• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GERALDINA, “TRENDAFILI I BARDHE HUNGAREZ” E VLERESUAR NGA SHQIPTARET

July 30, 2015 by dgreca

*6 GUSHT, 100 VJETORI I LINDJES/
* Me 6 Gusht 2015 do të mbahet një ceremoni edhe në Slovaki, në komunën Aponice/Apponji, vendi ku ka lindur Geraldina dhe ku ka jetuar familja e saj. Një Statujë e saj do të vendoset aty nga Shoqata Kulturore Hungareze e Slovakisë, drejtuar nga Prof. Alexander Feher./
Nga Klara Buda/
Mbretëresha Geraldinë, e lindur konteshë Apponyi, më 1915 do të mbushte 100 vjet në 6 gusht të vitit në vazhdim.
Josephine Dodet i ka kushtuar asaj një biografi: Geraldinë, Mbretëresha e Shqiptarëve me një parathënie nga Eric Faye, shkrimtar francez, laureat i Cmimit të Madh të Akademisë Franceze dhe specialist i Kadarese.
Kjo biografi e botuar në frëngjisht nga botimet Belfond, botohet sërish me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në gjuhën hungareze, nga botimet Europa. Vepra që del nga shtypi më 27 gusht do të prezantohet në Budapest, më 8 shtator 2015, në praninë e autores.
Të gjitha studimet janë unanimë, Geraldina, Mbretëresha efemere, ngjall admirim për stilin dhe kurajon e saj. Kur ajo erdhi në Shqipëri, në vitin 1937, Mbreti Zog kishte shpallur shtetin laik dhe kishte votuar tashmë reformën për emancipimit e gruas (duke proklamuar të drejtën e votës së grave dhe ndaluar, ndër të tjera, edhe përdorimin e ferexhesë ). Gjatë qendrimit të saj të shkurtër ajo u bë një model femëror dhe frymëzoi një stil të ri veshjeje dhe të modës së krehjes së flokëve në Shqipërinë e sapo dalë nga periudha mesjetare.
“[…] regjimi [totalitar] që fyente sovranin asnjëherë nuk ishte marrë me gruan e tij, duke mbetur i heshtur dhe duke abstenuar që të shpifë për atë që e thërrisnin “ trendafili i bardhë i Hungarisë ” e çrrënjosur shpejt nga toka e saj adoptive “, shkruan Eric Faye në parathënien e biografisë së saj.
Skender Zogu, inxhinier në profesion dhe nip i Mbretit Zog, i ka kushtuar gjithë jetën e tij familjes mbretërore. Ai nuk është i vetmi që të ketë admirim për Mbretëreshën Geraldinë: “Roli i mbretëreshës Geraldinë ishte rëndësishëm dhe është ndjerrë me të vërtetë në mërgim. Ajo ka ndihmuar përpjekjet diplomatike të mbretit dhe nëpërmjet kontakteve të saj, ka lehtësuar komunikimin me familjet mbretërore fuqi ose në mërgim. Ajo u soll si një grua e vërtetë shqiptare, e përkushtuar kundrejt kombit shqiptar, burrin të saj dhe familjes së tij. Ajo ishte e devotshme dhe bujare, dhe takimet e saj me Nënë Terezën dhe Papën Gjon Pali XXIII plotësuan jetën e saj të krishterë. Ajo shprehu dëshirën për t’u kthyer në vendin e saj Shqipëri ku donte të përfundojë jetën e saj. Perëndia ia plotësoi këtë dëshirë dhe kthimi i sajnë Atdhe preku zemrat e shqiptarëve. Kthimi i hirit të burrit të saj në vendin e tij do ti bashkonte ata përgjithmonë me Tokën e Shqiponjave. ”
Në romanin tim Kloroform (që i vendos ngjarjet në totalitarizmin shqiptar, Dudaj, 2010) grupi i të rinjve, në qendër të fiksionit, flet për fatin e familjes mbretërore të Shqipërisë, fotot e të cilës ishin zhdukur nga tekstet shkollore dhe dokumentat historike dhe ishin shkatërruar ose ishin izoluar në rezervat e bibliotekave: “
– Jo, nuk më duket e udhës që t’i varim dhe filloi t’i zhvendoste [tablotë] duke lexuar etiketat e shkruara me kujdes nga i ati. Njëri prej ambalazheve të kartonit u hap dhe zbuloi një foto bardhë e zi, nga e cila vështronte Geraldina. Ishte portreti zyrtar i Mbretëreshës, i vitit 1938.
– Cila është kjo zonjë? – pyeti Alma.
– Gjyshja, gjyshja ime nga nëna, – tha Maksi pas njëfarë ngurrimi, për të shmangur ndonjë keqkuptim të panevojshëm. Pastaj i tërhoqi sa mundi dy skajet e kartonit, me qëllim që ta fshihte portretin. Atë mbrëmje, rrethi i mysafirëve ishte tepër i gjerë. Por Maksi nuk ia doli mbanë, sepse Alma u afrua, i hapi përsëri dy anët e kartonit dhe e këqyri një copë herë fotografinë e gruas me kurorë të artë.
– Nëna jote i ngjan, – tha ajo.
– Ashtu, vërtet? – ia bëri Maksi, për të cilin nuk qe e qartë se ç’donte të thoshte vajza, fytyra e së cilës iu duk e padeshifrueshme. Mos ndoshta iu duk vërtet ashtu? Mbretëresha ka qenë model i elegancës femërore, ajo frymëzonte stilin e krehjes dhe të veshjes. Flokët e saj, të prerë shkurt, u bënë në modë dhe fotografitë femërore të kohës ngjanin me njëra-tjetrën si dy pika uji. Jo, është e pamundur! Almës nuk mund t’i ketë shpëtuar pa vënë re kurora mbreterore me emblemën e Skënderbeut dhe bukuria e Géraldines që kishte ngelur ikonike!
Fotografitë e familjes mbretërore qenë fshirë nga librat e shkollës që prej tri dekadash, ndërsa dokumentet historike, nëse nuk qenë zhdukur, qenë mbyllur në fonde të rezervuara bibliotekash.”
Me 6 Gusht 2015 do të mbahet një ceremoni edhe në Slovaki, në komunën Aponice/Apponji, vendi ku ka lindur Geraldina dhe ku ka jetuar familja e saj. Një Statujë e saj do të vendoset aty nga Shoqata Kulturore Hungareze e Slovakisë, drejtuar nga Prof. Alexander Feher.
2 – Klara Buda, Chloroforme – Roman, Botimet Dudaj, ISBN 978-99943-0-139-3
30 Korrik 2015, New York

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: 6 gusht ditelindja, Geraldina, Klara Buda, Trendafili i bardhe Hungarez

DOSJA 1167: JA KUSH ISHTE PROF. ARSHI PIPA…

July 30, 2015 by dgreca

PER TY O PROFESOR ARSHI PIPA !/
Një 95 vjetor i paharrueshëm…/
NGA FRITZ RADOVANI/
Per Ty do të këndojë Shkodra, Gac Çuni…Temali e Malësia,/
Do të këndojë në Lahutë Hoti e Gruda… Kelmendi e Kosova, /
Do të këndojë Libohova… Gurt’ e Kalasë së Durrësit e Çamëria, /
Per Emnin Tand o Arshi Pipa… do të çohet në kambë Shqipnia…/

DOSJA 1167: JA KUSH ISHTE PROF. ARSHI PIPA…/

PROF. ARSHI PIPA, vjeç 27, lindur në Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor, në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947 në pyetje nga Prokurori Publik i Prefekturës së Durrësit, Sotir Qiriaqi:
■ I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari antipushtet vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun e Shkodrës…”
■Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue: “…Avokat Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin e Shtetit në Shkodër… i padënuar…” Ja e verteta:
■Avokat Muzafer Pipën e kanë mbytë në torturë Zoi Themeli e Vaskë Koleci. Mbasi e kanë lidhë për karrigë të palëvizëshme me duer mbrapa, tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një hekur të skuqun, i kanë prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen në çast. Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë, e kanë therë pulën dhe kanë shpërnda gjakun e sajë nëpër oborr. Kanë fillue me shtijë me armë, gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia. Ma sakt e din Aranit Çela që i premtoi Muzaferit “gjysmën e lekut”, kur u takuen tek dera e Bar “Impero” (Kafja e Hardallit), kohë në të cilën Muzaferi, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq.
■Vazhdon ma poshtë Prof. Pipa:
“1. Për akuzat e reja që m’atribuohën si rrjellim çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës, kundër grupëve të organizueme kundërshtare, unë jam krejt në padijeni të tyne dhe nuk asht aspak e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të Durrësit të kësaj organizatë. Unë shtoj, se edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë në atë gjykim kanë qenë disa akuza të pavërteta, të disa të rijve çiliminjë që kanë intërpretue disa fjalë të mija.
– Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie, dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue ose shtrue çështje për vëprimtari kundër Pushtetit. Me Hysen Çelën nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë, kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët në lidhje me té asht e pavend. Po kështu nuk njoh aspak as edhe si ftyrë Skënder Çelën.
– Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë vesht me anën e fletorës “Bashkimi”, dhe nga zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir Çela, ka pohue se unë paskam qenë i ndërlikuem me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën ishin në këtë organizatë që u zbulue. Këto pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë në organizata që ekzistonin këtu në Durrës.
– Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut të Durrësit, …për që unë të kemi qenë antar i kësaj organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat. Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime tue dijtë se unë kam qenë një përson që nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma parë në gjyqin e maparshëm. Kështu më kanë kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë kallur edhe të tjerve. Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat për mue asht i pavend.
– Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit detërminohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë.
Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim me thanë: kufizohet.
– Unë sikurse thashë, jo vetëm që nuk kam pasë mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që të kenë ekzistue një organizatë e tillë kundërshtare.
■Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar sëpse i pandehuri i përgjigjet me mohim ju dha fund pyetjes së tij, të cilat si ju kënduan i vërtetoi me nënshkrimin e tij.”
■I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v.
Prokurori Publik i Prefekturës (SotirQiriaqi)d.v.
■Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit Durrës, Nr. Regj.66,
Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947, i dënuari ARSHI PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë, nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920 ti vazhdohën pyetjet.
Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.
■“Mbasi nuk mbetët gjë për të shtuar, sëpse i pandehuri përgjigjet me mohim. Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipërme…
Prokurori…firma.
■Fletë-akuzë: I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik i popullit… Për të gjitha këto që përmenda më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë i pakët sëpse mungonin edhe faktët. Me qenë se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër Pushtetit Popullor dhe se parimet e tija kundërshtare nuk pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj, që të marrin dënimin më të rëndë.
Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe më tepër në proçeset e armiqve të popullit, si më poshtë vijon…
Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat… Duhët ridënuar…” Prokurori …firma.
■“Mbasi nuk mbetët gjë për të shtuar, sëpse i pandehuri përgjigjet me mohim. Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipërme…Prokurori…firma.
■Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipën, Hysen Ballhysin e Pashko Gjeçin, përpara Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku, Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.
■Me datën 18 dhetor 1947 Prof. ARSHI PIPA deklaron para Trupit Gjykues:
“Përsa i përket akuzës që unë të jemë antar i organizatës trathtare nuk asht e vërtetë, dhe s’e pranoj…Unë artikujt në kohën e Italisë i kam shkrue në revistën “Kritika”.
Kam shkrue mbi Fan Nolin etj. Is-han Podgorica asht profesor…
Pushtetin Popullor nuk e kam pa me sy të mirë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja për situatën dhe çështje politike.
Proçesi i em i bamë në Prokurori tregon se nuk kam rrejtë, por jam mundue me thanë të vërtetën. Gjithë faji i em asht se nuk jam dënue njëherë e mirë, dhe tash më sjellin prap në gjyq për të më akuzue për organizatën që u zbulue, por unë nuk kam marrë pjesë në té. Me I. Podgoricën kam bisedue çështje letrare por çështje politike nuk kam bisedue, mbasi nuk kam qenë marrë me politikë por kam ndejë tue studjue gjithmonë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja. Me ata që më kanë akuzue mue, unë kërkoj të ballafaqohëm. Me Hysen Ballhysin nuk kam bisedue gja, me të jam takue disa herë por në shtëpinë e tij nuk kam qenë asnjëherë. Bisedoja se si je, por kurr çështje politike. Skënder Çelën unë nuk e njoh, por mundet që ai më ka ndigjue emnin tim si profesor që unë ishe. Unë në shtëpia të shokve të mijë nuk kam shkue ndonjëherë.
Pashko Gjeçin e kam njoftë dhe që të kem bisedue gjana letrare po, por, jo, gja politike.
Përsa i përket akuzave që më bajnë dy të rinjë, unë këtyne i jepnja mësim privat dhe nuk kanë kuptue mirë fjalët e mija. Nxanësit nuk kishin ndonjë simpati karrshi meje, unë u jepja mësim privat se më paguejshin edhe ata kishin interes me mësue. Me R. Tabakun jam takue në kafe por nuk kam bisedue kundër Pushtetit, dëshroj të ballafaqohem!
Në kohën e fashizmit më kanë propozue të bahem kryetar i një reviste italiane që do të delte në Shqipni, por nuk kam pranue!”
■Pyeten dëshmitarët Pashko Gjeçi, H. Ballhysi, I. Podgorica, dhe deponojnë ato akuza që kanë deklarue…
■ “I pandehuri Arshi Pipa mohon thënjet e tyre, nuk janë të vërteta!”.
Për secilin përsëritë thëniet e bame para Trupit Gjykues.
■Me datën 24 dhjetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
“… Në emër të Popullit Shqiptar”:
■“… Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.
I pandehuri Arshi Pipa gjatë kohës së fashizmit ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizatë.
I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër elementa të pakënaqur duke predikuar mbi demokracinë perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto i bënte me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe e konsideronte Pushtetin si një Pushtet terrorist. Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet në gjyqin e Tiranës, proçes-verbalet e tyre para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysën, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit.
Prandaj: … Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Durrës 24 dhjetor 1947. Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)
■Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë ndryshim nga origjinali:
■“V.F.L.P.
Me anën e Drejtorisë Burgut A.P. Durrsit:
Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë
I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T’i paraqes asaj së Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon:
I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës së Garnizonit Tiranë, me 2 (dy) vjet privim lirije, për veprimtari kundër Pushtetit.
Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20 (njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat në lidhje me organizatën e deputetëve. Përsa i përket kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje: Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim kam shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve; nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit, nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n’aktet e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat mbasi as unë as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi banimi tonën.
Përveç të masipërmëve lutem të merren parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare: tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik – në familjen time të përbame nga nana, katër motra – prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze – dhe dy jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive.
Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë pranë asaj së Nalte Gjykatë, kërkoj lehtësimin e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e sajë të drejtë.
Durrës 27 dhetuer 1947
Arshi Pipa d.v.
I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit” V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.FR.
■Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument: “Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:
Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta.
Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve.
Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut.
Për këto arësye dhe për ato që do të shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit, ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa të lehën si ishin.
24 shkurt 1948
Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.
■Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:
1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v. (vetëm firmat). “
■Këtu mbyllet vetëm dosja…
***
●Profesorët Arshi Pipa dhe Prenkë Kaçinari të dy ishin të burgosun në vitin 1947.
Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t’uritun, të dy të “pa marrun vesht”, të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy “agjenta” se kanë mbarue shkollat e nalta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës sonë Shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm… duhën ridënue… Ashtu u veprue!
●Jeta me të vërtetë duket se vazhdoi… por, askush nuk mund të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve, ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por kurrë, se mund të jenë një ditë… në Romë,… Washington… ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë të lirë.
Fjala liri kishte perëndue bashkë me andrrat e shpresat e tyne.
Prof. Arshi Pipa pat fatin me e provue Lirinë, ndersa Prof. Kaçinari provoi vetvrasjen…
Jeta dhe veprat e Tyne duhet të jenë objekt studimi per brezat e rijë, mbasi vetem nder veprat e Atyne kolosëve të Popullit Shqiptar mund të lexohet dhe studjohet e verteta e Historisë së mohueme 70 vjeçare e Shqipnisë Europjane.
Melbourne, Korrik 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja 1167, Fritz radovani, PËR TY, Prof. Arshi Pipa

Teqeja shqiptare në Asprogjia-Larisë të Greqisë

July 30, 2015 by dgreca

Babai i fundit vdiq më 1973, ndërsa deri në 2005 ka jetuar Nazmia e cila kujdesej sa mundej për këtë Teqe të braktisur në të cilën nga funksionimi i saj shërbyen për besimtarët 33 Baba
Nga Arben LLALLA/
Greqia me anë të Ligjit të Luftës me Shqipërinë nuk mban të bllokuara vetëm pronat e individëve të kombësisë shqiptare, por edhe të bashkësisë fetare myslimane, në veçanti të asaj bektashiane. Me anëtarësimin në BE të Greqisë në vitin 1981, ajo rrënojë varrezat e myslimanëve shqiptar në Selanik në vitin 1983, dhe ndaloj çdo riparim të xhamive dhe Teqeve. Pra, një anëtarët i Bashkimit Evropian në vend që të kujdesej për këto vende si pjesë historike dhe trashëgimi kulturore, Greqia i shkatërrojë ose i la në harresë duke mos treguar asnjë interesim. Ndoshta është i vetmi vend i BE që shkel çdo të drejtë njerëzore, të pronës private duke ua grabitur qytetarëve joshtetas të Greqisë si dhe bashkësive fetare jo ortodokse.
Një rast kaq flagrantë është edhe ai i Teqes Bektashiane që ndodhet në Asprogjia të Farsalon që i përket Komunës së Polidhamanda në Prefekturën e Larisës, dhe quhet Teqe Ireni ose Teqeja Asprogjia. Në këtë zonë dikur ka patur tre Teqe: 1.-Asprogjia-Ireni, 2.-Zoodhohos Pigjia, 3.-Dhilofos. Teqja e Asprogjia-Ireni mendohet se është ndërtuar më 1770 dhe i përket sektit Mevlevi. Në vitin 1888 në këtë Teqe thuhet se ka patur 55 dervishë.
Për Teqen e Asprogjias kanë shkruar William Martin-Leake i cili e përmend atë në Nëntor të 1805. Andrea Karkavica shkruan se kjo Teqe është ndërtuar mbi themelet e një Manastiri Katolik të cilin e kishin braktisur më 1640. Teqeja u ndërtuan nga një shqiptar i quajtur Durbali Baba Shehu, Teqe ka dy Tyrbe dhe varret e dervishëve rreth tyre.
Më 1914 e vizitojë Teqen, arkeologu dhe historiani Frederick Hasluck i cili i ka kushtuar një kapitull të tërë në librin e tij.
Thuhet se pas vitit 1925 në Teqen gjetën strehim shumë përkrahës të Fan Nolit të cilët e braktisë Shqipërinë pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut.
Në vitet 1930, në Teqen kanë shërbyer 6 dervish dhe 20 punonjës të tjerë që udhëhiqeshin nga Baba Qazimi, të gjithë ishin me kombësi shqiptare.
Për shkak të ligjit të Luftës me Shqipërinë, Greqia sekuestrojë pronat e Teqes duke e lenë atë pronë në shkatërrim. Më 1960 Baba Seiti protestoj kundër sekuestrimit të rreth 13.000 dylym nga ana e shtetit grek. Më 1973 Baba Seiti vdes dhe Teqeja mbeti pa asnjë kujdestar. Që nga fillimi i funksionimit të saj në këtë Teqe shërbyen 33 Baba.
Në vitin 2004, çështja e Teqes shkoi për tu diskutuar nga deputeti i Lidhjes së Majtë, Fotis Kuvelis në Kuvendin e Greqisë, u bë zhurmë e madhe atë periudhë sepse kishte zëra që kjo Teqe duhet ruajtur, kujdesur dhe jo e lënë në mëshirë të fatit. Por ministri i kulturës i Demokracisë së Re, Petros Tatulis u përgjigj se kjo Teqe është pronë e shtetit shqiptar e sekuestruar nga shteti grek në bazë të Ligjit të Luftës dhe ligji ndalon çdo ndërhyrje riparimi të saj.
Viteve të fundit shumë studiues dhe arkeologë grek kanë shkruar shkrime pro ruajtjes së Teqes, ku vlen të përmendim Vairaklotis Laqis, Panajoti Çakumis, Suzana Hulia, Vasso Noula-Karpeti, Taqi Kabili, në gazetën “Kathimerini” të datës 28.9.2008, shkruante për Teqen dhe se në qytezë jetonte edhe një grua e quajtur Nazmie e cila i përkiste sektit beshtashian dhe kujdesej sa mundej për Teqen.
Si do që të jetë historia dhe e vërteta e kësaj Teqe, ajo duhet tu kthehet pronarëve për tu kujdesur nga shkatërrimi i saj të cilët janë Bashkësia Bektashiane e cila e ka qendrën Botërore në Tiranë.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, shqiptare në Asprogjia-Larisë, te Greqise, TEQEJA

Bujar Kaloshi 19 vjet pas vrasjes!

July 26, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA, New York/
Krimi ende i pandëshkuar, apel për bashkëvuajtësit!/
BENSONHURST BROOKLUN NY: 26 korrik 2015! 19 vjetori i vrasjes së kolonel Bujar Kaloshit, dhe 64 vjetori i lindjes së tij, është një ditë e vecantë. Është, pikërisht, kjo datë e cila mbart mbi vete një kujtim të trishtuar, largimin nga jeta të nismëtarit themelues të Shoqatës Antikomuniste Demokratike, demokratit të flakët – pinjollit të atdhetarizmit dhe patriotizmit – të paharruarit, Bujar Kaloshit. Kjo datë! përkujtimore në nderim të emrit dhe veprës së demokratit dhe antikopmunistitn Bujar Kaloshi, që në fillimin e lëvizjes demokratike në vend, atijë që shumë shpejtë u bë njëri prej nismëtarëve dhe orginazatoreve të proceseve demokratike në Lushnje, themelues i Partisë Demokratike në qytetin e Lushnjes, bënë thirrje për më shumë drejtësi.

Në kujtim të babit tim Bujar KALOSHI.

Kështu shkruan sot në statusin e saj në facebook e bija e tij (Viola In memoriam of my father Bujar Kaloshi who is killed by organise crime 19 years ago). duke shtuar se s i sot, 19 vjet më parë dora e zezë kriminale qëlloi për vdekje babin tim Bujar Kaloshi, një njeri që shërbente për njerëzit dhe mbarë Kombin Shqiptar. Ai ishte Gladiatori, thotë Viola, i cili, e fitoi fronin me ju, me mbështetjen dhe besimin tuaj. Si i tillë, ai shërbeu deri në ditën e fundit të jetës së tij për të lenë pas një Shqipëri domokratike dhe Euro-Atlantike, si dhe një Kosovë të lirë e të pavarur – shtetin e Kosovës. Ai mendonte se demokratët e vërtetë e kishin për ideal dhe mision të vetin atë që atdheun e tyre Shqiperia të ishte e lirë dhe demokratike, t’a hapnin Shqipërinë ndaj Europës dhe SHBA, mbarë botës së qyteruara, të luftonin totalitarizmin që na persekutoi për 50 vite rresht, jo vetëm si sistem por edhe si mënyrë identifikimi njerëzor, duke krijuar raporte të reja njerëzore, ku fryma e lirisë të materializohej ne dukuri konkrete të rritjes së ndërgjegjës kombëtare dhe të shtetit të së drejtës, për të cilin u flijua, duke lënë pas një plagë të madhe tek ne fëmijët dhe familjaret e tij. U prefsh në paqe babi im i shtrenjtë! shkruan sot në 19 vjetorin e vrasjes së Bujar Kaloshit e bija e tij Viola Kaloshi.

19 vjet pas vrasjes, prej këtu fillon hapja e dosjeve të diktaturës/

Bujar Xhevdet Kaloshi (bir i një prej familjeve më në zë të krahinës së Dibrës) lindi në një kamp internimi në një fshat të Lushnjës, Grabian. Pinjolli i Kaloshve, i rritur dhe edukuar me traditat më të vyera atdhetare të familjes nga ai edhe rridhte, do të ishte nga të parët që u rreshtua në frontin e antidiktaturës, që në fillimet e lëvizjes demokratike në qytetin e Lushnjes. Ai u bë në atë kohë nismëtar dhe njëri ndër themeluesit e degës së Partisë Demokratike të Shqipërisë, në Lushnjë.
Vrasja e Bujar Kaloshit, është e lidhur ngushte me demokracine lirine dhe funksionimin e demokracise vullnetin dhe deshirne e te te gjithe qytetareve te Shqiperise, dhe segmenteve te shoqerise, te cilat respektojne parimet demokratike dhe shtetin e se drejtes per te rivendosur ne vendin e merituar te atyre vlerave, pjese e rendesishme e te cilave eshte vleresuar edhe Bujar Kaloshi. Bujar Kaloshi ka qene nje nga personalitetet e rendesishme, i cili ne te njejten kohe konvergonte ne vetvete nje prejardhje nga nje shtrese e persekutuar, nga nje familje me tradita nacionaliste dhe individualisht si nje person qe ishte vene totalisht ne sherbim te levizjes per demokratizimin dhe lirine ne Shqiperi
Ne themelet e demokracise se saj, Shqiperia, ka shume pishtare, te cilet u bene kurban qe demokracia te jetoje. Dhe demokracia do jetoje, ajo do te kaperceje edhe keto pengesa, apo ferra qe neokomunistet partiak perpiqen t’i ngjizin ne trupin e saj te njome. Demokratet shqiptare, ata qe e duan vertet Shqiperine, nuk do lejoje kurre qe njerez te tille si politikane dhe drejtues partishe te majata me prejardhje ish komuniste, qe jane sot me pa te drejte ne krye te tyre, ata qe, dhe kjo eshte provuar, jane mbreter te skafizmit dhe emigrimit, qe jane kapot e trafikut te mishit te bardhe ata qe e çuane kete vend drejt grminave te pafundme, ujerave te turbullta. Pikerisht per kete e dhane jeten njerezit qe e deshen demokracine dhe Shqiperine.
Personifikim njeriut të vendosur për të zbatuar ligjin
Pas fitores së demokracisë familja e Bujarit, Xhevdeti, Shkurta dhe fëmijët (dy djem e dy vajzat) u vendosën në një lagje periferike në Tiranë. Bujari për aftësitë dhe shkollimin e lartë u emërua drejtor i personelit në Policinë Financiare dhe më pasë deri sa u vra Drejtor i Përgjithëshëm i Brugjeve. Postet e ngarkuara nga qeveria demokratike, për aq sa shërbeu, i konceptoi si një detyrë me ndërgjegje të lartë kombëtare, si obligim i njerit prej përfaqësueseve të kësaj shtrese, për pastrimin e shtetit demokratik nga njerëzit e korruptuar e të inkriminuar, nga nostalgjikët e regjimit të vjetër dhe të depërtuarit aty nga rradhët e ish Sigurimit të Shtetit.
Bujari Kaloshi, për aq sa i kontribuoi demokracisë së brishtë në Shqipërinë post komuniste, përfaqësonte me të gjitha vetitë figurën e zyrtarit të ndershëm e korrekt, të përkushtuar e të disiplinuar si rrallë kush tjetër. Ai personifikonte njeriun e vendosur për të zbatuar ligjin dhe mbrojtjen e ligjit deri në vdekje.
Krimi i pandëshkuar, apel për bashkëvuajtësit
Vrasja e Bujar Kaloshit, padyshim që ishte dhe mbetet një krim i shëmtuar, i një dore vrastare që i merrte urdhërat nga kupola e kuqe. Por, kjo vrasje e kryer nga eksponentët më famëkeqë të Organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” ishte njëherazi dhe një mësim për bashkëvuajtësit, një mësim për ata që e kanë kaluar mbi “shpinën” e tyre egërsinë e rregjimit komunist. Ishte dhe mbetet mësim për ata që kanë dashur e duan demokracinë, dhe qeverisjen demokratike. Ajo (vdekja) paraqitej edhe si simbol për t’u bashkuar kundër atyre që nuk e duan demokracinë e prosperitin e Shqipërisë, por ëndërrojnë ende rregjimin komunist. Krimi i pandëshkuar mbetet apel për bashkëvuajtësit e Bujar Kaloshit.
……Persekutimi i familjes “Kaloshi” dhe i të afërmëve të saj nga diktatura komuniste e ka zanafillën që në vitin 1946. Bujar Kaloshi, lindi në 1956 në Grabian – Lushnje, aty ku edhe kreu shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesme, pa iu dhënë ndonjëherë e drejta, si biri e një familje të persekutuar, të vijonte studimet e larta. Me fillimin e lëvizjes demokratike në vend, ai shumë shpejtë u bë njëri prej nismëtarëve dhe orginazatorëve të proceseve demokratike në Lushnje, themelues i Partisë Demokratike në qytetin e Lushnjes. Mbas ardhjes së demokracisë u emrua Drejtor i Departamentit të Policisë Financiare. Më 1995, pasi përfundoi studimet dhe u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë dhe Kolegjin Ushtarak(Laë Faculty and Military College ) u emërua Drejtor i Përgjithëshëm i Burgjeve me gradën Kolonel.
Koha për ndëshkimin e bandës kriminale që vrau Bujar Kaloshin
Zbardhja e aktit terrorist të vrasjes së kolonelit Bujar Kaloshit, më 26 korrik 1996 – edhe sot, 19 vjet mbas saj ajo është thirrje për drejtësi.., është apel për ndëshkimin ligjor që duhet të marrë banda kriminale e inkuadruar në të ashtuquajturën Organizata “Hakmarrja për Drejtësi” .

Në këtë 19-vjetor të vrasjes, figura e Bujar Kaloshit duhet kujtuar në piedestalin e figurave të ndritura të kombit. Sepse, ai u vra në mbrojtje të shtetit ligjor që vetëm një vit më pas, gjatë rebelimit të armatosur mafiozo-komuist të ’97-tës do të shkëmoqej që nga themelet për t’u rimarrë me armë nga të pinjollët e sistemit më gjakatar të njerëzimit.
Apeli i kësaj vrasje lules së demokracisë në Shqipëri, Bujar Kaloshit merrte rëndësi në kohën e rigjallërimit të veprimtarisë kriminale të ekpsonentëve të Organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”, që siç u vërtetua dhe nga hetimi parlamentar i veprimtarisë së tyre, ajo ka pasur mbështetjen e qarqeve mafioze politike të së majtës, krerëve të saj veshur edhe me imuntetin e deputetit socialist. Vetë debati parlamentar rreth Raportit të Komisionit Hetimor, ose debati rreth shikimit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit(hapja e dosjeve) që u kundërshtua me forcë nga Partia Socialiste, dëshmon qartazi për inkriminimin e krerëve të së majtës, me në krye kryetarin e tyre Edi Ramën, Gramoz Ruçin , Skënder Gjinushin, & co, që nxisin e inkurajojnë krimin e organizuar në Shqipëri.
Më shumë se kurrë, sot është koha për ndëshkimin e bandës krinimale që vrau kolonel Bujar Kaloshin. Dënimin e të të gjithë atyre që fshihen e mbijetojnë në pentukun e e atyre krimeve të diktaturës në Shqipëri ku zyrtarisht janë ekzekutuar 5 577 burra dhe 450 gra. Janë dënuar 26 768 burra dhe 7 367 gra. Kanë vdekur në burg 1 065 persona. Kanë humbur aftësinë mendore 408 vetë. Kanë vdekur në internim 7 022 vetë. Në 50 vjet diktaturë komuniste, nga kjo shtresë janë kryer 914 000 vite burgu dhe 256 146 vite internim.
Kush ishte Bujar Kaloshi
Bujar Kaloshi (nga familjet e mëdha të Dibrës) lindi në internim në një fshat të Lushnjës më 1956. I kultivuar me traditat atdhetare të familjes, Bujari do të ishte nga të parët që u rreshtua në frontin e antidiktaturës që në fillimet e lëvizjes demokratike. Ai ishte njëri ndër themeluesit e degës së Partisë
Demokratike të Shqipërisë në Lushnjë. Pas fitores së demokracisë familja e Bujarit u vendos në Tiranë dhe Bujari u emërua drejtor i personelit në Policinë Financiare. Ai e konceptoi këtë detyrë si një obligim për pastrimin e këtij organizmi nga njerëzit e korruptuar e të inkriminuar, nga nostalgjikët e regjimit të vjetër dhe të depërtuarit aty nga radhët e ish Sigurimit të Shtetit. Bujari përfaqësonte figurën e zyrtarit të ndershëm e korrekt, të përkushtuar e të disiplinuar si rrallë kush tjetër, njeriun e vendosur për të zbatuar ligjin.
I ndjeri Bujar Kaloshi,është nderuar me Urdhrin e Lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin:“Për kurajon e shfaqur në qëndresën ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri,për kontributin e çmuar në vendosjen e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit ligjor”. Bujar Kaloshi është nderuar edhe me titullin “Pishtari i Demokracisë” dhe “Martir i Demokracisë”. Bujar Kaloshi u vra nga banda kriminale në mëngjesin e datës 26 korrik 1996, me armë zjarri në rrugën përpara shtëpisë së tij në Tiranë

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Bujar Kaloshi 19 vjet, pas vrasjes!

PELLAZGO – ILIRËT NË SHKRIMET E HOMERIT

July 25, 2015 by dgreca

Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Homeri njihet në mbarë botën si poeti epik legjendar i Greqisë antike, i nderuar si poeti me ndikimin më të madhë në historinë e letërsisë botërore. Saktësisht nuk është e njohur kur ai ka jetuar, por në bazë të studimeve të kryera mendohet të këtë jetuar në shekullin 8 p.e.r, ai është autori i dy veprave legjendare poemave “ILIADA” dhe “ODISEA”, poema të nivelit botëror.
Është e rëndësishme të theksohet fakti se të dhënat që rrjedhin nga poemat e Homerit kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si burime historike për njohjen e historisë së Greqisë antike. Në të njëjtën kohë është vërtetuar arkeologjikisht se poemat e tij përkundrejt fantazisë poetike, pasqyrojnë në mënyrë konkrete ngjarje të vërteta historike, që kanë ndodhur shumë më parë se të krijoheshin poemat dhe mendohet se këto ngjarje kanë ndodhur në shekullin 8-7 p.e.s.
Fakti më kruçial është se në veprat e Homerit gjejmë edhe disa të dhëna që kanë të bëjnë me historinë e Ilirisë dhe Ilirëve. Kjo duket qartë kur për herë të parë Pellazgët permënden në “Iliad” si aleatë të trojanëve. Homeri i vendos Pellazgët në Azi të Vogël në “Lorisën Pjellore”, në Argon Pellazgjike në Dodonë dhe Kretë, ai e quan Zeusin e Dodonës si Pellazgjike. Homeri në librin XXI “Iliada” në rradhët 150-161 permënd për herë të parë “Paionët” si aleatë të trojanëve kundër “Akejve”, ai shkruan: “Kush je ti prej burrave që kundër meje guxon të vish ?
Është fatkeqë ai djalë që mërinë time kundërshton”.
Atij menjëherë iu përgjigj i biri i shkëlqyer i Pelegonit.
“O Peleid zemërgjërë, për fisin tim pse pyet ?
Jam nga Paionia pjellore dhe e largët, burrave heshtëgjatë ju prij.
Kam njëmbëdhjetë ditë që kam ardhur në Ilion.
Fisi im vjen prej Aksit me rrjedhë të gjërë,
(prej Aksit që me ujë shumë të mirë tokën vëshon).
Që lindi Pelegonin, shtizarin e përmendur prej këtij thonë.
Se linda unë, tashi të luftojmë o Akil i ndritur”.
Ndërsa në të njëjtën mënyrë por në librin XIX “Odisea”, në rradhët 270-277 për herë të parë permënd “Thesprotët” ku ai flet për toka pjellore të thespotëve nga të cilat Odisei sillte thesore të çmuara të arit, bakrit dhe hekurit në të cilën shkruan:
“Unë tani mora vesh kthimin e Odiseut;
Diku, në tokat pjellore të thespotëve
Jeton dhe sjellë thesare të shumta dhe të çmueshme
Kështu më tha mbreti i thespotëve
I cili pasi u bëri fli perëndive të pavdekshem
Kishte përgatitur një anije të shpejtë
Dhe bashkë me njerëz e kishte nisur
për të çuar Odiseun në atdheun e tij”.
Interesant është fakti që Homeri e quan malin në qytetin e Tebës si Plako Ypoplakia, pikërisht disa studiues e lidhin Tebën me Egjiptin, por kjo nuk ka mundësi pasi qyteti ka pasur emrin Tebë. Por nga ana tjetër në gjenealogjinë antike, Teba është e bija e Pellazgut, Adromisë, Teba që sot quhet Thiva flet aktualisht një Shqipe të pastër që tebanët e kanë ruajtur nga gjuha pellazge. Një moment tjetër i rëndësishëm është kur Homeri quan eubeasit si me origjinë nga Trakia, pikërisht pas Luftës së Trojës një pjesë e eubeasve pra Amantët u zhvendosën në Iliri dhe u quajtën si fisi Ilir me kryeqëndër Bylisin. Homeri, permënd edhe disa fise të tjera Ilire si Dardanët, Taulantët, Enkelejdët të cilët luftuan kundër Akejve në Luftën e Trojës si aleatë të mbretit Prianit dhe Hektorit në mbrojtjen e Trojës, pikërisht citohen fise Ilire të cilat janë mjaft të dëgjuara përgjatë historisë dhe të përmendura nga shumë studiues dhe autorë të tjerë. Sipas Homerit, Athinën e kanë banuar fise Iliro-Pellazge të Molosëve, Thesprotëve, Dardanëve. Në këto burime të hershme të shkruara siç është eposi Homerik, shihet qartë se në disa nga fiset Ilire ekzistonte tanimë diferencimi shoqëror, të paktën në shekujt VIII-VII p.e.r, kur u krijua Iliada dhe Odisea. Duke folur për pjesëmarrjen e Ilirëve Paionë në luftën e Trojës kundër Akejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia Pjellore” me prijësit e Ahejve dhe të Trojanëve, kjo pak a shumë flet për një gjëndje sociale të ngjashme me atë të fiseve fqinje të Greqisë. Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të Thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ti dërguar në Itake. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njerin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të Thesprotëve, që kishin anijen e vetë e njerëz që i shërbenin. Me fjalën Epir autorët grekë nënkuptonin në fillim çdo vend kontinental përballë ishujve, në këtë kuptim Homeri e quan Akarnanine Epir, quan edhe brigjet përkundrejt tyre banorët e ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e vet ishullore. Një karakteristik të veçantë që bën lidhjen e Pellazgëve, Ilirëve dhe Shqiptarëve është mënyra se si tek Homeri skena e vendetës dhe mbledhja e kuvendit të pleqve për të vendosur për pagimin e gjakut i cili në kohën e Homerit edhe blihej është i njëjti me atë të Shqiptarëve sot në disa zona të Veriut ku gjaku edhe blihet, këtë e ka vënë në dukje Nikolla Hamond, kjo tregon se ata kanë pasur zakone si të Ilirëve të cilat janë ruajtur në Shqipëri në disa zona të thella malore të cilat dallohen për ruajtjen e traditave prehistorike. Homeri bën edhe një arsyetim tepër logjik, që e quan Menelan leshverdhë dhe ake, në këtë sens nëse akei do ishin jashtë botës pellazgo-ilire dhe me origjinë aziatiko-afrikane, sigurisht që nuk ka sesi të ishte Menelau me flokë të verdha kjo do të ishte e pamundur.
Poeti epik legjendar Homeri është guri themelor për të kuptuar dhe studiuar historinë e paraardhësve të Shqiptarëve pra Ilirëve dhe Pellazgëve dhe një ndihmë e shtuar për studimet albanologjike.
*Tiranë më 25 / 07 / 2015

Filed Under: ESSE, Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 514
  • 515
  • 516
  • 517
  • 518
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT