Kete e pohonte korrespondenti i Gazetes Amerikan”Detroit News”, e cila e intervistoi Gjeneral Pangallos ne shtepine e tij. Gazetari shkruan :”Ky fshat i qemotshem nje ore me kembe larg nga Athina eshte vendi i stergjysherve te Gjeneralit Pangallos. Eshte nje fshat bujqesh te cilet flasin gjuhen shqipe.Shtepia e ish kryeministrit nuk ka asgje ne pamje qe te duket se eshte vendi ku rron diktatatori i sotem i Greqise.Nuk ka rujtes ne hyrje ose sherbetore me uniforma.Por kjo shtepi dhe ky qark modest eshte vendi ku Gjeneral Pangallos vjen per clodhje ne te paktat ore ngeje qe i jep leje barra e tij per te rindertuar nje Greqi te bashkuar nga nje Komb i cqyer prej grindjeve te brendshme dhe te friksuar prej fqinjeve armiq.
GJEN. PANGALLOS , para takimit me korrespondentin e gazetes amerikane, priti turmen e fshatareve qe kishin rrethuar shtepine . Ata takoheshin lirshem me shokun e lodrave , i cili nderkohe ushqente me nje shishe me qumesht nje qengj jetim te vogel te zi.Pak minuta me pare qengji kishte refuzuar te pinte qumesht nga duart e fshatareve…Me ne fund kur diktatori u kthye nga njerzit qe kishin ardhe per audience, per te bere kerkesa e per tu ankuar, korrespondenti degjoi se flitej vetem ne shqip.Gjenerali ua kthente pergjigjrt ne te njejten gjuhe….Me pas vjen intervista, ku gjenerali tregon se guverna e tij ishte provizore.”Deshiroj ta ngulis ne mendje te botes dhe te Greqise se do te jem gati te dorehiqem sapo te kem sjelle bashkimin e Greqise”, deklaroi ai…Shkrimin e Detroit News, gazeta Dielli e publikoi me 6 Mars 1926. Editor ne ate kohe ishte Aqile Tase. Artikullin e kishte sjelle korrespondenti i Diellit ne Rome .
KUJTESA E 7 PRILLIT DHE ABAZ KUPI
Nga Luan Çipi/
Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939. Pavarësisht se, qysh herët, ai e deklaroi veten “Legalist” dhe betohej për ish Mbretin Zog, (shiko fjalën e tij në shtatorin 1942 në Konferencën e Pezës), këtë deklarim aso kohe, do ta konsideroja më shumë vetjak dhe pa lidhje e vartësi, sepse Zogu, nuk denjoi dhe nuk dha asnjë urdhër për ta kundërshtuar ushtarakisht pushtimin, por u largua jashtë Shqipërie, me gjithë shpurën dhe familjen e tij. Ky qëndrim, nuk ja ul vlerat Abaz Kupit, përkundrazi, rezistenca e tij heroike dhe përleshjet e mëpasme, në gjirin e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe veças, (pa përkatësinë e aderimit në parti), e bënë atë një Atdhetar me emër të madh dhe me kontribut konkret. Mandej duhej thënë e përsëritur, se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, aqsa kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i parë komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canit”.
Ja si shkruan vetë Abaz Kupi për rezistencën e 7 Prillit 1939: “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim”. Kështu ka ndodhur, jo vetëm në Durrës, po edhe në Vlorë e Sarandë, dhe pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dy krahët, edhe pse propaganda fashiste e minimizoi rezistencën Shqiptare.Abaz Kupi lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 Gusht të vitit 1892, në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Ai qysh në moshë të re 22 vjeçare, në Nëntor-Dhjetor të 1914, bashkë me “Parinë e Krujës” vendosin dhe marrin aksione konkrete kundër “Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme”, që me sloganin “dum babën”, përkrahën përpjekjet e para për forcimin e Shtetit Shqiptar, të krijuar nga Ismail Qemali dhe që bënte hapat e para të konsolidimit, me në krye Princ Vidin.
Me formimin e Qeverisë Kombëtare të Lushnjës, Abaz Kupi, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun, mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik, në përpjekjet e gjata për të bashkuar Shtetin Shqiptar.
Abaz Kupi merr pjesë, gjithashtu, në kryengritjet e Mustafa Merlikës, Bajram Currit dhe Elez Isufit në Shkurt-Mars të vitit1922, kur edhe u konfrontua me Ahmet Zogun, por duhet thënë se gjatë kryengritjes Fanoliste të Qershorit 1924 ai, qëndroi neutral.
Kapiteni Prenk Pervizi, miku i tiji afërt, ishte ai që e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si Komandant i Xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit. Kjo detyrë e rëndësishme, zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje dhe konsolidoi karrierën e tij të ardhshme ushtarake, deri te grada e “gjeneralit”.
Kështu, më vonë, në vitin 1934 u gradua major dhe shërbeu në Durrës me të njëjtën detyrë.
Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 Prill 1939, Abaz Kupi, me iniciativën e tij, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit, veprim i cila e shndërroi atë në një ikonë.
Abaz Kupi, me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Stamboll të Turqisë, ndërsa në Qershor të vitit 1939 familja e tij, e përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë dhe pas disa muajsh, u dërguan në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindisi-t, izoluar plotësisht. Më pas u transferua në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942, kur u lanë të lirë për të banuan pranë t’ afërmve, te familja e Sejfulla Merlikës.
Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë, si një alternativë oportune, u pa edhe mundësia e krijimit të rezistencës antifashiste në Shqipëri. Me këtë synim, Abaz Kupi, i rekomanduar nga shokët e tij, kalon nga Turqia për në Beograd, në kryeqytetin e Jugosllavisë, i pritur dhe ndihmuar nga miku i hershëm i tij, Gani Kryeziu. Aty organizohet takimi me kolonelët Anglez Stirling dhe. Dayrell Oakley-Hill, (i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd). Me ndihmën e tyre dhe direkt të Ambasadës Angleze të Beogradit, Abaz Kupi, kaloi në Shqipëri dhe u vu në krye të rezistencës antifashiste. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës, u drejtuan nga Jugosllavia prej gjeneralit Anglez Julian Amery.
Në Shqipëri, koordinuar nga Anglezët dhe miqtë e tij, u sigurua bashkëveprimi i Abaz Kupit me Muharrem Bajraktarin dhe të vëllait të tij Ibrahimi, për të grumbulluar elementët e duhur dhe për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit dhe krejt kjo punë e madhe u përballua me shpenzimet e tyre.
Një nga principet e Abaz Kupit ishte sigurimi i mirëkuptimit dhe bashkëveprimit i të gjitha forcave shqiptare antifashiste. Në këtë kuadër Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të “Konferencës së Pezës” të mbajtur më 16 shtator 1942, ku dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat gjerësisht me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”, ra në kurthin e tyre, u shfrytëzua në të gjitha kapacitetet dhe në fund, u mënjanua dhe hodh poshtë si limon i shtrydhur.
Nuk përjashtohen edhe përpjekjet direkte të forcave nacionaliste për bashkim: Më 26 Korrik 1943, ora 11 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar“. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër Italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe të Ballit Kombëtar.
Pikërisht, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 Gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër Ushtrisë Italiane që marshonte për në Mat. Çetat Partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve ishte edhe koloneli A.P. Skampa.
Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes, me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 Nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.
Më 21 Nëntor 1943, duke mos pasur tjetër alternativë, Abaz Kupi, formoi “Lëvizjen e Legalitetit” dhe vuri objektiv rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri.
Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai u mbrojt dhe iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët, deri kur ata nisën të sulmonin Krujën dhe zonat e Bazit në Mirditë.
Në pranverën e 1944, raportet drejt qendrës të oficerëve Billy McLean dhe David Smiley, iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Këto raporte për operacionet kundrejt Gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve Britanikë pranë komunistëve. Aleatët ngulnin këmbë për më shumë aksione dhe ç’vlerësuan përpjekjet e mundshme të Abaz Kupit. Pamundësia për më shumë aksione e dëshpëroi edhe vet heroin tonë.
Më 24 Tetor 1944 Abaz Kupi, u largua nga Atdheu bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga, me ndihmën e një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej së bashkë me oficerët britanikë).
Ata ngelën për 6 ditë pa ushqim e pa ujë, derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë.
Familjen e Abaz Kupit ngeli në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.
Në emigracion Abaz Kupi, që tani thërritet “gjeneral”, merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me në krye Mit’hat Frashërin.
Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara.
Vdiq në vitin 1976 në ShBA, New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.
Për ta mbyllur do paraqes këtu më poshtë, se si ka shkruar vetë Enver Hoxha fillimisht, për Abaz Kupin (Bazin e Canit):
“Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.
Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.
Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë.
Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej: Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.
Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’trembeshin, sado që ishin një grup njerëzish.
Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.
Në emigracion këtij s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me bashkue forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë.
Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.
Merlika i lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për me ndjekë çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij me i vra e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Mërlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.
Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i Kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve”.
Unë, nuk kam se ç’të shtoj! Grumbullova e sistemova ç’gjeta nga interneti, se ç’kanë shkruar të tjerët për trimin e pa epur, Abaz Kupi. Por si përfundim them se: nuk duhet hedhur poshtë lufta dhe përpjekjet e burrave të shquar të vendit tonë, thjeshtë duke gjykuar nga përkatësia e tyre partiake, as nga ndonjë gabim në jetën e tyre të gjatë, por të vlerësojmë, çmojmë e nderojmë veprën e tyre në tërësi, në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes. Sidomos duhet të jenë më të kujdesshëm historianët dhe shtetarët!
Konferencë shkencore në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
100 VJETORI I LINDJES SË ALBANOLOGUT QEMAL HAXHIHASANI/
Nga MSc. Albert HABAZAJ/
Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, Tiranë, organizuan një Konferencë shkencore për figurën e respektuar të Qemal Haxhihasanit (1916-1992). Konferenca, që u zhvillua në mjediset e Universitetit, më 31 mars 2016, ishte dhe një plotësim i amanetit të babait të Folkoristikës shqiptare nga kolegët e pasardhësit e tij diturorë të fushës, vëzhgues të punës në terren e kërkues shkencorë, nën mbështetjen financiare të familjes dhe veçanërisht të së bijës së tij, përkthyeses së njohur Jeta Haxhihasani. Veprimtaria u zhvillua në nderim të 100 vjetorit të lindjes të Qemal Haxhihasanit, këtij personaliteti të shquar të arsimit dhe folklorit shqiptar. Koha, që lamë pas, edhe pse ai kishte kontribute titanike në etnokulturën shqiptare dhe arsimin mbarëkombëtar, e pa atë, (njërin nga fatosat e albanologjisë), bardhë e zi, saqë, ende vigani tallazitet në horizontin tonë me dritëhije.
Qemal Haxhihasani u lind në qytetin e Elbasanit më 16 shkurt 1916 në një familje nëpunësi të vogël me tradita atdhetare dhe u nda nga jeta më 1 shkurt 2002. Ai pati fatin të ishte normalist i Elbasanit dhe fatin në katror të ketë mësues shkencëtarin Aleksandër Xhuvani, një nga personalitetet e mirënjohura të kohës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Firences, në Itali. I pajisur me dije të thella, i mbushur me kulturë perëndimore, i dalluar për integritet dhe forcën e intelektit, me identitet kombëtar dhe edukatë pune, ai do të bëhej një folklorist i spikatur, një nga etërit e folkoristikës shqiptare të pasçlirimit, tok me prof. Zihni Sakon; si vijues të plotësuar të të parëve të tyre të linjës e sidomos të mbledhësve të hershëm shqiptarë të krijimtarisë folkorike të mirëfilltë, si De Rada, Jubani, Mitko, Dine, etj. Ai ishte prudent (i matur e i urtë), por nuk lëshonte pè, nëse bëhej fjalë për ndonjë krijim që nuk përmbushte kriterin e hyrjes në qarkullim folkorik. Qe kërkues i saktë për autenticitetin folkorik, për ruajtjen e vlerave autentike
Nuk kemi ndërmend të shkruajmë jetëshkrimin e tij shkencor, por vlen të theksojmë se ai dha ndihmesë të çmuar edhe si historian i folkloristikës shqiptare. Haxhihasani konsiderohet si një ekspert i letërsisë popullore shqiptare (në Sektorin e Prozës e të Poezisë Popullore), eksplorues, gjurmues, hulumtues i pasionuar i terrenit, udhëheqës i ditur dhe i palodhur i fushës, thelluar ngushtësisht në poezinë popullore me të tri ndarjet e saj të veçanta: epike, lirike dhe epiko-lirike apo liriko-epike. Ndërkohë, mund të cilësohet vërtet heroike puna e Qemal Haxhihasanit si profesor e folklorist i shquar, si hartues i veprës madhore “Epika legjendare” (I, II), një nga personalitetet me vlerë programatike për studimin e trashëgimisë sonë kulturore. Njohja, përhapja, vlerësimi, gjykimi saktë e i thelluar i veprës së tij janë domosdoshmëri në praktikën e një trupe akademike, në mbështetje të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Me këtë synim u zhvillua dhe Konferenca shkencore e Vlorës kushtuar kontributit të tij të dukshëm albanologjik. Pasi çeli punimet e Konferencës dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, nisi seanca e parë, ku prof.dr. Agron Xhagolli, folklorist, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë (QSA), shpalosi personalitetin e prof. Qemal Haxhihasanit dje dhe sot. Prof.dr. Nexhip Mërkuri, gjuhëtar, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë mbajti kumtesën: “Qemal Haxhihasani për të folmet e fshehta të Përmetit dhe prirja e tyre si pasuri gjuhësore”. Dr. Vilma Bello kumtoi materialin për të folmen e Çamërisë, si një hulumtim i thellë e krahasues i dialektologut Qemal Haxhihasani. (Kumtesa qe përgatitur së bashku me dr. Migena Balla [të dyja pedagoge të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të universitetit tonë]). Ardhur enkas për këtë nderim nga Tetova, prof.dr. Hamit Xhaferi (pedagog i Universitetit të Europës Juglindore, Tetovë) trajtoi ndihmesën e Q. Haxhihasanit për arsimin shqiptar në Tetovë. Dr. Leka Skëndaj, gjuhëtar e pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, shtjelloi sfidat e kristalizimit të metodologjisë në kërkimet dialektore dhe ndihmesën e prof. Qemalit. Gjatë kësaj seance u fol edhe për pikëpamjet mbi origjinalitetin e Eposit Heroik Shqiptar, temë të cilën e kishte prof.dr. Zeqirja Neziri nga Universiteti i Shkupit; si dhe mbi rolin e prof. Haxhihasanit si përudhësues i sociolinguistikës shqiptare, punim i prof.dr. Valter Memisha (QSA), të cilët në pamundësi pjesëmarrjeje, kishin dërguan materialet, që, si çdo kumtim i radhës, u dëgjuan dhe, për to, u bënë pyetje a diskutime.
Seanca e dytë nisi me kumtesën e studiueses Arjana Seiti (QSA): “Metodologjia e prof. Qemal Haxhihasanit si kërkues shkencor. Dr. Gladiola Elezi, pedagoge e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, shprehu idetë e saj për vëzhgimet morfologjike të prof. Haxhihasanit në të folmen e Vërsulovës. Dr. Edlira Çekrezi, gjithashtu pedagoge e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, paraqiti veçori të përmbledhjes “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun” të Qemal Haxhihasanit. Pegadogu tjetër i Universitetit “Ismail Qemali”, dr. Artan Xhaferaj u ndal te e folmja e Çamërisë dhe kontributi i Haxhihasanit. Kumtesën vijuese e paraqiti dr. Enkelejda Billa, pegagoge e Universitetit të Vlorës për Epikën historike nën vështrimin e Qemal Haxhihasanit. Studiuesja Orjona Shegaj (QSA) u ndal në klasifikimin e lirikës popullore sipas prof. Haxhihasanit. Kumtesën e radhës e mbajti studiuesja Ermela Broci (QSA), ku ftilloi hapësirat etnografike të këngëve rituale sipas prof. Haxhihasanit. Në vijim, shprehu dy fjalë dashamirëse Agron Xhaho. Në emër të familjes, përshëndeti Jeta Haxhihasani, e cila komentoi edhe një bllok me fotografi të atij titani, që ka shkelur trojet shqiptare pëllëmbë për pëllëmbë (brenda dhe përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë së sotme, në ato hapësira ballkanike ku kanë banuar shqiptarë). Albumi fotografik i Haxhihasanit (me komentin për to) përbën një atlas etnografik dhe arsimor më vete, model për mësuesit dhe studiuesit e sotëm. Më tej, u lexua përshëndetja e prof. dr. Vebi Bexheti nga Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë; si dhe kumtimet e Prof. Zymer Nezirit nga Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë-mbi studimet e Qemal Haxhihasanit për “Ciklin e Kreshnikëve”; të studiuesit Agim Leka, po ashtu nga Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë-mbi personalitetin shkencor të Qemal Haxhihasanit; si dhe të pedagoges së Universitetit të Vlorës, dr. Evis Hudhëra. Referatin përmbyllës “Profesor Qemal Haxhihasani, albanologu ynë i shquar” e mbajti prof.dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.
Meqë qëlloi të jem përgatitësi i relacionit për Konferencën shkencore “Qemal Haxhihasani, personalitet i shquar i arsimit dhe i folkorit shqiptar”, kumtesën time (unë, Albert Habazaj) e vendosa në fund të kësaj parashtrese, që, në fakt është një relacion përmbledhës dhe kujtesë e dokumentuar e kësaj veprimtarie shkencore të institucionit tonë. Po e botoj me shkurtime, pa e publikuar të shkëptur si material). Mbajta kumtesën: “Qemal Haxhihasani, një Gjolekë i Folkoristikës shqiptare”. Trajtova ndihmesën shkencore në rrafshin e raporteve histori-epikë historike për Luftën e Vlorës, 1920 të profesorit të pashpallur, por profesor të profesorëve të fushës, Qemal Haxhihasanit. Në hartën folkorike të Shqipërisë Mbijugore, në krahinën e Labërisë ka mbi një shekull e gjysmë, afro dy, që është kënduar, dëgjuar e (kur u futën në përdorim aparatet regjistruese) regjistruar edhe kjo njësi foklorike: “U trete, Gjolek’, u trete,/ po sos u trete për vete,/ po për gjithë vilajete…/ – Pse lëfton, a derëzì?! – As për mua, as për tì,/ po për gjithë Shqipëri…”. Kjo këngë i kushtohet bëmave heroike të njërit nga bijtë e shpatës shqiptare, njërit nga kryetrimat e kryengritjeve popullore kundërosmane, kapedan Zenel Gjonlekës (Gjolekës me këngë e me histori). Në një trajtë tjetër, vështruar në kontekst, kjo këngë i rri mirë e bukur profilit të profesorit të madh, të paharruarit Qemal Haxhihasani, që është një Gjolekë i etnologjisë, një kapedan i folkorit shqiptar, një Dhaskal Todër i shkronjave shqip e arsimit ndër shqiptarë (Theodor Haxhi Filipi i viteve 1830 – shën. im: A. H); që një jetë të tërë, si ai, ia kushtoi arsimit dhe etnologjisë shqiptare. [ … ] Vetëm për Luftën e Vlorës, 1920, në rrafshin folkorik, kontributi i Qemal Haxhihasani është fillimtar dhe i jashtëzakonshëm. Nën kujdesin e Zihni Sakos, ai ka zgjedhur e pajisur me shënime vëllimin “Këngë popullore historike”, botim i Institutit të Shkencave, Tiranë 1956, me 408 faqe. Bashkë me prof. Sakon, në 40 faqe, kanë përgatitur hyrjen e këtij libri. Vëllimi ka një aparat të pasur bibliografik, me fjalorth, indeks të personazheve dhe toponimeve, me burimet e lëndës, etj. Në tekst përfshihen 43 njësi folkorike kushtuar Luftës së Vlorës, e cila ndryshe quhet dhe Lufta e Njëzetës. Po kështu, vëllimi më i plotësuar “Epika historike, 3” (EH, 3), i formatuar sipas standarteve akademike, botim i Akademisë së Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1989 [1990], me 774 faqe, është përgatitur nga Qemal Haxhihasani e Miranda Dule, me recensentë prof. Gazmend Shpuza e prof. Agron Xhagolli. Edhe ky tekst ka një aparat të pasur bibliografik, me fjalorth, tregues të vendeve ku u mblodhën këngët, tregues të emrave të njerëzve, të vendeve etj., me pasqyrën e këngëve të incizuara, burimet e lëndës, pasqyrën e shkurtimeve, shënimet për redaktimin, me shënime në fund të çdo njësie folkorike të botuar, etj., ku ndihet, duket, se kuptohet, dora e mjeshtrit erudit të folkoristikës shqiptare, Qemal Haxhihasani. Folkloristi i mirënjohur shqiptar Qemal Haxhihasani, për ciklet e këngëve popullore që trajtojnë periudhën 1913-1939, të asaj epike historike, që sot klasifikohet “këngë të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar”, duke vlerësuar edhe informacionin historik që japin nëpërmjet përjetimit emocional, vëren se nuk mund të vihet shenja e barazimit midis këngës historike dhe dokumentit historik. Kënga, sipas tij, është në radhë të parë një krijim poetik popullor. Ai thotë se ato “janë vazhdim i këngëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare si në brendi ashtu edhe në formën e tyre artistike. Studiuesi përcakton nëncikle të luftërave, nëpërmjet të cilave, sipas tij, bashkohen pjesë të veçanta të historisë së lëvizjes lokale në tërësinë e jetës historike kombëtare. Sipas tij, sistemimi i këngëve brenda vëllimit është organizuar sipas kriterit kronologjik, duke i grupuar në tre kapituj: I. Këngë për ngjarje historike të viteve 1913-1919; II. Këngë për ngjarje të viteve 1920-1924 dhe III. Këngë për ngjarje të viteve 1925-1939. Kjo ndarje është bërë edhe sepse për secilën prej këtyre fazave ka zotëruar një ide kryesore e veçantë. Brenda përbrenda secilës ndarje ka edhe një farë grupimi të këngëve sipas kriterit tematik në mënyrë që të mos krijohet një shkapërderdhje, përhapje pa rregull, e hallakatur e materialit. Për tre periudhat historike të shek. XX, janë 500 njësi folkorike të përfshira në EH, 3. Nga këto, 159 i kushtohen ngjarjeve që zhvillohen e personazheve, që veprojnë brenda 2-3 muajve të stinës së verës së vitit 1920. Po të bëjmë një krahasim për të tri periudhat, kur për periudhën 6 vjeçare 1913-1919 janë regjistruar 183 njësi folkorike, për periudhën 14 vjeçare 1925-1939 janë shënuar 78 këngë, në raport me kohëzgjatjen e ngjarjeve historike të ndodhura, del që Epika Historike e Luftës së Vlorës (EHLV) është shumë më e pasur me njësi folkorike (si nënperiudhë brenda periudhës me ngjarje historike të viteve 1920-1924). [… ]
Qemal Haxhihasani punoi për të tjerët, për Shqipëri një jetë të tërë e bëri volume e volume të tëra, të botuara e të pabotuara ende. Skedat dhe dorëshkrimet e pabotuara, (që ndodhen në Arkivin e Folkorit Letrar të QSA, Tiranë: në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit si dhe në Institutin e Gjuhësisë), janë thesar i paçmuar dot, që ai na la. Trashëgimia popullore që kemi nga prof. Haxhihasani përbën një opus albanologjik më vete, me 100 e ca vëllime dorëshkrimesh, prej rreth 25 mijë faqesh të daktilografuara, në të cilat ai s’ka harruar të shënojë edhe emrat e daktilografistëve. Nga këto, 82 vëllime janë të lidhura, të klasifikuara, të pajisura me një aparat të pasur shkencor. Ato vepra folkorike që përgatiti, janë visare të vërteta të kombit që presin botimin, por pasi shteti shqiptar të zgjohet nga gjumi i ariut polar, që e ka zënë qyshkur, … nëse bëhet fjalë për thesaret e trashëgimi kulturor të popullit shqiptar. Subjektet nga Dibra, Luznia, Opari, Vithkuqi, Leminoti, Plovishti, Kolaneci, Sul-Bilishti, Dardha, Korça, Devolli, Tetova, Gostivari, Çermenika e Bardhë (e Sipërme), Çermenika e Zezë (e Poshtme), me Martanesh e Shmil, Qerret- Shmili, Gryka e Zhullimës, Mokra, Shpati, Krraba, Rajca, Prrenjasi, Fusha e Domosdovës, Derveni me Xhyrë e Dardhë, Bërzheshtë-Babje, Dragostunja, Pishkashi, Linasi, Selita, Elbasani, Sharra, Tomadhe-Tirana, Përmeti, Shalësi, Rehova, Barmashi, Leskoviku, Polisi-Librazhd, Bezhani, Kaltanji, Qafëzezi, Shalës-Kolonja, Vermoshi, Kelmendi, Konispoli, Dukagjini, Skrapari, Tomorri, Zagoria, Shkodra, Lura, Banja, Brasniku, Jança, Tunja, Sulova, Gramshi, Zerqani, Kalaja e Dodës, Prilepnica, Istogu, Kosova, Margëlliçi, Çamëria, Nikaj-Mërturi, Batra, Mati, Lezha, Durrësi, Puka, Kukësi, Morava, Pulaj-Dukagjini, Fieri, Vlora, Himara, Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Piluri, Kudhësi, Delvina, Gjirokastra, Tropoja, Tepelena, Mallakastra, Labëria, Malësia e Madhe, Çeremi, Malësia e Gjakovës, malësitë shqiptare, Gegëria, Toskëria e mbajnë mend dhe e kujtojnë me nderim profesorin e dashur, etnologun, folkoristin, shkencëtarin pasionat, humanist e patriot, demokrat të kulluar e me virtyte të larta morale Qemal Haxhihasanin, nga të cilët, për gjysmë shekulli kërkime në terren, ai mblodhi perlat e gurrës popullore. Ato margaritarë të popullit të tij, bashkë me miqtë e tjerë të shkencës së re të folkoristikës shqiptare, i përgatiti dhe i botoi në vëllimet e përfshira në pesë seri të korpusit “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar”, ku përfshihen krijime nga proza dhe poezia popullore shqiptare. Katër seri të këtij korpusi: I- Proza popullore (përfaqësuar deri tani me 6 vëllime); II- Epika legjendare (2 vëllime); III- Epika historike (3 vëllime); IV- Lirika (4 vëllime), janë ndërtuar mbi bazën e kritereve të mirëfillta shkencore, duke u selitur kështu brezave krenarinë kombëtare të shpirtit të pasur të krijimtarisë popullore përgjatë shekujve, se, edhe sipas tij, që kur bota është zënë edhe shqiptari këtu ka qenë, në trojet e tij. E vlerësojnë vitalitetin e tij model si një shembull të përkryer të punëtorit të jashtëzakonshëm. Në punën e tij kërkimore-shkencore spikati për sensin e qartë shkencor, për saktësinë e regjistrimit, duke respektuar parimin fonetik të bartësve në terren, si dhe për skrupulozitet të shkallës së lartë. Ai përbën një rast tipik dhe u ngrit në rangun e figurës enciklopedike, jo si mizëri gjithologësh sot ndër ne, me tituj e grada, që i tundin si stoli venitzëna. Bota e njihte, e vlerësonte dhe i fliste “PROFESOR”. Ndërsa ndër ne, në Shqipëri, mbeti me të njëjtin titull deri sa vdiq, “BASHKËPUNËTOR I VJETËR SHKENCOR”… Bota e kërkonte në Austri, Itali, Gjermani, Rusi, SHBA, Kopenhagen-Danimarkë, Bullgari, Bukuresht, Kajro, Grac, Paris, Romë e … ne nuk i jepnim leje(!) As për ekspedita në Kozencë, as ndër shqiptarët e Maqedonisë, ndër arbëreshët e Greqisë, të Malit të Zi apo të Italisë (!) As telefon në shtëpi nuk lejonim të mbante (!) I shpiknim ca njolla në biografi, që edhe pse s’pinin ujë, (se ai kullonte i tëri dritë e bardhë e mirësi intelektuale), prapë diçka ngelej tymnajë turmave.. Ishte arsimuar në Itali ai! Dinte shumë gjuhë të huaja ai! Kur fliste frëngjisht, s’kuptohej fare në ishte shqiptar apo francez … Komunikonte si i barabartë me kolegët e huaj ai. Bënte krahasim të etnokulturës e folkorit tonë me folkorin dhe kulturën popullore të të tjerëve, me mënyrën e jetesës të banorëve të vendeve të tjera në siujdhesën e Ballkanit, të Mesdheut, të Europës, të vendeve të Lindjes apo të Perëndimit, merrej me studimin e sjelljes shoqërore, strukturës ekonomike dhe fetare të popujve apo, sipas rastit, të grupeve të popujve, të cilat merrnin strukturën e vështrimeve antropologjike të përfillshme. Nuk ishte i mendimit me ne që “vetëm Shqipëria është fanar ndriuçes në botë, që vetëm ne dimë të këndojmë, të bëjmë histori, të kemi trima, këngë e valle trimash…” e gjepura të tilla karafile të kohës. Haxhihasani e nderonte intelektualisht Shqipërinë ta quaje etnolog. Edhe si folklorist të nderonte. Edhe si filolog. Edhe si albanolog. Tri qenë fushat e tij kryesore të studimit dhe të prodhimit shkencor: gjuhësia, folkoristika dhe bibliografia. Jo më pak kontribute studimtarie dha në etnografi, letërsi, pedagogji, mësimdhënie dhe përkthim letrar e shkencor. Formatimi i tij shkencor tërhoqi vëmendjen e personaliteteve europiane të fushës, si Lamberc, Foki, etj. Mendimi i tij merrej si pikë reference në studimin e kulturës së popujve të Europës Juglindore. Ai qe i veçantë. Si ata burrat e rrallë të antikitetit, të rëndë nga dituria. Qemal Haxhihasani iku si një Nestor i pambarimtë për etnologjinë, folkorin shqiptar e albanologjinë. Nga Qendra Ndërkombëtare e Bibliografisë me qendër në Gjermani, ai njihet dhe është vlerësuar si bibliograf i mirëfilltë shkencor në fushën e kulturës popullore. Bibliografia e botimeve të tij arrin shifrën 275 tituj apo zëra brenda periudhës 53 vjeçare 1938-1991. Ai është gur themeli e gur qosheli për ndërtimin e korpusit të folkorit tonë sipas gjinive.
Miqtë e tij, nën kujdesin e prof Agron Xhagollit, si një tufë me lule të freskëta mirënjohjeje për kontributet e çmuara që ka dhënë për edukimin, artin, kulturën dhe folkoristikën shqiptare, botuan në Tiranë, më vitin 2010 përmbledhjen me 20 artikuj të kolegëve, në 254 faqe, në librin titulluar “Qemal Haxhihasani, folklorist dhe mësues i rrallë”, nga ku do të shënonim shkrimet e profesorëve të nderuar Sefedin Trungu, Jup Kastrati, Mark Tirta, Mahir Domi, Andon Berisha, Kujtim Bevapi, Esat Braho, Abedin B. Qafjani, Jorgo Panajoti, Mustafa Gërcaliu, Agron Xhagolli, Ali Muka, Fazli Syla, Rrustem Berisha e Shaban Sinani. Nderim veprës albanologjike të atij pishtari të pafikur!
NDËRROI JETË APOSTULLI I DARDANISË
Frank SHKRELI/
Ne Foto: Prof. Dr. Zef Mirdita (1936-2016)/
Mediat elektronike dhe gazetat përhapën lajmin e zi anë e mbanë trojeve shqiptare se Prof. Doktor Zef Mirdita, në moshën 80-vjeçare e la këtë shekull për në jetën e amshuar, duke i mbyllur sytë në Zagreb të Kroacisë ku kishte jetuar dhe zhvilluar për shumë vite aktivitetin e tij akademik dhe shkencor. Kombi shqiptar është sot më i varfër me zhdukjen e këtij historiani dhe kolosi të shkencës dhe letrave shqipe. Është më i varfër kombi shqiptar dhe sidomos Dardania, me humbjen e një shqiptari dhe shkencëtari të madh, i cili me sjelljet e tija fisnike dhe me një përvojë të gjatë akademike dhe kombëtare — ai me jetën dhe veprat e tija në gjuhë të ndryshme europiane dhe sidomos përballë të huajve, nderonte kombin shqiptar kudo që shkonte dhe kudo ligjëronte nepër kryeqytete të Europës, në mbrojtje të historisë mija vjeçare të kombit shqiptar në trojet e veta autoktone, duke filluar nga periudha e iliro-dardane e deri në ditët e sotëme.
Fatkeqsisht, përveç nëpërmjet disa shkrimeve të tija, unë nuk patur rastin ta njihja personalisht Profesor Zef Mirditën, por ata që e kanë njohur për së afërmi dhe të cilët kanë pasë fatin të ishin edhe studentë të tij në Universitetin e Prishtinës dhe universitete e fakultete të tjera të Kosovës, e konsiderojnë kalimin në amshim të Profesor Zef Mirditës sot si një fatkeqsi për botën arbërore, për të vërtetën e saj historike dhe për shqiptarizmin në përgjithësi. Ndër vetitë e Profesor Zef Mirditës, pohojnë ata, ishte e vërteta mbi historinë iliro-shqiptare si dhe mbrojta e saj kudo dhe kurdo, por ai njëkohsisht ruante edhe vetitë që nuk mësohen në libra, por të cilat historikisht e kanë dalluar fisin e vjetër të shqiptarit nga popujt e tjerë – e që janë burrënia, nderi, besnikëria. Mision të jetës së tij, ai kishte përcaktuar mbrojtjen e historisë dhe të së vërtetës së zanafillës së shqiptarëve, sidomos të Dardanisë dhe dardanëve.
Megjithëse Dardanët kanë qenë njëri prej fiseve më të dalluar të botës ilire, fatkeqësisht gjeneza dhe historia e tyre nuk kishte tërhequr më parë vëmendjen dhe interesimin e studiuesve dhe të historianëve të vërtetë si Profesor Zef Mirdita. Për më tepër, edhe ato pak studime që mund të ishin bërë gjatë dekadave të kaluara, sidomos nga të huajt, historia e Dardanisë dhe Dardanëve mohohej dhe madje kur paraqitej, ajo shtrembërohej qëllimisht nga të huajt, me mungesa të mëdha historike dhe kulturore, përfshirë edhe mohimin e etnogjenezës së tyre.
Por akademik Zef Mirdita si rradhë ndonjë tjetër historian, e kishte marrë përsipër si përgjegjësi personale intelektuale por edhe kombëtare, për të provuar me veprat dhe shkrimete tija me argumentat shkencorë, se Dardania ishte Iliri dhe se dardanët ishin me prejardhje ilire, njëkohësisht duke hedhur poshtë njëherë e mirë edhe tezat kryesisht të shtrembëruesve të historisë së shqiptarëve pasardhësve të ilirëve — se dardanët nuk na paskan qenë me prejardhje ilire. Mirëpo, Profesor Zef Mirdita gjatë gjithë jetës së tij me veprat dhe studimet që ka bërë në këtë fushë, argumenton me fakte historike dhe mbështetur në zbulime arkeologjike se e kundërta është e vërteta nga ato që kanë paraqitur shtrembëruesit e historisë së ilirëve dhe të shqiptarëve. Në shkrimet e tija, Profesor Zef Mirdita ka mbrojtur vazhdimisht tezën e etnogjenezës iliro-shiptare se dardanët në të vërtetë kanë ekzistuar si një popullsi banuese në trojet e veta në Dardani nga kohët e hershme e ndoshta edhe deri në mesjetë dhe si të tillë ata janë aty padyshim parardhës të shqiptarëve në Kosovën e sotme dhe më gjërë.
Historiani shqiptar Moikom Zeqo, duke vlerësuar figurën dhe veprën e Profesor Zef Mirditës me rastin e vdekjes së tij, pohon se, “Zef Mirdita qe një mjeshtër i madh i analizës, i referencës shkencore bibliografike dhe arkeologjike si dhe i metodologjisë moderne të parashtrimit dhe të sintezës së mirëfilltë. Studimet e tij për Dardaninë dhe iliricitetin e Kosovës në antikitet janë substanciale dhe të patjetërsueshme. Dhe të mos harrojmë që një vështrim të tillë historik dhe konceptual ai e ka bërë dhe e ka botuar shumë më përpara arritjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, është shprehur historiani Moikom Zeqo. Ndërkaq, njoftohet se në Zagreb sapo është botuar dhe promovuar vepra voluminoze e akademik Zef Mirditës me titullin: “Dardanët dhe Dardania Antike”. Duhet të jetë kjo një vepër e madhe, e mbarë dhe e frytshme e këtij Apostulli të Dardanisë, një vepër kjo besoj që pasqyron shprehje të ndriçimit mendor historik dhe të atdhedashurisë së tij për kombin e vet dhe për të vërtetën e preardhjes së tij historike, nga rrjedhte edhe vet. Një vepër kjo e fundit nga Profesor Zef Mirdita, që shpresojmë të shërbejë si porosi dhe flakë për brezin e sotëm të shqiptarëve, pasardhës të dardanëve – si flakë që të mos shuhet por të shëndritë si trashëgimi e Apostullit të Dardanisë, Zef Mirditës për ruajtjen e identitetit kombëtar për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve — në udhën e historisë se re të Kosovës dardane të pavarur dhe të kombit shqiptar në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta.
***
Kush ishte Prof. Zef Mirdita?
Prof. Dr. Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimnazin klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb. Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, absolvoi Filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë. Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Šidak. Qysh si student i vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Kršnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.
Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke. Nga 1 janari i vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën Dardanët dhe Dardania në Antikë. Më 1973 u zgjodh docent me ç’rast e mori përsipër Katedrën e Historisë së Kohës së Vjetër në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilën lëndë e ligjëroi në dy gjuhë, për studentët shqiptarë dhe serbë. Në gusht të të njëjtit vit qëndroi në Shqipëri ku bëri gërmime e hulumtime arkeologjike. Më 1974 si bursist i Qeverisë Italiane qëndroi në specializim në Katedrën e Historisë së Vjetër në Universitetin “La Sapienza” e Romës. Në vitet 1976-1977, si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung” qëndroi në specializim (Për Historinë e Vjetër dhe Paleobalkanistikën) në Universitetin e Heidelberg-ut në Gjermani. Më 1978 u zgjodh profesor, ndërkaq më 1983 profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës. Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Njëkohësisht, si profesor mysafir ligjëroi në disa universitete europiane, si në Vjenë, Jena, München, Romë, Sofje dhe Tiranë. Më 1991-1992 qëndroi në Gjermani (München) për të dytën herë si bursist i Fondit “Alexander von Humboldt – Stiftung”. Nga 1 marsi i vitit 1993 është këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë ku e udhëheq projektin “Vlasi –popullatë e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot”. Që nga viti akademik 1997/98 deri në atë 2006/07 ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit “J. J. Strossmayer” në Osijek, ku e ligjëroi lëndën: Historia e Vjetër – Lindja e Vjetër. Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika etj. Po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht. Që nga viti 1999 është nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Kroato-Shqiptare, ndërsa në periudhën kohore 2003-2007 ishte anëtar i Këshillit për Pakica Kombëtare në Qeverinë e Republikës së Kroacisë. Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë e dekoroi Profesor Zef Mirditën me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë. Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve për librin, “Vllehët në historiografi”, i cili u shpall libër i vitit 2004. Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011.(Biografia e Profesor Zef Mirditës është marrë nga Revista Drita – e përmuajshme Fetare-Kulturore e Kishës Katolike në Kosovë).
Baba Hekurani i Teqesë së Frashërit, çdo ceremoni e mbyll me fjalët “Rroftë Shqipëria”!
-Teqeja e Frashërit është një nga kryeqendrat e Bektashizmit dhe atdhetarizmit… Vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu, shkuan e mësuan në shkollën e “Teqesë së Frashërit”/
-Baba Hekurani i Teqesë së Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit çdo ceremoni e mbyll me fjalët “Rroftë Shqipëria”!/
– Teqenë e Frashërit, Mihal Gramenua e ka quajtur “Shkollë të Madhe Kombëtare të Shqipërisë”/
– Teqeja e Frashërit u ndërtua në prill 1781 nga Sulejman Beu, nga trungu i familjes së Sulejmanbejllinjëve të Frashërit/
-“Po të nderojë njeriu-njeriun, e ka nderuar Perëndinë” dhe se “Njerëzia është Perëndia”, – thotë Naim Frashëri/
– Kur Teqeja drejtohej nga Baba Alushi nga lagjja e Kasollarëve të Frashërit, në Teqe fliteshin 6 gjuhë: shqipja, persishtja, arabishtja, osmanishtja, greqishtja dhe vllahishtja
-“Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri… janë emblema të Bektashizmit dhe njëkohësisht të patriotizmit”, – ka shkruar Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Haxhi Baba Edmond Brahimaj
– Në dhjetor 1907 dhe në korrik 1908 në Teqenë e Frashërit ka qëndruar për disa ditë çeta e Çerçiz Topullit
– Teqeja u dogj më 6 maj 1914 nga andartët dhe ushtria pushtuese e Greqisë, dhe u rindërtua më 1923 me ndihmën e shqiptarëve të SHBA
– Dede Reshat Bardhi është një mal hyjnor, ishte i dërguari i Imam Aliut
Nga Prof. Kastriot Bezati& Albert Z. ZHOLI
Shpalosja e flamurit të kuq, me shqiponjën e zezë me dy krerë
Ngritja e simbolit të kombit dhe të shtetit, shpalosja e flamurit të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë, para çdo institucioni të Bektashizmit dhe parimi i tij kryesor se, “Pa Atdhe nuk ka Fe”, flasin qartë se bektashinjtë më shumë se çdo gjë duan Atdheun, duan Shqipërinë. Naim Frashëri, shenjtori i njerëzisë, poeti dhe profeti i shqiptarëve dhe Shqipërisë, autori i vargut më të dashur të shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë, “Ti Shqipëri më ‘ep nder, / Më ‘ep emrin Shqiptar”, në “Fletoren e Bektashinjve”, shkruan: “Besë e Bektashinjve është udhë e gjerë, që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Më një anë ka lulet e diturisë, në anën tjetër të së vërtetës”. Dhe më poshtë Naimi, mendimtari dhe edukatori i kombit, shkruan se bektashinjtë “duan si shpirtin e tyre dhe të tjerët, myslimanë e të krishterë dhe shkojnë mirë e bukur me gjithë njerëzinë. Po më shumë duan Mëmëdhenë dhe mëmëdhetarët, që kjo është më e mira nga gjithë të mirat”. Këto virtyte njerëzore janë të pranishme te figura e bektashiut dhe atdhetarit Hekuran Fejzo Nkollarit, i cili me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 datë 29.12.2009 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli Baba dhe u emërua Baba i Teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të Teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të Teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit. “Haxhi Dede Reshat Bardhi në fytyrë ka patur dritë hyjnore, që shprehte bukurinë e brendshme dhe të jashtme, si dhe mirësinë e njerëzimit. Dede Reshat Bardhi është një mal hyjnor, ishte i dërguar i Imam Aliut”, – thotë Baba Hekurani. Dhe më poshtë ai vazhdon: “Në bektashizëm ka vetëm vëllazëri”, – na thoshte Haxhi Dede Reshat Bardhi.
Jetëshkrimi
Baba Hekurani u lind më 7 shtator 1963 në Seniçan. I ati, Fejzo Nikollari, ishte nga Seniçani, ndërsa e ëma, Vezire Zoto, ishte nga Borocka, të dy fshatra të trevës së Përmetit. Ishin 9 fëmijë, Skënderi, Bukuria, Vikua, Ruzia, Alia, Myneveri, Hajria, Shyqyriu dhe Hekurani. U rritën ata përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët u dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë, dashurinë për Shqipërinë. Vitet shtynë njëri tjetrin dhe erdhi një ditë dhe i ati, Fejzua, u nda nga jeta më 1985, ndërsa e ëma, Veziria, u nda nga jeta më 2010. Baba Hekurani kreu shkollën fillore dhe shkollën 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan, më tej filloi shkollën e mesme “Kamber Bënja” në Bënje, por pas 2 vitesh, i detyruar nga vështirësitë ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe filloi punën në kooperativën e Mërtinjit, pastaj në Bonifikimin e Përmetit, në Ndërmarrjen e Ujërave Këlcyrë, në Shfrytëzim – Përpunimin e Drurit të Përmetit. Më 1992 emigroi në Greqi, ku punoi në punë të ndryshme në Trikalla, në Athinë, në Lamia, në ishullin Evia ose Kolkidha, në Larisa. Më 2000 u kthye në atdhe, në Seniçan. E ktheu ndërgjegjja kombëtare dhe idetë atdhetare dhe bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe të Baba Aliut të Alipostivanit. Në Seniçan rindërtoi Mekamin në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili edhe sot quhet “I miri i Nakove”. “Më 22 mars 2001 shkova në Alipostivan. S’kishte as teqe, as turbe. Ekzistonin vetëm si emër. Familja e parë ku unë u mbështeta ishte ajo e Refat Hasimit, djalit të dëshmorit të LANÇ-it, Dule Hasimit dhe nipit të dëshmorit të viteve 20 të shekullit XX, Bilal Alipostivanit. Refati është dhe ustai, i cili së bashku me Demir Elmazin dhe besimtarët e Alipostivanit, ngritën Tyrben e Baba Horasanit”, – thotë Baba Hekurani. Nuk kaloi as një vit dhe, më 04.04.2002, pasi qëndroi disa ditë pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut. U emërua dervish në Teqenë e Baba Ali Horasanit të Alipostivanit dhe, në periudhat e ngrohta, kryente edhe shërbime në Teqenë e Kulmaktut të Malit të Tomorit. Këshilli i Bashkisë së Poliçanit, “Për kontributin e veçantë në harmoninë fetare, përkushtimin dhe shenjtërimin e Sektit të Bektashizmit në Teqenë e Kulmakut, pasurinë shpirtërore të besimtarëve Bektashinj dhe ndihmën e të varfërve të qytetit të Poliçanit”, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”.
Në vitet 2007–2009 emërohet dhe punon si dervish në Teqenë e Frashërit
“Teqeja e Frashërit është një nga kryeqendrat e bektashizmit dhe atdhetarizmit… Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi dhe Samiu, shkuan e mësuan në Shkollën e Teqesë së Frashërit, kur Baba i Teqesë ishte Baba Alushi… Teqenë e Frashërit Mihal Gramenua e ka quajtur “Shkollë të Madhe Kombëtare” të Shqipërisë”, – tha ndër të tjera Baba Hekurani në kumtesën e tij të mbajtur në Konferencën Shkencore me temë “Frashri vatër e pavdekshme e atdhetarizmit në Shqipëri”, organizuar në Frashër më 25 maj 2014. Frashëri gjatë ecurisë historike ka lindur aq shumë figura historike sa është vështirë të krahasohet me një hapësirë të dytë gjeografike me të njëjtat përmasa, qoftë kjo hapësirë brenda apo jashtë Shqipërisë. Emri i Frashërit nuk ka kufij gjeografike dhe vepra e doktrinarëve të mëdhenj të kombit, Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut, janë Bibla dhe Kurani i shqiptarëve dhe Shqipërisë. “Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri… janë emblema të bektashizmit dhe njëkohësisht të patriotizmit”, – ka shkruar Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Ndërtimi
Teqeja e Frashërit u ndërtua më 1781 nga Sulejman Beu nga trungu i familjes së Sulejmanbejllinjëve të Frashërit në tokat e dhuruara nga Jaup Bej Selenica. Tahir Skënderasi apo Baba Nasibiu, nga lagjja Skënderas e Frashërit, e hapi Teqenë apo ndoshta u bë drejtuesi i Teqesë në vitin 1785 dhe ky vit është edhe viti i ngritjes së shkollës në Teqenë e Frashërit. Në mesin e shekullit të XVIII, kur Teqeja drejtohej nga Baba Alushi, nga lagjja e Kasollarëve të Frashërit, në Teqe fliteshin 6 gjuhë: shqipja, persishtja, arabishtja, osmanishtja, greqishtja dhe vllahishtja. Gjuha bazë në këtë shkollë ishte shqipja, veçse kjo shkruhej me alfabetin arab. Në Frashër, dëshmitë e shkrimit shqip lidhen me poemat e Nasibi Tahir Babait në hapësirën kohore 1785 – 1827 dhe më pas me librat e vëllezërve bektashinj Dalip e Shahin Kaso Frashëri, i pari me veprën “Hadikaja” (1842), i dyti, me veprën “Muhtarnameja” (1868). Ngjarje madhore që u zhvilluan në Teqenë Bektashiane të Frashërit janë edhe dy Kuvendet Ndërkrahinore të Frashërit, i pari, u mbajt në maj të 1878-ës, i dyti në qershor të 1880-ës. U drejtuan nga Abdyl Frashëri dhe Baba Alushi dhe janë ndoshta këta dy kuvende të mëdha atdhetare, mbi të cilat populli ngriti këngën “Alush Babai me shenjtëri, Abdyl Beu me dituri, përpiqen për Shqipëri”.
Teqeja në vitet 1908-1912 u bë jatak dhe vatër e fuqishme e çetave të lirisë së Shqipërisë.
Në këto vite drejtues i Teqesë ishte Baba Abedin Ibrua nga Backa e Skraparit. “Baba Abedini përmbledh virtytet më të larta… Me mirëbërësin e tij e ka fituar simpatinë e gjithë popullit, muhamedanë e të krishterë”, – ka shkruar Mihal Gramenua.. Në dhjetor 1907 dhe në korrik 1908 në Teqenë e Frashërit ka qëndruar për disa ditë çeta e Çerçiz Topullit. Teqeja dha ndihmesë të madhe dhe, nën kujdesin e Baba Abedinit, në tokën e Karfil Halil Frashërit, u hap Mësonjtoria Shqipe e Frashërit nga mësuesi Hasan Hoxhë Efendiu nga Sanjollasi i Kolonjës. Teqeja i jepte një rëndësi të madhe hapjes së shkollave shqipe jo vetëm në Frashër, por në gjithë trevën e Përmetit. Udhëhiqej nga idetë e Vëllezërve Frashëri. “Në qoftë se do të korrësh pas një viti mbill grurë, po do që të korrësh pas një shekulli ngri shkolla”, – thoshte Sami Frashëri. Në vitet e LANÇ-it, nga 28 deri më 30 janar 1944 dhe më 19 e 20 maj 1944 në Teqenë e Frashërit, të drejtuar në ato vite nga Baba Abaz Hilmi Elezi, kanë qëndruar së bashku dy klerikë të lartë, njëri bektashi, Baba Abazi, tjetri ortodoks, At Pais Vodica, të cilët më vonë do të jenë: Abaz Hilmi Dede – Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit (1945-1947) dhe At Paisi Vodica – Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (1948-1966).
Teqeja u dogj më 6 maj 1914
Teqeja u dogj më 6 maj 1914 nga andartët e ushtria pushtuese e Greqisë dhe u rindërtua më 1923 me ndihmën e shqiptarëve të SHBA. U mbyll më 1967 nga monizmi dhe u rihap më 15 tetor 1997. Në hapësirën e viteve 1994 – 2005 u rikonstruktuan Portiku dhe Tyrbet e Tahir Nasibiut dhe Baba Mustafait, u ringrit Tyrbia e Baba Alushit dhe u ribë çatia e Ndërtesës së Sipërme të Teqesë nga mirëbërësit Përparim Skënderi, Shpëtim Bega dhe Asllan Bora. Baba Hekurani, në vitet 2007-2009 (si dervish) dhe në vitet 2010-2016 (si baba) ka bërë një punë të madhe për rikonstruksionin e dy ndërtesave të Teqesë si dhe në rregullimin e mjedisit përreth Teqesë. “Dervish Hekurani ka bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur të hapur dhe për të restauruar Teqenë … Kur vete në Frashër ose në fshatrat e krahinës së Dangëllisë të shumtë janë njerëzit jo vetëm besimtarë, por edhe dashamirës të bektashizmit, të cilët flasin me admirim për punën e Dervish Hekuranit”, – ka shkruar Orhan Frashëri, veteran i LANÇ-it. Në hapësirën kohore, 1781 – 2016, Teqeja e Frashërit është drejtuar nga 14 baballarë: Baba Tahir Skënderasi – Nasibiu, Baba Jusuf Skënderasi, Baba Alush Frashëri, Baba Hysen Skënderasi, Baba Abedin Ibro, Baba Sheme Skënderasi, Baba Mustafa Qerezi, Baba Murat Skënderasi, Baba Abaz Hilmiu, Baba Mete Zyka, Baba Sherif Canometi, Baba Selim Kalicani, Baba Xhemal Shkëmbi, Baba Hekuran Nikollari. “Hekuran Nikollari, … që me shumë dashuri dhe energji po vazhdon të ringrejë Teqenë e Frashërit, Teqenë e Nasibiut, na tha: “Frashëri do të ringjallet, si mbijnë filizat e rinj të bimëve nga toka. Pa Frashërin nuk ka komb Shqiptar”, – shkruajnë dy vëllezërit, profesorët Alfred dhe Neki Frashëri në librin “Frashëri në Historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007.
Kontributi i lartë
Baba Hekuranit, “Për kontributin e lartë në ringritjen e institucionit të kultit Bektashian në rrethin e Përmetit veçanërisht të Teqesë së Nasibiut në Frashër, për punën e madhe në ringjalljen e besimit bektashian duke fituar besimin, respektin dhe dashurinë e gjithë popullit të Dangëllisë si një klerik i veçantë i Bektashizmit”, iu dha Titulli “Nderi i Frashërit” nga Këshilli i Komunës së Frashërit (Vendimi Nr.19 datë 21.03.2015). Teqeja e Alipostivanit ngrihet në një kodër te bukur mbi fshatin Alipostivan, në një pikë dominuese prej nga shikon si në pëllëmbë të dorës Luginën e Vjosës deri në majën e malit Nemërçkë. Është një super-teqe, ku toka prek qiellin e qielli zbret në tokë, përballë malit të Dhëmbelit. Është ndërtuar në vitin 1767, e dhëne kjo që na jepet edhe nga materialet e Muzeut të Odeonit në Selinë e Shenjtë, ngritur më 07.09.2015. Gati një shekull më vonë, më 1857, në krye të Teqesë vjen Baba Aliu, i cili i dha edhe emrin e tij Teqesë së Alipostivanit. Mbas Baba Ali Horasanit, në Teqe, kanë shërbyer Baba Abdullai, Baba Meleq Pasho, Baba Hysen Bobe, Baba Nazif Bega, Baba Hajdar Hodo.
Djegia e Teqesë
Teqeja është djegur më 1870 dhe më 1914, herën e parë nga pushtuesit turq të Portës së Lartë dhe herën e dytë nga andartët grekë e ushtria pushtuese e Greqisë. Nga tërësia e luftimeve për liri e mbrojtjen e Atdheut, veçojmë: betejën e zhvilluar në Nivie të Pagrisë më 07.07.1911 dhe betejën e zhvilluar në Qafën e Qivurit dhe Kodrën e Teqesë në Alipostivan më 18.05.1914. E para u zhvillua nga çetat atdhetare të Shqipërisë së Jugut kundër pushtuesve të Portës së Lartë, ku ra heroikisht komandanti i çetës atdhetare të Delvinës, Nazif Hadëri nga Palavlia e Sarandës. Populli, me kërkesën e nën kujdesin e Baba Abdullait, e mori trupin e dëshmorit dhe e varrosi me nderime pranë Teqesë së Alipostivanit dhe, më vonë, e rivarrosën po me nderime në Përmet. E dyta, u zhvillua nga çeta atdhetare e Bilal Alipostivanit kundër andartëve e ushtrisë pushtuese të Athinës. Kosta Papa Tomori, prift, në librin “Masakrat Greke në Shqipëri”, ndër të tjera shkruan: “Në Lipostivan qe trimi me fletë Bilal Lipostivani, i cili nga Teqeja po luftonte kundër 300 vetash …Kapedan Manoli një gjiritas, u derdh ta zinte të gjallë Bilalin po nuk arriti se plumbi i Bilalit e gjeti në ballë dhe kafshoi dhenë”. Bilali, pas një beteje të ashpër, ku u vranë 44 armiq, u plagos rëndë dhe vdiq pas 6 ditësh në Berat. Teqeja u rindërtua më 1920. U mbyll nga monizmi më 1967 dhe u rihap nga demokracia më 2003. Ndërtesa e re u ndërtua ne vitet 2004 – 2010. U projektua nga arkitekti Agron Ibrahimi dhe inxhinieri Dashnor Hodo, të dy nga Përmeti. Konstruktor ishte Anila Hasanaj nga Vlora. U ndërtua nga Safet Çapoku, teknik ndërtimi me specialistë e punëtor nga qyteti i Përmetit. Edhe sot, në mjediset e jashtme të Teqesë, punohet dhe është në përfundim “Ndërtesa trekatëshe”, në mjediset e brendshme të së cilës ndër të tjera do të jenë: Salla e “Veprimtarive Kulturore e Shkencore”, Biblioteka, Menxa, Hoteli (me disa dhoma) për vizitorët e shumtë që vijnë në Teqe nga e gjithë Shqipëria. Ndërtesa është projektuar nga Haxhi Musai e Alban Elmazi dhe po realizohet nga vëllezërit Alban dhe Ermir Elmazi. Në krye të punëve për ngritjen e ansamblit arkitekturor të ndërtesave të Teqesë, ka qenë dhe është njeriu i mendjes dhe i punës Baba Hekurani. “Baba Hekurani ka një kulturë dhe informacion të jashtëzakonshëm, jo vetëm për historinë e besimit, por edhe për historinë në tërësi, për problemet shoqërore e, mbi të gjitha, mbart në vetvete një dashuri të madhe për kombin, lexon vazhdimisht dhe kërkon që biblioteka e teqesë të pasurohet përherë me sa më shumë libra”, – shkruajnë studiuesit Nuri Dragoi e Luan Nikollari.
Teqeja e Baba Xhaferrit
Teqeja e Baba Xhaferrit në Përmet është themeluar më 1861 nga Bektash Babai, i ndihmuar nga Ali Haqi Babai i Gjirokastrës. Nuk kemi të dhëna nëse kjo teqe është apo jo Teqeja për të cilën na flet kronikani osman Evlija Çelebi, i cili shkruan se më 1670 ngrihej një teqe në Përmet, ndaj po i referohemi vitit 1861. Baba Xhemali dha kontribute në Shpalljen e Pavarësisë. Baba Abedini i Frashërit dhe Baba Xhemali i Përmetit organizuan mbledhjen e jashtëzakonshme më 28 nëntor 1912 në Përmet, e cila mandatoi Mit’hat Abdyl Frashërin si delegat të Përmetit në Kuvendin Historik të Vlorës (28.11 – 07.12.1912). Më vonë në krye të Teqenë e Përmetit vjen Xhafer Sadik Baba nga Gjirokastra. Ai u bë edhe Dede, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, i cili drejtoi punimet e Kongresit IV Bektashian. Në janar të vitit 1930, Sali Njazi Dedeja, i cili u largua nga Turqia dhe erdhi në Shqipëri, për të ngritur Qendrën e Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, u prit në Sarandë edhe nga Baba Xhaferi i Teqesë së Përmetit dhe Baba Kamber Pagria, në atë kohë Baba i Teqesë së Prishtës, të cilët edhe e shoqëruan në rrugën Sarandë-Tepelenë-Përmet-Leskovik-Ersekë-Korçë. Sali Njazi Dedeja, Kryegjyshi Dëshmor i Atdheut, (vrarë në Tiranë nga pushtuesit fashist italian më 28.11.1941), qëndroi një natë në Sukë dhe disa orë në Përmet. Teqeja e Përmetit është drejtuar edhe nga Baba Sabriu, Baba Barjami dhe Baba Zeneli. Teqeja u mbyll nga monizmi më 1967 dhe u rihap nga demokracia më 11.10.1991, që është edhe dita e parë e rihapjes së bektashizmit në Përmet. Bektashizmi shpall dashurinë për njerëzit. “Po të nderojë njeriu njeriun, e ka nderuar Perëndinë” dhe se “Njerëzia është Perëndia”, – thotë Naim Frashëri, i cili i ka kënduar edhe Jezu Krishtit (në poezinë e tij “Përpara Krishtit”), ashtu si i ka kënduar Abaz Aliut. Morali, Dituria dhe Atdhetarizmi mishërohen apo trupëzohen më së miri në figurën e Baba Hekuranit, i cili është një misionar sa i dukshëm dhe i padukshëm, sa tokësor aq edhe qiellor, i së mirës, i së vërtetës, i së drejtës, i diturisë, misionar i unitetit ndërfetar dhe mbi të gjitha i atdhedashurisë në Shqipëri.
Bektashizmi qëndron brenda Atdhedashurisë
“Aq e madhe ka qenë ndjenja e atdhedashurisë, sa Naim Frashëri edhe perëndinë e bën shqiptare. Ai thotë se “në malet e Shqipërisë atje rrojnë perënditë”. Madje për Naim Frashërin dhe për gjithë bektashinjtë edhe “Abaz Aliu zu Tomorë”, domethënë nga Fusha e Qerbelasë erdhi në Tomor”, – thotë Dritëro Agolli. Në Simpoziumin Kombëtar të Vlorës, mbajtur më 28 tetor 2015, organizuar nga Kryegjyshata Bektashiane, Baba Hekurani në trajtesën e vet ndër të tjera tha: “Qerbelaja është fusha ku u masakrua Imam Hyseni, djali i lavdishëm i Imam Aliut…Në fushën e Qerbelasë, heroike është vdekja e djalit trim, kalorësit legjendar, birit të Imam Hysenit, Abaz Aliut …Abaz Aliu, dëshmori i Qerbelasë, erdhi dhe gjeti prehje tek mali ynë i shenjtë, në malin e Tomorit”. “Baba Hekurani është një model, një shërbyes i idealit dhe besimit të sektit bektashian, një shembull dhe udhëheqës për cilindo… Një sekt apo institucion fetar, arrin rezultatet e pritshmëritë e dëshiruara vetëm atëherë kur punon si Baba Hekurani”, – ka shkruar gazetari e studiuesi, drejtori i BBF, Fejzo Subashi. “Kush bën mirë, është më i mirë se vetë e mira”, – ka thënë Imam Aliu. I tillë është edhe Baba Hekurani, është më i mirë se vetë e mira.. “Baba Hekurani udhëhiqet nga atdhedashuria, e vërteta, dashuria dhe ligji… nga dashuria për të gjithë njerëzit, respekton besimet e ndryshme fetare duke qenë njëherësh tolerant dhe për marrëdhënie të mira mirëkuptimi vëllazëror ndërfetar brenda e jashtë trevës së Përmetit”, – shkruajnë historianët Pëllumb Xhufi, Albert Frashëri, Laurant Bica, Myslim Islami, fabulisti Gjikë Kurtiqi dhe muzikologu Naxhi Kasoruho. “Kur të pyet Baba Hekurani, na duket sikur Zoti vetë na bën intervistë… Kemi foto me presidentë, kryeministra, ministra e deputetë, por fotoja me Baba Hekuranin padyshim do të jetë me një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetë. Nga Teqeja e Alipostivanit na duket sikur shohim gjithë Shqipërinë”, – shkruan gazetari, analisti e studiuesi Roland Qafoku. Baba Hekurani ka hyrë edhe në këngën e popullit. Grupi folklorik “Djemtë e Vlorës”, këndon: “Buron kënga për ca burra, / Që i ka ëndërr vatani, / Po del një në njëmijë burra,/ Baba Dervish Hekurani”. Baba Hekurani është sot një kalorës i madh i Bektashizmit dhe një Atdhetar i madh i Shqipërisë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 436
- 437
- 438
- 439
- 440
- …
- 693
- Next Page »