• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARSHIMI QË NDRYSHOI AMERIKËN

March 8, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
50-vjetë më parë, më 7 mars, 1965 qindra veta u mblodhën në qytetin Selma të shtetit Alabama për të marshuar drejtë kryeqytetit Montgomery të atij shteti. Ata marshuan për të siguruar që afrikano-amerikanët të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetore për të votuar — madje edhe përball një sistemi ndasishë të egëra raciale që bënte të pamundur një gjë të tillë. Gjatë atij marshimi mbi urën e quajtur Edmund Pettus të qytetit Selma, policia shtetërore atë ditë që ka mbetur në në histori si “E djela e përgjakshme”, përdori dhunën për të shpërndarë marshuesit paqësorë, duke lënë shumë prej tyre të përgjakur dhe të plagosur nga sulmet e policisë. Por marshuesit nuk u ndalën dhe as nuk u trembën. Pas disa marshimeve të tjera të cilave iu bashkua edhe udhëheqsi i të drejtave civile, i përndershmi Martin Luter King. Vetëm disa muaj më vonë, kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi Aktin e të Drejtave të Votimit , të cilin Presidenti Lyndon Johnson e nënshkroi më 6 gusht, 1965. Ky akt kishte për qëllim të zhdukte pengesat ligjore me të cilat përballeshin afrikano-amerikanët, në nivel shtetëror dhe vendor dhe të cilat i pengonin ata që të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar, në bazë të amandamentit të 15 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që i jep një të drejtë të tillë çdo shtetasi amerikan.
Përkrahë dhjetëra mijëra vetave, në ceremoninë përkujtimore të së “Djelës së Përgjakshme”, 50-vjetë më parë në Selma të shtetit Alabama mori pjesë Presidenti Barak Obama me familjen e tij, ish-presidenti George W. Bush me bashk-shorten dhe mijëra të tjerë, anëtarë të Kongresit, si dhe disa pjesëmarrës në atë marshim të vitit 1965, përfshirë deputetin 75-vjeçar John Lewis — për të përkujtuar konfrontimin e përgjakshëm për sigurimin e të drejtave civile për afrikano-amerikanët, një konfrontim ky që më në fund transformoi Amerikën. Është meritë e burrave si John Lewis dhe Dr. Martin Luter King dhe të tjerëve, që idea e një Amerike të drejtë, e ndershme dhe një Amerikë gjithpërfshirse dhe bujare, më në fund triumfoi mbi të keqën, theksoi Z. Obama.
Në fjalimin e tij me këtë rast të shtunën, — një fjalim që u cilësua si njëri prej fjalimeve më të rëndësishme të karierës së tij politike –Presidenti Obama krahasoi marshimin e 50-viteve më parë në Selma të Alabamës me ngjarjet më të rëndësishme të historisë amerikane dhe si njërin prej vendeve më të njohura të panteonit historik të vendit, siç janë ndër të tjera, Concord-i dhe Gettysburgu. Ishte ky një përkujtim për të nderuar të kaluarën dhe për tu përgatitur për të ardhmen!
Presidenti Obama, si presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara, tha se në fjalimin e tij se, “Në Amerikë ekzistojnë vende dhe momente historike ku është vendosur fati i këtij kombi.” Shumë prej tyre tha ai, janë vende ku janë zhvilluar luftime, ndërsa të tjerat vende, siç është Selma, simbolizojnë guximin e karakterit të Amerikës. “Amerikanët, të cilët kaluan në marshim mbi këtë urë 50-vjetë më parë, nuk ishin njerëz të mëdhej fizikisht që të imponoheshin, por ata u dhanë kurajo miliona të tjerëve. Ata nuk ishin të zgjedhur në ndonjë post politik, por megjithëkëtë ata udhëhoqën kombin.” Presdienti Obama shtoi se, ndonëse, “Ata marshuan si amerikanë të cilët kishin vuajtur qindra vjetë nga dhuna brutale dhe të cilët pësuan indinjata të përditshme dhe të panumërta — ata nuk kërkuan asnjë trajtim të favorshëm, por vetëm trajtim të barabart që iu ishte premtuar atyre pothuaj një shekull më parë”. Z. Obama tha se konfrontimi në Selma dhe përpjekjet për të drejta të barabarta civile, “nuk ishte kjo një përleshje ushtrishë, por ishte një përleshje vullneti e dëshirash, ishte një garë për të vendosur se ç’do të bëhej Amerika”.
Në fjalimin përkujtimor me këtë rast, Presidenti Obama u përpoq të lidhte të kaluarën me të tashmen dhe të ardhëshmen, duke hedhur poshtë pretendimet e atyre që thonë se gjatë 50-viteve ç’prej marshimit në Selma, është shënuar pak përparim në fushën e të drejtave civile për afrikano-amerikanët.
“Që to mohohet përparimi, ky përparim i fituar me mund — përparimi ynë –do të ishte sikurë të na mohosh kapacitetin tonë si dhe përgjegjësitë tona për të punuar aq sa mundemi e kemi mundësi për ta bërë Amerikën një vend më të mirë për të gjithë.” Por ai njëkohsisht hodhi poshtë nocionin se racizmi është zhdukur në Amerikë, duke nënvijuar se, “50-vjetë nga e ‘Djela e Përgjakshme’, marshimi nuk ka marrë fund ende, porse jemi duke iu afruar mbarimit”, shtoi presidenti i parë afrikano-amerikan. Presidenti Obama u tha të pranishmëve se, “239 vjetë pas themelimit të këtij kombi, ky vend nuk është ende i përsosur, por jemi duke bërë përparim. Puna jonë”, theksoi ai, “është më e lehtë sepse dikush tjetër bëri të mundur të hecnim kilometrin e parë — dikush pra, e bëri të mundur për ne që të kalonim këtë urë.”
Presidenti Obama tha se nga ngjarjet e 50-viteve më parë na kujtojnë se, “është tepër e rëndësishme që të sigurohet drejtësia e barabartë për të gjithë dhe që të mësojmë nga e kaluara”, ashtuqë të mos përsëritet më ajo histori e hidhur. Jehona e këtij marshimi dhe këngëve kishtare të pjesëmarrësve u dëgjua jo vetëm në Shtëpinë e Bardhë dhe në sallat e institucioneve më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan, por u dëgjua edhe anë e mbanë botës, tha Presidenti Obama, duke shtuar se, “Çfarë besimi të patundur kishin këta burra dhe gra. Besim në Perëndinë – por edhe besim në Amerikën.” Ai shtoi se, “Kjo vepër e tyre do të ketë një jehonë ndër shekuj. Jo sepse ajo që ata arritën ishte caktuar më përpara të ndodhte ashtu siç ndodhi, jo se fitorja ishte e plotë, por vepra dhe guximi i tyre do të mbahen mend ndër shekuj, sepse ata provuan se ndryshimet pa dhunë janë të mundshme dhe se dashuria dhe shpresa mundin urrejtjen.”
Presidenti Obama tha se nuk ka ndonjë shprehje besimi më të madhe për eksperimentin merikan se ky marshim. “A ka ndonjë formë më të madhe patriotizmi se kjo? Se sa besimi se eskperimenti i Amerikës nuk ka marrë fund. Se ne jemi të fuqishëm të kritikojmë haptas vetveten, ashtuqë brezat e ardhëshëm t’i shohin të metat tona të së kaluarës dhe të vendosin se është në duart e tyre që ta ribëjnë këtë komb, me qëllim që të jetë më afër reaalizimit të idealeve të tija më të larta.”
Selma, shtoi presidenti amerikan, nuk është një relikt historie të vjetër, por është një manifestim i një besimi të shkruar e të vulosur në kushtetutën e këtij vendi, se, “Ne Populli….me qëllim për të krijuar një bashkim sa më të përsosur, i konsiderojmë këto të të vërteta si të qarta dhe bindëse, se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barabarta.” Këto, tha ai, nuk janë fjalë boshe, por janë një udhëzim që ve në dukje aftësinë e burrave dhe grave të lira për të përcaktuar vet fatin e tyre. Kjo ndjenë amerikane e marshuesve në Selma për të siguruar të drejtat e tyre civile, shtoi presidenti amerikan, “Është e njëjta ndjenë si ajo e patriotëve amerikanë të cilët vendosën të ngriheshin në revolucion kundër tiranisë. Është i njëjti frymëzim”, theksoi presidenti Obama, “i cili ka tërhequr imigrantët në këtë vend dhe është i njëjti instinkt që na shtyri të vendosnim flamurin tonë në Iwo Jima dhe mbi sipërfaqën e Hënës.”
Selma tha ai “është një ide që është ruajtur nga gjenerata të tëra që kanë besuar se për të dashur këtë vend nevojitet jo vetëm që ai të lavdërohet, ose të mos thuhen të vërteta që dëmtojnë reputacionin e tij, por atdhedashuria kërkon edhe gatishmërinë për të folur të vërtetën dhe nganjëherë për të shkundur statuquonë.” Duke iu referuar influencës që marshimi i Selmas ka patur në të kaluarën dhe që ka tani jo vetëm në këtë vend, por edhe anë e mbanë botës, Presidenti Obama u shpreh se, “Të rinjët e të rejat matanë perdesë së hekurt morën shembull nga marshimi në Selma dhe do të shëmbënin murin…. Edhe brezi i sotëm i të rinjve dhe të rejave nga rrugët e Tunisit e deri tek Maidani në Ukrainë, mund të gjëjnë frymëzim e fuqi nga ky vend, ku të pafuqishmit mundën të ndryshonin superfuqinë më të madhe të botës, duke detyruar udhëheqsit e saj që të zgjëronin kufijtë e lirisë.” Z. Obama përshëndeti me krenari diversitetin etnik të Amerikës, duke deklaruar se ne jemi imigrantët e ardhur nga vendet përtej deteve, ne jemi skllevërit që ndërtuam Shtëpinë e Bardhë dhe ekonominë e jugut….”
Duke përfunduar fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvijoi se “kemi rrëxuar aristokracitë e vjetëra duke besuar se Perëndia na ka falur disa të drejta që nuk janë të tjetërsueshme nga askush dhe se këto të drejta dhe përgjegjësi ne i ruajmë nepërmjet një sistemi vet-qeverisjeje që rrjedhë nga populli dhe për popullin.”
Presidenti Obama përfundoi fjalimin e tij duke porositur se “Selma na tregon se Amerika nuk është projekti i asnjë personi, sepse fjala më me rëndësi në demokracinë tone është, “Ne, Populli” . “Amerika nuk është pronë e asksujt. Ajo i përket të gjithve. Çfarë detyre fisnike kemi përpara, që vazhdimisht të përpiqemi të përmirsojmë këtë vend tonin madhështor”, theksoi ai.
Duke folur shpesh gjatë fjalimit me frymën e një predikuesi me shpresë për të ardhmen e vendit, udhëheqsi amerikan tha me këtë rast se, “Ne nderojmë ata që ecën, ashtuqë ne të mund të vrapojmë. Ne duhet të vrapojmë ashtuqë fëmijtë tanë të kenë mundësi të fluturojnë. Dhe ne nuk do të lodhemi në këtë udhëtim. Sepse ne besojmë në fuqinë e mrekullueshme të Madhit Zot dhe sepse ne besojmë në premtimin e shënjtë të këtij vendi”, përfundoi fjalimin e tij presidenti Barak Obama, me rastin e 50-vjetorit të marshimit në Selma të shtetit Alabama, për sigurimin e të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Histori Tagged With: AMERIKËN, Frank shkreli, MARSHIMI, qe ndryshoi

Kamber Benja-Fytyre e paster,tragjike!

March 8, 2015 by dgreca

Ne Gazeten DIELLI ne 10 Gusht 1916,BOSTON U.S.A pas vrasjes se Kamberit u botua artikulli: NJE DESHMOR ATDHETAR/
NGA ENGLANTINA MANDIA/
Kamber Benja{Permeti} lindi ne Benje te Kelcyres ne vitin1873.Qysh ne feminine e hereshme u rrethua nga atmosfera e Rilindjes Kombetare dhe iluminizmi I Frashioteve te medhenj,qe u bene ideale te brezave te tere.,
Mesimet e para Kamberi I nxuri ne shkollen fillore te Permetit.I vazhdoi me tej ne Korce,Janine,Selanik
Ne Manastir ne moshen 24 vjecare u lidh me “Komitetin shqiptar per lirimin e Shqiperise”,te formuar nga Gjergj Qiriazi Pa sakrificat e kesaj plejade te re, plot enderra te zjarrta,as qe mund te arrihej PAVARESIA
Ne ditarin e tij,Kamberi shkruante:Sigurisht,kjo fletore shenimesh s’eshte thjeshte nje ditar personal.Ne qe zoti na caktoi fatin ta shohim me syte tane te paret,pas 500 vjetesh,Flamurin e Skenderbeut,te valvitej I lire,ne Vlore,kemi nje mision dhe vetem nje mision:Shqiperine e Lire
Me urdheruan te nisem ne Lushnje e Berat,u poqa edhe me Nexhipin qe me tha:Ti e di besen tone .Ne e thame se do te behet Shqiperia,edhe ne kete alarm e qamet te madh,do te behet se s’ben!
Eshte I gatuar prej zjarri dhe rrufesh,nipi im Nexhip Benja e nuk e ndalte asgje kete luftetar me fjale burri me te forte se guri.Me djem te tille nuk do te mbetej kurre ne udhe te madhe memedheu,pa u siguruar njerezise,jeta,nderi e pasuria.
Ne Gazeten DIELLI ne10 Gusht 1916,BOSTON U.S.A pas vrasjes se Kamberit u botua ky artikull:

NJE DESHMOR ATDHETAR

Mema Shqiperi eshte ne vajtim dhe derdh lot per nje birin e saj,qe ra deshmor mbi kraharorin e saj.Fatkeqi atdheu yne desh te shih ne kete kohe te kritikeshme vrasjen e z.Kamber Permeti….Nuk i mesuam hollesite e kesaj ngjarje,po vetem nje leter e ardhur nga Permeti,na jep kete lajmen e hidhur,qe shenuam me siper
I ndjeri deshmor,si morri pjese ne gjindermarine turke,me trimerine qe kishte treguar arriti graden e oficerit,mendja e tij kishte gjithenj lirine e atdheut te dashur gjithashtu nga ajo deshire qe I digj zemren,mesoi shqipen fare mire me te shkruar e me te kenduar.Kur u proklamua veteqeverimi shqiptar,rendi t’I sherbente atdheut te dashur dhe ne qeverine provizore u pranua me graden qe kishte,sherbeu gjithashtu me ate grade edhe ne kohen e mbretiuart…
Kamberi u gjend ne vorbullen e luftes se pare boterore dhe kaosit te brendshem qe si nje gjeratore po rrotullonte fatet e Shqiperise drejt gremines.megjithese ajo qe shpallur asnjeanese.
Ai shkruante ne ditarin e tij jo pa nje dritherime ne shpirt:
ZOTI NA RUAJT,SE MOS NA E COPETOJNE KETE CIKE ATDHE!
Ngjarjet u rokullisen me aq shpejtesi,sa nuk na lane kohe per meditime,vetem per vendime te shpejta ushtarake.Sapo formuam komitetin tone ne Elbasan,vendosem ti bashkojme forcat ushtarake te patrioteve,Ali Koprenckes se Lushnjes e Sokol Radeshit te Beratit.Vendimin e morrem duke shpresuar qe forcat Austro-Hungareze,qepo zbrisnin ne juge duke ndjekur ushtrine serbe,aleaten e Esadit,ta gjenin Shqiperine,me Flamurin e Kastriotit,dhe jo me Yllin e zi te Toptanasve.
Edhe per kete ngjarje gazeta Dielli e 10 Gushtit 1916,shkruante:
“Keshtu ky trim iu sul Beratit qe te shtypte mikrobet e brendeshme.U perpoq burrerisht ta mbante flamurin me nder te valonte mbi kala te Beratit,po mjerisht u shternguan ta linin ata vend ne duar te rebeleve”
Per hakmarrje Esad Toptani burgosi Zenelin,te birin e Kamberit ne moshe ende te mitur.
As kercenimet per vrasjen e te birit,nuk e mposhten,as e perkulen Kamberin,qe e vazhdoi luften balle per balle,burrerishte ndaj Toptanasit deri sa e detyroi te mbyllet vetem ne Durres.
Shpartallimi i plote i ushterise Serbo-Malazeze prej Austro-Hungarezeve,formimi I nje administrate thjeshte shqiptare,ngritja edhe njehere e flamurit kombetar,per te cilen Kamberi shkruante keto vargje ne ditarin e tij:”Te shoh flamuri I Skenderbeut,burrat e dheut per ty rane deshmore”,i ngjallen edhe njehere shpresat te patriotet se me ne fund po gjenin nje mbeshtetje e perkrahese te shqiptareve.Edhe Kamberi I mbushur me besim te plote e ndjenja te sinqerta,kur Austriaket filluan organizimin e ushterise shqiptare,morri komanden e batalionit te sapoformuar”Peqini”.Batalioni u vendos buze Vjoses ne Fier,kunder trupave te ushterise italiane.
Arkeologu Hasan CekaShkruan ne librin etij APOLLONIA-f 18,Tirane 1958
Gjate luftes se pare boterore erdhen ne Pojan dy arkeologe austriake,te cilet kishin ardhur te bejne studime arkeologjoke,ne ate pjese te Shqiperise.qe ishte pushtuar nga ushteria Austro-Hungareze.Ata I perqendruan punimet etyre kryesisht ne Pojan ku u zhvilluan disa germime te kufizuara.Ata mblodhen ne Pojan dhe rrethet e aferme,te gjitha skulpturat me te rendesishme persa I perket vleres se tyre artistike dhe deshen t’I transportonin keto per ne Durres,dhe se andejmi per ne Vjene.
Ata hasen ne kundershtimin e vendosur te tre oficereve shqiptare qe sherbenin ne ate kohe ne rradhet e ushterise Austro-Hungareze.Kjo vendosmeri I pengoi per nje kohe austriaket ta vene ne jete kete grabitje,por patriotet e paguan kete kundershtim me koken e tyre!
Keta oficere perpara te cileve u luajt kjo tragjedi qene Kamber Permeti{Benja} me dy oficere te rinj azgane e bukurosh ne kulmin e rinise ,togeri Bexhet Manastirliu nga Plasa e Korces dhe Abaz Taushani nga Elbasani.
Komanda “Aleate.mike” kurdisi nje gjyq ushtarak per tradheti te larte bashkepunimi me italianet,I denoi me vdekje dhe I ekzekutoi me shpejtesi.
Deshmimtari okular Myfti Muharrem Mullai tregon:
Austriaket me thirren per t’ju bere lutjen e fundit,tre oficereve shqiptare te lidhur krah per krah,qe po I shpinin ne pushkatim ne 4 . Qershor 1916,buze lumit te Gjanices.Oficeret ishin Kamber Permeti,Abaz Taushani dhe Bexhet Manastirliu,te cilet me dorezuan amanetet e fundit per familjet e tyre.
Skuadra e pushkatimit,qe drejtohej nga oficeri Austriak,I vuri buze ledhit dhe desh t,ju lidhte syte.Kamber Benja protestoi:”Nuk jemi tradhetare,po pushkatohemi,per nje ceshtje te shenjte e te drejte.
Skuadra e pushktimit zbatoi vendimin dhe une pashe me syte e mij si u plandosen perdhe ata burra ,si lisa!
ZOTI I KA PRANUAR NE XHENET SE TE XHENETIT ISHIN.

LETRA E FUNDIT E KAMBERIT ISHTE KJO:

DJALI IM ZEJNEL ABEDIN PERMETI
LUSHNJE
Pse u arratis batelioni I Semanit,pa asnje te drejte po vritem
Zoti qofte ndihmesi I juaj.Prej te hollave qeme kish lene baba Ramadani,19lira I akam dheneZ,Adem e Qerim,merrini Edhe per pronjen e Fratarit kam dhene1500 grosh,merrini te gjitha e ne mos paci fuqi e ne mos mundeshi merrini tok me z. Adem
Djalit te Qerimit z.Mehmet I kam dhene 15 napolone,merrini.Gjithashtu edhe me Qamil beun kam llogari,merrini.Gjithe afersise e miqve te falura.
Ja pra keshilla ime e fundme eshte kjo.Punoni mire.Zoti qofte me ju.Pelen shiteni.Z.Irfan Brahimit te fala nga une e kurdohere te ini nen kontrollin e tj.Myrtezait edhe Nimetit per here te fundit u puth syte,
SHPIRTI IM.DJALI IM,ATIMI JUAJ:KAMBER ALI
RROFTE SHQIPERIA!
Shtojce:300 grosh nje lre dhe oren ia dhashe imamit,qe me imnosi

Filed Under: Histori Tagged With: Englantina Mandia, Kamber Benja-Fytyre e paster, tragjike

Shpërnguljet me dhunë dhe shkolla e parë shqipe

March 8, 2015 by dgreca

Nga Fahri Xharra/
Një popull i vjetër ose ndryshe e thënë populli më i moçmi i Europës , e feston një ditë të shënuar , hapjen e mësonjëtorës shqipe gati 420 vjet pas vdekjës së Skënderbeut.
Populli që lindi së bashku me Diellin dhe Hënën , populli që ia dha Europës Europën , populli që ia mësoi botës civilizimin krenohet me një ditë të madhe për te.
“128 vjet më parë, më 7 mars 1887, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe.Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike. Veç tjerash konsiderohet një fitore për popullin shqiptar, pasi deri atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyre të fshehtë. Shkolla qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.”
Ne shumë pak i përmendim kohërat të cilat nuk na lernin të merrnim frymë e lëre më të shkonim në shkollë. Dhuna ndaj nesh si një popull gati i ardhur nga qielli ishte aq e madhe sa që memzi kemi shpëtuar nga humbja e tërësishme e fares sonë. Ashtu na donin, të pashkollë , ashtu na donin të pa tokë që të humbisnim në kotet e shekujve , ashtu na donin që eshtrat tona të mos gjinden as në male e as në rrafshina. Ashtu na donin që të mos jemi …. Por ja që jemi, por ja që jetojmë dhe gjallërojmë përkundër asaj dëshire të parealizuar qindra vjeçare ; dëshirë dhe ambicje e qoftlargut .Por ata qoftëlargët nuk ishin vetëm, ishin një grup që vepronte në harmoni e i cili po vepron edhe sot e kësaj dite, në mënyra pak a shumë të njejta. Metoda të ngjajshme ,po që po.
Serbia mbasi që e kaloi një skëterrë në Shqipëri ( falë Austro-Hungarisë ose “Si e krijoi Austro-Hungaria shtetin shqiptar”, Elena Kocaqi Levanti ,2012) , në territorine saj të cilin ia vizatoi dhe ia dha Konferenca Londrës(1912) mendonin se si përjetësisht të zgjidhnin problemin më shqiptarët e mbetur në toka shqiptare e që u ngrysën në harten serbe. Mënyra më e lehta ishte shpërngulja me dhunë nga tokat e tyre , por kjo donte edhe bashkëveprues . Bashkëvepruesit të nisur nga interesat e tyre ishin të gatshëm të ia zgjatnin dorën Serbisë për një bashkëveprim aq të denueshëm sa edhe vrasës .
Turqia në mënyrë të vendosur e ushqente migrimin e madh të shqiptarëve për në Turqi. Në dokumentat serbe e gjejmë se ideja kryesore për shpërnguljen e shqipëtarve nga Serbia apo Jugosllavia vinte nga vet faktori politik i Turqisë së kohës që po flasim.
” Xhemil Beu, anëtarë i komitetit revolucionar turk . e kishte sjellur nga Stambolli një regleman për shpërnguljen ( emigrimin) e muslimanëve nga krahinat e humbura turke.
(Antiç Çollak,12.06.1914, nga Sofja e Bullgarisë)
Për shpenguljen e muslimanëve(Turqëve) nga shtetet ballkanike ishte caktuar Anadolli e për shqiptarët edhe vilajetet e Halepit dhe Bagdadit (Siri dhe Irak) .( Za naseljavanje muslimana [Turaka] iz balkanskih drzhava odredjena je obala Anadolije a za Arbanase vilajeti Halep i Bagdad”, u Siriji i Iraku.[2] A. Hadri, Kosovo i Metohija, 74-75.
Zh. Avramovski, Prilog, 124.)
Sigurisht që e vërejtët një anomaali në shprehje : “ Për shpenguljen muslimanëve(Turqëve) nga shtetet ballkanike ishte caktuar Anadolli” dhe “për shqiptarët edhe vilajetet e Halepit dhe Bagdadit “ . Sepse të gjithë shqiptarët që janë shpërngulur në Turqi kanë shkuar atje si turq ( elhamdyrilah).
….Në mbledhjen e “Këshillit të Përherëshëm të marrëveshjes”, në Shkurt 1938 të thirret në Stamboll konferenca e Jugosllavisë dhe e Turqisë në praninë e vrojtuesit grek për sigurimin e parave pë vendosjen e të shperngulurve të jugosllavisë në Turqi
Sidoqoft sot apo si që të ket qenë dikur , ne gëzofshim ditën e mësuesit !
07.03.2015
Gjakovë

Filed Under: Histori Tagged With: dhe shkolla, e parë shqipe, Fahri Xharra, Shpërnguljet me dhunë

“STONE CASTLE” E RRUSTEM GECAJ FITON NE JAPONI

March 8, 2015 by dgreca

Vera e Rahovecit – Kosovë merrë pjesë në panairin më të madh të ushqimit FOODEX 2015 në Japoni/
Nga Beqir SINA – New York/
TOKIO JAPONI: Nga 3 deri në 5 Mars 2015, në Tokio Japoni është organizuar një prezantim ndërkombëtar të Produkteve Ushqimore dhe Eksportuese prodhimeve bujqësore me partnerët e saj në Japoni – me pjesmarrjen për her të parë edhe prodhimet e kompanisë kosovare “Stonecastle Vineyards and winer y “L.L.C.
Eshtë, interesant fakti se vera e kësaj kompanie Stone Castle nga Kosova, është me pronar një shqiptaro amerikan zotin Rrustem Geci – një nga investitorët e parë dhe të fuqishëm në Kosovë – i cili arriti të prezantojë produktet e saj mbas Europës, SHBA, edhe në Japoni, në mesin e prodhuesve të verërave nga më të njohurat në botë.
Vera e Rahovecit Stone Castle, thuhet se udhëtoi për në Japoni për të marrë pjesë në ekspozitën e FOODEX 2015 me një qëndrim të veçantë për herë të parë, informon shtypi japonez, i cili në gazetat kryesore e ka pikasur këtë verë si ndër më të mirat.
Panairi i ushqimit “Foodex 2015” është më i madhe në industrinë e ekspozitave të ushqimit vjetor në Azi-Paqësor.
“Ne jemi të kënaqur që japonezët kanë gjithnjë e më shumë mundësi për të provuar vitet e fundit edhe produktet ushqimore të Kosovës. Ne shpresojmë se prodhuesit kosovar do të hyjnë në tregun japonez më me guxim dhe se biznesmenët japonezë do të kenë mundësinë për të furnizuar konsumatorët e tyre me cilësi të tregtueshme dhe të produkteve nga Kosova,” ka thënë një përfaqësues i kësja kompanie për shtypin japonez.
Në rrejtin social facebook, thuhet se vera e Rahovecit Stone Castle, i është prezantuar përfaqësuesve të shoqatave japoneze të biznesit, dhe kompanive tregëtare të interesuara për blerjen dhe shpërndarjen tregtare të kapaciteteve e prodhuesve të kësaj kompanie, për të furnizuar tregun multimillion japonez me një grup të madh të mallrave, që vijnë nga e gjithë bota.
Vreshtaria dhe Verëtaria “Stonecastle Vineyards and winery” L.L.C. në Rahovec është prodhuesi më i madh i verës në Kosovë dhe ndër më të mëdhenjët në Ballkan.
Kjo kompani ka filluar veprimtarin prodhuse, që nga viti 1953, fillimisht si Ndërmarrje Shoqërore, ndërsa privatizuar , nga pronari i saj shqiptaro amerikan Rrustem Gecaj dhe Hysen Gecaj, në gusht të vitit 2006. Kompania “Stonecastle Vineyards and winer y “L.L.C. posedon me 2200 Hektar tokë bujqësore, nga të cilat 650 hektar janë vreshta aktive. Kapacitetet rezervuese të Verëtarisë janë 300 000 HL, nga të cilat 50 000 HL janë fuqi druri, për verat e cilësisë së lartë.
Sipas burimeve arkoologjike, në Regjionin e Rahovecit është kultivuar rrushi, nga i cili është prodhuar vera, që në Iliri, duke u falenderuar kushteve të volitshme agro-klimatike të këtij regjioni.
Vera e cila quhet Stonecastle Vranac Premium 2007 vjen nga lugina e Rahovecit të Kosovës dhe është e bërë nga lloji më i vjetër i rrushit në botë, vranac, që është rrush origjinal i Ballkanit.
Shishet e para dolën në shitje në fillim të marsit 2007 dhe para promovimit u shitën £7.99 për shishe.
Vera kultivohet në Kosovë për më se 2000 vite dhe ka një klimë kontinentale ideale për vreshtari, por vetëm tash ia ka arritur që të filloj të bëj emër në botë. Gjatë kohës së ish Jugosllavisë komuniste verërat e Kosovës eksportoheshin nëpërmjet Beogradit.
Stonecastle Vranac Premium 2007 ka marrë kritika të mira nga testuesit e verës. Siç tha një testues vere, Richard Ehrlich: “Po testoja këtë verë intriguese për më shumë se tre orë në mbrëmjen e të premtes së kaluar, dhe sa më shumë që pija, aq më shumë më pëlqente”.
Kjo kompani prodhon 10 lloje verërash nga më të famshmet në botë.
Vera e Rahovecit ka filluar të dalë për herë të parë në tregun botërorë, 6 vjet më parë kur ajo folli të shitet në supermarketin e mirënjohur britanik Waitrose – me qëllim promovimi me £5.69, 25% më lirë se zakonisht.

Filed Under: Histori Tagged With: cmim ne Japoni, Rrustem Gecaj, Vera e Rahovecit

Si shpëtoi Mbreti Zog nga 15 plumba në Vjenë

March 5, 2015 by dgreca

Jehona në shtypin e asaj kohe/
Pergatiti: ARTUR AJAZI/
Një nga atentatet e bujshme të ish-Mbretit Ahmet Zogu Parë, ka qenë padyshim edhe ai i ndodhur në mbrëmjen e 20 shkurtit 1931 në Vjenë. Lidhur me ngjarjen ja çfarë shkruante një gazete e huaj perëndimore. “Informacionet e mundësive të një hakmarrjeje të mundshme ndaj vdekjes së majorit Topallaj, i cili u vra këtu së fundmi në përpjekje të mbrojtjes së Mbretit Zog nga dy atentatorë, erdhën ditën e sotme nga kryeqyteti jugosllav, Beograd. Oficeri do të varroset ose në fshatin e tij malor të Matit, ose në Tiranë, ku ai jetonte së bashku me gruan e tij. Trupi i tij mendohet të mbërrijë në vendlindje në datën 5 mars nga qyteti i Durrësit. Kur shpallet një gjakmarrje ndaj vrasësve, të afërmit zakonisht ndjekin ritin solemn të betimit për të marrë hakun ose në varreza, ose pasi përcjellësit e të vdekurit të kthehen në shtëpinë e viktimës”. Njoftimet e mëparshme nga Shqipëria kanë treguar se të afërmit e viktimës mund të mblidhen së bashku për t u betuar që të hakmerren kundër vrasësve të Topallajt, i cili ishte adjutant i përkushtuar i Mbretit Zog, që po kurohej këtu në kryeqytetin austriak pas problemeve me grykët dhe stomakun. I njohur si një nga njerëzit më besnikë të Mbretit të Shqipërisë, Topallaj kishte arritur të fitonte besimin e padiskutueshëm të shefit të tij. Kjo i kishte dhënë frytet e veta në gradimin që mbreti i kishte bërë. Jo vetëm detyra e tij për ta shoqëruar atë në çdo hap, por edhe dhënia e gradës Major, ishin shpërblimet më të larta nga ana e Zogut. Besnikëria e tij u tregua më shumë se kurrë gjatë atentatit. Për të shpëtuar mbretin nga vdekja e sigurt, majori bëri të vetmin veprim që do të bënte një oficer besnik. Ngjarja e ndodhur në kryeqytetin austriak u cilësua si më të rëndat në Evropë. Sipas të përditshmeve vjeneze, më 20 shkurt në rrugën “Operngasse” (ora 22:15) të kryeqytetit austriak, Vjenë, 15 të shtëna pistolete iu drejtuan Mbretit Shqiptar, Ahmet Zogu. Ai shpëtoi mrekullisht, por nuk do të kishte qenë kështu po të mos ishte Llesh Topallaj, ndihmësi i tij, i cili në përpjekje për t i shpëtuar jetën, mbeti vetë i vrarë nga dy plumba në kokë. Nga atentati mbeti i plagosur edhe ministri i Oborrit Mbretëror, Ekrem Libohova. Një ngjarje e tillë ishte shumë e rrallë dhe nuk para ndodhte në Vjenë, e pikërisht në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit të kulturuar. Mbreti Shqiptar që këtë e kishte vizitën e dytë të tij në Pallatin e Operas në Vjenë, ishte duke ndjekur operan “Pagliaçi”, kur kërkoi të largohej 15 minuta përpara përfundimit të shfaqjes. Me sa duket, shfaqja nuk i kishte pëlqyer. Ai la lozhën dhe iu drejtua daljes anësore të Pallatit ku i prisnin dy makinat e tyre. Ndërkohë 2 persona kishin zënë pritë dhe sapo panë objektivin e tyre, nisën të hapnin zjarr. Nga 15 plumbat e shtënë mbetën të vrarë adjutant Llesh Topallaj, i cili si një besnik i vërtetë ndaj sovranit, vuri trupin si mburojë për të shpëtuar patriotin e tij. Ky veprim i kushtoi jetën pasi 2 plumba e goditën në kokë dhe e lanë të vdekur në vend. Megjithatë, plumbat goditën edhe ministrin Libohova, që mori dy të tillë në këmbë në përpjekje për t iu kundërpërgjigjur zjarrit të vrasësve, ndërsa një plumb tjetër i përshkoi kapelen. Llesh Topallaj, njeriu që mbeti i vrarë për të shpëtuar sovranin, ishte punonjës i Gardës së Shqipërisë. Në radhë të parë, Vjena u trondit për faktin që në zemër të saj iu bë atentat sundimtarit të Shqipërisë, dhe në radhë të dytë vënien në dyshim të sigurisë së këtij vendi. Një ditë më vonë, kryeqytetësja “Neue Freie Presse”, deklaroi me të madhe se me këtë ngjarje ishte cenuar mikpritja austriake. Dy atentatorët u arrestuan pak çaste më vonë, pas kryerjes së atentatit. Madje, sipas gazetës, në kapjen e tyre kishin dhënë ndihmesën kryesore një gazetashitës në fund të rrugës “Operngasse”. Kur Adolf Tresslet (gazetashitësi), pa që një person ishte duke u larguar me nxitim dhe i armatosur iu hodh përsipër atij, duke ia bërë të lehtë punën policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje. Atentatori i dytë u kap pak metra më tutje nga një patrullë policie. Sipas policisë atentatorët ishin Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi. Pas verifikimeve të para policia konfirmoi se shtetasit Gjeloshi dhe Çami të dy 37-vjeçarë kishin qenë oficerë xhandarmërie në vendin e tyre, ndërsa sot ishin emigrantë prej vitesh në Vjenë. Atyre iu gjetën pasaporta diplomatike jugosllave, çka lindi dyshimet e një atentati që e kishte pikënisjen nga Beogradi. Gjeloshi (që i kishte shërbyer princ Vidit), ishte me origjinë nga qyteti verior i Shqipërisë, Shkodra, dhe njihej si kundërshtar i ashpër i Mbreti Zog. Ndërsa Çami kishte lindur në Greqi, (Filat), ishte mbështetës i flaktë i Fan Nolit, kundërshtarit politik të Zogut. Një gazetë tjetër vendase shkroi se qëndrimi i Mbretit Shqiptar pas atentatit ishte i çuditshëm. Sipas gazetës, Zogu nuk u ishte kundërpërgjigjjur atentatorëve ashtu siç kishte bërë ministri Libohova. Sipas “Neues Wiener Journal”, ai ishte futur sërish në Pallatin e Operas, për t iu drejtuar më pas rezidencës së tij, hotelit “Imperial”, në dukje i qetë. Pas kësaj policia austriake nisi verifikimet për të mësuar se kush tjetër mund të fshihej pas emrave të vrasësve. Ata kaluan në sitë çdo shqiptar që gjendej në Austri qoftë rezident dhe të përkohshëm. Pas këtyre verifikimeve ata kryen dhe një sërë arrestimesh të tjera që mendohet të kishin lidhje me atentatin. Kështu, nga dita në ditë numri i të arrestuarve erdhi duke u rritur.Gazeta “Wiener Neuse Nachrichten” përmendi emrat e kësaj liste, ku përveç Aziz Çamit dhe Ndok Gjeloshit, në qeli përfunduan edhe Hasan Prishtina, Qazim Mulleti, Rexhep Mitrovica, Menduh Angoni, Angjelin Suma, Luigj Shkurti dhe Sejfi Vllamasi etj.

Filed Under: Histori Tagged With: Artur Ajazi, atentati me 15 plumba, Zogu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 547
  • 548
  • 549
  • 550
  • 551
  • …
  • 707
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT