Nga Albert Z. ZHOLI/
Kur mora në dorë këtë libër kisha shumë hamendësi dhe paragjykime. Flitet për një libër nga djali ish-Kryeminsitrit në kohën e Zogut, Koço Kotta, figura e të cilit ka mbetur ende mister ashtu siç ka ngelur mister vdekja e Nuçit. Babë e bir, dy figura interesante, dy figura pak të njohura, Koço një ish-kryeministër me një jetë enigmë dhe djalli i tij Nuçi me një libër që të nxit shumë kureshtje që vdiq në mënyrë të papritur në moshën më të bukur dhe pjellore.
Kush ishte Nuçi Kotta?
-Nuçi Kota, mësimet e para i morri në qytetin e lindjes, në Korçë. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm dhe tregoi cilësi të larta intelektuale, i ati e mundësoi të studionte në Francë. Në vitet 1933-1936, ndoqi mësimet në shkollën e mesme më në zë të Parisit, në Liceun Michelet dhe më pas në të famshmin Lice Louis-le-Grand. Në vitin 1938 mori bakaloreatin e parë dhe doli i pari në frëngjisht, latinisht e gjermanisht. Më 1939 mori bakaloreatin e dytë. Pas këtyre sukseseve Nuçi u regjistrua në Universitetin e Sorbonës në fakultetin e Drejtësisë, të cilin e mbaroi në vitin 1942 me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve Nuçi Kota, mbrojti një tezë në fushën e të drejtës ndërkombëtare, me titull: “L’Albanie et la question des frontiers albino-grecques” (“Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”). Mbrojtja me sukses e kësaj teze, i dha Nuçi Kotës gradën Docteur es letters (Doktor letrash) . Kjo doktoratë, e hartuar në frëngjisht u përkthye dhe u botua në anglisht nga bashkëshortja e tij Suzan Kotta. Me tezën, “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, Dr. Nuçi Kota i udhëhequr nga një frymë e lartë atdhetarizmi rrëzon me argumente shkencore dhe dokumente historike, rivendikimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut. Doktoratura e tij është me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë, sidomos me shumë interes për historinë e marrëdhënieve me Greqinë. Duke qenë një punim tepër serioz dhe shkencor, doktoratura me tezën, “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, i dha mundësinë dr. Nuçi Kotës për tu punësuar në vitin 1945 si mësues i frëngjishtes dhe i historisë në shkollën e mesme private Ronsard-Montesquieu të Parisit. Ndërkohë, në vitin 1946, dr. Nuçi Kota, krahas mësimdhënies së frëngjishtes e historisë, u ngarkua të hapë një kurs të lirë të gjuhës shqipe, për tu mësuar francezëve, amerikanëve dhe frankofonëve gjuhën shqipe, të cilin e kreu me kompetencë të përsosur dhe ndërgjegje të lartë duke marrë të gjitha lavdërimet nga organizatorët e këtij kursi. Nuçi Kota i donte gjuhët, ndaj mësoi e fliste, veç shqipes gjuhës së të parëve, frëngjishten si francez i lindur, anglishten si gjuhë pune, latinishten, gjermanishten dhe italishten si gjuhë kulture. Pikërisht në atë vit, mori lajmin e rrëmbimit të Koços, babait të tij, nga forcat e sigurimit sovjetik të ndihmuar nga EAM-i grek dhe transportimin e tij nga Selaniku në Shqipëri. I ati i kishte shërbyer Shqipërisë dhe kishte qenë kryeministër në mbretërinë shqiptare të Mbretit Zog-I.
Po çfarë përmban vepra e Nuçit?
Dr. Nuçi Kota është tepër i kujdesshëm në kujtesën historike kur parashtron arsyen e ardhjes së popullsisë fshatare greke në trojet etnike shqiptare, që sipas tij, “ishte nevoja ekonomike” dhe “kërkesat për krah pune nga feudalët e fuqishëm shqiptar”. Shqiptarët, të administruar politikisht në katër Vilajete, kërkuan autonominë e tyre nën qeverisjen e Portës së Lartë. Kërkesat e tyre të paraqitura qysh në vitin 1877, për krijimin e një Shteti Shqiptar u kundërshtua nga shtetet ballkanike dhe veçanërisht nga Greqia. Pas këtij viti, lindën pikësynimet e qarqeve shoviniste për të copëtuar territoret shqiptare të vilajeteve; të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës, për t’ja shkëputur Perandorisë Osmane dhe për t’i përfshirë brenda territoreve të shteteve të tyre. Tokat shqiptare, thotë autori, u përdorën për të kënaqur orekset shovene të fqinjëve tanë dhe për të zgjidhur konfliktet midis Fuqive të Mëdha. Në qëndrimin e tyre antishqiptar ata mbështeteshin në disa koncepte. Bismarku deklaronte, që “nuk ekziston komb shqiptar”. Diplomacia Europiane nuk besonte në aftësinë shtetformuese të shqiptarëve, pasi sipas tyre; “Shqiptarët duke pasur katër besime fetare, nuk mund të krijonin një homogjenitet kombëtar dhe si pasojë nuk mund të krijonin shtetin e tyre”. Greqia, pas mbarimit të Luftës II Botërore, u paraqit para kancelarive të aleancës anglo-sovjeto-amerikane me një pretendim sa absurd aq dhe qesharak. Sipas tyre, fakti që territoret jugore të Shqipërisë, krahina e Gjirokastrës dhe Korçës u çliruan nga ushtarët grek gjatë luftës italo-greke, vërteton që këto territore janë greke dhe duhet ti kthehen Greqisë. Lufta, sipas nacionalistëve grekë, tregoi rëndësinë e ndryshimit të kufijve shqiptaro-grek në favor të Greqisë dhe rëndësinë e përcaktimit të vijës kufitare midis shteteve sipas kufijve strategjik. Dr. Nuçi Kota ka argumentuar me veprën e tij “Shqipëria dhe Çështja e Kufijve Shqiptaro- Grek”, se edhe ky pretendim i qeverisë greke nuk ka mbështetje ligjore, pasi është në kundërshtim të hapur me vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913. Strategjia greke, për ta coptuar Shqipërinë dhe gllabëruar Epirin e Veriut, është mbështetur mbi parimin luftarak “Sulmi është mbrojtja më e mirë”. Përballë sulmeve greke, të mbështetura nga shtetet ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha, Patriotët Shqiptar dhe Qeveritë Shqiptare u detyruan të qëndrojnë në mbrojtje të kufijve të caktuara në vitin 1913. Strategjia greke triumfoi. Qeveritë Shqiptare nuk akumuluan fuqi për të argumentuar dhe kërkuar para Fuqive të Mëdha ndreqjen e padrejtësive dhe përfshirjen brenda Shtetit Shqiptar të krahinave shqiptare; Kosovën, Çamërinë dhe Maqedoninë Perëndimore. Dr. Nuçi Kota, në doktoraturën e tij “Shqipëria dhe Çështja e Kufijve Shqiptaro- Grek”, shpreson në ndryshimin e kufijve të caktuar në vitin 1913 dhe parashtron pikëpamjen e tij lidhur me këtë tezë duke thënë : “ndryshimi i tyre në favor të shtetit shqiptar, mund të realizohet vetëm me ndryshimin e konjukturave ndërkombëtare”. Sidoqoftë, ç’ka shpresohet në t’ardhmen, marrëdhëniet midis dy popujve, shqiptar dhe grek, Dr. Nuçi Kota i trajton në aspektin e tyre historik dhe real.
2-Synimet italiane dhe pretendimet e tyre ndaj Vlorës dhe krejt Shqipërisë, u mbështetën nga Franca dhe Anglia. Disa marrëveshje të lidhura midis Italisë Greqisë dhe Jugosllavisë synonin zhdukjen e shtetit shqiptar. Pretendimet e faktorit ndërkombëtar, për ta zhbërë Shqipërinë, thekson autori, qëndronin në faktin që shqiptarët i përkasin katër besimeve. Ky absurd i ngritur nga fqinjët tanë qysh me fillimin e Luftës Ballkanike e deri më sot, vazhdon të përdoret si argument që: “nuk mund të krijohet një shtet shqiptarësh, kur mungon uniteti fetar”. Këtë argument absurd, Nuçi Kota e ka hedhur poshtë dhe ka argumentuar që: “Besimi, është element sipërfaqësor për shqiptarët, ndërsa ndërgjegjja kombëtare është ajo që i bashkon”.
3- Për të ruajtur sovranitetin e Shtetit Shqiptar, gjatë zhvillimit të Luftës II Botërore dhe pas saj, duke qëndruar pranë Fuqive Aleate anglo-amerikane dhe Organizmave Ndërkombëtarë me seli në Europë, Dr. Nuçi Kota propagandoi dhe ngriti lart kontributin e popullit shqiptar në luftën e tij kundër okupatorëve nazifashistë, në krah të aleancës anglo-sovjeto-amerikane. Nuçi vinte në dukje mobilizimin e shqiptarëve në Ushtrinë Kombëtare, e cila, siç ai është shprehur; “Numëronte rreth 70 mijë luftëtarë” dhe gjatë luftimeve të ashpra me pushtuesit nazi-fashist “humbi mbi 22 mijë luftëtarë”. Shqipëria, vinte në dukje Dr. Nuçi Kota, “U çlirua në nëntor të vitit 1944 nga Ushtria Kombëtare”. Pas mbarimit të luftës së dytë Botërore, thekson Dr. Nuçi Kota, Qeveria e Greqisë bënte të gjitha përpjekjet që Fuqitë Fituese ta konsideronin Shqipërinë bashkëpunëtore me pushtuesit nazifashist. Grekët synonin përsëri copëtimin e Shqipërisë. Këto fakte bëë që Shqipëria ende sot të ketë kufijtë e saj dhe të gëzojë respekt ndërkombëtar, por ndoshta ishte dhe kjo temë kaq interesante që bëri të ditur shumë fakte që historianë francezë dhe më tej nuk i dinin dhe nuk i njihnin kaq detajisht.