• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYEIPESHKEVI I SHKUPIT: JU TREGOJ BARBARIZMAT E SERBEVE KUNDER SHQIPTAREVE

February 17, 2017 by dgreca

-RAPORTI I KRYEIPESHKVIT TE SHKUPIT LAZER MJEDA MBI
PUSHKATIMIN E DHUNEN SERBE NE KOSOVE E MAQEDONI ME 1912-ten/

-BARBARIZMI KUNDER SHQIPTAREVE, TRASHIGIMI SHEKULLORE E SERBVE/1-Kadeli-160x300-1

Pergaditi per Diellin:Gjon Kadeli/

Ky raport iu dergue kryeipeshkvit Mjeda nga pritfnit Dom Zef Rama i famullise se Shkupit dhe nga Dom Krasniqi i famullise se Prizrenit.
Ne kete raport vihet ne dukje trajtimi i eger nga serbet i shqiptareve te kryeipeshkevise qe kryesonte Mjeda, si edhe ato kunder shqiptareve ne pergjithsi.
Ne Kumanove, nji ushtar serb zbuloi ne zyren e famullise, se si ishte sulmue nji katund shqiptaresh. Ata qe nuk kishin ikun perpara mberrijtjes tone, ishin mshefun nen kulmet e shtepive te tyne.
Shtepive iu vu zjarri dhe kur flaka mberrijti kulmet, te mshefunit dolen jashte. Ne vazhdoi ushtari,ishim perpara dyerve te shtepive dhe kur ata dillshin ne i vritshim. Kjo gja ngjau sepse,  gjoja, dikush nga ai katund, kishte gjuejt me pushke kunder njisive serbe. Ushtari
shtoi se kur fmijet dilshin nga shtepite qe po digjeshin, per te ruejt fisheket  ata i thershim me bajoneta.
Ne Shkup, megjithse kur hyne serbet nuk u ba ndonji qendrese, gjate 15-te diteve qe vazhduen operacionet ushtarake, per cdo nate 20-30 shqiptare u hodhen ne lumin Vardar. Pevec kesaj, mbas kalase se qytetit gjindej nji grope e madhe, ne ate grope serbet hodhen ma shume se nji qind kufoma shqiptaresh. Shume shqiptare te plagosun u lane ne
spital te vdisnin nga uria dhe shume prej tyne u hodhen ne lumin Vardar. Tre shqiptare u theren me bajoneta dhe vdiqen afer ures se Vardarit, vetem se po ecshin ne rruge, Serbet, edhe puset i perdoren per te hedhun shqiptaret ne to. Dhunimet e grave u bane edhe perpara syve te burrave te tyne.
Per t’i ba gjanat edhe ma zi, serbet e Shkupit u jepshin alkol falas ushtareve dhe ata piheshin, dhe si rrjedhim bashin lloj lloj te keqijash.
Ne Tetove, 85 shqiptare qe u zune ne shtepite e tyne u vrane, gjoja per arsye te ndryshme.
Ne Gostivar, komandanti serb kerkoi 200 lira, dhe kur shuma ne fjale iu dorzue, qyteti peshtoi pa shume dame, se vetem 6 shqiptare u masakruen.
Ne Ferizaj vetem 3 shqiptare muslimane te moshes mbi  15 vjete peshtuen. Si rrjdhim i lutimeve te ashpra, gjate 24 oreve edhe shume serbe u vrane.. Nji grue shqiptare, mbasi i vrane burrin, mori ne dore pushken dhe vrau pese serbe. Nji serb ka thane se 1200 shqiptare jane mbledhun nga katundet e rrethueme per t’i vra te gjithe per njiheri.
Edhe ne Gjillan u bane lloj loj masakrash, megjithse,  nuk u ba ndonji qindrese kunder pushtuesve.
Ne Prishtine numri i shqiptareve te vrame e kalon pese mijshen.
Prizren.Qyteti u dorzue pa lufte, por kjo nuk ndikoi qe te mos
baheshin masakra kunder shqiptareve. Me rastin e festes se Kurban
Bajramit. rreth 800 dele u dorzuen ne pazar per t’u pre. Serbet
mberrijten me shpejtesi dhe konfiskuen delet ne fjale, per t’i
perdorun per ushqim per ushtrin, tuej mos lejue keshtu muslimanet te
festoshin Bajramin.
Komondanti serb kishte nevoje per furnizime per ushtrin, per te
marrshue drejt Lumes, por i mungoshin kuajte. Ai thirri 200 shqiptare
te rij, i ngarkoi sejcilit 50 kilogram ushqim dhe i detyroi te
udhtoshin shate ore per te mberrijtun ne bazen ushtarake.
Gjenerali Jankovic ishte informue se fiset e Lumes nuk do t’i lejoshin
forcat serbe te hishin ne Lume pa lufte. Prandej a i shpalli ata, se
gjoja jane rraca ma e ulet e njerezve, dhe shtoi se duhet te vriten te
gjithe. Shtese e pembledhsit te artikullit. Nuk ka kurrfar dyshimi se
karakterizimi i fiseve te Lumjaneve nga gjenerali Jankovi ka te baje
me faktin se forcat pushtuese serbe kane psue humbje te medha gjate
luftave te ndryshem qe kane ba kunder Lumjaneve, menji fjale, u ka
hasun  sharra ne gozhde. Gjate operacioneve ushtarake serbe mblodhen
burra, gra e fmije, me qellim per t’i zhdukun te gjithe, dhe per te
djegun katundet e tyne. Femijet i mueren prej krahnoreve te nanave te
tyne, i gjueshin ne grumbuj kashtash dhe i digjshin per se gjalli. Ata
u cane barqet me bajoneta grave shtatzan, dhe bajonetat ne fjale jau
ngulshin edhe femijeve te pa lindun. Kjo gja asht e pa perftyrueshme,
por e vertete.
Katerqind burra te Lumes u dorzuen, mbasi u ishte premtue se do te
liroheshin, pa u ndeshkue,  u derguen ne burgun e Prizrenit dhe u
prene te gjithe, katerdhet deri me gjashdhete cdo dite. Nji njeri qe i
ka pa me syte e tij keto gjana ka thane se 1500 kufoma shqiptaresh
jane pa rreth e perqark Prizrenit gjate atyne diteve. Ka mundesi qe
kjo te jete arsyeja qe gazetaret e huej, nuk u lejuen te shkoshin ne
Prizren.
Ne Gjakove menyra e veprimit nuk ishte e zakonshme, dhe ishte ma
barbare. Ushtaret serb u lejuen te veproshin lirisht e te bashjin te
gjitha te zezat. Prifti i famullise se Shkupit ka thane se, serbet i
kishin tregue atij, se Malazezet i kishin marre grate me veti, dhe
ishin pa ma vone ne Gjakove, tuej bajte arme dhe tuej vra gra e fmije
te zones.
Nji ushtar serb, tuej besue se ishem bashkatdhetar i tij, me ka tregue
me knaqesi te madhe, se vetem pak katunde te zones se Tetoves,
Shkupit, Kumanoves, Presheves, Gjillanit, Ferizajt, Prizrenit,
Gjakoves e Pejes kane mbatun mbi siperfaqen e tokes. Ata i kishin
djegun te gjitha. Kjo ishte menyra se si duhej te silleshin ndaj
shqiptareve, perfundoi ai.
Nji ofoicer serb ka pohue se 75 per qind e shqiptarve duhej te vriteshin.
Serbet dhe aleatet e tyne e filluen kete lufte, gjoja per te “lirue te
krishtenet nga barbaria muslimane.” Por do te ishte, pa dyshim, ma e
sakte te quhej “Kryqzate per Orthodoksine dhe per zhdukjen e
shqiptarve.”
Pa e zmadhue aspak gjate ketij sulmi 25000 shqiptare u zhduken nga
faqja e tokes arbnore.
Duhet te vehet ne dukje se, tuej marre parasyshe vrullin fillestare te
kesaj lufte, terbimi serb ishte drejtue, ne menyre te vecant, kunder
katolikeve, per te friksue muslimanet te mos baheshin katolike, per
arsye se ka pase njerez qe kane pas nderrue besimin.

Shkup, 24 Kallnduer, 1913-te
Lazer Mjeda

Kryeipeshv i Shkupit

Filed Under: Histori Tagged With: Barabarizmat e Serbeve, Gjon kadeli, Kryeipeshkevi, Lazer Mjeda

Misioni shkollor i jashtzakonshëm i Ernest Koliqit

February 17, 2017 by dgreca

2Ernest-KoliqiNGA QERIM LITA*/

SHKRESË/

Nga ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, dërguar më 23 qershor 1941, Ali Hasharovës, nëpërmjet së cilës ky i fundit njoftohet për dërgimin e një Mision Shkollor të Jashtëzakonshëm në Kosovën e çliruar, nën udhëheqjen e tij

Nr. 1162/14                                                                             Tiranë, 23 qershor 1941

Zotni  A L I  H A S H A R O V Ë S/

Antarit t’Inspektoris s’Epërt/

K ë t u/

Për me studjue gjendjen arsimore simbas programës qi përshkruhet mâ poshtë në Kosovën e lirueme, kam vendosë me dërgue atje nji misjon shkolluer të jashtzakonshëm.Si Kryetar të këtij Misjoni kam caktue Zotnin t’Uej, mbasi, i mbështetun në provat qi keni dhanë në t’i kryemìt e detyravet të ndryshme, qi ju kam pas ngarkue herë pas here, kam besimin e plotë se do t’ja dilni në krye si mâ mirë edhe kësaj pune kaq të randësishme nga çdo pikpamje.

Veprimtarija e Juej qi do të zhvilloni në Kosovën e lirë përmbledh studimet e gjendjes s’Arsimit Filluer e të Mesëm si edhe rregullimin e kursevet verore për gjuhën shqipe për të mëdhaj e të vegjël.

Këtu po ju radhisim në pika kryesore programën e punës, qi do ta zhvilloni:

  1. MBI ARSIMIN FILLUER
  1. Cilat janë qendrat e shkollavet fillore, që funksjonojshin në vitin shkolluer 940-941;
  2. Ç’numër nxansish dhe ç’fuqi mësimore kishte secila shkollë (të ndamë në shqiptarë e sllavë, kur janë të përzieme);
  3. Cilat ishin shkolla verore e cilat dimnore dhe me ç’sistem veproshin (orar i rregulltë apo gjymës dituer);
  4. Sa dhe cilat nga këto qendra shkollore janë thjeshtë shqiptare, cilat të përzieme (tue i da me numrin) dhe cilat krejt sllave;
  5. Me sa vite shkollore janë;
  6. Në ç’gjendje janë ndërtesat shkollore;
  7. Ku duhet, ose mund të hapen shkolla të tjera;
  8. Ç’numër fuqish mësimore, ma të paktën do të duhen për vitin e ardhshëm shkolluar, tue shënue për secilën shkollë numrin qi i duhet;
  9. Përpjestimisht me popullsin, të studiohet mundësisht:
  10. a) Sa fëmij shqiptarë e ndiqshin dhe sa duhesh t’a ndiqshin;
  11. b) Sa mund të mbërrijë numri i fëmijëve qi mund ta ndjekin por edhe që duhesh ta ndiqshin si-kur të zbatohej plotësisht detyrimi shkolluar;
  12. Sa libra mund të lypsen për t’u falë për popullsin shkollore të vobekët.
  1. MBI ARSIMIN E MESËM:
  1. Sa shkolla të mesme funksionojnë.
  2. Ku janë qendrat e tyne;
  3. Ç’farë tipit janë;
  4. Si janë ndërtesat;
  5. Numri i klasave;
  6. Numri i nxënësve (tue i ndamë simbas kombësis, mundësisht për çdo klasë);
  7. Cili ka qenë personeli (numri e kombësia);
  1. MBI DJEMT E VAJZAT SHQIPTARE ME KULTURË TË MESME E TË NALTË:
  1. Sa djem e vajza bahen gjithsejt nga ata qi kanë maturue, ose që kanë ndjekë shkollë të mesme (për këtë të fundit ç’farë shkollë dhe deri në çklasë kanë mbërrijtë. Po të jetë e mundun me u marrë dhe emnat bashkë me adresat e tyne).

Ç. MBI ORGANIZIMN DHE RREGULLIMIN E KURSEVE VERORE PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NDËR TË MËDHEJ E TË VEGJËL ME ANËN E MËSUESËVE QI KANË ME MBËRRIJTË PAK DITË MBAS JUSH

  1. MBI STUDIMIN NË VJA TË PËRGJITHSHME TË LIGJEVE, TË PROGRAMEVE DHE TË TEKSTEVE SHKOLLORE.

Anëtarët qi kanë me bashkëpunue me Zotnin t’Uej janë:

  1. Jonuz Blaçkori, Profesor i Shkollës Punës Tiranë;
  2. Abdurrahim Buza, Profesor në Liceun e Tiranës;

Zoj. Flora Pali, mësuese n’Institutin Donika kastrioti;

  1. Shaban arra, Inspektor’I Arsimit të Kosovës;
  2. Zef Pali, mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës;
  3. Xhavid Nimani, mësues në qarkun e Kosovës;
  4. Fadil Haxhihoxha, mësues “             “

Të gjithë këta  Zotni mvaren dhe do të drejtohen prej Jush në të kryemit e punovet të ndryshme qi do t’u caktoni.

Po kështu mvaren prej Jush edhe mësuesit qi do të dërgojmë s’afërmi për kurse verore të gjuhës shqipe për të mëdha e të vegjël. Zotni mësuesvet keni me u a caktua po Ju vetë vendet e shërbimit.

Shënimet e ndryshme mbi shkollat do të bâhen në formularët e posaçëm qi po Ju apim me vehte. Për secilën shkollë do të mbushen nga dy kopje, njena do të lihet në arkivën e Inspektoris së Dibrës dhe tjetra do t’i paraqitet Ministris. Të ngarkuesit me kët punë të porositen me i mbushë me sa të jetë e mundun, të tana pikat që përmban formulari.

Po ju apim nji sasi librash të ndryshëm, përdorimi i të cilëve simbas nevojës, po Ju a ngarkojmë po juve.

Ju uroj të gjithve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë, kombëtare e me randësi historike.

M I N I S T R I

  1. K.

AQSH. F. 195. V. 1941. D. 180. Fl. 6

*Nxjerre nga “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje dokumentesh”,Vëllimi IV nga Qerim Lita. Botim i vitit 2016 nga shtepia botuese LOGOS A, Shkup.

 

Filed Under: Histori Tagged With: i Ernest Koliqit, i jashtzakonshëm, Misioni shkollor, Qerim Lita

Kosova, shtet i ri, i njohur nga 113 shtete, mbush nëntë vjet

February 17, 2017 by dgreca

1 fishekzjarreNë foto: Festa në Prishtinë në natën e parë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 18 Shkurtin historik 2008/1 nente vjetori

-17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë/1 Newborn

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 17 Shkurt 2017/ Kosova, shteti që e njoh bota, sot mbush nëntë vjet nga shpallja në 17 Shkurtin historik 2008 nga përfaqësuesit e popullit të saj, në seancën solemne të Kuvendit të ftuar po atë ditë për në orën 15:00.Në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, të lexuar e nënshkruar në seancë, nën 1 theksohej: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”.

Në 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, në seancën solemne u shpalos edhe Flamuri Shtetëror i Republikës së Kosovës, për herë të parë. Kuvendi miratoi njëzëri simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, që u përzgjodhën nga mëse 5.000 propozime-aplikime në konkursin e shpallur nga Ekipi i Unitetit, që bënte bashkë pozitën e opozitën në negociata për statusin e drejt shpalljes së Pavarësisë.

Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës me shifren “Europa”, në konkurrencën e 134 propozimeve, u miratua në Kuvendin e Kosovës në 11 qershor 2008. Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua në Kuvend në 9 prill, ndërsa hyri në fuqi në 15 qershor 2008. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, përcaktohet në nenin 1 të Kushtetutës.

Kosova  deri sot në ditën e 9 vjetorit të Pavarësisë është njohur nga 113 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në mbi 50 organizata ndërkombëtare, politike, të sigurisë, ekonomike e të tjera.

Kosova sot është e njohur si shtet nga 82 për qind e Bashkimit Evropian, 86 për qind e NATO-s, 56 për qind e OKB-së, 100 për qind e Forumit të Ishujve të Pacifikut, 61 për qind e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, 57 për qind e Komunitetit të shteteve të Karaibeve- Karikom-it dhe 49 për qind e Unionit Afrikan.

Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, duke nisur nga 19 tetori 2012, e në  2017-tën u mbajtën edhe dy raunde të tjera presidenciale.

Tashmë tradicionalisht, në çdo 17 Shkurt njerëzit-qytetarët në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë, edhe duke ngritur e mbajtur në duar shumë flamuj shtetesh, të NATO-s, BE-së, bashkë me flamurinin kosovar e flamurin kombëtar shqiptar. Në atmosferën e festës ka eshë shumë këngë e koncerte, një nga të cilët do jetë sot në mbrëmje i Ansamblit Shota, në kryeqytet, Prishtinë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

GAZETA RILINDJA PARA 9 VITEVE: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI/3 Rilindja-17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË/

-Rilindja, nga Konferenca e Bujanit deri në Pavarësinë e njohjen ndërkombëtare të Kosovës/

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, para 9 viteve, në 22 shkurt 2008, doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MËE MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Arkiv-22 shkurt 2008: RILINDJA DEL SOT, NJË DITË PAS 6-VJETORIT TË MBYLLJES

Rilindja, del  sot, një ditë pas 21 shkurtit – 6-vjetorit të mbylljes, si një mesazh ndjellamirë për rikthimin e gazetës tradicionale të Kosovës pas Pavarësisë. Si një thirrje për sundimin e ligjit edhe në rastin e shkeljes së të drejtës së saj, shkelje kjo epashembullt në botën e lirë e demokratike.

Rilindja,  e lindur në Prizren më 12 shkurt 1945 në kuadër të vendimeve të Kuvendit të Bujanit, ka vendosur që 63-vjetorin  ta shënojë jo në ditën e saj që ka kaluar (12 shkurt), por pas shpalljes së  Pavarësisë së Kosovës dhe pas njohjeve të para, prandaj këtë e bën sot me botim special.

Në këtë numër festiv për Pavarësinë botohen shkrimet ekskluzive Kosova në Rilindje drejt pavarësisë gjatë 63 vjetëve, shkrime këto që mund t’i ketë vetëm një gazetë tradicionale dhe historike. Botohen edhe raporte të gjera nga shpallja dhe festimi i pavarësisë, si dhe për njohjet e para ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin.  Pallati i Rilindjes është shndërruar në gërmadhë dhe kjo ndërtesë, më e larta në Kosovë, është lënë e zbrazët qe gjashtë vjet.  Rilindjes i është shkatërruar edhe gjithë teknika, e në masë të madhe edhe arkivi – pasuri kombëtare epakompensueshme, me një akt kulturocidi – hedhjen e ngujimin në një bunker të errët e me lagështi.

Edhe në këto kushte Rilindja del në kushte të jashtëzakonshme me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm, për të shënuar ngjarjet historike nepër të cilat kalon Kosova dhe për të ruajtur emrin e traditën.

Rilindja është në pritje që t’i jepet fund shkeljes së ligjit në rastin e saj dhe Kosovës t’i rikthehet gazeta tradicionale, siç e ka secili shtet normal në botë gazetën e vet të traditës. (Shkrim në gazetën Rilindja – 22 shkurt 2008)

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, kosova, mbush nëntë vjet, që e njeh, shtet i ri

“Mos ma prek Dyrrahun” dhe ….Debati për gjetjet e reja historike në Durrës

February 14, 2017 by dgreca

*Kështu ndodh kur nuk pyeten specialistët dhe qytetarët/

1 zbulimet

Nga Shefqet Kërcelli/

*Tre momente nga zbatimi i një projekti të quajtur “Veliera”/

2 zbulimet

* Zbulimet e reja, si vlerë e shtuar arkeologjike-historiko-turistike e Durrësit/

Pak ditë më parë, gjatë gërmimeve para hyrjes kryesore të portit të Durrësit, dolën në dritë gjetje të reja historike, të cilat konsiderohen nga specialsitët përktatës si vlera të trashëgimisë kulturore. Gjatë punimeve për pastrimin e themeleve të godinës osmane të shekullit XIX-të, në një pjesë të sheshit para portit të Durrësit, aty ku më parë ndodheshin statuja të këngëtarëve të muzikës botërore, kanë dalë në dritë disa objekte të tjera, pjesë e trashëgimisë historike të qytetit. Këto gjetje të reja arkeologjike në Durrës, i kanë bërë specialistët të vlerësojnë se kjo pjesë e trashëgimisë kulturoro- historike nuk duhet varrosur. Zbulimet e reja konsistojnë në një gur varri të periudhës osmane, që dyshohet se i përket ndonjë zyrtari të administratës së atëhershme osmane, një top lufte, i ndryshëm nga ai i gjetur pak ditë më parë, si dhe 22 predha guri me formë sferike që hidheshin me katapultë, një lloj arme e vjetër që përdorej për mbrojtje, që nga antikiteti romak e deri në mesjetë, gjatë rrethimit të një kështjelle për të goditur ushtrinë sulmuese. Topi i dytë, që është më i hershëm se i pari, i gjetur pak metra më tutje, si dhe predhat sferike, që nuk kanë lidhje me të, janë gjetur brenda strukturave të godinës së administratës osmane, e cila mund të ketë qenë përdorur edhe si godinë për qëllime mbrojtjeje. Predhat sferike të gurit dyshohet se i përkasin shekullit XIV-të, por mund të jenë dhe më të hershme. Këto lloj predhash janë përdorur kryesisht deri në gjysmën e dytë të shekullit XV-të, se më pas u prodhuan dhe përdorën predhat shpërthyese. Studiuesit thonë se pas Mesjetës, me zhvillimin e armës së artilerisë dhe përdorimin e predhave shpërthyese, predhat e gurit përdoreshin edhe në strukturat e godinave, për shkak të fortësisë e rezistencës së tyre. Lidhur me gjetjet e reja, arkeologu Edi Shehu, shprehet se, ky sit duhet të mbrohet në mënyrë që të jetë i vizitueshëm nga të gjithë. Ndërkohë edhe themelet e vazhdimit të murit bizantin, pjesë e sistemit të fortifikimit të qytetit, mund të bëhen të dukshme për publikun përmes konservimit dhe mbulimit me xham të disa fragmenteve të tyre. E gjithë kjo pasuri historike që dëshmon një periudhë të rëndësishme për qytetin, atë nën sundimin e Perandorisë Osmane, kur Durrësi pati një tkurrje, humbje të rëndësisë së dikurshme tregëtare, sipas arkeologëve dhe qytetarëve durrsakë, nuk duhet anashkaluar. Bërja e saj e dukshme përmes mbulesave të qëndrueshme dhe transparente, nuk do të cënonte as vazhdimësinë e projektit për ndërtimin e sheshit të ri, madje do të kishte një vlerë të shtuar dhe një atraksion për turistët vendas e të huaj që brenda një perimetri të vogël mund të njihen me dëshmi të Antikitetit Romak, periudhës Bizantine, Mesjetës dhe periudhës së mëvonshme që daton deri në shekullin XIX. Shumë pranë vendit të gjetjeve të reja ndodhet një fragment i murit bizantin, Torra Veneciane, më tutje Muret Mesjetare dhe Amfiteatri Antik, për të vijuar me Muzeun Arkeologjik dhe të tjera dëshmi të rëndësishme të një qyteti, që vlerëson të sotmen dhe të ardhmen moderne të tij. Themelet e godinës së zbuluar i takojnë fundviteve 1800, kur osmanët ishin në kulmin e sundimit të tyre në Shqipëri. Godina është shembur nga tërmeti i vitit 1926, më pas autoritetet e atëhershme vijuan ndërtimin e portit dhe rrugës së tregtarëve. Mënyra e materialet e ndërtimit të mureve kanë elementë që i përkasin kohëve të ndryshme, madje, sipas arkeologëve disa gurë mund t’i përkasin edhe periudhës romake, bizantine e veneciane. Interes paraqesin shtresat arkeologjike që mund të ndodhen poshtë godinës. Megjithatë gjetjet e fundit e shtojnë valencën e këtij siti, ndërkohë që rezultatet e sondazheve arkeologjike, do të jenë baza për vendimmarrjen dhe fatin e këtyre zbulimeve, si dhe nëse projekti për ndërtimin e sheshit publik do të ketë ndryshime që mund të ruajnë këtë pjesë të trashëgimisë historike të qytetit, që historikisht njihet si Durrësi i lashtë{vjetër}. Theksojmë se qyteti i Durrësit, me një histori mbi 3 mijë vjecare,  “lundron” mbi mbetje arkeologjike  të periudhave të ndryshme historike, për shkak të migrimeve perëndim-lindje dhe anasjelltas, dyndjeve, kryqëzatave, rrugëve tregëtare, etj, por mos harrojmë se asnjëherë në këto treva nuk ka munguar elementi iliro-arbëror-shqiptar. Shkaku kryesor i këtyre shtresëzimeve arkeologjike në Durrës janë tre tërmete të fuqishëm që kanë sjellë pasoja katastrofale në Durrës, një në antikitet, një në mesjetë dhe një në cerekshekullin e shekullit të XX-të, dhe më pak nonjë projekt ndërtimor që mund të jetë zbatuar nga shteti shqiptar në vite. Kuptohet që këto përbëjnë dhe habitatet e dokumentacionin e saktë për historinë e perandorive, qytetërimeve të ndryshme dhe vetë ekzistencën e entosit Iliro-shqiptar.

2.Qytetarët durrsakë protestojnë

Qytetarët durrsakë, të mbështetur edhe nga shoqëria civile, protestuan më datën 11 shkurt 2017,  nën moton “Mos ma prek Dyrrahun”. Kjo protestë, e cila kishte për qëllim pezullimin e punimeve për ndërtimin e Velierës, nisi në formë marshimi nga sheshi “Liria” në drejtim të Torrës Veneciane, ku protestuesit kërkuan ndërprerjen e punimeve dhe marrjen e masave për mbrojtjen e vlerave arkeologjike e historike. Sipas tyre, me vendimet e tij, kryebashkiaku Vangjush Dako po shkatërron vlerat arkeologjike e historike të qytetit bregdetar, duke ndërtuar mbi këto rrënoja Velierën, projektin 6 milion dollarë. Protestuesit shpërndanë fletëpalosje duke iu kërkuar qytetarëve t’i bashkoheshin protestës dhe të marshonin bashkë me ta për mbrojtjen e arkeologjisë. Është nga të paktat protesta që bëjnë qyetarët durrsakë, se ata përgjithësisht kanë qenë dhe janë indiferentë, kjo flet se ndjeshmëria e tyre për këtë projekt e ka kaluar cakun.

3.Debati në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e informimit publik

“Nëse specialistët e arkeologët vendosin, ne jemi gati të ndryshojmë projektin e ‘Velierës’ në Durrës”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u paraqit në një seancë dëgjimore me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.  Nuk mungoi as përplasja mes shoqërisë civile e pranishme në komision me Kumbaron e Dakon. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thanë se arkeologët kanë folur për shkelje dhe mes tyre përmendën edhe zotin Moikom Zeqo, si një ndër emrat që e ka kundërshtuar projektin në Durrës. Studjuesi i mirënjohur durrsak është shprehur se: “Shqiptarë! Vetëm një mendje delirante dhe e papërgjegjshme e koncepton një projekt 6 milionë euro të mbiquajtur ‘Veliera’ për ‘zbukurim’ në zonën A, të mbrojtur me ligj, ndërkohë që nuk është investuar për kanalet e Durrësit, që përmbytet kur bien shirat, pra një çështje substanciale dhe jetike për banorët, kurse shkelja flagrante e ligjit në zonën A të arkeologjisë, për ndërhyrjen brutale dhe kriminale, duhet të ketë të pandehur këta pushtetarë që i fyejnë arkeologët. Midis tyre edhe mua. Janë injorantë të noterizuar dhe shpirtkazmë ndaj vlerave kombëtare dhe ndërkombëtare të trashëgimisë së jashtëzakonshme arkeologjike të Durrësit! Nuk duhet që kulturën ta mposhtin idiotët!”, thekson studjuesi Zeqo.
Po kush është projekti?

Projekti është përgatitur nga studioja e arkitekturës shqiptare “ERALD -G + ARKONSTUDIO”, në bashkëpunim me studion  italine të arkitekturës, “ARCHEA”. Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë, ndërsa vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Vlera e përgjithëshme e  këtij projekti kap shifrën rreth 6 milionë $.

Filed Under: Histori Tagged With: "Mos ma prek Dyrrahun", Shefqet Kercelli

Tcvetan Todorov dhe “Lulja e diellit” e Simon Vizentalit

February 14, 2017 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/

1-ilir-harshova-600x400

“Lulja e Diellit” është një tregim gjysmë autobiografik Simon Vizentalit, i atij që, si asnjë tjetër, ndoqi pas lufte kriminelë nazistë të fshehur kudo nëpër botë dhe ia dha drejtësisë. Është shkruar jo thjesht për të treguar një ngjarje makabre, por edhe për të hapur një diskutim të gjerë mbi krimin, ndëshkimin apo mundësinë e faljes së kriminelëve politikë dhe ideologjikë, apo kriminelëve në përgjithësi.

Gjatë luftës, kur qe i internuar, teksa ishte çuar të punonte në një spital ushtarak nazist si pastrues, Vizentali u thirr nga një infermiere dhe u çua në një dhomë spitali ku dergjej një oficer SS, njëzetedy vjeçar, i plagosur për vdekje. I plagosuri, Karli, i fashuar i gjithi, të cilit mund t’i shiheshin vetëm goja, hunda dhe veshët, kërkoi që Vizentali, duke qenë hebre, t’i dëgjonte historinë e një episodi të jetës së tij, kur ai, së bashku me të tjerë, ishin urdhëruar të digjnin të gjallë brenda një ndërtese në Dniepropetrovsk, në Ukrainë, rreth 300 hebrenj të pafajshëm; t’i shprehte atij pendesën dhe t’i kërkonte falje. Vizentali e dëgjoi oficerin SS në heshtje dhe iku, po në heshtje, pa i thënë asnjë fjalë.

Ndonëse edhe me heshtje mbajti një qëndrim, Vizentali nuk ishte i sigurt nëse qëndrimi i tij ishte apo jo ai i duhuri. Ai kërkoi të dinte nëse ishte më mirë të fliste e t’i jepte falje nazistit të penduar; të fliste, ta kritikonte, ta dënonte dhe të mos e falte; apo, nëse qëndrimi që mbajti mund të konsiderohej si i pranueshëm. Për këtë, ai pyeti shokët e tij të kampit, prej të cilëve mori përgjigje të ndryshme. Pas 25 vjetësh të ngjarjes, në vitin 1969, në botimin e parë të librit, ai iu drejtua shumë intelektualëve të fushave të ndryshme, për të marrë mendimet e tyre se ç’do të bënin ata, po të ishin në vendin e tij. Përgjigjet që japin ata, gjithsej njëzet e një, së bashku me përgjigjet që japin disa vite më pas edhe tridhjetë e dy të tjerë, përfshihen në librin “Lulja e Diellit”, të botuar në anglisht në vitin 1997, i cili u shqipërua prej meje dhe u botua në vitin 2015. Janë, pra, 53 personalitete të besimeve, vendeve, kulturave dhe përvojave të ndryshme që analizojnë krimin, faljen apo mos faljen e fajtorit si dhe qëndrimin e Vizentalit.

Ndër të pyeturit ishte edhe Tcvetan Todorov, filozof e moralist bullgar, i cili qysh nga viti 1963 ka jetuar në Francë. Aty edhe ndërroi jetë pak ditë më parë.  Todorovi ka botuar shumë libra midis të cilëve, edhe librin me titull “Duke përballuar ekstremen: jeta morale në kampet e përqendrimit”. Ka dhënë leksione në universitetet Kolumbia, Jeil dhe Berkli në SHBA.

Pyetja që ngre Vizentali i kalon shumë caqet e tregimit apo të përvojës së tij me nazistët. Ai problem është universal dhe i përhershëm. Ai ka të bëjë me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj së keqes dhe keqbërësve, ndaj krimit dhe kriminelëve; me faljen, apo me ndëshkimin; me harresën, apo me kujtesën. Ai ka të bëjë me qëndrimin e vetë kriminelit ndaj krimit të kryer prej tij: me pendesën apo me kryeneçësinë, me kuptimin e fajit apo me moskuptimin e tij, me shlyerjen e fajit apo me kryerjen edhe të një faji tjetër më të rëndë, me personin apo grupin që ka të drejtën e faljes. Trajtimi i këtyre dilemave dhe mbajtja e qëndrimit të duhur si nga krimineli edhe nga të tjerët, ndikon në mundësinë e shkallës së përsëritjes apo të mospërsëritjes së të këqijave të historisë, në krijimin e një qytetërimi të moralshëm e të shëndetshëm, apo të një “qytetërimi” përsëri imoral e kriminal. Veçanërisht për ne shqiptarët që e kemi provuar krimin dhe që, mjerisht, vuajmë nga  harresa, trajtimi  drejtë i së keqes dhe i keqbërësit, i krimit dhe i kriminelit, është me shumë vlerë.

Libri i Vizentalit është përdorur si tekst mësimor për të studiuar jo thjesht Holokaustin por, sidomos, qëndrimin që duhet mbajtur ndaj keqbërësve, për qëndrimet që mbajnë ndaj tyre kultura dhe fe të ndryshme.

Për të vendosur për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Karlit, së pari duhet të saktësohet kjo çështje: a mund të falet një fajtor që kërkesën për falje e ka të sinqertë dhe jo oportuniste: të bërë nga interesi, nga frika e një ndëshkimi drejtësie, nga frika e ndëshkimit të opinionit të ri, apo për ndonjë arsye që nuk lidhet me pendesën e vërtetë?

Në qoftë se bindemi se ka pendesë dhe se ajo është e sinqertë, them se kemi të drejtë, por jo detyrë, të diskutojmë faljen e fajtorit.

Janë me shumicë ata të cilëve kur u bije regjimi i tyre kriminal, regjimi që e kanë mbajtur vetë, regjimi për të cilët qenë instrumente të tij, i kthejnë krahët, marrin poza të forta kundërshtuese ndaj tij, thonë se kanë vuajtur edhe vetë prej tij, thonë se me mënyrën se si kanë vepruar i kanë futur ujin nën rrogoz atij regjimi, apo se kanë kuptuar me vonesë ligësinë e tij dhe se tashti kanë ndryshuar, se ndryshimi është në natyrën e njeriut, se ai ndryshim përfaqëson rritje dhe përmirësim për njeriun. Çfarëdo që të thonë këta njerëz, mbasi regjimi kriminal të cilit i shërbyen ra, nuk besohet dhe, madje, është e natyrshme që të të krijojnë edhe një ndjenjë pështirosjeje. Mund të quhet i ndryshuar vërtetë dhe sinqerisht ai person që qe pjesë e regjimit kriminal dhe e kundërshtoi atë, pikërisht kur ai regjim ishte në lulëzim, kur ai ishte i fortë, kur ai nuk kishte ndonjë arsye të dyshonte për mosdashurinë apo mosbesnikërinë e atij personi. Ky do të ishte ai që mund të quhej disident, domethënë ai që ishte pjesë e regjimit dhe që u shkëput prej tij, që e kundërshtoi atë, duke rrezikuar. Mund të quhet i ndryshuar edhe ai, natyrisht në një shkallë më të ulët se i pari që, më pas, pasi regjimi ra, jo vetëm që dënon regjimin që mbështeti, jo vetëm që dënon të kaluarën e tij, jo vetëm që kërkon falje publike, por që orvatet edhe ta shlyejë të keqen e bërë.

Nga oficeri nazist vihet re se ai e ka ndjerë veten keq përnjëherë mbas kryerjes së krimit dhe është penduar për të. Ai nuk u pendua në çastet e vdekjes. Ai u pendua shumë më parë. Duket se pendesa e tij ishte e sinqertë dhe, mesa dimë, në përgjithësi është e rrallë. Është e rrallë jo vetëm për nazistët, por edhe për kriminelë  të ngjyrave të tjera. Për Karlin duket se ka ndikuar edhe edukimi i tij fetar në rini. Zakonisht kriminelët që kryejnë krime në emër të një ideologjie, që mund të jetë ideologji politike, ideologji fetare, ideologji nacionaliste apo e çfarëdo lloji tjetër, në përgjithësi as që kuptojnë që kanë kryer krime, pa le më të pendohen për to e të kërkojnë falje. Karli jo vetëm shpall pendesën, por shton: “Më beso, do të jem gati të vuaj më keq dhe më gjatë, në qoftë se në atë mënyrë do të sillja përsëri në jetë të vdekurit e Dniepropetrovskit”.  Pra, ai jo vetëm shpall pendesë, por është gati ta shlyejë në njëfarë mënyre krimin e bërë me vuajtjen e tij.

Po ashtu, kriminelët që nuk i ka parë kush në veprim e sipër, nuk i shprehin botërisht krimet e tyre. Ata, edhe kur kanë kuptuar se kanë bërë diçka të keqe, e mbajnë atë brenda vetes, në rastin më të mirë, si një brejtje ndërgjegjeje. Kështu, rasti i Karlit, të cilin nuk e pa kush të kryente akte kriminale, por deklaroi vetë se i kishte kryer ato dhe shprehu pendesë për to, është gjithashtu i rrallë.

Për të gjitha këto, ndonëse krimi i tij qe i përbindshëm, ai meriton si përgjigje një qëndrim krejt të ndryshëm prej atij që mund t’i jepej një tjetri që kishte kryer të njëjtin krim dhe që nuk u pendua dhe nuk u deklarua kurrë, madje u mburr me të.

Falja, kur jepet brenda kufijve të arsyes, mund të ketë forcë të jashtëzakonshme në strukturimin për mirë të shoqërisë njerëzore. Fetë në përgjithësi dhe, sidomos, krishterimi i kanë dhënë një vend të rëndësishëm, madje ekstrem, kërkesës së faljes dhe akordimit të saj.

Mendimi i Tcvetan Todorovit për sjelljen e Vizentalit dhe në përgjithësi për qëndrimin ndaj një krimineli të penduar, ashtu siç jepet në librin e Vizentalit, është ky:“Çfarë duhej të kishte bërë Simoni? Ç’duhej të kisha bërë unë, në qoftë se do të isha në vendin e tij? Le t’i përgjigjem më parë pyetjes, ashtu siç qëndron ajo. I vetmi që mund të falë, është ai që ka provuar lëndimin. Çdo zgjatim për analogji, nga individi për te grupi, më duket i paligjshëm: nuk mund të falet me prokurë më shumë nga ç’mund të bëhesh viktimë me shoqërim, apo duke mbajtur një faj kolektiv. Prandaj, vrasja, me përkufizim, nuk mund të falet, grupi i lënduar nuk ekziston më që të bëjë faljen. Duhet të shtoj që, meqenëse nuk jam edukuar për të qenë besimtar i krishterë, nuk e kam konsideruar shfajësimin fetar si një element të rëndësishëm të jetës. Drejtësia dhe morali për mua janë shumë më të rëndësishëm.

“Prandaj po përpiqem të shkoj pak më tej për të riformuluar pyetjen në termat e mia: si do ta gjykonim SS-in të përshkruar nga Vizentali dhe çfarë duhet të mendonim për të? Faji i tij është i pa diskutueshëm; ai që përbën problem është në se duhet të marrim parasysh keqardhjen dhe pendesën e tij. Përvoja tregon se shumica e kriminelëve nazistë nuk ndjeu keqardhje për veprimet që kryen. Në Nuremberg, Shperi qe i vetmi që e konsideroi veten pjesërisht fajtor. Në gjyqin e Aushvicit në vitin 1963, vetëm ish-viktimat  ishin në ankth; ish-ekzekutorët dukej se nuk shqetësoheshin fare nga brejtja e ndërgjegjes. E njëjta gjë ka ndodhur me kriminelë të të tjerave krime në vendet totalitare, apo edhe sot në ish-Jugosllavi: roje të kampeve të përqendrimit, njëlloj si superiorët e tyre, e konsiderojnë veten të pafajshëm. Në këtë anë, njeriu i Vizentalit është i ndryshëm dhe vetëm për të theksuar ndryshimin, ai meriton tjetër trajtim: jo shfajësim, afërmendsh, por njohjen e nisjes së atij aktiviteti të posaçëm njerëzor që çon drejt një ndryshimi për mirë, atë që Rusoi e quante përkryershmëri.

“Nuk mund të injoroj ngritjen e këtyre çështjeve sot, më se pesëdhjetë vjet pas ngjarjeve. Ne nuk po shohim një veprim në të tashmen, por një veprim në të shkuarën që ndodhet në kujtesën tonë. Ç’farë mund të bëjmë me të keqen e së shkuarës, si mund ta vëmë atë në shërbim të edukimit tonë moral? Krimet e nazizmit janë të tilla që e bëjnë të pamundur ngatërrimin e vlerave. E keqja ka ekzistuar vërtetë dhe nuk është në asnjë mënyrë relative. Vetëm për këtë arsye, ajo duhet të na mbetet në kujtesë. Hapi i dytë në këtë edukim duhet të jetë refuzimi i prirjes për të identifikuar të keqen vetëm me tjetrin, dhe të mirën vetëm me veten, si dhe duke njohur atë që ka thënë Romain Gary, që jonjerëzorja është pjesë e njeriut. Duke refuzuar relativizmin, nuk do të thotë të përqafojmë ndarjen manikeiste midis së keqes dhe së mirës. Është bashkëveprimi komplementar i këtyre dy aspekteve të gjykimit moral, më duket mua, që na lejon t’i përdorim gjykimet e drejta të së shkuarës në të tashmen, në mënyrë që të luftojmë të këqijat e sotme dhe jo vetëm të djeshmet”.

Nju Jork, shkurt, 2016

Filed Under: Histori Tagged With: e Simon Vizentalit, Ilir Hashorva, Tcvetan Todorov dhe “Lulja e diellit”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 369
  • 370
  • 371
  • 372
  • 373
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT