• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIPLOMACIA AUSTRO-HUNGAREZE PËR KRYENGRITJEN SHQIPTARE TË MALËSISË SË MBISHKODRËS TË VITIT 1911

April 26, 2025 by s p

Prof.Dr. Lush Culaj/

Malësia e Madhe, si krahinë me një lidhje të brendshme, natyrore, territoriale dhe shpirtërore e kombit shqiptar, gjeografikisht gjendet në skajin më verior të Alpeve shqiptare, në Bjeshkët e Kelmendit, pra në zonën kufitare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi.

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX është ndër periudhat më të bujshme të historisë  së popullit shqiptar. Ishte periudhë e kryengritjeve të pandërprera, kryengritje që në esencë ishin vazhdimësi e luftës shekullore kundër shtypjeve të llojllojshme, të cilat, më në fund, mundësuan shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar.

Këto luftëra luajtën një rol shumë pozitiv për rënien e Perandorisë Osmane, e njëkohësisht i kontribuuan edhe për dëbimin e turqve nga Evropa Juglindore.

Në fund të dhjetëvjetëshit të parë të shekullit të XX, koncepti i Evropës që kishte mbajtur paqen për një shekull, me gjithë qëllimet e tij praktike kishte pushuar së ekzistuari, sepse kundërthëniet ndërmjet Fuqive të Mëdha u shtuan shumë.

E preokupuar me interesa të veçanta rajonale, ndonëse e pozicionuar në këtë periudhë kohore për ruajtjen e status quos, Austro-Hungaria iu kushtonte vëmendje të veçantë  zhvillimeve në trevat shqiptare. Si Austro-Hungaria, ashtu edhe Italia, po i dyfishonin përpjekjet diplomatike që t’i përvetësonin shqiptarët.

Fillimi i shekullit të XX bëri që trevat shqiptare të jenë, në një mënyrë më të theksuar, fushë e përplasjes ndërmjet interesave austriake dhe italiane. Vjena, mbështetur në marrëveshjen me Stambollin, ishte e njohur zyrtarisht si mbrojtëse e katolicizmit shqiptar. Ajo, me fondet e saj, kishte ndërtuar dhe kishte mbajtur ato pak kisha e shkolla. Nga ana tjetër, për shekuj me radhë, gjuha italiane kishte shërbyer si një lloj gjuhe kulture në mes shqiptarëve dhe ishte përdorur madje gjatë në institucionet shkollore, ndonëse këto të fundit ishin të mbajtura nga Vjena. Mirëpo, kur veprimet italiane u shfaqën si konkurruese të mëdha për diplomacinë vjeneze, gjuha shqipe u fut gjerësisht në shkolla dhe klerikët italishtfolës u zëvendësuan në masë me shqiptarë.

Përderisa në Vilajetin e Kosovës zhvilloheshin luftime të përgjakshme, të krishterët e Shkodrës kishin besim tek Austro-Hungaria si mbrojtëse e katolikëve kundër Perandorisë Osmane. Megjithatë, Austro-Hungaria, duke e analizuar politikën rajonale, insistonte me këmbëngulje në ruajtjen e qetësisë në Evropën Juglindore. Ajo e këshillonte Stambollin që të bënte një politikë të urtë ndaj shqiptarëve, por gjithashtu bënte presion edhe mbi shqiptarët që të mos ngrinin krye.

Megjithatë, atë që nuk u arrit një vit më parë në Kosovë, u përpoqën ta vinin në vend malësorët e Mbishkodrës në vitin 1911. Më 23 mars ata filluan luftën kundër forcave ushtarake osmane në Rapshë e në Traboin, në mënyrë që kryengritja të shtrihej në gjithë Hotin, Grudën e Kelmendin.

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911 përbën njërin ndër momentet kryesore të periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare. Si e tillë, ajo zë një pozicion kulmor në vijimësinë e pjekurisë kohore dhe përmbajtjesore të kësaj lëvizjeje. Kryengritja mban epitetin e një përpjekjeje me orientim kombëtar.

Kryengritja shqiptare e vitit 1911 fillon ashtu siç fillojnë lëvizjet në Evropën Juglindore, në fund të dimrit.

Dëshmitë arkivore janë pasqyrë e qartë për pozicionin e Austro-Hungarisë ndaj ngjarjeve në përgjithësi dhe ndaj shqiptarëve në veçanti. Politika vjeneze ishte e vetëdijshme se ndodhej përpara “simptomave të një lëvizjeje të përgjithshme” dhe para mundësisë së një afrimi të mundshëm të malësorëve me Malin e Zi. Konform situatës të krijuar nga aksioni i Shefqet Turgut Pashës dhe në vijim, duke ndjekur me vëmendje situatën, qeveria vjeneze e këshillonte Stambollin në rastin e “veprimeve të nxitura”, duke dashur të tregohej e “matur dhe me konsideratë karshi veçorive të shqiptarëve”. Natyrisht, përmes kësaj, pretendohej ruajtja e simpatisë për Austro-Hungarinë te shqiptarët. Në përputhje me këtë qëndrim urdhri ndaj Zambaurit, i datës 10 mars, ishte shumë i saktë dhe i qartë. Përfaqësuesit diplomatikë të kësaj perandorie duhet të ishin shumë të kujdesshëm, korrektë dhe plotësisht të çiltër ndaj qeverisë turke, t’u tregonin këtyre se keqësimi i situatës në vend ishte pasojë e faktit se pala turke nuk dëshironte të tregohej e kënaqur me rezultatin e një marrëveshjeje të mundshme. Nga ana tjetër, Austro-Hungaria nuk duhet të ndërhynte kundrejt manifestimeve të ndryshme të pakënaqësisë ekzistuese dhe duhet të ishin shumë të kujdesshëm me klerin e me parinë shqiptare. Ata duhet t’ua qartësonin shqiptarëve “mungesën e gatishmërisë nga ana e Turqisë, për t’i zbatuar këshillat miqësore” të Qeverisë të Vjenës. Gjithsesi qëllimi ishte që të mos keqinterpretohej nga shqiptarët situata sikur austriakët donin të inkurajonin popullsinë për të kundërshtuar sundimin turk.

Politika e Romës e kundërshtonte shtrirjen  e Austro-Hungarisë në bregdetin shqiptar, por nga ana tjetër nuk do të ishte kundër që aty ta vinte këmbën njëra nga shtetet ballkanike. Nga pikëpamja  ekonomike dhe politike për Romën do të ishte më e përshtatshme që ky shtet të ishte Serbia dhe kjo pikërisht për ta penguar Austro-Hungarinë. Pastaj Italia mbase do të pajtohej me propozimin e Austro-Hungarisë për krijimin e Shqipërisë së pavarur që do të ishte për Serbinë shumë e pakëndshme.

Te shqiptarët Austro-Hungaria kishte parë një popull tradicionalisht antisllav, prandaj ajo shpresonte se interesat e saj realizoheshin më së miri në rast të prishjes së “ status quos” me formimin e shtetit shqiptar, si një digë e fuqishme antisllave dhe antiruse në Evropën Juglindore.

Megjithatë, diplomacia serbe mund t’i ofronte diplomacisë italiane teza për paqëndrueshmërinë e Shqipërisë si shtet i pavarur. Për këtë arsye të dy fuqitë aleate doemos duhej ta mbanin atë nën protektorat të vazhdueshëm, që, në të vërtetë, do të ishte një lloj mbikëqyrjeje. Mirëpo, në këtë rast Austro-Hungaria do të ishte gjithnjë e më e fuqishme, kështu që do ta eliminonte Italinë posa t’i vinte mundësia i parë.

Gjithsesi interesi i Fuqive të Mëdha në raport me shqiptarët dhe çështjen shqiptare po shtohej dita-ditës dhe pa dyshim në pozicionin më favorizues shfaqej Austro-Hungaria.

Interesat austro-hungareze në territorin e vjetër turk do të cenohen për shkak të gjendjes të re të krijuar dhe interesimi i Vjenës për ta ruajtur ndikimin në ketë rajon ishte i dukshëm.

Megjithatë, interesat këtu ishin të llojllojshme. Mbreti Nikollë i Malit të Zi nuk po hiqte dorë nga planet e tij për ta nxitur dhe për ta shfrytëzuar kryengritjen shqiptare për qëllimet e tij.  Implikimi i Malit të Zi në kryengritje bënte që Fuqitë e tjera të Mëdha, të cilat kishin interesat e tyre strategjike në Ballkan, siç ishin Italia dhe Austro-Hungaria, të reagonin duke shtuar interesimin dhe gatishmërinë për atë që mund të ndodhte.

Austro-Hungaria ishte e frymëzuar nga ndjenjat miqësore ndaj Perandorisë Osmane dhe shprehej se nuk mendonte të përzihej në ngjarjet në Shqipëri. Megjithëse diplomacia vjeneze deklarohej se kjo ishte çështje e brendshme e Perandorisë Osmane, ajo bënte presion diplomatik mbi Stambollin që operacionin e saj brutal mbi kryengritësit ta zëvendësonte me mjete më të buta dhe ta zgjidhte problemin me ta me mjete paqësore. Vjena pa dyshim që e përcillte me vëmendje të veçantë situatën dhe kishte angazhuar  diplomacinë e saj, për të vëzhguar rrjedhat me kujdes dhe për të vepruar në përputhje me veprimet e Fuqive të Mëdha.

Duke njohur rrethanat e pafavorshme për momentin, e sidomos rrezikun nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria udhëzonte klerikët shqiptarë të Shqipërisë së Veriut që të ndikonin për ndalimin e kryengritjes.

Natyrisht rreziku më i madh për Qeverinë e Stambollit vinte nga shtetet sllave, të interesuara për zgjerim territorial në dëm të tokave të saj.

Ministri i Jashtëm serb, M. Millovanoviq, pasi analizonte  politikën ballkanike të Austro-Hungarisë përfundonte se asaj hëpërhë do t’i mjaftonte keqësimi i gjendjes në “Arnautllëk”, po edhe me nxitjen e saj pa u kompromentuar vetë fare, por duke vepruar nëpërmjet Malit të Zi. Në vërejtjet eventuale nga Rusia dhe Italia ajo do të përgjigjej se qortimi lypset drejtuar nga Mali i Zi. Sipas kryediplomatit serb, Millovanoviq, Austro-Hungaria do të realizonte në këtë formë fitim të dyfishtë: 1) Turqisë do t’ia mbillte besimin se qëndrueshmëria dhe siguria e saj varet nga Austro-Hungaria, sepse është ajo që i frenon shtetet ballkanike ta sulmojnë atë; dhe 2) Do ta mbante të qëndrueshme gjendjen që t’i përshtatej politikës së saj ballkanike.

Nga ana tjetër, një pjesë e atdhetarëve shqiptarë punonin për të siguruar përkrahjen e qeverisë së Romës. Megjithatë, diplomacia italiane mbante një qëndrim ndryshe nga ai i popullit italian. Qeveria e Romës nuk ishte e interesuar të ndërhynte në Shqipëri sepse kjo do të shkaktonte kundërveprimin e Austro-Hungarisë. Në shkurt të vitit 1911 qeveria e Romës e ndaloi ekspeditën e vullnetarëve dhe mori masa për të penguar çdo ndihmë që mund t’u jepej kryengritësve shqiptarë nga Italia.

Pra, Fuqitë Adriatike, e sidomos Austro-Hungaria, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, bënë kujdes dhe u përpoqën që Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ta mbanin  brenda kuadrit të një lëvizjeje paqësore me karakter thjesht kulturor-arsimor.

Vjena e këshillonte Stambollin që të tregohej e matur dhe e arsyeshme me shqiptarët. Nga ana tjetër, për shkak të interesave të veta rajonale e sidomos nga rivaliteti me pansllavizmin, Vjena dëshironte që Stambolli ende të qëndronte në këmbë.

Me shpërthimin e kryengritjes antiosmane në Malësinë e Mbishkodrës perceptimi i parë politik i Austro-Hungarisë dhe Italisë, që u përpoqën të krijonin në sytë e Perandorisë Osmane ishte se çështja  shqiptare ishte çështje e brendshme e Stambollit. Kjo nuk do të thotë që kryengritja shqiptare nuk e acaroi edhe më shumë rivalitetin austro-italian. Diplomacia e stërholluar austriake kundrejt kryengritjes shqiptare mbështetej në kritikën kundër politikës osmane, duke u dhënë rrethana zbutëse, jo vetëm shqiptarëve, por gjithashtu edhe Malit të Zi, në qoftë se do të përfshihej në luftë. Më 29 mars ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Pallaviçini, përmes një letre drejtuar Baronit von Muller dhe konsullit Zambazur, kërkonte nga ata që të informohej Veziri i Madh se si Austro-Hungaria, ngjarjet e tanishme në Shqipërinë e Veriut i cilësonte si një pasojë e drejtpërdrejtë e mosrespektimit të këshillave të saj të hershme miqësore.

Qeveria e Beogradit bëri përpjekje të mëdha që shtetet ballkanike, e Mali i Zi në radhë të parë, sikurse edhe Bullgaria të mos e mbështesnin në asnjë formë kryengritjen shqiptare të vitit 1911. Megjithatë, sundimtari i Malit të Zi hyri në negociata me Bullgarinë dhe bëri orvatje për ta arritur një marrëveshje politiko-ushtarake me Serbinë për ndarjen e sferave të interesit.

Beogradi, jo vetëm që nuk e mbështeti këtë ofertë, po veprimin e Mbretit Nikollë e quante si një hap fare të papeshuar, ndaj e këshillonte të hiqte dorë nga “kjo aventurë e rrezikshme”. Beogradi përpiqej ta bindte Cetinën se kjo ide nuk ishte në interesin e “idesë së madhe serbe” dhe të serbizimit, duke përfunduar se përmes kësaj kryengritjeje do të shkaktohej një përmbysje situate, të cilën, sipas parashikimit të Serbisë, do ta shfrytëzonte Austro-Hungaria si pretekst të ndërhyrjes. Edhe në opinion konsiderohej se pas politikës malaziase kundrejt lëvizjes shqiptare qëndronte Austro-Hungaria, e cila rrinte gati që ta shfrytëzonte rrëmujën në Turqi për interesat e saja në Evropën Juglindore. Prandaj, ishte e kuptueshme që mosbesimi i diplomacisë ruse ndihej edhe në Cetinë.

Qëndrim identik kishte edhe konsulli i Shkupit, Jovan M. Jovanoviq, i cili konsiderohej si njëri ndër njohësit më të mirë të çështjes shqiptare. Ai kishte tërhequr edhe përpara vëmendjen e qeverisë së tij për rrjedhimet serioze që mund të kishte kryengritja shqiptare për interesat e Serbisë. Sipas kundrimit të tij, kryengritja gëzonte përkrahjen e Austro-Hungarisë që pasqyrohej në lidhjet e ngushta të agjentëve të saj me krerët shqiptarë në terren.

Millovanoviqit nuk mund t’ia ndryshonte njeri mendjen se autonomia shqiptare nuk mund të ishte pjellë e politikës vjeneze, në radhë të parë dhe kur Pashiqi thoshte se në atë moment duhej vepruar me shumë kujdes. Sipas tij, në rastin e kundërt do t’i jepet Austro-Hungarisë pretekst për të bërë atë që dëshiron, kurse aksioni i Serbisë do të krijonte nga ana tjetër mosbesimin ndaj saj në Turqi dhe në Evropë.

Ndërkaq Isa Boletini në një takim që pati me mbretin Nikollë hodhi poshtë propozimin e tij që veprimet luftarake të malësorëve të mbështeteshin nga Mali i Zi. Po kështu veproi edhe Dedë Gjo Luli.

Kryengritja filloi më 24 mars 1911, kur malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, Gjek Marash Gjeloshi etj. filluan veprimet luftarake dhe sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri me shpejtësi të madhe në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat. Diplomacia e Stambollit mendonte që ta përdorte si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke tentuar t’i nxisnin përçarjet dhe grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë dhe katolikë. Ata filluan t’i quanin malësorët në shërbim të Malit të Zi, d.m.th. të një shteti të krishterë.

Gazeta italiane “La Tribuna”, e datës 29 mars 1911, që dilte në Romë, duke shkruar për përhapjen e kryengritjes shqiptare të Malësisë të Mbishkodrës, theksonte se është frika që tërë Shqipëria të ngrihet në kryengritje.

DGJL

Dedë Gjo Luli

Strehimi i refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi shtonte tensionet dhe kishte acaruar marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Fuqitë e Mëdha e përcillnin gjendjen me vëmendje dhe reagonin varësisht nga interesat e tyre. Përderisa Perandoria Osmane ishte e interesuar për kthimin e refugjatëve dhe për qetësimin e situatës, edhe Rusia nën presionin e Austro-Hungarisë dhe e frikësuar nga ndonjë konflikt eventual në Evropën Juglindore për të cilin nuk ishte e përgatitur, iu kërcënua Malit të Zi për kthim sa më të shpejtë të refugjatëve shqiptarë dhe për uljen e tensionit politik e ushtarak.

Edith Durham i shkruante nga Podgorica konsullit të përgjithshëm anglez në Cetinë se si vëzhguese e paanshme e situatës e gjykonte gjendjen në Shqipëri dhe çështjen shqiptare si tejet të tensionuar. Ballafaquar me ato ngjarje para syve të të ashtuquajturave “Fuqi të Mëdha”, ajo i akuzonte të gjitha me radhë e në veçanti Austro-Hungarinë që e lejonte Stambollin të ushtronte barbari mbi shqiptarët e Malësisë së Mbishkodrës. Kryengritësit, sipas Durhamit, nuk kishin forcë të luftonin me ushtrinë osmane, kur raporti i forcave midis kryengritësve dhe forcave të kësaj ushtrie ishte 1-20. Kur refugjatët shqiptarë i shtruan pyetjen Durhamit nëse kishte ndonjë mik kryeministri anglez që do të mund ta angazhonin për ta mbrojtur çështjen shqiptare, do t’u përgjigjej: ”Të gjithë miqtë e kryeministrit anglez tashmë janë miq të turkut”.

Në prill të vitit 1911 Shefqet Turgut Pasha shpall amnistinë dhe u jepte 5 ditë afat kryengritësve të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe t’i dorëzonin armët, ndryshe kërcënonte se do të merreshin masa të rrepta.

Mbreti Nikollë i Malit të Zi e informoi përfaqësuesin austriak në Cetinë, Giesl, se si ai ishte i gatshëm t’i kthente refugjatët shqiptarë në vend të tyre, porse nuk do të bënte asgjë në kundërshtim me të drejtën e azilit politik. Nga ana tjetër kryeministri malazias bisedoi me përfaqësuesin e Rusisë, Arsenev, i cili e këshillonte Malin e Zi që të ketë kujdes nga çdo hap i shpejtuar, sepse në rast të kundërt nuk do të mbështetej nga Rusia. Diplomati rus e quante papjekuri që përpara shpërbërjes të Turqisë të hyhej në luftë me të, aq më tepër ngase se Mali i Zi së shpejti do t’i realizonte pa luftë pretendimet e tij.

edurham

Edith Durham

Mirëpo, diplomacia vjeneze u ndodh nën presionin e opinionit publik vendas, veçanërisht të shtypit katolik, i cili u bë aleati më besnik i interesave të malësorëve kryengritës dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Gazetat “Reichspost”, “Vaterland” etj. nëpërmjet korrespodentëve të tyre, kryesisht nga Shkodra dhe Raguza, përshkruanin në detaje situatën e rëndë në rajon. Ata kërkuan publikisht mbrojtjen e institucioneve katolike, institucioneve arsimore në gjuhën shqipe, duke demaskuar si qëndrimin diskriminues antishqiptar të xhonturqve, mizoritë e tyre, ashtu edhe synimet e fshehta të shteteve  fqinje  ndaj shqiptarëve. Gazetat bënin presion në Ministrinë e Jashtme vjeneze në favor të ushtrimit të protektoratit austro-hungarez në këtë zonë të nxehtë të Shqipërisë. Duke rikujtuar punën e jashtëzakonshme civilizuese dhe nacionaliste të klerikëve katolikë shqiptarë, të shkollave dhe  kishave katolike që u bënë bazat e qytetërimit perëndimor në Shqipëri, këto gazeta tërhiqnin vërejtjen se ato baza të asaj veprimtarie shekullore po shkatërroheshin nga xhonturqit.

Më 3 maj u zhvillua njëra ndër përleshjet më të mëdha ndërmjet kryengritësve dhe forcave osmane, pas së cilës u hap rruga për në qendër të vilajetit në Shkodër. Pikërisht për këto ditë të rëndësishme Luigj Gurakuqi do të shkruante se sikur kryengritësit të kishin pasur armë të mjaftueshme do ta kishin marrë Shkodrën.

Megjithatë, diplomacia vjeneze vazhdonte taktikën e saj të “maturisë politike” në të dy krahët, duke u kujdesur që të mos krijonte ndërlikime të mëtejshme, për shkak të reperkusionit që do të mund të ushtrohej mbi pjesën katolike të popullsisë.

Franc Ferdinandi i drejtohet argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Sereqit, duke e siguruar se mbrojtja e interesave besimtarëve të kultit katolik në Shqipëri do të ishte edhe në të ardhmen objektiv i kujdesit të veçantë të diplomacisë vjeneze. Megjithatë, ai e justifikonte qëndrimin e shtetit që përfaqësonte, duke u shprehur se këshillat miqësore e konfidenciale ishin e vetmja rrugë që lejohej nga e drejta ndërkombëtare. Ferdinandi e siguronte argjipeshkvin se zyrat e përfaqësimit austriak kishin marrë shpeshherë autorizimin që në periudhën e vështirë të kryengritjes të ndërhynin për mbrojtjen e interesave të kultit katolik.

Me qëndrimin e tillë diplomatik ndaj ngjarjeve në Shqipëri, Vjena po i respektonte marrëveshjet që i kishte me Italinë, të cilat përjashtonin çfarëdo orvatjeje për përfitime territoriale, orvatje me të cilat do të vinin në kundërshtim me parimin e ruajtjes së status quos territoriale, si edhe me parimin e integritetit të Perandorisë Otomane e të shteteve ballkanike.

Këtu kuptohet se si ishte e kushtëzuar jeta e Shqipërisë nga faktorët e jashtëm që lidheshin me një baraspeshë të brishtë të rajonit të Evropës Juglindore.

Më 23 maj Aehrenthali do të rikthehet në krye të Ministrisë së Jashtme. Ky rikthim do të koincidojë me një fuqizim të veprimtarisë së jashtme të politikës vjeneze. Ai ishte më këmbëngulës se Pallaviçini në këshillat ndaj turqve të rinj, për t’i toleruar në njëfarë mase ndjenjat kombëtare shqiptare.

Për dallim nga shtypi dhe qëndrimi zyrtar, shtypi katolik vazhdon t’i përmbahet qëndrimit pararendës; kritikë e rreptë ndaj politikës osmane, por kritika të ashpra edhe ndaj  politikës të Vjenës si dhe kërkesa për të ndërhyrë në dobi të zgjidhjes së krizës. Ky qëndrim kryesisht mbështetej në simpatitë e vjetra të Austrisë ndaj shqiptarëve. Këto gazeta e kritikonin ministrin e Jashtëm, Count Aehrenthalin, se si ky nuk po e vazhdonte  politikën tradicionale të Austrisë mbi të drejtën e mbrojtjes së popullsisë krishtere në Shqipëri.

Pallaviçini, i cili udhëhiqte politikën jashtme të Vjenës gjatë mungesës së Aehrenthalit, disa herë ishte shprehur se kryengritja shqiptare nuk do të merrte përmasa të rrezikshme  dhe çdo gjë do të mbyllej shpejt, përpara fundit të muajit maj. Kur në fundin e muajit maj  Aehrenthali u kthye përsëri në krye të Ministrisë të Jashtme, kryengritja ishte në kulmin e zhvillimit të saj të plotë. Kjo binte ndesh me qëndrimin e Pallaviqinit se kryengritja nuk do të merrte përmasa të rrezikshme. Nga ana tjetër qëndrimi rus drejtuar Stambollit i jepte shpresë diplomacisë vjeneze që në ndonjë moment të caktuar çështja shqiptare të mund të ngrihej në një çështje që nuk do t’i përkiste vetëm Perandorisë Osmane dhe e cila do të mund të shndërrohej në një problem ndërkombëtar.

Është e kuptueshme se qëndrimi as mish as peshk i diplomacisë austro-hungareze do ta shkaktonte rënien e prestigjit te shqiptarët. “Katolikët romanë, – shkruan Edith Durham, – janë shumë të inatosur me mënyrën me të cilën ajo është duke e mbrojtur Kishën në Shqipëri”.

Kjo shihet edhe nga një letër, drejtuar perandorit Franc Ferdinand, ku pakënaqësia e shqiptarëve shprehej me nota të qarta nacionaliste: ”Deri kur mendon Madhëria Juaj se ne duhet të qëndrojmë nën zgjedhjen e turkut? “Prandaj kërkojmë që Madhëria Juaj të marrë parasysh zemrat tona që dëshirojmë çlirimin e Shqipërisë… ne nuk duam më të nënshtrohemi dhe duam të na jepet autonomia, ose të përkrahemi nga cilado fuqi”.

Këto qëndrime ndoshta ndikuan në veprimet diplomatike të ministrit të Jashtëm, Aehrenthal, që t’i qaset çështjes shqiptare më seriozisht.

U bë një përpjekje më serioze për një trajtim të përbashkët të çështjes nga ana e Fuqive të Mëdha. Siç mund të kuptohet, një hap i tillë kaq i vendosur u ndikua nga kërkesa e  Franc Ferdinandit bërë ministrit të Jashtëm austro-hungarez që të mos neglizhonte shqiptarët katolikë.

Ndërhyrjet e Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë, e cila i ishte drejtuar zyrtarisht Malit të Zi shkaktuan një reagim të ashpër edhe nga ana e opinionit publik osman dhe ministri Rifat Pasha foli para parlamentit për këtë çështje më 29 maj duke deklaruar se Mali i Zi i është drejtuar Rusisë vetëm ngase e ka ndier veten të kërcënuar nga trysnia e trupave osmane.

Në rrethanat e krijuara del se as Italia nuk ishte një spektatore e thjeshtë në zhvillimet në Evropën Juglindore dhe se kishte projektin e saj politiko-tregtar mbi Shqipërinë.

Megjithatë, në fillim të qershorit, diplomacia vjeneze ndërmori më në fund një aktivitet energjetik për shuarjen e konfliktit në Malësinë shqiptare. Austro-Hungaria kërkoi që Perandoria Osmane të arrinte sa më parë një marrëveshje me kryengritësit, duke u bërë atyre lëshime. Për ta bërë pozicionin e tyre plotësisht më të qartë, më 7 qershor  ministri i Jashtëm, Aehrenthali, në bisedën që zhvilloi me ambasadorin turk, përdori tone të ashpra. Të nesërmen Austro-Hungaria shfaqi publikisht dëshirën e saj që Perandoria Osmane t’i jepte fund sa më parë kësaj situate në Shqipëri, duke e ritheksuar me këtë rast të drejtën e saj për të ndërhyrë në të mirë të katolikëve shqiptarë. Ishte periudha kur diplomacia vjeneze arrin në kulmin e aktivitetit të vet. Edhe kur Vjena më 13 qershor kërkoi të ndërmerrej një veprim i përbashkët diplomatik ndaj Malit të Zi, më qëllim shmangien e përfshirjes së mundshme të tij në trazirat në Shqipërinë e Veriut,  Fuqitë e Mëdha filluan ta vlerësonin të rëndësishme një ndërhyrje të përbashkët. Megjithatë vlen të theksohet se, Vjena mbante marrëdhënie relativisht të mira edhe me Londrën për çështje të caktuara. Ato shpesh kishin shfaqur në pozicionet një frymë krejt miqësore, pa hequr dorë nga pikëpamjet përkatëse të bazuara në interesat e secilit vend.

Mbi bazën e qëndrimit të tillë Ministri austriak në Cetinë, më 16 qershor, kërkon nga  mbreti Nikolla që Mali i Zi ta ruante neutralitetin, megjithëse kishte shumë dëshmi se ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Ai u paralajmërua se do të bartte përgjegjësi në rast të përkeqësimit të situatës apo në rast se kryengritësit inkurajoheshin të bënin rezistencë të mëtejshme. Një qëndrim të tillë e mbështeti edhe ambasadori gjerman.

Nga ana e tjetër, që më 13 qershor, Këshilli i Ministrave i Perandorisë Osmane, me propozimin e Rifat Pashës, ishte shprehur në favor të pezullimit të plotë të operacioneve ushtarake në Shqipëri.

Edhe ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grey, mendonte se një mirëkuptim ndërmjet fuqive ishte esencial, veçanërisht në radhë të parë mes Rusisë dhe Austrisë, të cilave mund t’iu bashkohej edhe Italia. Në një rast të tillë mbështetja e fuqive të tjera sigurisht që do të ishte e menjëhershme në përkrahje të përpjekjeve për ruajtjen e paqes. Veprimi i tillë dukej të ishte një mirëkuptim i respektueshëm midis fuqive më të interesuara në ruajtjen e paqes në Evropën Juglindore.

Edhe qeveria ruse u deklarua në favor të një marrëveshje ndërmjet Rusisë dhe Austrisë për problemet konkrete që lindnin në Evropën Juglindore përpara se ndonjë veprim i përbashkët të mund të ndërmerrej prej fuqive të tjera.

Ndonëse që nga fillimi i shekullit XX e deri në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria është një lloj toke e lakmuar për Italinë, politika e jashtme e saj e nuk përjashton frymën nacionaliste dhe imperialiste tipike për shumë fuqi të asaj periudhe.

Italia, në rrethanat e krijuara, nuk e mbështeste as agresionin e mundshëm nga ana e Malit të Zi, por as kryengritjen shqiptare e cila në rrethana të tjera do të mund të ishte shfrytëzuar në avantazhin e saj.

Nga mesi i qershorit e deri në mesin e korrikut të vitit 1911 çështja shqiptare zhvendoset në një sferë të mirëfilltë politike, ku një rol të rëndësishëm vijon të ketë edhe Mali i Zi, cili druhet se mos trupat e Perandorisë Osmane, duke ndjekur kryengritësit, do të futeshin në territorin e tij dhe do ta detyronin të hynte domosdo në luftë.

Memorandumi i Greçës, i paraqitur nga Luigj Gurakuqi, më 23 qershor 1911, parashtronte një program të plotë të autonomisë të Shqipërisë. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës të shteteve fqinje që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje fetare.

Kryengritja e Malësisë dhe kërkesat e saj tërhoqën vëmendjen edhe të diplomacisë angleze. Njëri ndër përfaqësuesit e kryengritjes, Mark Kakarriqi, iu drejtua diplomacisë londineze në mënyrë të veçantë. Mbështetur në memorandumin me të cilin kryengritësit shqiptarë u ishin drejtuar Fuqive të Mëdha, ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grey, që më 26 qershor kërkoi të ndërhyhej kolektivisht pranë Stambollit në përkrahje të shqiptarëve, për t’i kënaqur kërkesat e tyre për gjuhën, shkollën, ndërtimin e rrugëve dhe për amnistinë e përgjithshme. Megjithatë, ky propozim nuk u mbështet nga shtetet e tjera të fuqishme. Gjermania konsideronte se Perandoria Osmane do ta cilësonte si ndërhyrje në punë të brendshme. Austro-Hungaria iu përmbajt qëndrimit të mëparshëm të mosndërhyrjes. Franca nuk u tregua e gatshme të bashkohej me nismën e Anglisë, kurse Rusia shprehu dyshimet se shqiptarët nuk do të ishin të kënaqur me lëshimet e propozuara nga Eduard Grey, kur dihej se ata kërkonin autonominë.

Në rrethanat e krijuara Austro-Hungaria filloi të mos e shikonte me sy të mirë nismën angleze në çështjen shqiptare, kurse nga ana tjetër ajo shprehej e gatshme të diskutonte çështjen shqiptare me qeverinë e Italisë, Rusisë, madje edhe me Anglinë, Francën dhe Gjermaninë.

Interesi i Rusisë në krizën shqiptare të vitit 1911 ishte i përqendruar në Mal të Zi dhe, për sa kohë nuk ekzistonte ndonjë rrezik që ky shtet të përfshihej në konflikt, ajo lëvizte me vështirësi në planin diplomatik. I një rëndësie të veçantë paraqitej pozicionimi përfundimtar i Austro-Hungarisë. Situata mund të ndërlikohej në rast se Austria, me politikën e saj, do ta shtynte Malin e Zi drejt armiqësive, pasi në një rast të tillë ajo pa dyshim që do të ndërhynte. Në rrethanat e krijuara Austro-Hungaria priste qëndrimin përfundimtar të  aleates së saj, Gjermanisë. Nga ana tjetër Vjena ndihej e fyer nga fakti që shqiptarët kishin apeluar në Londër dhe jo në Vjenë, që njihej tashmë si protektor i shqiptarëve.

Diplomacia austriake shqetësohej nga lajmet se si Anglia mund ta zëvendësonte në pozicionin e saj si protektor i shqiptarëve. Mbështetur në disa burime, më 5 korrik ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Aehrenthal, për ta kompensuar këtë rënie ndikimi, shpresoi në mbështetjen e argjipeshkvit të Shkodrës në Podgoricë, Imzot Serreqit. Gradualisht qëndrimi i një ndërhyrjeje të përbashkët të pesë Fuqive të Mëdha filloi të bashkëshoqërohet në praktikë, nga vetë rakordimet diplomatike, me formulën e “një përpjekjeje të përbashkët për zgjidhjen e krizës nga tri fuqitë më të interesuara në rajon Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia”.

Me gjithë tërë këto zhvillime, ministri i Jashtëm vjenez, Aehrenthal, vazhdonte të ishte i shkëputur nga realiteti i shkaqeve reale të kryengritjes malësore dhe i përmbahej idesë se malësorët shqiptarë ishin nën ndikimin e mbretit Nikolla. Mbi këtë bazë ai propozonte se hapi i parë që duhej të bëhej ishte që fiset shqiptare të shkëputeshin nga një ndikim i tillë. Ai e kishte aprovuar propozimin e Greyt që Austria, Rusia dhe Italia të vepronin ngushtësisht së bashku për një zgjidhje të çështjes shqiptare.

Ndërkohë, për ta detyruar Stambollin ta pranonte memorandumin e Greçës si një program që shprehte aspiratat mbarëkombëtare dhe jo vetëm të një krahine, atdhetarët shqiptarë u përpoqën që ta organizonin qëndresën e armatosur edhe në Shqipëri të Jugut.

Nota e 22 korrikut e qeverisë vjeneze theksonte se Perandoria Osmane nevojitej ta qetësonte Shqipërinë me forcat e veta, pa ndihmën apo mbrojtjen e huaj dhe se propozimi i fundit i mbretit Nikolla nuk do të gjente kështu fa/vore nga ana e saj. Nota, gjithashtu, bënte thirrje për ruajtjen e status quos, të drejtën e sovranitetit të Perandorisë Osmane.

Negociatorët kishin tri ditë në dispozicion për ta gjetur një zgjidhje, pasi më 1 gusht skadonte afati i amnistisë për kthimin e refugjatëve. Austro-Hungaria dhe Rusia e diskutuan veçanërisht mënyrën e formulimit të prezantimit ndaj Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Bisedimet në vijim u vendos që t’i zhvillonin ambasadorët përkatës në Stamboll. Në bisedimet e zhvilluara në Stamboll, në fillim të muajit gusht, midis ambasadorëve rusë dhe austriakë, nuk u paraqit ambasadori italian. Qëllimin e këtyre bisedimeve e qartësoi për çudi mirëkuptimi i drejtpërdrejtë i arritur ndërmjet turqve dhe malësorëve. Një informacion i marrë nga burime të besueshme në Shën Petërsburg, prej korrespodentit të gazetës “The Times” bënte të njohur se Turqia ua kishte pranuar malësorëve  afërsisht çdo gjë që ata kishin kërkuar nëpërmjet memorandumit të prijësve të tyre. Nga ana tjetër, Perandoria Osmane dhe Mali i Zi ishin pajtuar t’i njoftonin diferencat e tyre nëpërmjet shkëmbimit të notave. Në këtë mënyrë do të “mbyllej” përkohësisht trajtimi i çështjes shqiptare nga diplomacia europiane.

Nga viti 1909 deri në vitin 1918 Austro-Hungaria gradualisht filloi të ndërhynte dhe kishte si qëllim krijimin e një Shqipërie autonome, e cila do të ishte e varur nga ajo në pikëpamje ekonomike, kulturore dhe politike. Shqipëria autonome, nën influencë të Austro-Hungarisë, duhej të ishte aleati i saj kundër pansllavizmit dhe garancia për lundrimin e lirë nëpër ngushticën e Otrantos. Si legalizim i kësaj politike të diplomacisë vjeneze vepronte kultusprektorati mbi katolikët shqiptarë.

Nga përshkrimi i rrethanave më lart mund të konstatohet se qëllimi i politikës austro-hungareze, ndonëse kishte interesa të veta në këtë periudhë kohore, nuk ishte pushtimi i territoreve shqiptare, por pengimi i Serbisë për të siguruar dalje në det nëpërmjet Bosnjë-Hercegovinës, me çka do të pengohej shtrirja e sferës të ndikimit rus në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Gjykuar nga këto rrethana, diplomacia austro-hungareze ishte e interesuar për një autonomi shqiptare nën ombrellën e Stambollit. Ky qëndrim i kësaj diplomacie ndërlidhej me faktin se krijimi i një shteti shqiptar shumë të brishtë do të ishte pre e synimeve shoviniste të shteteve sllave e në radhë të parë i  synimeve të Serbisë të cilat i udhëhiqte Rusia.

Pa dyshim se një qëndrim i tillë i diplomacisë vjeneze konsistonte me faktin se duhej ta shmangte sa ishte e mundur ndikimin e diplomacisë së Romës te shqiptarët. Por ishte e pashmangshëm se rivaliteti ndërmjet Vjenës dhe Romës të mos shtohej, pasi secila përpiqej të shtonte ndikimin e vet te shqiptarët.

Në vazhdën e kësaj politike kontributi i Austro-Hungarisë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ishte i veçantë e gjithashtu të veçanta ishin edhe përpjekjet diplomatike për mbrojtjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Filed Under: Histori

TAHIR KOLGJINI (1903-1988), INTELEKTUAL I KOHËS SË VET *

April 23, 2025 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Deri më 1990 në historiografinë zyrtare në Shqipërinë moniste s’kishin vend figura të shquara të kohës si: Mehdi Frashëri (1872-1963), Mustafa Kruja (1887 – 1958), Ernest Koliqi(1901 – 1975), Tahir Kolgjini(1903 – 1988) e të tjerë. Edhe nëse përmenden, citohen si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit.

Me gjithë kthesën që u bë me demokratizimin në Shqipëri e më vonë në Kosovë, që na solli një historiografi më ndryshe, është dashur të presim shumë kohë që të njohim më ndryshe figurat e kohës si: Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Tahir Kolgjini e të tjerë, me botimin e veprave të tyre. Për shembull: M. Frashëri në fund të viteve ‘90, M. Kruja më 2014, T. Kolgjini më 2022). E kështu, tani me kompletin e T. Kolgjinit mund të njohim mirë formimin dhe aktivitetin e tij si intelektual.
Në bazë të këtij kompleti me shtatë vëllime (plus një vëllim me raportet e organeve të sigurimit për të) mund të themi se Tahir Kolgjini ishte intelektual i kohës së vet pasi ai si poet, gjuhëtar e historian, dëshmohet në nivel të kohës duke sjellë risi në çdo fushë. Për ta vlerësuar një intelektual nuk mjafton vetëm t’i lexojmë veprat e tij, por edhe korrespondencën e tij me figurat e kohës si dhe raportet e organeve të sigurimit të regjimit komunist. Për mua, mbi të gjitha është korrespondenca e tij me figurat e kohës (M. Kruja, E. Bej Vlora, Xh.Deva, Lec Shllaku e të tjerë), e cila është pjesë intime dhe e pasur e intelektualit në raport me figurat e kohës. 

Vërtetë, vëllimi i 7-të, që përfshin nja 530 faqe, ka një vlerë të veçantë, sepse na sjell shumë risi pasi atje kishte hapësirë të shprehej më ndryshe, më lirë e më me guxim ndaj temave, ngjarjeve e figurave të kohës. Gati dy të tretat e këtij vëllimi përfshijnë korrespondencën e tij me politikanin dhe intelektualin e kohës Mustafa Kruja (1887-1958), i cili veç me botimin e veprave të tij (Tiranë, 2014) u pa se çfarë intelektuali ishte. Në këtë korrespondencë shihej niveli i tyre, ngase secili fliste disa gjuhë dhe merrej me disa disiplina shkencore, duke diskutuar tema të ndryshme. Gati një e treta e këtij vëllimi përmban korrespondencën e tyre në gjuhën osmane, që del tani për herë të parë në gjuhën shqipe me përshtatje profesionale. Në këtë vëllim shihet interesimi i vazhdueshëm i Tahir Kolgjinit për Kosovën e për gjendjen e shqiptarëve pas vitit 1945.

Sa për formimin intelektual të T. Kolgjinit (i lindur më 1903 në Lusën e Lumës) vlen të përmendet se ai (pasi e kreu shkollën fillore në vendlindje) kaloi me familje më 1913 në Stamboll, ku mbeti për ta vazhduar shkollimin dhe për të kaluar në Medresenë e Lartë (Dar al-Hilafa al-Alija) gjatë 1915-1924. Kjo medrese dallohej me program të pasur gjuhësor (turqisht, arabisht e persisht), disiplina të ndryshme fetare, historike e juridike. Kështu me diplomë të kësaj medreseje u punësua gjatë viteve 1924-1928 dhe kaloi më vonë në shërbimin civil të shtetit në gjykata të ndryshme.

Vitet ‘30 ishin për politikë pasi më 1933 mori pjesë në zgjedhjet për një vend në parlament, por u pengua nga pushteti. Si pasojë, ai mori pjesë në formimin e një partie opozitare në një vend që nuk e njeh pluralizmin politik, ndaj u arrestua dhe u internua. Me formimin e “Shqipërisë etnike” më 1941, Kolgjini paraqitet fuqimisht prefekt i Prizrenit dhe bashkëthemelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit më 1943, kurse më 1944 bëhet prefekt i Shkodrës, ku mbeti atje deri në nëntor të vitit 1944, kur u largua me kapedanin e Mirditës, Gjon Mark Gjoni, për në Vjenë e më pas në Itali si refugjat politik deri më 1948.

Nga Italia kaloi në Turqi më 1948 e mbeti atje deri në vdekje më 1988. Ndonëse atëherë kushtet ishin shumë të vështira për jetë e për punë në Turqi, T. Kolgjini u angazhua maksimalisht në 40 vjet të fundit (1948-1988) për kauzën kombëtare me aktivitete të ndryshme dhe angazhimin e tij të madh me revistën “Shejzat” që e nxirrte në Romë Ernest Koliqi, si dhe me botimin e veprave kryesore në poezi, gjuhësi dhe histori.

Në bazë të këtij kompleti me shtatë vëllime (plus një vëllim me raportet e organeve të sigurimit për të) mund të themi se Tahir Kolgjini ishte intelektual i kohës së vet pasi ai si poet, gjuhëtar e historian, dëshmohet në nivel të kohës duke sjellë risi në çdo fushë
 

Në jetën e tij si intelektual mund t’i veçojmë disa segmente kryesore.

Në vitet ‘20 të shekullit XX ai u kthye në Shqipëri më një kulturë të gjerë fetare-juridike pasi u formua komuniteti mysliman shqiptar në Tiranë më 1923, duke kontribuuar me atë kulturë në konceptim kombëtar të fesë në shtetin laik. Në këtë drejtim, do të veçohet me kontributin e organizimit të Kongresit Mysliman Shqiptar në Prizren më 1941 në bashkëpunim me Hafiz Ali Telakun, pasi që shqiptarët u bënë bashkë në një shtet. Në lidhje me këtë kongres ai shpreh Mustafa Krujës në një letër, motivin dhe konceptin e dëshiruar për shtetin kombëtar, duke shprehur besimin në laicizmin që e shpreh kështu: “As qeveria të mos lidhet mbas fesë dhe as feja mbas qeverisë”. Kjo kishte rëndësi për klerikët myslimanë në Kosovë, të cilët ishin të mbyllur prej zhvillimeve në Shqipëri gjatë viteve 1920 – 1941.

Në vitet ‘40 u zhvilluan në mërgim (Itali, Egjipt, Turqi etj.) shumë aktivitete për krijimin e partive të reja si dhe për një komitet të përbashkët që përfaqëson partitë politike shqiptare. Në këtë kontekst, përveç Ballit Kombëtar dhe Legalitetit u paraqitën dy forca të reja me 1946: Blloku Kombëtar Independent në krye me Shefqet Vërlacin dhe Grupi Kosovar në krye me Xhafer Devën. Në saje të lidhjes me Kosovën, T. Kolgjini ishte pjesë e procesit të formimit të partisë Blloku Kombëtar Independet dhe u emërua përfaqësues i kësaj partie në kampin e refugjatëve në Itali (1946 – 1948), pasi kjo parti dallohej me Ballin Kombëtar, i cili u përqendrua më shumë në Shqipërinë e 1913-s.
Në vitet ’50, T. Kolgjini ndërmori një iniciativë më 1952 për themelimin e Shoqatës për Miqësi Shqiptare-Turke, kurse filloi më 1955 me botimin e shumë shkrimeve në turqisht për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri. Në atë kohë, siç dëshmon korrespodenca e tij e pasur me figurat e kohës, se ai e përcillte aq mirë gjendjen në Kosovë para e pas 1955. Shkrimet e tij në turqishte kishin vlerën e vet për prezantimin e gjendjes së shqiptarëve në një kohë delikate. Nga ana tjetër, më 1957, T. Kolgjini – kur nisi të paraqitet vazhdimisht në revistën “Shejzat” që e botonte në Romë E. Koliqi – sillte tema origjinale në gjuhësi e histori.

Vitet ‘60 shënuan një ngritje në aktivitetin intelektual të T. Kolgjinit duke botuar libra me vlerë në gjuhën shqipe në Turqi, në gjuhësi e në histori. Në lidhje me gjuhësinë vlen të përmendet libri i tij “Shpalime rreth Lahutës” më 1969. Vërtetë, ajo që befason në kompletin e tij, është vëllimi i 7-të që përmban korrespondencën e tij me M. Krujën, ku diskutonin çështje gjuhësore që tregojnë njohjen e thellë dhe disa herë mospajtime rreth disa çështjeve. Në bazë të kësaj kulture të thellë gjuhësore ai shprehu rezervat e tij me rastin e Kongresit të Tiranës më 1972 për njësimin e gjuhës shqipe, për çka ai botoi më 1974 në revistën “Shejzat” punimin: “Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unisuar, dy dialektet kryesore dhe pikëpamja jonë”. Në këtë studim ai u shpreh kundër ngutjes në këtë proces me sakrifikimin e gegnishtes së pasur. Me fjalë të tjera, T. Kolgjini ishte i mendimit që shkrimtarët kosovarë të vazhdojnë të krijojnë poezi e prozë në gegnishte derisa të piqen kushtet e të harmonizohen dy dialektet.

Në vitet ‘70 do të shquhet si historian me botimin e librit “Esad pashë Toptani dhe akuzat q’i bahen” botuar më 1977. Ai kishte botuar më parë më 1968 librin e parë për rajonin që e njihte më se miri, “Një pjesë nga historia kombëtare: Luma dhe historia e saj” , kurse me këtë libër për Esat pashë Toptanin ai shtron një imazh tjetër fare në krahasim me historiografinë zyrtare në Shqipërinë moniste. Me fjalë të tjera, ky libër paraqiste një provokim të atij versioni të imponuar për figurat shqiptare, kurse më vonë (pas vitit 1990 e gjerë më tani) u paraqitën pikëpamje të ndryshme rreth kësaj figure, gjë që e hapi rrugën për ribotimin e këtij libri në Tiranë më 2003.

Në Kosovë, T. Kolgjini u njoh më ndryshe pas vitit 1945, pra gjatë regjimit komunist, ku imponohej vetëm një version edhe në enciklopedi e jo vetëm në kujtime e monografi. Për Kosovë ka mbetur për një kohë të gjatë figura e T. Kolgjinit siç u prezantua në ditarin e Fadil Hoxhës “Kur pranvera vonohet”, ku ai tregon më datën 13.4.1943 për dy mësues shqiptarë simpatizues për LNÇ-në që “treguan se si prefekti, Tahir Kolgjini, me atë demagogjinë e vet djallëzore, me dua e sure dhe me Kuran në dorë, i ka shtie burrat e Kosovës që të betohen se do të luftojnë kundër partizanëve”, ndaj ai e ka ngarkuar një mësues prej tyre me dy partizanë që ta vrasin T. Kolgjinin (fq.122-123). Por tani, me rastin e promovimit të kompletit të veprave të Tahir Kolgjinit me 12.04.2025, del Sanije Kolgjini, vajza e madhe e Tahirit, me një dëshmi të prekshme për vuajtjet e tyre duke treguar se si Fadil Hoxha e Xhavit Nimani erdhën te shtëpia e tyre në Prizren në nëntor 1944, duke e nxjerrë familjen prej shtëpisë e duke i marrë plaçkat e shtëpisë në një kamion, kurse ajo me familje u dërgua në Shqipëri ku hoqën të zinjtë e ullirit deri më 1990.

*Fragmente të lexuara në diskutimin për kompletin e veprave të Tahir Kolgjinit, të mbajtur më 12 prill në Qendrën Islame Shqiptare-Amerikane në qytetin Garfield të shtetit New Jersey, SHBA. 
 

Filed Under: Histori

THE DAILY NEWS (1931) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME KARL SOEHNEL, POLICIN AUSTRIAK QË I SHPËTOI JETËN MBRETIT ZOG GJATË ATENTATIT TË VJENËS

April 21, 2025 by s p


Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2
Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Prill 2025

“The Daily News, Autrali” ka botuar, të shtunën e 14 nëntorit 1931, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me Karl Soehnel, policin austriak që i shpëtoi jetën Mbretit Zog gjatë atentatit të Vjenës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Polici kalorës shpëtoi jetën e sovranit

Mirënjohja e Mbretit Zog

Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2
Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2

Vetëm Vjena mund të mburret se ka një oficer policie që është kalorës, transmeton Daily Mail.

Ai është inspektori i dalluar “Sir” Karl Soehnel dhe u dekorua Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut të Shqipërisë nga Mbreti Zog, të cilit i shpëtoi jetën kur u bë një atentat ndaj Mbretit jashtë Teatrit të Operas më 20 shkurt.

Ndërsa Mbreti u largua nga Shtëpia e Operës nga një derë anësore, të shtëna u qëlluan drejt tij dhe ndihmësi i tij u vra. Inspektori Soehnel, siç më tha, ishte në kohën e duhur për të hedhur krahët e tij rreth një ish-oficeri të Ushtrisë Austro-Hungareze të quajtur Ndok Gjeloshi, kur ai po vinte në shënjestër me revole.

Gjaku i policit 

Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2
Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2

“Kam gjak policie në damarët e mi,” më tha inspektori i qarkut “Sir” Karl Soehnel ndërsa hoqi pelerinën e rëndë të uniformës në kthimin e tij nga një vizitë në stacionin e vogël të policisë pranë Teatrit të Operës së Vjenës, më i ngarkuari dhe më i rëndësishmi në qytet pas selisë së policisë.

“Babai im ishte polic, por ai nuk e kishte ndërmend të bëhesha polic. E fillova jetën në një restorant të Vjenës dhe isha kamerier hoteli në Riva, në liqenin Garda, në Tirolin austriak, përpara se të më thërrisnin për shërbimin ushtarak, në fund të të cilit u futa në policinë e Vjenës.”

Arritjet e dikurshme 

Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2
Burimi : The Daily News, e shtunë, 14 nëntor 1931, faqe n°2

Inspektori Soehnel është njeriu më popullor në policinë e Vjenës. Ai kontrollon rrethin që përfshin hotelet kryesore dhe gjithashtu qendrën më të gjallë të trafikut, në Ringstrass përpara Operas, dhe është një figurë e njohur për shumicën e vizitorëve të huaj që qëndrojnë në hotelet Ring.

Ai ka arrestuar më shumë kriminelë se çdo oficer tjetër policie në Vjenë. Ai ishte i pranishëm në Teatrin Burg natën e katër viteve më parë kur Menela Carniciu qëlloi për vdekje liderin maqedonas Paniza në një lozhë, në prani të gruas së Panizës, të cilën ai e transportoi në shkallët kryesore pasi asaj i ra të fikët.

Ai flet shtatë gjuhë, por nuk e numëron anglishten në mesin e tyre, megjithëse di shumë mirë anglisht dhe është dëshira e tij më e dashur të shkojë në Angli. Ai po bën që fëmijët e tij të mësojnë anglisht si gjuhën e tyre kryesore të huaj.

Inspektori Soehnel mban në gjoks, me urdhrin e vendosur nga Mbreti Zog, medaljen e shërbimit të gjatë në policinë austriake. Në murin e dhomës së ndenjes së shtëpisë së tij periferike është varur dokumenti në kornizë, i nënshkruar nga Mbreti Zog, që e emëron Kalorës të Urdhrit të Skënderbeut.

Filed Under: Histori

THE PARIS TELEGRAM (1927) / LETRA E QAZIM QEMAL BEJ VLORËS, DJALIT TË ISMAIL BEJ QEMALIT, PËR TË DENONCUAR TRAKTATIN ITALO-SHQIPTAR TË TIRANËS TË 27 NËNTORIT 1926

April 19, 2025 by s p


Qazim dhe Ismail Bej Qemali
Qazim dhe Ismail Bej Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Prill 2025

“The Paris Telegram” ka botuar, të shtunën e 26 marsit 1927, në ballinë, letrën e Qazim Qemal Bej Vlorës, djalit të Ismail Bej Qemalit, për të denoncuar asokohe traktatin italo-shqiptar të Tiranës të 27 nëntorit 1926, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria, në kthetrat e maces

Nga Qazim Qemal Bej Vlora

Djali i patriotit të madh shqiptar Ismail Qemal Beu

Speciale për Telegramin e Parisit

Burimi : Paris Telegram, e shtunë, 26 mars 1927, ballinë
Burimi : Paris Telegram, e shtunë, 26 mars 1927, ballinë

Shqipërisë, një vend i vogël me një histori të lashtë, dy herë në vitet e fundit i është garantuar pavarësia nga Fuqitë Evropiane. Pasi babai im në Vlorë shpalli pavarësinë e vendit nga zgjedha osmane dhe ngriti flamurin e patriotit Skënderbe, Konferenca e Londrës e pranoi këtë dhe përcaktoi Kushtetutën e Shqipërisë. Pasoi (pas episodit të vajtueshëm të mbretërimit të Princ Vilhelm Vidit) Lufta e Madhe, gjatë së cilës vendi u kontestua dhe u mbrojt nga Austria dhe Italia. Në vitin 1921, fuqitë e njohën sërish pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferenca e Ambasadorëve caktoi kufijtë e saj. Shqipëria u pranua më tej si një anëtare e pavarur e Lidhjes së Kombeve.

Pasi e bënë këtë, Fuqitë dhe Ambasadorët lanë duart nga Shqipëria dhe jo vetëm që nuk bënë asgjë për ta ndihmuar vendin e ri për të ruajtur liritë e saj, por e lanë atë pre e lakmisë dhe xhelozive të fqinjëve të saj më të mëdhenj. Për vendet e tjera të vogla të lindura pas luftës, ndihma dhe këshillat e Fuqive nuk ishin gjë tjetër veçse intriga politike, xhelozi dhe komplote!

Kur babai im i ndjerë ishte President i Qeverisë së Përkohshme (1912-1913), si ai dhe mbështetësit e tij po bënin çmos për ta bërë Shqipërinë një komb të lirë dhe që respektonte veten, xhelozitë dhe intrigat që e rrethonin ishin të tilla sa ai nuk guxonte të porosiste mobilje zyre për zyrat qeveritare nga Austria pa ngjallur zemërimin e italianëve – dhe anasjelltas!

Nga e keqja në më keq

Që nga zgjidhja e statusit të Shqipërisë, që nga lufta, çështjet kanë shkuar keq e më keq, Shqipërisë nuk i është lënë kurrë një shans për të treguar se çfarë mund të bëjë.

Ardhja në pushtet e aventurierit Ahmet Zogu, si Kryetar i Këshillit, me mjete që s’janë aspak një turp për Evropën, është shënuar me intriga, abuzime, terrorizëm dhe vrasje ! Vetë shtypi francez dhe ai anglez kanë vënë në dukje se Ahmet Zogut i kanë mbetur vetëm një grusht burrash besnikë dhe se ai i mban ata vetëm me anë të ryshfeteve — nga vijnë, nuk e dimë, por mund ta hamendësojmë ! Fakti është se e gjithë elita e vendit të vogël, ministra, gjykatës, bejlerë, kryepeshkop, oficerë të lartë e të tjerë, afro njëqind, janë të ekziluar. Vetëm ky fakt mjafton për të dënuar sundimin e djallëzuar dhe uzurpimin e Ahmet Zogut. Ndonëse disa nga këta të mërguar vullnetarë janë ftuar të kthehen në vendin e tyre, ata nuk do ta bëjnë këtë për sa kohë që Ahmet Zogu është në krye të vendit.

Nuk kam asnjë hezitim të them se Ahmet Zogu ia ka shitur vendin Italisë. Pavarësia e saj, e garantuar solemnisht nga Fuqitë, është sot një farsë; populli i saj nuk ka zë dhe asnjë mjet reagimi. Pasi, me gjithë caktimin e kufijve nga përfaqësuesit e Fuqive, një pjesë të madhe të territorit ia kishte dorëzuar Jugosllavisë, ky diktator u dha italianëve monopolin e Bankës Kombëtare, e cila u dha atyre supremacinë ekonomike në vend. Kjo u pasua nga Konventa monstruoze e Tiranës, e cila praktikisht ia dorëzoi Shqipërinë, të lidhur duar e këmbë, Italisë.

Këshilli i Ambasadorëve dhe Lidhja e Kombeve kanë qëndruar me qetësi dhe kanë parë këtë paudhësi që i është ofruar një populli të ashtuquajtur të lirë.

Si patriot shqiptar i shkrova gazetës “Le Matin” nga qyteti i Nisës, për të demonstruar në emër të bashkatdhetarëve të mi të pambrojtur, por letrës sime nuk iu kushtua vëmendje.

Çfarë po bën Gjeneva ?

Shqipëria, duke qenë anëtare e Lidhjes së Kombeve, e cila ka njohur pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë, është e pamundur t’i njihet e drejta çdo shteti për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit, madje as për të garantuar kufijtë e tij. Vetëm Gjeneva është e kualifikuar për diçka të tillë, ose për të zgjidhur vështirësitë e jashtme. Asnjë shqiptar i vërtetë nuk mund të pranojë masat e Presidentit aktual, i cili nuk gëzon besimin e popullit, as ratifikimin e tyre nga Kuvendi apo Senati i Shqipërisë (instrumente të akteve të tij tiranike dhe të ambicieve të tij, të zgjedhur jo nga shumica e popullit, por nga një pakicë e vogël në pagën e Ahmet Zogut).

Ky Traktat i Tiranës, që ia dorëzon Shqipërinë Italisë, është aq më i rrezikshëm për këtë të fundit, sepse synimi i qeverisë italiane për të aneksuar thjesht dhe puro Shqipërinë është i njohur që nga ardhja në pushtet e zotit Sonnino, i cili bëri që Aleatët të pranonin traktatin e 1905-ës. Kjo politikë vetëm sa është forcuar që nga ardhja në pushtet e fashistëve dhe i shqetëson më shumë shqiptarët, sepse Traktati i Tiranës i 27 nëntorit 1926 i dha të drejtën e ndërhyrjes së armatosur diktatorit Musolini – fakt që ky i fundit e theksoi shumë kohët e fundit kur deklaroi se nëse Italia nuk do të zgjerohej, ajo do të “shpërtheje” !

Këto fakte më duken mjaft domethënëse dhe duhet të bëjnë të reflektojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe ata që janë të shqetësuar për paqen e botës !

Nëse Shqipëria do të ishte lënë e qetë, nëse ajo do të ishte e lirë sot të zgjidhte liderët që donte, do të rezultonte një vend paqësor, i begatë dhe i mirëqeverisur. Por ashtu siç është, edhe pse telashet e tanishme mund të kalojnë për pak kohë, unë dridhem më shumë se kurrë për fatin e vendit tim dhe bashkë me të edhe për të ardhmen e Ballkanit. Një gjë është e sigurt : se vendi që për më shumë se katër shekuj mbështeti zgjedhën e osmanëve, duke pritur gjithmonë me padurim ditën e çlirimit dhe që e hodhi përfundimisht atë zgjedhë, nuk do të tolerojë kurrë, kur ta kuptojë situatën, dominimin e ndonjë vendi tjetër !

Qazim Qemal Vlora

Filed Under: Histori

VENDI I KRIMIT ENDE PA SIMBOLIN E KUJTESËS

April 17, 2025 by s p

80-vjetori i Masakrës së Tivarit(1945-2025)

Në vendet më traditë demokratike me rastin e datave jubilare qeveritë përkatëse formojnë komisione të veçanta për shënimin e ngjarjeve historike. Pikërisht diçka e tillë është pritur të ndodhë me rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1 prill 1945), por mungoi angazhimi konkret si nga Kosova dhe Shqipëria, sepse ka qenë e udhës që qeveritë jo veç e veç por së bashku të shënojnë këtë jubile, por siç duket në mungesë të koordinimit dhe të agjendave tjera qeveritare, ky jubile mbeti në heshtje, që nuk mund të arsyetohet, sepse ngjarjet e tilla janë obligim i institucionëve shtetërore.

Nail Draga

Për Masakrën e Tivarit, pas vitit 1990 janë botuar studime dhe botime të veçanta nga autor të ndryshëm shqiptarë duke i ofruar opinionit të gjerë të dhëna për të parën herë për një ngjarje tragjike e cila ishte ideuar e realizuar sipas skenarit të ushtrisë jugosllave. Por pa përgjegjësi nuk është as pushteti në Shqipëri, sepse kolonat e kosovarëve në rrugëtimin e tyre për në Tivar, kanë kaluar nëpër territorin e Shqipërisë, të përcjellur me roje të ushtrisë jugosllave. Dhe pikërisht me 1 prill 1945, ata u masakruan në Tivar te Monopoli i duhanit, ku janë vrarë qindra shqiptarë të Kosovës. Të dhënat numërike janë të ndryshme varësisht prej burimeve, që janë nga disa qindra(454 indvidë) e deri mbi njëmijë. Por, deri sa nuk do të hapën dosjet e arkivave ushtarake e të UDB-ës jugosllave nuk do të kemi të dhëna definitive për numrin e të masakruarve shqiptarë në Tivar. Por, është e pakontestueshme se ata u likuiduan, vetëm se ishin shqiptarë, me qellim të spastrimit etnik te Kosovës, që ishte strategjia e politikës jugosllave të kohës.

Tryezë shkencore në Prishtinë

Më rastin e 80-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1945-2025), është pritur që si në Kosovë e Shqipëri ky përvjetor të shënohet me ndonjë veprimtari të veçantë, apo të përbashkët të dy qeverive, por si në të kaluarën edhe ky përvjetor kaloj në heshtje, që nuk mund të arsyetohet më asgjë.
Por, ate që nuk e bënë qeveritë si në Kosovë e Shqipëri për të parën herë në organizim të Institutit Albanologjik në Prishtinë me 3 prill është mbajtur Tryeza Shkencore ”Masakrat ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi 1944-1945(me rastin e 80-vjetorittë Maskrës së Tivarit të vitit 1945)”.
Ishte ky organizimi i parë kushtuar kësaj ngjarje historike në pluralizëm, ku referuesit nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Shqipëria me kumtesat e tyre ofruan të dhëna me interes për masakrat kundër shqiptarëve në përgjithësi e ajo e Tivarit në veçanti.

Konferenca e parë në Ulqin

Cekim me këtë rast se nga data 30-31 mars 2013, në Ulqin në organizim të KKSH, është mbajtur konferenca shkencore “Masakra e Tivarit 1945”, ku me kumtesa kanë marrë pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali Zi (të cilat ende nuk janë botuar) ku për të parën herë është trajtuar çështja e kësaj ngjarje tragjike e shqiptarëve nga Kosova. Ishte ky një takim i veçantë, sepse pjesëmarrësit me 31 mars kanë shkuar në vendin e krimit në Tivar, ku për të parën herë në nderim të viktimave është vendosur kurora me lule.Po ashtu lule janë vendosur edhe më pas në vitin 2015 dhe 2025, por ende mungon pllaka apo monumenti përkujtimor i shkruar në tri gjuhë, si referim për të gjithë ata që duan ta vizitojnë vendin e krimit.

Presidentin nuk ka kush ta këshillojë

Pasi nga data 9-11 shkurt në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ishte presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bajram Begaj, në takimin e zhvilluar me homologun malazias Jakov Milatoviq, sipas mediave janë diskutuar çështje me rëndësi të bashkëpunimit të dy vendëve. Por, në këtë takim me 10 shkurt në Podgoricë presidenti J.Milatoviq, njoftoj se i është kërkuar presidentit Begaj, që në vendin ku kanë humbur jetën në det në afërsi të Shën Gjinit një numër i konsideruar malazezësh më 6 janar të vitit 1916, në nderim të tyre të vendoset një pllakë përkujtimore, e cila nga presidenti Begaj është pranuar më kënaqësi.

Një qendrim i tillë nga presidenti Begaj, është për respekt, por ai është dashur që në këtë takim të inicojë, në mënyrë analoge që në nderim të vrarëve në Masakrën e Tivarit(1 prill 1945), aty të vendoset një pllakë përkujtimore. Por, reagimi i munguar lënë për të kuptuar, së ai nuk ka qenë i informuar personalisht apo nga këshilltarët e tij, duke hapur dilema tjera, që kanë të bëjnë me këtë tragjedi të shqiptarëve nga Kosova në fund të Luftës së Dytë Botërore. Por, shpresoj së një lëshim i tillë, ka mundësi të përmirësohet, sepse deri në vitin tjetër ekziston mundësia të evitohet ky lëshim, sepse të vendi i krimit të monopoli i duhanit në Tivar, duhet të vendoset më së pakut pllaka përkujtimore, si dëshmi e simbolit të kujtesës për këtë ngjarje tragjike.

Përfundim

Përkujtimi i ngjarjeve historike si në nivel lokal e ate kombëtar, përkatësisht shtetëror, paraqet moment reflektimi për qytetarët e mjedisit përkatës ku kontributin e tyre e japin individët, shoqëria civile e sidomos institucionet përkatëse lokale apo ato shtetërore. Por, në këtë aspekt përjashtim bëjnë vendet e pakonsoliduara të cilat nuk janë të përkushtuara ndaj ngjarjeve të tilla ku si rast tipik kemi Masakrën e Tivarit(1 prill 1945), e cila edhe tash në pluralizëm është margjinalizuar nga institucionet qeveritare te Shqipërisë dhe te Kosovës veprim që nuk mund të arsyetohet më asgjë sepse shënimi apo përkujtimi i ngjarjeve të tilla historike është obligim moral, kombëtar, qytetar e institucional si kudo në vendet demokratike.
(Prill 2025)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT