• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Frang Bardhi, dijetar i shquar i tokës së Arbërit

October 3, 2024 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Fizionomia e Kishës Katolike në trojet etnike shqiptare, nuk mund të jetë e plotë e pa cituar kontributin e madh që kanë dhënë gjatë shekujve të historisë prelatët e saj dhe komuniteti i Urdhërave ose Kuvendeve të hershme Katolike, si: Benediktinët (shek.XII) dhe Françeskanët (shek.XIII), që nën moton himn “Lutu dhe Puno”, kanë mbetur gjurmë të thellë në të gjithë elementët e qenësisë dhe vetëdijes së popullit të lashtë iliroarbëror, së cilës i shërbyen me përkushtim të veçantë. Kështu kleri vendor e ai i lartë në Arqipeshkvinë Metroplitane Katolike asokohe, përveç shërbesave fetare të përditshme, ishte përkushtuar hulumitimit te vlerave të gurrës së etnokulturës së popullit të vet. Ato e kanë shtuar më shumë ndjenjën e dashurisë dhe respektit për grigjën në udhën e Zotit, dijes dhe përparimit të pandërprerë. Kjo tregon, se krishtërimi dhe kultura e saj ishte kompakte dhe solide, përparimtare dhe një shtysë e mirë, për të rradhitur popullin e arbërit në një nivel me kulturën civilizuese të kohës. Struktura e tërësisë kulturore arbërore, që ka mundur të mbijetojë deri në ditët tona, në formë fragmentare ose e plotë, është drejtëperdrejtë merite e kontributit të komunitetit të larmishëm të barinjve shpirtërorë të krishtër dhe grigjës, që epërkrahu dhe mbrojti me gjoks çdo vlerë emancipimi i popullit.

I kësaj shkolle diturie, me gjurmë të dukshme e të pashlyeshme në memorien e historisë së popullit arbëror, ishte dhe mbeti kleriku katolik françeskan At Frang Bardhi (1606- 1643), i cili, për të mos braktisur rrënjët hershme kristiane ndër shqiptarë, përmes Relacioneve të tij, do të shprehin kerkesat e perseritura , për të shkolluar klerikët e rinj arbërorë në kolegjet e huaja apo për të emruar në dioqezat e vendit ipeshkëvij arbëror, duke mundësuar kësisoj më vonë hapjen e mësojtoreve në gjuhën e nënës. Asokohe në Arbëri, dominonte kleri katolik i huaj, ku misionarët e huaj drejtonin kongregacionet (urdhërat misionet shpirtërore) të shprendarë ne të gjithë trojet etnike shqiptare. Prania e klerit të huaj nga ana e tjertër e veshtirsonte ne maksimum mënuren e komunikimit me popullin( mbasi edhe mesha per besimtatet thuhej në gjuhën latine dhe predikimi latinisht ose italisht ), ku ato shërbenin mbasi një pjesë të madhe e tyre nuk e zotërojnë gjuhën arbërishte, nuk njihnin doket, zakonet, traditat, ritet e lashta të popullit në zonat urbane dhe rurale. Në mënyrë që punët e Kishës dhe të hierarkisë së lartë të shikonin në rrjedhjen e tyre të natyrshme pa probleme apo fërkime të brendshme At Frang Bardhi, disa herë këmbë nguli për organizimin e klerit vendas, shkollimin e tyre në kolegjet italiane për filozofinë dhe teologjinë dhe evropiane në teresi. Gjithashtu frat Bardhi, këmbëngultë së bashku me bashkatdhetarët e vet, që këta barinj të rinjtë shpirtrorë duhet të mësonin gjuhën e arbërit, që ishin pranë grigjës së vet se ciles ata me përkushtim i shërbejnë në sherbesat fetare, si: pagëzim, krezmim, kungim, vojim, rrëfim, kurora e martesës, në rastet e lindjes së fëmijëve të vegjël, pagëzimin e shtëpive të tyre, në gëzimin dhe hidhërimin e banorëve të familjes së tij. Dhe ky interesim i jashtëzakonshëm i tij (si një atdhetar i vërtetë), shprehet edhe në Lutjen me shkrim, përmes të ciles i drejton klerikëve te lartë në Vatikan, midis të cilave kishte shumë dashamirë dhe miq që admironin historine e lavdishme të popullit arbëror. Lutja e tij e famshme me vetëdije të lartë, tregohet para një prelati të Romës, kur At Frang Bardhi i kërkon “Pash zemrën e Zotit, të mos na dërgoni ma ipeshkvij në këto anë që të jene me kombësi sllave.” Françeskani arbëror në Relacionet e tij pershkruan krahinën e Zadrit, që asokohe kishte strukturën administrative të një republike, jep një panoramë të pejsazhit te bukur të vendit, cilesite e vendasve, veshjet dhe jetën e vështirë ekonomike, plot të varfëri dhe mjerim në këto zona.

Ndër të tjera meshtari Bardhi përshkron Pukën dhe banorët malorë të saj, në Relacionin e parë të vitit 1637, ndërsa në Relacionin e dytë përpiluar po prej tij në vitin 1638 , ka lene një tjetër panoramën te kohës në krahinen e Pultit (Malësi e Madhe, zona e Dukagjinit) dhe banorët që e popullojnë atë. Kjo tregon se frati ishte një shitës dhe vëzhgues i kujdeshëm i banorëve dhe jetës së veshtire të tyre, duke qëndruar stoik mes maleve të thepisura dhe mos iu dorëzuar armikut turk, që i kishte detyruar të merrnin udhën e veshtire të jetës mes bjeshkëve. Gjate viteve ne vijim me radhë Bardhi jep informacione për Spasin, Pultin, Iballën, Kelmendin. Tre vite më vonë ai sërisht jep Relacionin e tretë, hartuar në vitin 1641, ku, si tematikë ka Zadrimën dhe banorët e saj të hershëm autokton, jetën e vështirë dhe ekonomike dhe politike të kohës që zhvillohej në atë vend etj. Pra, sikurse shihet, në tërësinë e relacioneve të Bardhit, bie në sy një përshkrim i hollësishëm për kohen për gjithçka ndodhte brenda njësisë ose rajonit të banuar në këtë mënyrë hirarkia e lartë në Vatikan, krijon një ide dhe merrte informacionin e bollshem për gjendjen ekonomike, politike dhe shpirtërore të besimtarëve katolik në rajonet te ndryshme të Arbërisë. Pra vepra e Imzot Bardhit, përmblidhet me emrin origjinal “Franciscum Blanchum”, vepra e të cilës titullohet: “Dictionarium Latino-Epiroticum”, botuar në Romë në vitin 1635.

Shenojmë se ky eshte autori i veprës së pare te plote te mirëfilltë ne fushen albanologjisë, fjalori i cili veçse është cituar ndonjëher ose shpesh autori është lënë anonim nga vetë sisitemi komunist, sepse nuk donte të tregonte, se ishte pikërisht Kleri Katolik dhe prelatët e saj, që kanë bërë të mbrohet me përkushtim emri dhe vlerat e paçmuara të Arbërisë gjatë shekujve. Francesco Bianchi “Relacione” (origjinali italisht), dërguar Vatikanit në vitet 1637, 1638 dhe 1641. Këto janë botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 1965, me tekstin origjinal të përkthyer në gegnisht nga stuiduesi Prof. Injac Zamputti. Pra, sikurse shihet në terësi , kur ka pasur ndoni botim te kleriku ose prelati të klerit katolik (sikurse është rasti i Imzot Frang Bardhit), në hyrje të veprës, mbas përkthimit nga censura e kohës komuniste është hequr titulli i shenjës dalluese të klerikut katolik. Për më tepër në antologjitë e letërsisë shqipe (me karakter historik), të botuara gjatë vitëve të diktaturës komuniste nuk është përdorur asnjëherë titulli i klerikut, por është thirrë thjeshtë sikur ai të ishte laik i rëndomtë. Dihet se askohe të pakët ose raste të rralla ka treguar historia, që shekullarët ose laikët, janë marrë me hulumtime apo të kenë dhuruar vepra dinjitoze si pasaporta të identitetit të kombit shqiptar ndër shekuj. Nëse do të shikohet me kujdes dhe pa xhelozi, del se nëna ka të ruajtur në gjirin e arkivave të veta shembuj konkretë, ku, dallohet firma ose vula e klerikëve të lartë ose të thjeshtë te kuvendeve katolike që natyrshëm dhe me devocion kanë shërbyer në Shqipëri puno për popull dhe lute me te gjithmonë. Ky shembull është i barabartë edhe me shtete të tjera të Europës Perëndimore, ku, në të gjithë rrymat e hershëm të artit, kulturës, shkencës etj., ndihet ose gjendet nënshkrimi dinjitoz i Kishës Katolike, prelatëve, meshtarëve të thjeshtë, të cilët gjithnjë krahas shërbesave fetare të përditshme gjenin kohën dhe me pasion iu përkushtuan artit, kulturës së popujve ku ato shërbenin, duke gëzuar nder dhe respekt prej popujve të cilët atoi u dhanë gjithçka pa shpërblim, harxhuan mundin, djersën dhe energji të mëdha në fushat e dijës njerëzore… Duke mbetur sërisht në brendësi të temës sonë, theksoj, se Relacionet në fjalë, duke i vlerësuar shumë për periudhën kur ato janë hartuar (nën hundën e Perandorisë barbare Turke), përmbajnë informata interesante “Mbi gjendjen e Shqipnisë Veriore dhe të Mesme në shek. XVII”, vëllimi II, që përfshin harkun kohor të vitëve 1634-1650.

Këtu gjithashtu jepen të dhëna të vlefshme mbi organizimin e strukturës fetare, politike dhe ekonomike, për zonën që (kronisti ose raportuesi) ka shkelur pëllëmbë për pëllmbë. Këtë shembull kishte ndjekur edhe figura e shquar e kombit tonë Imzot Pjetër Bogdani, prelat i lartë i Arqipeshkvisë më të vjetër mbi 900-vjeçare të Tivarit (sot në Mal të Zi). Në tërësi të gjithë Relacionet, që i dërgoheshin Vatikanit, po të shikohen sot mbas dhjetra shekujsh del se kemi një vijimsi të autoktonisë në trojet etnike arbërore deri në ditët tona. Arbërit ose sot shqiptarët, janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të pellazgëve dhe ilirëve, që kanë jetuar në këto troje, duke ruajtur etnicitetin, gjuhën, zakonet, ritet dhe civilizimin e barabartë me shtetet e kulturat e larta të asaj periudhe. Të gjithë burimet informative sot, tregojnë toponiminë e lashtë të qendrave urbane dhe rurale, lashtësinë e tombulave (varrezave të hershme ilire), gjurmët e së cilës na bëjnë krenar se jemi bijtë e popullit më të lashtë në Europë. At Frang Bardhi “La Profession della Santa Fede” (Dëshmia e Fesë), shkruar në vitin 1637. Ky përkthim, ende nuk dihet se ku gjendet, mbasi ka humbur ose nuk janë gjetur gjurmë të ekzistencës së tij. Shpresoj se në të ardhmen studiuesit e tjerë shqiptarë në vendlindje, do të bëjnë përpjekje për ta gjetur diku në arkiva, që padyshim mbetet një vepër e një rëndësie të veçantë për popullin dhe albanologjinë tonë. Një tjetër vepër e rëndësishme e Bardhit nuk është gjetur deri më sot. Ajo quhet: “L’Ordine del Synodo Posta Pontificale Romani” (Urdhëri i Sinodit i Vendosur në Pontifikatin Roman), botuar në vitin 1637.

Françeskani At Bardhi nga Zadrima, është i vetmi arbëror që ka mundur të na japë “Fjalorin e Parë të Gjuhës Shqipëri”. Dijetari dhe kleriku i përkushtuar dhe tepër i shquar Bardhi, vuri gurin e parë në themelet e liksigrafisë arbërore disa shekuj më parë. Ai e nisi këtë punë në shenjë dashurie të madhe për gjuhën e nënës, në mënyrë që të mos asimilohet nga fjalët e shumta me shprehje të huaja. I shtyrë nga dashuria e zjarrtë për pasuritë e pashtershme leksikore të popullit, dijetarët e trevave ku jetuan e punuan Urdhëri Françeskan në trevat Veriore të Shqipërisë. Sikurse vlerëson studiuesi dhe ishprofesori i Universitetit të Shkodrës Prof. Simon Pepa, në librin e tij: “Zadrima dhe bijtë e ndritur të saj” (Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2003, f.51), ku, ndër të tjera shkruan: “Bardhi lindi më 1606 në Zadrimë… Sa i takon fshatit të lindjes, dijetarët rreshtohen në dy grupe. Për Kallmetin, janë: At Justin Rrota, Zinadrin Kodra etj., ndërsa për Nënshatin, janë misionari italian At Dedë Pasi, Kolë Kamsi, Prof. Kolë Ashta, Palokë Duka etj.” At Frang Bardhi, hapat e para të dijës i mori nga të afërmit e tij, ku, në mes të tjerash mësoi edhe turqishten, të cilën e shtini në përdorim në Fjalorin e vet, si dhe sllavishten, mbasi në “Apologjinë për Skënderbeun” do ta krijojë Marnaviqin, për interpretim të gabuar të disa fjalëve sllave. Trungu i familjes së Bardhajve, janë shquar për emër të mirë që kanë lënë disa klerikë. I tillë ishte Tolozi, i caktuar si Ipeshkëv i Zadrimës në moshën 80-vjeçare, Nikolla, Gjergji etj. Rrugën e tyre e ndjek edhe filizi i ri i kësaj peme prodhimtare, ku Frangu do të vijojë studimet e larta në një nga kolegjet e famshme të Italisë, me emrin e lashtë shqiptar ilirian, në Loreto, të cilat i vijoi pa shkëputje për 7 vjet.

Vitet kalojnë njëra mbas tjetrës dhe At Frangu krahas misionit si bari shpirtëror në vreshtëne madhe të Zotit, për asnjë çast nuk e shkëput vëmendjen nga fushat e dijës dhe burimeve të pashtershme të gurrës popullore, pranë së cilës ai grumbulloi nektarin të cilën e përpunoi dhe e dhuroi për brezat e shekujt e ardhshëm në veprat e tij. Synimi i tij ishte që të gjithë arbërorët të shkruajnë e flasin lirshëm në gjuhën e nënës, sikurse edhe shërbesat fetare të kryehen nga meshtarët po në gjuhën amtare që të kuptohet më mirë mesazhi dhe domethënia e tyre për të jetuar realisht praninë e Zotit në zemrën e tyre… Mirëpo kjo gjë do të bëhet realitet vetëm në vitin 1967, kur Papa VI i Romës shpall Koncilin II Vatikanas, në esencën e së cilës qëndronte thënia e meshës në gjuhën (shqipe në rastin tonë, shënimi im Gj.F.I.) në të cilën shërbente bariu shpirtëror, pavarësisht nga cili shtet ai vinte e meshonte për popullin e besimit katolik. I riu 37-vjeçar Bardhi, si pasojë e punës së madhe dhe shërbesave fetare të pandërprera, kaloi në amshim si Ipeshkëv i Zadrimës në Nënshat, në moshë fare të re, në pranverën e vitit 1643. Prelati i ynë i dha shumë Atdheut e kulturës arbërore. Meqenëse ky ishte klerik katolik, nga sistemi komunist kundërklerikal dhe kundërkatolik i Enver Hoxhës, u la në harresë dhe nuk u vlerësua si duhet. Sërisht, sikurse shkruan studiuesi Prof. Simon Pepa: “Vetëm një shkollë 8-vjeçare në fshatin ku lindi, sot ka emrin e tij. Edhe pllaka përkujtimore e vënë për të, u thye copë-copë nga fortuna kundër fesë, në vitin kobzi 1967, me motivacionin se Bardhi ishte klerik.”

Edhe sot mbas 400 vjetësh jeta dhe vepra e këtij prelati të lartë të Kishës Katolike Shqiptare, ka mbetur e paharruar nga populli së cilit i shërbeu me devocion si ungjillizues i Fjalës së Zotit, besimtarëve të përkushtuar që natyrshëm ai i kishte përfshirë në udhën e besimit në Zot, ashtu dhe si dijetar mendjendritur, duke i bërë të njohura trevat arbërore përtej kufirit shtetëror të shtetit të Arbërit. Shkencëtarët albanologë dhe studiues të huaj dhe vendas, sa herë që trajtojnë në punimet e tyre çështje të kulturës së hershme shqiptare (arbërore), citojnë me respekt edhe punimet e hershme të bëra nga një prelat i lartë i Kishës Katolike në Shqipëri, që janë sot dëshmia më e qartë e punës konkrete që Imzot Frang Bardhi ka bërë përherë për popullin e vet.

Filed Under: Histori

VIATA ARDEALULUI (1935) / “AHMET ZOGU, MBRET DHE HERO!” — RRËFIMI I BASILE DOGANIT, KRYEKONSULLIT TË SHQIPËRISË NË RUMANI

October 2, 2024 by s p


Burimi : Viața Ardealului, gusht 1935, faqe n°30-33
Burimi : Viața Ardealului, gusht 1935, faqe n°30-33

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Shtator 2024

Revista rumune “Viața Ardealului” ka botuar, në gusht të 1935, në faqet n°30-33, rrëfimin ekskluziv të Basile Doganit, kryekonsullit të Shqipërisë në Rumani, mbi mbretin Zog dhe zhvillimin e vendit tonë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ahmet Zogu, mbreti dhe heroi shqiptar

Krahasimi mes Shqipërisë së sotme dhe të shkuarës

Disa sqarime të dhëna nga z. Basil Dogani

Kryekonsulli i Shqipërisë në Rumani

Burimi : Viața Ardealului, gusht 1935, faqe n°30-33
Burimi : Viața Ardealului, gusht 1935, faqe n°30-33

Me rastin e ngjarjeve të fundit në Shqipëri, na u dha rasti të bisedonim me z. Basile Dogani, kryekonsullin e Shqipërisë në Bukuresht, i gatshëm të na tregojë shumë gjëra interesante për këtë vend.

Z. Dogani flet për Shqipërinë si një poezi të dashur të gdhendur thellë në zemrën e një poeti.

Detajet historike nga lashtësia, situata politike, krahasimi i Shqipërisë së sotme me të kaluarën pasqyrohen nga z. Dogani, aq i qartë sa të jep përshtypjen se është profesor specialist në këtë çështje. Duke i parë gjërat kaq qartë dëshmon se z. Dogani është një njeri me kulturë të lartë dhe që do të bënte nder në trupin diplomatik të çdo shteti perëndimor.

Dhe, tani le të flasim me fjalët e z. Basile Dogani, “Kreshtat e thepisura dhe të thyera të Shqipërisë malore, ndriçohen nga agimi i një qytetërimi të ri. Një rilindje që fshin të gjitha kujtimet e dhimbshme dhe të shëmtuara të së shkuarës kaq të trazuar, vë gjithnjë e më shumë kontroll mbi shpirtin e këtij populli të rilindur në jetën kombëtare, pas luftës botërore.

E gjithë kjo ngritje e shkëlqyer e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur është vepër e një njeriu : Mbretit Ahmet Zogu I.

Një personazh plot virtyte të lashta, një ushtar sypatrembur, një baba i urtë i popullit, një trim, një energji e palodhur, një organizator frytdhënës, kështu paraqitet mbreti Ahmet Zogu përballë historisë, bashkëkohësve dhe nënshtetasve të tij. Për të vlerësuar mirënjohjen e pamasë që populli shqiptar i detyrohet mbretit të tij, mjafton të hedhim një vështrim se çfarë ka qenë Shqipëria në të kaluarën dhe gjendjen e saj aktuale.

Shqiptarët janë populli i fundit që e rifituan pavarësinë pas luftës botërore. Që nga koha e ilirëve të lashtë, vendi i tyre ka jetuar nën pushtim të përhershëm, i përçarë nga luftimet vëllavrasëse, luftimet për epërsi të përkohshme dhe luftimet fetare midis shqiptarëve të konvertuar në fenë myslimane dhe atyre që mbetën pasues të fesë së krishterë.

Disiplina dhe normat që drejtojnë jetën e njerëzve të pavarur dhe të qytetëruar u futën në Shqipëri nga Ahmet Zogu.

Do të ishte e vështirë të analizohej se cilat rrethana çuan në ngjitjen romantike të Ahmet Zogut në fronin e vendit të tij. Prestigji personal ? Loja e ndikimeve politike ndërkombëtare ? A do të kërkohej një shpjegim ? Ahmet Zogu dominon plotësisht jetën e vendit të tij. I lënë mënjanë në mes të një populli ku autoriteti i babait të familjes nuk pëson asnjë tronditje, vetëm mbreti administron vendin e tij, të cilin e ka udhëhequr në shtigjet e prosperitetit.

Për shqiptarët, shtetari dhe lideri suprem duhet të jetë mbi të gjitha ushtar. Një hero që përçmon rrezikun dhe nuk merr parasysh koston e jetës së tij. Ky popull i kryengritësve nuk do të mbështeste një princ limfatik nëse portreti i mbretit të tyre do të shfaqej kudo pranë fytyrës së heroit kombëtar Skënderbeut, i cili, në mesjetë, në kohën e Vlad Drakulës, korri fitore kaq të shkëlqyera kundër turqve.

Vështrimi shqiponjë i këtij mbreti reflekton vullnetin për të fituar në çdo rrethanë.

Duke filluar nga viti 168 p.e.s., kur mbretit Gent iu desh t’u dorëzohej legjioneve romake, shqiptarët duruan të gjitha rrënimet e popujve që pushtuan gadishullin Ballkanik. Të tërhequr në mal, ata e mbajtën të paprekur flakën e pavarësisë së tyre. Kështu, në mesin e shekullit modern, ata ende ruajnë në jetën e tyre zakonet patriarkale, të ashpra dhe ndonjëherë tmerrësisht mizore, të cilat përbëjnë ligje të forta në shoqërinë e tyre.

Qeliza bazë e kësaj shoqërie origjinale është familja. Disa familje me prejardhje të njëjtë formojnë organizimin ndërmjetës midis familjes dhe fisit, i cili quhet “Mëhallë”. Kreu i “Mëhallës” që rekrutohet me votim quhet Gijopar. “Mëhallarët” e bashkuar formojnë fisin, kreu i të cilit quhet “Bajraktar”, që do të thotë rojtari i flamurit.

Lëvizja e rizgjimit kombëtar të shqiptarëve gjatë shekujve u mbështet veçanërisht nga kolonitë e shqiptarëve të emigruar në Amerikë, Francë, Angli, Rumaniaetj. Manifestimi i parë i pavarësisë së Shqipërisë ndodhi në vitin 1912 kur patrioti Ismail Qemali thirri një kongres kombëtar në Vlorë, ku u shpall pavarësia. Momenti ndërkombëtar ishte i favorshëm sepse Italia dhe Austria, të cilat i trembeshin ekspansionit sllav në gadishullin ballkanik, e panë me sy të mirë ringjalljen e shtetit shqiptar.

Fatkeqësisht, pikërisht në këtë kohë në Shqipëri filluan grindje të tmerrshme civile dhe vëllavrasëse, që të mos fitohej pavarësia. Konferenca e Londrës e vitit 1914 përcaktoi karakterin e Shqipërisë si një principatë kushtetuese dhe trashëgimore, nën garancinë e Fuqive të Mëdha.

Princ Vidi, i cili ishte sundimtari i parë shqiptar, qëndroi në fron vetëm për disa muaj. Ai nuk mund të zotëronte shpirtin e këtij populli. Anarkia ishte edhe më e madhe se më parë. Në fillim të luftës botërore, Shqipëria po humbte sërish pavarësinë e saj mezi të fituar.

Gjatë Luftës Botërore, Shqipëria u sundua dhe u pushtua ushtarakisht nga austro-hungarezët, grekët, francezët dhe italianët. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu, pothuajse 20 vjeçar, organizoi një kongres të madh mbarëshqiptar në Elbasan, duke u shfaqur që nga ajo kohë si një udhëheqës i ardhshëm i popullit të tij.

Gjatë konferencës së paqes, Ahmet Zogu mori pjesë në organizimin e kongresit të Lushnjes, i cili zgjodhi një përfaqësi kombëtare. Me këtë rast Ahmet Zogu, në moshën 26-vjeçare, u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë që u formua dhe disa vite më vonë u bë edhe kryeministër dhe president i Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe, ai udhëhoqi trupat kombëtare të Shqipërisë drejt fitoreve të shumta, në betejat civile që ishin rend dite. Në vitin 1924, pas një komploti që përmbysi qeverinë, iu desh të strehohej në Jugosllavi, prej nga u kthye pas një viti, duke rimarrë sërish kryeqytetin e vendit të tij me ndihmën e ushtrisë.

Më 1 shtator 1928, republika shqiptare u shndërrua në një monarki të trashëgueshme nën skeptrin e Ahmet Zogut. Që atëherë, Shqipëria është kthyer në një vend rendi, i cili ka përvetësuar plotësisht nga perëndimi format e jetës së qytetëruar”.

Z. Basile Dogani thotë për trazirat e fundit :

“Sipas informacioneve të mia, të ashtuquajturat “turbullime në Shqipëri” zbresin në përpjekjet e një grushti politikanësh që nuk pajtohen me idenë e rendit. Gjithçka u qetësua që në ditën e parë dhe në Shqipëri ka një heshtje të plotë.”

Filed Under: Histori

EKSKLUZIVE / ISMAIL QEMALI, SHQIPTARI I PARË NË KRYE TË SË PARËS ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE

October 1, 2024 by s p

Evarist Beqiri/

Komisioni Evropian i Danubit (European Commission of the Danube ose Commission Européenne du Danube, ‘C.E.D.’) u themelua sipas nenit XVI të Traktatit të Parisit (1856), pas përfundimit të luftës së Krimesë. Konferenca e Parisit (1856) vendosi për të parën herë një regjim ndërkombëtar për të garantuar lundrimin e lirë në ujërat e lumit Danub. Në historikun e kësaj organizate ndërkombëtare do të kishte një rol të rëndësishëm edhe një shqiptar i shquar…

Ismail Qemal Vlora nuk është vetëm kryeministri dhe ministri i parë i Jashtëm i Shqipërisë. Ai është edhe shqiptari i parë, i caktuar si përfaqësues diplomatik në një Organizatë Ndërkombëtare. Dyzet e dy vite para formimit të shtetit shqiptar, në vitin 1870, Ismail Qemali mbante postin e guvernatorit të Tulçës (Tulcea) në Rumani. Porta e Lartë e mandatoi edhe si anëtar të Komisionit Evropian për Danubin.

Komisioni Evropian i Danubit ishte e para Organizatë Ndërkombëtare, ku përfaqësoheshin Fuqitë e Mëdha. Ai synonte lehtësimin e lundrimit në ujërat e Danubit. Studiuesit e konsiderojnë Komisionin Evropian të Danubit si një eksperiment i suksesshëm në të drejtën ndërkombëtare. Është tentativa e parë për bashkëpunim dhe ndërkombëtarizim të fuqisë policore të shteteve sovrane për një kauzë të përbashkët. Komisioni Evropian i Danubit ishte një organizatë unike në llojin e vetë, i cili ushtronte pushtet policor dhe juridik mbi mjetet detare dhe individët në ujërat e gjëra të Danubit.

Komisioni Evropian i Danubit së bashku me Komisionin Qendror të Lundrimit të Rhinit i themeluar nga Kongresi i Vjenës (1815), janë të parat organizata ndërkombëtare në botë. Komisioni Evropian ishte një organizate inovative me natyrë tekniko-politike. Komisioni Evropian u themelua nga Koncerti i Fuqive Evropiane dhe e ushtronte sovranitetin e tij në rrjedhën e lumit Danub. Për të parën herë delegatët e fuqive rivale do të punonin së bashku për hir të sigurimit të infrastrukturës evropiane të transportit. Komisioni Evropian do të shndërrohej në një aktor në arenën e politikës ndërkombëtare dhe do të shërbente si model për themelimin e organizatave ndërkombëtare, të cilat lindën më pas. Komisioni i Danubit është një organizëm ndërkombëtar që vijon të funksionojë edhe në ditët tona…

Komisioni Evropian i Danubit ishte një organ i pavarur dhe burokratik, i cili garantonte zbatimin e normave të gjithëpranuara ndërkombëtare në Danub. Në këtë shkrim po publikojmë për herë të parë për publikun një dokument origjinal të Komisionit Evropian të Danubit. Me anë të këtij dokumenti me nr. 11, të hartuar në Galati, Rumani, më 17 janar 1871, Shkëlqesia e tij, presidenti i komisionit Ismail Beu, kërkon të dhëna lidhur me kohën e ndërtimit të disa shtëpive që gjendeshin në bregun e djathtë të Danubit në Sulina, Rumani. Vlen të nënvizohet fakti që në këtë periudhë Ismail Qemali njihej në komunikimin zyrtar me emrin Ismail Beu (Ismail Bey). Pra, duket se ai akoma nuk e përdorte zyrtarisht emrin Ismail Qemali (Ismail Kemal)…

Ismail Qemali ishte më i riu midis anëtarëve të Komisionit Evropian të Danubit, vetëm 26 vjeç. Ai ishte njëkohësisht edhe president i Komisionit të Danubit. Këtë detyrë ai ushtroi në vitet 1870-1872, duke u bërë kështu i pari dhe i vetmi shqiptar që deri më sot ka arritur një pozicion kaq të lartë në një organizëm ndërkombëtar. Ekziston edhe një foto e rrallë e Ismail Qemalit në këtë periudhë. Aty shfaqen përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Komisionin Evropian të Danubit, diplomatë nga më të shquarit të kohës.

Rëndësia që kishte për kohën kjo organizatë ndërkombëtare shfaqet edhe tek niveli i lartë i përfaqësimit. Fuqitë e Mëdha do të caktonin aty si përfaqësues diplomatët e tyre më të zotë. Përkatësisht, Kolonel (më pas Gjeneral) Sir John Stokes, për Britaninë e Madhe; Baron Adolphe d’Avril, për Francën; Baron Joseph Maria von Radowitz, për Gjermaninë (Prusinë); Baron Henrik d’Offenberg, për Rusinë; Baron Nikolaus von Pottenburg, për Austrinë dhe Kavalier Bernardo Berio, për Italinë. Sot ekziston edhe një pllakatë përkujtimore ku gjendet edhe emri i Ismail Qemalit, pikërisht në farin e qytetit të Sulinës, Tulcea, në Rumani. Ajo u vendos në nëntor 1870, për të përkujtuar ndërtimin e farit nga Komisioni Evropian për Danubin.

Siç e thamë më sipër, Ismail Qemali u emërua në shkurt 1870, guvernator i provincës së Danubit të Poshtëm dhe ex-officio president i Komisionit Evropian për Danubin. Si kryesues i komisionit, Ismail Qemali, bashkëpunoi në mënyrë të shkëlqyer me delegatët e tjerë, si atë britanik, francez, gjerman, rus, austriak dhe italian. Gjatë kësaj periudhe ai do të lidhte miqësi edhe me Kolonelin (më vonë Gjeneral) Gordon, ose siç njihet ndryshe “Gordoni kinez”, i cili do të ishte anëtar i komisionit në vitet 1872–1873. Heroi britanik Charles George Gordon nderohet anekënd botës, për luftën e tij historike kundër skllavërisë. Ai njihet ndryshe edhe si “Gordon Pasha”, “Gordon kinezi”, apo edhe si heroi i Khartumit. Ai humbi jetën përgjatë mbrojtjes heroike të Khartumit, kundër rebelëve sudanez në vitin 1885.

Gordon Pasha e vlerësonte shumë Ismail Qemalin dhe dëshironte që ta kishte në krah të tij edhe në Khartum. Në një letër që ai i dërgonte Ismail Qemalit më datë 24 janar 1877, bën një parashikim profetik, kur i shkruan, ndër të tjera: “Jua kam thënë me kohë, do të bëheni njeri i madh, ashtu mendoj edhe tani. Ruajuni nga aventurierët.”. Gordon Pasha, vlerësonte ngrohtësinë dhe përzemërsinë e karakterit të Ismail Qemalit.

Në periudhën që shërbeu si guvernator në Evropën Juglindore, Ismail Qemali ndërmori iniciativa të ndryshme për përmirësimin e infrastrukturës publike. Por, më 17 korrik 1870, Franca i shpalli luftë Gjermanisë dhe të gjitha punët e mira që ishin nisur u ndërprenë. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, ai u përpoq që të çonte përpara disa projekte për reforma administrative në rajon. Më kryesori ndër to ishte organizimi i shkollave publike në krahinën e Dobruxhas (Dobruja), midis Rumanisë dhe Bullgarisë së sotme…

Foto:

Ismail Qemali dhe anëtarët e Komisionin Evropian të Danubit, në vitin 1871.

Ky dokument publikohet për të parën herë. Ai mban nr. 11, dhe është hartuar në Galati, Rumani më, 17 janar 1871. Shkëlqesia e tij, Ismail Beu kërkon disa të dhëna lidhur me kohën e ndërtimit të disa shtëpive që gjendeshin në bregun e djathtë të Danubit në Sulina, Rumani.

Pllakatë përkujtimore në farin e qytetit të Sulinës, Tulcea, Rumani, nëntor 1870.

Filed Under: Histori

PETRAQ KATRO, KRONIKANI I ÇETËS SË SALI BUTKËS SQARON SHKAQET E DJEGIES SË VOSKOPOJËS MË 1916

September 30, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika/

Jeta dhe vepra e atdhetarit Sali Butka, komandant çetash që luftuan për lirinë e atdheut kundër pushtuesve turq e më pas kundër andartëve grekë, është vlerësuar prej shkencës zyrtare shqiptare si një atdhetar i shquar, bashkëpunëtor i vëllezërve Bajo e Çerçz Topulli, i Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit, Ismail Qemalit, etj.. Mirëpo propaganda antishqiptare e qarqeve shoviniste greke nuk ia fal Sali Butkës shpartallimin e detashmentit ushtarak grek të strehuar në Voskopojë më 1916, prandaj ka sajuar shpifje kundër tij.

Fatkeqësisht ka edhe sot shqiptarë të cilët të ndikuar prej shtrembërimeve që ka sajuar prej kohësh propaganda shoviniste greke, vijojnë të përsëititin në media, nëpër kafene dhe në ndonjë libër shkencor, shpifjen sikur Sali Butka më 1916 kreu djegien e tretë të Voskopojës. Sali Butka u zgjodh komandant i çetave atdhetare të Kajo Babjenit, Qazim Panaritit, Kozma Trebickës, Vasil Tromarës, Hysen dhe Asllan Gurit, etj, dhe drejtoi marshimin drejt Korçës për tu bashkuar me forcat e Themistokli Gërmenjit. Detyra e forcave që drejtoi Sali Butka ishte, që bashkë me forcat e Th. Gërmenjit të çlironin qytetin dhe rrethinat e Korçës nga forcat greke, që i mbanin të pushtuara që nga korriku i vitit 1914. Mirëpo rrugën ua prenë ushtarët e një detashmenti të ushtrisë greke, që ishin strehuar në disa shtëpi grekomanësh në Voskopojë.

Gjatë viteve 1970-1996, kur punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke studiuar jetën dhe veprat e rilindasve tanë, kisha krijuar bindjen e drejtë për karakterin atdhetar të Sali Butkës, i cili bashkë me djemtë luftoi për lirinë e atdheut. Djali i tij i madh, Gani Butka, më 1914 ra dëshmor në krye të batalionit kolonjar kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit në Pogradec.

I kisha kundërshtuar, si në atdhe dhe këtu në emigracion, opinionet e gabuara të disa miqve të mij, të cilët vijonin të ngarkonin S. Butkën me faj për disa vjedhje që kishin bërë një a dy anëtarë të çetës së tij dhe sidomos për djegien e Voskopojës në vitin 1916.

Tani, pasi lexova librin e Petraq Katros po përpiqem t’i sqaroj edhe më mirë këta miq dhe të gjithë lexuesit duke recensionuar librin e Pertaq Katros “Kronikë Historike: KUSH ISHTE SALI BUTKA”, 2020, redaktor Alfred Çako. Titulli i dorëshkrimit, që kishte lënë autori më 1936, ishte “Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës”. Ndryshimi i titullit u bë për të theksuar karakterin kronikal të librit, pra për të treguar se ky libër mbështetet tek dokumentat origjinale dhe jo thjesht në kujtime dhe interpretime të autorit, i cili kishte qenë sekretari i çetës së Sali Butkës.

Në vitet 60-të të shekullit të XX-të shkrimtari Sabri Bodo, duke u mbështetur tek dotëshkrimi i Petraq Katros dhe në disa dokumenta historike, hartoi librin e tij biografik “Plaku i Butkës”, ku përshkroi jetën e veprën e atdhetarit Sali Butka. Mirëpo e vërteta mbi figurën e këtij atdhetari nuk zuri vendin e duhur, sepse mjaft lexues të ndikuar nga propaganda e qarqeve shoviniste greke, përhapën mendimin se shkrimtari S. Godo kishte shtuar nga fantazia e tij situata e shpjegime personale.

Besueshmëria e dokumentave që janë shpalosur në librin kronikal të Petraq Katros është plotësisht e besueshme mbasi dokumentat janë autentike dhe janë dhënë pasi mbesa e autorit, zonja Donika Katro Ristani ka shpalosur shkurt jetën e intelektualit atdhetar Petraq Katros. Për këtë shtesë që ajo i bëri dorëshkrimit origjinal, do të ketë mirënjohjen e gjithë lexuesve…

* * *

Petraqi u lind më 21 nëntor 1892 në familjen e atdhetarit Spiro Katro në fshatin Lavdar të Oparit. Kjo familje, ashtu si gjithë oparakët, për nga gjaku, gjuha e zakonet ishte thjesht shqiptare. Ajo kishte lidhje origjine me familjen e madhe të piktorëve dhe ikonografëve të famshëm shqiptarë KATRO. Mirëpo Patrikana e Ohrit, duke qenë se kishte si gjuhë zyrtare sllavishten e vjetër, ua përktheu mbiemrin shqiptar “KATRO” në formën sllave “ÇETIRI”. Prandaj ikonat e pikturat e tyre janë firmosur me këtë mbiemër. Ikonat e tyre ruhen sot në disa kisha të Beratit, Myzeqesë, etj, si dhe tek Muzeu Kombëtar i Ikonave. Sot propaganda keqdashëse sllavomadhe i quan ata piktorë maqedonas edhe pse nuk ka mundur ta ndryshojë dot origjinën e tyre si bij të krahinës së Oparit, kurse propaganda arumune i quan arumunë nga fshati Grabovë. Piktorët e kishave jetonin me vite në fshatrat ku pikturonin. Ndoshta në Grabovë, ku jetonte një koloni e lashtë aromune / rëmëne, që fliste gjuhën rëmëneshti, mundet që të kenë lindur një a dy nga piktorët e brezit të dytë të kësaj familjeje.

Babai i Petraqit jetonte me gjithë familjen në Lavdar dhe që aty merrej me tregtinë e lëndës së drurit në tregun e Korçës e të Manastirit (Bitolas). Ai mbante lidhje me atdhetarët shqiptarë të qytetit Manastir, si me djemtë e familjes Qiriazi, familjes Gërmenji (Telemakun dhe Themistokliun), familjes Zavalani (Fehmiun), etj. Duke qenë se Spiro Kosturi ra në sy për shqiptarizmin e tij, forcat antishqiptare e vranë tek Qafa e Bigllës kur kalonte më 1905, pra po atë vit kur vranë dhe shkrimtarin klerik Papa Kristo Negovanin bashkë me vëllain e tij ,Atë Vasilin.

Petraqi, djali i tretë i familjes, u lind më 21 nëntor 1892, mbas vëllezërve Marko dhe Vasil. Mësimet e para i mori greqisht tek shkolla greke e fshatit, kurse shkollën e mesme me profil tregtar, e kreu në Selanik. Jetimin e vogël e ndihmuan financiarisht dy vëllezërit, të cilët kishin emigruar në Odesë të Rusisë, ku punonin si furxhinj (rrëfim gojor i Vasil Katros gjatë takimeve që pata me të në vitet 1972-1973 në Korçë, Th. Gj).

Kur mbaroi këto studime, ekonomisti i ri, zotëreonte krahas shqipes dhe greqishten, frëngjishten dhe Italishten, por ai nuk qëndroi të punonte në Selanik, por u kthye në Shqipërinë e saposhpallur shtet i pavarur, ndonëse situata ishte e trazuar. U vendos në Korçë, ku mori dhe nënën e tij. Këtu ai u lidh me atdhetarët e qytetit.

I frymëzuar nga akti i poetit kryengritës M. Grameno, i cili në vitet 1907-1908 ishte bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit si luftëtar e kronikan i saj, Petraqi 23 vjeçar, iu bashkua çetës së Sali Butkës në vitin 1915, për të shërbyer me pushkë e penë. Gjatë viteve 1915-1917 mori pjesë aktive në luftimet e çetës, mbajti shënimet e nevojshme për ngjarjet, kopjoi dokumenta, etj. Më tej u rivendos në Korçë, ku u lidh me intelektualët Milto Sotir Gura, Dhori Fallo, Ilo Mitkë Qafëzezi, Petraq Harizi, Dhori Kotti, pedagogët e Liceut Francez sidomos me drejtorin, Prof. De Courville, etj. Gjatë viteve 1923-1924 ishte pronar përgjegjës i gazetës “Zëri i Popullit”. Në vitet 1930-të shkroi kujtimet e tij për Republikën Shqiptare të Korçës, të cilat i pasoi me kujtimet për jetën e komandantit Sali Butka, të cilat i përfundoi më 1936. Në këtë vit krahas punës si pedagog i frëngjishtes në klasat e ulta të Liceut Frances, Petraqi vijoi punën edhe si pranar i fabrikës së kauçukut, ku prodhoheshin galloshe, çizme, opinga, këpucë verore prej llastiku, etj. Mirëpo sukseset e Petraq Katros, donacionet e tij për kishat dhe për të varfrit, pjesëmarrja në takime me nacionalistë dhe në demonstrata antifashiste shkaktoi urrejtje për të tek autoritetet e pushtimit italian dhe tek Enver Hoxha, kolegu i tij i Liceut Frances, diktatori i ardhshëm.

Karabinieria italiane e arrestoi Petraqin dhe e internoi gjatë viteve 1940-1941 në Noventa, Vicentina, kurse urrejtja e E. Hoxhës shpërtheu egërsisht mbas nëntorit 1944. Kur u kthye nga Italia më 1941, Petraqi qëndroi në Tiranë. Aty u afrua me shokët e tij nacionalistë disa prej të cilëve ishin bashkuar me organizatën atdhetare “Balli Kombëtar” që kishte krijuar dhe e drejtonte Mit’hat Frashëri. Ai nuk mori pjesë në formacionet ushtarake dhe as në poste drejtuese të kësaj organizate. Vijoi të merrej me fabrikën e kauçukut, që u bë e njohur me emrin Shoqëria “STIK”.

Qeveria komuniste e dëboi nga Tirana në fillim të vitit 1945 si “të padëshirueshëm”. Ia shtetëzoi pasurinë dhe shtëpinë e Tiranës dhe e detyroi të kalonte me banim në Korçë. Ndonëse Retraqi i pagoi të gjitha detyrimet ndaj shtetit si pronar fabrike, organet e Sigurimit të Shtetit e arrestuan bashkë me vëllain e madh më 19 korrik 1956, kuse vëllain e vogël e lanë të lirë.

Më 18 janar të vitit 1947, Gjykata Ushtarake e Tiranës, pa pasur asnjë fakt, dha dënimet e veta, për Petraq Katron 7 vjet burgim dhe për Marko Katron 5 vjet, me akuzën “amriq të Pushtetit Popullor që donin të përmbysnin Pushtetin”. Petraqit ia shtetëzuan edhe pasurinë e tundshme dhe të patundshme të Korcës dhe e dërguan nga burgu i Tiranës te kampi burg i Maliqit, ku ai vijoi dënimin. Pak më vonë ia arrestuan dhe bashkëshorten, të cilën e detyronin të pastronte banjat e godinës së Policisë. Djali i vetëm Piro mbeti jetim. Nëna u lirua pasi kreu dënimin, por duke qenë tepër e sëmurë, jetoi vetëm dy vjet.

Petraq Katro pasi kreu vitet e dënimit u lirua. U vendos në Korçë, ku u mblodh me djalin e nusen e tij dhe me dy fëmijët e tyre: Aurelin dhe Donikën. Në Korçën e viteve 1955-1967 nuk jetonte asnjë nga miqtë e tij. Disa prej tyre nuk kishin lënë trashëgimtarë e disa të tjerë i kishin fëmijët në Tiranë, ose në emigracion. Më 9 maj të vitit 1967 u shua Petraq Katro 75-vjeçar, i mënjanuar nga jeta dhe i përçmuar prej organeve të pushtetit diktatorial.

Natyrisht kujtimi i këtij intelektuali do të mbetet i pavdekshëm, jo vetëm përmes pasardhësve, por edhe përmes aktivitetit atdhetar, kujtimeve, letrave, dokumentave dhe fotografive, që kanë vlera kombëtare…

* * *

Pjesa tjetër e librit parashtron jetën e Sali Butkës që nga lindja deri në vitin 1936 kur u përfundua libri, dy vjet para vdekjes së heroit Sali Butka, i cili me aftësitë dhe guximin e tij ariti t’i mposhtette kundërshtarët turq, grekë dhe gjeneralët aleatë austriakë e francezë.

Duke qenë se jeta e S. Butkës është bërë e njohur prej shumë shkrimve të historianëve, prej ribotimit të ripunuar të librit biogradik të Sabri Godos (2014), dhe prej fjalimeve e artikujve që u botuan me rastin e përurimit të monumentit të tij në Kolonjë, unë do të ndalem kryesisht tek dokumentat që ka sjellë në librin e tij Petraq Katroja. Këto materiale sqarojnë plotësisht situatën dhe shkaqet pse u krye beteja midis forcave shqiptare të Sali Butkës dhe forcave të detashmentit grek të strehuara me qëllim që ta kishin Voskopojën si një pikë strategjike të ushtrisë greke për ta përdorur kundër forcave patriotike shqiptare të Korçës, që drejtoheshin prej Themistokli Gërmenjit.

Kur forcat shqiptare që drejtoheshin prej S. Butkës aritën në Lavdar të Oparit, mësuan se në Voskopojë ishin strehuar forcat e një detashmenti grek, të cilat duheshin larguar nga Voskopoja për ta pastruar zonën nga mbeturinat e forcave pushtuese greke. Kapedani Sali Butka i diktoi sekretarit të tij Petraq Katron këtë letër drejtuar Pleqësisë së katundit Voskopojë:

“Lavdar, më 13 tetor 1916

PLEQËSISË SË VOSKOPOJËS.

Me vendim të Qeverisë Shqiptare dhe me urdhër të Komandës Austriake jemi të detyruar të kalojmë përmes Voskopojës për të vajtur në Korçë. Prandaj ju lutemi shumë, si vëllezër që jemi, të mos bëni kundërshtime dhe të bëhi shkaktarë që të bëjmë luftë në mes tonë, pa patur ndonjë dobi, se sapo që të na kundërshtoni, do të jeni përgjegjës, se neve nesër do të vijmë.

Komandant i çetave shqiptare

Sali Butka (d.v.)”.

Të nesërmen i erdhi S. Butkës përgjigja e hartuar po më 13 tetor 1916 greqiasht prej komandantit të forcave greke, Kapitenit Theodhoros Maromatis, me emrin e mbiemrin e shkruar prej tij. Ky dokument riprodhohet në libër, në origjinalin greqisht dhe shqip i përkthyer prej sekretarit P. Katro. Këtu po riprodhoj përkthimin shqip:

“Voskopojë, më 13 tetor 1916.

KRYETARIT TË ÇETAVE SALI BUTKA.

Letra juaj drejtuar Pleqësisë së Voskopojës, ra në duart tona, e gjetur në xhepat e të dërguarit tuaj. Ju lajmërojmë në formë të prerë dhe kategorike të mos guxoni të vini për në Voskopojë, ku gjendet ushtëri greke me mbrojtës kombëtarë se do të gjeni përpara të radhitura sfungjitë greke dhe do të pendohi.

Kryetar i Detashmentit Grek,

Theodhoros Maromatis Kapiten (d.v.)”

Kjo përgjigje sqaron se forcat greke nuk ishin një grup i vogël prej 15-20 vetësh, si thonë të gënjyerit prej propagandës greke, por një detashment (batalion) i plotë. Këta pasi kishin kapur të dërguarin e forcave shqiptare, ia kishin marrë letrën dhe ia kishin dorëzuar kapitenit grek. Ky, pasi ia kishin përkthyer greqish, hartoi përgjigjen e vet, pa vënë në dijeni Pleqësinë e Voskopojës.

Të nesërmen, sqaron P. Katro, Saliu dërgoi letrën e dytë me Gaqi Leno, nipi i Dhimitër (Bitër) Dallamanga, një nga përfaqësuesit e parësisë së Voskopojës:

“Lavdar, më 14 tetor 1916.

ZOTIT BITRI DALLAMANGO DHE PLËQESISË SË VOSKOPOJËS

Dje i dërguam Pleqësisë së Voskopojës një letër, por për fat të keq, nga përgjigja që muarmë, kjo letër paska rënë në duar të grekëve dhe na përgjigjet një Kapiten me mënyrë frikësimi, që të mos guxojmë të afrohemi në kufijt’ e Voskopojës, se do bëhemi pashman. Prandaj po ju dërgojmë këtë letër të dytë, se e kemi për detyrë t’ju sqarojmë dhe t’ju bëjmë të ditur se në bazë të vendimit të Qeverisë Shqiptare dhe me Lejën e ndihmën e Komandës Ushtarake Austriake, jemi të urdhëruar që të çlirojmë të gjitha vendet e Kazasë së Korçës, me kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër nga të gjithë mbeturinat e ushtrisë greke dhe nga andartët, të cilët vazhdojnë të bëjnë dëme në fshatrat tona duke munduar popullin e duke plaçkitur. Prandaj, u vemë në dijeni që të mos tërhiqi na ca pak andarë, që keni aty dhe disa çobenj, që kërkojnë turbullira dhe të guxoni të na kundërshtoni. Çdo kundërshtim do të jetë në dëmin tuaj, se neve do të vimë me çdo therori, për të vazhduar rrugën tonë për Korçë dhe kështu e plotësojmë misionin tonë të shenjtë. Po të jetë se ju do të kuptoni interesin tuaj dhe të Voskopojës, duhet të ngrini flamurin kombëtar të Skënderbeut, dhe ju sigurojmë se nuk do të hyjë në Voskopojë asnjë komit nga çetat tona përveç Qazim Panaritit me 10 shokë, i cili është urdhëruar që, në marrëveshje me ju, të emërojë një Krahinar vendës dhe një numër gjindarmësh papë nga fshati juaj për të mbajtur regullin dhe qetësinë në Voskopojë.

Për çdo kundërshtim përgjegjësia ju mbetet juve.

Me nderime Sali Butka Komandant i Çetave Kombëtare (d.v.)”

Gaqi Lenoja u nis nga Lavdari me këtë letër ditën e premte më 14 tetor 1916 dhe u porosit që përgjigjen ta shpinte në fshatin Gjergjevicë të nesërmen në drekë, ditë e shtunë më 15 tetor. Mirëpo, si sqaron autori i librit, komandanti grek dhe paria grekomane e fshatit Voskopojë hartuan përgjigjen greqisht në mungesë të Kryekatundarit. Ata kishin vjedhur vulën dhe pasi kishin hartuar përgjigjen si donin vetë kishin shkruar emrin e mbiemrin e Kryekatundarit dhe e kishin vulosur letrën.

Po jap këtu variantin e përkthyer shqip prej P. Katros:

“Katundaria e Voskopojës, më 14 tetor 1916.

Zotit Sali Butka.

Muarmë letrën tuaj dhe mësuam se kini vendosur të vini në Voskopojë. Po u lajmërojmë dhe duhet ta dini, se nuk do të lejojmë kurrë, sepse është gjynah, që me këmbët e ndyra të shqiptarëve të shkelet Voskopoja antike greke. Nuk do të pranojmë kurrë tjatër flamur pëveç atij grek dhe do ta mprojmë deri në pikën e fundit të gjakut tonë.

Katundari i Voskopojës

Lluka Fundo

(Vula e Katundarisë)”

Petraq Katro sqaron se Gaqi Lenoja ia dorëzoi sipas porosisë Bitri Dallamangës. Aty ndodhej dhe dhaskali grek Foça Gjeorgjiadhi, që ishte dhëndër i Bitrit. Ky e shpuri letrën jo tek katundaria e fshatit, por tek komandanti grek dhe paria grekomane. Pas dy orësh këta formuluan përgjigjen greqisht dhe e nisën po me Gaqi Lenon. Petraq Katroja vijon sqarimin se kur Sali Butka ariti në Korçë, takoi lluka Fundon dhe ky i tha se ai nuk ndodhej në Voskopojë kur ishte shkruar letër-përgjigjia dhe se vulën e katudarisë ia kishin vjedhur grekomanët e Vosokopojës.

Libri vijon me përshkrimin e ngjarjeve. Shumica e banorëve të Voskopojës donin që fshati të dorëzohej pa luftë, por ushtarët grekë dhe paria grekomane vendosën të kundërshtonin. Filloi këmbimi i predhave të pushkëve. Sali Butka, për t’i trembur kundërshtarët, i vuri zjarrin një plevice aty pranë. Nga shtëpia e grekomanit Ilo Ziu ushtarët grekë hapën zjarr të përqendruar. Këmbimi i të shtënave u shtua. Morrën flakë mullaret e barit dhe shtëpitë ku ishin strehuar forcat e detashmentit grek. Flakët dhe tymi shaktuan turbullirë. Shumë banorë të fshatrave rrotull u turrën dhe u vunë zjarrin shumë shtëpive të tjera. Filloi plaçkitja e shtëpive dhe largimi i voskopojarëve të lemerisur. Vetë Saliut i vodhën levenxen që mbante mbi kalin e tij aty pranë.

Midis plaçkaxhinjve që filluan sulmuan mbi shtëpitë e fshatit, autori i kronikës përmend hajdutin me damkë Malkë Zvarishti. Me të, për fat të keq, shton ai, u bashkua dhe Zenel Braçe, një nga komandantët e çetave të Sali Butës.

Forcat greke, pasi u thyen e braktisën në panik Voskopojën. Sali Butka me forcat e tij i ndoqi dhe kur i ariti u hapi zjarr. Në këto luftime u vranë 6 ushtarë grekë, kurse të tjerët u kapën rob dhe u shpunë në Korçë.

Këto letra me vlerë të madhe dokumentare dëshmojnë qartë se shkaktarët e vërtetë për djegien e tretë të Voskopojës nuk ishte Sali Butka, por komandanti i forcave greke, Kapiteni Theodhoros Maromatis, i cili nuk pranoi ta lëshonte pa luftë Voskopojën, si dhe fshatarët fqinjë, që sulmuan për të bërë plaçkë të nxiur nga lakmia dhe veprimet e kriminelit Malkë Zvarishti.

Atdhetari intelektual Petraq Katro ka meritën se i ruajti origjinalet e këtyre letrave bashkë me përkthimin shqip të letrave që ishin hartuar greqisht. Ai i ruajti këto dokumenta në arkivin e tij edhe pasi i riprodhoi në librin dorëshkrim të vitit 1936. Dëshmi e formimit dhe e ndërgjegjes së tij shkencore.

Filed Under: Histori

MIKEL KOLIQI ( 29 SHTATOR 1902 – 28 JANAR 1997)

September 30, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

Duke kujtuar Mikel Koliqin, Kardinalin e parë shqiptar në përvjetorin # 122 të lindjes, njeriun që u “dekorua” nga diktatura me 21 vjet burg dhe 21 vjet internim…

Më 26 nëntor 1994, në sallën “Paolo IV”, kryesuar nga Papa Gjon Pali I Dytë, u mblodh Konçistori, për emërimin e kardinalëve të rinj, ndërsa të nesërmen, në Bazilikën e Shën Pjetrit u zhvillua ceremonia e dytë, gjatë së cilës, të emëruarit merrnin unazën e kardinalit.

Gjatë ceremonisë, kardinalët e rinj iu gunjëzuan Papës. Dom Mikelin nuk e linte mosha ( 92 vjec) e shëndeti, kështu që qëndroi i ulur në karrige dhe Papa do ta bekonte.

Por në atë moment do të ndodhte diçka e papritur; për herë të parë në historinë 2000 vjeçare të Kishës, një Papë u gjunjëzua para një Kardinali !!!

Me 28 nëntor 1994, Papa e priti në audiencë Kardinalin dhe njerëzit e tij. Mediat botërore i kushtuan vëmendje të veçantë emërtimit kardinal të Dom Mikelit, jo vetëm si kardinal i parë nga Shqipëria, por edhe si 92 vjeçar.

Por Dom Mikeli qëndroi gjithnjë i njëjti person, me thjeshtësinë e njeriut të madh, që e karakterizoi gjithë jetën. Ai tha: “Papa më ka zgjedhur mua për kardinal se isha më i moshuari” dhe “titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”

Per fatin e tij te keq dhe per turpin tone kombetar, ky njeri i perendise, kardinali i pare shqiptar, duke filluar nga viti 1945, kaloi 4 dekada te tera ne burgjet dhe internimet e diktatures per te vetmin “mekat” qe besonte ne zot dhe qe nuk besonte ne parajsen e premtuar ne toke te komunisteve.

Pervec kesaj ai ishte edhe vellai i madh i shkrimtarit dhe intelektualit te madh Ernest Koliqi…. Kaq mjaftonte qe studenti i shkelqyer i seminarit ” Corso di Venezia” te Milanos, kompozitori i talentuar dhe patrioti i madh shkodran, te fillonte zbritjen ne rrathet e ferrit komunist.

Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit, ish Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili, si përfaqësues i Selisë së Shenjtë, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri në vitin 1991 e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin dhe klerin e persekutuar, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit.

Ja si e kujtoi Imzot Çeli, vetëm dy ditë më parë, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:

“Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.

Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme.

Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!

Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT