Evarist Beqiri/
Komisioni Evropian i Danubit (European Commission of the Danube ose Commission Européenne du Danube, ‘C.E.D.’) u themelua sipas nenit XVI të Traktatit të Parisit (1856), pas përfundimit të luftës së Krimesë. Konferenca e Parisit (1856) vendosi për të parën herë një regjim ndërkombëtar për të garantuar lundrimin e lirë në ujërat e lumit Danub. Në historikun e kësaj organizate ndërkombëtare do të kishte një rol të rëndësishëm edhe një shqiptar i shquar…
Ismail Qemal Vlora nuk është vetëm kryeministri dhe ministri i parë i Jashtëm i Shqipërisë. Ai është edhe shqiptari i parë, i caktuar si përfaqësues diplomatik në një Organizatë Ndërkombëtare. Dyzet e dy vite para formimit të shtetit shqiptar, në vitin 1870, Ismail Qemali mbante postin e guvernatorit të Tulçës (Tulcea) në Rumani. Porta e Lartë e mandatoi edhe si anëtar të Komisionit Evropian për Danubin.
Komisioni Evropian i Danubit ishte e para Organizatë Ndërkombëtare, ku përfaqësoheshin Fuqitë e Mëdha. Ai synonte lehtësimin e lundrimit në ujërat e Danubit. Studiuesit e konsiderojnë Komisionin Evropian të Danubit si një eksperiment i suksesshëm në të drejtën ndërkombëtare. Është tentativa e parë për bashkëpunim dhe ndërkombëtarizim të fuqisë policore të shteteve sovrane për një kauzë të përbashkët. Komisioni Evropian i Danubit ishte një organizatë unike në llojin e vetë, i cili ushtronte pushtet policor dhe juridik mbi mjetet detare dhe individët në ujërat e gjëra të Danubit.
Komisioni Evropian i Danubit së bashku me Komisionin Qendror të Lundrimit të Rhinit i themeluar nga Kongresi i Vjenës (1815), janë të parat organizata ndërkombëtare në botë. Komisioni Evropian ishte një organizate inovative me natyrë tekniko-politike. Komisioni Evropian u themelua nga Koncerti i Fuqive Evropiane dhe e ushtronte sovranitetin e tij në rrjedhën e lumit Danub. Për të parën herë delegatët e fuqive rivale do të punonin së bashku për hir të sigurimit të infrastrukturës evropiane të transportit. Komisioni Evropian do të shndërrohej në një aktor në arenën e politikës ndërkombëtare dhe do të shërbente si model për themelimin e organizatave ndërkombëtare, të cilat lindën më pas. Komisioni i Danubit është një organizëm ndërkombëtar që vijon të funksionojë edhe në ditët tona…
Komisioni Evropian i Danubit ishte një organ i pavarur dhe burokratik, i cili garantonte zbatimin e normave të gjithëpranuara ndërkombëtare në Danub. Në këtë shkrim po publikojmë për herë të parë për publikun një dokument origjinal të Komisionit Evropian të Danubit. Me anë të këtij dokumenti me nr. 11, të hartuar në Galati, Rumani, më 17 janar 1871, Shkëlqesia e tij, presidenti i komisionit Ismail Beu, kërkon të dhëna lidhur me kohën e ndërtimit të disa shtëpive që gjendeshin në bregun e djathtë të Danubit në Sulina, Rumani. Vlen të nënvizohet fakti që në këtë periudhë Ismail Qemali njihej në komunikimin zyrtar me emrin Ismail Beu (Ismail Bey). Pra, duket se ai akoma nuk e përdorte zyrtarisht emrin Ismail Qemali (Ismail Kemal)…
Ismail Qemali ishte më i riu midis anëtarëve të Komisionit Evropian të Danubit, vetëm 26 vjeç. Ai ishte njëkohësisht edhe president i Komisionit të Danubit. Këtë detyrë ai ushtroi në vitet 1870-1872, duke u bërë kështu i pari dhe i vetmi shqiptar që deri më sot ka arritur një pozicion kaq të lartë në një organizëm ndërkombëtar. Ekziston edhe një foto e rrallë e Ismail Qemalit në këtë periudhë. Aty shfaqen përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Komisionin Evropian të Danubit, diplomatë nga më të shquarit të kohës.
Rëndësia që kishte për kohën kjo organizatë ndërkombëtare shfaqet edhe tek niveli i lartë i përfaqësimit. Fuqitë e Mëdha do të caktonin aty si përfaqësues diplomatët e tyre më të zotë. Përkatësisht, Kolonel (më pas Gjeneral) Sir John Stokes, për Britaninë e Madhe; Baron Adolphe d’Avril, për Francën; Baron Joseph Maria von Radowitz, për Gjermaninë (Prusinë); Baron Henrik d’Offenberg, për Rusinë; Baron Nikolaus von Pottenburg, për Austrinë dhe Kavalier Bernardo Berio, për Italinë. Sot ekziston edhe një pllakatë përkujtimore ku gjendet edhe emri i Ismail Qemalit, pikërisht në farin e qytetit të Sulinës, Tulcea, në Rumani. Ajo u vendos në nëntor 1870, për të përkujtuar ndërtimin e farit nga Komisioni Evropian për Danubin.
Siç e thamë më sipër, Ismail Qemali u emërua në shkurt 1870, guvernator i provincës së Danubit të Poshtëm dhe ex-officio president i Komisionit Evropian për Danubin. Si kryesues i komisionit, Ismail Qemali, bashkëpunoi në mënyrë të shkëlqyer me delegatët e tjerë, si atë britanik, francez, gjerman, rus, austriak dhe italian. Gjatë kësaj periudhe ai do të lidhte miqësi edhe me Kolonelin (më vonë Gjeneral) Gordon, ose siç njihet ndryshe “Gordoni kinez”, i cili do të ishte anëtar i komisionit në vitet 1872–1873. Heroi britanik Charles George Gordon nderohet anekënd botës, për luftën e tij historike kundër skllavërisë. Ai njihet ndryshe edhe si “Gordon Pasha”, “Gordon kinezi”, apo edhe si heroi i Khartumit. Ai humbi jetën përgjatë mbrojtjes heroike të Khartumit, kundër rebelëve sudanez në vitin 1885.
Gordon Pasha e vlerësonte shumë Ismail Qemalin dhe dëshironte që ta kishte në krah të tij edhe në Khartum. Në një letër që ai i dërgonte Ismail Qemalit më datë 24 janar 1877, bën një parashikim profetik, kur i shkruan, ndër të tjera: “Jua kam thënë me kohë, do të bëheni njeri i madh, ashtu mendoj edhe tani. Ruajuni nga aventurierët.”. Gordon Pasha, vlerësonte ngrohtësinë dhe përzemërsinë e karakterit të Ismail Qemalit.
Në periudhën që shërbeu si guvernator në Evropën Juglindore, Ismail Qemali ndërmori iniciativa të ndryshme për përmirësimin e infrastrukturës publike. Por, më 17 korrik 1870, Franca i shpalli luftë Gjermanisë dhe të gjitha punët e mira që ishin nisur u ndërprenë. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, ai u përpoq që të çonte përpara disa projekte për reforma administrative në rajon. Më kryesori ndër to ishte organizimi i shkollave publike në krahinën e Dobruxhas (Dobruja), midis Rumanisë dhe Bullgarisë së sotme…
Foto:
Ismail Qemali dhe anëtarët e Komisionin Evropian të Danubit, në vitin 1871.
Ky dokument publikohet për të parën herë. Ai mban nr. 11, dhe është hartuar në Galati, Rumani më, 17 janar 1871. Shkëlqesia e tij, Ismail Beu kërkon disa të dhëna lidhur me kohën e ndërtimit të disa shtëpive që gjendeshin në bregun e djathtë të Danubit në Sulina, Rumani.
Pllakatë përkujtimore në farin e qytetit të Sulinës, Tulcea, Rumani, nëntor 1870.