• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Po afron 113 vjetori i lindjes së Ernest Koliqi

April 11, 2016 by dgreca

Nga Marieta Shatro/Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në nje familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje në kolegjin Saverjan të Jezuitëve, për ta përfunduar më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet më pas, së bashku me Atë Anton Arapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën “Ora e Maleve”që drejtohej nga Luigj Gurakuqi.
Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Për t’i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në Universitetin e Padovës me tezën “Epika popullore shqiptare”. Tërhoqi vëmendjen e albanologëve Jokël e Lambert.Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Po në 1939 u emërua titullar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Romës.Në vitin 1940 organizoi në Tiranë Kongresin e Studimeve Shqiptare.Në 1941-1942 dërgoi në Kosovë 200 mësues dhe dha një numër të madh bursash studimi.Në 12dhjetor 1941 hapi shkollën e parë të mesme në Kosovë.Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Universitetit La Sapienca të Romës.
I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij vdiq në Romë më15janar 1975.
Pra, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve ’30, mbylli sytë përgjithmonë 41vjet më parë në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (Romë), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë këmbanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë “Bijës sime”, botuar në ‘Shęjzat’, që tingëllon si Testament poetik
Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, ai njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shęjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe.
E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studenteske “Noi giovani” të Bergamos. Gjatë mërgimit në Jugosllavi, botoi poemthin “Kushtrimi i Skanderbeut” me përmbajtje patriotike; më 1929, “Hija e maleve” e më 1935 “Tregtar flamujsh”, kushtuar jetës në Shkodër.
Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: “Poetëve të mëdhej të Italisë”. Më pas botoi “Kangjellat e Rilindjes” (1959) dhe romanin “Shija e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e vet.
Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë “Dante Aligheri”; “Yllin e artë për merita të shkollës”; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut”, Anëtar nderi i qëndrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj.
Disa vjet më parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe, i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore. Vepra e tij, e ribotuar disa herë në Shqipëri dhe jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi.
A mund t’i mohohet Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe?
Në 113 vjetorin e lindjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut.
Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqit. Po mjaftohemi, të kujtojmë vetëm një nga poezitë e Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen, që nuk mundi ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, ndërsa trupi i tij do të mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodër, mëngjeset e së së cilës i kujton kështu:

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

Më 1965 në editorialin”Politika dhe Kultura”shkruan për atdhedashurinë”Si mund t’i thotë vetes”atdhetar”ai bir Shqipeje që për arsye shkalle shoqërore,feje a krahine e shikon shtrembër dhe me urrejtje bashkëkombësin e vet,thua se Shqipëria nuk është çerdhe e përbashkët,por llogorja ku fati na dënon të kalojmë jetën.Pra vetija e parë e një atdhetari qëndron në dashurinë për vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe.Mos urre edhe nëse nuk të pëlqen…po je më i shkolluar ndriçoje,po je më i pasur ndihmoje…Duke përbuzur bashkëkombasit,ti mohon mundësinë e bashkëjetesës kombëtare,vërteton fjalët e të huajve që s’na duan dhe që trumbetojnë se shqiptarët s’janë të zotë t’i krijojnë vetes një atdhe.”
“Veprimtaria politike e cila nuk ndriçohet prej kulturës nuk është gjë tjetër,veçse një lojë kote,që argëton ata që e lozin,por pengon ecjen e kombit mbi udhën fatale të historisë.”
Ernest Koliqi  mbetet një nga figurat më elitare te letërsisë shqiptare.Vepra e tij duhet të njihet nga të rinjtë dhe të jetë pjesë e teksteve shkollore .

Filed Under: Histori Tagged With: Po afron 113 vjetori i lindjes së të Madhit Ernest Koliqi

Kosovë-Djali i Agim Ramadanit bën apel për bashkim të klasës politike

April 11, 2016 by dgreca

Sot në Prishtinë është mbajtur një akademi përkujtimore për nder të 17 vjetorit të rënies së heroit Agim Ramadani.Ai ra më 11 prill të vitit 1999 në betejën e njohur të Koshares.Me këtë rast ministri i FSK-se Haki Demolli tha se të rënët në këtë betejë në krye me komandantin Agim Ramadani nuk do të harrohen kurrë.

Djali i heroit Agim Ramadani, Edon Ramadani citoi një amanet të babait të tij: “Kur pushkët bashkohen kanë fuqi më të madhe”. Me këtë fjalë i biri i Agim Ramadanit apeloi tek klasa politike për bashkim.

Në akademi e cila është organizuar nën patronatin e kryeministrit Isa Musta janë recituar edhe poezi të shkruar nga et heroi Agim Ramadani.

Agim Ramadani ka qenë njëri ndër oficerët më të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqës i operacionit “Shigjeta”.Pas rënies Brigada 138 mori emrin “Agim Ramadani”.

17 VJET NGA RENIA E AGIM RAMADANIT/

Sot bëhen 17 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.

Më poshtë po ua sjellim një historik të shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së heroit Agim Ramadani.

M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye, ajo njihet edhe si ngjarja që theu kufirin shqiptaro-shqiptar.

Pas një beteje të ashpër, UÇK-ja arriti të krijojë avantazhe dhe të dëbojë e të zmbrapsë ushtrinë jugosllave. Për 70 ditë radhazi në luftimet e përditshme, Brigada 131 “Agim Ramadani”, nga radhët e veta kishte humbur 140 luftëtarë.

Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Agim Ramadani lindi në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, më 3 maj të vitit 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoj si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht- duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana.

Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Ramadani, Djali, sot 17 vjet

Vizita historike e Kerryt në Hiroshimë

April 11, 2016 by dgreca

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë vizitë historike në Memorialin e Hiroshimës në Japoni, i cili përkujton sulmin e parë bërthamor në botë.

Ai është sekretari i parë amerikan i Shtetit që ka vizituar këtë vend, ku, më 1945, SHBA-ja ka hedhur bombë atomike, duke vrarë rreth 140,000 persona.

Kerry është shoqëruar nga ministrat e Jashtëm të G7-ës, apo grupit të shtatë fuqive ekonomike, të cilët janë mbledhur në Hiroshimë për një samit dyditor.

Ata kanë vënë kurora me lule në memorial dhe kanë mbajtur një minutë heshtje.

Ministrat kanë vizituar edhe Muzeun e Hiroshimës, i cili tregon histori personale të njerëzve që kanë vdekur.

Hiroshimë, 11 prill 2016.

Hiroshimë, 11 prill 2016.

“Është një kujtesë e zymtë, e ashpër, imponuese, jo vetëm për detyrimin tonë për t’i dhënë fund kërcënimit me armë bërthamore, por edhe për të bërë të gjitha përpjekjet për të shmangur luftën”, ka shkruar Kerry në librin e mysafirëve në muze.

“Të gjithë në botë duhet të shohin dhe të ndjejnë fuqinë e këtij memoriali”, ka shkruar tutje Kerry.

Më 6 gusht të vitit 1945, në orën 08:10, sipas kohës lokale, një bombardues amerikan ka hedhur bombën me uranium, me nofkën “Djali i vogël”, në Hiroshimë.

Rreth 70,000 njerëz kanë vdekur menjëherë. Edhe një herë aq kanë vdekur deri në fund të vitit si pasojë e plagëve dhe e efekteve të rrezatimit.

Kjo bombë, si dhe bomba e dytë atomike e hedhur në Nagasaki tre ditë më vonë, ka detyruar Japoninë të dorëzohet, duke çuar edhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, ka vizituar Hiroshimën në vitin 2008, por diplomatët amerikanë janë munduar të shmangin vizitat zyrtare.

Shumë në Shtetet e Bashkuara mendojnë se bombardimet kanë qenë të nevojshme për të përfunduar luftën dhe nuk duan që vendi i tyre të ndërmarrë ndonjë hap, i cili mund të shihet si kërkimfalje.

Kerry ka thënë se vizita e tij në Hiroshimë “kujton të kaluarën dhe nderon ata që janë shkatërruar” dhe ka theksuar se udhëtimi i tij është “për të tashmen dhe për të ardhmen”.

Vizita e Kerryt po ashtu është zhvilluar në kohën e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Japonisë, sidomos pas shqetësimeve që ka shkaktuar këmbëngulja e Kinës në kontestet territoriale në Azi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të ndjekë një samit të G7-ës në Japoni në muajin maj dhe ka zëra se ai është duke shqyrtuar edhe ndalesën në Hiroshimë.

Nëse kjo ndodh, ai do të jetë presidenti i parë amerikan në detyrë që viziton Hiroshimën.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Histori Tagged With: e Kerryt, në Hiroshimë, Vizita historike

Dita e Kushtetutës së Kosovës

April 9, 2016 by dgreca

Foto nga arkivi i Gazetes Dielli: Miratimi Kushtetutes se Republikes se Kosoves ne seancen e Kuvendit – 9 prill 2008 -Kosova, 8 vjet me Kushtetutën e Republikës së njohur ndërkombëtarisht/

-Veseli:Më shumë se kurrë, sot, na duhen energji të shtuara ta jetësojmë Kushtetutën tonë/

-Ministria e Drejtësisë organizon ceremoninë për nder të Ditës së Kushtetutës/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Prill 2016/ Kosova para 8 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në  9 prill 2008, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Ndërsa zhvillimet më të rëndësishme brenda tetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Deri sot, në ditën e  8 vjetorit të Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së.

Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete.

Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.

Prej vitit 2001 deri para tetë viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova është e lirë nga 12 qershori i vitit 1999 i hyrjes së trupave të para të NATO-s në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin kosovar.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës të miratuar në Kuvend me 21 maj 2008 e të  shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit po të atij viti.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar sot të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për Ditën e Kushtetutës, që shënon edhe 8-vjetorin e miratimit të saj nga Kuvendi.

“Gëzuar Dita e Kushtetutës! Kushtetuta, për ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, është më shumë se akt juridik. Është simbol unik i shtetësisë dhe synimeve tona shekullore për shtet”, shprehet ai në deklaratë.

Kushtetuta, vijon Veseli, në vete përmban thellësisht mundësitë tona për sovranitet, integritet dhe barazi, duke pasqyruar sakrificat për themelimin e shtetit, promovimin e vlerave demokratike si dhe funksionimin e baraspeshuar të pushteteve.

“Më shumë se kurrë, sot, na duhen energji të shtuara ta jetësojmë Kushtetutën tonë, ta bëjmë dinamike, frymëzim për çdo qytetar, për jetë dinjitoze në Republikën e Kosovës. Gëzuar!”, thekson në urim kryeparlamentari Veseli.Me rastin e shënimit të 8 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ministria e Drejtësisë organizon ceremoninë për nder të Ditës së Kushtetutës.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Kushtetutës, se Kosoves

Beteja e Koshares, simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës

April 9, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa: 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. Është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s/

 PRISHTINË, 9 Prill 2016-B.Jashari/ Beteja e Koshares është simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës,tha sot kryeministri Isa Mustafa. Ai bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”. Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa, tha se 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës.“9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit. Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeministri.

 Ndjenja e krenarisë me veprën e luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, sipas kryeministrit Isa Mustafa, duhet dhe do të nderohet duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.

“Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri”, tha kryeministri Mustafa.

 Të pranishmit në këtë tubim përkujtimor me nga një fjalë rasti i kanë përshëndetur kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani”, Ragip Sadiku, ndërsa në emër të familjarëve të dëshmorëve të pranishmit i ka përshëndetur Arbër Morina.

“Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT MUSTAFA NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE./

 Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve,

Të çmuar pjesëmarrës të Betejës së Koshares,

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi,

I nderuar komandant Rrustem Berisha,

I nderuar kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Haradinaj,

I nderuar komandant i FSK-së,

Të gjithë ju pjesëmarrës që jeni sot këtu.

 Jemi mbledhur sot të shënojmë një ngjarje historike të kombit tonë e cila ngjarje ka ndryshuar jo vetëm historinë e vendit, por edhe historinë e Ballkanit Perëndimor.

 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Kjo është data e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. 9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit.Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në Koshare, padrejtësia historike mbi njëshekullore po ndalej dhe ndëshkohej në mënyrën më meritore. Atë ditë, më mirë se kurrë më parë, pushtuesit e kuptuan pafuqinë e tyre dhe gjithashtu kuptuan fuqinë e gatishmërisë së djemve e bijave tona për t’u sakrifikuar për liri e pavarësi.Në Koshare u gërshetua disiplina ushtarake me profesionalizmin e prijësve të kësaj beteje, guximi me gatishmërinë për të mos kursyer asgjë për çlirimin e Kosovës.

Të nderuar të pranishëm.

 Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138 e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani dhe kjo u vulos me shënimin e luftës së heronjve Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj brigade.Porosinë për unitet dhe tolerancë vëllazërore si kusht për të korrë fitore dhe për të qenë të suksesshëm e gjejmë te kjo betejë si mësim kuptimplotë nga historia për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.Prandaj, të dashura familje të dëshmorëve dhe të heronjve, të gjithë ne, sot ndjehemi krenarë me veprën e heronjve dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares.Ndjenjën e krenarisë me veprën e luftëtarëve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ne duhet dhe do ta nderojmë duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri.Beteja e Koshares ashtu si e gjithë lufta jonë e drejtë për çlirimin nga pushtimi njëshekullor paraqet një inspirim të jashtëzakonshëm për të gjithë ne dhe për gjeneratat që vijnë.Pjesëmarrës të nderuar të kësaj akademie përkujtimore.

 Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Koshares u flijuan për të ardhmen e lirë të Kosovës ndërsa ne si qytetarë dhe si institucione të Republikës së Kosovës, ua kemi borxh atyre të punojmë me tërë dijen dhe me tërë përkushtimin tonë për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre, Kosovën e integruar në familjen e madhe të kombeve të lira dhe qytetëruara euroatlantike.Ne do t’u jemi tërë jetën mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe betejat tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë ata do të trajtohen me respekt dhe me dinjitet.

 Veçanërisht, ne do të kujtojmë me përulje veprën e miqve tanë, francezit Paillard Arnaud Piere, algjerianit Murad Muhamed Ali e italianit Françesko Gjuzepe Bider, që dhanë jetën në këtë betejë të lavdishme.

Ndërsa, me admirim të veçantë dua t’i drejtohem një bashkëluftëtari Tuaj, britanikut Xhon Harrison, i cili ka luftuar si vullnetar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare dhe i cili tashmë është i dekoruar me urdhrin “Adem Jashari”.

 Xhon Harrison është shembull i gjallë i mishërimit të botës së civilizuar me luftën tonë çlirimtare, por edhe vendosmërisë për të përballuar kryelartë çdo sfidë që i del përpara këtij mishërimi.

 Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”,

Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës,

Zoti e bekoftë Kosovën,

Zoti e bekoftë kombin shqiptar,

Zoti i bekoftë miqtë tanë dhe aleatët tanë,

Zoti i bekoftë heronjtë dhe dëshmorët e Koshares dhe gjithë Kosovën.

Filed Under: Histori, Komente Tagged With: Behlul Jashari, beteja e Koshares, Isa Mustafa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 435
  • 436
  • 437
  • 438
  • 439
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT