• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

7 Prilli 1939: Mosnjohje dhe mosmirënjohje!

April 7, 2013 by dgreca

NGA PROF. SAMI REPISHTI*/

Shtatëdhjetë e katër vjet ma parë, më 7 prill 1939, forcat e armatosuna të Italisë fashiste sulmuen Shqipërinë pa shpallje lufte formale. Ky agresion i çveshun nga çdo justifikim, u paraqit si dëshira e popullit shqiptar të çlirohej nga regjimi i monarkisë dhe veçanërisht nga personi i Mbretit Zog I. Nji gënjeshtër të këtillë, që paraqitej para botës së qytetnueme nga kalemxhinjtë dhe kasnecët e fashizmit italian, nuk e besojshin as italianët.

Mbrapa gënjeshtrës qëndrojshin divizionet italiane në punën e tyne të ndytë të okupacionit në Shqipëri me synime agresive të matejshme në Ballkan, Ajo që më shtyri sot të shkruej ashtë nji ndjenjë pakënaqësie e madhe për mosnjohjen e ngjarjeve të 7 prillit 1939, dhe akoma ma shumë, për mosmirënjohjen e sakrificave të dëshmorëve që paguen me jetë kundërshtimin e agresionit fashist.

* * *

Sipas “Historia e popullit shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (v. III, 2007): “Gjatë luftimeve u vranë mjaft luftëtarë shqiptarë. Më i njohuri u bë Mujo Ulqinaku” (f.367). Sipas kapitenit anglez Smith, i pranishëm në ngjarjet, “…mbrojtësit u mundën vetëm nga numri i madh i sulmuesve, dhe mbasi (shqiptarët) shtrinë përtokë shumë prej tyne “(po aty). Burime të ndryshme konfirmojnë se zbarkimi fashist filloi në orën 4:30 të mëngjesit, dhe vetëm mbas orës 9:00 të mëngjesit italianët hynë në Durrës. “Qëndresa u bë edhe në Rrashbull e te Shkëmbi i Kavajës “(po aty). Kjo “Histori…” tregon se “…italianët lanë në Durrës mjaft të vrarë dhe të plagosur. Edhe nga shqiptarët pati të vrarë e më shumë të plagosur”. (f.368) Në kujtimet e tij, dëshmitari okular, kolonel Sami Koka, shkruen: “…Në tentativat e para të italianëve për të shkelur në bregun tonë, pati të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Italianët me anën e Kryqit të Kuq tërhiqnin të plagosurit e tyre dhe të vrarët për në kryqëzor; po atë gjë bëmë edhe ne më tanët, por me mjetet primitive dhe me zemër të madhe…”(S. Koka. Kujtime) “Në Shëngjin, luftëtarët shqiptarë thyen dy përpjekje për të zbarkuar… Edhe gjatë rrugës për në Lezhë, në Bushat, Barbullush, Bërdicë dhe Beltojë e në hyrje të qytetit të Shkodrës, pushtuesit ndeshën në një qëndresë të fortë… si dhe në Koplik dhe gjetkë…” (ASHeSH. f.368- 9). Ndërsa në Vlorë, komandanti i kompanisë u vra…

Gjatë luftimeve pati disa të vrarë e të plagosur edhe nga shqiptarët. Njëri pej tyre ishte luftëtari Hamid Vashko (f.368). “Luftime u bënë edhe në Sarandë…. Italianët që shkelën tokën e Shqipërisë lanë mjaft të vrarë e të plagosur. Edhe nga shqiptarët u vranë mjaft”. (f.370) Profesor Brndt Fischer (Indiana U., SHBA), në librin Albania at War-1939-1945 (1999) shkruen: “…Më 7 prill 1939, rreth 22 000 ushtarë të mbështetun me afërsisht 400 aeroplana lufte, 300 tanke të lehta dhe disa duzina luftanijesh, sulmuen Durrësin, Vlorën, Shëngjinin dhe Sarandën… Me pak përjashtime, ushtria shqiptare (e stërvitun nga italianët, SR) nuk luftoi… Vetëm Gjindarmëria (e stërvitun nga anglezët, SR) duket se dëshironte me rezistue…. Mbrojtësit, gjindarmëria e Durrësit, nën drejtimin e komandantit Abaz Kupi, megjithëse nën presion të madh numerik dhe e paisun vetëm me nga 50 fishekë, zmbrapsi me sukses sulmet e para… Kupi dhe luftëtarët e tij u mundën vetëm nga numri i madh (italian) dhe mbasi i shkaktuen nji numër të konsiderueshëm viktimësh, u tërhoqën në qytet… Luftimet në qytetin e Durrësit zgjatën dy-tre orë.

Simbas tregimeve të vendësve, në Durrës u vranë rreth 400 italianë. Italianet raportuen vetëm 12 të vramë gjatë gjithë invazionit…. Në Vlorë nuk ka pasë nji rezistencë të randësishme… Në Shëngjin …nuk ka pasë ma shumë se 6 a 7 të vramë nga secila anë”.(F.22) Fischer përfundon: “…. Ka mundësi që afër 200 italianë mbetën të vramë në Durrës dhe se numri i përgjithshëm i viktimave italiane arrin shifrën 700. Viktimët shqiptarë mund të kenë qenë edhe ma të mëdha” (po aty). Ky konstatim i Fischer-it gjindet në Arkivat e Departamentit të Shtetit Amerikan (DASH). Simbas Fischer, kryekëshilltari i ministrit fashist G. Ciano, Filippo Anfuso, ka deklarue: “Sikur shqiptarët të kishin pasë nji brigadë të armatosun mirë, do të na kishin hjedhë në Adriatik”. (Fischer, 23. Nga dokumentet italiane të kapun nga gjermanët.) U deshën rreth 40 ditë që ushtria italiane të shtrihej në të gjithë Shqipërinë”, shkruen V. Duka “Historia e Shqipërisë 1912-2000” (Tiranë, 2000, f.210), por autorja nuk flet fare për viktimët. Anton Logoreci The Albanians-Europe’s Forgotten Survivors.(London, UK. 1977) kufizohet me këtë frazë: “Më 7 prill 1939, mbas nji përleshje të shkurtë, por të ashpër, forcat italiane okupuen shumicën e vendit mbrenda pak ditësh” (f.64).

Nji botim autoritativ amerikan, Federal Research Division, Library of Congress, “Albania: A Country Study” (1992), përshkruen ngjarjen: “Më 7 prill 1939, trupat e Musolinit invaduen Shqipërinë. Me gjithë rezistencën kokëforte por të shkurtë, veçanërisht në Durrës, italianët i mundën shpejt shqiptarët”. Autorët shtojnë: “Mbreti i Italisë, V. Emanueli III, e kritikoi invazionin e Shqipërisë si “…nji rrezik i panevojshëm”. (f.32-33) “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” (Ed. H. Myzyri et al. Tiranë, 2001) jep këtë përshkrim: “Në mëngjesin e 7 prillit 1939, trupat fashiste italiane prej 35-40 mijë vetësh sulmuen Shqipërinë dhe zbarkuen në Durrës, në Vlorë, në Shëngjin dhe në Sarandë. Në Durrës, njësitë e ushtrisë shqiptare të drejtueme nga Abaz Kupi, u bënë qëndresë pushtuesve. Në këtë luftë ra heroikisht Mujo Ulqinaku, i cili u bë dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Me armë në dorë u pritën pushtuesit edhe në Vlorë, në Shëngjin, në Lezhë, në Shkodër, te Ura e Bahçallëkut etj. (f.292)… “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë…” (p.293). Konfuzioni në paraqitjen e ngjarjeve të njenit nga momentet ma fatale të historisë sonë kombëtare nga historianët shqiptarë tregon në esencë mosnjohjen e këtyne ngjarjeve dhe mungesën serizoze të kërkimeve në arkivat e shteteve të vendeve kryesore. Ky manifestim negativ nuk justifikohet! Ai mund të spjegohet me faktin se: a) Me okupimin fashist të vendit, autoritetet italiane dhe shërbëtorët e tyne shqiptarë kanë ba pothuejse të pamundun nji studim të ngjarjeve, dhe sidomos glorifikimin e viktimave të kësaj tragjedie kombëtare; dhe b) me ardhjen e pushtetit komunist u ba nji rregull i detyrueshëm mos me paraqitë të kaluemen në dritën e së vërtetës.

Qëllimi i regjimit të kuq ishte të mbulohej me nji rrjetë harrese e kaluemja e jonë, kështu që “aventura komuniste” në Shqipëri të shkëlqente sa ma shumë. Historia e Shqipërisë fillonte me 29 nandor 1944. Vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku u ruejt. Abaz Kupi u naltesue në fillim dhe u demaskue ma vonë si agjent i fuqive të hueja. Dëshmorët e tjerë i mbuloi harresa, që vazhdon edhe sot. Njizetë e dy vite të “tranzicionit” nuk kanë pasë sukses me shembë këtë mur harrese të plotë. Me përsëritë gjykimin e profesor Fischer: “Shqipëria dhe populli i saj kanë kalue shekullin (njizetë) relativisht në errësinë, agresioni i 7 prillit 1939 ka qëne nji rast i shkëlqyeshëm për shqiptarët me i tregue botës karakterin liridashës dhe shpirtin e sakrificës në ditët e vështira. Ky rast i rrallë, fatkeqsisht, u humb për fajin e klasës politike shqiptare të kohës”. Ai e spjegon këtë fenomen si “…papjekunia e nji entiteti politik (Parathanje). Gjykimi i profesorit Fischer ashtë kapidar! Më 7 prill 1939, të gjithë shqiptarët kishin humbë rastin e shkëlqyeshëm me i tregue botës se cilët janë në të vërtetë shqiptarët. Mungesa e nji koncepti të nacionalizmit në shkallë “kombëtare” te shumica e paformueme politikisht dhe e paekspozueme e ideve perëndimore të “shtetit” dhe “demokracisë” si vlera të nalta permanente, dhe fanatizmi i ruejtes së identitetit të fshatit, qytetit ose krahinës dolën në shesh me të gjithë ashpërsinë e tyne gjatë invazionit fashist të Shqipërisë më 1939-n.

Fatkeqsisht, regjimi komunist e thelloi akoma ma shumë ndasinë krahinore dhe nji plagë e këtill na mundon edhe sot! Edhe ma keq! Kjo “klasë politike shqiptare e kohës” u komprometue plotësisht me nënshtrimin e saj pa rezerva padronit të ri. Më 14 prill iu dhurue kunora e Skënderbeut Mbretit të Italisë. Ma shumë se gjysma e deputetëve ishin nga ish-garnitura monarkiste dhe personalitete të Monarkisë. Shqipëria u tërhoq nga Lidhja e Kombeve. Ministria e Jashtëme dhe ajo e Luftës u shkrinë me atë të Italisë. Mesazhi i Ministrisë së Jashtëme për legatat ishte: “Porositeni të mos bani asnji veprim diplomatik… Mbani gjithëherë kontakte të ngushta me përfaqësitë italiane… Kini besim të plotë në qeverinë fashiste etj.”. (I.Konomi. Faik Konica.-2012, f.204) Ndërsa Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe federata “Vatra” organizojshin demonstrata e protesta kundër invazionit italian dhe i drejtoheshin Presidentit Roosevelt “…për të shpëtuar Shqipërinë heroike, nji vend paqësor dhe i pambrojtur”, (K.211) kolaboracionistët e Tiranës udhëzonin F. Konicën që të bante çdo përpjekje me pengue këto manifestime patriotike.

Më 3 qershor u mbyll Ministria e Jashtëme dhe ajo e Mbrojtjes dhe kaluen në duert e italianëve. Përfaqësimi diplomatik u muer nga italianët. Diplomatët mbetën pa mbështetje, me përjashtim të Turqisë dhe Egjiptit, që nuk njohën pushtimin fashist, dhe përfaqësuesët shqiptarë, Asaf Xhaxhuli në Ankara dhe Abdyl Sula në Kajro, mbajtën legatat të hapuna gjatë gjithë viteve të luftës. Shqipëria po varrosej pa ceremoni! Akuzat e historianëve shqiptarë së “Fuqitë e Mëdha perëndimore u shprehën se nuk kishin interesa ndaj Shqipërisë” janë vetëm pjesërisht të vërteta dhe pjesërisht mbeturina të historiografisë komuniste. Në SHBA kemi protestat e ministrit F. Konica pranë DASH dhe mirëkuptimin e autoriteteve amerikane. “Kam ardhur të protestoj pushtimin e vendit tim nga Italia”, i tha ai sekretarit të Shtetit, C. Hull, i cili mori kontakt të menjiherëshëm me Presidentin F. D. Roosevelt. Në orën 5:30 mb.dr. të datës 7 prill 1939, Presidenti dhe C. Hull diskutuen në telefon pushtimin e Shqipërisë dhe “…vendosën të mos njohin pushtimin e Shqipërisë, ashtu siç nuk kishin njohur aneksimin e Etiopisë më 1936-n, dhe se Konica do të njihej si përfaqësues i vendit të tij” (K.192).

Më 8 prill 1939, Shtëpia e Bardhë deklaroi: “Pavarësia e vazhdueshme politike, ekonomike dhe sociale e çdo vendi të vogël në botë ka nji efekt mbi sigurinë dhe begatinë tonë kombëtare” (K.193). Po atë ditë, ish-ministri amerikan në Tiranë, Charkes Hart, deklaronte: “…rezistenca shqiptare ndaj forcave të mekanizueme të Italisë do të ishte e kotë, por kundërshtimi ndaj pushtuesit nuk do të vonojë; do të jetë sporadik, por i vendosun “. (K.193) Ndërkaq, shtypi serioz amerikan u jepte hapësinë deklaratave të ministrit Konica. Në mesditën e datës 8 prill, sekretari i Shtetit C. Hull lexoi këtë deklaratë: “Pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë ashtë pa dyshim nji kërcënim tjetër ndaj paqes në botë. Do të ishte dritëshkurtësi të mos mbahej shënim ky zhvillim i matevijon nga faqja 1 Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. jshëm”. (K.194) Senatori William King e quejti pushtimin “…nji sulm burracak dhe i egër ndaj nji vendi të vogël….Qeveria italiane u suall më keq se një gjarpër me zile”.(K. 199) Më 14 prill 1939, Presidenti Roosevelt i bani thirrje qeverive të Gjermanisë dhe Italisë që të japin sigurinë se nuk do të sulmojnë 14 vende të Europës; vendi i parë ishte Shqipëria. Pse ndryshoi qëndrimi amerikan ndaj pushtimit italian? Interesa madhore amerikane ishte të evitohej ballafaqimi me Musolinin dhe të mos shkaktohej nji afrim i tij me Hitlerin në nji front të përbashkët kundër Perëndimit.

Ka arsye me besue se largimi i Mbretit Zog I pa rezistencë, shuemja e shpejtë e rezistencës dhe nënshtrimi i menjiherëshëm i garniturës monarkiste që përfaqësonte “Shtetin shqiptar” ndaj okupatorit, duhet të kenë influence mendimin e diplomateve amerikanë. Britania e Madhe e Franca drejtoheshin nga kapitulluesit Chamberlain dhe Daladier respektivisht, të cilët kishin firmue Marrëveshjen e turpshme të Munich-ut (1938) tue sakrifikue Çekosllovakinë dhe nuk kishin asnji interes me shqetësue balancën e forcave të krijueme në Europë. Jugosllavia e pro-italianit Stojadinoviç ishte e kënaqun që trupat italiane nuk u vendosën pranë kufinit me Jugosllavinë. Greqia e diktatorit pro-fashist gjeneral Metaxas deklaroi se pushtimi i Shqipërisë nuk cenonte marrëdhanjet e mira në mes të Greqisë dhe Italisë fashiste. Para nji situate të këtillë vetëm rezistenca e fortë dhe e qëndrueshme shqiptare mund të kishte influencue opinionet qeveritare dhe do të kishte fitue simpatine e opinionit publik ndërkombëtar, tue e vendosë Shqipërinë pa rezerva në kampin aleat antifashist. Por invazioni ushtarak fashist i Shqipërisë shpalosi dobësitë e thella në strukturën e ushtrisë italiane. Italia nuk ishte e përgatitun për luftë. Pak dite ma vonë, Britania e Madhe nënshkroi Traktatin miqësor me Turqinë, nji shtet që nuk pranoi pushtimin italian të vendit tonë.

Ky akt me randësi tregon se u krijue nji atmosferë e frikës, e cila imponoi formimin e koalicioneve në mes të fuqive antifashiste, që do të përfundojshin në frontin e përbashkët të koalicionit të madh antifashist, e që gradualisht do të shkatërronte agresorët fashistë italianë, gjermanë dhe japonezë. Profesor Fischer shkruen: “Tani mund të thuhet se sakrifikimi i Shqipërisë nuk shkoi kot”(F.32). Nga ky mobilizim i forcave të Perëndimit (e njohun ma vonë si “Bota e Lirë”) lindi shpresa e rilindjes në popujt e shtypun, që përfundoi në organizimin e rezistencës kundër okupatorit edhe në Shqipëri. * * * Krahas mosnjohjes së ngjarjeve të 7 prillit 1939, sot revoltohemi edhe për mosmirënjohjen zyrtare që “shteti” dhe “shoqënia” shqiptare u detyrohen viktimave të 7 prillit. Lind pyetja: Si ashtë e mundun që në të gjitha përleshjet me agresionin në shumë pika të atdheut tonë të ketë humbë jetën vetëm dëshmori Mujo Ulqinaku? Si ashte e mundun që mbas pesë orë luftimesh në Durrës, zbarkimet në Vlorë, Shëngjin e Sarandë, janë krye vetëm me nji viktimë shqiptare? Simbas nji dëshmie të besueshme, në muejin shtator 1943, menjiherë mbas kapitullimit të Italisë, autoritetet shqiptare kanë konfirmue vdekjen e 12 dëshmorëve të 7 prillit dhe kanë garantue pensionin e plotë për familjarët e tyne. Dokumentacioni për këtë akt dinjitoz duhet të gjindet në Arkivën e Shtetit të muejit shtator 1943.

Ashtë plotësisht mosmirënjohës qëndrimi i shtetit dhe shoqënisë shqiptare – sidomos i Akademisë së Shkencave të Shqipërsië dhe Institutit të Historisë, si dhe i të gjithë atyne që kanë diçka me tregue – që gjatë viteve të tranzicionit, që nga viti 1992 dhe deri sot, kanë lanë mbas dore detyrën e shenjtë dhe thellësisht morale me nxjerrë në dritë emnat e dëshmorëve të 7 prillit 1939 dhe me u akordue atyne mirënjohjen e thellë të mbarë kombit shqiptar për aktin suprem të sakrifikimit, tue mos lanë mbas dore edhe përkujdesjen zyrtare për familjarët e tyne. Kjo mosmirënjohje që jetojmë na sot ashtë nji turp i madh për të gjithë shqiptarët, nji trup që duhet shlye sa ma parë dhe sa ma plotësisht. (Theksimet e mia. SR)

* City University of New York

PS:Falenderojme Prof. Sami Repishtin qe e dergoi shkrimin per publikim ne gazeten Dielli

 

Filed Under: Histori Tagged With: 7 prilli, dhe mosmirenjohje, Njohje, Sami repishti

7 PRILLI-QËNDRESA EPOKALE E SHQIPTARËVE

April 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/

Qëndresa,ky lajtmotiv i jetës shqiptare,ka shoqëruar historinë e vendit të shqipeve në çdo kohë. Prej fryme,gjaku,mishi a guri,kjo qëndresë ka ruajtur brenda vetes,ate ndjenjë të fuqishme,gati të pamposhtur,për të mos lënë atdheun në duar të huaja.Shqiptarët të radhitur pas njëri-tjetrit në këtë qëndresë,u ngjanin atyre fishekëve të gjerdanit në brezin  e madh të shekujve.E skalitur me përrenj dhimbjeje dhe gjaku,në epikën e kësaj qëndrese,qëndron data 7 prill 1939.Kjo datë do të jetojë me krejt fatet historike të popullit tonë,jo aq për tragjizmin e asaj se sa për ate frymë madhore qëndrese e shfaqur dukshëm në brigjet shqiptare.Ajo çka populli ynë realizoi në ato ditë të para të prillit,nën udhëheqjen e nacionalistëve shqiptarë,provonte njëherazi shpirtin e tij liridashës dhe guximin për ta ruajtur të paprekur këtë ndjenjë.

 LËVZIJET NË PRAGPUSHTIMI/

Është krejt e natyrshme të mendohet se 7 prilli i vitit 1939,nuk mund të zbriste nga qielli.Ai u përgatit së paku në një vit dhe u kondicionua së tepërmi nga ngjarjet në Evropë e Ballkan,në vitet 1937-1938.Veçmas në fillim të vitit 1938 kur boshti Romë-Berlin përfaqsonte një element absolut të forcës si në resurse njerzore,ashtu edhe në armatime.Uzina e fabrika të tëra armatimi,ishin vënë nën influencën dhe kontrollin e rreptë të shtabeve ushtarake.Ironia më e madhe ishte se këto shtabe përfaqsoheshin nga kuadro ambicioze,me karierë të pasur ushtarake dhe drejtoheshin prej dy njerëzve të ç’ekuilibruar mendërisht,Hitlerit dhe Musolinit.Në vitet 1937-38,të shekullit që lamë pas,Shqipëria ndodhej e zhytur në njëmijë e një probleme të mëdha ekonomike,politike,ushtarake etj.Mbreti Zog,ndonëse ishte i prirur të qeveriste me dorë të hekurt,falë kulturës perëndimore që dispononte,la që të punonin në poste kyqe mjaft prej kundërshtarëve të vet politik.Duke trashëguar një prapambetje kolosale nga e kaluara,Shqipëria endej midis huave dhe ndihmave,për të mbajtur gjallë shpirtin.Jeta politike në vend po kristalizonte disa rryma liberale e domkratike të cilat Ahmet Zogu i shihte me indiferencë por jo pa u kujdesur të informohej për gjithshka ndodhte brenda atyre lëvizjeve.Në fillim të vitit 1938,shihet  një afrim i ngushtë midis qeverive të Serbisë dhe Bullgarisë.Ishin njoftuar zyrtarisht disa takime të njëpasnjëshme të ministrave të jashtëm respektive ku në qendër pat qenë vlersimi i situatave në Shqipëri.Nëse qeveria e Ahmet Zogut,këto flirte i parashihte si rreziqe të ardhme në kufijtë e saj veri-lindorë,qeveria italiane ishte e prirur të mendonte se fjala ish për „ndërhyrje“ në domenet e saj.Ajo shihte me dyshim bashkëpunimin e Bullgarisë me Setbinë,për faktin se kishte investuar së tepërmi në Shqipëri,në krejt rafshet,si ate ekonomik,edhe politik e kulturor.Në fundprillin e vitit 1938,ministri i jashtëm i asaj kohe Gaetane Ciano,mori pjesë në martesën e Mbretit Zog me zonjushën Geraldine,hungareze me preardhje familjare,konteshë.Me këtë rast ai mundi të shoh edhe një herë në Shqipëri,ndikimin italian e më tej të konturojë të ardhmen vasale të këtij vendi në brigjet e kundërt të Adriatikut.Ciano nuk nguroi të marrë takime me kuadro të larta ushtarake italiane të cilët në bazë të marrëveshjeve të maparshme shërbenin si instruktorë në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare.Kështu që më 10 maj të vitit 1938,Duçja së bashku me Cianon,hedhin idenë e një promemorje për Shqipërinë.Në te caktohen imtësisht detajet mandej lidhet periudha një vjeçare deri në sulmin ushtarak,periudhë e mbushur me lëvizje diplomatike e politike mjaft të sakta.Ata nisin të potencojnë në propagnadën e tyre,unitetin dhe fuqinë e boshtit Romë-Berlin duke parandjerë se Franca dhe Anglia nuk do të jenë dakord me këtë pushtim.Kjo ngase ata kanë synimet e tyre në Ballkan dhe tradicionalisht lidhen me miqësi të tilla,që duan zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e hartës ballkanike.Lidhur me tërë këto,Ciano nisi ta shtrije aktivitetin e vet diplomatik në disa kancelari evropiane.Motoja e këtij aktiviteti,ishte të spjegonte mbi mungesat e mëdha në Shqipëri dhe „nevojat imediate“ për një kujdestari me çrast nënkuptohej Italia.Në ditarin e vet,në datën 19 maj 1938 ai shkruan ;

„Si pasojë e një informacioni nga Tirana.lidhur me aktivitetin e zgjeruar të Ministrit gjerman,Duçja më tha , t’i bëjë Ribbentropit se ne konsiderojmë çështjen shqiptare si „çështje të familjes“,formale kjo e përdorur nga gjermanët për studentët.Pra „Hands off“… Tani,ai po vlerson mjetet dhe operacionin ushtarak…

“( G.Ciano, Ditar, 19 maj 1938 , faqe 14 , Botuar në Milano 1963 ).

Ndërkaq në drejtim të Shqipërisë,qeveria italiane nisi të avancojë disa veprime ekonomike siç ishin ndërtime urash e shtrime rrugësh.Këto dhe të tjera lëvizje në rrafshin kulturor,donin të institucionalizonin shprehjen publike të Duçes se „Shqipëria është në zemrën time“.Disa traktativa për të patur në çdo rast,nën influencën e tyre.Mbreti Zog,dështuan.Më tej u konturua në detaje plani i rrëmbimit të tij me anë të një jahte ( e cila do ti dhurohej Mbretit Zog me kusht që ekuipazhi të ishte Italian).Por edhe kjo manovër dështoi falë intuitës vetruajtëse të Mbretit të shqiptarëve. Në vjeshtën e vitit 1938,ministri jugosllav në Romë,Kërstiç Boshko,bën të ditur pranë qeverisë italiane se marëdhëniet shqiptaro-italiane janë më të ngushta nga ç’duhet,duke lënë të nënkuptohet se Beogradit nuk i pëlqen kjo ulje këmbëkryq në Shqipëri.Ciano e shmang diplomatikisht këtë bisedë,duke i bërë të qartë boshkos,se tanimë gjithshka lidhur me Shqipërinë ka marrë fund,ndërsa jugosllavët,nëse do të ishin të zgjuar e kurajoz,duhej menjëherë të niseshin në drejtim të   Selanikut.Boshti Romë-Berlin kish paracaktuar që serbët asesi nuk mund të përkdheleshin prej valëve të Adriatikut.Përkundrazi ata duhej të kapnin Selanikun,për të pasur frymarrje në detin Egje. Një tjetër version tani në zyrat e fshehta të shërbimeve speziale italiane,ajo e vrasjes së Mbretit Zog prej mikut të vjetër të tij,shqiptarit Koçi Jake.Me ndërhyrjen e drejtëpërsëdrejti të Jakomanit,ky shqiptar mjeran vendos familjen në Itali dhe instruktohet për eleminimin fizik të Mbretit të shqiptarëve,ngase Italia shihte në personin e tij,kundërshtimin e prerë dhe të hapur jo vetëm ndaj memorandumit,por ndaj çdo „zgjidhje“ që italianët afronin për pushtimin ushtarak.Në ditarin e vet, lidhur me ngjarjet e atyre ditëve,Ciano shkruan ;“ 6 dhjetor.Duçja shqyrton dhe aprovon planin e aksionit në Shqipëri.Ngre rezervën për Jugosllavinë.Për Francën,për Anglinë e Greqinë nuk preokupohet fare.E ndjek me vëmendje qëndrimin jugosllav,i preokupuar jo nga ndonjë reaksion i vërtetë,gjë që duket e vështirë,por e shqetson ndonjë dobësim i miqësisë me të.E quan të dobishme të studiohet mundësia e një kompesimi,qoftë në kurriz të Greqisë ;Selaniku“. ( G. Ciano , Ditar , 6 dhjetor 1938, faqe 20 , botuar në Milano 1963 ).Rënia e Stojadinoviqit në janarin e vitit 1939,u duk se e ndërlikoi pak situatën por italianët vendosën të sulmojnë,pa u meralosur tashmë fare ndaj divergjencave me dilplomacinë serbe.Shtabi ushtarak  në Romë,tashmë kish përcaktuar qartë strategjinë dhe taktikat e pushtimit madje kish vendosur edhe kuadrot kryesore të rangjeve të larta.Ky pushtim ushtarak u planifikua të kryhej në dy faza.E para ishte pushtimi me veprime luftarake – rrufe e qendrave kryesore,porteve dhe pozicioneve strategjike. E dyta ishte pushtimi i plotë i viseve shqiptare deri në kufijtë e jugosllavisë e Greqisë,pushtimi i cili do të realizohej prej një fuqie të madhe ushtarake,të paisur më së miri me mjete dhe teknikë luftarake.Më 15 mars 1939 , trupat ushtarake gjermane fillojnë pushtimin e Bohemisë,një ndër zonat më të pasura të Evropës.Boshti Romë-Berlin ka nisur të ndjejë plasaritjet e para,ngase gjermanët deri në fund ishin kuptuar jo mirë dhe kishin dashur me italianët,jo partneritet por vasalitet.Ushtria italiane që numëronte dhejtra mijëra dukej si e fyer.Ajo ish e etur për lavdi të reja dhe u zgjodh pikërisht Shqipëria që të shunate orekset e ndyra fashiste.Në fundmarsin e vitit 1939,në drejtim të Tiranës,niset sekretari i kabinetit të Cianos,baroni De Ferraris.Ai mbart në valixhen diplomatike të tij projektin e Paktit për protektorat italian,të ideuar nga Duçja e Ciano.Njëherit ka kërkuar takim kokë më kokë me mbretin Zog dhe ky,duke qenë në dijeni të përgaditjes italiane për invazion e pranon takimin.Por pas disa orë debatesh,De Ferraris ka dalë gati i zhgënjyer nga zyra e mbretit të Shqiptarëve.Ai ka qenë i sigurt kur ka refuzuar të firmosë paktin dhe baroni italian ka vijuar udhën në det duke u kumtuar shefave të vet,vendosmërinë e Ahmet Zogut për të mos bërë asnjë kompromis me ushtarakët italian.Kaq është dashur që Duçja të përcaktojë datën e sulmit ndaj Shqipërisë.

PARALELE NË BRIGJET SHQIPTARE

Fatkeqsisht,historiografia komuniste e Tiranës, e ka lënë në harresë 7 prillin e vitit 1939.Me tendencë,ajo e ka paraqitur krejt spontane revoltën dhe qëndresën shqiptare në ditët e para të prillit 1939.Për më tej,paradakosalisht,këtë rezistencë të armatosur,ajo e ka paraqitur nën ndikimin e komunistëve dhe ideve të tyre !… Një butaforizëm klasik si ky ka shoqëruar 7 prillin shqiptar në më shumë se pesë decenie. E vërteta është krejt ndyrshë.Traktativat italiane për protektorat,Mbreti Zog do t’i përjetonte kurdoherë si përgaditje të një sulmi eventual të Italisë,ndaj trojeve të atdheut të vet.Këtë e dëshmojnë një varg i tërë urdhërash mobilizimi që në janarin e vitit 1939.Këto urdhëra,anipse nuk flisnin hapur,nënkuptonin mobilizimin e përgjitshëm të shqiptarëve,prej rrezikut që i kërcnohej.Mbreti i shqiptarëve,në periudhën janar-mars 1939,u përpoq të neutrolizojë sa ma shumë veprimtarinë e këshilltarëve italian,me ç’rast do të ruhej sa më shumë sekreti i përgaditjes së ushtrisë kombëtare shqiptare.Në urdhërin e tij,për mobilizimin e dy batalioneve me ushtarë rezervistë në trevën e Matit,thuhej tekstualisht : „Oraganizimi të bëhet në fshehtësinë sa ma të naltë e ndër ushtarë të forcohet besimi se duhet me krye detyrën e shenjtë ndaj atdheut“.(Urdhër dt.15 shkurt 1939 , Arkivi ushtrisë – Tiranë, fondi „Pushtimi fashist i prillit 1939 „ kutia 27 , fleta 17 ).

Jo  vetëm terva e Matit,por nga krejt viset shqiptare dulën me qindra rezervistë të gatshëm për t’u inkuadruar në radhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Këtu vlen të ndriçohet sidomos fakti se nuk ishin komunistët por nacionalistët shqiptarë ata me shembullin e tyre,ngritën në këmbë popullin shqiptar kundër pushtimit fashist që trokiste në prag.Emra të njohur të këtij nacionalizmi si Mid’hat Farshëri,Abaz Kupi,Hysni Lepenica,Vasil Andoni,Haki Taha,Safet Butka,Xhem Gostivari,Zef Pali etj ,me zërin e tyre dhe guximin e madh,ngritën ndërgjegjen kombëtare shqiptare,në nivelin Himëror të përballjes së tyre me italianët.Ishin pikërisht këta bij të shqipes,që organizuan greva e demonstrata të hapura,që kundërshtuan pushtimin dhe jo komunistët( që u grupuan në vjeshtën e vitit 1941 prej jugosllavëve ).

Ushtarak i lindur Mbreti Zog,me nismën e tij, krahas moblizimit të një pjese të konsiderueshme të popullit,kreu edhe paisjen me armatim e mjete luftarake të tjera,këto forca rezerviste.Mbase do të duhet studime të tëra të historiografisë ushtarake shqiptare lidhur me këtë ngjarje,por dokumentat flasin për ate se ushtria kombëtare e asaj periudhe ishte e paisur me mjete nga më modernet ushtarake,si edhe drejtohej prej atdhetarëve që patën kryer studime në akademitë ushtarake të Evropës.Figura të tilla si Muharrem Bajraktari,Preng Previzi,Fiqri Dine dhe Abaz Kupi,e patën treguar me kohë devocionin e tyre ndaj çështjes së lartë kombëtare.Ylli i mëngjesit për ta,kish qenë kurdoherë atdheu dhe bashkimi i kufijve etnike sipas të drejtave natyrore të kombeve. Në vija të përgjithshme,sipas burimeve ushtarake italiane për operacionin në fjalë,strategjia e ushtrisë kombëtare shqiptare,synonte në ;“Mbrojtjen e vendeve me rëndësi të veçantë,në bregdet duke patur në dorë një forcë rezerve e cila në çdo rast do të mundësonte shtyrjen e rënies së kryeqytetit“.

( M. Montanari , „Ushtria italiane në Shqipëri“, Romë 1978 , faqe 401 ).

Pra shihet qartë se strategjia e Mbretit Zog ishte në një përfytyrim konkret.Ushtria shqiptare,edhe pse dispononte armatime moderne,ajo nuk ish paisur as me anije dhe as me aeroplane-gjuajtëse. Si e tillë mbrojtja do të ishte kryesisht fragmentare.Një mbrojtje e tillë ishte plotësisht funksionale po të llogaritës forcat e dy ushtrive që do të ndesheshin pas disa ditëve.Forcat më të mëdha të ushtrisë kombëtare shqiptare u dislokuan në rajonin Shijak-Tiranë-Krujë,aty ku pritej të bëhej rezistenca më e madhe.Kështu komanda e lartë ushtarake shqiptare,solli duke marrshuar kryesisht natën 7 batalione dhe gjashtë batalione artilerie,që në çdo rast përbënin gjysmën e forcave që aktualisht egzistonin.Në bregdetin e Durrësit u caktua një batalion xhandarmërie dhe dy rezerviste të cilat i instruktoi dhe ndau detyrat,vetë komandanti i xhandarmërisë i Durrësit,Abaz Kupi.Falë reputacionit që ky atdhetar gëzonte në krujë,ngy ky qytet shkuan në Durrës edhe 70-80 burra të armatosur.Në Vlorë prej shtabit të lartë ushtarak u dërguan tre batalione ndër të cilat dy me rezervistë të mobilizuar në trevën e Tepelenës dhe Labërisë.Trimat e këtyre viseve,shkuan në Vlorë sypatrembur,duke dashur të përsëritnin sërish epopenë e lavdishme të vitit 1920.Ndërsa disa reparte të mobilizuara në Pukë,në ditët e para të prillit,u dërguan në qytetin e Shkodrës,pse dihej që ai do të ishte ndër të parët qytete të lakmuar prej pushtuesve italian.Në qytetin e Tiranës,në ditët e para të prillit,disa shqiptarë të shitur tek Italia hodhën parrulla kundër Mbretit,në mjedise publike.Por populli muk i përkrahu,përkundrazi,i drejtuar prej bijve të nacionalizmës u ngrit i tëri në protesta madje edhe duke thirrur : Rroftë Mbreti Zog !

Më 2 prill 1939,Ciano e Periani diskutojnë mbi mundësinë e hedhjes në Pyjet e Tiranës,një formacion italian i cili do të bënte çish e mundur për të shkatuar ndonjë incident me Mbretin e shqiptarëve e më pas të përligjej sulmi italian.Ideja ishte „fort e mirë“ por pas disa informatave të marra nga agjentët e tyre në Shqipëri,Ciano në ditarin e vet shkruan : „3 Prill… Me Parianin saktësojmë disa detaje të luftës që do ndërrmarim në Shqipëri.Sipas lajmeve që arrijnë në mbrëmje,situata është serioze më tepër nga çë mendonim.Nuk ka mundësi të dërgohet skuadra e kryesuar nga Nuti sepse aeroportet janë plotësisht të kontrolluara dhe qyteti është mbushur me banda të armatosura që lëshojnë kërcënime kundër italianëve“.(G.Ciano,ditar,3 prill 1939, fq.33).

QËNDRESA E MADHE

 Sipas burimeve ushtarake italiane,në natën e 6 prillit u nisën trupat e skalionit të parë të ushtrisë italiane,drejt brigjeve shqiptare.Ndërsa anijet ushtarake  u nisën në qiellin shqiptar duke demonstruar forcën dhe terrorin tipik fashist, 100 aeroplane të flotës ajrore ushtarake italiane të cilat shpërndanë mijëra fletushka të shkruara në shqip ku thuhej se ndaj ushtrisë italiane nuk  duhej ngritur asnjë pushkë sepse ajo kish ardhur për të vendosur „rendin „ dhe „paqën“.I njejti rit u përsërit edhe në mëngjezin e 7 prillit në rajonet veriore dhe jugore të Shqipërisë.  Në mëngjezin e 7prillit,trupat italiane nisën zbarkimin e tyre,së pari në portin e Durrësit.Kështu ishin tubuar forcat më të mëdha goditëse,që në valën e parë ; mbi 5000 ushtarë e oficerë,71 tanke,dy regjimente bersalieresh, regjimenti granatierve,dy batalione të transportuara me anë të ajrit si edhe kryqëzorët e rëndë ;“Fiume,Xara“,“Goricia“ dhe „Pola“.Një arsenal i tërë njerëzish dhe armësh derdheshin ndaj një populli sovran e liridashës.Makina fashiste e luftës vepronte në ekspansionin e saj duke goditur rëndë jo fatin e qindra njerëzve por krejt të një kombi.Cizmet e para të pushtuesve italian,do të shkelnin brigjet shqiptare në orën 5.30 minuta.Ata ishin një kompani marinarësh të kryqzorit “Fiume” të cilët nuk bënë as disa hapa.Mbrojtja e ideuar dhe drejtuar prej kreshnikut Abaz Kupi,hapi menjëherë zjarr të fuqishëm.Forcat e xhandarmërisë përbënin brezin e parë mbrojtës,ndërsa ata rezerviste ishin pozicionuar në disa fortifikata të vjetra ose hapnin zjarr nga dritaret  e shtëpive pranë portit.Breshëria e armëve të shiptarëve,ishte pikënisja e qëndresës së madhe e cila do të zgjaste plot katër vjet,deri në kapitullimin e lavdisë musoliniane.Zjarri i pushkëve shqiptare,i drejtuar prej bijve nacionalistë të kombit,dha një goditje të parë të fuqishme e cila jo vetëm hutoi marinarët italian por edhe i mbushi radhët e tyre me viktima.Pikërisht lidhur me këtë befasi,në rajonin e Durrësit, M.Montanari do të kujtonte ; “Sapo marinarët vunë këmbët në bankinë,breshërit e pushkëve dhe të mitralozëve i rrëzuan tanët përtoke”.( M. Montanari, “Ushtria italiane në Shqipëri “ faqe 263 ).

Superiore në njerëz dhe teknikë luftarake,pushtuesit fashist italian nisën të bombardojnë shtëpitë-fortesa dhe pozicionet e luftëtarëve nacionalistë në vijën prej Urës së Dajlanit e deri në Curila.Ata zbarkuan të mbrojtur prej këtyre avionëve.Regjimentin e 10-të bersalja me ç’rast marinarët e kryqëzorit “Fiume” muarrën krahë dhe u nisën sërish drejt bregut shqiptar.Kjo luftë midis dy të pabarabartëve vazhdoi gati katër orë deri në orën 9.30 të datës 7 prill.Kur drejt Durrësit po fillonin hapësira gjithnjë e më të mëdha pushtuesit italian,Abaz Kupi mendoi të tërheqë forcat e rezervistëve për të zënë rrugën që shkonte në Tiranë.Ndërkaq në fortesën e parë shqiptare,ku prej më shumë se katër orë pat luftuar trimërisht,bie në  fushën e nderit kapteri i ushtrisë kombëtare shqiptare Mujo Ulqinaku.Ky ulqinakas trim do tu rrëfente italianëve se ata do të priteshin jo me lule siç u patën thënë në Romë,por me fishek në lule ballit. Pas luftimesh tejet të ashpra,në mesditën e 7 prillit, gjeneral A.Guconi,i cili ishte vënë në krye të operacionit ushtarak italian,urdhëroi kolonën “Mese” që të fillonte lëvizjen në drejtim të Tiranës.Me të parë këtë veprim taktik të tyren , Abaz Kupi, urdhëron kompaninë inxheniere të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare që të hedhin në erë urën e Shijakut me ç’rast autokolona italiane ishte e destinuar të ndërpriste lëvizjen.Të gjendur përpara urës së shkatëruar,pararoja e kolonës suhtarake italiane “Mese,njofton menjëherë qendrën dhe nën breshërinë e plumbave të shqiptarëve,nis sërish lufta e pabarabartë në kodrat e Shijakut.U desh dita tjetër e 8 prillit që trupat ushtarake italiane të merrnin rrugën në drejtim të Tiranës.Përpara kësaj lëvizjeje,bombarderët italian mundën të hedhin rreth 200 bomba 15 kilogramshe,në rajonet e Maminasit dhe të Vorës duke vënë në jetë parimin e tokës së djegur.Ndërkaq ishin pritur me luftë pushtuesit italian,edhe në portin e Shëngjinit.rreth orës 5.30 të 7 prillit,kërkuan të zbarkojnë në këtë port,kompanitë e batalionit “San Marko”,në përbërje të divizionit “Skatini”.Mbi 3000 forca nisën të zbarkojnë aty ndërsa u pritën me zjarr prej repartit kufitar të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare si edhe një kompanie vullnetarësh rezervistë.Megjithëse nuk i kalonin të 240 luftëtarët,mbrojtësit shqiptarë e shmangën me sukses desantimin e parë italian.Terreni shkëmbor mjaft i thyer i favorizonte rezervistët dhe kufitarët shqiptarë që të arrinin të kryenin një zjarr maksimal duke u mbrojtur tërësisht prej predhave armike.Kur dështoi edhe tentativa e dytë e italianëve,gjeneral A.Cuconi urdhëroi hapjen e zjarrit prej kryqëzorit “Xhiovani delle Bande Nere”.Por edhe sulmet e rojeve shqiptare të kufirit,nuk u ndërprenë.”Pas katër orë luftimesh të rrepta fashistët mundën të futen në qytetin e Lezhës ku edhe aty u pritën me pushkë prej forcave rezerviste”.( Arkivi Qendror i Ushtrisë – Tiranë , kuti 81 , dokumenti 19 ).

  Një qëndresë e fortë,iu bë autokolonës italiane,edhe në urën e Bahaçallëkut,në afërsi të qytetit të Shkodrës.Për hirë të së vërtetës duhet thënë se,në ditët e para të prillit,në këtë qytet ku ndikimi i konfesionit katolik ishte tejet i madh,qenë bërë disa tentativa nga elementë profashistë që ta paraqisnin këtë pushtim,si shpëtim për kombin shqiptar.Ata provokuan të ngrenë edhe disa grupe fëmijësh që të dilnin në hyrje të qytetit me tufa lule.Por ishin pikërisht nacionalistët si Zef Pali,Jup Kazasi,Faik Quku etj,të cilët agjituan me të rinjtë nacionalistë duke i frymëzuar për ta pritur pushtuesin sipas zakonit tradicional të shqiptarit ditët që rodhën më pas,vërtetuan edhe një herë dretësinë dhe largëpamësinë e ideve të nacionalizmës shqiptare.Ndërkaq në afërsi të Urës së Bahçallëkut,ishin dislokuar me bateri topash 65 mm edhe disa nënreparte me ushtarë rezervistë të atyre trevave.Në ndihmë të këtij formacioni,kish ardhur edhe një batalion xhandarmërie nga Puka i cili pat zënë vijën nga ura e Kirit deri në Vaun e Dejes.Edhe këtu,beteja u ndez e ashpër dhe vazhdoi në krejt ditën dhe muzgun e 7 prillit.Më pas me ardhjen e forcave të reja ushtarake italiane, të përforcuara prej avionësh,tankesh e topash,ushtria kombëtare shqiptare u detyrua të tërhiqej duke luftuar.Vazhdimi i mëtejshëm i luftës do të ishte aventurë,ngase rrezikohej jeta e mijëra banorëve të pafajshëm të qytetit.Pushtimi fashist italian,u prit me indinjatë të madhe sidomos në qytetin e Vlorës.Në mbrëmjen e 6 prillit 1939,disa qindra xhandarë e ushtarë të kufirit të ushtrisë kombëtare shqiptare,u rreshtuan në një front gati 10 kilometrash,prej vendit të quajtur  Ujë i Ftohtë e deri në gjirin e Triportit.Në ndihmë të reparteve të rregullta të ushtrisë kombëtare shkuan edhe disa dhjetra vullnetarë të armatosur,nën komandën e nacionalistëve të njohur të Vlorës.E vërteta është se në ato ditë prilli,kushtrimi ftoi për në Vlorë edhe mjaft burra të Beratit,Fierit,Mallakastrës e Tepelenës.Por këta,për arsye të organizimit,nuk kanë artur të jenë atje më datë 7 prilli,në mbrojtje të portit të qytetit.Të parët që zbarkuan në Vlorë në agimin e 7 prillit,kanë qenë pilërisht,milicët e grupit fashist “Nanini” të paisur me bateri mortajash të kalibreve të ndryshme.Këta marinarë,bënin pjesë në kolonën e tretë,përndryshe “Bernardi” e cila numëronte në skalionin e parë 2800 vetë.Që në fillim,ajo u mbështet me zjarr prej kryqëzorit të lehtë “Abruci” si edhe dhjetë avionë luftarake bombardues.Por ende pa shkelur në gjirin e bukur të Vlorës,ata u vunë nën breshërinë e topave dhe mortajave të njësive të Ushtrisë sonë Kombëtare.Aty ku zjarri i artilerisë shqiptare bëhej i paefektshëm,territori mbulohej prej vullnetarëve vlonjatë,trima të sprovuar nëpër vite. Fillimisht trupat u gjendën përballë hutimit të madh. Më tej ata u mbështetën nga reparte të fshehta dhe sidomos nga artileria dhe aviacioni.Sidoqoftë përleshja ishte e madhe ndonëse e pabarabartë.

“Pas disa ore luftimesh,trupat italiane mundën të kapin skelen e qytetit,pasi kishin lënë një numër mjaft të madh të vrarësh e të plagosurish dhe pasi mbrojtësit ishin tërhequr nga që,po u mbaroheshin fishekët.Në këto rrethana forcat popullore u tërhoqën rrugëve të qytetit drejt kodrave,kryesisht në drejtim të Qafës së Koçiut dhe të Kaninës,me shpresë se atje mund të organizohej një qëndresë tjetër”.(K.Kurti,”Për Mbrojtjen e Atdheut”,Tiranë,1984, nr.4 ).

Një faqe tjetër heroizmi u shkrua prej ushtarëve dhe kudrove të ushtrisë sonë kombëtare,në kodrat mbi qytetin e vlorës,në vendin e quajtur Bestrova.Në përpjekje për të kapur se më shpejt qytetin e Fierit,forcat italiane nisën marrëshimin dhe u detyruan të ndalen 2-3 kilometra larg Bestrovës prej nga shqiptarët qëllonin me armë artilerie.Ngase rruga duhej çarë patjetër,komandanti italian i kolonës u detyrua të dërgojë si pararojë,një togë bersaljeresh pothuaj 40 ushtarë,të paisur më së miri dhe të stërvitur për këtë lloj luftimesh.Forcat shqiptare,duke e kuptuar manovrën,e lanë togën e bersaljerëve të futej me thellësi të pozicioneve të tyre,duke hapur më tej,mbi te,një zjerr tejet të fuqishëm.Për rrjedhojë,efektivi i krejt bresaljereve u sgjësua.Forcat italiane u detyruan të ndalen përballë Bestrovës dhe ishte mëngjezi i 8 prillit që ai çoi në fillimin sërish të lëvizjes së tyre,kurdoherë nën veprimet e pjesshme luftarake të reparteve të ushtrisë kombëtare shqiptare.Qëndresa shqiptare u shtri më 7 prill deri në portin e vogël të qytetit të Sarandës ku forcat e batalionit “San Marko” u gozhduan me orë të tëra në breg,pa mundur të fitojnë territore.Vetëm pas 4-5 ore luftimesh të përgjakshme,ku dhan jetën edhe disa nacionalistë,kolona e pushtuesve me rreth 2500 ushtarë mundi të hyje në rrugët e qytetit të vogël jugorë.Ajo çka sarandiotët treguan më 7 prill të vitit 1939,vlejti shumë për Musolinin i cili e pat pagëzuar qytetin me emrin e vajzës së tij.Parë në një gjatësi kohore prej 6 deceniesh, 7 prilli i vitit 1939,mendoi se nuk duhet vlersuar vetëm në aspektin historik apo ushtarak.Edhe në këtë rrafsh vlerat janë të mëdha,po të kujtojmë se u vranë e plagosën mbi 500 ushtarë italian.”Të gjithë të vrarët dhe të palgosurit ishin ngarkuar në anijet, deri sa të vinte anija-spital e cila sigurisht nuk vonoi”.(“Documents of.British Foreign Policu” faqe 192 ).Por une mendoj se vlerat e kësaj qëndrese (e para në Evropë ndaj fashizmit Italian) duhen parë në ate se kush e organizoi,ideoi e drejtoi.Mbreti i Shqiptarëve i detyruar prej rrethanave të pashmangshme,duke mos dashur të përgjakë popullin e vet në një luftë fatale,u largua,Ky akt është sigurisht një tjetër temë.

Tani nga largësia e këtyre decenieve,vlen të rishikohet edhe një herë realisht,pa ngjyrime politike,pa emocione e paragjykime,pikërisht roli i pakundërshtueshëm i nacionalizmit shqiptar i cili pa dyshim u bë promotor i kësaj qëndrese.Këta bij të denj nacionalistë,gjeneruan në shpirtin dhe mendjen e tyre vetëm dashuri për atdheun dhe nuk fshehën këtë dashuri.Vetëm dy javë më pas,në ilegalitet të plotë,u krijua prej të madhit Mid’hat Frashëri,Fronti Nacional,përndryshe në përkthim shqi Organizata e Ballit Kombëtar.Dihet tanimë se në themele të vendeve dhe ideve të kësaj organizate ishte çlirimi i vendit nga pushtuesi fashist.Parë në këtë rrafsh,mendoj se qëndresa e 7 prillit askurrë nuk duhet trajtuar si deri tani gjoja si revoltë spontane.Ajo ka qenë dhe mbetet një lëvizje popullore liridashëse e drejtuar nga nacionalistët shqiptar.Ajo ende sot rezonon rezistencën ndaj fateve të Shqipërisë.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: 7 prilli, e shqiptareve, Eugen Shehu, qendresa epokale

Shpëtimi në Shqipëri, bujë në SHBA

April 6, 2013 by dgreca

Katër libra janë shkruar për këtë ngjarje të jashtëzakonshme në SHBA, katër libra plot nderim për shqiptarët që ndihmuan në këtë operacion shpëtimi në rrethanat e rrezikut ekstrem të luftës. Por në Shqipëri, kjo ngjarje për më shumë se 50 vjet mbeti “sekret”. Enigma zbardhet vetëm këto ditë, përmes një dokumentari të titulluar “Mbrojtur në Shqipëri: nëntor 1943-shkurt 1944”, realizuar nga gazetarja dhe kërkuesja shkencore Monika Stafa (MA) dhe mbështetur nga ambasada amerikane në Tiranë. Dokumentari u prit me interes gjatë prezantimit në kinema “Imperial”, në “Sheraton Hotel”, Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan, z. Aleksandër Arvizu. Në fakt, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ngjarja u mbajt sekret edhe në SHBA. Asnjë fjalë, asnjë lajm, asnjë njoftim qoftë dhe i shkurtër. Arsyeja e kësaj heshtjeje publike është e thjeshtë. Aleatët europianë të përfshirë në luftë kishin nevojë për spitale ushtarake dhe për ndihmë e shërbim ndaj të plagosurve. Kjo detyrë u kishte rënë si një peshë e rëndë amerikanëve. Ata duhej të siguronin jo vetëm ilaçet, por sidomos, personelin e shërbimit human të asistencës ndaj të lënduarve në luftë. Por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shërbimi infermier ka qenë dhe është vullnetar. Publikimi atëkohë i një lajmi për rrëzimin diku në malet e Ballkanit i një avioni me infermiere, vajza të reja vullnetare që kishin pranuar të shërbenin përmes këtij misioni sa të rrezikshëm aq edhe human, mund të ishte me pasoja të rënda në opinion. Shtatë dekada më parë, në nëntor të vitit 1943, në prag të dimrit dhe të shpërthimit të operacionit nazist kundër luftëtarëve antifashistë, në afërsi të Belshit, avioni C-53 amerikan i shërbimeve humanitare u detyrua të bënte një ulje të paparashikuar. Gjatë katër muajve me radhë, skuadra nr. 807, që kishte në përbërje infermiere, mjekë dhe ekuipazhin e avionit, përshkoi gati gjysmën e Shqipërisë së Jugut, përmes shumë rreziqesh, derisa, në muajin mars, arriti të evakuohej drejt Italisë. Kjo ngjarje, në kohën kur ndodhi, la gjurmë në kujtesën e shkruar. Misionet ushtarake amerikane të pranishme në Shqipëri ndiqnin me shumë vëmendje aventurën e skuadrës nr. 807; vetë presidenti Rusvelt njoftohej thuajse ditë për ditë. Por dokumentari i ri shqiptar për fatin e infermiereve, mjekëve dhe pilotëve amerikanë zbulon përmes fakteve dhe intervistave rolin dhe kontributin e shqiptarëve, veprimtarë antifashistë dhe miq të Shteteve të Bashkuara, si Hasan Gina e Kostaq Stefa. Ky i fundit, pas luftës, e pagoi rëndë këtë shërbim humanitar, duke u dënuar me pushkatim. Por, gjatë viteve të fundit, pas rënies së diktaturës komuniste, kujtesa e shkruar e të mbijetuarve u ringjall. Librat e Agnes Jens Mangerich “Escape from Albania”, të Lawrence Abbot “Out of Albania”; libri “And if I Perish” dhe, së fundmi, libri i gazetares Cate Lineberry, bënë të ditur shumë fakte që ndërlidhin kujtesën shqiptare dhe atë amerikane, gjë që gjejnë pasqyrim në dokumentar. Së paku tre autorë amerikanë: Agnes Jens Mangerich, Peter Lucas dhe Cate Lineberry kanë ardhur në Shqipëri për të zbuluar se cilët qenë shqiptarët e parë që u kujdesën për të shpëtuar jetë njerëzish amerikanë. Një odise e tërë lidhet me zbulimin dhe gjetjen e heroit shqiptar të quajtur Hasan Gina apo Hasan Verçani. Dokumentari synon të zgjojë kujtesën e shkruar dhe atë gojore të shqiptarëve, duke e pasuruar më tej bankën e të dhënave për këtë ngjarje, duke përcjellë mesazhin e nderimit për të gjithë ata që bënë flijime në një luftë të drejtë që i kishte bashkuar si aleatë. “Por një prej dëshmive më të rëndësishme, krejtësisht të panjohura deri më sot, që ndriçon këtë ngjarje, u gjet pasi kishte përfunduar postproduksioni dhe ishte caktuar data e promovimit të dokumentarit”, thotë gazetarja Monika Stafa. Ato i takojnë arkivit të trashëgimtarëve të Hasan Ginës, një prej njerëzve të parë që ra në kontakt me skuadrën amerikane nr. 807, para se mbrojtja e saj të bëhej çështje e aleancës antifashiste. Hasan Ginën e kërkoi Agnes Jens Mangerich në udhëtimin e saj në Shqipëri në vitin 1993; e kërkoi më vonë Peter Lucas, e kërkoi vitin e kaluar edhe kolegia e “New York Times” Cate Lineberry. Fati e deshi që arkivat e tij të na ofroheshin për dokumentarin shqiptar. Hasan Gina, ashtu si Kostaq Stefa, kishte mbaruar një shkollë amerikane, shkollën teknike-bujqësore të Kavajës; dinte anglisht, kishte simpati për vendin simbol të lirisë, u vu në shërbim të misionarëve të rrezikuar. Hasan Gina pati një rrugë tjetër: antifashist si dhe Kostaq Stefa, pas luftës nuk u akuzua për veprimtari në shërbim të imperializmit. Fillimisht u mbajt afër pushtetit, por më vonë u mënjanua: Ishte koha kur Enver Hoxha po përgatiste librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Kështu, pas rreth 70 vjetësh, zbardhet ana shqiptare e një prej operacioneve më interesante të shpëtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ngjarje që nderon shqiptarët dhe vendin e tyre.(Kortezi Shqip)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Histori, shpetim ne Shqiperi

DEDË GJO’ LULI

April 6, 2013 by dgreca

Ne Foto: Dedë Gjo’ Luli me bashkluftarët e vitit 1911. (Foto Marubi)/

NGA FRITZ RADOVANI*/

 Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”…

            Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund…ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”…e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari.

Asnjëherë nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij. Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir…nuk ua pat tërheqë synin “vigjilent”!

Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja…edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj…por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati… pa kuptue asgja…

Ajo i foli Nanës seme për qëndresen e Saj…se, “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm…”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë…Kur iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët Asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë…ndër male kundër serbëve!”

Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”…aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij e shprehun në pak rreshta, por e saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjohuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë…me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t’ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e Popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë  me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.

Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme…

Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng  Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut…

Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malësorëve, bash ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken, që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emnit të “harruem”, Qazim Binakut. Po ku do të kujtoheshin këta emna, në cilin prej kapitujve të ngjarjeve të ndalueme kishin me u njohë nga Rinia Shqiptare, që edhe “këta” emna kishte mangut “me dijtë”…se pak ishin emnat e serbëve e të rusve, apo kinezëve ndër faqet e historisë sonë!!

Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk iu tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit. Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin.

Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik.

100 vjet ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashuna për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!

Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!

Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Po kujt t’i ruhej ma parë Burri ynë, a turkut apo shkjaut, kur hasmi na kishte rrethue në të katër anët? Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën…Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut iu patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. Po si menduen ata se mund të kondendohej e të binte në paqë trupi i çuem peshë i Dedës me disa “lëshime” që mendoi me i ba për me mujtë me e zbutë Malësinë atëherë Turqija dhelpnake?

U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.

Bash si një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj…U pat mundue me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej fytit gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me “thye” Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”…Ishte kot, se as me i mbledhë të gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i delnin me thye Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e tija me kuvendue. Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky Burrë kishte le mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish…Nuk ia thente synin as refleksi i rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte zemrën fjala e tyne e dalun prej barkut, përzi në dishprim me helm, e shkrryeme ndër shilte…Të gjitha iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte tue ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”…

Asgja nuk e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!

Edhe konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye… Asnjë Shqiptar nuk besoj se di me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij:

“M’i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”

Kishte mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër që mëshefej mbas tij…Ndersa Dedë Gjo’ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar…

Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?

Ai u pergjigjë sikur të kishte përballë një turk:

– “Po shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej…Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash…

E ndoqën malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku e mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së madhe të Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

Tue u ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e duhuna nga Legata Perandorake. Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për Liri të plotë të Tokave Shqiptare.

Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim…

 

 


FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…

 

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, dilnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit…

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë…E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.

 

100 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:

“Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!

Tingujt e Lahutës…vazhdonin Kangët e veta…

(Pjesë nga libri “Dedë Gjo’ Luli” në 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit, nga F.Radovani)

Melbourne 2011.)

Filed Under: Histori Tagged With: Dede Gjo luli, Fritz radovani

Mëkatet e grekëve, që nga Troja deri te Çamëria

April 5, 2013 by dgreca

Nga  Hyqmet Zane/

Leximi i librave të antikitetit grek të japin jo vetëm një kënaqësi të veçantë, por edhe faktin se janë të papërsëritshme në llojin e tyre dhe kanë në brendësi thelbin e mesazheve te zhvillimet edhe në kohët moderne se, në fund të fundit, në atë kohë elementët e demokracisë u thurën nga filozofët më të shquar të shekullit të artë, siç ka qenë cilësuar shekulli V p.e.s në Greqi.

Nga libri “Proza antike greke” kam shkëputur një fragment nga “Këshilla për Dominikun”, nga Isokrati, mes rreshtave lexon këshillën se “Të mos shpresosh kurrë se, në bëfsh ndonjë punë të ligë, nuk do të merret vesh, se dhe në mos e mësofshin të tjerët, ti vetë do ta dish”.

Ky postulat do të ishte i përshtatshëm për të etiketuar sjelljen e grekëve të sotëm në kohët moderne që u kanë vdekur prej shekujsh filozofët dhe që librat e tyre u janë zvjerdhur. Grekët e sotëm janë zhytur në mëkate pa fund ndaj vetvetes dhe kombit të tyre, po aq sa edhe ndaj fqinjëve e veçanërisht ndaj shqiptarëve. Për këtë rast do të doja të citoja një shprehje që përsëriste shpesh xhaxhai im i nderuar Nustret Zane kur thoshte se “të shkruash mëkatet e grekëve do të duhej që detin ta bësh bojë dhe qiellin letër dhe nuk do të sosnin”.

Përse i them kështu, do të pyeste lexuesi i respektuar. I them sepse ajo situatë që po ndodh sot në Greqi, me protesta, me dhunime, me situata të ndera dhe të pazakonta, me rrënim të ekonomisë, me djegiet e territoreve të tëra gjatë kohës së verës, por edhe me lëvizje të shpeshta sindikaliste dhe së fundi edhe me shpërthimin e krizës që është më e madhja dhe më shkatërruesja, po aq sa edhe me naziskizmin e deputetëve të Agimit të Artë, të zi do ta quaja unë e çdo njeri me mend ne koke.

Të gjithë këto kanë në strukturën e tyre mungesën e sinqeritetit dhe pashpirtësinë e vetë grekëve që nga qeveritarët e deri tek më i fundit. Nuk janë të sotmet, por të një shekulli të tërë me shqiptarët, po aq sa edhe me fqinjët e tyre turq e bullgarë, si dhemaqedonas.

Nëse do të shtyheshim deri në thellësitë e shekujve, do të thoja se edhe Troja është dëshmitarja e mëkateve të grekëve nga pabesia, ashtu siç e vuajtën këtë mëkat gjatë gjithë shekujve se i ndoqi nga pas hija e pabesisë ndaj kombeve të tjerë. Një mungesë sinqeriteti në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe, që kanë një fund dhe që një ditë shpërthejnë në fomat e tyre froidiane.

Grekët kanë dëshiruar shumë t’i dhunojnë, t’i poshtërojnë, t’i varrosin jetët e shqiptarëve në veçanti, siç edhe bënë për shekuj të tërë që nga Troja deri te Çamëria, derisa me çamët treguan kulmin e sjelljes së djallit ndaj paqësisë çame. Janë male të tëra mëkatesh e gjynahesh bashkë që grekët kanë bërë si ndaj trojanëve e deri tek çamët derisa i dogjën me zjarr e me hekur njerëzit e shtëpitë.

Shpagimi që ata marrin për mëkatet që kanë bërë janë jo të dëshirueshme për ne, se nuk ia dëshirojmë të keqen askujt, por në ksi rastesh thuhet fjala se “ka një Zot që merr hak, se borxh pa larë dhe hak pa marrë nuk ka”. Kush nuk e di se çfarë ka shkruar i madhi Faik Konica tek “Ju rrëfej grekët”, ku mëkatari dhe Juda me emrin Thanas çdo mëngjes në Janinë kërkonte nga një shportë me syshqiptarësh që duhej të vriteshin, se kështu e kënaqnin Thanasin mizor.

A nuk janë gjynahe që kërkojnë ndëshkim këto dhe që nuk është marrë se paqësia shqiptare është e madhe. Kush nuk e di se sa paqësisht janë sjellë çamët me grekët, edhe pse çamët ishin në vatrat e tyre, por sjellja barbare dhe gjenocidiste e grekëve që ishin yzmeqarë në shtëpitë e vendasve, ishte kriminale dhe mëkatare gjithashtu që realisht ka mbetur pa ndëshkim 66 vjet a për një shekull të tërë.

Kush nuk e di jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri se amerikanët e ngritën Greqinë dhe e bënë të pasur me bazat e NATO-s, por po aq dihet se sa mosmirënjohës janë treguar grekët me amerikanët sa u tregua edhe tek vizita e Klintonit në 1999 ishte treguesi i pabesisë karakteristike greke me djegie flamuri, me gjuajtje të makinës së Klintonit me vezë e me domate, me ndalimin e marinsaveamerikanë në selanik për të mos vajtur në çlirimin e Kosovës etj.

Kush nuk e di se sa e përkëdhelur ka qenë Greqia nga Evropa dhe se sa i ka marrë Evropës kjo Greqi në emër të shqiptarëve meprojekte abuzimesh dhe se si është përfundimi i financave të tyre, sa ka kaluar në faliment shtetëror dhe në një trysni financiare që po e çon gjithnjë e më në greminë.

Dhe të gjitha këto e të tjera si këto pafundësisht vetëm e vetëm për mëkatet që ata kanë mbi vete, të sotmet e të mbarturat, gjatë një shekulli apo 20 a 30 shekujsh që nga Troja e deri ndaj shqiptarëve e fqinjëve. Duke iu referuar psikoanalistit të shquar Zigmund Frojd, studiuesi i tij po aq i madh, novelisti Stefan Cvajg shkruante se “Arti i mirëkuptimit të ndërsjelltë, më i rëndësishmi

në marrëdhëniet njerëzore, e gjithmonë e më i nevojshëm midis kombeve, i vetmi, me një fjalë, që mund të na ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie njerëzore më të zhvilluar, ky art, pra, nuk ka përfituar nga asnjë doktrinë moderne që ka të bëjë me sferën e mendjes aq sa nga doktrina frojdiane e personalitetit ; falë Frojdit u mor vesh për herë të parë, në një kuptim të ri e aktiv, rëndësia e individit, vlera e mirëfilltë dhe e pazëvëndësueshme e çdo shpirti njerëzor”.

Pikërisht këtu kanë gabuar grekët dhe e kanë pësuar tashmë nga vetëligësia e sjelljeve të tyre si një ndëshkim i vetëgatuar nga ata, sa u sillte kënaqësi edhe vetë kënga “greko maskara” që e këndojnë me kënaqësi nëpër buzuqet e tyre. Statistikat flasin për 72 të masakruarit e Prroit të Selanit në Çamëri më 27 mars 1913. Më pas ndjekjet, persekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet nën pretekstin e çarmatimit gjatë viteve 1914-1921, veprimtaria terroriste e komitaxhinjëve, provokacioni i vitit 1921 i Gjen Bajras, të gjithë këto tregojnë realitetin e mjerimeve në të cilat u vu popullata çame në kohën e pushtimit grek.

Po ashtu imponoi për shpërnguljen e elementit mysliman të Çamërisë në këmbim me grekët e Azisë së Vogël, duke i konsideruarshqiptarët e Çamërisë si turq. Ky akt i turpshëm i qeveritarëve të Athinës, u has në rezistencën tonë dhe në ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve. Viktimat dhe humbjet sipas statistikave të deritanishme gjatë masakrave të 1944-1945 në kurriz të minoritetit shqiptar në Greqi, arritën numrin 2877 vetë të ndarë si vijon: Filat dhe rrethe 1286; Gumenica dhe rrethe 192; Paramithia dhe rrethet 673; Marglliçi e Parga 626. Janë këto fakte që ka konstatuar Komiteti Antifashist i emigrantëve Çamër në Shqipëri i pas Luftës II Botërore më 1947 drejtuar Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit të UNO-së rreth trajtimit dhe masakrave në minoritetin çam në Greqi.

Për të gjitha këto dhe për atë qëndrim të konsoliduar të
qeveritarëve të Athinës ndaj popullatës shqiptare që ishte minoritet në Greqi, për 66 vjet me radhë, vetiu të lind pyetja: A duhet të kërkojnë të falur këta shovinistë dhe terroristë që ushtruan një gjendocid antinjerëzor ? Kush do të vërë dorë mbi mëkatet e grekëve ndaj shqiptarëve në përgjithësi, por në veçanti ndaj paqësisë çame ? Për këtë unë kam thënë se “Ka një Zot që merr hak”, se këto që po i ndodhin Greqisë në këto vitet dhe ditët e fundit janë mëkatet që ata duhet të lajnë se ato janë sa të reja, aq edhe të lashta që nga Troja e deri tek Çamëria.

Por duke iu referuar përsëri një postulati nga këshillat e Isokratit për Domenikun, që janë perlat më fushën e këshillave, që thotë se “Të kesh frikë nga shpifjet edhe kur janë të rreme, se njerëzia nuk e dinë të vërtetën, por gjykon nga ato që thuhen poshtë e lart”. Kështu ka ndodhur me bëmat greke, ato janë fshehur dhe grekët kanë hedhur vetëm gënjeshtra në opinionin evropian që edheevropianët i kanë besuar, se grekët janë mjeshtrat e mashtrimit dhe të fshehjes të të vërtetave me avokatët e tyre nëpër Evropë e deri më SHBA me Nicholas Gage, që mashtron edhe me librin e tij “Eleni” të botuar para shumë kohësh.

Por edhe ky lobues i madh i grekëve nuk e shpëton dot Greqinë nga mëkatet që ka për të larë se dita e ndëshkimit gjithnjë vjen. Dihet tashmë edhe qëndrimi i lobit grek edhe në SHBA ndaj shqiptarëve të atjeshëm, por edhe rrufetë që ka lëshuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve gjithnjë kundër interesave të një shteti që fati i keq i ka dhënë një fqinj gjarpër, sot dhe ashtu siç na e përshkruajnë edhe vetë rilindasit tanë të shquar si Asdreni tek poezia e tij.

Përballë këtij realiteti, çdo lëvizje misionare progreke apo çdo gabim që mund të bëj ai apo ajo që kërkon të krijojë përçarje mes komunitetit çam për interesa të ngushta, do të bëhet pjesëtar në mëkatet dhe gjynahet si grekët dhe kush s’do të ketë mundësi t’ia lajë se janë më të thella e të pafalshme mëkatet kur bëhen brenda llojit. Zoti detyrimisht do të marrë hak në një formë a në një tjetër se vonon, por s’harron.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Hyqmet Zane, mekatet e grekeve, nga Troja tek cameria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 669
  • 670
  • 671
  • 672
  • 673
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT