• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prof. Dr. Rifat Frashëri ( 1862 – 15 NENTOR 1934)“Ministri” i pare i Shendetesise se shtetit shqiptar

November 15, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Prof. Dr. Rifat Frashëri, mikrobiolog e virolog i shquar bashkautor me kolegë të Institutit Paster në Paris, i disa zbulimeve të rëndësishme për shëndetësinë botërore në fushën e virologjisë dhe të vaksinave, sidomos kundër epidemive të Lisë dhe të Tërbimit.Në Kongresin e Lushnjës më 23 janar 1920, Prof. Dr. Rifat Frashëri u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë shqiptare (pararendëse kjo e një ministrie të mirëfilltë shendetesie). Ai njihet si shkencëtar dhe akademik me emër në Europë, në Universitetet turke e franceze. Ishte patriot i shquar, mik dhe i afërt me vëllezërit Frashëri. Vdiq në Shqipëri, 87 vjet me pare, me 15 nëntor 1934.Prof. Dr. Rifat Frashëri lindi në vitin 1862, rridhte nga frashërllinjtë e shquar të Dangëllisë Përmetit. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin në Gallatasaray dhe fakultetin e Mjekësisë të Stambollit në vitin 1888 u emërua mjek në spitalin ushtarak të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1897 dhe tregoi aftësi të mëdha profesionale gjatë epidemisë së lisë në Tuz.Mendohet që në vitin 1897 ai u kthye si mikrobiolog në Institutin Bakteriologjik të Stambollit ku, bashkëpunoi me bakteriologun francez Maurice Nicolle, specialist në “Pasteur Institute”, për prodhimin e vaksinës kundër lisë. Në vitin 1899 emërohet nëndrejtor e pas disa vjetësh drejtor i Institutit Bakteriologjik të Stambollit, kryeqytet e Perandorisë Osmane.Pikërisht në këtë kohë, një punë e thellë studimore dhe një bashkëpunim i frytshëm me bakteriologun francez Prof. Paul Remlinger i shpuri ata në një nga zbulimet më të mëdha të mikrobiologjisë dhe mjekësisë botërore të kohës, në zbulimin se tërbimi në kafshë e njerëz shkaktohej nga një “virus filtrues”, një zbulim që e bëri emrin e tij të pavdekshëm në historinë e mjekësisë dhe mikrobiologjisë botërore.Zbulimin e tyre ata e njoftuan në një mbledhje të Shoqatës së biologjisë (Societe de biologie) në Paris dhe e botuan në vitin 1903, në “Aktet” e kësaj shoqate. Pas shpikjes së parë shkencëtari shqiptar Rifat Frashri u emërua profesor në Universitetin e Stambollit.Në vitin 1903, vetëm 5 vjet pas zbulimit të te parit virus, shkaktar të një sëmundjeje infektive te kafshët (virusi i aftës epizootike) nga Friedrich Loeffler dhe Paul Frosch dhe tre vjet pas zbulimit të virusit të etheve të verdha, në Institutin Bakteriologjik të Stambollit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger zbuluan të parin virus që shkaktonte sëmundje në njerëz e në kafshë, virusi i tërbimit.Zbulimi ishte rezultat i një kërkimi të planifikuar për të vërtetuar një hipotezë paraprake të zbuluesve (mbi mundësinë e ekzistencës së një shkaktari të tillë), që u ngrit duke u bazuar në faktin që deri në atë kohë kësaj sëmundjeje të studiuar relativisht mirë nga pikëpamja klinike, anatomopatologjike, mikrobiologjike dhe imunologjike, nuk kishte qenë e mundur t’i gjendej shkaktari.Zbulimi nxiti kërkime intensive edhe për gjetjen e shkaktarëve të tjerë viralë të sëmundjeve infektive të njeriut. Zbuluesit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger krahas Walter Reed etj, hodhën themelet e virologjisë mjekësore. Zbulimi u krye në Institutin Bakteriologjik të Stambollit. Mungesa e një mjedisi shkencor të standardit të kohës në këtë Institut nxjerr më në pah madhështinë e zbulimit, njohuritë dhe aftësitë e zbuluesve Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger.Me këtë zbulim shkenca shqiptare për herë të parë në historinë e shkencës moderne del në ballin më të përparuar të kërkimit shkencor eksperimental e dha një kontribut udhëhapës, në zhvillimin e mikrobiologjisë.Shkencëtari jetonte me hallet e mëmëdheut, punoi gjate e me pasion për zgjimin kombëtar. Që në moshën 16-vjeçare u caktuar sekretar i Kuvendit të mbledhur në Frashër nga Abdyl Frashëri dhe në vazhdimësi mbajti lidhje e bashkëpunoi me patriotë të shquar të Rilindjes, sidomos me Naim dhe Sami Frashërin. Në kohën e emërimit në universitet profesori intensifikoi veprimtarinë e tij patriotike kombëtare e shtoi. Ai u zgjodh dhe kreu për mjaft kohë detyrën e kryetarit të organizatës patriotike shqiptare “Bashkimi” në Stamboll.Shkencëtari shqiptar përbuzi kërkesën e autoriteteve turke për të marrë pjesë në një komision që do të shkonte në Shqipëri për pengimin e shpalljes së pavarësisë, duke i thënë hapur, ballë për ballë Talhat Pashës (kryeministër) se ai vetë ishte gjak shqiptari dhe se do t’i nxiste shqiptarët për të shpallur pavarësinë. Për këtë veprimtari patriotike Prof. Dr. Rifat Frashëri, në vitin 1913, u përjashtua nga Universiteti i Stambollit.Për disa kohë mbeti i papunë. Më pas u dërgua në një gjendje gjysmë internimi në Tripolisë (Turqi) e më vonë si kryetar i bashkisë së atij qyteti. Pas Luftës së Parë Botërore, qëndroi pak kohë në Stamboll e në vitin 1920 me ftesën e qeverisë shqiptare erdhi në Shqipëri dhe u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë ( me atributet e nje Ministri te koheve te sotme) post që e mbajti deri sa doli në pension.Zbulimi i Rifat Frashërit është një nga kontributet më të mëdha të shkencës shqiptare në zhvillimin e shkencës botërore. Karriera shkencore e R. Frashërit u ndërpre herët, për shkak të ndjekjeve nga autoritetet turke. Edhe me kthimin në Atdhe, ai nuk gjeti kusht të përshtatshëm pune në fushën e mikrobiologjisë, ndërsa projekti i tij për një qendër shqiptare të kërkimeve mjekësore, mbeti vetëm një ëndërr e bukur gjatë gjithë jetës së tij.Ministri i Shendetesise Leonard Solis ne korrik te vitit 2000 e nderon Prof. Dr. Rifat Frasherin me “Mirenjohje” per Kontributin e tij ne shendetesi.Ne dijenine time nuk di qe emrin e madh te Dr. Rifat Frasherit ta kete ndonje institucion shendetesor ose te pakten nje rruge ne Shqiperi te mbaje emrin e tij…Vazhdojme “mekatin” e perhershem te mosvleresimit te figurave te medha te kombit…

Filed Under: Histori Tagged With: Saimir Kadiu

REVOLUCIONI I PERGJAKUR KUNDERKOMUNIST HUNGAREZ

November 14, 2021 by s p

(23-tetor -11 nëntor 1956)

Me rastin e 65-vjetorit

Nga Skifter Këlliçi

“Për dashurinë jap jetën,

për lirinë fal dashurinë”

  Shandor Petëfi, poet i madh hungarez

Prolog

I bazuar në kujtimet e mia, të shtypit të atëhershëm shqiptar dhe sovjetik të mëvonshëm dhe në internet, të njoftimeve të  Radio RAI-t, që e dëgjoja  disa herë në ditë,  veçanërisht në kujtimet  e shokut tim të ndjerë, Ilia Dedi, ish-student në Budapest në vitin 1955-56, të hungarezo-amerikanit Nandor Silagi, që kam njohur në Boston, ku jetoj prej 22 vjetësh,  po u paraqes lexuesve  disa nga episodet më të  tragjike të Revolucionit Kundërkomunist Hungarez,  në vjeshtë të vitit 1956, kur isha student 18-vjeçar.

PAK  HISTORI  PER HUNGARINE E VITEVE  ‘45-’50-të TE SHEKULLIT TE KALUAR

Në verë të vitit 1949 motra ime, Lili, u kthye nga Budapesti, ku kishte qenë  pjesëtare e delegacioit artistik, pjesëmarrës  në Festivalin Botëror të  Rinisë, që organizohej çdo dy vjet. Dhe ishte kthyer e lumturuar, sepse ishte njohur me një qytet të mahnitëshm, krahasuar me Tiranën dhe, madje, edhe me qytete të tjera të Evropës, siç i kishin thënë disa nga pjesëtarët e delegacionit shqiptar në këtë festival, që kishin parë deri atëherë një çikë botë me sy. Motra na foli edhe për nivelin e jetesës, për dyqanet që ishin plot me mallra, sidomos ushqime që mungonin në Shqipëri, ku buka dhe artikuj të tjerë shiteshin me triska që u shfaqën përsëri në vitet 80-90-të… Dhe kjo sepse, për shkak të refuzimit të ndihmave të UNRRA-s, (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rindërtim), nga qeveria komuniste, se gjoja drejtoheshin nga imperialistët anglo-amerikanë, dhe të prishjes së marrëdhënieve një vit më parë me Jugosllavinë e Titos, të cilit diktatori ynë, Enver Hoxha i kishte falur çdo gjë, gjendja ekonomike e shqiptarëve të gjorë ishte katandisur si mos më keq. Kështu, dalëngadalë, edhe nga mësimet në shkollë, u njoha me Hungarinë e begatë, ndonëse vetëm me fusha e fusha të pamata, me Danubin që çan përmes tij, me të vetmin liqen të quajtur Balaton, u njoha me Hungarinë, që bënte pjesë në të ashtuquajturin bllok të vendeve socialiste, të varur tërësisht nga Bashkimi Sovjetik dhe që drejtohej nga stalinisti Matiash Rakoshi.

Mësova gjithashtu më vonë  se  gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hungaria u bë aleta e Gjermanise naziste, se në shtator të vitit 1944 trupat ruse e çliruan këtë vend të vogël dhe krijuan një qeveri të përkohshme, se në zgjedhjet e nëntorit të vitit 1945 fitoi Partia Agrare, në një kohë që Partia Komuniste u rendit e gjashta, se pushtuesit sovjetikë urdhëruan formimin e një qeverie koalicioni, dhe arritën që  sdy drejtues të kësaj partie  n dhe Rajkun t’i bënin perkatësisht  kryeministër dhe  ministër të Brendshëm.

> Veç këtyre, mësova gjithashtu se në zgjedhjet e vitit 1947 në Hungari, gjithnjë në trysninë e sovjetikëve, fituan social-komunistët, që filluan të shtrinin kontrollin  e tyre  në tërë vendin, se më 18 gusht të vitit 1949 u krijua Republika Popullore e  Hungarisë, që ra tërësisht  në sferën sovjetike, tashmë me Rakoshin sekretar të Parë të  PK Hungareze, se për të eleminuar të ashtuquajturit amiq të atdheut dhe të komunizmit, ai, ashtu  si komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye, falë Sigurimit Hungarez  ndërmori një fushatë të egër spastrimesh, që solli mbi 2000 të vrarë dhe të zhdukur dhe  mbi 100.000 të burgosur dhe internuar. Por mësova se niveli ekonomik i  Hungarisë së atëhershme, gjithsesi, ishte ku e ku më i mirë se në Shqipëri. Këtë e dëshmonin edhe studentë që nisën të studionin në këtë vend të vogël, por me tradita të mëdha, deri në fund të Luftës së Parë Botërore,(1918) pjesë përbërëse e Perandorisë e famshme Austro-hungareze.

 Dihej  se Hungaria ishte një vend ku qysh nga viti 1944 ndodheshin trupa sovjetike. Dhe ja, në tetor të vitit 1956,  e tërë bota u njoh me një Hungari tjetër, krejt të ndryshme, u njoh me popullin e saj me shpirt të madh liridashës, të frymzuar edhe nga poezitë atdhetare të Petëfit dhe të rapsodive të famshme të Listit, dy prej figurave më të mëdha të popullit hungarez.

6 TETOR 1956 – NE CEREMONINE  PERKUJTIMORE TE TE REHABILIIMIT  TE LASLO RAJKUT

 Rrëfen ngjarje shoku im, Ilia Dedi, ish-student në Budapest, më  pas gazetar në Radio Tirana dhe gazetën “Puna”, ngjarje të cilat  përputhen me rrëfimet e hungarezo-amerikanit Nandor Silagi, i arratisur nga Hungaria më 1956, të cilin e kam njohur në SHBA.

“Rajku ishte ndër viktimat e para të drejtuesve staliniste në udhëheqjen komuniste hungareze të fundit të viteve 40-të. Pas intrigave djallëzore të Rakoshit, u akuzua si agjent i Titos dhe, si pasojë, i imperializmit amerikan, që kishte dashur kthimin e Hungarisë në një vend kapitalist. U dënua me vdekje më 1950. Me rehabilitimin e tij,në mitingun e organizuar me këtë rast më 21 tetor të vitit 1956  një nga sheshet qendrore të Budapestit, udhëheqësit stalinistë shpresonin që punëtorët, të cilët ishin frymëzuar nga protestat e punëtorëve në Poznan të Polonisë, do të mbeteshin të kënaqur me këtë funeral “riparues” dhe nuk do të ngrinin më zërin për rehabilitimin e viktimave të tjera staliniste. Veç kësaj, ata kishin shpresë se ky funeral do të kalonte si pa u vënë re. Mirëpo atje u grumbulluan turma që i kalonin të 200 mijë vetët. 
Pas ceremonisë  pashë me qindra e qindra punëtorë që, duke mbajtur në duar flamurë kombëtarë, u drejtuan nga qendra e kryeqytetit dhe zunë të thërrisnin me të madhe: “Nuk ndalemi kurrë! Stalinizmi duhet të shkatërrohet me themel!”. Pas tyre vinin studentë që kërkonin që rusishtja të mos ishte e detyrueshmë më në shkolla e universitete.Ishin kërkesa për të cilat kishte filluar të diskutohej në rrethe të ngushta dhe të gjera që në shtator të atij viti.Me kalimin e ditëve ndjehej që Budapesti po ziente, se njerëzit tashmë flisnin më hapur duke shprehur pakënaqësi jo vetem për kushtet e jetesës që po bëhej e vështirë, por edhe për ato që i shqetësonte edhe më shumë krerët stalinistë-për lirinë e fjalës. Forcat e Sigurimit AVH, (Autoriteti për Mbrojtjen e Shtetit), nisën të shumëfishoheshin, ndonëse ato ende nuk ndërhynin”

Pjesa e dyte

23 TETOR, NE BUDAPEST SHPERTHEJNE  PA PRTUR PROTESTA

Ishte mbrëmja e 23 tetorit të vitit 1956 dhe unë, duke studiuar me pasion italishten ndiqja, veç emisoneve muzikore e sportive, edhe lajmet e emisionit të njohur Xhornale Radio (Radiogazeta), të orës 19.30 dhe 22.00. Dhe ja, befas, folësi nisi të njoftonte se protesta që kishin nisur në Budapest disa ditë më parë, ishin bërë më të ashpra, sidomos nga studentë të Institutit të Lartë Teknik. Budapesti po hapte sytë tashmë i bindur se diktaturës komuniste po lëkundeshin këmbët.

Përsëri nga rrëfimi i Ilia Dedit:

“Atë mëngjes të ftohtë vjeshte pashë se si brigjeve të Danubit, që ndan Budën me Peshtin, po dyndeshin qindra e pastaj mijëra njerëz. Dukej se gjithçka që kishte ndodhur në Poznan të Polonisë disa muaj më parë, do të përsëritej edhe në Budapest-tubime, revolta, paqësore e pastaj përleshje me forcat e rendit. Në Poloni këto revolta kishin sjellë në fuqi Gomulkën, dënuar me burgim më 1948 për devijim nacionalist. Rehabilitimi i Gomulkës, pranuar nga udhëheqësit komunistë rusë ,i  cili kishte dënuar stalinizmin, dukej se ishte edhe preludi i rehabilitimit të Imre Nagit, ish-kryeministër, shkarkuar dhe përjashtuar pastaj nga Byroja Politike, madje nga Partia  se ishtë treguar “shumë liberal”. Për, hungarezët, Nagi ishte shëmbëlltyrë e Gomulkës. Siç flitej, nuk kishte prejardhje aristokratike austro-hungareze, ose nga borgjezia e vogël.  Përkundrazi, vinte nga fushëtira perëndimore e Hungarisë fshatare. Pra, pas kthimit të Gomulkës në Poloni, hungarezët  shpresonin që kjo gjë të ndodhte edhe me Nagin, pra, që edhe ai të dënonte stalinizmin, që të tërhiqeshin trupat sovjetike nga Hungaria, që të fillonin proceset e demokratizimit, që të bëheshin reforma ekonomike. Kështu ndodhi: Nagi i dënuar më parë për pikëpamjet tij liberale, tashmë ishte përsëri kryeministër.Por vetëm nga 23 tetori deri më 4 nëntor 1956.”

Le të tregojmë më gjatë për Nagin. Duke qenë kryeministër me pikëpamje properendimore, ai brakisi politikën e industrializimit të sforcuar dhe të kolektivizimit të bujqësisië, të ndjekur nga Rakoshi, imitues fanatik i Stalinit. Nga shtatori i vitit 1953 dhe deri në mars të vitit 1954, arriti të ulte çmimet e artikujve ushqimorë dhe të ngrinte ndieshëm pagat. Veç kësaj, Nagi synonte që të kufizonte rolit e Sigurimit famëkeq të shtetit (AVH), dhe më 31 tetor të vitit 1953, shpalli amnisti të përgjithshme për të burgosurit politikë. Me lirimin e mijërave prej tyre filluan të bëheshin të njohura  publikisht krimet e Rakoshit dhe u zbuluan proceset e kurdisura gjyqësore, me anë të të cilave qenë dënuar njerëz krejt të pafajëshm, ashtu si në proceset staliniste të viteve 1936-38 në Bashkimin Sovjetik…


Mirëpo këto masa të Nagit hasën kundërshtim të rreptë nga forcat burokratike dhe konservatore, që kontrollonin shtetin dhe Partinë, të mbështetuara dhe nga Sigurimi i Shtetit. Me pengesat e tyre  ata u bënë shkak  që forcat prodhuese të bllokoheshin dhe niveli jetës të fillonte  të binte. Si pasojë, Nagi u thirr në Moskë dhe u akuzua se ishte shkaktar i rrënimit të ekonomisë.

I kritikuar ashpër edhe për ide të rrezikshme të së djathtës, ai më 22 mars 1955, u shkarkua si kryeministër dhe u përjashtua nga Komiteti Qendor i Partisë.Dhe ja tani  rehabilituar ishte përsëri kryeministër. Por ndërkohë, në Budapest që nga 24 tetori  ndodheshin trupa të ushtrisë sovjetike, vërtet “me veprim të kufizuar”, por që , sidoqoftë, hasën rezistencë nga populli kryeqytetas, ndaj u tërhoqën për të respektuar pavarësnë kombëtare të Hungarisë. Aq më tepër që Nagi kishte kërkuar tërheqjen e  tyre të menjëhershme. Por më 1 nëntor, dukë parë që trupat sovjetike po përgatitshin të riktheheshin, Nagi u takua me ambasadorin sovjetik në Budapest, Andropov,  dhe protestoi ashpërsisht  ndaj këtyre veprimeve. Ndërkohë, ai shpalli edhe neutralitetin e Hungarisë dhe për këtë qëllim iu drejtua me një deklaratë edhe OKB-së, që çuditërisht nuk e mbështeti.

Në këtë gjëndje tëpër të nderë, Byroja Politike e KQ të PK të Bashkimit Sovjetik në një mbledhje të shpejtë  mori vendim që Hungaria të pushtohej nga forcat sovjetke, madje pa pjesëmarrjen e ushtrive të vendeve të tjera pjesëtare të Traktatit të  Varshavës.  

Ndërkohë, unë, sëbashku me babain, , duke ndjekur lajmet e Radio Rait, mësoja se zhvillimet e reja në Hungari nuk ishin vetëm vazhdimi i ngjarjeve në Poloni por, para së gjithash, edhe pasojë e raportit të famshëm sekret të Hrushovit në Kongresin e 20-të të PK të Bashkimit Sovjetk,(17-24 shkurt 1956), ku ai kishte dënuar rreptësisht kultin e Stalinit, vdekur tre vjet më parë dhe kishte nxjerrë në pah pasojat e sundimit të tij të egër në të parin vend komunist të botë. Këto zhvillime ishin gjithashtu edhe si dhe kahje  e politikës së re hrushoviane, për t’u afruar me vendet perendimore pas Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perendimit. Dhe hapi i parë ishte afrimi me Jugosllavinë e Titos, dënuar nga Stalini si tradhtar i parimeve të marksizëm-leninizmit, si revizionist që ishte hedhur në prehrin e imperializmit amerikan.

Në Hungari, ashtu si edhe në Poloni, siç thamë më sipër, ku punëtorët e Poznanit më 27 dhe 28 qershor u ngritën në manifestime të cilat u mbytën në gjak, zhvillimi i punimeve të Kongresit të 20-të të Partisë Socialiste Hungareze thelloi ndarjen midis udhëheqjes konservatore staliniste dhe elementëve liberalë, (të quajtur revizionistë e reformistë). Këta të fundit ndërmorën hapa për të përshpejtuar procesin e rinovimeve në parti dhe, sa më shpejt që të ishte e mundur, për të ndërmarrë reforma, që do t’ia ndryshonin fytyrën vendit, veçanërisht në fushën ekonomike. Diskutime të tilla bëheshin, ndërkohë, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, në klubin “Petëfi” si dhe në mjediset studentore.

Në klubin “Petëfi” filluan të organizoheshin debate publike, së pari për orientimet që do të merrnin punimet e  Kongresit të 20-të të Partisë Socialiste Hungareze dhe pastaj për një sërë problemesh të karakterit filozofik, ekonomik, historik, debate në të cilat  filluan të merrnin pjesë qindra e qindra punëtorë dhe të rinj.

SHPERTHIMI  I SHPIRTIT KRYENGRITES

Hungarezi Nandor Silagi fillon  tregimin e tij retrospektiv:

“Në ditët e fundit të tetorit dhe fillimit të nëntorit  në Universitetin Teknik të Budapestit, u grumbulluan rreth pesë mijë studentë e shumë profesorë, të cilët diskutuan plot zjarr në një mbedhje e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Në këtë mbledhje u përvijuan tezat e një programi demokratik, në të cilin ekzaltohej shpirti i Revolucionit Demokratik të vitit 1848, që kishte pasur si simbol Petëfin dhe kërkohej tërheqja e trupave sovjetike nga Hungaria, rikthimi i Imre Nagit në qeveri, zbatimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës së të Drejtave të njeriut.

Në atë kohë në krye të partisë ishte Ernest Gere, një neostalinist më pak fanatik sa Matias Rakoshi, që ishte detyruar të largohej nga skena politike. Mirëpo hija e Rakoshit, këtij udhëheqësi të urryer, ndër dikatorët më të ashëpr të vendeve komuniste, sidoqoftë më i butë se Enver Hoxha juaj, rëndonte ende mbi Hungarinë e sfilitur. Ky Rakoshi, pas ngjarjeve të Poznanit, duke pasur frikë nga intelektualët reformistë, ishte rrekur t’i kundërvinte ata perballë “agjentëve të borgjezisë”, siç quante ata “të mallkuar” që grumbulloheshin në Klubin “Petëfi”. Mirëpo manovrat e Rakoshit nuk përputheshin më me politikën e destalinizimit që kishte nisur Hrushovi. Ja përse në 17 qershor të vitit 1956, me porosi të tij, Mikojani dhe Suslovi, të ardhur enkas në Budapest, kishin zëvendësuar Rakoshin me Geren, proces që ndodhi edhe me disa nga udhëheqësit stalinistë të vendeve të tjera të ashtuquajtura të kampit socialist. Mirëpo ishte një zëvendësim i pamjaftueshm për gjendjen që po krijohej”.

Por le të kthehemi të ngjarjet që po zhvilloheshin në sallën e Universitetit Teknik të Budapestit, këtë radhë sipas kronikës të gazetës italiane “La Republika” të datës 23 tetor të vitit 2006:

“Mbledhja mbyllet me një komunikatë në të cilën studentët ftohen të mblidhen sërishmi të nesërmen.Që më  23 tetor, në orën 14.30 në rrugën “Gorki”, pjesëmarrësit shkojnë parpara selisë së Bashkimit të Gazetarëve, për të arritur pastaj te përmendorja e gjeneralit Jozef Bem, në sheshin Palfi, përpara të cilit vendosin kurora me lule, në shenjë solidariteti me studenëtë polakë të keqtrajtuar në Poznan, të cilët kishin protestuar pas masakrave të policisë sekrete kundër tyre. 
Citohen pjesë nga komunikata që përfundojnë me thirrjen drejtuar punëtorëve të fabrikave që të bashkohen me studentët. Përplasja nuk fillon me nismën e tyre. Manifestimi studentor, më parë i ndaluar e pastaj, në çastet e fundit, i autorizuar nga qeveria e mbërthyer nga paniku, përfundon me të shtëna parpara godinës së Radios, ku fortafolësit transmtojnë një fjalim të ashpër të Gerës. Studentët kërkojnë që nga mikrofonët e Radios të transmetohet komunikata e tyre, por drejtori i saj e hedh poshtë me përbuzje këtë kërkesë. Reparte të ushtrisë hungareze, të dërguara në atë vend për të vendosur rendin, nuk binden që të qëllojnë mbi turmat dhe shpesh u japin atyre armë.Ndërkohë po më 23 tetor në orën  21.30 masat popullore rrëzojnë  përmendoren  e Stalinit.”.

> Vazhdon tregimi retrospektiv i hungarezit Nandor Silagi

“Janë më qindra budapestianë të çdo moshe që e tërheqin zvarrë këtë përmendore duke e copëtuar si mundin. Midis tyre edhe unë. Me t’u informuar për këto përleshje që arrijnë deri te godina e Radios dhe Parlamentit, punëtorët e Cepelit, Ujpeshtit dhe lagjeve rrethinore zotërojnë si mundin automjete dhe arrijnë në qendër të Budapestit. Rrugët ndriçohen nga flakadanë, me të cilët digjen simbolet e komunizmit sovjetik, ylli i kuq dhe drapëri me çekan, si dhe libraritë me libra në rusisht. Kështu gjatë natës midis 23 dhe 24 tetorit manifestimi i studentëve, ku marrin pjesë dhe  mijëra banorë të Budapestit, shndërrohet në një revoltë popullore që më 28 tetor shtrihet në të gjithë Hungarinë. Para turmave tani ndodhen forca të AVH-së, pra, Sigurimi i Shtetit, i lidhur me shërbimet e Sigurimit Sovjetik, që përpiqet të mbrojë si mundet selinë e KQ të Partisë, të Parlamentit dhe të Centralit Telefonik. AVH-ja e sheh se nuk mund të mbështetet te forcat e rendit dhe aq më tepër te ushtria që bashkohet tashmë tërësisht me popullin. Madje, vë re ushtarë që furnizojnë gjindjen me armë e ushqime e pastaj ka nga ata që vihen në ndjekje të agjentëve të dyshuar se kanë qëlluar mbi turma.Një grup punëtorësh futet ne parlament, duke depërtuar edhe në radhët e njerëzve të AVH-së.(Për ata më pas nuk u mor vesh se ku përfunduan). Turmat në pritje që ata të kthehen, nis e shqetësohet. Fillojnë përleshje me forcat e rendit që kanë rrethuar Parlamentin.Dhe papritur nga dritaret dhe çatia e saj agjentë të AVH-së nisin të qëllojnë më mitrolazë.Turmat u kundërpërgjigjen me armë që ua rrëmbejnë forcave të rendit. Sidoqoftë, ka plot të vrarë..Një masakër e vërtetë”.

Ndërkohë, unë me babain nuk i ndahemi lajmeve të Radios italiane,  që përsërit në mënyrë të përmbledhur kronikën  e atyre ditëve: Sipas tyre Komiteti Qendror i Partisë, në panik e sipër, merr vendime kontradiktore. Nga një anë rikthen Imre Nagin në Komitetin Qendror dhe e emëron kryetar të qeverisë dhe, nga ana tjetër, kërkon ndërhyrjen e trupave sovjetike që të stabilizojnë gjendjen dhe për këtë të vendosin shtetrrethimin dhe ligjin e luftës që dekretohen me ngut.

Imre Nagi është rehabilituar  si Gomulka në Poloni. Mirëpo, sipas lajmeve, zhvillimet politike po shkojnë drejt një zgjidhjeje të tensionuar. Komente të Radios italiane theksojnë se 23 tetori nuk është vecse  akti i parë i një revolte që, siç shihet, do të jetë një kryengritje kombëtare kundër pushtimit rus, kundër një regjimi totalitar, për vendosjen e një demokracie të vërtetë”.

> Pjesa e trete

> Nga gazeta italiane “La Republika”, 23 tetor 2006:

“Një nga studiuesit më të njohur të  ish-demokracive popullore në Evropë, profesori hungarez Fransua Fejto, thotë se në këtë tetor të vonuar aspiratat e hungarezëve u shprehen me një shpërthim të çrregullt si një fishekzjarre spontane ëndrrash, pasionesh, dobësish. Pesha e shtypjes u thërmua duke i dhënë një shpëthim të vrullshën të gjitha shtresave të një shoqërie që komunizmi real nuk kishte mundur ta mposhtte. Nagi u pa se ishte në një pozicion të vështirë. Komunist leal dhe patriot realist, ai kërkoi të respektonte kompromisin e arritur me sovjetikët, (Suslovi dhe Mikojani ndërkohë kishin arritur me një frymë në Budapest). Sipas këtij kompromisi Hungaria  nuk do të dilte nga blloku sovjetik. Por kryengritja ishte shndërruar tashmë në revolucion dhe Nagi nuk kishte mjete për ta udhëhequr dhe përmbajtur, aq më tepër, kur drejtuesit e kryengritjes kërkuan që të denoncohej Pakti i Varshavës, të respektohej pavarësia totale dhe neutraliteti i Hungarisë. 


>  Pas dëgjimit të lajmeve të Radio Rait bisedoja më babanë në shtëpi dhe me ndonjë shok të ngushtë, me dëshirën që këto ngjarje të shpinin në përmbysjen e regjimit komunist në Hungari. “Zëri i Popullit” dhe Radio Tirana jepnin lajme të thata rreth këtyre ngjarjeve që kishin tronditur Hungarinë dhe që ndiqeshin me vëmendjen më të madhe nga opinioni publik botëror. Ngjarjet në Hungari cilësoheshin si kunderrevolucion  fashist ku kishte dorë reaksioni i jashtëm. Njoftime tipike të kopjuara nga  shtypi sovjetik,(“Pravda”, “Izvjestija”, “Trud”,”Komsomolskaja Pravda”) që vinte dy herë në javë Tiranë nga Moska  dhe që unë dhe shokë të tjerë studentë  i blinim në  dyqanin “Libri sovjetik”, si dhe nga lajme të marra Agjensia Telegrafike Sovjetike, (TASS).

>Ndërkohë, hungarezët, sipas komenteve nga Radio Rait prisnin ç’veprime do të ndërmerrrte Perendimi dhe kryesisht SHBA-ja. Por që andej nuk vinte veçse një heshtje e nderë.

>  Ditë tragjike të revolucionit

> Pas ngjarjeve që shpunë në shpërthimin e revoltave dhe përleshjeve me forcat e AVH-së (Sigurimit të Shtetit), në radhët e të cilëve  pati dhe qindra e qindra të vrarë,  qeveria e Nagit  përjashtoi  nga të gjitha postet ministrore shumë stalinistë. (Stalinisti fanatik Rakoshi  mezi arriti të shpëtonte  dhe u detyrua bashkë me gruan sovjtike te merrte arratinë në Bashkimin Sovjetik,  ku vite me pas dhe vdiq, pa guxuar të kthehej asnjëherë  në Hungari). Në qeveri u pëfshi  edhe filozofi Lukash si dhe elementë të tjerë të moderuar. Por, sidoqoftë, Sekretar i Parë i Partisë u zgjodh Kadari, filohrushovian që zëvendësoi Geren, edhe ai, ashtu si Rakoshi, dishepull i Stalinit.

>U fol atëhërë se masakrat e 23 -25 tetorit, ishin vepër e ushtarëve rusë. Por nuk ishte kështu, siç rrëfen edhe hungarezi Nandor Silagi, ashtu si e kam vënë në dukje më sipër, arratisur nga Hungaria më 1956 dhe sot banues në SHBA, dëshmitar i disa prej këtyre ngjarjeve të cilave ai u kthehet edhe një herë për t’i bërë edhe më të qarta:

> “Forcat ushtarake ruse të vendosura në Budapest, nuk ndërhynë në këto raprezalje që filluan të kishin përmasa të mëdha. Madje edhe më 28 tetor kur, me urdhër të komandës së ushtrisë ruse filloi sulmin masiv i trupave të tyre nëpër rrugët e Budapestit, i cili u mbështetej nga forcat filostaliniste. Dhe të tërë ne mbetëm të shtangur, kur pamë që ushtarët rusë, jo vetëm nuk qëlluan mbi popull, por, madje, pati nga ata që u bashkuan me të. Kështu ndodhi edhe me një pjesë të policisë së drejtuar nga komandanti i tyre, Maleter. Ishin me të vërtetë pamje tronditëse dhe mallëngjyese, që u jepnin zëmër kryengritësve me të cilët qenë bashkuar edhe fëmijë 15-16 vjeçarë, aq sa isha unë asokohe dhe të cilëve nuk iu bënte fare përshtypje vdekja. Ata që qëlluan mbi turma, bile, pabesisht, ishin, si, gjithnjë, forcat e AVH-së, disa nga të cilët  u vendosën mbi çatinë e Ministrisë së Bujqësisë. Nga plumbat e tyre ranë të vrarë shumë njerëz, pa ditur nga vinin breshëritë vdekjeprurëse. Megjithatë, kryengritësit arritën t’i pikasnin, të luftonin kudo me ta, t’i kapnin e t’i vrisin në vend, madje edhe kur përpiqeshin të fshiheshin për të shpëtuar kokën, qoftë edhe nëpër shtëpitë e tyre. Gjak lahej me gjak”.

> Ndërkohë, duke dëgjuar Radio Rain, unë me babanë mësoj se në Budapest lindin këshillat e punëtorëve, që kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse. Madje, edhe në stacione radiosh vendore, që ngrejnë peshë shpirtin kryengritës të popullit. Rilindin sindikata, gazeta e shoqëri kulturore, të ndaluara nga Rakoshi. Stalinistët, duke parë që po u lëkundet toka ndër këmbë, kërkojnë të ngjallin gjithnjë e më shumë panik me anë të forcave të Sigurimit, AVH. Tani pritet sulmi i dytë i ushtrisë ruse. Nagi, për të mënjanuar pasojat e rënda, që mund të këtë shumë e shumë jetë të humbura, shkon në Moskë ku bisedon, së pari me Andropovin dhe Mikojanin, e pastaj edhe me vetë Hrushovin. Në këto bisedime udhëheqësit e lartë rusë, për nevojat e tyre, e konsiderojnë Nagin element të vlefshëm për të dalë nga gjendja e vështirë, e njëjtë si ajo në Paznan të Polonisë, duke zbatuar kështu politikën “tërhiq e mos këput”.

Nga kujtimet e gazetarit anglez me origjinë hungareze, Viktor Sebestien, dëshmitar i këtyre ngjarjeve, (sipas gazetës italiane, “La Republika”, 23 tetor 2006).

“Më 30 tetor të vitit 1956 u rrethua godina e Komitetit Qendror të Partisë. Pas një beteje prej tri orësh funksionarët e lartë dhe të urryer, dolën nga godina me flamurë të bardhë në duar. U pushkatuan menjëherë dhe trupat e tyre u varën me kokë poshtë si Musolini në Milano, pastaj kufomave iu vu zjarr”. Një ditë më pas në Kremlin anëtarët e Politbyrosë panë foto me disa skena të tilla dhe vendosën të vepronin. Por, besoj se arritën të merrnin një vendim si të gjitha perandoritë: e ndienin se, po të linin Hungarinë, edhe vendet e tjera satelite të Evropës Lindore, do të ngriheshin njeri pas tjetrit. Kështu Moska vendosi të  dërgonte një numër të stërmadh tankesh dhë trupash speciale”.

Kjo ishte më se e vërtetë. Sipas komenteve të Radio Rait, sidomos pas shtypjes së revolucionit, dëgjoja se në tetor të vitit 1956 në Budapest ndodheshin 1500 tanke sovjetike. Luftëtarët e lirisë shkatërruan 150, vranë 600 ushtarë dhe disa qindra agjentë besnikë të Moskës. E vërteta është se shumë nga këto tanke ishin të modeleve të vjetra,të tjerët dolën shpejt jashtë përdorimit gjatë përleshjeve me kryengritësit, ose për mungesë benzine. Trupat ruse, të pranishme prej vitesh në Hungari, nuk ishin të specilalizuara dhe kështu u bënë pre e njësive revolucionare, që përbëheshin nga rreth 25 mijë vetë, midis të cilëve edhe gra e fëmijë, të gatshëm për të vdekur. Megjithatë, një ditë para dërgimit të forcave speciale, që përbëheshin nga rreth 150 mijë ushtarësh dhe rreth 4000 tanke, Kadari u deklaroi rusëve se ndërhyrja e Ushtrisë së Kuqe do të reduktonte në hiç besueshmërinë morale të komunistëve para popullit. Madje, ai në bisedë me ambasadorin sovjetik në Budapest, Andropov, dhe pati guximin t’i thoshte tërë mllef se në rast tanket sovjetike do të futeshin në Budapest, ai do të zbriste nëpër rrugë dhe me duar do të luftonte kundër tyre.

Si pasojë Maleteri, ministri i Mbrojtjes, kërkoi takim me udhehëqësit ushtarakë rusë më Moskë, ku tha me vendosmëri se trupat e tyre ushtarake duhej të tërhiqeshin përfundimisht nga Hungaria. Mirëpo gjatë bisedimeve midis të dy delegacioneve, ai u arrestua me urdhër të gjeneralit Serov. Kjo ishte një ngjarje pa precedencë, një kurth, që e detyroi gjeneralin tjetër rus, Malinin, të protestonte, por pastaj të tërhiqej dhe të heshtte. (Sipas artikullit “I fatti d’Ungheria” (“Faktet e Hungarisë”,ital., në internet.)

NGA DESHMIA  E ILIA DEDIT

Gjaëtë atyre ditëve të tërë studentet shqiptarë që studionin në Hungari,  u vendosën në godinëne ambasaës shqiptare që ndodhej në një nga lagjet e mëdha të Budapestit. Midis tyre dhe  Ilia Dedi, që në bisedat që kam pasur vite më pas me të,  vazhdonte kështu tregimin e tij:

“Në agimin e 4 nëntorit trupat speciale ruse,të shoqëruara nga avionë e artileri të rëndë, arritën në portat e Budapestit, kurse sekretari i Partisë, Kadar, i kthyer me nxitim nga Moska, njoftoi nga qyteti Solik për krijimin e një “qeverie të re, revolucionare të punëtorëve dhe fshatarëve”. Dhe pikërisht ky Kadar që  kishte kërcënuar  Andropovin se  po të shihte tanket ruse në rrugët e Budapestit, do t’u sulej  me duar, tashmë që ka zënë vendin e Nagit, perfundimisht  të mënjanuar, deklaron pa pikë turpi se, meqë  qeveria e tij nuk është në gjendje  të mposhtë trazirat kundërrevolucionare që kanë shpërthyer në vend, i bën tjirrje qeverisë sovjetike që të dërgojë  trupa  për të rivendosur demokracinë e rrezikuar socialiste. #’e madhe hipokrizi!…Sidoqoftë,para tij Nagi  ka kurajë të thotë në një mesazh drejtuar popullit nga Radio Budapesti, se ushtria hungareze do të luftojë për mbrojtjen e vendit që po pushtohet nga ushtria sovjetike, se Hungaria duhet të dalë nga Traktati i Varshavës…Mirëpo është vonë. Kuptohet se rusët tani vendosin vetë për gjithçka në Hungari. Shumë nga tanket ruse para se të futen në Budapest, qëllojnë godinat rrethinore, për të dëshmuar se kjo do të ndodhë edhe në kryeqytet  edhe me qytetarët, nëse do të kundërpërgjigjen. Na vinë lajme se qyteti Cepel, rrënohet i tëri nga predhat e tyre. Atëherë Nagi, duke e parë se nuk e pret veçse plumbi, detyrohet të kërkojë strehim politik në ambasadën jugosllave. Bashkimi Sovjetik, ndërkohë, njofton botën se kjo ndërhyrje bëhet në bazë të vendimeve të Traktatit të Varshavës. #’ farsë e absurde…”


Ndërkohë, unë me babain mësonim nga lajmet e Radio Rait se tanket ruse po bëheshin gati të futeshin në Budapest. Filloi ngritja e barrikadave. Të gjithë ishin të përgatitur për luftë me çdo lloj mjeti, që nga gurët, shkopijtë e, doemos armët e municonet që vazhdojnë të vijnë nga fabrikat e prodhimit të arëmëve.

Janë tashmë me mijëra e mijëra hungarezë që thonë se nuk janë vendimtare vetëm armët moderne për të zmbrapsur “proletarët rusë me yll të kuq në ballë”, por edhe fjalët, mbi të gjitha, shpirti i vetë popullit.

Opinioni publik botëror nis e shqetësohet nga ashpërsimi i gjendjes në Hungari. 101 intelektualë të njohur italianë nënshkruajnë një thirrje në shenjë solidariteti me kryengritësit. (Pas shtypjes së revolucionit mbi 300 mijë komunistë italianë largohen të zhgënjyer nga partia. Edhe parti të të tjera komuniste janë në krizë, midis të cilave dhe Partia Komuniste Britanike).

Në këtë periudhë të tensionuar Hrushovi fluturon në Brioni për të biseduar me Titon rreth problemit hungarez. Punëtorët e fabrikave për prodhimin e armëve fillojnë të armatosin kryengritësit. Ushtarë e policë bashkohen gjithnjë e më shumë me ta. Në radhët e tyre bëjnë pjesë jo vetëm të rinj, por, madje,edhe fëmjë, madje  edhe 10-12-vjeçarë. Megjithatë, ushtria sovjetike përparon, ndonëse me shumë vështirësi, ngaqë has rezistencën e e kryengritësve. Ushtarët rusë habiten  dhe nuk e marrin me mend që një popull i armatosur keq, ka mundur të hedhë në erë kolona tankesh. Ka nga ta që bashkohen vëllazërisht me kryengritësit, si shokë e tyre ditë më parë. Por agjentë e AHV-së përdorin dredhi. Nga çatitë e godinave publike shtien mbi tanket ruse, për të provokuar kundërveprimine tyre. Një grup kryengritësish kërkon që nga godina e Parlamentit të hiqen simbolet e komunizmit, por vriten nga agjentë të këtij sigurimi.

Pjesa e katert

Nga burime historike ne internet rreth ngjarjeve të 4 nëntorit në Budapest

Në sulmin e dytë, të nisur më 4 nëntor, forcat sovjetike, përbëheshin kryesisht nga ushtarërë të mobilizuar nga republikat e Azisë Qendrore, taxhikë, uzbekë, turkmenë, të cilëve u kishin thënë se do të luftonin për të thyer ” trupat imperialiste që kishin pushtuar Egjiptin”. Por shumë kuptuan shpejt të vertetën, kuptuan se po bëheshin mish për top për ambicjet e gjeneraleve rusomëdhenj. Pati nga ata që u çarmatosën, që u dërguan në Rusi, në vagonë të kyçur, sepse refuzuan të zbatonin urdhërat e komandantëve të tyre gjakatarë. Këto urdhëra qenë të qarta: të ndëshkohet klasa punëtore në Budapest. Ndaj tanket përparonin me kujdes nëpër rrugët e qytetit, duke goditur pallate, shkolla, vendstrehime për të plagosurit e të moshuarit. Luftimet qenë të ashpra në zonat punëtore të Budapesti, në Cepelin e kthyer ne gërmadhë, në Ujpest, Kelenfold, Amgiafold në Zuglo.

Punëtori Mark Molnar, i dëbuar nga ushtria gjatë regjmit stalinist të Rakoshit, thoshte: “Jeta jonë është e thjeshtë: tetë orë luftime, tetë orë punë për të fabrikuar armë dhe tetë orë pushim”.

Në mbrëmjen e 7 nëntorit, daja im, me rastin e martesës bënte dasmë në shtëpinë e tij. Dhe ja, në lajmet e orës 18.00 folësja e njohur, Vera Zheji, e cila pak më shumë se një vit  më pas do të bëhej mësuesja dhe kolegia ime në mikrofonin e Radio Tiranës, lexoi lajmin e parë ngai cili ne mësuam se trupat ruse në Budapest, tashmë e kishin plotësisht në dorë situatën dhe se kundërevolucioni i kishte ditët e numëruara. Disa nga dasmorët duartrokitën. Por dukej se secili nga ne ishte pushtuar nga trishtimi në ato çaste.

Çdo mbrëmje, duke ndjekur Radio Rain mësoja lajme edhe më të trishta: Më 11 nëntor Revolucioni hungarez ishte mbytur në gjak…  Më 22 nëntor Nagi, i strehuar në ambasadën jugosllave, bëri një përpjekje për të ikur, por patrullat ruse ndalën makinën e tij dhe e arrestuan. Më pas u mor vesh se fati i tij ishte përcaktuar pas takimit midis Hrushovit dhe Titos në Brioni. Këtë radhë Titoja, ai që ishte treguar aq entuziast për ndryshimet në Hungari, iu nënështrua vullnetit të atij të cilit, si usta, i kishte mësuar si të shkëputej nga kthetrat e dogmatizmit stalinian.

Thuajse dy vjet më pas, më 16 qershor të viti 1958, Nagi, që së bashku me bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe familjen ishte izoluar  diku në rrethinat e Bukureshtit , u pushaktua për tradhti të lartë. Bashkë më të edhe gjenerali Maleter, që, sic e kemi parë,  u ishte kundërvënë gjeneralëve rusë, të cilët kishin kërkuar me cdo kusht që Budapesti të pushtohej.

Askush nga drejtuesit e vendeve komuniste nuk e griti zërin per këto mizori. As  Mao Ce Duni nga Kina e largët, ndonëse ishte në grindje të fshehtë me Hrushovin. Kurse Enver Hoxha ishte në kulmin e gëzimit për kthesën që po ndodhte në Hungari pas ndërhyrjes së trupave sovjetike.


Me afrimin e dimrit që parashikohej të ishte i ashpër, qeveria e re kërkon dëshpërimisht të rifillojë prodhimi i qymyrgurit,i nevojshëm edhe për prodhimn e energjisë elektrike. Por punëtorët me anë të këshillavë që kanë ngritur, këmbëngulin në kërkesat e tyre: Fabrikat t’u takojnë punëtorëve; drejtori të jetë një punonjës i fabrikës që duhet të zgjidhet nga këshilli me mandat të asamblesë së fabrikës, etj.

Jo vetëm kaq: megjithë shtypjen e kërcënimet e egra, Këshilli Qendror i Punëtorëve të Budapestit, që formohet vetëm disa ditë pas ndërhyrjes së dytë të trupave sovjetike, kërkon me këmbëngulje nga qeveria tërheqjen e trupave ruse nga vendi; liri fjale e shtypi, zgjedhje të lira etj. Por qeveria e Kadarit filosovjetik, zuri  të merrte masa represive.Arrestoi drejtuesit e Këshillit të Punëtorëve të Budapestit dhe shpërndau me forcë të gjitha grevat që u organizuan me këtë rast.

Pasojat tragjike pas ndërhyrjes së trupave rusë në Budapest

Dëshmon hungarezi Nandor Silagi:

“Kështu,më 7 nëntor 1956, pas luftimesh të përgjakshme që sollën mposhtjen e revolucionit antikomunist, rusët rivendosën sundimine tyre në Hungari me Kadarin, Sekretar të Parë të Partisë dhe krijimin e një qeverie tërësisht filosovjetike. Shumë kryengritës  nisën të ndiqeshin si elementë kundërrevolucionarë.

Si pasojë, u pushkatuan mbi 10 mijë vetë. (Ka shifra shifra të tjera sipas të cilave numri i tyre arrin në rreth 50 mijë të, duke përfshirë edhe 5 mijë ushtare rusë të vrarë). Stalinistët në të gjithë botën deklaruan atëherë me bujë se kjo kryengritje ishte një grusht shteti i tipit fashist. Por për çfarë fashistësh bëhej fjalë, kur të tillë nuk kishte pasur as në popull dhe as në udhëheqje të kryengritjes? Por duhej gjetur një kokë turku. Dhe na doli se ky ishte kardinali hungarez  Mincenti. Pra, ky na qenkësh kapoja i kundërevolucionarëve. Dhe gjëja më e çuditshme në këtë situatë tragjike ishte se gjatë kryengritjes Mincenti u detyrua të kërkonte strehim politik në ambasadën amerikane në Budapest, i cilësuar si element reaksionar, që po vepronte në dëm të interesave të klasës punëtore, kur ai kishte mbrojtur pikërisht këshillat punëtore. Mirëpo ato quheshin reaksionare nga qeveritarët e Kadarit. Kardinali Mincenti ndenji për shumë vite i strehuar në ambasadën amerikane dhe vetëm kur unë i arratisur nga Hungaria jetoja në SHBA, mora vesh se kishte fituar lirinë pas një amnistie të qeverisë komuniste. Kjo kishte ndodhur edhe me një “element kundërevolucionar” që, duke mos mundur të arratisej, ishte fshehur për vite të tëra nën çatinë shtëpisë së tij dhe ishte quajtur si i humbur…”.

Hungarezët të tradhtuar nga Perendimi

Siç thamë më sipër, shpërthimi i revoltave masive në Budapest kundër regjmit komunist dhe pushtimit rus tërhoqi vemendjen e opinionit publik botëror. Ai u njoh me ngarjet  e përgjakshme  nëpërmjet lajmeve të agjensive telegrafike, por edhe  pamjeve filmike të kanaleve televizive që kishin filluar të përhapeshin në Evropë dhe Hungari. Por qeveritë perendimore nuk ndërhynë në këtë konflit me përmasa apokaliptike, që solli mbi 25 mijë të vdekur e mbi 250 mijë hungarezë të arratisur, pra, gati 3% e popullisë. U arratisën edhe futbollistët e “Honvedit”, skuadrës së ushtrisë hungareze që ndodhej në një turne nëpër Evropë, midis të cilëve Pushkashi, Cibori, Kocishi, që luajtën për vite në kampionatin spanjoll.

Nga dëshmia e gazetarit anglez,Viktor Sebastienit,me origjinë hungareze, në një intervistëViktor Seestinë një intervistë të botuar në gazetën italiane “La Republika” më 3 tetor të vitit 1956 honmë 3 23 tetor 2006

“Po, hungarezët e ndien veten të tradhtuar nga Perendimi. Veçanërisht nga Amerika. Por presidenti Aizenhauer ishte në prag të zgjedhjeve presidentore dhe nuk e vuri fare në diskutim këtë çeshtje kaq rëndësishme, duke respektuar kështu, me sa dukej, marrëveshtjen e Jaltës për ndarjen e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, ku Hungaria do t’i përkiste Lindjes, pra, sferës së Bashkimit Sovjetik. Kam lindur në Budapest, kam përjetuar ato ngjarje, sidoqë prindërit e mi nuk morën pjesë aktive në to, por vuajta shpirtëirsht për ato që ndodhën në Hungari. Disa muaj me pas tërë familja jonë emigroi në Perendim, por, megjthatë, nuk e harroj kurrë vititn 1956, që për mua është një jetë e tërë”. 
(Përsa u përket vendeve të tjera perendimore, duhet thënë se tek ato ndikoi edhe kriza e Kanalit të Suezit në tetor të vitit 1956, ku forca të ushtrive anglo-franko-izraelite luftuan kundër ushtrisë egjiptiane”).

Duke rikujtuar këto ngjarje në Budapest, më 1972

Në qershor të atij,viti, si gazetar sportiv i RTVSH-së, shoqërova skuadrën tonë kombëtare në një ndeshje që ajo luajti në Helsinki me përfaqësuesen finlandeze. Në të kthyer me avion, u ndalëm një ditë në Budapest. Tërë mëngjesin patëm mundësi të shëtitnim më këmbë dhe autobus nëpër disa vende të këtij qyteti  të mahnitshëm. Duke ecur bashkë me futbollistët, ndërmenda ngjarjet tragjike të vitit 1956. Ishte fund qershori, por bënte fresk. Rrugët qenë të qeta. Kalimtarët shkonin e vinin, doemos pa i rënë kurrë ndërmend se ç’bluaja unë në mëndje. Me siguri midis tyre kishte plot nga ta që i kishin përjetuar ato ngjarje që shkurtimisht po i pasqyroj në këtë dosier.

Kalova para godinës së Parlamentit e më shëmbelleu se që andej vinin britmat e mijëra qytetarëve që thërrisnn kundër diktaturës komuniste, kundër pushtimit sovjetik, qindra të tjerë që zvarisnin përmendoren e diktatorit Stalin, (ashtu si banorët e Tiranës më 20 shkurt 1991 shtatoren e diktatorit të urryer, Enver Hoxha), kurse nga çatitë e godinave përreth dëgjoheshin të shtëna mitralozësh nga agjentë të policisë sekrete, (AVH). Më bëhej sikur shihja trupa të gjakosur që shëmbeshim për tokë pa jetë, utërimat e tankeve ruse që shtinin mbi gjindjen, kundërveprimet e saj me armë, tanke të djegur, kufoma ushtarësh sovjetikë, sigurimas të copëtuar, një popull i paepur që lufton e nuk dorëzohet. Një klithmë përdëlluese sa nuk m’u shqit nga buzët. Por u përmbajta. Edhe pas kaq vitesh gjendja në Hungari nuk kishte ndryshuar shumë. Vërtet diktatura e Kadarit nuk ishte si ajo e Rakoshit a e Enver Hoxhës, vërtet shihje njerëz të veshur mirë, vajza me minifunde, dëgjohej muzikë e bitëllsave dhe të rinj kërcenin rokenroll, vërtet tregoheshin edhe barceleta të kripura kundër udhëheqjes socialiste filoruse. Por, sidoqoftë, edhe atje kishte vetëm një parti që udhëhiqte, duke marrë gjithnjë urdhëra nga Moska, që të mos përsëriteshin më ngjarjet e vjeshtës së vitit 1956, që hungarezët nuk guxonin t’i zinin ende hapur me gojë.

Pjesa e peste

Gusht 1990, përsëri në Budapest

Këtë radhë, madje me gruan dhe djalin, nisemi për vizitë te miq tanë në Suedi. (Ndërkohë të 5000 mijë shqiptarët e futur një muaj më parë nëpër ambasada, duke treguar urrejtjen kundër tiranisë dhe dëshirën për liri, janë vendosur nëpër vende të ndryshme të Evropës Perendimore).

Ndalemi, si atëherë, në Budapest. Por nuk është më Budapesti i 1972-shit. Eshtë rrëzuar muri i Berlinit dhe në vendet e ish-demokracive popullore, veç Shqipërisë enverhoxhiste, ka nisur të fryjë flladi i lirisë. Tani hungarezët shprehen hapur, me dhëmbje dhe urrejtje për krimet e pushtuseve rusë dhe mercenarëeve të tyre hungarezë në ditët tragjike të tetor-nëntorit të vitit 1956. Jo vetëm kaq: Më 16 qershor të vitit 1989, në një ceremoni të madhe rehabilitohen të gjitha viktimat e kësaj kasaphaneje të mënxyrshme e bashkë me ta edhe Imre Nagi. Mungon presidenti shqiptar, Ramiz Alia. Partia e Punës i qëndron ende besnike idealeve të Stalinit, përmendorja e të cilit vazhdon të kërcënojë këdo nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. (Vetëm në një natë dhjetori të vitit 1990, më së fundi, me urdhër të Ramiz Alisë kjo përmendore, e vetmja në Evropë, zhduket fshehurazi,për t’ia lënë radhën përmendores së Enver Hoxhës që rrëzohet në mënyrë spektakulare më 20 shkurt të viti 1990, nga rreth 100 mijë banorë të kryeqytetit, por 34 vjet pasi ishte rrëzuar këtu në Budapest).

Atë ditë presidenti rus, Gorbaçov, pranon hapur krimet monstruoze në Hungari e Çekosllovaki. Edhe Napolitano, një ndër udhëheqësit kryesorë të P. Komuniste Italiane të asaj kohe, pastaj senator i përjetshëm dhe më pas  president i Italisë, ai që i kishte quajtur atëherë kryengritësit hungareze rrugacë, banditë. Po kështu, kërkojnë falje ish-udhëheqës të tjerë të partive komuniste të Lindjes dhe Perendimit. 
Shqipëria komuniste e Ramiz Alisë vazhdon të heshtë, gjithnjë besnike e Stalinit dhe Enver Hoxhës, i cili në librin e tij famëkeq, “Hrushovianët”, si në të gjitha të ashtuquajturat “Vepra” të tij, duke u ndalur te Revolucioni hungarez  i vitit 1956, (të cilin e quan me urrejtje shtazarake kundërevolucion), kur u drejtohej udhëheqësve të atëhershëm hungarezë, shkruante kështu:

“Ç’bëni, more kështu, si rrini duarkryq përpara këtij kundërrevolucioni që po ngrihet? Pse nuk merrni masa të mbyllni klubin “Petëfi”, të arrestoni krerët turbullues, të nxirni kllasën punëtore të armatosur në bulevarde. Në rast se nuk arrestoni dot Mincentin, Imre Nagin nuk e arrestoni dot? Pushkaktoni disa nga krerët kundërrevoucionarë, që ta marrin vesh se ç’është diktatura e proletariatit?”.(faqe 275)

Në këtë mënyrë  ishte gati të vepronte ky tiran, të cilit edhe perandori Neron, që i vuri flakët Romës, do t’ia kishte zili. Dhe do ta kishte bërë këtë pas Konferencës së Tiranës që u zhvillua disa muaj para ngjarjeve të Budapestit dhe Poznanit, në prill të vitit 1956, si dallëndyshe paralajmëruese e tyre, ku, siç kam vënë në dukje në pjesën e parë të këtij dosieri, komunistë të ndershëm shqiptarë patën kurajë të kërkonin demokratizimin e jetës së partisë dhe përmirësimin  e gjendjes ekonomike të popullit. Por ai arriti ta shtypte që në zanafillë këtë pranverë të demokracisë sonë, duke burgosur e internuar të tërë ata që diskutuan në këtë konferencë, kinse ajo ishte organizuar nga jugosllavët të cilëve vite më pas më pas u shtoi edhe.. sovjetikët.(!?)

Enver Hoxhën e tmerruan ngjarjet e përgjakshme në Poloni dhe Hungari, që ndodhën fill pas Konferencës së Tiranës, dhe siç vë në dukje Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”, (2010), filloi ta kishte “të theksuar dyshimin ndaj çdo gjëje që vinte nga titistët, ashtu siç e kishte pas edhe më të theksuar për sovjetikët. Një farë paranoje , sipas meje, e justifikuar”. (faqe 199).

Pra, ai vërteton se pas këtyre ngjarjeve tronditëse që lëkundën rëndë sistemin komunist, Enver Hoxha filloi të shfaqte shenja të paranojës, që u shtuan dhe sollën si pasojë që  të ndërmerrte veprimet e tij  kriminale  të viteve 1973-75 dhe 1981-82 me koka të prera  jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë, por edhe të besnikëve të tij madje  dhe byroistë, deri të kryeministrit Mehmet Shehu, dora e djathtë e tij, që e shoqëruan  deri në fund të jetës së së tij.

Përsëri Ramiz Alia nuk reflekton per Revolucionin  Kundërkomunist Hungarez

Ramiz Alia më 1989 në cilësinë e presidentit të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Sekretarit të Parë të PPSH-së, siç kam theksuar më sipër, nuk pati guximin të shkonte më 16 qershor 1989 në Budapest dhe të merrte pjesë në ceremoninë e  rehabilitimit të viktimave të regjimit komunist  dhe tankeve sovjetike  që shtypën  Revolucionin Kundërkomunist Hungarez, sepse nuk mund të dilte hapur kundër Enver Hoxhës, babait të tij shpirtëror, që ende kur ishte gjallë e kishte caktuar “trashëgimtar të fronit të tij”. Por, në qoftë se nuk e bëri atëherë, kur e bënë  tërë udhëheqësit  e vendeve të Evropës Perendimore dhe Lindore, duhej të bënte në librin e tij jetëshkrimor “Jeta ime”, të botuar më 2011, pra një vit para vdekjes së tij. Fatkeqësisht, jo vetëm nuk e bëri, por, në një mënyrë ose në një tjetër, bëri të kundërtën, kur,duke shkruar për gabimet, sipas tij, të Hrushovit në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik shkruante:

“ PPSH-ja pati  divergjenca me Hrushovin edhe lidhur me ngjarjet e Hungarisë në vjeshtën e vitit 1956, ngjarje që i dhanë të drejtë edhe më shumë qëndrimit të rezervuar të PPSH-së ndaj Kongresit XX …”,(faqe 200).

Me fjalë të tjera, Ramiz Alia nuk  u hoqi  asnjë presje  pohimeve  të  mësipërme makabre të Enver Hoxhës, kur kritikon udhëheqësit e atëhershëm hungarezë me tonin prej diktatori mendjemadh:”Në rast se nuk arrestoni dot Mincentin, Imre Nagin nuk e arrestoni dot? Pushkatoni disa nga udhëheqësit kundërrevolucionarë, që ta marrin vesh se ç’është diktatura e proletariatit”.

Kjo bëhet edhe me e qartë, kur më poshtë  në këtë libër ka nënvzuar:

“Ashtu siç u zhvilluan ngjarjet në Hungari, mund të sillnin pasoja serioze politike edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore,  sepse “vija hungareze” vinte në diskutim disa parime të shoqërisë socialiste ,të cilat kishin të bënin me politikën e brendshme dhe të jashtme të të gjithë Bllokut Lindor”.(Po aty).

Pra, deri në fund të jetës së tij Ramiz Alia vazhdoi të dënonte “vijën hungareze”,  këtë revolucion me të vërtetë popullor që donte të shkallmonte regjimin  e urryer komunist në Hungari, i cili sigurisht që do të ndikonte që popujt e vendeve  te tjera lindore që vuanin nga diktatura komuniste, që të ngriheshin për  ta përmbysur  atë dhe për ta zevendësuar me një regjim të vërtetë demokratik.

Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në faqet e fundit të librit të tij ”Jeta ime” ai shkrua me krenari:

“Nga pikëpamja e bindjeve të mia unë kam deklaruar dhe ripohoj se i kam takuar dhe i përkas  së majtës, idelaleve të socializmit marksist…”.(faqe 504).

Epilog

Duke lënë atë ditë gushti të vitit 1990  Budapestin,u ndala atë ditë para monumentit të poetit të madh hungarez, Shandor Petëfi, që me vështrimin e tij në pafundësi, dukej sikur përsëriste vargjet e tij të pavdekshme:

“Për dashurinë jap jetën/, Për lirinë fal dashurinë!”

Dhe ky rrëfim për ngjarjet rëqethëse të vjeshtës së zymtë hungareze të vitit 1956, pra të 65 vjetëve më parë, është dhe dëshmia më e qartë se ç’mund të bëjë një popull për të ruajtur ose fituar lirinë.

Filed Under: Histori

Porosia historike e Profesor Idriz Ajetit

November 13, 2021 by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/

Çka mund t’i themi sot Akademik Idriz Ajetit në shekullin e moshës së tij? A mjafton ta kujtojmë veprën e tij jetësore dhe ta nderojmë veprën e tij shkencore? Në të vërtetë a e nderojmë kështu dhe a ia themi të vërtetën shkencore qindvjeçarit që më parë sesa jetën e tij, identifikon dijen albanologjike të këtij shekulli?Le t’i referohemi sadopak kronologjisë së angazhimeve të tij dhe zhvillimeve albanologjike, për të cilat ai dhe brezi i tij punuan shumë, dhe do ta shohim se zhvillimet e fundit në fushë të albanologjisë nuk na japin shumë të drejtë. Brezi ynë nuk mund të krenohet për themelimin e institucioneve të reja albanologjike, as të qendrave të reja albanologjike me karakter ndërkombëtar, as të revistave të reja filologjike dhe albanologjike me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, as të institucioneve universitare, programeve filologjike e albanologjike universitare. Më në fund, as të ndonjë shoqate me karakter unik shkencor në fushë të albanologjisë, ballkanistikës apo dijeve të tjera të kësaj natyre në fushë të filologjisë. Brezi ynë më parë sesa të krenohej, i bie barra të skuqet edhe për faktin se as pas më shumë se dy dekadave të rënies së komunizmit, madje çlirimit të Kosovës, nuk arriti t’i përmbyllë disa nga projektet me karakter gjuhësor kombëtar, të cilat më shumë sukses i ka filluar Profesor Idriz Ajeti dhe brezi i tij në fushë të standardizimit të gjuhës shqipe, në fushë të studimit sistematik të dialektologjisë (të folmeve krahinore të hapësirës shqiptare), në mbledhjen e korpuseve të plota të leksikut të shqipes (Fjalorit gjithëpërfshirës të shqipes së sotme) dhe onomastikës (Fjalorit të mikrotoponimisë së shekullit XX dhe Fjalorit patronimik të shqipes), në fushë të leksikografisë etj. Brezi ynë mezi po arrin t’i mbajë gjallë ato institucione arsimore dhe shkencore, ato konferenca e revista shkencore të cilat i ka themeluar Profesor Ajeti dhe brezi i tij.Brezi ynë ka shumë obligime në fushë të albanologjisë si dije nacionale dhe obligimet e tij nuk do të mund t’i kryejë lehtë dhe shpejt edhe për një kohë të gjatë, edhe sikur organizimi institucional të jetë në kulmin e funksionimit perfekt të tij. Sot shekulli XXI kërkon shkolla, domene, sisteme, metoda dhe koncepte bashkëkohore të qasjes në fushë të albanologjisë, në një kohë që obligimet e dy shekujve të kaluar, për hulumtimin, mbledhjen dhe sistemimin e lëndës së albanologjisë, as kanë filluar në shekullin XIX, kur këtë proces e kanë filluar dijet nacionale të Evropës, as janë realizuar në shekullin XX, kur i kanë realizuar disa prej popujve të rajonit. Për realizimin e obligimeve që para disa dekadave kanë shtruar Profesor Idriz Ajeti dhe brezi i tij, do të kërkohet hapja edhe e disa degëve filologjike në hapësirën universitare shqiptare, ngritja edhe e disa sektorëve të specializuar në institutet shkencore të qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës, Shkodrës, Shkupit, Korçës, Gjirokastrës, Elbasanit etj.Populli shqiptar është popull historik dhe gjuha shqipe një prej dymbëdhjetë gjuhëve bazë në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane, por populli shqiptar është një prej atyre pak popujve historikë që nuk i ka përmbyllur disa prej projekteve historiko-gjuhësore, historiko-letrare dhe ento-historike me karakter nacional, përfshirë edhe disa prej projekteve (Fjalori etimologjik i shqipes, Fonetika historike e shqipes, Vendi i shqipes në familjen indoevropiane etj.) që bardët e albanologjisë nga radhët e shkencëtarëve evropianë, i kanë filluar dhe realizuar me sukses që në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ndërsa i kanë çuar përpara dukshëm edhe brezi i Akademik Idriz Ajetit në gjysmën e dytë të shekullit XX (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Gramatika e shqipes së sotme, Gramatika historike e gjuhës shqipe, Historia e letërsisë shqipe, Historia e popullit shqiptar, Fjalori enciklopedik i popullit shqiptar etj.). Në një kohë që popujt fqinjë botojnë leksikonët dhe enciklopeditë për dijet (gjuhën, folklorin, historinë), qytetet dhe krahinat etnografike, madje personalitetet historike, kulturore e letrare më të rëndësishme, ne ende nuk po arrijmë të nisim një botim të vetëm unik të Enciklopedisë nacionale! Në një kohë që popujt me përmasa më të mëdha historike dhe ndikuese në hapësirën evropiane dhe globale punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës së tyre në mijëvjeçarin e ri nga rreziqet që vijnë nga filozofia e globalizimit, ne merremi me finesa tashmë të tejkaluara të standardit të shqipes dhe, për më tej, krijojmë a mundësojmë trajta të dyfishta gramatikore të saj! Kjo është edhe arsyeja pse hapja e Degës së Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prizrenit, madje organizimi i Konferencës së parë filologjike në nderim të Akademik Idriz Ajetit, paraqet jo vetëm një simbolikë të rastit, po edhe një nderim për veprën gjuhësore të tij në veçanti dhe albanologjinë si dije nacionale në përgjithësi.

Filed Under: Histori Tagged With: Begzad Baliu

Intervistë nga Fritz RADOVANI në Radio Shkodra

November 12, 2021 by s p

download

RADIO SHKODRA

Më datën 25 shtator 1992, ora 12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës S.J., prej Presidentit të Republikës 

“Me Medaljën e Artë  PISHTAR  I  DEMOKRACISË”. 

Kjo ishte medalja e parë që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar prej një forumi të naltë të Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i Tij. 

Drejtor’i Radio “Shkodrës” atëherë ishte z. Anton Çefa, ndërsa intervistuesi im ishte z. Albert Kurti. 

Pyetje: Asht ba një peticion nga një grup qytetarësh për dekorimin e të Nderuemit Padër Pjetër Meshkalla. Mëqë në këte grup keni ba pjesë edhe ju, çfarë mund të na thoni ? 

Përgjegje: Peticioni që kemi ba në bashpunim me zotnijtë: Anton Benussi, Kolec Çefa, Refik Bushati dhe Sandër Kaçinari nga Tirana, gjeti përkrahjën e të gjithë nënshkruesve, si në qytetin e Shkodrës, ashtu edhe në Kryeqytet. Na ndihmuen në mënyrë të veçantë: Shoqata e të burgosunve politikë të Shkodrës, si edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit tonë, z. Filip Guraziu. Pranimi për shqyrtim dhe aprovimi i kërkesës sonë nga ana e Presidentit Sali Berisha, tregon se me të vërtetë ka ardhë koha e vendosjës në piedestalin e merituem të demokracisë, së figurës së Pader Pjetër Mëshkallës, Këtij “Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”, që gjithë jetën punoi për Lirinë, Unitetin e Përparimin e Atdheut. 

Pyetje: Ku konsiston vepra atdhetare e Këtij Patrioti? 

Përgjegje: Pader Pjetër Mëshkalla asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik Shqiptar, të salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nder i madh që nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se primare për Té ishte kenja Shqiptar! 

Që në moshë të re, rreth vitëve 1925-30, prej vjershave të para e deri tek artikujt e Tij të randësishëm, në të cilët dallohët “Udhë e gabueme”, Ai lufton fanatizmin. Ai thotë: “Vëllazën me të gjithë, këso dore kemi me provue me fakte, se asht e mundun bashkjetesa ma paqësore dhe ma e frytëshme me besimet tjera.” 

Ai luftoi me gjithë shpirt ndasitë fetare në gjithë Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohë edhe ma mirë figurën e Tij. 

Pyetje: Meqë materiali vlenë per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin tonë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës? 

Përgjegje: Sigurisht që po! 25 vjet ma parë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun thirreshin po në këtë auditor dhe aty u viheshin hekurat. Pikërisht aty, me 29 prill 1967 u arrestue edhe Pader Mëshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë shërbëtorë besnikë të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arsimit tonë kombëtar. 

Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e Pader Mëshkallës mbetet simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë Shqiptare dhe, Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar!  Ju falëmnderës!

•Shenim FR: Botohet pa asnjë ndryshim nga intervista.

Melbourne, 12 Nandor 2021.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani

BALLEZA, OSE NË GJURMËT E NJË QYTETI SELI IPESHKËVNORE

November 11, 2021 by s p

Nga  Ndue  BACAJ/

Foto rrënojave të Ballezës e vitit 1904, bërë nga studiuesi Theodor Ippen  

Foto nga Rrjolli sot ku ka qenë qyteti I Ipeshkvnor I Ballezës 

Prej shekujsh  trojet e  Malesisë Madhe  ruajnë në gjirin e vet  historinë e një qendre urbane-qytetare e  fetare mjaftë të zhvilluar ,që sot  identifikohet  me  disa rrenoja   që njihen me emrin  qyteti ,qyteza e shpesh kalaja e Ballezes…

Balleza (Balezio)  si qytet edhe si  Seli Ipeshkevnore ,më shumë se  çdo qytet tjeter i Shqiperisë së Eperme  mbetet në hijen e së kaluares. Ka gjasa siç thotë  Hoffer ,se në vitin 1336 kisha e tij ipeshkvnore të ketë qënë e shkaterruar nga skizmatiket dhe në gjysmen e dytë të shekullit XIV qyteti të ketë qënë  veçse një grumbull  rrenojash….Rrenojat e tij në krahasim me të tjerat….janë shumë të rralla , duke u katandisur  në një murë rrethues  dhe në germadhat e të ashtuquajtures Kisha e  Balezit…1.  Një historian i “ri”  thotë se në murin rrethues  është edhe një portë e  Shen Nikolles..2.  

 Emri i qytetit të lashtë  Balesium del per herë  të parë nga një leter  që i drejtohet Arqipeshkevit të Tivarit në vitin 1062  nga Papa Aleksander II    (Farlati ,Iliricum  sacrum ). Ipeshkvia  ishte në varesinë  e arqipeshkevit të permendur . Me sa duket kishte qënë më parë nën  metropoline e Diokleas , e cila më vonë qe çvendosur në Tivar ……Nën  papa Klementin e IV (1342-1352) në Shqiperi  filloi një veprimtari  intensive e minoritëve  dhe domenikanëve  që vazhdon edhe nën  Innocensin VI  dhe nën Urbanin V . Në krye të  dioqezave erdhen shumë rregulltarë . Një vemendje  e  madhe iu vu vijës  shqiptare në veri , aty ku ajo perplasej me sllavët dhe që ishte e trazuar fort nga skizmatikët…Në vitin 1356 kisha e Balecit dhe manastiri i  Shen Gjonit në Strilaleo në Drisht  permenden si të shkatërruara nga skizmatikët…3.   Nga viti 1356  në arkivin e Vatikanit  ruhet një leter e Papes Innoçensi  që i drejtohet Ipeshkevit  të Balcensisit  Andreas …. Belesiumi si qytet duhet të ketë pushuar së ekzistuari  që prej mesit të shekullit  XIV, keshtu që në vitin 1448 vertet nuk kishte mbetur  veç kujtimit të tij. Ipeshkevia vazhdoi edhe më gjatë ,perderisa titulli mbahej akoma  nga një  Ipeshkv  në vitin 1478. Në vitin 1448 gjatë luftes kunder venecianeve që mbanin të pushtuar  Shkodren ,Skenderbeu zgjodhi vendin ku ndodhej më parë  qyteti Balesium per ndertimin e një fortifikimi . Me garnizonin e tij ketu ,Skenderbeu mbante… të gozhduara  forcat veneciane në Shkoder ,duke i  penguar  ato të perdoreshin  per lirimin e Danjes së rrethuar nga  ushtria arbenore . Barleti e percaktonte  pozicionin e ketij fortifikimi në shpatin e malit të Maranaj-t ,12.000 hapa larg nga Shkodra ,5000 hapa nga Drivastumi  (Drishti N.B. ) dhe 15.000  hapa nga Daniumi ( Danja) …4.  Nga alpet Parun zbret përroi malore  Sheu i  Rriollit ,ndersa nga mali i Bishkashit  perroi Gurra e Kurtit ,të dy perrenjet ndahen nga një kurrize kodre,kundrejt derdhjes së tyre  në lumin e perbashket, ku vargu kodrinore perfundon me një kurriz të sheshtë ,mbi të cilin  ngrihet një maje në forme konike që njihet si Maja e Ballecit. Atje hasen disa rrenoja  ,që njihen si Kisha e Ballecit . Kjo germadhe shenohet edhe në harten e shtabit të pergjithshem  Austriak, por pa të dhena per emrin. Me pozicionin e saj midis dy  Perrenjeve kodra është  një pikë fortifikimi natyror. Prej saj mund të shohesh  të gjithë fushen e Shkodres ,deri tek keshtjella e qytetit ,dhe mund të zbresesh në fushë per një orë. Ajo i ka të gjitha kushtet per të qënë një pikë vrojtimi. Maja perfundon në pjesen e siperme me një shesh me perimeter  rreth 1000 hapa .  Ajo është mbushur me një pyll të dendur  shkurresh ,i cili ndoshta fsheh mbetjet e Çitadeles së vjeter .Sheshi mbyllet nga një rreth muresh guri ,per të penguar hyrjen e kafsheve . Sipas mendimit tim  ky rrethim qendron mbi mure të vjetra ,të cilat në disa vende  ngrihen mbi tokë në lartesin e një njeriut . Mbi majen më të lartë ndodhen germadhat e një Kishe . Prej  saj ruhen një pjesë e mureve  të godines dhe një fragment nga apsida. Permasat tregojnë  per një ndertese të vogel  me gjatsi 20 hapa dhe gjërsi 10 hapa…”5.  Gjithsesi të mos harrojmë se ky studim është bërë  mbi një shekull më parë ,nga  Studiuesi  dhe  albanologu austriak Th. Ippen. Vlen të theksohet se edhe sot qarkullon gojdhena se Qytetin apo Kalanë e Ballezes  në vitin 1448  e ka vizituar vetë Gjergj Kastrioti Skenderbeu, ku per rindertimin e saje  kishte caktur të kujdesej nipin e  tij  Hamza Kastriotin .  Ndersa  nga  një bashkohës i Skenderbeut  (bashkohes i Skenderbeut)  mesojmë se Skenderbeu  jo vetem e rindertoi qytetin e Balecit ,por atë Qytet e perforcoi me mure ,kulla e istikame ,e  furnizoi me ushqime  dhe me ushtarë shumë të aftë të cileve u caktoi si komandant Marin Spanin ,burrë shume trim e mentar… 6.  Shkaterrimi i Ballezes  kishte ardhur nga  fortuna që kishte sjellur pushtuesi   skizmatik  Serb Stefan Dushani ( 1335-1355 ) ,(por Balleza ishte rindertuar disi  edhe nga  shteti  shqiptarë i Balshajve ) ,me pas fati i Ballezes nën  pushtuesin  Venedikas duket se nuk kishte qënë fatlum.  Nga “ Regjistri i Kadastres dhe Koncensioneve  per rrethin e Shkodres  (perpiluar nga  Venediku ) gjejmë të shkruar per qytezen e  Balecit  emrat e 25 kryefamiljareve (Shtepiave ) ,ku të gjithë ishin emra shqiptaresh  katolik, por të bënë pershtypje  mbiemri i parë  Molasiri ,pra shumë i ngjashem me atë Malsori..Gjithashtu në  faqet 70 – 71 të ketij regjistri  mesojmë se nga qyteza e Balecit  mvareshin edhe fshatrat me emrat  Zakoli ,Braza, Dari ,Leporosh dhe Zamaraki ,ku të gjithë së-bashku  kishin 29  shtepia ..  Në faqet e  regjistrit  te viteve 1416 – 1417  ne gjejmë se  në gjatesinë e  Lumit të Rrjollit  kishte rreth 44 mullinj bloje si dhe valanica që prodhonin Shajak ,per veshjen e malsorve e tjer ,por  mullinjet dhe  valanicat   nuk ishin pronë vetem e vendasve ,por edhe e  zotrinjeve dhe institucioneve  fetare  të fshtrave dhe zonave të tjera, që e  kishin të percaktuar qartë pronsinë…7.  Studiuesi  Kardinjano  shkruan se  prej vitit 1347 deri rreth vitit 1488 ,duke pasur parasysh edhe  pasaktesit (në Ipeshkevin e  Ballezes) numrohen  13 peshkopë…Në dokumente  kujtohet edhe kuvendi katedral i kesaj kishe , çfarë  tregon se ishte organizuar në menyre të rregullt ,ashtu si dhe të gjitha kishat e tjera shqiptare në kohet e trishta…8.  Në qytetet e vogla Ipeshkvnore  Balec dhe Dejë permenden edhe vetem  nga një kapelë  që ndodheshin jashtë qytetit : Shën Lleshi nën Balec (Sancto Alexandro  sotto  Balez) në vitin 1462 dhe kapela e Shën Marisë  në Dejë…9.  Ndersa një studiues shkodran , na jep  ketë kronologji  të Ipeshkevijeve te Ballesit :  viti  13…(ndoshta 1340  N.B.)  Guljemi .  1347 Gjerviku-franceskan .  1351 Andrea -franceskan .  1420 Alfonsi -Franceskan . 1424 Mikeli , Paulluz ose de Paolis nga Villa,i dioqezes se Trevizit -franceskan. 1426 Bernardi de Ivanis ose de Vivanis prej Drishtit-franceskan.  1459 Leonardi nga Napoli -domenikan .1478 Danieli ,Zahender -franceskan.  Fati tragjik e ndoqi qytezen e Ballezes edhe pas pushtimit Otoman ,ku  në Defterin e Regjistrimit të sanxhakut të Shkodres  të vitit 1485 , në faqen 367 , e gjejmë  si një fshat me  vetem 4 shtepi…10.     Balleza apo  Ballexa që perdoret shpesh sot  ka  qënë edhe nën vezhgimin e Studiuesit Italian  Ermanno  Armao , (i cili ka qënë per shumë vite Konsulli i Pergjithshem  i mbreterisë së Italise në Shqiperi) , i  cili ndër të tjera shkruan : “..Në treven e Rrjollit ,në piken kulmore të malit  Balec, 440  metra mbi nivelin e detit ,në mes të Rriollit dhe Gurres,dikuesi i tij më i madh  ,mund të shihen rrenojat e mjera të një kishe që nga harta e Coronelli-t ..e percakton si  kisha  kushtuar  të Ngjitunit  të së Lumes Zonjes së Virgjer në Qiell. …..Nën Kishë ,por gjithnjë  mbi mal gjendej qyteti i vogel i lashtë Balesio…”.11.  Vlen të theksohet se Qyteti i  Ballezes është i shenuar si në harten  e Cantellit ,dhe Coronellit  që i bashkengjitet ketij libri ,dhe janë harta të  formuluara në gjysmen e parë të shekullit XVII.  Ndersa nga Historiani  dhe studiuesi i shquar Prof.  Dr.  Konstandin  Jireçek, e pershkruan Ballezen si vijon: “Tri orë prej Shkodret afer bregut të Riollit gjindet Maja e  Balezit me një pamje të gjanë. Siper saj janë germadhat  e BALEZO-s … Në mes shkurreve  shihen tepricat e mureve të qytetit  e të një Kishe ; por  germadhat janë më të  lëna se ato të Svacit, të Sardes e të Drishtit.  Ketu gjindej  Qyteti i vogel i  Balecit  ( Balezo,Baleco , Ballegio , Ballesio , Balecio  të shekujve XIV e XV ) me një Peshkop (Balacensis episcopus ) të mvarur prej Kryepeshkopit të Tivarit…  Ndër Libra të arkives të Raguzes  permenden artizan  të ketij qyteti ,si  zdrugarë e kepucarë…” 12.  Ndersa albanologu  i njohur  kroat Milan Shuflaj thotë se  historia e Ballezës  mund të filloj që në shekullin e VII… pasi qyteti i madh Romak Dioklea  u rrenua  prej katastrofafe natyrale  dhe fuqive barbare. Atë e goditi  rëndë termeti  i vitit  518 . Qyteti u shkretua rreth shekullit VII , dhe pjeset e tije të shkaperdredhura  u rrembyen nga keshtjellat e aferta . Aty u krijua  grupi i qyteteve  mesjetare  Suacium (Svaci-Shazi) ,Drivastum (Drishti ) , Balecium (Balezo ) dhe Danja …” 13.  Po ky autor në vepren e tij e quan  qytetin e Ballezes  “Citta de Ballezo”, edhe qytet Peshkopal.. të sigurte  ku strehoheshin  hierarkia e klerit katolik dhe  arkiva e dekumentacioni perkates…14.     Per Ballezen si qender e rendesishme qytetrimi dhe zhvillimi  shkruan edhe historiani  e shkencetari i albanologjise At Giuseppe  Valentini , i cili e cilson Ballezen edhe si një vend  tradicional ku mblidhej bajraku i Rrjollit dhe perfaqesuesit e bajraqeve të Malesise Madhe  ,me emrin “Kalaja ose burgu i Hases apo Hasanit “,   si dhe  shenon si fise anas ( autokton ) vetem ato të Çangajve , Çokajve ,Toskajve dhe Keqanajve… Në Rrjoll perveç Qytezes apo   Kalasë  së  Ballezes , në afersi gjindet edhe një shpell me homonimin “Shpella e Bogdanit” Kjo shpell edhe sot kujtohet nga banoret ,se dikur ka qënë  rezidenca ku është strehuar  nga rreziku i Otomaneve  Ipeshkevi   i famshem  PJETER  BOGDANI (gjysma  e dytë e shk.XVII). 15.  Per ketë Shpellë (historike) shkruan  edhe autori (A.Ermao) , nga i cili citojmë:  “ Në vendin Keçula në bregun e djathtë të Rrjollit ,në të majtë të  rruges  nga Vitaj në Çokaj , tani seli e Kishes  dhe e famullise së Rrjollit ,shihen disa rrenoja muresh që popullsia  i kujton se kanë qënë  shtepia e  Ipeshkevit të Shkodres ,Imzot  Bogdanit . Rreth një gjysem ore  lartë në Mal  është “Shpella e Bogdanit “ ,një shpelle e gjërë  që sipas  gojdhenes i sherbente si strehim në periulla perndjekjesh…”16.    Gjithsesi Ipeshkevi  Pjeter Bogdani njihet në histori jo vetem si një bari i mirë shpirteror që shpetoi grigjen katolike  të Shqiperisë së Veriut nga  dy Ujqer ,ai Aziatik ,dhe ai Sllav ,por njihet edhe si autori i vepres famemadhe  “CUNEUS PROPHETARUM DE CRISTO  SALVATORE  MUNDI “  që në shqip e kemi perkthyer thjeshte në  “ÇETA E PROFETEVE ,kur në fakte duhej të perkthehej nga orgjinali  “ Çeta e Profeteve  të Krishtit, Shpetimtar i  Botes”. Është interesant të theksohet se në leter-kembimin  e Pjeter Bogdanit me Selin e Shenjtë (Vatikanin )  ,shumë letra  janë shkruar nga Rrjolli ,apo bëjnë fjalë per  jeten e veshtirë nën pushtuesin turk të Rrjollasve , Malsorve  e më gjërë,  ku disa nga keto Letra po i kujtojmë : Letra  me nr.153 e dt.20 nendor 1671  ,në të cilen shkruan ,per gjendjen e rendë ekonomike të  kesaje popullsie ,si dhe nevojen per një mesues per shkollen e Rrjollit ,ku propozon  si të tillë  Dom Mark Xhustin. Letra  nr.171 e dt. 16 shtator 1674 , Pjeter Bogdani  njofton Selin e Shenjtë se  Rrjolli Kishte  9  fshatra  me 136 shtepi dhe 946 banore….Letra  nr.180  pa datë ,por e vitit  1675  shkruan  se  misionaret  katolik po jepnin ndihmen e tyre per shkollen e Rrjollit…. Interesante  duket letra me nr. 182  e dates 29 dhjetor 1675  ,në të cilen  Imzot Bogdani  kerkon ndihmë  per krahinat e Kastratit ,Hotit ,si dhe nevojat per  Shkollë të tyre… Në letren  nr.187 dt. 03 janar  1676  ,ky Ipeshkev tyregon per kujdesin e tij  per ribotimin  e “Doktrines  së Vogel të Krishterë “ të autorit  Francesko Bernardo nga Verona  të perkthyer në SHQIP  nga Ai… 17.  Gjithashtu mesojmë se  Famulltari i  Rjollit bente  edhe detyren e mjekut…18.     Gjithashtu   Famullia e Riollit në vitin 1745 kishte 53 shtepi me 420 banore ,si dhe Kishen që i kushtohej të Shelbuemit  ,ku  kjo  Kishe  kishte  Kumonen e saj  20 librash (e barabarte me 5 kg,  pra shume e vogel në krahasim me atë  të gjetur në vitin 1995, që ishte 155 kg , shenim N.B. ) gjithashtu  mesohet se  famulltari kishte vendbanimin  ngjitur me kishen…19.  Një studiues  i shekullit XIX ,që ka qënë konsulli i Frances në Shkoder  dhe ka vizituar Rrjollin ( fundi shekullit XIX) shkruan  : ..Fisi  i Rrjollit (Rioli-t)  popullon shpatin verior  të malit Maranaj ,një luginë të madhe  në kufi me fiset e Reçit , të Lohes e  të Koplikut ….Ai ndahet në dy lagje  , që formojnë  një bajrak të vetem dhe ka  dyqindë e njezet shtepi. Popullsia është  rreth Njemijë e gjashteqindë banorë , njemijë e dyqind e  dyzet prej të cileve  ndjekin besimin katolik. Në qender të tij gjendet një  Kishë e madhe  dhe e bukur  me një  kumonë në formë katrore ; ndertimi i saj daton në shekullin e XIII dhe është restauruar kohet e fundit…Rrjolli e ka marrë emrin nga lumi i vogel i Rriollit..20.    Ndersa nga një vizitë baritore e e vitit 1756 e ipeshkëvit  të dioqezës të Shkodrës , Pal  Kampesi  ,mesojmë  se  Rrjolli  kishte  55 shtepi  me 256 banorë të rritur dhe 164 femijë , gjithashtu kishte të krezmuem 20 femra  e  32 mashkuj. Kisha i kushtohej  Shën Shelbuemit me famulltar  Filip  Kalamashin. Nga relacioni  i  kesaj vizite  mesohet  se  Egçi  kishte 2 shtepi me 21 banorë të rritur dhe 10 femijë… 21. Ndersa rreth një shekull e gjysëm më vonë, famulltari Ernesto Cozzi , (që njëkohësisht ishte edhe studiues…) dhe qendroi në famullinë e Rrjollit deri në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, shënon për Rrjollin 360 katolikë dhe 1200 muslimanë.22. Ndersa studiuesja Edith Durham kur do të vizitonte famullinë e Rrjollit ku sherbente Ernesto Cozzi, ( në prill 1912,) do të tregonte se si ishin dëmtuar e dëmtoheshin mbetjet e trashiguara  arkeologjike të Ballezës, nga padija e fshatarëve analfabet…Për këtë do të shkruante: “E pamë vendin e Balesiumit në kodër. D.E. thotë se është tepër e vështirë për ta vizituar ngase muslimanët dyshojnë për gjueti thesaresh. Katër vjet më heret ai (E.Cozzi) mori një entomology brenda një shpelle- për të kerkuar brumbuj. Pas kësaj , vendasit ruanin shpellen me rend për më shumë se një javë nëse i huaji do të kthehej duke bartur arin. Thotë se janë shumë budallenj , gjejnë plot gjëra dhe thyejnë çdo gjë që nuk është monedhë a metal i çmuar. Së fundmi kanë thyer plot amfora dhe kanë hedhur pjesët e një shpate bronzi. 23. 

Studiuesi  Malsor (me origjinë nga Reçi)  Prof. dr. Ahmet Osja , në një studimin të tij shkruan : “ Në luginen e Rrjollit gjenden rrenojat  e një Keshtjellë  që quhet  BALLEXA E RRJOLLIT.. Keshtu sipas gojdhenave  prej shume shekujsh  burra të mençur  e të beses  që perfaqesonin  fiset e treves së  Malesisë së Madhe ,mblidheshin per të organizuar beslidhjet . Vendi ku takoheshin kreret quhej ÇANG . Per ketë flet edhe fakti që edhe sot  e kesaje dite ,malsoret e quajnë ketë Keshtjellë.. Dekumentet bejnë fjale se keshtjella  është rindertuar disa herë ,por lulzimin më të madh duhet ta ketë pasur  gjatë sundimit të Balshajve, të cilet ,nuk ka dyshim që e kanë perdorur  si vend strehimi. Krahas mureve rrethuese ,keshtjella ka pasur  edhe tunele (apo siç i quajnë vendasit skerfaj ). Në zonë gjenden mjaft toponime  që kanë të bejnë me vendndodhje Kishash…..Kjo Keshtjell priti Gjergj Kastriotin . Gojdhenat thonë se per nderim të tij ranë kembanat  e Kishes së Shen Gjergjit  të Ballexes. Jehona  e ketyre kembanave  degjohej deri në fshatrat e  Krajes…  Në prill të vitit 1995  u arrit të zbulohej njera nga kembanat e kesaje kishe . Ajo ishte derdhur  diku në rrethinat e Shkodres në vitin 1465 dhe peshonte 155 kg.  Në Rrjoll edhe sot njera prej lagjeve  mban emrin Çangaj . Ndoshta kjo ka lidhje  me ata mjeshtra që derdhen atë këmbanë……Nuk mungojne gojdhenat  sipas të cilave  në ketë luginë janë prerë edhe pare . Edhe sot  gjendet toponimi  RRASA E PAREVE . Po sipas gojdhenave vendasit pergaditnin edhe barotin. Në afersi të Keshtjelles  gjenden ende gjurmë  që tregojnë  per perdorimin e metaleve ,per pergaditjen e veglave të punes e të armeve të thjeshta e tjere. Duhet theksuar  se keto fakte historike  kanë vleren e tyre edhe nga pikpamja ekonomike ,sepse vertetojnë  edhe zhvillim qytetare të kesaj qendre… Në kuptimin ekonomiko-shoqerore Ballexa  në shek. XIV radhitej  ndër qytete më të njohura ,si Drishti ,Lezha ,Durresi e tjere..“. 

FORCA E LEKEVE “. 24.  Jo pa qellim mendova të citoj në fundin e ketij “matriali” Atë Marin Sirdanin (me origjinë nga Boga e Malesisë Madhe) , i  cili ishte perveçse fetare dhe atdhetarë edhe një studiues e historian i njohur ,ku në ketë “kohë” na jep  “ lajmin” e  mirë ,se Balleza është vendi ku kanë origjinen dhe muaren emrin Dinastia famemadhe shqiptare e BALSHAJVE…ku  per ketë shkruan: ”…Ma në shenj ndër kryetaret shqiptarë që u dekleruan të pamvarshem ishte Duke Balsha I…Balsha  s’ishte tjeter veçse kryetar i Balesit prej kahë  pat edhe emnin , që porsa u deklerua i pamvarur i dergoi  Papes Urbani V  ipeshkevin e Shasit me 29 kallënduer (janar) 1369 ,per me e lajmruar se Ai dhe të bijet me një numer të madh populli ishte (ri) kthye në katolicizem.”. 25.  Duke dashur të justifikojmë  titullin e ketije “shtegtimi” historik ,per Qytetin e Ballexes me një histori mbi njemijë-vjeçare ,po  rikujtojmë shkurtimisht vlerat e qytetrimit e zhvillimit  që  mbulojnë rrenojat  që shohim sot  si : qytetin ,keshtjellen , mullinjet , valanicat , punishte të ndryshme  të metaleve e tjer.. Si edhe vlera ndertimore të  Besimit  Kristian , me  Manastire e Kisha , kushtuar të  Ngjiturit të Zojes së virgjer në Qiell, të Shelbuemit ,  Shen Gjergjit ,  Shna Prendes ,  Shen Nikolles , Shen Lleshit e tjer, ku per keto vlera  Ballexa ka qënë edhe Seli Ipeshkevnore . Sot nga  tërë kjo histori  qytetrimi e besimi , më së shumti mund të dallojmë  gjurmet (rrenojat),por edhe me keto duhet  kujdes ,sa “harresa” mund të na i “fshijnë” dhe pastaj…na ishte apo nuk na ishte një herë  një qytet seli ipshkvnore , me aromë  Europerendimore..

Referencat :

1.Fulvio Kordinjano ,SHQIPERIA ,permes vepres  dhe shkrimeve  te misionarit madh  italian At Domeniko Pazi ,1847-1914 ,fq.33, vll.2.  

2.Oliver Jens  Schmitt ,Arberia  Venedike ,1392-1479 ,fq.96. 

3.Dr.Milan fon  Shuflaj ,Situata e kishës  në Shqiperinë paraturke , fq.60 , botime Franceskane , Shkoder 2013 , perkthyer dhe perg. per botim Dr. phil. MA Edmond  Malaj.    

4. Marin Barleti ,Historia e Skenderbeut.  

5.Theodor Ippen ,Shqiperia e Vjeter ,fq. 178 – 180 .  

6.Dhimiter   Frangu ; Veprat e Lavdishme te Skenderbeut” ,fq.88 – 89.  

7.Regjistri i Kadastres dhe Koncensioneve  per rrethin e Shkodres  per vitet 1416 – 1417 , faqet 69-70. 

8.Fulvio Kordinjano ,po aty ,fq.33. 

9.Dr.Milan   Shuflaj , po aty ,Situata e kishës  në Shqiperinë paraturke , fq.132 .  

10.Gjush Sheldija “KRYEIPESHKEVIA METROPOLITAN E SHKODRES E DIOQEZAT SUFRAGANE “(Shenime Historike) ,fq. 75.    

 11.Ermanno  Armao ; Vende ,kisha ,lumenj, male e toponime te ndryshme  të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore  , faqe 134 . 

12.Konstandin  Jireçek në “VEZHGIME ILIRO- SHQIPTARE” (kapitullin .V.)  ,Shkodra  e Krahinat e saj në  Mesjetë  , faqe  113.    

13.Milan Shuflaj “SERBET DHE SHQIPTARET “ , faqen 15 .  

14. Milan Shuflaj “SERBET DHE SHQIPTARET “ , fq.136.

15.At Giuseppe  Valentini “IL DIRITTO  DELLE  COMUNITA , NELLE TRADICIONE ALBANESE “,fq.345 -346.  

16. Ermanno  Armao , po aty , fq.56. 

17.Të gjitha keto  Letra e dekumente  ,dhe të tjera  gjinden në Librin “ PJETER BOGDANI  , LETRA DHE DEKUMENTE “ ,pergadite nga  Odette  Marquet ,Shkoder 1997 .  

18.Nevila  Nika ; DIOQEZA E SHKODRES  GJATE SHEKULLIT  XVIII , sipas dorshkrimeve arkivore ,fq.117.  

19.Nevila  Nika  , po aty , fq. 153 .

20.Hyacinthe  Hecquard ,Historia dhe  pershkrimi i Shqiperisë  se Eperme  ose i Gegerise ,fq.154.  

21,Italo  Sarro , Kontribut për historinë kishtare të Shqiperisë së Eperme  shek.XVII-XIX ,fq.59, botime Franceskane ,Shkodër , 2015.  

22.Noel  Malcom, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit-studime mbi historinë e Shqipërisë, fq.589, Prishtinë 2020. 

23.Noel  Malcom, Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit-studime mbi historinë e Shqipërisë, fq.589.

24. Prof. dr. Ahmet Osja , “BALLEXA NE LUGINEN E RRJOLLIT “ , botuar   në librin e Qendres Kulturore “Edit’h  Durham “ Malesia e Madhe një  Visare Shqiptarie , fq.49 -51.

25.At M. Sirdani , FRANCESKANET  NË SHQIPNI DHE KATOLIKET NË LAMË TË ATDHETARISË ,fq.69.

Filed Under: Histori Tagged With: Ndue Bacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 194
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT