues i një kombi të ish të poshtërish, baba i një oborri operetash, ende arriti të ruante fronin e tij.

— Më besoni : është kënaqësi të jetosh në Shqipëri.

Miku ynë shqiptar, një poet i humbur nëpër kafenetë e Havanës, ka përfunduar me këto fjalë. Nuk mund të merrnim asgjë tjetër prej tij. Nga ana tjetër, nuk ka nevojë të dimë më shumë : lexuesit tanë kanë marrë me atë që u tha, një mësim të mirë psikopolitiko-gjeografik për Shqipërinë.

MAX

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT