• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Beqir Grebene, koka e të cilit kushtonte rëndë gjatë Luftës së Parë Ballkanike

July 22, 2015 by dgreca

“…kuptohej haptazi se për të vazhduar jetesën e saj në Rumeli, kombësia turke ka nevojë për Shqipërinë e pavarur…” (Beqir Grebene)/
Shkruan:Arben Llalla-Historian/*
Beqir Grebenea ose Beqir Fikri, lindi në një familje shqiptare me origjinë më 1881 në fshatin Çurhli të Grevenas, sot quhet Agjios Gjeorgjios-Shën Gjergji. Ai ndoqi shkollën ushtarake në Manastir dhe e përfundoj me rezultate të shkëlqyer, më tej u dërgua të shërbej në Jemen. Pas kthimit nga Jemeni mori gradën kapiten. Në Dhjetor të 1907, u bashkua me lëvizjen e Turqve të Rinj-Xhon Turqit dhe më 1911, u caktua komandant i xhandërmarisë së Grevenas dhe kishte 80 ushtarë në dispozicin. Kishte fituar titullin Bej, por ai me modesti dëshironte ta thërrisnin Aga, pra një shkallë më poshtë.
Në Tetor 1912, rreth 500 komit grek të ardhur nga Kreta rrethuan fshatin Çurhlin e rrethuan, por Beqir Brevene çau rrethimin me pak ushtar duke kaluar në Kostur, më tej në Korçë duke dalë në Konicë për tju ardhur në ndihmë trupave turke që ishin të rrethuar në Janinë.
Ushtarët grek pasi nuk mundën të vrisnin Beqirin i vranë vëllan, Xhelon, dy motrat, xhaxhain dhe i keqtrajtuan nënën e gruan. Më tej i dogjën i dogjën shtëpinë e cila kishte një bibliotekë të pasur me libra në gjuhën osmane, gjermane, franceze, etj.
Beqir Grebenja ishte një ushtarak i zoti. Kur ushtria turke u dorëzua në luftën e Janinës, Beqir Grebene me regjimentin e tij që përbëhej nga ushtar dhe oficerë shqiptar, kryesisht çamër nuk pranojë të dorëzohej. Ai me pak ushtar mbajti për disa muaj ushtrinë greke të mbërthyer në zonën e kufirit të sotëm Konicë-Leskovik.
Në 10 Nëntor 1912, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Greke, Konstandini nxorri dekret që jepte 10.000 Dhrahmi për kapjen ose vrasjen e Beqir Bej Grebena.
Në shumë libra të huaj që shkruhet për çlirimin e Epirit dhe pavarësinë e Shqipërisë flitet për Beqir Grebenen si një ushtarak i zoti dhe komplotist. Në fillim të vitit 1914, Beqir Grebene u kap në Vlorë me rreth 200 ushtar turq, pjesa më e madhe e tyre me origjinë shqiptare të cilët donin të bënin komplot për të shpallur si Sovran të Shqipërisë, Izet Pashën (ish-ministër lufte në perandorinë osmane), me prejardhje shqiptare. Por në përpjekje për të zbarkuar në Vlorë, 200 turqit u arrestuan nga xhandarët holandezë me urdhër të qeverisë së përkohshme, në marrëveshje me Komisionin e Kontrollit. Grebene dhe shokët e tij u nxorën para një gjykate ushtarake, më 18-31, Janar, 1914, Gjyqi ushtarak i kryesuar nga gjenerali Hollandez, Deveer e dënoi me vdekje dhe, në kundërshtim me çdo ligj ndërkombëtar mbi ushtarakët, kërkoi varjen e tij. Ndërsa, 9 nga oficerë i dënoi me nga 6 deri 3 vite burg. Vendimi për varrjen e Beqir Grebenes nuk u zbatua, sepse K.N.K. vendimin përfundimtar u la të jepej nga princ Vidi i cili e fali dhe e përzuri për në Turqi.
Më 21 Dhjetor 1914, u vra gjatë luftës Ruso-Turke në betejën e Sari-Kamis dhe u varros me nderime ushtarake në Erzurum, në lindje të Turqisë. Pas la dy djem, Qemalin dhe Muzafer Grevena. Muzaferi u bë Pasha i qytetit, ndërsa sot nipi i Beqir Grevenesë është mjek në Izmir.
Turqia e nderon figurën Beqir Grebene si një ushtarak i zoti gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912-1913. Më 1912 mori gradën Major dhe kur u vra kishte gradën nën/Kolonel. Botoj librin “Grebene ve Garp Ordusunda Kuvve-i Seyyare”(Grevenaja dhe Forcat Mobilizuese në Ushtrinë Perëndimore). Në vitin 2008, libri i tij u ribotua përsëri dhe në Prill të 2014, në Aiani të Kozanit-Greqi në një Konferencë Shkencore u mbajt edhe një kumtesë për figurën e Beqir Grenesë.
Beqir Grebeni ka zënë vend në historigrafinë greke, turke dhe shqiptare si një ushtarak i zoti i cili luftoj në Grevena, Janinë, Konicë. Ai bëri përpjekje që Shqipëria të ishte nëndiktimin e Turqisë sepse besonte se një aleancë turko-shqiptare do e ndalte zgjerimin e Greqisë në dëm të tokave shqiptare. I edukuar në shkollat turke nuk harroj se ishte shqiptar dhe se duhej të luftohej për mbrojtjen e tokave shqiptare. E donte shumë vendlindje e tij dhe bëri disa herë përpjekje individuale, jashtë urdhrave të ushtrisë turke që ta çlironte nga ushtria greke. Figura ushtarake e Beqir Grebenesë u kishte kall frikën grekëve sa që më 1914, një gazeta e Kozanit lajmëroj se Beqir Grebene do rikthehen me ushtri për të marrë Grevenan. Tashmë ai ishte kthyer në Mit, dy km nga fshati i lindjes ndodhet një vend që ende mban emrin Beqir Aga.

*Foto e vitit 1908, Beqir Gebeneja ne mes, ulur me parine e Grevenas

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Beqir grebene, Lufta e Pare Boterore

Dielli-Arkiv: DOSJA HETIMORE NDAJ FAIK KONICES

July 22, 2015 by dgreca

-Sipas të dhënave arkivore amerikane-/
Nga Agron Alibali*/
Gjatë dy viteve të fundit të jetës, Faik Konica u vu nën vëzhgimin dhe hetimin e FBI-së. Të dhënat arkivore përkatëse hedhin dritë mbi momentet e fundit të jetës së diplomatit të shquar që kishte përfaqësuar për një kohë të gjatë dhe me aq dinjitet vendin e tij të vogël në kryeqytetin amerikan.

Një kontakt në Konsullatën Italiane?

Shkak për fillimin e hetimit ishte një njoftim i janarit 1941 nga një burim “tejet konfidencial dhe i njohur për FBI-në” se Faik Konica ishte takuar dendur me një punonjës të paidentifikuar të Konsullatës Italiane në Nju Jork gjatë pushimeve të fundvitit 1940, më konkretisht, gjatë periudhës 24 dhjetor 1940 – 3 janar 1941. Konica raportohet të ketë qëndruar ndërkohë në Pennsylvania Hotel në Nju Jork, me adresë 1530, 16th Street, Washington, D.C. “Natyra e kontaktit”, thuhet më tej në raport, “nuk u sqarua ”.
Cila mund të ishte arësyeja e vizitës së Konicës dhe kush mund të ishte zyrtari konsullor, italian ose jo, që takoi Faiku në Nju Jork? Dhe më tej, pse theksohej kjo si çështje pikërisht një vit më pas, d.m.th në janar 1942, kur rrethanat botërore kishin ndryshuar kryekëput me hyrjen në Luftën Botërore të SHBA pas sulmit të pabesë japonez të Pearl Harborit dhe kur Italia i kishte shpallur luftë SHBA –së pikërisht me 11 dhjetor 1941 ?
Çështjen e raportoi në qendër një Agjent i Posaçëm i FBI-së, siç del nga Memorandumi i 28 janarit 1941. Më 12 maj 1941 zv. Inspektori i Departamentit të Policisë të Qytetit të NJu Jorkut kërkoi hapjen e një hetimi ndaj Faik Konicës. Çështja u kategorizua e “Sigurisë së Brendshme”. Një raport i Zv. Inspektorit i dates 25 shtator 1941 tregon se Konica vizitoi Nju Jorkun sërish me 13 korrik 1941 duke qëndruar prapë tek i njejti hotel .
Është me vend të vërehet se vizita e parë e lartpërmendur e Konicës në Nju Jork përkonte me festimet e Kërshëndellave dhe të Fundvitit, çka do të thotë se Konsullata Italiane do të ketë qenë zyrtarisht e mbyllur. Nga ana tjetër, nëse vërtet Faiku do të ishte i përfshirë në ndonjë aktivitet pro-italian në SHBA, ai mund ta bënte këtë fare mire në Washington, dhe drejtpërdrejtë me Ambasadën Italiane atje. Mirëpo këto rrethana nuk theksohen në raportet e gjurmimit.
Gjithsesi, nëse ka patur ndonjê kontakt të Faikut me Konsullatën Italiane në Nju Jork, ai duket se ka patur karakter krejtësisht privat. Me të vërtetë, ka shumë të ngjarë që Konica të ketë takuar ish-ndihmësin e vet, Hito Sadik, i cili në atë kohë po hartonte një ese për historinë dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët, me përmbajtjen e së cilës Konica duhet të jetë vënë në dijeni. Eseja u botua disa javë më vonë në anglisht me titullin “Një Letër Shqiptare” [“An Albanian Letter”] e shtypur me fonde italiane .
Gjurmimi i Konicës për një vit duket se u trajtua si diçka rutinë dhe e mbetur në nivele të ulëta të organeve policore federale apo vendore. Ndërkohë, sikurse e kemi përmendur tjetërkund, në kuadrin e veprimtarisë së tij si ish-përfaqësues i Shqipërisë dhe si udhëheqës i bashkësisë shqiptaro-amerikane, Faiku ishte në kontakt të përhershëm me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe të organeve të tjera të administrates amerikane për qartësimin dhe mbështetjen e çështjes shqiptare.

Çështja merr hov me hyrjen e SHBA në Luftën e Dytë Botërore

Mirëpo me 5 mars 1942, një individ i paidentifikuar nga qyteti Avon Lake, Ohio, i shkruan drejtpërdrejtë Drejtorit të F.B.I.-së John Edgar Hoover [Huver]. “Unë jam e sigurtë se ju jeni njoftuar më përpara për Faik Konicën, ish Ambasadorin shqiptar në Washington, dhe ndjenjat e tij pro-italiane”, shkruan denoncuesja. “Me sa kam marrë vesh”, vazhdon më tej letra, “Konica do të flasë në një takim me shqiptarë mohamedanë në rajonin Canton-Louisville-Massillon, të shtetit Ohio…me date 8 mars 1942”. “Shqiptarët e Amerikës janë qytetarë besnikë të këtij vendi” dhe “shumica e tyre janë anëtarë të një organizate që dëshiron çlirimin e Shqipërisë nga thundra Italiane”, thekson letra, duke iu referuar pa dyshim organizatës “Shqipëria e Lirë” të Kostë Çekrezit. Letra informon më tej se “një numër shqiptarësh mohamedanë …janë mbështetës të Konicës dhe ky i fundit ka ndikim të madh tek ta”. “Sa më sipër është konfidenciale dhe unë mbetem me shpresë se ju do ta ndiqni këtë çështje”, përfundon letra .
Z. Huver u përgjigj personalisht me date 23 mars 1942 duke i sugjeruar denoncueses të takohej me Agjentin e Posaçëm të Ngarkuar për Hetimin [APNH] në Cleveland, Ohio . Ai i shkruajti personalisht edhe këtij të fundit, duke e udhëzuar që t’i kushtonte kësaj çështjeje “një vëmendje të menjëhershme hetimore” si dhe të bashkërendonte punën me zyrën e Nju Jorkut, meqenëse ajo “është zyra ku ka filluar hetimi”, dhe atë të Washington-it, për arësye se Konica atje e kishte vendbanimin .
Të dhënat policore të grumbulluara për here të pare për Konicës treguan se ai “nuk kishte as precedentë penalë dhe as shkelje të trafikut”, “kishte “tregues kredie (rating) të favorshëm” të shkallës “I-A”, dhe se në atë kohë “nuk kishte llogari të papaguara” . Dhe s’kishte si të ishte ndryshe.
Duke qenë se Konica nuk kishte kryer vizita të tjera në Nju Jork, zyra e F.B.I.-atje i kërkoi qendrës që “si zyrë e origjinës e çështjes të bëhet Washingtoni ” kërkesë që u miratua pa vonesë nga Huver-i .
Informacion u mblodh edhe nga burime të Departamentit të Shtetit, të cilat i konfirmuan F.B.I.-së se Konica “kishte qenë dikur Ministër Shqiptar në Shtetet e Bashkuara por në kohën e tashme nuk kishte imunitet diplomatik”. Informacion u mblodh edhe për broshurën e Faikut me titull “Sfondi i Konfliktit Italo-Grek”, i cili zotërohej nga një punonjës i Departamentit të Shtetit në Dhomën 304, që bënte pjesë në bibliotekën e atij institucioni.

Dy pamflete

Agjenti i Posaçëm i F.B.I.-së raporton se pasi i hodhi një lexim të shpejtë pamfletit, përcaktoi se ai ishte i destinuar për botim në gazetë, por “u botua privatisht në Washington, D.C. më 2 gusht 1940” dhe, sipas mendimit të përciptë të një personi pa dijeni për historinë e konflikteve ballkanike, broshura dukej si “shumë pro-Italiane dhe anti-Greke ”. Në fakt, broshura nuk ishte as pro-italiane dhe as anti-greke; ajo ishte thjesht pro-shqiptare. Në rrethanat e turbullta dhe shumë fluide të fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në kuadrin e mungesës së përgjithshme të informacionit për problemet e mbartura ballkanike, Faiku aty paraqiste pikëpamjen sipas së cilës territoret të njohura si Shqipëri e Poshtme ose Epir kishin qenë historikisht të populluara prej arbërorëve por i ishin shkëputur trungut vendës nga Fuqitë e Mëdha. “Çështja është, shkruante Faiku, nëse ish provinca turke e Janinës ishte dhe ka qenë gjithmonë pjesë integrale e Shqipërisë. Nëse kjo është e vërtetë, a pushon kjo e vërtetë së qëni e tillë vetëm sepse janë italianët që e afirmojnë atë” ?
Huver-i i kushtoi vëmendje të posaçme hetimit. Madje me 3 qershor 1942 ai kritikonte APNH në Cleveland, Ohio, “se nuk i ishte kushtuar asnjë vëmendje hetimore çështjes” duke kërkuar “që të mos kishte vonesa të tjera në trajtimin e saj ”.
Rrjedhimisht, raporti i parë hetimor u përgatit brenda javës. Përmbledhja e tij përmbante disa fakte të pasakta, si p.sh. referenca se “pasi Hitleri zuri Shqipërinë tre vjet më parë…”. Nga përmbajtja e raportit mësojmë se, më në fund zyra e Cleveland-it e kishte intervistuar denoncuesen, që e paraqiste veten si “kundërshtare politik i Konicës”. Duke komentuar për Konicën, informatorja e paraqet atë si “mjaft të paqëndrueshëm në pikëpamjet e tija politike”, çka është një ndër mendimet më të pasakta ndaj Faikut, të shprehura edhe tjetërherë.
Informatorja kundër Konicës, sipas raportit, përmend edhe Fan Nolin duke e paraqitur atë “si komunist në ideale”. Aty mësojmë se ajo kishte paraqitur një raport në FBI kundër Nolit qysh në vitin 1940, ndofta në zyrën e FBI-së të Ohio-s, por nuk ka të dhëna se kjo u mor parasysh në atë kohë nga Byroja.
Për vetë lidhjet dhe njohuritë që paraqet, informatorja e panjohur ka qenë me siguri me prejardhje shqiptare. Megjithatë, kuptohet se ajo nuk ishte fare e qartë për thelbin e filozofisë dhe veprimtarisë së Nolit dhe Konicës. Ata mund të ndryshonin aleancat, por kurdoherë dhe mbi gjithshka vinin pavarësinë dhe integritetin tokësor të Shqipërisë si dhe fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA. Si kundërshtare e deklaruar politike e të dyve, është veçanërisht për të ardhur keq që ajo vinte në lëvizje madje edhe vetë organizmat shtetërore amerikane.
Informatorja bën fjalë edhe për veprimtaritë e një shqiptari tjetër, identiteti i të cilit mbahet i fshehtë. Në të dhënat që jep, informatorja deklaron se ai erdhi në Sh.B.A. “pas Pearl Harbor”-it, se ai “nuk e pëlqente Zogun pasi Zogu e kishte burgosur atë njëherë në Shqipëri”, se ai “dëshironte të bashkonte të gjithë shqiptarët, që Shqipëria të çlirohej, të hynte në Lidhjen e Kombeve dhe të merrte pjesë në luftën e tanishme”.
Të dhënat e mësipërme përputhen me pikepamjet dhe aktivitetin e Kostandin Çekrezit. Nuk është e qartë nëse informatorja kishte si synim larjen e hesapeve personale apo politike me Konicën. Ajo vetë nuk mori pjesë në leksionin e Konicës në 8 mars 1942 në Canton, Ohio, por deklaroi se i vëllai kishte qenë aty, se takimi kishte qenë krejt i hapur dhe se ai nuk kishte vërejtur ndonjë të dhënë se Konica ishte i angazhuar në veprimtari në mbështetje të Italisë”. Ajo i dha Agjentit të Posaçëm kopjen e broshurës “Letër Shqiptare” të autorit Hito Sadik, duke sugjeruar që në fakt Konica duhej të ishte autori i vërtetë pasi “stili i të shkruarit ishte mjaft i afërt (peculiar) me stilin e Konicës.”
Duket se Hito Sadik ka qenë angazhuar fillimisht me Vatrën dhe Diellin dhe më pas si ndihmës apo sekretar i Konicës në Legatën Shqiptare në Washington deri në 1939. Sikurse përmendëm, ai shfaqet më vonë si sekretar i Konsullatës Italiane në Nju Jork dhe duhet të ketë qenë pikërisht ai personi që mund të ketë takuar Faiku atje.
Në fakt, sipas të dhënave biografike, pas pak kohe Hito Sadik largohet nga Nju Jorku dhe vendoset në Romë, ku punon si spiker në Radio Roma. Atje martohet me një italiane dhe kthehet në atdhe pas mbarimit të Luftës. Sipas studiuesit Novruz Xh. Shehu, fillimisht punoi në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Kryqin e Kuq, por mandej përfundoi për disa vjet në burg dhe vdiq më pas në moshën 53 vjeçare në rrethana të paqarta. .
Libri i tij në anglisht “Një Letër Shqiptare” nuk mund të jetë shkruar nga Konica, pasi Faiku kishte guximin që t’i shpallte botërisht mendimet dhe pikëmapjet e veta. Gjithsesi, ndikimi i Konicës qoftë në përmbajtjen e qoftë në formën e libtit është i qartë. Erudicioni i Faikut duhet të ketë qenë burimi i citimit të vargjeve të poemës latine të Gabriell Fairnus nga Cremona, përkthyer nga Richard Knolles në A Generall Historie of the Turkes, London 1603, apo thënia e Heraklitit se “E drejta pa tjetër do të zbojë endësit e rrenave dhe e betarët e rrejshëm ”. Në libër, po ashtu, ka referenca të gjera nga ngjarje dhe personazhe që Faiku i njihte madje personalisht, sikurse është rasti i deklaratave historike të deputetit Aubrey Herbert në Dhomën e Komuneve me 20 qershor 1914 lidhur me maasakrat greke në Toskëri .

Konica, Noli dhe Kostë Çekrezi

Një tjetër e dhënë interesante në raportin e zyrës së F.B.I.-së të Cleveland-it ishte takimi i APNH me një individ nga Boston i cili po vizitonte Cleveland, Ohio-n në 27 prill 1942. SIpas raportit, ky i fundit e kishte njohur Konicën qysh prej tridhjet vjetësh, dhe se e konsideronte veten si “kundërshtar politik të Konicës”. Ai i shpjegoi Agjentit të Posaçëm prirjet e pretenduara pro-italiane të Konicës. Ai përmendi se gjatë viteve 1920, kur Konica jetoi për ca kohë në Itali, thirrej nga italianët “Princi”. Raportuesi paraqitet si zyrtar i një organizate “me qendër në Boston, Masachusetts”. Të gjitha të dhënat e mësipërme të çojnë në përfundimin se personi në fjalë ishte ose Çekrezi vetë, ose një bashkëpunëtor i afërt i tij, i cili edhe ai e njihte mjaft mirë Faikun .
Çarja midis Nolit dhe Konicës nga njera anë dhe Kostë Çekrezit nga ana tjetër është ndër mosmarrëveshjet më tragjike në historinë e diasporës shqiptaro-amerikane. Ajo dëmtoi unifikimin e diasporës shqiptare në një moment shumë delikat të Luftës Botërire si dhe pengoi deri diku formimin e një qeveria të gjithëpranuar edhe nga Aleatët në emigracion. E pra, këta të tre kishin aq shumë pika të përbashkëta me njëri tjetrin: që të tre kishin përfunduar studimet në Universitetin e Harvardit; që të tre kishin qenë të angazhuar thellësisht me Vatrën dhe Diellin; që të tre kishin shkruar gjerësisht, në anglisht e shqip, për çështjen shqiptare; që të tre kishin lidhje të rëndësishme në administraten amerikane. Çekrezi kishte qenë përfaqësuesi i pare i qeverisë shqiptare në SHBA qysh në fillim të viteve 1920’, kur ende SH.B.A. nuk e kishin njohur Shqipërinë ndërkohë që Noli kishte qenë përfaqësues në Lidhjen e Kombeve kurse Konica kishte qenë Ministër i Shqipërisë qysh nga viti 1926 e deri më 1939. Që të tre kishin pasur një raport të vështirë me Zogun, etj. Nuk dihen fillimet e çarjes midis tyre, por ajo u shfaq e pariparueshme mbasi Noli me Konicën, duke qenë seriozisht të shqetësuar për rrezikun e coptimit të Shqipërisë, shpallën mbështetjen e tyre për Ahmet Zogun në vitin 1942, qëndrim të cilin Çekrezi e kundërshtoi rreptësisht. Duhet theksuar se një vit më pas Çekrezi më në fund u tërhoq nga qëndrimi i vet intransigjent dhe u angazhua të bashkëpunojë me VATREN si dhe të pajtohet me qëndrimin e saj ndaj Mbretit Zog. Gjithashtu, nga fundi i viteve 1950 Çekrezi iu drejtua me një letër pajtuese Nolit, i cili nga ana e vet i kreu plot devotshmëri dhe nderim shërbesat fetare në funeralin e Çekrezit.
Kontakti i pretenduar i Konicës me konsullatën italiane në Nju Jork mori një khtesë gati komike pak kohë para vdekjes së Faikut.
Më 28 shtator 1942, d.m.th kur Konicës i kishin mbetur edhe 48 ditë jetë, një i njohur i Konicës i quajtur Qemal Veiseli, shtetas amerikan i lindur në Shqipëri dhe me banim në Nju Jork, i shkruan me mjaft elokuencë por edhe me njëfarë zemërimi Sekretarit të Shtetit Cordell Hull, duke u ankuar për Kostandin Çekrezin. Ka të ngjarë që në rrethin e ngushtë të shqiptarëve të Amerikës, shumica e të cilëve kishin dashuri dhe respektin më të madh për Konicën, të ishin marrë vesh akuzat absurde për lidhjet italiane të Faikut. Letra, e cila përmend edhe njëfarë Asllan Dragoti, që duket se është i jati i shqiptaro-amerikanit të njohur Stan Dragoti, vërteton se akuza ndaj Faikut ishte e pambështetur, në mos krejt e pathemeltë, dhe se i tërë hetimi ndaj tij nuk ishte tjetër veç humbje kohe dhe mjetesh financiare.

Vdekja e Faikut dhe mbyllja e hetimit

Sikurse kemi përmendur tjetërkund, në ora 19:30 të 15 dhjetorit 1942 një telefonatë krejt e papritur mbërriti në zyrën e shefit të F.B.I.-së, z. J. Edgar Hoover në Washington, D.C. Thirrësi i panjohur informonte se Faik Konica atë ditë ishte gjendur i vdekur në banesën e vet në kryeqytetin amerikan, dhe se “kishte marrë informacion se disa persona të panjohur po largonin sende personale të Konicës nga shtëpia pa kryer formalitetet e duhura.” Për këtë arësye, ai kërkonte nga F.B.I.-ja që “të ndërhynte për të ndaluar këto veprime”. Përgjigja qe mori ishte se “Byroja nuk kishte jurisdiksion në çështje të tilla. ”
Katër ditë më vonë, me 19 dhjetor 1942, dosja hetimore ndaj Konicës u mbyll zyrtarisht. Një raport i asaj date i referohet edhe nekrologjisë së Konicës të botuar në gazetën The Washington Post. “Informacioni i mësipërm u konfirmua edhe nga kontakti telefonik që bëmë në adresën e subjektit (d.m.th. Konicës) tek 1530 16th Street, N.W.”, shkruhet më tej në raport .
Dokumenti i fundit në dosjen hetimore ndaj Faik Konicës është një Memorandum pas vdekjes për Drejtorin Huver nga ana e Zyra e Drejtorisë së Luftës e Departamentit të Drejtësisë. Memorandumi informon Huver-in se Konica, Noli, VATRA dhe Dielli “ishin në shqyrtim sipas Ligjit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj të vitit 1938, i ndryshuar”. Aty përmbahet një përmbledhje e mirëinformuar e gjendjes brenda komunitetit shqiptaro-amerikan në fund të vitit 1942 dhe përpjekjeve të tij për të mbështetur Mbretin Zog dhe bashkimin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Përmbledhja i referohet dy “punimeve (releases)” të OSS-it të datave 12 tetor dhe 12 nëntor 1942 të cilat ndodhen në arkivat amerikane. Duhet mbajtur parasysh se OSS hartoi punime të ngjashme edhe për komunitete të tjera, si p.sh. komunitetin greko-amerikan, dhe këto aktivitete ishin të domosdoshme duke patur parasysh rrethanat e Luftës së Dytë Botërore.
Memorandumi përmend edhe një Shpallje të Mbretit Zog botuar në Dielli 1942 si dhe një artikull të Qerim Panaritit të 30 shtatorit 1942 ku shpjegohet “historia e negociatave midis udhëheqësve të ndryshëm [të komunitetit shqiptaro-amerikan, shpjegimi i imi, A.A.] në Shtetet e Bashkuara.” Dy grupet rivale, përmendet më tej atje, nuk mundën t’i zgjidhnin “mosmarrëveshjet e tyre” në mbledhjen e mbajtur në Kishën e Shën Gjergjit në Boston me 12 shtator 1942. Memorandumi përmend edhe letrën e korrikut 1942 të Sir Edward Boyle nga Dorchester, Angli, i cili ishte Kryetar i Komitetit Ballkanik, drejtuar Çekrezit, Nolit dhe Konicës që “kërkonte pavarësinë e shqiptarëve dhe bashkëpunimin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, Egjipt, Turqi dhe tjetërkund”. Memorandumi përfundon se, meqë VATRA “paraqitet e interesuar për gjendjen politike të një vendi të huaj dhe meqë duket se është në konktat me një grup mbështetës jashtë Shteteve të Bashkuara…[ajo] mund të bjerë në vëmendje të Ligjit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të vitit 1938”. Sipas Memorandumit del se u kërkuan edhe përmbledhje të kopjeve të raporteve të hershme hetimore të FBI-së lidhur me VATRE-n .
Në përgjigjen e tij të datës 3 mars 1943 z. Huver njofton se shumica e raporteve për Konicën u përcollën në Drejtorinë e Arkivës [Division of the Records]. Zoti Huver bashkëngjit edhe një kopje fotostatike të një raporti të dates 16 gusht 1923 nga Bostoni, i hartuar nga një Agjent i Posaçëm, dhe i titulluar “’Dielli’ Gazeta e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, 456, Tremont Street, Boston, Massachusetts; SHKELJE TE PRETENDUARA TE LIGJEVE TE ASNJANESISE” . Nga dokumentet amerikane të periudhës së viteve 1910-1920 del qartë se VATRA dhe Noli u vunë në shënjestër nga grupime të ashququajtura “epirotike” në Amerikë, të cilat përpiqeshin pa sukses të ndërsenin organet e administrates amerikane kundër Nolit, Konicës, Vatrës dhe Dielli-t, duke ngritur akuza krejt pa baza kundër tyre. Gjithsesi raporti i larttpërmendur nuk disponohet.
FBI Archives, NY File No: 100-5889 AEK, report made in New York on 1/26/1942, author unavailable.
New York Times, 12 December 1942.
Po aty.
Hito Sadik, An Albanian Letter, Italian Library of Information, 595 Madison Avenue, New York City, Coce Press, blerë nga Biblioteka e Universitetit të Harvardit me 29 maj 1941.
FBI Archives, 100-70857, F.B.I. 18 – March 6, 1942, U.S. Department of Justice.
Letter of March 23, 1942 to unidentified individual, 1942, REL:AJB, 100-70857-2.
Letter of March 23, 1942 to Special Agent in Charge, Ohio, REL:AJB, 100-70857-2.
Report dated 5/6/42, File No. 100-5033 made at Washington, D.C.
Letter of 9 May 1942 to Director of F.B.I. by P. E. Foxworth, Assistant Director, F.B.I. New York; NDW: 100-5889.
Letter by John Edgar Hoover to the Special Agent in Charge in New York, New York, date and file no. unclear.
Shih Shënimi 7, f. 2, 00-5033.
Faik Konica, Sfondi i Konfliktit Italo-Grek, tek Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore, redaktuar nga Qerim Panariti, f. 172.
Letter of 3 June 1942 by John Edgar Hoover to Special Agent in Charge, Cleveland, Ohio, 100:70857, JPC:
Buletini Nr. 64 i Departamentit të Shtetit, 19 korrik 1941 përmend si më poshtë: Gaetano Vecchiottti, Konsull i Përgjithshëm, Cecilia Vechiotti, e shoqja, Alfredo Spina shofer, Umberto Caradossi nën-Konsull, Cesare Psquinelli nën-Konsull, Hito Sadik Sekretar”. http://www.ebooksread.com/authors-eng/united-states-dept-of-state-office-of-public-co/department-of-state-bulletin-volume-v-5-jul–sep-1941-tin/page-8-department-of-state-bulletin-volume-v-5-jul–sep-1941-tin.shtml
Korrieri, 30 November 2001. Shiko edhe, “Hito Sadik, Pas një Endrre”, nga Novruz Xh Shehu, ASD Tiranë, 2001.
Hito Sadik, An Albanian Letter, f. 1-2.
Po aty, ff. 30-32.
F.B.I. Report, dated 6-10-42, File No. 100-6232, Title FAIK KONITZA, alias, Faik Konitsa, Character of Case, INTERNAL SECURITY-I.
F.B.I. Memorandum për Z. Ladd, Re: F.Konitza, ish Minister i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, date 15 dhjetor 1942, nga zyra e John Edgar Hoover, hartuar dhe nënshkruar nga Burke Mitchell, BM:LHH.
F.B.I. Report made at Washington, D.C. on 12/19/42, File No.100-5033, Internal Security – I, Alien Enemy Control.
Department of Justice, memorandum for Mr. J. Edgar Hoover, from Foreign Agent Registration Section, dated February 19, 1943. JPS:MY.
Letter of J. Edgar Hoover – Director, F.B.I. JSG:MED, Tr 3/16/43; 100-70857.
*(Arkiv- Botoi:Dielli 28 nentor 2013)

Filed Under: Histori Tagged With: agron alibali, Dosja Hetimore e Faik Konices

Një jetë…disa histori (Belkize ZENELI)

July 22, 2015 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/
Dua ta nis këtë cikël shkrimesh me historinë e Saj.Jo sepse është nëna ime,por sepse brenda saj jetojnë dhjetra histori disa prej të cilave kam bindjen se janë pjesë e përbashkët të shumkujt prej nesh.
Nuk dua ta quaj sukses, dështim,apo mbijetesë jetën e dikujt që përcjellin transmetimet nëpërmjet produksionit ”Një jetë …disa histori..” mundësuar nga Albanian Culture TV këtu në New Work .Qofsha e gabuar por kam konstatuar se suksesi i tjetrit nuk është se i gëzon shumë shqiptarët…duket sikur i shndërron ata në xhelozë , servilë , natyrisht ka edhe prej atyre që duartrokasin me ciltërsi.
Po kthehem te jeta e saj ku natyrshëm në themel qëndron familja Kadiu…Me rrënjët në Zerqan të Dibrës zonë e cila pa frikë mund të konsiderohet si zemra e Dibrës;- për nga pozicioni gjeografik,-bukuritë që i ka falur Zoti me ato burime ujrash të pastër e të ftohtë që e përshkojnë së larti si kurorë fshatin që shtrihet poshtë tyre e që gjelbëron cuditshëm,-si dhe për ato histori mjekësh, arsimtarësh dhe njerëzish të ditur që kjo trevë i ka falur progresit jo sistematik shqiptar.
Gjyshërit kanë një rol themelor në edukimin gjenetik të familjes ndër breza, ku dija edhe po nuk u trashëgua përmes bashkëjetesës me ta, është në gen.Prandaj e konsideroj fat të rritesh me ta…dhe të dhimbshme ngandonjëherë mungesën fizike të përkujdesjeve të tyre ku përvec cilësisë së rritjes të falin historitë e pashkruara të jetës së tyre. …E megjithatë ato histori ekzistojnë e të përkëdhelin me larminë,pasurinë, misterin … Janë dy emra në themelet e familjes Kadiu: Lefe dhe Besim që lindën rritën dhe shkolluan katër fëmijë të zgjuar nga ku njëri prej tyre ;(Ferit Kadiu) student në Itali,por që fati ia preu jetën në mes kur ishte vetëm 24 vjec ndërsa ndodhej me pushime në atdhe, Sofia që fati e la pëtej kufijve (Dibra e Madhe) që copëtuan Shqipërinë por edhe zemrat e prindërve dhe dy të tjeret që do jetonin këtu njëri gjyshi im të cilin unë nuk e njoha kurrë (arratiset nga Shqipëria në vitin 1959).
Lefe Kadiu ishte delegatja e Zerqanit në Kongresin e Parë të Gruas në Berat në vitin 1943. Një dibrane me qashë …një qashë Dibre në Berat…një fjalim brilant që do botohej pjesshëm dhe pa emrin e saj në një pëmbledhje që i kushtohet grave ,botuar rreth viteve 70 – 80. Janë shumë pse dhe sepse …por po i le të gjitha. Besim Kadiu ishte Kadiu i zonës dhe shtëpia e tij ishte baza ku predikohej fe e besim, moral dhe edukim që fatkeqësisht u varrosën në vitin 1967 , që personalisht e konsideroj si dramën më të madhe që ka pasur Shqipëria , madje gjykoj se derisa të iki nga kjo jetë personi i fundit që vuri dorë me kazëm dhe shpirt mbi ato ikona kulture trashigimnie dhe besimi…ne do vuajmë gjatë…Liria e besimit është baza nga ku lind mendimi i lirë .
Ky është terreni ku do lindte Ajo (viti 1946)me themele të forta ,por mbi një terren ”sizmik” .Ndonjëherë mendoj se internimi ishte një alternativë më e mirë sesa të jetoje mes njerëzve të tu ,por i abandonuar prej tyre.Internimi ishte kolektivizimi i njerëzve me histori të përbashkëta që mbase jetuan si të barabartë mes tyre …dhe pjesa tjeter ”e lirë” dhunohej gjithashtu duke ndjekur izolimin apsurd (ndjesë nëse gaboj ). Eksperimente të frikshme mbi jetë të pafajshme. Ky terren sizmik disa prej tyre i bëri më të fortë, më të mencur, më ëndërrimtarë…Kështu e konsideroj unë Belkize Kadiun Zenelin.Ajo vinte nga ky tunel i errët izolimi ndërkohë që familja e saj kishte plot bukuri e mencuri dhe dritë-fakte…Arratisja e të atit në vitin 59,,,ishte një goditje afatgjatë që erdhi deri tek ne duke na lënë pa të drejta shkollimi e shumë të tjera apsurditete që prodhojnë sistemet politike në Shqipëri. Arriti të behej mësuese në vitin 1966 pasi përfundoi shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër , dhuratë kjo e Simbolit të Arsimit dibran, me origjinë nga Zerqani, njërit prej idhujve të mi, besoj të të gjithë arsimtarëve dibranë, SELIM ALLIU për të cilin mendoj se ka gjithmonë vend pë të shkruar dhe falenderuar.
Por historia e saj u bë e dukshme duke marrë kuptim pas vitit 1990.Pikërisht atëherë kur sistemi ra por edhe duhej dënuar jo me sharje e mohime, as me revansh dhe spekulime…por edhe duke dëgjuar zërat që ajo kohë u mohoi të drejtën më shumë sesa të tjerëve .Ata që kishin provuar se cfarë është të rritesh pa prind dhe të ndjehesh fajtor apo ndëshkohesh,ata që edhe përfytyrimi, apo komunikimi me të ishte ëndërr e pamundur, ata që ishin bërë baba, motër vëlla ,bijë për nënën e tyre të pafat…Ka shumë të tillë , e di… A folën dot të gjithë ??? Unë nuk e di.
Isha studente në atë dhjetor kur do ”lulëzonin” këto lloj ëndrrash lirish dhe të drejtash.Dhe natyrshëm ime më ,të gjithë ne do ishim të parët përkrah asaj force politike që lindi si alternativë e të drejtës, e mendimit ndryshe , e lirisë. Ajo dhe të gjitha historitë e saj janë arsyje e involvimit tonë në PD, pa pendesë edhe pse PD nuk e kreu sic duhet misionin e saj, kjo është dhe arsyeja që vazhdoj ta konsideroj PD si një subjekt misionar.Kur në disa shkrime të mijat tentoj të përmend emra që i dhanë jetë Lidhjes Demokrate të Gruas Dibrane që Belkize Zeneli e drejtoi në kohë të vështira nuk kam si qëllim të lartësoj emra por dua të ruhet identiteti , historia dhe kontributet e asaj kohe kur këto lloj organizimesh kishin efekte dhe funksione që nuk duhen fshirë sepse janë identitet dhe qenësi. Janë disa standarte që i kanë munguar zhvillimit tonë në pëgjithësi. Inteletualizmi është edhe patriotik edhe kulturor edhe social edhe politik…dhe ka shumë individë të cilët me kontribute , investim dhe personalitet janë themele të forta ngrehinash nëse ka plan perpektiv pë ruajtjen e tyre si trashëgim ku natyrshëm mund të bëjnë pjesë edhe subjekte politike . Edhe disa histori njerëzore janë vlera të intelektualizmit patriotik, ato që fshehën dhimbjen dhe vështirësitë pa u viktimizuar si protagonistë por edhe pa qenë heronj, ata që folën jo me gjuhën e shpifjes, nënshtrimit ,fyerjes por me gjuhën e guximit dhe të drejtës . Diku këtu përmes këtyre përcaktimeve është ajo, nëna ime ,historia më e bukur që na bashkon në tërësi , brenda të cilës jetojnë dhjetra histori force, frymëzimi edhe me miqtë e saj,por që vetëm tek mua gjallojnë me vitalitet…
U bënë plot katër vjet që jetoj në SHBA dhe kam pasur rast te shkel në mjaft institucione publike këtu dhe në sejcilin prej tyre ka gjithmonë një histori ,,,dhe përpiqem ta lexoj, kuptoj edhe pse vetem pyes veten dhe mendoj pse -të e pafundme që më cojnë atje në vendin tonë të bukur të enigmave .Nuk është vetëm suksesi qëllimi i publikimit të një historie,por ruajtja e identitetit dhe zhvillimi i perspektivës. Ekzistojnë mjaft si unë që historia i frymëzon jo vetëm si narracion, por edhe si matematikë, si letërsi që simbolizon, si teologji që shëron, si fotografi që kronologjikon,por mbi të gjitha si DISIPLINE që na edukon me të VERTETEN.

Filed Under: Histori Tagged With: (Belkize ZENELI)., Marjana Bulku, Një jetë...disa histori

Piktori shqiptar që krenohet Greqia, Qenan Mesarea

July 20, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Qenan Mesarea, djali i Hasan Tahsin Pashë Mesaresë u martua në Janinë me Rafetën,vajza e shqiptarit Mustafa Pashës, që ishte pasanik i madh i Çamërisë. Pas mbarimit të shkollës në Janinë studioj në shkollën Gallatasarait në Stamboll, Qenani punoj adjutant i babait të tij, gjeneral Hasan Tahsinit. Ai ishte piktor i vetë mësuar dhe pas martesës më 1934, u vendos në qytetin e lindjes, Janinë. U mor me pikturë dhe shumë vepra të tij gjenden tek koleksionistët privat dhe në Shtabin e Armatës së tretë të ushtrisë greke, në Janinë, në klubin e oficerëve në Selanik. Një nga pikturat e rëndësishme është çasti kur babai i tij gjenerali Hasan Tahsin Pasha firmosi dokumentin e dhurimit të qytetit të Selanikut grekëve në 26, Tetor, 1912.
Nëpër penelin e tij kaluan peizazhet e liqenit të Janinën, shpendët e ndryshme, çaste të çlirimit të Selanikut dhe Janinës. Është njëri nga hartuesit e kufirit të Greqisë së Re. Vdiq në vitin 1965, dhe u varros sipas dëshirës së tij në varrin familjar në varrezat shqiptare të Selanikut. Pas prishjes brutale nga shteti grek të këtyre varrezave eshtrat e tij u rivarrosën në një varr me babanë e tij më 2006. Për nder të figurës artiste të Qenan Mesarea, qyteti i Janinës ka një rrugë me emrin e tij, Kenan Mesare. Prefektura e Janinës ka botuar edhe një album me pikturat e Qenan Mesaresë si pjesë e propagandës turistike të këtij qyteti.
Djali i Qenan Mesare, Shahini i njohur me emrin Serxhio ose Ini Mesarea ka lindur në Janinë më 1936, u martua me Margarita Arvanitidhu, dhe bashkëshortja e tij ishte me origjinë shqiptare. Nga kjo martesë patën vetëm një fëmijë, Aleksandrën. Shahin-Ini Mesarea ndoqi gjimnazin Zosimea të Janinës dhe më tej u diplomua në Romë më 1962, dega Arkitekturë. Vajza e Shahin Mesares, Aleksandra ka punuar deri pak vitesh në zyrën e Greenpeace.

Dy teza të gënjeshtrës nga ana e historianëve dhe studiuesve grek
Historianët grek rreth ngjarjeve që kanë lidhje më familjen Mesarea hedhin dy teza gënjeshtër, duke shtrembëruar të vërtetën dhe ushqyer lexuesin me histori të shtrembëruar, ata na paraqesin personazhet në versione në të cilat nuk kanë qenë asnjëherë:
1.) Historianët dhe studiuesit grek shkruajnë se gruaja e gjeneral Hasan Tahsin Mesarea ishte greke e fesë myslimane. Këtë tezë e paraqesin vetëm e vetëm për të përfituar vlerat e larta të piktorit Qenan Mesaresë për të cilin thonë se ka gjak grek nga nëna. Por deri më sot asnjë historian dhe studiues grek s’na ka ofruar fakte se si quhej gruaja e Hasan Tahsi Mesaresë, pra nëna e Qenanit, nga cili vend ishte, etj. Për fat të keq edhe ne s’mundëm të gjenim emrin apo origjinën e saj. Kështu, çdo tezë se gruaja e gjeneral Mesaresë është greke bie poshtë. Asnjë historian dhe studiues nuk e ka të drejtën për të përcaktuar origjinën e gruas së Hasan Mesaresë pa fakte, pa të dhëna shkencore. Gruaja e Hasan Tahsi Mesaresë kishte shoqëri të ngushtë me gruan e Mustafa Pashës, pasaniku i madh i Çamërisë. Kjo shoqëri e ngushtë u bë shkak që Qenan Mesarea të martohej më 1934 me Rafetën, vajzën e shqiptarit Mustafa Pashës.
Botërisht dihet se grekë mysliman nuk ka, edhe pak mysliman të etnive të tjera që kanë mundur të rezistojnë në qytetet e Selanikut, Janinës, Konicë, Kozanit apo gjetkë tashmë janë asimiluar ose kanë emigruar për mos u kthyer më në vatrat e tyre. Në Greqi jetojnë myslimanë në Thraki dhe ishullin e Rodosit të cilët mbahen me kulturë e kombësi turke. Siç dihet Kushtetuta e shek.19 dhe fillim të shek.20 përcaktonte qartë se kush quhej grek. Grek quhej ai njeri që i përkiste besimit ortodoks. E si paska qenë greke gruaja e Hasan Tahsin Mesaresë dhe nëna e Qenanit, kur ajo i përkiste besimit mysliman!?
2.) Historikisht grekët festojnë çlirimin e Selanikut, por e vërteta është se Selaniku nuk u çlirua, por u dhurua nga gjenerali Hasan Tahsi Mesarea. Ky akt i madh ka të bëj me botën humane dhe njerëzore të këtij ushtaraku që preferojë të shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve që i përkisnin kombësive dhe besimeve të ndryshme se sa të masakroheshin. Nuk besoj se në Ballkan ka ndodhur ndonjëherë një akt i tillë të dhurimit me paqe dhe pa kushte të ndonjë qyteti apo kështjelle. Pra, qyteti i Selanikut nuk është çliruar e as dorëzuar, por është dhuruar, kjo gjë del qartë nga dokumentat historike sepse gjeneral Mesarea ka patur mundësi t’ia dhuronte bullgarëve. Nëse do bëhej një akt i tillë nuk e dimë se si do ishin kufijtë dhe politika ballkanike sot.
Dhurimi i Selanikut u bë pa luftë, pa asnjë kusht dhe për këtë Porta e Lartë e dënojë me vdekje gjeneral Hasan Tahsin Mesaresë dhe djalin e tij, Qenanin. Familja Mesarea u largua për në Francë me ndihmën personale të Venizelosit i cili më tej do tu jepte edhe shtetësinë greke.
Nuk është dëgjuar asnjëherë që të ndihmohet një kundërshtar lufte i dorëzuar pa kushte dhe të pajiset me shtetësinë e shtetit që pak kohë më parë kishte luftuar me armë!? Historia botërore nuk njeh ndonjë figurë ushtarake që të dorëzohet e ti ngrihet kult respekti nga kundërshtari siç i është ngritur Hasan Tahsi Mesaresë. Pra, qartë del se Hasan Tahs Pash Mesarea ua dhurojë grekëve Selanikun dhe nuk e dorëzojë. Ka dallim të madh midis dhurimit dhe dorëzimit: a) Dhurim do të thotë se bënë veprim human, me dëshirë, me zemërgjerësi. b) Dorëzim ka kuptimin e humbjes së luftës, dorëzon armët pasi pranon humbjen. E vërteta është se ushtria turke e gjeneral Hasan Tahsi Mesaresë nuk i dorëzojë armët.
Grekët festojnë si datë të çlirimit të Selanikut, 28 Tetorin, 1912, por ajo ditë në të vërtetë s’ka qenë ditë e çlirimit. Më 28 Tetor, 1912, ora 11 paradite komandanti i trupave greke, Konstandini hyri zyrtarisht me flamurin grek në Selanik dhe në mesditë në kishën e Shën Minas u mbajt mesha fetare. Më 29 Tetor, në Selanik mbërriti dhe mbreti Gjeorgjio.
Historia e familjes Mesare është njëra nga ato historitë e shumta të familjeve shqiptare që kanë dhënë një kontribut të madh Greqisë moderne. Piktori Qenani Mesarea dhe karikaturisti Ali Dino, janë dy figura të shquara të artit shqiptar që krenohet Greqia. Edhe pse këta dy figura vijnë nga familje myslimane shqiptare me punën e tyre artistike i kanë imponuar Greqisë që ti respektojë dhe ti nderojë ata. Këto janë raste të rralla që Greqia krenohet me figura jo greke, që nuk i përkasin besimit ortodoks.
Që e vërteta të quhet e vërtetë dhe historia të quhet histori e vërtetë duhet thënë ashtu siç është, pa i shtuar dhe i hequr ndonjë shkronjë. E pash të arsyeshme ti rikthehesha edhe njëherë historisë të gjeneral Hasan Tahsin Pasha Mesaresë, dhe besoj se ka vend për plotësime edhe në të ardhmen për të zbardhur figurën dhe kontributin e familjes Mesarea në të mirën e Greqisë Moderne.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Piktori shqiptar që krenohet Greqia, Qenan Mesarea

Si Sot, 20 Korrik 1997, u nda nga jeta, ARSHI PIPA

July 20, 2015 by dgreca

FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKES VATRA, TE HENEN ME 27 KORRIK 2015, ORA 6.P.M,NE SALLEN E SAJ, DO TA KUJTOJE PROF. ARSHI PIPEN ME RASTIN E 95 VJETORIT TE LINDJES. REFEROJNE: FRANK SHKRELI, ANTON CEFA, IDRIZ LAMAJ , MITHAT GASHI ETJ.PER HERE TE PARE: SI U TRNASKIPTUAN LETRAT E CIGAREVE ME TE CILAT U C’BURGOS”LIBRI I BURGUT”, LETRA ORIGJINALE, VIDIO../
….18 vite te shkuara, ne vitin e mbrapshte 1997, me 20 korrik, u shua Arshi Pipa, antikomunisti i betuar, qendrestari i burgjeve komuniste, poeti brilant, filozofi, publicisti, shkrimtari,pedagogu, studiuesi, ish Kryetari i Vatres dhe Editor i Diellit, antikonformisti, qe kundershtoi cdo lloje diktature, Prof. Arshi Pipa.
Ka lindur në Shkodër më 1920. Pasi kreu mësimet e mesme në liceun e vendlindjes, ai studioi për filozofi në Universitetin e Firences (Itali).Ne moshen 22 vjecare fitoi graden Doktor i Shkencave ne Filozofi. Prej vitit 1941-1946 dha mësim në shkolla të mesme të Tiranës e Durrësit. Në prill të vitit 1946 u burgos nga regjimi komunist për idetë e tij patriotike e demokratike, antikomuniste. Për dhjetë vjet (1946-1956) ai vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, Vloçisht, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”, që është vepra poetike më e mirë e poetit. U botua ne SHBA me 1959.Pasi del nga burgu, arratiset më 1958 dhe vendoset përfundimisht në SH.B.A. Gjatë kësaj periudhe, pas peripecish e vuajtjesh, arriti të japë leksione në universitetet më të dëgjuara të Sh.B.A. (Kolumbi, Kaliforni, Minesota etj.).
Shkrimet e tij të boruara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në: 1) poezi, 2) estetikë e filozofi dhe 3) kritikë letrare. Në poezi janë vëllimet shqip: “Lundërtarë”, “Libri i Burgut”, “Rusha” dhe “Meridiana”, me përjashtim të vëllimit të parë, të gjitha veprat e tjera janë botuar jashtë dhe për këtë njihen ende pak nga lexuesi shqiptar. Përsa u përket studimeve dhe kritikës, përmendim vetëm disa nga ato që kanë të bëjnë me letërsinë shqipe: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat komëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

PJESE TE ZGJEDHURA NGA KRIJIMTARIA E ARSHI PIPES

KOSOVES

Vllazen shqiptare, Kosova s’asht e jona.
Kush me e permende guzon ai ban trathti!
O kob qi s do t’harrohet kurr tevona!
Kosova e ngrate dergjet e vdes n’robni.

Prej bastardhesh trathtue qi i zhgulen zemren
e n’pre ua hodhen klyshve qi Moskova
Per gjak ndersen, me parzem shkele nen themren
mizore sllave po jep shpirt Kosova.

Deri kur, vllezen, do ta ndiejme na veten
fajtore pse vendin ku SHqipnija leu (1)
guxojme ta duem, tue pasun frige fatshkreten
Kosoven tone ta quejme gjymtyre atdheu?

O toke e bukur ku fjala burrneshe
ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!
gjoks i Shqipnis, ku e ndryme si luaneshe
nder hekura gjemon zemra Dardane.

A mundet ajo, vall, me u-zhgulun dejsh
pa ba kufome llogoren e krahnorin?
Lumnin tande, Kosove, at’here ta rrfejsh
kur gjak i lire t’vadise hullin e plorit.

Sot tjeterkush ta gzon frytin e punes,
mbi token tande, kosovar, je skllav!
Qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!

Qofte e mallkueme fara qi aty hidhet
me djerse e njomun pleqsh, me lote kerthijsh!
Buken e turpit e t’poshtnimit t’idhet,
o vend martyr, der kur ta kaperdijsh?

Qenka pra faj me lype te drejten tande?
Doren per lmoshe duhet me i shtri kusarit?
O gjuhe, ti bamu rrfe e tmerrin trande!
Do t’vije, do vije nji dite ora e shqiptarit!

Mbas nesh tjere kane me ardhe. S fiket Shqipnija
pse disa qinda nesh rrzohen nen plumbin.
Se per cdeo dhjete prej nesh qi amshon lirija
dhjete mije do t’lindin e dhjete mije do t’humbin!

Do t’humbin shqim ata qi sot na shtypen!
Kulshedra e re me lakminat e vjetra
at’here do t’shembet kur ta shofim shqypen
prej majesh tu’e sulmue me sqeq e kthetra.

Andej na priret shpirti i forte me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllezen, nalt ju ballin! prej Kosove
Der n’Cameri Shqipnija asht e jona.
KRISTO KIRKA *
**************
Vdiq flamurtari i moçem!
Si rrojti vdiq me nder,
I paster, i devoçem
E pa u perkule njehere

Nder qela u sos t’Burrelit
me dhunen e tradhetarit,
me njolln’ e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit

Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra fjala ju pre,
Ndigjuem qysh lehte ankoi:
“Per flamur!… Per atdhe!”
* Poezia iu kushtua shokut te burgut,Kristo Kirkes, krahut te Djathte te Nolit,bashkethemeluesit te Vatres, Deputetit, kryetarit te Bashkise se Korces, zv/prefektit te Himares, Bilishtit, Konusllit te Shqiperise ne Boston,ish kryetarit te Shoqates Besa-Bese, Minaxherit te Diellit,… qe u shua ne burgun e Burrelit.
Nemesis (mallkim)
I
Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,
mbërthye qelash ndër pranga,
nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë
kur del prej s’thelli kanga.
Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:
anmiq t’adheut! Tradhtarë!
pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën
e huej, pse jem, shqiptarë.
E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit
t’anmikut për trofe,
ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit
e zhyen me tjetër fè,
ata qi deri dje mbajshin kapistra,
teneqexhinj, shollarë,
gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:
ata janë atdhetarë!
Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë
na këllasin, na e shtyjnë
n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë
qeshin e na pështyjnë.
Na lagin dimnit qelat, elektrikun
na e venë ndër veshë e n’gojë
e ndër trupa… E qeshin tue fikun
cigaret n’sy për lojë.
Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash,
na lanë me ditë e netë
varun për shpatullash mbi maje gishtash,
pa ngrënë, pa pi, pa fjetë.
Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë
me shkelma na mbarojnë,
na hjedhin prej dritores, e veç rrallë
me nji plumb na nderojnë.
Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun
si coftina na kallin,
ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun
lotët që zbusin mallin.
Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,
se tortura qi e sosë.
E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën
urrejtjen qi rroposë.
Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore
kur shokët qi nuk ranë,
me shpirtin dalldisur për fitore,
do t’thrrasin gjakun tonë.
Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë
qi vegla u bâh’ ni qorre.
E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë.
Dielli i liris, ti shporre!
E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret.
aq sa më dhambë me bre
hekurin që kryqzon dyert e dritaret,
qoftë ajo ligjë për né.
Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë
me besën e dëshmorit,
nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,
pa shfrim mbrenda kraharorit,
ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,
shpartallon ledh e strehë,
dhe si shqiponja e flamurit vërtikun
ndër qiellna t’lira zhgrehë.
Përpëlitet Shqipnija nën mizoren
thundër si krymb n’handrak.
Heu, deri kur ma do puthim dorën
qi syt na i plasi gjak?
Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén
ksaj zgjedhe fund me i dhanë!
Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen
veç burg e kasaphanë.
—————————————————— Koment
Poema është shkruar në burg prej vitit 1946-1948. Është një nga krijimet më të fuqishme të autorit në poezi. Ajo përbëhet nga katër pjesë dhe është një stigmatizim i politikës antikombëtare dhe i egërsisë së diktaturës. Poeti del nga muret e burgut dhe lëshon një mallëkim në emër të popullit shqiptar kundër atyre që, siç thotë, e kthyen atdheun “veç burg e kasaphanë”.
Kanali
I
Nga Korça bumbullon. Currila shiu
Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.
Mbramje, Dikush përbri qet gjak për goje.
Këndon lehtas matanë nji fmi arixhiu.
Ky grindet për pakë uj qi shoku i piu;
ai shan se i vodhën bukën. Hyn nji roje.
Shkopinj e shkelma. Britma. Fryn bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, pran secili,
e flen kush mundet për at natë me fjetë.
Si lazaret rënkon e fshan baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyre qi i pret nji vorr i shkretë.
—————————————————— Koment
Në këtë sonet mjedisi i përgjithshëm i barakës ku banojnë të burgosurit. Detajet e zgjedhura nga poeti na ndihmojnë për të pasur një tablo të qartë e të gjallë të këtij kampi të shfarosjes. “Ndër baraka, shkruan poeti, rrojshin së bashku ordinerë dhe politikë. Vjedhjet ishin të shpeshta, të bame prej ordinerëve, të cilët nxiteshin nga rojet që të vidhshin politikanët. Po t’ankoheshe, ndëshkimin e kishe ti dhe jo vjedhësi, mjaftonte që ky të mohonte fajin. Mentaliteti i rojeve ishte ky: Politikanët janë përfaqësues të klasës kapitaliste-borgjeze, kurse ordinerët janë “proletarë”. Puna kishte mbërrit deri n’at pikë sa njeriu të flente me trastën e bukës nën kokë”.

IX
Ditën asht vallja, natën sarabanda
Se rraskapitesh ditën, natën flen?
Nuk thom për morrin, qi për trup e gjen
(u msuem me të) si miza dheu ndër banda.
E zgjohesh trembshëm… Ndien a vesh t’rren?
Këlthitje, t’çjerruna, rënkime t’randa…
Torturohen tash shokët te komanda,
e radha jote nesër ka me qenë.
E ç’nuk na bajshin! Na rrihnin me tel;
lakuriq, e mandej n’ujna handraku
na zhyteshin, trupin plagë n’currila gjaku.
E na lidhnin me fill prej telefoni
Për shtylla aty pranë krahanuer e bel
Që t’na pështynte nesrjet divizioni.
——————*Natën rojat torturonin me ndihmën e disa të burgosurve, të cilët morën emrin “brigata e zezë”. Të burgosurit merreshin nga shtrati dhe dërgoheshin në komandë (ose në një vend tjetër mbas telave, por edhe brenda telave) dhe aty torturoheshin mizorisht. Mbas torturës shpesh vinte veçimi. Disa herë veçimin e bënin për të dhënë shembull brenda kampit.
XIII
N’infermierin e kampit, nji kasolle
Anash rrethue me hasër, nalt me kashtë,
dergjen ndër qelbësina pesë a gjashtë;
njiqind, dyqind i ka gjithmonë okolle.
Pushim ankojnë. Por vjen rreshteri i vrazhdë
Dhe krisin hujt e çizmet n’ato golla
Jetë s’përçundun ngelun veç gëzholle
E shpesh me shkelma i qet nga shtrati, jashtë.
E vdesin fatkëqijt aty te praku
Vdesin e hendeqeve ndër baraka gjaku,
vdesin nën shtrat ku mshehen për me vdekë.
Vdesin tue pritun bukën, ndër gjiriza
Tue ba nevojën, vdesin posi miza,
dhe si coftina i kallin ndër hendekë.

*Për të kuptuar mirë ferrin e kësaj infermierie, vlen të lexohet shënimi i vetë poetit: “Infermieria e kampit ishte tepër e pakët për me përballue nevojat. Ndonjëherë, ndër rasa më të randa, dhe mbi insistimin e mjekëve, disa të burgosun u dërguan nga infermieria në spitalin e Korçës. Unë qeshë njeni prej tyre, “Rreshteri i vrazhdë” asht rreshteri Hito i burgut te Durrësit, më famëkeqi ndër të tjerët. Një tjetër nga ata që kryen tortura me zell të madh asht polici Skënder Xh, i burgut të Korçës. Kam dëshmue vetë torturën që ky i ka ba një të riut korçar bash në infermierin e kampit.
XXIV
Ajo na mbajti gjallë. Si luleferrë
Nga rrota e qerres shkelun rrafsh me tokën,
por qi nuk shtrohet për me vdekë e kokën
nesërjet diellit plot uzdajë i pjerrë,
ashtun nën rrotën, që për ne që mokën
me shpirt ndër dhambë duruem na kët skëterrë,
lirin e andrruem te nata e bame sterrë,
e zemrat tona për atë flamur rrokën.
Se nuk dyshuem na kur qi shpejt a vonë
Nga tiranija e randë atdheu do t’shkundesh,
dhe si nji perlë e nxjerrun thellë prej fundesh
ma e bukur do t’shkëlqente besa jonë.
Vuej por qëndro! Marr zemër te burrnija!
E vdis tue brohoritun: Rroftë Shqipnija!

*Ideali i pamposhtur i lirisë këtë herë, ashtu siç ka ndodhur mijëra herë në histori, bën edhe këtë radhë mrekullinë e triumfit të jetës mbi vdekjen, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të dritës mbi terrin. Është pikërisht për këtë, që ky sonet i fundit, dallon kaq shumq nga gjithë të tjerët.

Elegji për Gac Çuni*
Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin!
Banja t’madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!
Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t’Bedenit,
fill andej përplasun brrakave t’liqenit;
ra e u’mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,
s’ishte për tê kazma, s’ishte për tê shati
Se ktij qielli i fali çka s’i dha secilit:
frymën e muzikës, zanin e bilbilit.
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zâ
Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ
Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,
tash ndër kangë shkodrane, tash n’Ave Maria.
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin
Tretun ndër kujtime t’ambla qi ato zgjojshin…
Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,
mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë!
N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë
Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?
Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahanuer!
Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!
Fshâj e përmbas teje le t’ankojë shojqnija
qi na njofti vlerën, mbarë t’ankojë rinija!
*Këtë elegji poeti ia kushtoi një ish nxënësi të tij dhe shok burgu, Gac Çunit ish-mësues në Kastrat të Shkodrës, që kur vdiq në burgun e Burrelit, nuk i kishte mbushur të tridhjetat. Ai ishte turbekuloz, megjithatë u kishte bërë ballë me trimëri vuajtjeve të burgut. Në mars 1956, pak muaj para se të lirohej, ai pati një sulm apendiciti. Drejtori i burgut e la të vdiste pa e çuar që të operohej. Në burg Gac Çuni kishte kompozuar këngë patriotike, njëra prej tyre ishte kënga për tre të rinj shkodranë të vrarë në gusht 1948 prej Partisë Komuniste. Caci kishte kompozuar edhe këngë të tjera mbi motive popullore. Njëra ndër këto: “Kanga e kaçurrelit”, është bërë sot popullore në Shqipëri.

Elegjia Vllazërore
Ma thonte zemra e ngrata
se jeta t’kishte lanë,
edhe pse miqt e shokët
nuk dojshin me ma thanë.
Der sa mbi krye mandata,
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m’ishte gja.
E pau epileptiku
qi s’njifte mue as ty.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u thye…
Un rashë… m’u turr vërtiku…
humba! Uluroi një za…
Ti u hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole ma!
Ti vuajte, ti rreziqe
durove simbas stinës
nga ishulli i Ventottenes
ndër telat e Prishtinës.
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë armik i shtypjes
e bir i atdheut besnik.
Sot qi nga dita e mortit
Ka rrjedhë ma se nji mot,
tue ta nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.
Pse për vdekjen e t’fortit
i fortë duhet me u bamë.
As i përmendi fajtorët:
nuk kam ma çka me i namë.
Kur ndofta nga mizori
Po përgatitet ura
për mue kët herë e kanga
e mbramë âsht kjo qi thurra,
me gjakun tand dëshmori
vulosi sot nji bè:
përbuzi komunizmin
e truhem për atdhè.
*Kjo elegji u shkruajt në Nanduer 1948, pak para se të nxirresha në gjyq për herën e dytë. Ky gjyq u ba në Prokurori të Durrësit me dyer të mbylluna dhe zgjati gjithsej 15 minuta. Vendimi i gjyqit u dha brenda në burgun e Durrësit. Im vëlla Myzafer Pipa, avokat, qe arrestue në shtatuer 1946 dhe mbasi u torturue deri në vdekje, u nxuerr dhe u vra me nji batare automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte dashtë t’ikte. Vrasjen e tij, të cilën ma kishin mbajtë mshehtë, e mora vesh vetëm gjatë proçesit të dytë në Prokurorinë e Durrësit.
Andrrën e pau nji i burgosun, kosovari Azis Sula, në kohën e vrasjes. Im vëlla pat qenë burgosë nga autoritetet fashiste italiane n’ishullin Ventottene afër Gaetas, më 1940 dhe më vonë internue në kampin nazist të Prishtinës më 1944.
Lamtumirë
Mos loto, q’i n’kujtese
te ruej pa turbullue
kqyrjen tende plot shprese
magdalene e pikellue!

mos qaj! fisnike zija
kur veten nuk e shpalle
ashtu nga dashunija
ti vdiqe tue u ngjall.

e zymte asht dita e motit
nuk dij a kem’me u pa….
n’se jo,ti lutju zotit,
se mire na jemi nda.

NISJE
Lamsh na perlane –cka mundem me rrembye
prej teshash vrik –e na stivuen si thase
nder kamjona, me shqelma tue na rrase;
prangat nder duer, per s’mbrapshti, ashtu mberthye

sa mishi u-nxi mbas pake e u-fry me plase;
mandej per kame e gjoks litarin nye
tri heresh na e pershuen, tue u-derkrye
ma keq mbi ke u-angue a desh t’u flase.

E mbasi kryen, rrethuen nenkolonelin
qi gjithe at kohe kish ndenjun tue soditun
fetyrat tona t’ajtuna, t’gerdheshna

nen klithmat e paza… Ishin djersitun
e fshiheshin me nge. E mbante belin
njeni tue qeshe me llanet e perveshna.

Filed Under: Histori Tagged With: 18 vite, Arshi Pipa, nga ndarja, prej jetes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 516
  • 517
  • 518
  • 519
  • 520
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT