* Drejtonte një Union Islamik, por jam i sigurt se islami ishte gjëja që i interesonte pak për të mos thënë aspak. Thjeshtë, kjo kishte qenë mënyra më e mirë për t’i siguruar një jetë komode në atdheun e tij të dytë./
*… Dyshoj se e kishte njohur Enver Hoxhën dhe as besoj se i kishte nisur një kartolinë, siç mburrej ku i kishte shkruajtur: Ti je një gjysmë evgjit. Dhe e kishte postuar me adresën: Enver Hoxha, Kryetar i Shtetit, Tiranë – Shqipëri./
* Ai shkoi në Triste. Takoi Fatos Nanon që përfaqësonte PS-në dhe Sali Berishën e Aleksandër Meksin e PD-së. I ftoi të gjithë për darkë, një darkë misterioze në dukje, por që padyshim ka qenë shumë e thjeshtë. Një tentativë e tij e fundit për të marrë ndoshta atë që ëndërronte atë ditë: Presidentin e Shqipërisë./
NGA BLENDI FEVZIU*/
E paharrueshme dhe që nuk kam nevojë ta shënoj askund për ta rikujtuar me saktësi. Që prej 15 vjetësh nuk kam shkelur më kurrë atje, kam harruar numrin e urbanit që merrja në Termini për të arritur, emrin e stacionit ku ndaloja e madje edhe pjesën e Romës ku është vendosur, por jam i sigurt se njeriun që më priste aty nuk do ta harroj asnjëherë. Quhej Mentor Çoku, ishte diku në prag të të 80–tave kur e njoha dhe kam bindjen se si një personazh i famshëm i Graham Grinit tek Komendianët, asnjëherë, askund në jetë, askush nuk e ka kuptuar se çfarë ishte me saktësi.
E njoha në një ditë dhe në rrethana krejt të veçanta në 1 Prill 1991! Kisha mbërritur në Romë dy ditë më parë bashkë me Armand Shkullakun si dy gazetarë të rinj të gazetës së opozitës, ende studentë dhe po atë ditë Shqipëria mbante zgjedhjet e para të lira në historinë e saj. Zgjedhjet e 31 Marsit. Ishim vërtitur nëpër qytetin e panjohur me entuziazmin e udhëtimit të parë jashtë Shqipërie në moshën 22-vjeçare dhe me shqetësimin e asaj që ndodhte tek ne; kishim shpresuar gjatë në fitoren e opozitës, edhe pse thellë-thellë e dinim se rezultati pak rëndësi kishte për ne. Shqipëria kishte hyrë në rrugën e transformimit dhe kjo ishte tashmë e vetmja gjë që nuk kthehej më mbrapsht. Kishte kaluar nata e parë, magjepsja e qytetit dhe ideja që ndodheshim këtu dhe mbeteshim tashmë në pritje të asaj tjetrës, rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri. Në fakt, Perëndimi nuk kishte qenë aq mikpritës për ne në takimin e parë me të. Kishim fjetur një natë të tërë jashtë, rrugëve të Vatikanit dhe mëngjesin e datës 1 Prill, në pritje të rezultateve të votimit, telefonuam të vetmin numër me prefiks të Romës që kisha me vete, atë të Mentor Çokut. Nuk e dija ç‘ishte, ç‘moshë kishte dhe me se merrej. Një ditë përpara ikjes, Shpëtim Nazarko, shefi i informacionit i PD më kishte dhënë me lehtësi, duke më thënë se dukej në moshë, se kishte telefonuar disa herë në selinë e PD dhe se kishte pyetur se me se mund të na ndihmonte nëse kishim nevojë. Në fakt, nevojat tona qenë aq të mëdha në atë kohë, por aq të papërfillshme karshi entuziazmit që bartnim, me idenë se komunizmin po e linim pas dhe se në betejën finale me të, koha na kishte dhënë të drejtë.
I telefonova nga një kabinë pranë “Shën Pjetrit” dhe ai m’u përgjigj i gatshëm nga ana tjetër e telefonit. Më shpjegoi se në Shqipëri i kishim humbur zgjedhjet, por se komunistët s’kishin fituar asnjë nga qytetet e mëdha; se Ramiz Alia ishte sfiduar nga një inxhinier i panjohur dhe se kjo ishte një fitore e madhe morale. Më tha se atë ditë ishte pushim, Pashkë, por se ai po na priste në zyrën e tij: Corso Triste 90!
E takuam pak kohë më vonë. Afër të 80–tave, i pashëm, i veshur shik dhe me një qetësi të admirueshme. Fliste ngadalë, me një logjikë të hekurt dhe nuk e di pse më ngjante se ai dinte çdo gjë e gjithçka. Ishte President i Unionit Islamik të Europës Perëndimore, një shoqatë që e kishte krijuar vetë dhe që besoj se i sillte përfitime jo të pakta nga donatorët e pasur arabë, përfshi Libinë. Kishte ndikuar fort në ndërtimin e një xhamie në Romë dhe ruante lidhje perfekte në Vatikan e në politikën italiane.
Në ditë të gjata bisedash me të më tregoi se kishte njohur gjyshin tim, se kishte qenë mik me Enver Hoxhën në Belgjikë në mes të viteve ’30–të dhe se më pas kishte luftuar me nacionalistët kundër komunistëve. Ishte larguar me çetat e fundit në nëntor 1944 dhe qe vendosur në Itali. Kishte qëndruar gjithnjë aty, por fare pak fliste për jetën e tij në Romë. Njihte pothuaj gjithë komunitetin shqiptar të pas luftës, i rralluar tashmë ndjeshëm dhe kishte filluar të vendoste lidhje perfekte me komunitetin e ri. Nuk e di sa i sinqertë ishte në rrëfimet e tij. Më pas kam dyshuar shumë për këto. Pata gjithnjë bindjen edhe pas vdekjes së tij në Prill 1996, se një ditë do të më shfaqej në ëndërr dhe si ai personazhi i famshëm i Graham Grimit do të më thoshte:
Blendi, ti besove seriozisht? Gabim! Por edhe unë nuk të gënjeva. Të thashë ato që besoj edhe vetë, pavarësisht se sa të vërteta janë. Në fund të fundit, a nuk jemi të gjithë nga pak komendianë?
Në fakt, ai duhej të ishte një komedian i përsosur, për të mos thënë brilant. Drejtonte një Union Islamik, por jam i sigurt se islami ishte gjëja që i interesonte pak për të mos thënë aspak. Thjeshtë, kjo kishte qenë mënyra më e mirë për t’i siguruar një jetë komode në atdheun e tij të dytë.
Fliste për beteja dhe ideale, por siç e preka më pas në librat e historisë, pak lidhje kishte pasur me to. Kishte qenë gjithnjë aty, por në periferi të tyre.
Dyshoj se e kishte njohur Enver Hoxhën dhe as besoj se i kishte nisur një kartolinë, siç mburrej ku i kishte shkruajtur: Ti je një gjysmë evgjit. Dhe e kishte postuar me adresën: Enver Hoxha, Kryetar i Shtetit, Tiranë – Shqipëri.
Druaj se nuk kishte bërë asnjë nga këto. Kishte qenë në krahun e nacionalistëve dhe qe larguar nga Shqipëria vërtet në nëntor 1944, duke lënë pas vajzën e vogël disa muajsh që nuk e merrte dot. Kishte qenë relativisht aktiv me emigracionin dhe siç rezultonte nga një studim që shërbimi sekret jugosllav kishte bërë në atë kohë dhe që u botua në vitin 2001, ishte një nga njerëzit besnikë të Xhaferr Devës. Ky vetë e niste shpesh me mision në Turqi, vendet arabe e SHBA dhe nuk përjashtohej mundësia që të kishte punuar një kohë edhe për CIA-n apo për dërgimin e diversantëve në Shqipëri.
Druaj se ai ishte nga ata njerëz për të cilët besohet gjithçka thuhet, edhe pse asnjëherë nuk je i sigurt se çfarë është realisht e vërtetë. Ndaj shumë herë kam besuar se ai mund të ishte edhe një ndërmjetës në tregtinë e naftës me Libinë siç u akuzua, edhe një trafikant armësh siç thoshte një gazetë italiane, edhe një njeri me zemër të madhe që priste refugjatët, e ndoshta edhe një shenjt. Ishte thjeshtë nga ata njerëz që iu besohet gjithçka dhe që sekretin e vërtetë, portretin e tyre real, e marrin me vete nga kjo jetë.
Por të gjitha këto dukeshin tejet të harruara në pranverën e vitit 1991. Në prag të të 80–tave, ai kishte luksin të bëhej dëshmitar i asaj që të tjerët nuk e arritën dot: dështimit të komunizmit, triumfit të bindjes së tij dhe të takonte, pas plot 46 vitesh, vajzën e tij që e kishte lënë fëmijë në Tiranë.
Dukej se kjo e kishte përtëritur fort jetën e tij. Nuk e di nëse mendonte dhe besonte se kjo hapje do të krijonte një mundësi të fundit karriere politike për të. Në biseda të gjata në Romë dhe në Tiranë pata përshtypjen se gjatë vitit 1991 e deri në fitoren përfundimtare të PD-së në Mars 1992, ai kishte një ambicie për të qenë President i vendit. Nuk besoj se këtë e shihte si një lloj përfitimi personal. Besoj se në jetën e tij, ky mund të ishte shpërblimi më i madh që mund t’u jepte gjithë bashkëmoshatarëve dhe gjithë njerëzve që kishin pasur apo vuajtur të njëjtin ideal me të. Ishte një shpërblim që ia jepte që nga Mithat dhe Mehdi Frashërit e deri tek të ikurit e thjeshtë, punëtorë në SHBA, që komunizmi i kishte dënuar me një ekzil 46-vjeçar, për një arsye të vetme, se kishin një ëndërr tjetër dhe nuk e besonin atë. Në këtë vështrim, jam i sigurt se ky ishte misioni më fisnik i jetës së tij. Një mision që nuk e përmbushi kurrë…
Më 1991, ai ishte padyshim njeriu më aktiv i diasporës në raport me Shqipërinë. Zyra e tij ishte gjithnjë plot dhe ai priste me një pasion dhe përkushtim të pashoq dhjetëra emigrantë shqiptarë në ditë. Njerëz të hutuar, plot probleme, që kishinCorso Triste 90! Më duket se ende sot, 17 vjet më pas, ajo mbetet e njëjta adresë e patjetërsueshme lënë pas atdheun për një jetë më të mirë, por plot entuziazëm për atë që i priste më pas. Aty jam përballur me dhjetëra prej tyre dhe jam i sigurt se kudo ndodhen, me çdo lloj statusi, ata e kanë të vështirë ta harrojnë atë emër dhe atë adresë.
Në zyrën e tij punoheshin pothuaj gjithë materialet e rëndësishme që lidheshin me opozitën, vinin e iknin funksionarë të lartë të saj dhe organizoheshin takime me një rëndësi të madhe. Përfshi atë më memorialin prej tyre, Takimin e Triestes. Takimin që dukej se me keqkuptimin e tij mbajti peng për shumë vite politikën shqiptare. Dhe që protagonistët, sa më shumë tentuan ta sqarojnë për boshësinë e tij, aq më shumë u keqkuptuan.
Ndodhi që të isha dëshmitar i paratakimit. Në Janar të 1992 isha në një vizitë në Kuneo të Italisë dhe prej andej udhëtova me tren për Romë. Mentor Çoku më priste në zyrën e tij, mbushur pothuaj gjithnjë me shqiptarë dhe një lloj vendtakimi komun. Shumë gjëra kishin ndryshuar në ato muaj mes nesh. Isha tashmë një nga njerëzit me lidhje të forta në PD dhe punoja prej kohësh me Preç Zogajn, që PD-ja e kishte zgjedhur të drejtonte Ministrinë e Kulturës në Qeverinë e Stabilitetit. Ylli i Zogajt ishte padyshim në majat e tij në atë kohë. Çoku ishte i qetë. Më sqaroi se PS-ja italiane kishte një kongres në Trieste dhe se atje do të merrte pjesë edhe Nano, por se ai kishte insistuar të thirrej edhe Berisha. Ja kishin konfirmuar dhe pritej që ai t’i takonte të dy atje.
– I kam ftuar për darkë, më tha dhe dua që të vish edhe ti. E ndërroj biletën e avionit dhe fluturon që andej.
Refuzova me një justifikim të fortë për kohën, por që më pas më vjen për të qeshur sa herë e kujtoj. Pas dy ditësh në Tiranë zhvillohej konkursi i parë i “Miss Albanias” dhe unë si organizator dhe anëtar jurie duhej të isha aty. Mund edhe të mos kisha qenë, por ndodhi fare thjeshtë kështu. I thashë Mentorit se nuk mundesha dhe të nesërmen u nisa për Tiranë.
Ai shkoi vërtet në Triste. Takoi Fatos Nanon që përfaqësonte PS-në dhe Sali Berishën e Aleksandër Meksin e PD-së. I ftoi të gjithë për darkë, një darkë misterioze në dukje, por që padyshim ka qenë shumë e thjeshtë. Një tentativë e tij e fundit për të marrë ndoshta atë që ëndërronte atë ditë: Presidentin e Shqipërisë. Njohës i mrekullueshëm i rregullave të lojës së perëndimit, në një kohë që ne ende sa po hynim në të, ai kishte vendosur t’ua paraqiste këtë të gjitha palëve njësoj. Atyre që përbënin trashëgimtarët e forcës politike që e kishte ndarë nga vajza dhe e kishte lënë 50 vjet në mërgim dhe atyre që paraqisnin shpresën e tij të madhe për ndryshim.
Nuk e di ekzaktësisht se ç‘ka qenë ajo bisedë. Jam i sigurt se nëse është bërë ose jo, siç pretendojnë të gjithë, ky ka qenë thelbi i atij takimi.
E takova sërish kur ëndrra e tij qe tretur tashmë. Më 28 nëntor 1992 i ftuar zyrtarisht në Tiranë për të marrë pjesë në festimet e 80-vjetorit të Pavarësisë. Rrinte në vilën e vjetër të Mehmet Shehut dhe dukej se nuk ndihej mirë për këtë. Eshtë e keqe më tha, siç dinë t’i bëjnë të gjitha gjërat komunistët. Kur erdha vjet në hotel “Dajti”, edhe pse i vjetër, ishte shumë më mirë.
Nuk e di nëse ishte vërtet kështu apo hotel “Dajti” përfaqësonte një jetë që ai e njihte dhe që rikthimi në Tiranë pas 47 vjetësh ia kishte reduktuar ndjeshëm. Ai kishte gjetur ca gjurmë të Tiranës që kishte lënë, por shumë më tepër nga Tirana e re e komunizmit. Duke nisur që nga njerëzit.
– Do ta keni të vështirë më tha një ditë ndërsa pinim kafe në një kioskë të porsahapur pranë Korpusit të Universitetit. Ky regjim ju ka deformuar njerëzit dhe t’i kthesh ata në drejtimin e duhur nuk është si të kthesh një parlament.
Jeta e gjatë dhe mundi i kishin dhënë një eksperiencë impresionuese. Mbi të gjitha për ne që vinim nga një botë e zbehtë dhe e shuar. Më vonë kam menduar se nëse do ta kisha njohur në një kohë tjetër të jetës sime, do të kisha përfituar shumë prej tij. Por e njoha në një kohë ende të paqartë, kur entuziazmi e mbyste dëshirën për dituri dhe kur besonim me një shpresë thuajse fëminore dhe gjithçka pas kësaj për ne do të ishte një ditë e bardhë. Por gjithsesi, mendoj gjithmonë se jam me fat që e njoha. Shumë vite më pas, jam i bindur se midis modeleve të së djathtës që na ofroheshin, midis simboleve të antikomunizmit, ai ishte padyshim më brilanti. Një i djathtë i vërtetë, me bindje të plota dhe filozofi, siç ende nuk kam njohur një të dytë sot.
Pas 1992–1993 jeta e tij nuk pati ndonjë kulm për t’u shënuar. Erdhi disa herë në Tiranë, krijoi një lidhje të fortë mes sindikatave shqiptare dhe CISL në Itali. Priste këdo që shkonte në Itali nga Shqipëria dhe kam bindjen se ndihej mirë kur shihte se shqiptarët po ingranoheshin në jetën atje. Kjo do të ndodhë lehtësisht më thoshte, se kemi qenë gjithnjë një popull i adoptueshëm kollaj, nuk ngeleshim kurrë në rrugë.
Kur vdiq, diku në prill të 1996, Shqipëria e kish marrë rrugën e saj. Druaj se ai nuk kishte më shumë për të bërë aty, por padyshim që kishte parashikuar shumë nga trazimet e saj të mëvonshme. Televizioni shqiptar dha një lajm të plotë për vdekjen e tij, ndërsa gazetat e përcollën jo pa nderim. Atë ditë, duke biseduar me Arben Imamin për mikun e përbashkët ndjeva dhimbje. Kishte ikur një njeri që kishte shënjuar dhe lidhur fort raportin tim të parë me perëndimin, por në fakt, kishte ikur nga kjo botë edhe njeriu i vetëm që kisha njohur me një filozofi të plotë të një të djathti të vërtetë.
Nuk e di ku prehet dhe asnjëherë nuk jam interesuar më për këtë. Do të doja që varri i tij të ishte në Shqipëri. Në shumë vite mërgimi ai e kishte ëndërruar atë ditë. Nuk ishte bërë kurrë një italian i vërtetë, edhe pse nuk ishte një shqiptar si gjithë ata emigrantë që trokisnin në derën e tij në pranverën e vitit 1991. Kishte mbetur një model i parë dhe i jashtëzakonshëm shqiptari që nuk besoi se kjo botë dhe kjo shoqëri do ta sjellë sërish…
* Takimi i Triestes: Nga e djathta- Aleksander Meksi, Sali Berisha, Mentor Coku dhe Fatos Nano
Masakrat greke mbi myslimanët në përpjekje për aneksimin e Korçës
Nga Vepror Hasani*/
KORÇË- Mëngjesin e 5 dhjetorit 1912, sipas kalendarit allafrënga, ose më 18 dhjetor, sipas kalendarit allaturka, u përhap një lajm i frikshëm: ushtritë greke kishin hyrë në Devoll dhe po vinin drejt Korçës. Ata digjnin, vrisnin dhe shkatërronin gjithçka që gjenin përpara. Divizionet greke udhëhiqeshin nga një kolonel i quajtur Dhamiano. Myslimanët e fshatrave të Devollit u përfshinë nga paniku. Gjithë tmerri do të binte mbi ta. Vendosën t’i linin shtëpitë e tyre e të niseshin drejt Korçës, mbase atje do të ishin më të mbrojtur. Asgjë nuk ishte e sigurtë, por zgjidhje tjetër nuk kishin. Prisnin të binte errësira. Rrëfimet e asaj nate, duke u gdhirë 6/19 dhjetori, janë nga më rrëqethëset. Ata që morën udhët ishin të shumtë. Nuk mundën të merrnin asgjë me vete. E kishin të pamundur. U duhej vetëm të iknin një minutë e më parë. E rëndësishme ishte të mbeteshin gjallë, nuk kërkonin asgjë tjetër më shumë. Me foshnja në krah, me pleq të sëmurë, me fëmijë përdore nxitonin asaj nate të zezë për të mbërritur sa më parë në Korçë. Ishin të sigurtë; kudo që të trokisnin, myslimanët do t’ua hapnin derën. Edhe te ortodoksët mbyllur nuk do ta gjenin portën. Qanin fëmijët e vegjël, lotonin nënat e tyre: “Pusho, bir, edhe pak dhe arritëm”, por rruga dukej sikur nuk kishte të mbaruar. Deri atëherë natë më të frikshme për ta nuk kishte patur.
II
Fatmirësisht arritën të largohen në kohë. Një çast më vonë në fshatrat e tyre mbërritën ushtritë greke; një lukuni egërsirash, të etura për gjak e plaçkitje. Ishin mbledhur gjithë varfanjakët e Greqisë. Mësynin shtëpitë e myslimanëve. Përpiqeshin kush e kush të rrëmbente më shumë. Kolonel Dhamiano ndiqte çdo lëvizje. Priste të merrte pjesën e vet. Pasi kontrollonin dhe shtëpinë e fundit, fshatit i vinin zjarrin. Fshatrat e myslimanëve po shndërroheshin në rrënoja. Pastaj, me të njëjtën egërsi, me urat e zjarrit në dorë, u turrën drejt fshatrave të tjerë. U ndalën në Plasë, në Kuç, në Dishnicë, në Mborje, në Kamenicë e gjetkë, ku nuk lanë gjë pa rrëmbyer. Pasi largoheshin grekët, fshatrat e myslimanëve sulmoheshin nga ortodoksët e vobektë, romët dhe egjiptianët për të marrë edhe ata ndonjë gjë të vogël që mund të kishte mbetur. “Udha e Plasës dhe më të sipërm,- shkruan Petro Harizi, te libri i tij “Historia kronografike e Korçës”, – sikundër edhe udha e Dishnicës gjer në Korçë, nxinte mund të themi, nga njerëz që thamë më sipër, të cilët të ngarkuar vetë ose duke patur ngarkuar kafshët e tyre sillnin lloj-lloj plaçka dhe mobilje të shtëpive që kishin bërë plaçkë: kazanë, tenxhere, pasqyra, tryeza, karreklla si kundër edhe qe, lopë, dhen, dhi, pula, grurë, elb, mjellëra, djathëra, gjalpëra me qype dhe gallanoska silleshin që nga fshatrat e prishura në Korçë”. Një ditë më vonë, mëngjesin e 7/20 dhjetorit 1912 shefi i divizioneve greke, Dhamiano, hyri në Korçë me ushtrinë greke, u shtri deri në afërsi të fshatit Helmës. Divizioni i tretë qëndroi në qytetin e Korçës, ndërsa divizionet e tjera u kthyen në Follorinë.
III
Banorë të Korçës, të rinj dhe pleq, që u ndodhën jashtë qytetit, e pritën miqësisht, pararojën greke, (5 kalorës që udhëhiqeshin nga një oficer), madje duke iu treguar edhe udhët nga duhej të kalonin për të mbërritur në qytetin e Korçës apo nëpër fshatra të tjera ku dëshironin ata. Besonin se grekët po vinin për të festuar me vëllezërit shqiptarë që sapo kishin dalë nga pushtimi turk. Ata ishin një popull i qytetëruar dhe nuk mund të rrinin pa ardhur për të gëzuar bashkë me fqinjët e tyre. Shqiptarët kishin ndihmuar shumë për pavarsinë e Greqisë. Miqësia mes dy popujve duhej të ishte e madhe dhe e përjetshme. Kështu shkruante edhe gazeta “Koha, por jo pa ironi: ”Këtë mëngjes arriti një nga fqinjët ta vizitojë e ta përhirojë atë popull, të cilin e kishte pasur ndihmësin e saj. Shqiptarët e mjerë, po si e kanë edhe prej fisi, duallë me nderimin e madh, siç e meriton një mik i ndershëm”. (Gazeta “Koha”, 13 maj 1915). Por kishin qenë të gabuar. Grekët vinin të rrëmbenin Korçën dhe Shqipërinë e Jugut. (Madje nuk e donin të bukur ashtu siç qe, por të djegur e të bërë hi). Për njerëzit që u kishin dalë përpara (meqë u ndodhën aty rastësisht), nuk treguan asnjë lloj respekti. Çanë përmes tyre, hipur mbi kuaj, duke rrezikuar t’i shkelnin me këmbët e kuajve. Njerëzit u shtangën, mbetën të habitur dhe të zhgënjyer nga ajo që prisnin. Dikush që i ndiqte nxitimthi prapa kuajve, përpiqej t’u tregonte se ishte njeriu i tyre. U thoshte vazhdimisht, me zë të lartë: ime elinas… ime elinas… (jam grek… jam grek…), por ata nuk ia kthenin kokën. Kur ai tentoi përsëri, t’u dilte para kuajve, e pësoi edhe më keq. Kamxhiku i oficerit grek iu rrotullua pas qafe dhe i shkreti njeri për pak sa nuk mbeti i vdekur në mes të udhës. Me zor të madh u ngrit në këmbë. I vështroi gjithë mllef dhe i shau shqip. Kishte qenë një nga ata që e hiqnin veten si grekomanë, por tashmë po e shihte veten të menderosur.
IV
Më në fund, pararoja greke hyri në qytetin e Korçës. E vështruan qytetin dhe mbetën të mahnitur. Korça ishte një qytet i bardhë, i gjithi i bardhë, shkëlqente. Të gjitha shtëpitë ishin të bardha, të lyera me të bardhë, me kopështe përpara dhe lule, të thurura me avlli ose kangjella. Pazari ishte një mrekulli tjetër, i bardhë dhe ai. Rrugët ishin të drejta e të pastra, me kalldrëme që laheshin përditë me ujë të bollshëm nga uji i lumit që zbriste prej maleve të Moravës. Nuk kishte asnjë shtëpi përdhese. Njerëzit ishin të sjellshëm dhe mikpritës. Gazeta “Koha” në një përmbledhje kujtimesh të korrespondentit të saj në Korçë e përshkruan kështu hyrjen e grekëve në qytet: “Ata pesë kalorës, si ca ujqër kur hyjnë në vathë, s’lanë rrugë të qytetit pa shëtitur, s’lanë xhepa pa kërkuar, duke marrë ato gjëra më të vyera dhe kujtimet e trashëguara nga gjyshërit… Përveç kalorësve dhe oficerit, pa hyrë tjetër vizitor, kur shikojmë një tokicë njerëz; kapardisur me huta ndë dorë sikur kishin marrë kokën e krajlit, duke kënduar greqisht, u përhapën ndë qytet porsi të marrosur. Këta ishin andartët, mohonjësit e shtëpive të tyre. Pas këtyre erdhi një tabor me ushtarë të rregullueshëm, (ushtria e rregullt greke), të cilët u përndanë në mëhallat e myslimanëve për të mbrojtur nderin e tyre, (të myslimanëve) gjoja… Vizitorët bukuroshë, (ushtarët grekë), si panë dritën e shkëlqimit të qytetit, ngulë këmbët e nisën të kapardisen; një javë s’lanë gjë pa bërë: çnderuan, prenë, vodhën e prishën xhami dhe teqe, dhe më pas vunë minaret në nishan dyfeku, këta që mos u mbiftë fara! … Pa shikoni sa bukur dhe sa i do muhamedanët qeveria greke! Si prushin në gji…” (Gazeta “Koha” 14 oktobër 1915) “ Për myslimanët e Korçës kishin ardhur ditë të këqija.
V
Grekët e humbën krejtësisht arsyen kur në një shtëpi gjetën me mijëra libra të shtypura në gjuhën shqipe. Nuk u besonin dot syve. Si ishte e mundur! Korça me libra të shkruara në gjuhën shqipe! Me mijëra libra! Përse u duheshin kaq shumë libra! I dogjën që të gjitha. Po nga ta dinin greket që ky qytet i ndërtuar vetëm 400 vjet më parë, fillimisht kishte menduar për librat dhe dijen. Kur hidheshin themelet e qytetit (1486) ngriheshin edhe muret e një shkolle për çupa e djem. Korça që nga shekulli i XIX kishte patur mjekë, që nga viti 1892 kishte barnatore. Udhëtari August Dozon, më 1874, i shkruante qeverisë së tij: “Për të ardhmen mendohet krijimi i një spitali. Mbi të gjitha, ky qytet kishte për perëndi, Shkollën dhe Librin. Sipas udhëtarit të përmendur më sipër, Dozon, më 1874 Korça përgatitej për ngritjen e një tipografie, dhe e dini përse? Që të përkthente veprat e autorëve më të mëdhenj klasik të botës. Greku i urrente librat shqip, por edhe të gjuhëve të tjera. Pastaj shkuan në Plasë dhe dogjën të gjitha librat e vllehëve të shkruara në gjuhën rumune. Nuk kishte ditë që mund të kalonte pa ndonjë tmerr. Ishte koha kur mund të dëgjoje lajme nga më të pabesueshmet dhe të gjitha ishin të vërteta. Një muaj më pas dërguan si prefekt në Korçës një njeri të quajtur Kapçambelis, pastaj sollën edhe një gjykatës, edhe një sekretar me emrin Klosaqis. Që të gjithë ishin njëlloj: barbarë. Për grekët dhe andartët, Korça dhe Shqipëria e Jugut ishte dhe do të mbetej pjesë e Greqisë. Gjithë shtrirja deri në jug duhej të pastrohej nga myslimanët. Në këtë pjesë të vendit myslimanët ishin të tepërt.
VI
Ushtria greke dhe andartët u bënë zot shtëpie në Korçë. Udhët e qytetit qëndronin bosh dhe dukeshin të frikshme. Askush nuk guxonte të dilte nga shtëpia. Ndodhte që njerëzve u pritej koka dhe i linin ashtu mes gjakut mbi kalldrëm. Ata nuk donin t’ia dinin në ishe i rritur apo fëmijë. U interesonte vetëm përhapja e panikut dhe arratia e myslimanëve, ikja e tyre përgjithmon nga Korça. Shef policie u vendos një kapedan i quajtur Angjelidhis. Grekomanët më fantatikë i veshën policë. Ata përgjonin, ndiqnin dhe arrestonin çdo njeri që njihej si patriot, mysliman apo ortodoks; në këtë pikë nuk bënin asnjë dallim, por të ishe mysliman, ishte një tmerr i vërtetë. I rrihnin, i masakronin dhe ashtu të lidhur i dërgonin në burgjet e Selanikut dhe të Halkidhiqisë nga ku nuk do të ktheheshin më. Për myslimanët nuk kishte asnjë lloj mëshire. Edhe pazarin ua shkretuan. Dyqanet, hotelet, kafenetë, magzinat, (prona të myslimanëve) u plaçkitën. E njëjta gjë vazhdoi përsa kohë që grekët qëndruan në Korçë. Vijimësinë e plaçkitjeve e rrëfen edhe gazeta “Koha”: “Tregtia në Korçë është shumë e paktë, pazari nuk luan fare, tërë tregtarët dhe ditën e së shtunës rrinë me duart kryq dhe po hanë para të azërta, meqë myslimanët u prishën fare, dhe meqë të holla pe Amerike vijnë fort të pakta, tregtia sot e Korçës po qan dhe Çarshia po gjendet në hall të madh. Po edhe ata bukuroshë korçarë që rrëmbyen këtë behar sa plasën, rrinë dhe po u sosen të hollat dhe po mendohen se s’kanë nga ta zënë, edhe nuk gjejnë më të rrëmbejnë se u mësuan ligsht pa punë… Një shtrenjtësirë e madhe që nuk tregohet, vetëm mish shitet me të lirë sepse kasapët kanë edhe lopë edhe dhen të rrëmbyera…”. (Gazeta “Koha” 8 prill 1915).
VII
Grekët nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga vrasjet, djegiet, mundimet, ashtu siç nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë as nga djegiet dhe shkatërimet. Me këtë lloj tmerri mbërriti marsi i vitit 1913. Ata vazhdonin të tregonin forcën e ushtrisë së tyre dhe të grekomanëve që kishin rekrutuar. Por në këtë kohë nisi të përhapej një lajm tjetër, që i bëri shqiptarët të merrnin frymë thellë. Thuhej se Korça dhe Shqipëria e Jugut do t’i bashkohej Shqipërisë. Grekët duhet të linin Korçën dhe të shkonin andej nga kishin ardhur. Vendimi ishte marrë nga Konferenca e Londrës. Për herë të parë, pas kaq muajsh, Korça u gdhi ndryshe. Vetëm atë mëngjes qyteti kuptoi se sa i lodhur paskësh qenë gjatë asaj kohe. Nuk e besonin dot që greku do të ikte. “Kur kishim Turqinë ndiznim nga një qiri që të na shporej, por tani ndezim nga dhjetë që të thyejë qafën greku, po Zoti s’na dëgjon!” (Gazeta “Koha” 14 oktobër 1915). Kjo ishte shprehja e përhershme e banorëve të Korçës Tashmë ditët e lodhshme duhej të fillonin për grekët, por si gjithnjë, ata nuk dëshironin kurrsesi të dorëzoheshin. Mblodhën grekomanët dhe dolën në mitingje. “Ja bashkim, ja vdekje!”, ishin thirrjet e tyre. U endën nëpër rrugët e Korçës njësoj sikur të ishte dita e karnavaleve dhe më pas u kthyen në shtëpi, pa asnjë lloj droje dhe turpi. Ushtria përsëri dilte në rrugë e demonstronte forcën. Breshëri plumbash dërgoheshin herë pas herë mbi lagjet e myslimanëve. Shpresonin që zëri i mitingjeve të tyre të shkonte deri në Londër e që andej të përhapej në të gjithë botën. Vendimet e Londrës e kishin alarmuar keqas Athinën. Mbretit Kostandin i ishte prishur gjumi. Duhej të niste birin e tij Jorgon, drejt Korçës që t’u maste pulsin shqiptarëve e të mendonin se ç’mund të bënin për Korçën. Dhe djali i mbretit ishte nisur për udhë.
VIII
Më 16 maj 1912, biri i Konstandinit, Jorgua, erdhi nga Manastiri posaçërisht në Korçë, i shoqëruar nga prefekti i Follorinës, kolonel Kondulis dhe nga disa oficerë grekë. U prit në Mitropoli nga dhespot efendiu, nga autorite civile dhe ushtarake greke të Korçës. Kishin ardhur gazetarë nga Greqia dhe shtetet evropiane. Pritej çfarë do të ndodhte. Lajmet përcilleshin me shpejtësi. Për birin e mbretit u shtrua një darkë mbretërore që mbeti e paharruar. Të ngrënat dhe të pirat e asaj nate nuk patën të mbaruar deri në mëngjes. Pagesa u bë nga Llasoja, arka publike e banorëve ortodoksë të Korçës. (Grekët nuk dinin ta fusnin dorën në xhep asnjëherë). Para se të largohej, Jorgua, doli në ballkon të Mitropolisë për t’u thënë njerëzve që ishin mbledhur në oborr se Korça do të ishte e Greqisë jetë e mot. Qëndroi në Korçë për tre ditë me radhë, vizitoi kisha dhe xhami si për t’u thënë myslimanëve se nën shtetin grek ata do të ishin po aq të preferuar sa edhe ortodoksët, por nuk kishte mysliman që mund ta besonte këtë gjë. (Ende nuk ishin harruar te vdekurit, shtëpitë e djegura dhe plaçkitjet) Ndërkohë biri i mbretit të Greqisë u nis drejt Ersekës, Leskovikut dhe Përmetit për t’u ndalur më pas në Gjirokastër. Vendin e prefektit Kapçambelis e zuri kolonel Kondulis. Ai do të ishte i gjithëfuqishëm, ishte njeriu i besuari i birit të mbretit.
IX
Pas kaq kohësh pushtimi të Korçës, grekët kishin mundur të kuptonin një gjë: me myslimanët kundër, Korça nuk do të bëhej kurrë e Greqisë. Ata ose duheshin zhdukur, ose me ta duhej ndjekur një politikë tjetër. Ja si e përshkruan gazeta “Koha” sjelljen e kolonel Kondulis pas vizitës së princit Jorgo: “Koloneli Konduli, i njohur edhe më parë si qeveritar i Korçës në kohën e grekut, po përdor gjithë dhelpëritë dhe dinakërinë e diplomacisë, me të cilat pandeh se do të kandisë myslimanët dhe të krishterët të kërkojnë Greqinë dhe të shajnë e të mohojnë Shqipërinë. Parësisë myslimane u rrëfehet si vëlla dhe si mik me gjithë zemër. Çdo të premte vete dhe Konduli në xhami dhe i lutet allahut bashkë me myslimanët. Do të tregojë me këtë, që Greqia nuk është kundër myslimanizmës dhe nuk ua prish fenë, as dinë, as imanë, po përkundrazi do t’ua nderojë dhe forcojë. Ka zënë e po vete fshat më fshat dhe i ngushëllon myslimanët duke u thënë se i vjen keq edhe atij, edhe Greqisë që u ngjanë kaq dëme myslimanëve… dhe mbreti i saj, (Kostandini), do t’u paguajë myslimanëve dëmet që u janë bërë nga ana e andartëve. Dhe u thotë myslimanëve që tani e tutje të mos kenë frikë se asnjë njeri s’guxon t’i trazojë dhe t’i vrasë…”. Përse po sillej kështu Konduli? Ja cili është shpjegimi i gazetës “Koha”: “Korça, si dikur që e dini, gjendet akoma nën qeverimin ushtarak grek, Siç bëri Vardha me andartët, (katilët e tij), të njëmijë e njëqindat, dhe si e zhveshi dhe e prishi megjithsej Korçën dhe rrethinat e saj, duhej t’u vihej një melhem, një si perde, për t’i mbuluar. Ndaj për këtë gjë Greqia përdori diplomatin e saj dhe dërgoi përsëri Kondulë me ushtrinë e saj për të mbajtur sigurimin (rendin) dhe qetësinë e Korçës me gjithë rrethina”. (Gazeta “Koha”, 1 prill 1914) Qeveria greke nisi t’u jepte rroga edhe hoxhallarëve që ata të flisnin mirë për Greqinë. ( I morën rrogat se ndryshe merrnin plumbin!)
X
Princ Jorgoja ishte larguar, por kishte lënë pas idetë e tij. Kolonel Kondulis e dhespot Gjermanos vendosën për krijimin e të ashtuquajturave “batalione të shenjta” (Ierus loqus). Për organizimin e tyre u ngarkua oficeri grek, Mavraza. U mblodhën rreth 1000 ortodoksë. Vetëm 30 prej tyre u regjistruan me dëshirë, të tjerët u vetëofruan për shkak të frikës. Ata që nuk pranonin rriheshin në sy të njerëzve, kudo që i kapnin: në rrugë, në kafene, në dyqan, në shtëpi apo në punë. Meshkujt nga mosha 20 vjeç deri në 55-60 vjeç ishin të detyruar t’i përgjigjeshin thirrjes. Gjithashtu 2-3 herë në javë duhej të mbyllnin magazinat, të linin çdo punë që kishin për të bërë e të merrnin pushkët në sup për t’u stërvitur nëpër brigje e përrenj, ara e lumenj, që të mos lejonin rënien e Korçës në duart e shqiptarëve. Vendimet e Londrës do t’i kthenin në favor të Greqisë. Kjo ishte bindja e tyre. Vazhdonin të bënin mbledhje, të dilnin në mitingje, t’u shkruanin telegrame komisioneve të krijuara prej tyre në Athinë e në Londër. Anëtarë të komisionit në Athinë ishin: dhespot Gjermanos, doktor K. Noçka, Mihal Lako, Jani Dardha dhe Efrim Gjni, kurse në Londër: Josif Adhamidhi me Jani Dardhën. Në paradat ushtarake në Varosh e në qytet të Korçës, (deri në këtë kohë Varoshi nuk identifikohej me qytetin e Korçes), nxirrnin edhe pleqtë. Nuk lanë pa vënë në rresht as gratë; Minën e Dujës e Pancicën e Pando Katilit dhe ndo njëzet gra të tjera që kullosnin dhentë dhe lanin këmishët e botës. Që të gjitha çireshin e përpiqeshin të thërisnin sa më fort: “Enosis, i thanatu, aman de”, “Bashkim me Greqinë ose vdekje”.
XI
Qëllimi i grekëve ishte të përhapnin panik te myslimanët. Nëse do të guxonin të dilnin në mbrojtje të Korçës, atëherë gjithë ushtria greke, andartë e “batalione të shenjta”, burra dhe gra, me Minën e Dujës e me Pancicën e Pando Katilit do të hidheshin të gjithë mbi ta dhe askush nuk do të mbetej gjallë. Do të ndihej vetëm aroma e hirit. Po të donin le ta provonin! Deri më tani ishin djegur dhe vrarë, pronat dhe çifligjet i kishin lëshuar me qira dhe vetë kishin marrë arratinë. Ky tmerr përshkruhet më së miri nga gazeta “Koha”: “Duhet të shkruaj një kalema të gjatë, por të vërtetë,- thotë korrespondenti i saj i Korçës,- për të treguar gjithë të këqijat që po heqim nga vëllezërit grekë nga katilët e mëdhenj të botës, që nuk kanë shembull në historitë e përbotshme! Edhe për të vënë në veprim gjithë poshtërsitë kanë ndihmës klikën e poshtër dhe të fëlliqur tradhëtore, të cilët së bashku rrjepin popullin e fakir-fukaranë! Këta të poshtër kanë marrë me qira çifligjet e bejlerëve dhe me ndihmën e qeverisë janë bërë më keq se Ismail Durdushi; vrasin dhe presin më të katër anët, kanë nga tre palë kuaj dhe nuk dinë qysh të mundojnë çifçinjtë (bujqit) për të marrë më shumë bereqet. Çifçinjtë muhamedanë, po më shumë të krishterët janë kaq të dëshpëruar dhe të inatosur kundra këtyre bejlerëve kaurë, sa s’është çudi që t’i goditin e t’i vrasin se i kuptuan zuzarët, që gjer dje u thërritnin dhe dërsinin duke u thënë: “O bura, bjeruni turqve dhe merruni çifligjet, e sot i shikon allabraca me ca bejlurçina të qelbura të bredhin në sokakët e Korçës…”. Dhespoti dhe oficerët grek, çmendeshin sa herë që nga Evropa u kërkohej që Korçën ta dorëzonin te ushtria shqiptare. Dhe kështu dukej se do të ndodhte, por ata nuk e dëshironin këtë zgjidhje.
XII
Përsëri u kërkua që Korça t’i dorëzohej ushtrisë shqiptare dhe grekët përsëri bënë lëvizje të tjera kundër. Dhespoti Gjermanos ngriti urgjent një komision grekomanësh. Më 1 dhjetor 1913, i mblodhi te Mitropolia. U betuan mbi bibël. Korçën do ta mbronin me jetën e tyre. Për krijimin e komisionit grekoman, dhespot Gjermanos vuri në dijeni autoritet ushtarake dhe civile greke të Korçës, komisionet e ashtuquajtura “vorioepiriote” të Ersekës, të Leskovikut, të Përmetit, të Gjirokastërs, të Delvinës të Konicës dhe të Himarës. I kërkoi kolonel Kondulit t’i jepte disa oficerë, sa më parë që të ishte e mundur, që të fillonte stërvitja me ushtarët e “batalioneve të shenjta”. Priti me kënaqësi vendosjen e oficerit grek Mavraza në krye të batalioneve dhe u bëri thirrje banorëve të Korçës dhe të katundeve që t’i bashkoheshin ushtarisë greke. Komisioni i grekomanëve festoi 7/20 dhjetorin 1913, përvjetorin e parë të hyrjes së ushtrisë greke në Korçë. Në përfundim të festimeve u dërguan tri telegrame: një mbretit të Moresë, një Venizellos dhe një gjeneral Dhamianos.
XIII
Terrori ndaj myslimanëve të Korçës dhe rrethinave vazhdonte. Gazeta “Koha” në artikujt e saj në formë kujtimesh, shkruante: “Përpara ca kohe vranë dy bejlerë të Pojanit afër fshatit, tani më së fundi, vranë tre myslimanë nga fusha dhe as u kërkua, as u muar vesh se kush i bëri këto vrasje: “Këtu në Korçë, siç flitet, u pikas që u fillua një komitet grek, i cili do të ketë për detyrë që të trembë e të vrasë çdo njeri që i kundrshtohet propagandës greke. Ky komitet grek në Korçë u formua prej 8 vetash dhe Kondulit i ardhi urdhëri që ta njohë e ta mpronjë me çdo therori Komitetin grek kështu, që Komiteti t’i ketë duart e zgjidhura për të bërë si të dojë. Kanë sjellë edhe katilët e Gjiritit për të vrarë ata njerëz që nuk u pëlqejnë atyre. Meqë në ky komitet ndodhen edhe ca korçarë, të cilëve s’u dhimbet aspak për Korçën, është frika se mos na futin në një vëllavrasje. Me një fjalë; sigurim këtu në Korçë nuk kemi aspak dhe s’dimë se qysh do të jetë fundi ynë, po punët s’na duken fare të mbara; dhe më tepër, frika është për nacionalistët, të cilët për grekët dhe tradhëtorët janë halë në sy” (Gazeta “Koha”, 1 prill 1915)
XIV
Ishte bërë një vit që ushtria greke kishte hyrë në Korçë. Ishte 7/20 janar i vitit 1913. Dhespotin Gjermanos e emociononte shumë kjo datë. Mallëngjehej. Dëshironte shumë të vdiste në këtë qytet, mundësisht edhe varrin ta kishte aty te Shën Maria në fund të Korçës, nën hijen e repave, që kur të vinte behari të mos përvëlohej nga vapa. Ndoshta edhe Anastasia do t’i vinte çdo ditë të qant aty te varri i tij. Për këtë grua, herë thoshte se e kishte shoqe, herë thoshte se e kishte mbesë, herë thoshte se e kishte motër, por kjo pak rëndësi ka, mjafton që dhespoti t’i ndjente lotët e saj kur t’i binin pikë-pikë përmbi varr. Zëri i saj edhe të vdekur do ta drithëronte. Eh, dhespoti i famshëm i Korçës, ishte i gatshëm të largohej nga kjo botë në çdo çast, pa asnjë brengë në shpirt, vetëm ta shihte këtë qytet pa asnjë mysliman. I donte të gjithë të vdekur, në një varrezë të madhe pa anë e fund të mbuluar nga bari dhe harresa e gjatë. Nëse gabimisht mbetej ndonjë mysliman i gjallë, shpirti i tij do të mbetej i plagosur e nuk do të gjente dot prehje. As dhelkat e Anastasisë nuk do ta shëronin dot. Por myslimanët e Korçës nuk e ndihmonin dot në plotësimin e dëshirës së tij. As Korçën nuk ia dhuronin dot se nuk vlente sa një puthje e Anastasisë. Megjithatë, atë mëngjes dhespoti i Korçës u ngrit shend e verë. Ishte dita e përvjetorit të parë që kishin pushtuar Korçën, dhe ja, ai do vazhdonte të ishte akoma aty. Do ta festonin atë ditë. Edhe Anastasisë i pëlqenin festat. Thuhej se ajo e trdhëtonte me kolonelët dhe oficerët grekë, po dhespoti sillej sikur nuk dinte gjë. Ç’mund të bënte? E kishte një defekt: kishte një këmbë dhe një patericë. Shpesh Anastasia trembej nga këmba e drunjtë, i dukej sikur e kishin futur në një arkivol dhe flinte me një të vdekur. Megjithatë dhespoti nuk mund ta linte pa festuar atë ditë. Do të mblidheshin të gjithë te vendi i quajtur “Teboja” diku aty mbi parkun “Rinia” ku gjendet sot. Vendi rrethohej nga një pyll i vogël. “Ti nuk do të vish”- i tha Anastasisë, më prit këtu te Mitropolia. Në festimin e përvjetorit do të vinte edhe komandant Kondulis, njeriu i besuari mbretit grek, Kostandinit. Konduli ishte i gjithëfuqishëm dhe mund të bënte çfarë të donte dhe askush nuk e ndalte dot. Do të vinte edhe kapedan Vardha, ai njihej si një nga kapedanët grekë më të çmendur, nuk e kishte frikë vdekjen. Thuhej se nuk e zinte plumbi, por profecia nuk doli e vërtetë. Devollinjtë ia morën jetën me një breshëri plumbash, më 24 prill 1914 (Nejse, histori tjetër kjo). Në festën e madhe do të vinte edhe një komision i veçantë që ishte krijuar nga anëtarët e Mbrojtjes Nacionale ( Ethniqi Amina) me kryetar vetë dhespotin. Në kodrën e bukur si një parajsë e vërtetë, ushtarët e batalioneve të shenjta do të betoheshin mbi bibël. “Do të vdesim të gjithë dhe Korçën nuk do ta lëmë në dorë të shqiptarve!” “Do të vij edhe unë”- këmbënguli sërish Anastasia, por dhespoti i mbështetur mbi patericë, iu lut që ajo të qëndronte në Mitropoli, sepse ishte kohë lufte dhe nuk i dihej çfarë mund të ndodhte… Festa u përcoll me madhështi.
XV
Kënaqësia e përvjetorit të pushtimit të Korçës nuk zgjati shumë. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Më 24/6 shkurt 1914, në “Ethniqi Amina”, (Mbrojtja Nacionale) e Korçës, që kryesohej nga dhespoti, mbërriti një telegram nga Gjirokastra, ku thuhej se në këtë qytet do të organizohej një mbledhje e përgjithshme, ndaj duhej të ishte edhe Korça. U vendos të shkonin në Gjirokastër K. Polena, (doktori), Spiro Bimbli dhe Papa Petroja. Udhëtimi që kishte ndërmarrë Venizeloja në Evropë për çështjen e Korçës kishte dështuar. U thirrën në Athinë kolonel Konduli dhe shefi i divizionit, (merarqisë), Mattheopuli. Venizelloja i kërkoi Kondulit dhe gjeneral Papullas që gjendej në Janinë, të ktheheshin në Korçë dhe t’ua dorëzonin atë shqiptarëve. Ushtria greke duhej të tërhiqej dhe Ethniqi Amina, duhej të dorëzonte armët dhe të shpërndahej. Gjeneral Papulla erdhi urgjentisht dhe u largua po atë ditë duke u gdhirë 15/28 shkurti. Kolonel Konduli do të kujdesej për tërheqjen e ushtrisë greke. Artileria u dërgua në Kolonjë, ndërsa gjithë materialet e tjera u transportuan drejt Follorinës. Mitropolia nisi të thurte një plan tjetër të zi për Korçën
XVI
Më 17/2 mars 1914 ushtria shqiptare, prej 250 vetash e kryesuar nga Mustafa bej Aranitasi dhe nga oficeri hollandez Leopold de Ghilard hyri në Korçë. Koloneli grek Konduli, me sytë që nuk i ngriti për asnjë çast, me dëshpërimin që nuk i hiqej nga sytë dhe me dorën që i dridhej sikur të ishte epileptik, nënshkroi dorëzimin e Korçës. (Nuk e kishte menduar se mund t’i ndodhte kështu). Një çast më vonë kolonel Kondulin e panë të shoqëruar me kolonelin tjetër grek Nikolaon, të niseshin drejt Kolonjës me një automobil që ngjasonte më së shumti me një makinë vdekjeje. Po largoheshin si dy hije, për të mbërritur më pas, ndoshta në Janinë. Mbi ndërtesën qeveritare të Korçës u ngrit flamuri shqiptar. Mustafa beu krijoi qeverinë e parë shqiptare në Korçë. Po atë natë, Mustafa beu dhe kapiten Ghilardi vizituan dhespotin Gjermanos. Edhe ai ua ktheu vizitën të nesërmen. Mori me vete edhe dhimogjerondët. U thanë fjalë të mira për qeverinë e re shqiptare. Edhe dhespoti nuk i kurseu fjalët e bukura, por shpirti i tij nxinte ashtu si rrobat që mbante veshur. Ishte betuar: shumë shpejt do të godiste pas shpine, me andartët dhe grekomanët. Mustafa beu nuk kishte kohë të priste. I ndihmuar nga patriotët më të njohur të krahinës, formuan Këshillin e Qeverisë. Nga Vlora erdhën edhe 2 oficerë hollandezë: major Johan E. Snellen van Vollenhoven dhe Kapiteni Jetze Doorman. Ata do të organizonin xhandarmërinë shqiptare. Major Snellen u caktua Komandant i Mbrojtjes së Korçës, i cili vuri në përdorim vulën zyrtare me një shqiponjë dykrenare në mes, që mbante nënshkrimin “Comission de Controle Provisore Korça” (Komisioni i Kontrollit të Përkohshëm, Korçë. Prefekt u vu Pandeli Vangjeli, ndihmësprefekt Abdyl Ypi, shef policie Themistokli Gërmenjin dhe komisar policie Hysen Nikolica. Mustafa beu u nis drejt Kolonjës, do të ngrinte edhe atje qeverinë shqiptare. Ato ditë Major Snellen van Vollenhoven i kërkoi dhespotit t’i shkrinte të ashtuquajturat “batalione të shenjta” ose siç quheshin ndryshe “Ierus loqus” dhe të visheshin xhandarë dhe policë për qeverinë e re të Korçës, por a mundej ta pranonte dhespoti këtë kërkesë, ai kishte muaj me radhë që përgatiste vëllavrasjen e madhe të 2 prillit.
XVII
Qeveria shqiptare e Korçës organizoi trupën e parë të xhandarmërisë. Njerëzit vetëofroheshin të ishin në shërbim të Korçës. Për këtë arsye ata u quajtën “vetëdashës”. Gazeta “Koha” përshkruan paradën e parë ushtarake të tyre: “Kurrë s’do të harrohet dita e diel që, për të parën herë në histori të Përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët mundën të shikojnë një nga dëshirat e gjalla që ëndërronin; kurrë s’do të harrohet, themi, se të gjithë që muarrë këtë detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës si ishte në kohët e kaluara vinin nga frika e kërbaçit dhe e bajonetës. Vetëdashësi i dëshiruar na siguron plotësisht nga pamja e fytyrave gazmore (të gëzuara), na ngjall dhe na rrit jetën, kur secili s’vonon për të mbushur detyrën e vet, na vërteton se në Korçë asnjë propagandë e huaj s’mund të gjejë vend dhe mbështetje… Të diel që u bë paradë përpara shkëlqesisë z. major Snellen van Vollenhoven, numri i xhandarmërisë arrinte në 120 veta. Atje përpara Gjykatores, shkëlqesi e tij i salutoi dhe më pas shfaqi gëzimin duke mbajtur një fjalë patriotike të nxehtë mbi nevojën e xhandarmërisë”. Gazeta “Koha”, 5/18 mars 1914). Nga kjo trupë vetëdashësish, (xhandarë) do të dilnin edhe qëllonjëtarët më të mirë ose siç quhen sot, snajperat. Nuk i dimë të gjitha emrat e tyre, por në shtypin e kohës, (me të njëjtën renditje) përmenden këta zotërinj: Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Kaluci dhe Zenel Plasa. ( Gazeta “Koha”, 4/17 prill 1914).
XVIII
Xhandarmëria shqiptare po organizohej, por “batalionet e shenjta” të Mitropolisë nuk po shkriheshin. Dhespoti kërkonte vazhdimisht edhe pak kohë. Ai dhe njerëzit e tij kishin një plan të zi për të realizuar. Ushtria greke kishte bërë sikur ishte larguar nga Korça, por jo të gjithë kishin ikur. Shumë ushtarë dhe oficerë u fshehën në Mitropoli, të tjerë u vendosën nëpër përenj, një pjesë tjetër gjeti strehim te spitali grek i Korçës. Dy mjekë, farmacisti, kujdestari i quajtur Papadhaqis, si dhe 30 ndihmësmjekë qëndruan aty nën pretendimin se shumë ushtarë dhe oficerë të ushtrisë greke ishin plagosur rëndë dhe ata nuk mund t’i braktisnin pacientët e tyre. Nga Korça nuk iku as drejtori i Telegrafit, Qirjako Dhiamandidhi. Ai ishte njeriu që do të telefononte fillimin e gjakderdhjes së përgatitur nga dhespot Gjermanos. Të gatshëm dhe të armatosur qëndronin edhe ushtarët e “batalioneve të shenjta”. Dhespoti i Korçës mori si roje personale, Gjergj Sulon (shpesh e thërrisnin Jorgji Sulo), nga Orman Çifligu që na data 14/27 shkurt. Sulua kishte qenë andart dhe njihej si trim i marrë. Edit Durham te libri i saj “Brenga e Ballkanit” sjell këtë informacion: “Me urdhër të Fuqive të Mëdha, ushtria e rregullt greke u detyrua të zbraste krahinat e pushtuara. Ajo u largua nga Korça, por la pas një të ashtuquajtur “spital të plagosurisht që nuk mund të luanin nga vendi”, të cilin e lidhën me telefon me kufirin grek. Një pjesë e madhe e ushtrisë kishte mbetur në pika të ndryshme, larg qendrave të banuara, dukë ndërruar apo maskuar veshjen e tyre, me qëllim që t’i jepnin mundësi qeverisë greke ta mohonte se ishin ushtarë”.
XIX
Në zyrat e qeverisë shqiptare të Korçës, nisën të vinin kohë pas kohe informacione sekrete. Mitropolia ishte duke përgatitur një kryengritje. Atëherë qeveria dërgoi në Moravë 1500 burra të armatosur të mbanin nën vëzhgim territorin e Korçës. U kërkua edhe largimi i telegrafistit Qirjako Dhiamandidhi, dhe ai u largua për tërë natën në drejtim të Bilishtit. U kërkua sërish shpërndarja e “batalioneve të shenjta” dhe dorëzimi i armëve. por dhespoti përsëri u lut që t’i jepeshin edhe disa ditë kohë. Si mund t’i dorëzonte armët kaq papritur kur ai pikërisht tani gjendej në pragfillimin e kryengritjes. Mitropolia e përshpejtoi realizimin e planit. “Dhespot Gjermanos thirri në zyrë kapedan Gjergji Sulon edhe e vuri të betohet e të mbajë të fshehtë çdo gjë që do të dëgjonte nga goja e shenjtë dhe i thotë këto fjalë: “Kapedan Sulo! Mëmëdheu po humbet, orthodhoksia po prishet, feja po përqeshet, dhe Korça u bë për të qarë hallin tani si ra në duartë e shqiptarëve”. Atëherë Suloja, u betua se nuk do të linte njeri pa ngritur në këmbë kundër qeverisë shqiptare. “Ngreu Sulo i dashur dhe i bekuar, i tha dhespot Gjermanos, mos rri, ngrije popullin e gjithë kundër kësaj qeverije, e cila do të na prishë ortodoksinë”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”) Në Mitropoli mbërritën edhe dy trima të tjerë: Dhimitër Kallfa dhe Lluka Petro nga fshati Bellovodë. I pari mori përsipër të ngrinte në këmbë fshatrat e fushës, i dyti fshatrat e Qarrit. Petro Mangaleci do t’u jepte mësim ushtarve të “batalioneve të shenjta”, i ndihmuar edhe nga Kallfa. Njerëzit e Jorgji Sulos do të prisnin linjën e telefonit Korçë-Pogradec, kurse ata të Luka Petros linjën Korçë – Kolonjë. Jorgji Bushua do të sillte nga Bilishti rreth 1000 andartë të armatosur. Ishte menduar që qeveria e Korçës të dorëzohej brenda pak minutave. Mbi Mitropoli do të ngrihej flamuri i Vorioepirit. Bashkimi i Korçës me Greqinë do t’i servirej Evropës si fakt i kryer. Nuk vonoi shumë. Telegrafisti Qirjako Dhiamandidhi erdhi përsëri për tërë natën në Korçë, dorëzoi një letër te drejtori i spitait grek, D. Anagnostopulos, ku thuhej: Më dt 19/1 prill duke u gdhirë 20/2 prill andarët e Bilishtit do të sulmojnë për të pushtuar Korçën. Fillimi i kryengritjes priste vetëm urdhërin final
XX
20/2 prill 1914. Në orën 04.00 të mëngjesit, Jorgji Sulo la nën komandën e Andrea Samaras disa njerëz të tij të bënin roje pranë varrezave ortodokse në hyrje të Korçës. Pastaj, me pjesën tjetër të njerëzve bëri përpjetë drejt kishës së Shëndëllisë. Kur doli në krye, kuptoi që rojet e qeverisë shqiptare nuk kishin pikasur gjë. Ata vazhdonin të qëndronin të heshtur në karakollet e tyre. Kishin zënë vend diku aty ku sot gjendet lulishtja “Themistokli Gërmenji” dhe në pjesën e sipërme të Korçës, afër shtëpisë së doktor Polenës. (Deri aty shtrihej Korça në atë kohë). Atëherë, Sulua, urdhëroi dy-tre veta të zbrisnin poshtë, t’u binin kambanave. Ishte sinjali për fillimin e kryengritjes.
Një çast më pas, kapedan Suloja sulmoi rojet e qeverisë dhe mundi të çante pa ndonjë vështirësi. U dëgjuan kambanat. Ishte çasti final. Me të dëgjuar ushtimën e tyre ushtarët e “batalioneve të shenjta” do të visheshin me rroba ushtarake dhe do t’u bashkoheshin forcave të Jorgji Sulos. Gaqo Busho, ish deputet i serfixhesë në parlamentin otoman do të pozicionohej te vreshtat e qytetit, t’i priste udhën kapedan Kajos, sepse të gjithë e dinin që ai nuk do të rrinte pa ardhur. Doktor Harisiadhi, (Nodha i Mit Harizit), me 400 veta do të zinte vend sipër Korçës, të pengonte ardhjen e banorëve të Mborjes në ndihmë të Korçës. Do të lajmërohej edhe ushtria greke që rrinte fshehur. Edit Duram, te “Brengat e Ballkanit” shkruan: “Ndërkohë, grekët e “plagosur” të Korçës telefonuan për ndihma mjekësore. Peshkopi grek nisi zbatimin e komplotit të tij. “ndihmat mjekësore” erdhën në formën e bandave të armatosur dhe të armëve… kështu Korça u zu në befasi. E megjithatë qyteti qendroi burrërisht…”. Gjithçka ishte prashikuar me detaje. Të tjerë të armatosur, do të mësynin nëpër banesat e të gjithë atyre që kishin dalë hapur kundër Greqisë. Në shenjestër ishin myslimanët dhe disa familje vllahe. Ata do të ekzekutoheshin. Nuk do të faleshin as gratë që njiheshin për patriotizmin e tyre. Edhe fëmijë do të vriteshin, mjafton që kryengritja “vorioepiriote” të përfundonte me fitore. Nuk do të bëhej asnjë kompromis. Tmerri kishte pushtuar Korçën.
XXI
Pasi la pas rojet e qeverisë, Suloja u turr drejt ndërtesës së xhandarmërisë, ku qëndronin oficerët hollandezë. Nëse e merrte edhe edhe atë ndërtesë, fitorja do të ishte e sigurtë. Flamuri i vorioepirit do të valvitej mbi Mitropoli. Por oficerët hollandezë me të dëgjuar krismat, morën armët dhe u dolën agresorëve para duke luftuar për jetë a vdekje. As Suloja nuk kishte ndërmend të tërhiqej, qëllonte vazhdimisht dhe bëntë përpara. Kur u gjend pranë farmacisë së Lakçes qëlloi përsëri dhe plagosi dy xhandarë. Një çast më vonë plagosi edhe major Snellen van Vollenhoven. Mirëpo kaq kishte qenë e thënë të ishte lavdia e Sulos. Në të njëjtën kohë kishte qëlluar edhe Snellen Vollenhoven. Sulua mbeti i plagosur, iu erën sytë dhe ra i mbuluar nga gjaku që nuk i pushonte. Ushtarët e “batalioneve të shenjta”, që deri në atë çast e kishin mbështetur pa u kursyer, mbetën syçakarritur. Si ishte e mundur të ndodhte kështu! Si mund të vritet një kapedan pa filluar lufta mirë? Vetëdashësit (xhandarët) e qeverisë e kishin marrë veten. Oficerët holandezë, komandant i Mbrojtjes së Korçës, majori Johan E. Snellen van Vollenhoven, (i plagosur në dorë) kapiteni Jetze Doorman, kapiten i xhandarmërisë Leopold de Gilard, kapiteni i misionit hollandez Reimers në Pogradec, konsulli amerikan, major Harold Sherëood Spencer, Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Hysen Nikolica, major Mustafa Elmazi, kapiteni Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti, leitant Ismail Hakiu, Ferit Frashëri, komandanti i çetës Hysen Pirgu etj ishin vënë në krye të forcave qeveritare dhe të njerëzve që vinin nga fshatrat në mbrojtje të Korçës.
XXII
Si mund të mos i delnin në mbrojtje Korçës. Ja çfarë rrëfen gazeta “Koha” për banorët e fshatrave: “Tashti ka dërguar Greqia ca oficerë katilë, të cilët kanë zënë e po bastisin fshatrat e myslimanëve. I mundojnë të gjorët fshatarë duke u vënë hekur të nxehtë nëpër gishtrinj, duke u futur spica nëpr thonjë, duke u hedhur vaj të djeguar në kraharor, duke i shtrënguar që të japin çfarëdo arme që kanë dhe duke u rrëmbyer sa mund para (të holla) më tepër. Të gjorat fshatra myslimane, nuk u janë mbaruar akoma taksiratat, s’është mjaft që u prishën megjithsej, po edhe sot akoma, po i mundojnë dhe po i pjekin të gjallë!” Terrori mbi këta banorë kishte nisur që na dita e parë e ardhjes së grekëve dhe vazhdoi deri ditën që ata u larguan përfundimisht nga Korça. Numri i njerëzve në mbrojtje të Korçës po bëhej gjithnjë e më i madh. Andartët vazhdonin të mbeteshin po aq sa ishin. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Gazeta “Koha” sjell këtë të vërtetë: “Klika e hajdutëve, e tradhtarëve, e të shiturve, e të çndershmëve dhe e katilëve, e formuar prej Efrim Dardhës, Pando Katilit, Petro Mangalecit dhe kompanisë që mbretëron, po këta sot janë kaq të shplarë sa të gjithë u kthejnë krahët me ndohtësirë! (Gazeta “Koha” 24 june 1915). Akush nuk mund t’u vinte në ndihmë. Palët kundërshtare ishin vendosur përballë njëra-tjetrës.
XXIII
“ Tani Korça u nda në dy ordhi (pjesë) njëra në Kasaba dhe tjetra në Varosh dhe lufta, ora me orën bëhej më e nxehtë dhe më e rreptë”, shkruan Petro Harizi te libri i tij, “Historia kronografike e Korçës”. Gjakderdhja mes vëllezërve ishte në prag. Qyteti po shkonte drejt vëllavrasjes. Dikush duhej ta shmangte këtë marrëzi. Abdyl bej Ypi, Themistokli Gërmenji dhe të tjerë bënë drejt Mitropolisë. I kërkuan dhespotit armëpushim. Për dhespotin nuk kishte rëndësi nëse vriteshin të gjithë ose jo. Sot kishte nevojë Greqia dhe sot duhet të vdisnin ata, por kërkesës për armëpushim nuk mund t’i thoshte dot jo. Ushtria e tij kishte mbetur pa prijës. Kapedan Jorgji Suloja, i plagosur nga major Snellen van Vollenhoven, nuk lëvizte dot nga vendi. Andartët e Devollit që i kishin dhënë fjalën ish-deputetit të Parlamentit otoman, Jorgji (Gaqo) Bushos, Josif Adhamidhit edhe mitropolitit të Kosturit, Joaqimit, nuk po dukeshin. As pretendimet e Lluka Petros nga Bellovoda se do të ngrite më këmbë gjithë fshatrat e Qarrit, nuk po dilte i vërtetë. Ndërsa për çdo minutë që kalonte, numri i njerëzve që vinin në mbrojtje të Korçës bëhej më i madh. Nëse situata nuk qetësohej, ata mund ta merrnin dhe Varoshin dhe do të mësynin drejt Mitropolisë. Dhespoti duhej të hidhte në short kokën e vet. E pranoi armëpushimin. Shpresonte që gjatë kësaj kohe t’i vinin ndihma nga Devolli dhe Qafa e Qarrit. Nëse ndodhte kështu atëherë ai mund ta prishte armëpushimin kur të donte. Vendosën të dilnin bashkë në rrugë e të jepnin sinjalin e paqes. Dhespoti shoqërohej nga Vasil Singjello, dr. K. Noçka, Efrim Gjini dhe nga doktori i spitalit grek Athanas Ikonomi. Hynë në një nga tabakhanet e pazarit dhe pinë kafen e armëpushimit.
XXIV
Fatkeqësisht. armëpushimi zgjati vetëm disa orë. Andartët provokuan sërish. Nga kjo lëvizje e tyre gjeti vdekjen Vasil Gjoni. Kishte qenë ai më disa të tjerë që bënë përpara me armë drejt kishës së Shën Gjergjit. Mungesa e një kryekomandanti po u krijonte pështjellim. Vendin e Jorgji Sulos nuk po e zinte askush tjetër. Kjo gjendje e rebeloi kujdestarin e spitalit grek, Andhrea Papadhaqi. Nxori galonat e tij, shenjën e kuronës së Greqisë, i la ato në Mitropoli dhe mori kryesinë e kryengritësve. Andartët u bënë me komandant më në fund. Do të udhëhiqeshin nga një kujdestar spitali! Kur ende nuk ishte gdhirë dita e dytë e kryengritjes, Papadhaqi dërgoi në Bilisht 30 ushtarë të “batalionit të shenjtë” të merrnin vesh një herë e mirë përse nuk po vinin andartët. Me t’u gdhirë e premtja (dita e dyt e kryengritjes) nga Devolli mbërriti lajmi: Andartët do të ishin prezent në Korçë në mesditë. Ierolohitët (“batalionet e shenjta”) ishin gati ta festonin këtë lajm, por në këtë kohë mbërriti një lajm i keq. Në Mitropoli kishte mbërritur një letër e nënshkruar nga Abdyl Ypi dhe oficerët hollandezë. I kërkonin dhespotit që ushtarët e “batalioneve të shenjta” të dorëzonin armët, pasi në të kundërt do të ndëshkohen. Ierollohitët e Korçës nuk u bindën. Si mund të dorëzoheshin tani kur 1000 andartë do t’u vinin nga Devolli, madje të kryesuar nga një oficer i vjetër grek! Mirëpo mesdita iku, nata ra dhe asnjë andart nuk po vinte. Shqiparët vazhdonin të merrnin nën zotërimin e tyre pjesë të tjera të qytetit. Qeveria e Durësit urdhëroi rrethimin e qytetit të Korçës. Rrethimi u bë dhe gjithë grekomanët që do të kapeshin të armatosur do të deklaroheshin robër lufte. Andartët e Devollit u bënë të gjallë ditën e tretë të kryengritjes, të shtunën 22/4 prill 1914. Kapedani grek Mavraza kishte mundur të gjente ndo 120 veta, njerëz të sokakut, filip-lugetër të mbledhur sa andej-këndej, por që nuk ishin për trimëri dhe pushkë. Me të mbërritur në bregun e Shëndëllisë u dëgjuan të shtëna mitralozi. U vetëlajmërua ardhja e tyre, por vetëm kaq. Pastaj s’u dëgjua asgjë sikur të kishin vdekur të gjithë krejt papritur. Kishin ardhur sa për berihaj. Zbritën pa zhurmë në qytet, dhe vetëm kur hynë në Mitropoli nisën të thërrisnin: Rroftë autonomia! Rroftë Greqia! Stavro Samaraj u solli një flamur grek dhe ata e ngritën në ballkon të dhespot Gjermanos. Pastaj dolën të luftonin, por kapedan Mavraza pati fatin e Jorgji Sulos, u plagos që në fillim në shpatull dhe nuk u ngrit më t’u jepte kurajo ierollohitëve. Mori arratinë andej nga kishte ardhur bashkë me andartët që kishte mbledhur rrugëve të Devollit.
XXV
Ndërsa të dy palët sulmonin njëra-tjetrën, herë pas herë andartët që ishin ngarkuar me ekzekutimim e njerëzve që kishin dalë hapur kundër Greqisë, vazhdonin të vrisnin njerëz. Këtë punë dinin ta bënin shumë më mirë se sa të luftonin ballëpërballë. Kapedan Niko, nga Thraqi i Greqisë me disa të tjerë, hynë në lagjen e vëllehëve dhe nisën ekzekutimin e njerëzve të saj. U vra Nikolla Çekani, Papallambro Ballamaçi , vëllai i tij, Sotiri, Vangjel Babajano, Vasil Tabaku, Nikolla Andrea Çika fëmijë 12 vjeç. Vasil Facja që pa me sytë e tij se çfarë tmerre provoje para se të të vrisnin, vrau veten pa arritur trimat e kapedanit nga Thraqi në shtëpinë e tij. “Kjo egërsi e dytë nga ana e andartëve grekë kundër vllehëve të Korçës, zemëroi shumë qëverinë e Rumanisë e cila protestoi zyrtarisht dhe rreptësisht edhe për një fill do të priteshin edhe lidhjet diplomatike dhe miqësia në mes të dy qeverive po të mos jepte statisfaksion qeveria greke në qeverinë rumune. Po edhe u detyrua duke parë se populli rumun u ngrit në këmbë kundër grekëve, të prishë mblesërinë që po përgatiste me familjen e Konstandinit, bija e të cilit do të fejohej për t’u martuar me princin tashëgimtar të Rumanisë. (Petro Harrizi, “Historia kronografike e Korçës”)
XXVI
Në fund të ditës së tretë, andartët kishin mbetur pothuaj të pashpresë. Korça nuk do të sundohej kurrë prej tyre. Edhe kujdestari i spitalit Andhrea Papadhaqi e braktisi rolin e kryekomandantit. Edhe ai iku në Bilisht. Ierollohitët mbeten përsëri pa kapedan. Të gjitha lajmet që merrnin ishin dëshpëruese. Forcat e ish-deputetit Gaqo Busho ishin thyer prej trimave të kapedan Kajos. Edhe ushtria prej 400 vetash e doktor Harisiadhit ishte shpartalluar prej vetëdashësve (forcave të qeverisë së Korçës) dhe banorëve të Mborjes. Ja si rrëfehet përfundimi i luftimeve nga dy vëllezërit vetëdashës (xhandarë të qeverisë shqiptare) Qerim dhe Feti Butka: “Lufta vazhdoi pa ndërprerje për 5 ditë e 5 netë. Lajmi kishte nisur të përhapej me shpejtësi Fjala mbëriti edhe te komandantët e çetave shqiptare. I pari që hyri në Korçë ishte kapedan Kajua. Çohuni!- u kishte thënë trimave, – andartët po përpiqen të na rrëmbejnë Korçën. Trimat e tij bashkë me Kajon i dolën Korçës nga sipër, aty te vendi që quhet “Vreshtat”. Andartët dhe ushtarët grekë mbetën të shtangur. Kush po i sulmonte nga ky krah? Pështjellimi ishte i madh. Frika dhe paniku po i mbërthente njëri pas tjetrit. U shtynë me nxitim më poshtë për t’i shpëtuar zjarrit të Kajos, por u përballën përsëri me breshëri të fortë plumbash. Përpara u kishte dalë Agush Çaushi me çetën e tij, që sapo kishte mbërritur nga Starova. Nuk kishin shumë kohë për t’u menduar. U kishte mbetur vetëm një mundësi shpëtimi, të rrëshqisnin heshturazi nga krahu i rrugës së Kolonjës. Një pjesë e madhe e tyre u turrën drejt këtij shtegu, por sakaq do ta kuptonin se po shkonin drejt vdekjes. Kishte mbërritur çeta e Sali Butkës e kryesuar nga biri i tij, Gani Butka. Ai çast mbeti i paharruar. Andartët sapo dëgjuan për çetën e Sali Butkës mbetën të shtangur. E kishin dëgjuar emrin e tij edhe më parë. Gjithkush prej tyre nisi të mendonte vetëm për kokën e vet. U përpoqën të çanin në drejtim të Mborjes, aty ku sot gjenden varrezat e qytetit, me qëllim arratisjen drejt kufirit grek, por edhe kjo tentativë u rezultoi e pamundur. Rrugën ua kishte prerë çeta e Zalo Prodanit. Rreshti i parë i andartëve u rrëzua nga plumbat e kësaj çete. Pikërisht në këtë kohë një turmë andartësh nisën të qëllonin nga kisha e “Shën Thanasit”. Ndoshta edhe ata e kishin menduar një rrethim të mundshëm. Të gjitha grykët e pushkëve u drejtuan andej. Pas pak u dëgjua një shpërthim i madh dhe kisha e “Shën Thanasit” u përfshi nga flakët. U dogj tërësisht. Ndoshta priftërinjtë grekë, kishin vendosur atje municionet e ushtrisë greke. Pas shumë përpjekjesh, lufta mori fund. Numri i robërve ishte i madh. Ata dilnin me duart lart njëri pas tjetrit. Po atë ditë u ngrit dhe një komision nën drejtimin e prefektit Pandeli Vangjeli, nënprefektit Abdyl Ypi, majorit Snellen Van Vallenhoven dhe Kristo Floqit, të cilët do të gjykonin të gjithë ata që kishin vrarë njerëz të pafajshëm”.
XXVII
Askush nuk e dinte çfarë kishte ndodhur konkretisht. Informacionet paraprake të gazetës “Koha” bënin të ditur se nga shqiptarët kishin mbetur 26 të vrarë, mes tyre Papallambro Ballamaçi, vëllai i tij, Sotiri, dhe 6 vllehë të tjerë. Të plagosur ishin 17-të. Në periferi të qytetit u gjetën 30 të vrarë të tjerë, banorë të fshatrave që kishin dalë në mbrojtje të Korçës; u gjetën te ekzekutuara edhe 8 gra; 3 prej tyre ishin therur, sepse njiheshin si gra me ndenja të forta kombëtare. Të plagosura ishin 8 gra të tjera. Andartët paskëshin bërë luftë me gratë, pleqtë, fëmijët dhe plakat. Këto lajme rebeluan një turmë njerëzish të armatosur. Dëshironin të hakmerreshin një çast e më parë. “Do t’i djegim shtëpitë e grekomanve”, ishte thirrja e tyre. Pa dyshim që mund të kishte ndodhur edhe kështu, por nënprefekti Abdyl Ypi u doli përpara: “Jo,- u tha ai,- ata nuk janë grekë, janë vëllezërit tanë, një ditë do ta kuptojnë se çfarë do të thotë atdhe dhe atdhetarë”. Fjalët e Ypit kishin mundur ta zmbrapsnin turmën e irrituar”. Mirëpo numri i të vrarë kishte qenë shumë më i madh. Vetëm një ditë më pas u mor vesh e vërteta. Sipas Petro Harrizit, të vrarët ishin 112 veta. Vetëm nga Korça 43, pjesa tjetër u përkiste banorëve të ardhur nga fshatrat. Pritej të fillonin arrestimet e njerëzve të fajshëm, organizatorë të gjakderdhjes.
XXVIII
Të hënën, ditën e fundit të kryengritjes, më 24/6 prill 1914 pas drake, konsulli amerikan majori Harold Sherëood Spencer dhe oficerët hollandezë, kapiteni Jetze Doorman, majori Snellen van Vollenhoven, kapiteni Leopold de Ghilard arrestuan dhespot Gjermanos, të cilin e çuan në ndërtesën e qeverisë të shoqëruar nga ikonom Papa Josifi dhe shërbëtori i tij Dhimitër Tallabaku. Bashkë me dhespot Gjermanos u arrestuan edhe Vasil Singjello, Efrim Gjini, Vasil Kondi, Jani Spiceri, Onço Ballauri dhe tre mjekë: Llambi Dardha, Papadhopuli dhe K. Polena. Ashtu si dhespoti edhe këta u çuan në qeveri. Pas mesnate, dhespot Gjermanon e nisën drejt Elbasanit. E vetmja kërkesë e Gjermanos ishte: të merrte me vete Anastasinë. Kërkesa e tij u plotësua, Dhespoti u mor në dorëzim nga oficeri hollandes Reimers. Bashkë me Anastasinë i çuan në Elbasan me të njëjtën araba, të shoqëruar nga një araba e dytë, ku ndodheshin të arrestuarit e parësisë. Pas disa ditëve u çuan në Elbasan edhe të arestuarit e tjerë të përmendur më sipër, ku bënte pjesë dhe Efrim Gjini. Arrestimet vijuan edhe përgjatë ditëve të tjera, u arrestuan vendas dhe të huaj, njerëz që punonin fshehurazi “gjirizeve” të agjenturës greke
XXIX
Këtë rrëfim po e mbyllim këtu me një paragraf të shkurtër, shkruar nga Petro Harrizi te libri i tij, “Historia Kronografike e Korçës”, fq, 89, ku shkruhet: “Si u bë paqja midis luftëtarëve, si u bindën tërë kryengritësit, pasi u detyruan të ngrenë nëpër shtëpitë e tyre flamurin e bardhë, edhe si u shtrua kësilloj vendi, Qeveria zuri të përkujdeset më parë për të varrosurit e të vrarëve, të cilët kishin mbetur pa mbuluar, atje ku qenë vrarë, për shkakun që nuk guxonte të dalë asnjeri jashtë”. Ndërsa në faqen 91, vijon: “Papastaj Qeveria Shqiptare zuri të përkujdesej për qetësinë e popullit dhe për sigurinë publike duke nxjerrë patrulla natën prej vetëdashësve shqiptarë në Varosh ose prej myslimanëve në Kasaba. Në Varosh dilnin që ruanin edhe myslimanë, gegë ose vendas , por gjithnjë nën komandën e vetëdashësve shqiptarë. U dha edhe një urdhër që të ndizen fenerat natën. Ca që bënin kokëfortin dhe nuk i ndiznin, dënoheshin dhe kësilloj pastaj zunë të konformohen me urdhërat e Qeverisë. … Në ballkon të Mitropolisë u ngul dhe valonte flamuri shqiptar”.
*(Shënim: rrëfimi i referohet librit të Petro Harizit, “Historia kronografike e Korçës”, dhe burimeve të tjera të cituara në material)
Kosova nuk i takon Serbisë (Le Kosovo n’appartient pas à la Serbie)
Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë, shikuar historikisht që nga 1389… Kosova u bë pjesë e Serbisë vetëm pas pushtimit dhe aneksimit të saj nga Mbretëria Serbe më 1912./
Nga Fahri XHARRA/
Menjëherë do të më pyesni, pse ky titull ,kur ne e dimë që Kosova nuk i takon Serbisë. Kur e thotë i huaji, dhe kur e thonë njerëzit me peshë ndërkombëtare, atëherë është më lehtë ta pranosh edhe vet vendimin tënd. Sikur të bazohemi në propagandën serbe-turke ; ne nuk kemi miq ,ne jemi të padëshiruarit e Europës dhe për ne Europa na paska pas thënë që ne jemi “ vetëm nocion gjeografik “.
Për të vërtetuar këtë po iu rikujtoj shkrimet e fundit të publikuara tek ne e që ta ” ftohin jetën e qenien tonë “ se ne kurrë s`kemi qenë komb, se ne nuk ishim kurrë më shumë se 4% – e të thëna e te shkruara nga njerëzit tonë. Por pa dashur më ra ky shkrim në dorë, i shkruar nga Z. Milliere Guy dhe e botuar në http://www.les4verites.com. Një analizë e partisë të së drejtës liberale.
Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë Shikuar historikisht që nga 1389 , Kosova u bë pjesë e Serbisë vetëm pas pushtimit dhe aneksimit të saj nga Mbretëria Serbe më 1912. Pas fundit të Luftës së parë Botërore , Kosova iu bashkëngjit (me forcë ) Jugosllavisë së krijuar , ku Serbia nuk ishte vetëm aty. Pas LDB , Jugosllavia rrëshqiti nën komunistin Tito; Kosova u kurthye në Jugosllavinë komuniste së cilës iu akordua autonomia më 1974.
Autori pastaj shpjegon që Kosova në vitin 1990 ishte objekt i një pushtim arbitrar dhe me dhunë nga Serbia e që u deshtë që NATO-ja t`i jep fund kësaj maskarade të përgjakur serbe. U kuptua që shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë më së bashku
Me qenë se gjendja status -quo nuk mund të zgjaste deri në pafundësi , autonomia në kuadrin e Serbisë nuk kishte kuptim , u hap rruga e Pavarësisë së Kosovës.
Më tej shpjegohet që shqiptarët ( me shumicë myslimane ) nuk ishin kolonizatorë; ata nuk ishin pushtues. Ata e ushtruan të drejtën e tyre juridike që “ shkurorizohen” nga Serbia për shkak të dhunës ndaj tyre.
Autori me shumë seriozitet e thekson se serbët kurrë nuk kanë qenë viktimë të dhunës shqiptare, por ishte e kundërta. Kosova është e populluar me shqiptar, dhe se shqiptarët janë në shtëpinë e tyre.
Autori shpjegon bukur që shqiptarët musliman të Kosovës ishin gjithnjë mysliman të moderuar, dhe se vetëm me ardhjen e Millosheviqit radikalizmi fetar mori krah. Në botën islame po zhvillohet një luftë e ashpër në mes të moderuarve dhe radikalëve. Autori ia tërhjekë vërejtjen opinionit francez se popullata myslimane shqiptare e Kosovës është e vetmja popullate pro perëndimore. (Aucune population musulmane n’est plus pro-occidentale que celle du Kosovo. ) Shqiptarët edhe nëse janë mysliman ( ata që janë ) janë perëndimor.
(“Je dirai à ceux de mes amis qui identifieraient les Kosovars aux « Palestiniens » que les uns n’ont rien à voir avec les autres : les « Palestiniens » sont imprégnés de nationalisme et de violence, ils sont la pointe avancée du nationalisme arabe et de l’islamisme, les Kosovars ont été victimes de Serbes imprégnés de nationalisme et de violence. Ils sont nos alliés dans la lutte contre le nationalisme serbe qui doit se détacher de ses tendances fascistes et nos allies aussi dans la lutte contre l’islamisme”. par Guy Milliere )
Autori iu tërhjek vërejtjen miqve të tij që nuk duhet vuar në të njëjtën peshojë Kosovarët dhe “Palestinezët”: duke thënë palestinezë janë të mbështjellur me nacionalizëm dhe islamizëm arab. kurse shqiptarët e Kosovës janë viktimë e nacionalizmit dhe dhunës serbe.
Edhe kjo fjali : Shqiptarët e Kosovës janë aleatët tanë ( të francezëve ) në luftën kundër nacionalizmit serb i cili duhet të zhveshet nga tendencat e saja fashiste dhe se shqiptarët janë aleatët e francezëve në luftë kundër radikalizmit islamik “( Bravo, ashtu është!.fxh)
Fahri Xharra, 19.08.15
Gjakovë
Kosovë-Djali i Richard Holbrooke viziton Vitinë-kompleksin me emrin e babait, promovon në Prizren filmin “The Diplomat”
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 18 Gusht 2015/ David Holbrooke, djali i diplomatit të ndjerë amerikan Richard Holbrooke, viziton Kosovën dhe promovon filmin “The Diplomat”, kushtuar karierës dhe trashëgimisë së babait të tij.
Sot në Viti takoi kryetarin e Komunës, vizitoi kompleksin “Richard Holbrooke” dhe ekspozitën me këtë emër, ndërsa nesër në mbrëmje shfaqet filmi “The Diplomat” në Kino Lumbardhi në qytetin e Prizrenit.
Për të shprehur falënderimet që Komuna i ka bërë veprës së babait të tij, në Viti sot ka qëndruar djali i ish-diplomatit amerikan Richard Hoolbruk, David Holbrook. Fillimisht, vizita e pasardhësit të projektuesit të paqes në Ballkan nisi me një takim me kryetarin e komunës së Vitisë,Sokol Halitin, thekson njoftimi nga Komuna.
Pas takimit të zhvilluar në ambientet e Komunës, ata kanë vizituar edhe kompleksin dhe bustin e Richard Holbrooke të vendosur vitin e kaluar në qytetin e Vitisë. David Holbrook u shpreh krenar për veprën e babait të tij duke vlerësuar një kontribut të çmuar për të ndihmuar popullin e Kosovës. “Jam krenar për kontributin e babait tim të dhënë gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë. Ai e ka dashur shumë Kosovën dhe ka qenë tejet i kënaqur që në Kosovë ka pasur sukses puna e tij”, tha David Holbrook.
Ai duke kaluar me një shëtitje nëpër qendër të qytetit, i pritur nga një numër i madh qytetarësh, ka vazhduar në Galerinë e Arteve në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”, ku u hap një ekspozitë me fotografi të diplomatit amerikan, e cila do të qëndroj e hapur për 10 ditë.
Në 22 korrik të vitit të kaluar Komuna e Junikut në Kosovë ka vendosur një pllakatë në odën ku diplomati amerikan Ambasadori Richard Holbrooke kishte takuar për herë të parë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Një fotografi e tij përkrah një kryengritësi kosovar (Hajdin Abazit i njohur si Lum Haxhiu) kishte bërë xhiron nëpër botë.
Ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracey Jacobson ka qenë e pranishme në odën e Junikut, ku është zbuluar pllaka.
Pak kohë pasi diplomati amerikan Richard Holbrooke ishte emëruar si emisar i Presidentit të SHBA-ve, ai kishte vizituar Junikun, ku ishte regjistruar edhe takimi i parë i tij me një ushtar të Ushtrisë Çlirimtare. Pllaka u zbulua në oden ku u zhvillua takimi, për nder të diplomatit amerikan që ndërroi jetë në vitin 2010.
Në 14 dhjetor 2010, atëherë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllonte Presidentin e SHBA-ve Barack Obama dhe popullin amerikan me rastin e vdekjes së diplomatit të lartë, Richard Holbrooke, të cilin e vlerësonte mik dhe zë mbrojtës i Kosovës.
“Richard Holbrooke ishte ndër diplomatët më të njohur në nivel botëror, që dha kontribut të shquar në të gjitha misionet, duke treguar cilësitë e larta individuale dhe përfaqësimin e denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes anembanë globit”, theksonte Thaçi.
Më tej ai shtonte se “vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është humbje e madhe jo vetëm për SHBA-të, por edhe për popujt për të cilët ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e paqes dhe arritjen e lirisë”.
“Për qytetarët e Kosovës vdekja e Richard Holbrooke është humbje e një miku dhe një zëri mbrojtës të interesave të Republikës së Kosovës”, theksonte Thaçi.
MASAKRA E MIRDITES, GUSHT 1949
Nga Gjon Kadeli*/
Me 7 gusht 1949 u vra Bardhok Biba. Ai ishte sekretar i pare i patise dhe deputet i Mirdites.Si rrjedhim i kesaj vrasjeje, ne menyre te shpejte, forcat e vecanta te sigurimit dhe ato te ndjekjes hyne ne Mirdite. Focat e policise te zonave te ndryshme te Mirdites, shkuen neper katunde me listat e njerezve qe do te arrestoheshin. Si perfundim u arrestuen ma se 300 vete dhe familjet e te arrestuemve u interrnuen ne kampin famkeq te Tepelenes.
Mbas shqytimeve te ndryshme qe u bane nga autoritetet perkatese, u vendos qe 26 vete nga te arrestuemit te paraqiteshin ne gjygj ushtarak, kurse te tjeret u drguen ne burgjet e Shkodres. Gjykata vendosi qe 4 prej tyne te vareshin dhe 10te te pushkatoheshin.
Ekzekutimi u ba ne Qafe te Valmirit, ne afresi te vendit ku ishte vra Nardhok Biba. Ekzekutimet u bane , si hakmarrje per vrasjen e Bardhok Bibes; megjithse viktimat ne fjale nuk kishin te bashin aspak me vrajen ne fjale. Bardhok Biben e vrane te arratisunit, disa prej te, cileve, rregjimi komunist u kishte vra djalin, baben ose vellan.
Ekzekutimi u ba ne nji menyre aq te eger [barbare], se qe nuk ishte pa ndonji here ne ate vend. Ne prani te qinda e qinda njerezve, te moshave te ndryshme, qe qeveria i kishte detyrue te shoshin ne vendin ku do te bahej masakra,. sigurisht edhe per tmerrue edhe vete popullin.
Pushkatimi i njerezve u ba ne kete menyre: viktimat ishin te lidhune me tela me n jeni tjetrin, dhe vrasjet u bane nji nga nji me dy plumba nen sqetull dhe i dyti shifte vrasjen e te parit , i treti vrasjen e te dytit e keshtu me radhe. Ndonjeni prej atyne qe ra gjalle ne grope dhe krekoj te gjuenin perseri, thirrjes se tij ju pergjegjen te shtimet me mitraloza. Kjo menyre ekzekutimi, qe mund te quhet, vrasje e dyfishte, dhe tejet barbare, tregon egersine shtazarake dhe kombvrasese te rregjimit komunist.
Thuhet se nuk mbahet mend se ne Bjeshken e Oroshit, te kete ra ndonjihere bore, ne mes te gushtit, por naten e 17 gushtit, qe pasoi ekzekutimet ne fjale, ra bore. A mos kjo bore ishte nji reagim i vete
natyres, per masakrimin e njerezve te pafajshem?
Ata qe u voren ishin: Preng Dede Kola nga Oroshi, Pjeter Dede Vila e Pjeter Paloka nga Kacinari dhe Dode Marka Biba Nga Kthella.
Ata qe u pushkatuen ishin: Nga Kthella e Eper Gjegj Belleshi dhe nga Kthella Nikoll Bardhok Bajraktari,Llesh Gjon Melyshi, Bardhok Dode Gjini. Nga Kacinari Frrok Mata, Ndrec Marka Ndoj e Pjeter Dede Vila.
Nga Oroshi Nikoll Llesh Bajraktari e Preng Shkurt Nikolli dhe nga Peshqeshi Ndoc Gjete Cupi.
Per rregjimin komunist, nuk mjaftoi masakra e Valmirit. Asaj ju shtue edhe interrnimi i ma shume se 300 familjeve Mirditore ne kampin e perqendrimit ne Tepelene. Menyra se si , shume prej ketyne familjeve u
cuen ne Tepelene, ishte shume e veshtire. Shume prej tyne kaluen me jave nga nji vend ne tjetrin, deri sa mberrijten ne Tepelene. Ne rastin e familjes time, nga Oroshi na cuen ne Rreshen, ku bujtem dy
nete, ne rraze te Manit te Nreut, dhe mandej na cuen te kisha e Rrubikut ku ndejten dy jave, perpara se te na coshin ne Tepelene..
Shume prej familjeve qe u interrnuen ne Tepelene, kishin me veti femije, disa prej te cileve ishin krejte kerthije [foshnje]. Kuptohet se sa e veshire ishte, is per fimijet si edhe per nanezezat e tyne,
kur ata femije qashin nga uria e nanat nuk kishin se cka me ju dhane me hanger.
Ne kampin e Tepelenes vdiqen rreth 300 femije, shumica dermuese nga Mirdita. Vdekja e ketyne femijve u shkaktue nga uria dhe nga semundjet e ndryshme Me kujtohen si sot, dy raste, tejet te dhimshme dhe terqethese, kur njaj grueje i vdiqen dy fewmije mbrenda 24 oresh dhe nji tjetre nji femije, te dyja keto voren veten nga deshprimi. Te dyja keto te m jera ishin nga Mirdita., dhe te interrnueme si rrjedhim i
vrasjes se Bardhok Bibes.
Shtoi ketu, se pervec vdekjeve te aq shume femijve dhe te nji numri te dukshem te njerezve te moshuem, kesaj ju shtue edhe perbuzja e dinjitetit njerezor. vorret e atyne qe vdiqen ne kampin e Tepelenes, u zhvendosen tri here. Heren e fundit, nji pjese e kufomave i rivarrosen ne bregun e lumit te Bences, te cilat mbrenda nji kohe te shkurte, i mori uji i atij lumi.
Lind pyetja: Pse u ndermoren keto masa tejet barbare, ndaj popullit te pafajshem te Mirdites? A mos ishte nji shfrymje e nji mllefi individual, apo e nji natyre tjeter?
Sido qofte, per rregjimin komunist, qe nga fillimi, masakrat kane qene pjese e veprimtarise se tij. Po permendi vetem disa prej tyne. Masakra e Buzemadhes ne Lume, ku ate qe bane Serbet kunder atij populli trim bane edhe komunistet shqiptare. Masakra e Koplikut dhe masakra e njerezve te pafajshem ne Tirane per shkakt te incidentit ne Ambasaden Sovjetik dhe ajo e Mirdites. Pa dyshim keto masakravejne i vejne nji damke te zeze te pashlyeshme, ish rregjimit komunit shqiptar.
*Arkitekti i masakres, Mehmet Shehu ne shtratin e vdekjes
- « Previous Page
- 1
- …
- 492
- 493
- 494
- 495
- 496
- …
- 693
- Next Page »