• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Qëndrimi i diplomacisë Gjermane ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës”

October 21, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Në periudhën e krizës ballkanike të fillimit të shekullit XX, një konferencë ndërkombëtare për të zgjidhur konfliktet e Ballkanit ishte një nevojë emergjente për të shmangur shpërthimin e një lufte të përgjithshme në Evropë. Kjo nevojë u materializua në Konferencën e Londrës të vitit 1912, e cila synonte të menaxhonte ndikimet dhe pretendimet e shteteve ballkanike pas luftës së parë ballkanike dhe përgatitjen për një zgjidhje të qëndrueshme për Shqipërinë.

Ky studim shqyrton pozicionin e diplomacisë gjermane gjatë kësaj Konference, duke analizuar rolin e përfaqësuesve gjermanë dhe ndikimin e politikës së Berlinit në vendimmarrjet e Konferencës. Në veçanti, trajtohet angazhimi i princit Lichnowsky, ambasadorit gjerman, dhe tensionet mes tij dhe autoriteteve të Berlinit, si dhe qëndrimet e tjera të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare.

Ndërsa Austria-Hungaria, me ndihmën e diplomatëve të saj, kërkonte një Shqipëri të përfshirë tërësisht brenda kufijve etnografikë të shqiptarëve, Gjermania, e udhëhequr nga kritika e Perandorit Wilhelm II, e pa të pamundur mbajtjen e trupave osmane në Shqipëri dhe vlerësoi se parimi i përcaktimit të kufijve në bazë etnografike ishte i realizueshëm vetëm në kushte të caktuara. Përfaqësuesit gjermanë gjithashtu kontribuuan në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe në diskutimet për neutralitetin e saj, ndihmuar nga një koordinim të ngushtë me Austro-Hungarinë dhe bashkëpunim të kujdesshëm me diplomatët e tjerë të Konferencës.

Ky punim ka në fokus ndriçimin e kompleksitetit të rrethanave të krijuar rreth pushtimit serbo-malazez të qytetit të Shkodrës, e cili ishte e vetmja qendër politike administrative shqiptare që do të mbetej brenda kufijve të shtetit shqiptar, natyrisht qëndrimit konsekuent të diplomacisë austro-hungareze. Në këtë rrethanë evidentohet edhe qëndrimi i luhatur i shtetit gjerman rreth kësaj çështje dhe veçanërisht pozicioni i princit Lichnowski, i cili shpesh mbajti qëndrimi që shkonin përtej qëndrimit të shtetit gjerman. Punimi ofron një analizë të detajuar të ndikimeve dhe përpjekjeve të diplomacisë gjermane për të mbrojtur interesat e saj dhe për të ndikuar në rezultatet e Konferencës që do të formësonin hartën politike të Ballkanit për dekadat e ardhshme.

Filed Under: Histori

HASAN PRISHTINA, LUFTËTAR I MADH PËR ARSIMIN SHQIP

October 19, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Hasan Prishtina hyri në jetën politike dhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në vitin 1908, në një moment të rëndësishëm historik, kur rrjedha e historisë e kishte paracaktuar shembjen e Perandorisë Osmane dhe në plan të parë dilte shpëtimi i kombit shqiptar ngë rreziku i copëtimit prej fqinjëve ballkanikë. Ai e kuptonte mbijetesën e shqiptarëve në trojet e veta si luftë që do të bëhet me pushkë, por edhe me penë, prandaj të gjitha forcat e veta ia kushtoj përhapjes së arsimit shqip dhe rritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, si një parakusht për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur. Që në fillim të veprimtarisë së tij politike dhe atdhetare, Hasan Prishtina u angazhua për përhapjen e shkollave shqipe. Në vjeshtë të vitit 1908, ai u takua me krerët e Lëvizjes Kombëtare të kazasë së Gjilanit me ç’rast u mor vendim që në këtë rreth të hapen tri shkolla në gjuhën shqipe: në Pozheran dhe dy të tjerat në Gjilan (Musliu, 2002:418) Një vit më vonë ai ndërmori një udhëtim nëpër Kosovë me qëllim hapjen e shkollave shqipe. Frut i udhëtimit të tij ishte hapja e shkollave shqipe në Gjilan, Morovë, Pozharan (Bashkimi i Kombit, 9, 1909). Jashtë vëmendjes së tij nuk mbeti as vendlindja. Ato ditë, gazeta “Dielli” e Bostonit (26 nëntor 1909) shkruante ndër të tjerash  se: “…lëvizja kombëtare ka nisë m`u ngjallë shumë në Kosov… ndër këto ditë, me të përpjekurat e Hasan Beut, deputetit Prishtinës, u hap një mësonjtore shqipe në një fshat afër Vuçitërnës… pritet për së shpejti qi Hasan Beu të çelë edhe një mësonjëtore tjetër  (shqipe) brenda në Vuçiternë, ku ka shpin`e vet (Rifati,2017).  Pasi vizitoi gjimnazin e Shkupit dhe  dëgjoi kërkesat e nxënësve shqiptarë që mësonin atje, iu drejtua Stambollit me telegram për të lejuar në këtë gjimnaz mësimin e gjuhës shqipe. Dhe me të vërtetë, pas pak kohe, mësuesit  shqiptarë Sali Gjuka dhe Bedri Pejani, filluan të japin aty mësimin në gjuhën shqipe” (Shala, 2004:6; Bela, 2021). Luftën për arsimin shqip deputeti Hasan Prishtina e zhvilloi edhe brenda Parlamentit Osman. Në seancën parlamentare të 2 majit 1911, ai kërkoi që në Vilajetin e Kosovës të hapej një shkollë e mesme Bujqësore, sepse ky territor kishte kushte të përshtatshme për zhvillimin e kulturave bujqësore (Musliu, 2012:482)

Hapjen e Normales së Elbasanit, Prishtina e konsideronte ngjarje me rëndësi të madhe për shqiptarët. Ai e çmonte shumë Normalen jo vetëm si një vatër arsimi e kulture kombëtare, por dhe si qendra e parë e vëllazërimit të rinisë shqiptare (Haxhiu, 1964:17. Me interesimin e drejtpërdrejtë të tij u dërguan në Normale rreth 50 nxënës nga Kosova dhe Dibra, të dërguar nga klubet atdhetare të Shkupit dhe të Dibrës (Historia e Popullit Shqiptar, II: 418), që përbënin një të tretën e numrit të përgjithshëm të nxënësve (Peza-Perriu, 2019: 21). Shkolla normale e Elbasanit shënoi një përparim cilësor në arsimin shqip duke iu përgjigjur nevojës akute të shqiptarëve – mungesës së mësuesve.  

Meqenëse hapja e shkollave në gjuhën shqipe nuk gjeti mbështetjen financiare të qeverisë xhonturke, atëherë Hasan Prishtina i bënte thirrje shqiptarëve të pasur anembanë, që me të ardhurat e tyre, ta ndihmonin financiarisht shkollën shqipe. Në një mbledhje të mbajtur në Klubin Qendror në Stamboll prej shumë çështjeve që u diskutuan, Hasan Prishtina paraqiti edhe çështjen e shkollës shqipe dhe u zotua të jepte 5 përqind të të ardhurave vjetore (Musliu, 2012: 481). 

Në janar 1910 Hasan Prishtina dhe deputetë të tjerë atdhetarë: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj. i dërguan Kryeministrit një letër proteste ku kërkohej që të respektoheshin të drejtat e ligjshme të shqiptarëve, të liheshin ata që të përdornin alfabetin që dëshironin dhe administrate shtetërore të mos ndërhynte në këtë punë (Historia e Popullit Shqiptar, vëll. II, 2002: 420). Hasan Prishtina ishte mbështetës i madh i alfabetit latin të shqiptarëve që u miratua në Kongresin e Manastirit (Myzyri, 1996: 263). Pas interpelancës së deputetëve në Parlament dhe demarsheve të Hasan Prishtinës te Ministri i Arsimit, qeveria e Stambollit kumtoi zyrtarisht se e konsideronte çështjen e alfabetit si problem të brendshëm të shqiptarëve, por ndërkohë arriti urdhëresa që “mësimi i gjuhës shqipe në shkollat private dhe shtetërore të zhvillohej vetëm me alfabetin turk”. Në telegramin e dërguar Valiut të Kosovës, Ministri i Arsimit kishte theksuar se “telegrami i mëparshëm, për mospërzierjen në çështjen e alfabetit, ishte dërguar ngase qeveria me këtë donte të mësonte disponimin e popullit, dhe se vendimi i ri pasoi në mbështetje të vullnetit të shprehur nga vetë shqiptarët” ( The Times, August 05, 1910). Por në praktikë veprohej ndryshe, xhonturqit pushuan nga puna mësuesin e gjuhës shqipe, Bedri Efendiu (Pejani), pastaj komandantin e xhandarmerisë Sheli, sepse djali i tij ishte përkrahës i shkronjave latine dhe ishte larguar nga shkolla e Idadies, po ashtu, ishte larguar nga puna edhe një nëpunës dogane. Dhe të gjithë atyre që u kishin gjetur libra me shkrim latin, i kishin gjobitur me një rrogë. Edhe një mjek i komunës ishte larguar nga puna, sepse emrat dhe diagnoza e të sëmurëve kishte qenë të shkruar me shkronja latine. Klubit të këtushëm (e ka fjalën për klubin e Shkupit) i ishte hequr tabela e mbishkrimit pse kishte qenë e shkruar me shkronja latine” (Mustafa, 2018:95). Reaksioni xhonturk veproi në të gjithë krahinat e vendit por sidomos në Kosovë. Pasi ishin goditur shkollat shqipe të Pejës e të Gjilanit, Valiu i Kosovës në fillim të shkrutit 1910 lëshoi një urdhëresë për ti mbyllur të gjitha shkollat në Vilajet dhe për të hequr mësimin e shqipes nga shkollat turke në të cilat ishte futur disa muaj më par (Historia e arsimit shqiptar, 2003:208). Situata u acarua sidomos pas vendosjes së detyrueshme të gjuhës osmane në shkollat e ciklit të ndërmjetëm. Ky akt, u perceptua nga etnitë e ndryshme si faza e parë e procesit të turqizimit dhe shkaktoi një valë të madhe zemërimi(Ergün,1996:483-484).   Mosmbajtja e premtimeve në lidhje me shkollat dhe përdorimin e gjuhës shqipe ishte njëri ndër tri shkaqet e shpërthimit të kryengritjes së vitit 1912. Si në fillim, edhe gjatë zhvillimit të kryengritjes shqiptare të vitit 1912, u paraqitën kërkesa në lidhje me arsimin dhe shkollën shqipe (Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët (Myzyri, 1996: 362-363). Hasan Prishtina është drejtuesi kryesor i Kuvendi i Junikut, që u mbajt me 21 – 25 maj 1912. Ai është dhe autor i memorandumit dërguar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha. Ku nga 12 kërkesa 5 kishin të bënin me arsimin shqip dhe përdorimin e gjuhës shqipe: 1. Liri të plotë për mësimin e gjuhës shqipe; 2. Shtrirja e të drejtave kombëtare edhe mbi shqiptarët ashtu siç i gëzojnë elementët, të cilët përbëjnë Qeverinë Osmane dhe njohja zyrtarisht e kombësisë sonë; 3. T’u jepen shqiptarëve sigurime absolute se mbas këndej as Qeveria qendrore as Qeveria lokale nuk do të kryejnë kundra shoqërive (klubeve) ato vepra të paligjshme, që kryen deri me sot; 6. Emërtimi i valive e i nëpunësve që dinë gjuhën e vendit dhe njohin doket e zakonet tona kombëtare;  8. Përdorimi i gjuhës shqipe midis organeve qeveritare e popullit, si dhe ndër gjyqe dhe njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare edhe ndër vilajetet e Shqipërisë (AQSH, 102 16: 1). 

Kërkesat sipas pikave përkatëse ishin: 1. Me përdorue në Shqypni nëpunës të praktikuem qi dinë gjuhën e zakonet e vendit; 5. Me themelue e me hapë shkollë reale në të gjitha prefekturat e qendrave të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës qi numërojnë ka nji popullsi ma se 30. 000 frymësh; me hapë edhe shkolla bujqësije si të Selanikut, mbasi vendi në krejt kuptimin asht nji vend bujqsije, si edhe me shti në program të mësimeve gjuhën e vendit; 6. Me hapë shkolla teologjike moderne ndër vende ku asht nevoja; 7. Me kenë i lirshëm në Shqypni të hapunit e të themeluemit e shkollave private; 8. Me u msue gjuha e vendit në shkollat fillestare, qytetse e në gjymnaze (Prishtina, 1921).

Hasan Prishtina ishte i orientuar drejt aleancave që i shërbenin çështjes shqiptare. Bashkëpunoi me austriakët dhe me ndihmën e tyre, në vitin 1915, hapi shkolla shqipe në Vushtri, Mitrovicë dhe në fshatërat, Polac, Pantinë, Smrekonicë, Nevolan etj. Pas pushtimit të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga serbët dhe përfshirjen e saj në Mbretërinë Serbo Kroate Sllovene, Hasan Prishtina kishte reaguar për ndalimin e shkollës shqipe nga pushtuesit sllavë. Serbia i trajtonte shqiptarët si tjetri armiqësor, ekzistenca e të cilit mund të injorohet. Shkeljet e të drejtave të shqiptarëve ishin të tilla sa ishte kombi i vetëm që në shek. XX nuk kishte të drejtë shkollimi, as publikimi të librave dhe gazetave në gjuhën e tij(AMPJ, 1930, 194: 101). Serbët dhe malazezët u treguan më armiqësorë ndaj gjuhës shqipe se turqit. Autoritet serbe mbyllën të gjitha shkollat shqipe, të cilat ishin hapur në kohën e pushtimit austro-hungarez të Kosovës, në periudhën e Luftës së Parë Botërore(Demjaha& Peci, 2016:21).  Hasan Prishtina iu drejtua disa herë organizmave ndërkombëtare, kryesisht Lidhjes së Kombeve, si dhe kryetarëve të Fuqive të Mëdha për çështjen e Kosovës. Me 7 prill 1920, Hasan Prishtina i dërgoi një apel Kryeministrit të Anglisë, ku shkruan: “Që prej afërsisht 14 muajsh, në emër të popullit shqiptar i kam lejuar vetes t’i drejtohem telegrafisht Shkëlqesisë suaj lidhur me pavarësinë e Shqipërisë dhe në veçanti për çlirimin e krahinës së Kosovës aktualisht nën pushtimin serb” Çeku e Desatani, 2015: 314).  Vijojnë pastaj dhe disa promemorie të tjera të tij. Më 15 mars 1927, Hasan Prishtina iu drejtua me një shkresë nga Vjena, Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond, lidhur me gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Jugosllavi(AQSH, 263,1927, 11: 1).  Ai thekson se “Lidhjes së Kombeve, shumë herë i ishin bërë të ditura faktet që provonin gjendjen e dëshprëruar të shqiptarëve atje, megjitatë, asgjë nuk kishte ndryshuar dhe afro një milion shqiptarëve që jetonin në Kosovë e Maqedoni, jo vetëm u qe ndaluar arsimi kombëtar.(Verli, 2016:443-444).  

Angazhimi i Hasan Prishtinës për shkollimin shqip dhe kontributi i tij për të hapur shkolla shqipe është një shembull i rrallë që tregon se ai ishte një atdhetar vizionar dhe realist, që e njihte mirë vlerën e shkollës në rritjen e vetëdijes kombëtare, për të përgatitur propagandist të kualifikuar dhe drejtues të aftë të Lëvizjes Kombëtare që do ta çonin përpara idealin e bashkimit kombëtar.

Filed Under: Histori

Fortifikimi prehistorik i Qytekut

October 18, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Pozicioni gjeo – topografik 

Koordinatat:N. 41.10.32E.20.14.33.51  Z. 683 m.

Shkëmbi ku gjenden rrënojat e vendbanimit që në pjesën më të madhe të tij është i fortifikuar në mënyrë natyrore njihet me emrin Shkëmbi i Qytekut. 

C:\Users\USER\Desktop\Ervini\Shkembi i Qytetit\Shkembi i Qytekut (7).JPG

Fig. 110. Pamje e fortifikimit të Qytekut

Kështjella natyrore “Shkëmbi i Qytekut” ndodhet në luginën e Shkumbinit të Mesëm dhe është pjesë e territorit të fshatit Mirakë. Fshati Mirakë  tani bënë pjesë në njësinë administrative Polis, bashkia Librazhd. Ky fortifikim ndodhet në majën e Shkëmbit me lartësi 638 m mbi nivelin detit. Shkëmbi është tepër i thiktë dhe në të mund të ngjitesh vetëm nga veriu(fig. 110). Shkëmbi i Qytekut ndodhet midis dy shkëmbinjve, i pari ngrihet direkt mbi lumin Shkumbin, kurse i treti i quajtur Maja e Qishësngrihet më sipër Shkëmbit të Qytekut. Të dy këtë shkëmbinj janë të thiktë nga tri anë, kurse në pjesën veriore ata janë të sheshtë. Në pjesën e sheshtë të shkëmbit të parë, ende e pa dëmtuar nga pranoja e një guroreje, gjenden në sipërfaqe  fragmente të periudhës antike ilire, kurse shkëmbin e tretë ne nuk mundëm ta vizitonim. Sipas banorëve në pjesën e sheshtë ka gjurmë muresh dhe këtë e përforcon edhe vetë emri që mbart ai. Të tre këta shkëmbinj nga ana lindore bien direkt në shtratin e përroit të Lugjeve. Gjatë pellgut të përroit të Lugjeve ka një shteg kalimi që niset nga lugina e Shkumbinit drejt qafës së Barit për ta lidhur me fshatrat e malësisë së Çermenikës. 

Pozicioni i përshtatshëm dhe dominues i Shkëmbit të Qytekut bën të mundur jo vetëm vrojtimin e rrugëve për gjatë luginës së Shkumbinit, ku më e rëndësishmja është ajo që në periudhën romake mori emrin Egnatia(fig. 111-112), por dhe shumë nga majat e kodrave ku gjenden rrënoja kështjellash të periudhave të ndryshme (fortifikimi i Shkëmbi Mbret, fortifikimi i Menglit, etj).

C:\Users\USER\Desktop\KKA\Hec Miraka i plot\Foto\Foto të zgjedhura\13. HEC Miraka.JPG

Fig. 111. Pamje e fortifikimit të Qytekut

C:\Users\USER\Desktop\KKA\Hec Miraka i plot\Foto\Foto të zgjedhura\4. HEC Miraka Shkëmbi i Qytetit.JPG

Fig. 112. Pamje e fortifikimit të Qytekut

Burimet historike dhe identifikimi 

Emri i shkëmbit sipas banorëve lidhet me fjalën “qytet”, por që në zonën e Librazhdit dhe Elbasanit dhe më gjerë përdoret forma e saktë “qytet” ose “qytezë”. Një variant tjetër mund të lidhet me fjalën “qytyk” që është një sinonim i fjalës trung. Ndër burimet e shkruara, ku më e plotë është lista e kështjellave të ndërtuara ose rindërtuara nga perandori Justinian I të dhënë nga Prokopi i Cezaresë, nuk ka ndonjë përafërsi me emrin që trashëgon kjo kështjellë apo ndonjë në afërsi të saj. 

Historiku i kërkimeve arkeologjike 

Për herë të parë Shkëmbi i Qytekut është vizituar nga grupi i arkeologëve që ka ndjekur gjurmët e vendbanimeve arkeologjike në luginën e Shkumbinit në vitin 2002, por nuk i kanë publikuar të dhënat që ata kanë parë gjatë kësaj vizite. Më pas në vitin 2017 mjediset rreth saj janë vizituar nga arkeologët N. Ceka, S. Muçaj, S. Xhyheri të cilat panë aty një kohëzgjatje me ndërprerje nga koha e periudhës së bronzit të vonë deri në antikitetin e vonë, të dhëna që m’i komunikuan gojarisht. Në vitin 2018 u realizua një vëzhgim i plotë i kësaj qendre rezultatet e mbledhura për periudhën prehistorike janë objekt i këtij disertacioni.

Planimetria 

Shkëmbi Qytekut, i lartësuar nga terreni përreth krijon një masiv që bie thiktë në tri anë (jug, perëndim, lindje) kurse në veri ai lidhet me një qafë përmes një shtegu të ngushtë që kalon përmes dy rënieve shkëmbore. Nisur nga qeramika që gjendet në sipërfaqe pjesa e banuar shtrihet në pjesën më të lartë të shkëmbit, në pjesën e pjerrët që ndodhet midis platformës së sipërme dhe deri në buzën shkëmbore të anës jugore, si dhe një shesh që ndodhet në anën veriore  midis rënies shkëmbore të majës dhe një rënie shkëmbore që zbret drejt qafës. Nga qafa vetëm një shteg i ngushtë midis dy shkëmbinjve lejon ngjitjen drejt sheshit dhe më pas një shteg i dytë që depërton midis shkëmbinjve të pjesës sipërme të faqes lindore të ngjitë në platformën e sheshtë të majës shkëmbore. Ky është shtegu i vetëm që ndërlidh qafën me masivin shkëmbore, që në pjesën më të madhe ka qenë përdorur si vendbanim në periudha të ndryshme historike(fig. 113 – 114).

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.933\qyteku izoipse OK.jpg

Fig. 113. Pamje e planimetrisë së fortifikimit të Qytekut       

Platforma shkëmbore në pjesën veriore ka vetëm hapësira të vogla midis shkëmbinjve dhe ka qenë e papërshtatshme për ndërtime, kurse në pjesën qendrore shkëmbinjtë janë më të rrallë dhe larg njeri tjetrit duke krijuar disa sheshe të vegjël për ndërtimin e banesave. Nga kjo pjesë mund të zbritet në pjesën jugore deri në buzën shkëmbore, megjithëse terreni është i pjerrtë, qeramika tregon se edhe aty ka pasur banesa. Po ashtu edhe në veri, poshtë majës shkëmbore dhe një brezi tjetër shkëmbore që mbyll faqen veriore dhe lindore të faqes lindore të masivit shkëmbor ka vende të përshtatshme për banim. Ne mundëm të kontrollojmë vetëm sheshet që ndodhen pranë qafës, kurse atë që është mbi rënien shkëmbore që zgjatet paralelisht me përroin e Lugjeve, për shkak të shkurreve të dendura qe e pamundur hyrja në të.  

Në sheshin që ndodhet midis qafës dhe majës shkëmbore qeramika e shumtë tregon se edhe aty ka  pasur ndërtime banimi. Mbetjet e shumta të grumbujve të gurëve poshtë rënies shkëmbore që qarkon sheshin e banuar si dhe në shtegun që lidh qafën me sheshin tregojnë për praninë e mureve me përmasa më të mëdha se ato të banesave. Të parët janë gurë të thyer, pa mbetje llaçi, kurse të dytët me mbetje llaçi. Këta të fundit kanë qenë në murin që mbyllte shtegun. Gjatë vizitës sonë kjo pjesë ishte e prishur nga punimet e bërë për të diagnostikuar shkëmbin nga punonjësit e karrierës për nxjerrjen e blloqeve të gurit. Të dhënat e sjella nga banorët tregojnë se aty ka pasur një mur mbrojtës të ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. 

Nisur nga qeramika që datohet kryesisht në shek. VI m. Kr. muri duhet të jetë pjesë e ndërtimeve të kësaj periudhe duke plotësuar sistemin fortifikues të luginës së Shkumbinit.

C:\Users\User\AppData\Local\Temp\Rar$DIa0.683\Qyteku.jpg

Fig. 114. Pamje e planimetrisë dhe ortofoto e fortifikimit të Qytekut       

Shkumbinit. Poshtë buzës shkëmbore mbi të cilën ndodhet sheshi ka një grumbull të madh gurësh dhe më shumë gjasa ata duhet të kenë qenë pjesë e një muri të ndërtuar me gurë të vendosur në të thatë që do t’i përkiste periudhës prehistorike të cilës i përket dhe qeramika e gjetur në këtë vendbanim.

Vetë forma e shkëmbit të lartësuar dhe të shkëputur në tri anë nga pjesa tjetër ka mundësuar edhe formën e vetë këtij vendbanimi të fortifikuar në mënyrë natyrore. Vendbanimi i fortifikuar në mënyrë natyrore dhe i mbyllur me mur vetëm në shtegun pranë qafës ka një sipërfaqe të përgjithshme 1.5 prej ha dhe sipërfaqe ku mund të ketë pasur ndërtime banimi 0.3 ha. Këto sipërfaqe banimi janë vendosur në lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit në qendër, në pjesën jugore në veri. 

Teknikat e ndërtimit 

Nga mbetjet e materialeve të ndërtimit, gurë pa gjurmë llaçi dhe me gjurmë llaçi ne mendojmë se në këtë qendër të fortifikuar në mënyrë natyrore, në mbylljen e të vetmit shteg që lejon ngjitjen në të i përkasin dy teknikave të ndryshme. Njëra teknikë me gur të thyer të madhësive të ndryshme të vendosur në të thatë dhe tjetra me gurë të thyer të lidhur me llaç gëlqereje. Nga mbetjet për të dy teknikat janë përdorur gurë gëlqeror të thyer me përmasa të mëdha dhe mesatarë.

Fortifikimi i fazës së parë (periudha prehistorike)

Muri i kësaj periudhe ka mbyllur jo vetëm shtegun në qafë por dhe një pjesë të vargut shkëmbor që zbret drejt përroit që në disa pjesë të tij ka mundësi ngjitje. Qeramika e gjetur në sipërfaqe tregon se në këtë periudha gjithë sheshi pas shtegut, platforma e majës shkëmbore si dhe një pjesë e rrafshit në jugë të majës kanë qenë të banuara. Jashtë këtij fortifikimi ka qenë e banuar dhe një pjesë e qafës. Nga kjo periudhë, përveç gjetjeve arkeologjike të lëvizshme (fragmente enësh dhe grih), ne nuk ndeshëm në sipërfaqe mbetje të strukturave të banesave.

Duke u mbështetur në elementët fortifikues të mësipërm, mendojmë që fortifikimi i përket fazës së Hekurit të Hershëm.  Bazuar në tiparet teknike të sistemit fortifikues, të cilat janë të ngjashme me fortifikime të tjera të kësaj lugine si: Bodin, Valsh, Dragostunjë, Qafë Thanë etj. Por që ky përfundim kërkon mbështetje më të plotë arkeologjike.

Fortifikimi i fazës së dytë (periudha antikitetit të vonë) 

Në këtë periudhë është fortifikuar me mur të ndërtuar me gurë mesatarë të lidhur me llaç vetëm shtegu i ngushtë i krijuar midis dy shkëmbinjve, në jug të qafës. Muri u gjet i gjithë i prishur nga ndërhyrjet me ekskavator kohët e fundit dhe vetëm pjesë të shkëputur në përmasa të vogla u gjetën të hedhura poshtë në greminë. Në këta gurë kishte mbetje llaçi që tregon se ato vijnë nga një ndërtim solid që për antikitetin e vonë i përkasin mureve rrethues dhe ndërtimeve kishtare, kurse ato banesave edhe në qytete kanë qenë të ndërtuara me gurë të lidhur me baltë. Meqenëse prania e një kishe është e përjashtuar nga mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme, atëherë këto janë mbetje të murit rrethues. Një gjë të tillë e pohojnë edhe banorë të zonën që kanë parë mbetje të murit me llaç në këtë shteg. Materiali arkeologjik i parë në sipërfaqe është i shpërndarë në tre pjesët e përshtatshme për banim dhe përbëhet nga mbetje tjegullash, fragmente pitosash dhe enë tavoline e kuzhine. Veç tyre u gjetën dhe dy fragmente mokrash. 

Bazuar në teknikën opus incertum të ndërtimit të tij mendojmë që fortifikimi i mësipërm i përket periudhës së Vonë Antike, gjasisht periudhës së Justinianit(527-565).

Filed Under: Histori

EKSKLUZIVE/ SKËNDERBEU DHE ISMAIL BEU, ËNDRRA PËR NJË SHQIPËRI EVROPIANE

October 18, 2024 by s p

nicolae_grigorescu_car-cu-boi_1.jpg
Ismail Qemali-Adrion LTD

Nga Evarist Beqiri*

“Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…” – Ismail Qemal Vlora

Në librin “MAXIMES D’ESTAT MILITAIRES ET POLITIQUES” të mendimtarit të shquar italian Giovanni Botero (1544–1617), – të përkthyer në gjuhën frënge nga Pierre de Deimier (1580–1618) dhe botuar në vitin 1606, në Paris nga shtëpia botuese “Toussaincts du Bray”, – gjendet një shkrim në kapitullin “Des Capitaines Excellens à se Faire Rendre Obeïssance”, pikërisht në faqen me numër 33, ku flitet për Gjergj Kastriot Skënderbeun: “Gjuha e pasur ka qenë jashtëzakonisht avantazhuese midis Kapitenëve modern. Midis tyre ajo ka ndihmuar shumë Gjergj Skënderbeun, për të cilin mësojmë nga historia, se kur ai ishte i armatosur në fushën e betejës, sytë e tij shkëlqenin mrekullueshëm nga gëzimi, gjuha e tij shumë gjallëruese, trimëruese dhe luftarake, i ndizte aq flakë zemrat e oficerëve në misionet më të vështira, saqë i bënte jo vetëm guximtarë dhe kurajoz, por edhe të furishëm e përbuzës ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj vetë vdekjes. Por parimi themelor i bindjes është autoriteti dhe reputacioni, i cili nuk buron gjithmonë nga fitorja: por më tepër nga kuraja e shkëlqyer, vlerat dhe cilësitë e tjera të Kapitenit…”

Çdo udhëheqës ka një hero, një model prej të cilit ai frymëzohet. Makiaveli te “Princi” thotë se: “Për ushtrimin e trurit të tij, princi duhet të lexojë historianët, të shqyrtojë veprimet e njerëzve të shquar, të analizojë qëndrimet e tyre në beteja, të kërkojë shkaqet e fitoreve dhe të disfatave, duke imituar në këtë mënyrë çfarë duhet të imitojë dhe të shmangë, çfarë duhet të shmangë. Para së gjithash, ai duhet të bëjë gjithçka që kanë bërë shumë njerëz të mëdhenj, të cilët duke marrë për model heronjtë e famshëm të lashtësisë, kanë mbajtur përherë parasysh veprimet dhe sjelljet e tyre. Në këtë mënyrë, thuhet se Aleksandri i Madh frymëzohej nga Akili, Cezari inspirohej nga Aleksandri i Madh dhe Skipioni mbante për model Siriusin.” Ndërkohë, Napoleoni gjente frymëzim tek Aleksandri i Madh dhe perandorët romak. Heroi i John F. Kennedy ishte Winston Churchill. 

Ismail Qemal bej Vlora për të gjetur heroin e tij, gërmoi thellë në vetëdijen e përgjumur të kombit shqiptar. Heroi për Ismail beun natyrshëm do të ishte “kalorësi i krishterimit” Gjergj Kastriot Skënderbeu. Filli që e mbajti të bashkuar ndër shekuj lidhjen midis këtyre dy udhëheqësve shqiptarë ishte ëndrra për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Skënderbeu është shqiptari i parë që na dha famën në Evropë, ndërkohë Ismail beu është shqiptari që hodhi themelet e ëndrrës tonë evropiane. 

Ismail Qemali ishte një patriot shqiptar dhe shtetar osman, i cili u shndërrua në kryeministrin e parë shqiptar me pikëpamje dhe vizion evropian. Të dy këta udhëheqës kishin shumë gjëra të përbashkëta. Ata rridhnin nga familje të mëdha fisnike shqiptare, të cilat kishin luftuar Perandorinë Osmane. Ata të dy kishin vuajtur pasojat e kësaj lufte që në fëmijërinë e tyre. Skënderbeu u dha peng te Sulltani kur ishte fëmijë dhe u rrit në oborrin e tij. Ndërsa familja e Ismail Qemalit u internua kur ai ishte vetëm tre vjeç. Osmanët i internuan babanë dhe i vranë gjyshin, për shkak të qëndrimeve të tyre anti-osmane. Më pas, kur shërbente si zyrtar i lartë, Ismail beu u internua sërish, në vitet 1877-1884, dhe madje u dënua dy herë me vdekje në mungesë nga osmanët. 

Të dy, si Skënderbeu edhe Ismail beu punuan për Perandorinë Osmane, duke u shquar si dy individë të jashtëzakonshëm dhe me aftësi të veçanta. Ata u përpoqën që ta ndryshonin dhe reformonin perandorinë. Më pas, kur kjo rezultoi e pamundur, të dy e braktisën perandorinë. Ata iu dedikuan totalisht atdheut, duke u shquar si dy nga udhëheqësit më të mëdhenj që kanë dalë nga tokat shqiptare. 

Ismail beu ashtu si Skënderbeu, iku nga Shqipëria i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë Ismail beun, që të merrej me politikë e të punonte me të gjitha fuqitë për vendin. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi i vendit konsiderohej dhe pranohej nga ai si i shenjtë. Por gjuha shqiptare dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull, për shkak të prapambetjes shekullore. Ato nuk mund të përvetësoheshin nga secili menjëherë. Ismail Qemali e kuptoi nevojën e vendit dhe nuk pati frikë por guxoi të realizonte diçka të madhe. Ai punoi që programet politike të lëvizjes shqiptare të bashkoheshin. Ai luftoi që të ndërmerreshin masa, të cilat t’i shërbenin shoqërisë shqiptare. 

Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ismail beu e njihte mirë historinë e kombit të tij, prandaj dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri simbolikën e datave. Duke kujtuar 28 nëntorin e Skënderbeut në Krujë, ai ngriti flamurin shqiptar në Vlorë, po në të njëjtën ditë e muaj. Simbolika e “nëntorit të dytë” fuqizonte idenë e vazhdimësisë së kombit dhe të identitetit evropian të shqiptarëve. Ajo kërkonte të zgjonte ëndrrën evropiane në ndërgjegjen e fjetur kombëtare. 

Gjergj Kastriot Skënderbeu përballoi me heroizëm ushtrinë më të fortë dhe më të madhe të kohës, ndërsa Ismail Qemal bej Vlora u përball me mjeshtëri të rrallë politike dhe diplomatike me të gjitha Fuqitë e kohës, duke krijuar shtetin e pavarur shqiptar. Të dy ata ishin të ndërgjegjshëm, se asgjë e madhe për lirinë njerëzore në historinë botërore nuk është arritur pa fuqinë e forcës njerëzore… 

Diçka tjetër që i bashkonte këta dy personazhe ishte oratoria. Skënderbeu dhe Ismail beu kishin elokuencën dhe aftësinë për t’i magjepsur turmat. Ata dinin t’i bindnin pasuesit e tyre. Arti i të folurit ka qenë gjithmonë shumë i dobishëm për udhëheqësit. Fjalimi drithërues i Ismail Qemal Vlorës, pesëqind vjet më pas do ti ngrinte peshë shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi. Ja si e kujton ai momentin e Shpalljes së Pavarësisë: “Në një periudhë të shkurtër, u gjeta i rrethuar nga tetëdhjetë e tre delegatët e Kongresit, myslimanë dhe të krishterë, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, pavarësisht, nëse ato ishin apo jo të pushtuara prej ushtrive të huaja. Kongresi u hap menjëherë. Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…”

Vizioni i Ismail Qemal bej Vlorës për orientimin kulturor nga Evropa vendosi drejtimin e zhvillimit të Shqipërisë. Filloi procesi i shkëputjes nga orientalizmi dhe orientimi i vendit nga perëndimi. Pra, shqiptarët ishin tashmë në kërkim të identitetit historik të humbur. Me aktin e pavarësisë kishte nisur largimi nga feudalizmi dhe hyrja në udhën e kapitalizmit dhe të zhvillimit borgjez. Ismail beu është i pari lider me mendësi evropiane i Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut.

Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemal bej Vlora ishin dy udhëheqës shqiptarë që ishin njësoj të rrezikshëm për otomanët dhe ajo çka ata realizuan e konfirmon më së miri këtë të vërtetë historike. “Referuar dokumenteve arkivore të huaja Ismail Qemali ishte një figurë madhështore e kombit shqiptarë, i cili mitologjizohej nga vetë osmanët. Ai ishte një Skënderbe i dytë. Nga dokumentacioni osman, britanik dhe austro-hungarez, nuk mund të diskutohet primati i Ismail Qemal Vlorës, si udhëheqësi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Pavarësi. Ismail Qemali e kishte ideuar projektin kombëtar që para arratisjes nga Stambolli. Ky projekt ishte kamufluar nga Ismail Qemali nën petkun e reformimit të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali u largua nga Perandoria Osmane për një ideal, për t’i shërbyer Shqipërisë.” (F. Duka, 2012). Skënderbeu dhe Ismail beu e shndërruan veten nga lider dhe ofiqar të lartë të Perandorisë Osmane, në liderët shqiptarë që udhëhoqën lëvizjen për largimin e Turqisë nga trojet evropiane.

Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen avullore austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër avullore austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën, para se të zbrisnin në Durrës. Në yjet e një natë magjike shqiptare, Providenca hyjnore kishte vendosur që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet të bënin një ndalesë të fundit dhe të shkurtër, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Skënderbeut. Duket sikur heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte bekimin e tij Ismail Qemalit…

Skënderbeu e ndali hovin e hordhive otomane drejt pushtimit të plotë të kontinentit evropian, ndërsa Ismail beu ishte udhëheqësi që i dha fund sundimit pesëshekullor otoman në kontinentin evropian. Të dyja këto ngjarje historike me rëndësi madhore jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën, u realizuan nga këta dy udhëheqës madhështorë shqiptarë. Ndërkohë, ëndrra e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit për Shqipërinë evropiane vazhdon sot me një tjetër datë historike, që shënon hapja e negociatave midis BE dhe Shqipërisë, më 15 tetor 2024…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Filed Under: Histori

Atdhetarët çamë në SHBA duhet të mbështesin “Diellin” 

October 18, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, me rastin e festës së Flamurit Kombëtar dhe të botimit të numrit special të “Diellit” për Pavarësisë, ka hapur zyrtarisht fushatën e donacioneve, e cila mbyllet më 28 Nëntor 2024. Sipas njoftimit zyrtar, kjo është një traditë fisnike dhe patriotike, ku VATRA u bën thirrje shqiptarëve të Amerikës e më gjërë të kontribuojnë për jetëgjatësinë e gazetës më të vjetër që botohet në diasporën shqiptare. 

Gazeta emblematike “Dielli” është një pasuri kombëtare tejet e çmuar dhe trashëgimi e shkëlqyer e shqiptarëve të Amerikës, është vetë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve mbarë, pra edhe e komunitetit çam që jeton në SHBA. “Dielli”, që ka në themel historinë e kulturën kombëtare, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, datat historike, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar, në mënyrë të vazhdueshme dhe pa ndërprerje ka mbështetur edhe çështjen çame, ka evokuar historinë, kulturën dhe traditën e Çamërisë, duke apeluar pranë  forumeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje, mbi bazën e respektimit të të drejtave të njeriut, për rikthimin e  të shpërngulurve me dhunë. 

Në gazetën “Dielli” dhe në aktivitetet e Vatrës çështja çame është trajtuar si problem i të gjithë shqiptarëve, një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëatre që pret zgjidhje, pas 80 vjetësh nga gjenocidi i tmerrshëm grek. Çështja Çame është një plagë e dhimbshme në trupin e kombit shqiptar, por edhe një peshë e rëndë në ndërgjegjen e kombit grek, ndaj VATRA, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët nuk do ta harrojnë kurrë Çamërinë dhe nuk do të reshtin kurrë përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar në të gjitha institucionet amerikane këtë çështje. Ky ishte mesazhi që kumtoi publikisht, si rrallëkush më parë, Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, live nga Çamëria, gjatë vizitës ekskluzive në viset kombëtare të Çamërisë, më 20 shtator 2024. Zëri i tij është zëri i ndërgjegjes së shqetësuar kombëtare. “Këto vise dikur ishin të banuara me shqiptarë, historia tragjike e të cilëve tashmë dihet, andaj kjo vizitë është hapi i parë i zbardhjes së të vërtetës dhe i ngritjes së zërit për të drejtat themelore të njerëzve tanë atje”, tha publikisht Dr. Elmi Berisha.

Dr. Elmi Berisha deklaroi në mënyrë solemne, me dinjitet të pazakontë, plotësisht i ndërgjegjshëm për misionin e madh, por edhe të vështirë, se ky është orientim nacional i Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës “VATRA”, duke u zotuar që këtë çështje do ta ngrejë në instancat më të larta të shtetit amerikan, për të pasur një dritë shprese për realizimin e të drejtave nacionale, të drejtës në pronë dhe në deklarimin e lirë për përkatësinë e tyre kombëtare.

“Ky hap nuk është vetëm vullnet i imi si kryetar i Vatrës, por është obligim dhe orientim strategjik i tërë lidershipit të Federatës “VATRA”. Nga ky moment dhe në ditët, javët dhe muajt në vijim do fillojmë, me njerëzit më të mirë të komunitetit tonë, që ta ngrejmë këtë çështje në Kongresin Amerikan dhe do të jemi zë i fuqishëm në realizimin e këtyre të drejtave themelore për bashkëkombasit tanë çamë”, theu heshtjen e pajustifikueshme të institucioneve shqiptare e greke Kryetari i Vatrës.

Pas këtij angazhimi solemn, entiteti çam, forumet çame dhe anëtarë të shquar të këtij komuniteti të sukseshëm në SHBA e gjetkë në Perëndim, duhet të ndihmojnë aktivitetin e Vatrës dhe të jenë të jenë të gatshëm, si gjithmonë, t’a ndimojnë dhe t’a përkrahim çështjen pa kursim, me mënyrat dhe mundësitë që kanë. Ky është testi i ndërgjegjes së vërtetë të njerëzve patriotë, është prova jonë historike. Gazeta “Dielli” është ajri i mushkërive të mendimit të lirë kombëtar, është shpirti i Kombit që lufton për të drejtën natyrore, historike dhe kulturore të shqiptarëve!

Federata Pan-shqiptare VATRA, që nga viti 1912 kur është krijuar, mbron idenë e Kombit të Bashkuar. Ajo ka pasur si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.

Kontributi i atdhetarëve çamë në Federatën VATRA dhe në gazetën “Dielli” ka një traditë mbishekullore, që vazhdon edhe sot. Përveç Nolit, Kristo Floqit, Kostë Çekrezit, e shumë e shumë penave të tjera dinjitoze, “Diellin” e  kanë drejtuar edhe intelektualë, shkrimtarë e atdhetarë të shquar me origjinë çame, si Faik Konica, Bilal Xhaferri e Arshi Pipa. 

Faik Konica një nga themeluesit e Federates VATRA, rrjedh nga një familje feudale nga Konica e Çamёrisё.. Me themelimin e Federatёs “Vatra”, mё 1912, ai u zgjodh sekretar i pёrgjithshёm i saj. 

Shkrimtari i shquar çam Bilal Xhaferi shërbeu si zv.editor i “Diellit” në vitet 1970-1972, ku spikati me shkrime të fuqishme kundër inkuizitorëve antishqiptarë. Ndërsa Prof. Arshi Pipa u zgjodh në krye të VATRA-s dhe të Diellit në mars të vitit 1991, ku shërbeu për një periudhë pak më shumë së njëvjeçare.

Siç pohon studiuesi Gëzim Sejko (Gjylbegaj) “Arshi Pipa është një personalitet i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, si dhe një vatran e kryetar i saj për një periudhë kohore, i cili, në një takim me intelektualët e qytetit të Shkodës, ka thënë : “Jam me origjinë nga  Çamëria, prindërit e mi janë vendosur në Libohovë e më vonë në Shkodër”.

Faik Konica, Bilal Xhaferi, Arshi Pipa, etj. krijuan klimën e krijimtarisë letrare, publicistike, shkencore, që i dha hov rritjes e forcimit të komunitetit shqiptar të Amerikës, si asnjë komuniteti tjetër i diasporës shqiptare. 

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Foto e rrallë: Konica në Boston me fustanellë çame (1909)

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha gjatë vizitës në Camëri (20 shtator 2024)

Vatra Manhattan Branch - KRYETARI I VATRES: GAZETA “DIELLI”, URIME  DITËLINDJA E 112-TË! “Dielli”, gazeta më e vjetër në botën shqiptare feston  112 vjetorin e themelimit të saj. Sot është një ditë

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT