• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOGMATIKË DHE HERETIKË

December 31, 2016 by dgreca

Kritikë mbi pikëpamjen shkencore te Z.Korkuti mbi origjinën pellazge te shqiptarëve, ose mohimi i mohimit të ketij mendimi/1-pellazget-iliretNga Petro DANGELLIA/

         Pasi shekulli i XXI futi këmbët në mijevjeçarin e tretë të erës sonë dhe z.Korkuti u bë kryetar i Akademisë së Shkencave të shqiptarëve të Shqipërisë Trung; mendoi se kishte ardhur koha që t’i lante hesapet një herë e mirë me plangprishësit, ose ata që i bien këmborës mbi  origjinën pellazge të shqiptarëve.

2-pellazget

         Dëgjoni  këtu o shqiptarë, tha Ai:  Kanë dalë disa diletante, që ma kanë prishur gjumin, prandaj kam vendosur që t’i shpallë heretikë; pasi librat e tyre bien në kundërshtim me dogmën që mbroj unë dhe ata që janë pas meje. Pasi bëri një listë të tyre dhe librave të tyre u dha porosi shtëpive botuese dhe librarive, që libra të tillë të hiqen nga qarkullimi dhe mundësisht të digjen në sheshet kryesore të qyteteve, ndërsa autorët e tyre, meqënëse nuk kemi mundësi t’i djegim në turrën e druve; t’u ngjisim emrat në shtyllën e turpit të shpallur nga “Gazeta Shqiptare”.

         Kush jeni Ju z.Korkuti që kini vendosur të persekutoni libra dhe autorë, pasi ata thonë atë që mendojnë dhe meqënëse ata janë “diletantë”, ç’punë ju prishin juve që jeni në majën e Olimpit të shkencës shqiptare, madje në rolin e Zeusit, që lëshon shkrepëtima dhe vetëtima ndaj kujtdo. Pse kini frikë dhe nga kush kini frikë?

         Por shqetësimi i z.Korkuti, (ose “shqetësimi objektiv” siç e përshkruan një vllaho-grek me mbiemër shqiptar, Barka) është se ata autorë po lexohen nga shqipëtarët, ndërsa veprat e tij, që nuk dihet ku janë, nuk po lexohen. Librat e tyre po u hapin sytë shqiptarëve dhe po shërbejnë për krijimin e një Ideollogjie Kombëtare. Po çfarë pune i prish kjo z.Korkuti? Këtë e di ai.

         Z.Korkuti në shkencë nuk ka gjeneralë dhe ushtarë; në shkencë mendimi i një kryetari akademie nuk do të thotë se është mendimi më i mirë shkencor dhe duhet të qëndrojë në krye. Në shkencë nuk ka tituj, grada dhe nishane; madje nuk ka as profesionistë dhe amatorë. Shëmbujt janë kuptimplotë; Shampolioni, zbërthyesi i “Gurit të Rozetës”:  “I pajisur me njohjen e pothuaj gjithë gjuhëve të vjetra, edhe pse i penguar nga “baronët” e zakonshëm të shkencës zyrtare dhe kundër pikëpmajes së “të diturve”, pohoi në mënyrë gjeniale, se edhe gjuha me hieroglife duhet të kishte domozdomërisht një alphabet fonetik (“Thot-i fliste shqip” Xhuzepe Katapano,f.74);  Shlimani ishte një tregtar, por zbuloi Trojën dhe Mikenën. Z.Korkuti mblidhni mëndjen dhe drejtojuni arësyes.

       Ju nxirrni si argument, se këta autorë nuk njohin greqishten e vjetër, as latinishten. Por në listimin Tuaj figurojnë edhe disa gjeneralë të mendimit shkencor si Prof.Pilika dhe Matheu Aref, studjues poliglotë dhe njohës të gjuhëve të vdekura. Tabelat e Arefit, nëqoftëse i kini lexuar veprat e tij, e pasqyrojnë këtë. Pilika, siç thuhet në parathënie të librit të tij, njeh 5 gjuhë të vdekura dhe gjithë gjithë 11 gjuhë.

         Pilikën; ish kolegët e tu, ata që mbronin idenë tënde dhe devijuan historinë e Shqipërisë, ata që ndryshuan kursin e studimit shkencor nga origjina pellazge, në origjinën ilire të shqiptarëve; pasi e larguan Pilikën  nga institucionet shkencore, e internuan ne fushat e Myzeqesë; dhe tani pas vdekjes së tij, Ju pa ndroje dhe pa turp po e linçoni përsëri, thjesht se tani keni kapur një post të lartë, pasi nga aftësitë dhe kapaciteti shkencor nuk arrini në nivelin e tij.Turp.

         Ju pa ndroje dhe pa u skuqur se po bëni një vepër aspak të moralshme, zini në gojë dhe listoni në listën tuaj të turpit edhe të ndjerin Aristidh Kola, këtë njeri me zëmër të madhe, këtë patrot të madh të çështjes kombëtare, këtë studjues pasionat dhe të shkëlqyer. Po ju tregoj postulatin që na ka lënë i ndjeri Aristidh Kola:

“Pellazgët nuk janë një mizë që ka rënë në qumësht dhe duke hequr mizën mund ta pini qumështin të qetë”.  

         Dhe ju z.Korkuti e kuptoni shumë mirë këtë shprehje, pasi ashtu si dhe unë e keni origjinën nga fshati dhe në fëmijëri, të dy bashkë, shumë herë kemi larguar mizat që na binin në kusinë e qumështit.

         Por, asnjëherë z.Korkuti, Ju dhe gjithë luftëtarët fytërëvrerosur të Vorio-Epirit, nuk do ta largoni dot këtë mizë nga qumështi pellazgjik, me të cilin janë mëkuar për mijra vjet raca jonë e shkëlqyer, të cilën në lashtësi e kanë quajtur hyjnore.

 

         Në vazhdim, unë do të përmëndja edhe arbëreshin Xhuzepe Katapano, i cili me veprën e tij “Thot-i  Fliste Shqip” bëri epokë në sajë të një zbulimi shumë të madh. Ai vërtetoi se Thoti e ka ndërtuar alfabetin hieroglifik egjyptian duke patur si çelës gjuhën shqipe. Ju mund të thoni se Zef Katapano ishte diletant, por ai ishte akademik zotëri dhe akademik në Itali jo në Shqipëri.

        Ju qëllimisht lini në hije mendimtarin dhe kollosin e teorisë pellazge, helenistin e shquar, njohësin e shkëlqyer të gjuhëve të vdekura, përfshirë edhe sanskritishten, Spiro Kondën, autorin më të madh shqiptar për origjinën pellazge të gjuhës shqipe dhe të vetë  të shqiptarëve, i cili me veprën e tij “Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik” ka bërë epokë. Pse, z.kryetar i akademisë së shkencave; pasi mendimi i tij i ndriçuar Ju vret sytë.

         Ju qëllimisht nuk përmëndni të madhin Petro Zheji, të cilin ju vet si akademi e propozuat sivjet për çmimin kult për revolucionin e tij në gjuhësi, për origjinën pellazge të gjuhës shqipe.

         Për pellazgët kanë folur edhe R.D’Anzhely me Z.Majanin. Edhe për këta do të thoni se nuk njihnin greqishten e vjetër! Edhe për këta do të thoni që ishin diletantë! Por ata ishin akademik të Akademisë Franceze zotëri.

         I fusni edhe këta në listë që të gjithë bashkë shqiptarë dhe të huaj dhe i linçoni ata dhe veprën e tyre, pasi edhe këta flasin dhe mbrojnë origjinën pellazge të gjuhës shqipe dhe të shqipëtarëve.

         Po kush është dogma e z.Korkuti?  Idea e z.Korkuti është kjo: Shqiptarët e kanë origjinën nga Ilirët dhe për rrjedhojë edhe gjuha shqipe vjen nga ilirishtja. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi kjo është një e vërtetë e pranuar. Por njëkohësisht është edhe një e vërtetë jo e plotë, pasi ajo nuk pranon që kjo origjinë shkon deri tek pellazgët, e për rrjedhojë duke e nxjerrë gjuhën shqipe të lidhur drejtëpërdrejtë, në daçi edhe nëpërmjet ilirishtes, me pellazgjishten. Në këtë rast ajo menjëherë kthehet në dogmë dhe ka mbetur një dogmë. Pse mbrohet kjo dogmë dhe kush ka interes që kjo dogmë të mbetet si e vërteta absolute e shkencës shqiptare?

 

        Ajo është një dogmë, pasi qëllimisht ngushton origjinën e shqiptarëve vetëm tek ilirët; ndërkohë që origjina e shqiptarëve, ashtu si flamuri i tyre, është me dy koka: Shqiptarët vijnë nga Ilirët, po aq sa vijnë edhe nga epirotët dhe të dy palët si ilirët, ashtu edhe epirotët, vijnë prej pellazgëve.

         Iliria dhe Epiri janë trojet zulmëmëdha prej nga rrodhën arbërit. Dhe me arbërit në Arbëri nuk kishte më ilirë dhe epirotë; por kishte gegë dhe toskë. Kjo është e vërteta historike.

         Origjinën e shqiptarëve nga ilirët dhe eprotët e mbrojnë shumë autorë. Unë po e filloj me një autor shqiptar që është shumë qartë dhe mjaft i saktë. Ky është Mehdi Frashëri nga dera e ndritur e frashëllinjve. Në veprën e vet “Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqipëtarëve” ai në kreun e dytë, të cilin e emërton “Iliria ose Gegëria” na thotë:

“…Në kohët e vjetra fjala Gegëri osë Toskëri, nuk fytyron gjëkundi. Në vënd të këtyre përdorej fjala, për Gegëri, Iliri; dhe për Toskëri, Epir…Nga ky shkak, për të ardhur konformë me historinë e vjetër, pëlqyem edhe na, të përdorim fjalën Iliri dhe Epir, për këtë periudhë të vjetër historike, në vënd të Gegërisë dhe të Toskërisë….Nga ana e Jugut gjer ku vinte kufiri i Ilirisë, Gegërisë, edhe ku fillonte ai i Epirit, i Toskërisë, historishkronjësit e vjetër janë ndarë më dysh: simbas Strabonit, Epiri fillonte nga Shkumbini e poshtë, lum që atëhere quhej Genysys; simbas Tit Livit nga Vjosa e poshtë, të cilit asi kohe i thoshin Aus…”. F.70-71 e botimit në fjalë. Ju mund të thoni që Mehdi Frashëri është diletant dhe nuk e njeh greqishten e vjetër. Pyeteni dhe do t’u përgjigjet ai vetë!  Kur Mehdi Frashëri ka botuar këtë libër, Ju nuk kishit lindur akoma.

         Tani, shumë thjesht mund të bëhet pyetja: Kujt i intereson qe origjina e shqiptarëve të mos jetë edhe nga Epiri? Ose e shprehur më qartë, kujt i intereson që toskët epirotë të mos quhen shqiptarë, por t’u jepet një emër tjetër; psh të quhen grekë. Kush dëshiron që kufirin e shtetit të vet të çojë deri në Shkumbin, ku ndahen gegët me toskët; pra që toskët të zhduken dhe të mos përmënden më, por të quhen grekë? E shikoni që dogma që mbrohet me fanatizëm i ka rrënjët të thella dhe pasojat shumë të rrezikshme. Prandaj edhe vllaho greku, Barka, i ka dalë në mbrojtje dhe njëkohësisht nxjerr si mburojë, Kryetarin e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, z.Korkuti.

         Megjithatë, ju z.Korkuti, po të ishit thelluar, po t’i studjonit në thellësi dhe gjërësi Ilirët, me domosdo ju në fund të këtij studimi do të kishit cekur pellazgët; ashtu si një anije e madhe kur futet ne ngushtica prek fundin e detit.

         Shëmbullin e keni shumë afër, një banor i bregdetit Adriatik, Aleksandër Stipçeviq, që i ka studjuar seriozisht dhe me dashuri Ilirët, ka  nxjerrë një vepër të madhe për ta. Në këtë vepër, pavarësisht se ai është marrë me ilirët, përfundimet e kanë shpënë tek lidhja e tyre me pellazgët. Që të jem më konkret po përmend nja dy raste të veprës së tij “Ilirët”.

         “Përputhshmëria e dokeve të shumta të varrimit të të vdekurve te ilirët edhe te grekët e hershëm (dhe grekët e hershëm  janë pellazgët), përputhshmëria e simbolikës funerale, siç mund të përcaktohet në bazë të dokumentacionit arkeologjik…e tërë kjo flet për bazën  shpirtërore që ka qënë e përbashkët për të dy grupet etnike” (f.308 e veprës së cituar në shqip).

       Kur flet për kultin e gjarpërit tek ilirët, Stipçeviq, rrëfen se ky kult është i njëjtë me atë të Hititëve në Azinë e Vogël. Por Hititët, nuk e di në se ju z.Korkuti e dini apo jo, që janë pellazgë. Perandoria zulmëmadhe Hitite me kryeqytet  Hatushën ishte një perandori pellazge, nga shpërbërja e së cilës dolën mbretëritë e fuqishme të Likianëve, Lidianëve (paraardhësit e pellazgëve Tirrenë), Kanaenëve, Karianëve, që të gjithë popuj pellazgë etj etj. Pra kulti i gjarpërit, para  se të jetë një kult ilir ka qënë një kult pellazg, pra i trashëguar nga pellazgët tek ilirët. Madje, ai shkon më tej kur duke ju referuar një autori, K.Oshtirit, i cili nga ana e vet emrin e etnisë së madhe të ilirëve e lidh me emrin e gjarpërit hitit, Illujankash. Sipas këtij autori, origjina e emrit Ilir nuk është indo-europian por “Alarodik dhe pikërisht pellazgjik”.

         Por në këtë linjë, në lidhjen e emërit të Ilirëve me Hititët, pra edhe me pellazgët,  është edhe Xhuzepe Katapano, i cili nuk përdor emërtimin pellazgë, por në vend të tij përdor emërtimin Ilir. Ai shprehet se ilirët atlantidas (pellazgët atlantidas) pas përmbytjes së madhe 12.000 vjet para erës sonë shkuan në Kaukaz dhe pas largimit të ujrave zbritën në Azinë e Vogël me emrin e ri, Hitit, duke krijuar 6500 vjet p.e.s perandorinë hitite me kryeqytet Hatushën. Por vazhduan edhe në drejtim të Egjyptit.

         Po citojmë disa nga vargjet e Zef Katapanos që shprehin këtë mendim: “ Kjo e ditura hyjneshë (perëndesha egjyptiane MAT) është po e farës sonë arbëreshë, çë me Thotin  shkoi  Misir ka Kaukazi, kur Ilir ynë llauzi po i nxir gjithë  ka stera e bardhë e dëlirë…..dreq Evropën bënë të lirë. Kështu llauzit tonë arbëror i dhanë ëmrin pra hyjnor: “I Lir”, se për lirinë sterës bardhë epër shpërblim”.

       Pra, ka autorë z.Korkuti, që edhe emrin Ilir e nxjerrin me origjinë pellazgjike. Po vetë banorët e Ilirisë atëhere, a nuk janë edhe ata me origjinë pellazgjike, për derisa vetë emri i tyre ka këtë origjinë.

       Në vazhdim të kultit të gjarpërit Stipçeviq tregon se nga kërkimet arkeologjike në Prishtinë në një figurinë të neolitit të vonë është gjetur gjarpëri i mbjellë kutullaç. Figurina të tilla, vazhdon ai, janë gjetur në Mikenë. Nuk ka pikë dyshimi thotë autori, se domethënia e kultit në Prishtinë dhe Mikenë, është e njëjtë; dmth paraqet mbrojtësin e vatrës së shtëpisë dhe njëkohësisht personifikimi i kryetarit të ndjerë të fisit.(f.319 e veprës së cituar). Pra, besoj se nuk ka nevojë që t’ua shpjegoj, se zakonet e pellazgëve dardanë janë të njëjta me ato të pellazgëve mikenas.

         Në përfundim Stipçeviq thotë : “religjioni ilir dhe grek kanë pasur së paku pjesërisht, bazën e përbashkët shpirtërore në botën neoeneolitike mesdhetare, që ka rezultuar pa dyshim në ngjashmërinë e një sërë detajesh në mes të këtyre dy religjioneve dhe mitollogjive, dhe gjithësesi edhe të simboleve gjegjëse”. F.438.

         Por ajo që nuk thotë Stipçeviq, është fakti se bota neoeneolitike mesdhetare nuk është gjë tjetër, veçse bota mesdhetare pellazge. Janë pellazgët ata që popullonin gjithë bregun e Mesdheut, Azi të Vogël, Lindjen e Afërme, Veriun e Afrikës,  gadishujt, Iberik, Apenin dhe Ballkanik; Pra, janë pëllazgët, parahelenë dhe parailirë, që u kanë lënë trashëgimi të njëjta dy etnive të krijuara dhjetra shekuj më vonë.

         Por që të mos dalim nga tema, po përmëndim një autor, të cilin dalëzotësi juaj, z.Barka, e ka shumë për zëmër. Ky është N.G.L.Hamond. Ja çfarë na thotë Hamondi. Gjakmarrja është një zakon i njëjtë si tek grekët e lashtë (pellazgë po i quaj unë) ashtu edhe tek shqiptarët, banorë të Ilirisë, apo të Epirit. Ai i drejtohet nje episodi të shkruar në Iliadë, ku përshkruhet tablloja e mburojës së Akilit; ku pleqësia ishte mbledhur për të ndalur një gjakmarrje. Në vijim, ai shpjegon se edhe Drakoni, ligjvënësi i madh Helen u përpoq që të ndalte gjakmarrjen; po ashtu, pas tij edhe i madhi Solon. Në vazhdim ai tregon, se në vitin 1894 njëzetekatër pleqtë e Kastratit vendosën të njëjtin ligj, që kishte vendosur edhe Soloni para 25 shekujsh, lidhur me qarjen me lot për faqe. (“Epiri”, f..41-42 në shqip).

       Në vazhdim të kësaj ideje, që si ilirët, ashtu edhe epirotët, rrjedhin prej pellazgëve; po hidhemi pak në traditat dhe zakonet e sotshme të shqiptarëve, të cilat kanë mbetur të tilla për mijra vjet dhe vijnë që nga mugëtirat e kohrave. Hamondi përmendi gjakmarrjen. Por unë do të përmënd mikpritjen, një zakon i stërlashtë pellazgjik. Një zakon që kishte për dalëzotës bash vetë Zeusin gjëmimmadh.

         Në malësitë tona thuhet që shtëpia është e mikut dhe e zotit. Nëqoftëse do të kthehemi prapa 3000 vjet, kjo shprehje du të thuhej që banesa është e mikut dhe e Zeusit. Për të vërtetuar këtë po i referohemi drejtëpërsëdrejti “Odisesë” :

“…ki nderim për hyjni  o trim bujar! Ne sot të biem ndër këmbë: ta dish se Zeusi hakmerret rëndë për miq e nevojtarë, se Zeusi do t’u shtrohet miqve  buka…” f.157 ne shqip. Vazhdojmë:

“…Zeusin mikpritës e nderoj në ty…Tamam po thua, mik! Kjo është mënyra më e lehtë në të gjithë botën t’më dalë nami e të më tallin sot e përgjithmonë! (shiko se me të njëjtën gjuhë do të fliste edhe një malësor i yni pas 3000 vjetësh) të pres tjetrin si mik, pastaj t’i sulem e t’ia marr shpirtin! Zoti mos e dhëntë! Me ç’sy e faqe unë pastaj t’i lutem Zeusit, birit të Kronosit atë…”.

       Hidhemi tek Eskili, tek Lutëset, ja çfarë u tregon Danau plak Danaideve, se si  e priten fjalën e tij për mbrojtje argivët dhe vetë mbreti i tyre Pelazgu:

“Argivët që të gjithë u shprehën pa ngurim dhe ndezën zjarr të ri në zëmrën time plakë. Të gjithë ngritën lart të djathtat ogurmira.- Një pyll i tërë duarsh- dhe ja si vendosën: “këtu, në këtë vënd të lirë mund të rroni, askush nuk do t’ju prekë, askush t’ju marrë peng. I huaj qoftë a vëndas, njeri s’mund t’ju trazojë. Në rast se kundër jush veprohet me përdhunë, këdo nga vëndalinjtë që ndihmë nuk ju jep, e prek veç damk e turpit dhe rruga e mërgimit” për ne të tilla fjalë tha mbreti i pelazgëve. Pa shtoi se qyteti nuk duhej në të ardhmen të cyste zëmëratën e Zeusit ndaj lutsve, se njollë të dyfishtë mbi vete do të merrte- për miqtë vëndalinj- se kjo patjetër shpagim do të kërkontë, shpagimin e së keqes. Dhe populli argiv, këto me të dëgjuar, me dorë dha pëlqimin pa pritur që ta ftonin. Nga fjala e goditur u bind me të vërtetë ky populli pelazg, po vulën e vu Zeusi…”.(f.75  e veprës së citua)r.

         Po të shtoj ndonjë fjalë unë, prishet, se pastaj më vret zoti dhe Eskili.

         Nga zakonet hidhemi tek etnografia: Të gjithë e njohim xhubletën e malësisë, vendësit thonë që është një veshje e lashtë e malësoreve, thonë që është edhe ilire. Nuk kam kundërshtim. Por, në gjetjet arkeologjike në Kretë janë zbuluar veshje të grave kretane, pellazge të njëjta me xhubletën e Malësisë. Hane shan hane Bagdad. Malësoret tona me veshje greke!!!! Apo greket e lashta me veshjen shqiptare, apo ilire në daçi!!! Vetvetiu, këtu na shpëtojnë pellazgët, të cilët kanë banuar si në Kretë dhe në Mikenë, si  në Argos dhe në Korinth; po ashtu edhe në Dardani dhe në Iliri. Përgjigja është e thjeshtë:

         Xhubleta është një veshje pellazge, dhe që të gjithë ata që e kanë përdorur kanë qënë pellazgë. Ndërsa ata që e përdorin sot e kësaj dite, si rrjedhojë e kanë origjinën nga pellazgët. Vazhdojmë më tej.

         Kemi dëgjuar për vallen e shpatave, që sot e kësaj dite dhe për mijëra vjet kërcehet nga malësorët  tanë. E po pastaj, do të thoni Ju? Po, sepse sa më thellë futemi, aq më shumë gjëjmë rurëza. Në një festival tradicional në Umbria të Italisë edhe atje kërcehej vallja e shpatave. Ç’duan italianët  me vallen e shpatave? Nuk duan italianët, por duan umbrianët. Mbase ju z.Korkuti e dini që umbrianët e lashtë janë etruskë dhe se Umbria, po ashtu si Toskana ka qënë e banuar prej Etruskëve dhe që etruskët janë pellazgë, nuk duhet ta vini në dyshim. Pra, mos vallja e shpatave do të thoni ju, është një valle pellazge?!! Dhe ata që e kërcejnë sot e kësaj dite, do të thosha unë, janë me origjinë nga pellazgët.

         Vazhdojmë më tej dhe hidhemi në Greqi. Legjenda thotë që kur lindi Zeusi foshnje qante. Për të mos e gjetur Kroni dhe ta hante, foshnja ishte strehuar tek kretasit e lashtë pellazgë, të cilët e njihnin shumë mirë zakonin e mikpritjes z.Korkuti. Kur foshnja Zeus qante, thotë legjenda, kretanet pellazgë për ta qetësuar dhe për të mos u dëgjuar e qara, ngriheshin në valle dhe përplasnin shpatat e tyre. Mbase i rrëmbyen shpatat për t’i treguar Kronit se jetën e mikut vogëlush do ta mbronin me jetën e tyre, pasi kështu i mësonte zakoni i mikpritjes. Kështu mbase lindi vallja e shpatave.  Pra këtu ndodhemi pra një trekëndëshi pellazgjik Umbria-Bjeshkët e Namuna dhe Kretë. Ky trekëndësh është si trekëndëshi i Bermudes që do të thithë në gjeratoren e vet gjithë antipellazgjistët. Por ka edhe më. Po ju tregoj një dilentatizëm nga ato që z.Korkuti nuk i ka hiç për qejf.

         Sot e kësaj dite grekët e quajnë Kretën, Krriti; ndërsa ne shqiptarët e quajmë Kretë. Kush është emri  i vërtetë, ajo që shqiptojnë të huajt, apo ajo që shqiptojnë vëndësit. Besoj se edhe ju jeni në një mëndje më mua: Ai emër që shqiptojnë vëndësit. Pra, Krriti. Por nëqoftëse kthehemi prapë tek legjenda. Kreta është vendi ku u rrit  Zeusi, ose vendi që e rriti, ose që kë rriti; pra Krriti. Pra si i lidh gjërat legjenda. Pra këtu na del, se edhe emri i Kretës vjen nga vepra që kanë kryer banorët e saj pellazgë para mijra vjetësh, nga rritja e Zeusit dhe për çudi shpjegimin dhe kuptimin ja jep gjuha shqipe, do apo nuk do z.Korkuti.

         Ja çfarë na thotë për gjuhën shqipe një autor francez Luis Benlou:

“…në Liki, në Troadë, në Kretë, në Atikë në kohëra që nuk mbahen mënd, hasej një popullsi zanafillore e njëjtë, e cila fliste një gjuhë dhe vetëm një gjuhë dhe kjo gjuhë ishte GJUHA  SHQIPE, apo gjuha që ngjante me të…

…Ne mendojmë se banorët zanafillorë të Greqisë dhe të Azisë së Vogël deri në Halis, duhet të kenë folur idioma pak a shumë të ngjashme me gjuhën shqipe..”. (Greqia përpara grekëve-f.128 dhe 81.bot.shqip).

         Mund të thoni edhe ju, ashtu siç thoshte i madhi Çabej, që mitet dhe legjendat janë përralla boshe me të cilat nuk duhet të mbushim kokat e vogla të fëmijve në shkolla. Dakort me kokat e fëmijve; por kur hynë në kokat  tona të mëdha o i madhi Çabej, qysh tua bëjmë?!!!

         Por kemi edhe një vlerësim tjetër për mitet dhe legjendat dhe ky vlerësim na vjen nga përtej Adriatikut nga Xhuzepe Katapano:  “…Mitet dhe legjendat, ndryshe nga sa mendohet zakonisht, nuk janë gjithëmonë përralla apo pjellë e fantazisë, por  FOSILE të HISTORISË; janë kujtesë kolektive e gjinisë njerëzore e vjetër prej 600.000 vitesh; e cila ka rregjistruar ngjarje të kaluara-ndonjëherë të shtrëmbëruara, gjatë përcjelljes nga brezi në brez – por përherë të vërteta, ashtu siç ka dëshmuar shkenca në 100 vitet e fundit, me kusht që të vlerësohen me kodin e duhur, pa paragjykime…”. (f.41 e veprës së cituar).

         Deri këtu folëm për zakonte, tradita dhe për  etnografi. Herës tjetër do të flasim për atë që ka më shumë qejf z.Korkuti, për arkeologjinë. Kalofshi gëzuar vitin e Ri.

30 dhjetor 2016

Me respekt  Petro Dangëllia

Filed Under: Histori Tagged With: DOGMATIKË DHE HERETIKË, Muzafer Korkuti, Petro Dangellia

Kur goditej Hollivudi…

December 30, 2016 by dgreca

1-albana-perendimi-mistikNga Albana M. Lifschin*/Nga fundi i vitit 1950, publiku amerikan i trëmbej kaq shumë rrezikut komunist sa 68 për qind e tij kërkonte që partia komuniste në Amerikë të dilte jashtë ligjit. Kishte mjaft njerëz që mendonin se komunistët kishin kohë që kishin depërtuar në shoqërinë amerikane si pasojë e influencës së Bashkimit Sovjetik. Ata sillnin si shëmbull numrin e atyre që ishin arrestuar e dënuar si spiunë të tij, siç ishte rasti i çiftit Rosenberg. Ata që guxonin të mbronin viktimat akuzoheshin si komunistë apo simpatizantë të komunistëve.

Në 20 shkurt 1950 Senator Xho Makarti (Joe McCarthy) kishte mbajtur fjalimin e tij në senatin amerikan për rrezikun komunist që kishte depërtuar në SHBA duke tërhequr vëmendjen e të gjithë kombit. Senatori deklaronte se demokratët dhe komunistët kanë aq shumë pikpamje të ngjashme në mes tyre, saqë demokratët duhet ta quajnë veten e tyre “komikrats.” Ngjarje shqetësuese qe publikimi nga stafi i Makartit i një fotografie ku dukej senatori demokrat Millard Tydings(Tajdings) duke folur me ish liderin e partisë komuniste amerikane Earl Browder. Fotografia në fakt qe një kompozim mekanik i dy fotografive të veçanta duke krijuar një imazh të rremë. Megjithëse ne të kishte një shënim me gërma të vockla ku thuhej se qe një kompozim, shumë njerëz të ndikuar nga përshtypja e parë që linte ajo, e morën M.Tajdings për simpatizant të komunistëve gjë që ndikoi në humbjen e tij në zgjedhje. Me ndihmën e shefit të të FBI, Edgar Huver, një nga njerëzit më të fuqishëm e më të frikshëm të kohës, Makarthi vazhdoi gjuetinë e tij në të gjitha sferat shoqërore. Sa më shumë rritej frika, aq më shumë rriteshin edhe pasuesit e tij. Ndërkohë në shënjestrën e Makarthit u vu Hollivudi. Ai deklaroi se në Hollivud kishte më shumë se dy mijë skenaristë, aktorë, regjizorë e producentë komunistë. Sulmi nisi sëpari nga skenaristët, të cilët mendohej se kishin futur ide propogandistike komuniste në skenarët e tyre. Qe hedhur mendimi që presidenti Ruzvelt kishte inkurajuar filmat pro-sovjetik gjatë luftës, dhe megjithë se kjo nuk u vërtetua, presioni i përdorur bëri që krijuesë të njohur të kohës të linin Hollivudin.Filloi mbajtja eseancave të tëra të dëgjimit me qëllim çrrenjosjen e komunistëve nga Hollivudi. Ishte e mjaftueshme që dikush të thirrej për t’u pyetur nga komisioni hetimor dhe emri i tij të publikohej në listën e zezë. Metodat e tij u quajtën Makartizëm. Pranonin apo jo anëtarësinë e tyre, ata përfundonin në listën e zezë. Lista e zezë përfshinte gjithë emrat e artistëve të dyshimtë. E përpiluar nga agjentët e FBI, lista e zezë praktikisht ndalonte bizneset për të punësuar personat e dyshimtë që kishin emrat në të. Duke patur frikë se filmi apo programi televiziv mund të bojkotohesh nga publiku, bisnesmenët e drejtuesit e kësaj industrie kontrollonin vazhdimisht listën e zezë para se të merrnin në punë artistët apo pranonin skenaret. Mbi 200 prej tyre humbën vendet e punës në Hollivud. E ashtuquajtura “Dhjetëshshja e Hollivudit” një regjisor( Eduard Dymyryk) dhe 9 skenaristë (John Howard Law son, Dalton Trumbo, Alvah Bessie, Albert Maltz, Samuel Ornintz, Herbert Biberman, Adrian Scott, Ring Lardner, Jr., and Lester Cole) refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve duke përdorur amendamentin e 5-të të kushtetutes amerikane. Megjithatë kjo nuk i shpëtoi nga burgu, me përjashtim të regjisorit i cili më pas bashkëpunoi me komisionin hetimor. Pati artistë që refuzuan të bënin punën e spiunit duke rrezikuar jetën e karrierën e të tjerëve. Autorja dhe skenaristja e njohur e kohës Lillian Hellman deklaroi se” nuk do të rrezikonte as sot, as në të ardhmen njerëz të cilët ishin plotësisht të pafajshëm, me qëllim për të shpëtuar veten e saj. “Kjo do të ishte e pandershme dhe çnjerzore” tha ajo. Nga qendrimi saj i guximshëm Hellman u shqua në mes të tjerëve. Hellman ishte skenaristja më e famshme e shek.të XX. Ajo u bë ikonë për gratë e gjeneratës së saj në lëvizjen feministe të viteve 1970. Bertold Brehti kur u thirr për të dëshmuar para komisionit deklaroi se ai nuk ishte komunist, dhe pas kësaj e la menjëherë Hollivudin dhe u kthye në Gjermani( lindore). Dosja qe mbushur plot edhe për Çarli Çaplinin. Ai u detyrua të largohej nga Amerika dhe kthimi iu ndalua, si simpatizant i komunisteve. Dhe kjo ndodhte pasi ai kishte realizuar filmin” Diktatori i Madh”.2-arthur-miller

Ne Foto:Arthur Miller/

Aktorë te njohur liberalë si Robert Redfort, Xhek Lemon e Gregori Pek u kritikuan ashpër pse kishin marrë pjesë në një festival filmi në Kubë . Aktores Vanesa Redgrejv iu sabotuan kontratat dhe projektet dhe u kërcënua me bojkot nga zionistët. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës artistët mund të lanin veten e tyre ishte të jepnin emrat e kolegëve të tyre, të spiunonin.

1-kazan

Ne Foto:Ilia Kazan, regjisori me kariere brilante, Ilia Kazan, i njohur nëpërmjet filmit ‘America, America” (1963), “Viva Zapata” (1952) etj..nje nga te goditurit…/

Pati edhe nga ata që u thyen para presionit të makartizmit dhe spiunuan kolegët e tyre. I tillë qe shembulli i regjisorit me kariere brilante, Ilia Kazan, (Shumë nga ju e njihni nëpërmjet filmit ‘America, America” (1963), “Viva Zapata” (1952) etj. Ai dha emrat e 8 vetëve, miqtë të tij që sëbashku kishin qenë anëtarë të partisë komuniste amerikane në vitet 30. Akti i Ilia Kazanit nuk u harrua kurrë, dhe jo vetëm nga ata që u dënuan për shkak të tij. Mjaft artistë të Hollivudit edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me dëshpërim e indinjatë atë kohë, kur ata e kolegët e tyre mbetën pa punë. Disa arritën në vetëvrasje, e disa të tjerë u detyruan të largoheshin përgjithmonë nga Amerika. Kujtimi i hidhur i asaj kohe në historinë e Amerikës ende i ndjek deri në ditët tona. Kariera dhe emri i Ilia Kazanit u njollos përjetësisht nga vendimi i tij. Ndaj në 21 mars 1999, kur regjisori Ilia Kazan u nderua me “Lifetime Achievement Award”, Hollivudi kaloi një tronditje të re nga rikujtimi i asaj kohe, dhe njerëzit u ndanë sërish në dysh. 500 vetë protestuan kundër çmimit të duke mbajtur në duar pankarta me thëniet “Lista e zezë nuk fshihet me gëlqere”. Norma Barzman, Lee Grant, Jules Dassin, Walter Bernstein, dhe të gjithë viktimat e listës së zezë nuk mund ta falnin Ilia Kazanin për atë që bëri. Barzmani komentoi se ‘çmimi i sukseseve të tij ishte shkatërrimi i jetës së të tjerëve’.

Në mbrojtje të Ilia Kazanit doli Artur Miller, duke çgënjyer shumëkend. Artur Miller ishte një nga heronjtë e asaj kohe që doli kundër Makartit. Ndryshe nga Ilia Kazani, Milleri refuzoi të jepte emrat e “bashkëudhëtarëve” të vet, siç i quajti ai kolegët e e tij të Hollivudit. Për qëndrimin e tij ai u dënua me burg. Megjithatë Miller mendonte që Ilia Kazan duhej nderuar për punën e kontributin e tij. Në gazetën

“The guardian” ai shkroi se mendimi dhe ndjenjat e asaj kohe për të nuk kishin ndryshuar, por përsëri ‘Ilia Kazan ka bërë një punë të jashtëzakonshme në teatër dhe në film që meriton t’i vlerësohet”.

Në kohën e tyre ata kishin bashkëpunuar ngushtë, Milleri si skenarist dhe Kazani si regjisori i skenarëve të tij. Ata ishin miq,si vëllezër, por kur Ilia Kazan tradhëtoi kolegët,miqësia e tyre u prish. Ata nuk i folën njeri-tjerit për 10 vjet. Edhe më pas miqësia e tyre nuk u riparua më. Ata “dialoguan” në mes tyre nëpërmjet filmave të realizuar më pas ku shprehën qëndrimet e tyre të kundërta. Ndërsa Ilia Kazani e justifikonte rolin e informatorit në filmin e tij ”On the Waterfront”, Artur Miller e dënonte atë tek “A View from the Bridge”.

Artur Miller dhe Ilia Kazan nuk u kthyen dot më kurrë tek miqësia e ngushtë që kishin me njeri-.tjetrin në fund të viteve 40-e fillimi i viteve 50-të. Miller, që kishte vuajtur shumë, doli si një shembull i guximit ndaj Red Scare (Panikut të kuq) dhe ndër vite fitoi aureolën e një shejti. Ndërsa Ilia Kazan u përkufizua si ‘njeriu në anën tjetër të spektrit’.

 Nga libri “Perendimi Mistik” 2016

Bruklin, NY

Gusht, 2016

Filed Under: Histori Tagged With: Albana M. Lifschin, Kur goditej Hollivudi..., Perendimi mistik

76 VJET PA POETIN KOMBTAR

December 28, 2016 by dgreca

Shkruar: Nga Danil GAZULLI & Fritz RADOVANI/

1-fishtaFOTO: AT GJERGJ FISHTA O.F.M.23 TETOR 1870 – 30 DHJETOR 1940- (Grafikë nga F.Radovani)/Në çdo fushë ku veproi At Fishta, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit tek muzika, prej humorit tek politika…Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit fuqishëm e të pashuem të shpirtit Shqiptar. Ishin nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në impenjimin e Tij politik.

Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.

I gjithë universi intelektual i At Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.

“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por për Italinë, pak e aspak, megjithëse do të kishte për çka me kja.”

Ja pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të ashprin, vargun e lahutës,  që ata të shkonin drejtpërdrejt në zemrat e atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte flakë me guxim për luftën e këputjes së prangave shekullore, për luften për dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e sa Herojëve që nisen në luftë u thotë:

S’ kan shka bajn? Po a thue të desin?

T’desin pra, nuk kan shka presin!

Apo:

P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,

t’mos korisim Gjergj Kastriotin,

t’mos korisim na sot Hotin…

E ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona.”

Si mund të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun prej stepave ruse e që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën Martire Serbi e vjetër?!…

Atyne po, u thotë:

T’i mësojnë fëmijtë mbas sotit

mos t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,

se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!

At Fishta nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte dhé të coptuem, prandaj:

Me gjith këta, por larg nuk shkon

e me i vra ka rr’feja e Zotit

t’ shtat  mbledhë si janë n’London.

Gjuha e Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin kombëtar, kur ky mungonte.”

Por që të gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.

Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij ngjethëse, tue u ngjeshë për parzem të malësorit.

At Fishta vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:

Ndalnju, burra! Ku veni!

Pashi Zotin, lëshoni hutat,

se mjaft gjak asht derdhë!…

Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat tona Shqipe.

Por edhe 28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi… me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën, porositë:

Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:

“Unë këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,

E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?

Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në Korçë, Gjirokastër e ma përtej…

As në ato ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i Dritës”, bashkë me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna  dhe e nëpërkambuna Shqiptari.

Në proçesverbalin e mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy kamët në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!

Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike?

…Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë. Sa Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:

Por n’Shqipni pse nji meshtar

Posë se prift do t’jetë Shqiptar,

Shqiptar, po pa dredha.

Unë rektor e profesorë

Sakristan e baçeva

T’gjithë shqiptarë i zgjodha.

Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:

O perendi, a ndjeve?

Tradhëtarët na lan pa Atdhe

e ti rrin e gjuen n’errfe

lisat n’per male kot.

Ishin kohë të turbullta, kur, si thotë Poeti,

“tash qi u ba Shqipnia, duhen ba Shiptarët.”

E për me ba Shqiptarët Ai ishte që:

Në vitin 1913, thëmeloi dhe drejtoi deri sa vdiq revistën “Hylli i Dritës.”

Në vitin 1916, themeloi e drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë.”

Në vitin 1919 asht sekretar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Parisit.

Në vitin 1921 asht zgjedhë deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.

Në vitin 1921 asht edhe nënkryetar i Parlamentit tonë.

Në vitin 1930 asht në Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.

Në vitin 1931 asht ftue për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa shtete, ku ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.

Në vitin 1931 asht ftue në New York me përfaqsuesit e 60 shteteve të Botës ku u zgjodh anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Amerikë.

Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para Parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e Tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament si një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe kompetent si ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.

Me fjalën e Tij të zjarrtë i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë  mëdha.

Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës Shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”…

“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.

Një portret i përkryem i “udhëheqësit” tonë të ardhshëm…

 

Melbourne, Dhjetor 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 76 Vjet, Danil Gazulli, Dritz Radovani, pa Fishten

Njeriu, idealisti dhe shkrimtari Petro Marko

December 27, 2016 by dgreca

Me rastin e 25 vjetorit te ndarjes nga jeta te shkrimtarit te njohur e te dashur, Petro Marko (25 nentor, 1913 – 27 dhjetor, 1991)/

1-petro-marko

NGA SADIK ELSHANI/ *Kur shkrimtaret, artistet, figurat e ndritura te kombit kujtohen e nderohen ne pervjetoret e tyre te lindjes, apo te vdekjes, dhe jo vetem ne keto raste, tregon se ata jane te paharruar, te nderuar dhe me vepren e tyre, jeten e tyre kane ndikuar pozitivisht ne jeten e shume njerezve, kane fisnikeruar jeten shpirterore te tyre, kane ngritur vlerat morale. I tille ishte Petro Marko, i cili mbylli syte pergjithmone 25 vite me pare, me 27 dhjetor te vitit 1991. Ky shkrim modest nuk ka ndonje qellim tjeter vecse per te kujtuar,nderuar njerin nga shkrimtaret dhe intelektualet me te rendesishem te letersise dhe kultures sone kombetare,me rastin e 25 vjetorit te vdekjes se tij. Nderojme njeriun dinjitoz dhe shkrimtarin e talentuar e prodhimtar,Petro Marko.Sic jane shprehur, me te drejte, edhe te tjeret, ai eshte nje rast i rralle, ndoshta edhe i vetem ne letersine tone ku njeriu dhe shkrimtari jane shkrire, jane bere nje. Pervoja e tij e pasur jetesore, jeta e tij pasqyrohet ne veprat e tij. Jeta u be vepra e tij dhe vepra (shkrimet e tij) u be jeta e tij. Kapitujt e romaneve te tij njeheresh jane edhe copeza te jetes se tij, mund te themi, dramatike. Emrit te tij si shkrimtar dhe intelektual i shkojne shume epitete: i madh, i talentuar, modern, etj.,por epiteti me i domethenes qe misheron vepren e tij dhe ate si njeri eshte: i dashur. Nje shpirt, nje fytyre e perzemert qe rrezaton miresi, mirekuptim njerezor, dashuri njerezore, dashuri pa kufinj. Lexuesi qe shijon vepren e tij e adhuron ate dhe shkrimtarin,sepse ne cdo faqe,ne cdo rresht dhe ne cdo fjale te tij eshte shpirti i tij i paster, i gjere dhe i cilter, dashuria per jeten,dashuria per njeriun. Tere veprat e tij i pershkon nje fryme e ngrohte njerezore, ngadhnjimi i dashurise dhe humanizmit.

Sa here qe permendet emri i Petro Markos,menjehere te godet ne mendje “Hasta la vista”, nje roman shume i popullarizuar shume i dashur dhe i adhuruar nga rinia shqiptare. Dhe jo vetem nga rinia. Me kete roman dhe romanin tjeter,”Qyteti i fundit”,qe merret edhe si romani i pare modern shqiptar, ai i hapi horizonte te reja letersise shqiptare, nxiti, ngacmoi dhe zgjeroi imagjinaten e lexuesit. i hapi, apo thene me mire,i theu kufinjte e provincializmit, botes se ngushte e te mbyllur. Solli motive e qasje te reja ne letersine shqiptare.Bota e tij ishte e gjere dhe e pakufijshme. Ai shkoi per te luftuar edhe per lirine e nje vendi te larget si Spanja. Pervec personazheve si, Halimi, Besa, Leka e shume te tjere, ai solli ne imagjinaten tone edhe figura te tilla si, Anita Gonzales Seto e Anamaria Monti. Permes dashurise se djalit shqiptar, Gorit, dhe vajzes spanjolle, Anites, ai sillte porosine se shqiptaret jane pjese e botes, pjese e familjes se madhe njerezore dhe nuk duhet te vecohen nga ajo.

Ai nen trysnine e diktatures, nuk u be shkrimtar konformist, por i qendroi besnik parimeve te tija te larta njerezore e morale. Shquhej per karakterin e tij revolucionar e kryengrites, por ishte edhe nje shpirt i ndieshem, nje shpirt lirik,qe u perpoq dhe u mundua per nje bote ideale, por ja qe jeta i solli edhe kapituj te hidhur,madje mund te thuhet edhe tragjik. Njeriu qe u ballafaqua me vuajtje, dhimbje shpirti, por nuk u perkul,nuk u thye, ruajti dinjitetin e tij dhe gjithnje koken e mbajti lart. I zhgenjyer me sistemin dhe udheheqjen komuniste te Shqiperise, ai kurre nuk u perkul, nuk u be servil dhe puthadores i askujt, sepse ai kishte boten e tij idealiste, qendrimet dhe pikepamjet e tij dhe ishte i begatuar me parime e vlera te larta njerezore.

Petro Marko lindi me 25 nentor 1913 ne fshatin Dhermi te Himares. Shkollen fillore e ka kryer ne vendlindje, ndersa ne Vlore ka ndjekur Shkollen Tregtare, ku njeri nga mesuesit e tij ishte Ernest Koliqi (1903 – 1975), njeri nga mjeshtrit e tregimit shqiptar. Me ndihmen e Koliqit, botoi tregimet e para ne revistat e kohes. Ne vitin 1936 se bashku me Branko Merxhanin e disa te tjere botoi revisten ABC. Si njeri me shpirt e karakter kryengrites, ne vitin 1936 vajti ne Spanje per te marre pjese ne Luften Civile te Spanjes. Ne Madrid Petro Marko, se bashku me Skender Luarasin (1900 – 1982), nje tjeter intelektual me shpirt kryengrites, fillon botimin e gazetes ne gjuhen shqipe, “Vullnetari i lirise”, qe doli vetem ne dy numra. Ne Spanje eshte takuar me Ernest Heminguein (1899 – 1961), me te cilin ka patur edhe korrespodence. Ne vitin 1940 kthehet ne Shqiperi dhe pas nje viti italianet e internojne ne ishullin e Ustikes ne detin Tirren, ne very te Sicilise. Kete pervoje, kete kapitull te jetes se tij e ka pasqyruar ne romanin e tij “Nata e Ustikes” (Tirane, 1989). Ne vitet 1945 – 1947 ka qene kryeredaktor i gazetes “Bashkimi”. E arrestojne ne vitin 1947, kete radhe komunistet shqiptare, sepse kundershtoi qe “Bashkimi” duhej ta ndiqte modelin e “Borbes” se Beogradit. Pas renjes se Koce Xoxit e lirojne dhe e lejojne te punoje si mesues i gjihes dhe i letersise shqipe ne Tirane. Ne vitin 1973 per tete vite ia ndalojne te drejten e botimit, ndersa me 1975 ia burgosin djalin, Jamarbrin. Kjo ishte nje goditje e rende per nje njeri te ndjeshem e me shpirt te paster si Petro Marko, njeri qe tere jeten e tij ishte perpjekur per nje jete ideale. Por fatkeqsisht nje jete e tille nuk mund te ndertoheh ne Shqiperin e udhehequr nga komunistet e pashpirt. “Dasma me dreqen nuk behet” – thone ne Kosove.

Me shkrime ka filluar te merreet qysh ne vitet e 30-ta te shekullit te kaluar, ndersa ne fund te viteve te 50-ta dhe ne fillim te viteve te 60-ta, ai iu paraqit publikut shqiptar me disa vellime me tregime e poezi, si dhe me romanet e tij tani mjaft te njohur: “Hasta la vista” (1958), “Qyteti i fundit” (1960). Eshte autor i mese 10 romaneve: “Stina e armeve”. “Shpella e pirateve” (roman per femije e te rinj), “Nje emer ne kater rruge”, “Halimi”, etj. Ne vitin 1972 shtepia botuese “Rilindja” e Prishtines e botoi kompletin e veprave te Petro Markos ne 10 vellime.Si njeri me profesion gazetar, ne veprat e tij shquhet per stilin e tij telegrafik, per qasjet moderne ne letersine shqipe dhe merret si themelues i prozes moderne shqiptare (kryesisht romanit modern shqiptar). Per shkruesin e ketyre radheve, romanet: “Shpella e pirateve”, “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit” jane nder librat me te dashur. E kush nuk mund te magjepset me personazhet (fytyrat): Rusman-el-Namsur, Anita Gonzalez Seto, Anamaria Monti?! Ku ta dish, ndoshta ndonjeri nga keto personazhe eshte bere edhe pjese e jetes sone.

Ka 25 vite qe ai prehet i qete ne kodrat e Dhermiut te tij te dashur, atje buze ujerave te kalterta te Jonit. Dhe me siguri, ende eshte i magjepsur nga perendimi i diellit, si dikur ne rinine e tij. Por vepra e tij jeton ne zemrat e mijera lexuesve dhe do te lexohet e adhurohet edhe nga brezat qe do te vijne,sepse vepra e tij eshte per te gjitha koherat, vepra e tij ka nje porosi te pergjithsme (universale).

Ne, lexuesit dhe adhuruesit e vepres se tij, me shume dashuri e kujtojme dhe e nderojme gazetarin, publicistin, shkrimtarin, luftetarin e lirise, idealistin, por mbi te gjitha, humanistin, njeriun, ne kuptimin e plot te fjales, Petro Marko – Nderin e Kombit.

Qofte i perjetshem kujtimi!

Filadelfia, 26 dhjetor, 2016

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptro – amerikane.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: idealisti, Petro Marko, Sadik Elshani

Nga “Elcot” tek “Archangel-at” e SHBA

December 25, 2016 by dgreca

Sot Forca Detare, 91 vite, 25 Dhjetor 1925 -2016/

1-flota-shqiptare

Nga Shefqet Kërcelli/Zhvilli i Flotës Luftarake Detare në Shqipëri ka ecur paralel me zhvillimet historike, ekonomike dhe ushtarake të popullit shqiptar/

Por ne mund të evidentojmë disa ngjarje më të rëndësishme në këtë ecuri të Flotës dhe detarëve shqiptarë.-Me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e një flotilje të marinës nga Qeveria e Ismail bej Vlorës, por fillimi i Luftës së 1-rë Botërore e ndërpreu këtë angazhim të qeverisë, si dhe mjaft aspekte të tjera të jetës socialekonomike dhe politike.

-Më 25 dhjetor 1925, mbrijnë nga Italia dy anije 190 tonshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë ”Shqipëria” dhe ”Skënderbeg”. Këto anije u pajisen me efektiva marinarësh dhe u përdorën duke kryer detyra në interes të luftës kundër kontrabandës në brigjet shqiptare. Kjo date shënon dhe Krijimin e Forcave Detare Shqiptare. Bazuar në një punë shkencore, fakte, dokumente dhe kujtime, Shoqata e Historianëve Ushtarakë nën drejtimin e të ndjerit prof.Dr.gjergji Titani, {Ku kam qenë anëtar dhe unë, SH.K} përgatiti data e formimit të Forcave e Shërbimeve të ushtrisë shqiptare nga 28 nëntori i 1912 e deri në v.1990. Në qershor të vitit 1992, parlamenti shqiptar, mbi bazën e studimit të kryer, dekretoi të gjitha datat e Forcave dhe shërbimeve në Ushtrinë shqiptare, ndaj nuk ka vend për hamendësime apo kontestime.

-Më 24.06.1928, u krijua Komanda e Marinës në Durrës, me komandant, kapidan Ahmet Kapidani, dhe u mblodhën rekrutët e pare për këtë armë. Po këtë vit në bazë të një marveshje ndërmjet qeverisë së asaj kohe dhe qeverisë italiane u sollën nga Venecia 5 (pesë) MV “Antisomergibile” të tipit “Elco” Amerikan, të cilat ishin përdorur gjatë Luftës së I-rë Botërore. (v.1917).

-Me dekret të parlamentit, dt.16.11.1929, Struktura e Institucioneve Detare të Mbretërisë përbëhej nga:-Komanda e Marinës, Skuadrilja me Motoskafë patrullimi tip “MAS”, Drejtoria Qendrore Detare dhe Kapiteneria e portit me 5 zyra, në Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Himarë, dhe një në liqenin e Pogradecit.

-Më 1934, u blenë po nga Italia edhe dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan ”Saranda” dhe ”Durrësi”, të destinuara kryesisht për luftën kundër kontrabandës në bregdetit tonë.(B.Fisher.“Mbreti Zog dhe përpjekjet e tij për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”).

-Pushtimi fashist më 7 Prill 1939, e ndërpreu këtë zhvillim të detarisë shqiptare, e cila po hidhte hapa të rëndësishme për krijimin e strukturave të organizuara me një fizionomi të qartë. Gjatë periudhës së Luftës së 2-të Botërore, pothuajse u rrënua gjithçka nga këto anije. Ndaj, çlirimi i vendit e gjeti Flotën Shqiptare në gjendje të mjerueshme, me pothuajse të gjitha anijet të mbytura në portet, bregdetin shqiptar, italian dhe dalmat.

-Fillimi i vitit 1945, shënoi përpjekjet e para për riorganizimin dhe ringritjen e Forcave Detare. Kështu më 23 shkurt 1945, pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇLSH, u krijua Seksioni i Marinës Luftarake me shef seksioni, Kapiten i 1-rë, Abdi Mati. Nga dokumentacioni i kësaj komande vlejnë për tu përmendur urdhërat për thirrjen e oficerëve të marinës në detyrë, urdhër nr.44. dt.30.03.45, për riorganizimin e kantiereve të riparimit dhe funksionimin e kapitenerive të porteve nën kujdestarinë e seksionit të marinës, urdhër nr.82. dt.04.05, “Për rikthimin e barkave shqiptare që ndodheshin në Itali”, etj.

-Më 15 gusht 1945, u bë përurimi i hedhjes në ujë të dy motoskafeve trofe me numër MS-10 dhe MS-12. Këto motoskafë u armatosën me mitraloz të lehtë dhe filluan patrullimin në ujërat tona bregdetare.

-Në prill të 1946, u krijua Komanda e Marinës, kurse në Shëngjin, Durrës, Sazan, Vlorë dhe Sarandë, krijohen grupet e ABD-së që vareshin prej saj. Në kuadrin e riorganizimit të MM, në shtator të v.1946, suprimohen Komandat dhe seksionet, midis të cilëve edhe seksioni i Marinës, pasi u krijua Drejtoria e Mbrojtjes Bregdetare.

-Periudha e mëvonëshme ka qenë një periudhë intensive, ku u punua për zhvillimin e FLD, duke shfrytëzuar edhe konjukturat politike të kohës. Bëhet fjalë për lidhjet e bashkëpunimin në shumë fusha me vendet e ishkampit socialist.

–Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë tekniko-shkencore për

sigurimin hidrolundrimor dhe të veprimeve luftarake, i cili përgatiti e ngriti një varg fenerësh në gjithë bregdetin. Ai njëkohësisht filloi përgatitjen e hartave detare shqiptare. U ngritën e modernizuan mjaft pika sinjalo-vrojtuese dhe u pajisën ato me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

–Më 21 shtator 1958, u krijua Brigada e Nëndetseve, {BrND}. ND e 1-rë, (Ëhiski 613 C, Stuhia), ND e 2-të, (Rrufeja), ND e 3-të, (Vetëtima), ND e 4-të, (Tufani),

–Më 1959, filloi nga puna Ofiçina e Riparimit të Anijeve ne Pashaliman.

–Në vitin 1961, me VKM Nr.381, date 28.10.1961, në Vlorë u hap shkolla e Marinës, sot Shkolla e Trupës,{seksioni detar}, e cila për mbi 4 dekada, ka luajtur rol kryesor në përgatitjen dhe furnizimin e FLD, FDT e NSH të Peshkimit, me qindra kuadro oficerë e specialistë, komandues e navigatorë, duke treguar një përgatitje e nivel të lartë profesional.

-Periudha e viteve 1961-1980, shënoi zhvillimin e mëtejshëm të FLD, krijimin e vendbazimeve të reja dhe disa reparteve të KS, kompletimin me anije luftarake moderne të kohës. U ngritën dhe modernizuan mjaft Pika Sinjalo-Vrojtuese me një rrjet të gjerë radiollokatorësh.

–Më 21 shkurt 1968, FLD ju shtuan KS të projektit të ri “Huchuan Pr 66-25”, të ardhur nga Kina.

-Periudha e viteve 1980-’90, mund të konsiderohet si periudha e vijueshmërisë së

lundrimeve, mbijetesës në drejtimin e sigurimin e gatishmërisë teknike të anijeve mbiujëse e nënujëse. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë edhe Kantieri Detar i Riparimit të anijeve në Pashaliman.

-Mbas viteve ‘90, për FD shtrohej detyra e ristrukturimit, rikonceptimit të reparteve të saj për një integrim të natyrshëm me strukturat e NATO-s dhe BE. Në këtë periudhë vlen për tu theksuar mbështetja që dhanë efektivat e FD për proceset demokratike në vend, falë pjekurisë politike, shpirtit atdhetar e demokrat të kuadrove e efektivave të FD. U rrit në mënyrë të ndjeshme bashkëpunimi me Flotat e vendeve të NATO-s, ku u zhvilluan me sukses mjaft stërvitje të përbashkëta si “SAR-EX-1”, “SAR-EX-2”, “MAR-EX-1”, “MAR-EX-2” etj, në të cilat kuadrot tanë treguan një nivel profesional të vlerësuar nga partnerët.

– Në mars 1993, bazën e Kepit të Palit e vizitoi ishsekretari i Mbrojtjes i NATO-s,

Manfred Vërner.

-Ngjarjet tronditëse të marsit 1997, shkaktuan në repartet e FMD, dëme shumë të mëdha e gati të pallogaritshme. Pjesa më e madhe e anijeve me qëllim që ti shpëtonin valës të shkatërimeve lundroi e u strehua në Brindizi të Italisë. Sipas marveshjes së përbashkët të dy shteteve, pas riparimit të tyre u kthyen në Shqipëri. Gjysma e dytë e vitit 1997 dhe viti 1998 shënoi një etapë ringritje dhe riorganizimi të reparteve të FD pas dëmeve të pësuara. Kështu pas një pune intensive, falë përkushtimit maksimal të kuadrove e efektivave të FD, u bë e mundur ringritja dhe funksionimi i DD të Durrësit e Vlorës, si dhe BnD Sarandë e Shëngjin. Vlen për tu përmendur në këtë proces ringritjeje, ndihma e partnerëve tanë perëndimorë si SHBA, Itali, Turqi, Greqi, etj.

-Më 1998, si rezultat i kohës së gjatë të përdorimit, pas një veprimtarie 40-vjeçare, dolën jashtë stukturave luftarake të FD-së, të 4 ND-et e saj.

-Në mars të vitit 1999, me ndihmën e Departamentit të Shtetit të SHBA, FD u pajisën me 5 motovedeta patrulluese, (3 copë të klasit-65foot, dhe 2 copë-46 foot), të cilat u bënë protogoniste të operacioneve SAR dhe zbatimit të ligjshmërisë detare në këto 15 vite.

-Në 2002, me kontributin e qeverisë italiane, pas miratimit të Ligjit të Rojes Bregdetare

Shqiptare, Nr.8875, (dt.04.04.2002), FD u pajisën dhe me 6 motovedeta (MV të klasit 200 foot) nga Italia, të cilat së bashku me MV amerikane rritën aftësitë operacionale të Rojes sonë Bregdetare në luftën dhe përpjekjet kundër trafiqeve të paligjshme në det.

-Në shkurt 2007, filloi puna për instalimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, (SIHVD), projekt i zbatuar nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”.

-Më datën 5 Shtator 2008, në molin nr.5 të Portit të Durrësit u zhvillua ceremonia e përurimit të anijes “Iliria”, P-131, e cila mbërriti në Shqipëri në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”.

-Në mars 2009, mbasi u zhvilluan provat finale, u mor në dorëzim nga përfaqësues të MM e FD, Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare, i instaluar nga specialistët e kompanisë “Lockheed Martin”, i cili aktualisht përbën asetin më të rëndësishëm të zbulimit e vëzhgimit të hapësirës sonë detare, për të gjitha ministritë tona që mbulojnë kufirin blu.

-Më datën 2 shtator 2010, në portin e Durrësit u zhvillua ceremonia e marjes në dorëzim të 3 anijeve patrulluese “ARCHANGEL”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA. Në sajë të parametrave teknikë dhe ushtarakë “ArchAngel” janë në gjendje të zhvillojnë operacione të suksesshme për zbatimin e ligjshmërisë detare si dhe operacione SAR.

-Gjatë këtyre viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë te NATO-s, veçmas SHBA, si dhe nën kujdesin e qeverisë dhe popullit shqiptar, Forca Detare ka bërë hapa para për realizimin e misionit kushtetues, mbrojtjen dhe zbatimin e ligjshmërise detare, mbajtjen në kontroll të kësaj hapësire nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj si dhe krijimin e kapaciteteve te nevojshme operacionale për planifikimin dhe zhvillimin e operacioneve humanitare në ndihmë të komunitetit. Duke mbajtur një prezencë të përhershme dhe aktive në det, Forca Detare është tashmë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni, shteti shqiptar dhe partnerët tanë. Ndërkohë anëtarësimi i vendit tonë në NATO, solli nevojën e një teknologjie ndërvepruese e efikase me partnerët e FD dhe hartimin e një plani modernizimi racional, mbështetur në burimet ekonomike që afronte shteti shqiptar. Ky plan transformimi pёrfshiu modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, të shtrira në plane afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ku prioritet ka qenë kompletimi me mjete të reja që kryejnë misionin e Rojes Bregdetare. Në dekadën e fundit pajisja e FD me katër anije patrulluese të mëdha, në kuadër të zbatimit të kontratës me Kompaninë Hollandeze “Damen Shipyards”; me Motovedeta të shpejta dhe anije antindotje, dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA dhe qeverisë italiane; ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare nga firma prestigjioze Amerikane “Lockheed-Martin”, pajisja me sisteme tё vёzhgimit natёn dhe sistemin AIS të anijeve të Rojes Bregdetare, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore të Forcës Detare. Në këtë kuadër projekti më i rëndësishëm për modernizimin e FD, ishte nënshkrimi më 13 nëntor 2007, i marëveshjes për pajisjen e FD me 4 anije Patrulluese STAN PETROL-4207. Ky projekt bëri të mundur që 6 vjet më parë më 5 Shtator 2008, në molin Nr.5 të Portit të Durrësit të bregëzohet anija ”Iliria”, (P-131), një trashëgimtare e denjë e ”Liburnes” dhe ”Lembes” ilire. Në vijim më 14 Maj 2009, filloi ndërtimi i anijes ”Oriku”, (P-132), e cila u lëshua në ujë më 13 shtator 2011 dhe më 3 dhjetor 2012, u lëshua në ujë anija e tretë, (P-133) ”Lissus”. Ndërkohë më 8 prill 2014 u lëshua në ujë anija e katërt, ”Butrinti” (P-134), që shënon dhe përfundimin e këtij projekti.

-Ndërkohë nga fillimi i muajit nëntor 2016, anija ”Oriku” u angazhua në operacionet e NATO-s në detin Egje, që shënon një histori të re për Forcën tonë Detare, atë të pjesmarrjes në operacionet detare jashtë ujërave tona territoriale.

Modernizimi i FD me pajisje, sisteme dhe anije për të zëvendësuar teknikën e vjetër me teknikë moderne e bashkëkohore, të ndërveprueshme me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve operacionale për realizimin e misionit dhe detyrave të përcaktuara në ligj, janë hapa konkretë në zbatim të këtyre politikave zhvillimore e transformuese të këtyre viteve të fundit. Theksojmë se historikisht, përbërja, struktura dhe mjetet që kanë pasur në dispozicion Forcat Detare kanë ecur paralel me zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit dhe mundësitë financiare të shtetit shqiptar, një mbështetje e cila ka qenë e vazhdueshme në këto 91 vjet ekzistence.

Të zgjeruar historinë e Flotës Luftarake Detare shqiptare e gjeni në librin :1-histori

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e 1-rë, nga lashtësia deri në v.1960.

-“Antologji e detarisë shqiptare”, pjesa e dytë dhe e tretë, nga v.1960 deri në v.2012.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 1925 -2016, 25 Dhjetor, 91 vite, Forca Detare, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 378
  • 379
  • 380
  • 381
  • 382
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT