• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY SHPÊLLA T’THÊLLA…

October 12, 2019 by dgreca

AT SHTJEFEN GJEÇOVI (1874 – 1929)/

NGA FRITZ RADOVANI/

Ndër dy shpella të thella, nën dy harqe të daltuem në shkambijtë e ashpër të maleve tona, të naltuem e të zhytun deri në vrantësinën e pafund të qiellit, të ndamë nga një stom i drejtë që bie pingul mbi një kreshtë burrnore e ku nën té buroi si prroni i pastër e i freskët hymni i një Flamuri të dhunuem për shekuj me rradhë, pikërisht aty, në ato dy vatra shkëndijash me të cilat nuk mujtën me u hangër as sytë e Shqipës, nën cohën e ashpër e të murrme të zhgunit të Shën Françeskut, pushoi së rrahuni Zemra e Madhe e Fratit të Kosovës, mu në Zym të Hasit të Thatë, me 13 Tetor 1929.., kur serbët menduen me e lanë të përjetshëm Emnin e fratit tue pagëzue me gjakun e Tij të Shenjtë brigjet, cungat e stomijet e njomuna për sa shekuj nga vllaznit e Tij, dhe tue i diftue botës mbarë se këtu njenit prej bijëve të Ilirëve sot hasmi tradhëtisht i ngriti një monument ma të fortë se bronxit, Monumentin e At Shtjefën Gjeçovit OFM, i cili ndër shekuj nuk do të kenë kurrma mort! 

E ç’prej asaj dite të zezë duert e Shugurueme të Tij nuk do të daltojnë kurrma ndër zemrat e njoma shkrojlat e At Gjergjit!…E, nuk do të shkojnë gjatë kur camerdhokëve të vegjël nuk do t’u mësojë ma kush me shkrue emnin “Gjergj Kastrioti”…!

Qysh se fillova me marrë mend e kuptova fjalën “vrasë” tue pa me sy gjakun e derdhun lamë në 13 Tetorin e vitit 1943 në Tiranë, kjo datë më kujtonte shprazje armësh e bombësh mbi njerzit e pambrojtun e të pafajshëm…por kjo nuk ishte data e parë e atij tmeri që përjetova si fëmijë kur ishe vetëm 3 vjeç, mbasi për të gjithë Shqiptarët një 13 Tetor tjetër të përgjakun kishin përjetue 14 vjetë para meje nxanësit e Zymit të Hasit në Kosovë, kur dora e pabesë e shovenistëve serb në vitin 1929, plandosi përdhé Mesuesin e tyne të Gjuhës Shqipe, fratin e përvujtë, At Shtjefën Gjeçovi, pra plot 90 vjet ma parë. 

Ishte pikërisht ajo vjeshtë e zymtë kur flladi i freskët frynte mbi gjethet e zverdhuna të lisit, me të cilët Përenditë Pellazge thurën kunorën e martirizimit por edhe të lavdisë së përjetëshme që me duert e Tyne Ata, i vunë mbi ballin e Heroit të Popullit Shqiptar! 

Ishte ai dru i gdhenun që i kishte lëshue ata gjeth për shtroje për daltuesin e vet, kur në dorën e Tij iu gjet si shkop për mburojë bash atëherë kur zagart e mbarë Ballkanit lehnin për “barbarët e egjër”, mbasardhësit e Lekës dhe të Gjergjit të Madh. 

Ai nuk eci kurr mbi shilte e cerga…Ai eci i zbathun me sandalet e Tija mbi gur e shkrepa, mbi ferra e zallishta, ndër fusha, shpella e male, vetëm mbas Kryqit, me Ungjill në dorë. Ungjill e Kanu ishin mburoja e Tij; Paqë e Drejtësi ishin parzmorja e Meshtarit tonë…

Ai ishte djalë i Janjevës së Kosovës, i lemë me 12 Korrik 1874, nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kryeziu i Pukës, me tradita të theksueme Shqiptare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku famullitari i atij vendi, tue vrejtë cilësi të një squtësie të rrallë e mbi të gjitha një natyrë të prirun për kah Feja e ditunia, me leje të prindëve të Tij dhe të Argjipeshkvit të Shkupit, e merr Hilën e vogël (emni i parë i Pagëzimit ishte Mëhill ose Hilë), dhe e sjell në Kolegjin e Françeskanëve të Troshanit. Aty vazhdoi mësimet e mesme dhe u pergatitë që në moshen 10 vjeçare shpirtnisht për udhën e vështirë në të cilën mendonte me vazhdue, tue ju kushtue Urdhnit të Fretenëve të Vogjel (OFM) të Shën Françeskut të Asizit, që kanë zanë vend në Shqipni që në Shek. XIII mbas Krishtit. Zakonisht aso kohe studentët Shqiptarë mbas këtyne viteve shkollore  dergoheshin në Bosnje, ku banin një plotësim mësimesh liceale me profesorë të njohun dhe njëkohësisht edhe parapergatiteshin për studimet e nalta teologjike, të cilat pjesa ma e madhe i kanë krye në Austri dhe Itali. Gjeçovi studimet e nalta të filozofisë i bani në Banjaluke, ndërsa ata të teologjisë i ka përfundue në Kreshevë, ku u njoht me letrarin e madh epik Gegë Martiq. Si duket edhe Gjeçovi, ashtu si At Gjergj Fishta, nga ajo shkollë e Bosnjes marrin edhe nektarin e njohun të asaj letersie e cila ma vonë ndikoi direkt në krijimtarinë e tyne letrare, por duhet theksue të një niveli artistik shumë të naltë e që mbetë edhe i papërsëritshëm mbas këtyne kolosëve, që kanë lanë vepra me vlerë të madhe në fondin e kulturës sonë Atdhetare Shqiptare.

Në vitin 1896, porsa kishte krye studimet, vjen në Shqipni dhe fillon veprimin fetar e atdhetar në Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, pikërisht ndër ato zona shumë të vorfna, por që la mbresa të përjetëshme me mësimet e Tija të Atdhedashunisë, një vepër e vazhdueshme e Urdhnit Françeskan në të gjitha Trojet Shqiptare ku kanë shkelë ata. Folklori, doket e zakonet dhe “ligjët e pashkrueme” të atyne viseve bahën shujta shpirtnore e Tij, me të cilat menjëherë filloi me mbrujtë landën edukuese të “Kanunit të Maleve” të Kombit Shqiptar. Reformat e Xhonturqëve e zanë në Gomsiqe dhe asht ndër të parët që i zbulon pa pikë frike karakterin shtypës të tyne ndaj vendit tonë. Në Durrës ka një korespondencë të dendun me shumë Shqiptarë të Shqipnisë së Mesme që punojnë për të njajtin qellim si Ky. 

Ndër të gjitha vendet ku shkon ishte lashtësia e tyne ajo që shumë ma shpejtë se mund të mendohej e ban me vue gurt e thëmelit të shkencës së arkeologjisë Shqiptare, Baba i së cilës asht i madhi At Shtjefën Gjeçovi. 

Kur At Gjeçovi arriti me pa frutin e përpjekjeve të veta për Liri dhe Pavarësi me ngritjen e Flamurit në Deçiq në 1911, dhe me 28 Nandor 1912 në Vlonë, Ai nuk u pajtue si të gjithë shokët me okupacionet e hueja, kjofshin ata edhe të pjesëshme ose edhe të përkohëshme, kështu pra, as italianët, austriakët apo serbët nuk e donin praninë e Tij. Madje në vitin 1920 kur asht në Vlonë bashkë me priftin Atdhetar Don Mark Vasa, janë në krahun e vendosun të luftarëve Atdhetarë të Lirisë, kundër zaptuesëve italianë. Mospajtimi i Tyne me të tilla vepra të fqinjëve ka ba atë Histori të Lavdishme të Tyne që përjetësisht ka mbetë Heroike. 

Në fushën e letërsisë krijimtaria e Tij asht mjaft e gjanë por e panjohun pothuej fare nga Shqiptarët mbas vitit 1944 për ato arësye që dihën kryesisht të përfshimë në Gjenocidin sllavokomunist kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe veprimtarisë Atdhetare të Veriut. 

Asht logjike që veprimtaria e Tij e shkrueme në Gegënisht nuk mund të zente vend në letërsinë antiatdhetare të  realizmit socialist. 

Mjaft dorëshkrime të Tij u plaçkitën nga komunistët kur ata bastisën Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder në vitin 1946 dhe shumë nga këto vepra të ruejtuna si dorëshkrime me vlerë, përfunduene pjesërisht në Jugosllavi, ndersa një pjesë tjetër janë endè sot jashta “perdorimi per disa”…, në podrumet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. 

At Gjeçovi në fushen letrare asht vlersue edhe nga dijetarët e mëdhaj të kësaj fushe si Prof. Karl Gurakuqi, i cili shkruen: “Gjeçovi botoi në Shkoder në vjetin 1910 vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtue A. Fishtës, ndër fletët e të cilit frynë gjithkund nji erë e pastër ndiesishë të flakta atdhetare. Asht për tu shenuem në këte vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folun pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.” 

Ja, dhe një fragment i poezisë “E DREJTA !”:

“M’ kam, se Atdheu don që t’ vllaznohi
E njihni n’ t’ bame t’ keni e n’ fjal
M’ kam, se Atdheu don që t’ bashkohi
Hovin hujliut, vllaznisht me j’ a ndal
…M’ kam, shqyptart, m’ kam, e n’ zemrat trimnohi!


M’ kam, flamurin e Shqypnis qit – e ndrit
Emnin tand, pa frig e marre rrfeje
Gjuh’ n tande, n’ t’ cilën Mama t’ ka rrit
N’ drit me qitun, prej Zotit ke leje
…Ngrehu prej gjumit, se mjeft t’ ka topit!”

Si thëmelues i arkeologjisë sonë kombëtare asht vlerësue dhe njohë edhe nga dijetarë të huej të kësaj fushe si: Dr. Ugolini, drejtor i misionit arkeologjik italian që erdhi edhe në Shqipni, nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, nga Prof. Nopçe etj. Ai ishte me të vertetë një shkencëtar i mirfilltë në këte fushë ku la thesare me vlera të mëdha kombëtare të zbulueme prej Tij, të cilat ruheshin deri në 1946 në Muzeun e Kuvendit të Gjuhadolit në Shkoder, si Unaza e njohtun e Gjeçovit, armët Ilire, Zoja e Zezë e daltueme në dru, enë të vjetra prej balte etj. 

Ka botue mjaft artikuj në shumë revista e fletore të kohës mbrenda e jashta vendit me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Shkopi i Tij i daltuem në dru asht një vepër arti në vete. Ai asht ruejtë deri vonë në Muzeun e qytetit të Shkodres. 

Madhështia e At Gjeçovit ka mbetë në fletët e prarueme të vepres së çmueshme dhe të pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me të cilën Autori arrijti me gjujzue shpifsit dhe mashtruesit e vazhdueshëm armiqë të Popullit Shqiptar, tue i tregue me fakte se, kush jemi dhe nga erdhëm për qellimin e madh të ruejtjes së identitetit tonë kombëtar. 

Të gjitha mendimet dhe vlerësimet e At Fishtës, Don Lazër Shantojës, Prof. Karl Gurakuqit, Prof Ndoc Kamsit…, etj. për këte Kanu do të përmblidhën mbrenda parathanjes së kësaj vepre prej të Madhit Faik Konica,  i cili ka arrijtë me penden e Tij të artë me daltue në shkambijtë Shqiptar këto fjalë: “At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla.

Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. 

Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’ Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti njëherë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej. Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobëksí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’ a kushtonte studimit. 

Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme. Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin. 

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí. Po, At Gjeçovi, është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe njëditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e Shënjtëruar të Shqipëtarësisë.” 

       ***

Aty rreth vitit 1954, 55…

I pari njeri që më foli për At Shtjefën Gjeçovin asht kenë piktori Prof. Simon Rrota, mësuesi i em i vizatimit…, kishim përpara një portret të Tij…Aq më bani përshtypje fjala e Mësuesit tem që po më shpjegonte vrasjen mizore të Tij, sa gati pavetëdije i thashë: 

“Profesor, po edhe këta dy sy Shqiponjet, armët serbe i këthyen në dy shpella..?!”

Melbourne, 12 Tetor 2019 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz Radovani-Shtjefen Gjecovi

…Shpresa, Odhisea dhe unë

October 9, 2019 by dgreca

Nga shënimet e mia: Shpresa, Odhisea dhe unë/

Nga Albana M. Lifschin/

Pas praktikes gazetareske më emëruan si redaktore tek gazeta “Zëri i Rinisë”. Fillova të njihesha me kolegë të vjetër ndaj të cilëve kisha një farë drojtje që e diktonte respekti ndaj emrit të tyre. Përveç rubrikës sime më dhanë të mbuloja edhe aktivitetet e moshës shkollore.
Kjo do të thoshte që të bashkëpunoja shpesh me redaktorët e shtypit për fëmije , të gjithë shkrimtarë e poetë të njohur.
Ishin fillimet e punës sime kur më thiri sekretari i kolegjumit Zef Gurakuqi, një burre i gjatë, serioz, i pashëm e fjalëpak, që të impononte respekt. Po afronte “Dita e Pionierit” ndaj duhet të përgatisja një faqe gazete.
Kështu ndodhi që u takova për herë të parë me Shpresa Vreton, kryeredaktoren e “Fatosit” të cilën deri atë kohe e njihja nga larg. Zakonisht e shikoja tek rruga e Kavajes. Aty qe Lidhja e Shkrimtarëve. Më bënte përshtypje figura e saj e rregullt, e pastër dhe gjithnjë i ndriste një jakë e bardhë. Më pëlqenin edhe flokët e saj të prera kapelon, siç i thoshim atëhere. Shpresa më priti me një buzeqeshje të përzemërt që më ndihmoi të hyja në komunikim me të pa drojtje fare. I thashë si e kisha punën.
-Oh, sa bukur! tha ajo. Unë mendoj që ta hapesh faqen e gazetës të kësaj dite me një poezi . Nxorri nga sirtari i tavolinës së punës një dosje me krijime letrare për revistën e saj.
-Në këtë sirtar zakonisht ruaj poezi që nuk i kam botuar ende në revistë. Ja të shohim . Te gjejmë ndonjë poezi të bukur.
I mori disa minuta kërkimi i poezisë dhe më së fundi veçoi njerën prej tyre.
-Ja, tha kjo është nga Odhise Grillo dhe të nderon. Eshte mirë të kesh në krye të faqes një autor të njohur e te respektuar si Odhisea. Ajo e lexoi poezinë me zë të lartë. Ishte një poezi patriotike. Mua m’u duk si poezi flamur dhe e mora menjëherë. Pastaj ndalova edhe tek redaksia e Pionierit, ku gjeta Adelina Mamaqin, një figurë e plotë zonje, e kulturuar me një ze të ëmbël e të veçantë si të një vajze të re. I thashë që Shpresa më kishte dhënë një poezi për Ditën e Pionierit.
– Oh, sa zgjedhje të mirë paska bërë ! Odhisea është shkrimtar dhe njeri i mrekullushëm-tha ajo. Pastaj folëm për gjëra “të lehta” dhe ndërkohë më mbetën sytë tek një varëse argjendi rreth qafën së saj bardhoshe. Në fund të saj varsja përfundonte me një çelës të bukur.
–Sa interesante kjo varëse me… çelës!
Adelina ma ktheu me zërin e saj ledhatar.
-Jo, Albana, nuk është çelës. Eshtë KYC!
M’u duk përgjigje e zgjuar që s’e harrova deri më sot. Vërtet çelës dhe kyç ishte një, por transmetonte dy kuptime të ndryshme.
Faqja e gazetës që u kushtohej fëmijëve u mbush me materiale në krye të cilave vura poezinë e Odhisesë dhe ia dorëzova Zefit. Atë pasdite Zefi më thiri në zyrën e tij. Mbi tavolinë kishte dosjen me shkrimet e ditës.
-Albana, shkrimet janë të mira e të larmishme, por po nguroj për poezinë me të cilën do të hapim faqen festive. Do t’i hedhësh edhe një sy? Ai më zgjati poezinë. Unë e mora disi e habitur.
Poezia e Odhise Grillos qe shkruar plot pasion. Eshtë vështirë ta mbaj mend fjalë për fjalë, tani pas katër dekadash por në mënyrë figurative flitej për dashurinë për atdheun e lirinë duke kombinuar bashkë disa simbole të rëndësishme në ngjyrën e gjakut, si ylli i kuq,(simbol që shihej në përparsen e yllkave, shalli i kuq simbol i pionierit. Flamuri i kuq kombëtar…Mirëpo të mbeste në mendje përdorimi i foljes “digjet”.
–Hë , si mendon ti? Kjo fjala “digjet”… sikur s’tingëlllon mirë. Ty, si të duket?
-Unë e kuptoj që ashtu siç themi digjet zemra per liri, për atdhe.
Ai heshti pak dhe tha:
-Unë të kuptoj, por mos na merret ndryshe, ketu digjet edhe shamia e kuqe e pionerit, edhe flamuri, madje edhe tesëra e partisë.
Dola nga zyra duke ndjerë të injektuar dyshimin e tij në trurin tim, por prapë thashë me vete : “Po pse duhet të më shkojë mendja për keq?”.
Atë ditë që u botua numri festiv, unë u gdhiva me grip e me temperaturë. Kuptohet që nuk shkova në punë. Nga ora 1 e pasdites, ra telefoni. Ishte shefja e kuadrit. Ajo më tha, pa shumë fjalë, që duhet të paraqitesha në punë. Më kërkonte sekretari i parë i KQ të Rinisë.
Nxitova. Kur u ngjita lart, sekretarja më mbajti disa minuta në zyren e saj. Brenda degjoheshin zërat e atyre që diskutonin.
-Të presim dhe pak tha, ajo. Mbledhja mbaroi dhe ajo më shoqëroi në zyrën e sekretarit. Tani do të fillonte mbledhja “ime”. Në zyrë hyri edhe Zefi , sekretari ynë i kolegjumit. Nuk kisha më dyshim që na kishin thirur për gazetën.
Sekretari i parë i KQ BRPSH, foli me zë të qetë duke shtruar çeshtjen e poezisë dhe së fundi m’u drejtua mua.
-Albana, si i kupton ti këto rreshta në këtë poezi që keni botuar sot?
I dhashë po atë përgjigje që i kisha dhënë Zefit. Nuk ndjeja kurfarë faji në ndërgjegjen time dhe kuptohej qartë që kisha vepruar pa paragjykim. Dy ditë më pas më njoftuan që më ishte dhënë vërejtje me shënim në dokumenta. Po kështu edhe Zefit. Mora mësimin e parë për vigjilencën revolucionare në fushën e shtypit. Më pas mësova ligjin e patundur: Në shtyp po dyshove, hiqe!
M’u kujtua Shpresa. Mos i kishin dhënë edhe asaj vërejtje? Shkova në zyrën e saj e ngarkuar me shqetësimin tim.
-Mua jo, por Odhisenë e shkretë e hoqën nga Tirana,- tha Shpresa.
Kur thoje “E hoqën” ose “e transferuan” ishte njëlloj , sikur të thoje “e dënuan”. Që atëhere nuk e pashë më Odhisenë . Por sa herë më vinte ndër mend më zgjohej meraku që nuk i thashë diçka. Më dukej se një pjesë e fajit për transferimin e tij binte mbi mua.
Erdhi puna ta takoja njeriun e mirë e shkrimtarin e njohur në letersinë për femijë, e më tej, në vitin 2001 në aeroportin Kenedi tek po përcillja nënën për në Tiranë. Po kërkoja me sy ndonjë familje shqiptare që ta shoqëroja me ta. Në një stol më zuri syri një çift në moshën e nënës. Burri flokëbardhë mbante një palë syze të errta. Më mbetën sytë tek ai. Mos është Odhisea ai? S’më ishte hequr nga mendja edhe pas 2 dekadave. Më së fundi iu afrova dhe i thashë:
-Zotëri, më mbani mend mua?
Ai vuri buzën ne gaz.
-Po s’i nuk të mbaj mend, moj Albana?
Buzëqeshja ishte aq dashamirëse, aq miqsore, saqë nuk ndihej nevoja të bisedonim për të kaluarën.
Ai dhe e shoqja filluan menjëherë bisedë me nënën time. Dolën të njohur nga miq të përbashkët. Nëna u kthye nga unë dhe tha: Albana, ti mund të shkosh pa merak tani.
Dy vjet me vonë mësova që Odhisea i paharruar qe ndarë nga ne.
Albana M. Lifschin., NYC 2010

Filed Under: Histori Tagged With: Albana M. Lifschin-Shpresa, Odhisea dhe unë

IMIGRANTËT E PARË SHQIPTARË NË AMERIKË

October 8, 2019 by dgreca

INGA REFAT GURAZEZI/*

         Shqipëtarët filluan të vinë n’Amerikë kur po afrohej mbarimi i Shekullit të shkuar, besohet që në vitin 1890 e tëhu. Thuhet se i pari shqipëtar që dolli n’Ellis Island të New York-ut dhe hyri n’Amerikë, quhej Nikollë S. Kristofor nga  Katundi, një fshat i qarkut të Korçës. Njëzet e ca vjet më vonë, pioneri ynë Kristofori u-dorëzua prift dhe shërbeu tërë jetën e tij si famulltar kombëtar i kishës Shën – Trinia në South Boston, Mass.

         Kurse nga ana tjatër, janë ca njerës të tjerë që thonë për një Shqipëtar tjatër nga rrethet e Përmetit që hyri n’Amerikë i pari, po s’janë të sigurtë për emërin dhe fshatin e tij. Cilido prej tyre që në qoftë, kjo s’ka rëndësi sot se nukë munt të quhet dot si “Zbulonjës i Botë së Re,” këtë gjë e bëri Christopher Columbus-i më 1492 dhe nuk ja mer dot atij tjatër njeri këtë nder!

         Shqipëtarët erdhë me shumicë n’Amerikë si refugjatë pas luftës ballkanike më 1912, passi vendi i tyre u-prish dhe u-doq prej Grekëve dhe Serbëve. Thonë se në mbarim të Luftës së Parë të Perbotëshme ishin “nj’a 60,000 Shqipëtare n’Amerikë”, po mjerisht s’kemi një statistikë zyrtare që te na tregojë numërin e vërtetë. Fakti është se kur ish Fedërate Vatra në kulmin e saj më 1916-1919, s’kish më shumë se 5,000 anëtarë dhe pajtimtarë të gazetës. Me këtë numër te vogël anëtarësh Vatra bëri çudira për Shqipërinë! Dhe kur mori funt lufta, shumë Shqipëtarë u-kthyenë prapë në Shqipëri. 

         Kur erdhë Shqipëtarët n’Amerikë në fillim të Shekullit sotmë, punët në fabrikat ishin miaft të rënda, orët e punës të gjata, dhe rogët të vogëla: 5 gjer 7 dollarë në javë, dhe fare të pakë ishin ata që munt të merjin më tepër. Përvec të tjerave, punëtorët shqipëtarë i pengonte dhe mosditja e gjuhës së vëndit. Per t’i bërë ballë këtij problemi, imigrantët shqipëtarë vanë me shumicë në shkollat e natës që të mësojin gjuhën inglisht me qëllim për të përmirësuar veten e tyre q’ashtu munt të gjejin punëra më të mira dhe me rogë më shumë. 

         Për arësye ekonomike edhe shoqërore, në fillim punëtorët shqipëtarë t’Amerikës rojin më tepër tok nëpër shtëpira të ndryshme, 5 gjer 10 shokë në një shtëpi, sipas dhomave që të kish shtëpia. Këta “shokë” të panjohur më parë munt t’ishin nga 10 fshatra të ndryshme dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë, po bukuria është se rojin tok si vëllezër: sikur kishin lindur dhe ishin ritur në një fshat! Dhe ay që ish me i shkuar nga mosha, ish plaku i shtëpisë dhe fjala e tij dëgjohej nga të tjerët. 

         Dhe po t’ish e mundur, shtëpitë me qira i zijin në një mëhalle të qytetit q’ashtu t’ishin afër njëri me tjatërin. Mbrëmanet mblidheshin në një nga shtëpitë që kish vënt më tepër dhe bisedojin tok për çdo çështje, familjare dhe kombëtare. Kur nonjeri prej tyre mirte një gazetë shqip t’ardhur nga lark, për shëmbëll “Drita” e Shahin Teki Ypit (Kolonjes) që dilte në Sofie, thërriste gjithë shokët e mëhalles në shtëpi të tij që e këndojin së bashku. 

         Një nga karakteristikat e “imigrantëve” shqipëtarë që vazhduan udhën në gjurmat e Kristoforit, ish dhe kjo: Kur vinte n’Amerikë nonjë imigrant i ri nga Shqipëria, shokët që gjente këtu i zijin vënt për të rojtur, e bëjin të njohur me shokët e tjerë, e lijin pakë ditë në shtëpi që të clodhej nga udhetimi i gjatë, dhe pastaj i gjejin punë. Më në funt, që të lante borxhin dhe të shpëtonte nga fajdeja e rëndë, shokët e “konakut” i mbithjin imigrantit të ri një sumë të hollash hua në mes të tyre për të paguar navllon e vaporit, dhe të dërgonte të paktën 50 dollarë në shtëpi nga ajo sumë. 

         Me ato punë të rënda dhe rogë të vogela, punëtoret shqipëtare t’Amerikës ndihmuan familjet e tyre në Shqipëri, përmirësuan tepër ndodhjen ekonomike të vendit te lindjes së tyre, dhe bënë çudira duke ndihmuar me duar hapur për levizjen kombëtare. Shenuam me sipër se n’Amerike ka patur shume mijera Shqipetare, po fakti eshte se çudirat i bene vetëm Vatranet: ata 5,000 Shqipëtarë që ishin anëtarë të Federates Vatra, ndoshta dhe më pakë se aqë. Ndihmat e tyre e bënë të mundur që Vatra mbajti përfaqesonjës diplomatikë nëpër kryeqytetet e botës dhe dërgoj delegatë në Konferencën e Paqes në Paris me 1919 për të kërkuar të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. 

         Passi suallnë grat’e tyre n’Amerikë nga Shqipëria dhe u-bënë njerës me familje, “imigrantët analfabetë” (sikundër janë sharë nga ca njerës “intelektualë”!) e dijin vleftën e mesimit shkollar dhe i dërguan fëmijen e tyre në shkollë. Kështu, pra, bijat dhe bijt’ e tyre mbaruan mësimet e larta nëpër universitetet e vendit, të këtij Vëndi të lirë dhe demokratik, dhe shumë prej tyre u-graduan me nderime si doktorë, avukatë, inxhinerë, mesonjës, profesorë, etj.

                                                          I I I    

                                                LËVIZJA  KOMBËTARE

         S’kishin zënë vënt mirë edhe n’Amerikë kur Shqipëtarët filluan nga organizimi i shoqërive fshatare me emëra të ndryshme, dhe me program për të ndihur sicilado shoqëri fshatin e saj; për bërjen e nonjë shkolle të re, dhe për ndreqjen e udhëve të fshatit, etj. 

         Me 1905, u-themelua shoqëria “Mall’i Memëdheut” ne Jamestown, N.Y., e para shoqëri shqipëtare me frymë kombëtare n’Amerikë, si pas emërit të saj. Disa njerës të vjetër që ishin atje asi kohe, thonë se idea për themelimin e asaj shoqërie lindi ne Buffalo, N.Y., nga Vellazëria Xexo po me që n’ate qytet ishin fare pakë Shqipëtarë, vendosnë që qendra e saj t’ish në Jamestown.

         Na vjen keq që s’kemi në dorë nonjë rekord zyrtar t’asaj shoqërie me emërat e zyrtarëve të parë dhe historin’e saj, q’ashtu të mos bazohemi në të thënat e njërit dhe të tjatërit. Pa një rekord t’atillë s’munt t’i jepet kredit asnjë njeriu për themelimin e shoqërisë; munt të thomi këtu se krediti u-bie gjithë anëtarëve te saj!

         Në Nëntorin 1913, shoqëria “Mall’i Memëdheut” u-tret në Federatën Vatra, dhe në vënt të saj u-formua dega Nr. 25 e Vatrës me 100 anëtarë. Zyrtarët e parë të degës u-zgjodhë keta: Ilo Furxhiu kryetar, Lambi Cala arkëtar, Perikli Muzarka sekretar, Hysen Belortaja, Vasil Argjiri dhe Salih Selmani kontrollore. 

         Me 9 Qershor 1906 u-botua gazeta “Kombi” në Boston, dhe munt të shenojmë këtu se ahere filloj seriozisht levizja shqipëtare n’Amerikë. “Kombin” e botoj Prof. Sotir Peci nga Dardha e Korçes, i ardhur n’Amerikë nga Athina e Greqisë ku mbaroj mësimet e larta shkollore. Me botimin e asaj gazete u-zgjuan ndienjat e fjetura kombëtare t’atyre pakë Shqipëtarëve që ishin asi kohe n’Amerikë.*

         Sotir Peci nukë ndenji shumë kohe n’Amerikë dhe shkoj ne Shqipëri. Gazetën e la në duart e bashkëpunëtorëve të tij: të Fan S. Nolit dhe t’Efthim Natsit. Noli erdhi 

         *Një shumicë Shqipëtarësh asi kohe nuk e kishin kuptuar mirë se ç’ishin dhe e quajin vetën “Grekë” dhe “Turq”!

n’Amerikë me 1906 nga Misiri, dhe Natsi kish ardhur këtu nga Shqipëria pakë kohë më parë, i cili shkruante artikuj dhe shtypte gazetën. 

         Pas shpalljes së Hurrietit ne Korrikun 1908, guverna turke e la të lirë për pakë kohë shtypin shqip në Shqipëri, po pakë më von Xhon-Turqit u-treguan aqë tiranë kundre Shqipërisë sa dhe të parët e tyre. 

         I gëzuar nga ajo liri e shkurtër e shtypit ne Shqipëri, Sotir Peci u-shkrojti letrë nga Shqipëria shokëve të tij ne Boston që t’a pushojin botimin e gazetës, natyrisht ata vepruan si pas deshirës së tij dhe ashtu në funt të vitit 1908 u-mbyll “Kombi”. Letra e Sotir Pecit u-botua ne numërin e fundit të “Kombit”, e cila midis të tjerave thosh dhe këto:

         “Puna tani iku nga vendet lark Shqipërisë dhe hyri brënda; këtu është për të punuar … Shqipëtarët e jashtmë munt të kenë gazetat e brëndëshme dhe të bëjnë detyrën e tyre patriotike dyke ndihmuar punëtorët e brëndeshmë…”

         Po punët nukë vanë mbarë në Shqipëri siç i endëronte Sotir Peci, se Turqit e Rinj e ndryshuan politikën dhe vazhduan udhën e të parëve të tyre si armiq shekullorë të Shqipërisë. Fjala popullore shqip thote: “Ujku ndërron qimen po jo lekurën”. Ashtu, pra, guverna turke i vuri prapë fre të fortë shtypit shqip. Ahere u-pa nevoja për botimin e një gazete kombëtare jashtë Shqipërisë. (Ka dhe me).

         Pas mbylljes së “Kombit” në Boston, u-mbyll dhe Revista ALBANIA që dilte në  London (më parë në Bryksel). Munt të shënoj këtu se “Kombi” u-mbyll dhe u-harrua, si shumë fletë popullore te tjera, po është fakt se me botimin e asaj gazete Sotir Peci ndezi ndienjat e shqipëtarësisë n’Amerikë.                     

Filed Under: Histori Tagged With: Refat Gurrazezi-Emigrantet e pare-Shqiptare ne Amerike

I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

October 7, 2019 by dgreca

-Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019/

-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Tetor 2019/ Dialogu me Serbinë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës do jetë një sfidë e Kuvendit e Qeverisë së re kosovare të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019.

Para 14 viteve,  pikërisht ishte 6 Tetori 2005 kur Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej si vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

 Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur para më shumë se 11 viteve – në 17 Shkurtin historik 2008, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende. Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federates me të drejtë vetoje, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

Në një kumtesë dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në 4 tetor 2019 bëhej e ditur se “Presidenti Donald J. Trump ka shprehur sot qëllimin e tij për të emëruar këtë individ në një post kyç në administratën e tij:

Richard Grenell nga Kalifornia, që të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë”.

NGA ARKIVI-6 TETOR 2005: PRESIDENTI RUGOVA ME GRUPIN NEGOCIATOR: KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

PRISHTINË, 6 Tetor 2005-QIK – I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon, tha sot Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pas takimit me Grupin negociator për statusin, në rezidencën e tij në Velani.


Presidenti Rugova takimin e quajti të frytshëm, konstruktiv e miqësor, ndërsa tha se kanë biseduar për planin operativ të funksionimit të delegacionit të Kosovës, për dokumentet e ndryshme që do të aprovohen.

“Natyrisht do të kem një dozë të besueshmërisë të një diskrecioni sepse është delegacion shtetëror dhe për gjëra të rëndësishme do t’ju njoftojmë”, tha Presidenti. “Ne do të vazhdojmë punën mbi këtë plan apo skicë të punës të delegacionit të Kosovës.

Përcaktimi ynë dhe vullneti politik i popullit është pavarësia e Kosovës, pra këto biseda janë për pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë edhe të gjithë ne insistojmë për një njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovë që do të ishte edhe më e lehtë sepse do ta qetësonte popullin tonë edhe këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, u shpreh pas takimit Presidenti Rugova.

Ai bëri të ditur se Grupi, për çdo rast, po përgatitet, dhe se të gjithë janë dakord që nëse fillon zgjidhja e statusit në rrugë ndërkombëtare, nëpërmjet negociatave, atëherë, delegacioni do të jetë “i gatshëm, i aftë dhe i përgatitur”, ta udhëheqë Kosovën drejt bërjes së pavarësisë.

Pyetjes nëse mund të ketë kompromis rreth statusit të Kosovës, Presidenti Rugova u përgjegj në mënyrë kategorike, duke thënë: “Kompromis për Kosovën është pavarësia e saj dhe ky është optimum i gjithë shqiptarëve në rajon, andaj nuk kemi kërkuar një bashkim me Shqipërinë që do të krijonte probleme të reja. Prandaj një Kosovë e pavarur do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, nënvizoi Presidenti Rugova, duke ripërsëritur bindjen e plotë se nuk ka shteg tjetër veç pavarësimit të vendit.


Ndërkaq në pyetje tjetër nëse grupi do të ketë platformën për bisedime, Presidenti është përgjigjur qartazi: “Ne platformen e kemi dhe ajo është pavarësia. Neve na duhet operacionalizimi i punës së këtij grupi apo delegacionit të Kosovës nëse do të ketë biseda për pavarësinë e Kosovës dhe të ardhmen e Kosovës. Ne insistojmë në njohje të drejtpërdrejtë dhe ajo pakoja përcjellëse që do të ketë pavarësia e Kosovës”, tha Presidenti Rugova.


Kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci, sukses më të madh e ka quajtur që Grupi Negociator, apo siç e quajti ai, pesëshja dhe koordinatori i grupit, “janë absolutisht në një frekuencë”.


“Ky delegacion i Kosovës do ta marrë mandatin në parlamentin e Kosovës dhe kufiri më i ulët siç e tha Presidenti është pavarësia e Kosovës”, tha Daci. Ai theksoi se çdo gjë do të rrjedhë nëpërmjet Parlamentit, ndërsa deputetët do të informohen për punën e delegacionit. Delegacioni do t’ia japë mendimet dhe udhëzimet e veta koordinatorit, i cili pastaj mendimet profesionale i sjell, dhe pas miratimit nga delegacioni i Kosovës, ato bëhen publike edhe për parlamentin”.


Lideri i PDK-së Hashim Thaçi u shpreh se delegacioni i Kosovës duhet të prezantojë fuqinë politike të partive politike në Kosovë, duke shtuar se çdo dokument i delegacionit në mënyrë konsensuale dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës duhet të fuqizohet dhe të institucionalizohet, dhe pastaj të prezantohet edhe në raport me ndërkombëtarët.


“Besoj se javën e ardhshme do të jemi së bashku edhe në parlamentin e Kosovë sashtu siç jemi zotuar se do ta ruajmë atë unitet të qëndrueshëm për rikonfirmimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Thaçi.


Ndërkaq lideri i ORA-s, Veton Surroi tha se platforma e grupit është e qartë. “E ka pikënisjen, e ka pasur dhe do ta ketë për pavarësinë. Eshtë një elaburim më i gjatë, i cili ka konsensus të plotë dhe duhet të paraqitet në Kuvendin e Kosovës. Si i tillë bëhet obligues për çfarëdo procesi negociator”, tha Surroi.

CLINTON PARA DHJETË VITEVE NË KOSOVË TREGOI SE SI RUGOVA KËRKOI NGA AI TË NA NDIHMOJ

Ne 20 vjetorin e Lirisë – ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë, në Prishtinë ka qëndruar ish-Presidenti i Amerikës, Bill Clinton. Kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, ndërsa një vizitë shtetit për të cilin kontribuoj për liri dhe pavarësi Clinton e pati edhe në vitin 2009.

Presidenti i 42-të amerikan, kur erdhi në nëntor të vitit 2009 mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, teksa përshëndetjen e nisi duke ndarë një kujtim që kishte me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.“Dua ta përkujtoj ish-Presidentin Rugova, i cili ishte një njeri i shkëlqyeshëm. Kuj­toi dhuratën që ai më ofroi, një gur unik, gjysmë kristali. Ishte ky gur që u bë i njohur edhe në Shtëpinë e Bardhë, si “Guri i Rugov­ës” në kohën që merreshim me problemet e Kosovës… Presidenti Rugova më dha këtë kristal të bukur. Unë ia shpjegova atij se jam rritur në një vend që në aspektin gjeologjik ngjan me Kosovën. Meqë vendlindja ime, Arkanzasi, ishte burimi më i madh i krista­leve të papërpunuara. Kur ia tregova Presidentit Rugova, atëherë ai tha se: – Ti duhet të na ndihmosh, meqenëse kemi një pikë të përbashkët, sepse është fati i tillë” – kujtonte Presidenti Amerikan Clinton këtë episod me Presidentin Historik të Kosovës.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-I vetmi kompromis-Pavaresia e Kosoves

SHKODRA, MALËSIA E MADHE DHE MIRDITA

October 5, 2019 by dgreca

Trinia e shenjtë e trevave veriore /

Nga KOLEC P. TRABOINI/ Kur je mirditor je ndopak shkodran, por kur je malsor nuk mundesh mos me kenë –  e nisa kësisoj, me një lloj aforizme që më lindi në krye të këtij shkrimi, sepse ka njerëz në këtë botë shqiptare, që si dje, sot e pse jo edhe nesër, flasin e do të flasin si t’u vijë mideja, stomaku apo oreksi, shpreheni si të doni këtë fenomen degradues. Duke qenë lokalistë të sëmure, disa nxjerrin në sipërfaqe të llomotitjeve moçalore virtuale veç eksese në marrëdhëniet ndërkrahinore. Merren me ngjarje të vogla, sipërfaqore,  pa asnjë peshë në jetën e një kombi  dhe u japin konotacione negative historike. Ka plot të tillë dhe janë shtuar në mënyre të mnershme. Duket që dikush, nga jashtë në këto treva ilirike, derdh miliona euro-dollarë në xhepat e plëngprishësve për ti parë shqiptarët si një popull nomad, një popull i armiqësuar mes vedit, që për këtë shkak nuk dinë as të vetëqeverisen. E ka thënë dikur Kol Jakova, shkrimtari shkodran që me keqardhje them se sot nuk e kujton askush,  “Parja e huaj e shkreta”. Mirëpo dikujt, në aleancën e shtriganëve antishqiptarë,  e vërteta e mirëkuptimit mes shqiptareve u prish punë, sepse ajo është si një kandil drite në terrinën ku ndodhemi, jo nga dëshira por nga prapambetja. Se në të vërtetë ende jemi në errësirë, kryekreje në errësirën e mendjes mbetur peng i haraçeve të së kaluarës. Kur të nisësh të presësh dru në pyll, sopatën kape mirë nga bishti, e jo, siç ndokush mbrapsht na mëson. Kësisoj di të them se eksese ka në çdo bashkësi në botë, por kurrkush nuk e tipizon një popull a një komb me këto. Nuk ka stive pa një dru të shtrembër, natyrisht. Nuk ka pyll pa derra thotë populli. Dhe kot nuk e thotë. Edhe brenda një familje, e jo ma në mes të dy krahinave, të mos ketë ndodhi të papëlqyeshme. Por me çfarë di e me çfarë kam pa e ndigju, ma shumë ngatërresa ka pas mes vetë shkodranëve të qytetit, vendalive pra, se sa shkodranëve e mirditorëve, që përkundrazi, Shkodrën e kanë pas si qytetin e vet shpirtëror, krenaria e mbarë veriut e me gjërë. Edhe legjenda e zezë e ngritur për tradhti të Markagjonëve ndaj Dedë Gjon Lulit, që dikush e pompon zhurmshëm edhe sot e kësaj dite,  është diç më shumë se një mentalitet krahinor, është një manipulim historik. Nuk dua ti hyj hollësive, por të them ma të qenësishmen. Dihet në interes të kujt krijoheshin këto stigmatizime historike; që krahinat e Veriut të ishin të përçara dhe të mos kishin qëndresë përballë  murtajës së zezë a të murtajës së kuqe. Pastaj, kryekreje tradhtinë ma të madhe dhe vrasjen e Dede Gjon Lulit e bëri Europa, ajo kurvë plakë, historiko-histerike (nuk dua ta aktualizoj të kaluarën, por ndërgjegjja duhet të vazhdojë ta vrasë), që pa asnjë motiv e pa asnjë arsye historike e ndau Hotin përgjysmë. Vrau krahinën që për trimëri e urti ishte në ballë të kuvendeve shqiptare të Malësisë së Madhe. E preu në mes Malësinë për të mekun qëndresën e shqiptarëve.  Sot kalamenden shumë për Francen, kinse të na mbushin mendjen se jemi popull frankofon e jo viktimë e pamëshirës së saj,  por historia që na djeg nën lëkurë na tregon se ajo ishte kryekurva. Me misionin e perversitetit politik, Franca ishte mentoria e serbëve, vrasësve të popullit shqiptar. Prandaj të mos ngulmojmë të kërkojmë armiq mes vetes vend e pa vend, por të gjejmë motive në histori që na njëjtësojnë si popull e si komb. Të mos e ndajmë nga mendja mendimin se, Bashkimi Shqiptar mund të jetë sot një ide e cila duke u ushqyer me atdhedashuri në mënyrë të përditshme, bëhet dëshirë përvëluese e duhet ta mbajmë në gjoks siç mbahej dikur prushi në hi për të bërë zjarr të nesërmen. Në këto troje kështu kemi bërë që në kohët e lashta pellazgjike e të vazhdojmë ta mbajmë vatrën bashkimit kombetar ndezur. Dikush do të thotë nuk duam zjarr e prush po duam me pa botë me sy se po lëbyremi nga shkëlqimi i huaj. Le ti mbajmë e harmonizojmë të dyja këto dëshira. Hebrenjtë e ndërtuan shtetin e Izraelit së pari në mendjet e zëmrat e veta për 2500 vjet, hapërda nëpër tërë skajet e botës, nëpër ëndërrime brezash,  nëpër travaja e lotë gjaku, deri sa erdh çasti fatlum, i cili të shfaqet nëse këmbëngul në kërkim e përkushtim të pa trandur.   Mendjet e kthjellëta, me zemër kombëtare e dashuri për vendlindjen, duhet të dinë të ndajnë të mirën nga e keqja historike, të dobishmen nga e dëmshmja. Se që ta kthjellojmë mendimin, brenda krahinës së të parëve të mi, Hot, edhe për këtë bash të trimërisë e të besës malësore, dalin shpifës të përjargur që thonë se kinse Gjergjin, djalin e vogël të Dedë Gjon Lulit, nuk e kanë vra turqit në luftën e Tuzit, por e kanë qëlluar të vetët prapa krahëve. E dihet mirë se ku po u rreh çekani këtyre sajuesve të historisë sipas stilit komunist hoxhist në Shqipëri apo shovenist titist në ish Jugosllavi. Ka plot sajesa të tilla, ka plot njerëz që, për paret e huaja të shkreta apo nga terrina e mendjes, përhapin në popull histori që na ndajnë e na përçajnë sa me ju dhimbtë gurit e drunit. “Kjoft mallkue kush qet ngatërrime/ ndër kta vllazen shoq me shoq, /kush e ndan me fjal e shkrime,/ çka natyra vetë përpoq”- shkruante i madhi Ndre Mjeda. Nuk mbetet veç të them, Amen! Si konkluzion i natyrshëm mund të them se ka qenë fat i madh për Shkodrën si qytet, që ka pas shpatulla të mbrojtura nga Malësia e Madhe e deri në Dukagjin e Nikaj Mërtur dhe krejt afër nga Mirdita. Fat historik jetik e shpëtimtar, për të cilin fjalët e mirënjohjes duhej të shkruheshin në një monument me gërma të arta. Ka 2500 vjet që Shkodra mbijeton si mbretëreshë, falë maleve që i rrinë si një aureolë lavdie e përjetshme. Tetor 2019

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Histori Tagged With: Kolec Traboini, Kolec Traboini-Shkodra-Mirdita-Malesia e Madhe-Trinia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 251
  • 252
  • 253
  • 254
  • 255
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT