• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kultizimi i Janullatosit në afreskun e ri ikonografik

September 13, 2015 by dgreca

E vërteta rreth afreskut: “I zbrituri nga qielli, Kryepeshkopi Anastas”/

Nga Arben LLALLA/Historian/

Pas denoncimit tim, ku në afreskun e ri ikonografik tek kishëza e katedrales ortodokse të Tiranës paraqitet kryepeshkopi Anastasios tek zbret nga qielli si Jezu Krishti, funksionarët e KOASH-it ia mbuluan me copë të bardhë fytyrën kryepeshkopit të ikonizuar në murin e brenda kishës…

I mbuluan fytyrën për të mbuluar të pabërën, flagrancën e madhe në historinë e Ortodoksisë: vetkultizimin e Janullatosit!

Në një vend me mendësi kryesisht materialiste, Kryepeshkopi zëvendëson Krishtin në mendjen e besimtarëve, duke imituar pozitën gjysmë-hyjnore e gjysmë-njerëzore të Zotit Perëndi: Ai zbret nga  qielli mbi një pejsazh ngrehinash në trajtë qyteze-kompleks, për t’i dhuruar një fëmije kullën-kambanore, duke i vënë kështu “vulën” misionit të tij në Shqipëri.

Por skandali është vetëm në fillesat e tij dhe ka nisur të shqetësojë besimtarë të KOASH-it, si dhe klerikë e laikë të cilët ndihen të zhgënjyer nga një kapërcim i tillë befasues e tronditës.

Tre përfaqësuesit e KOASH-it u kapën në një siklet të madh teksa u shtrënguan të flisnin mbi këtë temë gjatë një emisioni televiziv para disa ditësh. Edhe pse funksionarë të lartë, ata nuk e përfaqësuan denjësisht Kishën, ndërsa tre të ftuarit e tjerë folën me fakte e profesionalizëm. 

Ngërçi ishte aq i madh sa ata u shtrënguan të gënjejnë, se afresku-skandal “nuk është në kishë, por në një kishëz,” dhe prandaj lejohet pikturimi “në një stil më të lirë.”

Këtu, përveç flagrancës dhe pranimit indirekt të mbrapshtisë, kemi mashtrime të mëdha e rrëshqitje të rrezikshme nga besimi ortodoks, nga të cilat do të cekim këtu disa:  

E para, në të njëjtin emision funksionarët e lartë të KOASH-it argumentuan se kisha e Dhërmiut, edhe pse kishëz, është Kishë në çdo pikëpamje, njësoj si çdo kishë tjetër ortodokse. Si ka mundësi, atëherë, që në rastin e afreskut, atje ku madje ndërtimet dhe pikturimet janë bërë më se të planifikuara e të parashikuara një herë e përgjithmonë, kisha në fjalë nuk është Kishë?

Kjo është shkelje e koncepteve themelore të besimit ortodoks. Historia kishtare ka shembuj të panumërt klerikësh, e madje shenjtorësh, të cilët kanë meshuar gjithë jetën në një kishëz, dhe jo në kisha të mëdha e katedrale. Madje dhe sot në Malin e Shenjtë e gjetkë në Greqi, ka klerikë të veçuar në vëllazëri të vogla të cilët kanë kishëza shumë më të vogla se ajo për të cilën mashtrojnë funksionarët e lartë të KOASH-it. A kanë të drejtë priftërinjtë dhe murgjit në fjalë të bëjnë portrete e karikatura nëpër muret e tempullit sepse “nuk është kishë, por kishëz?”   

E dyta, përfaqësuesit ortodoksë thanë se këtë afresk të Janullatosit “e ka bërë një piktor shumë i njohur.” Domethënë justifikohet shkelja kishtare me motive shekullare, e për hir të madhështisë njerëzore? Apo përdoret si pretekst për të shtirë mahnitje ndaj artistit, që të heshtë teologjia e të kapërcehet kriza që i ka kapur sot? Manipulim, madje me gjysmë çmimi… 
Ju lutem, na thoni emrin e piktorit, që të dimë se fshehja e emrit nuk është pjesë e problemit.

E treta. Peshkopi i KOASH-it, kryesori i treshes, tha se në afresket e reja kishtare “ka dhe persona jo realë”. Duke thënë se ka persona jo realë, i shtohet faj shkaktarit, i cili ka zgjedhur vetëm Veten e Tij…

Ku janë personat realë të Ortodoksisë Shqiptare në Kryekishën Ortodokse të Shqipërisë? Si e varrosët kaq shpejt Historinë? Ku janë tiparet e kishës lokale në këto dëshmi te reja?

Kur Kryepeshkopi guxon të imponojë veten e tij (të rënë) ne sfondin historik dhe spiritual të kishës lokale, ky është sakrilegj jo vetëm ndaj besimit ortodoks, por dhe ndaj dëshmorëve e martirëve të kishës vendore, të cilët dëshmuan besimin e tyre duke u përndjekur e persekutuar nëpër burgje e internime.

Ku janë të shenjtët Kostandin Kristoforidhi dhe Petro Luarasi? Ku janë etërit e ortodoksisë shqiptare, Theofan Noli, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi, e të tjerë?

Nëse ata nuk mund të ikonografohen, a pikturohen, sipas përfaqësuesve të KOASH-it, në një kohë që të gjithë janë të vdekur, me çfarë logjike mund të lejohet kjo për kryepeshkopin e gjallë e despot te KOASH-it sot?

E katërta, përfaqësuesit e KOASH-it thanë se është në traditën e ortodoksisë që ai që dhuron paratë për ngritjen e kishës të paraqitet si ndërtues (ktitor). Madje peshkopi i bisedës na solli një shembull nga “afresku më i mirë në botë” (?!), për perandorët që ikonizoheshin tok me patrikët a kryepeshkopët.

Nëse kryepeshkopi sillet e mendon si Perandor në Shqipëri, është temë më vete, por në rastin në fjalë Kryepeshkopi as është dhuruesi i kishës, sepse paratë janë dhënë për Kishën e jo për Janullatosin, dhe as paraqitet në afresk i përulur para Krishtit a para ndonjë shenjtori, siç ka ndodhur kjo në ikonografinë ortodokse, edhe pse shumë rrallë.

Kjo është një çështje të cilën mund ta rrahim më imtësisht më vete. Mund të themi shkurtimisht, se afresket e ktitorëve kanë disa veçori. Për shembull, ktitori nuk paraqitet i vetëm, qoftë dhe Perandor, edhe nëse i ka dhënë të gjitha fondet për ndërtimin e kishës i vetëm.

Zakonisht pozicioni klasik është që i portretizuari paraqitet me tipare njerëzore, ndryshe nga shenjtorët, dhe paraqitet me përulësi të dukshme; për shembull, duke mbajtur një maket apo projektin e kishës në dorë në drejtim të Krishtit apo të një shenjtori. Rëndom afreske të tilla janë jashtë kishës së brendshme, tek narteksi në hyrje.  

Ndërsa në rastin e kishës së katedrales ortodokse në Tiranë kemi të kundërtën: Kryepeshkop Anastasi zbret së larti i vetëm, në një pamje-vegim, madje duke ia hequr trupit të vet disa gjymtyrë, për ta bërë më të justifikueshëm e plotësisht të pranueshëm (Anatomia e afreskut mund të jetë shkrim më vete).

Filed Under: Histori Tagged With: afreskun e ri, arben llalla, ikonografik, Kultizimi i Janullatosit në

TË NJOHIM ATDHETARIN FEJZO LEPENICA

September 13, 2015 by dgreca

Sapo ka dalë në qarkullim vepra e 15 e studjuesit të njohur Enver Memishaj “Fejzo Lepenica, jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”/

Nga Flori Sllatina/

Fejzo Lepenica është në radhën e shumë autorëve atdhetarë, të njohur dhe të pa njohur, me në krye Mid`hat Frashërin e Musa Demin, që pasqyruan në shtypin e kohës shkeljen haptazi të të drejtave të njeriut në Çamëri; ata denoncuan dhunën, terrorin, krimin, internimet dhe burgosjet e vazhdueshme të popullsisë martire të Çamërisë me qëllim që ta zbraznin për interesa të Greqisë tokën shqiptare ku jetonte kjo popullsi.

Fejzo Lepenica, që në vitin 1925, kur sapo kishte mbritur në Janinë si emgirant, u lidh me qarqet patriotike të Çamërisë për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame. Aktiviteti i tij përkon me periudhën historike kur në verën e vitit 1926 u rrëzua kryeministri grek me origjinë shqiptare, i cili ishte treguar dashamirës me popullsinë çame dhe qeverinë shqiptare të Tiranës. Në fuqi erdhi gjenerali Kondili, në këtë situatë të re Greqia nisi një kryqëzatë tjetër, një genocid, për të detyruar shqiptarët e Çamërisë të largohen nga trojet e tyre autoktone për në Turqi.                            Në këto rrethana historike hyn në historinë e Çamërisë Fejzo Lepenica në mbrojtjen e të drejtave të çamërve, denoncimin me forcë të akteve të dhunës ndaj popullsisë civile. Patriotët e Çamërisë nuk u mposhtën. Ata filluan rezistencën ndërmjet të tjerave me artikuj në gazeta dhe peticione.

Ndër ata që shkruanin dhe botonin artikujt e tyre hyn edhe Fejzo Lepenica.Me shkrimet e tij ai bëhet autor i pjesës më të rëndësishme të historisë së Çamërisë. Artikujt e tij përshkrohen fund e krye nga dashuria dhe përkushtimi atdhetar për mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar, sidomos atij të Çamërisë që vuan nën shtypjen, dhunën dhe terrorin e Greqisë.                                                                                                                            Artikujt shprehin kulturën e tij të gjerë për kohën. Në tërësi ai ka shkruar mbi bazën e fakteve të pakundërshtueshme duke iu dhënë artikujve një  përmbajtje prej dijetari.                                                                                               *        *       *                                                                                                                                                    Po shkëpusim nga libri dhe po botojmë më poshtë, një artikull të tij, të vitit 1928, të nënshkruar me pseudonimin e tij: Krivova.

                                                 GARDHIQI DHE DHRAGOMIA

Prevezë, prill 1928. Shqiptarët e Çamërisë heqin me heshtje në zverkun e tyre gjithë paudhësitë greke dhe padrejtesitë e këtyre. Me heshtje, them jo se s’ndihen, por se nuk iu dëgjohet zëri, s’bën asnjë efekt në veshët dhe në zemrat e atyre që kanë për barrë mbrojtjen.

Ankimet e çamërve mbeten zëra të thatë që s’gjejnë përgjigjet e dëshiruara, ato të cilat u janë mohuar me kohë: mbrojtjen e shqiptarëve të lirë.

Një nga më të parat armë që shkaktojnë mjerimin e tyre është grabitja e pasurive: ajo që sjell sëmundjen më të vështirë: urinë. Pasuritë e çamërve kanë shkuar nën zotnimin e refugjatëve me urdhëra të qeverisë.

Kjo është gjendja përgjithësisht në Çamëri, por këtu do kufizohemi të tregojmë vetëm atë të katundeve Gardhiq e Dhragomi.

Pas luftës turko-greke të Azisë së Vogël, lindi shkëmbimi i popullsive ndërmjet dy shteteve në fjalë.

Grekërit, duke përfituar nga ky rast, ngulën këmbë të përzinin dhe çamërit shqiptarë. E para masë që mori qeveria greke qe sekuestrimi i pasurive të patundura, si shtëpi, toka, ullinj etj., të banuesve të katundeve Gardhiq e Dhragomi, në të cilat pasuri u vendosën refugjatet. Fëmijët [Familjet] shqiptarë, pronarët e vërtetë të pasurive, u përplasën në rrugë, në mëshirën e fatit.

Per t’i zbuar nga vatrat e tyre për në Turqinë e huaj, kundër çamërve autoritetet greke, në bashkëpunim me të arratisurit kriminelë, përdoruan mjetet edhe mënyrat më barbare.

Në pranverën e 1926 Lidhja e Kombeve vendosi njohjen e tyre si shqiptarë dhe për konseguencë, të përjashtuar nga shkëmbimi.

U përjashtuan nga shkëmbimi, por jo nga fati në të cilin i ka shtirë Greqia e njerëzuar (siç) qysh në vitin 1923, në të cilin vazhdojnë akoma.

Foshnjat e pafajshme vdesin rrugëve nga uria dhe mbarojnë me këtë fjalë në gojë “buke”, mungesa e së cilës i dërgon t’i shtrojnë krahët dheut të ftohtë. Autoritetet greke tallen me kufomat e tyre dhe duke fërkuar duart, thonë me gaz: “plotësuam një detyrë patriotike”!

Ankohen në Lidhjen e Kombevet dhe z. Colban-i u përgjigjet: “E mora letrën tuaj, pritni të falat….”!

Është sistemi monoton i Seksionit të Minoriteteve pranë Lidhjes së Kombeve, që ka për barrë të mbrojë të drejtat e pakicave?! Po, për fat të keq!

Në kohën kur Kryqi i Kuq Shqiptar vrapon t’u ndihmojë me bukë për të mbajtur shpirtin, Qeveria greke refuzon të lejojë një ndihmë të tillë njerëzore, jo për gjë tjetër, por për të vetmen arsye, që mos t’i dalin në shesh të palarat!

Është detyrë e Kryqit të Kuq Shqiptar që me menyrë të tij, t’ia njoftojë gjendjen e Çamërisë, veçanërisht të katundeve më fatkeqe, qendrës ndërkombëtare, që ta hetojë vetë nga afër për të konstatuar të vërtetën. Aq më tepër është detyra e qeverisë shqiptare dhe e gjithë popullit shqiptar që vëllezerit e tyrë çamër, të mos i lënë të bëhen viktimat e barbarizmës greke.

E dimë se zëri ynë do të mbetet pa efekt, nuk do të gjejë përgjigje dhe se të gjitha apelet e shtypit kombëtar kanë mbetur si të tundurat monotone të një ore, por koha tepër e vlefshme nuk blihet dot më, po kaloi. Shpirtrat s’ngjallen po vdiqën dhe kështu Çamëria shqiptare shuhet, zhduket të pakën për shqiptarët. Duhet të mos i shtrohemi gjumit të shkaktuar nga buka me egjër se na dëmton keqazi trupin!

KRIVOVA

Gazeta “Demokratia”, Gjirokastër, nr.151, dt. 14. 4.1928, f. 1.

Filed Under: Histori Tagged With: ATDHETARIN, Enver Lepenica, FEJZO LEPENICA, Flori Sllatina, TË NJOHIM

Basha: Azem Hajdari është gjallë, sepse e gjallë është kurajo e tij

September 12, 2015 by dgreca

TIRANË, 12 Shtator – Partia Demokratike ka përkujtuar sot 17 vjetorin e vrasjes së liderit të dhjetorit, Azem Hajdari.Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  në një prononcim për mediat para memorialit të Azem Hajdarit,  u shpreh se “sot ne nderojmë martirin e demokracisë, liderin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, njeriun që vrau frikën dhe me frikën e hedhur tok, shpërndau kurajon e njërëzve të lirë nga Jugu në Veri”.

“Diktatura nuk ia fali kurrë Azem Hajdarit, përmbysjen e madhe dhe të parikthyeshme, kthimin e lirisë së qytetarit në themel të një shoqërie, mposhtjen e frikës, ekzaltimtimit të kurajos qytetare. Ndaj krimi i lidhur me pushtetin, shkuli Azem Hajdarin nga gjiri i demokratëve dhe i qytetarëve të lirë me 12 shtator 1998, por nuk e shkuli nga mirënjohja e demokrateve, mirënjohja e një kombi të tërë, nga nderimi i veprës së tij të pa vdekshme”, tha Basha.

_MG_9224Basha u shpreh se “Azem Hajdari është gjallë, sepse e gjallë është kurajo, vendosmëria e tij, për të mos lëshuar liritë e fituara në dhjetorin e vitit 1990-të. Azem Hajdari është gjallë, sepse e gjallë është forca kreshnike e tij në Partinë Demokratike për t’u prirë edhe një herë dhe për ta mposhtur krimin e lidhur me pushtetin dhe pushtetin e bërë njësh me krimin”.

_MG_9268Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të krijimit te kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998, si dhe Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes ne Kuvend. /Kortezi ATSH f.n/

***

Kush ishte Azem Hajdari/

Lindi më 11 mars 1963
Ishte i martuar, me tre fëmijë: Kiriadi, Rudina dhe Azemi i vogël
1993- Mbaroi studimet ne degën filozofi në Universitetin e Tiranës
1995- Diplomohet në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Tiranës
1993-1994, Studion gjuhën angleze dhe për filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
1996 – Diplomohet në studimet e Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Gramish të Gjermanisë, në Universitetet e Organizuara nga Organizata e Atlantikut të Veriut
Aktiviteti Politik
Dhjetor 1990-shkurt 1991, Udhëheqës i Lëvizjes Studentore që shembën diktaturën komuniste në Shqipëri
Kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike Shqiptare, partia e parë opozitare pas 50 vjet diktaturë
1991-1993 Zv/kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe anëtar i Kryesisë së saj.
31 mars 1991, deputet i PDSH për Shkodrën
22 mars 1992, deputet i PDSH për Shijakun
26 maj 1996, deputet i PDSH për Bulqizën
29 qershor 1997, deputet i PDSH për Tropojën.
1992-1996, Kryetar i Komisionit parlamentar për Rendin Publik dhe SHIK
Qershor 1997, Kryetar i Komisionit parlamentar për Mbrojtjen Kombëtare
Prej vitit 1995 deri 1998, President i Klubit të Futbollit Vllaznia të Shkodrës
President i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale shqiptare
1990-1998
I bëhen 5 antentate, prej të cilëve dy spektakolare në Selinë e Parlamentit shqiptar në shtator të vitit ‘97, dhe antentatit në Tropojë në qershor të vitit ‘98
12 shtator 1998, Azem Hajdari vritet nga njerëz me uniformë policie përpara selisë së Partisë Demokratike
Pesë atentatet e bandave të së majtës ndaj heroit të demokracisë

Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë, kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se, do të vritej njeriu me xhupin e zi. Që nga Lëvizja Studentore e deri më 12 shtator 1998, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale. Mjafton të kujtojmë vetëm faktin, që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ‘92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek rruga e “Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër, veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas pesë atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.
Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.
Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.
Më 18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdorën deputetin socialist Gafurr Mazreku, Azemi goditet për vdekje me 5 plumba në Kuvend.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, duke qëlluar me breshëri plumbash në makinën e tij, ku përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Qindra plumba derdhen nga armët e zjarrit mbi makinën e tij. Ai njoftoi qendrën, por nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet. Azemi i shpëton një prite ku dhjetëra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet deputetin Azem Hajdari dhe grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.
Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetëra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.
Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje.
I pashpjegueshëm qe fakti se, edhe pas vrasjes së heroit të demokracisë, nuk u ngrit asnjë postbllok në të gjithë Shqipërinë. Lajmi për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e shekullit”.

Filed Under: Histori Tagged With: Azem hajdari eshte gjalle, Lulzim Basha

Fjalimi i Aleksandërit të Madh

September 12, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Në vitin 356 para Krishtit, në një mbrëmje korriku, në qytetin Pella të Maqedonisë, u lind një foshnjë, që njëzet e dy vjet më vonë, do të pushtonte Azinë dhe do të shkatërronte shtetin e pafund, të pasur dhe të plotfuqishëm të Persianëve. Kjo foshnjë ishte Aleksandri i Madh.Kjo datë ka mbetur e fiksuar sepse atë natë u dogj tempulli i njohur i perëndeshës Diana të Efesianëve. Plutarku shkruante se, të gjitha falltaret e Efesit, pasi vështruan rrënojat e tempullit, rendën nëpër rrugë duke thirrur:…”ky ishte sinjali i lindjes së atij që do të shkatërronte të gjithë Azinë”.I njohur ndër Shqiptarët si Leka i Madh, Aleksandri ka qenë biri i mbretit Filip II i Maqedonisë dhe i gruas së tij të katërt, princeshës epirote – Olimpisë., e cila konsiderohet si njëra ndër gratë më të shquara të Antikitetit. Në vitet 331-317, në kohën kur erdhi në fron një kushëri i saj, Aikidi, Olimpia u bë bashkësunduese me të në fronin e Epirit.
Sipas Xenophonit ,ne fillim te shek IV prKr ,Pella  ishte qyteti më i madh i Maqedonisë.
Ky vend shumë i njohur ne shek e 19-të ishte eksplotuar nga Holand, Pouqueville, Beaujour, Cousinéry, Delacoulonche, Hahn, Glotz dhe  Struck , bazuar në shkrimete e përshkrimetee e Titus Livius-it. Gropimet e para hulumtuese u bënë nga G. Oikonomos në 1914–15.Kurse që nga viti 1953 , këtu bëhen hulumtime të vazhdueshme , sepse bëhet fjalë për një qytet shumë të madh…
Në vitin 2006 , rastësisht u gjet një varr shumë i madh , më i madhi i gjetur në Greqi. Flitej për një familje të lartë të varrosur aty. Por , unë do të flas për një zbulim që na flet John Chika në librin e tij:
“Fillimet e Aleksandrit “ ku shpjegon se nga gjetjet e rëndësishme , më e rëndësishmja ishte gjetja e një fjalimi të Aleksandërit të Madh…Dokumenti dhe dokumentet tjera ishin të shkruara në Thrako-Ilirishte,Në kohën e gjetjes ,  të gjithë fotografë dhe gazetarët u larguan nga vend ii hulumtimit. askush nuk ishte në gjendje të bente zbërthimin e letrës. përveç një profesori të Universitetit të Vjenës. Informatat përkundër ndalesës  së fortë qeveritare greke , ato rrjedhën.
Dokumenti zbulon premtimin “ Bessa- Bessa “ të mbajtur në mes Klitos, i biri i Mbretit të Ilirisë Bardhylit dhe Aleksandrit të Madh që trupat ushtarake ilire do ti bashkohen ushtrisë së Aleksandrit të Madh kundër persëve. Në të njetën kohë ky ishte pajtimi i madh  në mes tyre , pas një zënkeje të gjatë.

Fjalimi ishte mbajtur nga Mbreti Aleksandër në Pallatin e qytetit në Molossia.
Në kë asamble ishte ftuar Mbrei Klitos të shërbejnë së bashku, dhe kështu gjenerali dhe Aleksandri i shtrënguan duart e djathta pasi e pranuan premtimin e dhënë

Fjalimi i Aleksandrit ishte Ky: “ Nevet jemi nga. Nje ate prej njemex Illyria, Thraco Malesi dhe Maqedonia. Kemi nje gjak nje gjuhe. Ndryshojme jo shume ne petka. Illyrianet veshin ne krahe lekure te deles dhe nevet veshim burro kappa prej leshit te dhivet. Me Besa- Besë , qe tani e bëmë Gjeneralin Klito; dhe me ndihmen e trimeve Illyrian , Malesore dhe Maqedonasit,shiguroj , darmimin,armikut,persiaan. kete here  do te mundim te hapim ndryten quteterore tere botes qe jane ne erresire “
Fjalimi mbetet ende të vërtetohet , nëse mundet. Tani për tani e kemi vetëm kë shkrim të John Çikas i lindur me 12 Prill 1893 në Borsh të Kurveleshit,  Libri është i shkruar në vitin 1958 në SHBA..

Referencat

Shefki Ollomani:ALEKSANDRI I MADH I MAQEDONISË – LEKA
John Chika- Fillimet e Aleksandrit
Historic sites in Greece Alexander the Great Sites Roman Ruins Ancient Greek Ruins Ancient Cities
11,09,15, Gjakovë

Filed Under: Histori Tagged With: Fahri Xharra, Fjalimi i Aleksandrit te Madh

11 Shtatori, 14 vjet me pas

September 11, 2015 by dgreca

Sot mbushen 14 vjet të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA/

Rreth 3 mijë veta humbën jetën në New York, Washington dhe Shanksville në sulmet terroriste të vitit 2001/E premtja shënon 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Tubime përkujtimore janë planifikuar gjithandej vendit për të përkujtuar ditën kur katër avionë kryen sulme vetëvrasëse në Shtetet e Bashkuara.  Dy nga avionët u përplasën në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, një u përplas në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në fushat e Shanksvillit në Pennsylvania, para se të arrijë në cakun e synuar në Washington.

Presidenti Barack Obama me bashkëshorten dhe personelin e Shtëpisë së Bardhë, do të marrë pjesë në një minutë heshtjeje në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë. Pasdite, presidenti do të marrë pjesë në një takim në bashkinë e Fort Meade afër Washingtonit, për të biseduar me pjesëtarët e forcave të armatosura që ndihmojnë për të mbajtur venin të sigurt.

Që pas sulmit të kryer 14 vjet më parë, Muzeu 11 shtatori është ngritur në vendin ku ishte Qendra Botërore e Tregtisë, në të cilin ndodhen artefaktet dhe fotografitë që lidhën me sulmin.

Në Pentagon, të 184 personat e vrarë me 11 shtator do të nderohen me 184 karrige të vendosura mbi pishinë.

Në Pennsylvania, është ngritur Qendra Përkujtimore Fluturimi 93, në nderim të pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të cilët ju kundërvunë rrëmbyesve.Rreth 3 mijë veta humbën jetën në New York, Washington dhe Shanksville në sulmet terroriste të vitit 2001.(Kortezi-VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 14 vjet, pas 11 shtatorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 491
  • 492
  • 493
  • 494
  • 495
  • …
  • 698
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT