• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GERALDINA, KONTESHA QË “KRISHTEROI” DHE EUROPIANIZOI MBRETËRINË SHQIPTARE, ME SHTATORE NË TIRANË

February 2, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Me 01 shkurt 2022 në Tiranë u vendos shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë, me financimin e  qeverisë së Republikës të Hungarisë. Meqense media të ndryshme e transmetuan këtë eveniment, unë mendova që me këtë rast të “ndalëm”te një histori e shkurtër e mbretërisë, dhe të konteshës që u bë mbretëreshë e shqiptarëve. 

NË VEND TË HYRJES, NJË HISTORI E SHKURTËR E MBRETËRISË SHQIPTARE

 Me 01 shtator 1928 Asambleja Kushtetuse e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928, vendosi që forma qeverisëse në Shqipëri të ishte Mbretëri (Royaume) Demokratike, Parlamentare dhe e Trashëgueshme, dhe Mbreti i shqiptarëve ishte Zogu I. Deri atëherë “tradita” qeverisëse e shqiptarëve kishte kaluar rreth  katër shekuj e gjysëm e “mbështjellë” me vellon e errësirës , kerbaçit dhe kulaçit  që serviri sundimi Turko-Osman në Shqipëri, si dhe në kalvarin e intrigave e luftrave që sillte pa prerë grykësia e fqinjëve sllavë që kërkonin të shkyenin sa të mundnin nga trojet shqiptare… Mbretëria shqiptare përveç shpresës kishte brenda edhe mjaft element të perandorisë turkoshake, ku spikasin rreth këtij oborri mbretëror shumë përfaqësues në zë të familjeve feudale e të “nderuar” me tituj nga Turqit si ,”beg”, “aga” ,”bajraktar”, “pasha” ,”vezir” e të tjer të “zgjedhur”, kur në fakt këto tituj nuk ishin rrjedhim i formimit historik, por në shumicë i përkisnin atyre familjeve që me zellin shpesh edhe të tepruar i kishin shërbyer lakunisë së pushtuesit Aziatik  turko-osman i cili i kishte shpërblyer në kohën e tyre , por që mjerisht disa nga këta ende ishin “mina” me sahat për kombin tonë (kujtojmë Esat Pashë Toptanin e tjerë). Mbreti i kurorëzuar ishte në fakt një malësor i shkolluar nga Mati , i cili rrjedhte nga një familje (Zogollëve) që ndonëse kishin kohë që kishin ndërruar fenë (duke u bërë musliman), por që kishin vërtetuar se nuk kishin ndërruar  atdheun e detyrimet ndaj tij. Këtë mund ta ilustrojmë të paktën me vetë mbretin Ahmet Zogu, i cili ishte një ndër pjesëmarrësit aktivë në Kongresin e Lushnjes (1920) dhe qeverinë e saj, por edhe pjesëmarrës në drejtimin e luftërave mbrojtëse të këtyre viteve (kujtojmë luftën e Koplikut 1920…). Gjithsesi  zhvillimet e mëvonshme, para dhe pas mbretërisë ende “rrezatonin”  çehre të verdhë aziatike, ndërsa armiqtë e ndërgjegjshëm dhe të “pandërgjegjshëm” të Shqipërisë me “furçën” në dorë (në të shumtën sllavo-bolshevike) kërkonin t’ja shtonin ngjyrën e verdhë aziatike mbretërisë, ku edhe në mes kësaj “mjegullnaje” si për inat të armiqve të vjetër e të rinjë të kombit tonë kishte arritur mjaft suksese në krijimin e një shteti jo pak “modern” për kohën. Për të plotësuar këtë ia vlen të theksohet se në Europë kishin filluar të hedhin shtat dy ideologji e sisteme të kundërta në dukje por të përafërta në qeverim e mjerim, Komunizmi dhe “alternativa” e ekstremit tjetër Fashizmi. Natyrisht në këto kushte mbretëria shqiptare ishte më e sulmuar se kurrë, madje pika më e goditur ishte ajo se duke qenë musliman nga besimi mbretin Ahmet Zogu shpesh e akuzonin si Turko-Osman , anadollak dhe epitete të tjera të cilat jo pak e dëmtuan në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare Shqiperinë. Roli i fqinjëve sllavë nuk kishte aq rëndësi sa roli i “ambasadorëve”, disa dhe me orientim Bolshevik që ishin shpërndarë nëpër botë, nën pretekstin e përndjekjes politike nga mbretëria… Në këto kushte aspak të favorshme, madje kur kishte filluar të fabrikohej edhe justifikimi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste (në atë kohë ende ishte sekret i fashistëve…), një ndër “justifikimet” e pushtimit siç do të merrej vesh më vonë kishte qenë edhe pushtimi i trojeve shqiptare për t’i çliruar gjoja nga mbretëria “anadollake” e Ahmet Zogut , shqiptarët e “robëruar”, ku si çlirimtarë do të “priteshin” fashistët. Pikërisht  në këto ditë të vështira mbretit Zog  I  ju “servirën” tre fotografi të konteshës së re Hungareze me emrin Geraldina nga një gjeneral dashamirës i mbretërisë, ku ju dërgua dhe jetëshkrimi i shkurtër i kësaj konteshe katolike, që pas njohjes reciproke më 10 janar të vitit 1938, Kontesha Geraldinë Appony pranoi të bëhej bashkëshortja e Mbretit Shqiptar, ndonëse ai ishte i besimit musliman ,dhe ajo katolike.. Oborri mbretëror e shpalli këtë fejesë më 30 janar 1938, dhe të nesërmen edhe parlamenti shqiptar e miratoi këtë fejesë pa asnjë kundërshtim, duke i dhënë një “leksion” të mirë Europës plakë e cila ende e shihte mbretërinë me syze turkoshake, por pas kësaj jo më kot disa gazeta të Europës fejesën e Konteshës katolike me mbretin musliman e quajtën më shumë se civilizim i mbretërisë…Por përpara se të shkojmë tek martesa po paraqesim një jetëshkrim fare të shkurtër të kësaj konteshe që do të vinte kurorën e mbretërisë sonë:  

PAK NGA CURRICULUMI I KONTESHËS GERALDINË… 

Kontesha Geraldinë lindi më 6 gusht 1915 në Gjenevë të Zvicrës, ajo ishte e bija e kontit Hungarez Xhula Appony, dhe e konteshës Gledis Stjuart nga Amerika e largët. I ati i Geraldinës konti Xhula, në fillim të luftës së parë botërore kishte marrë pjesë në forcat Austro-Hungareze duke luftuar kundër Serbëve. Mbarimi i luftës së parë botërore, dhe shpërbërja e perandorisë (Austro-Hungareze) shkaktoi probleme për këtë familje dhe vetë shtetin Hungarez i cili u copëtua jo pak në bazë të traktatit të Trianonit, ku pjesë të bukura të Hungarisë së bashku me tre milion e gjysëm hungarezë u lanë jashtë kufinjve etnikë të Hungarisë (“fat” i përbashkët me shqiptarët). Çifti Appony kishte pasur edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë. Pas vdekjes së babait të tyre, kontit  Xhula Appony në vitin 1924, “jetimët” shkuan në kolegjin “Sacre Coeur” të Petersburgut, Austri, ku edhe mbretëresha e ardhëshme Geraldina do të arsimohej duke kryer fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Për Geraldinën e motrën e saj u kujdes halla e saj (motra e babës), kontesha Karoly, e cila zotëronte një nga kështjellat më të bukura dhe më të famshme të Hungarisë në Zebegeny. Thonë se kjo konteshë e kishte bërë zakon që në periudhën verore të priste të gjitha mbesat e saja, ku për to kishte përgatitur një “fshat” ku kishte të mbjellura të gjitha llojet e luleve e dekoracionet më fantastike të gërshetuara me mjaft fantazi e bukuri. E mbesat e kësaj konteshe që kalonin verën këtu të gjitha kishin marrë një emër luleje. Për shkak të bukurisë të bardhësisë së saj natyrale Geraldina kishte marrë emrin Trëndafili i Bardhë i Hungarisë… Që pa vonuar do të “zbardhte” me ngjyrën e bardhë të krishtërimit, mbretërinë disi të “verdhëcitur” të shqiptarëve. E kjo ndodhi me martesën e Geraldinës me Mbretin shqiptar me datën 27 prill 1938, ku kjo datë “koinçidonte” me martesën e prijësit legjendar të shqiptarëve dhe europianëve Gjergj Kastriotii, Skënderbeut me Donikën nga Vlora (më 27 prill 1451).. e kjo “koinçidencë” nuk fliste pak për kohën… Kjo datë e “njëjtë” martese  dhe vetë martesa flasin mjaft po të kujtojmë të gjithë personalitetet e botës që kishin uruar fejesën dhe uruan martesën e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë, si Presidenti amerikan Ruzvelti, mbretëria e Italisë, Anglisë, Suedisë, Norvegjisë, Egjyptit e tjerë. “Krishtërimi” i çiftit mbretëror filloi që në mënyrën e organizimit të dasmës, celebrimit të vetë dasmës, si dhe mënyrën origjinale të kalimit të natës së parë të çiftit mbretëror, ku siç kujton bashkëkohësi, gjimnazist që ka marrë pjesë në dasëm, Beqir Ajazi në një shkrim të tij, se atë natë në hotelin që priti çiftin mbretëror nuk qëndruan çehrerëndët e tij për të ruajtur, por u ruajt nga të rinjtë (gjimnazist) që ishin ftuar edhe në dasëm, nga ku filloi një erë e re në lëvizjet e daljet publike të mbretit e mbretëreshës, të cilët u afruan më shumë me popullin e hallet e tij, nga ku do të fillonte një epokë e re e mbretërisë shqiptare. Duhet theksuar se Fan Noli një nga kundërshtarët permanent të mbretërisë e vetë Mbretit në vitin 1937 i kishte shkruar Mbretit  për t’u “pajtuar” , dhe për të fituar një pension , të cilin mbreti si për “rastesi”, që në fillim të vitit 1938 kur ai fejohet me konteshën Geraldinë fillon t’i japë pensionin e kërkuar Nolit, madje dhe shumë kundërshtarëve të tij politikë, çfarë tregon për një shpirt më paqësor, më sentimental, e pse jo më kristian që ka në themel mëshirën e faljen të cilat ishin disi më të kufizuara në të shkuarën. Gjithsesi me këtë martesë kundërshtarëve të mbretërisë (shpesh edhe të Shqipërisë) u iku nga “dora” argumenti “kryesor” se mbretëria shqiptare është një derivat i rëndomtë i perandorisë anadollake, madje fillimi i një jete më moderne europiane i mbretërisë ishin disa nga premisat që rrisnin shpresat që shqiptarët të hynin më shtruar në sofrën europiane, nga ku për hirë të vërtetës duhet thënë se asnjëherë nuk qëndruam të përbuzur e braktisur si shpesh herë sot në shekullin e ri…(Kujtojme se me pasaporten e mbreterisë  shqiptare udhtojë pa vizë (si sot) në Europë , madje edhe në Amerikë, ndërsa leku shqiptar ishte një monedhë e shkembyeshme e me vlerë në të gjithë Europën…). Pas kësaj martese fatlume e të bardhë për mbretërinë e vetë shqiptarët, nuk ishte thënë prej Zotit të zgjaste më shumë se rreth një vit, kur fashizmi (Italian) më 7 prill 1939 ndërmori aktin barbar të pushtimit të Shqipërisë, ndërsa mbretëria si të gjithë shoqet e saja në Europë u detyruan të lënë vendin e tyre, për të mos u bërë “graso” për grasatimin e ingranazheve të shtetit 40 milionësh fashist, e ndërsa Shqipëria kishte  më pak se një-milion banorë. Kujtojmë se kishte dhe shtete të tjera që , për të mos prishur qytetet dhe  historinë e tyre  “lejuan” pushtimin pa luftë, e këtu vlen të përmendim Francën që dorëzoi Parisin… Gjithsesi shqiptarët qëndruan, por qëndresa nuk dha rezultat për arsye që dihen. Por me këtë rast shqiptarët lëshuan toka e troje, por jo shpirtin liridashës e trimërinë e tyre, të cilët e demostruan vazhdimisht në luftën e paprerë, si me fashistët italian  dhe ata gjerman.  Ndersa  në keto kushte  mbretëria u detyrua të marrë rrugët e kurbetit, që nga Greqia, Turqia, Anglia, Franca, Spanja, Egjypti, Afrika e Jugut e gjetkë. Mjerisht për Shqipërinë në këtë luftë që quhet lufta e dytë botërore , Mbretëria nuk arriti të bëhet palë bindëse në agjendat ndërkombëtare, për shumë arsye, por dy janë më kryesoret. E para sepse “ambasadorët” emigrant politik me të filluar lufta trumbetuan me shtypin e miqësinë e tyre antimbretërinë, duke e paraqitur si mbretëri tradhëtare e që kishte shitur vendin. Madje u arrit deri aty sa ti ngjiten të pabëra sikur ka vjedhur thesarin e tjerë e tjerë. Së dyti “Bota” sllavo-ortodokse ku po hidhte shtat komunizmi ishte bërë faktorë në luftë kundër fashizmit, pasi disa grupime anarshiste që dalngadalë Moska e Beogradi do t’i bashkonte e emërtonte si Partia Komuniste Shqiptare, që siç u provua më vonë ishte vegla më e mirë jo vetëm për të shtypur shqiptarët brenda kufirit 1913, por edhe për të ndihmuar në eleminimin e nacionalistëve dhe shpirtit kyrengritës të trevave shqiptare që sllavët i kishin gllabëruar prej vitesh.. Duke realizuar kështu ëndrrën e kahershme që Shqipëria të mos jetë “kurrë” një shtet i bashkuar e i zhvilluar. Gjithsesi Mbretëria në mërgim nuk qëndroi duarkryq, por aktiviteti i saj erdhi duke u zbehur fill pas marrëveshjes së Jaltës e konferences së Teheranit , kur kompromiset politike të forcave fituese e lanë Shqipërinë në duar të Stalinit e Titos, për t’u gllabëruar edhe kjo që kishte mbetur, por edhe për të vazhduar eksperimentet antinjerëzore të komunizmit deri shumë vonë. Natyrisht në kushtet e një emigrimi të pashoq mbretëria shqiptare mbijetoi, edhe pse më 24 maj 1944 komunistët kishin marrë vendimin “historik” të ndalimit të kthimit të Mbretit në Shqipëri. Mbreti Zog u sëmur dhe vdiq në vitin 1961, për t’u trashëguar nga djali i tij Leka i parë i cili u largua nga Shqipëria vetëm dy ditësh. Tashmë kollonisja e Mbretërisë në mërgim bëhej kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, e cila për të mos humbur dinjitetin e saj e të Mbretit sakrifikoi jo vetëm pasurinë që i mugnonte, por edhe kujtimet e fejesës e martesës, si relike, unaza e tjerë. E këto i bënte që edhe djali i saj, mbreti trashëgimtar të shkollohej e aftësohej që një ditë t’i shërbente Shqipërisë… Dinjiteti i Mbretëreshës që tashmë quhej Nëna Mbretëreshë, ishte më i larti i të gjitha mbretërive në mërgim, aq sa shkrimtari i shquar Ismail Kadare do të thoshte:  “Mbretëresha Geraldinë është sovrania e vetme në Botë që pas përmbysjes së të shoqit nuk u përgojua ansjëherë , dhe gjithë jeta e saj është një model për mua…”. E përsëri kjo Mbretëreshë e Bardhë ka tërhequr vëmendjen e Papa Gjon Palit të dytë, i cili i kishte thënë Geraldinës: “Me kontributin tënd, me shpirtin tuaj Kristian do të mbeteni e nderuar për Brezat”. Dhe për këtë Papa ka të drejtë, pasi kjo mbretëreshë në tërë kalvarin e saj të mërgimit 63 vjeçar, asnjëherë nuk mendoi apo shprehu një fjalë të keqe për shqiptarët e Shqipërinë, përkundrazi ajo mijëra herë i ka “bekuar” dhe është  lutur për ta  në kisha e faltore të ndryshme, duke u dëshmuar jo vetëm mbretëreshë e devotshme, por edhe si kristiane e bindur. Madje ajo asnjëherë nuk kaloi kufijtë njerëzorë e kulturorë në mallkimin apo përgojimin e klyshëve të kuq sllavë që kishin ndaluar jo vetëm mbretërinë, por një popull të tërë… Gjithsesi kur mosha e mbretëreshës po bënte “detyrën”, dhe ajo si çdo qenie njerëzore e tokësore filloi të mendonte për të ndërruar jetë, në shpirtin e saj vlonte dashuria për tja “besuar” trupin e saj  tokës së shenjtë shqiptare për të cilën ishte sakrifikuar pa kursim.. Ketë deshirë të saj të fundit mbreteresha Geraldina do të shprehte me fjalet : “Do të vdes si shqiptare, në tokën shqiptare, në mes të shqiptarëve”. Me sa duket ketë dshirë të saj Zoti bëri emer tja plotësojë, pasi  me 28 qershor 2002 ajo u rikthye përfundimisht në Shqipërinë e ëndërruar e dëshiruar gjatë. Por pa kaluar veçse pak muaj (me 22 tetor 2002) ajo ndërroi jetë, por tashmë e qetë, pasi do të prehet përgjithmonë në tokën që i kushtoi jeten e saj… Në perjetsim të emrit saj  të mirë maternitetit (qendror) të Tiranës i është dhënë  emri i mbretereshes Gelardinë. Ndërsa me datën 01 shkurt 2022 në Tiranë, në krah të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, Bulevardi Zogu I, u përurua vendosja e shtatores të Mbretëreshës Geraldinë, një perjetësim i bukur e domethënës , në të cilin muaren pjesë perveç disa personaliteteve shqiptare me në krye kryetarin e bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, nipin e Geraldinës Princin Leka etjerë edhe Gjinia e saj , përfaqesues nga Republika Hungareze, bijë fisnike e të cilës është, dhe me të cilen krenohen…

ME 01 SHKURT 2022

Filed Under: Histori

PRO ARMENIA (1901) / THIRRJA E ISMAIL QEMAL BEUT PËR EUROPËN DHE FRANCËN : “SHPËTONI KOMBET E SHTYPURA NGA REGJIMI HAMIDIAN!”

February 1, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Shkurt 2022/


“Pro Armenia” ka botuar, me 10 nëntor 1901, në f.186-187, një shkrim në lidhje me thirrjen e Ismail Qemalit drejtuar asokohe qeverive dhe popujve të Europës dhe në veçanti Francës për t’u ardhur në ndihmë të gjithë kombeve të shtypura nga regjimi hamidian, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një thirrje për Europën dhe Francën
Ismail Qemal beu, në bashkëpunim me krerët e tjerë të partisë reofrmatore osmane, u drejton qeverive dhe popujve të Europës dhe në veçanti Francës një thirrje në emër të të gjithë kombeve të shtypur nga regjimi hamidian. Ai tregon në të njëjtën kohë të keqen (sëmundjen) dhe ilaçin dhe fjala e tij bëhet dhe më e besueshme se ai është mysliman dhe kështu zhduken parandjenjat e këqija të masakrave, në rast se një ndërhyrje evropiane do të çlironte “fanatizmin mysliman”.
Këtu është ky dokument i rëndësishëm :
“Ne, myslimanët dhe të krishterët e Turqisë, mirënjohës ndaj Evropës për të mirat e saj, dënojmë politikat e regjimit aktual në një kohë kur, duke kulmuar në devijimet e tij, ai hedh një sfidë të pakonceptueshme ndaj asaj të kombeve të mëdha, mosinteresimi i të cilëve gjithmonë na ka inkurajuar më së shumti që të kërkojmë mbrojtje.
Dinastia osmane u vendos nga Traktatet e Londrës dhe Parisit mbi themelet solide të së drejtës ndërkombëtare, por me kushtin e shprehur që ajo do të njihte, siç ka njohur nga Perandoritë e Larta, të drejtat civile dhe politike, me barazinë absolute të të gjithë subjekteve të saj, si dhe heqjen e abuzimeve të lënë trashëgim nga një e kaluar e dënuar përgjithmonë.
Perandoria, e cila ishte në prag të humbjes, u shpëtua për herë të dytë nga Evropa, e cila i imponoi njohjen dhe zbatimin e dispozitave të Traktatit të Berlinit. Ne e dimë vlerën që iu dha në Kostandinopojë këtyre klauzolave të pranuara kaq solemnisht në Berlin. Drejtësia u shfuqizua, ligjet u shkelën, taksapaguesit u shtypën nën taksat e padrejta dhe arbitrare, konfiskimet u rivendosën, thesari publik u plaçkit, nëpunësit e shtetit u privuan nga rroga e tyre, ushtria nga paga e saj, popullata të pambrojtura u shfarosën në masë, i gjithë vendi u zhyt në mjerim ekstrem.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceBurimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceA do të lejohet që kjo gjendje e anarkisë, e nihilizmit zyrtar të vazhdojë më? A do të vazhdojnë qeveritë të qëndrojnë në heshtje ndërsa ndodhin keqbërje të paprecedenta? Franca, e cila ka marrëdhënie shekullore me Lindjen, e cila pa dyshim është e vetëdijshme për detyrimet që ka kontraktuar ndaj nënshtetasve të sulltanit duke kundërshtuar, nga të plotfuqishmit e saj në kongres, që ekzekutimi i klauzolave të parashikuara në favor të tyre u vu nën kontrollin e fuqive kontraktuese, do të dijë të mbetet e denjë për veten duke kërkuar, me autoritetin që i takon, ilaçet më të përshtatshme për plagët që brejnë Turqinë. Këto ilaçe (mjete juridike), për më tepër, janë të gjitha të shënuara në Traktatin e Berlinit dhe në protokollet që janë jurisprudenca. Nenet 23, 61 dhe 62 dhe rregulloret organike të hartuara në përputhje me dispozitat e tyre, përcaktojnë të gjitha të drejtat e fituara, si për popullsinë e Turqisë në Evropë, ashtu edhe për atë në Azi.
Moszbatimi i përcaktimeve të traktatit përbën një vepër penale e cila, sipas mendimit të shprehur nga presidenti i kongresit në seancën e 9 korrikut, do t’i detyronte Fuqitë të shqetësoheshin për të dhe të bien dakord për takimet e reja diplomatike. Prandaj është takimi i një konference apo komisioni ndërkombëtar që është thelbësor sot dhe misioni i të cilit do të ishte rishikimi i rregulloreve të shpallura tashmë dhe që kanë mbetur një letër e vdekur, për të hartuar të tjera të përshtatura më mirë me rrethanat dhe nevojat aktuale, pasi të ketë mbledhur opinionet e popullatave në fjalë dhe duke u kujdesur që të mos lihen vend për intriga me të cilat dikush do të kërkonte të shtrembëronte synimet e Fuqive në sytë e myslimanëve. Vetëkuptohet se një nga masat që kërkon situata do të ishte administrimi nga ky komision, bashkë me Portën Sublime, i financave deri në përfundimin e organizimit që do të futet. Dhe kur Europa të ketë kryer kështu detyrën e saj deri në fund, myslimanët dhe të krishterët, popujt e Turqisë së Evropës dhe Azisë, duke përfituar në të njëjtën bazë nga drejtësia e barabartë për të gjithë, do të pushojnë së ndari për t’u dërrmuar më mirë, por të gjithë, të ribashkuar në të njëjtën ndjenjë mirënjohjeje, ata do të bekojnë çlirimtarët të cilëve do t’u detyrohen të jetojnë në paqe dhe të gëzojnë punën e tyre.”ISMAIL QEMAL BEU

Filed Under: Histori

STAMBOUL (1886) / KUR SULLTANI FALI ABDYL FRASHËRIN

January 31, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Janar 2022


“Stamboul” ka botuar, të shtunën e 6 shkurtit 1886, në ballinë, një shkrim në lidhje me faljen e Abdyl Frashërit nga Sulltani, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : “Shqiptari Abdyl bej Frashëri, vëllai i Sami beut, shkrimtar i njohur osman, me ndikim të madh në vendin e tij, i komprometuar në kryengritjen shqiptare të vitit 1881, ishte arrestuar dhe internuar në Panderma (Bandirma). Madhëria e Tij Perandorake Sulltani sapo e ka falur (amnistuar). Abdyl beu ka mbërritur në qytetin tonë.”

Filed Under: Histori

Gëzuar ditëlindjen e 106-të në qiell, Dr.Lazër Radi

January 29, 2022 by s p

46 vjet i burgosur familjarisht, i internuar nën diktaturë

Nga Keze Kozeta Zylo

Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/.

Kur më futën në burg/ lashë gruan me gjithë vajzë/ kur dola nga burgu, gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur.  Nga libri: “Muret e muzgut”

Sot në këto kohë të çakërdisura, që udhëhiqen nga lider që prodhojnë vetëm ngrica dhe akullnaja nga arteriet e zemrave të tyre të zeza ke mundësi të gjesh shtigje për t’i përballuar këto drithma ftohtësirash dhe të marrësh frymë lirisht duke lexuar bardët e rrallë të kulturës kombëtare.  Kur them të rrallë ata numërohen me gishta si psh Dr.Lazër Radi.  

Kemi pasur nderin si familje të takoheshim në shtëpinë tonë në Tiranë, ashtu thjesht, pa bujë e trumpeta, ja si tek tavolina në foto, të kuvendonim burrërisht në odën me qilim të thjeshtë të punuar nga duararta e vuajtura nëna ime Liri. Sa çudi më dukej kur e takova në fillim sa kishte ardhur nga internimi në Savër dhe po banonte në Tiranë, prej atëhere nuk u ndamë kurrë familjarisht si për së gjalli dhe për së vdekuri…  Ju ishit njohur burgjeve dhe internimeve me elitën e Kombit, ju i latë popullit tuaj lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjën e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht…  

Sa shumë figura të ndritura solle në bisedat tona të cilat janë tejet fryëmëzuese për mua dhe një pjesë të civilizuar të Kombit. Jeta juaj ishte burgjeve, por në shpirtin dhe shkrimet tuaja nuk gjej kurrë një molekulë hakmarrjeje, por vetem drejtësi ashtu siç ishte profesioni juaj mbaruar për drejtësi në Romë, profesion që s’e ushtruat kurrë denuar nga diktatura komuniste dhe hoxhiste.

Ne ikëm drejt Amerikës në acarin e shkurtit të 97-ës kur filloi lufta civile.  

Mbaj mend, kur u takuam për herë të fundit në një muzg tirane dhe po ecnim nëpër baltë e lloh përmes një kanali drejt shtëpisë suaj.  Juve ju kishim në mes, na kishit futur krahun mua dhe Qemalit dhe për një moment u ndalët nën krisma plumbash, nën gulçima të ecjesh, pak të rënduar dhe na thatë:  “Bijtë e mi, se shpesh kështu na thërrisnit, u bëmë vite bashkë, njeriun ke mundësi ta njohësh qoftë dhe në një bisedë, por me ju u bënë gati 7 vite.  Unë ndjej dhimbje që do ndahemi, mosha ime është e thyer më shumë nga hallet, por jam i gëzuar që do shkoni në vendin më të lirë në botë atje ku kam bijën e vetme Adrianën time… (O Zot sa shumë e donte, ishte në çdo bisedë tonën).  Une jam i sigurtë se ju një ditë do të ktheheni, e dini pse?  Gjaku thërret, Atdheu thërret.  Por unë dua te jem i sigurtë për ju, qëkur të ktheheni mos të keni fatin tim që u ktheva nga Roma dhe u mbyta burgjeve dhe internimeve.  Ju duhet ta jetoni Lirinë jo vetëm në Amerikë, por dhe kur të ktheheni në Shqipërine etnike… Sa e ëndërronte”!  

Tani që shkruaj nën flakën e qiririt të përshpirtjes ndjej dhimbje ngase do të desha që këto fjalë amanet të Dr.Lazerit të mos ishin aktuale dhe sot…  Mjerisht shumë parashikime të korifejve si Konica, Fishta etj janë shumë aktuale…      

Në këtë 106 vjetor fjalët shqip në librat tuaj më bëhen jehonë që vijnë si nga Bjeshkët e Nëmuna, apo nga Prizreni i vendlindjes suaj, ndërsa ju si Pëllumb Paqeje fluturoni për të takuar miqtë e besës dhe trondit kujtesën të ndërtuar mbi themele harrese… 

Në këtë 106 vjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve.  

Dhe ja disa vargje prej saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.

Në këtë 106 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të përëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem vazhduese e denjë e mësimit të Abetares në Diasporë.

Jeta juaj është si një muze i hapur dhe rrëfeni historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tuaj.  Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli e 6 vite të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si Ju, për të ikurit prej Soi.  Petalet e shpirtit tuaj puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë.  Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.

29 Janar, 2022

New York

Filed Under: Histori Tagged With: Lazer Radi

MEDALIONI I PARË I GJERGJ KASTRITOIT SKENDERBEUT NGA VITI 1449 QË RUHET NË ZAGREB

January 27, 2022 by s p

Prof. Dr.  Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest

Studimet dhe hulumtimet shkencore për epokën e Skenderbeut, po japin rezultate të reja në fusha dhe lëmi të ndryshme, për të cilat më parë nuk kishte fare njohuri. Është deri diku e çuditshme që nëpër arkiva e biblioteka shtetërore e private, muzeume e koleksione të ndryshme të ruhen thesare kaq të çmuara. 

Në Zagreb, në Muzeun Arkeologjik, në fondin e: “Numizmatikës Mesjetare / Srednjovjekovne numizmatike,” ruhet një medalion origjinal i Gjergj Kastritoit Skenderbeut. Ky medalion është prej bronzi me dimensione: 95 x 97 mm dhe peshon 169.96 gr. Autori është i panjohur, po kemi të dhëna të sakta se medalioni është punuar në Venedik në vitin 1449. 

Në dy dokumente, gjejmë të dhëna për vitin e punimit të medalionit, po jo edhe për autorin. Dokumentet janë të pa botuara dhe ruhen në fondin: “Senato Mar. Bust. V“. Si duket ky medalion është punuar me porosinë e një familje fisnike shqiptare që jetonte në Venedik, sipas të gjitha gjasave, degës së Engjëllorëve të Drishtit, që jetonin atje që nga fundi i shek. XIV-të.

Medalioni ka formë të rrumbullakët, është i gdhendur dhe ka shënime, vetëm në njërën anë, në avers, ndërsa në revers, nuk ka ndonjë dekorim, shënim apo diçka të ngjashme. Në avers, Skenderbeu është në profil, i kthyer në të djathtë. Në kokë ka një kapele venedikase, të thyer në të dy këndet, ndërsa veshur ka një pelerinë venedikase, nga ato që mbanin bujarët vendas, venedikas, me disa dekorime të bukura, që bën për të kuptuar, se autori e kishte shikuar Skenderbeun të gjallë, e jo nga ndonjë përshkrim, me siguri gjatë qëndrimit të tij në Venedik. Mjekrën e ka të gjatë, por, jo të zbardhur. 

Në medalionin e Zagrebit, Skenderbeu nuk më i madhë se, 50 vjet

Është me rëndësi të ceket se Skenderbeu në këtë medalion duket shumë i ri, gjë që e bën shumë më të vlefshëm dokumentin që ne kemi shfrytëzuar për të datuar medalionin. Vijat e fytyrës, tregojnë se nuk kishte më shumë se pesëdhjetë vjet. Hunda, nuk ka pozicionin e një “Hundë shqiponje“, po është e drejtë.

Brenda shiritit anësor, në gjërsi prej: 11 mm, është i gdhendur teksti: 

GEORGIVS CASTRIOTT DE SCANDERBEG INVICTISS.

Ky tekst duhet të lexohet: 

[D/OMINUS/] GEORGIUS CASTRIOTT[VS] DE SCANDERBEG INVICTISS[IMVS];

 ndërsa i përthyer në gjuhën shqipe lexohet: 

GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU [MË] I PAMPOSHTURI.

Teksti fillon në anën e majtë, në nivelin e supit dhe mbaron në anën e djathtë, te cepi i jelekut, që dallohet nga pelerina.

Për rrugën historike të këtij medalioni, për fat të mirë ekzistojnë disa të dhëna. Në Zagreb, në fondin e numizmatikës mesjetare, ka arritur në vitin 1912, pasiqë është blerë, për një shumë jashtëzakonisht të madhe parash: 251 kruna ose 10 dukat floriri dhe një krune të argjendit, në ankandin e Frankfurtit nga Josip Brunschmid, /1858-1929/, në atë kohë drejtor i Muzeut Historik të Zagrebit. Në këtë ankand, ky medalion i Skenderbeut kishte arritur çmimin më të lartë nga gjithë eksponatet tjera që shiteshin.

Ne kemi bërë një studim të veçantë, po edhe kemi konsultuar specialistë të kësaj fushe. Dr. Ivan Mirnik, si udhëheqës i Fondit të “Numizmatikës Mesjetare” pranë Muzeut Arkeologjik të Zagrebit, na ka mundësuar të bëjmë analiza përkatëse studimore, duke na ofruar ndihmë të pakursyer profesionale dhe literaturë të shumtë; po edhe ka lejuar fotografimin dhe publikimin e këtij medalioni. Me këtë rast, e falënderojmë publikisht.

Rëndësia e veçantë histroike e këtij medalioni

Medalioni i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, ka një rëndësi të shumfishtë. Fakti se ai u punuan derisa ishte gjallë Skenderbeu dhe pos kësaje dhe në një moshë mjaft të re, ka një peshë të veçantë, ngase autori [mjeshtri], e kishte shikuar me sytë e tij heroin shqiptar. Të dhënat i kishte të sakta, dmth. nuk bazoheshin në gojdhëna, rrëfime apo përshkrime të të tjerëve. Tiparet dhe karakteristikat që i gjejmë në këtë medalion, bëjnë shumë të qartë fytyrën e Skenderbeun, veshjen e tij dhe moshën; gjëra këto, që kanë qenë shumë pak të njohura deri sot.

Medalioni i Zagrebit, është shumë ekskluziv, ngase është punuar në vitin 1449, pra, vetëm 11 [njëmbëdhjetë] vjet më vonë, pas medalionit të parë [nga viti 1438] që njihet në histori, të cilin e ka punuar Pisanello, me rastin e pjesmarrjes së Gjon Paleologut të VII-të, në koncilin e Ferrarës.

Fjala medalion, në gjuhë të ndryshme ka funksion të njëjtë, psh. në latinishte: metallum; në italishte: medaglio; në anglishte: medal; në frengjishte: médaille; në gjermanishte: Medaille; në kroatishte: kolajna, etj. Medalioni mund të jetë nga: floriri [ari], argjendi, bronzi, plumbi dhe legura të tjera. 

Origjina dhe zhvillimi i medalioneve gjatë historisë 

Gjatë historisë kishte funksion të ndryshëm. Psh. në Greqinë antike, nuk njihej termi medalion, edhe pse në disa monedha, gjejmë elemente që janë shumë të afërta me medalionin. Në Romën antike, medalioni që punohej atëherë, i ngjan shumë, medalionit të sotëm, modern; me një ndryshim, që në Romë, mdealioni punohej vetëm me urdhër të mbretit romak dhe nuk kishte askush tjetër të drejtë, të punonte apo ndante medalione. Në Bizant, medalinoni është fare i panjohur. I panjohur është edhe në mesjetën e hershme. Për herë të parë, medalioni punohet në vitin 1438. 

Medalioni ngjan shumë me monedhat, por është diçka më i madh. Dukja e jashtme dhe elementet përbërëse, janë të njëjta me ato të monedhave, por ka funksion tjetër. Është punim artistik, me karakter përkujtimor ose jubilar. Punohet në një kopje të vetme, e në raste veçanta në disa kopje, po çdoherë në numër të kufizuar. Zakonisht, në avers ka gdhendje portreti të ndonjë figure të shquar, po në raste veçanta mund të ketë edhe reliev. Ndërsa në revers, zakonisht paraqitet ndonjë reliev, gdhenjde grafemave të ndryshme, dekorime stilistike, data të caktuar, dhe gjëra të tjera të cilat përdorën në raste të tilla.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 185
  • 186
  • 187
  • 188
  • 189
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT