• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta e Mashkullorës, shkëndija që i vu zjarrin gjallërimit të lëvizjes kombëtare shqiptare

March 18, 2025 by s p

Albert Vataj – Koha Jonë/

Lufta e Mashkullorës është një nga ato momente historike që mbeten të pashlyeshme në kujtesën kombëtare shqiptare. Një betejë që nuk ishte vetëm përballje e armatosur, por një shpërthim i vendosmërisë së shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo përbën një nga gurët themeltarë të rezistencës kundër sundimit osman dhe një burim frymëzimi për brezat që pasuan. Ky shkrim sjell në vëmendje ngjarjet kyçe që paraprinë dhe pasuan këtë luftë heroike, e cila pati një jehonë të thellë në mbarë kombin shqiptar.

Më 18 mars 1908, kodrat e Mashkullorës u bënë arenë e një prej betejave më domethënëse të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur forcat osmane sulmuan çetën e drejtuar nga luftëtari patriotik, Çerçiz Topulli. Ndonëse të rrethuar nga një forcë armike shumë herë më e madhe në numër, luftëtarët shqiptarë u treguan të pashoq në trimëri dhe strategji, duke çarë rrethimin dhe shpëtuar nga kthetrat e pushtuesit.

Një nga ngjarjet që parapriu Luftën e Mashkullorës dhe ndezi flakën e revoltës ishte vrasja e Bimbashit, Halil Musa Beut, komandant i xhandarmërisë osmane në Gjirokastër, në shkurt të vitit 1908. Ky akt, i kryer nga çeta e Çerçiz Topullit, u pa si një sfidë e hapur ndaj pushtetit osman dhe shërbeu si kambanë alarmi për autoritetet osmane, të cilat u përpoqën ta shuanin me gjak revoltën shqiptare. Aksioni i parë që bëi jehonë jo vetëm në Gjirokastër, por edhe përtej kufijve të Perandorisë Osmane.

Pesë ditë pas këtij atentati të bujshëm, një pjesë e Çetës së Çerçiz Topullit, e përberë nga 9 luftëtarë, u strehuan në një haur në rrethinat e fshatit Mashkullorë, ku u rrethua nga ushtria turke e dislokuar në kalanë e Gjirokastrës.

Kjo betejë shënoi një kapitull të rëndësishëm në luftën për liri dhe pavarësi, duke përforcuar idenë se rezistenca e armatosur ishte një instrument i nevojshëm për arritjen e synimeve kombëtare. Ajo pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, duke ngjallur shpresë dhe frymëzim tek shqiptarët që synonin shkëputjen nga Perandoria Osmane.

Kjo ngjarje e jashtëzakonshme është përjetësuar edhe në një këngë që e këndojnë në të gjithë Shqipërinë:

“Te Rrapi në Mashkullorë / foli Çerçizi me gojë / mylazim largo taborë / se të bëj të kuq me bojë / Çerçiz Topulli më thonë”.

Kjo luftë heroike është përshkruar prej njërës nga penat më të shquara të publicistikës patriotike të atyre viteve, njëkohësisht luftëtar i kësaj çete, atdhetari dhe publicisti Mihal Grameno. Pena e pikuar mjaltë e Mihal Gramenos, nga pozita e një dëshmitari okular, ka shkrirë në një të vetme, stilin e veçantë publicistik, informacionin historik nga vendi i ngjarjes, me përshkrimin patriotik dhe frymën romantike të kohës.

Më 18 mars 1934, në Gjirokastër u shpalos një moment historik me vlera të jashtëzakonshme simbolike: përurimi i shtatores së Çerçiz Topullit. Kjo vepër artistike, e realizuar nga mjeshtri i skulpturës Odhise Paskali, u mundësua falë ndihmës financiare të gjirokastritëve brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë.

Ceremonia e inaugurimit u kthye në një manifestim të fuqishëm patriotik, me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve, të rinjve të veshur me kostume tradicionale dhe këngëve kushtuar Çerçiz Topullit, që kumbuan fuqishëm në rrugët e kalldrëmta të Gjirokastrës.

Lufta e Mashkullorës dhe aktet heroike të Çerçiz Topullit mbeten simbole të pashlyeshme të rezistencës shqiptare. Kjo betejë jo vetëm që forcoi ndjenjën kombëtare, por gjithashtu u kthye në një shembull të guximit dhe vetëmohimit për brezat e ardhshëm.

Filed Under: Histori

Historiania Denisa Jashari, nga politikat urbane dhe strukturimi i shtetit në Kili tek urbanizimi i botës sonë dhe moshumbja e shpresës për të ardhmen

March 17, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Profesoreshë Denisa Jashari gjeti pasionin për historinë teksa bënte kërkime në fushën bioneurologjike me synimin për të vazhduar studimet për mjekësi, dhe prej atëhere nisi “transformimi” në studiuse dhe humultuese e shkencave humane. Në vjeshtën e vitit 2023 karriera e re akademike e solli në Universitetin Syracuse Nju Jork, mbi katër mijë e gjashtëqind milje larg nga vendlindja e saj Erseka e Kolonjës dhe rreth katër orë në veriperëndim nga Uster (Worcester) ku ajo, në moshën 12 vjeçare, dhe motra Jonada bashkë me prindërit e tyre erdhën në vitin 2000 me lotarinë e vizave. Sot, Denisa Jashari është Asistent pedagoge në Departamentin e Historisë, ndërkohë që shkruan librin e saj të parë si pjesë e doktoratës lidhur me temën e politikës urbanistike dhe funksionimit të shtetit në Kili. Ky vend i Amerikës së Jugut me rreth 19 milionë banorë dhe vijë bregdetare rreth 6,000 kilometra të gjatë, vendlindja e poetit të famshëm Pablo Neruda dhe novelistes Isabel Allende, dhe disa penave të tjera, ka bukuri natyrore të mahnitshme dhe histori e kulturë shumë të pasur. Ia vlen të kujtojmë se popullsia amerikano-latine me origjinë shqiptare gjendet kryesisht në Argjentinë, Kili, Uruguai dhe Brazil. Në pjesën më të madhe, ata janë Arbëresh të ardhur nga Italia e Jugut. “Shqiptarët e ardhur herët në Argjentinë janë pjesë e valës së emigrantëve të Epokës së Migrimit masiv, fundi i shekullit XIX dhe fillim i shekullit XX, që u vendosën në zona industriale, si Berisso, në provincën Buenos Aires dhe afër kryeqytetit të Argjentinës. Berisso njihet si “qyteti i emigrantëve”, për shkak të pranisë së madhe të emigrantëve italianë dhe atyre të Europës Lindore, të cilët punonin në fabrikat e paketimit të mishit dhe me punën e tyre e transformuan qytetin në qendër të prodhimit bujqësor. Diaspora shqiptare ka shoqatat e veta dhe një organizatë kulturore e njohur si “La colectividad albanesa Bashkimi”, e cila ndër të tjera merr pjesë në “festën provinciale të imigrantëve,” shpjegon Profesoreshë Jashari. Vajtja e saj në Santiago të Kilit ishte pjesë e hulumtimeve laboratorike, por atje ajo ndjeu të tërhiqej fort nga historia komplekse e vendit. Në këtë rast, mund të ketë qenë e ndihmuar nga fakti që studimet për diplomën universitare në Biokimi dhe Spanjisht, me bursë të plotë në Kolegjin Trinity, i dhanë mundësinë të njoh si shkencat humane, ashtu edhe ato natyroret.

“Gjatë një semestri në Santiago të Kilit rashë në dashuri me vendin dhe historinë komplekse të tij. Në Santiago pata mundësinë të mendoja seriozisht mbi regjimet autoritare dhe mënyrën se si ato funksionojnë, për historinë e Luftës se Ftohtë në vendet e Botës së Tretë dhe kjo më dha distancën e nevojshme për të vështruar historinë e familjes sime dhe të Shqipërisë nga një perspektivë e re.”

Profesoreshë Denisa Jashari tregon se fillimisht i bëri përshtypje sesi në Kili – ashtu si në gjithë Amerikën Latine – aktorët socialë në gjithë spektrin politik kapin hapësirën urbane për t’i mbrojtur të drejtat për shtetësi dhe për të kërkuar ndryshim. Nga shtjellimi i saj kuptohet se përqendrimi i popullsisë në qytete i zgjoi kureshtjen për rolin e qyteteve në politikën kombëtare. Dhe më tej, ristrukturimi i shtetit në raport me ndryshimin e politikave urbane si tipar i përbashkët në vendet që përjetuan diktaturat komuniste dhe diktaturat ushtarake politikisht të djathta.

“Në Kili dhe në gjithë Amerikën Latine, shumica e popullsisë është urbane dhe banon veçanërisht në kryeqytet. Ky nuk ishte ndryshim i pashmangshëm, por filloi në mesin e shekullit XX pasi industrializimi ofronte mundësi më të mira jetese. Përqendrimi i popullsisë në kryeqytet dhe në zonat urbane ka pasoja në mënyrën si funksionon shteti dhe si zhvillohen e integrohen vendet në tregjet botërore. Kjo më intereson mua. Bota jonë po bëhet gjithnjë e më urbane – kjo vlen edhe për Shqipërinë – Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rritjen globale të lagjeve të varfëra, pasi qytetet mezi po ofrojnë strehim të përshtatshëm dhe shërbime urbane bazë. Integrimi ekonomik global ka transformuar mënyrën se si funksion shteti dhe ky proces më intereson, prandaj përpiqem ta kuptoj historikisht. Procesi i ristrukturimit të shtetit dhe i ndryshimit të politikës urbane është i përbashkët në vendet që përjetuan diktaturën komuniste dhe ato që përjetuan diktatura ushtarake politikisht të djathta,” argumenton historiania.

Për sa i takon sfidave në fushën akademike në përgjithsësi dhe për femrat në veçanti, ajo thotë se “të jesh akademike është zgjedhje e stilit të jetesës sepse nuk është punë që përfundon në orën 17:00 të premten dhe rifillon në 9:00 të hënën. Kërkon ekuilibër delikat midis orëve mësimore, kryerjes së kërkimit në arkiv gjatë verës, hartimit të artikujve dhe punimeve për konferenca gjatë fundjavës dhe mbrëmjeve, aplikimit për financim dhe udhëtimit për t’i prezantuar kërkimet. Kjo për mua ka nënkuptuar kalimin e verës ndërmjet Kilit, familjes në Shqipëri dhe në Kosovë dhe prindërve në ShBA.”

“Akademikët në histori ose të tjera shkenca shoqërore po ashtu po përballen me realitetin e vështirësive për sigurinë e vendit të punës. Unë pata fatin që fitova një pozicion të tillë, por këto po bëhen gjithnjë e më të rralla. Doktorata merr shumë kohë për t’u përfunduar, sikurse përmbushja e kërkesave të mandatit për ‘tenure’, që do të thotë se akademikët, sidomos gratë, shpesh duhet të marrin vendime të vështira jetësore. Por ajo që e dua në jetën akademike – ai procesi tërëjetësor i kërkimeve dhe shkrimeve, është thjesht i mrekullueshëm!”

Gratë që e kanë influencuar atë janë mamaja dhe gjyshja. “Të dyja kanë bërë sakrifica që vetë nuk di a do të mund t’i bëja ndonjëherë. Këto gra “të zakonshme” me potencial të jashtëzakonshëm, rrallë hyjnë në librat e historisë por janë ato që me punën e tyre të përditshme jashtë dhe brenda shtëpisë, e mirëmbajnë shoqërinë tonë,” shprehet ajo. Kur e pyeta si e festoi 8 Marsin, Prof. Jashari më tha se “e para gjë ishte telefonata me mamin në Uster edhe me motrën në Kosovë, pastaj me shoqet në vende të ndryshme të botës dhe në kohën e drekëherës doli me disa kolege në Syracuse për të festuar një çmim për artikullin e fundit që shkrova.”

Për studentët shqiptarë, Profesoreshë Denisa Jashari dëshiron që përvoja dhe trajnimi i saj të jenë të vlefshme për të ndihmuar ta bëjë më pak sfidues rrugëtimin akademik për të rinjtë. “Shkolla Maxwell e Qytetarisë dhe Marrëdhënieve Publike, Departamenti i Historisë, Syracuse University është shkollë e renditur në nivel kombëtar dhe e njohur në fushën e kërkimeve dhe zbulimeve. Kam dëshirë të ndihmoj nxënësit e shkollave të mesme me aplikimet e tyre për kolegj dhe t’u ofroj këshilla atyre që kërkojnë të bëjnë Master ose PhD.”

Si për ata, ashtu edhe për veten në moshë rinore, këshilla e saj është: “Bota ndonjëherë duket e zymtë. Ky brez i ri është përballur me vite shumë të vështira për zhvillimin e tyre social gjatë pandemisë Covid. I kthehem shpesh një fraze që i atribuohet Antonio Gramsci-t, por është e një shkrimtari francez, “pesimizëm i intelektit, optimizëm i vullnetit”, për të përmbledhur rëndësinë e të lexuarit realist të një situate (dhe të mbeturit praktik) ndërkohë që nuk humbim shpresën për të ardhmen.

Filed Under: Histori

Patër Anton Harapi, ndër figurat më të ndritura të mendimit dhe veprimit shqiptar

March 12, 2025 by s p

Arian Galdini/

Patër Anton Harapi është një ndër figurat më të ndritura të mendimit dhe veprimit shqiptar, një prift, filozof, publicist dhe patriot i cili i dedikoi jetën e tij çështjes shqiptare. Përmes veprave të tij, publicistikës dhe mendimit filozofik, Harapi trajtoi me guxim çështje madhore të identitetit kombëtar, edukimit dhe unitetit shqiptar. Ai e pa kombin shqiptar si një trup të pandarë, ku vlerat fetare, morale dhe kombëtare duhej të harmonizoheshin për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të fortë. Në kuadrin e Neoshqiptarizmit, trashëgimia e Patër Anton Harapit përbën një shtyllë kryesore, sepse mendimi i tij rrezaton përtej kohës dhe përfshin nevojën për një ripërtëritje kombëtare, morale dhe shpirtërore.
Patër Anton Harapi e ndërtoi filozofinë e tij kombëtare mbi tre shtylla kryesore: lirinë individuale, ndershmërinë morale dhe përkushtimin ndaj bashkësisë kombëtare. Në publicistikën dhe fjalimet e tij, ai u përpoq të ndërgjegjësonte shqiptarët për rëndësinë e identitetit të tyre dhe nevojën për t’u bashkuar rreth vlerave të përbashkëta.
Në veprën e tij më të famshme, “Andrra e Pretashit”, Harapi krijoi një narrativë që shkon përtej një rrëfimi letrar. Kjo vepër përmban një analizë të thellë filozofike mbi moralin dhe shpirtin shqiptar, duke trajtuar tematikat e besimit, bashkimit dhe sakrificës për kombin. Në të, Harapi shkruan: “Një komb nuk rron veç me bukë, por edhe me shpirt. Kur shpirti kombëtar rrënohet, edhe buka e humb kuptimin.” Kjo ide thelbësore përkon me parimet e Neoshqiptarizmit, që kërkon të rikthejë shpirtin kombëtar të shqiptarëve përmes vlerave dhe parimeve morale.
Një nga aspektet më të rëndësishme të mendimit të Patër Anton Harapit ishte theksi që ai i vuri harmonisë ndërfetare si një shtyllë për ndërtimin e një kombi të fortë. Duke qenë një prift katolik, Harapi kishte një vizion përtej kufijve fetarë dhe përpiqej të ndërtonte ura bashkëpunimi midis komuniteteve fetare shqiptare.
Në fjalimet dhe shkrimet e tij, ai shpesh thoshte: “Fetë tona janë si dritaret e një shtëpie, të ndryshme në formë, por që ndriçojnë të njëjtën dhomë. Dhe ajo dhomë është kombi shqiptar.”
Ky mendim është një shtyllë qendrore e Neoshqiptarizmit, i cili promovon unitetin kombëtar mbi ndarjet e vogla dhe të ngushta, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe bashkimit rreth identitetit shqiptar.
Patër Anton Harapi e kuptoi shumë herët rrezikun që komunizmi paraqiste për kombin shqiptar. Ai e denoncoi ideologjinë komuniste si një formë të asgjësimit të shpirtit dhe moralit të individit. Sipas tij, komunizmi nuk ishte vetëm një regjim politik, por një mekanizëm që kërkonte të shkatërronte vetë bazën e kulturës dhe identitetit kombëtar. Në një nga predikimet e tij më të njohura, Harapi paralajmëroi: “Komunizmi asht vdekja e shpirtit kombëtar. Ai vjen me prem time për barazi, por lë pas skllavëri. Kombet që e pranojnë, humbin fytyrën e tyne dhe kthehen në turmë të verbët.”
Ky paralajmërim mbetet aktual edhe sot, si një thirrje për të ruajtur vlerat kombëtare dhe morale përballë ideologjive që rrezikojnë të shkatërrojnë identitetin shqiptar.
Mendimi i Patër Anton Harapit përkon në mënyrë të përkryer me parimet e Neoshqiptarizmit, që promovojnë një ripërtëritje kombëtare dhe shpirtërore. Ai e pa kombin shqiptar si një orga nizëm të gjallë, që kishte nevojë për një themel të fortë moral dhe kulturor për të mbijetuar dhe përparuar. Tri shtyllat e kontributit të tij për Neoshqiptarizmin:

1. Shpirti kombëtar si bazë e çdo përparimi

Harapi argumentonte se çdo përpjekje për zhvillim duhet të fillojë nga ndërtimi i një morali të fortë kombëtar. Ai besonte se pa një ndjenjë të thellë të përkatësisë dhe dashurisë për atdheun, çdo përpjekje politike apo ekonomike do të dështonte.

2. Edukimi moral dhe kombëtar

Patër Anton Harapi ishte një mbështetës i fuqishëm i edukimit si një mjet për ripërtëritjen kombëtare. Ai theksonte rëndësinë e edukimit që bashkon vlerat morale dhe patriotizmin, duke u shprehur: “Një brez i edukuar në dashuri për kombin e në respekt për Zotin, është një brez që nuk mund të thyhet.”

3. Bashkimi përmes diversitetit

Harapi promovonte idenë se forca e kombit shqiptar qëndronte në diversitetin e tij. Ai pa në harmoninë ndërfetare dhe në bashkimin e energjive të ndryshme, një burim të fuqishëm për ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur për shqiptarët. Trashëgimia e Patër Anton Harapit mbetet e gjallë dhe frymë zuese për shqiptarët edhe sot. Mendimet e tij mbi edukimin, bashkimin kombëtar dhe ruajtjen e vlerave morale janë më aktuale se kurrë në një kohë kur Shqipëria dhe shqiptarët për ballen me sfida të mëdha kulturore, ekonomike dhe politike.
Neoshqiptarizmi, si një doktrinë që kërkon të ndërtojë një të ardhme mbi bazat e vlerave kombëtare dhe shpirtërore, gjen në
mendimin e Harapit një burim të pashtershëm frymëzimi dhe udhërrëfimi. Siç thoshte vetë Harapi: “Një komb nuk mund të qëndrojë përjetësisht mbi themele të lëkundshme. Ai duhet të ngrihet mbi gurin e fortë të shpirtit dhe dashurisë për atdheun.”
Patër Anton Harapi mbetet një figurë kyçe në historinë e mendimit shqiptar, një mendimtar i cili e kuptoi në thellësi nevojën për të harmonizuar vlerat fetare, morale dhe kombëtare në funksion të një kombi të fortë dhe të bashkuar. Kontributi i tij për shqiptarizmin dhe Neoshqiptarizmin është një thesar që duhet ruajtur dhe zhvilluar më tej. Përmes mendimeve dhe veprave të tij, Harapi na mëson se për të ndërtuar një të ardhme të ndritur, ne duhet të rikthehemi te vlerat më të larta të shpirtit dhe kulturës sonë kombëtare.

Filed Under: Histori

Nefize Hozha i flet kohës me emblemën e gruas shqiptare

March 12, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Për gruan shqiptare në vite e shekuj është shkruar e folur dhe përsëri e përsëri do të shkruhet e flitet. Në këtë rrjedhë të jetës, për rolin e gruas shqiptare në histori është rreshtuar me dinjitet dhe kulturë dhe një historiane, një mësuese, një edukatore e përkushtuar në jetë për formimin dhe edukimin e brezit të ri me historinë e gruas shqiptare në shekuj. Nefize Hoxha me guxim dhe kurajo sjell para lexuesit emblem të gruas shqiptare të cilat nën qiellin e Europës kanë lënë gjurmë të thella në histori ndër shekuj. Pas librit “Gra që i bëjnë dritë Shqipërisë”, historiania Nafize Hoxha del para lexuesit me librin “Gra shqiptare nën qiellin e Europës”. Është një libër për gratë shqiptare, të cilat në histori kanë lënë dijet, punën, sakrificat dhe trimërinë e tyre, për arsimin, kulturën, edukimin dhe përparimin e shoqërisë, por në veçanti të gruas dhe vajzës shqiptare.

Të gjithë e dimë që gruaja shqiptare në historin e luftërave shekullore të popullit tonë ka luajtur një rol të rëndësishëm për liri dhe pavarësi, si dhe për ruajtje të individualitetit të vet. Nga burime historike dhe folklorike kemi mësuar dhe mësojmë për heroizmin e gruas shqiptare, e cila në rrugën e historisë ka dhënë kontribut të çmuar në mbrotjen e vendit, në të drejtat njerëzore dhe në përparimin shoqëror.

Me këtë mision dhe qëllim të madh për gruan shqiptare, në një këndshikim ndryshe, vjen natryrshëm nga Nefize Hoxha një rrëfim për disa grave të shquara në jetë, që kanë lënë gjurmë në qiellin blu të Europës. Në këtë tribunë me të drejtë janë vendosur me plot dinjitet dhe ëmbëlsi gra që kanë bërë emër dhe kanë lënë gjurmë të dukshme në jetën e popullit shqiptar, por dhe në popuj të tjerë të Europës, ku ato kanë punuar, jetuar dhe luftuar për të drejtat dhe liritë e gruas.

Duke u shtyrë në vite e shekuj gjenden dëshmi, gojëdhana, kronika dhe ngjarje, nxjerrin krye dhe ja përcjellin kohëve tona moderne rolin e madh të gruas shqiptare në luftërat dhe përpjekjet për mbrojtjen e trojeve amëtare, si dhe jetën zakonore, tradicionale, familjare e sociale, në shërbim të shoqërisë njerëzore.

Në ngjarjet madhore të vendit tonë shfaqet princesha Donika Araniti Kastrioti dhe një varg grash në Veri e Jug të viseve shqiptare, si luftëtare të shquara popullore në qëndresën kundër pushtuesve otomanë. Deri në ditët tona, këngët dhe kronikat e kohëve të largëta, përcjellin një informacion të pasur, se si në krahë të luftëtarëve shqiptar, gratë dhe vajzat gjendeshin në ballinat e luftimeve, apo në prapavijat e luftëtarëve, për të transportuar ushqimet dhe armët e luftës.

Ishte Bubulina, kjo arvanitase me gjëmime të mëdha në historinë e Greqisë e të Mesdheut, që u bë një shenjë e shpërthimit të ndjenjave të lirisë. Laskarina Bubulina në penën e Nefize Hoxha sillet si një figurë që ia shton respektin racës shqiptare, duke dëshmuar kështu për personalitetin e një gruaje, që mbi të gjitha mbetet një shembëlltyrë e madhe në universin e së drejtës së popujve për liri.

Elena Gjika në këndvështrimin e autores vjen si një urë lidhëse midis kulturës lindore dhe perëndimore. Ajo qëndron si një figurë e madhe e Rilindjes Kombëtare, si një grua erudite dhe atdhetare, duke dhënë kontribut në folklorë, në studime arti, në letërkëmbime, në fushën estetike dhe në studimin e etnogjenezës shqiptare. Penën e saj deri në fund ajo e përdori për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e Shqipërisë, Atdheut të saj të nderuar…

Urani Rumbo në penën e historianës vjen si një poete, publicist dhe pioniere e arsimit kombëtar shqiptar. Si një grua e shkolluar, e civilizuar, poliglote dhe publicist, e cila u bë shembull frymëzimi i dijes dhe guximit, me bindjen e thellë se gjithsesi dija çan rrugën përmes errësirës. Duke shpalosur kulturën dhe botën e grua shqiptare, në gjysmën e parë të shek. XX, Urania vjen si një punëtore e shquar e shkollës shqipe dhe jep kontributin e saj për zhvillimin dhe përparimin e Atdheut.

Motrat Qiriazi në libër paraqiten si një model i shkëlqyer në historinë e kulturës dhe arsimit shqiptar, duke dhënë shumë në drejtim të ndërgjegjësimit të kombit përmes dijes dhe arsimit. Motrat Qiriazi treguan për shoqërinë, atdheun, njerëzit, për gruan e lirë, pa paragjykime, e mbi të gjitha, diturinë e tyre që nga vlera individuale të çojnë e materializojnë në vlerë kolektive, duke i dhënë dimension shoqëror, atdhetar dhe universal. Ato kanë ngelur yje në qiellin e kulturës dhe të atdhedashurisë shqiptare.

Shote Galica ishte një heroinë legjendare e heshtur, që mbante brenda vetes luftëra, plagë, dhimbje për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ishte guximi i Shotës që theu një koncept të fortë patriakal për gruan, por shpirti liridashës i saj përparoi mbi çdo gjë. Ajo doli në mal përkrah burrit, si një akt trimëror, por dhe dashuri për burrin. Trimëria e saj përflak qiellin e Dukagjinit, ku malësoret dhe malësorët i bëhen krah në luftime. Ajo në jetë shfaqi madhërishëm genin e fortë të rracës shqiptare, e frymëzuar nga ideali i jetës dhe i lirisë.

Bule-Persefoni janë heroina që mbetën në altarin e lirisë. Jeta dhe veprimtaria antifashiste e tyre dëshmojnë qartë shpirtin liridashës që ato kishin. Të dyja u torturuna në qelitë e kalasë së Gjirokastrës, pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre i varën te Rrapi i sheshit të Çerçizit. Edhe në kohët tona, të derdhura në bronz, të dy heroinat duket sikur na flasin dhe përcjellin mesazhe të mëdha lirie dhe atdhedashurie.

Zonja Çurre, heroina e Labërisë shtegëton në mjaft vende të betejave kundër nazifashistëve në Zagori, Përmet, Skrapar, Gramsh, Kurvelesh, Mesaplik, Dukat, Tiranë e gjetkë. Akti i Zonja Çurres dëshmon për qëndresën e lartë morale, për trimërinë e rrallë që dëftoi në luftë. Nëpërmjet kujtimeve të luftëtarëve të lirisë heroina vjen e gjallë në shkrimin e historianes.

Tefta Tashko është artistja që solli artin europian në Shqipëri, ndaj sa herë dëgjojmë këngët lirike e ato popullore të saj, portreti i kësaj këngëtarje të madhe shqiptare në shfaqet madhërishëm. Autorja shkruan se Tefta Tashko deri në në fund të jetës së saj të re mbeti një zë i artë i muzikës shqiptare, dhe bashkë me Vaçe Zelën e Nexhmije Pagarushën ngelën meteor në qiellin e kulturës sonë kombëtare e europiane.

Nënë Tereza në shkrimin e Nefize Hoxha vjen thjeshtë e me një pasuri të madhe informacioni, për jetën e shenjëtores së madhe shqiptare, ku jetën e saj e vuri në dispozicion të njerëzve të mjerë. Nënë Tereza shëndrit dhe i jep lartësi humanizmit përmes ndihmës si sakrificë dhe guxim për të shpëtuar njerëzit nga luftërat, padrejtësitë, egot dhe diferencat e mëdha sociale.

Vaçe Zela përshkruhet me tërë ngrohtësinë e zërit të saj të magjishëm, që i bëri shqiptarët dhe europianët të ngrihen në këmbë e të adhurojnë artisten e madhe. Zëri i saj jehon në sfondin e artë të çdo skene shqiptare dhe kulmon në Lushnje e Tiranë për të ngelur përjetësisht në kujtesë…

Edit Durhani është anglezja që zbuloi botën zakonore e kulturore të shqiptarëve dhe ja bëri të ditur të gjithë Europës, dhe askush si tjetër njeri. Ajo ishte intelektuale, publiçiste, diplomate, studiuese, albanologe, që mori informacione konkrete dhe shkroi e botoi për doket, zakonet, jetën dhe historinë e shqiptarëve. Me nderime për Mis Durhanin, për veprën e saj, shqiptarët ndihen krenarë për miken e tyre të pazëvendësueshme, analizon autorja.

Gruaja smokthinjote në LANÇ është një syth i veçantë, por konkret dhe me fakte tregohen përpjekjet e gruas fshatare në luftë. Ishin mbi 250 gra dhe vajza smokthinjote që u përfshinë në luftë, që dhanë kontribut në ndihmë të partizanëve, ndihmuan në prapavijë, por dhe u rreshtuan në çeta, batalione e brigade sulmuese. Ranë në luftë nga Smokthina Heroina e Popullit Qeriba Derri, partizania Rakibe Dervishaj, si dhe u masakruan e tani janë dëshmore të Atdheut: Sartë Gabaj, Male Kokallaj, Hajdine Zogaj dhe Rubie Shyti (Bocaj).

Libri është një prurje e re për gruan shqiptare e cila me fuqinë e saj, ka bërë që zëri i Shqipërisë të dëgjohet në Europë, duke u rreshtuar kraha për krah, e plot dinjitet e merita me burrat. Këto gra dhe qindra të tjera Shqipërisë i kanë rritur dinjitetin dhe kanë bërë që zëri i saj të dëgjohet në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Libri vjen si një pikënisje për gratë që kanë bërë dhe shkruar histori në jetën shqiptare. Në këtë madhështi të gruas shqiptare, Nefize Hoxha vjen si një zë i veçantë dhe me përmasa, që lartëson dhe i jep dinjitet gruas shqiptare, ku fama e saj është dëgjuar dhe në kontinentin Europian dhe më gjerë.

Filed Under: Histori

HISTORIA E ZONJËS SË PARË TË SHQIPËRISË

March 10, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

HISTORIA E ZONJËS SË PARË TË SHQIPËRISË

Nga Evarist Beqiri*

Me rastin e 8 marsit Ditës Ndërkombëtare të Gruas, po përkujtojmë me anë të këtij shkrimi një grua që historia jonë e ka harruar krejtësisht. Ajo është gruaja që i qëndroi në krah Themeluesit të Shqipërisë moderne Ismail Qemal Vlorës, për plotë pesëdhjetë e një vite, si në ditët e bukura ashtu edhe në ato të vështirat.

Më 1864, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Pas vdekjes së bashkëshortes së parë, Ismail Qemali u martua sërish në vitin 1867, me Kleoniqi Surmeli, vajzën e Antonit, një fisniku grek nga krahina e Edërnesë, i cili banonte në Rusçuk, Bullgari. Nëna e saj quhej Anastasia Misirli. Gruaja, me të cilën u dashurua Ismail Qemali, rridhte nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-’95). Kleoniqi Surmeli u lind në qytetin Rusçuk (Ruse), Bullgari, më 15 gusht 1850.

Ismail Qemali, ishte vetëm 23 vjeç, kur u dashurua me këtë zonjushë të re. Ai shërbente asokohe në Ruse, si zyrtar i Perandorisë Osmane. Ndryshimi në besimin fetar ishte bërë pengesë për realizimin e kësaj martese. Ismail Qemal Vlora ishte një djalë i ri tepër i hijshëm asokohe. Ai vinte nga dera e madhe shqiptare e Vlorajve. Natyrshëm joshet nga një vajzë e bukur, që e ka parë në pazar. Por, njerka e vajzës e kundërshtonte me ngulm këtë bashkim. Prandaj, një natë, Ismail Qemali me mirëkuptimin e vajzës dhe pëlqimin e heshtur të të atit të saj, e rrëmbeu vajzën. 

Në vijim, Ismail Qemali thirri dëshmitarët në shtëpinë e tij dhe nënshkroi “kontratën e martesës” në prani të dëshmitarëve, njëri prej të cilëve konsulli belg. Akti i martesës ishte hartuar në mënyrë të tillë që e përjashtonte përgjithmonë çdo mundësi për një martesë të dytë nga ana e bashkëshortit. Ky akt fisnik i Ismail Qemal Vlorës, ishte prova më sublime e dashurisë së tij të vërtetë.

Martesa e Ismail Qemalit me gjithë bujën që kishte shkaktuar, i dha atij prova simpatie nga ana e miqve të tij. Martesa me Kleoniqi Surmelin i dha Ismail Qemalit qetësinë dhe lumturinë e duhur. Nga kjo martesë ai pati 10 fëmijë, gjashtë djem: Mahmud bej Vlora (1871 – 1920), Tahir bej Vlora (1875 – 1932), Et’hem bej Vlora (1885 – 1937), Xhevdet bej Vlora (1888 – 1910), Qazim bej Vlora (1893 – 1953), Qamil bej Vlora (1895 – 1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873 – 1954), Alije (xx – 1955), Ylvije (xx – 1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.

Beqir Velo Kanina sjell një dëshmi origjinale pak pas Shpalljes së Pavarësisë: “Kur u kthyem në Vlorë, më thirri Smail beu një mbrëmje me Ali Dautin e më tha, të shoqëroja zonjën e tij Kleoniqi dhe gruan e Pashko Vasës me dy djemtë e saj, për të pjekur në Kaninë Isa Boletinin. Hera e parë dhe e fundit që u poqa me znj. Kleoniqi. Në bisedë me të në Kaninë mësova se ishte e mbesa e Kapedan Siqeca nga arvanitasit e Sulit. Ajo qëndroi veç pak muaj në Vlorë. Ajo fliste një shqipe të kulluar, që e kishte edhe gjuhën e nënës.”

Me krijimin e familjes dhe martesën me një femër të një kombësie dhe feje tjetër, Ismail Qemali shfaq sërish konceptet e tij përparimtare. Për Ismail Qemalin, në themel të institucionit të martesës qëndronte dashuria e çiltër dhe e dëlirë midis bashkëshortëve. Ai e sfidoi mjedisin e prapambetur, i cili e kundërshtonte martesën midis të krishterëve dhe myslimanëve. Ky veprim i Ismail Qemalit ishte shumë i guximshëm për kohën. Ai tregon se, Ismail Qemali ishte zhveshur nga çfarëdolloj paragjykimi, fanatizmi dhe mungesa e tolerancës. Historia e martesës së tij të pazakontë, shumë kohë përpara se ai të bëhej i njohur, u shfrytëzua më pas prej shtypit të kohës për të hedhur baltë mbi atë vetë, e natyrisht mbi shtetin e porsathemeluar.

Zgjedhja e bashkëshortes është një moment i rëndësishëm për jetën e çdo njeriu dhe në veçanti të një lideri. Ajo është zgjedhje intime, personale dhe private, por që ka shumë ndikim në jetën publike, pasi, siç thuhet shpesh, “pas çdo burri të madh, qëndron një grua madhështore” dhe “madhështia e një burri matet me madhësinë e bibliotekës dhe vlerat e gruas së tij.”. Kjo përzgjedhje është vendimtare për ecurinë e karrierës së mëtejshme të liderit. 

Nënvleftësimi i këtij momenti mund të ketë pasoja shumë negative për të ardhmen tuaj si lider, ashtu si edhe vlerësimi dhe përzgjedhja e duhur mund t’ju sjellë shumë avantazhe. Historia ka plot shembuj grash, të cilat jo vetëm e kanë kryer me sukses rolin e bashkëshortes, por kanë shërbyer edhe si këshilltaret më të mira të liderëve. Vlen të përmendim këtu rastet e bashkëshorteve të Uinston Çurçillit, Xhon F. Kenedit, Bill Klintonit, Barak Obamës, Volodymyr Zelensky etj.

Martesa mund të rrisë ndjeshëm efektivitetin e një lideri duke ofruar mbështetje, vizion të përbashkët dhe një ekuilibër të shëndetshëm midis jetës personale dhe profesionale. Një partneritet i fortë mund të kontribuojë në suksesin e një lideri dhe në përmbushjen e misionit të tij. Martesa e Ismail Qemalit dhe Kleoniqi Surmelit ndikoi si në jetën e tij personale ashtu edhe në udhëtimin e tij politik, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare në udhëheqësi. Partneriteti i tyre mishëroi angazhimin e përbashkët ndaj idealeve të pavarësisë dhe unitetit kombëtar. Më 5 mars 1918, në moshën 68-vjeçare, pas një jete me plotë sakrifica në krah të bashkëshortit të saj, Kleoniqi Surmeli do t’i mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë në Rue Tonduti de l’Escarene 26, Nicë, Francë, ku edhe prehet. Sot, po publikojmë për herë të parë edhe dokumentin zyrtar të vdekjes së saj në Nicë.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). Falenderojmë Darling Ismail Vlorën dhe Qamil Ismail Vlorën (stërnipat e Ismail Qemal Vlorës) për vendosjen në dispozicion të dokumentit.

C:\Users\user\Desktop\ISMAIL QEMAL VLORA\ISMAIL QEMALI FOTO ARTIKUJ\AKTI I VDEKJES KLEONIKI SURMELI VLORA.jpg

Akti i Vdekjes së Kleoniqi Surmeli Vlora, Nicë, Francë, më 5 Mars 1918.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT