• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FIGURA HISTORIKE NË HARRESË

July 5, 2015 by dgreca

Nga Rasim Bebo/
Është vazhdimi i konjukturës së Enver Hoxhës dhe i miqve të tij të jashtëm, që figura të shquara historike të kombit tonë të lihen në harresë e mospërfillje të plotë. Kjo që ndodh në Shqipëri, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ndjej respekt për Prof. Fritz Radovanin, që e atakon vazhdimisht këtë konjukturë, por goditjet e tij bien në veshë të shurdhër. Të parët, me komisar M. Popoviçin dhe të dytët me komisarë Ajatollahët, i sulen popullit të futur në një shtrungë (vathë) duke e rrethuar me qen të armatosur e të jargëvarur, ose i ndjekin shqiptarët për shpopullim, ose duke qenë të uritur, i përdorin për majmunëri votimi.
Kaluan 25 vjet “Demokraci“, me një pluralizëm, fillim e mbarim, të përulur para fqinjëve në Veri dhe në Jug. Vetëm disa autorëve të brendshëm e të jashtëm u lënë botime të lira deri në një farë mase. Për gjatë këtij çerek shekulli, a nuk jemi të vonuar, për t’i vendosur bustin dhe emrin e rrugës, Gjeneral TELINIT, të shquar që e vranë shovinistët e Jugut për të rrëmbyer trojet tona. Fill pas çlirimit, Enver Hoxha e fshiu emrin e tij. Pse?…  Se u vriste sytë komisarëve të tij figura e ENRIKO TELINIT. Fqinjët  jo vetëm kanë shpifur,  por e kanë shtrembëruar mizorisht historinë dhe  përpiqen të shpërfytyrohet ose të shuhet sensi i vërtetë i historisë. Ata janë manipuluesit dhe përvetësuesit e ngjarjeve, për shkak të prirjes për krenarinë e tyre kombëtare. Ndërsa ne mbetemi në hije. Pse? Dhe kush na e imponon këtë heshtje?… Të gjithë e dinë, por ruhen nga shpata e Demokleut.
Beb Martini thotë: ”Skllavëria jonë vjen nga fakti, se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”.  Ne me kryelartësi kombëtare duhet të vendosim BUSTET, që armiqtë tanë i urrejnë, ose i kanë  rrëmbyer si të tyret. Sidomos për Gjeneral Enriko Telinin, i cili ndjeu rrezikun e jetës dhe nuk hoqi dorë nga puna fisnike që bënte, për drejtësi mes dy kombeve fqinj. Duke vijuar me figurat e lëna në harresë: GJIN BUA SHPATA, HAXHI MEHMET DALANI, MAZAR DINO, të Çamërisë martire. Me pak fjalë po shkruajmë këtu për këto figura të ndritura nacionaliste.
ENRIKO TELINI, lindi 26-8-1871 vritet  27-8-1923. Konferenca e Ambasadorëve ngriti një komision të posaçëm për të përfunduar vijën e kufirit të lënë përgjysmë nga komisioni pararendës i viteve 1913 – 1914. Kryetar i këtij komisioni u zgjodh pikërisht gjeneral Enriko Telini, i përfaqësisë së qeverisë italiane, sekretar, kapiten Frenk de Limperani, antarë, koloneli anglez Gills dhe koloneli francez Ordion. Përfaqësia shqiptare përbëhej, nga major Bajram Fevziu dhe Dhimitër Berati, kurse pala greke, nga nenkolonel Boçaris dhe av. Modhi. Pala Jugosllave, gjeneral Pavlloviç dhe kolonel Stojanoviç                                                    
Më 28 maj 1923, ky komision ndërkombëtar u mblodh në Korçë për të caktuar kufirin Jugor. Greku, Boçaris, i shkaktoi gjeneral Telinit kokëçarje të pandërprera. Madje poterja e tij  shoqërohej edhe me dhunë, që Korçën ta kalonin nën Greqinë, 50 andartë grekë u dyndën me forcë brenda ndërtesës ku qëndronte K. K. (komisioni i kontrollit) kufitar në Korçë. Gjeneral Telini, i vetëm i flaku andartët jashtë ndërtesës. Të 14 fshatrat e Devollit të shpallur “zonë asnjanëse” nga K. K. që më 1913, i shënoi brenda kufirit të shtetit shqiptar. Pati mjaft probleme të shkaktuara nga Boçaris gjatë vijës së kufirit nëpër kurrizin e vargmalit Gramoz – Belsh – Kamnik. Pala greke u suall shumë keq pranë fshatrave Pobickë e Radat. Andartët grekë detyronin popullin të thonin “Rroftë Greqia, jemi grekë!” etj”. Telini e zgjidhte autoktoninë në këto zona, me fëmijët e shkollave, duke u hedhur monedha metalike dhe kur ata shtyheshin për t’i mbledhur dhe flisnin në gjuhën e tyre shqip, ato territore i fuste brenda kufirit shqiptar. Telini synonte të shtrinte vijën e kufirit nëpër zallin e lumit Kalama, duke lënë kështu brenda kufirit të shtetit shqiptar tërë Çamërinë veriore, me Filatin dhe masivin malor në lindje të tij, Shtungarë, Murganë, Vigël, masiv që kishte nën vete Janinën, Korfuzin dhe tërë ujdhesat pranë tij. Në kushte të tilla, Greqisë i mbeteshin dy rrugë: Të linin Janinën, Korfuzin dhe tërë ujdhesat Jonike nën shtetin shqiptar, ose, në këmbim të masivit në fjalë, t’i kthenin Shqipërisë Çamërinë e mesme dhe jugore, deri në gjirin e Prevezës. (I. H)
Pas një pune disa mujore për përcaktimin e mëtejshëm të vijës së kufirit, duke lëvizur nga ana e mbikëqyrur prej grekëve, ku kishte vendosur shtabin e vet në Janinë, ende pa filluar mirë punën, ata i shtuan me shume shqetësimet kundër K. K. sipas mënyrës së njohur greke, fshehtësisht, pabesisht dhe barbarisht. Boçarisi për të plotësuar pretendimet greke, përdori qëndrim kërcënues dhe sulmues. Për këtë sjellje të pa pranueshme Telini sinjalizoi Konferencën e Ambasadorëve. Në mëngjesin e 27 gushtit 1923, Komisioni i Kontrollit u nis nga Janina për në Kakavie me këtë renditje: i pari lëvizi automjeti i përfaqësisë greke me nënkolonel Boçarisin, i dyti automjeti i përfaqësisë shqiptare i kryesuar nga Dhimitër Berati, i treti lëvizi ai i gjeneral Telinit. Me të arrritur në Devinaq, papritmas  automjeti i përfaqësisë greke “gjoja u prish” dhe ndali për të “ndrequr”defektin. Gracka, që masakroi gjeneral Telinin dhe shoqëruesit e vet, ishte ngritur në një bërryl të mprehtë, poshtë majës 470 m, në vendin e quajtur Zhepë, ndërmjet Delvinaqit dhe fshatit Arinishtë, 8 km. përtej Kakavisë. Me të  kaluar automjeti i përfaqësisë shqiptare, vrasësit, ushtarë gjoja “sharrëtarë”, zunë rrugën duke rrokullisur trungje të trashë lisash. Automjeti i gjeneral Telinit ndaloi. Shoferi italian Farneti dhe përkthyesi shqiptar Thanas Gjezi, zbritën për të hapur rrugën, por ranë për tokë nga breshëria e plumbave. Pa arritur të dilte nga automjeti, u vra doktori, major Kortini dhe toger Bonacini. Gjeneral Telini mundi të zbriste nga automjeti, por u shtri përtokë pa frymë me revole në dorë. Ishte  ora 9:10 minuta e datë 27 gusht 1923. Kurse grekët njoftimin në Janinë, e dhanë në orën 14:00. Shkruan Fletorja “Tomori’ dhe Fletoria “Politika”. Konsulli Italian në Janinë Leverani, u njoftua pas orës 15:00. Leverani njoftoi urgjentisht ministrin e jashtëm dhe kryeministrin Benito Musolini. Në fletoren “Koha e Re” dhe në fletoren “IL giornale d’Italia” thuhet se “Vrasja e gjeneral Enriko Telinit dhe shoqëruesve të tij është bërë me urdhër të Komitetit  Epirot që gjëndet në Korfuz”.
Si masë ndëshkuese, qeveria Italiane, nëpërmjet ministrit të saj në Athinë, Montana, në orën 3:30 të datës 28 gusht 1923 i paraqiti në mënyrë të prerë qeverisë greke 7 kërkesa. (Fletore “Shqiptari i Amerikes” nr. 46). Qeveria greke nuk ua vuri veshin kërkesave të qeverisë Italiane. Kjo bëri që qeveria italiane në mëngjesin e po asaj dite, të urdhëronte veprimet luftarake. Një skuadër anijesh luftarake, pas një bombardimi të rrufeshëm, zuri Korfuzin dhe ishujt përreth. (Fletoria “DIELLI”, Boston, dt. 22-10-1923, f.2).
Këto veprime  të rrepta e tronditën pa masë qeverinë greke. Por qeveria greke filloi të ngarkojë me faj qeverinë shqiptare për këtë masakër. Atëherë për të zbuluar fajtorët  e vërtetë K. A. ngriti një komision të posaçëm hetimor me në krye kolonelin Japonez të drejtësisë, Shiboja. Me te arritur ky komision në vendvrasjen e gjeneral Telinit dhe shoqëruesve të tij, koloneli Japonez Shiboja nxori koburen dhe shtiu në ajër dy herë. Ushtarët e njësisë greke që ishin vendosur atje afër, brenda pak minutave u gjendën aty dhe rrethuan komisionin. Atëherë koloneli Japonez tha: “Hetimi mbaroi”. Kur pjesëtarët e tjerë të habitur e pyetën, ai u përgjigj: “Kur krismat e dy të shtënave revolveri u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra qitjesh pushkësh nuk janë dëgjuar prej tyre?”
Kolë Tromara, ish kryetari i “Vatrës” në Amerikë, në këtë kohë ishte prefekti i Gjirokastrës, mundi të zbulojë masakrën e “Zhepës”. Komandanti i kufirit, Kosta Bidoshi, likuidoi plotësisht bandën prej 24 vetash dhe kryetarit të bandës iu gjet në xhep ora e florinjtë e gjeneral Telinit, të cilën e njohën menjëherë vartësit e tij. (Prof. Stavro Skendi “Krahu i Shqiponjës” janar 1977, USA
Pra, presim nga shteti dhe qeveria shqiptare, që për të larë këtë njollë krimi me përmasa ndërkombëtare dhe turpin kombëtar, të vendoset busti dhe emri i rrugës së Gjeneral Enriko Telinit siç ishte në kohën e Zogut.
 Kryezoti çam Gjin Bua Shpata. Aty nga fundi i shek. XIII-të në Epir filloi të shquhet familja fisnike SHPATA. Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit Shpatajt, si aristokratët më në zë të Shqipërisë. Noli shkruan: “Jan i VI –të Kontekuzeni, perandor bizant, në veprën e tij ka shkruar për konfliktet direkt me shqiptarët, ndërmjet viteve1320-1362, bashkë me historian të tjerë si Laoniku, Dukas, Franza etj, ata tregojnë: “Shqiptarët ishin forca kryesore politike-luftarake e shek. XIV”.  Ndikimi i fesë katolike në Shqipëri pas ardhjes së kriqtarëve, dominantëve , venecjanëve, napolitanëve, si kundërveprim ndaj bizantëve dhe serbëve, në shek XV-të, kishte 18 peshkopata të ritit latin. Kjo luajti një rol të madh për kombin shqiptar, si komb i shpërndarë që u bashkua dhe u lidh me botën e krishtere evropiane. Në këtë kohë përqafohet katolicizmi nga Shpatajt e Çamërisë, dhe Zenebishët e Girokastrës.”
 Historiani Laoniku thotë: “Shqiptarët nën udhëheqjen e Gjin Bua Shpatës, marshuan drejt lindjes, nënshtruan Thesalinë dhe një pjesë të Maqedonisë, sulmuan Akarnaninë, kapën dhe vranë  sundimtarin e saj Isakun”. Laoniku tregon për Shpatën: “Ky është një burrë udhëheqës, që dallohet për vrullin, guximin. Vrau sundimtarin Isak dhe marshoi përpara, rrethoi dhe mori Artën dhe Akarnaninë”.  Në vitin 1355 caktohet despot i Epirit bizantinasi Nikofori i II-të. Mbasi pushtoi krahinat të Etolise dhe të Thesalisë, në saje të ushtrisë së madhe, të përbërë nga forcat bizantine, greke dhe mercenarë turq. Më vonë pas tre vjetësh, në verën e vitit 1358, në vendin e quajtur Aspropotam (Akeloos) u bë beteja ndërmjet shqiptarëve dhe Nikoforit të II-të, Engjellit, e cila përfundoi me shpartallimin e plotë të forcave bizantine, ku gjeti vdekjen edhe vetë Nikofori i II-të. Sipas një proverbi frëng thuhet: “Udhëheqësi i vrarë, beteja e përfunduar”.  “Kjo fitore rriti autoritetin e shqiptarëve, ata në shek XIV u bënë sundimtarë kryesorë të Etolisë dhe Epirit”. (historianët Pukëvil dhe Komnen, “Burimet byzantine”,f. 23.) Në Janinë u vendos despotati serb, Thoma Preluboviçi (1367-1385), djali i Qezarit, Prelubi, qeveritar i Thesalisë u vra nga shqiptarët me 1355. Thomai  ishte një “albanitokton“ (shqiptar vrasës). Poshtërsia e tij, arrinte deri aty, sa nxirrte sytë e shqiptarëve, i fuste në një shportë dhe ai dërgonte Shpatës.
Fan Noli shkruan: “Më 1379, pikërisht kur kryezoti gegë, Gjergj Balsha ndihmonte boshnjakët në Banat, kryezoti Çam Gjin Bue Shpata, shkatërroi përpara Nartës ushtritë e bashkuara të serbëve, grekëve, napolitanëve dhe bizantëve, duke siguruar despotatin e tij deri sa vdiq në vitin 1400. Mënyra se si u fitua beteja e Nartës, është për të theksuar, se kjo mënyrë u përsërit disa herë prej Skënderbeut në rrethimin e Krujes. Gjin Bue Shpata i la ushtritë armike të rrethonin kryeqytetin e tij dhe vetë qëndroi jashtë. Pasi u lodhën kundërshtarët nga rrethimi i gjatë, nga goditjet e papritura dhe të vazhdueshme nga jashtë dhe sulmet e të rrethuarve nga brenda kështjellës, ai u ra përsipër si rrufe dhe i shprtalloi krejt, duke zënë rob Kryekomandantin e tyre të ekspeditës anzhuine. Huan Fernandes Heredia. Kjo fitore e madhe rriti autoritetin dhe prestigjin e Shpatajve Shqiptarë. Në këtë kohë, vritet despoti i Janinës dhe vendin e tij e zuri Izoul Buadelmonti, me origjine italiane. Në vitin 1390 ai përgatiti një ushtri dhe sulmoi Gjin Bua Shpatën. Shqiptarët e kundërgoditën dhe e shpartalluan në panik. Izouli u përgatit prap për betejë duke iu drejtua për ndihme Sulltan Bajazitit të I-rë. Kështu vazhduan disa beteja të udhëhequra nga komandantë të zotë, si Timurdashi, Melkushi, nga serbi Jan Uroshi dhe napolitani Karl Doko, të cilët i erdhën në ndihmë Despotit të Janinës. Shqiptarët të udhëhequr nga Gjin Bue Shpata, kanë qenë të papërkulur dhe i thyen pa mëshirë. (Nga historiaët Komnen – Prokëll). Sulltani i dërgoi Despotit Izoul një nga komandantët më të zot, Evrenozin, me një ushtri të konsiderueshme, në vitin 1396. Gjin Bua Shpata u informua për lëvizjet e kundërshtarit, i priti në pozicionet “Drisko” Evrenozi dhe Jashi (Oficer madhorë turk), pasi pësuan humbje të mëdha, u tërhoqën me turp. (“Burimet byzantine”, f. 24). Përsëri Izouli sulmoi shqiptarët. Beteja u zhvillua në Mesopotam afër Delvinës, më 9 prill 1399. Shqiptarët u mbrojtën dhe u hodhën në sulm me trimëri, duke zënë rob vetë Izoulin dhe arhondët e tij. Robert Izoulin, e lëshuan kundrejt shpërblimit prej 10.000 florinj. Më 29 tetor1399, vdiq Despoti Gjin Bua Shpata. “Burrë i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë. Vendin e tij zuri i vëllai, Zguro Shpata,“Vëllamëri” bashkësundimtarë. Një vit më vonë, i biri i Gjin Bua Shpatës, Maurik Shpata, pushtoi Janinën dhe e mbajti deri ne vitin 1418. Këtu merr fund sundimi i Shpatajve, që zgjati 60 vjet, në luftë të përgjakshme me armiqtë më të mëdhenj të kohës. Në një kronikë të “Tokove” janë shkruar 3924 vargje, ka mjaftë të dhëna me rёndësi për shqiptarët në Epir… Shpatajt, burra të dëgjuar, të pashëm dhe trima. (Kronika,  f. 44-56).  Fan Noli shkruan: “Kur u përmbysën Balshajt dhe Shpatajt, të tjerë kapedanë shqiptarë zunë vendin e tyre, kapën flamurin e lirisë që u ra nga dora dhe u radhiten t’u bënin ballë sulmeve turke”. (“Historia e Skënderbeut”, bot. 1949, f. 6-22), “ Niko Boxhori  “Kronika e Tokove”,  3924 vargje).
Zotërinj deputetë të elektoratit Çam! Bëni monumentin e tij, për të lënë emër të mirë pas. Është kryelartësi për kombit Shqiptarë në veçanti për Çamërinë.
LEGJENDARI HAXHI MEHMET DALANI (1775-1828),  biri i Çamërisë nga Konispoli – Heroi i Libanit dhe i Kretës. Shkrimtari i madh grek, Niko Kazanzaqi, i rrëmbeu kombësinë bashkë me emrin dhe e quan atë grek, si pa gjë të keq, e nuk ka kush t’i thotë ndal. Kazanzaqi i kushton librin voluminoz  “Ja vdekje ja liri” Por autori i ndryshoi këtij personazhi madhor emrin dhe kombësinë, nga Mehmet, në Mihal dhe nga shqiptar në grek. Zakoni grek ky: I pabësë, gënjeshtar, rrëmbyes, vjedhës, vrasës dhe zhdukës.  Ndërsa, udhëheqësi i revolucionit grek, Dhimitër Ipsilanti, u drejtohej figurave të spikatura të Çamërisë: “Shumë të nderuar kurajozë kryetarë: Dalani, Çapari dhe Pronjo si dhe gjithë Çamëve, ju përshëndes! Unë dhe atdheu ju falënderojmë. Dhe tani, duke u bashkuar me ne për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë. (J. Filimennos, Dokimion historiku epirot Elenikis  Epanast…1858).
Haxhi Mehmet Dalani i Konispolit, vlerësohet si heroi i Kretës. Sipas dokumenteve arkivore të dijetarit anglez William Martin Lik dhe Pukëvili, në botimet e tyre përmendet: “Mehmet Dalani i Konispolit”  si një nga krerët e Çamërisë, që ishin kundër pashallëkut të Janinës. Ky me Islam Pronjon e Paramithisë, me 1500 çamë marshuan drejt maleve të Sulit, ndihmuan suljotët  të dilnin nga rrethim i Pashait të Janinës. Pukëvili shkruan në vëllimin e III, f. 212: “Shqiptarët duket se janë destinuar të mbulojnë Helladën, me një popullsi superiore në fuqi dhe gjallëri, kundrejt grekëve, të cilët po shuhen pak nga pak”                                     
Haxhi Mehmet Dalani shkoi në ndihmë të kryengritjes “grekë”, në krye të 800 kalorësve nga qyteti dhe krahina e Konispolit, me kuaj të fortë e të shpejtë që rriteshin në fushën e Vrinës. (Emri Konispol, vjen nga sllavishtja Konj – polja, fusha e kuajve, shën im). Në vitin 1826, guvernatori i Libanit, Hamit Bekiri, bëri thirrje për ndihmë të gjithë atyre që luftonin kundër Turqisë. Ndër të parët që arritën deri në Bejrut,  Ishte Haxhi Mehmet Dalani me 800 kaloresit e tij dhe me tre anije, të cilët luftuan me trimëri bashkë me forcat e Hamit Bekirit. Heroizmi i Dalanit u përjetësua në librat dhe në folklorin e Libanit. Ai u kthye prapë në Greqi me kalorësit e tij, sipas thirrjes së kryeministrit grek Kapodistria. 
Av.Hajri Zejno shkruan: “Haxhi Mehmet Dalani,  grumbulloi djem çam të krahinës së Konispolit në lulen e trimërisë, u nisën për luftë në Kretë, kundra forcave turke me të 800 kaloresit, dhe u bashkua me forcat e vendit që arrinin në 2000 veta, për të luftuar kundër armatës turke prej 8000 ushtarësh. Në kështjellën Frangokastello, gjeti vendin e përshtatshëm nga ku do të luftonte. Brenda në kështjellë kishte njerëz të uritur, të sëmurë, pleq, gra, fëmijë të pafajshëm. Para kësaj gjendjeje, Haxhi Mehmeti u ngrit në këmbë e deklaroi: “Ne na duhet bukë, na duhen armë, e vetmja pasuri që kemi është urrejtja shekullore kundër robërisë”. “Beteja ishte shumë e ashpër në këtë kështjellë të ndërtuar në kohën e venecianëve. Osmanëve u kushtoi mbi 3000 të vrarë dhe shumë të plagosur. Dalani qëndroi heroikisht deri në momentin e fundit, gati vetëm. I propozuan të dorëzohej, me kusht që t’i falnin jetёn, por ai nuk pranoi. Në një çast, kur beteja e pabarabartë qe thërrmuar e copëtuar drejt fundit, u gjend i rrethuar sy më sy nga 400 osmanë të tërbuar. Kapedani legjendar luftoi deri sa u vra.  “I prenë kokën, por lavdia mbeti te i zoti, të cilit ia mban peng historia. Mes tymit e gjakut që mbulonte ngado muret e kështjellës, shqiptarët dëgjuan se mbetën pa komandantin e tyre, por mohuan ftesën për dorëzim e falje. Luftuan si të hidhnin vallen e fundit konispolate të Osman Takës dhe u vranë të gjithë me dritë lirie në sy”. (Agim Shehu).
Shkrimtarja greke, Kleopatra Prifti, nga ishulli i Kretës, shkruan: “Në Hajna të Kretës, në qendër të qytetit, është një rrugë që mban emrin Haxhi Mihal Dalani…shqiptari që dha jetën për lirinë tonë”.  Në qendër të Kretës, në Greqi, është ngritur prej shumë kohësh një bust i veçantë i një luftëtari të shquar në të  cilin është shkruar në gjuhën greke. “Strategu Haxhi Dalani nga Konispoli (Epiru) rënë në maj 1828”.  Vallë, a nuk duhet të vendoset një bust në Konispol, edhe për të sfiduar grekët e pabesë?!…       
 MAZAR  DINO.  
Vëllezërit Nuri dhe Mazar Dino, janë patriotë dhe atdhetarë të shquar të lëvizjes për bashkimin kombëtar, pjesёmarrës dhe firmëtarë në shumë peticione e memorandume dërguar qeverisë greke për të drejtat e munguara të shqiptarëve të Çamërisë. Ata luajtën rol tepër patriotik në kohët më të vështira të Çamërisë, ndihmuan e ndërgjegjësuan me logjistikë, komunitetin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë marrëveshjes së Lozanës, ku rrezikohej boshatisja e Çamërisë nga popullsia e saj, ku autoritetet greke të kohës, me anë të presioneve nga më çnjerëzoret, detyronin popullsinë vendase të braktiste trojet e saj për në Turqi. 
Mazar Dino, jetoi prej vitit 1932 në Magnezi të Turqisë, vizitonte shpesh atdheun e tij. Me fillimin e pushtimit Italian (maj 1941 u vendos i ligjshëm në Paramithi, si udhëheqës politik suprem në Çamëri. (V. Krapsiti) Grupimi nacionalist, i cili vepronte në Çamëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe si platformë të tij, kishte “Bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë”. Në dokumentet gjermane Nuri dhe Mazar Dino figurojnë si udhëheqës të forcave çame për vetëmbrojtjen e tokave të Çamërisë. Detyra e vetme e tyre, ka qenë mbajtja e rregullit dhe qetësisë në funksionin administrativ dhe ruajtja e popullsisë çame nga ndëshkimet e grekëve.  (Niko Stilos)
Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore luajti rol të rëndësishëm edhe lëvizja e
nacionalistëve çame, të cilët aspironin hapur bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Këtë lëvizje e drejtonte Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes. Në krye të Këshillit për anën politike – administrative u zgjodh Mazar Dino, kurse nënkryetar i Këshillit të Përgjithshëm dhe drejtues i mbrojtjes së rendit u zgjodh i vëllai i tij, Nuri Dino. Këshilli Krahinor kryente në një farë mënyre detyrat e qeverisjes, siç ishin mbajtja e rregullit dhe qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, hapja e shkollave etj.
Marrëveshja e Libanit më 22 maj 1944 dhe më vonë marrëveshja e Kasertas më 26 shtator 1944, lejuan Zervën të kishte nën kontroll Epirin nga Preveza e lartë. Kështu fati i Çamërisë mbeti plotësisht në Duart e Zervës. Në këtë kohë, i vëllai i Mazarit, Nuri Dino i bëri një letër Shefqet Peçit, të cilit i bënte thirrje në emër të nacionalizmit: “Mjaft u bëmë heronj e dëshmorë duke luftuar njëri- tjetrin. Ka ardhur koha të bashkohemi për hir të Shqiperisë”.
Në Çamëri, myftinjtë ishin të vetmit përfaqësues të komunitetit çam në shtetin grek, këta ishin nëpunës civil grekë, sipas një përfaqësuesi shqiptar, Myftiu merrte një rrogë prej 18000 dhrahmi (Rrogë shumë e madhe, shën. im) nga autoritet helenike. Këta u kthyen në agjentë të mundshëm, të bashkëpunimit me shtetin grek që prej viteve ‘20. Një numër korrespodentë në rrethet patriotike shqiptare, akuzonin elitën e myftinjve për informacione keqdashëse, se gjoja çamët dëshironin të shkëmbeheshin dhe të emigronin në Turqi, se atje do të merrnin pallate dhe do të bëheshin shumë të pasur, ndërsa po të qëndronin këtu, do të vriteshin nga greku. (“Zëri i Çamërisë” nga Georgia Kretski , mars 2015).
Për të mënjanuar rrezikun zervist, që i kanosej Çamërisë, dhe për të realizuar aspiratat e tjera të tyre, nacionalistët çamë bënë përpjekje për t’u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut. Nuri Dino, si përfaqësues i Këshillit i paraqiti Shtabit Aleat kërkesën që edhe fuqia e kryesuar prej tij, të vihej në krah të Lidhjes, me kusht që kjo lidhje të bëhej dorëzënëse për të ardhmen e Çamërisë. Sipas raporteve, gjermanët vërenin se ky grup (nacionalistët) ishte gati të lidhej me këdo, mjaft që të arrinte të bashkonte Çamërinë me Shqipërinë.
I ndodhur përpara masakrave çnjerëzore të gjeneral Zervës kundër popullsisë civile, Nuri Dino, si përfaqësues i Këshillit, parashtroi para tij kërkesën për dëbimin e pakicës grek- folëse brenda shtetit shqiptar dhe vendosjen në fshatrat e tyre të çamëve mysliman, që ndodheshin në shtetin grekë, por ky propozim i tij nuk u mor parasysh. Këshilli ishte njoftuar për grackën e përgatitur nga grekët, pasi Zerva kishte thënë:  “Çamërve duhet t’u afrohemi dhe t’i marrim me të mirë, që të mos na ikin nga duart, derisa të zëmë kufirin. Pasi t’i kemi mbyllur si në vathë, jo vetëm nga njerëzit që nuk do lëmë njeri në këmbë, po do të shkojmë në thikë edhe macet e tyre”. Brenda datës 10 qershor 1944, erdhën shumë informata që njoftonin, se grekët u afruan tek dera dhe kanë vendosur të na shuajnë.
U vendosën dy kundërshtarët kryesorë: Myftitë, Hasan Abdullahu, Sali Hafizi, Hafiz Abdulla Himi, Abedin Dako etj, që ngulmonin për të mos u shpërngulur dhe Mazar Dino, nga ana tjetër, që këshillonte zhvendosjen përkohësisht, të paktën në fshatrat më në thellësi dhe të mbrojtur, si Mazreku, Kurtesi etj. Meqë askush nuk lëshoi pe, Mazari u tha:  -Ju, bëni haptazi punën e grekut, por një punë edhe më të rrezikshme, që s’e bëjnë as vetë grekët. Myftiu iu përgjigj: -Ti, po e pe keq, kërcet e ikën, po populli s’ka nga vete. Kam 31 vjet që kam vazhduar këtë udhë vetëm dhe vetëm për të shpëtuar njerëzit nga therja dhe zhdukja. Këshilli arrestoi Myftinë dhe disa nga mbështetësit e tij më të rëndësishëm në tërë Çamërinë, si: Qazim Rexhepi nga Paramithia, Isuf Izeti nga Varfanji, Shuaip Mete nga Filait etj. Pati ndërhyrje te komandanti gjerman, i cili detyroi këshillin t’i lëshonte të burgosurit. Çdo ditë që kalonte, mendimet për të ikur shtoheshin dhe për të ndaluar shpërnguljen u Përdor dinakëria greke. U ftuan në takim myftiu i Paramethisë Hasan Abdullai, Sali Hafëzi dhe Qazim Rexhepi. Takimi u bë në fshatin Popovë, afër Paramithisë. Pala greke kryesohej nga Lefter Shtrungari dhe dy oficer anglezë, që bashkëvepronin me Zervën. Se çfarë u tha, nuk u bë e njohur asgjë, vetëm përflitej për kërkesat e palës greke si: Njerëzia të mos ikë! Ju japim fjalën e nderit, se nuk preket kush as me një lule. Myftitë, si agjenta grekë, besuan në “fjalën e nderit” të tyre, por Mazari u tha: “Në qafë paçi veten! Por ç’faj kanë të tjerët”. Kur u pa se forcat zerviste po afroheshin, luftëtarët e batalionit kishin zënë pozicionet e luftimi dhe kishte filluar lufta në disa pika. Në këtë moment, myftinjtë me peshkop Dorothenë e Paramithisë shkuan në pozicjonet e luftëtarëve për të ndaluar rezistencën. Fjala e Myftive  ka qënë vulë zbatimi, urdhër: “Ndaloni luftën në emërin tim dhe të Zotit, duam paqen, na kanë dhënë  fjalën e nderit, do jetojmë në vllazëri, largohuni nga pozicionet shkoni në shtëpi”. Në dilemën e luftëtarëve, midis Myftinjve dhe Mazar e Nuri Dinos, fitoi besimi nga miopia e myslimanëve çam, te myftinjtë dhe të pabesët, ku dominonte paraja, korupsioni, që pas disa orëve do t’u pritej koka. Te “Masakra”,  Pukëvili, thotë “Kush mposhtet nga dëshira që të ndodhë ashtu si i pëlqen atij, e lejon veten të gënjehet”.
Mazar Dino në fillim të vitit 1945, ishte kthyer nga Jugosllavia. Meqenëse shumë shqiptarëve u kishte shpëtuar jetën dhe ishte mik personal me Dr. Omer Nishanin, i vajti atij në shtëpi për ta ndihmuar, që të mos i bënte gjë Enver Hoxha. Dr. Omer Nishani u tregua burrë dhe i tha: “Nuk të ndihmoj dot në këtë situatë të rëndë që është krijuar. Më  mirë largohu nga Shqipëria”. Por Mazari kishte shkuar te miku i tij Isuf Musaj në Shijak dhe në banesën e tij e arrestuan. Në kohën që Mazarin po e çonin për ta varur te rrapi në Delvinë, rrugës i binin me domate, me vezë, me sharje nga më të poshtrat. Pra, një opinion i organizuar me një dezinformim për “tradhtarin” Mazar Dino. Në kohën para varjes ai tha:”Nuk më vjen keq që më ekzekutojnë vëllezërit e mi shqiptarë. Të më vriste greku do të më vinte shumë herë më keq” Mazari nuk pranoi t’i mbulonin sytë dhe t’i hiqnin stolin nga këmbët, por e hoqi vetë duke i rënë me këmbë. Mazar Dino u ekzekutua në shtator të vitit 1945.
Ashtu si edhe në momentet më të vështira për kombin shqiptar edhe gjatë Luftёs së Dytë Botërore, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë anёtarët e familjes Dino. Të ndodhur përball dy rreziqeve, shovinizmit grekë dhe Myftinjve tradhtarë të Paramithisë dhe nazi – fashizmit nga ana tjetër, ata u përpoqën që me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme, t’i shërbejnë vendit të tyre. Si interes të tyre primar kishin vendosur gjithmonë çështjen kombëtare dhe për këtë zgjedhje të tyre, ata shpesh herë edhe pa të drejtë janë cilësuar si tradhtarë e bashkëpunëtor me pushtuesin. “Bashkëpunimi i tyre në momente të caktuara me italianët dhe gjermanët e kishte burimin në shtypjen e rëndë nacionale nga shteti grek. Por si mund të cilësohet tradhtar dikush, që mbi gjithçka vendos kombin e lirinë e vendit të vetë, të cilën mundohet ta fitojë me çdo mënyrë. Në qoftë se këta persona i quajmë tradhtar atëherë ç’emër mund t’u vinim tradhtarëve të vërtet”. (Fatbardha Demi).

                              Rasim Bebo, Addison Çikago

Filed Under: Histori Tagged With: FIGURA HISTORIKE, NË HARRESË, rasim bebo

BOTA GJERMANE ALEATE E NATYRSHME E POPULLIT SHQIPTAR

July 5, 2015 by dgreca

Nga Prof. Asc. Dr. Thanas L. GJIKA/
Populli shqiptar, i quajtur ilir gjatë Antikitetit e arbër gjatë Mesjetës, këto 2000 vjetët e fundit ka jetuar nën presionin asimilues të romakëve, grekëve, sllavëve e osmanëve. Gjatë këtyre njëzet shekujve ai ka humbur shumë territore dhe sasi të madhe popullsie mbas luftrash e zgjedhash të gjata. Në këto përpjekje për të mbijetuar, për fatin e tij të mirë, popullit tonë i ka dalë në mbrojtje disa herë bota gjermane, thënë më qartë: populli gjerman e ai austriak, si dhe qeveritë e tyre.
* * *
Rastet e ndihmës që i janë dhënë popullit tonë prej popujve gjermanikë janë të shumtë, por ne po përmendim këtu vetëm disa:
Rasti i parë.
Dyndja e popujve gjermanikë (Gotë, Ostrogotë, Vandalë, Hunë, etj) në shekullin e V të e.r. në territoret e Perandorisë Romake e shkatëruan këtë perandori dhe sollën si pasojë çlirimin e popujve të saj dhe ndërprerjen e proçesit asimilues të romanizimit. Në rast se nuk do të ishte shkatërruar Perandoria Romake prej popujve gjermanikë, popullsia ilire mund të asimilohej prej kolonëve romakë. Rreziku i romanizimit bëhet më i qartë po të sjellim këtu gjendjen demografike të trojeve ilire gjatë periudhës së sundimit romak.
Në shekujt IV-V të e. r. proçesi i romanizimit kishte marrë përmasa të gjera në gadishullin Ilirik (sot quhet gadishulli Ballkanik). Mbas pesëqind vjet zgjedhë romake, qytetet fushore bregdetare dhe qytetet anës Rrugës Egnatia ishin mbushur me kolonë romakë (fise Galësh që merreshin me blegrori), mijra administratorë e ushtarë romakë, që ishin sjellë kryesisht prej gadishullit Italik. Qytete si Lissus (Lezha), Dyrrah (Durrsi), Apollonia (Pojani pranë Fierit), Aulona (Vlora), Nikopolis (Nikopoli, pranë Prevezës, sot gërmadha), Kabala (Kavaja), Andronikus (Ndroqi), etj ishin kthyer në qendra kozmopolite me popullsi të përzjerë ku popullsia vendase ilire jetonte në bashkësi me popullsi të tjera kryesisht romake dhe mbeturina të kolonëve helenë të vendosur aty që para pushtimit romak.
Pushtimi romak ndërpreu proçesin e helenizimit në qytetet ilire, por nxiti proçesin e romanizimit me anën e popullsisë romake që solli në ato qytete dhe përdorimin e latinishtes si gjuhë zyrtare. Mbas luftrave Iliro-Romake, popullsia ilire në përgjithësi ishte rralluar gjatë luftimeve. Rrallimi i saj u çua më tej prej konsullit romak Paulus Aemilius (Paul Emili), i cili mbas fitores përfundimtare, shpuri në Romë përveç thesareve të mbretit Gent e familjen e tij mbretërore dhe 150 mijë ilirë si skllevër. Për të ruajtur Rrugën Egnatia dhe degët e saj brenda pak vitesh u sollën në shumë qytete e fshatra anës kësaj rruge e degëve të saj 150 mijë kolonë romakë. Këta kolonë që u sollën me gjithë familje, krijuan një popullsi të privilegjuar, e cila merrej me mbarështimin e bagëtive dhe prodhimin e bulmetrave dhe pëlhurave të leshta për ushtrinë romake, si dhe me ruajtjen e rrjetit rrugor për të siguruar kalim të qetë të trupave ushtarake, të karvaneve të tregëtarëve dhe individëve nga qytetet porte të Adriatikut drejt Bizantit (Stambollit të sotëm). Këtë popullsi administrata romake e quajti AROMANI, për ta dalluar nga popullsia dake, të cilën e quajti ROMANI (rumunët e sotëm të Rumanisë). Në Shqipërinë e sotme pasardhësit e kolonëve AROMANI quhen ARUMUNË / RËMËNË ose VLLEHË, dhe kanë jetuar e jetojnë si një mbeturinë e Perandorisë Romake, si një diasporë që jeton në paqe me shqiptarët në Shqipërinë e Jugut, me grekët në Greqi dhe me maqedonët në Maqedoni për gjatë Rrugës Egnatia e degëve të saj. Kjo popullsi sot është etni kulturore e gjuhësore e veçantë në shtetet e Ballkanit Qendror-Perëndimor, por nuk përbën një minoritet kombëtar të veçantë. Aromunët e Ballkanit nuk mundën të ngjizen si një minotitet kombëtar, sepse ata nuk kanë përbrërë popullsi mbizotëruese në një territor të caktuar me fshatra e qytete, nuk e përpunuan gjuhën e tyre me shkrim, nuk krijuan një letërsi kombëtare, nuk formuan një flamur kombëtar dhe nuk zhvilluan një ideologji kombëtar gjatë shekullit të XIX-të (shekulli gjatë të cilit popujt e Ballkanit formuan ideologjitë e tyre kombëtare).
Me paj fjalë, dyndja e popujve gjermanikë i ktheu popullit Ilir statusin e hershëm, atë të të qenit zot i vendit, kurse popullsisë arumune i dha statusin e një popullsie ardhacake, pra të një popullsie të dorës së dytë, që filloi të jetonte në trojet e gadishillit si diasporë e jo si popull i privilegjuar, që rrezikonte vendasit për t’i asimiluar.

Rasti i dytë.
Dihet se një nga dokumentet e para të gjuhës shqipe të shkruar është fjalorthi i udhëtarit gjerman Arnold Fon Harf i vitit 1497. Ky udhëtar gjatë kalimit të tij me anie nëpër qytetet porte shqiptare Ulqin, Durrës dhe limanin e Sazanit, për të komunikuar me banorët e tregëtarët vendas, hartoi fjalorthin e tij me 26 fjalë, tre shprehje dhe numërorët 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 100, 1000. Ai i shkroi fjalët shqip me alfabet gotik ashtu si i dëgjoi prej banorëve shqipfolës. Kuptohet se këtë fjalorth ai e përdori gjatë ndalesave për të plotësuar nevojat e veta jetike ose tregëtare. Ky dokument u zbulua në Këln të Gjermanisë më 1860 prej një studiuesi gjerman.

Rasti i tretë.
Meshari i Dom Gjon Buzukut, monumenti më i rëndësishëm i shqipes së shkruar lidhet gjithashtu me ndikimin e drejtpëdrejtë të botës gjermane.
Ishte prifti i ri gjerman, Martin Luteri, i cili më 1517 shpalli si protestë ndaj Papatit nevojën e përkthimit, botimit dhe predikimit të Biblës në gjuhën e popullit gjerman për ta bërë më të kuptueshme fjalën e Zotit. Pikërisht këto mendime të Martin Luterit u bënë baza e asaj lëvizjeje fetare që shpuri në krijimin e Protestantizmit si besim fetar dhe të lëvizjes së njohur në histori me emrin Protestant Reformation (Reforma Protestante). Vetë Luteri përktheu Biblën e shenjtë në gjermanisht, duke hedhur kështu bazat e gjuhës letrare gjermane. Rrugën e tij e ndoqën në Europën e shek. XVI e më vonë edhe shumë priftërinj e besimtarë të devotshëm të besimit katolik roman.
Lëvizja e reformës protestante u shtri edhe në Italinë e Veriut dhe në pjesën katolike të Ballkanit të veriut, në Slloveni e Kroaci, ndoshta dhe në qytetet shqiptare me popullsi katolike Tivar e Ulqin, të cilat ishin nën mbrojtjen e Venedikut deri më 1571, kur ranë nën zgjedhën osmane.
Dom Gjon Buzuku, sipas studjuesve shqiptarë Eqrem Çabej, Injac Zamputi, Mahir Domi, etj, për ta krijuar veprën e tij u mbështet në vepra të ngjashme të priftërinjve katolikë kroatë, të cilët ishin të lidhur drejtpërdrejt me reformën protestante gjermane. Prej tyre Buzuku mori dhe gërmat që i duheshin shtuar alfabeit të shqipes që i mungonin alfabetit latin. Edhe studiuesi Ilia Karanxha në veprën e re Barleti apo Beçikemi?… Tiranë 2010, ecën në këtë vazhdë dhe sqaron se veprimtaria e Gjon Buzukut në Venedik ishte e lidhur me bashkëvllazërinë që njihej me emrin Scuola degli Albanesi (Shkolla e shqiptarëve) e cila mbante marrëdhënje bashkëpunimi me shkollën e dalmatëve San Giorgio degli Schiavoni (Shën Gjergji i Sllavëve) brenda së cilës nuk mungonte prezenca e shqiptarëve. Komunitetet e huaja, si dalmatët, grekët dhe shqiptarët, rekeshin të zhvillonin në Venedik shërbesat fetare në gjuhët e tyre amtare, si pasojë e ndikimit të reformës protestante gjermane.
Pra kushtet që krijoi reforma protestante gjermane i dhanë mundësi priftit shqiptar katolik Gjon Buzukut të përkthente në gjuhën shqipe një pjesë të madhe të Biblës, Së Shkruomit të Shenjtë, këtë vepër madhore që e quajmë Meshari. Me këtë vepër, të cilën e kemi sot të transkriptuar dhe transliteruar prej prof. Eqrem Cabejt (1967) dhe të sjellë në gjuhën e sotme shqipe prej studjuesit Thoma Qendro (2010), Dom Gjon Buzuku e hartoi dhe e botoi për të mbrojtur botën arbërore (shqiptare) të krishtere nga procesi i islamizimit dhe gjuhën tonë nga bastardimi e asimilimi.

Rasti i katër.
Rasti i katër është i lidhur me veprimtarinë e perandorit të parë të shtetit të bashkuar gjerman, Otto Bismark. Ky burrë i shquar shteti dhe politikan i zoti, me këshillat që u dha tre delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878 gjatë takimit me ta, ka luajtur një rol të rëndësishëm për orientimin e drejtë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Kontributi i tij, për fat të keq, deri sot ka qenë mohuar e shtrembëruar në kahje të kundërt.
Të dhënat e bisedës së Bismarkut me Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin dhe Mehmet Vrionin i kemi nxjerrë nga artikujt e gazetave shqiptare të Rilindjes, kryesisht prej gazetës Koha të Mihal Gramenos.
Bismarku mbasi u njoh me kërkesën e delegateve shqiptare për të ndikuar që territoret e banuara prej shqiprëve të mos u jepeshin shteteve sllave të Ballkanit, pyeti:
Si ju quajnë?
Delegatët shqiptarë thanë emrat: Abdyl, Ymer, Mehmet.
Bismarku u dha këtë këshillë: Ju jeni të tre myslimanë. Populli shqiptar është i ndarë në tre besime, në myslimanë, katolikë dhe orthodoksë. Kur të delni nëpër oborret mbretërore të Europës për të mbrojtur çështjen tuaj kombëtare duhet të zgjidhni delegatë nga të tre besimet e popullit tuaj. Ju, duke qenë të tre myslimanë, nuk ju beson kush se kërkoni mbrojtjen e tokave shqiptare. Ju krijoni idenë se ju ka dërguar Porta e Lartë e Stambollit për të mbojtur territoret e Perandorisë Osmane.
Kur Abdyli iu lut që Bismarku t’i ndihmonte për ta bërë të njohur kombin shqiptar, Bismarku i tha:
Më jepni një libër të shkruar në gjuhën shqipe.
Abdyli, i cili nuk u kujtua ose nuk e dinte se në gjuhën shqipe ishte përkthyer Dhiata e Re prej Vangjel Meksit dhe botuar prej misionit evangjelist anglez më 1827 dhe prej Kostandin Kristoforidhit më 1868, u përgjegj:
Nuk kemi ndonjë libër të botuar në gjuhën shqipe këto vite. Kemi vetëm disa libra shqip të shkruar dy tre shekuj më parë prej priftërinjve katolikë të veriut.
Atëhere Bismarku dha këtë sqarim:
Në Europë as ka as do të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Shqipëria është një shprehje gjeografike po të mos shkruhet gjuha shqipe.
Propagandat e huaja antishqiptare dhe antigjermane, sidomos propaganda zyrtare osmane, ajo serbe e ruse, këtë thënie mobilizuese e shkurtuan duke ia ndërruar thelbin e saj. Ata shpallën sikur Bismarku kishte thënë vetëm: Shqipëria është një shprehje gjeografike, duke lënë më njanë sqarimin: po të mos shkruahet gjuha shqipe. Kjo shprehje e cunguar e tepër keqdashëse ka zënë vend dhe në shumë tekse të historisë së Shqipërisë edhe sot, madje edhe tek vepra e prof. Kristo Frashërit Lidhja Shqiptare e Prizrenit, TOENA, Tiranë 1997, f. 118.
Në fakt, delegatët e Lidhjes e kuptuan drejt thelbin mobilizues të porosisë së Otto Bismarkut, prandaj ata sapo u kthyen në Prizren dhe pastaj në Stamboll, nxitën atdhetarët që të ngrinin në një nivel të ri përpjekjet për hartimin e nje alfabeti të ri për ta shpënë përpara shkrimin e gjuhës shqipe.
Si pasojë e kësaj nxitjeje u arrit që në Stamboll më 6 janar 1879 të krijohej Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e cila u njoh prej qeverise osmane në tetor të atij viti. Kjo shoqëri krijoi alfabetin e njohur me emrin Alfabeti i Stambollit që u krijua duke marrë gërmat e alfabetit latin duke e plotësuar këtë alfabet me disa gërma të alfabetit grek, për të pasqyruar me shkrim tingujt e gjuhës shqipe, që nuk i kishte gjuha latine. Filloi kështu puna për botimin e librave në gjuhën shqipe, sidomos puna për hartimin e tekseve shkollore. Poetë të talentuar, të cilët shkruanin e botonin vepra në gjuhë të huaja, si Vaso Pasha në italisht, Naim Frashëri në persisht, Sami Frashëri në turqisht, etj nisën të shkruanin e botonin vepra në shqip duke u bërë nismetarë të letërsisë kombëtare shqiptare.
Përpjekjet për ta bërë sa më masive e sa më të njohur çështjen kombëtare shqiptare shpunë edhe në botimin e disa gazetave e revistave në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj. Në Athinë doli në vitet 1879-80 shqip e greqisht gazeta I Foni tis Alvanias (Zëri i Shqipërisë) prej arbërorit të Greqisë Anastas Kullurioti. Në Corriliano Calabro të Italisë në vitet 1883-87 doli gazeta Fjamuri i Arbërit prej atdhetarit e poetit të madh Jeronim De Rada. Në Stamboll në vitet 1884-85 atdhetarët e atjeshëm botuan revistën Drita-Dituria, etj. Këto përpjekje u kurrorëzuan dhe me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë në vitin 1886 dhe të disa shkollave të tjera në Kolonjë prej Petro Nini Luarasit, etj.

Rasti i pestë.
Njohja dhe studimi i gjuhës, historisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare është kryer më tepër dhe me nivel më të lartë shkencor prej studiuesve të botës gjermane. Askush nuk mund të merret me studimin e këtyre fushave të dijes pa përvetësuar së pari arritjet e shkencës gjermane e austriake. Sa për orientim po përmendim këtu disa emra e vepra që kanë bërë epokë: profesori i Universitetit të Berlinit Franc Bop me veprën e tij Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e farefisnisë gjuhësore të saj; Johannes Georg von Hahn (Johan Xhorg fon Han) me veprën e tij Albanesische Studien (Studime Shqiptare) në tre vëllime, me studimet e tij për përrallat e gojëdhënat tona, etj; Gustav Mayer (Majer) me fjalorin e tij etimologjik të shqipes; Norbert Jokli me stidimet e njohura për origjinën e gjuhës shqipe dhe për fjalëformimin; Maximilian Lamberrtz (Maksimilian Lamberc) me studimet e tij të shumta për përrallat, mitologjinë shqiptare dhe sidomos për epikën e Veriut, ciklin e kreshnikëve, etj, etj.
Të tilla vepra hodhën themelet e shkencave albanologjike në një kohë kur shqiptarët nuk kishin filluar të merreshin me to. Ato e bënë të njohur në botën shkencore europiane pasurinë tonë kulturore, gjuhësore, folklorike, letrare, etj.

Rasti i gjashtë.
Në përcaktimin e kufijve të shtetit shqiptar të pavarur politikanët gjermanë e austrohungarezë luajtën një rol të rëndësishëm për të mbrojtur krahina e qytete shqiptare. Në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha të Europës (Angli, Rusi, Gjermani, Itali, Austro-Hungari e Francë), që u mbajt në Londër prej dhjetorit 1912 deri në gusht 1913, ambasadorët e Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Italisë luftuan kundër propozimeve makabre të ambasadorit të Rusisë. Pa këtë luftë kufijtë e shtetit tonë do të ishin kufizuar prej derdhjes së lumit Vjosa në jugë deri në derdhjen e lumit Mat në veri dhe prej Adriatikut deri te lumi Drin i Zi. Pra do të ishte krijuar një shtet shqiptar pa qytetet Shkodër, Tropojë, Kukës, Peshkopi, Korçë, Përmet, Gjinokastër, Vlorë, Himarë, Delvinë, Sarandë, etj. Ishte koha kur diplomacia e Rusisë cariste luftonte të zmadhonte shtetin Sërb sa më shumë si kundërpeshë ndaj Austro-Hungarisë. Kurse Franca me Anglinë i bindeshin politikës shoviniste ruse në dëm të popullit tonë.
Kur ambasadori rus në atë konferencë ngulte këmbë që Korça t’i jepej Greqisë dhe Shkodra t’i jepej Malit të Zi, ambasadori i Austro-Hungarisë përmendi fjalët e perandorit Franc Jozef: Shtet shqiptar pa Korçën e Shkodrën nuk mund të krijohet, sepse bijtë e këtyre dy qyteteve krijuan ideologjinë e Rilindjes Shqiptare dhe pa këtë mbështetje ideologjike nuk mund të mëkembet një shtet shqiptar.
Kjo thënie, bashkë me ndërhyrjen e Papës, ndikuan që ambasadorët e Francës dhe Anglisë të bashkoheshin me mendimin e diplomatit austrohungarez dhe kërkesa ruse të mos merrej parasysh.

Rasti i shtatë.
Perandoria Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe mbas vitit 1918, shteti i vogël i Austrisë që u krijua pas shkatërimit të asaj perandorie, dhanë bursa e të drejta studimi për shumë djem të rinj shqiptarë. Ata u formuan në Vjenë e në qytete të tjera austriake dhe u kthyen e shërbyen në Shqipëri si kuadro të përgatitur në nivelet më të larta të kohës. Vlen të përmendim këtu studjuesin Gjergj Pekmezi, pedagog i gjuhës shqipe në universitetin e Vjenës, doktorët Omer Nishani, Mehmet Kërçiku, Shefqet Ndroqi, studiuesit Eqerem Çabej, Aleks Buda, poetin e përkthyesin Lasgush Poradeci, poetin Hil Mosi, mësuesit e shquar Xhevat Korça, Skënder Luarasi, agronomët Ilia Mitrushi, Milo Pasko, etj, etj.

Rasti i tetë
Politikën amerikane për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar të Kosovës e kanë mbështetur fuqimisht diplomacia gjermane, austriake e ajo angleze. Bundestagu gjerman shpalli me forcë më 1998 se stabiliteti i përgjithshëm i rajonit varet nga një zgjidhje e përhershme e çështjes së Kosovës, dhe se cështjet e të drejtave njerëzore dhe ato minoritare nuk janë assesi çështje të brendshme të Sërbisë. Këto vendime ndihmuan diplomacinë ndërkombëtare të ecte në rrugën e mbarë për ndërhyrjen e armatosur të forcave të NATO-s, veprim që solli çlirimin e Kosovës.

Rasti i nëntë.
Në periudhën e tranzicionit për kalimin e Shqipërisë nga sistemi diktatorial në sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, ishin pikërisht ndihmat gjermane ato që zinin vendin e parë midis ndihmave që iu dhanë Shqipërisë përmes Komunitetit Europian. Diplomacia gjermane e ajo austriake gjithnjë ka qenë për zgjidhje sa më të mira të çeshtjes shqiptare.
Rasti i dhjetë.
Diplomacia gjermane dhe ajo amerikane zenë vendin e parë në përpjekjet për njohjen e shtetit shqiptar të pavarur të Kosovës dhe për anëtarësimin e Shqipërisë e të Kosovës në NATO dhe BE…
Si përfundim themi se qeveritë e sotme të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës duhet që para se të marrin vendime të rëndësishme, është e mira të konsultohen me aleatët e tyre të natyrshëm: Gjermaninë, Austrinë, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë dhënë prova të shumta për një ardhmëri sa më të mirë të popullit shqiptar.
(Autori jeton në SHBA. Këtë artikull ai e botoi së pari në gazeta Illyria, New York 10-12 dhjetor 1997, f.16. Më 2011 e botoi të ripunuar në përmbledhjen Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit, DDS, Durrës, 2011. Varianti që botohet tani u përpunua në qershor-korrik 2015).

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: aleate, Bota Gjermane, e popullit shqiptar

4 Korriku, Ja Historia

July 3, 2015 by dgreca

Si u caktua 4 Korriku 1776, Dita e shpalljes së Pavarësisë së SHBA/
Nga Shefqet & Herion Kercelli/
Populli amerikan feston Ditën e Pavarësisë më datën 4 korrik të cdo viti. Sot, të gjithë amerikanët e shohin 4 korrikun e vitit 1776, këtë ditë të madhe, si dita që përfaqëson Shpalljen e Pavarësisë dhe lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një komb i pavarur. Në fakt ka pasur mjaft ngjarje dhe një periudhe kohore prej dhjetra vitesh deri në ligjërimin e kësaj date si dita e pavarësisë së SHBA. Fillimisht Kongresi Kontinental e formuloi dokumentin e pavarësisë së SHBA më 2 korrik 1776. Por, nuk u caktua kjo datë si dita e pavarësisë. Ndërkohë nuk u caktua as dita e fillimit të Revolucionit Amerikan, në prill të vitit 1775, si ditë e pavarësisë. As dita kur Thomas Jefferson shkroi dokumentin e parë të Shpalljes së Pavarësisë në qershor 1776. Gjithashtu as data e 2 gushtit 1776, kur dokumenti u firmos nga të gjithë delegatët dhe as nëntori i 1776, kur ju kërkua Britanisë së Madhe të njohë pavarësinë e shtetit të ri.
Cfarë ndodhi në 4 Korrik 1776?
Kongresi Kontinental e shpalli Aktin final të Pavarësisë më 4 Korrik 1776. Delegatët e shteteve federale punuan disa ditë derisa më 2 korrik 1776, ranë dakort me të gjitha redaktimet dhe ndryshimet e draftit përfundimtar, kështu e miratuan atë përfundimisht. Vërtet 4 korriku i 1776-ës, u bë dita e shpalljes së Pavarësisë, por kopja e parë e dokumentit final e shkruajtur me dorë dhe e zbukuruar u firmos në gusht 1776. (Kopja origjinale është e ekspozuar në Arkivat Kombëtare në Washington, D.C.). Në gusht 1776 mbi Bordet Dunlap, u printuan kopje të dokumentit origjinal që u shpërndanë e qarkulluan në gjithë shtetet përbërës të SHBA. Në SHBA festohet Dita e Kushtetutës më 17 Shtator të cdo viti, pra përvjetori i datës kur ky dokument themelor është firmosur, jo dita kur ajo është aprovuar. Në qoftë se do ishte ndjekur kjo praktikë e njejtë për Shpalljen e Pavarësisë, për anollogji i binte që Dita e Pavarësisë të festohej më 2 Gusht të cdo viti, pra ditën e firmosjes së këtij dokumenti themelor nga gjithë delegatët e Kongresit Kontinental.
Por si u bë 4 Korriku një ditë pushimi kombëtar?
Gjatë 15 -20 viteve të para mbas Shpalljes së dokumentit të shkruar, qytetarët amerikanë nuk e festonin atë në shumicën e tyre. Ishte një ditë shumë e re dhe mjaft ngjarje ndodhën më pas në kombin e ri. Vitet 1790 e më pas ishin periudhë e konflikteve e ndodhive të padëshërueshme, ndaj shpallja e kësaj dite ishte e diskutueshme. Ndërsa një parti, ajo e Demokrato-Republikanëve, admironte Jeffersonin dhe Shpalljen e kësaj dite, partia tjetër, Federalistët, mendonin se shpallja favorizonte ndikimin francez dhe injoronte Britanikët, pra, shkonte kundër politikave aktuale të shtetit të ri. Në vitin 1817, John Adams u ankua me një letër ku thuhej se Amerika dukej e painteresuar në të shkuarën e saj. Por, shpejt kjo situatë do ndryshonte. Pas Luftes së vitit 1812, partia Federaliste dhe partitë e reja të viteve 1820-1830 e konsideronin veten si trashëgimtare të Jefferson dhe Demokrato-Republikanëve. Kështu kopjet e printuara të Shpalljes së Pavarësisë filluan të qarkullojnë përsëri, të gjitha me datën e 4 Korrikut 1776, të vendosur në krye. Vdekja e Thomas Jefferson dhe John Adams më 4 Korrik 1826, rizgjuan dhe nxitën idenë për të caktuar 4 Korrikun si datë për të festuar shpalljen e pavarësisë. Në vitet e mëpasme festimet për 4 korrikun u zgjeruan në gjithë shtetet dhe përfshinë shumicën e banorëve. Kjo datë u ligjërua përfundimisht në vitin 1870, pothuajse njëqind vjet pas nënshkrimin të aktit të pavarësisë. Në këtë vit séanca e parë e Kongresit e deklaroi 4 Korrikun, si ditën e pavarësisë dhe ditë pushimi kombëtar, si pjesë e një projektligji që zyrtarisht njohu disa ditë pushimi, përfshirë dhe festën e Krishtlindjeve. Me tej legjislacioni për ditët e pushimit kombëtar, duke përfshire 4 Korrikun, u zgjerua në vitet 1939 dhe 1941. Dita e sotme, 4 korrik 2015, dita simbol e pavarësisë së SHBA, festohet nga gjithë populli amerikan bashkë me miqtë dhe aleatët e tij, ku populli shqiptar, vecanërisht shqiptaro-amerikanët zenë një vend nderi.

Filed Under: Histori Tagged With: 4 korriku, Herion Kercelli, ja historia, Shefqet

Shtetet e Bashkuara festojnë 239 – Vjetorin e Pavarësisë

July 3, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA – New York/
Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ka thënë se: “Ne i duam Amerikanët, sepse ata na dhuruan lirinë, që ne dëshironim”. Duke vazhduar se “Pikërishtë, për këtë ka një respekt ideal. Me Amerikën ne jemi të vegjël, por, miq të mëdhenj që mund të bëjmë edhe punë të mëdha”. ka thënë Rugova.
WASHINGTON : Shtetet e Bashkuara festojnë sot 239 vjetorin e pavarësisë me parada të ekipeve sportive, kuadratet e shkollave të ndryshme, uniformave formacioneve ushtarake, departamenteve të policisë, zjarfikasve, dhe në mbremje me një shfaqje tradicionale spektakolare me fishekzjarre.
Festime më të mëdha, si çdo përvjetor mbahen me ceremoni madhështore në qytetet kryesore të vendit, përfshirë New Yorkun, Çikagon, Los Angelos, Bostonin, Filadelifian dhe Washingtonin.
Por, shumica e qytetarëve amerikanë, përfshirë edhe shqiptarët, e feston ditën e pavarësisë me daljen familjare në parqet e qyteteve, dreka në natyrë dhe vështrimin e mbremjes së spektaklit të fishekzjarrve.
Në këtë ditë kujtohet nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë nga Kongresi Kontinental më 4 korrik të vitit 1776, në qytetin Filadelfia të Pensilvanisë, duke shpallur pavarësinë e 13 kolonive të para nga Britania.
239 -vjetori i Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose Ditëlindja e Amerikës, është dita kur lindi Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta amerikane.
Ajo tashmë është një ditë gëzimi, jo vetëm e amerikanëve, por edhe e kombit shqiptar. Sot, më 4 Korrik 2015, u mbushën 239 vjet nga dita, që kur burrat më të ndritur të kombit amerikan, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, duke u betuar, ashtu siç thuhet edhe në deklaratë, për nderin e tyre, të kombit të cilit ata i përkisnin. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787, përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, që në një gjuhë më të thjeshtë janë Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.
Kur gjatë luftës për çlirimin e Kosovës shtrohej pyetja pse amerikanët duhet të vdesin për Kosovën, natyrshëm dilte pergjigjja e këtij kombi të madh: se burrat më të ndritur të këtij kombi, më 4 korrik, si sot, 239 vjet më parë, kishin vendosur të krijojnë shtetin e bazuar në lirinë dhe të drejtat e barabarta të sejcilit komb. Trashëgimnia dhe porosia e tyre e çoi Amerikën në luftë, për të mbrojtur principet e lirisë dhe demokracisë amerikane edhe në Kosovë. Për Amerikën gjëja më e shenjtë, e cila simbolizon edhe këtë ditë, është fjala liri e demokraci. Pra, liria e Kosovës ishte emër kuptimplotë për Amerikën dhe kombin shqiptar.
4 Korriku kumbon thellë në zemër tek tri fjalët e para të Kushtetutës amerikane, me një shkrim dore “We the people”, “Ne populli”, për të theksuar rolin e rëndësishëm që shtetasit amerikanë kanë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara.
Ato tre fjalë u bëjnë thirrje amerikanëve të mos harrojnë se përveç pushtetit, që ata ushtrojnë ndaj qeverisë, nëpërmjet të drejtës së tyre të votës, ata duhet të mbajnë edhe përgjegjësinë për lirinë e vendit të tyre.
Besojmë se askush më mirë se ne shqiptarët, nuk e ka kuptuar këtë, askush më mirë se ne shqiptarët nuk e di faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë betuar në nderin e tyre dhe që demokracia, liria e popujve, të mbrohet atje ku ajo dhunohet dhe shtypet. Armiqtë më të mdhenj të Amerikës, nuk janë popujt, por janë diktaturat e diktatorët, shtypja e popujve liridashës, skamja dhe mjerimi i tyre. Dhe, miku më i madh i Amerikës, është ai komb që do dhe lufton për paqen, lirinë dhe demokracinë.
4 Korriku, Dita e pavarësisë amerikane, aq sa i përket kombit amerikan, po aq u përket edhe shqiptarëve, kombit shqiptar. Kombi shqiptar feston 4 Korrikun, sot ashtu siç feston paverësinë e Shqipërisë, lirinë e pavarësinë e Kosovës, e cila i është mirnjohëse për jetë Shteteve te Bashkuara te Amerikës.
I ndjeri – Presidenti i historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ia patë dedikuar gjithë këtë mrekulli amdmirimit dhe respektit që kanë shqiptaret për Amerikën, presidentëve Regan, Bush – të parë, Bill Klintonit, që i tha ndal genocidit në Kosovë dhe presidentit George W. Bush, i cili i vizitoi për herë të parë trupat amerikane në Kosovë, fill pas inagurimit presidencial, dhe po për her të parë një president i SHBA në detyrë Shqipërinë – ku në konferencën për gazetarët me ish Kryeministrin Berisha, nga Tirana, deklarojë pavarësinë Kosovës.
Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ka thënë se: “Ne i duam Amerikanët, sepse ata na dhuruan lirinë, që ne dëshironim”. Duke vazhduar se “Pikërishtë, për këtë ka një respekt ideal. Me Amerikën ne jemi të vegjël, por, miq të mëdhenj që mund të bëjmë edhe punë të mëdha”. ka thënë Rugova.
Ndërkohë, sot më 4 Korrik, kombi shqiptar kudo si në Prishtinë, Tiranë dhe viset shqiptare, dhe disaporë dëshiron të tregojë me sinqeritetin e tij, se shqiptarët, u janë mirënjohës miqve të tyre të shumtë amerikanë, ndër të cilët presidentit Woodrow Wilson, për përpjekjet që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për kombin tonë dhe për ruajtjen e miqësisë shqiptaro-amerikane.
Dhe kjo është në traditën amerikane, me politikën që ka mbajtur gjithnjë kundrejt Shqipërisë, të filluar prej presidentit të madh, Woodrow Wilson, kujtimi i të cilit ka mbetur i paharruar në zemrat e mendjet e shqiptarëve. Në Konferencën e Paqes, në Paris, në fund të Luftës së Parë Botërore, Presidenti Woodrow Wilson, flaku poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915), që sakrifikonte të drejtat legjitime të Shqipërisë dhe u kërkoi përfaqësuesve të fuqive të mëdha, respektimin e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.
Në vitet e demokracisë – rënjen e komunizmit, dhe rivendosjen mbas 44 vjetëve të marrëdhënieve diplomatike, mes Trianës dhe Washingtonit, miqësia shqiptaro-amerikane, shënoi rritje të paparë.
Me këtë rast shqiptarët nuk e harrojnë presidentin Bush (plakun), në prag të Krishtlindjeve, i cili vendosi “vijën e kuqe”, vijë që sinjalizoi diktatorin Millosheviq, që kurrë Amerika, s’do të lejonte një Bosnje të dytë, me shqiptarët. Edhe presidenti Clinton, u qëndroi besnik fjalëve të paraardhësit të tij, ai u bë njeriu më i dashur dhe më i besuar për shqiptarët kur premtoi: “Amerika do të jetë me Kosovën”!
Procesi i pavarësimit të Kosovës me SHBA – tregoi se ka qen ë i pashmangshëm dhe këtë e vërtetoi edhe deklarata e 11 qershorit 2007 e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Deklarata e presidentit Bush, e vulosi mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës :”Kosova, do të jetë e pavarur!”, u tha nga presidenti Bush, pikërisht në Tiranë.
Kështu që me të drjetë, sot kudo shqiptarët, ashtu si dhe gjithë populli amerikan festojnë 239 Vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës . Sepse, SHBA ishin me Shqipërinë dhe shqiptarët, në lirinë dhe demokracinë, rrëzimin e komunizmit. Amerika, ishte me Kosovën në luftë, duke i dalur në krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës -UÇK-së, tani ajo është me shqiptaret, me Kosovën në paqe, me Kosovën e pavaruar shtetin e dytë shqiptar i njohur nga 110 shtete.

Filed Under: Histori Tagged With: 239 vjetorin, feston, Pavaresine, SHBA

2 korrik 1990- 2 Korrik 2015, 25 vjetori i hapjes së ambasadave

July 2, 2015 by dgreca

Ato ditë në ambasadat e ndryshme hynë e dolën të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave, 4795 vetë/
Nga Albert Zh. Zholi/
Ndodhia/
Më dy korrik 1990 pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë çelën dyert e tyre për ata që donin të iknin nga Shqipëria. Si ndodhi kjo? Si mund të flakej brenda një nate frika gati dyzetë e pesëvjeçare se arratisja ishte tradhëti, dhe tradhëtia ishte një jetë e mjeruar edhe për ata që mbeteshin pas? Dihet konstitucioni ndërkombëtar i territoreve të ambasadave. Ato janë shtete Brenda shteteve dhe cënimi i territoreve të tyre konsiderohet si cënim kufijsh. Por për çudi asnjë ambasador i akredituar në Tiranë të cilit i qe “dhunuar” territori kombëtar nuk bëri ankesë pranë qeverisë shqiptare për marrjen e masave në mbrojtje të ambasadave. Përkundrazi. Ambasadori gjerman mori në mbrojtje të “plagosurit” rebelë, pa pranuar që ata t’idorëzoheshin drejtësisë shqiptare. Ditët e ambasadave gjithashtu do të kërkojnë analiza më të thella me zbulim dokumentash të fshehta. Por ngjarjet që pasuan më pas, sidomos skenat e ngjashme si në Kubë, etj…tregonin se skenat e ambasadave, (dikush preferoi të prishtedhe murin e jashtëm dhe me një ‘skodë” të vjetër të fuste me dhjetëra veta brenda), ishin inskenuar më parë. Pavarësisht se nga mjetet qeveritare shqiptare të asaj kohe, këto u quajtën mësymje të ”bandavehuligane”, në të vërtetë, sasia e madhe e njerëzve që hynë në ambasadat e huaja atë korrik të vitit 1900 ishte e tillë, që ky term komunist binte vetiu. Ne nuk dimë akoma se kush ishin organizatorët, apo nismëtarët, siç thuhet rëndom. Të tjerët, janë masa gjithëfarësh që nuk mund të përmbahen më. Ato ditët në ambasadat e ndryshme hynë e dolën s’a andej të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave), 4795 vetë. Nga këta për në Gjermani shkuan 3163 vetë, në Itali 816, në Francë 549, për në Turqi 77, për në Poloni 52, për në Çekosllovaki 51, për në Jugosllavi 6, për në Egjipt 6, për në Bullgari 5, etj. Më pas shumë prej tyre, sidomos atë të vendeve lindore, do të mërgonin drejt SHBA, Kanadasë, Australisë e gjetkë. Të dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët kanë mbritur edhe në Iran, Zelandën e re, e Argjentinë.
Dy korriku është kthyer tanimë në një datë për të përkujtuar djemtë dhe vajzat, gratë dhe fëmijët që kërkuan tempujt e shpresës duke hyrë në ambasadat e huaja, sepse pikërisht në këtë datë është realizuar një përleshje e ashpër ndërmjet njerëzve të thjeshtë dhe strukturave policore të diktaturës.

Në fakt…
Hyrja nëpër ambasada kish filluar dymbëdhjetë ditë më parë, më datë 20 qershor, kur autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi rastësisht pranë mureve të ambasadës greke. Më pas, më 23 qershor, skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen, rreth orës 18.00, skoda e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të ambasadës gjermane duke e shembur atë. Pas datës 20 qershor deri në 6 korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja, ku veçohet kapërcimi i ambasadës turke, me anë të makinës së plehrave që në një farë mase konsiderohej një spektakël. Përveç ambasadës kineze dhe kubaneze, të cilat nuk i pranuan bujtësit, duhet thënë se të gjitha ambasadat e tjera reflektuan një bujari dhe mikpritje, e cila nuk duhet të harrohet nga politika e sotme shqiptare. Hyrja nëpër ambasada vazhdoi gjithashtu edhe pas datës 2 korrik, por kjo hyrje është bërë lehtësisht nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte më.

Çfarë ndodhi pas Popajve/
Pas Popajve legjendarë të ambasadës italiane, tentativa e parë për kapërcimin e mureve u bë në ambasadën greke dhe gjermane. I pari që tentoi të kapërcente muret e ambasadës greke ishte një banor nga Narta e Vlorës, të cilin policët arritën ta kapnin pikërisht ndërsa përgatitej të gjente tangjenten fatale të lartësisë së murit, dhe duke e tërhequr me forcë, pasi e shtrinë përtokë, e goditën rrufeshëm me grushte dhe shkelma derisa i ra të fikët. Akoma edhe sot nuk është bërë ende publik emri i njeriut nga Narta për të cilin muri që kishte ëndërruar si limit shpëtimi u kthye papritur në një qeli burgu ose në një mur pushkatimi. Gjithashtu, një tentativë grupi për të hyrë në ambasadën gjermane kishte dështuar. Duhet shënuar se ato ditë thuhej që në “ambasadën franceze ka mundur të hyjë një njeri”, por kjo gjë qarkulloi në formën e legjendës, pa u konfirmuar ndonjëherë saktësisht. Gjatë këtij dhjetëditori u synuan edhe disa ambasada të tjera në rrugët më të përshtatshme, por pa rezultat.

Goditja e parë, 20 qershor/
Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj, më datë 20 qershor të vitit 1990 në orën 07.40, pasi kishte çuar në punë gratë punëtore të xhenios, u drejtua për tek ambasada greke, duke ndaluar në murin anësor të saj. Brenda, përveç Bujarit, ishte edhe Edmond Vokshi, i cili pas një tentative për kapërcim kufiri në Tropojë, së bashku me gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ishte dënuar me dhjetë vjet burg. Ndërsa gruaja me punë korrektonjëse. Pasi hapën kapakun e sipërm të autobusit, ata kapërcyen murin rrethues, duke u bërë kështu dy banorët e parë të kozmosit të ndaluar deri atëherë. Më 28 qershor në ambasadë hyri edhe gruaja e Mondit së bashku me fëmijët. Por, si u përgatit aksioni i hyrjes. “Një ditë më parë unë isha takuar me Leonidhën (shefi i sigurimit të ambasadës) në hotel ‘Dajti’, ku e kisha parashikuar për herë të dytë pikësynimin tim përfundimtar. Pasi më parë e kisha takuar te pishinat, – thotë Bujari. – Në këtë takim të dytë Leonidha më tha se ‘për t’ju dorëzuar, nuk ju dorëzojmë kurrë, por data e nisjes suaj do të varet nga rrethanat e zhvillimeve të mëvonshme’. Kështu, të nesërmen, me të mbërritur në ambasadë, dy të rinjtë morën kontakte me personelin dhe gjithçka u rakordua brenda pak minutave. “Ndërkaq, nga territori i ambasadës gjermane kapërcyen dy të rinj të tjerë, Ardi dhe Bimi, të cilët pasi kaluan murin rrethues të gjermanes, u hodhën përsëri për tek grekja, – thotë ai. – Ambasadori gjerman mbërriti menjëherë në ambasadën greke duke na thënë se kush dëshironte të qëndronte tek ai, mund të vinte menjëherë, por ne na premtuan në ambasadën greke për kushte të mira, banesë dhe punë sapo të vinim. Kështu që qëndruam të gjithë atje”. Ndërkaq, në kryeqytet kjo ngjarje bëri një bujë të jashtëzakonshme si te njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe në instancat qeveritare. Mbahet mend se në Teatrin Kombëtar, ndërsa po vihej afishja që paraqiste shfaqjen e një komedie të re, njëra nga aktoret më të njohura të vendit, Eva Alikaj, u tha me zë të lartë organizatorëve: “Hiqeni fare afishen e komedisë, sepse tani të gjithë shqiptarët janë duke vuajtur fatin e tyre të zi dhe ata nuk mund të detyrohen të qeshin përpara kësaj gjendjeje”.

E pabesueshmja në ambasadën gjermane/
Pa u lënë frymë strukturave të shtetit të organizoheshin, më 2 korrik muri i ambasadës gjermane u shemb nga një skodë në të cilën ndodheshin rreth 20 veta, burra, gra dhe fëmijë. Përpara turirit të makinës ishin vendosur thasë rëre, ndërsa sipër saj, në formën e ushqimeve paraprake, kishin marrë edhe disa dele. Megjithëse gjithçka ishte planifikuar me hollësi, ndodhi që muri rrethues nuk ishte mur me tulla teke, por dopio. Kështu që pas goditjes së tij, shumë nga të pranishmit u gjakosën në fytyrë dhe në trup. Ashtu të gjakosur ata kapërcyen murin e shembur, duke shënuar kështu kuotë të re për shembjen e diktaturës. Duhet thënë se brenda në ambasadë ndodhej një grup të rinjsh, pasi Ivi së bashku me shokët e tij kishin kapërcyer murin më parë. Por..Në ambasadën turke arratisja u krye në mënyrë spektakolare, nëpërmjet makinës së plehrave. Duke pastruar plehrat e qytetit, njerëz të veshur si punëtorë të komunales zbarkuan në ambasadën turke duke shënuar një të papritur të re. Më pas, së bashku me të ardhurit e tjerë që kishin hyrë më parë, Koli, Mondi, Ganiu, Fredi, Ardi etj. ata morën vizat tranzit për në Greqi dhe natën e fundit fjetën në hotel “Arbëria”, ku duke pritur mëngjesin nuk vunë gjumë në sy.

Dita e rrallë 2 korrik 1990…/
Hyrja më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. Në këtë përleshje pati edhe shumë të plagosur, por qarkullojnë fjalë edhe për një numër enigmatik të vdekurish. Nga ana tjetër, njerëzit e policisë arrestonin pjesëmarrës të ndryshëm dhe i fusnin në makina, të cilat nxitonin nëpër rrugë, por edhe sot e kësaj dite asnjëri nuk e di destinacionin e tyre. “Unë shikoja që nga kangjellat e ambasadës greke këtë luftë të vërtetë dhe mund të them se njerëzit plagoseshin prej zjarrit policor ose goditeshin fizikisht me grushte dhe shkelma, pastaj ngarkoheshin nëpër makinat ushtarake tip IFA, por nuk e di ku përfundonin,” thotë një përfaqësues i trupit diplomatik. Në dëshmi duhet shtuar se dy kameramanë të policisë së fshehtë filmonin të gjitha fytyrat e pjesëmarrësve në këtë përleshje.

Ditët që pasuan..
Ishte dhënë një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t’u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t’u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: “Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit”.

Dyndje e jashtëzakonshme dhe…/
Në ambasada kishte një dyndje të jashtëzakonshme. Kuptohet që vështirësia ishte më e madhe për furnizimin me ushqime, por ato ambasada ku kishte një numër më të kufizuar, kushtet konsideroheshin më komode. Kështu, në ambasadën gjermane dhe italiane kishte më shumë probleme në ndarjen e ushqimeve, por duhet thënë se përkushtimi i personelit të mbetur (një pjesë e madhe e punonjësve të ambasadave ishin larguar) ishte në shkallën maksimale. Ndërsa në ambasadat turke, franceze, greke, çeke etj. ishte më e lehtë për të përballuar tranzicionin e pritjes dhe ndonjëherë ndodhte që refugjatët e ambasadës greke ndihmonin të afërmit në ambasadën fqinje me cigare, ushqime etj., por kjo ndodhi vetëm për njëfarë kohe, sepse pastaj nuk na lejonin më – thotë Edmondi. Dita gjithsesi ishte më lehtë për t’u kaluar, kurse nata më e vështirë. Ndodhte që natën policia e fshehtë shqiptare ngjitej në kangjellat e ambasadës duke u folur individualisht njerëzve që qëndronin aty. “Arbenit i ka vdekur nëna”, “Iliri ka motrën të sëmurë” , ose “Dilni, sepse ata kanë vendosur t’ju bëjnë sapun, njëlloj si dikur në kampet e përqendrimit” etj. etj. Përveç kësaj, ndonjëherë vinin njerëzit e shtëpisë të nxitur nga shteti, të cilët u bënin thirrje të afërmve për të dalë. Në të gjitha rastet ne ishim të vendosur të qëndronim, por kishte ndonjë që edhe dilte për arsye të ndryshme, – thotë Edmondi.

Në ditën e finales së madhe/
Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në kryeqytetin sportdashës të Shqipërisë u përcoll me një interes të paktë nëpër familje. Zërat e njerëzve ishin mekur plotësisht nga zhvillimet e fundit dhe shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Kur u shënua goli i gjermanëve, tek-tuk u dëgjua ndonjë britmë entuziazmi, sepse kryeqyteti jetonte orët e tij më të vështira. Por pikërisht që nga ambasada gjermane papritur oshëtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin “Gjermani, Gjermani”. Dhe në çastin e golit ky entuziazëm arriti kulmin. Atëherë njerëzit që banonin në qendër dolën në rrugë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollin dëgjonin oshëtimat e të ngujuarve, me shpresën e kotë se mund të dallonin zërat e të afërmve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë, po në atë masë sa ç’mund të ishte me Italinë, Greqinë, Francën, Çekinë, Turqinë etj., po qe se do të luanin në finale.

Me sytë nga atdheu!/
Në mëngjes, që pa gdhirë dita, autobusët u ngarkuan me refugjatë duke u nisur drejt Durrësit. Njerëzit e tjerë, familjarë ose të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e enigmës, por papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit, duke parakaluar Laprakën. Me gjithë këtë devijim, edhe ato pjesë të rrugës ishin mbushur plot e përplot me familjarë të të ikurve. Në Maminas autobusët janë ndalur përreth çerek ore. Gjatë kësaj ikjeje refugjatët hiqnin bluzat, orët, unazat etj. të cilat i hidhnin rrugës me ndonjë mbishkrim të thjeshtë, si “Nënës sime si kujtim”, duke shkruar gjithashtu ndonjë adresë. Ndonjëherë thonë se në Tiranë, ku ashtu si kudo ekzistojnë vjedhjet dhe plaçkitjet, po të humbi diçka nuk e gjen kurrë më. Por atë ditë ndodhi krejt ndryshe. Atë ditë kur kombi kishte humbur një pjesë të ndërgjegjes së tij, sendet e tjera apo florinjtë nuk kishin vlerë. Atë ditë nuk humbi asgjë, sepse të gjitha sendet mbërritën brenda ditës në destinacionet e adresuara. Njerëz që trokisnin nëpër dyer për të sjellë sendet e gjetura, pëshpëritnin me lot në sy fjalët: “Kërkoja një shenjë të tim biri, por gjeta një letër të djalit tënd dhe duke e shtrënguar në gjoks, qava njëlloj si për fëmijët e mi”. Iknin me sy të nga atdheu!

Filed Under: Histori Tagged With: 2 korrik 1990, 25 vjet, Albert Zholi, ambasadat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 521
  • 522
  • 523
  • 524
  • 525
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT