• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot 80 vjet nga “Marrëveshja e Mukjes”

August 1, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Konferenca e Mukjes u mbajt nga 1 deri 3 gusht 1943. Në këtë konferencë morën pjesë 12 përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar dhe 12 përfaqësues të Ballit Kombëtar.

Pas shumë diskutimesh dhe lëshimesh të dyanshme, u arrit MARRËVESHJA:

– Për luftë të përbashkët dhe të menjëhershme kundër pushtuesit përkrah aleatëve të mëdhenj.

– U krijua “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë” si një organ i përbashkët i drejtimit të luftës që përbëhej nga 6 përfaqësues nga secila palë.

Në programin e “Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë” parashikohej, jo vetëm lufta për një Shqipëri të pavarur e të lirë, por edhe lufta për një Shqipëri Etnike.

Kjo kërkesë dhe marrëveshja për bashkëpunim me Ballin Kombëtar nuk u pëlqeu të dërguarve jugosllavë dhe Enver Hoxhës, që zbatonte këshillat e tyre. Prandaj, marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Ky qëndrim i Partisë Komuniste i përçau shqiptarët dhe i nxiti luftën kundër njëri-tjetrit.

Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Dr.Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptar e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

………………………………………………………………

(Mbledhja paraprake para takimit në Mukje)

Mbledhja Kombëtare në Tapizë, 26 korrik 1943

Sot më 26 korrik 1943, ora 11 pas dite, u mblodhën në shtëpinë e z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej z.Major Abaz Kupi, Myslim Peza, Dr.Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”, i përbërë prej z.Mit’hat Abdyl Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh z.Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe z.Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues z.Pater Lek Luli, Dr.Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:

Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”.

Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi:

1- Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë.

2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut.

3- Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë.

4- Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal.

5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore. Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.

Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”.

Delegatët Këshillit të Përgjithshëm Nacionlaçlirimtar (5 firmat) Balli Kombëtar (3 firmat)

…………………………………………………………….

Procesverbalet e Mbledhjës së Mukjes:

Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës Balli kombëtar dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare. Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua z.Thoma Orollogajt dhe sekretaria z.Mustafa Gjinishi. Bisedimet i hap z.Hasan Dosti, delegat i Ballit Kombëtar i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun.

Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë:

Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator.

Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.

Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore.

Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore.

Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

Delegacionet:

Balli Kombëtar

1. Hasan Dosti

2. Mit’hat Avdyl Frashëri

3. Thoma Orollogaj

4. Skënder Muço

5. Hysni Lepenica

6. Isuf Luzaj

7. Kadri Cakrani

8. Major Raif Fratari

9. Nexhat Peshkëpija

10. Halil Mëniku

11. Ismail Petrela

12. Vasil Andoni

Këshilli Nacional Çlirimtar

1. N.Kolonel Jahja Çaçi

2. Myslim Peza

3. Abaz Kupi

4. Ymer Dishnica

5. Mustafa Gjinishi

6. Omer Nishani

7. Sulo Bogdo

8. Shefqet Beja

9. Medar Shtylla

10. Stefan Luarasi

11. Haki Stërmilli

12. Gogo Nushi

……………………………………………………………..

Proklamatë

Popull shqiptar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.

Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës…

Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.

2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.

3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

(“Pika 2” e Proklamatës u quajt “tradhëti” nga komunistët dhe u bë shkak për të filluar luftën civile sipas urdhrit të “shokëve jugosllavë”).

……………………………………………………………..

“Zotërinj, nuk jam as për Shqipërinë e madhe dhe as për Shqipërinë e vogël. Jam për Shqipërinë Etnike në të cilën sot banojnë tërësisht shqiptarë apo shumicë shqiptarësh e që kanë shprehur vullnetin të bashkohen në një komb të vetëm, të ndarë padrejtësisht, në një atdhe e shtet kombëtar.”

MID’HAT (Abdyl) FRASHËRI

(nga fjalimi në Konferencën e Mukjes)

Filed Under: Histori Tagged With: Flamur Gashi

Ritualet e Varrimeve në Botë

July 31, 2023 by s p

Nga NDREK GJINI/

Përmes ritualeve të varrimeve, shoqëria ka mundësinë të shprehë dhimbjen dhe ndarjen nga të dashurit e tyre. Këto rituale zbulojnë ndikimin e vdekjes në kulturat dhe shoqëritë e ndryshme në botë. Vende të ndryshme praktikojnë rituale të ndryshme, që janë nga më të çuditshmet.

Varrimi qiellor

“Varrimi në qiell” është një ritual i zakonshëm në Tibet tek budistët që besojnë në vlerën e dërgimit të shpirtrave të të dashurve të tyre drejt parajsës. Në këtë ritual, trupat lihen jashtë, shpesh të prerë në copa, që zogjtë ose kafshët e tjera t’i hanë. Kjo sipas tyre ka qëllim të dyfishtë. Së pari trupi i të vdekurit që e hanë shpendët shkon në qiell. Dhe së dyti sipas tyre duke e lënë trupin jashtë shpirti i të vdekurit është krejt i lirë të largohet në qiell gjithashtu. Përmes këtij rituali ata mendojnë se plotësojne rrethin e jetës; duke u dhënë ushqim kafshëve dhe duke e lënë shpirtin të lirë të shkojë në qiell.
Famadihana
“Vallëzimi me të vdekurit” përshkruan më së miri traditën e varrimit në Madagaskar të Famadihana. Njerëzit atje i hapin shumë shpesh varret e të vdekurve dhe i nxjerrin jashtë. Ata rimbështjellin kufomat me rroba të reja. Ata gjithashtu kërcejnë me këto kufoma pranë varrit dhe luajnë muzikë përreth varreve të tyre. Ky ritual i përkthyer si “kthimi i eshtrave” ka për qëllim të përshpejtojë dekompozimin e trupave të vdekur dhe të çlirojë shpirtin e të vdekurve drejt përjetesisë.

Varrimi në ujë

Varrimi në ujë është një ritual funerali në të cilin eshtrat apo arkivoli i të ndjerit vendosen në ujë, si deti, lumi ose liqeni. Varrosjet në ujë janë praktikuar për shekuj nga disa popuj në mbarë botën, dhe ato vazhdojnë të jenë një opsion popullor edhe sot në Vëndet Nordike.
Ekzistojnë dy lloje kryesore të varrimeve në ujë, varrimi i plotë i trupit ose shpërndarja e hirit. Varrosjet në ujë të gjithë trupit përfshijnë vendosjen e trupit të të ndjerit në një arkivol ose qefin dhe më pas hedhjen e tij në ujë. Ky lloj varrimi zakonisht bëhet në det, por mund të bëhet edhe në një lumë ose liqen.

Parakalimi në paradë i të vdekurve

Festimi i jetës së të ndjerit mund të marrë shumë forma. Një traditë nga Varanasi, Indi, përfshin parakalimin në paradë të të vdekurve.
Një paradë që feston jetën e të ndjerit është një lloj përkujtimi që shpesh mbahet për nder të dikujt që ka patur ndikim të rëndësishëm në komunitetin e tyre. Parada mund të jetë një mënyrë për të festuar jetën, arritjet dhe kontributet e të ndjerit dhe për të bashkuar të dashurit dhe miqtë e tyre për t’i kujtuar ata.
Ka shumë mënyra të ndryshme për të organizuar një paradë që feston jetën e të ndjerit. Parada mund të mbahet në një hapësirë publike, si park ose rrugë, ose mund të mbahet në një mjedis më privat, si varreza ose kishë. Parada mund të jetë e thjeshtë ose e përpunuar dhe mund të përfshijë një sërë aktivitetesh, të tilla si grupe marshimi, muzikë, këngë, vallëzim dhe veshje karnavalesh.

Kulla e Heshtjes

Një traditë zoroastriane kërkon zogj shkaba për të ngrënë trupin e të vdekurve. Komuniteti Parsi, në Indi, i cili praktikon Zoroastrianizmin, ka një metodë unike të asgjësimit të të vdekurve. Ata nuk i varrosin apo djegin të vdekurit e tyre, por përkundrazi i lënë ata jashtë në një strukturë të quajtur Kulla e Heshtjes. Trupat vendosen në një platformë të ngritur dhe zogjtë shkaba lejohen t’i hanë ato. Kjo praktikë quhet “ekspozim”.
Arsyeja pse Zoroastrianët përdorin zogjtë shkaba është sepse ata besojnë se zjarri dhe toka janë elementë të shenjtë dhe se varrosja ose djegia e një trupi do t’i ndot ato. Zogjtë shkaba, nga ana tjetër, shihen si krijesa të lira dhe të pastra, dhe konsumimi nga ana e tyre i të vdekurve shihet si një mënyrë për të kthyer trupin në natyrë.

Rruaza të bukura nga hiri i të vdekurve

Ndërsa traditat e panumërta të varrimit në mbarë botën përfshijnë djegien, Koreano-Jugorët e kanë bërë atë një hap më tej. Ata e kthejnë hirin e të ndjerit në rruaza të bukura. Këto rruaza kanë ngjyra të ndryshme nga roza, e zeza dhe bluja dhe shkëlqejnë. Të vendosura brenda vazove prej qelqi apo edhe të hapura në enë, rruazat mund të zënë vendin qendror brenda një shtëpie. Kjo është një zgjedhje dekorative dhe në të njëjtën kohë një kujtim i të vdekurve. Në një vend si Koreja e Jugut, ku toka është e pakët dhe djegia e trupave të të vdekurve po bëhet e vetmja zgjedhje realiste, marrja e diçkaje të bukur nga procesi I kësaj djegie u jep të dashurve të tyre një shans për t’i rikujtuar dhe ripërtërin një trashëgimi të bukur që është për ta një thesar i vyer.

Ritualet e varrimit në Filipine

Në Filipine, komuniteti Tinguian i vesh të vdekurit me rrobat më të bukura dhe e ul trupin e të vdekurit në një karrige, shpesh duke i vendosur një cigare të ndezur në buzë.
Ndërsa komuniteti Benguet në Filipine u lidhin sytë të vdekurve para se t’i vendosin në karrige në hyrje të shtëpisë. Komuniteti Cebuano në këtë vend i vesh me të kuqe fëmijët që marrin pjesë në funerale, pasi ata besojnë se kjo praktikë zvogëlon mundësinë që fëmijët të shohin fantazma. Rajoni Sagada në Filipine praktikon varjen e arkivoleve të të vdekurve mbi shkëmbinj.Kjo pasi ata besojneë se kjo praktikë i sjell shpirtrat e të vdekurve më afër qiellit. Njerëzit e komunitetit në Cavite të Filipineve shpesh varrosin të ndjerin vertikalisht në një pemë të cilën e ka zgjedhur vetë personi përpara se të vdiste.
Ritualet e varrimeve në mbarë botën janë të shumta dhe mjaft të ndryshme, por të gjitha këto rituale kanë vetëm një qëllim; nderimin e të vdekurve.

Filed Under: Histori Tagged With: ndrek gjini

110 VJETORI I KONFERENCËS SË AMBASADORËVE QË NDAU TOKAT E SHQIPNISË PËR ME KNAQË “KLYSHËT” E RUSISË!

July 29, 2023 by s p

(29 korrik 1913 -29 korrik-2023)

NGA NDUE BACAJ

HYRJE

110 Vite më parë, me 29 korrik 1913, fuqitë e mëdha europiane, nënshkruam vendimet famëkëqia të konferencës të amasadorëve në Londër, vendime që lanë jashtë shtetit Shqiptar të pavarur, (të njohur prej tyre), më shumë se gjysmën e trojeve etnike me popullsinë e tyre autoktone Iliro-Shqiptare, dhe këto troje etnike shqiptare ua bënë “dhuratë” fqinjëve shoven serb, malazez e grek. Për ironi të fatit kjo konferenc u quajt edhe si konferencë e paqës të Londonit… Ndërsa ministri (ambasadori-N.B.) amerikan në Greqi vendimet e kësaj konference do t’i quante (me ironi): “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absulutisht e papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.1.

NË PRAG TË KONFERENCËS:

Më pak se një muaj nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (me 28 nëntor 1912), nga patriotë shqiptar me në krye Ismail Qemali, gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia do të mblidheshin me 17 dhjetor 1912 në Londër në Konferencen e ambasadorëve. Gjithashtu Shqipëtarët me shpalljen e Pavarësisë kishin formuar edhe qeverinë e tyre me Ismail Qemalin-Kryetar, Nikollë Kaçorrin -Nënkryetar dhe ministra; Myfit Libohoven-minister i Punëve të Jashtme, Mehmet Pash Dërallen- ninistër i Luftës, Pjetër Pogën-ministër të Drejtësisë, Luigj Gurakuqin-ministër të Arsimit, Abdi Toptanin-ninistër të Financave, Pandeli Calen-ministër të Bujqësisë dhe Lef Nosin-ministër të PostTelegrafëve. Në kohen kur mblidhej kjo konferencë, trojet shqiptare ishin sulmuar nga tre fqinjët e saj shoven: Në verilindje e veri nga Mali i Zi e Serbia dhe në jug nga Greqia. Me gjithë qëndresen e shqiptarëve në mbrojtjen të trojeve të tyre etnike, keto tre ushtri shovene, kishin arritur të pushtonin jo pak troje shqiptare që nga Malësia e Madhe Rrethinat e Shkodrës, Kosovën, Shqiperinë “Lindore”, ose Iliriden antike, e deri në Durrës e më gjërë. Ndërsa në Jug të Shqiperisë Etnike, Greqia kishte arritur të pushtonte jo pak nga i ashtuquajturi Epiri i Veriut. (Bënin përjashtim, Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë).2. Pra e gjithë pjesa europiane nën Turqi (që shumica ishin troje etnike shqiptare N.B.), tani ishte në mëshirën e aleatëve ballkanik. I gjithë teritori tashma ose ishte i pushtuar ose do të pushtohej gjatë kohës së lirë. Vetëm në tri pika të izoluara fuqia osmane mbeti e panënshtruar. Qyteti i Adrianopojës i rrethuar nga bullgarët, dhe kështjellat e mëdha të Shkodrës në Shqipërinë e Veriut dhe ajo e Janinës, në Epir, mbeten në duar dhe kontrollin e garnizoneve të tyre turke…3. Me këto pushtime trojesh etnike shqiptare, këta fqinjë shoven të mbështetur nga Rusia, (por edhe Franca), kërkonin të vënin para faktit të kryer faktorin ndërkombëtar… Fqinjët sulmin mbi trojet shqiptare kërkonin ta paraqitnin para Europës si luftë kundër perandorisë Turke-Osmane, në “kuadrin” e luftës Ballkanike, ku qeveria turke do të pranonte se nuk kishte ma fuqi me rezistua dhe për rrellojë armëpushimi ishte nënshkrue me 3 dhjetor 1912. Madje shtetet ballkanike shpallen në mënyrë të preme se të gjitha tokat e perandorisë Otomane në gadishull u takonin atyre, mbasi kishin dalë fitues kundër Turqisë. Ata nuk donin të dinin kush ishte kombi shqiptar, i cili duhej të gëzonte pavarësinë në emër të parimit të kombësive… Shtypi grek e shfaqi këtë pikpamje në mënyrë më brutale duke shtuar: ”Asht nji gja e pamundur me lejua shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarun në djepin e qytetrimit grek”…. Mali i Zi donte me shti në dorë jo vetëm Gusinë, Plavën, Hotin dhe Grudën, që nuk i mori dot me 1878, por edhe Shkodrën me rrethina e më tej… Serbët nuk ishin të kënaqun me marrë Kosovën, por donin me u shtri deri në Durrës për me pasë një skelë detare… Greqisë iu shtua oreksi mbas suksesit të ushtrisë së saj. Prandaj këtë herë donte të mos mjaftohej me Shqipërinë e “Jugut”, ose Epirin e Veriut , sikur u “pagëzua” prej propogandës greke, por qeveria e Athinës kërkoi me shtua edhe Vlorën me tokat e saj. Për të justifikua këtë ambicie të re tokësore, qeveria e Athinës e “ndau” Epirin në dy pjesë prej jugu në veri. Tokat në mes të kufinit të Greqisë dhe lumit Kalamas , që ishin bërë objekt i pazardheqeve diplomatike në Kongresin e Berlinit, u proklamuan si Epiri i jugut deri në Vlorë….4.

KONFERENCA:

Megjithse konferenca kishte filluar më heret, zyrtarisht ajo njihet se filloi me 17 dhjetor 1912. Konferenca ishte thirrur nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës: Austro-Hungaria që përfaqësohej nga ambasadori Count Albert von Mensdorff (1861–1945), Gjermania që përfaqësohej nga ambasadori Karl Max, Princ Lichnowsky, 8 mars 1860 – 27 shkurt 1928), Italia që përfaqësohej nga ambasadori Guglielmo Imperiali di Francavilla, (1858-1944), Franca që përfaqësohej nga ambasadori Pierre Paul Cambon, (1843 – 1924), Rusia që përfaqësohej nga diplomati Alexander Konstantinovich Benckendorff, (1849 –1917). Ndersa Britania (apo më sakt Anglia si vend “organizator”) përfaqësohej nga ministri i jashtëm i saj Edward Grey, (1862 – 1933), i cili ishte edhe bashkërenduesi i punimeve të Konferencës së Londrës….5. (Konferenca e Londrës u ndoq edhe nga delegatët e vendeve të Ligës ballkanike, përfshi Perandorinë Osmane dhe Greqinë, e cila nuk kishte nënshkruar armëpushim). Konferenca fillimisht nuk njohu një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri “autonome” dhe asnjanëse, njëherazi ndodhej nën sovranitetin e sulltanit dhe “gëzonte” garancinë e tyre persa i përkiste statusit të saj… 6. Konferenca ishte ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.7. Ndonse gjashtë fuqitë e Mëdha europiane kishin hartuar projektin për një Shqipëri autonome, kur u paraqitën në Konferencë në maj 1913, amabasadorët e tyre u shprehen për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Ky qendrim i ri ndaj Shqipërisë ishte i lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan. Ps marrjes së Janinës nga forcat greke dhe të Shkodrës nga ato malazeze. Vjena e Roma e panë se sundimi osman nuk mud të mbahej më në Shqipëri, dhe nuk kishin interesë që të vazhdonte sovraniteti i sulltanit mbi Shqipërinë. Prandaj Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën një projekt të ri….8. Në konferencën e ambasadorëve kishte pasur një luftë të ashpër diplomatike për kufijët e Shqipërisë, sidomos ndërmjet përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Diskutimi ishte përqendrua në dy projekt-harta të Shqipërisë të paraqitura nga Austro-Hungaria dhe Rusia. Projekt-harta e Austro-Hungarisë përfshinte një pjesë të mire të trojeve shqiptare, ndër të cilat edhe Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Dobrën, Ohrin etjerë…. Ndërsa projekti rus parashikonte një coptim të madh të tokave shqiptare. Sipas tij vija kufitare në veri dhe në lindje të Shqipërisë do të ishin lumi i Drinit dhe Drini i Zi , kurse në jug linte jashtë Shqipërisë Korçën, Gjirokastren, Delvinen, Saranden , Çamërinë etjerë. Në fillim u shqyrtua kufiri verior dhe verilindor, më në fund me 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve do të projektonte të coptonte rëndë trojet shqiptare duke shkëputur nga Shqipëria gjithë Kosoven dhe vise të tjera shqiptare, si Tetoven, Dibren, Gostivarin, Kërçoven, Strugen etjerë, të cilat duhet të kalonin nga zgjedha osmane në zgjedhen e re serbe-malazeze….9. Për vendimet famëkëqia dhe të padrejta nga Fuqitë e Medha shkruan edhe një historian amerikan ,(Edwin Jacques), të cilin mendova t’a citoj: “Pas muajsh debate e kompromisi , në mars 1913 të gjashtë ambasadorët dhanë një zgjidhje të palogjikshme. Në bazë të saj, krahinat veriore të Hotit (Traboinit N.B.), Grudës dhe një pjesë e madhe e “Kelmendit” u shkëputën nga grupi i pesë bajrakëve , ku bënin pjesë edhe aleatët e tyre Kastrati e Shkreli , dhe së bashku me Plaven e Gusinë iu dhanë Malit të Zi. Në verilindje , Serbisë i dhanë të gjithë vilajetin e Kosovës , ku përfshiheshin Shkupi, Ipeku, Gjakova dhe Prizreni,- qytetet aq të shenjta për Rilindjen Kombëtare, të populluar nga një milion shqiptarë dhe nga fare pak sllav…. Gjithashtu edhe krahinat shqiptare lindore të Dibrës, Ohrit e Manastirit i kaluan Serbisë. Në jug, grekët ngulën këmbë që popullsia e “Vorioepirit”, me që kishte besim ortodoks grek, ishte rrjedhimisht me kombësi greke….. Pavarësisht se vendimet e Konferencës të Ambasadorëve u nënshkruan me 29 korrik (1913), ambasadorët vijuan kompromiset e mëtejshme në dëm të trojeve etnike shqiptare… Nga thirrjet e shqiptarëve të Jugut dhe të bashkatdhetarëve të tyre të merguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 11 gusht 1913, u arritë një zgjidhje kompromisi. Greqisë i dhanë një pjesë të madhe të Shqipërisë jugore, ku përfshihej krahina e Çamrisë, e populluar kryesisht nga musliman shqiptar, si dhe vet Janina, kryeqyteti tradicional i Shqipërisë së Jugut.10. Ata e njohen Shqipërinë si një shtet sovran, tërsisht të pavarur nga perandoria osmane. Mirpo, ajo u vendos të qeverisej nga një princ i zgjedhur nga vetë Fuqitë e Mëdha, gjithashtu u caktua një “Komision Kontrolli Ndërkombëtar për Shqipërinë”, i përbërë nga një përfaqësues nga të gjashtë fuqitë dhe nga një shqiptar. Ky komision do të mbikqyrte organizimin e qeverisë shqiptare , të financave dhe të administrates për një periullë dhjetvjeçare. Oficerët holondezë u ngarkuan me organizimin e xhandarmërisë. Ndonse një gjë e tillë cenonte pavarësinë e Shqipërisë , kjo përkrahje ndërkombëtare për shtetin e ri , të rrethuar nga lakmitarë , ishte ndoshta garancia më e mirë pë mbijetesën e Shqipërisë.11. Siç e cilësova në hyrje të kësaj kumtese, ministri (ambasadori) amerikan në Greqi e quajti këtë plan “një mrekulli të paaftësisë”, “një skemë absulutisht e papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”. 12. (Ambasador i SHBA-së në Greqi në vitet 1912-13 ishte Jacob Gould Schurman…).13. Një komision special u ngarkua për të përcaktuar kufirin shqiptaro-grek. Duke qenë i pamundur studimi i hartave etnografike, vendimi që mori konferenca ishte mbi argumente strategjike, ekonomike e politike. Ky vendim i dhuroi Greqisë Epirin Jugor, një tokë të banuar historikisht nga shqiptarë etnikë. Edhe pse morën shumë toka të banuar nga shqiptarë, aleatët ballaknikë mbetën të pakënaqur nga kongresi, dhe menjëherë filluan Luftën e Dytë Ballkanike…14. Në vijim të zbatimit të vendimeve të Konferencës të Ambasadorëve u caktua edhe përbërja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Shqipërisë. Ndërkohë Ismail Qemali insiston që Shqipëria të ketë delegatin e saj në këtë komision. Komisioni ndërkombëtar përbëhej: Nga Dr.Vinkel- i dërguari i Gjermanisë, Petroviç- i dërguari i Austro-Hungarisë, Krajevski- i dërguari i Francës, Lemb- i dërguari i Britanisë së Madhe, Leoni- i dërguari i Italisë dhe Petrijev- i dërguari i Rusisë…15. Kur Komision Ndërkombëtar për Kufijët, (i ngritur në gusht 1913), do të verifikonte në vend popullsinë dhe do të pëcaktonte me “saktësi” kufijtë, në jug puna e tyre u nderlikua pa masë nga ideja e marrë e grekëve se njerëzit me fe ortodokse ishin grekë. Sevasti Qiriazi Daka njoftonte se atë tetor , kur antarët e Komisionit shkuan nga Korça në Msnastir , ajo u takua me një të njohur, zotin Beleinski, një përfaqësues austriak , që t’a informonte për strategjinë greke që synonte ta paraqiste popullsinë korçare si greke. Pas demostratave të zjarrta , të frymëzuar nga grekët, z.Belinski u propozoi kolegëve të tij të bënin një shetitje në qytet. Kur hynë në oborrin e shkollës greke , ai holli në mes të fëmijëve një grusht me monedha. Ata u hollen që t’i kapnin dhe nga hutimi , harruan greqishten dhe folën shqip, në gjuhën e nënës. Kjo ishte e mjaftueshme për të bindur Komisionin…16.

QEVERIA E VLORËS DHE KONFERENCA E LONDRE:

Qeveria shqiptare me rezidencë në Vlorë ku ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë me 28 nëntor 1912, që në fillim të konferencës të Londres ishte perpjekur që kerkesat e saja për njohjen e një Shqipërie të pavarur të njiheshin dhe merreshin në konsideratë nga fuqitë e Mëdha Europiane, të mbledhura në Londër “zyrtarisht” që me 17 dhjetor 1912. Një raport i datës 27 dhjetor 1912, nr.258 i MPJ në Vjenë, dërguar MPJ në Romë, bënë fjalë për delegacionin shqiptar që do të nisej për të dorzuar memorandumin në Londër. Raporti është një njoftim konfidencial, nga ku “mësojmë” se simbas autorizimit të Ismail Qemal Beut do të nisen këto ditë në Londër katër nga paria shqiptare që ndodhen në Europë, për t’i dorzuar Eduad Greit dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha një memorandum përmbledhës të dëshirave të shqiptarëve. Emrat e të këtër delegatëve janë: Rasih bej Dino, Sotir Kolea, (nisen) prej Egjipti, Mehmed bej Konica dhe Filip Noga të cilët po udhëtojnë sot prej Vjene për në Londër me anë të Parisit. Delegacioni u paraqitë në këtë ministri (në Vjenë N.B.) dhe me këtë rast u inkurajuan në qellimin e tyre që në memorandumin e caktuar për të paraqitur, të theksojnë veçanarisht dëshirën unanime të të gjithë shqiptarëve për të ruajtur sa më tepër integritetin tokësor të vendit tyre. Kurse, nga ana tjetër, përsa i përket relacionit të Shqipërisë me Turqinë, organizimit të brendshëm të vendit, zgjedhjes të kryetarit të shtetit dhe çeshtjeve të tjera të papasqyruara ende, të cilat do të shkaktonin mosmarrveshje midis shqiptarëve, iu rekomandua atyre që të mbajnë një fare rezerve.17. Ndërsa dokumenti nr.265, i datës 2 janar 1913 jep të plotë memorandumin e qeverisë së Vlorës paraqitur sër Eduard Greit , ku ndër të tjera mendova të citoj: “Të nënshkruamit e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë kanë nderin t’i paraqesin mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikpamjen shqiptare për të njohur kerkesat ligjore të Shqipërisë. Është fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar formon grupimin etnik më kompakt, më homogjen e më të rëndësishëm të gadishullit Ballkanik. Raca e gjuha e tij, zakoni e karakteri i tij e shquajnë kryekput nga kombet e tjera që e qarkojnë dhe ia japin atij tamam këtë individualitet, për hirë të cilit ai ka ditur t’u bëjë ballë të tëra përpjekjeve të asimilimit…. Populli shqiptar ka vuajtur nën sundime të huaja. Ai ka bindjen se e meriton të radhitet ndër kombet e perendimit…. Shqipëria është plotësisht e vendosur të bëhet një element ekuilibri e paqeje në gadishullin e Ballkanit. Por për të përmbushur këtë detyrë nevoitet homogjeniteti i tij kombëtar…. Sot zgjidhja përfundimtare e problemit ballkanik ngrihet me forcë, populli shqiptar nuk do të duroj që të drejtat e tij të jenë pjesërisht të sakrifikuara e që e ardhmja e pavarësisë së tij të jetë ndërtuar mbi baza pak të qëndrueshme…. Pra nuk mund të vendoset paqja e plotë në gadishull derisa kufijët që janë njohur çdo etniteti politik s’do të jenë bazuar në vijat kufitare gjeografike e etnografike të çdo shteti. Fara e grindjes dhe turbullimit do të mbetet gjithmonë e gjallë kur të vihen nën një pushtim të huej toka të banuara me shumicë ose krejtësht prej popullsisë shqiptare…. Kufijët që kërkojmë ne janë këta: duke ndjekur një vijë demarkacioni, nisur nga kufijët e sotëm të mretërisë malazeze që përfshijnë veçanarisht, me gjithë hiderlandet përkatëse, qytete e Pejës, Mitrovicës,, Prishtinës, të Shkupit e të Manastirit deri në Meçovë, duke u shtuar këtyre kufijjve , kufijët e sotëm deri në Prevezë….”. Memorandumi u paraqitur nga delegatët shqiptar Rasih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga.18. Qeveria e Vlorë me në krye Ismail Qemalin ka edhe mjaftë telegrame e komunikime të vazhdueshme me faktor të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar dhe autoritetet e prefekturave shqiptare nga jugu në veri dhe nga perendimi në Lindje, të cilat i njoftonte për situaten dhe vendimet e konferencës së ambasadorëve në Londër, si dhe pergatitjet që duhen bërë pë çdo situate. Gjithashtu edhe autoritetet e Prefektuarave njoftonin për çdo situat të krijuar në prefekturat e tyre, si dhe gatishmerinë pë t’iu përgjigjë detyrave që do t’u ngarkonte qeveria… Letrat, telegramet dhe komunikimet e derguara nga qeveria e Vlorës me në krye Ismail Qemalin, autoriteteve të prefekturave dhe autoriteteve të huaja e anasjelltas janë të shumta dhe gjinden të shkruara në Permbledhje dokumentesh të Ismail Qemalit që citova më sipër. Unë nga këto mendova të kujtoja vetëm atë të datës 10 tetor 1913, ku ndër të tjera citoj: “Duke mos mundur të durojmë më mizoritë serbe e malazeze , që po vazhdojnë pre 10 muajsh e këtej, dhe si një pasojë e natyrshme e atyre mizorive, populli i Gjakovës rroku armët. Në Letren që i dëgohet Ismail Qemalit si kryetar i qeverisë, njoftohet se edhe Bajram Curri me luftëtarët e tij kanë rrokur armët, gjithashtu thuhet se nga qeveria presin të holla dhe armë etjerë…19. Mora “thjeshtë” shembullin e Gjakovës, por qëndresa dhe lufta mbrojtëse e trojeve etnike Shqiptare ishte prezente nga veriu ne jug dhe nga Lindja në perendim.20. Fatkeqësisht në ata kohë shqiptarët thuajse ishin vetëm dhe me një Europë thuajse kundra në luftën e qëndresen e tyre të drejtë ndaj shoveneve grabitqar serbo-malazez e grekë, e si rezultat nuk munden të ndalin projektin e grabitjes të trojeve shqiptare nga fqinjët, sipas vendimeve të nënshkruara nga Konferenca e Ambasadorëve. (Vlen të shënohet se Qeveria e Vlorës gjatë kësaj kohe kishte komunikime edhe me faktor shqiptar me në krye Esat Pashën, që në vend të “luanin” për interesat e Shqipërisë, “luanin” për interesat e veta , apo të ndonjë vendi të huaj). Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës mori vendimet e padrejta e antishqiptare, ku brenda kufijve, të shtetit shqiptar u përfshi vetëm afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë (rreth 28 mijë km2 me një popullsi prej 740 mijë banorë), kurse gjysma tjetër mbeti jasht kufijve shtetrore duke u shkëputur në mënyrë arbitrare nga trungu i atdheut. Populli shqiptar dhe qeveria kombëtare e Vlorës, që kishin ndjekur me vëmendje e shpresa punimet e Konferencës së Amabasadorëve, pritën me zemrim të thellë vendimet e saj për coptimin e rëndë të Shqipërisë. Ata nuk u pajtuan me to dhe aty ku pati mundësi, si në Vlorë, në Shkodër e qytete të tjera si dhe në kolonitë shqiptare të mergimit u organizuan mitingje e manifestime proteste. Që në pranveren e vitit 1913, vetë kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin ndërmoren një udhëtim në Romë, në Vjenë, në Paris dhe në Londër për të njohur të drejtat e popullit shqiptar…21.

NË VEND TË NJË EPILOGU

Në ato kohë ishte “hapur fjala” se shqiptarët Europa nuk i don në një shtetet etnik të bashkuar shqiptar, pasi janë me shumicë të besimit musliman, patrioti i madh pendartë i kombit shqiptar At Gjergj Fishta për këtë do të pergjigjej me fjalët “lapidare”: “Po thonë se Europa nuk na don shtet, pasi shqiptarët janë shumicë muslimanë , atëherë nëse është kështu ne kristianët shqiptarë do të shkrimë kryqet tona për t’i bërë plumba për të mbrojtur vëllezërit tanë Musliman”. Për vendimet e padrejta të Europës, për ndarjen e trojeve shqiptare në favor të fqinjëve shoven, At Gjergj Fishta do të “shfrynte” dufin e tij kunder Eurropës plakë edhe me poezinë kushtrim me titull: Sugrite Mortui! (Çohi të Dekun), nga e cila citoj:

“Shqiptarë , a ndiet ! Europa e mrrutë e ndytë ,

Shkerdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit ,

(Së ciles dreqi ja plasi dy sytë

E marren se sheh njitash n’e s’vonit )

E bani gjyq që t’nipat e Kastriotit ,

Shkjeve t’Ballakanit urë t’rrijnë mbas sodit ,

Po, për Shqiptarë pleqnua e ka Europa,

Që si njatyne urë t’u rrin për dhê ,

Të cilet kishat rrenua ua kanë me topa ,

E n’djep foshnjat e njoma ua kan pre:

Që t’ndertat vasha ua kanë koritë përdhuni

E rrugash bamë i kanë me dekë uni….

…………………………………………….

E mbas sodit Shqyptarët n’gjuhë të huej do t’flasin;

E gjaksvet t’vet do u bajnë kta t’u ngjatët jeta?….

Ktu, ktu shqiptar… a ndiet?… Ku u kam?… Ku jeni?

Mo’ lëni burra… M’armë… Mbaroi Kosova…

Janina humbi… e ndoshta Tepeleni…

Shkoi Manastiri, Dibra dhe Gjakova…

Vendet ma t’mira ne n’a i mori shkjau,

E çka asht ma zi, ne vlla me vlla na dau….22.

Padrejtësinë që iu bë trojeve etnike shqiptare nga Konferenca e Londres e pranon edhe njeri nga autorët kryesor të konferencës, Ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe Eduard Grey, i cili mbas konferencës në një fjalim të hapur e cinik në parlamentin britanik, ndër të tjera do të deklaronte: “Ne e dimë se, pas ca kohësh , fëmijët tanë do t’a shohin të gjithë këtë si një padrejtësi të madhe. Do të çuditën që toka të banuara kryesisht prej shqiptarësh ose krejtësisht prej shqiptarësh i janë dhënë fqinjëve të tyre. Kjo është e padrejtë, por ata do t’a kuptojnë se ekuilibri i Fuqive të Mëdha nuk mund të prishej për një vend të quajtur Shqipëri”.23. Fatkeqsisht këto padrejtësi që n’a bëri Europa e vjetër ne shqiptarëve dhe trojeve tona etnike, ende nuk janë në rrugën e zgjidhjes edhe sot pas 110 viteve nga Konferenca e Ambasadorëve, edhe pse Europa e “re” (BE) ka në themel bashkimin e jo ndarjen….

REFERENCAT:

1.Serge Metais ,HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

2.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.224-226, botim i dytë-PHOENIX, 1998.

3.Jakob Gould Schurman, Luftrat Ballakanike 1912-1913, fq.60, Sh.B.”Jakup Ceraja”, Prishtinë 2022.

4.Tajar Zavalani, Histori e Shqipnisë, fq.224-226, botim i dytë-PHOENIX, 1998.

5.http://www.focus24.info/…/konferenca-e-londres-1912…/.

6.Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272.

7.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Londr%C3%ABs_(1912%E2%80%931913.

8.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.140, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.

9.Histori e Popullit Shqiptar,po aty…fq.138-139.

10.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.374-375, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995. Megjithatë, konferenca e kishte shpallë vendimin përfundimtar me 29 korrik 1913.

11.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.373-374, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995, + Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

12.Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE, po aty, Fq.272.

13.Ambasador i SHBA-së në Greqi (Athinë) në vitet 1912-13 ishte Jacob Gould Schurman (1854-1942), padagog dhe diplomat amerikan me origjinë kanadeze, autor i librit Luftrat Ballkanike 1912-1913, libër i publikuar për herë të parë në vitin 1914 dhe ripublikuar edhe në Prishtinë 2022.

14.https://sq.wikipedia.org/wiki/Konferenca_e_Londr%C3%ABs_(1912%E2%80%931913.

15.Më hollësisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.333-334.

16.Edwin Jacques, SHQIPTARËT, Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. Fq.373-374, shtypi: Lajmi i mire, Tiranë 1995, + Serge Metais, HISTORI E SHQIPTARVE nga Iliret deri te pavaresia e Kosoves. Fq.272, Tirane-2006.

17.ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, perg. Nga Teuta Hoxha , fq.277, Tiranë 1982.

18.Më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.282-285.

19.AQSH IRSH F.245, D.53, f.26, orgjinali osmanisht, më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.331-332.

20.Gjatë kësaj lufte e qëndrese masakrat serbo-malazeze, mbi popullsinë autoktone shqiptare janë të dokumentuara gjërësisht në librin GOLGOTA SHQIPTRE 1912-1913, akuza kundër shfarosësve të popullit shqiptar, me autor publicistin hebre që jetonte në Vjenë, Leo Freundlich (1875-1953), libri u botua për here të parë në Vjenë me 1913, dhe është ribotuar edhe në Prishtinë në vitin 2022.

21.Histori e Popullit Shqiptar…, po aty, fq.140.

22.At Gjergj Fishta, MRIZI I ZANAVE, fq.43-45, botim XI, botime Françeskane, Shkodër 2019.

23.https://albemigrant 2011, wordpres.com 2017/11/26/rrethimi -i- Shkodrës-në-vitin-1913-nga-malazezët-çlirimi-dhe-pavarësia).

VOO:Fotot marrë nga https://www.google.com.…

Malësi e Madhe, me 29 korrik 2023.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

SISTEMI FORTIFIKUES I LUGINËS SË SHKUMBINIT

July 27, 2023 by s p

Dr. Ervin KUJTILA

Akademia e Sudimeve Albanologjike

Instituti Arkeologjik/

Lugina e Shkumbinit është korridori më i rëndësishëm natyror që përshkon Shqipërinë në mënyrë transversale nga lindja në perëndim, përkatësisht nga Valamara dhe Mokra në Adriatik. Kushtet e përshtatshme gjeo – klimatike dhe bio – ekonomike të kësaj lugine kanë kushtëzuar banimin e saj që në periudhat më të hershme të prehistorisë, duke filluar që nga Neoliti i Hershëm, siç kanë dëshmuar gërmimet arkeologjike të kryera në Rrajcë dhe Rashtan. 

Kjo luginë ka shërbyer gjatë gjithë periudhave parahistorike dhe historike jo vetëm si arterie kryesore komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit. Nëpërmjet këtij korridori natyror kanë lëvizur kultura të ndryshme dhe bartësit e tyre, duke filluar nga grupet neolitike anatolo – ballkanike dhe deri tek transhumancat eneolitike apo ato të Bronzit të Hershëm. Në funksion të mbrojtjes së kësaj arterie rrugore që në epokën e Bronzit ndërtohen disa fortifikime prehistorike në të dy anët e kësaj lugine lumore. Pikërisht për këtë atribut të saj, lugina e Shkumbinit u përzgjodh nga Perandoria Romake për të ndërtuar rrugën Egnatia në shekujt e parë të erës sonë, në kohën e ekspansionit të saj më të madh në drejtim të Ballkanit kontinental dhe të Lindjes. Gjithashtu, kjo luginë është konsideruar edhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore kryesore kulturore të epokës së hekurit të Ilirisë së Jugut, atij Glasinac-Mat në veri dhe grupit  Devollit në jug.

KARAKTERISTIKE THELBËSORE PËR FORTIFIKIMET PREHISTORIKE

Karakteristike thelbësore për fortifikimet prehistorike është planimetria e tyre eliptike apo ovale, pa kulla mbrojtëse dhe me një hyrje  që formohet nga ndërprerja e murrit në vendin më të përshtatshëm të komunikimit. Këto vendbanime kanë një sipërfaqe nga 1-2 ha. Zakonisht vendbanimi vendoset brenda fortifikimit prehistorik, por njihen edhe raste ku vendbanimi është vendosur jashtë tij. 

Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, në raport me rrjedhën e lumit, ndahen në dy grupe të mëdha:

  1. Fortifikime të krahut lindor;
  2. Fortifikime të krahut perëndimor.

Në fortifikimet e krahut lindor bëjnë pjesë fortifikimet e Qafë Thanës, Dragostunjës, Orenjës, Zdranjshit, Funarës, Shkëmbit Mbret, Gracenit, Bixëllenjës, Bodinit, Saragut dhe Sofra e Skëndërbeut. 

Në fortifikimet e krahut perëndimor përfshihen fortifikimet e Selcës së Poshtme, Bërzeshtës, Qukës Skëndërbe, Lleshanit, Valshit dhe Belshit.  

Trajtimi i fortifikimeve të luginës së Shkumbinit fiton një vlerë të veçantë historiko-kulturore, për atributin  jashtëzakonisht të rëndësishëm komunikues të saj, si dhe për faktin se është pikërisht kjo luginë që ka shërbyer dhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore ilire, atij Glasinac – Mat në veri dhe grupit Devollit në jug.

Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, janë evidentuar qysh herët nga studiuesit e mëparshëm. Është fjala vetëm për vrojtime sipërfaqësore e të kryera nga studiuesit N. Ceka, L. Papajani, A. Baçe, I. Gjipali dhe A. Koka. Gërmime arkeologjike janë kryer vetëm në fortifikimin e Lleshanit nga  R. Hasa, por rezultatet e plota të tyre akoma nuk janë botuar, si dhe në Gradishtën e Belshit nga N. Ceka.

Rëndësia e madhe dhe impakti i jashtëzakonshëm social-historik dhe kulturor që lugina e Shkumbinit luan në zhvillimet pre dhe protohistorike dhe ato antiko-mesjetare të vendit, kushtëzon studimin më të thelluar të sistemit fortifikues të kësaj lugine gjatë prehistorisë së vonë, përkatësisht gjatë periudhës së vonë të epokës së Bronzit (shek. XIII – XII para Kr.), gjatë fazës së hershme të epokës së Hekurit (shek. VIII – VII para Kr.) dhe gjatë periudhës arkaike ose protourbane (shek. VI – V para Kr.)  

Njohja më e plotë e sistemit fortifikues të këtij koridori të rëndësishëm rrrugor, bazë e mëvonshme e Via EGNATIAS, krijon një përfytyrim më të plotë mbi këtë dukuri arkeologjike, si reflektim i nevojave për mbrojtje të banorëve të këtij rajoni, gjatë periudhave pre dhe protohistorike.

Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër relativisht i madh fortifikimesh prehistorike, që krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë. Është fjala për më shumë se 20 fortifikime prehistorike dhe protohistorike, që e shoqërojnë luginën e Shkumbinit në të gjithë gjatësinë e sipërme dhe të mesme të saj. Ato fillojnë nga fortifikimi i Selcës së Poshtme dhe Qafë-Thanës në jug dhe vazhdojnë deri në fortifikimin e Saragut dhe të Belshit në perëndim. Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër i madh fortifikimesh prehistorike, të cilat krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë. 

FORTIFIKIMET E BRONZIT TË VONË

Fortifikimet e Bronzit të Vonë, ngrihen në kreshta të fortifikuara dobët, me një teknikë primitive ndërtimi, në përputhje me potencialin e dobët ekonomik dhe presionin e rrezikut të jashtëm. Fortifikohen vetëm anët pa mbrojtje natyrore. Muret rrethojnë sipërfaqe të vogla rreth 1 – 2 ha. Muret ndjekin linjë të përkulur, pa kënde e kthesa, sipas terrenit. Muret përbëhen nga dy faqet dhe mbushja midis tyre. Gurët janë të papunuar, pa material lidhës. Faqja e brendshme shpesh formon linjë të çrregullt. Nuk përdoren pyka për mbushjen e fugave. Gjerësia e mureve lëviz nga 2.20 – 3.50 m. Planimetria është eliptike ose oblike, pa forma gjeometrike. 

Fortifikimet e periudhës së hekurit të hershëm vendosen në tarraca lumore dhe kodrinore pika dominuese. Zbatohen teknika më të përparuara ndërtimore dhe krijohen sisteme të fuqishme fortifikuese. Shfaqet përpjekja e parë për të nxjerrë faqen kryesore të gurëve në fasadë. Përdoren pykat për mbushjen e fugave. Ritet sipërfaqja e vendbanimeve të fortifikuara deri në 10 – 20 ha. Vendbanimi i rrethohet me 1-3 radhë muresh. Ruhet koncepti planimetrik që mbështetet në linjën e harkuar të murit, pa kënde e kthesa, me hyrje të pakta e të ngushta. Përdoren disa elementë të rinj konstruktiv, si vendosja e hyrjeve në vendet më të pjerrëta (Gajtan), ndërtimi i mureve parapritë për mbrojtjen e hyrjes (Karos, Lleshan), muri i brendshëm që përshkon sistemin fortifikues, ndarja e akropolit nga muri rrethues etj. Krijohen sisteme fortifikuese për zona e rajone të veçanta, që në pikëpamje hapësinore mbrojnë territorin e një federate fisnore, të cilat formohen pikërisht në këtë kohë. Vendbanimet janë qendra fisesh ose bashkësish fisnore.

Fortifikimet e periudhës arkaike vendosen pranë rrugëve tregtare e burimeve ekonomike. Fortifikimet ndërtohen me një teknikë më të përparuar. Planimetria eliptike fiton përdorimin e këndeve e kthesave, pa aplikuar kullat. Nxirret faqja kryesore e gurit në fasadë. Shfaqet koncepti i rreshtit të gurëve në Kalivo. Shfaqet përpunimi i gurëve me çekan, dhënia e formave katërkëndëshe, që i avitet murimit poligonal fillestar. Qendrat prourbane lindën edhe jashtë vendbanimeve të fortifikuara paraurbane, të orientuara nga zhvillimi i zejtarisë e tregtisë. Qendrat e fortifikuara përmbanin gjatë periudhës protourbane premisat që përgatitën lindjen e qytetit të mirëfilltë antik, kurse vendbanimet e hapura fshatin antik. Evolucioni i vendbanimeve të fortifikuara që nga bronzi i vonë deri në periudhën arkaike, buron nga zhvillimi i brendshëm ekonomiko – shoqëror, që shënon rezultanten e zhvillimit historik të Ilirisë së Jugut drejt procesit urbanizues, fillimet e të cilit materializohen në fund të shek. V dhe fillim të shek. IV para Kr.

Fortifikimet prehistorike përfaqësojnë një tip mjaft interesant dhe të rëndësishëm të vendbanimeve prehistorike në Shqipëri. Studimet arkeologjike kanë dëshmuar  ekzistencën e sistemeve të organizuara fortifikuese sipas rajonizimeve gjeografiko-kulturorë të territorit të Shqipërisë. Këto sisteme fortifikuese janë konfirmuar në rajonet e Shqipërisë veriperëndimore, Shqipërisë Lindore, Shqipërisë Juglindore, asaj Jugperëndimore dhe Shqipërisë qëndrore. Rajoni i Shqipërisë qendrore territorialisht i lidhur me luginën e Shkumbinit përbën dhe thelbin e këtij punimi. 

NË FUSHËN E ARKEOLOGJISË PREHISTORIKE

Në fushën e arkeologjisë prehistorike, studimi i fortifikimeve dhe sistemeve mbrojtëse të tyre paraqet një drejtim të veçantë dhe të rëndësishëm të studimeve prehistorike. Kjo çështje ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve shqiptarë. Janë propozuar disa skema kronologjike të tipologjisë së fortifikimeve prehistorike, që në thelb shprehin nivelin e kërkimit dhe mendimit arkeologjik në këtë fushë studimi. Megjithëse nuk mund të konsiderohen përfundimtare ato shërbejnë si mbështetje për studime më të thelluara të fortifikimeve prehistorike në vendin tonë. Edhe pse shumica e fortifikimeve prehistorike në Shqipëri i referohen periudhës së Bronzit të Vonë dhe Hekurit të Hershëm, fortifikimet  prehistorike në Shqipëri shfaqen që në periudhën e Bronzin e Hershëm. Dy janë fortifikimet e Bronzit të Hershëm të njohura deri më sot,  fortifikimi i Ganjollës në rajonin e Shkodrës dhe fortifikimi i Kukumit në Himarë. 

Kërkimet arkeologjike të viteve të fundit të kryera në luginën e Shkumbinit konfirmuan për herë të parë se depozitimet më të hershme kulturore të vendbanimeve të fortifikuara i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm. Ky përfundim arkeologjikisht është dokumentuar në fortifikimet e Orenjës dhe të Zdranjshit. Në kuptimin historiko-kulturor ky konstatim është mjaft i rëndësishëm pasi e zgjeron hapësirën gjeografiko-kulturore të shtrirjes së Bronzit të Hershëm në vendbanimet prehistorike të vendit tonë. Përveç depozitimeve kulturore të kësaj periudhe të njohura deri më sot të kalasë së Rozafës (Shkodër Ia-b), kalasë së Ganjollës (Shkodër), dhe asaj të Kukumit në Himarë, harta e shtrirjes së tyre përfshin tashmë edhe dy fortifikimet e sipërpërmendura të luginës së Shkumbinit, përkatësisht qytezën e Orenjës dhe atë të Zdranjshit. 

Megjithëse stratigrafikisht është dëshmuar se fillimi i jetës në këto qyteza i referohet periudhës së Bronzit të Hershëm, ende nuk mund të thuhet që fortifikimi prehistorik i tyre, mund të lidhet me këtë periudhë të hershme të epokës së Bronzit. Ky përfundim është në përputhje me të dhënat stratigrafike, pasi niveli i fillimit të fortifikimit prehistorik në Orenjë stratigrafikisht përputhet me fillimet e shtresës së Bronzit të Vonë. Për këtë arsye, në pikëpamje stratigrafike kulturore fortifikimi prehistorik i Orenjës i referohet periudhës së Bronzit të Vonë.Ky fortifikim në pikëpamje të konceptit fortifikues dhe të teknikës së ndërtimit është i ngjashëm me fortifikimet prehistorike të Zdranjshit dhe të Lleshanit në luginën e Shkumbinit.

Sondazhet e realizuara në fortifikimet prehistorike të Orenjës dhe Zdranjshit të luginës së Shkumbinit, mundësuan njohjen më të plotë të zhvillimit kronologjik të jetës së tyre. Kështu në Orenjë u përftuan të dhëna stratigrafiko-kulturore që e mbështesin zhvillimin e jetës në këtë vendbanim, në 3 faza kronologjike të emërtuara Orenjë I-II-III, përkatësisht të lidhura me Bronzin e Hershëm, Bronzin e Vonë dhe periudhën e vonë antike. Ndërsa në fortifikimin e Zdranjshit, u fiksuan dy faza kronologjiko-kulturore zhvillimi, Zdranjsh I dhe II, që i referohen përkatësisht periudhës së Bronzit të Hershëm dhe asaj të Bronzit të Vonë. 

Bazuar në materialin arkeologjik, rezulton se jeta në qytezën e Orenjës ka kaluar në tre faza, që dallohen nga intensiteti dhe karakteri. Faza e parë është periudha e Bronzit të Hershëm. Faza e dytë i përket periudhës së Bronzit të Vonë dhe faze e tretë periudhës së Antikitetit të Vonë.

FAZA E DYTË E ZHVILLIMIT TË FORTIFIKIMEVE NË LUGINËN E SHKUMBINIT

Faza e dytë e zhvillimit të fortifikimeve në luginën e Shkumbinit i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit. 

Gjatë kësaj periudhe intensifikohen fortifikimet prehistorike dhe ritet ndjeshëm numri i tyre në raport me periudhën e Bronzit të Vonë. Nga 6 fortifikime të klasifikuara si të Bronzit të Vonë, numri i tyre tani shkon në 12. Duke u nisur nga lindja drejt perëndimit, sipas rjjedhës së Shkumbinit, fortifikime të tilla gjenden në Qafë-Thanë, Dragostunjë, Funarës, Valsh, Bodin, Qytek, Shkëmbi mbret, Ballë, Shën Mëria, Bixëllenjë dhe shkëmbin e  Shën Lliut.

Në disa nga këto fortifikime, ruhen dy linja murreth rrethuese, përkatësisht të lidhura me periudhën e zhvilluar të Hekurit dhe periudhën e vonë antike. Rasti më i qartë përfaqësohet nga Dragostunja, ku Dragostunjë I i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit (Dragostunjë I- shek. VIII-VII para Kr.) dhe Dragostunja II periudhës së vonë antike.

Gjatë kësaj periudhe vihet re lëvizja e vendbanimeve të fortifikuara më afër luginës së Shkumbinit dhe rrugës që kalonte përgjatë saj.

Në periudhën e Hekurit të Hershëm përveç ndryshimeve në karakterin e fortifikimeve është vënë re edhe zgjedhja e vendit për ngritjen e këtyre fortifikimeve. Afërsia ndaj burimeve ekonomike duket që ishte kusht parësor për banorët e asaj periudhe. Minierat, rrugët, ujërat apo edhe tokat bujqësore kanë qenë elementët që banorët merrnin parasysh gjatë ngritjes së fortifikimeve. Gjithashtu element i rëndësishëm është miniera e Pishkashit e cila ndodhet në luginën e Shkumbinit, që mendohet ti ketë shërbyer banorëve të këtyre trevave. Në luginën e Shkumbinit vihet re se gjatë periudhës së hekurit të hershëm, janë braktisur shumë fortifikimeve të epokës së bronzit të vonë. Gjatë kësaj kohe banorët filluan të lëvizin nga lartësitë drejt fushave, tarracave lumore dhe rrugëve tregtare, duke braktisur në këtë mënyrë edhe vendbanimet e vjetra si Dragostunja. Pikërisht këto kushte kanë bërë të mundur që vendbanimet e kësaj periudhe të ngriheshin pranë rrugëve të komunikacionit, ose mbi fusha dhe kodrina në lartësi relativisht të vogla.  

Fortifikime të periudhës arkaike ndeshen në 5 raste (Selcë, Lunik, Gracen, Belsh, Sarag)

Nevoja për akumulimin e të mirave materiale, kontrolli i territorit dhe pasurive natyrore, si dhe diferencimi shoqëror, mendohet të ketë qenë burim i konflikteve dhe luftërave ndërfisnore gjatë kësaj periudhe. 

Duke qenë pjesë e këtij ndryshimi të madh edhe banorët e luginës së Shkumbinit janë detyruar të ndryshonin mënyrën e tyre të jetesës. Lindja e fortifikimeve të kësaj periudhe shihet si pasojë e këtyre konflikteve të vazhdueshme dhe pasigurisë, si dhe lindjes së një elite ushtarake e aftë për të ndërmarrë ndërtime në një shkallë të gjerë, të cilat kërkonin një pushtet qendror shumë të organizuar. 

Këto qendra të fortifikuara ndërtohen me mure me linja të thjeshta të planimetrisë, me kulla dhe hyrje të pakta, me gurë në forma trapezoidale me faqe të sheshta, që në një terren fushor kalojnë në forma poligonale. Në kodrën e Saragut pranë Derevenit të Bishqemit, vihet re e njëjta skemë planimetrike, me kulla katërkëndëshe me dalje të cekët dhe hyrje në korridor. Format e gurëve janë katërkëndëshe me punim të rrafshët të faqes.

Sistemi fortifikues prehistorik dhe i Antikitetit të Vonë i luginës së Shkumbinit është reflektim i nevojës për kontrollin dhe mbrojtjen e këtij aksi të rëndësishëm rrugor, ku siç dihet në periudhën romake do të ndërtohet rruga Egnatia. 

Trakt  i  fortifikimit prehistorik të Orenjës

Trakt  i  fortifikimit prehistorik Zdranjsh

  Hartë gjeo – topografike e luginës së Shkumbinit dhe fortifikimet e saj

Filed Under: Histori Tagged With: Ervin Kujtila

KJO MURTAJË E ZEZË E BALLKANIT 

July 26, 2023 by s p

????????????????????????????????????

– ideologjia serbomadhe – 

Serbia e Madhe ose ideologjia serbomadhe është ide irredentiste e cila ka për qëllim t’i bashkojë në një shtet të përbashkët të gjitha territoret në të cilat jetojnë apo kanë jetuar dikur serbët. Gjatë historisë, kjo ide shfaqet në forma të ndryshme dhe me emërtime të ndryshme.

Ideja e krijimit të shtetit të madh serb ka lindur në shekullin XIX, në kohën e zgjimit kombëtar në mare Evropën dhe të luftës së popullit serb për pavarësi. Në mënyrë më të qartë është formësuar në vitin 1844 në “Naçertanien” e politikanit dhe kryeministrit Ilija Garashanin (Ilija Garašanin, 1812-1874). Ky është program politik sekret i Principatës së Serbisë. Sipas tij, shteti i ri serb do t’i përfshinte edhe rajonet   shumetnike të Ballkanit, si Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën, viset shqiptare etj. Gjatë shekullit XIX inteligjencia serbe, me përjashtim të mendimtarëve të së majtës të cilët kanë qenë për krijimin e Federatës Ballkanike, kryesisht e kanë pranuar idenë e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet të madh serb. Një program të këtillë e kanë pranuar edhe shumë sundimtarë dhe shtetarë serbë, duke përfshirë princin Aleksandar Karagjorgjeviq (Aleksandar Karađorđević, 1806-1885), princin Mihaillo Obrenoviq (Mihailo Obrenović, 1823-1868), themeluesin e Partisë Radikale Serbe, kryeministrin Nikolla Pashiq (Nikola Pašić, 1845-1926) dhe shumë të tjerë. Të gjitha partitë politike të Mbretërisë së Serbisë, me përjashtim të partisë socialdemokrate, kanë pasur për qëllim krijimin e Serbisë së Madhe, përkatësisht “bashkimin e serbëve”. Deri në Luftën e Parë Botërore, territori i Serbisë është zgjeruar vazhdimisht. Pas Luftës I Botërore, elita politike serbe është përcaktuar për krijimin e Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, bashkësisë së proklamuar të popujve jugosllavë, të cilën shumë studiues e kanë konsideruar krijim serbomadh. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërmjet partizanëve, në një anë dhe çetnikëve serbë, mbrojtës të krijimit të Serbisë së Madhe në kuadër të Jugosllavisë së madhe, në anën tjetër – në Jugosllavi u zhvillua luftë qytetare. Me dështimin e çetnikëve në Luftën II Botërore, dështoi edhe politika serbomadhe, RSF e Jugosllavisë ndërkaq, u ndërtua mbi parimin federativ. Pas vdekjes së Josip Broz Titos (1892-1980), në vitet ’80 të shekullit XX, synimet e serbomëdhenjve që me dekada ishin të mposhtur – tani ringjallen. Gjatë luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX, elita politike serbe, me ndërmarrje kriminale të bashkuar në hapësirën e Jugosllavisë, tentoi të krijojë shtet që do t’i bashkonte të gjithë serbët. Kjo rezultoi me krime lufte masive dhe me spastrime etnike. 

Karakteri agresiv i idesë së Serbisë së Madhe si dhe i projekteve të tjera të krijimit të shtetit të madh manifestohet në përpjekjen e sendërtimit të objektivit të parashikuar, që bie ndesh qartas me vullnetin e artikuluar prerazi të shumicës, të pjesëtarëve të kombeve të tjera, për të mos jetuar në atë shtet. Popujt e Ballkanit me shekuj jetojnë të përzier njëri me tjetrin, ndaj është e pamundur të krijohet një shtet kombëtar i madh pa përfshirë shumë grupe etnike kundër vullnetit të tyre. Gjatë historisë, të gjitha përpjekjet e tilla për krijimin e Serbisë së Madhe kanë përfunduar me krime të spastrimit etnik, me dëbimin e popujve joserbë, madje edhe me gjenocid.          

    Shënim: “Doktrina serbomadhe” apo “ideologjia serbomadhe“ nënkuptojnë idenë nacionaliste të bashkimit të serbëve. Me termin “politikë serbomadhe“ nënkuptohet politika që synon krijimin e Serbisë së Madhe. “Agresion serbomadh” është luftë pushtuese e ndërmarrë për krijimin e Serbisë së Madhe. Ky term ka hyrë në përdorim të gjerë që nga koha e luftërave në Jugosllavi në vitet ’90 të shekullit XX. Me termin “borgjezia serbomadhe” nënkuptohet elita politike serbe e cila promovon ideologjinë e Serbisë së Madhe. Termin e vuri në përdorim Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) gjatë Jugosllavisë së parë. Termi “hegjemoni serbomadhe” nënkupton epërsinë e Serbisë në shtetin e përbashkët jugosllav. Termi është përdorur sidomos gjatë Jugosllavisë së parë. 

Sipas serbëve, termi “politikë serbomadhe” na qenkësh floskulë austro-hungareze që duhet të bëjë të mundur copëtimin e Serbisë.   

*   *   *

Ideologjia serbomadhe në shekullin XIX – Ideja e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet është formësuar në fillim të shekullit XIX, si program i integrimit kombëtar dhe i krijimit të shtetit kombëtar në kufij maksimalë. Kjo dukuri e fillimit të shekullit XIX ka qenë e zakonshme ndër popujt e Evropës të cilët zgjimin kombëtar e kanë përjetuar në periudhën gjatë Revolucionit Francez dhe luftërave të Napoleonit (Napoleon Bonaparti, 1769-1821; perandor i Francës) dhe pas saj. Në kohën e rilindjes kombëtare në shekullin XIX, dijetarët serbë kërkonin modele historike për rimëkëmbjen e shtetësisë serbe. Kjo “e drejtë e shenjtë historike” bazohet kryesisht në Perandorinë serbe – kohëshkurtër – të Dushanit*, të shekullit XIV, e cila ka qenë shteti mesjetar serb më i shtrirë. Bujarët kishtarë kanë vajtur në Rusi për t’ia propozuar perandorit rus planet e rimëkëmbjes së “perandorisë sllavo-serbe”. Shtrirje me ndihmën e Rusisë ka kërkuar edhe peshkopi malazias Pjetri I Petroviq Njegosh (Petar I Petrović Njegoš, 1748-1830), duke e zgjeruar Malin e Zi në Hercegovinë, në Dalmaci dhe në Dubrovnik, që do të bëhej edhe kryeqendër.

Shënim: Dushani (Stefan Urosh IV Namanjić, i njohur edhe si Dušna Silni, rreth 1312 – 1355), në vitet 1331-1345 ka qenë mbret mesjetar serb, ndërsa në vitet 1346-1355, perandor i parë serb.   

*   *   *

  “Naçertania” (Projekti, 1844) e Ilia Garashaninit ishte program sekret i politikës së jashtme dhe kombëtare të Serbisë. E shkroi kah fundi i vitit 1844 ministri i Punëve të Brendshme Ilia Garashanini (1812-1874) për princin Aleksandar Karagjorgjeviq (1842-1858).

    “Çerta është bazë e politikës serbe; ajo nuk kufizohet në kufijtë e tashëm të saj, por synon t’ia bashkëngjit asaj të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”  – Ilia Garashanin, “Naçertanie”.   

Sipas “Naçertanies”, Serbia duhet të punojë për çlirimin e serbëve dhe të sllavëve të tjerë si dhe për bashkëngjitjen e rajoneve fqinje – Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë veriore, që nënkuptonte edhe Kosovën, që atëherë ishin në përbërje të Perandorisë Osmane. Më vonë, Serbia duhet të punojë edhe për bashkëngjitjen e Sremit, Baçkës dhe Banatit – atëherë në përbërje të Austro-Hungarisë. Veprimtaria propagandistike kryesore e Serbisë do të bazohej në përgatitjen e popullsisë së këtyre rajoneve për t’u bashkuar me Serbinë. Lufta për bashkëngjitjen e këtyre rajoneve do të zhvillohej duke cunguar gradualisht territoret që ishin nën sundimin otoman, në procesin e rënies së pandalshme të perandorisë. Sipas Garashaninit, për këto vende Serbia ushtron “të drejtën e shenjtë historike”, që bazohet në Perandorinë serbe të Dushanit të shekullit XIV. Mbi këtë bazë duhet ngritur sërish shtetin e madh serb: 

“Serbia duhet të përpiqet që nga ngrehina e shtetit turk të heqë nga një gur. Nga ky material i mirë, mbi themelin e vjetër dhe të mirë të perandorisë së vjetër serbe, të ndërtojë sërish shtetin e ri serb”

Në vitin 1848, Ilia Garashanini dhe politikani e historiani serb Konstantin Nikollajeviqi (Konstantin Nikolajević, 1821-1877) bashkërisht hartuan programin politik të njohur si Shtetet e bashkuara serbe, që parashikonte ndarjen e Perandorisë Osmane në dy nënmbretër: në Turqi aziatike dhe në Shtete të bashkuara serbe, ku do të bashkoheshin të gjithë sllavët e pjesës evropiane të perandorisë. Në fillim, Garashanini ishte ithtar i luftës për shtet të madh serb. Më vonë, si ministër i Punëve të Jashtme i princit Mihaillo (Mihailo Obrenović, evoluoi kah zgjidhja jugosllave. Vendosi lidhje me lëvizjen jugosllave dhe ilire në Monarkinë e Habsburgëve (me ipeshkvin kroat Shtrosmajer) si dhe me organizatat revolucionare bullgare.        

  Shënim: Shtrosmajeri (Josip Juraj Strossmayer, 1815-1905) është ipeshkëv kroat, teolog, politikan, themelues i institucioneve shkencore dhe kulturore kryesore kroate.

*   *   *

Si një dokument sekret, “Naçertania” e Garashaninit ka qenë program zyrtar i dy qeverive serbe – i princit Aleksandar Karagjorgjeviq dhe i princit Mihaillo Obrenoviq. programin e “Naçertanies” e kanë ndjekur të gjitha formacionet djathtiste serbe të dhjetëvjeçarëve të ardhshëm. 

*   *   *

Një tjetër ideolog i idesë së Serbisë së Madhe është Vuk Karaxhiqi (Vuk Stefanović Karadžić, 1787 – Vjenë, 1864). Ka qenë filolog serb, reformues i gjuhës serbe. Në vitin 1849 botoi në Vjenë artikullin “Të gjithë dhe kudo serbë” (Srbi svi i svuda). Këtu mbron tezën se të gjithë që flasin në dialektin shtokav, pavarësisht nga përkatësia fetare, tradita apo përkatësia rajonale, janë serbë. Artikulli është pjesë e librit “Kornizë për historinë, gjuhën dhe zakonet e serbëve të të tri feve”. Sipas të dhënave, artikulli qenkësh shkruar qysh në vitin 1836. Për këtë arsye, disa studiues e konsiderojnë si të parin projekt të Serbisë së Madhe. Në këtë artikull ai pohon se serbë janë të gjithë që flasin në gjuhën serbe, ndërsa gjuhë serbe i quan të gjitha dialektet dhe të folmet shtokav. Ai vjen në përfundim se ekzistuakan “serbë të tri feve”, por e quajnë veten serbë vetëm ata të “fesë greke” (të fesë ortodokse), kurse të tjerët nuk duan ta pranojnë këtë emër. 

Me këtë tezë, Vuk Karaxhiqi do të thotë se myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës janë serbë të fesë islame, ndërsa kroatët kudo qofshin – serbë të fesë katolike.               

   Vuk Karaxhiqi konsideronte se dialekti shtokav është serbishte, ndërsa gjuhë popullore kroate e vërtetë mund të jetë vetëm dialekti çakav. Sipas tij, dialekti kajkav është gjuhë i gjuhës sllovene. Sipas kësaj teorie të Vuk Karaxhiqit, territori në të cilin jetojnë shumica e kroatëve është reduktuar në Istër, në pjesën veriore të bregut lindor të Adriatikut dhe në shumicën e ishujve të Adriatikut.        

      Në vitet në vijim u publikuan vështrimet kritike të shumë autorëve kroatë në të cilat hidhet poshtë panserbizmi gjuhësor i Karaxhiqit. Duke i shpallur të gjithë shtokavistët serbë, autorët bashkëkohorë kroatë konsiderojnë se është pikërisht Vuk Karaxhiqi ai i cili i ka vënë bazat e ambicieve serbomëdha.  

Duke komentuar “Naçertanien” e Garashaninit dhe “Të gjithë dhe kudo serbë” (Srbi svi i svuda) të Karaxhiqit, historiani britanik i Universitetit të Oksfordit Noel Malkolm* (Sir Noel Malcolm, 1956- ), midis tjerash  thotë: “…ka pasur shumë intelektualë kroatë, si Ante Starçeviqi* dhe Eugen Kvaterniku* të cilët kanë mbrojtur ideologji të ngjashme, por me shenjë të kundërt, sipas të cilës të gjithë boshnjakët kanë qenë kroatë”. 

Shënim: 

Ante Starçeviq (Ante Starčević, 1823-1896) ka qenë politikan dhe shkrimtar kroat; 

Eugen Kvaternik (1825-1871) ka qenë politikan nacionalist kroat;

Noel Mlkolm  (Sir Noel Malcolm, 1956- ) është autor i librit “Kosovo: A Short History”, New York: New York Univesity Press, 1998; Botuar në vitin 1998 nga shtëpia botuese “Macmillan”; “Kosova: Histori e shkurtër”, përkthyer nga anglishtja nga Dr. Abdullah Karjagdiu; ripunuar nga Pirro Misha, botimi i dytë; shtëpia botuese “Koha Ditore”, Prishtinë dhe Shtëpia e librit, Tiranë, 2001, f. 514.  

*   *   *

  Programit politik të “Naçertanies” iu mbështet princi Mihaillo Obrenoviq, me Ilia Garashaninin si ministër i Punëve të Jashtme. Politika e princit, e prirë nga “ideja e madhe” synonte që Serbia ta merrte Bosnjën dhe Hercegovinën. Porta i refuzonte propozimet e Mihaillos që BH-në t’ia bashkëngjitë rajonit vasal të saj, duke i konsideruar synimet e tij si pjesë të aspiratave ruse në Lindje. Politika e princ Mihaillos e kishte mbështetjen e Perandorisë Franceze me në krye Napoleonin III (1808-1873), plani i të cilit për zgjidhjen e çështjes lindore në Ballkan, e merrte Serbinë për Piemont* rreth të cilit do të duhej të tuboheshin të gjithë popujt sllavë të Ballkanit, përfshi edhe bullgarët. Por, pas disfatës në luftën franko-pruse (1870-1871), politika franceze për një kohë të gjatë e humbi rolin në Ballkan. Pas vdekjes së princ Mihaillos, regjimi rus, epiqendrën e politikës ballkanike filloi ta mbart te bullgarët. Austria që në krye të herës ka qenë kundër. Tanimë asnjë fuqi e madhe nuk e mbështeste një rimëkëmbje të tillë të “perandorisë serbe”. 

Shënim: Piemont – krahinë në Italinë veriore (Piemonte); në mesin e shekullit XIX ka luajtur rol të madh për bashkimin e Italisë.                                                    

*   *   *

Ndër serbë, politika serbomadhe ka hasur edhe në kritika. Shprehjen “Serbi e Madhe” për herë të parë, madje në mënyrë kritike, e ka përdorur socialisti serb Svetozar Markoviq (Zajeçar, 1846 – Trieste, Itali, 1875). Ky ishte veprimtar politik, kritik letrar, mendimtar socialist dhe publicist. 

Ai thotë: “Sapo qeveria monarkiste u vendos në vend, ajo sakaq filloi të mendojë sesi t’i shtrijë kufijtë e pushtetit të vet edhe përtej kufijve të Serbisë… Ideja që Bosnja dhe Hercegovina të bashkohet me Serbinë filloi të përhapet edhe në Serbi edhe te populli i atjeshëm. Ky ka qenë parim i politikës i njohur me emrin Serbi e Madhe”. 

Pretendime të njëjta si Serbia, ndaj Hercegovinës, Bosnjës dhe Serbisë së Vjetër ka pasur edhe Mali i Zi i pavarur. Sipas Svetozar Markoviqit: “Është e pamundur që Bosnja të merret në rrugën paqësore, po qe se bujarisë së saj nuk i garantohen të drejtat e vjetra. Por, në anën tjetër, kjo do të thotë që raja boshnjake të lihet nën robëri”. Markoviqi konsideronte se rreziku i ndërmarrjes së Serbisë së Madhe qëndron në faktin se “populli serb jeton i përzier me popuj të tjerë, pa kufij gjeografikë dhe etnografikë të përvijuar qartas. Rrjedhimisht, ndaj fqinjëve të vet, do t’i duhej të merrte rolin e pushtuesit”.  Ai vazhdon dhe thotë: ”… Për t’u krijuar një shtet serb me pesë deri në pesë milionë e gjysmë serbë, populli serb do të duhej të ishte në raport armiqësor me bullgarët, me kroatët dhe me rumunët. Do të duhej të merrte rolin e pushtuesit, siç veprojnë hungarezët sot”.   

Svetozar Markoviqi ishte kategorikisht kundër idesë që Principata e Serbisë të merrte rolin e “Piemontit të sllavëve të jugut” dhe kundër politikës së ekspansionit territorial të Serbisë, që do të nënkuptonte aneksimin e rajoneve dhe të vendeve përreth, etnikisht të përziera. Markoviqi prerazi hidhte poshtë të referuarit në “të drejtat historike” me fjalët “parimi i kombësisë heq dorë nga të gjitha të drejtat historike”. E konsideronte të dëmshëm bashkimin e tokave serbe sidomos duke iu referuar Perandorisë së Dushanit, “për arsye se serbët e kohës së tij kanë jetuar në katër shtete: në Austri, në Turqi, në Serbi dhe në Mal të Zi”. Në vend të kësaj Markoviqi propozon krijimin e Federatës Ballkanike, përkatësisht lidhjen e popullit serb me popujt e tjerë të Ballkanit dhe me sllavët e jugut.

Markoviqi thekson se shteti i ri serb, i krijuar me pushtime, doemos do të bëhej shtet ushtarako-policor dhe forcën e vet do ta harxhonte për t’u mbrojtur prej armiqve të jashtëm, duke e lënë pas dore zhvillimin e vet mendor dhe kulturor. Ai vlerëson se ideja e Serbisë së Madhe shkon në favor të politikës që synon të përcaktojë në Serbi pushtetin e pakufishëm të dinastisë së Obrenoviqëve. Këtë “ide të madhe” ai e konsideronte si pretekst për t’iu shmangur problemeve të brendshme shumë më të rëndësishme të Principatës së Serbisë. Ai paralajmëron se “ideja revolucionare për bashkimin e popullit serb është shndërruar në ide të dëmshme për interesat e popullit”. 

*   *   *

Reagimet e Austro-Hungarisë ndaj Serbisë së Madhe – Zgjerimin e Serbisë, Austro-Hungaria e konsideronte kanosje për tërësinë tokësore të saj. “Naçertanien” e Garashaninit, Austro-Hungaria e ka shti në dorë në mënyrë sekrete dhe e ka arkivuar në vitin 1883. Monarkia Habsburge me rreptësi u është kundërvënë pretendimeve të Principatës së Serbisë fqinje ndaj rajoneve historike të kurorës habsburge, të banuara me sllavë të jugut. Dinastia e Obrenoviqëve ndiqte politikë pro-austriake, kështu që planet mbi ekspansionin territorial të Serbisë në atë kohë, ishin drejtuar kryesisht kah rajonet e Perandorisë Osmane. 

Gjatë luftës ruso-turke të viteve 1877-1878, autoritetet serbe dhe malazeze e kanë ndihmuar kryengritjen e popullsisë krishtere në Hercegovinë dhe në Bosnjë, kundër sundimin osman. Qysh gjatë luftës, ndërmjet kancelarit shtetëror rus, princit Gorçakov, kancelarit gjerman Bizmarkut dhe kryetarit të qeverisë austro-hungareze, Andrashit është arritur pajtimi se në rast fitoreje të serbëve, Fuqitë e Mëdha nuk do të tolerojnë krijimin e shtetit të madh serb. Në vitin 1878, Austria e pushton Bosnjën dhe Hercegovinën, për të cilën pritej se pas mbarimit të luftës ruso-turke, do t’i takonte Serbisë. Pas pushtimit të Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 1878 dhe aneksimit të saj në vitin 1908, austro-hungarezët gjithnjë më tepër do të vijnë në konflikt me politikën serbe të bashkimit.

Pamundësinë për t’u shtrirë në perëndim, Serbia përpiqej ta kompensonte me ekspansionin në lindje. Në vitin 1885 kjo solli luftën me Bullgarinë. Lufta serbo-bullgare shpërtheu në nëntor të vitit 1885. Mbreti Millan Obrenoviq (Milan Obrenović; Marasheshti, Rumani, 1854 – Vjenë, 1901), i pakënaqur me bashkimin e Bullgarisë dhe të Rumelisë lindore, e sulmoi Bullgarinë. Serbia kishte plane për hegjemoni ndaj rajoneve sllave të Ballkanit, ndaj ishte prerazi kundër këtij bashkimi. Lufta mbaroi me fitoren e bullgarëve. Pas kësaj disfate, ideologët serbë i përjashtojnë bullgarët nga planet për krijimin e shtetit të përbashkët të sllavëve të jugut.  

Agresionin ndaj Bullgarisë, politikani serb Vlladan Gjorgjeviq (Vladan Đorđević, ) e arsyetonte kësisoj: “Në mesjetë, një pjesë e madhe e sllavëve të Ballkanit ra nën pushtetin e bullgarëve. Është detyrë historike e serbëve t’i çlirojnë sllavët nga kanët bullgarë, të shtrydhin prej venave të tyre gjakun mongol dhe t’i bashkojnë në shtetin e madh serb të sllavëve të jugut, që nga Beogradi deri në Selanik dhe që nga deti Adriatik deri në Detin e Zi”.

Shënim: Aleksandër Gorçakov (Aleksandr Mihailoviç Gorçakov, 1798-1883) – diplomat, poltikan rus; ministër i Punëve të Jashtme i Rusisë;  

Bizmarku (Otto Eduard Leopold von Bismarck-Schönhausen, 1815-1898) – shtetar prus dhe gjerman; 

Andrashi, kryetar i Qeverisë austro-hungareze; 

Vlladan Gjorgjeviq (Vladan Đorđević, Beograd, 1844 – Baden, Austri, 1930) – politikan serb, mjek, oficer dhe shkrimtar; kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Serbisë; autor i librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Arnauti i Velike sile, Beograd 1913);             

*   *   *

Ideologjia serbomadhe vazhdon edhe në fillim të shekullit XX. Në vitin 1903, me grusht shteti përmbyset dinastia e Obrenoviqëve, ndërsa qeveria e re, prej Austro-Hungarisë, gjithnjë më tepër fillon të kthehet kah Rusia. Austro-Hungaria, në të cilën gjithnjë më tepër marrin hov idetë jugosllave, reagon me trysni politike, propagandistike dhe ekonomike. Kjo shkakton reaksion në formë të irredentizmit serb që kthehet kah Perëndimi.

Në fillim të shekullit XX u krijuan disa formacione paraushtarake dhe organizata revolucionare, qëllimi i të cilëve ishte bashkimi i të gjitha rajoneve serbe, përkatësisht i sllavëve të jugut, me Mbretërinë e Serbisë e cila shihej si “Piemont i sllavëve të jugut”. 

Dalin në skenë grupet e armatosura: Cërna ruka (Crna ruka / Dora e Zezë), Mlada Bosna (Bosna e Re) dhe Narodna odbrana (Mbrojtja Popullore).

Emri zyrtar i grupit “Cërna ruka” ishte “Bashkim ose vdekje”. Ishte shoqëri sekrete oficerësh. Synonte krijimin e Serbisë së Madhe. Udhëheqës i këtij grupi komplotist ishte oficeri serb Dragutin Dimitrijeviq Apis (Beograd, 1876 – Selanik, 1917). Apisi ishte kapiten i Shtabit Madhor të Ushtrisë së Mbretërisë së Serbisë. Ishte një prej organizatorëve të komplotit të oficerëve që kreu puçin në natën midis 28 dhe 29 majit (11 qershor) të viti 1903, me ç’rast u përmbys dhe u vra në dhomën e gjumit mbreti Aleksandar Obrenoviq bashkë me gruan – mbretëreshën Draga Mashin. Me këtë rast u vra në shtëpinë e vet edhe kryetari i qeverisë, i konsideruar si arkitekt i fitoreve ushtarake më të mëdha serbe, gjenerali Dimitrije Cincar-Markoviq (Dimitrije Cincar-Marković, 1849 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903); u vra ministri i Mbrojtjes, gjenerali Millovan Pavlloviq (Milovan Pavlović, 1842 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903); u vra adjutanti i parë, gjenerali Llazar Petroviq (Lazar Petrović, 1855 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903); u vranë edhe dy vëllezërit e mbretëreshës – Nikodije Llunjevica (Nikodije Lunjevica, 1881 – 11 qershor /o. s. 30 maj/ 1903)  dhe Nikolla Llunjevica (Nikola Lunjevica, 1881 – 11. qershor /o. s. 30 maj/ 1903). 

Mbretëresha Draga Mashin (Draginja “Draga” Mašin / Draga Milićević Lunjevica, 1864 – 11.06.1903) ishte vejushë. U martua me mbretin Aleksandar Obrenoviq. Ishte 12 vjet më e moshuar se ai. Fëmijë nuk kishin. Ishte pro-austriake.   

Puçistët e sollën në fronin serb Petar Karagjorgjeviqin (Petar Karađorđević, 1844-1921). Pas kësaj përmbysjeje, aleanca ndërmjet Serbisë dhe Austro-Hungarisë – u ndërpre. Serbia ndërkaq, sërish iu kthye lidhjeve me Rusinë dhe Francën. Në procesin e Selanikut, Apisi u dënua me vdekje. U pushkatua më 26 qershor 1917. 

“Cërna ruka” kishte për qëllim t’i bashkojë “të gjitha krahinat serbe: Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë e Vjetër dhe Maqedoninë; Kroacinë, Slloveninë dhe Sremin; Vojvodinën; bregdetin (Dalmacinë). Pas zgjerimeve territoriale të Serbisë në luftërat ballkanike, Cërna ruka u përqendrua në rajonet që ishin në përbërje të Austro-Hungarisë, gjë që kulmoi me Atentatin e Sarajevës (1914).

*   *   *

Organizata rinore “Bosnja e Re” (Mlada Bosna) ka lindur rreth vitit 1904. Studiuesit serbë e cilësojnë si organizatë revolucionare. Ka luftuar kundër pushtimit, pastaj edhe aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës – Austro-Hungarisë. Anëtarë të caktuar të kësaj organizate kanë bashkëpunuar me grupin “Crna ruka” (Dora e Zezë). Anëtari i “Bosnjës së re” Gavrillo Principi, me mbështetjen e grupit “Crna ruka” dhe me armët nga Beogradi, më 28 qershor 1914 kreu atentat në Sarajevë ndaj pretendentit austriak të fronit Franc Ferdinand  dhe gruas së tij Sofia. Austro-Hungaria e mori atentatin si shkas për luftë kundër Serbisë që u shndërrua në luftë botërore.   

Shënim: Gavrillo Principi (Gavrilo Princip; Oblaj, Bosansko Grahovo, të BH-së, 1894 – Terezin, Bohemi, Çeki, 1918) vdiq nga tuberkulozi për shkak të kushteve të këqija në burg. Aty e humbi edhe dorën. 

Franc Ferdinand (Franz Ferdinand, 1863-1914) pretendentit austriak i fronit;

Sofia Hotek (Sophie Chotek von Chotkowa, Dukesha Hohenberg, 1868-1914) – pasardhëse e një familjeje të njohur aristokrate çeke; më vonë grua e papranuar e Franc Ferdinandit; kishin tre fëmijë.  

*   *   *

Në kohën e Krizës aneksioniste (1908) u formua organizata paraushtarake serbe “Mbrojtja Popullore” (Narodna odbrana). Qëllimi i saj ishte që Bosnjën dhe Hercegovinën t’ia bashkëngjitë Serbisë. Organizata i dërgonte nga Serbia Bosnjës njësite çetnike për të luftuar kundër Austrisë. Gjatë luftërave ballkanike, nëpërmjet kësaj organizate rekrutoheshin vullnetarë për të luftuar në Maqedoni.      

*   *   *

Në vitet 1904-1908, shtetet ballkanike të sapoformuara – Greqia, Serbia dhe Bullgaria, e nisën luftën për aneksimin e rajoneve të Maqedonisë dhe të pjesëve të tjera të Ballkanit, të cilat pas Kongresit të Berlinit (1878), mbetën në përbërje të Perandorisë Osmane. Në Maqedoni jetonin popuj të cilët në pikëpamje të gjuhës, të fesë dhe të përkatësisë etnike dalloheshin ndër vete, si: sllavo-maqedonas, shqiptarë, bullgarë, grekë, turq, romë, vlleh. Propaganda serbe dhe bullgare ishte e orientuar ndaj sllavo-maqedonasve të cilët në atë kohë, në pikëpamje kombëtare, ende ishin të papërcaktuar. Propaganda greke ishte e orientuar kah grekët si dhe kah sllavët e Maqedonisë së Egjeut. Tre shtetet e sipërthëna synonin të kryenin serbizimin, bullgarizimin dhe helenizimin e sllavo-maqedonasve. Pretendimet ndaj Maqedonisë, nacionalistët serbë i arsyetonin me faktin se në kohën e car Dushanit ajo ka qenë në përbërje të “Serbisë së Madhe”.  

*   *   *

Gjeografi serb Jovan Cvijiq (Jovan Cvijić, ) duke qenë i interesuar për përparimin politik të Serbisë, shpesh e humbte objektivitetin e vet shkencor. Segmente të caktuara të punës së tij shfrytëzohen si “arsyetim shkencor” i politikës serbomadhe. Ai angazhohej për zgjerimin territorial të Mbretërisë së Serbisë kah jugu, në rajonet në të cilat serbët nuk ishin popull shumicë apo në të cilat fare s’ka pasur serbë. Kjo ka të bëjë sidomos me rajonet e Maqedonisë dhe të Shqipërisë veriore. Sipas tij, për t’u zhvilluar ekonomikisht, Serbia patjetër t’i aneksojë ato. 

Për ekspansionin serb, Cvijiqi shpikte “arsyetim shkencor”. Sipas tij, me vendimet e Kongresit të Berlinit, “Serbia është vend i rrethuar”, serbët ndërkaq – “popull i burgosur”. “Për t’i pavarësuar, Serbia patjetër të dalë në det” – thotë ai. Politikën e jashtme të Serbisë, Cvijiqi e orientonte kah zotërimi i bregdetit të Adriatikut, si të bregdetit kroat, ashtu edhe të bregdetit shqiptar. Në një anë pohonte se Dubrovniku është qytet ku ka serbë, në anën tjetër mbronte të drejtën e Serbisë për bregdetin shqiptar, përkundër faktit se aty nuk ka popullsi serbe.  

  “… për t’u bërë ekonomikisht e pavarur, Serbia patjetër të ketë dalje në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar: qoftë me zotërimin e territoreve, qoftë duke fituar të drejta ekonomike dhe komunikacioni në atë rajon. Vërtet kemi të bëjmë me një rajon që në pikëpamje etnografike është i huaj, por medoemos të zotërohet për shkak të interesave ekonomikë tejet të rëndësishëm, pikërisht për nevoja jetike” – thotë Cvijiqi.     

Në vitet 1906 dhe 1918 Cvijiqi hartoi një seri hartash me të cilat pretendimet serbe në rritje ndaj Maqedonisë janë arsyetuar duke i shpallur maqedonasit për grup etno-lingiustik të serbëve. Hartat etnografike të Cvijiqit të publikuara në vitet 1906, 1909 dhe 1913 dallohen midis tyre. Ato i kanë përcjellë nevojat e shtetit serb në lëmin e politikës së jashtme. Sipas Cvijiqit, çështja serbe duhet të zgjidhet me forcë.  

*   *   *

Ekspansioni territorial serb në luftërat ballkanike – Zgjerimin territorial më të madh, Mbretëria e Serbisë e arriti në vitin 1913. Në prag të luftërave ballkanike, kryeministri i Mbretërisë së  Serbisë Millovan Millovanoviq (Milovan Milovanović, 1863 – 18.06.1912) deklaron: “Ose do të bashkohet populli serb, ose i tërë Ballkani s’do të jetë tjetër përpos një varrezë e madhe”. Njihej me nofkën Ballaçko. Ka qenë jurist, diplomat, politikan. Një prej krerëve të Partisë Popullore Radikale. Në vitin 1884 diplomoi drejtësinë në Paris. Pas katër vjetëve, po në Paris mbron tezën e doktoratës. Me t’u kthyer në Beograd, ligjëron të drejtën shtetërore. 

Në luftërat ballkanike shteti serb realizon zgjerime territoriale të konsiderueshme dhe vendos pushtet mbi popullata joserbe: shqiptarë, maqedonas, bullgarë, turq, boshnjakë e të tjerë. Pas luftës, Maqedonia e Vardarit, Sanxhaku dhe Kosova pushtohen, përkatësisht  aneksohen nga Mbretëria e Serbisë. Aneksimin e këtyre rajoneve, Serbia e arsyetonte duke iu referuar “të drejtave historike”. Pretendimet serbe janë mbështetur edhe me pohimet për “shkallën qytetëruese më të lartë të serbëve, ndaj shqiptarëve”. Gjatë pushtimit të Kosovës në vitin 1912, ushtria serbe ka kryer krime të mëdha ndaj shqiptarëve. Raportet flasin për ekzekutimet masive të popullsisë shqiptare, për shkatërrimet e rënda të qyteteve shqiptare, për djegien e fshatrave, për plaçkitjen e shtëpive, për therjen e njerëzve, për përdhunimin e grave dhe për mizoritë ndaj popullsisë civile. Qëllimi i krimeve ka qenë që kërkesat serbe për zgjerime territoriale të përcillen me “pastrim etnik” dhe me manipulimin statistikor para konferencës së Fuqive të Mëdha e cila do t’i përcaktojë kufijtë e ri. Gjatë tetorit dhe nëntorit të viti 1912, ushtria serbe hyri edhe në Shqipëri, duke mbërritur deri në pikën strategjike më të rëndësishme, siç është porti i Durrësit. Kryeministri i Serbisë Nikolla Pashiqi përsëriste paprerë se Serbia në asnjë mënyrë nuk duhet të heqë dorë nga porti në detin Adriatik. Pas kanosjes ultimative të Fuqive të Mëdha, Serbia u detyrua të tërhiqet nga territori i Shqipërisë, e cila nga fundi i viti 1913 ishte njohur nga ndërkombëtarët.                         

E detyruar të tërhiqet nga Shqipëria, Serbia kërkon kompensim territorial në Maqedoni. Për këtë arsye ajo ra në konflikt me Bullgarinë. Në Maqedoni, Serbia zbatonte politikën e serbizimit sistematik. Maqedonia u shpall Serbi jugore, gjuha e maqedonasve u shpall dialekt jugor serb. Në raste të caktuara, popullsisë vendore i imponoheshin edhe emra serbë. Ngjarjet e luftërave ballkanike çuan në përplasjen e ideologjisë serbomadhe me ideologjinë bullgaromadhe. Konflikti shqiptaro-serb, sa vinte e acarohej.         

*   *   *

Politika serbomadhe has në kritikën e socialdemokratit serb Dimitrije Tucoviqit (Dimitrije Tucović, 1881-1914). Është autor i librit “Serbia dhe Shqipëria: kritikë ndaj politikës pushtuese të borgjezisë serbe” (Srbija i Albanija: jedan prilog kritici zavojevačke politike srpske buržoazije). Tucoviqi ka qenë jurist, politikan, gazetar dhe publicist, udhëheqës dhe teoricien i lëvizjes socialiste në Serbi, një prej themeluesve të Partisë Socialdemokrate Serbe. E ka kritikuar ashpër politikën serbomadhe të qeverisë së Nikolla Pashiqit. Sipas Tucoviqit, fushata luftarake serbe ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë assesi nuk mund të quhet çlirimtare, por pushtuese për arsye se po kryhet kundër vullnetit të popujve të atjeshëm.        Zaptimin e Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, Tucoviqi e dënoi si pushtim imperial. Ai i kundërvihej ekspansionit territorial të Serbisë dhe angazhohej që të gjitha vendet, baras me Serbinë, të hyjnë në Federatën Ballkanike të përbashkët. Ai thotë: “Grupimi dhe reciprociteti i vendeve dhe i popujve të Ballkanit është e vetmja rrugë që shpie në çlirim ekonomik, kombëtar dhe politik”. Sipas tij, “borgjezia serbe, duke proklamuar politikën pushtuese ndaj Shqipërisë, për herë të parë nga fytyra e popullit serb e hoqi tisin e një populli të ndershëm që lufton për çlirimin e vet”. Pas masakrës ndaj popullit shqiptar në Kosovë, Tucoviqi deklaroi zëshëm: “Është kryer tentim vrasjeje me paramendim ndaj një kombi të tërë. Kemi të bëjmë me vepër kriminale për të cilën duhet mbajtur përgjegjësi”.           

Xhelal Zejneli

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT