• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RELACIONE TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT TË SHBA-së, LIDHUR ME SPASTRIMIN ETNIK TË POPULLIT SHQIPTAR DHE KRIMET SERBE KUNDËR NJERËZIMIT NË KOSOVË (1999) 

February 4, 2025 by s p

Arbër Hadri

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).

Abstrakt

Ky punim paraqet të dhënat kryesore të dokumenteve zyrtare amerikane lidhur me spastrimin etnik dhe krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, gjatë vitit 1999. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përpjekjet diplomatike për parandalimin e luftës, si dhe më pas në formë të drejtpërdrejt në bombardimin ushtarak të Serbisë milosheviçiane, rezultoi me angazhimin zyrtar të Departamentit të Shtetit në paraqitjen faktografike të barbarizmave të luftës së ushtrisë dhe policisë serbe ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Në këtë prizëm, si dhe të arsyetimit të domosdoshmërisë së përfshirjes së saj në luftë, Qeveria amerikane prezantoi në formë të argumentuar dhe të përpiktë mizoritë dhe krimet e luftës serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe nivelin dhe shtrirjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të drejtës e katastrofës humanitare.

Në periudhën kohore mars-qershor 1999, Departamenti i Shtetit dokumentoi mizoritë serbe në një sërë publikimesh zyrtare, duke përfshirë raportin e titulluar “Çrrënjosja e historisë: Spastrimi Etnik në Kosovë”, si dhe të “Raporteve javore të spastrimit etnik në Kosovë”. Raporti përfundimtar “Spastrimi Etnik në Kosovë: Dëshmi”, i botuar në dhjetor të vitit 1999, paraqet të dhënat e përditësuara të krimeve serbe në Kosovë, të kryqëzuara edhe me gjetjet në terren të institucioneve ndërkombëtare, Gjykatës së Hagës, si dhe ato të instaluara në Kosovë, KFOR dhe UNMIK. Faktet e përmbledhura, rezultuan me këto të dhëna: 11.000 (njëmbëdhjetë mijë) të vrarë në 529 varreza të identifikuara masive dhe të skenave të krimit. Vrasjet ishin vetëm njëra faqe e gjenocidit të orkestruar serb në Kosovë. Dokumentet amerikane pohojnë se më shumë se 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës, 90 % e popullatës së saj, ishin dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë. Në këtë kuadër, gjatë luftës në Kosovë, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, zbatuan një fushatë sistematike për spastrimin etnik të Kosovës nga popullata shqiptare.

Këto veprime të paramenduara gjenocidiale të Serbisë, përfshinin: ekzekutime në masë, djegien e trupave, zhvarrosje të varrezave masive dhe shkatërrimin e trupave njerëzore, dëbimin me dhunë të civilëve shqiptarë, plaçkitjen e shtëpive dhe bizneseve, djegien në masë të shtëpive, përdorimin e mburojave njerëzore, veçimin dhe arrestimin e meshkujve, dhunime, shkelje të neutralitetit mjekësor, çrrënjosje të identitetit etj. Këto dokumente zyrtare, të bazuara në burimet qeveritare amerikane, dëshmitë e refugjatëve, dokumentimin e organizatave joqeveritare, shtypin dhe burimet e organizatave ndërkombëtare, përmbajnë të dhëna objektive historike dhe statistikore dhe janë të një rëndësie të veçantë për historiografinë e Kosovës.

Fjalët çelës: Spastrimi etnik, Lufta në Kosovë, Departamenti i Shtetit, mizoritë serbe.

Argumentimi dhe prezantimi i fakteve lidhur me gjenocidin e organizuar shtetëror të Serbisë ndaj popullit shqiptar në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999, është një detyrë e rëndësishme për të gjitha sferat e shkencave shoqërore të Kosovës dhe më gjerë, e veçanërisht të historisë dhe juridikut. Dokumentet dhe të dhënat e kohës që janë në dispozicion për këtë dimension të rëndësishëm për zbërthimin e ecurisë dhe përfundimit të luftës në Kosovë, me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të saja të sigurisë për ndaljen e gjenocidit në qendër të Evropës, kryesisht janë në dispozicion si rezultat i angazhimit dhe përcaktimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dokumentimin dhe paraqitjen e këtyre barbarive serbe në prag të shekullit XXI. Ky veprim amerikan ishte në funksion të një përgjigjeje ndërkombëtare ushtarake ndaj Serbisë që orkestruan këtë gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë, si dhe për grumbullimin e të dhënave për gjykimin ndërkombëtar të kriminelëve serbë në krye me Milosheviçin.

Ky punim paraqet të dhënat kryesore të dokumenteve zyrtare amerikane gjatë vitit 1999, lidhur me spastrimin etnik dhe krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, si dhe veprimet e politikës së jashtme amerikane kundruall saj.

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përpjekjet diplomatike për parandalimin e luftës, si dhe më pas në formë të drejtpërdrejtë në bombardimin ushtarak të Serbisë milosheviçiane, rezultuan me angazhimin zyrtar të Departamentit të Shtetit në paraqitjen faktografike të barbarizmave të luftës ndaj popullit shqiptar në Kosovë, nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe. Në këtë prizëm, si dhe të arsyetimit të domosdoshmërisë së përfshirjes së saj në luftë, Qeveria amerikane prezantoi në formë të argumentuar dhe të përpiktë, mizoritë dhe krimet e luftës serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe nivelin dhe shtrirjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe të katastrofës humanitare në terren. Në periudhën kohore mars-qershor 1999, Departamenti i Shtetit i dokumentoi mizoritë serbe dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë në një sërë publikimesh zyrtare, duke përfshirë raportin e titulluar “Çrrënjosja e historisë: Spastrimi etnik në Kosovë”(Erasing History: Ethnic Cleansing in Kosovo) botuar në maj të vitit 1999, si dhe të “Raporteve javore të spastrimit etnik në Kosovë”. Raporti përfundimtar “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi” (Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting), i botuar në dhjetor të vitit 1999, në të cilat paraqiten të dhënat e përditësuara të krimeve serbe dhe gjenocidin në Kosovë, të kryqëzuara edhe me gjetjet në terren të institucioneve ndërkombëtare, Gjykatës së Hagës, si dhe ato të instaluara në Kosovë, KFOR-it dhe UNMIK-ut, është dokumenti zyrtar më kredibil, i hartuar nga një Qeveri ndërkombëtare, me të dhëna të sakta, gjithëpërfshirëse me qëllim të dokumentimit të shkeljes së të drejtave të njeriut, ligjit humanitar dhe gjenocidit serb në Kosovë.

Rrethanat që ndikuan në përpilimin e këtyre raporteve ishin të ndërlidhura me gjendjen në Kosovë dhe relacionin që në këtë kuadër kishte politika e jashtme amerikane. Për këtë shkak, në këtë punim do të elaborojmë shkurt edhe qëndrimin e saj. 

Eskalimi i situatës së sigurisë në Kosovë në pjesën e dytë të vitit 1998, kyçi politikën amerikane në formë direkte me synim të parandalimit të luftës në Kosovë, vendosjes së paqes dhe gjetjes së një zgjidhjeje politike për statusin e ardhshëm të Kosovës. Interesat e sigurisë kombëtare amerikane ishin prekur, meqë kontingjenti ushtarak i saj gjendej në afërsi të Kosovës, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Po ashtu, kredibiliteti i institucioneve politike e ushtarake ndërkombëtare ishte vënë në pikëpyetje, shenjat e katastrofës humanitare ishin evidente në terren në Kosovë, si dhe kishte presion të jashtëzakonshëm medial ndaj qeverisë amerikane për veprim. Ashpërsimi i situatës rrënuese në terren si rezultat i ofensivave ushtarake serbe, shënon një kaptinë të veçantë në aspektin e vendosmërisë së politikës amerikane drejt ndalimit të mizorive të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë, duke përfshirë edhe nxitjen e intervenimit ushtarak të NATO-s (Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut – North Atlantic Tractact Organization). Kjo qasje, ishte në linjë me krijimin e një platforme dhe mundësie përfundimtare politike, për ndërprerjen e luftimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqësore. 

Situata në terren në Kosovë në këtë kohë ishte shpërthyese. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe Lëvizja Paqësore, ishin kategorikisht kundër çdo zgjidhjeje që parashihte autonominë përpos pavarësisë së plotë të Kosovës. Qëndrime diametralisht të kundërta kishte shteti i Serbisë, i cili e shihte popullin shqiptar në Kosovë, si një kërcënim për projeksionet e saja nacionaliste dhe ekspansioniste në Ballkan. Ky synim u dëshmua që nga fillimi i viteve 80, me instalimin e aparteidit shtetëror serb dhe shtypjen e lirive të njeriut në Kosovë; ndrydhjen e identitetit kulturor, arsimor e shkencor; suprimimin e autonomisë politike të Kosovës; spastrimin etnik dhe vrasjet makabre, si dhe aktet gjenocidiale që pushteti serb në formë të organizuar e të qëllimshme i realizoi në Kosovë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, regjimi serb i Slobodan Milosheviçit kishte për qëllim zbatimin e misionit të tij për rikonfigurimin etnik të Kosovës, në favor të Serbisë.

Sjellja në një linjë e këtyre qëndrimeve diametralisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë, ishte një sfidë e madhe edhe për politikën e jashtme amerikane, e cila ishte në një presion medial të brendshëm për veprim, me qëllim të ndaljes së katastrofës humanitare dhe masakrave të popullit shqiptar të Kosovës, si dhe parandalimit të rrezikut për destabilizim në rajon dhe Evropë. Një element i rëndësishëm që ndikoi në përkushtimin dhe determinimin e administratës amerikane për ta ndalur luftën dhe tʾi japë kah zgjidhjes së Kosovës, ishte eksperienca jo e mirë me Bosnjën ku kishte më shumë se njëqindmijë persona të vrarë dhe fytyra e nacionalizmit milosheviçian ishte demaskuar tërësisht. Qëndrimi i prerë i Presidentit Klinton, ishte se “nuk do të lejonte një Bosnjë të dytë të ndodhte në zemër të Evropës në prag të shekullit XXI”.

Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si superfuqia e vetme botërore, vepruan duke shfrytëzuar potencialin e saj diplomatik, ushtarak dhe mekanizmat e saj në institucionet ndërkombëtare NATO, OSBE, OKB dhe Grupin e Kontaktit, që Aleatët e saj dhe Bashkësia Ndërkombëtare ta kenë një zë në atë situatë, si dhe të ushtrojnë trysni qenësore ndaj regjimit serb të Milosheviçit për parandalimin e eskalimit të mëtutjeshëm të luftës dhe akteve gjenocidiale ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Me gjithë përpjekjet e pareshtura diplomatike, Serbia në krye me Milosheviçin nuk ndalej në ushtrimin e dhunës në terren në Kosovë, që rezultoi me fillimin e përgatitjeve të Administratës Amerikane për mundësinë e përgjigjes me intervenim ushtarak, nëse nuk pranoheshin kushtet e Bashkësisë Ndërkombëtare.

Çështja e intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë ishte vu në radhitjen prioritare të politikës së jashtme amerikane. Tani më, kjo agjendë ishte në binarë të zgjidhjes politike dhe ushtarake, e në këtë aspekt u përfshinë në lëvizje edhe agjencitë ndërshtetërore duke vepruar me zhvillimin e udhëzimeve të duhura për Misionin e Shteteve të Bashkuara në NATO, me qëllim të inicimit të procesit formal të gjenerimit të operacioneve ushtarake ajrore.

Përpjekjet e fundit të diplomacisë shtrënguese amerikane të shoqëruara me kërcënim kredibil të përdorimit të forcës, me synim arritjen e një zgjidhjeje diplomatike para përfshirjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, ndaljes së luftimeve në terren, si dhe kthimit të të përndjekurve në shtëpitë e tyre, rezultuan me sukses vetëm në tetorin e vitit 1998. Me gjithë përpjekjet pasuese të diplomacisë shtrënguese amerikane Serbia milosheviçiane nuk pranoi propozimin e paqes në Rambuje dhe me këtë filloi edhe bombardimi 78 ditor i saj. Sulmet ajrore nxitën edhe nisjen e zbatimit të planit gjenocidial të Serbisë për shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët. Më shumë se 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës (rreth 90% të popullatës), sipas raporteve amerikane u dëbuan me forcë nga vendi i tyre, në kuadër të zbatimit të fushatës sistematike të Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. ShBA-ja tani më kishin hyrë në luftë dhe ishte e domosdoshme që të faktohej edhe arsyeshmëria e këtij veprimi. Në këtë kuadër, Departamenti i Shtetit Amerikan ndërmori publikimin e një sërë raporteve zyrtare me qëllim të demaskimit të akteve gjenocidiale të orkestruara të Milosheviçit dhe Serbisë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Informacionet në këto raporte zyrtare amerikane u bazuan në të dhënat e ICTY (The International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia- Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë) dhe KFOR-it ndërlidhur me eksumimin e trupave dhe të dhënat për varrezat masive, dëshmitë e refugjatëve, dokumentacionin e OJQ-ve, dëshmitë e shtypit dhe informacione të deklasifikuara nga burime të qeverive dhe organizatave ndërkombëtare. Mizoritë kundër shqiptarëve të Kosovës të dokumentuara në këtë raport kanë ndodhur kryesisht ndërmjet marsit dhe fundit të qershorit 1999. Përmbajtja e raportit përfundimtar “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi” (Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting), konsiston në kapitujt më se vijon: Përmbledhja e përgjithme; Prezantimi; Vështrim i përgjithshëm; Dokumentimi i mizorive; Procesi i intervistimit të refugjatëve; Paslufta; Mizoritë dhe krimet e luftës sipas vendndodhjes; si dhe Shtojcë: Lista e faqeve të internetit me shënime përkatëse.

Një ndër çështjet thelbësore të trajtuara në raport është numri i viktimave të shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga ana e forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Shumë prej trupave u gjetën nga KFOR-i dhe ICTY-i kur hynë në Kosovë në qershor të vitit 1999. Provat e prezantuara janë fuqiplota, meqë pos të dhënave të tjera janë shoqëruar edhe me gjetjet profesionale dhe mjekësisë ligjore të ICTY dhe KFOR-it, duke konkluduar se forcat ushtarake-policore serbe kryen një fushatë sistematike për të djegur dhe shkatërruar trupat, për të varrosur trupat, si dhe më pas për rivarrosjen e tyre për të fshehur provat e krimeve makabre serbe. Departamenti i Shtetit, në këto raporte zyrtare paraqiti përfundimin se të paktën 6,000 shqiptarë të Kosovës ishin viktima të vrasjeve masive, nga një numër dyfish më i madh i viktimave të përgjithshme duke përfshirë edhe vrasjet individuale, dhe një numër të panjohur trupash të djegura ose shkatërruara nga forcat serbe gjatë gjithë luftës.

Departamenti i Shtetit Amerikan në këtë dokument, po ashtu, paraqet edhe konkluzionet e Zyrës së Kryeprokurores së ICTY-së Carla Del Ponte me rastin e prezantimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 10 nëntor 1999, se në Kosovë kishte më shumë se 11,000 persona të vrarë në 529 varreza masive dhe lokacione të vrasjeve të raportuara në Kosovë. Prokurorja theksoi se zyra e saj kishte zhvarrosur 2,108 trupa nga 195 prej 529 varrezave masive të njohura. Nga këto të dhëna Departamenti i Shtetit sugjeron se janë rreth 6,000 trupa në varreza masive në Kosovë, nëse bazohet në faktin se 334 varreza masive të paekzaminuara deri më tani përmbajnë të njëjtin numër mesatar të viktimave. 

Këto fakte të përmbledhura të Departamentit të Shtetit të ShBA-së, rezultuan me këto të dhëna: 11.000 (njëmbëdhjetë mijë) të vrarë në 529 varreza të identifikuara masive dhe të skenave të krimit. Vrasjet ishin vetëm njëra faqe e gjenocidit të orkestruar serb në Kosovë. Dokumentet amerikane pohojnë se më shumë se 1.5 milionë shqiptarë të Kosovës, 90 % e popullatës së saj, ishin dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë. Rreth 600.000 mijë prej tyre ishin zhvendosur brenda Kosovës në kushte çnjerëzore, gjersa pjesa tjetër ishte dëbuar me dhunë në shtetet fqinje, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe në Mal të Zi. Në këtë kuadër, gjatë luftës në Kosovë, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, zbatuan një fushatë sistematike për spastrimin etnik të Kosovës nga popullata shqiptare. Këto veprime të paramenduara gjenocidiale të Serbisë, përfshinin: ekzekutime në masë, djegien e trupave, zhvarrosje të varrezave masive dhe shkatërrimin e trupave njerëzore, dëbimin me dhunë të civilëve shqiptarë, plaçkitjen e shtëpive dhe bizneseve, djegien në masë të shtëpive, përdorimin e mburojave njerëzore, veçimin dhe arrestimin e meshkujve, dhunime, shkelje të neutralitetit mjekësor dhe çrrënjosje të identitetit. 

Pjesa më e madhe e këtyre raporteve “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi”, “Çrrënjosja e historisë: Spastrimi etnik në Kosovë” dhe “Raporteve javore të spastrimit etnik në Kosovë”, përshkruajnë vendet e vrasjeve dhe varrezave masive të raportuara në mbarë Kosovën që nga fundi i marsit 1999. 

Pjesë e raportit “Spastrimi etnik në Kosovë: Dëshmi (Ethnic Cleansing in Kosovo: An Accounting)”, është edhe pjesa e ndërlidhjes së akteve gjenecodiale serbe me lokacionet përkatëse në Kosovë, e titulluar “Mizoritë dhe krimet e luftës sipas lokacioneve (Atrocities and war crimes by location)”.

Pjesa më e madhe e këtij raporti përshkruan vendet e vrasjeve dhe varrezave masive të raportuara në mbarë Kosovën që nga fundi i marsit 1999. Ekipet mjeko-ligjore dhe hetuesit e krimeve të luftës nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe një numër i qeverive që punuan në emër të ICTY, si dhe nga ana e Forcës së Kosovës (KFOR), kanë realizuar hetimin e vendeve të vrasjeve dhe varrezave masive. Lokacionet janë paraqitur si vende të “raportuara”, që konsiderohen raporte të besueshme të vrasjeve ose vendeve të varrezave masive, si dhe vende të “konfirmuara” që janë vende të raportuara ku janë kryer dhe përfunduar hetimet në terren të mbështetura nga ICTY apo KFOR-i.

Raporti i lokacioneve në formë përmbledhëse paraqet të dhëna se në Kosovë janë më shumë se 500 varreza masive dhe lokacione vrasjesh të cilat janë regjistruar nga ICTY, KFOR-i dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Numri i përgjithshëm i personave të vrarë të raportuar në ICTY në më tepër se 500 varreza është më shumë se 11.000. Nga këto 500 lokacione, ICTY ka konfirmuar përfundimin e hetimeve në terren në rreth 200 vende, që nga fillimi i nëntorit 1999. Më shumë se 2.100 njerëz të vrarë janë konfirmuar se janë gjetur nga hetuesit në më tepër se 160 lokacione. Raporti sugjeron se duke marrë parasysh të dhënat e parashtruara, numri i përafërt i personave të vrarë në varrezat e identifikuara ishte më shumë se 6.000. 

Raporti i klasifikon viktimat në tri kategori: “1. Viktimat e varrosura në varrezat masive, vendndodhja e të cilave nuk dihet; 2. Numri i vendeve ku numri i saktë i trupave nuk mund të numërohen; si dhe 3. Viktimat, trupat e të cilëve janë djegur apo shkatërruar nga forcat ushtarake, pjesë e programit të shkatërrimit të provave nga forcat serbe në mbarë Kosovën dhe në Serbi”. Raporti paraqet në formë të detajuar në 72 faqe, lokacion për lokacion dhe për çdo komunë të Kosovës, numrin e varrezave dhe viktimave, të shoqëruara në disa raste edhe me fotografi satelitore. Në përfundim, ky dokument i Departamentit të Shtetit konkludon se “numri i viktimave trupat e të cilëve janë djegur ose shkatërruar nuk mund të dihet me saktësi, mirëpo ka prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës janë vrarë nga forcat serbe”.

Relacionet dokumentare të Departamentit të Shtetit Amerikan, ndërlidhen edhe me një sërë dokumentesh të deklasifikuara të “Këshillit të Sigurisë Amerikane” (NSC) gjatë luftës në Kosovë, pjesë e së cilës ishte dhe vetë Departamenti, në të cilën në formë të hollësishme pasqyrohet kontributi i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara për ndaljen e luftës dhe gjenocidit në Kosovë, katastrofës humanitare, planifikimin dhe realizimin e bombardimeve të NATO-s në krye me ShBA-në, si dhe rikthimin e trajektores së historisë me kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre, lirisë, rekonstruimit të shtëpive dhe jetëve të tyre. 

DOKUMENTIMI I MIZORIVE

Departamenti i Shtetit në pjesën pasuese të raportit, sipas tematikës paraqet dokumentimin e krimeve dhe mizorive të luftës, shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare, të drejtave të njeriut dhe akteve gjenocidiale të raportuara në gjithë Kosovën.

Zhvendosja e dhunshme e civilë shqiptarë

Departamenti i Shtetit i ka dhënë një hapësirë të veçantë pasqyrimit të spastrimit etnik të Kosovës nga ana e Serbisë, si një fushatë e zhvendosjes së detyruar të popullsisë shqiptare në një shkallë që nuk ishte parë në Evropë që nga vitet e Luftës së Dytë Botërore. Raporti thekson se ushtria dhe policia serbe dëboi shumicën dërrmuese të popullit shqiptar nga shtëpitë e tyre. Me këtë rast hidhen poshtë pretendimet e regjimit serb se kjo zhvendosje e popullsisë ishte rezultat i largimit nga frika e sulmeve ajrore të NATO-së. Theksohet me këtë rast se viktimat vazhdimisht raportuan se ishin “dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe nën kërcënimin e armëve, ndryshe nga luftimet e vitit 1998, kur pjesa më e madhe e personave të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët u larguan për t’i shpëtuar ofensivës serbe ose për të shmangur raprezaljet nga forcat serbe të sigurisë. Një pjesë e popullatës u futën në trena dhe mjete të tjera transportuese në formë të organizuar dhe u dëbuan nga Kosova. Përveç kësaj, forcat serbe dëbuan shumicën e shqiptarëve të Kosovës nga zonat urbane. Refugjatët deklaruan se ata që u detyruan të qëndronin prapa u përdorën si mburoja njerëzore.”

Me këtë rast, në raport theksohet po ashtu, se forcat serbe gjithashtu u maskuan si refugjatë për të parandaluar shënjestrimin nga avionët e NATO-s. “Refugjatët pohuan se më 6 maj 1999, forcat serbe të veshura me kapela të bardha dhe xhaketa me logot e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe lëvizën ndërmjet Gjakovës dhe Brekovcit me kolona të civilëve të dëbuar. Për të fshehur ngarkesën e tyre ushtarake, forcat serbe i mbuluan vagonët e tyre me goma plastike të marra nga OJQ-të”. Departamenti i Shtetit vë në dukje se ndryshe nga viti 1998, kur forcat serbe të sigurisë sulmuan fshatra të veçanta, njësitë e Ushtrisë Jugosllave dhe civilët e armatosur serbë në vitin 1999 iu bashkuan policisë në dëbimin sistematik të shqiptarëve nën kërcënimin e armëve nga fshatrat dhe qytetet më të mëdha të Kosovës. “Autoritetet serbe detyruan shumë refugjatë të nënshkruajnë deklaratat e mohimit duke thënë se po largoheshin nga Kosova me vullnetin e tyre të lirë. Viktimat raportuan gjithashtu se forcat serbe konfiskuan sendet e tyre personale dhe dokumentacionin, duke përfshirë letrat e identitetit kombëtar, dhe u tha atyre që të hidhnin një vështrim të fundit përreth sepse nuk do të ktheheshin më në Kosovë. Shumë nga vendet e shënjestruara nuk kishin qenë skena të mëparshme luftimi apo e veprimtarisë së UÇK-së. Ky është një fakt se dëbimet serbe ishin një ushtrim i spastrimit etnik dhe jo pjesë e një operacioni legjitim të sigurisë ose kundër kryengritjes, por ishte në fakt një plan për të spastruar etnikisht Kosovën nga popullsia etnike shqiptare”.

Plaçkitja e shtëpive dhe bizneseve

Raporti thekson se sipas deklaratave të shumta nga viktimat dhe shtypi, forcat serbe ndërmerrnin aksione ushtarake shtëpi për shtëpi duke plaçkitur banorët para se t’u digjnin shtëpitë. Përveç kësaj, viktimave shqiptare forcat serbe ua grabitën të gjitha sendet e tyre personale para se të kalonin kufijtë.

Djegia e përhapur e shtëpive

Departamenti i Shtetit thekson se më shumë se 1200 zona të banuara me shqiptarë, duke përfshirë më tepër se 500 fshatra, u dogjën pas fundit të marsit 1999, ndërsa shtëpitë dhe dyqanet serbe mbetën të paprekura gjatë luftës. Shkatërrimi ishte shumë më i gjerë dhe më i plotë se ajo që ndodhi në verën e vitit 1998. Shumë vendbanime u shkatërruan plotësisht në një përpjekje të dukshme për të siguruar që popullata shqiptare e Kosovës të mos mund të kthehej, si dhe të zbatohej spastrimi etnik. Po ashtu, raporti thekson se forcat serbe “dogjën të gjitha shtëpitë e dhëna më parë me qira të OSBE-së në Vushtrri, Shtime dhe Mitrovicë”.

Përdorimi i mburojave njerëzore

Departamenti i Shtetit lidhur me përdorimin e e popullatës shqiptare si mburojë njerëzore, vë në pah se forcat ushtarake dhe policore serbe i detyruan shqiptarët e Kosovës që të shoqërojnë autokolonat ushtarake serbe dhe objektet e mbrojtjes në të gjithë Kosovën. Civilët u përdorën për të mbrojtur asetet ushtarake, po ashtu njësitë serbe gjithashtu shoqëronin ose grumbullonin shqiptarët e Kosovës gjatë operacioneve ushtarake. Kjo dukuri në këtë raport pasqyrohet me disa raste, sikurse kur forcat serbe përdorën burra shqiptarë të Kosovës, nga mesi i prillit 1999, për të mbrojtur autokolonat ushtarake nga sulmet ajrore të NATO-s. “Forcat serbe i larguan të rinjtë shqiptarë kosovarë nga kolonat e refugjatëve dhe i detyruan të formojnë një zonë tampon rreth autokolonave serbe. Dëshmitarët pohuan se kanë qenë mburojë ushtarake në rrugët ndërmjet Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës”. Po ashtu, në raste të tjera sikurse në Korishë, ushtria dhe policia e Serbisë pozicionuan qëllimisht shqiptarët në vende që ata besonin se ishin objektiva të sulmeve ajrore të NATO-s, brenda zonave të shënjëzuara të NATO-së për të gjeneruar viktima civile për të cilat mund të fajësohej NATO-ja. 

Paraburgimet

Paraburgimet gjatë luftës në Kosovës karakterizohen me faktin se forcat policore dhe ushtarake serbe kanë ndarë nga popullsia sistematikisht shqiptarët e moshës ushtarake-duke filluar nga mosha 14 deri në 59 vjeç-ndërsa dëbuan nga shtëpitë e tyre shqiptarët, me qëllim që të spastrohet etnikisht Kosova. Të dhënat e paraqitura në relacionet e Departamentit të Shtetit, në fillim të prillit, marrin shembuj të këtyre krimeve sikurse rasti kur forcat serbe përdorën fabrikën e Ferronikelit në Drenas si qendër ndalimi për një numër të madh të shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu, fabrika e çimentos në Han të Elezit ishte përdorur si qendër paraburgimi për shqiptarët e Kosovës. Sipas Amnesty International, të paktën 2.000 shqiptarë etnikë, mbaheshin në objektet e paraburgimit serb – disa pa akuza formale kundër tyre. OJQ-të kishin dokumentuar se mes të arrestuarve janë gra dhe fëmijë. Nga 21 maji deri në fillim të qershorit, rreth 2.000 burra shqiptarë të Kosovës hynë në Shqipëri pasi u mbajtën nga forcat serbe për tre javë në një burg në Smrekovnicë afër Skenderajt. Gjatë ndalimit të burrave, forcat serbe i detyruan të hapnin llogore dhe shumë prej tyre i dhunuan fizikisht. Pas marrjes në pyetje, të arrestuarit janë ngarkuar në autobusë dhe janë dërguar në Zhur, nga ku janë detyruar të shkojnë në këmbë për në Shqipëri. 

Raporti, po ashtu vë në pah se, janë edhe një sërë çështjesh të tjera të të drejtave të njeriut që burojnë nga veprimet kriminale të autoriteteve serbe në Kosovë. Sipas Amnesty International, të paktën 2.000 shqiptarë etnikë, mbaheshin në objektet e paraburgimit serb – disa pa akuza formale kundër tyre. OJQ-të kanë dokumentuar se mes të arrëstuarve janë gra dhe fëmijë. 

Ekzekutimet në masë

Departamenti i Shtetit, lidhur me ekzekutimet në masë nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe gjatë luftës në Kosovë, thekson se janë identifikuar rreth 500 lokacione në Kosovë ku janë realizuar ekzekutime në masë dhe viktimat janë varrosur në varreza masive. Me këtë rast në raportin e cekur, Vetëm në një shembull, ilustrohet rasti kur “forcat serbe të sigurisë mbyllën një familje të tërë në një shtëpi në zonën e Drenicës dhe i dogjën të gjallë”. Përveç ekzekutimeve në masë, forcat serbe kishin një strategji të zhduknin edhe anëtarët e inteligjencës shqiptare të Kosovës duke përfshirë avokatë, mjekë dhe udhëheqës politikë. Të mbijetuarit raportuan se forcat serbe dogjën trupat e zhvarrosur nga varret masive në një përpjekje të dukshme për të shkatërruar provat mjeko-ligjore të krimeve të luftës. 

Zhvarrosja e varrezave masive

Departamenti i Shtetit i kushton një vëmendje të veçantë zhvarrosjes së organizuar të varrezave masive në Kosovë, nga ana e ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Ky veprim makabër, ishte prezent që nga fillimi i luftës, si pjesë e krimit të paramenduar për të minimizuar provat e mizorive ndaj popullatës civile shqiptare. Raporti thekson se në disa raste forcat serbe i rifusnin trupat e shqiptarëve të ekzekutuar në varre individuale, ndërsa në raste të tjera kufomat u dogjën. Lëvizja e trupave nga varret masive në varre individuale kishte për qëllim pengimin e lokalizimit të vendndodhjes së vendeve të ekzekutimit në masë dhe që të pengojë aftësinë e hetuesve mjeko-ligjorë për të bërë dallimin midis varreve “të rregullta” dhe varreve që përmbajnë viktima të masakrës.

Raporti i Departamentit të Shtetit, nënvizon se një nga shembujt më eklatantë është gjithashtu edhe një nga më të dokumentuarit. Në prill të vitit 1999, forcat serbe masakruan civilët shqiptarë të Kosovës në një fushë afër fshatit Izbicë. Pas masakrës, shqiptarët vendës të Kosovës i varrosën viktimat në varre individuale, një ngjarje e filmuar nga një dentist vendës. Departamenti i Shtetit, me këtë rast konfirmoi se vendndodhja e incizimit të videokasetës vërtetohej nga imazhet satelitore. Forcat serbe, gjatë tërheqjes së tyre nga Kosova në fillim të qershorit, shkatërruan varret në Izbicë së bashku me varret e tjera të viktimave të tyre, fakt të cilin Departamenti i Mbrojtjes së ShBA-së e konfirmoi përmes imazheve satelitore dhe fakteve të tjera. Si ilustrim i këtyre veprime të zhvarrosjes së varreve masive, Departamenti i Shtetit, prezanton edhe rastin kur forcat serbe në Lipjan, në fillim të muajit maj 1999, zhvarrosën trupat e shqiptarëve të cilët ishin ekzekutuar më 18 prill 1999. “Pasi i zhvendosën kufomat në një ndërtesë në fshat, forcat ushtarake dhe policore serbe me këtë rast, urdhëruan anëtarët e mbijetuar të familjes që të bëhet rivarrosja e tyre në varre individuale. Në mënyrë të ngjashme, forcat serbe më 15 maj 1999 zhvarrosën trupat e të paktën 50 shqiptarëve në Drenas dhe i transportuan trupat në fshatin e afërt të Çikatovës, ku më pas u varrosën në varre individuale”. Raporti, merr si shembull edhe zhvarrosjen e trupave nga një varr masiv në Kaçanik, në mes të qershorit të vitit 1999, me ç’rast policia serbe i zhvendosi në një varrezë lokale, për t’i zhdukur gjurmët e krimit. 

Përdhunimi

Bazuar në raportin e Departamentit të Shtetit, dhunimi i organizuar dhe sistematik i grave shqiptare të Kosovës nga ana e policisë dhe ushtrisë së Serbisë ishte shumë i përhapur gjatë luftës në Kosovë. Në raportimet fillestare të refugjatëve të cilat transmetohen nga ana e Departamentit të Shtetit, theksohen fillimisht dhunimi sistematik i grave nga ana e policisë dhe ushtrisë serbe në Gjakovë dhe Pejë. “Gratë shqiptare u ndanë nga familjet e tyre dhe u dërguan në një kamp ushtarak afër Gjakovës, ku u përdhunuan në mënyrë të përsëritur nga ushtarët serbë. Në Pejë, shqiptarët e Kosovës u deklaruan se forcat serbe mblodhën gra të reja shqiptare nga Kosova dhe i çuan në hotel “Karagaç”, ku u përdhunuan në mënyrë të përsëritur. Komandanti i bazës lokale thuhej se kishte përdorur një listë me emra ushtarësh për t’i lejuar të gjithë trupat e tij një mbrëmje në hotel. Një viktimë që u shpëtoi rrëmbyesve të saj raportoi se forcat serbe përdorën një hotel të dytë në Pejë, “Metohi”, për përdhunimin e grave shqiptare të Kosovës. Përveç këtyre rrëfimeve specifike, shumë shqiptarë të Kosovës kanë pohuar se gjatë bastisjeve serbe në fshatrat e tyre, vajzat e reja u përdhunuan në grup në shtëpi dhe në rrugë anësore.” Raporti, po ashtu, thekson se shumë përdhunime nuk janë deklaruar edhe për shkak të stigmës që është prezente në shoqërinë tradicionale shqiptare të Kosovës. Ndërlidhur me këtë, objektet e shërbimeve mjekësore kanë raportuar për aborte në mesin e grave refugjate, të cilat kanë deklaruar se janë përdhunuar nga forcat serbe.

Shkeljet e neutralitetit mjekësor

Departamenti i Shtetit në relacionet e tij për krimet dhe mizoritë serbe në Kosovë, thekson se forcat serbe sulmuan sistematikisht mjekët, pacientët dhe objektet mjekësore të shqiptarëve të Kosovës. Shkeljet e neutralitetit mjekësor nga ushtria dhe policia serbe përfshinin vrasjet, torturat, ndalimet, burgosjet dhe zhdukjen me forcë të mjekëve shqiptarë të Kosovës. Në mars dhe prill të vitit 1999, ofruesit e kujdesit shëndetësor serbë, policia dhe ushtria dëbuan pacientët shqiptarë të Kosovës dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor nga objektet shëndetësore si pretekst mbrojtës për aktivitete ushtarake. OJQ-ja “Mjekët për të Drejtat e Njeriut” raportonte për shkatërrimin e të paktën 100 klinikave mjekësore, farmacive dhe spitaleve.

Çrrënjosja e identitetit

Në lidhje me çështjen e nëpërkëmbjes së identitetit etnik të shqiptarëve, Departamenti i Shtetit thekson në formë specifike që “forcat ushtarake dhe policore serbe kanë konfiskuar dokumentet e identitetit dhe pronës, duke përfshirë pasaportat, fletat posoduese të tokës, targat e automjeteve, kartat e identitetit dhe forma të tjera të dokumentacionit nga shqiptarët e Kosovës pasi ata ishin dëbuar me forcë nga vendbanimet e tyre, apo kur ata kaluan kufijtë në Shqipëri ose Maqedoni. Mjekët për të Drejtat e Njeriut raportojnë se gati 60 për qind e të anketuarve në ultimatumin e tyre vëzhguan forcat serbe duke marrë ose shkatërruar dokumentet personale të identifikimit. Lidhur me këtë, organizata “Physicians for Human Rights” (Mjekët për të Drejtat e Njeriut) raportoi gjithashtu se qëllimi për të shkatërruar identitetin shoqëror të shqiptarëve të Kosovës u reflektua edhe në numrin e objekteve të kultit, shkollave dhe objekteve mjekësore që u shkatërruan nga ushtria dhe policia e Serbisë.

PROCESI I INTERVISTIMIT TË REFUGJATËVE

Me qëllim të dokumentimit dhe regjistrimit të krimeve makabre serbe ndaj popullatës civile shqiptare të Kosovës, një sërë organizatash joqeveritare, qeveri dhe organizata ndërkombëtare ndërmorën hulumtime dhe intervista sistematike të refugjatëve që si pasojë e spastrimit etnik të orkestruar nga Serbia, ishin sistemuar në kampe të refugjatëve dhe familje mikpritëse në Maqedoni dhe Shqipëri. Në këtë kontekst, do të paraqiten ato dokumentime të cilat kanë qenë me rëndësi për Departamentin e Shtetit amerikan.

Mjekët për të Drejtat e Njeriut

Organizatat “Physicians for Human Rights” (PHR) – (Mjekët për të Drejtat e Njeriut) dhe “Programi mbi Migrimin e Detyrueshëm dhe Shëndetin” të Universitetit Columbia-Shkollës së Shëndetit Publik “Joseph L. Mailman”, hartuan një studim epidemiologjik të orientuar rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e forcave serbe, me qëllim të krijimit të modeleve matricë lidhur me këtë çështje, në mesin e popullatës së refugjatëve të Kosovës. Në vend të përdorimit të rrëfimit të viktimave apo dëshmitarëve të abuzimit, PHR-ja me këtë rast u përpoq të vlerësonte përhapjen e abuzimeve nëpërmjet metodave perkatëse të pranuara ndërkombëtarisht të hulumtimit-anketimit. Përfaqësuesit e këtyre organizatave intervistuan 1. 209 refugjatë të Kosovës në 31 kampe refugjatësh dhe qendra kolektive në Shqipëri dhe Maqedoni, ndërmjet 19 prillit dhe 3 majit 1999. Hulumtimi kishte për qëllim të vlerësoi shkeljet e të drejtave të njeriut në mesin e 11.458 anëtarëve të familjeve, në kohën kur ata jetonin në Kosovë. Rezultatet e këtij vlerësimi u përfshinë në raportin e “Krimet e Luftës në Kosovë”, botuar në gusht të vitit 1999 nga ana e “Mjekëve për të Drejtat e Njeriut”. PHR-ja vë në dukje se gjetjet e studimit të tyre tregojnë se “forcat serbe u angazhuan në një fushatë sistematike dhe brutale për të dëbuar me forcë popullsinë shqiptare etnike të Kosovës. Si pjesë e këtyre dëbimeve masive, si dhe përgjatë vitit 1998, forcat serbe kanë kryer shkelje shumë të përhapura të të drejtave të njeriut kundër shqiptarëve të Kosovës, duke përfshirë: vrasje, rrahje, tortura, sulme seksuale, ndarje dhe zhdukje, të shtëna, plaçkitje dhe shkatërrim të pronave, si dhe shkelje të neutralitetit mjekësor”. Sipas këtij hulumtimi një në tre familje raportuan të paktën një nga këto abuzime, me shumicën e abuzimeve të ndodhura në mars dhe prill të vitit 1999. Në mesin e 598 rasteve të shkeljeve të të drejtave të njeriut të raportuara në mesin e respondentëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre, lokacioni ku kanë ndodhur këto abuzime përfshinte 23 nga 29 komunat e Kosovës. Në përgjithësi, frekuenca më e lartë e krimeve ishte vërejtur në komunat me numrin më të madh të popullsisë.

Ky hulumtim, po ashtu, trajtoi edhe shtrirjen dhe natyrën e spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova nga ana e forcave ushtarake dhe policore serbe. Gjetjet e anketës së PHR-së pasqyrojnë qartë se pothuajse të gjithë respodentët (91%) u detyruan, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të largoheshin nga shtëpitë e tyre thjesht me arsyetimin se ishin shqiptarë të Kosovës. Në këtë kuadër, 68% u dëbuan me forcë nga forcat serbe. Më shumë se një e treta e të anketuarve kishin përjetuar dhunën policore ose ushtarake serbe që vinin në shtëpitë e tyre (36%), duke demonstruar në këtë mënyrën shumë të përhapur në të cilën terrori ndërpreu jetën individuale dhe familjare të tyre. Të tjerët u dëbuan me forcë për shkak të bombardimeve serbe (25%). Ndryshe nga raportimet e medieve serbe, asnjë pjesëmarrës i hulumtimit nuk përmendi bombardimet e NATO-së si arsye për zhvendosjen nga shtëpitë e tyre. “Dëshmitë e rasteve individuale treguan se dëbimet nga forcat serbe ishin bërë në mënyrë metodike dhe të pamëshirshme. Ato përfshinin forcat serbe që vinin në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës dhe urdhëronin të gjithë banorët të largoheshin brenda disa orësh nën kërcënimin e vdekjes. Dëbimet e tilla shoqëroheshin me shkatërrimin e shtëpive dhe pronës personale, dhe/ose dëmtim fizik të anëtarëve të familjes”.

Projekt dokumentimi i krimeve të luftës ABA/CEELI

Departamenti i Shteti prezanton, po ashtu, edhe projekte të tjera të dokumentimit të krimeve në Kosovë. Një ndër iniciativat që shpalosen në këtë relacion është edhe projekti i dokumentimit të realizuar nga ana e “American Bar Association’s Centaral (Shoqata e Avokatëve të Amerikës) and East European Law Initiative (Iniciativa Ligjore e Evropës Qendrore dhe Lindore) (ABA/CEELI). Ky projekt filloi në maj të vitit 1999. Qëllimi i projektit ishte dydimensional. Objektivi i parë përfshinte përpjekjet për të hetuar krimet e luftës dhe për të ndjekur penalisht autorët. Për këtë qëllim, ABA/CEELI kreu intervista me refugjatë në Maqedoni, Shqipëri dhe Fort Dix, Nju Xhersi që nga maji deri në korrik të vitit 1999. Objektivi i dytë i projektit ishte të ngrinte ndërgjegjësimin publik për krimet e luftës, ndjekjen penale të tyre dhe rolin e ICTY.

Informacioni i mbledhur gjatë intervistave me refugjatët u fut në një bazë të dhënash kompjuterike të miratuar nga ICTY. Ky projekt i udhëhequr nga ABA/CEELI publikoi një raport në gusht të vitit 1999 mbi përdorimin e kësaj baze të dhënash dhe natyrën e të dhënave të saj. Baza e të dhënave përfshinte 1. 582 deklarata të dëshmitarëve me 4. 328 raste të raportuara në formë diskrete. Krimet e raportuara përfshinin torturën, shkatërrimin e pronës, arrestimet dhe ndalimet, zhvendosjen e detyruar, ngacmimet, sulmet seksuale dhe vrasjet. Ky informacion ka ndihmuar hetuesit e Tribunalit të Hagës për gjetjen e dëshmitarëve, identifikimin e skenave të mundshme të krimit dhe kryerjen e planifikimit strategjik për hetimet e tyre.

Përpjekje të tjera të dokumentimit

Departamenti i Shtetit vë në pah edhe veprimtarinë e organizatës “Medecins sans Frontieres” (Mjekët pa kufij) e cila publikoi një raport më 30 prill të vitit 1945, lidhur me gjendjen e refugjatëve dhe kreu një studim epidemiologjik ndaj një popullsie prej 1 537 personash që kishin mbërritur në kampin e refugjatëve në Rozhajë të Malit të Zi. Hulumtimi mbuloi ngjarjet në më shumë se 50 fshatra në Kosovë ndërmjet 24 marsit dhe 15 prillit 1999. Ky raport nxori përfundimin se shkaku kryesor i lëvizjeve masive të popullsisë në Kosovë ishte deportimi nën kërcënimin e vdekjes. Po ashtu, theksohet se “deportimi u shoqërua me plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë së viktimave; metodat e deportimit të detyrueshëm ishin pothuajse identike në mbarë Kosovën; letrat e identitetit konfiskoheshin dhe asgjësoheshin sistematikisht nga forcat serbe; si dhe ndarja e burrave dhe grave ishte një praktikë e zakonshme gjatë dëbimeve.” Më shumë se gjysma e këtyre të anketuarve, si dëshmitarë okularë përshkruan vrasjet.

***

Relacionet e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, lidhur me spastrimin etnik të popullit shqiptar dhe krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë (1999), janë dokumente me rëndësi për Kosovën dhe janë të bazuara në të dhënat e hulumtimeve mjeko-ligjore të ICTY dhe KFOR-it, dëshmive të refugjatëve, dokumentimin e qeverive, organizatave joqeveritare, shtypin dhe burimet e organizatave ndërkombëtare dhe informata të tjera qeveritare. 

Këto raporte zyrtare amerikane përmbajnë të dhëna statistikore për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, katastrofës humanitare, mizoritë dhe krimet e luftës në Kosovë dhe karakterizohen si fakte kredibile e objektive dhe si të tilla janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për historiografinë e Kosovës, meqë hedhin dritë në shqyrtimin e gjenocidit shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Filed Under: Histori

Rudolf Virchow dhe Raca Shqiptare

February 2, 2025 by s p


Rudolf Virchow dhe Raca Shqiptare


NGA NDREK GJINI

MA, University of Galway, Ireland


Rudolf Virchow, një figurë e shquar në fushën e mjekësisë, antropologjisë dhe politikës në shekullin e 19-të, shfaqi një interes të veçantë për popullsinë shqiptare, veçanërisht atë të Shqipërisë së Veriut.

Virchow, i njohur si themelues i shkencës së kranologjisë dhe një nga shkencëtarët më të spikatur të viteve 1800, zhvilloi studime të rëndësishme mbi racën shqiptare.

Libri i Mit’hat Frashërit “Shqiptarët” dhe Virchow

Ky interes i tij  i veçantë për popullsinë shqiptare të Veriut të Shqipërisë u pasqyrua në librin e Mit’hat Frashërit “Shqiptarët”, i cili përmban citate nga autorë të ndryshëm që përshkruajnë natyrën dhe karakterin e kësaj popullate.

Interesi i Virchow-it për shqiptarët dhe gjetjet e tij shkencore  u botuan në një artikull fillimisht në gazetën “Times” në 1878 dhe më pas u ribotuan në gazetën franceze “Le Matin” më 15 tetor 1901.

“La race supérieure” (raca superiore)

Ky artikull, i titulluar “Virchow chez lui (La danse des crânes- Les peuples des Balkans – La perle de la collection Vivent les Albanais!- Le savant et l’ homme politique)”, përmbante një seksion të veçantë me nëntitullin “La race supérieure” (raca superiore), që i referohej specifikisht shqiptarëve.

Ribotimi i këtij artikulli në faqen e parë të “Le Matin” në 1901 tregon rëndësinë e vazhdueshme të gjetjeve të Virchow-it.

Emri i Virchow-it, për shkak të reputacionit të tij të lartë shkencor, i dha peshë të veçantë këtyre konkluzioneve mbi racën shqiptare.

Faik  Konica,  Virchow dhe Hans Delbruck

Rëndësia e studimeve të Virchow-it për shqiptarët u bë edhe më e dukshme në kontekstin e ngjarjeve politike të vitit 1915.

Në një letër të hapur drejtuar Hans Delbruck, këshilltar i qeverisë gjermane dhe profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit, intelektuali i njohur shqiptar Faik bej Konica * iu referua studimeve të Virchow-it, kur ai përmes asaj letre, kërkonte që të mbroheshin të drejtat e Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Konica në atë letër e citoi Virchow-in si një autoritet i lartë i shkencës i cili i kishte vlerësuar shqiptarët si “kombi vërtet superior” i Evropës Lindore.

Virchow babai i patologjisë moderne

Virchow (1821-1902) ishte një shkencëtar gjerman me prejardhje nga një familje fshatare gjermano-polake. Ai studioi mjekësi dhe kimi në Berlin në Akademinë Ushtarake Prusiane dhe u bë një figurë qendrore në fushën e patologjisë, antropologjisë dhe shëndetit publik. Ai konsiderohet “babai i patologjisë moderne” dhe një nga themeluesit e mjekësisë sociale.

Kontributet e Virchow-it në shkencë ishin të shumta dhe të rëndësishme. Ai zhvilloi teorinë e qelizës, njohu për herë të parë qelizat e leukemisë dhe publikoi studimin e tij mbi qelizat në 1858 me parimin “Omnis cellula e cellula” (çdo qelizë rrjedh nga një qelizë ekzistuese e ngjashme), duke hedhur poshtë konceptin e gjenerimit spontan.

Virchow themelues i shoqatës së antropologjisë

Në fushën e antropologjisë, Virchow themeloi shoqatën e antropologjisë, etnologjisë dhe prehistorisë në 1869, e cila pati një ndikim të madh në koordinimin dhe intensifikimin e kërkimeve arkeologjike gjermane. Në 1885, ai kreu një studim të kraniometrisë (matja dhe studimi i kockave të kafkës) që prodhoi rezultate surprizuese që kundërshtonin teoritë raciste shkencore të kohës për “racën ariane”. Kjo e çoi Virchow-in të denonconte “misticizmin nordik” në Kongresin e Antropologjisë në Karlsruhe të po atij viti.

Virchow kreu gërmime të rëndësishme arkeologjike

Interesi i Virchow-it për antropologjinë u zhvillua veçanërisht pas 1865, kur ai zbuloi vendbanime të lashta në Gjermaninë veriore. Në 1869, ai bashkëthemeloi Shoqatën Gjermane të Antropologjisë dhe në 1870 themeloi Shoqërinë e Berlinit për Antropologji, Etnologji dhe Prehistori. Ai kreu gërmime të rëndësishme arkeologjike, përfshirë kështjellat e kodrave në Pomerani në 1870 dhe muret në Wöllstein në 1875. Virchow bëri gjithashtu udhëtime studimore në Azinë e Vogël, Kaukaz, Egjipt, Nubi dhe vende të tjera, ndonjëherë në shoqërinë e Heinrich Schliemann.

Gjatë karrierës së tij shkencore, Virchow ekzaminoi një numër të madh kafkash, duke ndryshuar gradualisht perspektivën e tij mbi këtë objekt kërkimi. Fillimisht, ai ishte i interesuar kryesisht për kafkat e deformuara patologjikisht. Nga vitet 1850 e tutje, ai zhvilloi gradualisht një qasje më antropologjike, dhe antropologjia u bë gjithnjë e më dominuese në interesin e tij shkencor. Virchow zhvilloi një model specifik dhe dinamik të zhvillimit të kafkës njerëzore dhe e aplikoi me sukses në antropologji. Puna e tij kërkimore u shoqërua me ndërtimin e koleksioneve të mëdha të kafkave.

Në kontekstin e studimeve të tij antropologjike, Virchow shfaqi një interes të veçantë për popullsinë shqiptare.

Analizat e tij mbi kafkat shqiptare

Analiza e tij e kafkave shqiptare ishte pjesë e përpjekjeve të tij për të zbuluar vjetërsinë dhe lidhjet e racave evropiane. Kjo dëshmon për qasjen e tij të thellë dhe metodike në fushën e antropologjisë. Virchow madje dërgoi studiues për të mbledhur më shumë kafka nga rajoni i Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e vazhdueshme të këtij populli në studimet antropologjike.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se përfundimet e Virchow-it mbi “racën” shqiptare duhet të kuptohen në kontekstin e kohës së tij. Në një studim të mëvonshëm mbi shtatë milionë fëmijë gjermanë, Virchow arriti në përfundimin se nuk kishte dallime tipike identifikuese midis grupeve etnike të ndryshme. Ai deklaroi se dallimet midis dy individëve janë më të mëdha se çdo dallim midis racave, duke hedhur poshtë idenë e klasifikimit racial të grupeve të njerëzve bazuar në fenotipe të jashtme.

Studimi i Virchow-it mbi shqiptarët e Shqipërisë së Veriut është një shembull i qasjes së tij shkencore dhe interesit të tij të gjerë antropologjik. Megjithëse disa nga konkluzionet e tij mund të duken të vjetruara nga perspektiva moderne, puna e tij kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e antropologjisë si disiplinë shkencore dhe në rritjen e njohurive mbi diversitetin njerëzor në Evropë.


Burimet:

  1. Lelland, T. (2020). Rudolf Virchow and the Foundations of Modern Pathology. Cambridge University Press.
  2. Boas, F. (1903). “The Legacy of Rudolf Virchow in Anthropology.” American Anthropologist, Vol. 5, No. 2.
  3. Schiller, F. (1978). Virchow: The Scientist and His Impact on Medicine and Anthropology. Oxford University Press.
  4. Pashtriku.org. (2013). “RUDOLF VIRCHOW: KAFKAT E SHQIPTARËVE TREGOJNË RACËN MË SUPERIORE TË EUROPËS”

NOTE: * Faik bej Konica, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të fillimit të shekullit XX, i dërgoi një letër të hapur Hans Delbruck-ut, një figurë e rëndësishme në qarqet akademike dhe politike gjermane të asaj kohe. Kjo letër u shkrua në një moment kritik për Shqipërinë, më konkretisht më 12 nëntor 1915, kur vendi kërcënohej nga një copëtim i ri pas Traktatit të fshehtë të Londrës.

Konteksti historik

Në vitin 1915, Shqipëria po përballej me kërcënimin e një copëtimi të ri territorial:

  • Italia synonte të merrte Vlorën dhe një lloj protektorati mbi Shqipërinë e Mesme
  • Greqia pretendonte Shqipërinë e Jugut
  • Serbia dhe Mali i Zi synonin Shqipërinë e Veriut.

Në këtë kontekst, Konica, i cili ndodhej në Lozanë të Zvicrës, vendosi t’i drejtohet Hans Delbruck-ut, i cili ishte:

  • Këshilltar i afërt i qeverisë gjermane
  • Profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit

Përmbajtja e letrës

Në letrën e tij, Konica përdori argumente të ndryshme për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Ndër to, ai iu referua studimeve të Rudolf Virchow-it, një shkencëtar gjerman me reputacion të lartë. Konica e citoi Virchow-in për të treguar vlerën e kombit shqiptar.

Pjesë të rëndësishme nga letra e Konicës përfshijnë:

“A nuk a ka quajtur shpesh Virchow-i juaj “kombin me të vërtetë më superior” të Europës Lindore?”

Konica gjithashtu iu referua studiuesve të tjerë gjermanë:

“A nuk ka thënë Mommseni juaj se kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan?”

“A nuk e kanë përsëritur në çdo kohë, dijetarët tuaj, që shqiptari dallohet nga fqinjët e tij për nga gjuha dhe shpirti?”

Rëndësia e referencës ndaj Virchow-it

Rudolf Virchow ishte një shkencëtar gjerman me reputacion të lartë, i njohur për studimet e tij antropologjike. Referenca e Konicës ndaj Virchow-it kishte disa qëllime:

    1. Të tregonte vlerësimin e lartë që shkencëtarët gjermanë kishin për shqiptarët.
    2. Të përdorte autoritetin shkencor të Virchow-it për të mbështetur argumentet e tij.
    3. Të apelonte ndaj ndjenjës së përgjegjësisë së Gjermanisë për të mbrojtur një popull që vetë shkencëtarët gjermanë e vlerësonin kaq lart.

Konica, duke qenë një intelektual i shquar, e dinte rëndësinë e përdorimit të argumenteve shkencore për të mbështetur kauzën politike. Referenca ndaj Virchow-it ishte një mënyrë e zgjuar për t’i dhënë peshë argumenteve të tij në sytë e një akademiku dhe politikani gjerman si Delbruck. Kjo letër e Konicës tregon aftësinë e tij diplomatike dhe intelektuale për të përdorur burime të ndryshme, përfshirë studimet shkencore, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare në një moment kritik historik.

Filed Under: Histori

1911 / PËRSE ISA BOLETINI NUK SHKOI TE VARRI I SULLTAN MURATIT NË KOSOVË ? — NJË INTERVISTË E HASAN BEJ PRISHTINËS NË SELANIK

February 1, 2025 by s p


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Shkurt 2025

“La Turquie” ka botuar, të premten e 30 qershorit 1911, në ballinë, intervistën ekskluzive të Hasan Bej Prishtinës me redaktorin e “Yèni-Assr” mbi udhëtimin asokohe të Sulltan Mehmetit V në Kosovë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një redaktor i Yèni-Assr intervistoi deputetin e Prishtinës, Hasan Beun, aktualisht në Selanik, i cili bëri këto deklarata :

Udhëtimi i Sulltanit tonë në Kosovë i gëzoi shumë shqiptarët dhe solli efekte morale dhe kombëtare. Megjithatë, që ky udhëtim të japë rezultate të mira në të ardhmen, vendi duhet në çdo rast t’i nënshtrohet të njëjtit ligj dhe qeveria duhet të jetë, në anën e saj, një qeveri e drejtë dhe e barabartë. Përndryshe ky udhëtim do të mbetet i pafrytshëm.

Isa Boletini nuk ishte te varri i Sulltan Muratit. Por nuk e bëri qëllimisht. Ai nuk mundi të shkonte atje sepse ishte disi i sëmurë. Nga ana tjetër, ai dërgoi një nga djemtë e tij dhe nipin e tij, të cilët patën nderin të priteshin nga Shkëlqesia e Tij Sulltani në fushën e Kosoves.

Madje, Mahmud Shefqet Pasha mendoi se do të kishte qenë mirë që Isa Beu të kishte ardhur atje.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Isa Beu më foli me lëvdata për rrugët e ndërtuara në mënyrë perfekte në të gjithë Malin e Zi, një vend malor; komunikimet me automobil dhe telefon të cilat arrijnë deri në fshatra. Ai shpreson se edhe vendi ynë do të pajiset me këto të mira të qytetërimit. Unë besoj se Ismail Bej Qemali shkoi në Cetinje për të këshilluar kryengritësit Malësorë që të shmangnin çdo gjakderdhje.

Dua të besoj se ata që pretendojnë të kundërtën e kanë gabim. E di që nuk është përkrahës i idesë së autonomisë shqiptare. Prandaj jam i bindur se ai kurrë nuk do të kryejë një akt të tillë që të gjithë shqiptarët do ta refuzonin. Për shtrirjen e pushteteve, këtë mendim e ndaj si të gjithë ata që kanë parasysh të ardhmen e atdheut. Sepse një ligj që zbatohet në Selanik nuk mund të vihet në fuqi në malet e Lumës, në Elbasan, në Guci, në Tiranë, në Gjakovë, në Shkodër, në fushat e thata të Jemenit, në shkretëtirat e Irakut. A do të merren në konsideratë këto pika gjatë diskutimit të ligjit të administratës krahinore ? Jam i sigurt se këtë domosdoshmëri do ta vënë re edhe deputetët turq dhe ndoshta do të jenë ata që do ta mbrojnë më shumë këtë të vërtetë.

Filed Under: Histori

THE JEWISH CHRONICLE (1935) / “NËSE INVESTITORËT HEBRENJ DUAN TË VIJNË SHQIPËRI, ATA JANË TË MIRËPRITUR…” — INTERVISTA ME FUAD ASLLANIN, AMBASADORIN SHQIPTAR NË LONDËR

January 31, 2025 by s p


Shkëlqesia e Tij Dr. Fuad Asllani është ministri shqiptar në Londër, dhe Zonja Moss është e veja e të ndjerit Sir Edward Moss. — Burimi : The Tatler, e mërkurë, 10 korrik 1935, faqe n°21
Shkëlqesia e Tij Dr. Fuad Asllani është ministri shqiptar në Londër, dhe Zonja Moss është e veja e të ndjerit Sir Edward Moss. — Burimi : The Tatler, e mërkurë, 10 korrik 1935, faqe n°21

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Janar 2025

“The Jewish Chronicle” ka botuar, të premten e 12 korrikut 1935, në faqen n°20, një intervistë asokohe me ambasadorin shqiptar në Londër, Fuad Asllanin, në lidhje me mirëpritjen e investitorëve hebrenj në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria do të mirëpriste hebrenjtë

Mundësitë për emigrantët kapitalistë

Pikëpamjet e Legatës

Burimi : The Jewish Chronicle, e premte, 12 korrik 1935, faqe n°20
Burimi : The Jewish Chronicle, e premte, 12 korrik 1935, faqe n°20

Ministri shqiptar në Londër (Fuad Asllani) lëshoi një deklaratë javën e kaluar në emër të qeverisë së tij, e cila përbënte një ftesë për hebrenjtë që të vendoseshin në atë vend dhe të investonin fonde në ndërmarrje bujqësore dhe industriale, duke premtuar lehtësira për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Ministri shqiptar e plotësoi këtë deklaratë gjatë një interviste që pata me të (shkruan një përfaqësues i Jewish Chronicle).

“Qeveria ime,” tha Shkëlqesia e Tij, “e shikon me sy të mirë mundësinë e ardhjes së hebrenjve për t’u vendosur në Shqipëri”. Ai shpjegoi se Shqipëria nuk do t’i mirëpriste hebrenjtë që thjesht donin të vinin në vend, “të bënin një fitim dhe më pas të iknin”. Ata duhet të vijnë me qëllim që të vendosen atje.

Ai theksoi mundësitë që ekzistonin në vend për investimin e kapitalit hebre dhe se qeveria shqiptare do t’i ndihmonte hebrenjtë që të merrnin sa më shpejt shtetësinë shqiptare, natyrisht brenda përcaktimeve të ligjit. “Por,” tha ai, “që të mund të zotërojnë tokën, duhet që sipas ligjit të bëhen shtetas shqiptarë”.

Pavarësisht se kultivimi në Shqipëri nuk është modern, tha ai, një hektar tokë prodhon në fakt 20 deri në 25 kuintalë misër dhe rreth 18 kuintalë grurë. Nëse do të kultivonim duke përdorur metoda moderne, padyshim që mund ta rrisnim këtë prodhim. Shqipëria, më siguroi ai, është e përshtatshme për të prodhuar oriz, duhan, vaj ulliri dhe panxhar. Sa i përket bagëtive, në vend, tha ai, kishte rreth 3 milionë dele dhe dhi dhe rreth 150,000 krerë bagëti. Hebrenjtë, falë lëndëve të para në dispozicion, mund të krijojnë fabrika. Eksporti i vezëve mund të jetë gjithashtu një burim biznesi i mirë. Vendi është i pasur me minerale. Atje shfrytëzohet nafta. Ka shumë mundësi edhe për turizëm.

Ministri deklaroi se nuk kishte asnjë kufizim për hyrjen dhe qëndrimin e një të huaji në Shqipëri, i vetmi përjashtim është punëtori i rastësishëm; nuk kishte asnjë taksë ndaj të huajve dhe nuk kishte absolutisht asnjë dallim race apo besimi. Popullsia përbëhej afërsisht si vijon : 68 % myslimanë; 20 % ortodoksë (grekë); dhe pjesa tjetër katolikë romakë.

Në Shqipëri ka shumë pak hebrenj, por nënkryetari i Bashkisë së Vlorës (10 mijë banorë) është një hebre i zgjedhur nga vetë popullsia. “Kjo, — tha ai, tregon shkallën e tolerancës së popullit të Shqipërisë.”

“Nëse hebrenjtë duan të vijnë në vendin tonë dhe të investojnë kapitalin e tyre, ata janë të mirëpritur.” tha ai në përfundim. Ai e cilësoi klimën e Shqipërisë si shumë të mirë dhe pak a shumë si ajo e Romës.

Filed Under: Histori

Shefi i Misionit Verikues në Kosovë (KVM), Ambasadori William Walker, bisedon me banorët vendas në një fshat në Kosovë, janar 1999

January 30, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Ngjarja më e rëndë në janar 1999, dhe me të vërtetë që nga armëpushimi i tetorit 1998, ndodhi në fshatin Reçak më 15 janar. Masakra në Reçak mund të mbetet për një kohë të gjatë një ngjarje kyçe në luftën e Kosovës; ajo padyshim ishte një moment përcaktues për KVM-në. Më 16 janar, ekipet e KVM-së, që përfshinin verifikues të të drejtave të njeriut, shkuan në fshatin Reçak (afër Shtimes). Gjatë ditëve të mëparshme, verifikuesit e KVM-së në zonë kishin raportuar atë që dukej si “shkelje e masave të armëpushimit” nga ushtria dhe forcat policore serbe.

Pasi mbërritën në Reçak, personeli i KVM-së zbuloi 36 trupa (më vonë u konfirmuan 45), 23 nga të cilët ishin të shtrirë në një hendek. Sipas një deklarate të bërë nga ambasadori William Walker, i cili vizitoi vendin e ngjarjes, “Shumica e viktimave ishin burra të moshuar, shumica e tyre të qëlluar nga distanca jashtëzakonisht e afërt, shumica të qëlluar në pjesën e përparme, mbrapa dhe pjesën e sipërme të kokës.” Ambasadori Walker tha në një konferencë shtypi se “Nuk kam fjalë për të përshkruar ndjenjën time personale të neverisë, as të atyre që ishin me mua, ndaj asaj që mund të përshkruhet vetëm si një mizori të paimagjinueshme… Megjithëse nuk jam një jurist, nga ajo që pashë vetë, nuk hezitoj ta përshkruaj ngjarjen si një masakër, një krim kundër njerëzimit.”

Asnjëherë nuk hezitoj të akuzoj forcat e sigurisë të qeverisë për përgjegjësinë. Ambasadori Walker kërkoi një hetim nga Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës për Ish-Jugosllavinë në Hagë. Ky qëndrim u mbështet nga Kryetari në Detyrë, z. Vollebæk, i cili e ngriti çështjen me Ministrin e Jashtëm të FRY-së, z. Ivani Jovanoviç, dhe kryetarin e Tribunali të Hagës, gjyqtaren Louise Arbour.

Në një deklaratë të lëshuar më 16 janar, z. Vollebæk kërkoi me forcë nga FRY që të mbyllë menjëherë aktivitetet ushtarake në Kosovë dhe të shmangë çdo veprim tjetër që mund të rrisë tensionet në rajon. Ai shprehu shqetësim për shpërthimin e dhunës së fundit, të cilën e përshkroi si “edhe më të keqes pas ngurrimit që çoi më 13 janar në lirimin e tetë ushtarëve jugosllavë të kapur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Më 18 janar, Ministri i Jashtëm i FRY-së, Jovanoviç, i dërgoi një letër z. Vollebæk, në të cilën e akuzoi Ambasadorin Walker për “ofendimin e dinjitetit dhe përvetësimin e autoritetit të organeve të shtetit të FRY-së”. Walker u shpall persona non grata dhe “u detyrua të largohej nga territori i Republikës Federale të Jugosllavisë së mbetur brenda 48 orëve.” Ky afat u zgjat më vonë edhe për 24 orë.

Më 19 janar, z. Vollebæk lëshoi një deklaratë në të cilën e përshkruante vendimin për të shpallur Ambasadorin Walker persona non grata si “krejtësisht të papranueshëm dhe që mund të çojë në një përshkallëzim serioz të konfliktit në Kosovë.” Ai tha se “OSBE ka besim të plotë në udhëheqjen e KVM.”

Këto mendime u pasuan nga ministrat e OSBE-së në një takim në Vjenë ditën pasues. Ministrat e Jashtëm Vollebæk i Norvegjisë, Wolfgang Schüssel i Austrisë dhe Bronisław Geremek i Polonisë lëshuan një deklaratë në të cilën thanë se vendimi për të shpallur Walker-in persona non grata ishte “krejtësisht i papranueshëm” dhe theksuan se “autoritetet serbe duhet të tërhiqen nga vendimi për të shpallur Ambasadorin Walker persona non grata dhe të bashkëpunojnë plotësisht me OSBE-në.” Ata thanë gjithashtu se “vrasjet në Reçak dhe refuzimi i udhëheqësisë jugosllave për të bashkëpunuar me OSBE-në janë një shkelje e rëndë e Rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe e Marrëveshjes së nënshkruar midis Ministrave Geremek dhe Jovanoviç.”

Presioni diplomatik ndërkombëtar (përfshirë një vizitë në Beograd nga Kryetari në Detyrë) çoi përfundimisht në ngrirjen e pa kushte të urdhrit për dëbimin e Ambasadorit Walker nga autoritetet jugosllave.

Megjithatë, kërkesa që Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës për Ish-Jugosllavinë të ketë qasje të pakufizuar në vendin e krimit u refuzua. Gjyqtarja Louise Arbour u kthye pas në kufi kur tentoi të hynte në Kosovë nga ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, me një shoqërues të OSBE-së, më 18 janar. Një ekip forenzik finlandez, duke punuar me OSBE-në, arriti më 21 janar për të kryer autopsitë e trupave.

OSBE-ja ka theksuar prej kohësh se një zgjidhje e qëndrueshme e krizës në Kosovë mund të arrihet vetëm përmes mjeteve politike. Prandaj, ajo ka mbështetur përpjekjet e fundit për të ndërmjetësuar në mbylljen e konfliktit. Më 1 shkurt, Këshilli i Përhershëm lëshoi një deklaratë ku thuhej se “OSBE është gati të lehtësojë zbatimin e një zgjidhjeje politike; të mbikëqyrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të ndihmojë në zhvillimin e institucioneve dhe proceseve demokratike, dhe të ndihmojë në mbrojtjen e respektit për të drejtat e njeriut të të gjithë banorëve dhe komuniteteve në Kosovë.” Ajo tha se “OSBE do të angazhohet drejtpërdrejt në përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike.”

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT