• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THE POWER OF PHOTOGRAPHY – IMAZHET  DHE 77 DITËT QE NDËRRUAN KURSIN E HISTORISË SE KOSOVËS

February 22, 2025 by s p

Në përvjetorin e 17-të Pavarësisë së KOSOVËS – 17 Shkurt, 1998.

Nga Qemal Agaj

Një vështrim panoramik i imazheve influencuese të shek. të 20-të do të ishte i pakompletuar pa evidentimin e ngjarjeve të mëdha historike, luftrave dhe tragjedive, që vazhduan deri në fund të shekullit. Aftësia e fotografisë për të kapur momente kyçe që nuk përsëriten, shtron pyetje për zgjidhje për grupe popujsh, vende nganjëherë për gjithë botën, dhe  sjell kthesa në histori.

Do të ishte e pamundur të thuash diçka më tepër nga mijëra tituj gazetash, revistash dhe libra, për përpjekjet dhe luftën e Shqiptarëve të Kosovës për shkëputjen nga Federata Jugosllave, më saktë – për një Kosovë të lirë e të Pavarur.

Si në disa shkrime të mëparëshme në Dielli edhe këtë herë po e lidh Luftën e Kosovës me influencën e fotografisë në vendimin e NATO-s me në krye SH.B.A., për bombardimin e Jugosllavisë.

I pari imazh botuar në shtypin botëror, ka lidhje me përpjekjen Shqiptarëve të Kosovës në protestën e Dhjetorit, 1989, kundër heqjes së Autonomisë së Kosovës nga Millosheviçi. Fotografia me titull, ‘’Nogovaç, Kosovë, Yugosllavi. Vajtuesit në vdekjen e 27 vjeçarit Nasim Elshanit, që u vra gjatë një proteste kundër vendimit të Qeverisë Yugosllave për heqjen e Autonomisë së Kosovës,’’ e fotografit  Frances, Georges Merillone, botuar një muaj më vonë, 28 Janar, 1990 në revistën Parisiane, L’EXPRES, ishte shkëndia e parë e një zjarri që nuk do të shuhej lehtë. Ky imazh, që për nga ngjashmëria e tablove mbi varrosjen e Krishtit, është quajtur nga stjudjuesit, ‘’Kosovo Pieta,’’ tërhoqi vëmendjen e opinionit në një kohë që Kosova nuk kishte hyrë në radarin e medias dhe politikës Europiane.

Presidenti François Mitterrand ishte i pari personaliteti politik, që kur pa fotografinë, shkruajti: ‘’Si ka mundësi të mos sjellësh ndërmend Mantegna apo Rembrandt? Zemërimi dhe dhimbja kanë gjithmonë të njejtën pamje. Një nga problemet që po ballafaqohet Europa në këtë fund-shekulli është ajo e minoriteteve. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje sa më shpejt.’’ 

Në albumin fotografik, ‘’THE 100 PHOTOGRAPHS THAT CHANGED THE WORLD,’’ botuar në 2016, është përfshirë fotografia me titull, ‘’The Plight of Kosovo,’’ marrë nga fotografja Amerikane Carol Guzi në Maj, 1999, në kampin e refugjatëve në Kukës. Fotografia e djalit të vogël, Agim Shala, i dha autores Pulitzer Prize, 2000.   

Albumi fotografik, CENTURY, botim i Phaidon, 2002, që ilustron historinë e botës gjatë shek. të 20-të, mbyllet me gjashtë fotografi shoqëruar me komente nga Lufta e Kosovës, 1999.

_______   The New York Times.  September, 30, 1998. ____________

Masacres  by  Serbian  Forces in  Three  Kosovo  Villages.  __________________________________________________

‘’Trupat e 15 grave, fëmijëve dhe të moshuarëve, pjestarë të familjes Deliaj u gjendën të shtrirë nëpër gurë dhe rrëke të luginës poshtë fshatit të tyre në Provincën e Kosovës, qëlluar në kokë nga afër dhe në disa raste të sakatuar, në kohën që mundoheshin të shpëtonin nga ndjekja e forcave Sërbe. Në shtëpitë e fshatit, tre burra – inkluduar plakun  95 vjeçar të paralizuar, Faslli Deliaj – u dogjën kur Serbët u vunë zjarrin shtëpive.’’

Në 27 Shtator, 1998, International Observers, zbuluan trupat e 21 shqiptarëve civil të ekzekutuar në pyll pranë fshatit Gornje Obrinje. Të nesërmen pjesëtarë të Human Right Watch, gazetarë dhe fotografë  vizituan vendin dhe dokumentuan vrasjen e 15 shqiptarëve në fshati fqinjë, Golubovaç. Artikulli në New York Times, galvanizoi opinionin botëror dhe ndihmoi në një raund të ri bisedimesh diplomatike udhëhequr nga diplomati Amerikan, Richard Holbrook. 

Në 15 Tetor, 1998 u vendos një armëpushim, që do të ndalonte sulmet e policisë dhe forcave paramilitare Sërbe dhe do të mundësonte kthimin në shtëpitë e tyre të  mijëra Kosovarëve të shpërngulur nga barbarizmat Sërbe.

Qeveria Sërbe e Millosheviçit, nuk e respektoi marrëveshjen e 15 Tetorit. Tre muaj më vonë, 15 Janar, 1999 në fshatin Racak, u vranë 45 Shqiptarë. Masakra në Racak provokoi një shpërthim të ri zëmërimi në  publik dhe Qeveritë Perëndimore filluan bisedimet për një diplomaci mbështetur në forcën ushtarake. NATO e rriti kërcënimin e përdorimit të forcës kur pa se Millosheviçi nuk po i ndalonte sulmet ndaj popullatës civile.N

FOTOGRAFI  dhe  fotografia  e  botuar  në

  ___  The New York Times,  30 Shtator, 1998. ____

‘’Ne gjithmonë shpresojmë që këto lloj imazhesh krijojnë shqetësim në publik dhe mund të bëjnë presion në vendim – marrësit…Përveç sa e thellë ishte mizeria dhe sa e rëndë ishte situata, unë gjithmonë shihja një copë shprese në sytë e atij populli, që ishte mbërthyer nga tmerri i luftës. Unë e gjeta këtë atje.’’                                                                                                                                             

                                                      Wade  Goddard 

Wade  GODDARD, fotografi 22 vjeçar nga Zelanda e Re, pa eksperiencë në fotografi, ishte nga të parët fotograf  që u ndodh në skenë në atë mëngjes të fund-Shtatorit, 1998.

Goddard kujton :‘’Unë kurrë nuk e mendoja se do të punoja në një fushë beteje. Unë takova një fotograf t’a pyesja si të shkoja atje. Unë erdha vetëm për një muaj, por qëndrova në Ballkan përgjithmonë.’’

Suksesi i tij si fotograf gjatë Luftës së Kosovës, bëri që gjatë dhjetë vjetëve të angazhohet si freelance photographer nga Reuters, The  New York Times, dhe Associated Press.

Me 60 fotografi të  marra gjatë luftës së Kosovës, Goddard – tani me banim në Dubrovnik, Kroaci – në vitin 2018, boton librin, ‘’ KOSOVO  WAR ’’ 

Në prezantimin e librit, Goddard shkruan:

‘’Mbulimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë u bë qëllimi i jetës time. Unë duhej të ishja atje, t’a shihja vehtë, t’a ndjeja atë, të mundohesha t’a kuptoj atë, brutalitetin, vdekjen, shkatërrimin. Çfarë e shtyn një popull të shkatërroj një tjetër dhe vehten e tij?

Nëqoftëse ne do të kuptonim pyetjen dhe konsekuencat e konflikteve të armatosura, ndoshta ne do të shtynim udhëheqësit tanë politik të tentonin pak më shumë t’a mënjanonin atë.

Mendoj dhe akoma shpresoj, që imazhet si këto do të influencojnë në rrjedhën e historisë njerëzore…

Një mëngjes në fund të Shtatorit unë shkova në  Kosovës, kur pash në një fshat kodrinor një vrasje masive civilash, inkluduar gra dhe fëmijë, që ishin qëlluar gjatë tentativës për t’u larguar. Ekzekutimi i fëmijëve – kujton Godard – ishte një nga skenat më të tmerrshme. 25 gra dhe fëmijë ishin ekzekutuar kur mundoheshin të fshiheshin nëpër shkurre. Një nga ata i posa-lindur. Ishte tronditëse, dhe një nga momentet më  rrënqethëse që unë jetova gjatë luftës në Kosovë. 

Në një nga imazhet, një Shqiptar i quajtur Imer Deliaj ka shtrirë në një bord prej druri fëmijën e tij katër vjeçar, kur vetë qëndron i ngrirë si një gur. Gruaja e tij po ashtu ishte vrarë. 16 pjestarë të familjes së tij ishin vrarë në atë fund – Shtatori, 1998. Një fëmijë gjashtë muajsh nga familja e tij, u gjend shtrirë në krahët e nënës së tij të vrarë, por që dhe ai vdiq pak orë më vonë.

Të ndodheshe në skena si kjo ishte e tmerrshme fizikisht dhe e rrënueshme mëndërisht. Kjo atmosferë e rëndë akoma kumbon në jetën time dhe unë kurrë nuk do t’a harroj.

Ne gjithmonë shpresojmë që këto lloj imazhesh krijojnë shqetësime në publik dhe mund të bëjnë presion në vendime – marrësit. Të paktën ne bëmë atë që duhej të bënim. Ne fotografuam disa momente tronditëse dhe u munduam të hedhim dritë në të vërtetën. Përveç sa e thellë ishte mizeria dhe sa e rëndë ishte situata, unë gjithmonë shihja një copë shprese në sytë e atij populli, që ishte mbërthyer nga tmerri i luftës. Unë e gjeta këtë atje.’’ 

___________  Richard   HOLBROOKE  _____________                                                    

Pse  NATO  vendosi  të  sulmoj  Sërbinë  ushtarakisht 

Richard  Holbrooke, diplomat i shquar dhe përfaqësues i SH.B.A. në Organizatën e Kombeve të Bashkuara . Suksesi i tij në bisedimet diplomatike në luftën e Bosnjes, bëri që administrata e SH.B.A t’a ngarkoj atë në konfliktin e Kosovës. Në 1998 Holbrooke arriti të ashtuquajturin, Marrëveshja e Tetorit. Kjo marrëveshje  midis Qeverisë Jugosllave dhe Shqiptarëve të Kosovës, do të lejonte kthimin e 250.000  Kosovarëve  në shtëpitë e tyre dhe stabilizimin e një armë –pushimi të kontrolluar.

                 ____________     I n t e r v i s t ë  ________ 

Çfarë lloj gjuhe diplomatike kuptonte Millosheviçi ?                                                                                                                                            

Më vjen keq t’a them, por ishte e qartë, që Millosheviçi kuptonte vetëm forcën, një kërcënim me  forcë absolute. Kjo ishte e qartë në Kosovë.

 Pse për Millosheviçin  KOSOVA  ishte ndryshe nga BOSNIA ?  Si e shpjegoni ?

Kosova ishte ndryshe jo vetëm për Millosheviçin, por për Komunitetin Ndërkombëtar gjithashtu dhe ja pse ishte një problem shqetësues i veçantë. Komuniteti Ndërkombëtar gjithmonë mbështeti indipendencën e shteteve të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Bosnie – Hercegovinës.

Kosova ishte krejtësisht ndryshe. Kosova – me të drejtë apo gabim – ishte parë nga Komuniteti Ndërkombëtar si pjesë e Jugosllavisë. Nga këndvështrimi etnik, kultural dhe historik, ju mund t’a diskutoni këtë. Por në fakt Shqiptarët e Kosovës dhe Sërbët e Jugosllavisë, janë shumë më ndryshe si grupe  etnike. Në Bosnje, të gjithë flasin të njejtën gjuhë, kanë të njejtën kulturë, të njejtën prejardhje dhe martesa midis njëri – tjetrit. Në Kosovë asnjë nga këto nuk egziston. Ata flasin tjetër gjuhë, kanë tjetër kulturë, tjetër histori dhe një grindje tmerrësisht të papajtueshme me Sërbët. Në Bosnie urrejtja midis grupeve etnike ishte e fabrikuar nga racistë, demagogë  dhe mashtrues.

Për Millosheviçin Kosova ishte një çështje e brendëshme. Ne i thamë se e pranojmë faktin që Kosova është në kufijtë kombëtar të Jugosllavisë, por kjo nuk ju jep ju ( atij ) të drejtën të shtypësh popullin e saj. 

Urrejtja mes Sërbëve dhe  Shqiptarëve në Kosovë ishte tepër, tepër e madhe nga çdo të ashtu-quajturat urrejtje etnike. Kjo urrejtje në Bosnie, ka qënë shumë e egzagjeruar. Midis Shqiptarëve dhe Serbëve ishte e vërtetë. Ja pse për ne ishte esenciale të kuptonim se situata mund të kërkonte një ndërhyrje nga jashtë.

Kur e kuptuat se duhej të bisedonit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ?

Ishte e qartë për mua që në fillim.Unë isha takuar me përfaqësues të U.Ç.K. në sekret. Dhe kam qënë në kontakte të vazhdueshme, sepse ata ishin një pjesë legjitime e procesit. Edhe nëse ata ekspozonin një zgjidhje violente, ose jo, nuk mund të injoroheshin, sepse ata ishin duke impozuar prezencën e tyre në marrëveshje. Por Rugova, udhëheqësi i njohur i shqiptarëve – burri që propagandonte jo violencë, që kishte fotografi të Gandhit dhe Martin Luther King Jr. në shtëpi – ishte personi që ne merreshim vesh publikisht.

Çfarë mundoheshit ju të arrinit në këto bisedime sekrete?

Ne mundoheshim t’i bënim ata të punonin me Rugovën në një front të bashkuar, që të bisedonin për një zgjidhje  jo violente. Kjo provoi të ishte e pamundur, sepse forcat e sigurimit sërb, papushim i provokonin ata me aksione. Në  fakt unë i thash Millosheviçit:

 ‘’ A e dini se ju jeni gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë U.Ç.K.-s ? Duke mos biseduar me të moderuarit, ju po bëni një gabim monumental.’’

Në 30 Shtator,  një masakër në fshatin Obrinje u  botua në faqe të parë të, The  NEW  YORK  TIMES.                                                   Çfarë  ishte e veçanta e saj ?

 Unë e kujtoj atë me kthjelltësi. Ishte një takim  kryetar komitetesh, që më duhej të merrja pjesë personalisht në Washington. The TIMES shtrihej në mes të tavolinës në Situation Room, si një dëshmitar i heshtur për çfarë po ndodhte. Ishte nga ato momente të rralla kur një fotografi… ( Pauz, moment emocional ) Fotografia drithëruese e atij personi të vdekur në atë fshat, ishte një lloj paralajmërimi, një realitet dhe pati shumë efekt në dialog.   Ky ishte takimi në të cilin u vendos se unë duhej të shkoja në Beograd për bisedime. Ishin 12 -13 ditë bisedimesh me grupin tim, inkluduar komandantin e N A T O-s, që do të ishte i ngarkuar për bombardimin. Chris Hill dhe Jim O’Brian nga grupi i Sekretares  Albright. Ne u mbyllëm  midis Beogradit, Prishtinës, Brukselit dhe Londrës pambarim.

Vendimi ishte të shkohej në N A T O dhe t’ju kërkohej të vinin aeroplanët në gatishmëri dhe të pregatiteshin të viheshin ndën komandën e Gjeneralit Clark , i ngarkuari  për bombardimin. Kërcënimi ishte i besueshëm. Unë ja bëra të qartë Millosheviçit, ashtu si dhe Gjeneralit  Short, që kjo ishte e vërtetë. Kur Gjenerali Short u bashkua me mua në mes të bisedimeve, ne u futëm në dhomë, dhe fjalët e para të Millosheviçit ishin:

’’Kështu, Gjeneral,  ju jeni i ngarkuar të bombardoni ne?                                                                                                                                                                                  

Përgjigja e Gjeneralit Short isht e shkurtër:                                                                                                                                     

– Mr. President. Unë kam B 52 në një dorë dhe U 2 në dorën tjetër. Varet nga ju se cilën unë do të përdor.’’                                 

Fjalët e Gjeneralit patën  një efekt të dukshëm. Kombinuar kjo me unitetin e grupit dhe moskundërshtimin e Rusisë, bëri që kjo të ndodhte. Kërcënimi ishte i besueshëm, dhe rezultoi në një marrëveshje që mundësoi  mbi 100.000 shqiptarë të dilnin nga shkurret dhe pyjet përpara se të fillonte dimri, ku mund të kishte vdekje masive nga urija dhe të ftohtit.Millosheviçi asnjëherë nuk lejoi prezencën e Ndërkombëtarëve në Kosovë. 

Në Tetor ne e bëmë  atë të pranonte rreth 2.000 njerës nga OSCE –Organization of Security and Cooperation in Europe,  të ishin  prezent në rajon. Kështu refugjatët  filluan të kthehen. Sidoqoftë,  një numër i konsiderueshëm  jetësh u shpëtuan nga marrëveshja e Tetorit.

Ç‘mund të na thoni për RAMBOUILLET, pasi Shqiptarët përfundimisht ranë dakord ? Ç’farë ndodhi në atë takim të Martën, pikërisht para bombardimit ? 

Sekretaria  Albright dhe Presidenti Clinton më kërkuan të shkoja përsëri për një takim të fundit pas firmosjes në Paris. Ne i prezantuam ultimatumin Millosheviçit, se nëqoftëse nuk do të firmoste marrëveshjen, bombardimi do të fillonte. Ai tha, ‘’JO.’’ Ne kaluam natën në Beograd . Në mëngjes unë shkova përsëri, fare vetëm  t’a shihja atë, sepse unë isha shumë i ndërgjegjëshëm  për faktin se në Gusht 1914, në këtë pjesë të botës, nga një keqkuptim i evitueshëm, një luftë e tmerrëshme filloi. Lufta e Parë Botërore mund të evitohej.Unë nuk dëshiroja të kisha një përsëritje të saj , edhe në një nivel më të ulët.        

Kështu unë shkova përsëri vetëm dhe i thash  Millosheviçit:                                                                                                        –

‘’A e kuptoni se,  nëqoftëse unë largohem sot pa ndonjë marrëveshje, bombardimi do të filloj pothuajse menjëherë.’’                                  

Unë vazhdova me këto tre  fjalë : 

‘’A e kuptoni se do të jetë, I SHPEJTË, I ASHPËR dhe ME PASOJA.’’                                                                                                        

I thashë këto fjalë me shumë kujdes, pasi u konsultova me Pentagon-in.                                                                                                  

– ‘’ Ju  jeni një shtet i madh,  një shtet i fuqishëm.  Ju mund të bëni çdo gjë që doni të bëni. Ne nuk mund t’ju ndalojmë ju.’’ 

Pas kësaj ishte një pamje dorëzimi nga ai dhe ne u ulëm vetëm në atë pallat të madh bosh, rrethuar nga piktura të Rembrandt, të lëna  nga  regjimet e mëparëshme . Unë e pyeta përsëri:

’’A e kuptoni ? A  jeni plotësisht  i qartë se çfarë do të ndodh pasi ne të largohemi ?’’                                                      

Ai tha me mjaftë qetësi, ’’ Po,  ju do të na bombardoni.’’

Unë i thashë që,  Shtëpia e Bardhë, dhe Departamenti i Shtetit janë duke pritur për një raport dhe unë duhet të shkoj     dhe  e pyeta për herë të  fundit:

 ‘’ Kjo është e gjitha ? Edhe një herë, a e kuptoni se çfarë po ndodh ?                                                                                      

Ai u përgjigj : ‘’ Po.’’                                                                                                                                                                         

Kështu ne u larguam dhe kjo ishte e gjitha. Dua të theksoj se nuk kishte keqkuptime në mendjen e tij. Ai e dinte se bombardimi do të  fillonte menjëherë  pasi ne të largoheshim, dhe ai  filloi, në më pak se 30 orë më vonë.

Nuk kishte altenativë tjetër.  Millosheviçi zgjodhi  fatin e tij. Ai përmbysi një marrëveshje shumë më të mirë nga çfarë mori pas 77 ditësh bombardim .

                                                                                                              Home interview, 1995.

      The   RAMBOUILLET    Conference.

 ________ February   6 – 22 ,  1999. ______

 Konferenca në Chateau of Rambuillet në afërsi të Parisit, ishte për një marrëveshje për Paqe  dhe vetëqeverisje në Kosovë midis Republikës Federale të Yugosllavisë dhe delegacionit që përfaqësonte Shqiptarët e Kosovës, nxitur sidomos nga masakra në Racak, në Janar, 1999. U formulua nga North Atlantic Treaty Organization, ( NATO)  dhe mori emrin e kështjellës ku u zhvilluan bisedimet.

Sekretarja e Shtetit të Amerikës, Madeleine Albright, përpara bisedimeve, tërhoqi vëmendjen se, ‘’ Vetëm të paraqitesh në Konferencë, nuk do të jetë mjaftueshëm. Ne u kemi dërguar pjesëmarrësve një mesazh – MERRENI  SERIOZISHT.’’

Delegacioni i Shqiptarëve të Kosovës u përfaqësua nga  Hashim Thaçi. Millosheviçi refuzoi të  merrte pjesë dhe dërgoi  një delegacioni pa prestigj. 

Qëllimi i takimit ishte që Sërbët dhe Shqiptarët të nënshkruanin një marrëveshje që do të njihte Autonominë e Kosovës, dhe që do të garantohej nga forcat Paqe-ruajtëse Internacionale.

Bisedimet dështuan pasi delegacioni Jugosllav nuk nënshkroi marrëveshjen. Për Millosheviçin, Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë. Ishte e papranueshme një Autonomi e Kosovës dhe për më tepër kjo Autonomi të garantohej nga prezenca e Forcave Ushtarake Ndërkombëtare.

Këshilltarët Perëndimor u tërhoqën vëmendjen Shqiptarëve se mos- firmosja e marrëveshjes, do të ishte një armë e fuqishme në duart e Millosheviçit për kundër –akuzë.Veprimi i mënçur nga ana Shqiptare për firmosjen e marrëveshjes, bindi Amerikanët dhe Aleatët se Millosheviçi njihte vetëm forcën. 

Koha provoi se Millosheviçi ishte një udhëheqës komunist dritëshkurtër. I verbuar nga urrejtja, ai dështoi të mbante Federatën Jugosllave të bashkuar dhe të ngrinte një Sërbi  të fuqishme. Fundi i tij dihet.

   ________________        Madeleine   ALBRIGHT            _______________ 

      U.S.  SENATE   hearing.  –  ‘’ The  WAR  in  KOSOVO. ‘’ –  April  20, 1999.

‘’Me aleatët dhe partnerët, SH.B. u munduan t’i japin fund këtij cikli violence me mënyra diplomatike, dhe Tetorin e shkuar, Presidenti Millosheviç ra dakord për një armë – pushim, që do të mund lejonte shumë nga të shpërngulurit të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Shpejt u bë e qartë që Millosheviçi nuk kishte ndërmend të respektonte marrëveshjen. Në Janar, forcat e tij të sigurimit e pozicionuan vehten për një ofensivë të re dhe masakruan fshatarët në Racak.

Në Rambuillet, Beogradi refuzoi një plan për paqe, kur ndërkohë përgatitej për një plan barbarizmash, një plan për spastrim etnik të të gjithë komunitetit të Shqiptarëve të Kosovës.

Ne të gjithë kemi parë imazhet e familjeve të shpërngulura dhe hedhur nëpër trena, fëmijë që qajnë se nuk gjejnë dot prindrit, refugjatët që numërojnë të afërmit e tyre si u ndanë nga njeri-tjetri, dhe fotografi ogurzeza  banesash në flakë. Pas këtyre imazheve është realiteti i një populli jo ndryshe në të drejtat e tyre fondamentale nga unë dhe ju.

Nuk ka dyshim, se kjo fushatë terrori ishte shkaku, dhe jo aksionet e NATO-s. Është prodhim i Millosheviçit. Vendimi i NATO-s për përdorimin e forcës kundër regjimit të Millosheviçit ishte i nevojshëm dhe i drejtë, dhe kushtet që Aleanca vendosi për përfundimin e fushatës së tij, janë të qarta, të drejta dhe të rrepta. Duhet të ketë një proces të verifikuar për ndalimin e aksioneve ushtarake kundër popullit të Kosovës. Forcat policore të Beogradit dhe paramilitarët duhet të largohen, kështu refugjatët duhet të kthehen. Një prezencë ushtarake Internacionale duhet të lejohet të shkoj në Kosovë dhe popullit të Kosovës duhet t’i jepet vetëqeverisje Demokratike, që për një kohë të gjatë e ka merituar…’’ 

                                                                                         Madeleine  Albright  – 

                                                                            Sekretare e Shtetitt të SH.B.A.  

C:\Users\Qemal\Pictures\093098kosovo-massacre.3.jpg

Wade Goddard for The New York Times


A villager in Gornji Obrinje in Kosovo covered the body of a girl Tuesday before carrying her to a burial site. Fifteen members of the Deliaj clan, including children and the elderly, were killed in a massacre on Saturday by Serbian forces. There was another massacre that day a few miles away.

https://static01.nyt.com/library/world/europe/093098kosovo-massacre.2.jpg

Wade Goddard for The New York Times


Ethnic Albanian men lift a dead villager onto a stretcher to be carried to the burial site in the village of Gornji Obrinja, Kosovo.

Filed Under: Histori

98 vjet më parë u nda nga jeta poeti, prozatori, dramaturgu, etnografi dhe publicisti i shquar arbëresh, Zef Skiroi

February 20, 2025 by s p

QSPA/

Lindi në Horë të Arbëreshëve dhe studimet i kreu në Seminarin arbëresh të Palermos. Më 1887 themeloi në Palermo revistën “Arbëri i Ri”, bashkë me Françesk Petën. Ai kreu studimet e larta për drejtësi më 1890 dhe po këtë vit filloi punën si docent i letërsisë antike në liceun “Garibaldi” të Palermos. Më 1900 Skiroi u emërua titullar i Katedrës së Gjuhës shqipe në Institutin Mbretëror Oriental të Napolit. Në vitet 1913–1914 qëndroi për një kohë në Shqipëri si i dërguar i qeverisë italiane. Zef Skiroi pati veprimtari të gjerë si shkrimtar dhe studiues.

Mes veprave letrare të tij renditen: vëllimi me poezi “Rapsodi shqiptare” (1887), me poezinë rrëfimtare, idilin “Milo e Haidhe” (1890) dhe eposin “Te dheu i huaj” (1900), “Këthimi” (1965). Si studiues botoi,“Për gjuhën dhe letërsinë shqipe të vështruara edhe në marrëdhënie me ngulimet shqiptare të Italisë” (1919) dhe “Shqiptarët dhe çështja ballkanike” (1904) si dhe përmbledhjen me krijime popullore “Këngë tradicionale dhe sprova të tjera të ngulimeve shqiptare të Sicilisë”(1923). I ndërgjegjshëm për rëndësinë jo vetëm kulturore të përpunimit të shqipes letrare, ai shkroi një arbërishte që afrohej mjaft me toskërishten e Shqipërisë, duke marrë edhe prej dialektit verior. Ai vdiq në Napoli, më 17 shkurt 1927.

Me kontributin e tij, Skiroi ndihmoi jo vetëm në ngritjen e kulturës arbëreshe, por zëri i tij në shtyp dhe letërsi solli frymëzim për Shqipërinë, që ishte në ndërtim e sipër. Ai është padyshim ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë dhe përfaqësuesi më i denjë i traditave arbëreshe letrare dhe kulturore të Sicilisë.

https://www.radiokosovaelire.com/zef-skiroi-1865-1927…

Filed Under: Histori

Kosova feston: Shtet 17 vjet, nga 17 Shkurti historik 2008

February 17, 2025 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, Shkurt 2025/ Kosova shtet 17 vjet me Axhendë Shtetërore feston në këtë 17 Shkurt 2025 Ditën e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 – të para 17 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.

Gjatë 17 viteve, Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…

Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 17 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.

Kosova në vitin 2023 me Buxhetin për Mbrojtje – Ushtrinë e vet arriti nivelin e kritereve për shtetet anëtare të NATO-s dhe kjo ishte ngjarje e vitit.

“Arritja e këtij niveli, për herë të parë në historinë e re të Ushtrisë sonë, tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO”, tha në 13 Dhjetor 2023 Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

E ngjarja e vitit 2022 e Kosovës ishte kjo: Në 15 Dhjetor, Kryeministri Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në 2025-tën festohet edhe 26 vjetori i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, Kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Fotoja e ballinës së gazetës Rilindja e fishekzjarreve mbi Prishtinë në mbrëmjen e 17 Shurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u bë nga shtëpia e vëllait tim Demë Jashari në Laxhen Taslixhe 4 – Rruga Fatmir Gjata Nr. 9, ku po festonim bashkë me ekipin e Agjencisë Shtetërore – Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, fotoreporteri i saj Florian Abazaj është autori i fotografisë…

Filed Under: Histori

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

February 15, 2025 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot kujtojmë Avdullah Nikën në 27-vjetorin e rënies heroike për lirinë e Kosovës, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rënia e tij shënoi një moment historik në luftën për çlirimin e Kosovës, duke u bërë simbol i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. Në vitin 1998, kur dhuna dhe represioni serb ndaj popullsisë shqiptare arritën kulmin, njerëz si Avdullah Nika u rreshtuan në frontin e rezistencës për të mbrojtur popullin dhe të ardhmen e vendit.

Përkushtimi dhe guximi i tij frymëzoi shumë të tjerë që të bashkoheshin në luftën për liri. Sot, pas 27 vitesh, kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e gjithë shqiptarëve, si një dëshmi e sakrificës dhe guximit të atyre që dhanë gjithçka për një Kosovë të lirë dhe sovrane.

Viti 1998 shënoi një kapitull vendimtar në historinë e Kosovës, ku shqiptarët intensifikuan përpjekjet për organizimin dhe forcimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në çdo cep të Kosovës, njerëzit u bashkuan në mbështetje të luftës për liri, ndërsa Drenica u shndërrua në një kështjellë të lavdishme të mobilizimit vullnetar dhe të qëndresës ndaj okupatorit serb.

Brutaliteti i forcave serbe ndaj banorëve të Drenicës filloi të intensifikohej, duke përdorur të gjithë makinerinë ushtarake dhe policore për të shtypur rezistencën shqiptare. Vrasja e mësuesit Halit Geci në nëntor të vitit 1997 dhe sulmi mbi familjen Jashari më 22 janar 1998 ishin sinjal i qartë se forcat kriminale serbe do të përdornin të gjitha metodat për të shkatërruar UÇK-në dhe për të ndalur përpjekjet për liri.

Një tjetër dëshmi e kësaj dhune ishte edhe sulmi mbi Avdullah B. Nikën, i cili u vra vetëm sepse ishte në krah të ushtarëve të UÇK-së.

Shkurti i vitit 1998 ishte një nga periudhat më të përgjakshme në historinë e Kosovës. Makineria ushtarake serbe intensifikoi dhunën dhe represionin ndaj popullsisë shqiptare, veçanërisht në Drenicë. Megjithatë, në vend që të shuante përpjekjet për liri, terrori serb vetëm sa e ndezi edhe më shumë flakën e rezistencës.

Rënia heroike e Avdullah B. Nikës shënoi një pikë kthese në luftën për çlirim. Ai u bë simbol i sakrificës për lirinë e Kosovës, duke hyrë në historinë kombëtare si një dëshmor që ndriçoi rrugën e brezave të ardhshëm. Pas tij, mijëra të tjerë u rreshtuan në luftën e shenjtë për liri, duke e shndërruar gjakun e derdhur në themelin e shtetit të Kosovës.

Sot, 27 vite pas asaj sakrifice, kujtimi i Avdullah B. Nikës dhe i të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës mbetet një frymëzim i përjetshëm. Amaneti i tyre vazhdon të jetojë në çdo shqiptar që punon për një Kosovë të lirë, sovrane dhe të zhvilluar.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

Filed Under: Histori

SKËNDERBEU NË  VEPREN E AT VINÇENS MALAJ

February 13, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

NË KUJTIM TË 25 VJETORIT VDEKJES – AT VINҪENS MALAJ


At Vinçens Malaj ishte një dijetar i madh, historian, bibliograf, folklorist, piktor, skulptor, studies i gjuhës e letërisë shqipe, lindi me 1 dhjetor të vitit 1928 në fshatin Ljare (Krajë), të komunës së Tivarit dhe ndërrojë jetë me 4 shkurt të vitit 2000.

Ai rradhitet në plejadën e artë të françeskanve shqiptarë si At Gjegj Fishta, At Leonardo De Martino, At Shtjefën Gjeçovi, At Vinçens Prenushi, At Marin Sirdani, At Anton Harapi, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, At Ndre Mjeda, etj.  të cilët gjatë gjithë historisë i qëndruan besnik fesë, atdheut ,gjuhës shqipe e kombit shqiptarë. Át Vinçenci shkollen fillore e fillojë në vendlindje dhe e kreu në Tivar, kurse të mesmen në Split, e Pazin ku dhe u diplomua. Në vitin 1945-1946 , kreu shkollën fetare në Troshan afër Lezhës, ku dhe veshi petkun e meshtarit françeskan. Kryen nji vit Filozofije në Dubrovnik. Mbas shërbimit të detyruem ushtarak, vazhdon studimet  për Filozofi dhe Teologji në Zagreb ku edhe diplomohet.

Prej vjetit 1957 deri më 1966 shërben në Kotor dhe Dubrovnik, si kapelan dhe kujdestar biblioteket. Nën drejtimin e prof. dr. Ernest Koliqit, mbledh tekste gojore të 31 vendeve shqiptare në Kalabri. Prej vitit 1966 – 1972 studion në letërsi italiane në universitetin shtetëror “La Sapienza” në Romë, ku dhe doktoron nën udhëqjen e Ernest Koliqit me tezën: Kuvendi i Arbënit 1703. Prej vitit 1969 – 1995 merr pjesë në më shumë se dhjetë simpoziume ndërkombëtare me tema të ndryshme albanologjike. Ka botuar më shumë se tridhjetë studime shkencore në fusha të ndryshme, mbi Gjergj Kastriotin, studime historike, bibliografike, folklorike, etj.

At Vinçens Malaj ishte themelues i shoqatës : “Don Gjon Buzuku” që veproi në Ulqin e Tuz dhe ishte kryetar Nderi i saj. Ai ishte Profesor i shkollës së naltë teologjike në Shkodër, ku ligjëroi për histori kishtare. Përveç se e donte librin, ai është marrë edhe me veprimtari kulturore e letrare, me  arkeologji, pikturë, skulpturë, vizatime, etj.

At Vinçens Malaj ka dhanë një kontributë, Madhorë në njohjen e studimin e zbulimin e veprave kushtuar, Gjergj Kastriotin Skënderbeut: 

Në  vitin jubilarë të 500-të  vjetorit të  vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, shqiptarët në diasporë organizuan një sërë aktivitetesh në shumë vende si në Romë, Bruksel, Paris,New York, Boston. Në një nga sheshet më të bukura të Brukselit u ngrit shtatorja e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu, një  sheshi në qëndër të Parisit ju dha emri një sheshi : “Scanderbeg”. Organizime të tilla i shtynë organizatorët (Qendra Ndërkombëtare për Studime Shqiptare në Itali dhe Kryesinë e Federatës Panshqiptare “Vatra”, që të mbahej një Seminar Ndërkombëtar në New York në Nëntor të vitit 1968.

At Vinçens Malaj është një nga studiuesit më të njohur të ikonografisë e përfytyrimit të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu në artet figurative të cilat gjenden në muzetë e Evropës si në Firence, Milano, Vjenë, Berlinë e Palermo. 

At Vinçensi shkruan:“Skënderbeu është një figurë shumë e njohur në botë”,prandaj  ai është marrë me mbledhjen e shumë veprave biografive e botimeve mbi figurën e Skënderbeut në mbarë Evropën, që nga  shekullit XV e deri në vitin 1969. At Vinçensi i ndihmuar edhe nga shkrimtari patriot, Ernest Koliqi, organizojë një ekspozitë me të gjitha botimet e ribotimet e veprave kushtuar,  Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeun  në prill të vitit 1969.

 Nxitja që e kish shtyrë At Vinçensin për tu marrë me temën “Cili është portreti i Skënderbeut më autentik, a egziston një i tillë?” ishin pyetjet e ndjeshme për gjithë studjuesit shqiptarët dhe të huaj.

 At Vinçens Malaj shkruan se nuk dihet me siguri, cili është portreti original i Skënderbeut, por portretet e tij  janë kopje të kopjeve të bëra nga ekzemplarë autentikë më të vjetër, apo janë realizime sipas përshkrimit të Dhimitër Frangut, Marin Barletit e biografëve të tjerë.

Gjergj Kastrioti Skënderbeut,  Heroit tonë Kombëtar në kundërshtim me çfarë bënin princat e tjerë evropianë të epokës së tij, nuk kishte kohë që të rrinte duke pozuar përpara piktorëve dhe artistëve, sepse atij  ditë e natë i duhej të organizonte sulme kundër pushtusve  dhe të rindërtonte kështjellat e rrënuara. 

Referuar autorëve G.T. Petrovitch në vepren e tij: “George Castriota Scanderbeg,  Essai de biblographie raisonee, Paris 1881”, Legrand-H.Goys në : “Biblogragraphie Albania, Paris1912”, Marin Barleti e përshkruan me një shtat të lartë e i hedhur, krahët që s’ishin parë kurrë më të bukura tek njeri, gjerësia e supeve e admirueshme, shikimi i syve as i ashpër, as i egër, por shumë i këndshëm.

Paulus Jovius e përshkruan kështu Skënderbeun: “Kishte një shtat të lartë e të hedhur dhe një trup të madh, këtë dukje kemi parë në Apulje tek princat e familjes së tij të cilët zunë vend këtu, sikurse duket edhe prej përfytyrimit që gjendet në muze, i ngjet sidomos Ferdinantit stërnipi markjon i Sant “Angelo” në Gargano, i cili ra në luftën e Ticinos i vrarë nga dora mbretërore.”
Disa studjues theksojnë  se autor i një portreti të tillë mund të ketë qenë piktori i famshëm i kohës veneciani Gentile Bellini(1429-1507) i cili mbas kërkesës së senatit të Venedikut udhëtoi deri në Stamboll dhe bëri një portret të Mehmetit të II(i cili ruhet sot në Londër). At Viçensi shkruan se egzistojnë shumë koleksione të vjetra botërore dhe private me portretin e Skënderbeut, por shumica e tyre janë mjaft të dobët, dhe  janë të gjitha janë kopjeve të shumta të fundshekullit XVI,  XVII e XVIII.


Potreti më i mirë që njohim deri sot për të cilin mund të diskutohet për autinticitetin e tij, është padyshim portreti me ngjyra që sot ruhet në “Galleria degli Uffizi” në Firence. Në këtë portret, të pikturuar nga një piktor i dorës së dytë, Skënderbeu na paraqitet me profil nga e djathta në moshën 60 deri 65 vjeçare, me mjekër të gjatë të thinjur. Një tjetër autorë të cilës i referohet At Vinçensi është edhe zonja Dhorka Dhamo, e cila në materialin, e botuar në revistën “Shqiptarja e Re” Nr.11, Tiranë 1967, fq.26. shkruan : “Rezultatet e deritanishme dëshmojnë se portreti më i vjetër i Skënderbeut është ai i pikturuar në natyrë nga piktori i dëgjuar, Xhentile Belini, gjatë kohës kur Skënderbeu ishte në Itali’.

Veprat e tij më të rëndësishme kushtuar Skënderbeut janë:

1-Necessita D, Un Coordinamento Bibliografico Castriotiano, [Shqip-Nevoja për një kordinim Bibliografik Kastriotian], Palermo,1969

2- Nevoja për një kordinim Bibliografik Kastriotian,Vëllimi I, Të dhëna  Albanologjike,Botimet Françeskane, Shkodër,2016

3- Zbulio:Vepra muzikore “Skanderbeg” të kompozitorit  francez,Antonio Vivaldi, botim i vitit 1718

4- Zbuloi: Vepra muzikore “ Skanderbegu” , të dy kompozitorëve  francez:Rebel e Franceur, botim i vitit 1735.

4-Përfytyrimi i Skanderbegut dhe autenticateti i tij-Mbajtur në 500 Vjetorin e vdekjes Skënderbeut , në nëntor të vitit 1968. Vëllimi I, Të dhëna  Albanologjike,Botimet Françeskane, Shkodër,2016.

Vepra të tjera janë:

–Bibliografia di Giuseppe Valentini, botim,1970

-Biografia e Antonio Baldacci (1867 – 1950), Bibliografski Vjesnik, God. XVI, Br. 1 Cetinje, 1985, është një bashkëpunim me Vukiq Puleviq.

-Kuvendi i Arbënit 1703 , Podgoricë,2017

-Don Gjon Buzuku Ulqin ,Tuz, 1999

– Të dhëna albanologjike, -2 Vëllime, Botimet Françeskane ,Shkodër, 2016

-Bibliografi ilirjane, dorëshkrim

– Në biblotekën At Vinçens Malaj ai ruajti e  koleksionojë libra të rrallë, ky koleksione sot ndodhet në Kuvendin Franceskan, Tuz, të cilat janë :
-Fjalori i parë i gjuhës shqip i Frang Bardhit, botim i vitit, 1635

-Historia e Skënderbeu e Marin Barletit botim i vitit, 1568 dhe shumë vepra të rralla e dorëshkrime etj.

Bibloteka përsonale e At Vinçens Malaj, kjo pasuri e madhe kombëtare, me vepra të rralla në fushën e albanologjisë, duhet të mbrohen dhe të ruhen, jo vetem nga Kuvendi Françeskan, në Tuz por edhe nga Drejtoria e Kulturës e Komunës Tuzit e cila sot drejtohet nga shqiptarët.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT