• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gala Koncerti në Ohër – Festë e artit dhe bukurisë

July 14, 2026 by s p

Julika Prifti/

12 korrik 2026 – Në Ohër po shkoja për herë të parë. Jo vetëm për t’u njohur me qytetin e lashtë por edhe për të ndjekur interpretimin e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.

Për herë të parë në historinë 66-vjeçare të festivalit “Vera e Ohrit”, që zhvillohet për 40 ditë, nga 12 korriku deri më 20 gusht, Gala Koncerti hapës do të drejtohej nga një soprano shqiptare. Krah saj do të interpretonte tenori amerikan Charles Castronovo, ndërsa Orkestra e Operës dhe Baletit të Maqedonisë do të drejtohej nga dirigjenti italian Mario Boemi. Kisha ardhur me kohë nga Nju Jorku për ta parë Ermonela Jahon edhe në një skenë tjetër, më modeste se ajo e Metropolitan Opera. Pyesja veten nëse ajo do të mund të sillte të njëjtat emocione në teatrin antik të ndërtuar në shekullin II.

Teatri antik ndodhet mes dy kodrave dhe gëzon një akustikë të shkëlqyer. Rruga drejt tij nuk është e lehtë, pasi kalon nëpër kalldrëm e tatëpjetë, por kur mbërrin në majë, shpërblehesh me një pamje mahnitëse të qytetit dhe liqenit.

Në të dy anët e hyrjes së teatrit qëndronin dy të rinj të veshur me të zeza, me një objekt ndriçues të kuq mbi kokë, që tërhiqnin menjëherë vëmendjen e spektatorëve që vinin grupe-grupe. Pas hyrjes, disa vajza të reja, të veshura me elegancë dhe me kapele karakteristike, u ofronin të pranishmëve dhurata të vogla simbolike: freskues, peceta dhe suvenire të tjera.

Në shkallët prej guri të teatrit ishin vendosur jastëkë të kuq me logon e bardhë “A1”, një nga sponsorët kryesorë të festivalit. Aty-këtu shihje edhe kuba të mëdhenj të kuq me të njëjtën logo, që shërbenin njëkohësisht si dekor dhe reklamë.

Dy prezantues të televizionit maqedonas u uruan mirëseardhjen autoriteteve, të ftuarve dhe spektatorëve. Më pas Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Kulturës dhe Turizmit, si edhe drejtuesi artistik i festivalit pershendeten shkurt dhe me shumë dinjitet duke theksuar rëndësinë që ka arti në jetën e njerëzve dhe për rolin e tij si urë lidhëse mes kulturave dhe popujve. Drejtori i festivalit, Gjorgji Cuckovski, tha se:

“Prej më shumë se gjashtë dekadash, ‘Vera e Ohrit’ ka formësuar hartën tonë shpirtërore dhe kulturore. Tema e këtij viti, ‘Love’, është një traditë që lidh kulturat dhe popujt.”

Pas fjalëve përshëndetëse, që zgjatën rreth njëzet minuta dhe u përkthyen në anglisht në ekranin e madh pas orkestrës, u ndez flakadani i festivalit, i vendosur në anën e djathtë të teatrit. Për një çast u krijua ndjesia sikur ishim kthyer në lashtësi.

Koncerti u hap me “Dance of the Hours” nga opera La Gioconda e Amilcare Ponchiellit, interpretuar nga Orkestra e Operës dhe Baletit. Mes duartrokitjeve të ngrohta dhe entuziaste u shfaq Ermonela Jaho. Ajo interpretoi arien “Io son l’umile ancella” nga opera Adriana Lecouvreur e Francesco Cileas.

Nën qiellin blu të natës së Ohrit, fustani i saj elegant, i ndriçuar nga projektorët, e bënte të dukej si një hënë e zbritur mbi skenën antike. Zëri i saj i kthjellët, melodioz dhe teknikisht i përsosur të krijonte ndjesinë se ajo kishte lindur për këto role. Çdo notë kalonte përmes shpirtit të saj. Nuk këndonte thjesht muzikën, por jetonte me personazhin.

Interpretimi i saj magjepsi publikun, si në ariet solo, ashtu edhe në duetet me tenorin e njohur amerikan Charles Castronovo i cili u prit me admirim të madh. Zëri i tij i ngrohtë, elegant dhe interpretimi plot finesë u ndërthurën në mënyrë të përkryer me ndjeshmërinë artistike të Ermonelës. Ata ishin partnerë të denjë për njëri-tjetrin, duke krijuar momente të rralla bukurie artistike.

Në fund të mbrëmjes, duartrokitjet e gjata dhe ovacionet në këmbë dëshmuan se publiku kishte përjetuar një natë të jashtëzakonshme. Për mua, ishte një privilegj ta shihja Ermonela Jahon në një skenë krejt ndryshe nga Metropolitan Opera, por me të njëjtën madhështi artistike. Teatri antik i Ohrit nen qiellin e hapur, pranë liqenit krijuan një atmosferë që do të mbetet gjatë në kujtesën time si një mbrëmje koncertale dhe një festë e artit, e kulturës dhe e bukurisë njerëzore.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Julika Prifti

Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave

May 28, 2023 by s p

Julika Prifti/

Koncerti The Bright Lights of OriginAL u dha të mërkurën në sallën Town Hall në Manhattan ku disa vite përpara shkuara publiku kishte ardhur për shfaqjen e sopranos Inva Mula e pianistit Genc Tukiçi. Një shi i papritur dhe i furishëm pak përpara hapjes së dyerve e prishi disi atmosferën e gëzueshme dhe momentet për përqafime e bisedime të shkurtra mes të njohurve. Njerëzit u dyndën për të hyrë sa më parë brenda ndërtesës. Në hyrje nga ana ku shiten biletat ishte vendosur një tavolinë me fletushka OriginAl ku kishte informacion për aktivitetin që donin të sponsorizonin si edhe bileta e lista të njerëzve të ftuar. Tavolina pengonte hyrjen nga ai krah kështu që pas marrjes së biletës duhet të dilje në shi për tu kontrolluar me metal ditektor, siç është bërë e zakonshme, për të hyrë në sallonin e madh e më pas në sallën e bukur me kolltuqe kadife të kuqe.
Pas një vonese më shumë se 30 minuta Avni Mustafaj, drejtues i Germin, përshëndeti e falenderoi të pranishmit. Ai kujtoi se shumë prej spektatorëve kishin marrë pjesë në demonstrata para Kombeve të Bashkuara, Shtëpisë së Bardhë e ishin takuar me senatorë e kongresmenë derisa arritën të takohen edhe me Presidentin Clinton për Kosovën. Më pas ai ftoi në skenë dy të rinjtë, Sihana Bejtullahu dhe Lirim Krasniqi të ardhur nga Prishtina. Pas studimeve në Amerikë ata u kthyen në Prishtinë me një ide të re. Të lidhnin brezat e rinj të lindur e të rritur jashtë atdheut me kulturën e me dashurinë për trojet e të parëve. Shembulli më i mirë për këtë është Israeli i cili ka një program që fton të rinj që nuk e kanë vizituar kurrë vendin e prindërve apo të të parëve të tyre. Ata njihen me vendin e kulturën, historinë e gjeografinë duke shëtitur në vende të rëndësishme, e duke qëndruar në grupe gjatë vizitës disajavore. Pse të mos e bëjmë edhe ne? menduan dy të rinjtë shqiptarë, të cilët e filluan projektin në 2019. Covid-19 e ndaloi pak progresin. Verën e kaluar ata arritën ta vinin në jetë programin e tyre duke ftuar 40 të rinj të moshave 18-24, për 2 javë në Shqipëri e Kosovë (rruga dhe shpenzimet tjeter të paguara nga OriginAL). Një nga pjesëmarrëset e programit tregoi se pas vizitës në Shqipëri e Kosovë ndihej më e lidhur me traditat dhe prejardhjen e saj. Pas tyre foli z. Kozmo që falenderoi gjithë sponsoruesit, emrat e të cilëve gjendeshin edhe në një tabelë të madhe e të dukshme në skenë. Z. Kosmo tha se deshira e tij e madhe ishte që në 100 vjetorin e ditëlindjes së tij të linte një milion dollarë, për të ndihmuar organizatën, gjallë apo vdekur, ai do ta arrinte qëllimin megjithëse ende nuk e dinte rrugën që duhej ndjekur.
Programi artistik filloi me një pjesë në piano të luajtur nga Genc Tukiçi e pas disa minutash në skene doli Inva Mula e veshur me një fustan të kuq e me mëngën e djathtë në formën e një trëndafili të zi. Në skenë me të ishte dhe banda e Florent Boshnjakut, me instrumentistë shumë të talentuar e njohës të muzikës së trojeve shqiptare. Në prezantim Genc Tukiçi tha ndonëse bashkëpunimi me bandën ishte vetëm dyditor në koncert përshtypja ishte krejt ndryshe. Koncerti kishte kenge nga Shqipëria, Kosova e Kalabria. Inva Mula interpretoi me mjeshtëri këngë të kompozuara nga babai i saj Avni Mula e dy këngë të njohura nga mjeshtra Nexhimie Pagarusha. Për herë të parë ajo e kishte parë Pagarushën në një koncert në Tiranë dhe prej asaj dite e kishte modelin që duhej të ndiqte. Pjesa e parë përfundoi me pianisten e re e të talentuar Anila Aliu. Ajo jo vetem ka fituar çmimin e parë në çdo konkurs po edhe po interpreton me orkestra të ndryshme të botës.
Klarinetisti Igli Tuga e elektrizoi sallën. Interpretimi i tij është magjik dhe luajtja virtuoze e ngriti në këmbë publikun. Në pjesën e dytë Inva doli e veshur me një veshje të stilizuar të xhubletës shqiptare që tashmë është marrë në mbrojtje nga UNESCO si pjesë e Pasurisë Botërore të Njerëzimit. Ajo falenderoi “një mik që e njohu 25 vite më parë, kur ishte ende e re por një njeri që e përkrahu me të gjitha forcat e influencen e tij, e që deshi të nxirrte në pah jo vetëm talentin po edhe bukurinë e femrës shqiptare. Sot dua të falenderoj Fadil Berishën, i lindur në Tropojë e i rritur në Gjakovë,” tha Inva Mula e mbytur nga duartrokitjet e gjithë sallës. Mbyllja e programit me këngën Xhamadani Vija- Vija, e kënduar nga e gjithë salla në këmbë ishte një finale madhështore.
Koncerti kishte një vizion panshqiptar, ku muzika e Kosovës dhe Shqipërisë ishin pjesë e një shtrati. Banda e Florent Boshnjakut, si njohës i thellë i muzikës popullore shqiptare ia dha këtë dimension koncertit.
Veç mbledhjes së fondeve për OriginAL, koncerti arriti të zbulojë forcën e bukurinë e muzikës shqiptare të të gjitha trevave.

Filed Under: Opinion Tagged With: Julika Prifti

Befasia e një urimi

March 8, 2023 by s p

Julika Prifti/

Për 91 vjetorin e ditëlindjes së babait doja të risillja kohët e koncerteve të Vjenës nga Shqipëria por duke i shtuar një befasi, një urim nga Shkëlzen Doli, violinisti i talentuar shqiptar i Orkestrës Simfonike me famë botërore. Mezi prita përfundimin e koncertit simfonik në Carnegie Hall parmbrëmë, dhe me pak druajtje vajta ta uroja bashkatdhetarin, të cilin nuk e njoh por e kisha parë në një shfaqje në Tiranë. Megjithatë e kisha vendosur se do t’i lutesha të shkruante në programin e Carnegie Hall një urim për babin. Njohjen me Orkestrën Simfonike të Vjenës e kujtoj se nisi në fund të viteve 1960 në Shqipërinë e kohës së regjimit hoxhist. Koncerti i Vjenës, një traditë e botës muzikore e mirëpritur nga të gjithë, mblidhte shumë të afërm e miq në shtëpinë tonë, të cilët vinin enkas në 1 janar për të uruar vitin e ri. Meqë asokohe aparatet televizive ishin të paktë, të gjithë e linin vizitën në orarin e programit të shumëpritur që të shijonin valset e marshet nga fisi i madh i kompozitorëve Strauss, dhe gjithashtu adhuronin pjesët koreografike që shoqëronin disa pjesë të koncertit njëorësh. “Dhoma e televizorit” mbushej plot dhe përngjante me një sallë të sajuar koncerti ndërsa mobiljet e orenditë shtëpiake ngjante se merrnin një hije klasike nga ajri që përçonte tingujt e muzikës austriake. Babait dhe neve na dukej se për një orë nuk ishim më në Shqipërinë e zymtë dhe të izoluar, se për një orë edhe ne ishim pjesë e Europës, pjesë e Vjenës. Kaq shumë ishte brendësuar lidhja emocionale e shpirtërore me Simfoninë e Vjenës sa kur erdhëm në Nju Jork vajtja në koncertet e filamornisë së saj, e cila jep tri koncerte në Carnegie Hall na jepte edhe ndjenjën e një lloj ngadhënjimi mbi sistemin e rrëzuar dhe të dështuar.Tek prisja të dilte violinisti i famshëm shqiptar, pashë një burrë me sy bojëqielli, me flokë të zeza, dhe trup të derdhur, dhe ju afrova sakaq duke e pyetur shqip “Ju jeni Shkëlzen Doli?” Ai nuk u përgjegj dhe unë mendova se nga zhurma e njerëzve të mbledhur rrotull tij për ta takuar nuk më kishte dëgjuar. “Ju jeni Shkëlzen Doli?” përsërita pyetjen duke uruar që mosmarrëveshja të ishte dëgjimore.-Ich spreche nur deutch, – erdhi përgjigja e tij.-Oh, so, dann du bist nicht Shkelzen Doli – i thashë unë.-Shkelzen ist nicht hier, – sqaroi ai. Aty për aty mu fshi buzëqeshja teksa ndieja sesi ideja për një dhuratë të veçantë për ditëlindjen e babit po mbetej vetëm një dëshirë e mirë. Pranë meje violinisti dhe koncert maestri austriak Rainer Honeck po fotografohej me adhuruesit e tij. Mendova të mos e humb rastin për të bërë foto me të dhe i shpreva keqardhjen që nuk munda ta takoja bashkatdhetarin tim. -Po ne kemi edhe një shqiptar tjetër në orkestër, – më tha ai. – Celisti Edison Pashko.“Zbulimi” i një shqiptari tjetër në Simfoninë e Vjenës më erdhi edhe mua si një dhuratë të cilën ia përcjell sot babait në përvjetorin 91 të ditëlindjes bashkë me urimet për shëndet të mirë dhe për të ardhur vitin tjetër në Carnigie Hall në koncertin simfonik të Vjenës me dy bashkatdhetarë, e mbase edhe të tjerë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julika Prifti, Naum Prifti

Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar

August 18, 2022 by s p

Julika Prifti/

Xhaxhai im, Peter R. Prifti i firmoste letrat dhe shkrimet në shqip dhe anglisht edhe me emrin e babait Rafail, ose me inicialin e emrit të tij. Kjo më bënte shumë përshtypje si fëmi sepse në Shqipërinë e viteve ’60 praktika e botimeve ishte nënshkrimi vetëm me emër e mbiemër të autorit. Në tri dekadat e para të jetës sime unë e takova xhaxhanë vetëm dy herë në Shqipëri. Ai ishte shpërngulur në Amerikë në vitin 1939 apo 1940,  ku jetoi me babanë e vëllanë e madh Apostolin. Për herë të parë ai erdhi të vizitonte familjen në Shqipëri kur unë isha pak më shumë se dy vjeç. Siç mësova më vonë, gjyshi ynë, Rafaili ishte riatdhesuar në fund të viteve 50-të pas disa tentativave të pasuksesshme për daljen nga kufiri të gjyshes dhe dy fëmijëve të tjerë. Kujtimet e mia të vizitës së parë të Peterit janë plotësuar nga fotografitë e letrat e tij ku kujtonte pyetjet e mia të shumta e disa përgjigje që i kishin bërë përshtypje. Por pas botimit të librit të tij Socialist Albania Since 1944: Domestic and Foreign Development, nga MIT Press Cambridge Massachusetts, and London England, iu mbyll dera e lejimit të vizitave në Shqipëri.  Edhe një kopje që ai ia dërgoi të vëllait, babait tim, shkrimtarit Naum Prifti në Shqipëri, nuk u dorëzua në adresën e dërguar. Nuk dinim si ta kuptonim qëndrimin kundrejt tij, një intelektual i shquar shqiptar në Amerikë. Por në një bisedë intime me babin, prof. Skënder Luarasi i tregoi se ai e kishte lexuar dhe e kishte pëlqyer shumë librin e Peter Priftit. Po libri kishte një “mëkat”. Peteri nuk e kishte lavdëruar Enver Hoxhën e ky ishte “krim” i madh. Për këtë arsye libri mbahej i rezervuar në Bibliotekën Kombëtare e nuk lejohej të merrej pa autorizime.

Peter Prifti u lejua të vinte në atdhe vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, në verën e vitit 1985.  Kjo ardhje qe një gëzim i dyfishtë për ne. E para do të takoheshim pas gati një çerek shekulli dhe e dyta ishte sinjal “rehabilitimi” sepse duke u lejuar të vinin për vizita njerëzit tanë nuk ishin armiq të popullit e të atdheut. Nuk mundem ta shijonim këtë “përmirësim” biografije gjatë sepse pak ditë pas ardhjes së tij në Tirane, Ministria e Jashtme filloi të telefonte për t’i afruar udhëtime në Krujë, Korçë a ku të donte për “ta njohur mirë realitetin socialist”. Nuk mundi t’i shmangte gjatë. Ata erdhën një ditë dhe e morën me veturën e tyre për të vizituar qytetin e Krujës. Ndonëse në dukje trajtimi nga autoritetet dukej miqësor, unë parandjeva diçka kur ata nuk e lejuan babain ta shoqëronte vëllanë. Gjithsesi ishim të vetëdijshëm për arrogancën dhe mungesën e etikës nga ana e institucioneve tona. Me naivitet mendova se ndoshta ishte punë kursimi. Po të merrnin edhe babain do t’u duhej të paguanin për harxhimet e drekës apo darkës edhe për një person tjetër. Mezi e pritëm kthimin e tij dhe donim të dëgjonim përshtypjet për qytetin e Skënderbeut, për Muzeumin e Madh etj. Ai dukej i lodhur, e gati i mërzitur, me një ngjyrë të errët në fytyrë. Nuk ishte në qejf të tregonte për udhëtimin. Vetëm pas pyetjeve të shumta na tha se nuk e kishin ftuar që ta njihnin me arritjet në vend, që ai të shkruante pozitivisht për Shqipërinë. I kishin kërkuar që ta bënin agjent, të spiunonte “për të mirën e atdheut”, e sigurisht që “për këtë edhe do ta shpërblenin”.

-U ndjeva aq i fyer,- tha xhaxhai. – E hodha poshtë me përbuzje dhe prerazi kërkesën e tyre. Unë jam akademik, dhe them mendimin tim i bazuar në analiza të së vërtetës. Këtë kam bërë për dekada e këtë do të vazhdoj të bëj.

Gëzimit të ardhjes së tij i ra një vello hidhërimi e trishtimi. Një ardhje tjetër në atdhe u vu përsëri në dyshim prandaj kur u ndamë në aeroportin e Rinasit menduam se ndoshta kjo do ishte hera e fundit që shiheshim bashkë. Por pas viteve 1990 familja jonë arriti të marrë visat e të bashkoheshim me xhaxhallarët në Amerikë.

Xhaxhai i madh, Apostoli, vdiq disa muaj pas ardhjes sonë në Filadelfi. Unë vendosa të shkoj pranë xhaxhait tjetër në Kaliforni ndërsa prindërit në Nju Jork pranë motrës së vogël që studionte për anthropologji në New School në Manhattan.

Pas një viti të vështirë në Amerikë, jeta në San Diego për mua përngjante me atë në Tiranë për nga përsiatjet kulturore dhe artistike. Me Peterin bënim vizita në muzeume, shkonim në teatro, opera, shëtitje në shtete të ndryshme. E miqtë e tij ishin me të shumtë profesorë universiteti e unë kënaqesha në bisedimet me ta: Mary  dhe Peter Peratsi, prof. Leonard Newmark, Peter Schimdt etj.

Një kënaqësi e madhe ishin edhe takimi me grupin e vallëzimit ku Peteri praktikohej rregullisht, qe nga kthimi nga Shqiperia ku mësoi pak valz e tango. Ne thoshim me humor se kërcimi i tij ishte “profesional”. Amerika qe njoha me Peterin filloi të më dukej më e pëlqyeshme e më shpresëdhënëse.

Edhe pasi u largova nga San Diego në Nju Jork, e vizitoja rregullisht për vite me radhë. Aty tani nuk kisha vetëm xhaxhanë po edhe shumë shoqëri, si edhe kujtime dhe eksperienca të përftuara në qytete meksikane apo të Kalifornisë.   

Në vizitën e parafundit tek apartamenti i tij në San Diego vura re një palë dylbi të vogla që përdoren në ambiente të mbyllura.

-Do m’i falësh mua këto? – e pyeta xhaxhanë pa u menduar fare.

-Jo, më pëlqejnë t’i kem aty, – erdhi përgjigja e tij.

U pendova menjëherë që ia kërkova. Unë e dija që ai nuk i ndiqte me operat si më parë. Kërkesa ime mund të ishte kuptuar si konfirmim i mbërritjes së një moshe kur aktivitetet janë të kufizuara. Unë isha nxituar e padashur e kisha lënduar.

-Të lutem përsërite edhe njëherë kërkesën, – më ndërpreu mendimet xhaxhai.

-Jo, – i thashë. Ti ke të drejtë. Unë do të blej një palë në dyqanin e Metropolitan Opera. Atje ka dylbi me rrathë fildishti, shumë të ngjashme me të tuat.

-Të lutem më pyet përsëri, – këmbënguli ai.

-A mund të m’i falësh mua këto dylbi që t’i përdor kur të shkoj në opera? – e pyeta përsëri pak e çuditur për këtë kërkesë të tij.

-Me gjithë qejf. Jam shumë i kënaqur që do të shërbejnë edhe ty siç më shërbyen edhe mua, – u përgjegj  xhaxhai me një entuziazëm që më bëri të vë buzën në gaz.

Në çdo shfaqje në Metropolitan Opera apo në Carnegie Hall marr me vete në çantë dylbitë e dhuruara nga xhaxhai e më duket se dhe ai është ulur me mua në sallë.

Foto nga Arkivi i Familjes Prifti:

Rina, Julika, Loreta dhe Peter Prifti, Pogradec 1962

Eri, Rafaela, Peter, Julika, San Diego 1993

Prof. Newmark, Julika, Peter Prifti ne shtepine e Newmark-ut, vere 1997

Dylbi teatri te Peter Priftit                                                   

Filed Under: Histori Tagged With: Julika Prifti, Peter Prifti

GËZUAR 70 VJETORIN E MARTESËS RINA DHE NAUM PRIFTI!

July 28, 2022 by s p

Julika Prifti

27 korriku është datë e rëndësishme në kalendarin e familjes Prifti, të cilën e kemi festuar pa ndërprerje, aty ku kemi qenë dhe me ato mundësi që kemi patur.

Që kur e mbaj mend veten time, në datën 27 korrik të çdo viti, shtëpia merrte një atmosferë gazmore prej tingujve e ngjyrave festive të kombinuara me meloditë e lejuara apo “të ndaluara” të kohës që jetonim. Veç këngëve vlonjate e kolonjare, çifti Prifti, shoqëruar nga bijat, këndonte kompozime të njohura italiane e angleze, si edhe kërcente aq bukur tango, valz, mambo e më vonë ‘rock and roll’. Shtëpia zbukurohej me lule e fotografi të reja, tavolina shtrohej për festë dhe për ne, vajzat, nuk kishte vend më të lumtur në botë se apartamenti ynë në rrugën Bajram Curri në Tiranë. Nuk lakmonim asnjeri dhe nuk krahasoheshim me kërkënd sepse ndiheshim të lumtura që ishim pjesëtare të përvjetorit të martesës së prindërve. Në fantazinë tonë na dukej sikur na ishte dhuruar një udhëtim në kohë që e bënte të mundur të ishim me ju në ditën e dasmës.

27 korriku i vitit 2022 është përvjetori i shtatëdhjetë i jetës bashkëshortore, i klasifikuar si jubile madhështor dhe aq i çmuar sa platini. Në fakt kur babin e pyesnin sesa vjet kishte martuar, ai, me humorin e tij origjinal, përgjigjej: “Më duket se unë kam lindur i martuar”. Koha dhe fati deshën që kjo thënie të jetë mëse e vërtetë në këtë përvjetor i cili lehtësisht mund të barazohet me një jetë të tërë!

70 vjetori i martesës është i rrallë për çdo çift, por në kohën e pandemisë është një triumf i vërtetë sidomos pas shërimit nga Coronavirus-i dhe sëmundje të tjera të moshës. Padyshim, në harkun kohor të shtatë dekadeve ku përfshihet një ndërrim shekulli dhe kapërcim oqeani nga Shqipëria në Amerikë, ka pasur plot peripeci dhe dallgë e stuhi jete. Në ditët e vështirësive të mëdha dhe të vogla, në rastet kur ishte fjala për çështje shëndeti apo buxheti, në momente të tensioneve politike apo psikologjike, ju mbetët të pastër dhe të patjetërsuar. Prandaj nuk na jepnit leksione apo teori edukate sepse ato buronin nga vëzhgimi i sjelljes suaj me miqtë e shokët e vjetër e të rinj, njerëzillëku me fqinjët madje edhe me ata që kishin qenë partizanë, si teta Ollga e xhaxhi Tasi, ndihma që ju jepnit miqve me halle financiare apo të tjerëve që kishin nevojë për mbështetje shpirtërore, pritjet e vizitorëve të lajmëruar si edhe ardhjet e mysafirëve që trokisnin në derë papritur.

Në shtëpi priteshin e përcilleshin njerëzit e damkosur “politikisht” apo të cilësuar “armiq ” të sistemit socialist, sistem në të cilin u rritëm edhe ne, vajzat tuaja. Kështu, ne mësuam leksionin më të madh të jetës: Të mos kemi frikë nga e vërteta dhe nga e drejta e të mos mashtrojmë apo të ulim poshtë dikë për të ngritur lart veten tonë në çfarëdo rrethane qofshim.

Jeta nuk fillon nga Uni e nuk mbaron me vdekjen e Unit, sado i madh të jetë ai. Një koleg në Institutin e Monumenteve në Tiranë thoshte shpesh se “për shqiptarin bota fillon me mua e mbaron me mua”. Psikologjia e Uni-t që është thellë e rrënjosur dhe e theksuar nuk ishte e rëndësishme për ju. Parimi juaj ishte krejt i kundërt sepse ju vlerësonit çdo zanat e punë, sa kohë që kryhej mirë. Ngaqë ishte rritur në fshat për 14 vjet, babi e njihte mirë punën e rëndë të bujkut dhe blegtorit siç ia dinte vlerën edhe zanateve të tjera të familjes së Priftëllarëve dhe përgjithësisht kolonjarëve, si gurgdhendja e muratoria. Pra, tek ne ishte rrënjosur me kohë mirënjohja për “essential workers” që në Amerikë kaloi vetëm si një fazë kalimtare gjatë pandemisë por shpejt u zëvendsua nga rendja pas fallsitetit të statuseve sociale të ndërtuara me famë dhe pasuri materiale, por jo me vlera.

Nga ju, morëm prirjet për recitimet dhe gjuhët e huaja, letërsinë dhe artin botëror, mendimin e lirë dhe lirinë e shprehjes por edhe kërshërinë e guximin për të provuar gatime ‘ekzotike’ pa shtrembëruar buzët për specialitete si chicharon, ox tail, pa gjykuar dhe pa vënë etiketa ‘moderne”, ‘të mbrapshta’ dhe “primitive” kulturave të vendeve të tjera. Çfarë kuptimi njerëzor për planetin në të cilin jetojmë!

Meqë po cek temën e ushqimit, dua të falënderoj mamin nga fisi i Caushëve, e cila për mua gatuante qofte pa qepë e pa piper, apo makarona e fasule pa salcë domatesh, ngaqë unë kisha stomak të ndjeshëm. Me kalimin e viteve dhe në kohën studentore, u mësova të ha gati çdo gjë, përfshirë edhe fasule me salce të kuqe, sepse gjatë muajit të aksionit apo të shërbimit ushtarak nuk doja të bija në sy si “vajzë e përkëdhelur”. Faleminderit për durimin e gjatë!

Nga ju, ne të tria, kemi emra shumë të bukur. Unë isha e vetëdijshme se emri që më dhatë mua ishte në një variant të ri, të padëgjuar më parë në Shqipëri. Ndryshimi ishte i vogël, veçse një shkronjë më shumë nga varianti i njohur e shumë i përdorur, Julia. Po shkronja K-ja në rrokjen e fundit e bënte emrin më tingëllues e më përkëdhelës, sikur të donte të tregonte se unë do të isha e tillë përgjithmonë. J U L I K A në vend të J U L I A! Mesa di unë, jam Julika e parë në Shqipëri në vitin 1960. Ju prutë një emër të ri për vajzat shqiptare. Për vite të tëra, unë isha e vetmja Julikë. Po nuk mbeta e vetmja se ky variant u pëlqye shumë së pari nga komshia që banonte vetëm ca kate më poshtë në të njëjtën shkallë të pallatit. Moshatarja ime ndryshoi emrin. As sot nuk e di me dokumente apo vetëm në thirrjen nga prindërit, por për fat, ata u larguan në një banesë tjetër dhe unë mbeta Julika origjinale. Sa herë vizitoj Shqipërinë dëgjoj shumë “Julika”, por tani e kam kuptuar sesa përpara kohës ishit ju, që zgjodhët variantin e emrit i cili fitoi popullaritet.

Gëzuar e për shumë vite e festofshi përvjetorin e martesës!

Me dashuri vajzat,

Loreta, Julika, Rafaela

Filed Under: Komunitet Tagged With: Julika Prifti

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Konsullata serbe, apo kur historia troket përsëri në portën e Shkodrës
  • Vatra homazhe nderimi pranë shtatores së Shenjtores Nënë Tereza dhe Dr.Ibrahim Rugovës në Klinë të Kosovës
  • Lugina e Preshevës meriton vëmendje maksimale. Mediat Publike shqiptare të akreditojnë reporterët zyrtarë në zonat ku jetojnë shqiptarët etnikë
  • Seminari XIX Mbarëkombëtar për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë
  • Sulmet ndaj UÇK-së, fyerje ndaj historisë dhe cënim i themeleve morale e shtetformuese të Republikës së Kosovës
  • Kujtojmë ditën e themelimit të Klubit “Bashkimi” të Manastirit
  • Vlerësimi historik i rolit të presidentëve amerikanë në çështjen shqiptare
  • Kosova, nga “Dielli” te Republika
  • Osman Kazazi, simbol i qëndresës historike
  • Jam njё grusht tokё nga mёmёdheu im…
  • IS NEW YORK’S AFFORDABLE HOUSING BECOMING A “GOING CONCERN”?
  • Vatra vizitë në Veriun e Kosovës
  • Humor shkodran me “Konsullatën serbe” në Shkodër
  • Welcome to Beyond the Runway
  • NË KUJTIM TË 89-VJETORIT TË NDARJES NGA JETA TË POETIT KOMBËTAR DOM NDRE MJEDA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT