Histori rrëqethëse: Bardha Gjon Markagjoni prej moshës 20 vjeçare burg
Kryengritja e Malësisë së Madhe në shtypin Amerikan
Nga Rafael Floqi-Michigan/
Lufta e popullit Shqiptar të Malësisë së Madhe, por dhe vuajtjet e tij kanë qenë objekt i pasqyrimit të shtypit amerikan, kur përveç gazetave të mëdha si “New York Times”, Boston Globe, paraqitja e gjendjes në Evropë dhe në Shqipëri në Vitet 1911-12 në shtypin Amerikan, kryesisht bëhej në rubrikat e ngjarjeve në botë dhe më shumë janë korrespondenca dhe kabllograme të marra nga shtypi britanik dhe evropian.
Kjo gjë rezulton dhe nga një humlumtim i im, në Librarinë e Kongresit ku gjeta mjaft artikuj edhe në gazeta lokale, pikërisht për ngjarje dhe aspekte të veçanta të kryengritjes të Malësisë së madhe për qendrimit e malësorëve tanë trima, ku veç pasqyrimit të qendrimit heroik të tyre pasqyrohen dhe intrigat e fuqive perëndimore si dhe të Knjaz Nikollës të Malit të Zi. Është interesantë se në artikujt për këtë ngjarje gjejmë jo vetëm në gazetat në anglisht, por edhe në gazeta ne gjuhët e komuniteteve si në italisht dhe gjermanisht.
Po sjellim më poshtë disa tituj dhe organin përkatës “General, on Turco -Mootenegrin Border. HOSPITALS ARE OVERFLOWING “The San Francisco Call. (San Francisco), August 06, 1911, “New Ulm review”. (New Ulm, Brown County, Minn.), October 16, 1912, TURKEY THREATENED BY TROOPS OF MONTENEGRO, Nicholas Prepares to Avenge Atrocities in Albania, “Bismarck daily tribune”. (Bismarck, [N.D.]) October 29, 1912, Turkish Supplies Cut Off, L’insurrezione in Albania, Malafede Turca
La Sentinella del West Virginia., June 03, 1911, etj.
I tillë është dhe artikulli në fjalë i përkthyer nga “ Evening star”. (Washington, D.C.)
i datës, 06 Gusht, 1911 marrë me kabllogram special nga “The Star”.
Pas shëprthimit të Kryengritjes së Malsësisë së madhe në mars, më 17 prill zbarkoi në Shëngjin gjenerali turk Shefqet Turgut pasha me tetë batalione, 5 000 ushtarë, dy bateri malore, një divizion mitralier, 800 kuaj, 10 000 pushkë dhe materiale të shumta luftarake. Në të njëjtën kohë 20 000 ushtarë të tjerë po mobilizoheshin në Anadoll, përveç batalioneve të rezervistëve që do të rekrutoheshin në Rumeli, në Turqinë Evropiane. Ushtritë osmane me rrugë detare erdhën e zbarkuan në Shkodër më 18 prill. Mbërritja e forcave të reja osmane nuk i ndali sulmet e kryengritësve, të Dedë Gjo Lulit në radhët e të cilëve luftonin edhe atdhetarë të tillë, si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi e të tjerë. Më 22 prill dështoi kundërsulmi që forcat xhonturke ndërmorën nga ana e Shipshanikut dhe e Deçiqit.
Në proklamatën e publikuar më 1 maj 1911, të shkruar në shqip, frëngjisht, gjermanisht e italisht, kryengritësit parashtruan edhe njëherë programin e tyre autonomist. Pasi flitej për vendosjen pas Revolucionit të regjimit xhonturk, të cilin e përkrahën edhe shqiptarët, në proklamatë shpalleshin këto kërkesa të kryengritësve: 1) Shqipëria të bëhej vetëqeverimtare me sigurim të qeverive të mëdha nën hije të Turqisë; 2) Shkollat shqipe të mbaheshin prej qeverisë; 3) Ushtarët shqiptarë të mos dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç se në rast lufte.
Pa pritur të mbaronte ende afati i armëpushimit të caktuar në shpalljen e tij, Shefqet Turgut pasha më 14 maj goditi befasisht malësorët. Ushtria osmane prej 6 000 vetash, e pajisur me artileri e mitraloza, u hodh sërish mbi Deçiq. “Forcat morën këto pozita, – shkruante konsulli austriak në Shkodër, – duke i dëbuar rrebelët pllambë për pllambë”.
Pas këtij operacioni turqit mundën të forcoheshin në vijën Tuz-Deçiq-Kastrat, ku vendosën 6 000 ushtarë në drejtim të Shipshanikut dhe 5 000 të tjerë nga ana e Koplikut. Nga ana e Gucisë vijonte të ushtronte presion mbi kryengritësit në drejtim të Selcës një forcë e komanduar nga Ethem Pasha, e cila kishte arritur në 8 batalione. Ajo i mbajti të ngujuara forcat kryengritëse të Kelmendit pa arritur të bëjë asnjë hap përpara u detyrua të kthehej në Guci.
Përballë këtyre forcave osmane, pa llogaritur trupat e shumta të dislokuara në Fushë të Shtojit pranë Shkodrës, qëndronin vetëm 2 000 kryengritës shqiptarë, të përqendruar në mes të Dinoshës dhe Tuzit.
Shefqet Turgut pasha, duke përdorur artilerinë, shkatërroi të gjitha katundet që bënë qëndresë. Ushtria osmane nuk kurseu as malësorët myslimanë. Për t’u shpëtuar mizorive xhonturke, shumë familje malësore, gra, fëmijë e pleq, vazhdonin të kalonin në Mal të Zi.
Më 17 qershor Shefqet Turgut pasha në emër të sulltanit shpalli edhe një herë amnistinë për kryengritësit që duhej të dorëzoheshin brenda 10 ditëve, duke premtuar gjithashtu 10 000 lira për shtëpitë e djegura. Në shpalljen që nxori me këtë rast thuhej se qeveria turke do të kujdesej për nevojat e vendit, për të shlyer dëmet që u ishin bërë kohët e fundit shqiptarëve, si edhe për të siguruar të mirën e qetësinë e popullit. Por në shpallje nuk bëhej fjalë për asnjë nga të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Pas shpalljes së 17 qershorit xhonturqit disa herë u përpoqën të hynin në bisedime me kryengritësit, por dështuan, sepse ndeshën në vendosmërinë e tyre për të luftuar deri në fund për të drejtat e tyre kombëtare. Pikërisht kjo situatë dhe mizoritë e pashës turk paraqiten në këtë artikull të “ Morning Star “.
“Vuajtjet e shqiptarëve përtej asaj që mund të besohet
Fajësohet gjenerali turk Turgut Shefqet Pasha përgjegjës për grabitje, vrasje dhe plaçkitje.
Evening star. (Washington, D.C.) 06 Gusht, 1911,
Kabllogram special nga “The Star”
LONDER, 5 Gusht. Vëzhguesit specialë të dërguar në rajonin e trazuar të Shqipërisë raportojnë për një situatë më të rëndë përtej asaj që besohej. Ata thonë, se nëse nuk do të ndërmerren veprime të menjëhershme nga disa kombe të krishtera, këta fise të fuqishme paqësore, shqiptarët e zgjuar punëtorë të zellshëm së shpejti do të do të asgjësohen.
Ata pohojnë se gratë dhe fëmijët po mbajnë barrën e mizorive turke, dhe ata paraqesin një vend të infektuar nga ethet, e mbushur me mizëri me ushtarësh turq të njohur për aftësitë e tyre për grabitje, vrasje dhe përdhosje e mizori të krahasueshme që s’janë dëgjuar qysh nga historitë e luftërave në Tokën e Shenjtë.
Veçanërisht ato paraqesin famëkeqin gjeneralin Turgut Shefqet Pasha, komandantin të trupave ndëshkuese turke, ku sipas raporteve thuhet “dhe pse Turqia ka prodhuar herë pas here gjeneralë të paskrupullt dhe të përgjakshëm, ajo kurrë nuk ka prodhuar edhe një njeri të tillë kaq djallëzor e mizor në aplikimin metodave të vjetra të luftës turke sesa Turgut Shefqet Pashën .” Ata thonë së ai është i mbështeteur nga qeveria turke, që është gjithnjë pas mizorive hakmarrëse të dëshmuar nga turqit në trajtimin e kundërshtarëve të tyre.
Një racë e zgjuar
Në mënyrë që të vlerësojmë rëndësinë e plotë të kësaj tragjedie historike, që është duke u luajtur në këndin juglindor të Europës, është e nevojshme që të kuptojnë se populli që Turgut Shefqet Pasah po shkatërron pa mëshirë, nuk zotëron asnjë nga cilësitë që u vishen turqve, ose të banditëve të operave komike me të cilat ata janë paraqitur zakonisht. Ata janë një pashëm, një racë inteligjente. Katolike nga feja dhe evropianë në thelb nga origjina. Edhe pse për shekuj me radhë kanë qenë nën sundimin brutal të turqve, ata kurrë nuk kanë adoptuar gjuhën turke apo kanë ndërruar fenë apo metodat e jetës së tyre të vjetër.
Lufta të cilën Turgut Shevket po ndërëmerr tani është është një mizori, një grumbullim metodash dhune (urie, tatimesh, plaçkitjesh, shkatërrimit me zjarr dhe një kasapane mizore).
Malësorët janë duke kërkuar që “premtimet e bëra, kurTurqit e Rinj morën pushtetin në Stanboll, duhet të përmbushen, ndërsa Turgut Shefqet Pasha po iu përgjigjet, duke djegur fshatrat e tyre, duke i larguar ata nga malet, duke iu marrë pronat e tyre në zonat malore, duke i detyruar ata të mbijetojnë gjatë verës së nxehtë, të sëmurë në zonat e ulëta malarike, ku delet dhe kafshët e tyre do të ngordhnin; dule u mbyllur të gjitha burimet e furnizimit me ushqime dhe duke i quajtur të gjithë ata që u japin ndihmë atyre atyre “rebelë”.
Të masakruar në male
Gati gjysma e fiseve malore e kanë traditë qysh nga kohërat e lashta të vijnë çdo vjeshtë me kopetë dhe familjet e tyre, në Bregun e Matës dhe të dimërojnë atje. Por në qershor mizëria e madhe e mushkonjave e kthen këtë vend fushor të pabanueshëm, dhe për këtë arsye ata në fillim të verës kthehen në kodrat e tyre. Turgut Shefqet Pasha, duke përfituar nga ky migrimit vjetor nuk ka mënuar t’i shfarosë të gjithë ata malësorë që kishin mbetur në kodra gjatë dimrit, dhe ata që nuk mund t’i kapte i dëboi përtej kufirit në Malin e Zi.
Herët në pranverë ai i zuri gjithë shtigjet e malit nga pritej kalonin barinjtë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, dhe nuk kanë pranuar t’i lënë ata të kthehen. Kështu këto fise janë të përqendruara tani në vendet e ulta malarike “Aty ku ata janë të detyruar të therrin kopetë e tyre, mbi të cilat varet ekzistenca, duke mbetur pa ushqimet e mjaftueshme në ulësirë, ku si njerëzit po ashtu dhe kafshët janë duke vdekur nga ethet e shkaktuara nga janë detyruar të pijnë ujin e ndyrë e të ndenjur të kenetave. Ibrahim Efendi Kjori, një zyrtar i lartë turk në Shkodër, ka deklaruar publikisht se qeveria osmane synon t’i shpopullojë këto kodra në mënyrë që të sjellë aty ardhacakë që kanë më shumë në simpati për qeverinë turke dhe fenë islame. I njëjti zyrtar turk shton me qetësi se qeveria ka ndërmend t’i lerë Malësorët ” të vdesin në Bregun e Matit si derrat në llucë”.
Turgut Shefqet Pasha duket se është pranë arritjes së këtij objektivi. Vetëm një veprim i bashkuar e popujve të krishterë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mund të ndalojë shfarosjen e mijëra krishterëve në veri të Shqipërisë.
E së njejtës kohë vjen raporti i gazetws tw komunitetit Italian “L’insurrezione in Albania, Malafede Turca “ La Sentinella del West Virginia”, 3 June 1911.
“Cettigne, 3 Qershor, Konsulli aktual i Turqisë në Podgoricë bëri shpërndarjen e shpalljes së Turgut Shefqet Pashës që i ftonte kryengritësit malësorë të dorëzonin armët brenda pesë ditëve. Kopje të shumta të kësaj shpalljeje iu dorëzuan nga konsulli guvernatorit- komandant të Podgoritës me lutjen që ato t’i dërgonin në kampin e kryengritësve dhe, që ai të përdorte ndikimin e vet për t’i nxitur rebelët të vepronin në përputhje me urdhrat e Turgut Pashës, duke iu premtuar atyre se nuk do të kishte asnjë sulm nga ana e ushtrisë perandorake para skadimit të afatit.
Edhe pse afati ishte i shkurtër, Guvernatori i Podgoricës e pranoi, mendueshëm, si një fqinj i mirë,(?!) misionin që ofroi konsulli dhe përdori zyrat dhe influencën e tij për t’i nxitur kryengritësit për të marrë në konsideratë apelin e Turgut Shefqet Pashës.
Përpjekje të tilla do të ishin pjesërisht të suksesshme, dhe ai besonte se me 15 Qershor një pjesë e madhe e kryengritësve do të dorëzonte armët në Tuz; por për habinë e të gjithëve, dhe të Qeverisë, dje, të dielën, mes oërs 4 dhe 5 të mëngjesit, ka ndodhur një sulm i ushtrisë turke të ushtrisë në të gjithë linjën e kufiriti, pavarësisht premtimeve dhe garancive të dhëna nga konsulli turk.
Lufta ishte e ashpër dhe zgjati një ditë të tërë. Ende nuk e dihet rezultati, por pabesia nga ana e konsullit turk dhe Shefqet Turgut Pashës, ka dëmtuar shumë projektet e paqes, dhe ka shkatërruar tashmë gjithçka ç’ka ishte efekti i shpalljes. Nga ana tjetër, sulmi i lidh duart gjeneralit Vouktiç, i cili komandon garnizonin në Podgoricë. Ky akt paprecedent ka prodhuar zemërim të gjerë në të gjithë vendin ».
Duke kujtuar Përvjetorin e 25-të të rivendosjes të marrëdhënieve SHBA – Shqipëri
11 MARS 1948-PUSHKATOHEN PRELATËT E KLERIT KATOLIK SHQIPTAR
Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto- 1946 KISHA E DHUNUEME DHE BURGU I KISHËS-(Fototeka Marubi)/
DOSJA 1302/II- A: “IMZOT FRANO PJETËR GJINI ME SHOKË…”/
■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.
■“Për me shkatrrue me kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkoder…”, me porosi të sllavokomunistëve jugosllav, të cilët udhzoheshin nga Moska stalinjane, nder të gjitha vendet e Europës Lindore u zbatue i njajti plan shkatrrimi si në Shqipninë e Veriut, ku në shumë Kisha Katolike, sigurimi i shtetit në vitin 1946, futi arka me armë e bombe per me akuzue Klerin Katolik se gjoja, “këto arka ishin mëshef nga drejtuesit e Kishës…”
■Plot 70 vjetë perpara, ky projekt i komunitëve jugosllavë u zbatue në Kishen e Fretenve të Shkodres. Ndersa në Kishen e Oroshit të Mirditës dhe tek Kisha e Rubikut, u zbatue nën drejtimin e xhelatëve të Petrit Dumes, që ishin ngarkue nga sigurimi i shtetit me porosi të vetë terroristëve Enver Hoxha, Koçi Xoxe dhe Mehmet Shehu.
■Në Shkoder ishte zbatues Zoji Thëmeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku… që, me datën 17 Nandor 1946, rreth orës 2 të mengjesit, futën armët në Kishen Françeskane të Gjuhadolit. (Dishmi e Zef Bardhokut). Ishin arrestue Provinçiali At Mati Prennushi, rektori At Çiprian Nika, dhe me daten 17 u pranguen të gjithë fretnit tjerë që ishin në Kuvendin e Gjuhadolit, i cili u kthye në burgun ma të mnershem të Shqipnisë komuniste, ku hetimet vazhduen me torturat ma shnjerzore deri në vitin 1948, derisa me 11 Mars t’ akuzuemit u ekzekutuene në Zallin e Kirit, pranë Varrezave të Rrëmajit… E edhe sot “vendi i ekzekutimit” nuk tregohet!
■Per armët e futuna nga sigurimi në Kishen e Oroshit Mirditës asht shkrue shumë pak! E pra, viktimat kanë fillue me Abatin e Mirditës Imzot Frano Gjini, e kanë vazhdue deri me 4 Prill 1986, kur vdiq në burg ordinari i Nderuem i Asaj Kishë Don Lec Sahatçija.
■Gjyqet u zhvilluen në Janarin e vitit 1948…
Tek Dosja 1302/II – A, asht edhe ky Proces – verbal i aprovuem nga E. Hoxha:
Republika Popullore e Shqipërisë V.F.L.P.
Gjykata Ushtarake Shkodër
Shkodër, më 12 mars 1948 Shkresë Nr. 64/III Prot.
GJYKATËS SË NALTË USHTARAKE Tiranë
Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948: Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:
- MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI, 2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, dhe, 3.DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:
- MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
- PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
- DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
- Kryetar i Gjykatës Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”
***
■Po, në zyret e kësaj hetuesije, shka bahej mbi trupat e këtyne Martirëve Atdhetarë?!
PER KËTA MARTIRË DO TË FLASIN DËSHMITARËT BASHKVUEJTËS:
■Zonja Terezina Pali (Zorba), më tregonte si e kishin torturue për vdekje në Kishë At Mati Prennushin, kur gjironin filmin jugosllavët tek Elteri me armë në dorë. Mbasi e sollën në qeli e pashë se çalonte, e pyeta: “Çka të banë Padër Mati?” – Ai u përgjegj me za të ultë – mos pyet… por, për mos me i kënaqë këta qej, eja të këndojmë… dhe filloi Ai vetë i pari kangën “Në Shkodër tonë ka ra nji dritë”… Shpesh këndonte me za të ultë për mos me na lanë me u ligështue para torturave, Ai na epte zemër edhe né që aso kohe ishim shumë të reja e shpesh dëshproheshim shumë. Njëditë erdhi i lamë në gjak, se i kishte ra ballit Nesti Kopali… Ndersa, At Çiprian Nika ishte me të vërtetë si Shenjt, vazhdonte Terezina, vuente shumë prej kambëve se ia kishin djegë damarët me hekur të skuqun ndërsa çorapët iu ngjitëshin për mish nga plagët e peshgvës, kësi plagësh kishte edhe në shpinë, këmisha iu shkapte prej plagëve vetëm… kur e thërriste hetuesi, që ma shpesh e siellte pandjenja se me kambët e veta, megjithatë gjente forca me qëndrue … Forca e tyne ishin vetëm urata e lutjët e vazhdueshme…
■Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, Monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor… piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, Ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë… mendueme se e mbytën, por jo, ishte i gjallë dhe i gjakosun fëtyrët, – E shihni? -Na pyeti Zoi, – kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!… Kur na çuan në dhomë Monsinjori tha vetëm kaq: ”Për hatër të Zotit!….” dhe fshani… Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ia lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i vinin gjithnjë.
Ndërsa, për Imzot Nikoll Dedën tregonte se nuk njifëj ma, ishte ba sa një fëmijë gjithë plagë, i moçatun fëtyre dhe i pazoti me ecë, kambët i kishte të qelbëzueme…
■Një bashkëvuejtës e kishte pyet njëherë, kur e gjet të shtrimë në dysheme: “Kush je ti?” – Ai ishte përgjegjë: – “Kam pas kenë Don Nikoll Deda”, me të vërtetë “s’ ishte ma Ai!” ■I ndjeri Caf Dragusha, që asht pushkatue me këtë grup, i tregonte një bashkëvuejtësi ndër ato ditë mjerimi kur ishin në një qeli, se një natë i kishin shkue tek biruca e tij katër oficera të naltë, si dukej nga Tirana, njeni nga veshja dukej jugosllav. E kishin pyetë me kambngulje; – janë ba ose jo mbledhjet për të cilat bahet fjalë në proçes të Don Nikoll Dedës, në shtëpinë e Cin Serreqit dhe të Pjetër Dedës? – Cafi u ishte përgjegjë: – A janë ba, a nuk janë ba mbledhjet, unë nuk e dij, por, derisa më keni përzi edhe mue, e thoni, se ke kenë edhe ti, e mbasi unë nuk kam kenë aty, edhe mbledhjet nuk duhët të jenë ba! Përfundonte bisedën tue thanë: “Ah, këta komunistat, janë derbedera! Nuk i njeh kush…” Në darkë i kishte hapë sportelin Fadil Kapisyzi dhe i kishte thanë: “Po ti Caf, na ishe kenë ba edhe avokati i Cin Serreqit, dije mirë se njëqind krena me pasë, një nuk të shpëton as ty, as atij, a more vesh?” dhe me të vërtetë e kishte mbajtë fjalën, tregonte bashkëvuejtësi, mbas pak ditësh u pushkatuen të dy…
■Një Zonjë (V. K.) tregon: “… Na rrahnin, na shanin me fjalët ku ishin ma të ndytat. Ishim të reja, 18 vjeçe, nuk i kishim ndigjue kurrë ato flligështina, na torturonin dhe mandej na çvishnin dhe vetëm ndër këmisha në pikën e dimnit, na hidhnin ndër dhomat e priftënve… por, Ata, menjëherë na mbulonin me pelerinat e tyne, e vetë mërdhitnin të shkretët gjithë natën. Kur na dilte gjumi i ndigjonim tue thanë uratë. Na u thonim: “Merre tash pelerinën dhe flej pak edhe ti, se nuk ke mbyllë sy gjithë natën!
– Jo, jo, vazhdo e flej ti, – na thonin Ata, – flej edhe pak se je e re, na jemi mësue e durojmë.” Porosia e tyne ishte: “Mundohuni me durue për hatër të Zotit!…”
■Z. Ragip Meta, atëherë, i dënuem me vdekje, tregon se ishte kenë në një dhomë me 25 vetë të dënuem me vdekje. “Kur hapej dera, u çonim në kambë ashtu si ishim të lidhun dhe donim me shkue të parët, me kenë e mujtun të gjithë me u pushkatue. Na vinte keq kur nuk na merrnin kaq na ishte mërzitë jeta prej torturave, urisë, etjës dhe pagjumësisë”
■Zonja Drita Kosturi më tregonte, sësi e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë, të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nëvojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt. Disa ditë e kishte pa ajo vetë me sytë e saj …
■Zonja Ana Daja, tronditej kur shpjegonte sësi ka pa Don Anton Muzaj, në hollin e Kuvendit të zhytun deri në bel në një ujë të qelbun, të përzimë me pisllëkun e pusave të zezë, në të ftohtin e dimnit të Shkodrës, dhe kur e merrte kolli, skuqej ai vend nga gjaku që nxirrte përgoje… E torturonte, tregonte Ajo, i pashpirti Pjerin Kçira.
■Z. Tom Leci, pyet Hafiz Dërgutin se cila asht arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai i përgjegjet: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë se, u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani çka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
■Z. Viktore Kuka, tregonte sësi njëditë i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaçit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë Dulit. Elezi ia sjellë dhe Duli e pin atë ujë që mbas pak minutash i shkreti Dulo Kali rropatej në birucë nga tmeri, mbasi uji ishte kenë i krypun… Elezi tallej në korridor, “lype ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hu …”
■Motër Gjyzepina Radovani, infermjere në spitalin e burgut tregonte si kishte mjekue me duert e saja disa nga këta martirë. Ajo, fliste me dhimbje të madhe për At Çiprian Nikën dhe At Donat Kurtin, të parit i kishin thye kambën dhe nuk i ngjitej se kishte fillue kalbëzimi, ndërsa At Donatit, me që e dinin se asht i smurë me stomak i epnin ushqime që i ngacmonin dhimbjet, për mos me kenë kurrë i qetë. Me shumë kujdes Dr. Federik Shiroka i bante injeksione qetësuese, po mbas pak ditësh e merrnin pa u shërue ashtu si Monsinjor Gjinin, që tue e marrë me shkalc plehu, policët i thanë: “Doktor, mos harxho ilaçe kot, se për t’a pushkatuar kemi!”, – Ai u ishte përgjegjë: “Unë jam mjek, sa të jenë të gjallë dhe në duert e mija unë do të baj detyrën teme, ndër duert tueja, dini ju çka bani!”. Njeni nga xhelatët kishte murmuritë: “Hajt, hajt, se as ti nuk e ke të gjatë!..”
■Z. Loro Vata më tregonte se, në “Burgun e Kishës së Fretënve”, ka pasë njerëz që prej ditës së arrëstimit e deri mbas një viti që janë pushkatue, ose dënue e nisë ndër burgje të tjera e kampe, nuk janë la me ujë asnjëherë… se, ma, vendi i ushkurit të mbathjëve, apo vendët e tegelave ishin të bamë zi prej morrave.
■Z. Ragip Meta më tregonte, sësi njëditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rinjë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut. Në dorë kishin nga një kamxhik dhe i binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” … Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah … Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pre mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë…”
■Z. Elez Troshani, thonte: “Lum ata që kanë kenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin, ndër ata dy muej para se me u ekzekutue, se nuk e kuptonin ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes…mënyra sësi shpjegonin vdekjen Ata e bante të riun po, por dhe plakun mos me u tutë nga plumbi.”
■Dr. Papavrami, shpjegonte se, atëditë me 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për me i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhë ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes sate!” – Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi em ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy Shejtënve, për çfarë me u tremb?” Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml. E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. “Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargoj me drynjë, aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”. Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjët e tyre, që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohën as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ato gjokse burrash që dukeshin si lisa … Ranë andej stomit … kur u afrova me vërtetuar vdekjën nuk mujta me vizituar asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukëj se jetonte ndonjëri …asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé. …..Atëherë, nuk dija me kuptuar si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm … Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre!” (Shpjegim gojor në vitin 1993, në Shkodër).
***
■Për “Lëvizjen e Postribës të 9 shtatorit 1946”, me 11 mars 1948 janë pushkatue:
- Imzot Frano Gjini, 2. At Mati Prennushi, 3. Don Nikoll Deda, 4. At Çiprian Nika,
- Cin Serreqi, 6. Dulo Kali, 7. Caf Dragusha, 8. Guljelm Suma, 9. Ing. Fahri Rusi,
- Murat Hysen Haxhija, 11. Bilbil Hajmi, 12. Pjetër Prendush Pali, 13. Gaspër Simon Gaspri, 14. Xhelal Hardolli, 15. Zef Kol Prela, 16. Rasim Gjyrezi…
E sa qinda të tjerë pa gjyq, që nuk figurojnë as në rregjistrin e të vramëve…
■Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm heroik i këtyne Burrave të pastër, lyp drejtësi, paqë dhe shpagim, pa të cilat, Shqiptarët kurrë nuk kanë me mërrijtë në një Pajtim Kombëtar!
■HAPNI DOSJET E KRIMINELAVE!
■Mos harroni! Të gjitha këto vrasje e zhdukje Atdhetarësh per Enver Hoxhen e pasuesit e tij kriminelë ishin një siguri e perjetshme kolltuku, pushteti dhe grabitje e pasunisë së Shqipnisë së robnueme, që po vazhdon edhe sot!
*Pjesa e IV.Vazhdon Pjesa e V…
Melbourne, 10 Mars 2016.
- « Previous Page
- 1
- …
- 447
- 448
- 449
- 450
- 451
- …
- 698
- Next Page »