• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË JETË… DISA HISTORI- MARJANA BULKU: SHTATË PYETJE PËR STUDIUESIN IDRIZ LAMAJ

January 11, 2021 by dgreca

1.Marjana Bulku :

Ju e braktisët fizikisht Shqipërinë komuniste duke tentuar të mbërrini tek disa liri, si ka qenë ky shtegëtim për ju?

Idriz Lamaj: Ju Falemnderit që më ktheni nëpër atë shtegtim.Kur im at është arratisur  nga Shqipëria në vitin 1951, unë  kam qenë  vetëm tre vjeç. Dera e jonë, siç thonë të parët  tonë ka qenë një familje e nderuar nacionaliste. Gjatë Luftës së  II-të Botërore,  baba dhe axhallarët e mi si shumë malësorë të tjerë, kanë mbrojtur e janë përpjekur  me sakrifica për bashkimin e trojeve tona etnike.  Pas ardhjes së  komunizmit në fuqi , njëri prej axhallarëve të mij ka qëndruar maleve të Shqipërisë me çetat antikomuniste  deri nga fundi i vitit 1949.  Prindërit e mi janë arratisur nga Shqipëria në Jugosllavi vetëm për të shpetuar kokën, ashtu siç janë arratisur  mijëra familje të tjera  për të shpëtuar  nga tmerret e regjimit komunist. Unë e kam mbaruar shkollën e mesme në  drejtimin  pedagogjik në Pejë, në Kosovë. Pastaj më vonë jam arratisur nga Jugosllavia drejt Italisë ku kam  kaluar disa muaj në kampet e refugjatëve atje. Përsëri kam kaluar kufirin ilegalisht dhe kam shkuar në Francë ku jam regjistruar në shkollë  në Paris. Nga fundi i vitit 1967- të kam përfunduar këtu në New York, me garanci të Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Këtu  fillova  një jetë të re ku përfshihej puna  dhe edukim pa u ndarë njërën nga tjetra. Pas 45 -vjet  pune të panderprerë kam dalur   në pension. Ky ka qenë shtegtimi im, pa përfshirë barrën e rëndë të rrëfimeve emocionale që i tejkalojnë lodhjet fizike shumë herë.

2. M.Bulku :Gazetaria juaj sjell një dimension shumë të veçantë; sjell faktin, sa ju ka ndihmuar kjo në atë që ju jeni; racional dhe tejet objektiv?

Falemnderit për këtë lloj vlerësimi! Nëse mund të quhem ashtu si thoni Ju – racional dhe objektiv, atëherë pas mendimit tim mund të kenë ndikuar: Metoda e studimeve, puna shumë- vjeçare për Komitetin “ Shqipëria e Lirë ”,  bashkëpunimi i ngushtë me kolegët e punës dhe me shumë miq e shokë të tjerë, shqiptarë dhe të huaj. Këtu do vej  vetëm një gjë në dukje –  Komiteti “Shqipëria e Lirë” është shikuar si një qeveri shqiptare në mërgim. Është formuar dhe drejtuar prej personaliteteve të shquara të mërgatës politike shqiptare;si Mitat Frashëri, Hasan Dosti dhe Rexhep Krasniqi. Është mbështetur politikisht dhe financiarisht nga qeveria amerikane prej vitit 1950 deri në vitin 1992. Ajo ka pasur zyrat dhe shtypin  e vet. Ai Komitet ka sjellë  në Shtetet e Bashkuara afër 15. 000 emigrantë shqiptar që kishin mbetur  nëpër kampet e refugjatëve  në disa shtete europiane – perendimore. Mijëra dosje të emigracionit në fjalë të cilët kanë   emigruar në Shtetet e Bashkuara me garanci të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ia kam dhuruar bibliotekës të Vatrës. Në qershor të vitit 2019 i kam dhuruar Arkivit të Kosovës afër 15. 000 dokumente  të atij Komiteti. Për këtë çështje kanë shkruar autoritetet drejtuese të këtij insitituti të njohur të  Kosovës të cilët kanë ardhur  këtu në New York dhe kanë fotokopjuar dokumentat. Për atë zyrë kam punuar më shumë se 20 -vjet. Jam  marrë me përgatitjen  e gazetës “Shqiptari i Lirë”,  por edhe me analiza e raporte të tjera të cilat i kërkonte koha.

3. M.Bulku :Do të  ishte me interes të na përshkruani pak nga përvoja e juaj si gazetar i “Zërit të Amerikës” çfarë do të thoshte kjo eksperiencë për ju?

 “Zëri i Amerikës” është një institucion i veçantë, ashtu siç janë të gjitha institucionet e qeverisë federale amerikane, serioze në mbilartësi ndërkombëtare. Si gazetar shumë- vjeçar në seksionin e gjuhës shqipe kam mësuar shumë gjëra:

 -Të  përqendrohesh  në thelbin e çështjes.

 -Të shkruash për subjektin që ke para sa më shkurt.

– Në secilin shkrim ii rëndësishëm ose i parëndësishëm,  të mbështetesh të paktën  në dy-tre burime të ndryshme.  

Ky mësim, në punën e përditëshme  më ka  bë rigoroz,kursimtar, të tërhequr nga shpjegimet e hollësishme,  të cilat mund të krijojnë konfuzione në shkrimet gazetarike. Të gjitha këto,  dhe ndoshta shumë mësime të tjera, me kanë ndihmuar në fushën stundimeve krahasuese (Comparitive  Studies),  disiplinë që shërben shumë në fushën e studimeve historike. Prandaj, shkrimi, studimi, analiza apo lajmi, pa marrë parasysh, të pelqen apo jo, duhet të jetë sa më  korrekt . Ky qendrim,  nuk vlen vetëm për çështjen e transmetimit ose ekspozimit të të vërtetës, si lajm ose shkrim,  por ka vlerë të veçantë për dinjitetin e  përsonit që shkruan,  si njeri dhe si  studiues. Në “Zërin e Amerikës”  kam pas fatin të punoj me një njeri shumë të veçantë, me z. Elez Biberaj. Ai vazhdimisht linte  në tavolinën time të punës, shkrime, editoriale dhe analiza që kishin të bënin me problemet e Europës Lindore.  Ajo ishte fusha e ime që më pëlqente dhe ku ndjeja se  kisha një pregatitje serioze . 

4. M.B.Angazhimi juaj në shtypin  e kohës sjell në sytë tanë profilin e një historiani rigoroz, i përpiktë që krijon besueshmëri tek lexuesi, cili është komenti juaj për historinë shqiptare, a është shkruar rigorozisht ajo?

Idriz Lamaj: Dihet se gjatë regjimit komunist në Shqipëri janë botuar tonelata “studime historike”, gjoja të mbështetura në lëndën arkivore. Ato lloj “studimesh” edhe 30 -vjet pas rënies së komunizmit po japin rezultatet e veta deformuese. Në çerek shekullin e fundit afër tri dekada pas rënies së  komunizmit janë botuar dhe po botohen punime të ndryshme, vepra të 

ashtuquajtura “shkencore”, të cilat i japin rezultatet e veta duke u bazuar gjoja në lëndën arkivore. Në ato vepra keqtrajtohen faktet historike, lënda arkivore keqpërdoret ose interpretohet në formë e cila i konvenon njërit ose tjetrit, duke i  ikur kështu të vërtetës shkencore. Publikuesit e tillë të “veprave shkencore historike” u takojnë veprimtarive të ndryshme dhe njohurive të ndyshme e më së paku studimeve shkencore historike. Ata në mënyra joprofesionale dhe joshkencore i shfrytëzojnë  dhe i interpretojnë “burimet arkivore”, e sidomos ata kanë shumë pak ose aspak njohuri  të arkivistikës. Ka edhe raste që disa autorë të veprave të tilla nuk ngurojnë të përvetësojnë mendimin e huaj – shkrimet e huaja, apo trillojnë burimet. Mendoj se e vetmja mundësi për trajtimin e drejtë të zhvillimeve historike shqiptare është ;së pari grumbullimi dhe botimi  i arkivave prestigjioze për sjelljen e realitetit historik në dritë i cili është deformuar me kohë nga sistemi komunist dhe thjeshtë të gjitha ngjarjet historike janë trajtuar sipas interesave politike dhe ideologjike. Për këtë çështje do të sjell vetëm dy shembuj tragjikomik :  1.  Po lexuat me vemendje studimin historik prej  650 faqesh,  të botuar në Tiranë në vitin 1978, të shkruar nga njëri  prej historinëve më të njohur të asaj kohe: PAVARËSIA SHQIPTARE DHE DIPLOMACIA E FUQIVE TË MËDHA 1912-14.,   në 27- të faqet e para të këtij teksti, (emrin e autorit e keni të shkruar me shkronja të mëdha në kopërtinë), 18 herë  iu referohet “të dhënave” të shokut Enver Hoxha. Merre  me mend  të dhënat e shokut Enver për zhvillimet historike në kohën  e shpalljes të pavarësisë shqiptare. Së dyti sa ii përket historiografisë tonë pas Luftës së Dytë  Botërore, deri në vitin 1960, lexoni vetëm dy gazeta të asaj kohe;“Bashkimin”  dhe “Zërin e Popullit”. Në këto dy gazeta do të shihni, se,  Shqipëria ka qenë thjeshtë një republikë jugosllave   dhe menjëherë “pas prishjes” me Jugosllavinë, thjeshtë një republikë sovjetike. Për të vërtetuar këtë tragjikomedi të historiografisë tonë dje dhe sot  besoj se në këtë rast nuk nevojitej asnjë  dokumentim  tjetër krahasues.  

5. M.Bulku :Për ata që  pak ju njohin ne duam një përmbledhje konçize të studimeve dhe veprave tuaja pasi kam bindjen se ato janë një material shumë i vlefshëm historiografik.

Shkrmet e mia që mund të kenë ndonjë vlerë,  janë të shpërndara nëpër revista e gazeta të mërgatës, të botuara midis viteve 1968 – 1990 në periudhën  kur unë kam përgatitur gazetën“Shqiptari i Lirë”, organ  Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Këtë gazetë e kemi përgatitur  me Profesor Krasniqin, i cili ka qenë Kryetar  i Komitetit.Pregatitja e kësaj gazete synonte ti vinte në ndihmë edhe botuesve   të gazetave dhe të  revistave  të tjera të mërgatës nacionaliste;  natyrisht  edhe ata na kanë ndihmuar ne pa asnjë rezervë reciprokisht Prandaj, shkrimet e mia origjinale në gazetën e Komitetit  dhe në revista e gazeta  të tjera të mërgatës,  janë me qindra,  ndoshta dhe më  shumë.  Kam shkruar dhe botuar pandërprerje, për më shumë se 20 vjet (1968-1992). Shkrimet e mia të asaj kohe janë të  shpërndara në dhjetra gazeta e revista të asaj përiudhe, të cilat për fat të keq nuk ekzistojnē  më.  Sa iu përket shkrimeve të fushës së studimeve historike të përmbledhura si botime në vete,  po sjell katër- pesë prej tyre: 1). ALBANIAN AND YUGOSLAV PARTY AND STATE RELATIONSHIP – MARRËDHËNIET PARTIAKE SHTETËRORE SHQIPËRI-JUGOSLLAVI). Një përmbledhje të këtij studimi prej 132 fq. në gjuhën angleze të cilin e kam shkruar kur isha student dhe që është përkthyer në gjuhën shqipe dhe botuar si nënfletë e gazetës “Shqiptari i Lirë”, në vitin  1977.  2). ALBANIAN – MONTENEGRIAN CONFLICT MOVER PLAVA AND GUCIA , 1879 – 1880.  (DOKUMENTE ANGLEZE MBI KONFLIKTIN SHQIPTARO – MALAZEZ  RRETH  PLAVËS DHE  GUCISË, 1879-1880 ).  3). KOMITETI KOMBËTAR “SHQIPËRIA E LIRË” 1949  – 1956.  4). XHAFER DEVA NË DRITËN E LETRAVE TË VETA. 5). VATRA DHE VATRANËT. Gjënden  të shpërndara edhe  shumë studime e shkrime të fushave të ndryshme që kanë një lloj vlere, të cilat po të mblidhen dhe botohen do të përbënin disa vëllime. Vetëm për pesë vjet (1987-1992),  në valët e shkurta të “Zërit të Amerikës”, në rubrikën javore  “Shqiptarët e Amerikës”,  janë transmetuar më shumë se 1000 fq. shkrime të mia të ndryshme, origjinale. Kam publikuar si botim më vete,  shkrimet letrare të Adem Demaçit: GJARPRIJT  E GJAKUT DHE NOVELA TJERA, kur ai ishte në burg dhe emrii tij urrehej në Prishtinën dhe Tiranën politike. Studimin e Prof. Hasan Kaleshit: DR. IBRAHIM TEMO FRYMËZUES REVOLUCIONAR DHE MENDIMTAR NGA STRUGA. Prof. Kaleshin e kam pas mik, para se të ndërronte jetë,  ia kishte  dërguar këtë studim  profesor  Martin Camajt, me porosi t’ma dërgonte. Kam shkruar dhe botuar “MEVLUDIN” më të ri në gjuhën shqipe,  si vepër origjinale;  vepër  shkrimi i të cilës  më është “imponuar” nga Imam Vehbi Ismail, për të cilin kam pas shumë respekt. Kam botuar dy veprat e  Prof. Rexhep Krasniqit: KOMITETI “SHQIPËRIA E LIRË”  DHE SHKRIME TË TJERA, dhe, “ KONGRESI I BERLINIT E VERILINDJA E SHQIPNIS”,,  teza  e tij e doktoraturës, kur prof. Krasniqi ishte në moshë të thyer i cili kishte kaluar 90- vjet. Veprën e Kapidan Ndue Gjon Markut: “MIRDITA – DERA  E GJOMARKUT- KANUNI”. Kapidani në atë kohë kishte kaluar 90- vjet. Janë edhe disa  botime të tjera që i përkasin fushës të letërsisë, si “Rrugëve të mërgimit,”, të cilave asnjëherë nuk iu kam dhënë rëndësi. 

6.M.B.Nëse sot do ushtronit sërish rolin e gazetarit të “Zërit të Amerikës”, cili do ishte lajmi i parë i kronikave tuaja?

Do hapja një dritare komunikimi të përditëshëm me studentët e shkollave të mesme dhe të larta në Shqipëri dhe në vendet tona tjera etnike. Jehona e zërit të tyre do dëgjohej pa ndërprerje. Do të krijoja një lidhje të hekurtë midis tyre. Ata do të degjonin zërin  e njëri-tjetrit më shumë se zërin tim. Komunikimii sotëm me face-book dhe e-mail më duket komunikim i heshtur, komunikim i pavlerë, kur kemi parasysh problemet e gjithanëshme që kanë kapërdi masat  e gjëra të popullit tonë në Shqipëri dhe në trojet tona etnike. Fatkeqsishtë, shtypi, televizioni dhe mjetet tjera të komunikimit janë vënë tërësisht në sherbim të interesave politike dhe përfitimeve përsonale. Zëri i studentëve nuk dëgjohet fare. Kronika e ime e vetme do ishte;” zëri i studentëve tonë në atdhe”.

 7. M .Bulku Çfarë vendi ze tek ju Atdheu  zoti Idriz? 

 Unë jam malësor  i thjeshtë,i rritur dhe plakur tashmë rrugëve të mërgimit. Atdheu im i lindjes nxën vend tek unë, aq sa nxën vend nderi  dhe dinjiteti im. Çfarë vendi nxën atdheu, të secili mërgimtar?! Kjo gjëndet më së miri  në poezinë e Ernest Koliqit “ Shqipnin e mora me vete “

P.S: Intervista është pjesë e një projekti i cili ëshnë proçes .

Filed Under: Opinion Tagged With: Idriz Lamaj, Marjana Bulku, Një jetë...disa histori

Një jetë…disa histori (Belkize ZENELI)

July 22, 2015 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/
Dua ta nis këtë cikël shkrimesh me historinë e Saj.Jo sepse është nëna ime,por sepse brenda saj jetojnë dhjetra histori disa prej të cilave kam bindjen se janë pjesë e përbashkët të shumkujt prej nesh.
Nuk dua ta quaj sukses, dështim,apo mbijetesë jetën e dikujt që përcjellin transmetimet nëpërmjet produksionit ”Një jetë …disa histori..” mundësuar nga Albanian Culture TV këtu në New Work .Qofsha e gabuar por kam konstatuar se suksesi i tjetrit nuk është se i gëzon shumë shqiptarët…duket sikur i shndërron ata në xhelozë , servilë , natyrisht ka edhe prej atyre që duartrokasin me ciltërsi.
Po kthehem te jeta e saj ku natyrshëm në themel qëndron familja Kadiu…Me rrënjët në Zerqan të Dibrës zonë e cila pa frikë mund të konsiderohet si zemra e Dibrës;- për nga pozicioni gjeografik,-bukuritë që i ka falur Zoti me ato burime ujrash të pastër e të ftohtë që e përshkojnë së larti si kurorë fshatin që shtrihet poshtë tyre e që gjelbëron cuditshëm,-si dhe për ato histori mjekësh, arsimtarësh dhe njerëzish të ditur që kjo trevë i ka falur progresit jo sistematik shqiptar.
Gjyshërit kanë një rol themelor në edukimin gjenetik të familjes ndër breza, ku dija edhe po nuk u trashëgua përmes bashkëjetesës me ta, është në gen.Prandaj e konsideroj fat të rritesh me ta…dhe të dhimbshme ngandonjëherë mungesën fizike të përkujdesjeve të tyre ku përvec cilësisë së rritjes të falin historitë e pashkruara të jetës së tyre. …E megjithatë ato histori ekzistojnë e të përkëdhelin me larminë,pasurinë, misterin … Janë dy emra në themelet e familjes Kadiu: Lefe dhe Besim që lindën rritën dhe shkolluan katër fëmijë të zgjuar nga ku njëri prej tyre ;(Ferit Kadiu) student në Itali,por që fati ia preu jetën në mes kur ishte vetëm 24 vjec ndërsa ndodhej me pushime në atdhe, Sofia që fati e la pëtej kufijve (Dibra e Madhe) që copëtuan Shqipërinë por edhe zemrat e prindërve dhe dy të tjeret që do jetonin këtu njëri gjyshi im të cilin unë nuk e njoha kurrë (arratiset nga Shqipëria në vitin 1959).
Lefe Kadiu ishte delegatja e Zerqanit në Kongresin e Parë të Gruas në Berat në vitin 1943. Një dibrane me qashë …një qashë Dibre në Berat…një fjalim brilant që do botohej pjesshëm dhe pa emrin e saj në një pëmbledhje që i kushtohet grave ,botuar rreth viteve 70 – 80. Janë shumë pse dhe sepse …por po i le të gjitha. Besim Kadiu ishte Kadiu i zonës dhe shtëpia e tij ishte baza ku predikohej fe e besim, moral dhe edukim që fatkeqësisht u varrosën në vitin 1967 , që personalisht e konsideroj si dramën më të madhe që ka pasur Shqipëria , madje gjykoj se derisa të iki nga kjo jetë personi i fundit që vuri dorë me kazëm dhe shpirt mbi ato ikona kulture trashigimnie dhe besimi…ne do vuajmë gjatë…Liria e besimit është baza nga ku lind mendimi i lirë .
Ky është terreni ku do lindte Ajo (viti 1946)me themele të forta ,por mbi një terren ”sizmik” .Ndonjëherë mendoj se internimi ishte një alternativë më e mirë sesa të jetoje mes njerëzve të tu ,por i abandonuar prej tyre.Internimi ishte kolektivizimi i njerëzve me histori të përbashkëta që mbase jetuan si të barabartë mes tyre …dhe pjesa tjeter ”e lirë” dhunohej gjithashtu duke ndjekur izolimin apsurd (ndjesë nëse gaboj ). Eksperimente të frikshme mbi jetë të pafajshme. Ky terren sizmik disa prej tyre i bëri më të fortë, më të mencur, më ëndërrimtarë…Kështu e konsideroj unë Belkize Kadiun Zenelin.Ajo vinte nga ky tunel i errët izolimi ndërkohë që familja e saj kishte plot bukuri e mencuri dhe dritë-fakte…Arratisja e të atit në vitin 59,,,ishte një goditje afatgjatë që erdhi deri tek ne duke na lënë pa të drejta shkollimi e shumë të tjera apsurditete që prodhojnë sistemet politike në Shqipëri. Arriti të behej mësuese në vitin 1966 pasi përfundoi shkollën e mesme Pedagogjike në Shkodër , dhuratë kjo e Simbolit të Arsimit dibran, me origjinë nga Zerqani, njërit prej idhujve të mi, besoj të të gjithë arsimtarëve dibranë, SELIM ALLIU për të cilin mendoj se ka gjithmonë vend pë të shkruar dhe falenderuar.
Por historia e saj u bë e dukshme duke marrë kuptim pas vitit 1990.Pikërisht atëherë kur sistemi ra por edhe duhej dënuar jo me sharje e mohime, as me revansh dhe spekulime…por edhe duke dëgjuar zërat që ajo kohë u mohoi të drejtën më shumë sesa të tjerëve .Ata që kishin provuar se cfarë është të rritesh pa prind dhe të ndjehesh fajtor apo ndëshkohesh,ata që edhe përfytyrimi, apo komunikimi me të ishte ëndërr e pamundur, ata që ishin bërë baba, motër vëlla ,bijë për nënën e tyre të pafat…Ka shumë të tillë , e di… A folën dot të gjithë ??? Unë nuk e di.
Isha studente në atë dhjetor kur do ”lulëzonin” këto lloj ëndrrash lirish dhe të drejtash.Dhe natyrshëm ime më ,të gjithë ne do ishim të parët përkrah asaj force politike që lindi si alternativë e të drejtës, e mendimit ndryshe , e lirisë. Ajo dhe të gjitha historitë e saj janë arsyje e involvimit tonë në PD, pa pendesë edhe pse PD nuk e kreu sic duhet misionin e saj, kjo është dhe arsyeja që vazhdoj ta konsideroj PD si një subjekt misionar.Kur në disa shkrime të mijat tentoj të përmend emra që i dhanë jetë Lidhjes Demokrate të Gruas Dibrane që Belkize Zeneli e drejtoi në kohë të vështira nuk kam si qëllim të lartësoj emra por dua të ruhet identiteti , historia dhe kontributet e asaj kohe kur këto lloj organizimesh kishin efekte dhe funksione që nuk duhen fshirë sepse janë identitet dhe qenësi. Janë disa standarte që i kanë munguar zhvillimit tonë në pëgjithësi. Inteletualizmi është edhe patriotik edhe kulturor edhe social edhe politik…dhe ka shumë individë të cilët me kontribute , investim dhe personalitet janë themele të forta ngrehinash nëse ka plan perpektiv pë ruajtjen e tyre si trashëgim ku natyrshëm mund të bëjnë pjesë edhe subjekte politike . Edhe disa histori njerëzore janë vlera të intelektualizmit patriotik, ato që fshehën dhimbjen dhe vështirësitë pa u viktimizuar si protagonistë por edhe pa qenë heronj, ata që folën jo me gjuhën e shpifjes, nënshtrimit ,fyerjes por me gjuhën e guximit dhe të drejtës . Diku këtu përmes këtyre përcaktimeve është ajo, nëna ime ,historia më e bukur që na bashkon në tërësi , brenda të cilës jetojnë dhjetra histori force, frymëzimi edhe me miqtë e saj,por që vetëm tek mua gjallojnë me vitalitet…
U bënë plot katër vjet që jetoj në SHBA dhe kam pasur rast te shkel në mjaft institucione publike këtu dhe në sejcilin prej tyre ka gjithmonë një histori ,,,dhe përpiqem ta lexoj, kuptoj edhe pse vetem pyes veten dhe mendoj pse -të e pafundme që më cojnë atje në vendin tonë të bukur të enigmave .Nuk është vetëm suksesi qëllimi i publikimit të një historie,por ruajtja e identitetit dhe zhvillimi i perspektivës. Ekzistojnë mjaft si unë që historia i frymëzon jo vetëm si narracion, por edhe si matematikë, si letërsi që simbolizon, si teologji që shëron, si fotografi që kronologjikon,por mbi të gjitha si DISIPLINE që na edukon me të VERTETEN.

Filed Under: Histori Tagged With: (Belkize ZENELI)., Marjana Bulku, Një jetë...disa histori

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT