• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha: Azem Hajdari është gjallë, sepse e gjallë është kurajo e tij

September 12, 2015 by dgreca

TIRANË, 12 Shtator – Partia Demokratike ka përkujtuar sot 17 vjetorin e vrasjes së liderit të dhjetorit, Azem Hajdari.Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha,  në një prononcim për mediat para memorialit të Azem Hajdarit,  u shpreh se “sot ne nderojmë martirin e demokracisë, liderin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, njeriun që vrau frikën dhe me frikën e hedhur tok, shpërndau kurajon e njërëzve të lirë nga Jugu në Veri”.

“Diktatura nuk ia fali kurrë Azem Hajdarit, përmbysjen e madhe dhe të parikthyeshme, kthimin e lirisë së qytetarit në themel të një shoqërie, mposhtjen e frikës, ekzaltimtimit të kurajos qytetare. Ndaj krimi i lidhur me pushtetin, shkuli Azem Hajdarin nga gjiri i demokratëve dhe i qytetarëve të lirë me 12 shtator 1998, por nuk e shkuli nga mirënjohja e demokrateve, mirënjohja e një kombi të tërë, nga nderimi i veprës së tij të pa vdekshme”, tha Basha.

_MG_9224Basha u shpreh se “Azem Hajdari është gjallë, sepse e gjallë është kurajo, vendosmëria e tij, për të mos lëshuar liritë e fituara në dhjetorin e vitit 1990-të. Azem Hajdari është gjallë, sepse e gjallë është forca kreshnike e tij në Partinë Demokratike për t’u prirë edhe një herë dhe për ta mposhtur krimin e lidhur me pushtetin dhe pushtetin e bërë njësh me krimin”.

_MG_9268Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të krijimit te kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998, si dhe Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes ne Kuvend. /Kortezi ATSH f.n/

***

Kush ishte Azem Hajdari/

Lindi më 11 mars 1963
Ishte i martuar, me tre fëmijë: Kiriadi, Rudina dhe Azemi i vogël
1993- Mbaroi studimet ne degën filozofi në Universitetin e Tiranës
1995- Diplomohet në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Tiranës
1993-1994, Studion gjuhën angleze dhe për filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
1996 – Diplomohet në studimet e Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Gramish të Gjermanisë, në Universitetet e Organizuara nga Organizata e Atlantikut të Veriut
Aktiviteti Politik
Dhjetor 1990-shkurt 1991, Udhëheqës i Lëvizjes Studentore që shembën diktaturën komuniste në Shqipëri
Kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike Shqiptare, partia e parë opozitare pas 50 vjet diktaturë
1991-1993 Zv/kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe anëtar i Kryesisë së saj.
31 mars 1991, deputet i PDSH për Shkodrën
22 mars 1992, deputet i PDSH për Shijakun
26 maj 1996, deputet i PDSH për Bulqizën
29 qershor 1997, deputet i PDSH për Tropojën.
1992-1996, Kryetar i Komisionit parlamentar për Rendin Publik dhe SHIK
Qershor 1997, Kryetar i Komisionit parlamentar për Mbrojtjen Kombëtare
Prej vitit 1995 deri 1998, President i Klubit të Futbollit Vllaznia të Shkodrës
President i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale shqiptare
1990-1998
I bëhen 5 antentate, prej të cilëve dy spektakolare në Selinë e Parlamentit shqiptar në shtator të vitit ‘97, dhe antentatit në Tropojë në qershor të vitit ‘98
12 shtator 1998, Azem Hajdari vritet nga njerëz me uniformë policie përpara selisë së Partisë Demokratike
Pesë atentatet e bandave të së majtës ndaj heroit të demokracisë

Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë, kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se, do të vritej njeriu me xhupin e zi. Që nga Lëvizja Studentore e deri më 12 shtator 1998, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale. Mjafton të kujtojmë vetëm faktin, që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ‘92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek rruga e “Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër, veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas pesë atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.
Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.
Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.
Më 18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdorën deputetin socialist Gafurr Mazreku, Azemi goditet për vdekje me 5 plumba në Kuvend.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, duke qëlluar me breshëri plumbash në makinën e tij, ku përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Qindra plumba derdhen nga armët e zjarrit mbi makinën e tij. Ai njoftoi qendrën, por nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet. Azemi i shpëton një prite ku dhjetëra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet deputetin Azem Hajdari dhe grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.
Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetëra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.
Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje.
I pashpjegueshëm qe fakti se, edhe pas vrasjes së heroit të demokracisë, nuk u ngrit asnjë postbllok në të gjithë Shqipërinë. Lajmi për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e shekullit”.

Filed Under: Histori Tagged With: Azem hajdari eshte gjalle, Lulzim Basha

Fjalimi i Aleksandërit të Madh

September 12, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Në vitin 356 para Krishtit, në një mbrëmje korriku, në qytetin Pella të Maqedonisë, u lind një foshnjë, që njëzet e dy vjet më vonë, do të pushtonte Azinë dhe do të shkatërronte shtetin e pafund, të pasur dhe të plotfuqishëm të Persianëve. Kjo foshnjë ishte Aleksandri i Madh.Kjo datë ka mbetur e fiksuar sepse atë natë u dogj tempulli i njohur i perëndeshës Diana të Efesianëve. Plutarku shkruante se, të gjitha falltaret e Efesit, pasi vështruan rrënojat e tempullit, rendën nëpër rrugë duke thirrur:…”ky ishte sinjali i lindjes së atij që do të shkatërronte të gjithë Azinë”.I njohur ndër Shqiptarët si Leka i Madh, Aleksandri ka qenë biri i mbretit Filip II i Maqedonisë dhe i gruas së tij të katërt, princeshës epirote – Olimpisë., e cila konsiderohet si njëra ndër gratë më të shquara të Antikitetit. Në vitet 331-317, në kohën kur erdhi në fron një kushëri i saj, Aikidi, Olimpia u bë bashkësunduese me të në fronin e Epirit.
Sipas Xenophonit ,ne fillim te shek IV prKr ,Pella  ishte qyteti më i madh i Maqedonisë.
Ky vend shumë i njohur ne shek e 19-të ishte eksplotuar nga Holand, Pouqueville, Beaujour, Cousinéry, Delacoulonche, Hahn, Glotz dhe  Struck , bazuar në shkrimete e përshkrimetee e Titus Livius-it. Gropimet e para hulumtuese u bënë nga G. Oikonomos në 1914–15.Kurse që nga viti 1953 , këtu bëhen hulumtime të vazhdueshme , sepse bëhet fjalë për një qytet shumë të madh…
Në vitin 2006 , rastësisht u gjet një varr shumë i madh , më i madhi i gjetur në Greqi. Flitej për një familje të lartë të varrosur aty. Por , unë do të flas për një zbulim që na flet John Chika në librin e tij:
“Fillimet e Aleksandrit “ ku shpjegon se nga gjetjet e rëndësishme , më e rëndësishmja ishte gjetja e një fjalimi të Aleksandërit të Madh…Dokumenti dhe dokumentet tjera ishin të shkruara në Thrako-Ilirishte,Në kohën e gjetjes ,  të gjithë fotografë dhe gazetarët u larguan nga vend ii hulumtimit. askush nuk ishte në gjendje të bente zbërthimin e letrës. përveç një profesori të Universitetit të Vjenës. Informatat përkundër ndalesës  së fortë qeveritare greke , ato rrjedhën.
Dokumenti zbulon premtimin “ Bessa- Bessa “ të mbajtur në mes Klitos, i biri i Mbretit të Ilirisë Bardhylit dhe Aleksandrit të Madh që trupat ushtarake ilire do ti bashkohen ushtrisë së Aleksandrit të Madh kundër persëve. Në të njetën kohë ky ishte pajtimi i madh  në mes tyre , pas një zënkeje të gjatë.

Fjalimi ishte mbajtur nga Mbreti Aleksandër në Pallatin e qytetit në Molossia.
Në kë asamble ishte ftuar Mbrei Klitos të shërbejnë së bashku, dhe kështu gjenerali dhe Aleksandri i shtrënguan duart e djathta pasi e pranuan premtimin e dhënë

Fjalimi i Aleksandrit ishte Ky: “ Nevet jemi nga. Nje ate prej njemex Illyria, Thraco Malesi dhe Maqedonia. Kemi nje gjak nje gjuhe. Ndryshojme jo shume ne petka. Illyrianet veshin ne krahe lekure te deles dhe nevet veshim burro kappa prej leshit te dhivet. Me Besa- Besë , qe tani e bëmë Gjeneralin Klito; dhe me ndihmen e trimeve Illyrian , Malesore dhe Maqedonasit,shiguroj , darmimin,armikut,persiaan. kete here  do te mundim te hapim ndryten quteterore tere botes qe jane ne erresire “
Fjalimi mbetet ende të vërtetohet , nëse mundet. Tani për tani e kemi vetëm kë shkrim të John Çikas i lindur me 12 Prill 1893 në Borsh të Kurveleshit,  Libri është i shkruar në vitin 1958 në SHBA..

Referencat

Shefki Ollomani:ALEKSANDRI I MADH I MAQEDONISË – LEKA
John Chika- Fillimet e Aleksandrit
Historic sites in Greece Alexander the Great Sites Roman Ruins Ancient Greek Ruins Ancient Cities
11,09,15, Gjakovë

Filed Under: Histori Tagged With: Fahri Xharra, Fjalimi i Aleksandrit te Madh

11 Shtatori, 14 vjet me pas

September 11, 2015 by dgreca

Sot mbushen 14 vjet të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA/

Rreth 3 mijë veta humbën jetën në New York, Washington dhe Shanksville në sulmet terroriste të vitit 2001/E premtja shënon 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Tubime përkujtimore janë planifikuar gjithandej vendit për të përkujtuar ditën kur katër avionë kryen sulme vetëvrasëse në Shtetet e Bashkuara.  Dy nga avionët u përplasën në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, një u përplas në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në fushat e Shanksvillit në Pennsylvania, para se të arrijë në cakun e synuar në Washington.

Presidenti Barack Obama me bashkëshorten dhe personelin e Shtëpisë së Bardhë, do të marrë pjesë në një minutë heshtjeje në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë. Pasdite, presidenti do të marrë pjesë në një takim në bashkinë e Fort Meade afër Washingtonit, për të biseduar me pjesëtarët e forcave të armatosura që ndihmojnë për të mbajtur venin të sigurt.

Që pas sulmit të kryer 14 vjet më parë, Muzeu 11 shtatori është ngritur në vendin ku ishte Qendra Botërore e Tregtisë, në të cilin ndodhen artefaktet dhe fotografitë që lidhën me sulmin.

Në Pentagon, të 184 personat e vrarë me 11 shtator do të nderohen me 184 karrige të vendosura mbi pishinë.

Në Pennsylvania, është ngritur Qendra Përkujtimore Fluturimi 93, në nderim të pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të cilët ju kundërvunë rrëmbyesve.Rreth 3 mijë veta humbën jetën në New York, Washington dhe Shanksville në sulmet terroriste të vitit 2001.(Kortezi-VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 14 vjet, pas 11 shtatorit

SHQIPTARË DHE SERBË

September 11, 2015 by dgreca

NGA MUSTAFA KRUJA/*

Më poshtë botojmë përkthimin shqip të një interpelate q’i bën deputeti serb z. Grigor Bozhoviqi ministrit të jashtëm të shtetit të tij mbi përfaqësonjësin e rí të Shqipërís në Belgrad, Ceno Bej Cernogllavoviqin. Zoti Bato që na dërgon këtë përkthim nga Bukureshti e përcjell dhe me një notë të tij t’ interesantëshme. Po me këtë rasë nuk është keq që të bëjmë dhe né një analizë të shkurtër e të kthjelltë të një tendence të ré që ka filluar të çfaqet prej ca kohë si një fenomen politik i papritur në disa qarqe politike të Belgradit mbi marrëdhënjet e dy shteteve fqinj të Ballkanit: Jugosllaví dhe Shqipërí.

Politikanët serbë, me Nikolla G. Pashiqin në krye, të dehur keq prej triumfit të pashpresuar t’armëvet të tyre në dy luftërat ballkanike, të pështetur e të siguruar mirë prej Rusís cariste dhe prej një rrjeti të gjërë forcash dipllomatike e ushtarake që endej në mes të dy oqeanëve, besuan një herë se asnjë fuqí në botë nuk do të qé e zonja t’ua nxirrte nga dora brigjet shqiptare t’ Adriatikut që kishin pushtuar prej sundimit të kalbur të perandorís otomane. Dhe për të siguruar këtë, nuk lanë mjet pa përdorur kundër popullit shqiptar të çarmatosur : as plumbin, as bajonetën, as fjalën, as pendën. Mijëra e mijëra shqiptarësh, grá, foshnja, pleq e të rinj u vranë, u therën dhe u dëbuan ; fara shqiptare iu paraqit botës së qytetëruar si një njollë për të : populli autokton e më i vjetër i Ballkanit u tregua si një bandë egërsirash antropofage, në fazën më primitive të njerzís. Me një fjalë ky popull jo vetëm që s’ishte në gjëndje të formonte një shtet më vehte, por, n’ interes të paqes së Ballkanit e të dinjitetit t’Evropës së qytetëruar q’e kishte në gjí, meritonte të shuhej kryekëput ose, e paka, të skllavërohej e të shtyhej në qytetërim me kërbaç. Mjafton, në mes të qindra shkrimeve kësodore, të këndohet “Shqipërija dhe Fuqít e mëdhà” botuar serbisht dhe gjermanisht në mijëra kopje prej një ish-kryeministri serb, Vladan Gjorgjeviqit, me shpenzimet e qeverís së Belgradit dhe…. përkthyer frëngjisht prej M.T. Kral Aleksandrit I, princit trashëgimtar t’atëhershëm të fronit të Karagjorgjeviqëvet, për të pasur këndonjës sa më shumë në botë.

Por u bë si u bë, dhe këtyre politikanëve të verbuar nga ultra-nacjonalizma serbe nuk u doli falli mu ashtu siç e kishin parë. Dhe zëri i shqiptarëvet, sado i ndrydhur e i mbytur prej bajonetavet armike pa farë mëshire e shkrupulli, diku gjeti vesh të dëgjohet. Ndonëse i qethur dhe i cungulluar, u njoh një shtet independent shqiptar. Gjysma e Shqiprís së vërtetë u sakrifikua, por brigjet e Adriatikut, që nga gryka e Bunës gjer te kepi i Stilos mbetën në duart t’ona. Atë që s’e shihnin dot politikanët e verbër serbë, e kuptoi diplomacija e hollë e fuqivet të trikuptimit, të cilat, megjithëqë donin t’a përkrahnin Serbín kundra trilidhjes, s’ishin gati të përballin një luftë të përgjithëshme të sigurtë për hatërin e saj. Mjaftonte për tó, bile qé një triunf i madh shuplaka e rëndë q’i dhanë politikës gjermane “Drang nach Osten” me futjen e Kosovës shqiptare ndën thonjtë e serbëvet dhe me coptimin e krejt Maqedonís në mes të Shteteve të Ballkanit t’ asaj kohe.

Megjithëkëtë, në qenë të kënaqur mbrojtësit dhe përkrahësit e lakmivet serbe nga kjo zgjidhje e problemës së “njeriut të sëmurë”, siç quhej Turqija prej një gjysmë shekulli e tëhu, nuk qenë gjithashtu serbët vetë. Çudija më e madhe është se verbërija e tyre nuk u kufizua në besimin që kishin në fillim se do të mundin t’a fshinjë nga karta e Evropës emrin shqiptar dhe Shqipërí, por vazhdoi dhe më tutje me të tëra konsekuencat funeste që sot po u kërcënohen mbase gjithë popujvet të Ballkanit dhe jo vetëm neve dhe atyre. Në vênd që t’i jepnin dorën shtetit të ri fqinjë për t’a mëkëmbur dhe për t’i lehtësuar vështirësít natyrale qi ka çdo komb në rilindjen e tij, të zgjonin e të forconin vëllezërín në mes të dy popujvet shoq me shoq dhe me fqinjt e tjerë të Ballkanit për të formuar së bashku një bllok çeliku kundër rreziqeve të përjashtme, ata bënë ç’mundën për të na dobësuar neve dhe vehten, për të mbjellë farën e grindjes dhe të shkatërrimit, dhe kështu me imperializmin e tyre të pafré i hapin portat, më të katër anët e sinisís, një imperializmi tjetër shumë më të fortë për dëm të madh të të gjithë popujvet të saj. Vazhduan në masakrimin dhe martirizimin e shqiptarëvet që patën fatkeqësín të mbeten nën sundimin e tyre. Blenë tradhëtorë, pajtuan mercenarë duke pandehur se këta do të mundnin t’a sundojnë shtetin shqiptar për hesap të tyre. Rezistenca e nacjonalistëvet t’anë për mbrojtjen e integritetit dhe t’ independencës së Shqipërísë, ndonjë klithmë e rrallë dhe e dobët e këtyre në jehonë të gjëmimit të vëllezërvet të martirizuar matanë të kufirit, u quajtën serbofobí dhe irredentizmë, kurse pretendimet e çdo nacjonalisti të vërtetë shqiptar kundrejt fqinjës ofensive ishin nga më modestet që mund të ketë çdo popull në botë që ndodhet në konditat t’ona: “Lenani në paqe dhe kini pak mëshirë për vëllezrit t’anë që sundoni!…”. Këtë u kemi thënë gjithnjë, dhe këtë u themi dhé sot.

Ç’të bënim dhe ç’të bëjmë tjetër? Kemi dashur dhe duam gjithnjë të jemi ballkanas dhe në lidhje të ngushta, miqësore e vëllazërore, po të jet’ e mundur me të gjithë ballkanasit, duke qënë zot seicili në shtëpín e vet. Por fatkeqësisht serbët dorën e vëllazërisë, sa herë që u ësht shtrirë, e kanë prapsur me përbuzje. Na kanë shtyrë me shqelme të kërkojmë shpëtim në të tjera drejtime. Dhe pastaj kanë bërtitur se nacjonalistët shqiptarë janë armiq të Serbís dhe të parimit “ballkanet të ballkanasve”.

Lufta botore i shpuri serbët n’apogjén e pushtetit të tyre dhe kjo i madhështoi ca më keq. Peripecít e kësaj lufte patën shumë faza që duhej t’i kishin shtyrë ata të bënin një shqyrtim ndërgjegjeje, një examen de conscience, për një rikëqyrje radikale të politikës së tyre imperialiste. Për dy vjet me radhë vendi i tyre hyri, pas një shekull lirije, përsëri ndënë zgjedhë të huaj. Të kishin qënë të tërë popujt e Ballkanit të lidhur me një besë nuk dimë a do t’u ngjante ay kob q’u ngjau! Por këta në vênd që t’ ishin të lidhur u dërmuan në mes të tyre. Populli shqiptar mbeti pasiv. Këtë situatë, në një përpjesí shumë të madhe e kish krijuar politika imperialiste serbe.

T’ish zbatuar pakti i Londrës, në bazë të të cilit kishte hyrë Italija në luftë, shteti S.H.S. në vênd të Shqiprís së vogël do të kishte sot për fqinj një komb dyzet milionësh dhe shumë më të përparuar se ay vetë. Ç’do të kish ndodhur atëherë për fatin e atij shteti trishkronjash? N’ësht se nuk u zbatua pakti i Londrës, ky fakt i lumtëruarshëm nuk rodhi sigurisht as prej gjenís diplomatike të Belgradit as prej forcës s’ armëve të tij, por prej një kompleksi rrethanash të papandehura dhe pjesërisht prej asaj, se në njërin breg t’ Adriatikut rronte një komb që serbët kanë vuajtur vjet me radhë t’i mohojnë eksistencën. Ay komb që qé i zoti t’i bëjë më të madhin shërbim vehtes dhe krejt Ballkanit duke e shtrënguar, thjesht me vullnetin e vet, gogolin italian të zhduket dhé nga çipi i fundit e më i lakmuar i tokës shqiptare. Por nuk duhet të harrojnë politikanët serbë se rrethanat e një kohe nuk përsëriten kurrë identike dhe se një popull i vogël si i yni, edhé sikur t’ish përbërë me të vërtetë prej gjigantësh, nuk mund t’iu bëjë ballë gjithmonë në krye të vet popujvet që janë më të mbëdhenj, dhe nuk mund të bashkohet, as për mbrojtjen e vet, me fqinj q’e shqelmojnë, e përbuzin pareshtur dhe që gjithnjë kërkojnë t’a bëjnë kafshitë për vetëhe.

*****

Sot një pjes’ e ngushtë e shtypit jugosllav, me gazetën “Politika” në krye, ka zënë t’ alarmohet prej influencës së thellë italiane të futur në Shqipërí. Alarmi ësht i arsyshëm dhe i justifikuar. Por faji për ç’po ndodh nuk është veçse i politikanëvet serbë. Po vallë do të kenë këta aq bon sens që t’a shohin, të pakën sot, këtë faj të madh në vehten e tyre? Apo do t’a humbasin toruan siç e kanë humbur gjer tani? Dhe do të dinë vallë t’i venë sëmundjes në rrënjë? Në qoftë se po, né i urojmë me gjithë zemër n’ interesë të marrëdhënjeve të mira e të sinqerta që dëshirojmë të mbretërojnë në mes të dy popujvet fqinj për të mirën e njërës anë e të tjetrës dhe të gjithë Ballkanit. Megjithëkëtë nuk mund t’a rrudhim vetëhen nga një skepticizmë e justifikuar prej provave të shkuara. S’ësht faji në personat q’ i shiten njërit e tjetrit; ësht në sistemin politik të pështetur në njerës të blerë dhe të shitur në marrëdhënjet me një shtet fqinj, ësht në sistemin politik që ka ndjekur Belgradi gjer tani dhe po ndjek akoma drejt nesh.

Çështja ësht fare e kthjelltë. Dó shteti S.H.S. t’a pushtojë dhe t’a aneksojë Shqiprín me maskë ose pa maskë? S’e bën dot as me armë, as me para! Armët kur s’ia dhanë 1912-13 e 1914-18, as paskëtaj s’ia kanë për të dhënë. Përkundrazi mund të vënë re në dhé eksistencën e vetë. Me njerës të blerë kanë bërë mjaft eksperienca, dhe sot po e sheh se ç’ka fituar prej sish.

Apo dó shteti S.H.S. të pasurohet (!) me një copëzë të Shqiprís duke u ndarë kjo në mes të saj, të Greqís dhe t’Italís? Këtij qëllimi mund t’ia arrijë, ndofta, shpejt ose vonë. Dhe e vetëmja udhë për këtë ësht’ajo që ka ndjekur që nga krijimi i shtetit shqiptar e gjer sot. E le të vazhdojë më té!…

Përndryshe, në qoftë se Beligradit më së fundi i është mbushur mëndja si neve: a) që Shqiprín s’e ha dot vetëm n’asnjë mënyrë, dhe duke dashur t’a hajë vetëm, mund t’ia futë në gojë ndonjë tjetri me dorën e vet; dhe b) që copëtimi i Shqiprís, me shkeljen e domosdoshme në Ballkan të një kombi homogjen dyzet milionësh dhe përditë në shtim e në përparim, do të jetë një mynxyr’ e madhe edhé për avenirin e shtetit S.H.S., atëherë lypset të ndrrojë udhë gjersa s’është tepër vonë dhe të vendosë pa hezituar e pa prapamendime të merret vesh me të vetmin element shqiptar që ka për devizë absolute independencën politike dhe ekonomike të Shqiprís, neutralitetin e saj dhe zbatimin e drejtë të parimit “ballkanet të ballkanasve.” Duam të themi me elementin nacjonalist që sot ësht i ndjekur e i mërguar, por nesër do të jetë domosdo i zoti i fatit t’ atdheut të vet, në qoftë se ky do t’ eksistojë.

Skepticizma e jonë për një rikëqyrje të politikës në këtë kuptim nga ana e Jugosllavís, shtohet aq më tepër kur nuk shohim akoma ndonjë sugjerim serioz të këtillë as në mes të radhëvet të fushatës së hapur kundër Ahmet Zogut. Vetëm një rreze shprese mjaft e zbetë po na jipet sot prej një deputeti opozitar, zotit Grigor Bozhoviq, n’ interpelatën që ka bërë në Skupçinën e Belgradit në rasë t’emërimit të Ceno Cernogllavoviçit si përfaqësonjës i Shqiprís pranë qeverís jugosllave. Ay thotë: “… Pështetja në bejlerët e turqëzuar, parimet e të cilëvet në politikë janë mashtrimi e gënjeshtra dhe për të cilët politika, qoft’ e brendëshme a e jashtme, nuk ësht politikë siç e kupton bota, por vetëm dallaverë e thjeshtë turke, i dha opinionit t’onë të drejtë të pretendojë se politika e jonë e jashtme kundrejt shtetit shqiptar dolli krejt e pafrytëshme!”; dhe më poshtë: “Neve kjo gjë na dha konvikcjonin e plotë a urdhërin kategorik se në Shqiprí nuk duhet, këtej e tutje, të përkrahet politika e bejlerëvet dhe se interesat t’ona jetore duhen mbrojtur në mënyrë tjetër dhe me rrugë më të caktuara!”.

E përgëzojmë z. Bozhoviq për një të vërtetë të hidhur që ka guxuar të thotë aq hapur mbi politikën e shtetit të tij me Shqiprín. Vetëm se ay nuk i cakton, n’ interpelacjon që bën, direktivat e reja që kërkon t’i porositë shtëpís së verdhë. Mbase do t’i thotë në parlament duke zhvilluar interpelatën e tij. Dhe né po presim.

*****

Por duke pritur nuk mund të rrimë pa shtuar dhé ca vërejtje si për substancën ashtu dhé për ca hollësira me rëndësí të kësaj interpelate.

Pikësëpari duam të shënojmë se gjersa opinjoni i z. Grigor Bozhoviq të mbetet i kufizuar në personin e tij ose makar edhé në grupin e vogël të demokratëvet independentë, në të cilin ay bën pjesë, do të ketë vetëm një kuptim platonik pa asnjë efekt praktik në një t’ ardhme t’afërme. Situata e kërkon q’atë opinjon t’a bëjnë të tyre patjetër të gjitha ato qarqe që mund t’a vënë në zbatim menjëherë ose në një t’ardhme të shpejtë.

  1. Bozhoviq thotë n’ interpelatën e tij se Jugosllavija u gënjye keq dhe pati “provat më të mëdha të mosmirënjohjes e të bukëshkaltësís ndërkombëtare”. Të na falë z. deputet i Skupçinës! Sikur të mos e kish përdorur agjektivin e fundit të kësaj fraze do t’ ishte mê koherent me vehten e vet dhe mund të bashkoheshim dhé né me të. Dhe do t’i thoshim se atdheu i tij ç’mbolli atë që korri me Ahmet Zogun e shokët. Por një shtet për vepra ku as vetë s’është në rregull ndërkombëtarisht s’ka asnjë të drejtë të kërkojë miradije ndërkombëtare.

Sa për “turpin e madh” q’i ndershmi deputet serb qahet se Ministri i Punëvet të Jashtëme s’ka dashur t’i kursejë vendit të tij duke i dhënë agrementin një njeriu si Ceno Beu për të përfaqësuar një shtet të huaj pranë hoborit mbretënor të Jugosllavís, i japim plotësisht të drejtë. Megjithëkëtë, ay, sikur t’i kish njohur sa Cernogllavoviçin edhé përfaqësonjësit e tjerë të Shqiprís së sotme, mbase do të gjente pak ngushëllim duke mos e parë atdheun e tij të vetëm në këtë turp! Duket ka shumë qeverira në botën e sotme q’ e konsiderojnë politikën e jashtme jo shumë ndryshe se “bejlerët e tyrqëzuar” të Shqiprís.

Pas përshkrimit q’i bën, z. Bozhoviq do t’a njohë shumë mirë Ceno Begun. Dhe né s’kemi se ç’i shtojmë atij përshkrimi aspak, sidomos pasi ky argument nuk hyn as në temën t’onë. Vetëm na intereson të çkoqitim këtu se, duke mos kontestuar asnjë nga vrasjet dhe grabitjet, q’ay i ngarkon Cenës, shtetas serb, në kohën e okupacjonit austriak kundra serbëvet për Austrinë, gjith’ ato fakte tragjike po ay Cenë, nënështetas serb dhe jugosllav, i ka përsëritur dhé kundra shqiptarëvet, për hesap të serbëvet! Pra do t’a kishim quajtur më burrë dhe më të drejtë z. Grigor Bozhoviq sikur të kish pasur kurajën civile t’ia përmendte ata dhe ata bashkatdhetarit të tij, Cernogllavoviqit, kur ka dashur t’ia nxjerrë në shesh krimet që ka bërë.

Na vjen keq kur shohim se edhé vetë i ndershmi interpelonjës, që duket pak a shumë i frymëzuar prej realitetit, thotë: “Shqipërija vetë ka pasur prapamendime kur na e proponoi (Cenën) aq për të na treguar se na çmon paksa edhé të na tallet në fytyrë dhé me prestigjin t’onë të keq.” Por né e sigurojmë z-in e tij se këtu as Ahmet Zogu vetë s’i ka faj. E ké do të dërgonte tjetër veçse një shokun e vet?

Mê së fundi z. Bozhoviq shton dhé këto : “gjithë shqiptarët t’anë habiten ; besnikëve u vjen keq, të tjerëve u duket sikur Ahmet Beu i ka shtyrë kufít në Prepolac dhe kënaqen.” Né këtë pikë e gjykojmë pak më ndryshe. Besojmë se shqiptarët shtetas të mirë jugosllavë ishin gëzuar dje bashkë me serbët, kur më s’mbeti kufí i vërtetë në mes të dy shtetevet. Por sot u vjen keq dhe alarmohen kur shohin se Ahmet Zogu i ngriti kufít e Shqiprís së vogël jo vetëm me Jugosllavín e madhe, por dhé me Italín shumë më të madhe akoma. Ç’faj kanë shqiptarët e mjerë, z. Bozhoviq, në qoftë se ju mbualltë hithë duke pandehur se do të korrnit drithë? Sa për ata “të tjerët” e sigurojmë prapë z. deputet se si dje ashtu dhe sot janë gjithnjë të helmuar, në qoftë se dó të thotë për ata shqiptarë shtetas jugosllavë që dëshirojnë të shohin një atdhé të lirë makar për së largu, makar pa e gëzuar vetë atë lirí.

*Mustafa Kruja- Gazeta “Liria kombëtare” 2 Gusht 1926

 

Filed Under: Histori Tagged With: Liria Kombetare, Mustafa Kruja, Shqiptare dhe Serbe

Kalivet e Boboshticës – historia e vllehëve të Korçës

September 9, 2015 by dgreca

(Sipas studiuesit Ilo Mitkë Qafëzezit dhe profesorit rumun Th. Kapidan)/

Përgatiti :Vepror Hasani/

Kur i sheh së largu  këto kalive thua se po ke përpara ndoca kosherëza mizëbletësh apo kërpudha të mëdha (Th. Kapidan, Frasërotii, fq. 37-38)

Kur vemi që nga Korça për në fshatin Dardhë përtej grykës së Boboshticës, mbë të djathtë të rrugës së re, në rrëzat e malit Lisec ndën një sheshtirë të qarkuar prej malesh, që nuk e rrahin pothuajse fare erërat erëforta, syri i udhëtarit sheh me habi një shumicë kasollesh. Janë kalivet e vllehëve të Shqipërisë, nomadë, të cilët beharit verojnë bagëtinë në malet plot kullota të Korçës edhe, në dimër e shkojnë në vëri, pranë buzëdeteve të ngrohta shqiptare. Në muajin korrik të vjetëm, duke u ngjitur për në Dardhë, u kthyem  dhe ne për një copë herë që të shohim këto kalive të çuditshme sa edhe të  bukura. Janë lart nga 30 copë kalive në trajtën e një mullareje a të një qipiu të madh me bar së largu, këto kasolle të duken si ca të vërteta “koshka mizëbletësh”. Përveç këtyre, mbë një anë të të togut të kalibeve, është edhe një ndërtesë e vogël e gurtë, e cila shërben si depo e bulmetrave të zbritura prej malit, ku është “stani-fabrikë” e kaçkavallit prej kualiteti të shkëlqyer e të tjera. Në derë të depos na priti plaku “çobanbash”, xha Plasoti, (i ati i çobanbashit) – tregtar kaçkavallesh (Thoma Plasoti, i mirënjohuri si në Korçë, si dhe në tërë Shqipërinë). Plaku xha Plasoti me hapsin e madh të depos, ndër duar,  të bën përshtypjen e një “Shën Pjetri” të vërtetë, si ruajtës e kujdestar i togjeve “të kuleçëve” kaçkavallë të bukur e fort të pastër, plaku çobanbash mban dhallin for të shijshëm, me të cilin  “qiras” edhe vizitonjës korcarë, qoftë se psonisin apo jo nga bulmetrat e çkëlqyera të stanit të tyre. Me qetësinë të Shqipërisë xha Plasoti, plak 70-vjeçar, është tepër i kënaqur dhe hera-herës u kallëzon shtruar-shtruar çobanëvet djelmoshë se sa keq ishte në kohrat e Turqisë, kur s’kishte darkë e drekë prej perëndie që të mos xheremetisej me nga një e më shumë të pjekura kur e shkelte kapedani Ali Farmaqi dhe të tjerë hajdutë, të cilët pasi hanin mirë-mirë, kërcenin nga një valle rrotull stanit duke kënduar:

Mirëse të gjetëm

O çobanbash

Se darkë e drekë

O nga një dash

II

Përveç dy a tre çobenëve të kësaj kollonie pitoreske, të gjithë të tjerët ishin ndër malet me tufat e bagëtive. Njëri nga barinjtë na shpie ndër kalivet, përshkrimin e të cilave do ta japim gjerësisht më tej, ashtu siç e bën bukur profesori Kapidan i Universitetit të Kllushit të Rumanisë në librin e tij të titulluar “Frasërotii”. Përjashta kalibeve ishin të gjitha plakat çobanka, duke tjerur me furkë apo duke gatuar gjellën, edhe pranë tyre po luanin, rrëmeti i shumë kalamanëve të shëndetshëm e fytyrëpjekur. Përbrenda “kasolleve” ndë të gjitha ato gratë dhe vashat, po ujdisnin gropat e zakonshme (pranë hyrjes së kasolles, mbë të djathtë) për të storasur avëlmendet e tyre. Pyetmë dhe na thanë se ajo ditë ishte dita e caktuar, kur të gjitha këto shtëpresha, punëtore si mbletët, bënin po atë punë. Atë ditë bëhej më çdo kalive “instalimi” avëlmendeve, kurse, siç na thanë, gjer atëherë ishin bërë parapërgatitjet e tjera të kësaj industrie të bekuar shtëpiake, si lëvrimi i leshit, të tjerrurat, majë e hinit etj. Pothuajse gjithë këto kasolle prej purtekash të këtyre vëllehëve nomadë të Shqipërisë, që janë mbase “njerëzit më të lumtur të kësaj natyre, me gëzim të shihte syri edhe një a dy djepe të thjeshtë, ndë të cilët flinte apo rrinte zgjuar e të vështronte me ca sy të zez të mprehtë, voci lonjak vllah, vashë a djalë, bariu i nesërm i tufës së bekuar apo mbase “çobanbashi” dhe tregtari i bulmetrave të uruar e aq të mira të Shqipërisë. Voci e vocja e djepi ishte mbështjellur dhe lidhur në djepe porsi të gjitha foshnjat tona në Shqipëri, në qytete dhe fshatra, me mënyrën e qëmoçme, të cilën mënyrë një shëtitar ingliz Smart Hugher-i, sot e njëqind vjet të shkuar, e quan “të mbështjellur” e të lidhur si mumjet e Misirit”.

III

Këta vllehë ndënshtetas të urtë, të bindur sa edhe punëtorë, të çkathët e të fortë, kanë historinë e tyre  fort   të  nderesaçme, (interesante), të përnguljes në vendin t’ënë dhe ndër viset e tjerë të Ballkanit Jugor. Mbi këtë pikë do të përshkruajmë një studim të shkurtër në këtë shtyllë, kur të vinjë radha. Kemi disa mijë vllehë shqiptarë të mirë që jetojnë bashkë me ne, një pjesë e tyre rrojnë veçuar, mirëpo një tjatër, mjaft i madh, si për shembull voskopojarët, korçarët e të tjerët, pasi u vendosën në qytetin tënë të ardhur këtu pas prishjes së Voskopojës u asimiluan aq mirë me ne, me anë të krushqive dhe janë çquar dhe po çquhen aq si tregtarë edhe si profesionistë të çdo dege në mes tonë, sa edhe si shqiptarë e qytetarë të mirë

* * *

Siç po sheh këndonjësi i nderuar, këtë radhë po bëjmë fjalë për atë pjesë vllehësh shqiptarë të cilët shkojnë një jetë natyrore të bukur për çudi: “jetë nomade”. Kjo jetë nuk është gjë tjetër veçse zakoni i dhënarëve vllehë që së bashku me të çuarit e tufave të gjësë së gjallë në mal apo në vërri, të këmbejnë edhe banesat e tyre fëmijare, (familjare), domethënë t’u venë pas bagëtive me gjithë fëmijë e plaçkë shtëpiake. Këtë zakon, që quhet “nomadizëm” e kanë patur edhe shqiptarët në kohët e moçme, kurse sot dhënarët tanë, si edhe vllehë të tjerë, që s’janë “nomadë” përcjellin vetëm bagëtinë me barinj, edhe vetë rrinë me fëmijën (familjen) atje ku i kanë shtëpitë: në mal apo në vërri. Këta blegtorë quhen vetëm “dhënarë nomadë”

IV

Të vazhdojmë temën e nisur, “Kolibet e Boboshticës”, pas përshkrimit të hollësishëm që na jep zotëria Profesor Kapidan, specialist në studimet e nomadizmit të vllehëve tanë. Zotëria e tij i vizitoi këto kalive në verën e vitit 1928, sot e katër vjet të shkuarë. (Ky material është botur në vitin 1932, shënimi ynë – V.H). Qëllimi i zotërisë Kapidan ka qenë, siç na thosh ai vetë, (në faqen 35 të volumit “Frasëriotii”), të vizitonjë veçanërisht edhe fshatin Boboshticë të Korçës, i banuar më tepër prej një fisi shqiptarë sllavësh, me qenë se pati marrë vesh që ata flasin një gjuhë  bullgare “fort arkaike” dhe me veçorira, të cilat gjoja nuk i ka e folmja e sllavërve të Maqedonisë, kjo pikë e ka tërhequr dhe interesuar tepër studionjësin e ndrituar. “Përveç kësaj,- thotë zoti Kapidan, – ma kishte ënda ta shoh këtë plit edhe sepse aty është monastiri i Shën Kollit, (i ngrehur në vitin 1503, sot e 429 vjet të shkuar), në të cilin, në vitin 1709, Patriku Joasafi, voskopojari, është zgjedhur si i pari peshkop i Korçës, përpara se të bëhet patrik i Ohrisë, i prasmi, (i fundit) patrik i këtij qyteti, që më 1718-1745), siç thotë gjermani H. Gelzzer (në veprën Von Heiligen Berge und aris Makedonien Leipzig, 1904, f 1., 154). Kështu pra, mik i ndrituar i Shqipërisë, përpara se të vijë të shohë kalivet e vllehëve përtej grykës së Boboshticës, qëndroi së pari në fshatin Boboshticë, të cilin e viziton mbë të gjitha anët dhe bën një përshkrim mjaft me hollësi të vendit të fshatit të dëgjuar. Flet me fshatarët me gjuhën e tyre (pika që e intereson kryesisht profesorin e nderuar dhe i kupton fët-fët veçoritë që ka bullgarçja e këtyre, nga ajo e sllavëve të tjerë të Ballkanit. Tani po e lëmë të na kuvendojë vetë zotëria Kapidan: hem për Boboboshticën dhe vëllezërit tanë boboshtarë, hem për kalivet dhe vllehët nomadhë që verojnë përmatanë këtij fshati të bukur

V

“Fshati Boboshticë është i ngrehur tatëpjetë një bregu, i mbuluar me aq shumë blertëtirë e drunjëra, manash të shumta sidomos, që edhe pasi të afrohesh, shtëpitë nuk duken veçse kur të hysh në fshat”. “Posa arritëm në fshat, ia mbajmë drejt për në monastirin e Shën Kollit. Aty duallë na pritnë një plak dhe një plakë, të cilët na urdhëruan të hyjmë në manastir, duke na kuvenduar në gjuhën vllahishte të Vllahisë. Këta ishin sllavër të fshatit, të cilët patën bërë (jetuar) shumë kohë në Vllahi. Shumë nga këta sllavër dhe shqiptarë të Boboshticës jetojnë edhe sot në Rumani si tregtarë apo zi zanaqarë (zanatçinjë). Nga shqiptarët boboshtarë më të shumtit janë të vendosur në Bukuresht. Njëri nga këta ka qenë edhe i ati i shkrimtarit t’ënë Viktor Efthimiu (Ky shqiptar boboshtar është nga vjershëtorët dhe aktorët dramatikë  më “fekundër” nga sa ka patur Rumania  gjer më sot

Përpara katër vjetësh poeti Viktor Eftimiu ishte drejtor i përgjithshëm i theatrove të të gjithë Rumanisë. Veprat “ Feerik” më  fort   janë  përkthyer dhe në gjuhë të huaja edhe luhen shpesh herë në  Berlin ,  Paris ,  Budapest  etj

VI

“Pasi vizituam kishën e manastirit, bëmë një shëtitje ndëpër fshat. Aty kuvendova bullgarçe me disa pleq duke marrë shënimet që më duheshin mbi veçoritë (partikularitë) e gjuhës së tyre, të cilat takohen më të folurit maqedhobullgar”. “S’po terjas të bënj këtë herë një shqiptim të hollësishëm mbi këtë pikë të vogël; këtu po mjaftohem të them se, nga sa munda të vë re unë, sllavët e Boboshticës dhe të atij që flasin bullgarët e Ohrisë “qëndron më pak në format gramatikore edhe më tepër në të theksuar. Sa për leksikun, domethënë fjalët e sllavishtes boboshtaro-drenovare, përveç disa trajtave (formave) shqipe që kanë hyrë rishmë në atë gjuhë, unë nuk munda të vë re asgjë më të ndryshme  nga sllavishtja e bullgarëve të Maqedonisë…”

VII

Pakëz më poshtë, zotëria Kapidan do të flasë për kalivet e Boboshticës. Siç po dihet, në qarkun e Korçës dhe brenda në qytet kemi tri lloj vllehësh, të cilëve u themi edhe çobenër (fjalë turçe –bari ). Kështu i quajnë edhe në vise (vende) të tjera të Ballkanit, sepse rrënja e punës së tyre kryesore që nga kohërat më të moçme ka qenë puna “dhenare” e bekuar. U themi edhe “Cën-cërë” edhe vllahishtes së tyre “cërcarçe”. Kur drejtoja shkollën vllahe në Korçë, një nga nxënëset, “vashëzë myzeqare”, në mes të mësimit të historisë mbi fisin vllah të Shqipërisë, më ka bërë një pyetje më rëndësi në këtë pikë, duke më thënë: “Epo zoti mësonjës përse arbëreshët (shqiptarët), kur qeshin me ne, na thonë edhe “dënce” dhe “dacër?” Shpjegimi i këtij emri ironik ishte i zorshëm përnjëmend, po megjithatë, zë besë se munda ta jap fare mirë dhe të pagabuar: “Vllehët, ndër kohëra të moçme treqind e kusur përpara Krishtit, quheshin Dakër, kanë qenë fqinj të mirë me ilirët, shqiptarët dhe farefis madje, siç thotë historia dhe siç e dëshmon gjuha shqip e rumanisht me qindra fjalë të përbashkëta dhe, që në atë kohë, populli i Shqipërisë, siç e ka përdorur emrin dac për dakët, stërgjyshërit e të gjithë vllehëve të sotëm e thonë gjer më sot, ndonse për qesëndi.

VIII

Të tri “filirat” apo fiset e vllehëve pra, me të cilët bashkejtojmë vllazërisht në Korçë quhen;  vllehë Frashërjotë, Voskopojarë dhe Myzeqarë. (këta të prasmit (të fundit) janë  fort   të  pakë) Të parët përbëjnë numrin më të madh, mirëpo krushqëri me “Arbineshët” korçarë edhe me qarkun Frshërjoti bën vetëm rrallë e tek. Vllehët voskopojarë bëjnë “radhë” krushqi me shqiptarë po, nga sa dihet, kurrë me sy të mirë nga të dy fiset e parë, të cilët i heqin si më të poshtëm. Gjithashtu voskopojari vllah nuk e bën aq kabull të martohet me vllahun frshërjot por me korçarin “Arbinesh” u përzie duke bërë edhe krushqi që prej gjashtëdhjet vjet e tëhu, edhe u asimilua çpejt. Voskopojari zanaqar a tyxhar, duke u vendosur në Korçë zgjodhi për vend shtëpie mëhallën e quajtur e “Voskopojarëve” pranë pazarit edhe përveç kësaj u vesh me dollma e me xhybe si tyxhari shqiptar korçar i asikohe. Mirëpo Frashërjoti, dhëndër i djeshëm dhe terzi shajaku i sotëm, zgjodhi një tjatër vend në Korçë: pëlqeu rrëzën e bregun e Shën Thanasit, me erën më të pastër e të shëndetshme, dhe përveç kësaj nuk e këmbehu rrobën e stërgjyshëvet të tij; veshjen e bekuar të shajaktë dhe këmishë me kinda të dhënarisë. Sidoqë kështu është një gabim historik po të besohet se fiset vllehe që kemi në Korçë dhe kudo në Shqipëri gjoja nuk paskan lidhje gjaku në mes tyre dhe se, Voskopojari, për shembull, është më “i fismë” nga Frashërjoti dhe Myzeqari apo Frashërjoti “më i fismë” nga Myzeqari. Kjo gjë ngjet tani sikur të mburremi se cili prej nesh toskë e gegë që, njëri fis prej tjetrit, gjoja, të kemi më tepër sipërorësi  fisnikërie.

IX 

“As ndonjë ndryshim gjaku në rrënjët nuk është në mest të “Cëncarit” Frashërjot, Voskopojar apo Myzeqar. Që të gjithë kanë rrënjën dakë të vjetër të Dacisë së (Rumanisë së sotme) kushërinj jo të largët me Ilirët (stërgjyshërit e shqiptarëve), siç e dëshmon fare mirë historia. Siç thamë më përpara ngjarjen historike, se qysh janë gjendur vëllezërit vllehë shqiptarë në mest tënë si dhe në kusurin tjetër të Ballkanit përkëtej Tunës do ta shoshitim herë tjetër, hollësisht sa të jetë e mundshme. Për këtë herë po shënojmë vetëm se: “të gjithë vllehët e Shqipërisë, të Maqedonisë, Thrakës dhe Bullgarisë dhe Sërbisë qenkan Gramozllinj, domethënë që prej krehërit të malësisë Gramoz (përtej vargut Moravë të Korçës). Që nga Gramozi, pra barinjtë vllehë kanë ardhur me tufët e tyre të mëdha dhe janë vendosur qëmoti në qarqet e Korçës e të Dangëllisë (Frashër), që këtu rrjedh edhe emri i fisit: Frashërjotë). Gjithë po këta vllehë, duke shkuar pako gjë më tutje, populluan edhe Voskopojën e dëgjuar” (Faimoasa Noscopole, C.N, Burileanu, I., Romeni di Albania, 124 & Th. Capidan, Romani Nomazi, 61)

X

“Që të gjithë vllehët tanë pra, kanë një rrënjë e një gjak: si frashërjotët ashtu edhe Myzeqarët. Asnjëri nga këto fise nuk i bie të mburret veç e veç se është prej fisi të romanëvet që pat vendosur në Kandavi (qarku i Ilirisë), rreth Gjolit Lyknidies –Pogradec). Konsulli Kuint Fab Maxim (Quintus Fabius Maxemus), siç paskan dashur të heqin veten qëmoti vllehët voskopojarë (Puqvile) Voyage dans la Grece, (1820) f., 392-393, që të gjithë vllehët tanë të Shqipërisë janë të fisit të përzierë dake-roman, të çkëputur prej trungut të tyre dhe të hedhur ndër ne, nga njëra anë me urdhër të Romës si kollonistë të saja më përpara, edhe pas shkretimit të Shqipërisë prej gjaksorit çkatërronjës të madh, siç e quan Neibuhr-i, konsullin L. Aemilius Paullus, si edhe nga ca ngjarje historike të tjera, të cilat do t’i përshkruajmë në një studim të veçantë. Shkrimtarët e sotmë, që janë marrë me jetën e vllehëve të Ballkanit Jugor, të tërë vllehët e Shqipërisë i përmbledhin me një mbiemër të vetëm: vllehët gramozllinj (Gramusteni). Të gjitha këto nuk po i themi veçse të mbështetur mbi studime të stërholla specialistësh në këtë lëndë, evropianë dhe rumunë të çquar. U larguash pakëz nga tema, siç e kemi zakon shpesh herë, kur është fjala për ngjarje historike, të cilat e do puna, doemos, të lidhen edhe me historinë e kombit shqiptar prej historianit të arthmë

“Është koha pra që t’ia japim kuvendin zotërisë, profesor Kapidanit “Mbi kalivet e Boboshticës”, i cili me këtë rast, na jep dhe një konizmë (pikturë) të bukur të kalibeve. Në këtë duken vetëm dy copa nga të malit Lisec. Përpara këtyre kasollevet të mëdha është sërëndritur në vrak, si valle, një qym i madh nuse e vasha, çobanka të veshura me xibunet, linjët dhe këculat e gjata të pashkës”.

XI

“Jo shumë larg që prej Boboshticës, thotë zotëri Kapedan – gjenden edhe ca kolube frashërjote, ndër të cilat barinjtë nomadë shkojnë në muajt e verës. Të gjitha së bashku, nja 30 copë, përbëjnë një katund (fshat të vogël),  “Catun” “katund”  i thonë rumanisht.  Përpara se t’u qasesh afër këtyre kolibeve, të cilat frashërjotët i quajnë “këlive”, kur t’i shohësh së largu, të duket se po lë përpara ndoca kosherëra mizë-bletësh apo ndoca kërpudha të mëdha të mbira prej dheu. Vetëm pasi të hysh në katund të dalin përpara njerëzit që rrinë ndër to, atëherë sheh se edhe ato janë banesa njerëzish. Të këtilla banesa nga të frashërjotëve nomadë, të cilët merren me rritjen e dhenve do të shohësh kudo ndër vise e malësira të Shqipërisë së mesme dhe të jugës”.

XII

“Një kalibe, ashtu siç duket në konizmët (fytyrë, e cila gjendet në faqen 37 të volumit “Frashëriotii” të zotit Kapidan), ka një gjatësi që prej 5 gjer më 6 metra diametër. Prandaj kur hyn brenda, lipset të kesh mendjen që të mos përpjekësh kokën pas muri. Deriçka e kalibes, si lartësirë është më e vogël se sa shtati mesatar i një njeriu, po-po trashësia e mureve nuk është më tepër se dhjetë apo pesëmbëdhjetë pond (centimetra). Orenditë dhe plaçkat e një kalibeje janë të pakta, vetëm nga ato që duhet me doemos; disa shkorsa e velenxa për t’u mbuluar, të vëna në tokë njëra mbi tjetrën, janë vendosur ndë një anë ndë hyrje të kasolles, po-po në anën tjetër është storasur avëlmendi. Në murin nga fundi i saj, në mes, është vatra në të cilën gjenden plot enë për zjerjen e qumështit apo për të gatuarit e gjellës. Një kusi e vogël e varur për një çengeli i ngulur ndë mbulesën e kalibes rri pothuajse ngahera përsipër vatrës. Mbërdhe, zakonisht, nuk ka asnjë të shtruar. Vetëm kur vjen ndonjë i huaj, ndonjë mysafir, si për nder, i shtrohet një velënxë, që të sheshohet të rrijë. Përndryshe, vllehët frashërjotë, të zënë afro mbë të gjitha anët me punën e shumë me tufat e tyre, edhe të mësuar që të shkoj në gjithë ditën përjashta në erën e lirë të malit e të vërrisë, nuku ndjejnë nevojën e gjërave të mira e të llusave me të cilat të janë mësuar vëllezërit e tjerë të tyre që janë vendosur ndër qytete të mëdhenj e të vegjël. Çobani frashërjot hyn ndë kalibe vetëm kur është kohë e keqe, po në kohë të mirë, ay ha, zbavitet, prehet edhe fle përjashta ditën si dhe natën, i shtrirur

Na vinim tock u harao!

K’askapam di jarnë greao!

I

Ne po vijmë të gëzuar!

Se nga dimri i keq shpëtuam!

“Me këtë këngë, e me të tjera si këtë, kanë ardhur për mot që nga vërria në Malin e Thatë dhe në malet e tjerë të bukur të Korçës vllehët shqiptarë me mijërat kokë bagëti: “Plot gëzim se shpëtuam nga dimri i keq”, siç thonë të dy vargjet “cëncarçe” që sërëndit në krye. Është kënga e tyre, por këndohet më tepër prej çunave vllehë, që e këndojnë kur na shkojnë përmes Korçës, të gëzuar se po u qasen maleve të tyre, të cilët i duan me shpirtin, aq sa u këndua t’i quajnë “malet e veta”, “muncili armaneshti”. Këngët gazmore të tyre të përziera edhe me dringëllimin e harmonishëm të këmborëve të tufëve, përbëjnë një koncert tepër të pëlqyer për ne korçarët kur i dëgjojmë ndaj të gdhitë të mëngjeseve të majit, kur na shkojnë përmes qytetit duke u drejtuar për në malet e tyre. Është tamam ajo kohë e mëngjesit kur shqiptarkat, nuse e çupa të Korçës, llërëpërveshura e kryelidhura me dylbenka të bardha, vaditin dhe fshijnë secila pjesën e sokakut të shtëpisë, një punë shtëpiake që i ka bërë aq evropianë shkrimtarë të lëvdojnë shtëpresën korçare dhe qytetin tënë ta numërojnë si më të pastrin e të gjithë qyteteve të tjerë të Shqipërisë. Pamja plot bukuri e vargut të pambaruar të tufëvet, si dhe xhallahia e dëndshme e koncertit të tyre i bën shqiptarkat korçare të lënë për një hop fshesën edhe të thërresin shoqja-shoqes:

Po  vijnë vllehët, po vijnë stanet! Rend moj e bardhë t’i bëjmë sehir!… Edhe shoqja i përgjigjet: “ Po  vinj, po vinj të shohim dhe çobankat, ato këculgjatat, me djepet në kurriz dhe duke thurur çorape”.

II

“Të gjitha tufët e bagëtive kur na vijnë nga vërria apo kur shkojnë për atje, kanë të pamët të hijshme, po jo aq sa kopetë të vllehëve nomadë, domethënë të atyre që venë e vijnë me gjithë fëmijë e plaçka të shtëpisë. Va-et-vient-i (vajtje e ardhja) e këtyre ka një bukuri të veçantë për syrin e sehirtarit, aq më tepër për një të huaj që i sheh për herë të parë

Me gjithë dimrin farmaq të hidhur të këtij viti, edhe me çvleftësimin, qesatin e madh, që është edhe për lloj pasuri kombëtare tonën prapë, por nga mot ashtu edhe këtë vit, javën që shkoi, i pamë përsëri këto tufë dhen të vëllezërve vllehë nomadë. Puna e donte që të ktheheshin nja dy-tri javë më përpara, mirëpo i paska penguar puna e pengimit të xhelepit. Nga rrëzimi i madh i çmimit të gjësë së gjallë i sivjetëm, të mjerët nomadë si edhe shokët e tyre jo nomadë, erdhën shumë ngushtë për pagesën e domosdoshme të mbretërisë. Mirëpo qeveria shqiptare, apo siç e kanë kuptuar këta dhenarë, më mirë të themi “vetë mbreti Zog të rronjë sa malet”. Siç tha nomadi çobanbash, si babë i vërtetë dhe i vllehëve shqiptarë, u paskan bërë një tog lehtësirash në pagesën e xhelepit një mirësi që i ka bërë t’u largohet mjaft “qederi” vreri i madh i qesatit të gjësë së gjallë edhe të na vijnë prapë “Ku mullt harao”, “me shumë gëzim” që të na gëzojnë malet dhe kodrat tona me tingëllimat e bukura të zileve të fyellit dhe të xhurasë, të cilat na i ka kënduar me aq hije, me zjarr dhe ëmbëlsirë vjershëtori kombëtar Naim Frashëri në “Bagëti e Bujqësi”.

Vllahinka e stanit 

Porsi çobanbashi

Kur mbledh dhentë

Ndë strugë!

Moj çobankë e malit

Moj vllahinkë e stanit

Zoti më të bëftë

Turkë

Apo  mirë je kaurkë?!…

(Këngë e kohës turke)

III

“Sa e çuditshme aq edhe e bukur, piktoreske është jeta dhe të gjitha zakonet e vllehëve tanë nomadë. Shumë prej jush këndonjës të nderuar i dini mbase, por më të shumtit nuku. Shumë vetë prej nesh na kanë pëlqyer ndonjëherë, të qesëndisni kur shkojnë me tufët e mëdha të bukura vllehët nomadë, çobenët siç u themi, me çobankat sokëgjata e këculëgjata. Sa faj i madh! Sa gabim i rëndë! Jo vetëm të mos qeshim me këtë fis punëmadh të popullit të Shqipërisë por bile t’u bëjmë nder, t’u gëzohemi për jetën që shjojnë dhe t’i lumturojmë. Këta nomadë dhënarë janë shumë më të lumtur se sa ne! T’i admirojmë, të çuditemi me jetën e tyre dhe t’i kemi kryesipër. Në një kohë varfërie të madhe si këtë që kemi arritur sot, kur ne të tjerët, qytetarë a fshatarë, pasi hoqmë dorë nga shajakët e gjyshërve, po na vjen festja (vërdallë) rrotull se nuk jemi të zotët të vishemi me një shajak kombëtar të hollë, të endur në Shqipëri (siç bën kombi bullgar trim dhe ikonom e të tjerë për të mirë të ekonomisë sonë kombëtare. Këta barinj të lumtur e kanë të rregulluar “pikë” rromjen (rrojtjen) e tyre, si hamjen shqeto të thjeshtë, si edhe të veshjes, vllehët nomadë i mbajtnë me shenjtëri, ashtu siç ua lanë stërgjyshërit e tyre, që kur u vendosnë në Gramoz, mbase që nga qindvjeti i gjashtë pas Krishtit e më tëhu.

Vllehët nomadë pra, janë njerëzit më të lumtur të botës dhe, kur na shkojnë përmes Korçës për në Mal të Thatë apo tekdo gjetkë, le të shohim vetëm me sy nderimi dhe dashurie vëllazërore. Qëllimi ynë këtu është që të përshkruajmë për këndonjësit e nderuar të kësaj gazete, një nga skenat (pamjet) më të bukura të jetës së vllehëve nomadë të Shqipërisë: “Të ngjiturit e tyre që nga vërria në mal”, pamje të cilën e shohim të përsëritur për mot në javët e para të majit. Një skenë tjetër e bukur dhe ajo është kur këta njerëz të mëmës natyrë zbresin me tufët në vërri në vjeshtë me ndryshimin që, atëherë shkojnë të qederosur që po i lënë malet sepse jeta e fushës nuk u pëlqen se atje nuk ka ujë të ftohtë si fjala vjen në malet korçare e të tjera

Kë-s vicac tu apa-arace

Se u këndua n’uj’ të ftohtë

Si-sh fakë këlivi n-afoare,

Të bëjmë kalibe jashtë

Pute kaplu s’-nu li doare…”

Kurrë  koka mos t’u dhëmbë

IV

“Në mungesë të një klisheje prej fotografie do të mundohemi të bëjmë një përshkrim të konizmës së bukur të tufëve të vllehëve tanë nomadë, siç i pamë ditët e shkuara, posi edhe nga moti në këtë kohë. Ndë ballë të tufës së gjatë shkon një nga barinjtë, i cili me të hyrë në Korçë e vë ndë xhep fyellin apo xhuranë, së cilës i bie gjithë udhëve ndër fusha e male. Anëve të tufës janë të tjerë barinj, shokë të të parit; që të gjithë kanë përdore lidhur me zinxhir nga një “Balik” të madh, të keq, i cili vështron me sy prej ujku, që posa t’i shohësh këta qenër të nomadëve, përnjëherë të vete mendja tek qenërit e famshëm të Mollosve (Labro, Çamërve) që na bën fjalë historia e vjetër. Nja pesë a gjashtë çape më tej ballit të tufës, ecën me ngadalë “tradicionali” gomar, kafsha e pandarë e saja, i urtë, siç na thanë, figuron kurdoherë më tepër që të mos marrë mbësy kopeja e bekuar. Mbi njërin nga këta veshëgjatë pamë të hypur dhe një nuse çobankë, e cila qëndronte e storasur, sikur duke nusëruar. Qenka tepër i çuditshëm, po edhe fort i bukur, roli i kesaj nuseje vllahinkë e cila i hipka gomarit vetëm kur tufa ka për të shkuar përmes një fshati apo qyteti. Shkakun na e shqiptuan kështu: Kur Arbineshët dalën të bëjnë sehir tufët e vllehëve të mos i kenë aq  fort   sytë  tek dhëntë e të mbësyshin, por të shohin më tepër nusen të hipur mbi gomar”

Linjën të gjatë

Xibunin të shkurtë!

Moj çobankë e malit

Moj vllahinkë e stanit

Zoti më të bëftë turkë

Apo mirë je kaurkë

(këngë e kohës turke)

V

Në arsyetimin tonë që: në këtë rast, atëherë do të jetë në të keqe, mbasi e mjera nuse, të bierë ajo mbësy, muarrëm shpjegimin  fort   të  lezetshëm. Nusja vllahinkë s’është puna të mbësyshet, sepse ajo është e armatosur me një hajmali, të cilën e mban në gji të varur për qafe, përveç gjerdhanit që ka, me florinj, ndër të cilët figuron edhe një kostandinar (flori nga të Kostandinit të madh). Siç po dihet, hajmalia ka fuqinë të madhe që të prapsonjë çdo “sy të keq” me qenë se brenda ndë të na është qepur me kujdes një copëz kartë e cila përmban ja-se një stih ungjilli të shkruar në greqisht prej një prifti, ja-se po një ajet kurani, të shkruar arabisht prej një hoxhe. Sikur mezallah copa kartë të jetë shkruar gabimisht në gjuhën shqipe, hajmalia nuk bën, pasi edhe si kopeja si nusja e gjorë mbi gomar markan sy sakaqherë. Pas tufës së dhenëve vjen karvani i kafshëve, mushka e kuaj të ngarkuar me tërë plaçkat shtëpiake të nomadëve. Karvanin e kryeson doemos çobanbashi i hipur mbi kalë. Të gjithë të tjerët; burra, gra, fëmijë që përbëjnë një farë unafara ecin mbë këmbë, përveç ndo njëj plake të lodhur tepër, e cila çeku hipën mbi ndonjë kafshë të ngarkuar. Siç kemi parë, kur ka rastisur, të gjitha gratë plaka e të ra, duke ecur dhe sado të lodhura të jenë, nuk reshtin së punuari punën paragatitore të avëlmendit; të tjerurat me furkë apo dhe të thururit çorap; disa nga ato bile e bëjnë këtë punë duke patur të ngarkuar mbi kuriz edhe djepin ndë të cilin bën gjumë të lehtë voci lonjak çobanth, i bukur e sy-ulli (me sy të zez).

VI

“Sa thamë gjer tani, janë pamja e tyre e hijshme dhe nënshtypjet e këndshme që lënë në mendje të sehirtarit që di të çmojë bukurinë të jetës së këtyre vllehëve nomadë. Në radhët që vazhdojnë kemi për të parë se qysh gatiten dhe nisen që nga vërria, që nga fushat e ngrohta të anëdeteve të Shqipërisë, ç’rregulla kanë në udhëtimin e tyre gjer sa arrijnë ndër ne e të tjera të cilat janë të dobishme t’i çmojmë

Çobankat e kolonjës

Çobankat e Kolonjës

O leo Qicë Fërshiroatë,

Moj qicë pe Frashëri

Çihtisesh Kulonja toata!

Shastise Kolonjën

Qica mia, qica li-mame!

Qica ime, Qica e nënës

 

O llaj xhoni ku oklju llaj,

Djal’ more, o sy zi

Ce-i acel di tine graj?

Ç’këndon mor, ashtu ti?

Tri kulonja jo nu-nj hiu

Për Kolonjën unë nuk jam

Ma-nj hiu tri un xhone-armën!

Po  jam për një trim çoban!

 

Xhone armen, xhone ka veara,

Djalë vllah,  musi behari

d-in aushti-a nosht s’fitare

q’ atje kun a u lindnë pleqtë

Hajde xhone, – s’në fuxim

Hajde trim more të ikim

Ka dol’i në ujdisim

Se të dy ne ujdisim

(Këngë e vllehëve kolonjarë)

“Në krye të muajit maj, kur të gjithë dhentë janë mbaruar së qethuri në viset vërri të fushës, përbrenda Shqipërisë apo buzë Adriatikut, ngrohtësia zë e bëhet më e madhe. Atëherë, jo nomadë shqiptarë, si dhe vllehët shqiptarë, ashtu dhe fëmijarët nomadë nisin të bëjnë gati për të çuar bagëtitë në malt. Këto gatitje, si edhe të nisurit e tyre bëhen dhe çvillohen kështu: Nja shtatë a tetë ditë përpara se të shkojnë, vllehët nomdë, gratë të ndihmuara dhe prej burrave, zënë e mbledhin të tërë plaçkën e shtëpisë, të cilën e futin ndër  harare (hërej-thasë) të mëdhenj të avëlmendit. Pasi mbarohen të gjitha gatitë edhe mbeten fëmijakët ndën kryesi e kumandës të çobanbashit (çelikut) së pari hanë drekë. Pas këtë, ngarkojnë plaçkën e shumë mbë kuaj, po më tepër mbë mushka dhe pastaj nisen për udhë duke uruar njëri-tjetrin, urimin vllaho-shqip: hajde kala- mbarë; d.m.th. paçim udhën e mbarë.

VII

Përpara të gjithëve ecin tufët me barinjtë të shoqëruar edhe prej qenëve besnikë të tyre. Pas këtyre vijnë fëmijë ( fumel’ le- graria me fëmijët) së bashku me të tërë nikoqirësinë e tyre si shtëpiakë nomadë. Nuk ka asgjë më impononjëse, që të frymëzon habi dhe nderim, na thotë profesori Th. Kapidan në veprën “Romëni Nomazi” nuk kanë njohtime mbi jetën nomade të këtyre barinjve, se sa pamja plot bukuri që na faqëson të shkuarit e këtij karvani madhështor kur ecën shushasë apo përmes një fshati a qyteti”. Që shumë së largu duken, duke ngritur lart mu- si retë të turbullta, pluhuri i madh që ngrihet përsipër dhe rreth e rrotull tufëve të dhënëve. Sa më tepër që afrohen kopetë dhe kusuri i karvanit të vllehëve, aq më kthjellët dëgjohen edhe tingëllimat e zileve si edhe kënga e çunave të tyre që ia thonë:

Ne vinim toc ku harao

Ne po vijmë të gëzuar

K’ askëpëm di iarnë greao

Se nga dimri i keq shpëtuam

Nga zërat e këtyre dhe në xhallahinë të madhe që bëhet, nga të gjitha fshatrat, katundet (katund-fshat i vogël), që janë shushavet, dalin plot njerëz, që të bëjnë sehir vllehët që po shkojnë me dhëntë për në mal.

VIII

Pas  tufëvet të dhënëve në një larkëtirë prej disa qindra çapesh, ja tek jep krye e vjen vargu i gjatë i fëllkërëvet domethënë i familjarëve “Përpara shkojnë mbë këmbë kalamanët më të mëdhenj, të shoqëruar prej disa plakave të palodhura si burrnesha, po-po pastaj pas këtyre shkon i tërë fisi (tuti fara), i përbërë prej burrash, gra, vasha e djem. Që të gjithë ecjen ngadalë dhe afër-afër ndëpër kuajt dhe mushkat e ngarkuara gjer në xverkut. Rrallë e tek  shihet nga ndonjë plakë tepër e shkuar nga mosha, e cila  hipën nga pak mbi ndonjë mushkë

Se të kam rrëmbyer

(Folklori shqiptar)

M’u lodhe, çobankë

M’u lodhe!

Torbën të kuqe

Mbi supe ç’e hodhe

Moj m’u lodhe!

M’u lodhe çobankëzë

E bij’ e Maxharitë

Se të kam rrëmbyerë

E bijë e vllahinkësë

Të marça të keqenë

Të rrypit të opingësë

(Këngë e qëmoçme)

Nga ana tjetër, disa nga burrat hipin mbi binekë (kuaj atllarë) më tepër për qejf se sa nga të lodhurit. Fëmijët më të vegjël dhe lonjakët janë vendosur të parët ndër ca koshere të lidhur mbë të djathtë edhe mbë të mëngjër të samarit, po-po vocërit lurekë, ndër djepe të bërë kastile ndë mes të samarit, përsipër mbulesës që e thonë “sazmë” ( një farë mutafi) me të cilën, zakonisht, mbulojnë hararët (thasët e mëdhenj). Është e tepërt se këta vocër engjëllushë të ngarkuar mbi samarët e kafshëve të uruara, s’duan të dinë, s’kanë fare kasavet nga të troshiturit e gjatë të parreshtur, edhe se tingëllima e kuajve është për ata nani-nonua më e ëmbël.

IX

I radhitur kësifarësh, karvani madhështor ecën vetëm në mëngjes edhe mbrëmanet. Në mëngjes baret që posa zë të zbardhëllojë drita, gjer ndaj sahatit dymbëdhjetë, kur nuk ka nisur edhe të shtrengojë vapa. Në mbrëmje ecën që prej sahatit pesë (që në zemërherë) gjer më dhjetë të natës. Përpara drekës qëndrojnë pothuajse kurdoherë pranë një burimi me ujë të ftohtë; mbrëmanet më tepër bëjnë konak ku të rastisin. Përndryshe, posi të gjithë dhënarët e Shqipërisë, ashtu edhe vllehët nomadë i dinë me pëllëmbë të gjitha viset, burimet, udhët e monopatet nga shkojnë, pra zgjedhin viset më të mira për të bërë konak dhe gjithë po në ato qëndrojnë çdo vit. Posa arrijnë tek vendi ku do të qëndrojnë për t’u gdhirë, kuajt dhe mushkat çkarkohen dhe lëshohen pas barit; po ashtu edhe dhëntë i përhapin fushës që të kullosin. Pas këto, burrat përnjëherë zënë e ndezin një zjarr bubulak të madh. Rrotull zjarrit ngrehin tendat për t’u mprojtur nga shiu; anëve të tendës arëmojnë (rrëmihin) edhe një endek në të cilin lipset të kalojnë ujët, në rëntë ndonjë shi i madh. Vllahinkat më tjetër anë si shtëpresha, të çkathta, zënë e bëjnë gati darkën

X

Po  kur koha është e mirë dhe nuk ka shumë shi, shumë prej ta as që i ngrehin fare tendat, po ja seç bëjnë: vendosin hararët (thasët) njëri mbi tjetrin duke bërë një farë shtrofke që ata i thonë  “puravë”. Përpara kësaj shtrojnë degë gjethe dhe përsipër këtyre hapin një velenxë (cërcarçe: velenxë). Posa vjen koha e gjumit bien duke u shtritur të gjithë mbi velenxën, me kryet mbështetur përmbi anët e hararëve apo duke vënë ndën kresë një plaçkë çfarëdo dhe flenë duke bërë gjumin kështu në erë të pastër, gjer në mëngjes kur ngrihen dhe nisen përsëri për udhë. Gjella e tyre në udhë e sipër është më tepër bulmeti. Hanë edhe mish, të pjekur për helli, si dhe zarzavate të thata, fasule apo fierza (groshë), mirëpo qumështi, bulmetrat janë themelia e ushqimit të tyre udhës. Për këtë qëllim, kur nisen që nga verria, fëmijarët nomadë (fëllkërit) marrin me vete edhe një tufë më të vogël e quajtur “tufa e udhës” e pjellë dy-tre ditë përpara se të nisen. Qumështi i tufës së vogël përdoret për ushqimin e kalamanëve edhe, kudo, dhe në vendin e të veruarit, bulmetrat e kësaj janë vetëm për ushqimin e kollonisë nomade

 Llaj Kole mërat

(Folklor cëncarisht)

O – llaj Kole, o llaj frate,

More Kole, more vëlla,

Kole mor i mjerë!

Des u sarka lla’ në parte

Verë gunën mënjanë

Llaj Kole mërat!

Kole mor’ i mjerë

 

O! Nj-u ded, llajhu, nj-u ded!

As-po e vura, i ziu, e vura!

Feotile mu pot s-li ved!

Po  vashat nuk i shoh dot!

Njika ce u kaftu mine

E vogla që dua unë

Sh-va dul miç me ibrëshime

Do anteri me ibrëshim!

 

O-llaj Kole, o llaj frate

Kole more vëlla,

Fë-sh’ dulmio, tr’ ahtore vrutë

Bëj-i dh’ anteri të tillë mikeje

Ka vas ë-u-ai trë etë tutë!

Se me të ti do t’shkosh jetë

(këngë e vllehëve kolonjarë)

XI

“Kur bie puna që qëndrojnë për të bërë konak ndë çifligun e ndonjë beu apo ndonjë agai, atëherë janë të ngasur të paguajnë një pagesë të vogël për çdo kokë kali apo mushke. Kësaj pagese, vllehët i thonë “utllaqe”; ashtu i thonë edhe shqiptarët tanë (otllak). Por edhe shumë herë ata shpëtojnë nga kjo pagë me të gostitur pojakun e çifligut me qumësht, djathë apo me ç’të ngrëna që të kenë” (Th. Kapidan, Rom. Nomazi, 98). “Kështu udhëtojnë vllehët nomadë disa ditë me radhë gjer sa arrijnë në malt në banesat e tyre  malësore që janë kolibet, të cilat i përshkruam në artikullin “ Kalivet e Boboshticës”. Në tërë qarkun e Korçës vëllezërit tanë vllehë nomadë apo jo nomadë, qëmoti, kur dhënëria e Shqipërisë ka qenë në vulkun e saj më të madh, kanë patur një qender të tyre nadhështore në malin e fshatit Plasë, në veri të qytetit tonë të bukur, (Korçës). Sipër këtij fshati, në një sheshtirë  mali  të hijshme, me ujëra nga më të mirat e burimeve të atdheut kishin afro njëqind kalive posi ato që shohim sot përtej grykës së Boboshticës si edhe gjetkë në malësitë rrotull Korçës, ku verojnë. Mirëpo pas kohe, kur këta nomadë duke shijuar tepër këta malet tanë plot lullotë të mirë vendosnë që duke mos patur nevojë ta këmbejnë vendin e të veruarit, Malin e Thatë të Korçës me tjatër malësi gjetkë, në vend të kolibeve si kosherëza mizëbletësh ndërtuan shtëpi të gurta të mira me dy kate si edhe shkollë edhe një kishë mjaft të bukur

XII

“Është “gusto” e madhe me këtë fis të uruar barinjësh se, edhe pasi i ndërtuan shtëpitë të gurta të bukura në mal të Plasës, duke i prishur kasollet me purteka dhe kashtë, prapë nuk na u vjen mbarë t’i thonë “fshat” kësaj qendre të tyre, po gjene “Kalivet e Plasës!” Kështu i thonë edhe sothem ata, si edhe gjithë ne. Sot fshati Kalivet e Plasës, i cili ka patur gjer shtatëdhjet shtëpi të gurta ka mbetur vetëm me pesëdhjetë shtëpi të banuara, sepse të gjithë vllehët e tjerë “Kalivjotë” emigruan në Vllahi dhe u vendosën ndër vende pranë kufirit rumano-bullgar në krahinat Silistrë edhe Durostar, atje ku kanë vajtur dhe të tjerë vllehë fërshërotë. Për kujtim të rrënjës (origjinës) së tyre vllahe Dangëlliase, atje ngrehnë edhe një fshat të ri të bukur, të cilin e pagëzuan me emrin “Frashër”.Po me gjithë këto, më gjithë që atje në Rumani u bënë zotër toke bujqësie mjaft të madhe (çdo fëmijak njëzet hektarë), këta vllehër shumë herë rënkojnë për malet e Shqipërisë së bukur që ngaha shkuan jo të varfër, por me qerret plot, edhe pa asnjë shtrëngatë të keqe nga an’ e popullit shqiptar. Plakat e nderuara çobanka bile, qajnë me vaj shumë herë  për kalivet e Plasës e për bukurit e maleve korçare, për Malin e Thatë, ku u rritnë dhe u plaknë aq më tepër u shtohet ngashërimi të gjorave çobanka, plaka e të ra.

Varrosmëni në vathë

(Folklor cëncarisht)

Kara s’mor, karas’nu mor

Në vdekça, në mos vdekça

S’-nj-askulltaç un sigur zbor

Njerëz porosi t’më mbani

 

La turuste s’mi ngurpac!

Ndë vathët të më groposni!

Primavera kënd s’vë tarmac,

Që kur të ktheheni n’pranverë,

S’treakë oile, sin j-leakac!

Të shkojnë dhentë e mia t’i kap

Si-nj le akac si-nj-le mulgu,

Të miat t’i kap e të miat t’i mjel!

Shi ku mëma mia s’li tundu!

Dhe t’i qeth me dorën time

 

Flluera s-nj-o avdu dipriunë

Të dëgjoj fyellin papaushuar

Këndu oile va s’adunë!

Kur dhentë mblidhen të flenë!

(këngë e vllehëve shqiptarë)

Dera më e përmendur e fshatit të “Kalivet e Plasës” të Korçës  paska qenë ajo e çobanbashit Bullamaç. Nga kjo derë çelnikësh është qytetari ynë Korçar z. Nikucë Bullamaçi, i ati i i të cilit, i ndieri Papa Llambro Bullamaçi është vrarë lemerisht në Korçë prej andartëve në prill të vitit 1914. Për kujtim të këtij prifti dëshmor, bashkia e Korçës ka pagëzuar një rrugë me emrin e të ndierit në krye të së cilës është shtëpia Bullamaçi.

XIII

Pasi u larguam përsëri, sado prej themës, gjë e cila nuk besonj ta ketë rënduar këndonjësin e nderuar, është koha të kthehemi tek karvani madhështor, të cilin e lamë udhës:

“Në të gjithë ditët e udhëtimit të gjatë, gjer arrijnë në mal, vllehët nomadë e shkojnë kohën me këngët e çunave edhe, natën me përralla dhe meseletë të pleqve e të plakave . pothuajse nuk ka mal apo breg, i cili të mos jetë i shkelur nga këta barinj nomadë, as edhe pllajë, përrua e lumë të kapërcyera prej tyre që të mos ketë lidhje me nga ndonjë ngjarje të jetës së tyre. Të gjitha këto ngjarje, pleqtë dhe plakat çobanka, ua tregojnë të rinjve dhe kalamanëve kur ecin udhës apo mbrëmanet kur prehen ndën tendat, pa-po këta kur rriten pastaj, ua kallëzojnë pasanikëve të tyre. “Vetëm kush ka qenë bashkë me ta në këto migracione të përvitshme të vllehëve nomadë, thotë zotëria Profesor Kapidani- vetëm ay është i zoti të kuptojë se sa hije e shije ka jeta e tyre e shkuar gjithmonë ndër male”. Posa u qasen kodrave, atëherë karvani i pasosur i këtyre, zë të firakset, të paksohet, fëmijakët duke patur në ballë çobanbashërit (çelnikët) e tyre, tani zënë e ndahen në vargje më të vegjël, duke marrë secili perin e udhës së malit ku gjenden fshatrat e tyre apo atje ku kanë menduar që të ngrihen kalivet e tyre. Disa nga këta që nuk kanë banesa të qendrueshme për kohën e verës, i këmbejnë vendet e të veruarit ku të gjejnë në mal me kullotë më të mirë dhe të bollshme. Fundja tani barinjtë nomadë arritnë të gjithë në malt. Gëzimi i madh që shihet ndër fytyrat e të gjithëve, burra, gra nuk mundet të përshkruhet. Sikundër edhe për shqiptarët dhënarë, të moçmë dhe të sotmë, gjithashtu edhe për vllahun shqiptar “ mali ” është është gëzimi dhe shija e jetës së tij.  Mali  për shqiptarin dhe për Vllahun është posi deti për grekërit dhe posi fusha e gjerë për bullgarët. Në mal ata gjejnë me bollësi ushqim për gjënë e gjallë, në mal kanë gjetur strehën dhe sigurimin për t’u mbrojtur nga çdo plaçkitje barbarësh në kohërat e qëmoçme, edhe prapë në mal rrojnë e shkojnë kohët e kthjellta të qeta, kur pas punës së lodhshme të gjithë ditës të mbledhur qyme-qyme, rrotull zjarrit bubulak ndë vathët, e shkojnë me këngë, përalla dhe plot qyfyre. Dashuria e madhe që ka bariu vllah i Shqipërisë për malin, rrëfenet  fort   bukur  në këngët e tyre. Në atë sërënditmë dhe dje, në krye, bariu vlla, i cili lindet dhe vdes ndër male u lë porosi që, edhe kur të vdesë ndë malt të mbulohet pranë vathës së dhënëve

 Shënim i Ilo Mitkë Qafëzezit: Përkthimi shqip këmbyerazi, i këngëvet cëncarishte, siç po shihet, nuk është bërë fjalë për fjalë, po në mënyrë që mesa na ishte e mundur t’i qaset pak a shumë stilit të shqipes sonë popullore

Shënimi ynë – V.H: materiali është marrë nga “Gazeta e Korçës” dt. 3, 4, 8, 11,14, 17 dhe 18 qershor 1932

Nga Vepror Hasani

 

Filed Under: Histori Tagged With: e vllehëve të Korçës, historia, Kalivet e Boboshticës, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 502
  • 503
  • 504
  • 505
  • 506
  • …
  • 709
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT