• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur Fan Noli kërkonte nuse. Botuar në “Koha Jonë”, 2002 dhe “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” 2015

November 6, 2023 by s p

ROLAND QAFOKU/

Që i madhi Fan Noli vdiq beqar, kjo nuk është ndonjë histori e re. Por që një nga eruditët më të mëdhenj që ka nxjerr kombi shqiptar, të jetë përpjekur gjatë për të gjetur nuse dhe këtë nuk mundi ta arrinte, kjo përbën atë pjesë të panjohur të jetës private të këtij gjeniu. Faktet na kthejnë në kohë 93 vjet më parë, kur Noli ishte 26 vjeç dhe sapo themeloi Kishën dhe kishte si emergjencë martesën me një vajzë siç e donte ai. Një letër e arkivuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bukuresht dhe në Shqipëri, e shkruar nga Noli me dorën e tij na sjell pasazhe të kërkesës së tij për një bashkëshorte. Dhe për këtë iu është drejtuar Shoqërisë shqiptare “Bashkimi” në Bukuresht. Me një gjuhë elegante që vetëm ai diti ta përdorte në atë kohë, Noli kërkon doemos një grua shqiptare për të qënë priftëresha e tij e ardhshme. Po përse kërkonte Noli nuse? Në letër ai tregon se arsyeja e parë ishte që duke qënë beqar armiqtë e shqiptarëve do të nisnin nga shpifjet dhe intrigat për të diskretituar figurën e tij. Por, e veçanta është se këtë grua Noli e kërkonte me doemos shqiptare. Nëse ajo do të ishte e huaj, mundësia më e madhe ishte të ishte ruse, pasi pagëzimin do tia bënet Episkopi rus. E për të shmangur të gjitha këto keqkuptime Noli e gjeti zgjidhjen tek kërkesa drejtuar bashkëatdhetarëve në Bukuresht.

Kushtet për nusen

Noli në fakt nuk ka shkruar thjesht një letër për të gjetur ca mblesë perfektë dhe kaq. Me shumë talent ai ka renditur dhe arsyet për një hap të tillë. Interesante është njëra prej tyre janë gojët e liga. Dhe në një nga paragrafet ai shkruan: “… armiqtë do të kenë të thonë: “Uh, po prift është ay? Po ay rent pas grave! Unë e pash një ditëzaj që…etj…”. Por mes të tjerave Noli rendit edhe kushtet se si e kërkon nusen. Edhe në këtë moment shkrihet talenti i tij i madh. “Do mos pyes se është e qytetëruar a e egërtë, e pasur a e varfër, e bukur a e shëmtuar, veç priftëreshë të doj të bëhet dhe të ket kurajë që të çajmë Atlantikun” shkruan ai teksa radhit një e nga një “kondiciet” siç e përdor ai fjalën “kushte”. Megjithatë edhe pse duket si pa shumë pretendime, Noli nxjerr në pah edhe një nga cilësitë e tij. “Mos ma zgjidhi shumë të egër se s’kam virtytnë të jem shtëpiakësor i egërsirave madje as aq të shëmtuar”, duke e komentuar këtë se “jam pakëz poet”.

Përshkrimi i vetvetes

Përshkrimi i vetvetes nuk ka vetëm vlerë për të mësuar tipin e të madhit Fan Nol. Mes portretit të tij Noli nuk harron sërish të shkrijë cilësitë me figurat letrare aq sa gati të duket se jemi në një nga krimet e tij dhe jo në një letër të thjeshtë. “Nuses nga ana ime do t’i thoni se natyra nuk më bëri të bukur si Adamin, por dua nga zotëria juaj ta bindni se jam i zoti t’ushqej një grua e ca më shumë një priftëreshë” shkruan ai mes të tjerave.

Përfundimi

Nuk dihet se çkanë bërë atdhetarët e Bukureshtit pas marrjes në dorë të kësaj letre. Nuk dihet gjithashtu se cilat vajza me kombësi shqiptare kanë qënë kandidatura për të qënë në krah të Nolit. Për këtë deri tani nuk ka fakte dhe letra të këtij lloji. Por vetëm një gjë është e sigurtë. Noli nuk mundi të gjejë kurrë një nuse e të kalonte jetën me të. Si një beqar i betuar, ai tërë jetën e shkriu veprën e tij në dobi të atdheut dhe kombit. Këtë e vërteton edhe fraza: “Ndihmën që ju kërkoj, nuk jua kërkoj për veten time, por për tërë Shqiptarët e Amerikës”. Dhe tërë historia e jetës së tij e vërtetoi më së miri.

LETRA

I ndershmi Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” në Bukuresht

Pas shumë mejtimesh bashkë me direktor i “Kombit”, i dhamë fund, se më e mira udhë për të bërë propagandë këtu është udha e fesë meqënëse një nga ndalimet e mëdha për çështjen t’onë është fanatizma që ka mbiellur prifëtria, dhe kjo fanatizmë sikundër është mbiell prej priftërinjsh, gjithashtu duhet të ç’tarret e të ç’rrënjoset prej priftërinjsh, me ndryshim që këta priftërinj duhet të jenë shqiptarë ortodoksë. U mejtuam pra të themelojmë këtu në Boston një kishë Ortodokse Shqip me prift Shqiptar dhe me gjuhë meshimi Shqipen. Kjo gjë, në u bëftë, përveç tërbimit të armiqëve t’anë, do të ket edhe një rëndësi të madhe për përparimin e punës sonë këtu në Amerikë. Jemi shigur që me anën e Kishës do t’i bëjmë tër ato që mund t’i bëjmë tani.

Sa për priftin nuk u mejtuam shumë se është ay që ka nderë t’ju shkruajë. Shkaku që na shtrëngoj të mos e bëjmë porsa mejtuam është priftëresha e para, dhe e dyta që duhej ta mësoj Russhen dhe ashtu të më bëjë prift Episkopi Rus i Nju Jorkut. Po do të më thoni: mundni të mësoni pak Russhe dhe behi prift pa priftëreshë?

E lë mënjanë që s’di asnjë gjuhë sllavishte që të më ndihe për Russhen dhe duhet kohë shumë dhe nge dhe kohë më rehat, të cilat s’i kemi, po dhe këto të muntnja t’i kapërzenja, prapë ndalimi i priftëreshës do t’ishte mjaft që të më pengonte. Sepriftëresha një her po të jet e huaj Shqiptarët armiq dhe grekomanë do të nisin të thërresin e të shpifin: Ah një herë vate na mori një grua të udhëve dhe na e bëri priftëreshë.

Pa priftëreshë ca më mirë për mua se as ner ment s’e kam të martohem, por ca më keq për punën t’ime, se me qënë se jam i ri, prapë armiqtë do të kenë të thonë : “Uh, po prift është ay? Po ay rent pas grave! Unë pashë një ditëzaj që …….etj….”

Dhe kështu nevoja më shtrëngon të bëhem prift… me priftëreshë Shqiptare. Fundi është që mentohem të vijë në Rumani… dhe të bëhem prift aty. Tani mbetet një pik e errët, të cilën ju lutem ta ndritni me një letër pasi të mejtohi tërë pleqërija dhe tërë komiteti të cilit i ka shkruar Sotir Peçi.

1. A munt të bëj prift mua nje Episkop Rumun?

2. A mund të më gjeni aty një priftëreshë Shqiptare? Këtu duhet të shtoj se Rumanishten kam kurajo të mësoj gjer sa të vij aty po të më dërgoni një metodë freng-rimanisht ose rumun-frëngjisht….Sa për priftëreshën ju jap lirinë të ma zgjidhni juve pa kondicie. Do më pyes se është e qytetëruar a e egërtë, e pasur a e varfër, e bukur a e shmëtuar, veç priftëreshë të doj të bëhet dhe të ket mjaft kurajë që të çajmë bashkë Atlantikun. Duhet shtuar se do mos jetë aq e mirë për mua po të ma zgjidhni dhe shumë të egër se s’kam virtytne të jem shtëpiakësor i egërsirave, aq sa të varfër sa të mos ketë navllat e saj për n’Amerikë, as aq të shëmtuar sa të më bëj efekt emetiku se jam pakëz si poet, por me gjithë ato unë prap do t’a marr se më lipset dhe juve s’kini përveç të më gjeni një….

se është nevojë e madhe.

Nuses nga ana ime do t’i thoni se natyra nuk më bëri të bukur si Adamin, por dua nga zotëria juaj ta bindni se jam i zoti t’ushqej një grua dhe ca më shumë një priftëreshë. Më së fundi i thuaj se babai im s’është i varfër po të vij gjer atje sëra. Shumë ju lutem të përpiqi për këtë punë dhe të më përgjigji për së shpejti se atdhetarëve këtu u kemi dhën fjalën që do të behet kjo dhe e presin me gojë hapët dhe nuk dimë si t’i vëmë fre flagës së tyre. Më duket se kondiciet s’janë dhe aq të rë nda dhe pandeh se do të bëni ç’ju vjen nga dora që të sielim bashkë me dritë një nga ato punë, të cilat e kanë rëndësinë me vete dhe s’duhet as poet as orator që tu ngrerë vlerën.

Ndihmën që ju kërkoj, nuk jua kërkoj për veten time, por për tërë Shqiptarët e Amerikës. Unë nga ana ime bëra dhe bëj atë therore që mund. Nëqoftë nevoja ca më tutje për më shumë, do mos e kem për nder të mbeten prapa.

Mund të themi se kjo punë do mos ketë rëndësi të veçantë për Shqiptarët e Amerikës vetëm po për tërë Shqiptarët…Në e patsha fatnë të vij aty do i shkoqitim ca më mirë.

Pritni të falat e mia, munt desh Perëndia dhe mua

I juaji për jet

Fan Noli, 1909

Diciturat:

Foto 1: Fan Noli, në detyrën e kryeministrit, 1924

Foto 2 dhe 3: Pjesë nga libri “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, Botimi 1, 2015, Botimi 2, 2017.

Foto 3: Pjesë nga letra orgjinale e Fan Nolit për shoqërinë “Bashkimi” në Bukuresht.

Filed Under: Histori

FALSIFIKIMET E MËDHA HISTORIKE TË SHEKUJVE!

November 6, 2023 by s p

– Historiani Jusuf Buxhovi në veprat “Kosova” e përkthyer në anglisht, “Maqedonia” dhe “Dardania”, nxjerr në pah falsifikimet e mëdha të historiografisë serbe, që kanë të bëjë me mesjetën dhe të ashtuquajturin shtet mesjetar serb në Kosovë. Historiografia institucionale shqiptare duhet të vazhdojë tashmë këtë betejë të nisur për të vërtetën historike në mënyrë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse.

Essat Bilali

Ka shumë gjëra të habitëshme në botë. Po me i habitshëm ndër këto, madje që të lë me gisht në gojë, ështe falsifikimi, deformimi dhe zhdukja e të dhënave. Kjo e keqe e madhe njerëzore, në trajtë të veçantë ka gjetë shprehi në Ilirik, i cili emër u falsifiku duke u shndërruar në Ballkan. Keto falsifikime te medha janë dy dhe njera ka ndodhur në kohë të lashta, nja dy mijë e pesëqind vjet më parë dhe tjetra në qindvjeshin tetembëdhjetë.

E para ka lidhje me veprën monumentale të Homerit “Iliada”. Siç vërtetohet (Jusuf Buxhovi, “Dardania in Ancient and Medieval Times”, 2013 ) ajo ka qenë vepër epike e përbërë nga shumë këngë, e sajuar nga Pellazgët, paraardhësit e Ilirëve. Por me ardhjen e Doranëve në Ilirik (Ballkan), të cilët pasta u shndërruan në Helenë e Grekë, për shkaqe të ndryshme, jo vetëm e përvetësun vendin e Pellazgëve, por edhe vlerat e tyre shpirtërore bashkë me zotin Zeus dhe me Oraklin e Dodonës pellazge. Kurse të dhenat e shkruara si “Iliadën” e Homerit e “redaktuan”, jo vetëm për ta zhdukur prejardhen e saj, por edhe për ta përvetësuar atë. Këtë punë do ta bëjë, me ndihmën e “Këshillit editorial” të tij, tirani i Athinës Pizistrat-i në vitin 560 para kohës së re. Po ata nuk ia arritën qëllimit plotësisht, se “Ilida” edhe në këtë gjendje tregon se ka qene vepër e kulturës pellazge, paraardhësve të Ilirëve, stëgjyshërit e shqiptarëve. Po kështu ata bënë edhe me alfbetin pellazg, të cilin e quajtën fenikas, ndonëse ai ishte i Pellazgëve. Këtë e tregon qart Diodorus-i, historian i njohur i lashtësisë, kur thotë: “Unë i quajta ato germa fenikase kryesisht sepse janë ata që i sollën ato te Helenët nga Phoenicia, por janë të parët Pellazgët që i kanë përdorur këto karaktere pasi ia kanë përshtatur ata gjuhes së tyre”, të cilin e ka përdorur Orfeu dhe Pronaprida – mësues të Homerit (J. Buxhovi, “Dardania, Ancient and Medieval Times”, 2013 Huston, USA. Kështu ka ndodhur me mendimtarin me nam Pitagora, kështu ka ndodhur me Aristotelin, mësuesin ilir të Aleksandrit të Madh dhe kështu ka ndodhur edhe me shumë Pellazgë të tjerë, paraardhës të shqiptarëve!

Kurse e dyta ka lidhje me përpjekjet e priftërinjëve rusë në qindvjetshin XVIII dhe XIX për të falsifikuar, deformuar dhe përvetësuar të dhënat kishëtare ortodokse lidhur me Dardaninë mesjetare për ta sllavizuar. Kjo sjelle e pistë do të zhvillohet në trajta të ndryshme. Njëra është falsifikimi i të dhenvave kishëtare ortodokse me metoda të ndryshme si kinse për t’i përmirësuar dhe, pasi e kopjojnë atë sips qejfit të tyre, e shpallin se “origjinali nuk egziston”, sigurisht se pas kopjimit e kanë zhdukur pë të fshehur të dhënat që dëshmojnë praninë dhe rolin e arbërve në Dardani dhe Ilirik. Kurse një tjetër është anashkalimi i të dhënave, keqinterpretimi i të dhënave dhe sajimi fantastik i të tjerave në kurriz të mohimit të të tjerëve, sidomos të arbërve. Kurse një tjetër është konvertimi (kthimi) i fisit ilir të Tribalëve me Nemanajt në serbë për të përvetësuar jo vetëm historinë e tyre, por edhe për të rritur numrin e sllavëve që u quajtën serbë, në trajtë që të sajohen kushtet për sajimin artificial të shtetit sllav serb, gjë që ia arritën me përmasa të mëdha duke përvetësuar edhe Rashën Dardane në dem të iIiro shqiptarëve. Këto dokumente u manipuluan nga priftërinjët ortodokse ruse të Odesës, të cilët pastaj sillen nëpër

kisha ortodokse dhe përhapen ne Europë. Këtë e vë në dukje qartë historiani serb N. Novakovic. Ai thotë: “Historia e Serbisë është arnuar nga shkrimet e priftërinjëve rusë” (J. Buxhovi, “Dardania, Antika dhe Mesjeta”, 2020, Faik Konica, Prishtinë.

Kurdo që në histori dalin në shesh të dhëna të reja, paraqitet nevoja për rishikimin e saj dhe kështu revidimin e saj. Këtë e kërkon e vërteta shkencore. Në këtë dritë, pyetja shtrohet se a do të ndodhë e njëjta gjë edhe me këto të dhëna që ka zbuluar dhe sjellë në dritë nga dokumentet e fshehura dhe të deformuara me qëllime tendencioze të pista studjusi, shkrimtari dhe historiani guximtar Jusuf Buxhovi? E vërteta jo vetëm përndiqet, por edhe vuan, por ajo herët ose vonë del në dritë…

Filed Under: Histori

Kisha Katolike në Shqipëri përkujton Lumnimin e 38 Martirëve

November 6, 2023 by s p

Eliona Kodra Shkreli/

Populli ynë shqiptar pergjatë shekullit të kaluar përjetoi diktaturën më gjakatare në Europë. Regjimi komunist vrau, shtypi dhe përndoqi çdo person qe ideal kishte lirinë, dashurinë ndaj Zotit dhe Atdheut. Martirët tanë me idealin e tyre janë shembulli konkret i urrejtjes që komunizmi si ideologji kishte ndaj lirisë që feja mëson.

Sot Kisha Katolike në Shqipëri përkujton Lumnimin e 38 Martirëve, si një deshmi e gjallë e të jetuarit të Ungjillit ashtu si Apostujt e parë të Krishtërimit.

Dom Mikel Beltoja ishte vetëm 29 vjeç kur u ekzekutua nga regjimi komunist. Ai është i vetmi meshtar që ndoqi rrugën e meshtarisë pasi regjimi ishte instaluar ne Shqipëri, madje ishte i vetëdijshem për rrezikun që i kanosej. Ishte data 19 prill 1973, kur i vunë prangat. Kaloi gjashtë muaj hetuesie të llahtarshme. Përballoi një gjyq heronjsh. Foli aq hapur kundra diktatorit e diktaturës, sa kriminelët nuk mundën t’a përmbanin veten. Iu vërsulën aty, në sallën e gjyqit dhe nisën ta torturonin me mjete primitive. Ia bënë trupin vrima-vrima me biza, duke tmerruar të madh e të vogël në sallën e mbushur me njerëz, që i kishin sjellë aty me detyrim. Ndërsa derdhej përdhe’ gjaku i martirit, gjykatësit e shndërruan vendimin nga 7 vjet burgim, në dënim me vdekje.

Në sallen e gjyqit, pa u trembur, i Lumi Dom Mikel Beltoja ne mbrojtjen e tij do të thoshte:

“E di fundin tim, e di që e keni marrë vendimin për mua… E di që komunizmi është armiku i përbetuar i fesë dhe i kombit. Kjo urrejtje për fenë, dhe veçanërisht për meshtarët, është dëshmuar edhe në vende të tjera… dhe këtu, në Shqipëri, pas ardhjes së komunizmit, me një genocid të pashembullt të klerikëve të të trija feve. Unë nuk jam as meshtari i parë dhe as i fundit, që jam duke u dënuar. Por Zoti ju faltë dhe u pendofshi një ditë për atezimin tuaj. Zoti është i mëshirshëm për ata që kthehen në udhën e pendesës…”.

“…Çfarë të keqeje i ka bërë feja kombit? Gjatë shekujve, deri në ditët tona, tri fetë kanë jetuar në harmoni duke dhuruar forca intelektuale në planin kulturor, moral dhe shpirtëror në dobi të fesë së popullit… Feja është balsam për shpirtin dhe e çon njeriun kah udha e drejtë e Hyjit, kundër prishjes morale; me mësimet e saj krijon dinjitetin e jetës familjare dhe shoqërore për të mirën e popullit. A e shikoni Biblën me Dhjetë Urdhërimet e saj! Doja t’ju pyesja edhe: ku janë shtatë kishat e Shkodrës, që, me urdhër të diktatorit Enver Hoxha, janë shkatërruar apo janë kthyer në magazina, depo, qendra kulturore?.

Vëllezër, meshtarët e kanë dhënë jetën e tyre në këto 25 vite në qelitë e këtij burgu, janë pushkatuar në zonën e Zallit të Kirit, duke thirrur e shpallur deri në fund Krishtin dhe fitoren e tij! Këta kanë qenë shqiptarë të vërtetë, sepse nuk e kanë tradhtuar as Krishtin, as fenë, as Atdheun, as Shqipërinë!… Edhe unë kam të njëjtin mendim dhe do t’i qëndroj besnik deri në fund të jetës sime!”.

U pushkatua më 10 shkurt 1974, në afërsi te bashkimit të lumejve Bunë e Drin.

Martirët shqiptarë janë dëshmi e gjallë e dashurisë ndaj fesë e atdheut. Të kujtojmë këto dëshmi e të mos I harrojmë kurrë e madje t’i përcjellim brez pas brezi në mënyrë që të mos kthehemi më kurrë në atë sistem dhe diktaturë.

Të Lumët martirë, lutuni për Shqipninë e shqiptarët, amen

Filed Under: Histori

Shkodër, 4 nëntor 1990, kremtimi i Eukaristisë që sfidoi diktaturën, Simon Jubani çon meshën e besimit

November 4, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Më 4 nëntor të vitit 1990, në Kapelën e varreve katolike në Rrëmaj, Shkodër, dom Simon Jubani do të çonte t’parën mesh që prej kobit që shteti ateist i shpalli fesë dhe besimit, arsyes së hyut dhe sublimes së krijuesit më 1967. Mbi rrënajat e një persekutimi kohëgjatë dhe martirizues, fjala e Zotit rierdhi për të ringritur tempullin e lartë të komunikimit shpirtëror, të qasjes sonë eterne, për ngrohur zemrat e krisura dimrave të gjaksorit të kuq… dhe për të sfiduar diktaturën. Askush nuk do ta besonte, por ajo ndodhi kaq papritur dhe shpërtheu kaq fuqishëm, siç ngjajnë të gjithë mrekullitë e potencialeve eksploduese të shpirtit. Një kurajo prej martirësh ngrihet vullnetlirë për të kumtuar ngjalljen. Shkodra, një qytet i persekutuar do të bëhej shtegu prejnga do të riniste udhën e shëlbimit fjala e Zotit dhe vullneti hyjnor.

Ndodhi kaq papritur. Shpërtheu si një zjarr që ndrydhej e zatetej gjithë trazim në skutat e drojes. Fluturuan bashkë me erën e ftohtë të atij nëntori shpirtrat e mbajtur për 23 vjet të kyçur në kafazet e hekurt të ndalimit. Peshë u ngritën zemrat e atij ngazëllimi të beftë. U shndritën sytë, e lot u pikuan, kur dëgjuan fjalën e ringjalljes, kumtimin e shpresës, zërin e kushtrimeve.

Ndërmendje

Java e të shumëve, ose ditët e purgatorit. Shkodër 4 nëntor 1990. Është e shtunë, ora 9:00, shoferi Mark Morana trokiti në derën e dom Simon Jubanit dhe i tha këto fjalë: “Dom Simon, populli asht mbledhë nder vorreza dhe po të pret për meshë!.., dëshmon meshtari në një ndërmendëse të asaj kohe. “Bana gadi shpejt çka i kishte shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë teme, gjatë 26 vjetëve: Mesharin latinisht, nji stolë, nji kelk, nji purifikues, nji korpiral dhe nji kryq. Kur mbrrijta ndër vorre, Marku solli nji tavolinë të zakonshme e nji shtroje mbi të cilën vendosa çka nevojitej për Meshë e improvizuar. Para 300 vetve të ndodhun nder varreza, për nji Meshë të pasigurtë, ma tepër për lutje e divocjone personale, tue pastrue barna e tue përkdhelë banesën prej dheut, nga ku do të ngjallemi nji ditë me të dashtunit dhe të paret tonë”, vijon dom Simon Jubani në “ Meshët e mia” për atë ditë.

Ishte java e t’shumëve

Plot 29 vjet më parë, banorët e Shkodrës, kah kishte mbërrit zani e kah amaneti i të parëve i ftonte ata në këtë javë të shumëve, për me u bashku me devocion e mirënjohje. Gjithkush guxoi, morën pjesë në ringritjen e Kapelës, në varrezat katolike të këtij qyteti, ku edhe u mbajt mesha e pare, e udhëhequr nga dom Simon Jubani. Kjo meshë shënon rifitimin e lirive fetare në Shqipëri, ringjalljen e besimit, të cilin diktatura e shtypi me zjarr e me hekur. Në themelet e kësaj kurajoje shënohet fundi i një kapitulli turpi, me të cilën komunizmi ndëshkoi jo Zotin, as fenë, por gjithë atë traditë dhe kulturë të kahershme fetare, gjithë atë përpjekje ngadhnjyese të klerikëve për dijen dhe arsimin, gjuhën dhe atdheun. Në këtë shkëndi të parë të shpresës, ndezën besimin dhe guxuan ti luten Zotit, jo ma si deri atëherë, duke u fshehur prej syve të botës.

Për famulltarinë e Shkodrës dhe të gjithë besimtarët, 4 nëntori i vitit 1990 është rikujtim i atij guximi që mundet me e jetësu vetë besimi në Zot. Kjo datë është një detyresë mirënjohjeje për të gjitha ata, që u bënë shëmbëllim i një akt solemn. Kjo meshë, shënon një veçanti më së shumti për kohën në të cilën u mbajt. Bisha e përbindshme e diktaturës po zvarrej në agoninë e vet. Në këtë cak të grahmave mund të ishte më e rrezikshme se kurrë. Por Zoti ishte me guximtarët. Kremtimi i kësaj Meshe shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste, rifitimin e lirisë fetare. Të drejtën për të besuar dhe për tu lutur pa patur droje se për këtë do të ndëshkohesh, se për këtë do duhej të paguaje një çmim të shtrenjtë.

Kush ishte dom Simon Jubani?

Po kush ishte dom Simon Jubani, ai që guxoi kaq shumë, ai që rizgjoi në vullnetet e besimtarëve Krishtin. Kalvari i gjatë i kacafytjes me komunizmin për dom Simonin fillon në vitin 1963 kur ai do të dënohej. Ai ka vuajt 26 vjet burg në Burrel, si antikomunist. Ka kaluar ditë dhe muaj në një birucë që mbante edhe emrin e tij. Ma shumë se katër vite është dergjur pa shtroje dhe mbulojë, pa ushqim dhe cigare. Vetëm me bukë thatë dhe me një racion ujë në tre vakte ai do të mbahej në jetë. Mbas ardhjes së Jozef Shtraus, me kërkesën e Tij për “lirimin e të burgosurve politik…” edhe don Simoni, është liruar nga burgu i Burrelit, më 13 Prill 1989.

Dom Simon Jubani, lindi më 8 mars të vitit 1927 në Shkodër prej një familje të devotshme katolike, e cila i fali Kishës e Atdheut dy meshtarë: martirin e intelektualin dom Lazër Jubani, i cili u helmua me arsenik nga policia sekrete komuniste në vitin 1982, dhe të guximshmin dom Simon Jubani. Me 4 maj të vitit 1958, Dom Simoni shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba, dhe dërgohet të shërbejë në Abacinë e Mirditës.

Mbas veprës Madhështore të Meshës së Parë, më 4 dhe 11 Nëndor 1990, dom Simon Jubani është i pari klerik katolik shqiptar, që është thirrur në Vatikan në një audiencë me Papën Gjon Pali II.

Për kontributin e çmueshëm mbarëkombëtar që Zoti i besoi, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi diplomën “ Doctor Honoris Causa” në shkenca humane me motivacion: “Protagonist i një epoke të re në Shqipëri”. Shteti i Miçiganit e ka nderuar gjithashtu dom Simonin me një “Special Tribute”. Pas rënies së komunizmit shërben për disa vite përsëri në malet e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim të madh dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë e rrëfyestores së Katedrales së Shkodrës.

Pas një hemorragjie cerebrale, në moshën 84-vjeçare, dom Simon Jubani mbylli sytë në orët e para të mëngjesit të 12 korrikut 2011 në Spitalin Rajonal të Shkodrës nën kujdesin e mjekëve, gjithnjë duke besuar se vetëm tek Zoti ka me pasë drejtësi dhe shpërblim.

Don Simon Jubani ka shkruar: “Ateizmi në Shqipni gjoja e kishte gjetë supernjeriun, Enver Hoxhen, dhe ky donte të fitonte me gjak e terror ç’ka Kisha e kishte fitue me lutje, zotësi, mund e djersë. Dhe si të gjithë tiranët që skllavnuen Popullin e Perëndisë, edhe ky mori mallkimin e Popullit të Zotit, u shtyp si miza dhe perfundoi në koshin e plehut të historisë, e megjithkëtë, salvuesit nuk kanë mësue nga historia!..

Ditët që pasuan 4 nëntorin

Me datën 6 Nëntor 1990, dom Simoni u thirrur në Degën e Brendshme të Shkodrës nga kryetari i asokohshëm, Çapajev Taçi dhe shefi policisë Dilaver Papare, të cilët e kërcënuan për të mos me thanë me datën 11 Nëntor, Meshën që kishte paralajmëruar popullin e Shkodrës me datën 4.

Dom Simoni ishte përgjigjur: “Doni a nuk doni ju, unë Meshën me 11 do ta them!” Dhe ashtu ndodhi.

Frika se mund të kishte trazira ishte e madhe ndërmendin dëshmitarët e 29 viteve më parë. Dom Gjergj Simoni dëshmonte për disa ngjarje të pazbardhura ende, që çuan deri në kremtimin e meshës solemne në Rrmaj. “Një javë përpara se t’u thote mesha e parë e 4 nëntorit 1990, në universitetin Luigj Gurakuqi kishte ardh kryeministri i atëhershëm Adil Çarçani. Duke biseduar me universitarët dhe profesorat e kishte lëshu një fjalë që në popull u duk çudi, se mund të hapen edhe kishat. Ato ditë, pas kësaj që u përhap edhe në popull kanë shkuar disa të rinj tek dom Simon Jubani. I kanë thënë a e kremtojmë një meshë tek varrezat?! Dom Simoni i ka thënë po. “Unë jam dëshmitar okular se i kam ndjekur të gjitha këto ngjarje dhe duke shkuar tek varrezat aty në afërsi ku sot është rruga “Lin Delia” mbi tarraca kam parë ngado automatikë e mitralozë. Po ashtu gjatë javës nga data 4 deri me 11, sigurimi ka thirrur shumë meshtarë të dalun prej burgjeve. Thirrën Padër Aleks Bashlin, Leon Kabashin, Gjergj Vatën e tjerë e tjerë. Ndër to, ka qenë edhe vëllai im monsinjor Zef Simoni që e kam shoqëruar deri në hetuesi tek ish-dega. Unë e kam shoqëruar dhe kam qëndruar jashtë duke e pritur për nja 2 orë.

Kur doli nga ish-dega e shoqëron deri jashtë një ish-hetues, i cili kishte shtëpinë afër nesh në një apartament. Ky ish-hetuesi nis e bisedon për meshën që pritej të kremtohej se mos të ndodhin turbullira. Nuk kanë si me ndodh turbullira i them unë, sepse në kishë nuk është vrarë kush ndonjëherë. Nëse ju i trazoni ato të rinjtë, atëherë mundet me ndodh ndonjë problem, por nëse ju i lini të qetë gjithçka ka për të shkuar përsmarit. Në të vërtetë ashtu ndodhi. Kërkush nuk i ngacmoi. Gjatë meshës dhe pas meshës unë kam parë njerëz duke qarë me lot në sy”.

4 nëntori 1990, mbeti e paharruar në mendjen e zemrën e shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve, që nuk e kishin harruar Zotin, që nuk kishin mohuar fenë pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror, torturash çnjerëzore, persekutimi, burgosjesh dhe pushkatimesh. 4 nëntori 1990, kremtimi i Eukaristisë që sfidoi diktaturën do të përkujtohet gjithmonë si një ditë e shënuar. Në atë datë shënon fundi i ateizmit në Shqipëri. Në këtë datë nis një erë e re për besimtarët, për klerin, për tempullin e fjalës së shenjtë. Gjithçka mbetet pas. Nata e gjatë e persekutimit, jep shpirt. Udha shërbestarëve, udha e shpresës, e devocionit rinis, për të bashkëjetuar me shtegun e çdo besimtari, për të sjellë dritën e shpresës në vatrën e çdo shëmbëllimi që krijuesi skaliti në ne.

Filed Under: Histori

DARDANËT – EPIQENDËR E BOTËS ILIRE NË ANTIKITET

November 3, 2023 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

Vepra “Dardanët” e arkeologut Luan Përzhita, shënon një kapërcim të rëdësishëm nga ajo e çasjes së deritanishme hipotetike dhe e ngushtuar të problematikës dardane, tek ajo identifikuese në kohë dhe në hapërsirë, gjë që Dardanët si popull dhe Dardaninë si mbretëri të njohur historikisht nga shekulli IV para erës sonë e deri te involvimi i saj në strukturat peranandorake (romake dhe bizantike), i nxjerr në dritën e atyre kundrimeve si njërin ndër faktorët më të rëndësishëm politik, shoqëror dhe kulturor të botës ilire në antikitet, në mos edhe si qendër e një graviteti të përmasave determinonte të qytetërimit të antikit nga koha e bronzit e deri te e hekurit për t’u shtrire edhe në epokat e mëvonshme.

Duke u nisur nga aspekti arkeologjik, si njëri ndër faktorët kryesor që nxjerr në pah themelet e një ngrehine etnike në kontekstin shoqëror, kulturor dhe politik, Përzhita arrin te përfundimi se “kultura ilire është formuar në këtë truall në bazë të kulturave më të vjetra të epokës së bronzit (2100-1200 para Kr.), nga epokat pararendëse, me ç’rast thuhet “se ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të grupeve etnike që populluan këtë pjesë të Evropës që në perudhën e neolitit (6000-4000 para Kr.).

Natyrisht se te konstatimi, që faktimet arkeologjike nga koha e bronzit (shumë prej tyre të dokumentuara nga hulumtimi i zellshëm disavjeçarë i autorit në fushën e trashëgimisë materiale në këto hapësira) të ndërlidhen me atë të neolitit (pjesërisht të identifikuara nga gjetjet arekeologjike të rrënojave të vendbanimeve në formën e fortifikimeve dhe të kështellave të hershme në pjesën e Kosovës dhe të Maqedonisë nga shtrihej mbretëria Dardane), qëndron edhe vlera e këtij studimi. Ngaqë shënon gamën e një kapërcimi tejet të rëndësishëm nga ai, ku Dardanët dhe Dardania janë parë si periferi e botës pellazgo-ilire në antikitet dhe mesjetën e hershme, të shumtën si pjesë e etnive të tjera, tek qendra ndikuese që në njëfarë mënyre del edhe nga studimi kompeks i F. Papazogllut. Pra, studimi i Përzhitës për Dardanët dhe Dardaninë, bashkë me atë të Edi Shkriut “Ancient Kosova” (Kosova Antike), nga pikëpamja arkeolgjike e njohur deri më tani, diskursin e deritanishëm të parjes fragmentare të Dardanëve dhe Dardanisë nga shkollat tradicionale të shekullit të kaluar (asaj të sllaviste të Vjenës dhe ilirie – jugosllavë) e zhvendos te opcioni i faktorit determinues, me çka krijohen mundësitë e një redifinimi, mbi rolin dhe rëndësinë që e kishte në atë kohë, siç konstaton edhe arkeologu i njohur Neritan Ceka në studimin e tij “Ilirët deri te shqiptarët”, me ç’rast ai, duke u mbështetur mbi të arriturat e deritanishme të arkeologjisë shqiptare dhe asaj përreth, qytetërimin dardan e nxjerr si qendër të botës ilire në antikitet nga koha e neolitit e tutje.

Studimi i Përzhitës “Dardanët”, kryesisht i mbështetur në hulumtimet shumëvjeçare të autorit në hapësirën e Kosovës dhe atë të Maqedonisë, ikorporon edhe hulumtimet paraprake të arkeologëve të njohur jugosllavë dhe ndërkombëtarë nga vitet e pesëdhjeta deri në ato të tetëdhejta të shekullit të kaluar, ndër të cilat duhet dalluar ato të E. Çeshkovit, të cilat, ndonëse fragmentare përnga shtrirja hapsinore, ndihmojnë nxjerrjen e konstatimeve që autori sjell në këtë libër për pamjen e gjithëmbarshme historike të Dardanëve dhe të Dardanisë në hapësirat e shtrirjes së saj (Kosovë, Maqedoni dhe Serbi qendrore dhe lindore). Në këtë aspekt, hartës së qyteteve dardane nga antikiteti si dhe tërësisë së saj, i mungon një pjesë e mirë e tyre, veçmas ato jashtë kufinjve shtetërorë të Kosovës, në Serbi, siç janë vendbanimet dhe fortifikimet e njohura nga ato të Damastionit (sipas të gjitha gjaseve në pjesën e Medvegjës), të Naisusit, në Nish dhe të kështjellave të tjera në pjesën e Rashës, të cilat filologu i njohur Budimir i quan “Kështjella të fundit në Bizantin ilir”.

Natyrisht se mungesa e hulumtimeve arkeologjike e hapësirës jashtë asaj të shtetit të Kosovës (në Serbi), studimin e privon nga pamja e saj komplekse, kur dihet roli dhe rëndësia e tyre në antikitet në kuadër të rrethanave shoqërore, politike, kulturore dhe ekonomike, megjithatë atë nuk e hendikepon konceptualisht, ngaqë inkororimi i hulumtimeve të shumta të arkeologëve jugosllavë, ndonëse indikativë, nuk janë në shpërputhje me të. Përkundrazi, shfrytëzimi i tyre i drejtë brenda për brenda një tërësie çfarë ishte ajo e kulturës dardane dhe qytetërimit të saj edhe në rrethanat e mesjetës së hershme e të vonë (krishterimit ku edhe në shekulli e parë të epokës së re shfaqet dhe në atë katër nga perandori dardan, Kontantin i Madh edhe zyrtarizohet), jo vetëm që ndihmon tezën e shtruar nga Përzhita, konforme edhe me atë të N. Cekës te “Ilirët”, por edhe e ndihmojnë atë. Autorit, pra, si dhe arkeologjisë shqiptare, i mbetët që, në kuadër të hulumtimeve arkeologjike, të gjejë forma të bashkëpunimit me institucionet përkatëse të Serbisë për ekzaminimin e plotë të qyteteve dhe lokaliteteve dardane në këtë pjesë, nga Prokupja, Rasha e deri në Nish, veçmas të identifikimit të Damastionit tashmë të identifikuar në hapësirën pranë Medvegjës, meqë aty gjendet edhe enigma e faktorëve kulturor dhe politik në trekëndëshin midis Dardanëve, Pajonëve dhe Maqedonasve. Ndërsa te Nishi e deri në Timok, gjenden ato të raporteve me shumë paqartësi midis Dardanëve dhe Tribalëve dhe Thrakasve, mbi të cilat mbështeten edhe spekulimet e formacioneve politike në mesjetë, veçmas atyre gjatë kohës së Bizantit, kur ato dalin në skenë, e që historiografia serbe, të shumtën, i ka interpretuar për qëlline hegjemoniste.

Në këtë aspekt, studimi i Përzhitës “Dardanët” duhet vlerësuar si një punë tejet të rëndësishme, që duhet vazhduar dhe sforcuar gjithandej hapësirës gjeografike dardane, në mënyrë që binarët e tanishëm në të cilat po vendoset parja arkeologjike e Dardanëve dhe e Dardanisë, si qendër e botës atike ilire, të bartet edhe në planin e githmbarshëm historik.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT