• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KËRKIM TË ARMËVE TË ÇELO PICARIT

August 29, 2022 by s p

Nga Ylli M. Dilo & Eduard M. Dilo

ÇELO PICARI ky trim shqipëtar që në historinë e kombit tonë ka marrë përmasat e një legjende, jeton dhe do të jetojë në kujtesën kombëtare ndër shekuj.

Populli e përjetësoi në këngë:

“Çelo Picari o burrë

Lufton me Sulltan Mahmunë …”

Rruga që të shpie për në Picarin e Vjetër ( fshati ku u lind dhe jetoi Çelua) është e shtruar me kalldrëm dhe thirret dhe sot e kësaj dite “ kalldrëmi i Çelos”.

Në atë rrugë duken qartë gjurmët që kanë lënë armatat(qerret që tërhiqnin topat) e ushtrisë së Kapedan Çelos.

Ato janë një pasuri kombëtare që duhen ruajtur me kujdes nga Shteti Shqipëtar.

Shtëpia e Kapedan Çelos është shkatërruar, por gjurmët e themeleve të saj ekzistojnë.

Fisi i Çelo Picarit jeton; kemi patur fatin e mirë të njihemi me stërmbesat dhe stërnipret e Çelo Picarit, intelektualë këta të çquar: Manushaqja, Çelua, Rustemi, Latifi dhe Nuria.

Kjo familje intelektuale ruan në arkivin e familjes dokumenta me vlerë për fisin e Çelo Picarit.

– NË KËRKIM TË ARMËVE DHE RELIKEVE TË KAPEDAN ÇELO PICARIT

Sipas urdhërit të lëshuar nga Qeverria Shqipëtare për dorëzimin e armëve, qofshin ato dhe relike Znj. Ulvie(Nena e të lartpërmendurve – banuese në Fier në atë kohë), dorëzon në vitin 1951 në D.P. Mbrendëshme Fier 5 shpata dhe 2 pisqolla të Çelos.

Dorëzimi u bë në prezencë të shefit të policisë të asaj kohe H. K.dhe të n/oficerit K. A.

K. A. dha dëftesën për marrjen në dorëzim të armëve.

Në vitin 1960 Muzeu i Gjirokastrës kërkon nga familjarët e Çelo Picarit të dorëzoje armë dhe relike të Çelo Picarit në qoftë se kanë .

Në të njëjtën kohë kryetari D.P. Mbrendëshme Fier, Q. H. kërkon nga Z.Rustem Çelo të dorëzoje armët e Çelos.

Rustemi i tregon kryetarit dokumentin e marrjes në dorëzim të armëve nga n/oficeri K. A. i cili në atë kohë ishte efektiv i asaj D.të P.Brendëshme.

Pas disa ditësh kryetari i D.P.Mbrendëshme Q. H. vritet.

Në këto kushte Z. Rustem Çelo i drejton një letër personale një nga qeveritarëve me potencë të asaj kohe.

Letra u mirëprit nga ish funksionari i lartë qeveritar dhe në audiencë që pati me

Z. Rustem Çelo i premtoi se do të interesohej për gjetjen e tyre.

l rekomandoi gjithashtu se po të kishin relike të Çelos t’i dorezonin në muzeum.

Familja dorëzoi në muzeumin e Gjirokastrës të vetmen relike mbetur nga stërgjyshi i tyre Çelo Picari -një orë tavoline- dhuruar Çelos si kujtim nga trimi Marko Boçari.( ora është në shkemb ku një çift i veshur me kostum popullor mban Flamurin dhe shpatën në dorën tjeter).

Për këtë veprim(dorzim të orës), familja disponon një vërtetim me firmë dhe vulë nga ish drejtori i muzeumit i përkushtuari plot pasion Lefter Dilo.

Pas vendosjes së demokracisë, familja e Rustem Çelos kërkoi të njoftohej nga muzeumi i Gjirokastrës dhe Ministria e Brendëshme për fatin e armëve dhe të orës së Marko Boçarit dhuruar Çelo Picarit.

Pergjigja: -Nuk ekzistojnë.

Është koha e përshtatëshme tash që jetojnë akoma dëshmimtarët okularë që i njohin këto relike t’i gjejmë .

NJË PARALELIZËM:

Në shtetin fqinj ruhet si muze shtëpia e Kapedan Marko Boçarit.

Ajo vizitohet nga mijra turistë në vit.

Po legjendari Çelo Picari pse të mos i bëhet i njohur Botës së kulturuar?

Ai i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë i njohur në mijera turistë që do të vizitojnë çdo vit muzeumin “Çelo Picari”, kur Shteti dhe Mediat ta marrin seriozisht këtë punë ;

Çelo Picari ka të gjithë elementet për një vepër të tillë:

– Këngët që populli i ruan si gjerdan të rrallë.

– Rugën me kalldrem ku armatat e reparteve të Tij kanë lënë gjurmë.

-Themelet e shtëpisë ku shteti duhet t’i ngrejë muzeum.

-Armët dhe reliket e Tij që akoma nuk kanë humbur gjurmët se ku ndodhen.

Le të shpresojmë.

Foto e Tij marrë nga interneti.

Filed Under: Histori Tagged With: Eduard dilo

AKROPOLI PELLAZGJIK I BUTHROTIT   

August 25, 2022 by s p

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)/

Një i nxehtë afro-aziatik rrezikon të djegë identitetin autokton me rrënjë pellazgjike të Buthrotit (Butrintit të sotshëm) tonë antik, por që çuditërisht ky i nxehtë përvëlues antishqiptar vjen nga veriu i ftohtë dhe i lagësht nga troje me rreth 300 ditë shi në vit, nga Londra e lagësht. Ndërkohë që vet Buthroti ynë i ndritur zotëron, që nga koha e Kronit dhe e Zeusit, 300 ditë me diell në vit. Në këtë “zjarrvënie” të identit tonë kombëtar dhe trashëgimisë kulturore me synime antishqiptare merr pjesë me të gjitha fuqitë e saj ministria e Kulturës dhe kryeministri i Republikës së Shqipërisë. 

       Por çfarë thonë këta inglizët? Duke filluar që nga filoheleni Nikola Hamond, dhe të tjerë sot që vijnë pas tij, thonë se Butrinti është themeluar si qytet nga helenët dhe për më tepër ka qënë koloni helene. Dhe me këtë status, këtë perlë shqiptare, qeveria rilindase ua dhuron me konçesion pasanikëve anglo-amerikanë për ta grabitur, dhunuar dhe ndryshuar historinë, identitetin e tij pellazgo-kaon në lashtësi dhe arbëroro-shqiptar në kohët e reja.

        Këtë iso antishqiptare e ka shprehur para katërmbëdhjetë vjetësh një akademik shqiptar, i ndjeri Kristo Frashëri, i cili shkruan: “…kolonistët korkyrë-korinthase zbarkuan në stere, në tokën e kaonëve dhe pushtuan vendbanimin e tyre të lashtë, Buthrotin (Butrintit)…” Dhe më tej ai vazhdon: “…Në shekullin e V para e.s. kolonitë helene të brigjeve të Shqipërisë…krijuan edhe koloni bija në pika më në brendësi të territorit. Në truallin e vendbanimeve të mëparshme ilire, në Bylis, në Amantia.”

        Akademikët Neritan Ceka dhe Muzafer Korkuti, këto dy vitet e fundit, i kanë dalë krah Buthrotit tonë, duke e quajtur antishqiptare tezën e të qënit helen, apo koloni helene, të tij. Neritan Ceka, në një bisedë televizive në Top-Chanel pohon, se Buthroti ështënjë vendbanim prehistorik kaon, në të cilin në shekujt e VII-V p.e.s helenët ardhacakë krijuan një emporion. Emporioni është një bashkësi tregtaresh, të cilët krijojnë një ngulim, ndoshta edhe jashtë fortifikimit të qytetit, dhe merren me tregëti. Dhe kaq. Ata, jo vetëm nuk kanë ardhur ushtarakisht, si një forcë pushtuese komanduese në qytet, siç pohon Kristo Frashëri, por nuk marrin pjesë në drejtimin e tij si një forcë legjislative apo ekzekutive, atribute të cilat i zotëronin fisnikët vendas kaonë. Në vazhdim Neritan Ceka tregon, se në shek.V p.e.s, kur mbret i mollosëve ishte Tharypa, këta tregtarë përzihen përfundimisht nga Buthroti. Dhe këtu përfundon historia e tyre.

ÇFARË THONË ARKEOLOGËT

       Ndërtimi i fortifikimit të qytetit të Buthrotit, përfshirë këtu edhe fortifikimin prehistorik të akropolit të tij, datohet nga arkeologët e huaj dhe arkeologët tanë, jo më parë se shekulli i VII p.e.s.  Në dallim prej tyre, Neritan Ceka, vendbanimin prehistorik të akropolit të Buthrotit e shtyn prapa në kohë duke e datuar në shekujt XI-X p.e.s në fund të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit, të cilat, ne mund t’i përfshijmë dhe mund t’i quajmë edhe si ndërtime pellazgjike.

 “Më 1805 Butrinti vizitohet nga konsulli francez në Janinë, F.Pukëvil (Pouqeville), i cili ka lënë një përshkrim të mureve pelazgjike në akropol…burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përveç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s..”          

        Kjo datë e ndërtimit të mureve dhe portave të Buthrotit afrohet me një shekull me atë që ofron  legjenda e treguar nga Virgjili. Kjo pasi kur Ene dardanidi braktisi Trojën në shekullin e XII p.e.s (sipas Eratostenit) dhe erdhi ne Buthrot, gjeti aty jo vetëm muret e akropolit te ngritura, por gjeti edhe portën “Skea”, identike me Skean e Trojës. Pra sipas kësaj, rrjedhimisht dhe llogjikisht, në shekullin e XII p.e.s  muret rrethuese të Buthrotit duhej të ishin të ndërtuara.

        Neritan Ceka tregon legjendën e themelimit të Butrotit: Qyteti i ndërtuar nga Heleni (trojan) ishte padyshim Butroti, siç rezulton nga legjenda e treguar nga Dionisi i Halikarnasit (II, 51, 1-2): “Ankizi me anijet u nis nga Ambrakia dhe duke lundruar gjatë bregdetit arriti në Butrot, liman i Epirit. Enea, nga ana tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që mbajti dy ditë, arriti në Dodonë…Këtu gjetën edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin…Ardhjen e trojanëve në Butrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilën ata e përdorën atëhere për të ngritur lëmin. Prej Butrotit, duke ndjekur anën e detit ata arritën te limani që atëhere quhej Anhisi dhe që sot ka një emër më të paqartë, prej këndej, pasi ndërtuan faltorën e Afërditës, çanë detin Jon”. Qyteti me emër të paqartë ishte Onkezmi, Saranda e sotme (Onchesmus-Anchises).

        I kthehemi përsëri legjendës që tregon Dionisi i Halikarnasit dhe shtrojmë dy pyetje: A e ka vërtetuar arkeologjia dhe historia ekzistencën e faltores së Afërditës (nënëns së Eneas)  në Onkezmin e lashtë, dhe a ka gjurmë të saj sot në Sarandë, përfshirë edhe ndonjë adhurim të veçantë të kësaj perëndeshe këtu? Së dyti, a ka ndonjë lidhje midis emrit të këtij qyteti të lashtë, Onkezmi, me emrin e babait të Eneas, Ankizi?   Për pyetjen e parë, deri më tani, arkeologjia nuk ka dhënë një përgjigje pohuese. Ndërsa për të dytën, mbetet një detyrë e gjuhëtarëve, pavarësisht se Onkezm me Ankiz janë fjalë të afërta: Onkez=Onkiz=Ankiz.

        Hierokli ka vendosur në listën e qyteteve kryesore të Epirit të Vjetër Ankiasmin, Saranda e sotme…Në kohën perandorake ishte krijuar një qytet i vogël rreth vendit ku ndodhet sot porti dhe Straboni (VII,324) e quan atë Onkezëm. Qyteti ekziston edhe në hartën e gjeografit Ptolemeu (III,14,4), në shek.II m.Kr…Prokopi i Cezaresë (VIII,22,31) shpjegon se qyteti u quajt Ankiasëm, për të kujtuar kalimin imagjinar të Eneut dhe babait të tij Ankizit në udhëtimin e tyre nga Troja në Itali…Në vitin 551 Ankiazmi u plaçkit nga gotët e Totilës…”

        Në Onkezm në lashtësi ekzistonte një tempull i Afërditës si perëndeshë portuale (Dionisios von Halikarnass: “Archaologie”, I, 51). Ndërsa unë do të isha i mendimit, se ashtu siç thotë dhe legjenda, trojanët që zbarkuan në Buthrot e në krye Eneun, kur janë larguar për në Itali i kanë ngritur në Onkezm një tempull perëndeshës Afërditë, e cila ishte një perëndeshë që adhurohej nga trojanët, por ishte dhe nëna e Eneut. Kjo e informatë nga Dionisi i Halikarnasit dhe e pasuar nga Prokopi i Cezaresë, si dhe emri i lashtë i qytetit të Sarandës me emrin e babait të Eneut, Ankizit, mendoj se i bën të pavlefshme pretendimet e mjaft historianëve dhe arkeologëve, që mendojnë se legjenda e e ardhjes së trojanëve me në krye Eneun në Buthrot dhe Dodonë është një hamendësim, ose mburrje e banorëve vendas të Buthrotit për prejardhjen trojane të tyre.

         Por një informatë mjaft me interes na vjen nga arkeologu Dhimosten Budina, i cili na thotë se: “Në kodrën e Butrintit janë gjetur objekte prehistorike: dy presa stërralli, një çekan guri, një bosht dhe një rrotkë balte (Tab.XXIV). Këto objekte i përkasin gjysmës së dytë të mijëvjeçarit II p.e.s.”

        Me të drejtë mund të ndodhemi para një mëdyshje: Kur banorët e kodrës së Butrintit përdornin këto vegla prehistorike, muret fortifikuese të kësaj kodre ishin ngritur?!! Por, siç na mësojnë arkeologët dhe historianët, i gjithë mijevjeçari i II p.e.s. i përket periudhës së bronzit, kohë në të cilën pellazgët kanë luzmuar me të gjithë fuqinë e tyre ekonomike dhe shpirtërore, madje dhe luftarake. 

         Nga arkeologu Koço Zheku na vjen një njoftim interesant, ku sipas tij: “L.M.Ugolini, duke përshkruar muret më të vjetra të akropolit të Butrintit, thotë se ato janë të ndërtuara me blloqe të mëdhenj të papunuar, që ai i quan pellazgjike…(L.M.Ugolini, L’Acropoli di Butrinto, Roma-1942, f. 26).” Pra edhe vetë Ugolini pranon se akropoli i Buthrotit, si vendbanim i fortifikuar, është prehistorik dhe i ndërtuar nga pellazgët (ndërkohë që Foinikes i jep një kohë shumë të vonë, rreth 7-8 shekuj), dhe, kur erdhën kolonët helenë ai ekzistonte si qytet i fisit të Prasaibëve, ose Kaonëve më gjërë. Pra nuk është ndërtuar prej tyre. Gjërat qartësohen; pra nuk mohohet që gjatë kohës që kolonët ndodheshin në qytetin e Butrintit, kanë ndodhur meremetime ose ngritje muresh të reja, ashtu siç i përshkruan Neritan Ceka. Por, kjo periudhë, kurrësesi nuk është mosha e vetë qytetit apo datëlindja e tij. Kjo e shumta është mosha e rritjes dhe pjekurisë së tij. Ndërtimet në Butrint kanë vazhduar edhe në periudhën romake, madje edhe në mesjetë me venecianët, dhe më pas, me Ali pashë Tepelenën. Pra, dy personalitete, Pukëvili dhe Ugolini i kanë quajtur muret e lashta të akropolit të Butrintit, pellazgjike.

        Më pas, nga ato që përshkruan Neritan Ceka për trakte dhe pjesë të veçanta muresh, shkallares se teatrit etj, të cilat për nga stilet e ndërtimit i njëjtëson me ndërtimet në Dodonë, Çukën e Aetoit, Foinike etj. Ne, në mënyrë indirekte, duke i menduar dhe quajtur këto të fundit si pellazgjike, detyrimisht, të tilla do të quajmë edhe ato të Buthrotit. Ndjekim se çfarë na thotë Neritan Ceka:

“…Shkallarja (e teatrit të Buthrotit) është vendosur brenda një katrori…, të kufizuar nga mure anësore të përforcuara me kontrafortë, duke imituar një model të njohur nga teatri i Dodonës...Pjesa më e ruajtur e murit pranë portës Skea është ndërtuar me blloqe të mëdha në formë trapezoidale. Gjërësia prej 3,50 m e murit përbëhet nga dy parete dhe mbushja prej gurësh të papunuar…”  

021
Description: Image result for mura etrusche

Mure prehistorik pellazgjik.1.Buthrot.2.Etrusk Toskanë-Itali. Duket e njëjta teknollogji e ndërtimit të themeleve pellazgjike.

       Kur i shikon këto mure në ilustrimin e lartëpërmendur, padyshim, të krijohet një bindje, se këtu kemi të bëjmë vetëm me mure pellazgjikë; dhe, akoma më tej kur, të tillë trakte muri, madje edhe ne themel të mureve të mëvonshme, i gjen të njëjtë edhe tek muret etruske, të cilat janë padiskutim pellazgjike; atëherë pa frikë mund të thuhet, se ky trakt muri në akropol të Butrintit është pellazgjik. Por jo vetëm kaq, koha e ndërtimit të tyre në shek.V p.e.s, qoftë edhe në shekullin e VII p.e.s, vihet në dyshim. 

        Dhimosten Budina në lidhje me muret dhe gjetjet arkeologjike në Butrint na thotë: “Në akropol Ugolini dhe D.Mustili gjetën qeramikë të shek.VIII p.e.s…Kodra e Butrintit është rrethuar me tri rradhë muresh…lartësia maksimale e tyre është 12 m, ndërsa trashësia nuk shkon më tepër se 4 m…shpesh mbi murin antik është ngritur muri mesjetar. Në disa raste blloqet e gurit të murit antik janë përdorur për ndërtimin e murit mesjetar…

Në anën jugore të akropolit ka një trakt muri që zbuluesi e ka quajtur mur “pellazgjik”. Është ndërtuar me blloqe gurësh, me përmasa 1,40 x 1m…Ky tip muri konsiderohet nga më të vjetrit që ekzistojnë në Butrint, ndoshta paragrek (Tab.XXV.)…Pak më tutje duken disa trakte muresh të tjera, të ndërtuar me blloqe gurësh poligonalë me përmasa: 1,30 X 0,75 m; 2,40 x 1m; Trakte të tjera të këtij tipi duken edhe në anët e tjera të kodrës, në anën veriore dhe jugore…blloqe gurësh paralelopipedë…(Tab.XXXV)…mendohet se Butrinti ka pasur 7 porta…”                 

       Gjerak Karaiskaj informon për ekzistencën e një muri prehistorik (që për ne janë mure pellazgjikë) në akropol të Butrintit, mbi të cilin janë ngritur muret antike: “Muri prehistorik me gurë të papunuar, që formonin boshllëqe të konsiderueshme në vendosjen midis tyre,u rindërtua me një teknikë më të përparuar, me blloqe me përmasa të mëdha, që i kalojnë 2 m në gjatësi dhe 1 m në lartësi, të prera në formë poligonale dhe më tepër trapezoidale. Fundi i shek. V ose gjysma  e parë e shek. IV do të ishte koha më e mundshme e ndërtimit të tij.” 

      Eva Brinja në lidhje me muret  lashta të akropolit të Butrintit pohon: “Muri i parë fortifikues i takon periudhës së hekurit me gurë të palatuar dhe të një madhësie 2 x 1 m me peshë 4-5 tonë.”  

        Në lidhje me këtë problematikë Neritan Ceka, në vitin 1983, këto fortifikime prehistorike në Kaoni i kategorizon si ndërtime protoqytetare. Ndjekim pohimin e tij: “Në territorin e Kaonisë kemi dy vendbanime protoqytetare tipike, në Buthrot dhe Kalivo. Në Butrot fortifikimi protoqytetar përfshinte pjesën më të lartë të kodrës me një sipërfaqe 0,7 ha. Trakte të ruajtura të këtij fortifikimi ndeshen në anën jugore të kodrës ku gurët janë ripërdorur në muret më të vona të periudhës qytetare apo antike të vonë…Blloqet e përdorura në murin e këtij fortifikimi…nuk paraqesin faqe të rregullta. Përmasat e tyre janë të mëdha e mesatare (1,45 x 1 m; 1,20 x 0,90 m; 0,85 x 0,40 m). Në vendosjen e tyre është pasur kujdes që të mënjanohen zbrazëtitë duke i plotësuar me gurë më të vegjël. Nuk ka një rreshtim të caktuar, por vihet re një vendosje e rregullt…”  

        Një ide interesante, e cila mbështet mendimin tonë dhe që tregon se Butrinti rreth viteve 2500 p.e.s është banuar nga pellazgët, është hedhur edhe nga arkeologu Dr.Shyqyri Demiri në vitin e largët 1936 të pasqyruar në një shkrim të emërtuar “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”.

        Ky shkrim  është gjetur nga Moikom Zeqo dhe ai i befasuar e ka publikuar në vitin 2013. Ja se si e rrëfen ai: Duke shfletuar një koleksion të gazetës “Illyria” të vitit 1935, pashë një shkrim profesional për arkeologjinë, botuar në datën 31 dhetuer 1935 dhe me vijim në datën 4 kallnuer 1936 të një njeriu që nënshkruan Dr. Shyqri Demiri. Titulli i shkrimit është “Arkeologjia dhe autoktoniteti Ilyro-shqiptarëve”. Kam mbetur i befasuar kur e lexova, duke kuptuar se kisha të bëja me tekstin e një dijetari shqiptar i cili kishte fituar gradën shkencore Doktor në arkeologji.

        Paraqesim këtu pjesën që na intereson nga ky shkrim, i cili flet për Buthrotin pellazgjik 4500 vjeçar: “Zbulime paleolithike mungojnë, po gjurma kulturore dalin piksëpari në fazën e fundshme neolithike. Konstatohen katër klasë të gjetunash, ndër të cilat âsht edhe nji thikë obsidiani qi u’gjet në Butrinto e me qênë se ky farë guri në Shqipní nuk gjindet po në ishullin e Melos, duken kjartas relacjonet qi kanë pasun banorët e këtushëm me vendet e largta të Mesdheut, qysh në kohët mâ të para (2500 p. Kr.). Në pikpamje ethnologjike kemi të bâjmë ktu me nji popullsi paraindoeuropiane, si duket me Pelasgët.”

        Me siguri që thika prej guri të obsidianës është gjetur në Buthrot nga misioni arkeologjik i Ugolinit. Por ajo që është e rëndësishme nga pohimi i Shyqyri Demirit (dhe ndoshta i paekspozuar nga Ugolini) është fakti që Buthroti është banuar në mijëvjeçarin e tretë p.e.s, kohë e cila njihet si periudhë e luzmimit të pellazgëve në të gjitha brigjet e Mesdheut. Por jo vetëm, në të njëjtën kohë ai ka qënë në marrëdhënie tregtare me pellazgët e ishujve të Egjeut, pikërisht me ata të ishullit të Melos. Por 4500 vjet jetë në Buthrot vjen në sinkron me idenë  tonë; 5000 vjet qytetërim pellazg i Epirit.   

Besnik Imeri   (marë nga libri “Epiri Pellazgjik”)        

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri

Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar

August 18, 2022 by s p

Julika Prifti/

Xhaxhai im, Peter R. Prifti i firmoste letrat dhe shkrimet në shqip dhe anglisht edhe me emrin e babait Rafail, ose me inicialin e emrit të tij. Kjo më bënte shumë përshtypje si fëmi sepse në Shqipërinë e viteve ’60 praktika e botimeve ishte nënshkrimi vetëm me emër e mbiemër të autorit. Në tri dekadat e para të jetës sime unë e takova xhaxhanë vetëm dy herë në Shqipëri. Ai ishte shpërngulur në Amerikë në vitin 1939 apo 1940,  ku jetoi me babanë e vëllanë e madh Apostolin. Për herë të parë ai erdhi të vizitonte familjen në Shqipëri kur unë isha pak më shumë se dy vjeç. Siç mësova më vonë, gjyshi ynë, Rafaili ishte riatdhesuar në fund të viteve 50-të pas disa tentativave të pasuksesshme për daljen nga kufiri të gjyshes dhe dy fëmijëve të tjerë. Kujtimet e mia të vizitës së parë të Peterit janë plotësuar nga fotografitë e letrat e tij ku kujtonte pyetjet e mia të shumta e disa përgjigje që i kishin bërë përshtypje. Por pas botimit të librit të tij Socialist Albania Since 1944: Domestic and Foreign Development, nga MIT Press Cambridge Massachusetts, and London England, iu mbyll dera e lejimit të vizitave në Shqipëri.  Edhe një kopje që ai ia dërgoi të vëllait, babait tim, shkrimtarit Naum Prifti në Shqipëri, nuk u dorëzua në adresën e dërguar. Nuk dinim si ta kuptonim qëndrimin kundrejt tij, një intelektual i shquar shqiptar në Amerikë. Por në një bisedë intime me babin, prof. Skënder Luarasi i tregoi se ai e kishte lexuar dhe e kishte pëlqyer shumë librin e Peter Priftit. Po libri kishte një “mëkat”. Peteri nuk e kishte lavdëruar Enver Hoxhën e ky ishte “krim” i madh. Për këtë arsye libri mbahej i rezervuar në Bibliotekën Kombëtare e nuk lejohej të merrej pa autorizime.

Peter Prifti u lejua të vinte në atdhe vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, në verën e vitit 1985.  Kjo ardhje qe një gëzim i dyfishtë për ne. E para do të takoheshim pas gati një çerek shekulli dhe e dyta ishte sinjal “rehabilitimi” sepse duke u lejuar të vinin për vizita njerëzit tanë nuk ishin armiq të popullit e të atdheut. Nuk mundem ta shijonim këtë “përmirësim” biografije gjatë sepse pak ditë pas ardhjes së tij në Tirane, Ministria e Jashtme filloi të telefonte për t’i afruar udhëtime në Krujë, Korçë a ku të donte për “ta njohur mirë realitetin socialist”. Nuk mundi t’i shmangte gjatë. Ata erdhën një ditë dhe e morën me veturën e tyre për të vizituar qytetin e Krujës. Ndonëse në dukje trajtimi nga autoritetet dukej miqësor, unë parandjeva diçka kur ata nuk e lejuan babain ta shoqëronte vëllanë. Gjithsesi ishim të vetëdijshëm për arrogancën dhe mungesën e etikës nga ana e institucioneve tona. Me naivitet mendova se ndoshta ishte punë kursimi. Po të merrnin edhe babain do t’u duhej të paguanin për harxhimet e drekës apo darkës edhe për një person tjetër. Mezi e pritëm kthimin e tij dhe donim të dëgjonim përshtypjet për qytetin e Skënderbeut, për Muzeumin e Madh etj. Ai dukej i lodhur, e gati i mërzitur, me një ngjyrë të errët në fytyrë. Nuk ishte në qejf të tregonte për udhëtimin. Vetëm pas pyetjeve të shumta na tha se nuk e kishin ftuar që ta njihnin me arritjet në vend, që ai të shkruante pozitivisht për Shqipërinë. I kishin kërkuar që ta bënin agjent, të spiunonte “për të mirën e atdheut”, e sigurisht që “për këtë edhe do ta shpërblenin”.

-U ndjeva aq i fyer,- tha xhaxhai. – E hodha poshtë me përbuzje dhe prerazi kërkesën e tyre. Unë jam akademik, dhe them mendimin tim i bazuar në analiza të së vërtetës. Këtë kam bërë për dekada e këtë do të vazhdoj të bëj.

Gëzimit të ardhjes së tij i ra një vello hidhërimi e trishtimi. Një ardhje tjetër në atdhe u vu përsëri në dyshim prandaj kur u ndamë në aeroportin e Rinasit menduam se ndoshta kjo do ishte hera e fundit që shiheshim bashkë. Por pas viteve 1990 familja jonë arriti të marrë visat e të bashkoheshim me xhaxhallarët në Amerikë.

Xhaxhai i madh, Apostoli, vdiq disa muaj pas ardhjes sonë në Filadelfi. Unë vendosa të shkoj pranë xhaxhait tjetër në Kaliforni ndërsa prindërit në Nju Jork pranë motrës së vogël që studionte për anthropologji në New School në Manhattan.

Pas një viti të vështirë në Amerikë, jeta në San Diego për mua përngjante me atë në Tiranë për nga përsiatjet kulturore dhe artistike. Me Peterin bënim vizita në muzeume, shkonim në teatro, opera, shëtitje në shtete të ndryshme. E miqtë e tij ishin me të shumtë profesorë universiteti e unë kënaqesha në bisedimet me ta: Mary  dhe Peter Peratsi, prof. Leonard Newmark, Peter Schimdt etj.

Një kënaqësi e madhe ishin edhe takimi me grupin e vallëzimit ku Peteri praktikohej rregullisht, qe nga kthimi nga Shqiperia ku mësoi pak valz e tango. Ne thoshim me humor se kërcimi i tij ishte “profesional”. Amerika qe njoha me Peterin filloi të më dukej më e pëlqyeshme e më shpresëdhënëse.

Edhe pasi u largova nga San Diego në Nju Jork, e vizitoja rregullisht për vite me radhë. Aty tani nuk kisha vetëm xhaxhanë po edhe shumë shoqëri, si edhe kujtime dhe eksperienca të përftuara në qytete meksikane apo të Kalifornisë.   

Në vizitën e parafundit tek apartamenti i tij në San Diego vura re një palë dylbi të vogla që përdoren në ambiente të mbyllura.

-Do m’i falësh mua këto? – e pyeta xhaxhanë pa u menduar fare.

-Jo, më pëlqejnë t’i kem aty, – erdhi përgjigja e tij.

U pendova menjëherë që ia kërkova. Unë e dija që ai nuk i ndiqte me operat si më parë. Kërkesa ime mund të ishte kuptuar si konfirmim i mbërritjes së një moshe kur aktivitetet janë të kufizuara. Unë isha nxituar e padashur e kisha lënduar.

-Të lutem përsërite edhe njëherë kërkesën, – më ndërpreu mendimet xhaxhai.

-Jo, – i thashë. Ti ke të drejtë. Unë do të blej një palë në dyqanin e Metropolitan Opera. Atje ka dylbi me rrathë fildishti, shumë të ngjashme me të tuat.

-Të lutem më pyet përsëri, – këmbënguli ai.

-A mund të m’i falësh mua këto dylbi që t’i përdor kur të shkoj në opera? – e pyeta përsëri pak e çuditur për këtë kërkesë të tij.

-Me gjithë qejf. Jam shumë i kënaqur që do të shërbejnë edhe ty siç më shërbyen edhe mua, – u përgjegj  xhaxhai me një entuziazëm që më bëri të vë buzën në gaz.

Në çdo shfaqje në Metropolitan Opera apo në Carnegie Hall marr me vete në çantë dylbitë e dhuruara nga xhaxhai e më duket se dhe ai është ulur me mua në sallë.

Foto nga Arkivi i Familjes Prifti:

Rina, Julika, Loreta dhe Peter Prifti, Pogradec 1962

Eri, Rafaela, Peter, Julika, San Diego 1993

Prof. Newmark, Julika, Peter Prifti ne shtepine e Newmark-ut, vere 1997

Dylbi teatri te Peter Priftit                                                   

Filed Under: Histori Tagged With: Julika Prifti, Peter Prifti

#SiSot ndërroi jetë veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe Mësuesi i Popullit Petro Nini Luarasi

August 17, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Petro N. Luarasi u lind në Luaras të Kolonjës më 1865. Mësimet e para në gjuhën shqipe i mori kur ishte nxënës në shkollën e Qestoratit nga mësuesi Koto Hoxhi. Më 1887 hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe më 1892-1893 shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës dhe të Vakëfeve. Ishte mësues dhe drejtor i Mësonjtores Shqipe të Korçës (1893) dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).

Mërgoi në Amerikë dhe u bë nismëtar i shoqërive patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”. Ishte delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit. Bashkëpunoi në organet “Bashkimi i Kombit” (Manastir), në “Drita” (Sofje), në “Kombi” (Boston), në “Iliria” (Selanik). Në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911) mbrojti të drejtat e popullit shqiptar për kulturë kombëtare, duke e quajtur dijen dhe kulturën “shpirtin e mëmëdheut”. Për shkak të veprimtarisë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga Xhonturqit dhe Patriarkana e Stambollit. Vdiq i helmuar në Ersekë më 17 gusht 1911.

Filed Under: Histori

Luftëtarë e shkrues në Pashallëkun e Janinës

August 15, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Piktori francez Luis Dypre para se të vizitonte Pashallëkun e Janinës qendroi në Korfuz. Aty njohu dhe takoi shumë shqiptarë që kishin qenë pjesë e regjimentit “Gjuajtësit e Orientit” të krijuar nga francezët e të mbështetur më vonë dhe nga britanikët. Mes portreteve që realizoi bie në sy ai i Foto Bikos nga Suli. Përveç kostumit tradicional shqiptar, modës së flokëve të gjata alla shqiptarçe por arbërore si i përmend dhe Gjon Muzaka tek Kronika e tij, bien në sy koburet gjarpërushe dhe krahas tyre dividi-mbajtësi i penës, të gjitha të lara me argjend.

Foto Bikos për ti shpëtuar anonimatit rrëfen Dypre shkruajti në greqisht që ishte “Lingua Franga” e rajonit në atë kohë, vetë me penën që mbante në dividin në brez, emrin e tij. Në Muzeun Historik Kombëtar ruhet një divid i sekretarit të Ali Pashë Tepelenës, Dhamo Marjanit nga Zagoria, i ngjashëm me këtë që dallohet në portretin e Fotos.

Disa ditë më vonë kur Dypre përpiqej që ti mbushte mendjen Ali Pashës ne Butrint për ti realizuar portretin i tregoi dhe portretin e Fotos. Ali Pasha qeshi sepse e njohu dhe i tha qe Foto ishte një nga armiqtë e tij më trima. Dypre nuk arriti ta bindte Ali Pashën por arriti ta pikturojë atë nga distanca që është taboja e njohur e Ali Pashës në gjueti në liqenin e Butrintit.

Personalitet e Pashallëkut të Janinës ishin luftëtarë dhe arsimdashës ose siç thonë burra të pushkës e të penës 🙂

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • 186
  • …
  • 709
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT