• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Altari i paqes…

August 4, 2025 by s p

Prof. Ardian Ndreca/

Ara Pacis (altari i paqes) asht nji ide që ka lind prej mendjes së perandorit August mbas fushatave të suksesshme kundër galëve, mbas paqtimit të Hiberisë dhe konsolidimit të atij që quhet “shekulli i artë”.

Nuk bahet fjalë për nji paqë dosido por për “paqen romake”, nji koncept juridik kompleks që synonte krijimin e nji ekuilibri botnor. Ara Pacis asht përurue në vitin 9 p.Kr. në Fushën e Martit, asokohe fushë stërvitje e ushtrisë romake në pjesën veriperëndimore të qytetit të Romës. Së dyti monumenti që mban mbrenda Ara Pacis, vepër e Ballio Morpurgo, asht inaugurue prej Mussolini-t në vitin 1938, ndërsa në vitin 1996 arkitekti amerikan Richard Meier ngarkohet me ba projektin e sotëm, i cili asht përurue në vitin 2006.

Monumenti hijeshohet prej mbishkrimeve në travertin të Res Gestae, domethanë të bamave të Augustit, apo bilancit historik të mbretnimit të tij – vepër që ai e pat përfundue në moshën 75-vjeçare, mbas 41 viteve sundim. Mbishkrimi që shohim sot asht realizue në vitin 1938, kurse teksti i Res Gestae asht fryt i punës filologjike e historike që disa studiues përfunduen me sukses në fund të shek. XIX falë gjetjeve të tri epigrafeve greqisht e latinisht në Ankira (Ankaraja e sotme) dhe në dy site tjera arkeologjike. Madje, në bazamentin e njenit prej atyne epigrafeve kishte edhe nji shembëlltyrë të Augustit me familje gjatë ndejes së tij në rini në Apolloni, ku e gjeti madje edhe lajmi i vrasjes së ungjit të tij Jul Cezarit.

Me Augustin u vorrosën përfundimisht idealet republikane, megjithatë ai si “princeps” (princ) ia njihte vetes autoritetin por jo pushtetin mbi senatin, gja krejt e pamjaftueshme për me justifikue atë që kishte ba.

Ia vlen me e pa muzeumin e sotëm të Richard Meier-it, nji hapsinë plot dritë që nuk e shkëputë kontaktin pamor me botën e jashtme, por izolon monumentin prej çdo zhurme, tue na ba me ndie vetvetijshëm se pa dëshmitë historike të së kaluemes ne nuk jemi asgja.

Filed Under: Histori

“PISHTARI I DEMOKRACISË” KRISTO LUARASI NDEROI KOLONJËN DHE NDRIÇOI SHQIPËRINË

August 1, 2025 by s p

Shpendi Topollaj/

Edhe sikur me rezerva ta pranonim teorinë e Çezare Lombrozos, përsëri nuk do të vinim aspak në dyshim se te figura imponuese e Kristo Luarasit, fytyra e pastër burrërore, me ata sytë e zjarrtë që lëshonin shkëndija, do të mjaftonte për të na bindur se ndodhemi para një njeriu të shquar, ku kultura e lartë dhe atdhetaria prej rilindasi të vërtetë, janë tiparet themelore të tij. Është një çudi ngazëlluese fakti se shumica e intelektualëve shqiptarë të asaj kohe, mes tyre dhe ata kolonjarë, për të mos thënë, sidomos ata kolonjarë, edhe pse nuk kishin dëgjuar për devizën e Jorgo Luis Borgesit se “Të jetosh nuk është e rëndësishme, të lexosh dhe të shkruash po”, përsëri, përhapjes së shkrimit dhe këndimit të gjuhës shqipe i kushtuan gjithë forcat e trupit, mendjes dhe shpirtit të tyre. Ishte një moment i vështirë historik që edhe pse të parët tanë, sipas Karl Treimerit ishin krijuesit e kulturës së karakterit të lartë evropian, përsëri, siç shprehej akademiku Antonio Baldacci “Evropa plakë ka shtrënguar në dorën e saj degën e fundit të mbetur gjallë të atij trungu ilir që na ka mbërritur trashëgim nga prehistoria: shteti shqiptar po del në dritën e diellit pas më shumë se dymijë vjet braktisje… kur shfaqet në horizontin diplomatik pavarësia e Shqipërisë, shtypi i të bashkuarve në koalicion mohoi ekzistencën e popullit shqiptar, dhe kur iu kthye realitetit e konsideroi një popull banditësh me cilësi më të këqija që mund të imagjinohen.

Ky shtyp vuri në qarkullim epigramin e mësuesit që pyeti nxënësin se cilët janë kufijtë e Shqipërisë, ku nxënësi u përgjigj se do të pyeste fuqitë e mëdha.” E si mund të rrinte sehirxhi para kësaj rrëmuje delikate dhe plot me të papritura për të ardhmen e kombit, Kristua, nxënësi i mençur i Petro Ninit në Hotovë që kishte hapur më 1887 në Ersekë, njësoj si në Korçë, pra në të njëjtin vit, shkollën e parë shqipe dhe po ashtu, nxënësi i Nikolla Naços në Bukuresht? Tani që mes të rreziqesh të mëdha që kishin kushtuar edhe jetë njerëzish, shkronjat pak e nga pak po hynin në ndërgjegjen dhe mendjen e popullit, eruditi Kristo Luarasi, alias Kristo Papa Stefan Kici e kuptoi nga të parët rëndësinë e fjalëve të ithtarit të Lukrecit, Senekës e Plutarkut, Michel de Montaigne se “Është e mundshme që prej dijes së të tjerëve të bëhemi të dijshëm. Të mençur bëhemi vetëm përmes vetes”, ndaj iu fut një pune mjaft të mundimshme për të ngritur atë shtypshkronjën legjendare “Mbrothësia” të cilën pas vdekjes së tij, më 8 korrik të vitit 1934, i biri, Theodhori e pagëzoi aq bukur “Kristo Luarasi”. Sot, kur vetëm në Tiranë ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhjetra e dhjetra shtëpi botuese e shtypshkronja, prej nga dalin libra gjithfarësh dhe jashtë çdo vigjilence të mbrapshtë, kur kompjuterat, celularët, radiot, televizorët, telefonat, rrugët e automjetet kanë mbuluar vendin, brezi i ri as që mund ta përfytyrojë se çfarë heroizmi mbante brenda vetes lufta për fjalën e lirë apo shpërndarjen e kulturës. Dhe këtë luftë epike, ku kultura konvertohej në dashuri për atdheun dhe ndërgjegjësim për t`i dalë zot atij, Kristo Luarasi me shokë e fituan, duke e mbuluar veten me lavdi.

Kanë folur për heshtjen mizore e diabolike të diktaturës komuniste ndaj veprës së këtij luftëtari të dijes, për të cilin kolonjari tjetër, publiçisti dhe demokrati i shquar, bashkëpunëtori i tij Shahin Kolonja ka thënë se “Kontributi i Kristos për çështjen shqiptare është më i vlefshëm se kontributi i të gjithë emigrantëve së bashku.” E pra, tani më shumë se kurrë është momenti që ta lartësojmë figurën e atij që kudo që shkoi, në Bukuresht, në Sofje, në Selanik apo në Tiranë e merrte shtypshkronjën me vete. Atë që ua solli të freskëta fjalët dhe veprat e Frashërllinjve, De Radës, Naun Veqilharxhit, Athanas Tashkos, Fan Nolit, Hil Mosit, Bajo Topullit, Mihal Gramenos, Mehdi Frashërit, Sterio Spases, Haki Stërmillit, Milto Sotir Gurrës me shokë te gazetat e tij “Kalendari kombiar” (“Ditërëfenjësi’) së bashku me Kosta Trebickën, “L`independence albanaise”, “Lirija”, “Dituria”, “Drita”, “Lajmëtari”, “Liri e Shqipërisë”. Atë që nuk pa asnjëherë ndasi fetare a krahinore mes shqiptarësh. Atë që me zgjuarsi zgjodhi të botojë kryevepra nga letërsia përparimtare botërore të autorëve emërmëdhenj si Hygo, Balzak, Duma, De Foe, Dode, Tolstoi etj. Atë për të cilin u tha kur mbylli sytë se “përhapi fjalën e drejtë, mbolli farën e mirë, jo vetëm në Shqipëri, por tekdo që gjendej një shqiptar, në të gjithë qytetet e të gjerës Imperatori Otomane, në viset e largëta të të dy Amerikave, gjer në çipat e ngrirë të Siberisë e në shkretëtira të përvëluara të Afrikës.” (M. Frashëri).

Atë, të cilin e deshën edhe ata që nuk e patën takuar ndonjëherë. S`duhet harruar dhe vazhdimi i punës nga djali i tij Theodhori dhe gruaja e nderuar Polikseni që ashtu si bija mitologjike e Priamit dhe Hekubës që i qëndroi besnike Akilit dhe qytetit të saj Trojës, iu përkushtua me aq pasion asaj shtypshkronje që u shtetëzua nga komunistët fill pas çlirimit. Ndaj, kam bindjen se nderimi më i madh që u bëhet atyre është botimi aq luksoz i Kalendarit, nderim që i bëhet edhe vetë historisë dhe kulturës tonë. Njëkohësisht ai sikur na kujton apelin e mikut të shquar të shqiptarëve, Justin Godart që në kohën e Kristo Luarasit i drejtohej qeverisë së tij: “Vendi ynë, pa asnjë ngurrim ose mëdyshje, duhet t`i japë vendosmërisht të gjithë përkrahjen Shqipërisë… Nëse do të duam, Shqipëria do të jetë në Ballkan një element stabiliteti dhe përparimi… Është një vend i nderit, i miqësisë dhe i besnikërisë ndaj zotimeve që merr.” Ja, për këtë u përpoq me të gjitha forcat kolonjari i pavdekshëm Kristo Luarasi, “Pishtari i Demokracisë” që nderoi Kolonjën dhe ndriçoi tërë Shqipërinë.

Filed Under: Histori

Tezat që ndërtuan harresën për Çamërinë

July 31, 2025 by s p

Teza # 3

“Çamët u larguan vetë”

Kur viktima akuzohet për arratisjen nga vrasësi.

Një nga pretendimet më të përhapura në narrativën zyrtare greke është se çamët nuk u dëbuan, por u larguan vetë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të “konflikteve” dhe “klimës së pasigurisë”.

Kjo është më shumë se një shtrembërim i historisë – është një akt i dytë dhune mbi viktimën: përveç se i masakruar dhe i dëbuar, ai shpallet fajtor për vetë përzënien e tij.

Por kjo tezë është jo vetëm historikisht e rreme, por edhe moralisht çnjerëzore.

Masakra dhe dëbimi – e vërteta historike

Në verën e vitit 1944, forcat nacionaliste greke të EDES-it, të komanduara nga gjenerali Napolon Zerva, ndërmorën një fushatë sistematike spastrimi etnik në rrethinat e Filatit, Paramithisë, Margëlliçit, Gumenicës dhe kudo në Çamëri të banuara nga shqiptarët myslimanë të Çamërisë.

* Sipas raporteve britanike të misionit ushtarak në Epir (Field Report, 1945), masakrat ndaj popullsisë civile ishin të koordinuara dhe me urdhër: “Fshatrat u dogjën, civilët u masakruan, gratë u përdhunuan. Dëbimi i çamëve nuk ishte reagim i popullit, por një veprim ushtarak i organizuar.”

* Raporti i UNRRA-s (Agjencia Ndërkombëtare për Ndihmat e Kombeve të Bashkuara) evidenton se: “Rreth 28.000 shqiptarë myslimanë janë dëbuar me forcë drejt territorit shqiptar, në gjendje të mjerueshme.”

* Ndërsa në dhjetor 1945, shqiptarët çamë të mbijetuar formuan në Shqipëri Komitetin Antifashist të shqiptarëve të Çamërisë, i cili në kërkesat zyrtare drejtuar misioneve aleate kërkonte:

– Kthimin në trojet e tyre

– Dënimin e autorëve të masakrave

– Kthimin e pronave dhe të drejtave të tyre si shtetas grek.

Nëse çamët “kishin ikur vetë”, pse do të organizoheshin politikisht për t’u kthyer menjëherë pas luftës?

Largimi nën dhunë është dëbim dhe përbën krim ndërkombëtar

* Në të drejtën ndërkombëtare, çdo zhvendosje e detyruar e një popullsie për shkak të dhunës, përkatësisë etnike ose fetare konsiderohet krim kundër njerëzimit (Statuti i Romës, Konventa e Gjenevës).

* Të thuash “u larguan vetë” është një ndryshim qëllimshëm i termit për të mohuar krimin dhe për të fshirë përgjegjësinë e autorëve.

Përdorimi i kësaj teze justifikoi konfiskimin e pronave

* Pas dëbimit, shteti grek shpalli pronat e çamëve “të braktisura” dhe i konfiskoi përmes ligjeve të posaçme.

* Në fakt, pronarët ishin gjallë dhe kërkuan kthim, por nuk u lejuan të rikthehen dhe u trajtuan si “armiq të shtetit”.

* Gjyqi në Janinë në vitin 1945–1946, ku u dënuan në mungesë 1,930 çamë, ishte mjeti për ta bllokuar ligjërisht çdo kthim apo kompensim.

Teza e mohimit: shpifje për të shuar kujtesën

Pretendimi se “çamët u larguan me dëshirë” është një strategji e mirëfilltë e mohimit të krimeve, e ndërtuar për të shmangur çdo përgjegjësi morale dhe ligjore nga autoritetet greke. Kjo tezë u përhap që në vitet 1950 dhe më pas u përdor:

* Për të justifikuar konfiskimin e pronave çame

* Për të penguar rikthimin e tyre

* Për të shuar çdo ndjenjë faji në shoqërinë greke

* Për të krijuar një narrativë zyrtare që fshin historinë reale

E vërteta është: Çamët nuk ikën vetë. U përzunë. U masakruan. U vranë në oborret e shtëpive të veta duke i lënë pa varre.

Historia njërëzore nuk njeh asnjë ikje masive nëse mbi të nuk kryhen akte ç’njerëzore me qëllim spastrimin etnik ose nëse nuk ka katastrofa natyrore. Në Çamëri ndodhi spastrim etnik i mirëmenduar prej shumë dekadash dhe i realizuar në fund të luftës së dytë botërore.

Alket VELIU

Filed Under: Histori

THE HORN BOOK MAGAZINE (1928) / ELIZABETH CLEVELAND MILLER : “ZBULIMI IM I SHQIPËRISË DHE FËMIJËT QË NDIHMOVA NËPËRMJET KRYQIT TË KUQ…”

July 30, 2025 by s p


Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29
Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Korrik 2025

“The Horn Book Magazine” ka botuar, me 2 maj 1928, në faqet n°22 – 29, rrëfimin asokohe të Elizabeth Cleveland Miller (punonjëse e mirëqenies së fëmijëve dhe autore librash për fëmijë në Shtetet e Bashkuara) mbi punën e saj me Kryqin e Kuq në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zbulimi im i Shqipërisë

Nga Elizabeth Cleveland Miller

(Znj. Miller shkroi “Children of the Mountain Eagle”, një libër i jashtëzakonshëm i botuar nga Doubleday, Doran, në vjeshtën e vitit 1927.)

Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29
Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29

Si të gjitha përvojat e këndshme, të rëndësishme dhe të paçmueshme, Shqipëria më ndodhi krejt rastësisht. Në verën e vitit 1919, isha me pushime në Paris nga puna ime me Ushtrinë e Pushtimit dhe hasa rastësisht kreun e Njësisë së Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili, çuditërisht, ishte një mik i vjetër i imi në Amerikë. Trupat e luftës së shpejti do të largoheshin nga Gjermania dhe e ndjeva veten të gatshme për angazhim në çdo cep të botës, kështu që disa muaj më vonë u gëzova shumë kur mora një telegram që më kërkonte të vija në Shkodër, Shqipëri, dhe të bëja punë për mirëqenien e fëmijëve. Isha trajnuar dhe me përvojë në punën me fëmijët dhe kisha punuar me ta për gati dhjetë vjet në Nju Jork, kështu që isha e lumtur që u ktheva përsëri në këtë lloj gjëje dhe veçanërisht e lumtur që shkova në një cep të largët dhe të panjohur të tokës.

Në vjeshtën e vitit 1919, zbarkova në qytetin e Shkodrës dhe në më pak se njëzet e katër orë kuptova se sa me fat isha. I dua gjërat primitive, unike dhe të paprekura, dhe ja ku ishte Shqipëria veriore mezi e dalë nga kthetrat e Turqisë, e cila e kishte izoluar për shekuj me radhë nga ndikimet evropiane.

Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29
Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29

Isha kthyer qindra vjet prapa në kohë. Vështirë se shihje ndonjë kostum evropian në rrugë. Shtëpitë e lyera me gëlqere dhe kopshtet me mure të larta ishin piktoreske orientale dhe askush nuk përdorte shtretër, karrige apo edhe tavolina, në kuptimin tonë të fjalës. “Qyteti i vjetër” i Shkodrës ishte i mbushur me dyqane të vogla të errëta, ku burrat rrinin këmbëkryq duke bërë gjërat që shisnin. Dita e tregut ishte një shkëlqim ngjyrash dhe rrugët e sheshet ishin të mbushura me njerëz të veshur me kostume të njëqind fiseve dhe fshatrave të ndryshme. Aty ishin malet djerrë dhe madhështorë që rrethonin qytetin dhe liqenin, gjilpërat e holla të minareve dhe kambana e një katedraleje të kryesuar nga një kryepeshkop, selia e të cilit ishte vendosur që në ditët e hershme të Kishës.

Këtu më ulën dhe më thanë të vazhdoja dhe të bëja çfarë të doja. Unë bëra një “sondazh”. Gjeta shkollat – dhe kishte shkolla ! – plot me radhë të rregullta me fëmijë të pastër dhe të lumtur. A ishin këta fëmijët që unë kisha ardhur për të ndihmuar ? Unë nuk doja ta besoja. Ku ishin ata që kishin vërtet nevojë ? I gjeta. Disa ishin në rrugë me lecka të mbushura me parazitë, duke lypur ; disa jetonin si kafshë në baraka gjysmë të rrënuara buzë qytetit ; disa mbaheshin në shtëpitë e tyre të mjerueshme sepse këmbët zbathur, rrobat e grisura dhe sëmundjet e lëkurës nuk lejoheshin në shkolla, dhe nuk kishte agjenci vendase në një vend të prapambetur për t’i ndihmuar këta fëmijë të riktheheshin në shëndet dhe jetë normale. Dhe disa prej tyre po ndiqnin shtigjet për në Shkodër nga fshatrat e tyre të djegura dhe të rrënuara në kufirin serb. Sepse lufta nuk mbaron kurrë në Ballkan. Serbia, Italia dhe Greqia po gllabëronin skajet e Shqipërisë gjatë gjithë kohës që isha atje.

Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29
Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29

Të gjithë këta fëmijë ishin të uritur, të reckosur, të infektuar me parazitë dhe… të bukur. Tiparet dhe trupi i tyre ishin jashtëzakonisht të mirë, duke i dalluar jo nga një racë fshatare, por nga një racë malsore – një racë që, për breza me radhë, i kishte sfiduar pushtuesit dhe i kishte ruajtur kodrat e tyre të pamposhtura për veten dhe fëmijët e tyre.

Gjërat në Ballkan ecin ngadalë. Njerëzit premtojnë dhe nuk i përmbushin detyrat. U deshën gati gjashtë javë para se të gjeja dhe të pajisja një vend të vogël ku këta fëmijë mund të mblidheshin së bashku çdo ditë.

Nuk do ta harroj kurrë hapjen e këtij “Kopshti të Fëmijëve”, siç e quaja në fillim. Pjesa tjetër e njësisë ishte mjekësore dhe unë isha vetëm në punë, përveç ndihmës vendase. Ditën e parë kishim pesëdhjetë fëmijë, të të gjitha gjinive, madhësive dhe moshave ; pastaj të dielën e parë, çdo prift në Shkodër mori urdhër të predikonte kundër nesh nga vetë Kryepeshkopi, i cili mendonte se kisha ardhur për të protestanizuar Shqipërinë ; dhe të nesërmen kishim pesëdhjetë fëmijë të tjerë dhe portat tona u rrethuan për javë të tëra.

Ishte komike dhe tragjike njëherësh. Vështirësitë thjesht nuk ishin të pakapërcyeshme. Vendi ku planifikoja të vishja, ushqeja, kuroja – përmes farmacisë aty pranë – dhe në përgjithësi të civilizoja me punë dhe argëtim një grup tre herë më të madh ishte qesharake ; nuk kishte fare hidraulik, e megjithatë çdo fëmijë duhej të lahej sapo hynte ; asnjë ndihmës i trajnuar, e megjithatë kuzhinieri, shërbëtorja dhe asistenti duhej të fillonin të funksiononin menjëherë ; asnjë përkthyes i mirëfilltë, e megjithatë unë duhej ta kuptoja dhe ta bëja veten të kuptueshme. Kisha një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare që fliste një grimcë gjermanishteje pak më pak “pidgin” se imja. Është zbavitëse të kujtoj këto vështirësi tani, por gjithçka ishte tmerrësisht serioze atëherë.

Megjithatë, gradualisht kjo gjë mori formë dhe fillova të kuptoja se çfarë po bënim. Po i merrnim fëmijët e rraskapitur të qytetit dhe po i shndërronim në qenie të shëndetshme, të pastra dhe të lumtura – të cilët i përkisnin – ku ? shkollave të tyre amtare.

Në një punë të tillë është shumë e lehtë të joshësh fëmijët nga shkollat e tyre amtare, dhe unë kisha qenë shumë e kujdesshme për të refuzuar fëmijët që ishin ose duhej të kishin qenë të pranishëm në shkollat e tyre. Tani, larg shterrimit të këtyre institucioneve amtare, isha në gjendje t’i ushqej ato, dhe bëra rregullime për të “diplomuar” disa nga fëmijët e mi në sistemin e qytetit. E quaja shtëpinë time “Shtëpia e Pastrimit për Fëmijë” dhe, sapo ndonjë fëmijë “normalizohej” ne e regjistronim në shkollat e qytetit dhe e mbanim nën vëzhgim, dhe shpesh vazhdonim ta ndihmonim me ushqim dhe veshmbathje. Kështu, ne mund të pranonim anëtarë të rinj nga turma në portat tona dhe ta shtrinim ndihmën tonë mbi një numër gjithnjë e më të madh të këtyre fëmijëve të varfër. Për më tepër, ndjeva se me këtë proces të vazhdueshëm rimëkëmbjeje po bënim për fëmijët e qytetit atë që vetë qyteti, përmes varfërisë dhe prapambetjes, nuk ishte në gjendje ta bënte, dhe për këtë arsye ne po justifikonim ekzistencën tonë si një institucion shoqëror.

Kështu që luftuam me trimëri dhe gëzim në ndërtesat tona të mbipopulluara për gjashtë muaj, pastaj gjithçka ndodhi menjëherë. Turma refugjatësh mbërritën nga lufta kufitare dhe një ultimatum erdhi nga Parisi : njësia mjekësore do të tërhiqej së shpejti, ndërsa puna ime do të vazhdonte nën drejtimin e Kryqit të Kuq për të Rinj.

Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29
Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29

Çfarë ndodhi ? Ëndrrat e mia u bënë realitet. Trashëgova përkthyesin më të mirë në njësi ; më dhanë leje të merrja me qira një shtëpi madhështore prej guri me kopshte dhe toka të bollshme, ku më dhanë liri të plotë për ta organizuar dhe mobiluar atë ; dhe, më në fund, asistentja ime e premtuar prej kohësh mbërriti nga Parisi dhe e përmbushi me plot fjalën misionin e saj.

Fëmijët tanë u pranuan në pothuajse trefishin e numrit të tyre të mëparshëm. Kur njësia u largua, kishim një infermiere të caktuar për ne, dhe ne vetëm. Një person i vlefshëm për të mbajtur llogaritë tona. Ne organizuam një shkollë verore madhështore me lojëra, klube dhe klasa, dhe në vjeshtë, regjistruam rreth 100 nga fëmijët tanë të “shëruar” në shkollat e qytetit. Pastaj i mbushëm më shumë se sa vendet bosh që linin dhe gjërat gumëzhinin në Shtëpinë e Fëmijëve. Pjesëmarrja jonë e përditshme ishte rreth treqind dhe unë dhe asistentja ime punonim me ta ; infermierja bënte shërime të mrekullueshme të kokës së lënduar dhe lëkurës së infektuar ; dhe vetë fëmijët lulëzonin mrekullisht, kërcenin dhe këndonin dhe punonin dhe luanin, dhe transformoheshin para syve tanë.

Shumica dërrmuese e fëmijëve tanë vinin nga një duzinë fisesh të ndryshme të maleve veriore, disa bij e bija të krerëve dhe luftëtarëve të famshëm, të gjithë viktima të urisë, varfërisë, hakmarrjes ose luftës. Ata rridhnin nga gjaku më i pastër dhe më krenar i një race të lashtë, dhe ndërsa zotëroja gjuhën, fillova të kuptoja lashtësinë patriarkale në të cilën ishin rritur.

Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29
Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29

Kur pata mundësinë, shkova në këmbë në zemër të maleve në veri dhe në lindje të Shkodrës. Atje pashë jetën e pabesueshme primitive nga e cila vinin fëmijët e mi. Atje përjetova atë shprehje tepër të bukur të shpirtit të tyre vendas – mikpritjen malsore, dhe vëzhgova sjelljet dhe ceremonitë që ishin të ndërthurura në aktet më të zakonshme të jetës. Atje pashë shpirtin njerëzor duke pohuar humanitetin e tij në mes të një mjedisi të papërpunuar në ekstrem – po, madje edhe shtazor.

Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29
Burimi : The Horn Book Magazine, 2 maj 1928, faqe n°22 – 29

Injoranca, bestytnia, mosbesimi ? Po, në mënyrë të pashmangshme ; por përkrah këtyre elementëve lulëzojnë në mënyrë madhështore besimi i mirë, besnikëria dhe ai guxim i palëkundur që i njeh sprovat dhe vdekjen si pjesë integrale të jetës.

Po gjakmarrja ? A do të habiteni nëse ju them se gjakmarrja bëhet nga ligji, nderi dhe besnikëria ? Një besnikëri e gabuar, sigurisht, por megjithë këtë – besnikëri. Ai nuk është një frikacak që vret me qetësi, duke e ditur se jeta e tij do të sakrifikohet për aktin e tij, ose më keq, atë të të birit. Jo, ai është një njeri që e vlerëson këtë gjë të çuditshme, “nderin”, më shumë se jetën – që e rendit të paprekshmen mbi ushqimin, pijen dhe frymëmarrjen e thjeshtë.

Nuk kam lënë vend për të treguar rreth librit tim dhe si është zhvilluar. Nuk evoluoi fare, sepse kur nisa ta shkruaja, gjithçka ishte aty. Përvoja të tilla janë rrënjë të mjaftueshme për çdo libër ; dhe jam e lumtur që fëmijët këtu që lexojnë për Borën dhe Marashin do të dinë diçka për jetën në ato vende të larta të paprekura ku jetesa e varfër nuk pengon ekzistencën e pasur të shpirtit.

Filed Under: Histori

Dhimitri i Farit – Greku që tradhtoi Teutën u bë mbret,  por dhe armik i Ilirisë

July 29, 2025 by s p

Studim nga Rafael Floqi

🇦🇱NFT e Dhimitër Fari(Tradhëtari i parë) Ilirë #AlbaniaCollectionNFT... |  TikTok

Dhimitri i Farit, një grek me origjinë nga kolonia helene në ishullin Far (sot Hvar në Kroaci), mbajti qëndrime të dyfishta gjatë konflikteve të mëdha të Ilirisë me Romën. Fillimisht i nënshtruar mbretit ilir Agron, ai sundonte Farin nga një fortesë strategjike mbi një liman të mbrojtur. Pas vdekjes së Agronit në vitin 231 p.e.s., dhe marrjes së pushtetit nga mbretëresha regjente Teuta, Dhimitri nisi të luante lojë të dyfishtë për përfitime vetjake.

Tradhtia ndaj Teutës dhe dorëzimi i Korkyrës

Në vitin 229 p.e.s., Teuta, duke ndjekur ambiciet e zgjerimit të Ilirisë, vuri në rrethim ishullin Korkyra (sot Korfuzin), që më pas ra në duart e saj dhe Dhimitri u vendos aty si komandant. Në vitin 229 p.e.s., duke vazhduar zgjerimin e pushtetit ilir që kishte filluar Agroni, Teuta sulmoi sistematikisht Isën, polisin e Korkyrës dhe Epidamnit. Lisi, Apollonia dhe Korkyra Nigra u kërcënuan të gjitha. Në një betejë detare pranë ishullit të Paksit, flota ilire, padyshim e komanduar nga Dhimitri, mundi aleatët Akejt dhe Etolianë. Si rezultat, Korkyrasit u detyruan të pranonin një garnizon ilir në qytetin e tyre, i cili u vu nën komandën e Dhimitrit.

Kur romakët ishin në rrugë për të çliruar Korkyrën gjatë Luftës së Parë Ilire, Dhimitri ndjeu se ishte shpifur nga Teuta. Nga frika e zemërimit të saj, ai e tradhtoi atë dhe ua dorëzoi Korkyrën romakëve. Duke kaluar në anën romake, ai tani veproi si udhërrëfyesi i tyre për fushatën e tyre në Iliri. Me ndihmën e Dhimitrit, Roma arriti një fitore të shpejtë, Teuta iku në Rhizon në Dalmaci (Rizani modern, Mali i Zi) dhe ai u vu në krye të pjesës më të madhe të Mbretërisë Ardiane, si klient i Romës. Demetri u shpërblye me sundimin e vendlindjes së tij, ishullit të Farosit, dhe një pjese të tokës pranë tij, por kjo ishte vetëm e përkohshme. Romakët aneksuan pushtimet jugore të Teutës dhe pas luftës, për shkak të njërit prej kushteve të vendosura nga Roma, anijet luftarake ilire në jug të Lisit u ndaluan shprehimisht. 

Aventurier dhe pirat – kundër Romës dhe Ilirisë

Pas përfundimit të luftës së parë ilire, Dhimitri martohet me Triteutën, gruan e parë të Agronit dhe nënën e mbretit të mitur Pinesi. Me kalimin e kohës, ai fillon të forcojë pozitën e vet dhe të sfidojë autoritetin romak. Në vitin 220 p.e.s., në shkelje të marrëveshjes me Romën që ndalonte lundrimet luftarake në jug të Lisusit, ai nis ekspedita piraterie me 90 anije bashkë me ilirin tjetër, Skerdiladin vëllain e Agronit. Sulmuan qytete greke në Peloponez dhe më tej Dhimitri vazhdoi në Egje ku plaçkiti ishujt Cikladë dhe detyroi disa të paguajnë tribut. U ndoq nga flotat rodase dhe u strehua në Kenkrea afër Korinthit.

Pas ngjitjes në fron, Dhimitri u martua me Triteutën, nënën e mbretit të mitur Pinnes, duke vendosur kështu një autoritet të fortë mbi Ardianët. Në vitin e tij të parë, ai mbajti një profil të ulët në çështjet ndërshtetërore, duke luajtur me narrativën se ai po ruante interesat romake në rajon.

Megjithatë, kur Roma ishte e zënë me luftën kundër Galëve, Dhimitri i Faros u angazhua në veprime të pavarura në lindje, duke injoruar pozicionin e tij të supozuar të nënshtrimit ndaj Romës. Udhëheqësi i Ardianët krijoi një aleancë me Maqedoninë, një shtet që tashmë ishte projektuar nga Republika Romake si një armik i ardhshëm. Nga kjo aleancë, monarku Ardian përfitoi zotërimin e rajonit strategjik të Dasaretëve Në të njëjtën kohë, Dhimitri i bindi Atintatët të shkëputeshin nga protektorati romak dhe të bashkoheshin me mbrojtjen e tij.

Në vitin 223, Dhimitri i Faros udhëhoqi një kontingjent prej 1,600 ushtarësh kundër Kleomenit III të Spartës në Peloponez, si pjesë e aleatëve të Maqedonisë. Një vit më vonë, kjo forcë ilire luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e Antigon Dosonit në betejën e Sellasias. Në fillim të vitit 220, Dhimitri, së bashku me gjeneralin ilir Skerdilaidin, lundruan në jug të Lissus me rreth 90 anije (lembi). Kjo forcë u përpoq pa sukses të pushtonte Pilosin përmes detit. Pas Pilosit, Skerdilaidi u nda nga ndërmarrja e bashkimit dhe u kthye në veri. Ndërkohë, Dhimitri me 50 anijet e tij i vazhdoi bastisjet e tij deri në Ciklade.

Argumente për Luftë

Në vitin 221, Republika Romake e ktheu vëmendjen në lindje, konkretisht në Adriatikun verilindor. Gjatë viteve 221-220, Romakët luftuan të ashtuquajturën Luftë të Istrias. Ky angazhim i shkurtër rezultoi në zgjerimin e kontrollit të Romës mbi Gjirin e Venedikut dhe në brendësi nga gadishulli i Istrias në Alpet Juliane.

Në retrospektivë, Lufta Istriane e Romës ishte një vazhdim i natyrshëm i luftës në Galinë Cisalpine dhe një prelud i përshtatshëm për Luftën e Dytë Ilire. Me shumë mundësi, bazuar në këtë retrospektivë, Apiani akuzoi Dhimitrin e Farosit për bashkëpunim me Istrianët në bastisjen e anijeve romake të grurit në Adriatik. Akuza, me shumë gjasa jo e vërtetë, mbeti pjesë e rrëfimit romak mbi fajtorin e Dhimitrit. Megjithatë, Dhimitri në fakt lundroi në jug të Lissus në vitin 220 dhe kjo ishte në shkelje të traktatit midis Romës dhe shtetit Ardian; një traktat i vendosur pas Luftës së Parë Ilire.

Deri në vitin 219, romakët me sa duket e kishin qetësuar Galinë Cisalpine. Republika krijoi dy koloni të rëndësishme përgjatë luginës së Po, Kremonën dhe Placentinë, për të mbajtur nën kontroll galët e mundur. E lirë nga ky kufi, Roma vendosi të bënte luftë me Dhimitrin me forcë të plotë. Ashtu si në luftën dhjetë vjet më parë kundër Teutës, romakët nuk i bënë asnjë deklaratë zyrtare lufte Dhimitrit dhe Ardianëve. Megjithatë, ndryshe nga Teuta, Dhimitrisi i Farit mësoi paraprakisht për afrimin romak dhe bëri përgatitjet e duhura.

Një rrëfim për dy qytete

Dhimitri përdori vetëm taktika vonuese kundër romakëve, i vetëdijshëm se nuk mund t’i përballonte ata në betejë të hapur. Në vend të kësaj, ai i priti romakët në vendet ku armiku duhej të angazhohej në taktika rrethimi. Dhimitri shpresonte që armët romake do të dështonin në manovrat rrethuese. Si i tillë, monarku i Ardianëve hoqi dorë nga pjesa më e madhe e territorit dhe e përqendroi mbrojtjen e tij vetëm në dy vende të forta: Dimalin dhe qytetin e tij të lindjes, Farosin.

Dimali ishte një qytet i fortifikuar rëndë i vendosur në një kodër të pjerrët në Shqipërinë jug-qendrore. Ai konsiderohej i pathyeshëm nga vendasit. Gjithashtu, ajo zinte një pozicion strategjik që kontrollonte rrugën përgjatë kullotave të deleve të fushës së Myzeqesë deri në fund të lumenjve Shkumbin dhe Seman. Shkurt, qyteti kishte furnizimet e nevojshme për t’i rezistuar një rrethimi të gjatë.

Nga ana tjetër, Fari ndodhej në ekstremin verior të domenit Ardian. Qyteti u themelua gjatë të ashtuquajturës valë e dytë e kolonizimit helen, gjatë viteve 385-384 p.e.s. Si qyteti kryesor ashtu edhe i gjithë ishulli mbanin të njëjtin emër. Qyteti ku Dhimitri organizoi mbrojtjen korrespondon me Stari Gradin modern të ishullit Hvar, Kroaci.

Në pranverën e vitit 219, konsulli romak Lucius Aemilius Paulus (nuk duhet ngatërruar me emrin e tij dhe “Macedonicus”) zbarkoi në brigjet e Ilirisë jugore. Nuk e dimë madhësinë aktuale të ushtrisë së tij, por është e arsyeshme të supozojmë se ai mbështetej në një forcë jo më të vogël se ajo e përdorur kundër Teutës; konkretisht 20,000 këmbësorë, 2,000 kalorës dhe 200 anije ishte madhësia e ushtrisë së Paulusit. Me të zbarkuar, Paulus vendosi menjëherë të merrte Dimalin, pasi mendonte se duke mposhtur postin më të fortë të ilirëve, do të dekurajonte rezistencën e tyre. Strategjia e tij funksionoi shkëlqyeshëm; brenda një jave rrethimi, romakët e nënshtruan Dimalin. Është interesante se romakët nuk e shkatërruan vendbanimin. Me sa duket, ata kishin ndërmend ta përdornin atë si bazë për zgjerimin e ardhshëm në lindje, në kurriz të Maqedonisë.

Pas rënies së Dimalit

No photo description available.

Pas rënies së Dimalit, komunitete të tjera rajonale iu afruan romakëve dhe premtuan besnikëri. Me protektoratin romak dhe Ilirinë jugore nën kontroll, e gjithë forca romake niset për në Faros, vendi i vetëm i mbetur i rezistencës. Kalaja e Farosit ishte fortifikuar fort. Një numër i madh ushtarësh të aftë ishin vendosur brenda mureve të saj, pa asnjë nga pajisjet e nevojshme të luftës. Dhimitrii kishte grumbulluar furnizime ushqimore dhe kështu e kishte përgatitur qytetin për një rrethim të gjatë.

Duke dashur të shmangte një rrethim të zgjatur, konsulli romak përdori një taktikë të ndryshme. Prandaj, marina romake iu afrua ishullit gjatë natës dhe, e mbuluar nga errësira, zbarkoi shumicën e trupave në zona të fshehura, të pyllëzuara përgjatë korridorit. Vetë konsulli, të nesërmen në mëngjes, me forcat e mbetura në bordin e vetëm njëzet anijeve lundroi hapur drejt portit të Farosit. Me këtë afrim, romakët kishin ndërmend ta tërhiqnin armikun jashtë mureve të qytetit, duke i shpërqendruar ata nga forcat e tjera të fshehura që ishin gati të binin mbi ta pas daljes.

Kalaja e Krotinës shtrihet mbi një kodër to bukur, pjesërisht te pyllëzuar të malësisë se Shpiragut ,shkruan arkeologu, Burhan Dautaj te Iliria e vitit 1972. Kodra e Kalasë është edhe me e larta (kuota 444 m.) në vargun kodrinor, që fillon për rreze faqes perëndimore to Shpiragut dhe shtrihet ne krah to majte to rrugës automobilistike Berat-Roskovec, derisa zbutet ne fushat përreth Liqeneve artificiale to Kurjanit. Duke pare rendësin e madhe qe paraqesin mbeturinat antike to qytetit ilir të Krotinës, gjate viteve 1963-1964 u ndërmorën gërmime të rregullta arkeologjike, të cilat u përqendruan kryesisht mbi kreshtën e akropolit. Zbulimi me i rëndësishëm i këtyre dy vjetëve është ai i vulave të fragmentuara qe përmbajnë emrin e qytetit ilir Dimal. Vulat janë vendosur mbi faqet e sheshta të tjegullave helenistike. Ato me plotësimet qe i bëjnë njëra-tjetrës na japin emrin ®IMAAAITAN. Ky është i pari burim epigrafik qe bën fjale për emrin e qytetit ilir Dimal, i cili ka luajtur një rol me rëndësi ne ngjarjet historike to Iliris6 se Jugut ne shek. III-II para erës sonë.

Beteja e Farosit

Demetrius of Pharos - Ancient General of Illyria - Albanopedia.

Manovra romake ishte e suksesshme dhe Polibi na tregon se si u zhvillua beteja më pas. “Dhimitri, duke parë anijet dhe duke përbuzur numrin e tyre të vogël, u nis me shpejtësi nga qyteti drejt portit për të penguar zbarkimin e armikut. Me t’i hasur, lufta u bë shumë e dhunshme dhe gjithnjë e më shumë trupa vazhdonin të dilnin nga qyteti për të ndihmuar, derisa më në fund i gjithë garnizoni u derdh për të marrë pjesë në betejë. Forca romake që kishte zbarkuar natën, tani mbërriti në kohën e duhur, pasi kishte marshuar nëpër një rrugë të fshehtë dhe kishte zënë një kodër të pjerrët midis qytetit dhe portit, i kishte izoluar nga qyteti trupat që kishin lundruar, duke parë se çfarë kishte ndodhur, hoqi dorë nga kundërshtimi i zbarkimit dhe duke mbledhur forcat e tij dhe duke i brohoritur ato, duke filluar me qëllimin për të luftuar një betejë të ashpër me ata në kodër. Ilirët u hodhën në shumë trazira dhe konfuzion. Në fund, të shtypur si përpara ashtu edhe prapa, trupat e Dhimitrit u kthyen dhe ikën, disa ia mbathën në qytet, por numri më i madh u shpërnda në ishull në të gjithë vendin”. II. XVIII. XII Pasojat

Me faranët e pushtuar nga romakët, Dhimitri iku nga fushëbeteja. Ai mori një varkë të vogël të vendosur në një vend të fshehtë dhe me të u largua. Në Ambraki, ai iu bashkua shpurës së mbretit maqedonas Filip V si i dëbuar politik dhe u bë një nga këshilltarët e tij kryesorë.

Pas pushtimit të Farosit, romakët plaçkitën të gjithë kështjellën dhe më pas, ndryshe nga Dimali, e shkatërruan atë plotësisht. Pastaj, Republika i dërgoi një notë zyrtare Filipit V duke i kërkuar atij Dhimitrin, armikun kryesor të Romës në Luftën e Dytë Ilire. Megjithatë, Filipi, i vetëdijshëm për sjelljen armiqësore të Romës ndaj Maqedonisë, refuzoi t’i përgjigjej kërkesës romake.

Pas fitores ndaj Dhimitrit të Farosit, romakët nuk lëvizën më tej kundër armikut, i cili teknikisht ishte mbretëria Ardiane. Në vend të kësaj, Republika zbatoi të njëjtat masa të rëna dakord pas Luftës së Parë Ilire, duke u mbështetur në të njëjtat aleanca të lirshme në rajon. Megjithëse fitimtarë, Romakët përsëri preferuan të qëndronin larg një përfshirjeje të drejtpërdrejtë në çështjet lindore.

Lucius Aemilius Paulus u vlerësua me një triumf për fitoren e tij në Luftën e Dytë Ilire. Tre vjet më vonë, ai ishte midis atyre që u vranë në masakrën e Kanës nga kartagjenasit.

Ndërkohë, me ndihmën e përfaqësuesit maqedonas Taurion, anijet e tij u tërhoqën përmes isthmit të Korinthit, me qëllim që të luftonin Aetolët. Por, ndërhyrja e tij në këtë front ishte e vonuar dhe e padobishme. Këto veprime dhe shkelje të traktateve e nxitën Romën të shpallë Luftën e Dytë Ilire.

Shtytës i luftës kundër Romës

Në Maqedoni, Dhimitri u bë një nga këshilltarët më të ngushtë të Filipit V. Pasi dëgjoi për disfatën e romakëve nga Hannibali në Trasimene në vitin 217 p.e.s., Dhimitri e këshilloi Filipin të pajtohej me Aetolët dhe të përqendrohej në ekspansion drejt Italisë. Ai shpresonte të hakmerrej ndaj Romës dhe të rimerrte zotërimet e tij në Iliri.

Ky ndikim i tij shihet qartë në marrëveshjen e aleancës midis Filipit dhe Hannibalit në vitin 215 p.e.s., ku kërkohej që Roma të dorëzonte qytete si Korkyra, Apolonia, Epidamni, Fari, Dimali dhe territore të tjera, dhe t’ia kthente “Dhimitrit të Farit miqtë që ndodheshin nën sundimin romak”.

Shkatërrues i karakterit të Filipit

Historiani grek Polibi e fajëson ndikimin e Dhimitrit për ndryshimin e karakterit të mbretit Filip, nga një sundimtar i moderuar në një despot tiranik. Ai përmend një incident në qytetin e Mesenës më 215 p.e.s., ku pas një masakre, Dhimitri e këshilloi Filipin të mos braktiste fortesën, por ta mbante me çdo kusht. Megjithatë, Filipi ndoqi këshillën më të matur të Aratit dhe u largua. Sipas Polibit, ky ishte momenti i fillimit të rënies morale të Filipit. 

Në kontrast me Aratin, që paraqitej si një burrë shteti i drejtë dhe i përmbajtur, Dhimitri ishte përshkruar nga Polibi si nxitës i intrigave dhe egoist i paskrupullt, i shtyrë nga urrejtja ndaj Romës dhe etja për pushtet personal.

Fund tragjik i një tradhtari

Në vitin 214 p.e.s., Dhimitri vdes duke u përpjekur të pushtojë Mesenën – një akt që Filipi kishte hezituar ta ndërmerrte më parë, por që këtë herë vendosi ta realizojë. Kështu mbyllet jeta e një figure të dyshimtë greke që nga brenda strukturave ilire dhe më pas maqedonase, tradhtoi një mbretëreshë dhe përzjeu fatet e rajonit me ambicie të rrezikshme.

Dhimitri i Farit mbetet një nga figurat më të errëta dhe kundërthënëse të historisë së Ilirisë. I lindur në një qytet me ndikim grek, ai hyri në oborrin mbretëror të Teutës jo si armik, por si aleat, si këshilltar dhe shërbyes i mbretëreshës ilire. Por në vend që t’i qëndronte besnik mbrojtëses së tij, ai zgjodhi rrugën e mashtrimit dhe interesit personal. Me veprimet e tij, ai jo vetëm tradhtoi mikpritjen dhe besimin e një mbretërie që i kishte dhënë pushtet dhe ndikim, por hapi edhe dyert për ndërhyrjen e fuqive të huaja në Ballkan.

Në vitin 229 p.e.s., kur Iliria ishte nën udhëheqjen e Teutës dhe përpiqej të ruante kontrollin në Adriatik, Dhimitri u shfaq si një figurë që fillimisht shërbeu me zell, por më pas nisi të punojë në prapaskenë për interesat e veta. Ai dorëzoi Korkyrën (Korfunin) te romakët dhe shpalli veten aleat të tyre, duke ndihmuar Perandorinë Romake të vendoste këmbën në Ballkan dhe të fillonte fushatat e saj ekspansioniste kundër Ilirisë. Kjo tradhti e hapi rrugën për Luftën e Parë Ilire dhe, më vonë, për nënshtrimin e pjesëve të mëdha të Ilirisë nga Roma.

Nga shërbëtor i mbretëreshës u kthye në vasal të romakëve, dhe më pas, kur nuk u bë më i dobishëm për ta, edhe ata e braktisën. Pas Luftës së Dytë Ilire, Dhimitri u dëbua nga Iliria dhe përfundoi në oborrin e Filipit të V të Maqedonisë, ku vazhdoi të mbillte armiqësi dhe intrigë, gjithnjë duke ndjekur interesin personal dhe duke shkelur mbi aleancat e mëparshme.

Historia e tij është një paralajmërim për tradhtarët që, për ambicie personale, janë të gatshëm të shesin jo vetëm besimin, por edhe fatin e një kombi. Dhimitri i Farit nuk ishte vetëm një tradhtar: ai ishte edhe një katalizator i shkatërrimit të pavarësisë ilire dhe një figurë që shënoi fillimin e ndërhyrjes së huaj në trojet tona.

Literatura 

    Livy, History of Rome, Rev. Canon Roberts (translator), Ernest Rhys (Ed.); (1905) London: J. M. Dent & Sons, Ltd.

    Plutarch, “Aratus” in Plutarch’s Lives, Arthur Hugh Clough (editor), John Dryden (translator). Two volumes. Modern Library; Modern Library Paperback Ed edition (April 10, 2001). Downloadable version at Project Gutenberg. Vol. 2: ISBN 0375756779.

    Polybius, Histories, Evelyn S. Shuckburgh (translator); London, New York. Macmillan (1889); Reprint Bloomington (1962).

    Strabo, Geography, translated by Horace Leonard Jones; Cambridge, Massachusetts: Harvard University Press; London: William Heinemann, Ltd. (1924). Books 8-9: ISBN 0-674-99216-4, Books 13-14: ISBN 0-674-99246-6.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT