• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

77 VITE NGA MASAKRA E TIVARIT, “PRODUKT” I VËLLAZËRIM-BASHKIMIT TË KOMUNISTËVE  SHQIPTAR ME ATA SLLAV

April 1, 2022 by s p

(1945- 31 mars-02 prill -2022)

NGA  NDUE  BACAJ

Për njerëzit normalë nuk asnjë pikë dyshimi se historia e komunizmit në Shqipëri është më e zeza e të gjitha historive që njohin regjimet e këtij lloji që i përkisnin shekullit 20-të, Në kujtesën e njerzëve rreth gjysëm shekulli komunizëm njihet jo vetëm si regjimi diktatorial i Partisë (Komuniste) të Punës, por edhe e udhëheqësit  absolut Enver Hoxhes, krimet e të cilit edhe sot po të kujtohen nga shumica e shqiptarëve bëjnë të dridhen siç thuhet edhe fëmijën në bark të nënës. Një ndër krimet më monstruoze, ose supermedalja e medaljeve të zeza antishqiptare që ende valëvitet si krim pa ndëshkim në “gjoksin” e ligështuar, por jo shkatërruar të komunizmit shqiptar është pa asnjë mëdyshje, ajo që në kujtesën e njerzve njihet si Masakra e Tivarit. Kjo masakër e ekzekutuar në vitin 1945 (31mars-02 prill) nga ushtria Serbo-Malazeze, është e bekuar dhe ndihmuar nga komunistët shqiptarë, të cilët bënë si kurban të parë për dashninë që i kishte marruar e qorruar për Jugosllavinë e Titon, vëllezërit e tyre kosovarë, shpirti i të cilëve ende edhe sot nuk  gjenë prehje as në botën qiellore, madje oshtimat e këtyre rreth 4-5 mijë shpirtrave edhe sot kërkojnë “Shpagim”, si ndaj kriminelëve sllavë dhe atyre që mjerisht njihen si shqiptarë. Kriminelët Serbo-Malazezë duhej të denoheshin edhe nga gjykata ndërkombëtare (edhe pse tashma pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më), ashtu si dhe kriminelët nazi-fashist që ende ndiqen e denohen për krimet e tyre, shpesh herë shumë më të vogla e pa përgjegjësi direkte, sesa autorët e masakrës të tmerrshme të Tivarit, që janë konkret e të pa fshehur kurrë. Mbasi vetë qenia e Partisë Komuniste Shqiptare nuk ishte asgjë tjetër përveçse produkt serbo-sllav, ajo programin e saj “nacional” e shoqëror e kishte thjesht një derivat të partisë mëmë Komuniste të Titos, madje në hapat e saj të parë pas vitit 1944, komunistët shqiptarë ende nuk kishin “mësuar” të ecnin vetë, ata vazhdonin të ecateshin nga Partia Komuniste Jugosllave, si fëmija që ecatej nga nëna e vet. E pikërisht në këto momente “dhelpra” e kuqe Serbo-Malazeze filloi të realizojë doktrinën famëkeqe të akademikut serb Vasa Çubrilloviçit (të 07 marsit1937 dhe të plotësuar në atë të 03 nentorit 1944), në të cilën në pikën e III-të shkruhet: “Për këtë spastrim të shqiptarëve (krysisht të Kosoves) duhet organizuar ushtria nacional-çlirimtare e Jugosllavisë, e cila pa mëshirë duhet ta pastrojë territorin, sidomos duke shfrytëzuar tezat se shqiptarët janë kundër luftës Nac-Çl. në Jugosllavi dhe kanë bashkëpunuar me okupatorët fashistë” (Vasa Çubrilloviç – Manjinski problem u novoj Jugoslaviji, më 03. II. 1944, fq.. 1-21). Në frymën e kësaj “filozofie”, më 21 nëntor 1944 kryesia e AVNOJ-it amnistoi thuajse të gjithë kundërshtarët e saj Çetnik, ku përnjëherë ata u shndërruan në Partizanë. Në zbatim të platformës pushtuese e kriminale të Jugosllavisë (më saktë Serbisë) ndaj Kosovës, Shtabi suprem i Jugosllavisë me datën 8 shkurt 1945 me firmën e vetë Titos (sipas kerkeses se Miladin Popoviçit që ishte sekretari krahinor i PKJ per Kosoven..) shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe administrimin Ushtarak të Kosovës. Në fakt njëkohësisht edhe në Shqipërinë Veriore (Janar 1945) me urdhër të Enver Hoxhës, korporata dhe divizione të ushtrisë Nac-Çl. kishin bërë shtetrrethimin, gjithashtu sipas dokumentave që gjenden edhe sot në arkivin e shtetit shqiptar, me urdhër të Titos, E. Hoxha dërgoi për të luftuar përtej kufijve të Shqipërisë (londineze) Divizionet e V dhe VI, ku bënin pjesë Brigada e III, V dhe XXV Sulmuese të cilat kaluan në drejtim të Mitrovicës e të Sanxhakut, si dhe Brigadat e VI, VII, VIII dhe XXII Sulmuese në drejtim të Podgoricës e të Danilovgradit, duke bërë kështu edhe kapërcimin e kufijve Etnik të Shqipërisë. Në krye të këtyre forcave “shkëlqenin” dje dhe sot shumë komunistë shqiptarë protagonistë të mëvonshëm, por dy e kanë ruajtur plotësisht “shkëlqimin” (edhe pse sot kanë vdekur) e ata janë Ramiz Alia dhe Shefqet Peçi. Ky eksponent i lart i komunizmit shqiptar në tubimin e fushes Tuzit (7 shkurtit 1945), perveç të tjerave do të deklaronte:” Vëllezer malazez u mblodhem ketu per tu thenë…shqiptareve që banojnë në Mal të Zi,se ata janë bërë çerdhe reaksionaresh të ikur nga Shqiperia..” (gazeta “Pobjeda “ mars 1945 dhe gazeta e shkodres “Koha e Re”,mars 1945).(Siç shihet me keto që u ka thënë Sh. Peçi,shqiptarëve në trojet e veta të mbetura nën Malin e Zi kerkon tu “mohoi” edhe autoktoninë)… Për të vërtetuar më mirë misionin kriminal të këtyre forcave me emrin paradoksal (me veprimet që kryenin në fakt) “ushtria nacional-çlirimtare” po citoj një urdhër të E. Hoxhës që jua dërgonte komandave të Ushtrisë nacional-çlirimtare i cili gjëndet në Arkivin Qendror të Ushtrisë; dosja 45 e vitit 1944, ku ndër të tjera shkruhet: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë (ku me këtë nënkuptohej Kosova dhe vise të tjera të mbetura jasht kufirit politik të 1913-së N.B.), pa treguar as më të voglën tolerancë…”. Nga ky dokument e të tjera del e qartë qëllimi i Ushtrisë që Enver Hoxha dërgoi në viset Jugosllave në ndihmë të “vëllezërve” sllavë, pra për të vrarë, prerë e shkatërruar gjithë nacionalizmin shqiptar që mbante gjallë shqiptarët e trevave Etnike, që ishin gllabëruar padrejtësishtë nga Sllavët e jugut… Por gjithsesi edhe pas këtyre vendimeve e kordinimeve në mes Titos e Hoxhës ishte e vështirë që të kolonizonin këto treva safi shqiptare, e veçanërisht trevën martire të Kosovës, ku padyshim ishte djepi i rezistencës antisllave ndër dekada. Për të arritur qëllimin ogurzi të pushtimit serb të Kosovës në planet sekrete të Jugosllavisë së Titos u përpunua në janar të vitit 1945, programi i zbrazjes së Kosovës nga pjesa më aktive e popullsisë, të cilët gjoja nën një program për nevojat e Ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë nga Kosova do të rekrutoheshin 50 mijë burra me moshë kryesisht të re e aktive gjoja për të luftuar, ku ky veprim do të kryhej me shpejtësi, pasi sipas tyre e kërkonte koha, dhe për këtë kishte dijeni udhëheqja komuniste Kosovare dhe e Shqipërisë. Por “aresyen” e ketij mobilizimi të dhunshem e kriminal e tregon Bllagoje Neshkoviç (Sekretar krahinor serb) në një analizë që i bënë gjendjes në Kosovë duke theksuar: “…Në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit nuk keni njeri që nuk ka pushkë dhe këta njerzë në çdo rast mund të çohen në kryengritje. Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptaret në numrin më të madh janë kunder levizjes Nacionalçlirimtare.” (D. Erakoviç,Kosova tokë e premtuar, gaz. Rilindja dt.26 korrik 1989). Në vijim të këtij “programi” në mars të vitit 1945 pushteti i dhunshëm Serb-komunist pasi grumbulloi mijëra të rinj kosovarë si rekrutë (ushtarë) bëri një organizim gjoja ushtarak për t’i dërguar në frontin luftarak të Triestes (kunder fashizmit), por për të arritur atje do të ndiqej itinerari i lëvizjes Prizren-Kukës-Pukë-Vau i Dejës-Shkodër- Ulqin-Tivar… Kjo armatë në fakt nuk i përngjante një ushtrie të vërtetë, pasi në mesin e saj ishin grumbulluar edhe fëmijë 14 e 15 vjeçarë, që ishin thuajse zhveshur e zbathur. Për lëvizjen e këtyre trupave u ngarkua të kujdesej OZNA (UDB-ja e mëvonshme) si dhe Ministria e Brendshme Shqiptare që në atë kohë ministër kishte Haxhi Lleshin. Por në këtë kohë forcat ushtarake nacionaliste të Kosovës që komandoheshin nga Shaban Polluzha e tjer nacionalist u urdhëruan nga shtabi i Titos të largohen nga Kosova në drejtim të Sremit, ku padyshim ishte përgatitur një Tivar i dytë. Por komandanti legjendar nacionalist Shaban Polluzha nuk pranoi duke u shprehur: “Ne nuk nisemi andej nga na thotë dikushi”.. E kështu u detyrua të luftojë bashkë me shokët e tij kundër forcave pushtuese Serbe e të E. Hoxhës, derisa u vra më 21 shkurt 1945 në betejën masakër të Drenicës. Për megjithë ketë plani serbo-jugosllav per rekrutimin e shqiptareve të Kosoves nuk u ndal ndaj u mobilizuan me dhunë një numër i madh shqiptarësh që sipas disa dokumenteve shkonte rreth 17 mijë vetë, të cilët u ndanë në dy grupime, njëri nga rrafshi i Dukagjinit, i përqëndruar në Prizren dhe tjetri nga rrafshi i Kosovës i përqëndruar në Suharekë. Kontrollin e marshimit të këtyre forcave shqiptare do ta bënin forcat ushtarake Serbo-Malazeze, ku spikaste armatimi modern i Jugosllavëve, dhe mos armatosja e shqiptarëve që gjoja do të bëhej në Tivar. Organizimi i marshimit u nda në tri kolona dhe filluan nga Prizreni; Kolona e parë do të nisej me 24 mars 1945, kolona e dytë me 25 mars (1945) dhe kolona e tretë me 26 mars (1945). Pra siç shihet keta shqiptar të Kosoves të rekrutuar me mashtrime e me dhunë i kishin ndarë në tre pjesë dhe do të leviznin në tre data të ndryshme me qellim asgjesimin më të lehtë të tyre.. Asgjësimi i “ushtarëve” shqiptarë vazhdoi gjatë tërë rrugës, ku pas çdo kthese, lugine të thellë, ngjitje malore, kroni uji apo të ndonjë skute u muar jeta e këtyre vëllezërve kosovarë nga dora kriminale Serbo-Malazeze-komuniste. Vlenë të theksohet se pritja më kriminele u është berë rekruteve shqiptar të Kosoves në Shkodër ku u gjendën para befasive kriminale që kishte organizuar shteti komunist, duke mbledhur grupe proletarësh (nënkupto horrash), që duke kaluar kosovarët u thirrnin ballist, tradhtarë e deri i gjuanin me sende që shteti ju a kishte rekomanduar duke dëshmuar kështu se në Shqipërinë “mëmë” që e quanin kosovarët tashmë sundonin po dreqnit sllav, ndonëse vetëm emrat i dëshmonin për shqiptarë. Por pikërisht kriminelët shqiptarë e shkodranë që ndihmuan forcat Serbe në këtë marshim tragjik, me anë të komandës tyre të përgjithshme ushtarake në Shkodër so të njoftonin komandën e përgjithshme në Tiranë “… se grupimi i dytë me rreth 3000 vetë sapo arriti në breg të detit pranë Tivarit u rrethuan nga Forcat Jugosllave. Prej këtij grupi u larguan elementët sllavë, ndërsa mbi shqiptarët u hap zjarr”. E kështu në fakt është vepruar me shqiptarët e tri kolonave të cilët pasi kishin arritur nga data 31 mars deri me dt.02 prill (1945). Duke bërë që vetëm në Tivar të humbin jetën mbi 3000 shqiptarë të pafajshëm, të cilët ishin detyruar ti “përgjigjën” thirrjes së ushtrisë Jugosllave për t’u mobilizuar për të luftuar gjoja kundër bishës fashiste që ende ishte gjallë, madje përgjigja e shqiptarëve për t’u mobilizuar ishte diçka më e lehtë pasi në këtë mobilizim kishin dorë vëllezërit e Shqipërisë (Londineze), që komunizmi i kishte vëllazëruar me armiqt e hershëm sllavë. Por perpara të mberrihej në Tivar kishin humbur jeten gjatë rruges të pakten 1500 shqiptar të Kosoves. Vetë shteti komunist shqiptar e pranon se në teritorin shqiptar janë vrarë të pakten njemijë Kosovar. Bedri Spahiu si prokuror i pergjithshem ushtarak në gjyqin kunder Koçi Xoxes (që donin tja faturonin këtë krim) deklaronte:” Xhelatet e Rankoviçit që janë shquar per krimet alla-fashiste kunder popullit të thjeshtë të Kosoves, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nepermjet rruges prej kufirit tonë në Kukes e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e pergjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokes sonë deri në Ulqin..”. (Pretenca e Bedri Spahiut në gjyqin e lartë kunder grupit trockist. Tiranë 1949). Deshmi rrenqethse të kesaj masakre janë transmetuar deri sot nga dëshmitarë të pakët që kishin mbijetuar, ku një ndër keta ka qënë Azem Hajdini –Xani, i cili veç të tjerave këto deshmi i ka hellur në librin e tij,MASAKLRA E TIVARIT, botuar në vitin 1998 në Prishtinë. Nga këto dëshmi edhe sot “mesojmë” për këtë masakër që ende të duket se degjon të freskëta ushtimat e tmerrshme të të gjitha llojeve të armëve që godisnin nga të katër anët vëllezërit tanë shqiptarë të Kosovës, (në Tivarin e vjeter), por njëkohësisht edhe ushtimin e shpirtrave të pafajshëm që nuk gjendin vend më në trupat e bërë shoshë e të coptuar nga kriminelët e Titos që Enveri tashmë i kishte bërë xhan e shpirt. Ja disa nga keto “dëshmi”: Në qendër të Tivarit oficerët serb vranë për terror Syl Gllobarin vetëm se u përpoq që të bisedonte me ta për të pirë ujë. 80 shqiptarë pasi njëherë i lidhin e pastaj i zgjidhin i pushkatojnë përnjëherësh, në sy të tjerëve, të cilët i urdhëruan për t’i futur në një shesh të rrethuar me tela me gjemba për ti asgjësuar të gjithë si më sipër. Në hyrje të këtij “kampi” me tela me gjemba i prisnin ushtarët kriminelë serb që kënaqeshin me sadizmin e tyre duke i goditur shqiptarët me shufra hekuri në kokë, duke shkaktuar kështu pellgje gjaku. Milazim Haxhiu nga Ternavci u vra kur tentoi ti merret pistoletën një ushtari Malazez, ndërsa të riun shqiptar Ibrahim Koca i cili u bëri thirrje shokëve për qëndresë, e shpuan me bajonet dhe i prenë hundën, veshët dhe e bënë copa-copa. Ndërsa i shpëtuari nga kjo masakër (Azem Hajdini) do të dëshmonte: “Se gjatë daljes nga ngrehina pas pushimit të zjarrit munda të njoh të vrarë, Asllan Mustafën nga Ternavci, Bislim Pajazitin nga Krasmirovci, Bejt Bislimin nga Kryshevci, Sinan Avdiun e Hysen Zeqon nga Kopiliqi, si dhe dy të tjerë nga Prekazi. Me këtë rast po cilesojmë edhe një mënyrë tjeter kriminale të ekzekutimit kolektiv të shqiptareve të Kosoves në Tivar.. Një natë prilli, erdhi urdhri per të vijuar rrugen gjoja per të shkuar në front, për këtë duhej të kalonin kanalin e Çioves …rreth 100 metra të gjërë. Ura ishte bombarduar dhe për këtë futen me dhunë në një target rreth 150-180 kosovarë, të ngarkuar në shpinë me armë e paisje ushtarake. U pa qartë se u kalua pesha e lejuar dy-tre fish më shumë. Pasi trageti kaloi 20-30 metra nga bregu i kanalit u degjua një krisem e fuqishme, me ç’rast trageti u nda në dysh dhe u shkatërrua plotësisht, duke lëshuar në ujë të gjithë të ngarkuarit shqiptar…U mbush kanali me plisa të bardhë që notonin mbi ujë…Humben jeten menjehere rreth 65 shqiptar, ndër të cilet u nxorren dhe identifikuan 29 veta që u varrosen në Trogir: Ajet M.Murseli (1917,Doganaj),Arif Sh. Provoliu (1918,Soponicë), Riza I. Kasa (1913, Rekë),Azem H. Berisha 1920,Runjevë), Kadri L. Lulolli (1922, Biçec), Ukshin H. Palloshi (1923, Biçec), Xhavit Sh. Korraqi (1920 Kovaçec), Hamit L. Bela (1925,Xhurxhedell), Xhavit I. Reka (1926 Kerbliq), Qamil I. Sopa (1923,Nikoc), Habib Xh. Bruti (1917 Drenogllavë),Hasip M. Luma (1918, Glloboshicë), Avdi I. Buqi (Drenogllavë), Sabri A. Bushi (1929,Pustenik), Bajram Sh. Bushi (1930, Pustenik), Feti S. Berisha (1924, Goranzë), Hazir B. Berisha (1919, Gornazë), Kasem H. Berisha (1920 Goranzë), Xhemal V. Kaloshi (1924, Goranzë),Hamit Xh. Topojani (1924,Neçec), Nazmi A. Huneli (1928,Neshancë). Ipë A. Qajani (1927,Krivenik),Jashar H. Dernjani (1919,Plodonicë),Ahmet A. Dernjani (1919,Plodonicë),Haziz V. Çupi (1921,Plodonicë), Beqir I. Çupi (1921, Plodonicë),dhe Nuredin M. Derguti (1923, Varosh, Ferizaj)..(Azem Hajdini-Xani,Masakra e Tivarit,Prishtinë 1998). (Ndersa në mes kllapave është e shënuar vitlindja dhe vendbanimi, N.B.). Masakren me ekzekutim me armë të shqiptareve në Tivar jugosllavet ja kishin ngarkuar Brigades X që udhehiqej nga ekzekutoret kriminel Gosha Markoviç dhe Vladimir Roloviç. Në një raport të shtabit të kesaj ushtrie kriminale shkruhet se: “..U hap zjarr nga pushkët dhe armët automatike. U hollën bomba nga të gjitha anët, dhe në ato të shtëna u perfshinë edhe keshilltaret, infermieret, me një fjalë shtiu (mbi shqiptaret) çdokush që pati armë. Të shtënat pushuan atëherë kur nga grumbulli nuk u ngrit më asnjë njeri dhe kur nuk levizi njeri…” (Pjesë nga raporti i shtabit të kolones IV të AJ, dt.8.4.1945). Nga kjo masaker që u mori jetën qindra e mijëra shqiptarëve të pafajshem nuk po mundem pa cilesuar edhe rrefimin e të mbijetuarit Sadri Bytyçi, që në ketë masaker nga familja e tij mbeten të vdekur katër burra; Avdi Bytyçi, Abdulla Bytyçi, Nuhi Bytyçi dhe Syl Bytyçi. (Azem Hajdini-Xani,Masakra e Tivarit, Prishtinë 1998). Ndërsa në librin “Genocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare” në faqen 456 gjenden edhe emrat e këtyre viktimave të fundmarsit 1945: Xhemal Shaqir Hoxha, Xheladin Limon Shala, Xheladin Nuredin Morina, Zeqir Zenel Thaçi, Ramadan Thaçi, Murat Mazreku e tjerë. Në librin tjetër “Në flakën e revolucionit” Prishtinë 1981, shenohen emrat e të masakruarve e pushkatuarve, Hajdin Shukolli nga Suhareka, Ibrahim Baku nga Bllaca, Isuf Kryezive nga Gjakova, Jahir Sula, Jahja Mamusha, Met Pirkunga nga Bllaca e tjer e tjer.. Dëshmitë e emrat janë të pambarimtë pasi masakrat serbe nuk rreshtën thuajse kurrë… Ku të gjithë këta djem nënash shqiptare që ishin rekrutuar ishin nga viset me shqiptarë të Kosovës e Shqiptarisë, ata ishin nga Mitrovica e Podujeva, Vuçiterna, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Suhareka, Istogu, Peja, Rugova, Gjakova, Rahoveci, Bragashi, Prizreni, Tetova e tjerë… Në Beograd edhe sot gjindet (i pacensuruar) dokumenti i koduar (K.D.SH., krimet-93/19-64, k-25), ku ndër të tjera thuhet se gjatë “Çlirimit” të Kosovës nga fashistet, nacionalistet, tradhtaret e bashkepuntoret e fashizmit u likuiduan: në Gjilan 7854 veta, në Drenicë 4820 vetë, në Tetovë 4100 vetë, në Bihor 3820 vetë, në Prishtinë 3675 vetë, në Pejë 3540 vetë, në Mitrovicë e rrethina 1970 vetë, në Podujevë 1670 vetë, në Pazar 1410 vetë, në Shkup e rrethina 1450 vetë, në Ferizaj rreth 1260 vetë, në Prizren 1250 vetë, në Tetovë 900 vetë, në Gjakovë 730 vetë, në Gostivar 600 vetë, në Plavë-Guci 710 vetë, në Rahovec 750 vetë, në Roxhaje 715 vetë, në Kumanovë 780 vetë, në Preshevë 690 vetë, në Dragash 500 vetë, në Kërçovë 490 vetë, në Ulqin 515 vetë, në Suharekë 420 vetë, në Dubrovnik 120 vetë, në rrugën Kukës-Shkodër 110 vetë, në Togir 80 vetë, në Vershac 30 vetë në Deçan 30 vetë, në Tivar 2629 vetë (pra me gojën e tyre kriminelët komunistë sllavë e pranojnë që përnjëherësh u kanë marrë jetën 2629 shqiptarëve të pafajshëm vetem në Tivar, kur shifra mund të jetë vetëm e zvogëluar, N.B), e tjerë… Pra po të mbledhësh këtë shifër krimesh del se vetë pushteti jugosllav ka vrarë mbi 47 mijë shqiptarë të cilët kishin të vetmin “faj” se kishin lindur e banuar në trojet e tyre etnike gjysh pas gjyshi dhe mijëra vjet përpara se të zbrisnin si turmë arinjësh serbo-sllavët nga Uralet e akullta, dhe se nuk deshironin të jetonin të pushtuar nga Serbët. E natyrisht kjo shifër e cila në fakt është më e madhe, por që gjithsesi përbën një krim antinjerëzor i cili kurrën e kurrës nuk duhet të rrinte pa u ndëshkuar… Një ndër projektuesit e zbatuesit kryesor të masakrave antishqiptare Aleksander Rankoviç (pasi bie prej fikut) pohon një pjesë të vogël të këtij krimi, kur thotë: “Gjatë rrugës Prizren-Ulqin janë vrarë pa faj 400 vetë, si rast i gabimeve të organeve më të Ulta”. Natyrisht ky nuk ishte një rast që gabohej nga mvarës të Rankoviçit, por ishte vetë strategjia e shtetit komunist jugosllav. E pas masakrës së Tivarit, që është edhe ajsbergu i krimeve të shtetit të ish-komunistëve të sllavëve të jugut, qëndronte “Bekimi” kriminal i klikës komuniste shqiptare, e cila pas kësaj në vend që të ngrinte zërin në të gjitha institucionet europiane e botërore, ajo jo vetëm heshti, por fill pas kësaj dekoron shumë nga këta kriminelë. Dekorimi i kriminelëve Serbo-Malazez është bërë me Vendimin nr. 17 të datës 5. 9. 1945 dhe është një listë prej 55 personash, ku përveç dekorimit të Dushan Mugoshës që mban nr. 9 në listë, është edhe Miladin Popoviçi me nr. 8 (pas vdekjes, pasi ja kishte kthyer patkonjtë prej diellit patrioti trim nga Gjakova Haki Tafa, që me 13 mars 1945) e vazhdon deri tek krimineli, organizatori e zbatuesi i vrasjes të rreth 50 mijë shqiptarëve, Ministri famëkeq i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Aleksandër Rankoviç. Në listen që dekorohet antishqiptari i tërbuar Rankoviç e ka numrin rendor 11 dhe thuhet se dekorohet me urdhrin “Ylli Partizan” i Klasit Parë. Ky vendim kriminal i komunistëve shqiptar në fund mbyllet me “siglën” “Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nac-Çl. Sekretari Koço Tashko, d.v. dhe Kryetari Dr. Omer Nishani d.v.. Ku dekorimi është berë me propozimin e Enver Hoxhes.. Ky dekorim i kriminelëve serbo-malazez në fakt vinte pas dekorimeve që u kishte bërë vetë Titoja udhëheqësve komunist shqiptarë fillë pas Masakrës së Tivarit në fund-marsin dhe fillim- prillin e vitit 1945. Natyrisht këtë Titoja e kishte bërë për kontributin që kishin dhënë në shfarosjen e nacionalizmës shqiptare kudo në trojet etnike shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. E motivacioni ishte “Për kontribut të shquar në Luftën Antifashiste dhe në luftën kundër tradhëtarëve e bashkëpunëtorëve me pushtuesin fashist”. Nga vlersimet e Jugosllavisë të Titos u dekoruan Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Sejfulla Melishova, Baba Faja Martaneshi, Ymer Dishnica, Nako Spiro, Tuk Jakova, e tjerë. Mbase kur litarin që e kishte lidhur bandën e kuqe të E. Hoxhës pas qerres së Titos e Jugosllavisë e këputi “baba” Stalini, së bashku me këtë lak u këputën shumë nga emrat që shënuam më sipër ish miq e bashkëpunëtorë të Enver Hoxhës, i cili si maja lakut i mbeti në dorë Stalinit të cilit i shërbeu edhe pas vdekjes… Gjithsesi kur Titon e Jugosllavinë i bëri lanet Stalini, në Shqipëri Enveri këtij “shenjtori” që i falej i bëri shumë kurbane, ku për të justifikuar jo vetëm kurbanet por edhe tradhëtinë e krimin ndaj bashkëkombasve të vet, masakrën e Tivarit e tjera u mundua t’ja faturojë ish bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Koçi Xoxes. Ja se çfarë thuhet në një dokument të Arkivit Qendror të Shtetit… “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht nga organet e UDB-së si gjatë luftës ashtu edhe pas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë edhe agjenti i qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhëtari Koçi Xoxe, i cili në cilësinë e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë në fillim të vitit 1945 autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatojnë ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm. Këtu vlenë të sqarohet se po t’u referohemi fakteve e dokumentave të fundit të vitit 1944, vitit 1945 e deri në muajin maj 1946 Ministër i Punve të Brendshme ka qenë Haxhi Lleshi, i cili njëkohësisht ka dhënë edhe autorizimin përkatës, e cilesuam këtë për hirë të vërtetës, por Koçi Xoxe nuk ka qënë aspak më pak kriminel se Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi apo vetë shefi i tyre Enver Hoxha e tjerë nga ky “vathë”. Ndersa komunisti Kosovar Fadil Hoxha që ishte N/Komandanti i shtabit të Kosmetit akuzohet edhe “sot” se ishte njeri nga aprovuesit e masakres së Tivarit, ku Fadili e shtoj zollumin duke kërkuar që të vriten përseri Kosovar të tjerë jashtë “planifikimit” per ti marrur hakun Miladin Popoviçt të vrarë nga Haki Taha..(Proklamata e Shtabit të LLTSH,tetor 1945)..Cilsuam F. Hoxhem, por një rol të till Kriminal kanë edhe komunistë e ushtarakë të tjer Kosovar të njohur që militonin në vathen serbo- jugosllave.. Të duket disi e çuditshme se pas disa viteve edhe “revizionisto”-komunisti Tito dënon me të njëjtën procedurë ish-Minstrin e tij të Brendshëm Rankoviç duke i ngarkuar faje të paqëna, e deri duke ja faturuar atij edhe krimin e pashembullt të Masakrës së Tivarit, por edhe vrasjen e zhdukjen e rreth 50 mijë shqiptarëve per rikolonizimin serb të Kosoves. Me këto veprime dredharake komuniste, Titoja dhe Enveri patën “sukses” si në kampin shqiptar andej e këtej kufirit, por pse jo momentalisht edhe në kampin ndërkombëtar. Por kjo gënjeshtër e ky mashtrim, si të gjitha të këtij lloji nuk vonuan të sfumohen e të dalin në dritë e vërteta lakuriqe e fajsisë kriminale të dy liderëve komunistë, Tito e Enver, por edhe e bandave të tyre të kuqe që i quanin Parti-shtet ap shtet-parti. Pa dalur në dritë ka mbetur deri tani vetëm ajo “forcë” që këta kriminelë të gjallë apo të vdekur i ka shpëtuar edhe sot e kësaj dite pa marrë dënimin historik që meritojnë, e që duhej t’ua jepnin organet e drejtësisë kombëtar e ndërkombëtare, pasi kështu do t’u lehtësoheshin sadopak dhimbjet familjeve të viktimave,(që mendohet se janë rreth katër deri në pesëmijë veta, vetem në masakren e Tivarit), si dhe per ata që besojnë do t’jua bënte më të lehtë dheun shpesh edhe të harresës të viktimave, shpirtrat e të cilëve çdo ditë, çdo natë e çdo moment kërkojnë “shpagim” (ligjor). Madje viktimat në Kosoven martire janë akoma e më të shumta,pasi vijuan gjatë gjithë regjimit serbo-jugosllav duke kulmuar me kasaphanen e vitit 1999 të drejtuar nga krimineli komunisto-fashist Sllobedan Millosheviç. Për fat të mirë Europa e Bota nuk toleroi më..e sot Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur..Per hirë vertetes duhet thënë se në vitin 2010 (në mos gabofsha),qeveria shqiptare e asaj kohe ngriti një komision per të hetuar per Masakren e Tivarit. U grumbulluan shume dokumente e matriale shkresore nga arkivat e shtetit shqiptar, nga arkivat e ish Jugosllavisë e tjer. Por keto dokumente e matriale shkresore mbeten të tilla,veçse historiani Uran Butka (ish antar i ketij komisioni) i permblodhi në një liber të veçantë me titullin “Masakra e Tivarit dhe pergjegjësia e shtetit shqiptar”,botuar me ndihmesen e ish Ministrisë së Turizmit, Kultures,Rinisë dhe Sportit në vitin 2011… Për ketë “shenim” memorativ me nota të trishta ashtu si unë ende e “mendoi”, po citoj pak vargje nga Poema Masakra e Tivarit të autorit Sabri Ahmeti:

“…Mirëmëngjes Tivar i një Prillit,

i ajrit me arom baruti,

ende të paçfaqur në dukje,

Tivar i asaj natë të fundmarsit,

të mijëra ëndrrave,

të pangjashme me të tjerat,

midis fatzinjëve që prekën të tetmbëdhjet pranverat.

Vekatore:

Hënë e brishtë,

e netëve të mia të trishta,

vetëm sonte këputi fijet,

tu bëfsha kallme ylberi

nëpër gishta…”.

Ah po të perfundonte me kaq “dashnia” sllavo-komuniste !!!. Por fatkeqësisht  kjo “dashni” edhe sot trashigohet në mënyra të ndryshme nga trashigimtarët e komunizmit , deri tani kryeson Open Balkan (Ballkani i Hapur)…

Filed Under: Histori

BASHKIA GJIROKASTËR VLERËSON ME CERTIFIKATË MIRËNJOHJE ATDHETARIN QERIM HAXHIU

March 31, 2022 by s p

Në muajin mars 2022 Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Z.Flamur Golemi vlerësoi me Certifikatë Mirënjohje atdhetarin Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Për veprimtarinë  e spikatur patriotike për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar si dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare jashtë atdheut”.

Në datën 30 mars 2022 në sheshin përpara Shkollës së Parë Shqipe “Liria” në Gjirokastër iu dorëzua Certifikata e Mirënjohjes Z.Kevin Haxhiu nga Drejtori i Drejtorisë së Turizmit,Trashëgimisë dhe Sporteve në Bashkinë Gjirokastër Z.Blerim Kore.

Vlerësimi nga Bashkia e Gjirokastrës është një prej vlerësimeve që i janë bërë atdhetarit të shquar Qerim Haxhiu.

-Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët,ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël,bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.

-Në muajin shtator 2020 Shoqata Çamëria Kosovë vlerësoi me Çertifikatë “Mirënjohje” me motivacionin: -“Per kontribut atdhetarë” (pas vdekjes ) atdhetarin Qerim Haxhiu në vitin e 100 vjetorit të lindjes së tij (1920-2020).

-Në muajin shtator të vitit 2021 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderoi me vlerësimin më të lartë “Mirënjohja e Artë” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Për kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare jashtë atdheut,ruajtjen e identitetit shqiptar,ruajtjen e gjuhës shqipe,mbështetjen e studentëve shqiptarë në Egjipt dhe lidhjet e vazhdueshme me Vatrën dhe Gazetën “Dielli””.

ATDHETARI QERIM HAXHIU lindi më 7 shkurt 1920 në Lushnjë,në një familje qytetare,fisnike,patriotike të Lushnjes.Djali i patriotit të shquar shqiptarë Bajram Haxhiu i cili ishte një nga Anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri.Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt,por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike.Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta,revista të diasporës shqiptare të Egjiptit.Qerimi e kishte pasion letërsinë që në rininë e tij të hershme ndaj dhe shfletonte pothuajse të gjitha botimet që dilnin në atë kohë.Ai gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet.Haxhiu ka qënë nismëtarë i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve,peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare.Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut Shqipërisë,Kosovës,Çamërisë dhe të gjithë trevave shqiptare.Haxhiu ishte antikomunist i flakët,demokratë dhe nacionalist i madh.Qerim Haxhiu kishte njohuri të thella për historin shqiptare dhe gjithnjë fliste për Rilindasit e gazetat që ata botuan,të cilët kontribuan në zgjimin dhe ndërgjegjësimin kombëtarë të shqiptarëve të Egjiptit.Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951),atdhetari Qerim Haxhiu mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e Çajupit,gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit,në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt.Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA” dhe ishte i abonuar në Gazetën “DIELLI”.Gjithashtu Qerimi ka bashkëpunuar me Drejtuesit e Vatrës edhe në një projekt historik të Diasporës Shqiptare në Egjipt,projekt që e ndërmori “Vatra” dhe që u realizua nga Qerim Haxhiu në bashkëpunim me studentët shqiptar në Egjipt.Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Kairo ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj.Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo,me origjinë nga Shqipëria,Kosova,Çamëria dhe nga të gjithë trevat shqiptare) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për çështjet atdhetare.Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip,turqisht,italisht,anglisht,frëngjisht,etj.Qerim Haxhiu ka kontribuar në fillim të viteve ‘90 në përpilimin e librit “Shqiptarët e Egjiptit” me informacionet e tij të shumta për Historinë e Diasporës Shqiptare të Egjiptit.Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot që të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe,në Shqipëri.Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit.Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup.Në Gazetën Illyria,1209,21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar,Prof.Dr.Beqir Ismaili në kumtesën që ka mbajtur në këtë konferencë ndër të tjera ka përmendur edhe veprimtarinë e atdhetarit të shquar shqiptarë Qerim Haxhiu.

Filed Under: Histori

Marrëdhëniet dhe aleancat politike arbro-hungareze gjatë Motit të Madh 

March 29, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi*/

Kontaktet arbro-hungareze duhet të kenë qenë të hershme, ndoshta që në kohën kur kurora hungareze zotëronte territore të gjera të Kroacisë dhe të Bosnjës së sotme. Dokumentacioni që kemi në dispozicion nuk na ndihmon shumë në këtë drejtim, por duke ditur se prania e arbërve, qoftë si qytetarë apo si tregtarë dhe udhëheqës ushtarakë të Republikës së Raguzës ka qenë relativisht e madhe, na bën të mendojmë se ka pasur një kontakt të ngushtë mes tyre. Gjithsesi këto kontakte do të marrin një rëndësi edhe më të madhe politike dhe ushtarake sidomos në shekullin XV, kur territoret e Arbrit dhe të Hungarisë ishin nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të osmanëve. Më 1439, veprimet e trupave osmane erdhën duke u intensifikuar në Serbi, pranë kufirit jugor të Hungarisë. Në pranverë të po atij viti, sulltan Murati II sulmoi dhe pushtoi rajonin në lindje të lumit Morava. Në të njëjtën kohë, disa prej vasalëve të osmanëve po shkretonin pjesët perëndimore të mbretërisë së Serbisë. Ndërkaq sulltani rrethoi kryeqytetin e Serbisë, Smederevon. Despoti serb, Gjergj Bankoviçi, mbrojtjen e kështjellës ia besoi të birit, Gregorit, si dhe ungjit të tij, Thoma Kantakuzenit, ndërsa për vete u strehua në Hungari, bashkë me djalin e vogël dhe gjithë ç’arriti të merrte me vete me këtë rast. Në shpurën e tij bënin pjesë edhe shumë fisnikë hungarezë. Fisnikëria hungareze, gjatë mbledhjes së Dietës, të mbajtur në Bude më 29 maj 1439, vendosi që të organizonte një fushatë kundër osmanëve, me qëllim që të parandalonte rrezikun që i kanosej Beogradit, çka nuk e bënte dhe aq për t’u ardhur në ndihmë serbëve. Në të vërtetë, Dieta fisnike hungareze vendosi që mbreti të shkonte në luftë vetëm me ushtrinë vetjake dhe me forcat e fisnikërisë së madhe e të prelatëve, pa pasur të drejtë të thërriste nën armë të gjithë fisnikët, me përjashtim të rasteve tej mase të ngutshme, si dhe të mos kërkonte taksa të përgjithshme për të pajtuar mercenarë. 

Është pikërisht ky çast kur fillojnë edhe kontaktet e para arbro-hungareze për të organizuar një rezistencë të përbashkët. Në thelb, ky bashkëpunim do të mbështetej në sferën e përbashkët kulturore, pasi të dyja territoret, në nocionin gjeografik e kulturor, i përkisnin Europës. Familjet fisnike arbre ishin përfshirë ndërkaq në atë çka lidhej me idetë e para të Rilindjes europiane, një lloj ringjalljeje të së kaluarës së lavdishme të kulturës së antikitetit dhe lidhjes së origjinës së tyre me heronj të asaj periudhe. Familjet fisnike arbre filluarin të mbanin anale, ku shënoheshin vit pas viti ngjarjet më të rëndësishme. Më vonë këto vepra u botuan – si ato të Engjëllorëve, për shembull, një familje fisnike shqiptare nga Drishti – çka dëshmon se origjina e tyre ka qenë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine, si dhe me legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky element është shumë i rëndësishëm, ngaqë përcakton edhe vetëdijen e këtyre familjeve për përkatësinë e identitetit të tyre, pasi ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera europiane, duke përforcuar kështu idenë europiane të rajonit, që zë fill nga miti i lashtë i Europës, por që ushqehet rrugës edhe me mite të reja. 

Kontaktet e para diplomatike shqiptaro-hungareze mendohet se janë vendosur për herë të parë pikërisht në fillimet e epokës skënderbejane. Protagonistët kryesorë të tyre kanë qenë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468) dhe mbreti polak Vlladisllavi III (1424-1444), si dhe regjenti hungarez, guvernatori i Transilvanisë, Janos Hunyadi (Janosh Huniadi), sundues të shtetit polako-hungarez. Kryeqyteti i këtij shteti ishte me rotacion: një herë Krakovi i Polonisë dhe herën tjetër Buda i Hungarisë. Fillimet e fitoreve të Janos Hunyadi-t në digën danubiane përforcuan autoritetin e mbretit polak, Vladislavit, në Hungari, por ngjallën shpresa edhe te popullsitë e Ballkanit, të cilat ishin nën zgjedhën osmane. Popullsitë e krishtera të Ballkanit, po sidomos ato të vendeve kufitare me rajonet që kishin pushtuar osmanët, vuanin nën arbitraritetin dhe dhunën e vazhdueshme ngaqë ende nuk e kishin pranuar islamin apo nuk kishin arritur një armëpushim me sulltanin. Në ligjin klasik islamik, ndarjet kryesore të territoreve që sundoheshin nga sulltani ishin si më poshtë: dar al-islam (territori i Islamit/nënshtrimi vullnetar i Zotit), që përfshinte rajonet ku mbizotëronte ligji islamik; dar al-sulh (lit. territori i traktatit), që tregon tokat joislamike, të cilat kanë përfunduar armëpushimin me një qeveri myslimane; dhe dar al-harb (territor i luftës), që tregon vendet fqinje joislamike, sunduesit e të cilave thirren të pranojnë islamin.

Inkursionet e osmanëve, gjithnjë më të shpeshta në atë kohë, shkatërronin fshatra e qytete dhe me mijëra njerëz ishin shndërruar në skllevër. Tregtarët u shmangeshin zonave që qenë vazhdimisht të kërcënuara. Jeta ekonomike ishte e trazuar, skamja sa vinte e rritej. Mund të shtohet edhe fakti se njerëzit asokohe nuk arrinin të kuptonin, por kjo do të bëhej e qartë vetëm falë perspektivës historike, se sundimi osman ushtronte ndikim negativ mbi jetën e popujve të pushtuar, ngaqë osmanët kishin një regjim feudal-ushtarak që nuk merrej aspak me organizimin e prodhimit dhe nuk merrte masa për ta nxitur atë, po vetëm synonte të shfrytëzonte popullsinë e nënshtruar. Ushtria osmane dhe punonjësit civilë qenë të pandershëm dhe të korruptuar, abuzonin shumë me njerëzit dhe kjo e përkeqësonte gjendjen ekonomike dhe e çonte mbrapa kulturën në vend.

Marrëdhëniet arbro-hungareze u zhvilluan në harkun e viteve 1440-1460, kur Hungaria, nën udhëheqjen e Janos Hunyadi-t, ndërmori ofensivën e madhe në brigjet e Danubit, në Serbi e Varna për t’i dëbuar osmanët nga Ballkani. Në vjeshtën e vitit 1443 po përgatitej beteja e madhe e Nishit midis forcave të Unionit Polako-Hungarez dhe atyre të Perandorisë Osmane. Në këtë betejë Skënderbeu braktisi forcat osmane dhe më 28 nëntor 1443 u kthye në Krujë. 

Marrja e kështjellës së Krujës shënon fillimin e kryengritjes arbre kundër osmanëve, për të ndërtuar tashmë, krahas digës antiosmane të Danubit, edhe atë të Adriatikut. Edhe pse në vështrim të parë ky mund të duket si një aksion i koordinuar, dokumentacioni historik nuk dëshmon për ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë midis Hunyadi-t dhe Skënderbeut. Në veprën e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut” (1508-1510), thuhet se Skënderbeu duhej të kishte qenë i informuar rreth ofensivës dhe planeve të Hunyadi-t dhe Gjergj Brankoviçit dhe se ai mund të ketë bërë marrëveshje me ta, por ky konstatim mbetet më tepër një hipotezë e Barletit sesa mbështetet në ndonjë dokumentacion historik. Barleti mund të ketë pasur informacion të besueshëm, por gjithsesi narrativa e tij historike nuk mund të merret si një provë në vetvete e një marrëveshjeje mes Hunyadi-t dhe arbërve. 

Në pranverën e vitit 1444 rezistenca arbre u institucionalizua me themelimin e Lidhjes së Lezhës (2 mars 1444) dhe, në pritje të pushtimeve osmane, ishte e natyrshme që Skënderbeu të mendonte për një aleancë të qëndrueshme me Hunyadi-n dhe kurorën hungareze. Skënderbeu, pavarësisht dëshirës së mirë të shprehur në letrën e tij, nuk arriti t’i bashkohej koalicionit europian të udhëhequr nga mbret Vladislav III në Varnë të Bullgarisë. Barleti njofton se despoti i Serbisë, Gjurad Brankoviçi, e pengoi kalimin e arbnorëve drejt Varnës. Në mungesë të dokumenteve, historia e ka lënë me kaq këtë çështje.

Dy fushatat e mëdha të ushtrisë së përbashkët të krishterë, që përbëhej nga pjesëtarë të ndryshëm prej kombësive europiane, nën udhëheqjen e mbretit të Polonisë dhe Hungarisë, Vladislavit III, të quajtur i Varnës (i biri i Vladislavit II Jagellonit) dhe të vojvodës së famshëm transilvanas, Janos Hunyadi-t, nxitën dëshirat e popujve ballkanas për t’u çliruar me anë të sprapsjes së rrezikut osman me luftë të armatosur. Më 16 tetor 1444 ushtria hungareze mbërriti në Nikopolis dhe pasi ndenji aty tri ditë, vazhdoi rrugën e vjetër romake drejt bregut të Detit të Zi duke pushtuar, grabitur e shkretuar shumë qytete e kështjella. Përballë Varnës, kjo ushtri arriti më 9 nëntor dhe, po atë natë, ushtarët panë nga larg zjarret e ushtrisë së sulltanit. Ishin vetëm 16.000 ushtarë të përbërë nga trupat e mbret Vladislavit, të siguruara nga kardinal Cesarini, trupa translivane dhe rumune, si dhe kroate e vllahe. Kjo ushtri modeste duhej ta mbante shpresën te përforcimet që duhej të vinin nga zbarkimi i galerave burgunde dhe atyre papnore. Sipas planit të Cesarinit, trupat që do të zbarkonin nga flota do t’u dilnin nga pas otomanëve dhe kështu do t’i vinin ata mes dy zjarresh. Mirëpo flota nuk kishte mundur të mbërrinte në kohë dhe Murati II, i cili qe rikthyer në fron me urgjencë, kishte arritur që t’i kalonte trupat e tij në kontinentin europian me ndihmën e pabesë të galerave gjenoveze. Fatkeqësisht, kryqëzata europiane dështoi dhe mbret Vladislavi III u vra më 10 nëntor 1444. Burimet historike otomane nuk e fshehin mendimin se fati i luftës ishte me ushtrinë e krishterë që në fillim të betejës. Epërsia e saj ia prishi mendjen edhe vetë Sulltanit, i cili po bëhej gati të merrte arratinë. Po ndërkaq kronikat otomane parashtrojnë ndërhyrjen e perëndisë në fatin e betejës. Mbret Vladislavi III, i fryrë nga mburrja, vendosi t’i shkatërronte vetë kundërshtarët dhe u vërsul kundër trupave të Muratit. Ai mbeti i gozhduar midis një jeniçeri dhe një azapi, të cilët ia vranë dhe kalin. Jeniçer Koca Hidiri ia preu kokën dhe ia dërgoi Sulltan Muratit. 

Marcin Bielski, humanisti polak, në veprën “Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, princin shqiptar”, shkruan se Skënderbeu me njerëzit e tij nuk mundi të ishte në kohë në këtë betejë, sepse për të vajtur në Varnë duhej të kalonte përmes Serbisë dhe Bosnjes, por despoti i Serbisë i krijoi vështirësi e vonesa të panumërta në tokat e tij. Kur dëgjoi se hungarezët u mundën dhe mbreti mbeti i vrarë, u zhyt në dëshpërim e vajtoi. Tri ditë nuk hëngri e nuk piu dhe me asnjë njeri nuk bisedoi ngaqë ndiente keqardhje. Ky rrëfim i Bielskit na konfirmon edhe një herë tjetër për letrat që kishin shkëmbyer mbret Vladislavi III dhe Skënderbeu, si dhe dëshirën e të dyve për të ndërtuar një aleancë të ngushtë antiosmane. Por detaji më interesant në librin e Bielskit është pasazhi ku shkruhet se ndoshta një pjesë e shpëtuar e ushtrisë së Unionit Polako-Hungarez gjeti strehë edhe në Shqipëri. Luftëtarët e ushtrisë hungareze u shpërndanë, shkruante Bielski. Disa shkuan dhe në Shqipëri. Aty Skënderbeu i strehoi, i ushqeu, ua kuroi plagët, u garantoi siguri, u dha dhurata, pavarësisht cilës kombësie i përkisnin. Deri më tani nuk ka të dhëna dokumentare të tjera që ta vërtetojnë këtë fakt, por nuk përjashtohet mundësia që një kontingjent i shpëtuar i ushtrisë hungarezo-polake të ketë arritur në portet e Arbërisë me anijet veneciane. Në këtë rast, prania e këtij kontingjenti të ushtrisë polake do të përbënte edhe vendosjen e kontakteve të para të drejtpërdrejta midis ushtrisë së Skënderbeut dhe ushtrisë hungarezo-polake. Mirëpo, pavarësisht këtyre burimeve të tërthorta historike, nuk ka gjurmë në dokumentacion që të dëshmojnë për shkëmbimin e ambasadorëve apo dërgatave diplomatike në këtë periudhë dyvjeçare, 1444-1446, midis Skënderbeut dhe Hunyadi-t. Vetëm në vitin 1447, në prag të fushatës së Hunyadi-t në Fushë-Kosovë, ka dy burime historike që dëshmojnë për planet e bashkëpunimit midis dy heronjve të krishterimit. Burimi i parë historik është historiani bizantin Chalkokondyles, i cili shkroi në vitin 1460 se Hunyadi dërgoi lajmëtarë te Skënderbeu dhe tek Araniti, sepse qëllimi i tij ishte të bashkonte forcat me ta, ndërsa ishin duke depërtuar thellë në Europë. Për këtë arsye, ata (Skënderbeu dhe Araniti) ishin informuar më parë.  

Ky bashkëpunim shikohej më shumë në kuadrin e një gjeostrategjie më të madhe paneuropiane rreth rrezikut otoman sesa një bashkëpunim lokal administrativ midis Hungarisë dhe Arbërisë. Plani i Janos Hunyadi-t ishte që t’i dëbonte osmanët nga Europa në disa faza. Hapi i parë që duhej të realizohej në vjeshtë të vitit 1448 me ndihmën e Skënderbeut ishte pushtimi i Maqedonisë dhe i portit të Selanikut. Duke marshuar drejt jugut të Serbisë dhe duke bashkuar forcat me ushtrinë e arbërve, ai kishte për t’i ndarë më dysh zotërimet e Perandorisë Osmane në Europë. Duke pushtuar Maqedoninë, Arbëria ishte e mbrojtur nga sulmet e reja të osmanëve, ndërsa Selaniku mund të shndërrohej në një bazë për flotat e Venedikut dhe të Aragonës, me synimin për të bllokuar ngushticat dhe si një pikënisje në stere, për të ndërmarrë një sulm vendimtar në drejtim të Adrianopojës. Një urë lidhëse tepër e rëndësishme midis Arbërisë dhe Hungarisë ishte Mbretëria e Napolit, shtet që, nën udhëheqjen e Alfonsit të Aragonës, kishte zhvilluar një politikë aktive antiosmane në rajonin e Europës Lindore. Mirëpo kjo politikë dhe ekspansion i Mbretërisë së Napolit në Europën Lindore zhvillohej në rivalitet me politikën dhe ekspansionin territorial që kishte po në këto territore edhe Republika e Venedikut. Edhe konflikti me Venedikun, që pati Skënderbeu më 1448, shikohej si një reflektim i këtij rivaliteti, ku princi arbër, i zhgënjyer nga ndihma e deriatëhershme venedikase, filloi të ndërtonte themelet e një politike të jashtme të lidhur ngushtë me Mbretërinë e Napolit. Ishte pikërisht ky konflikt që e vonoi Skënderbeun dhe fuqitë arbre që ai komandonte, për t’u bashkuar me fuqitë e Hunyadi-t në Fushë-Kosovë. Pavarësisht faktit që në Traktatin e Paqes, nënshkruar midis prijësve shqiptarë dhe Venedikut më 4 tetor 1448, shkruhej se, gjithashtu, mbasi e kanë pleqëruar mes tyre zotërinjtë e sipërshënuar të Shqipërisë dhe kanë vendosur që i sipërshënuari, zoti Skënderbe, të shkojë vetë me sa më shumë ushtri që të mundet për t’u bashkuar me zotin Janus (Janos Hunyadi), i përmenduri zotërim i Venedikut duhet të urdhërojë që t’i jepen e t’i dorëzohen të përmendurit Skënderbe, për llogari të shpërblimit të tij, brenda 15 ditëve, një mijë e katërqind dukatë që do të zbriten nga shpërblimi i tij, ushtria arbre nuk arriti të ishte e pranishme në betejë. Një shkak tjetër i pranuar gjerësisht nga historianët ishte dhe neutraliteti i despotit serb, George Brankoviçit (1377 -1456), që u bë akoma më shumë pengesë që forcat arbre të bashkoheshin me ato hungareze në Fushë-Kosovë. Arsyet e këtij qëndrimi të despotit serb ndaj fushatës antiosmane hungareze ishin sa diplomatike, po aq dhe fetare. Ai nuk i zinte besë plotësisht Hunyadi-t. Druhej se, pas përpjekjeve për çlirim, guvernatori i Hungarisë fshihte synimin për të nënshtruar popujt e Ballkanit. Frika e tij ushqehej edhe nga ndryshimi i besimeve. Pas koncilit të Firences më 1439, kur papa ta shfaqte haptazi qëllimin për të përfituar prej vuajtjeve të popujve të Lindjes e t’i kthente ata në katolicizëm, serbët – popullsi ortodokse – shpesh, te ndihma e ofruar nga një vend katolik, shihnin një orvatje të fshehtë për t’i kthyer në katolicizëm. Madje edhe në këngët popullore serbe për Janos Hunyadi-n – të cilin ata e thërrasin Jank Sibiniani – ndonjëherë ai paraqitet si një kryqtar fanatik që kërkonte t’i kthente me forcë në katolicizëm popujt e çliruar prej ushtrisë së tij. Fushata e vitit 1448 e ndihmoi luftën e popullit arbër, po ndërkaq nuk mund të pohojmë për ekzistencën e një aleance të njëmendtë. Aty nga fundi i pranverës së vitit 1448, i vendosur t’i jepte fund “rebelimit” të arbërve, sulltani e sulmoi Skënderbeun me një ushtri prej afro 100.000 vetash. Ai pushtoi disa territore dhe rrethoi Krujën, qendrën kryesore të qëndresës, por nuk mundi ta pushtonte. Lajmet për përgatitjet e Hunyadi-t, por edhe arsye të tjera të mundshme, bënë që sulltani të vendoste ta ngrinte rrethimin e Krujës dhe gjatë muajit gusht të tërhiqej nga Arbëria.

Ndërkaq, ushtria hungareze depërtoi në thellësi të Mbretërisë Serbe, ku nuk hasi forca osmane, çka e dobësoi dhe vigjilencën e saj. Më 28 shtator nisi marshimin në drejtim të jugut, nga vendi ku lumi Morava shkon e derdhet në Danub. Më pas zbriti në luginën e lumit Lab dhe, në më pak se dy ditë, arriti në Fushën e Mëllenjave. Kjo ka ndodhur më 14 ose 15 tetor 1448. Një gabim që bëri Janos Hunyadi gjatë marshimit për më shumë se 300 kilometra në territorin e armikut – pavarësisht nga përvoja e gjatë – ishte organizimi i keq i shërbimit informativ lidhur me lëvizjet e osmanëve. Mendohej që Janos Hunyadi të takohej me Skënderbeun pa mbërritur te qafat që të nxirrnin në luginën e Vardarit, drejt Maqedonisë. Ai ndaloi, në mënyrë që ushtria të pushtonte për pak ditë në veri të Fushës së Mëllenjave, pranë Prishtinës. Mirëpo osmanët, që ishin lajmëruar më parë nëpërmjet shërbimit të tyre të informimit, kishin marrë masat për t’ua prerë rrugën forcave hungareze në Fushë-Kosovë. I përballur me shfaqjen e papritur të osmanëve, Janos Hunyadi kishte dy rrugëdalje: ose tërhiqej drejt jugut, të përshpejtonte kësisoj bashkimin e forcave me Skënderbeun, ose t’u bënte ballë në vend, në pritje të ardhjes së arbërve, të cilët nuk mund të ndodheshin larg. Guvernatori e hodhi poshtë idenë e tërheqjes në drejtim të jugut. Një gjë e tillë kishte për të qenë demoralizuese për ushtarët, kur ta shihnin veten të ndjekur nga armiku në një territor të panjohur për ta dhe në një drejtim që i largonte edhe më shumë nga vendi i tyre. Në të njëjtën kohë, kishte për të qenë e vështirë të shmangej një sulm i osmanëve me ushtrinë të rreshtuar në pozicion marshimi, duke krijuar një situatë që sillte humbje të sigurt. Kundrejt lumit Sitnica, në krahun e djathtë të ushtrisë osmane, ishin vendosur trupat e Anadollit, të komanduara nga bejlerbeu i ri, Sgur pasha, me origjinë arbërore. Beteja u zhvillua e ashpër, por hungarezët humbën. Osmanët vranë shumë fisnikë hungarezë gjatë tërheqjes dhe vetë Hunyadi ra rob te zotërimet e George Brankoviçit. Humbja e ushtrisë hungareze në Fushë-Kosovë më 1448 i privoi forcat e koalicioneve antiosmane europiane nga ofensiva e sulmit dhe nga dëbimi i otomanëve nga Ballkani, ku tashmë Hunyadi do të mbronte me sukses zotërimet hungareze, ashtu si dhe Skënderbeu principatën e vet. 

Vetëm në vitin 1455, pas shpalljes si papë i Romës të Kalistit III, ideja e një kryqëzate të organizuar do të zinte vend sërish në mendimin dhe aksionin politik të vendeve europiane, ku sërish do kryqëzoheshin fatet e rezistencës arbre dhe hungareze. Papa i ri ishte ideatori dhe organizatori i një kryqëzate që u quajt “Liber Brevium Callisti III”. Kardinalët dhe predikuesit iu drejtuan turmave popullore duke iu bërë thirrje të rroknin kryqin për të luftuar armiqtë e besimit. Kontingjenti më i madh i kryqtarëve u mblodh në Gjermani, Bohemi dhe Hungari, falë predikimeve të frat Xhiovani da Kapistrano-s. Rezultati i parë i kësaj mbështetjeje qe pjesëmarrja e këtij kontingjenti forcash për marrjen e kështjellës së Beogradit nga ana e forcave hungareze me në krye Janos Hunyadi-n më 6 gusht 1456. Po atë ditë, në të kremten e shpërfytyrimit të Krishtit, mbërriti në Romë lajmi se turqit qenë thyer në Beograd. Me këtë rast, papa organizoi festime falënderimi për ushtarët e kryqëzatës, sepse Beogradi ishte etapa e parë. Tashmë lipsej të marshonte drejt Kostandinopojës dhe Jerusalemit. Mirëpo, pavarësisht kësaj ndërmarrjeje dhe angazhimi papnor për të mbledhur njerëz për kryqëzatën, duhet pranuar se mungonte pothuajse e gjithë fisnikëria që, asokohe, zotëronte, gati përjashtimisht ndaj shtresave të tjera, profesionin e përdorimit të armëve. Për shembull, në betejën e Beogradit, ku kryqtarët luftuan trimërisht dhe fituan, nuk kishte mes tyre asnjë fisnik, por vetëm artizanë dhe fshatarë. Në kontekstin europian të përpjekjeve të papa Kalistit III për organizimin e një kryqëzate të suksesshme, Skënderbeu dhe Arbëria kishin pasur një interes maksimal për të qenë pjesë e saj. Skënderbeu pati pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik 1455 dhe pati luhatje të pushtetit pas tradhtive të nipërve të tij, Gjergj Stres Balshës që kishte dorëzuar kështjellën e Modricës më 1456 dhe Hamzait më 1457. Por, pas fitores mbi ushtrinë osmane të udhëhequr nga Isak Bej Evrenozi (gjenerali osman më me përvojë në betejat me shqiptarët dhe i këshilluar ngushtë nga Hamza Kastrioti) në Betejën e Albulenës, Skënderbeu fitoi sërish mbështetjen e vazhdueshme të papa Kalistit III dhe, mbi të gjitha, vlerësimet pozitive në të gjitha oborret e Europës përmes korrespondencës së Papës me këto oborre, për t’i tërhequr ato në politikën e tij antiosmane. Në planin teorik të kryqëzatës, Skënderbeu zinte një rol kryesor në rreshtimin e forcave: Arbëria dhe forcat e tij gjendeshin në linjën e parë. Për Shqipërinë, si nunc për kryqëzatën u caktua ipeshkvi i Krajës, Pal Engjëll-Dushi, i cili do të vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi, ndoshta për të mbledhur në të parën ndihma për Shqipërinë e në të dytën për të mbështetur pozicionin e saj të lëkundur e kësisoj drejtpërdrejt të rrezikshëm për Shqipërinë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu arriti ta mposhtte pushtuesin me zotësinë e tij. Kështu, shembulli i tij, nga motiv ndihmash u shndërrua në motiv inkurajimi për princat e krishterë në luftën kundër osmanëve. Ky fakt duket qartë në letrën që papa Kalisti III i dërgonte mbretit të Hungarisë, Matia Korvinit: “Falë fitoreve të tjera të arritura nga biri ynë i shtrenjtë, fisniku Skënderbe i Shqipërisë kundër turqve, forcat e armikut duhet të jenë ligështuar në maksimum”. Në vijim papa Kalisti III flet në shkallë sipërore për Skënderbeun, duke e quajtur atë kavalier trim dhe atlet i Zotit: “Në Shqipëri, kavalieri dhe atleti i Zotit, Skënderbeu, forca dhe qëndresa shpirtërore që ti e vë në veprim kundër turqve dhe lëngesat e vazhdueshme që ti duhet të përballosh… I falemi Zotit për vendin tënd që të ka vendosur për të qëndruar si një pendë dhe një mur i fuqishëm mbi të cilin turren, duke u mundur shpesh, për të dhënë lavd e nderim të jashtëzakonshëm, armiqtë me të cilët lipset të përleshesh edhe trup me trup. Ah, sikur të kishim edhe të tjerë me vlerën tënde mes princërve kristianë, për të mos qenë kaq të ankthshëm e kaq të shqetësuar për mbrojtjen e besimit tonë!” Kjo korrespodencë inkurajuese i drejtohej Matias Korvinit për ta tërhequr në kryqëzatë, pasi menjëherë pas fitores së Beogradit, nga kufomat e shumta, si dhe nga mungesa e ushqimeve, shpërtheu murtaja. Midis shumë të tjerëve kishte vdekur dhe Janos Hunyadi, më 11 gusht 1456, çka e kishte ndërlikuar shumë fatin e kryqëzatës së porsafilluar. Lajmi i vdekjes së Hunyadi-t tronditi gjithë botën europiane të krishterë. Madje edhe njeriu që ai e kishte mundur, Mehmeti II, u prek nga vdekja e Hunyadi-t, duke thënë se qysh nga agimi i kohërave nuk kishte pasur ndonjë burrë që t’i shërbente më mirë kauzës së tij. Trupi i heroit u çua në Transilvani dhe u varros në katedralen katolike në Alba Julia, ku dhe sot mund të shihet rrasa e bukur e vendosur mbi varrin e tij pas disa vitesh. Edhe pas vdekjes, Hunyadi-n e mbajtën në Transilvani, ku edhe ishte ngritur në majat e lavdisë prej përkushtimit të njerëzve, të cilët i ranë pas dhe e ndoqën në betejat ku ai u priu me trimëri dhe zotësi të pashoqe. Pas vdekjes së Hunyadi-t, djali i tij, mbret Mathias Corvini ndoqi një politikë të përqendruar më së tepërmi në zotërimet e tij sesa në mbështetje të koalicioneve europiane antiosmane. Kjo ishte arsyeja që papa Kalisti III, për subvencionet e mbledhura në Dalmaci, urdhëroi të ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet mbretit të Hungarisë, mbretit të Bosnjës, si edhe Gjergj Kastriotit të Shqipërisë. Mbreti i Hungarisë, Matthias Corvinus (1458–1490) nga botëkuptimi i përkiste Rilindjes europiane. Ai kishte një nga bibliotekat më të pasura në Europë, që ia kalonte vetëm ajo e Vatikanit. Po ashtu kishte arritur një administrim të përsosur të vendit dhe ishte përkrahës e mbrojtës i arteve të bukura. Gjatë kohës së tij, aleancat dhe vizitat e ndryshme të europianëve ndikuan për shtimin e interesit për Europën në këto territore. Por, për fat të keq, pas vdekjes së Hunyadi-t, qëndresa hungareze nuk do të vijonte të ishte aq e fortë sa pati qenë nën udhëheqjen e tij dhe pesha e veprimeve luftarake kundër osmanëve do të përqendrohet në Arbëri e More, ku jeton një numër i madh popullsie arvanitase. 

Mbreti i ri i Hungarisë, Matthias Corvinus-i, do të negocionte me Skënderbeun më 1459 nëpërmjet Venedikut, por gjithmonë me dëshirën për të përforcuar pozitat hungareze në Kroaci dhe Bosnjë, pas shkatërrimit të Serbisë nga otomanët dhe humbjes së kontaktit të drejtpërdrejtë me territoret e Skënderbeut. Corvinus-i nuk gjendej në pozita të favorshme brenda Hungarisë dhe nuk dëshironte të ndërmerrte aksione luftarake jashtë mbretërisë së tij. Shpresat për një aleancë të re me Skënderbeun u ringjallën në vjeshtën e vitit 1464 kur, pas përpjekjes së dështuar të otomanëve për të pushtuar Jajcen në Bosnjë, ai ndërmori një ofensivë të re për të zgjeruar territoret e sundimit të tij në Bosnjë. Në fakt, Republika e Venecias ishte për të dytin vit radhazi në luftë me otomanët dhe në aleancë formale me Hungarinë dhe për këtë arsye ata i kërkuan Corvinus-it që, nën shembullin e babait të vet, të bashkonte forcat me arbrit, të hapte frontin e dytë me otomanët dhe të lehtësonte në këtë mënyrë venedikasit që ishin të angazhuar në luftime me otomanët në More. Matthias Corvinus-i duket se e ka kontaktuar sërish Skënderbeun me një propozim për një aksion ushtarak të përbashkët, qëllimin e të cilit është e vështirë për ta dyshuar. Si duket, ka qenë lajmi i vdekjes së Papa Piut II, në fillim të shtatorit, që e bëri atë që ta braktiste planin e ofensivës së përbashkët me venedikasit dhe arbrit dhe të kufizohej në mbrojtjen e zotërimeve të tij në Bosnjën e veriut. Mattias Corvinus-i vazhdoi të ishte në kontakte diplomatike me Venedikun dhe Skënderbeun, por tashmë është fakt i njohur se qëllimi i tij ishte të përforconte pozitat e Mbretërisë Hungareze në Bosnje dhe Hercegovinë. Për këtë arsye është e vështirë të besohet se ai hyri në një marrëveshje aleance me Skënderbeun në vjeshtën e vitit 1466, siç përmendet në një burim historik nga mediavelisti Pall. Ndërkaq, asnjë lloj ndihme nuk iu dha Skënderbeut dhe në gusht 1466 ishte pothuajse një fakt i njohur në Itali se “mbreti i Hungarisë nuk do të kalojë lumenjtë Drava dhe Sava në fushatë kundër otomanëve në këtë vit”. Pavarësisht se Mattias Corvinus-i e la Skënderbeun në fatin e vet, ashtu si dhe serbët dhe boshnjakët më parë, qëndresa arbre do të vazhdonte deri në fund të shekullit XV, çka do të bënte që inkursionet osmane drejt Italisë të mos ishin të suksesshme, ndërsa në kujtesën kolektive shqiptare kjo luftë do të hyjë si “Moti i Madh”. Në vitet e Rilindjes Kombëtare, motivet historike, politike e kulturore të kësaj kohe do të bëheshin edhe motivet kryesore nismëtare për zgjimin kombëtar dhe, së bashku me to, edhe të idesë europiane mes shqiptarëve. 

Marrëdhëniet arbro-hungareze do trajtoheshin në Këngën VIII të “Istorisë së Skënderbeut” (1898) të Naim Frashërit, duke ngulitur në kujtesën kolektive të shqiptarëve themelet e një miqësie dhe aleance të ngushtë. 

(Kumtesë e mbajtur në konferencën përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Hungari.)

Autori është historian dhe Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. 

Bibliografi: 

  1. At Giuseppe (Zef) Valentini. M Sciambrra-I. Parrino. Papa Kalisti III, Skënderbeu dhe Kryqëzata (1455-1458). 
  2. Banlaky, vep.e cit.
  3. Bistra Cvetkova, Analizë e burimeve kryesore otomane të shekullit XV mbi fushatat e Vladislavit të Varnës dhe të Janosh Hunyadit më 1443-1444. 
  4. Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, v.p
  5. C. Mureseanu, Janko Hunyadi, mbrojtës i krishterimit, Shtëpia Botuese 55, Tiranë 2009.
  6. Francise Pall. Les relations entre la Hongrie et Scanderbeg. Revue des Etudes Sud-EstEuropeennes VI, no 1(1968); 5 and passim.
  1. Marcin Bielski, Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, princin shqiptar, Shtëpia botuese, shtypshkronja “ILAR”, Tiranë 2018.
  2. Oksford Dictionary of Islam. Revue des Etudes Sud-EstEuropeennes VI, no 1(1968); 5 and passim.
  3. S. Ljubic, Listine o odnos njihiz medju Juznoga Slaven stvai Mletacke Republike, Vol.IX (1443-1452), Zagreb, 1890.
  4. Schimitt Oliver Jens, “Scanderbeg sletze Jahre-West-ostliches Weschsel von Diplomatie und Krieg im Zeiltater der osmanischen Eroberung Albaniens (1464-1468), Sudost-Forchungen 63/64(2004-2005).
  5. Tamas Palosfalvi, Scanderbeg and the Hunyadis: Myth and reality. Acta BalcanoHungarica 1.Research Centre for the Humanities, Hungarian Academy of Sciences, edited by Krisztian Csaplar-Degovics, Budapest, 2019.
  6. Virgjil Kule, Kryqtari i  fundit, Ombra GVG,Tiranë, 2012.

Filed Under: Histori

KOSOVËN DREJT PAVARËSISË NUK E NDALI AS “KUSHTETUTA E TANKEVE” E SERBISË

March 28, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 28 Mars 2022/ Para 33 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Por, si gjithmonë, Kosova as atëherë dhe kurrë nuk u ndal në lëvizjen e luftën e shqiptarëve drejt lirisë e pavarësisë…

Kundërshtimi i fuqishëm “Kushtetutës së tankeve” serbe – rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

 Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Në 15 Qershor 2008 ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. 

Më parë, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë, akti më i lartë  juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, e cila është Dita e Kushtetutës – festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e ligjeve e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Në këtë vit – 2022-tën, 14 vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur do shënohet në kohën kur festohet 23 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë…

Filed Under: Histori

DINASTIA SHQIPTARE KRUTA, NJË EMËR I NDERUAR SHQIPTAR NË ZARËN E MESJETËS

March 27, 2022 by s p

Studimi i historisë së familjeve fisnike shqiptare që kishin lënë atdheun dhe ishin vendosur në qytetet bregdetare të Adriatikut, paraqet një sfidë me shumë të papritura për studiuesin dhe historianin, me befasi të këndshme dhe me shtimin e kureshtjes për një njohje sa më të thellë e për disa që e kërkojnë identitetin te rrënjët historike madje edhe një lloj krenarie për të qenët pasardhës të tyre.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Për shumë nga këto familje as që dihet e as që është shkruar ndonjëherë. Pa të drejtë ato kanë mbetur të mbuluara me pluhurin e harresës, duke qëndruar në heshtje, duke pritur me shpresën e shekujve se një ditë do të shkunden pluhurat nga gjithë ato histori të mbyllura në arkiva e biblioteka, plot me fragmente ngjarjesh, por edhe titujsh fisnikërie e shkence, shkëlqim në hierarkinë kishtare, tregti e ekonomi, arte luftarake e njohje të shkëlqyeshme të së drejtës ndërkombëtare – avokati – e shumë e shumë sfera të tjera.

Arkivat e qyteteve të sotme dalmatinase, “Komunave” të dikurshme mesjetare, ruajnë me kujdes një lëndë burimore-dokumentare shumë të pasur dhe të vëllimshme për historinë e popullit shqiptar, por ka edhe një veçori tjetër se po në këto arkiva, ruhen dokumente, dorëshkrime, stema, gjenealogji dhe material tjetër shumë i vlefshëm për familje të shquara shqiptare me shtetësi të këtyre komunave, që ata shekuj më parë, por edhe sot, i konsideronte të tyret, krenohej me ta, e rrallë herë ndonjëri syresh shënon se kjo ose ajo familje ishte me origjinë shqiptare ose vinte nga Drishti, Shkodra, Lezha, Danja apo Sapa, Durrësi, Vlora apo Vregu… etj.

Në Arkivin Historik të qytetit të Zarës ruhen shumë dokumente jo vetëm për njërën prej kolonive më karakteristike dhe më në zë shqiptare – Arbneshin (Borgo Erizzo, Arbanasi) por edhe për familje fisnike të tjera shqiptare që jetuan në këtë qytet, si Albanese, Bardhi, Bruti, Dukagjini, Dushmani, Gjergji, Gjini, Kamsi, Kruta, Lindi, Mesili, Progoni, Skarpa, Skura, Spani, Shtjefni, Zguri, (ne i cituam sipas radhës alfabetike këto familje për të cilat ruhen dokumente pranë arkivit të cekur) etj.

Duke studiuar historinë e këtyre familje fisnike shqiptare, ne kësaj radhe jemi përqendruar te familja Kruta, për t’u njohur me historinë e saj, origjinën dhe pinjollët që bënë emër dhe u nderuan jo vetëm në Shqipëri por edhe në “atdheun e dytë” Zarën e “tyre të dashur” siç e shkruajnë ata vetë në dokumente të kohës.

Rreth origjinës dhe lashtësisë së kësaj familje fisnike shqiptare ekzistojnë disa të dhëna fragmentare. Më të sakta janë shënimet për vendndodhjen e saj në Shqipërinë e Veriut që i gjejmë në “Kadastrin e Shkodrës”. Aty shënohet se familja Kruta jeton në fshatin Kakariq dhe Krute.

Në Kakariq në vitin 1416 kryefamiljar është Gjergj Kruta, ndërsa në Krutë si kryefamiljarë shënohen: Gjergji, Toma e Pali. Në Krutë si kryeplak të fshatit në vitin 1440 gjejmë sipas dokumenteve Ndre Krutën. Përveç këtyre dy fshatrave në territorin e Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit hasim edhe disa toponime të tjera Kruta të cilat duhet të kanë lidhje me familjen e madhe Kruta.

Në Zarë, kjo familje për herë të parë sipas dokumenteve që ruhen në Arkivin Historik të këtij qyteti, përmendet në vitin 1474. Është Pal Kruta (në origjinal Paul Cruta Albanese) ai që posedon një shtëpi afër kishës françeskane në Zarë, e dhënë kjo e nxjerrë sipas regjistrit të familjeve fisnike që jetonin në këtë qytet.

Kurse disa vite më vonë sipas një testamenti të ruajtur gjejmë edhe Margaritën vajzën e Nikë Krutës e cila është trashëgimtarja kryesore e pasurive të paluajtshme. Ajo duhet të kujdeset, gjithnjë sipas testamentit, që një pjesë e pasurisë së të atit Nikës, të shkonte te kushërinjtë e parë në Krutë të Shqipërisë.

Në vitet në vijim trungu i familjes së Krutajve rritet dhe ata i gjejmë në profesione të ndryshme si p.sh. udhëheqës të njësitit ushtarak të qytetit. Të tillë janë Ujk Kruta, pastaj Vlashi dhe Pali, të cilët këtë funksion e trashëgojnë njëri pas tjetrit. Jak Kruta bën emër si kapiten i barkave të armatosura pranë njësive të marinës detare të Republikës së Shën Markut (barche armate centro Uscochi) që luftonin kusarët në Adriatik.

SIMON KRUTA

Një figurë interesante është Simon Kruta. Për këtë fisnik shqiptar shumë gjëra i mësojmë nga testamenti i tij që ruhet në Arkivin e qytetit të Zarës, i cili është shkruar më 9 janar të vitit 1626, sa ishte gjallë Simoni dhe gëzonte shëndet, fizik e psikik të mirë. Simoni ishte i biri i Jak Krutës të lartcekur dhe ishte me origjinë nga Kakariqi.

Sipas regjistrit të qytetarëve fisnikë të qytetit të Zarës të asaj kohe, Simoni Kruta ishte kapiten në një njësit elite të marinës detare të Venedikut dhe kishte shtëpinë e tij me një kopsht në qendër të qytetit, afër katedrales. Për zbatimin e dëshirës së tij të fundit (sipas testamentit) Simoni kishte përcaktuar kryedhjakun e kishës së Ninit, të mirënjohurin dhe shumë të nderuarin át Mate Utivensin.

Një pjesë e mirë e pasurisë së Simonit ishte e shpërndarë tek persona të ndryshëm kryesisht shqiptarë dhe zbatuesi i testamenti duhej të kujdesej që ato borxhe të shlyheshin dhe të shkonin te personat e cekur në testament sipas dëshirës së Simon Krutës.

Për ne është shumë i rëndësishëm ky fakt sepse mund t’i bëjmë një analizë pozitës ekonomike, jo vetëm të Simon Krutës dhe familjes së tij, por edhe të shqiptarëve që jetonin e vepronin në Zarë, por që nuk i gjemë në burime e dokumente të tjera. Domenik Leka, p.sh. tregtar shqiptar i cili jetonte në Zarë i detyrohej Simonit 150 dukate.

Kur ai të shlyente këtë borxh, paratë duhej t’i dhuroheshin Marjetës (vajzës së të ndjerit Dhimitër Malsorit edhe ky shqiptar nga Shkodra), që ishte bashkëshortja e Simonit. Ndërsa Mateu (që ishte kroat) i cili jetonte në Biograd (afër Zarës) duhej të paguante 40 reale që kishte marrë për të siguruar grurë dhe gjëra të tjera të domosdoshme për furnizimin e familjes e Simonit, por që nuk kishte bërë asnjë veprim edhe përkundër obligimeve të marra. 

Borxhin duhej t’ia kthente Marjetës. Këpucari shqiptar nga Drishti, Mate Pellushi duhej të shlyente borxhin prej pesë realësh për shkak se nuk kishte mbajtur premtimin për të punuar një çantë dhe tre palë këpucë burrash e një palë femrash. Kushëriri Jak Kruta (i riu) i cili jeton në Itali (nuk shënohet qyteti se ku jeton) duhet të shlyente borxhin prej 80 dukatesh, të cilat Simoni ia dhuron nipit Mhillit.

Vajzës Anjezës i le si trashëgim fermën me të tëra kafshët që ndodhet në Shën Filip e Jakob (San Filippo e Giacomo), e cila ishte dhënë me qira për tre vjet, Vuletë Kuzhinoviqit. Djalit, Ndreut, i len si trashëgim rrobat e tij të fisnikut dhe ato ushtarake.

Kurse armët që dispononte si ato luftarake personale dhe ato të trashëguara nga familjarët dhe të tjerat të marra si dhurata, një pjesë e të cilave ishin edhe të praruara në flori, duhej t’i ndanin së bashku i biri Ndreu dhe nipi Mhilli, që të dy pjesëtarë të njësive elite të marinës venedikase.

Si edhe në raste të tjera të testamenteve të shqiptarëve, edhe me këtë rast vihen re lidhje me atdheun – Shqipërinë – dhe pjesëtarët e familjes që jetonin. Simoni, tërë pasurinë e tij që ka në Shqipëri ia lë trashëgim të bijës, Marisë, e cila jeton atje në fshatin Kakariq, ku ka shtëpi, kopsht, disa ara dhe një vresht me hardhi rrushi.

Kurse gjithçka tjetër që ka krijuar ai vetë gjatë jetës së tij të ndershme, ia lë trashëgim të birit Ndreut. Në fund të testamentit është një shënim ku thuhet se bashkëshortja Marjeta trashëgon të gjitha të mirat e lartcekura, edhe pse ajo kur u martua me Simonin nuk kishte sjellë pajë, pasuri apo të mira tjera materiale (Nuk shënohen arsyet për një shënim të tillë, e as pozita ekonomike e Marjetës apo familjes saj e cila ishte nga Shkodra).

Nëse shikojmë me kujdes të dhënat nga testamenti i Simon Krutës, por edhe të tjera nga burimet arkivore, atëherë mund të kemi një renditje kronologjike të dhjetë brezave – përgjatë shekujve XV – XVII – nga viti 1476 kur përmendet për herë të parë Gjergj Kruta e deri në vitin 1693, si kufi i fundit i studimit dhe hulumtimit tonë në arkivin e qytetit të Zarës.

Në vijën gjenealogjike mashkullore janë Gjergji, Pali, Nika, Ujku, Vlashi, Pali (II), Jaku, Simoni, Ndreu dhe Françeksu, kurse një gjë e tillë nuk mund të ndiqet me siguri për linjën gjenealogjike femërore edhe pse shpesh përmenden në testamente apo raste të tjera.

MHILL KRUTA

Një emër tjetër që kishte reputacion të mirë si udhëheqës (guvernadur) ushtarak i distriktit të Zarës është Mhill Kruta që përveç funksionit të përmendur ushtronte edhe funksionin e gjyqtarit dhe administratorit të përgjithshëm për tërë distriktin. Në burimet arkivore të dhëna për të gjejmë që nga viti 1620 ku njëra pas tjetrës renditen sukseset, trimëritë, zotësitë dhe shkëlqimi në artin luftarak.

Ndërsa kulmin e karrierës së tij ushtarake Mhilli e arrin në vitet dyzet të shekullit XVII nën flamurin e Republikës së Shën Markut, ku guvernadur i njësiteve të armatosura të Zarës merr pjesë në luftën e Kandisë duke u shquar veçanërisht me njësitë e tij personale të ashtuquajturit Soldati Albanesi.

Në këtë njësit bënin pjesë: njësiti i kalorësve të lehtë dhe të shpejt shqiptarë, kalorësit klasikë dhe këmbësoria. Në disa raste ato quhen edhe: Cavalleria Albanese dhe Cappelletti. Ndërsa në shtator të vitit 1646, Mill Krutën si udhëheqës të njësisë elite shqiptare, sipas dokumenteve, e ndeshim në disa beteja të ashpra që u bënë në këtë kohë rreth qytetit të Zarës ku doli ngadhënjyes duke u shpërblyer ndër të tjera edhe me tituj nderi të kohës.

Një sukses të rëndësishëm si strateg ushtarak Mhilli tregoi nga 21 gushti deri më 15 shtator të vitit 1647, në mbrojtjen e qytetit të Shibenikut nga sulmet turke. Vlen të theksohet trimëria dhe zotësia që Mhilli së bashku me njësitë e tij treguan në mbrojtjen e lagjes së Shën Martinit të këtij qyteti, ku edhe pse të ekspozuar ndaj rrezikut të përhershëm ata dolën ngadhënjimtarë, por duke humbur 7 oficerë dhe rreth 40 pjesëtarë të njësitit të tij elitë.

Për një luftëtar guximtar dhe të suksesshëm është normale që të përfundojë jetën e tij në luftë. Kjo ndodhi edhe me Mëhill Krutën, i cili u vra në qytetin e Risanit afër Hercegnovit, më 12 shkurt të vitit 1649. Duke e nderuar dhe respektuar këtë personalitet dhe udhëheqës ushtarak shqiptar, në kronikat e kohës gjejmë këto shënime për Mhill Krutën: “uno dei’ migliori capi, e de’ più fruttuosi, che militassero in questa guerra in Dalmacia”.

Edhe pse emër i njohur i kohës së tij, ai është fare pak i njohur për ne: edhe më pak është e njohur jeta e tij private. Sipas testamentit të tij që ruhet në Arkivin Historik të Zarës (21 janar 1649) ai ishte i martuar me Marinë, një shqiptare nga Shkodra dhe kishte dy djem dhe një vajzë.

FRANÇESK KRUTA

Është shumë e vështirë të vendosësh se për cilin nga pjesëtarët e familjes fisnike shqiptare Kruta të shkruash. Dilemat janë të shumta, sepse pothuajse të gjithë meritojnë një vëmendje të veçantë, të gjithë meritojnë nder e respekt për veprimtarinë e tyre të shquar në fusha të ndryshme të jetës, por edhe njëkohësisht për kujdesin që tregojnë çdonjëri prej tyre për familjen e ngushtë e të gjerë si në Zarë ashtu edhe në Shqipëri.

Kësaj radhe, për shkak të dokumenteve të shumta por edhe burimeve të tjera jemi përcaktuar të shkruajmë vetëm për disa nga pjesëtarët e familjes Kruta që u shquan si ushtarakë dhe udhëheqës të zotë.

Njëri ndër më të shquarit, jo vetëm në Zarë, por edhe më gjerë, ishte Françesk Kruta, i biri i Leonardit nga Kakariqi, dukë e kalorës shumë i nderuar e i respektuar për kohën kur jetoi. Emrin e tij si kapiten i marinës venedikas e hasim në vitin 1669. Në shumë dokumente Franceskun e gjejmë si zbatues të testamenteve të ushtarëve të tij, kryesisht shqiptarë, por edhe kroatë, vllehë, italianë, etj.

Ashtu si dhe kushëriri i tij Mhilli edhe Françesku u shqua si strateg në luftën e Moresë. Në vitin 1687, guvernatori venedikas Antoni Zeno, njofton Senatin e venedikut për sulmin që iu bë qytetit të Duvnos, ku në mbrojtje të tij u shqua sidomos Françesk Kruta me njësinë e tij elite.

Në vitin 1684 ishte kapiten i anijes së flotës së marinës venedikase “Constanza Guerriera”, ku në afërsi të Palermos anija ju fundos e ai së bashku me 300 marinarët mezi shpëtoi gjallë. Në vitin 1689 në luftimet për Neretvën e Poshtme, Françesk Kruta ishte udhëheqës i 6.000 (gjashtë mijë) ushtarëve, kalorës e këmbësorë, të cilët ngadhënjyen mbi forcat turke të cilat ishin disa herë më të shumta në numër.

Pas kësaj fitoreje ai fitoi besimin e shumë të krishterëve, të cilët ai i shpërnguli dhe i vendosi në territorin nën sundimin venedikas që t’u shmangeshin plaçkitjeve dhe sulmeve të vazhdueshme turke. Sipas burimeve arkivore, Françesk Kruta drejtoi luftimet edhe në qytetet e Duvons, Livnës, Ljubushkos etj.

Në një kronikë të kohës e cila ruhet në dorëshkrim në Arkivin Historik të qytetit të Zarës (f. 190-191), autori át Gaspër Vinjaliqi sjell këtë dëshmi të vrasjes së Dukës e Kalorësit Françesk Kruta: “Me brigadën më me shumë se 5 mijë ushtarë me përbërje të përzier, shqiptarë, vllehë, kroatë dhe kalorësi venedikase, komandat Kruta depërtoi në thellësi të Bosnjës duke mbërritur deri në vijen: Berkoviq-Podban-Selashkiq në ndjekje të ushtrisë turke nga Oshtrovci deri në Banja Llukë.

Gjatë kësaj kohe ai tri herë zbrapsi sulmet e ushtrisë turke. Mirëpo, turqve u erdhi në ndihmë Pashai i Bosnjës me një numër shumë të madh ushtarësh turq, kalorësish e këmbësorësh, të cilët sulmuan ushtrinë e komandant Krutës nga të gjitha anët. Duke parë rrezikun e humbjes, njëri prej vartësve të Krutës me një pjesë të vllehëve u tërhoqën në pyllin e afërt, duke i kërkuar edhe Krutës të bënte të njëjtin veprim.

Por ky duke qenë kokëfortë dhe trim i pafrikshëm nuk e pranoi një gjë të tillë dhe u ndesh me ushtrinë turke në fushëbetejë, që ishte një rrafshinë buzë një mali, ku kishin ikur vllehët. Kalorsit turq me forca të shumta sulmuan kalorësit venedikas. Përveç të tjerëve, në betejë u vra edhe komandanti dhe zëvendësi i tij, të dy shqiptarë.

Vllehtë duke vërejtur nga larg largimin e ushtrisë turke si fitimtare, kthehen në fushëbetejë dhe së bashku me pjesën e kalorësve që kishin shpëtuar, marrin trupat e shokëve të tyre të vrarë, duke mos lejuar që turqit t’i marrin ato dhe t’i gjymtojnë. Ata i varrosin të vdekurit, kurse të plagosurve u ofruan ndihmën e çastit.

Duke mos dashur që turqit të marrin vesh se ishte vrarë komandanti i tyre, vllehët, e tërhoqën mënjanë trupin e Françesk Krutës, i prenë kokën, e mbështjollën në lëkurë dhe e morën me vete për ta sjellë në Zarë. Kokën e varrosën në kishën e Shën Françeskut në Zarë, siç shihet edhe nga epitafi i varrit të tij.

Sipas shënimeve në epitafin e varrit (ku është varrosur vetëm koka, sepse trupi ka mbetur në fushëbetejë) thuhet se Françesk Kruta u vra në fushëbetejë afër Uskopoljes në vitin 1693. Për shkak të rëndësisë si burim i dorës së parë, ne po sjellin tekstin e epitafit të varrit të Françesk Krutës që sot lexohet me mjaft vështirësi për shkak të dëmtimeve të kohës.

TEKSTI I EPITAFIT TË FRAÇESK KRUTËS LATINISHT:

FRANCISCI CRVTTE EQVITVM CROATOR[UM] DVCTORIS
AC INTER SEREN[ISSIMA]REIPVB[LICAE] CONDVCTOS
CAPVT HIC CONDITVR EXIMII MILITARIS INGENII SEDE[M]
AC LAVREATOS CINERES HOSPES VENERARE
INTER ARMA ET AD ARMA NATO TOTA VITA MILITA FUIT
TESTIBVS ITALIA GRETIA ET DALMAT[IA]
TANDEM ADVERSVS TVRCAS INTER VVSCOPIE MO[N]TES
IN PVGNA ET VICTORIA OÇVBVIT
RELIGIONI ET PRINCIPI QVIBVS VIXERAT FIDELITER DECESSIT
ET QVIB[]US OMN[EM] AETATE[M] MORTE[M] QVOQ[AE] FORTITER CONSECRAVIT
RAPVIT SORS SEPVLCRO CADAVER
SED TOTVS ORBIS ET TVMVLVS ET COELO IPSO CLAVDITVR
EMENDAVIT GLORIA FORTVNE INIVRIAM
STAT N. IM[M]ORTALIS HONOR VIRTVTIS SI NON CINERIS
NOLVIT TOTVS CONDI SEPVLCRO QVI TOTVS NO[N] MORITUR
QUIN. CV[M] VIRTUTE CADIT VITAM NON FINIT
ET MORS NON EXTITV[M] SED PRECLARV[M] OPVS EVADIT
ANNO DOMINI MDCXCIII

PËRKTHIMI SHQIP I EPITAFIT TË FRAÇESK KRUTËS:

Françesk Krutës Dukës e Kalorësit kroat
I renditur në mes të ushtarakëve të së shkëlqyerës Republikë
Këtu pushon koka e shquar për aftësi të jashtëzakonshme të artit luftarak
Me nderim vizitojmë hirin e shpirtit fitimtar
I lindur në luftë dhe tërë jeta e tij ishte luftë
Siç dëshmojnë Italia, Greqia e Dalmacia
Pastaj ka rënë në luftën dhe fitoren kundër turqve
Në kodrat e Uskopoljes
Besnik i sundimtarit të cilit i shërbeu me besnikëri tërë jetën derisa vdiq
Të cilit tërë jetën e tij ia përkushtoi me trimëri
Kufomën e tij varri ia rrëmbeu fatit
Tuma e varrit të tij e mbuluar është nga qielli siç e shikon e tërë bota
Fama ka vërshuar stuhitë e padrejta
Duke ju dhënë nderin e pavdekshmërisë jo hirit po virtytit
Nuk ka dashur në varr të fshihet sepse nuk ka vdekur i tëri
Sepse kush i virtytshëm vdes nuk e përfundon jetën
E vdekja nuk ka sjellur humbjen por lavdinë e veprës

Në vitin e Zotit 1693

Pllaka me epitafin për Françesk Krutën tani ndodhet në anën veriore të kishës së Shën Françeskut në Zarë, jo larg lterit (altarit) dhe është dëshmi e respektit të madh për të, sepse është e vendosur në një vend nderi si shenjë përkujtimi e nderi të përhershëm për veprën dhe trimërinë e këtij duke, e kalorësi shqiptar të shekullit XVII. Në këtë kishë janë varrosur figurat më të nderuara dhe luftëtarët më të shquar të rajonit.

Në përfundim të këtij shkrimi të shkurtër do të shtonim që historia e shqiptarëve në diasporë është një fushë që kërkon fokus të veçantë. Edhe pse shkrime të tilla të shkurtra sensibilizojnë opinionin e gjerë dhe studiuesit e mirëfilltë për pasurinë e arkivave në lidhje me shqiptarët, reputacionin dhe aktivitetin e tyre në diasporë, mbetet e nevojshme që studimet të thella shkencore të ndërmerren në këtë drejtim.

Familja Kruta me përfaqësuesit më të përmendur të saj që sollëm më lart është vetëm një ndër rastet e shumta të familjeve të tilla në Dalmaci. Të tilla familje me prejardhje shqiptare e me influencë lokale ka shumë dhe sa më shumë t’i studiojmë ato në mënyrë të mirëfilltë shkencore aq më shumë do të pasurojmë edhe botëkuptimin tonë për historinë e popullit shqiptar dhe të shkuarën e tij, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por kudo që janë ndodhur.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 179
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT