• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE DITE E SHENUAR- FLAMURIN DUHET TA NGREJNE DUAR TE PANJOLLOSURA ME GJAKUN E KETIJ POPULLI…

November 23, 2012 by dgreca

Në prag të 100 vjetorit/

NGA RESHAT KRIPA/

Nëntori erdhi. Për datën më të shënuar të tij, 28 nëntorin, në periudhën e sundimit komunist  flitej fare pak, sa për të mos harruar se ekzistonte edhe një datë e tillë. Madje, një datë tjetër, 29 nëntori, dita e vendosjes së diktaturës komuniste, i bënte hije kësaj date historike.Nëntori i vitit 1991. Po afronte dita e shenjtë  e  flamurit. Por ajo  nuk ishte si ditët e  tjerat.  Ishte festa e parë e flamurit në liri. Në ato ditë në zemrat e qytetarëve sundonte një shqetësim i madh,  cili flamur do të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Ismail Qemalit? Kuvendi i Shqipërisë  ende nuk e kishte vendosur heqjen e yllit nga flamuri.Diskutime te mëdha zhvilloheshin nëpër tryezat e bisedimeve. Mendimet përplaseshin  njëri me tjetrin.  Një pjesë fanatikësh, që u kishte mbetur ora në vitin 1945,  mbronin tezën se duhej ngritur flamuri me yll, ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të ruajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar   disa   muaj   më   parë  në  qytetin  demokrat  të Shkodrës, ku kishin vrarë katër martirë.

            A do të pranonte qyteti turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli, por më tepër  e ndienin ata që  i  provuan  mbi  shpatullat  e  tyre gjëmbat vdekjeprurës të atij ylli, të përndjekurit politikë.

Mbledhja e Kryesisë së Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Rrethit. Merrnin pjesë të gjithë anëtarët e kryesisë dhe disa të ftuar të tjerë. Nga Tirana kishte ardhur, si i dërguar nga Shoqata Kombëtare,  Viktor Dosti.

Ai hodhi i pari mendimin se ditën e flamurit duhej të ngrihej me çdo kusht ai pa yll. Një gjë të tillë duhej ta realizonin të përndjekurit politikë, ata që ishin  sakrifikuar  më  shumë  se kushdo për atë flamur. Të gjithë e miratuan. Shoqata iu drejtua partive politike dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria“. Ato e përshëndetën një vendim të tillë.

Pas dy ditësh u bë takimi i përbashkët i  tyre.  Të gjithë ranë dakord që t’i drejtonin një  peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, ku partitë opozitare ishin në pakicë. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke pasur shumicën në   këtë    komitet,  socialistët  refuzuan.   Të   njëjtin   qendrim   mbajti   edhe Byroja e Rrethit e   Partisë Socialiste.

            Por të përndjekurit politikë nuk u tërhoqën nga kjo pengesë. Më 26 Nëntor me një mesazh, të cilin e transmetoi edhe Radiotelevizioni  “Zëri i Amerikës“, ata deklaronin se nuk do të lejonin ngritjen e flamurit me yll dhe i bënin thirrje gjithë qytetarëve të merrnin pjesë në manifestimin e madh të pavarësisë.

27 Nëntor  –  prologu   i   ndeshjes   së   madhe.  Në  shtizën  e  flamurit,  me  urdhër  të kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, për të provuar vendosmërinë e të përndjekurve  politikë, u  vendos flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. Qyteti kishte djem të gjallë që nuk mund të pajtoheshin me një veprim të tillë. Xhemal Mustafaraj, një ish i burgosur politik, së bashku me të lindurin në internim, Fadil Ndreu, duke hipur mbi shpinat e shokëve të tyre,  u ngjitën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën  dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit  Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë, Komiteti   Ekzekutiv Pluralist  u  detyrua  të pranojë ngritjen e flamurit pa yll

Po atë mbrëmje, në mbledhjen e grupit të shoqatave  dhe partive politike opozitare, diskutohej se kush duhej ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Një i burgosur politik tha se atë duhej ta ngrinte njëri prej të rinjve që grisën yllin. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi  u ngrit dentist Avdulla Iljazi, një demokrat i orëve të para, dhe propozoi:

– Unë mendoj se duhet të ngrihet prej një djaloshi të ri, një trashëgimtari të një prej familjeve më të njohura me traditat kombëtare, një pasardhësi të familjeve që e ngritën në Vlorë më 1912.

Dikush propozoi që ky të ishte Altini, 17 vjeçar,biri i Burim Kokoshit, ish i burgosur politikë dhe nipi i njërit nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësise, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist.

Atëherë   u   ngrit më i vjetri i grupit, Kryetari i Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë për Vlorën, Hysni Alimerko  dhe  shprehu  mendimin  e rrezikut që paraqiste një vendim  i tillë. Sigurimi i Shtetit ishte ende në veprim. Ngjarjet e muajve të fundit e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali, aq më tepër që ai ishte i vetmi i familjes së tij.

Heshtja   mbuloi  fjalët  e  Hysniut.  Të  gjithë  prisnin vendimin e Burimit. Vetëm ai e kishte këtë të drejtë. Burimi u ngrit  dhe me një zë të vendosur tha:

            – Në rast se për djalin tim është vendosur të  shkojë te Zoti,  kjo  është dita më e bukur!

Askush nuk pati kurajo ta kundërshtojë. Gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë për   të  kryer  detyrat  e caktuara.

28 Nëntor –  Në të gjitha fasadat e godinave binin në sy flamurë pa yll që ishin ngritur në të gjitha pikat dominuese të qytetit. Në sheshin historik filluan të grumbullohen njerëzit. Në duart e tyre shumica mbanin flamurë të vegjël, gjithashtu pa yll.

 Ora 10.00.  Kryetari socialist  i  Komitetit  Ekzekutiv Pluralist, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të atij komiteti u drejtua për të kryer ceremoninë e ngritjes së flamurit. Pompoziteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Para portës së lulishtes qendrore, një grup i madh njerëzizh u preu rrugën. Shumica ishin  ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u kishte rrëmbyer njerëzit më të dashur. Të tjerët i kishte syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Midis pjesëmarrësve edhe një dërgatë e të përndjekurve të Beratit me në krye kryetarin e tyre, Fatos Zdrava. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që ishin ngritur kundër kësaj  diktature.  Në krye kryesia e degës së shoqatës.  Aty,   në   këmbët   e obeliskut mbi të cilin ngrihej shtiza e  flamurit, u zhvillua dialogu i mëposhtëm:

– Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe popullit të këtij  qyteti,  ju  nuk  do ta  ngrini flamurin.

            -Kushdo ta ngrejë atëherë?

            – Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.

            Kryetari shtriu përpara duart dhe foli:

–          Duart e mia  nuk janë të  përgjakura. Unë nuk kam vrarë njeri.

            Kjo përgjigje u ngjalli shumë kujtime të paharruara të pranishmëve. Para syve u dolën ngjarjet e viteve të gjata të diktaturës. U dolën fytyrat e mijëra të rënëve për liri dhe demokraci.

– Edhe në qoftë se nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë.  Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur është i yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq,   ndërsa   qëndra   e   zërit   transmetonte Himnin   e  Flamurit   duart  e  njoma   dhe  të  pastra  të Altinit ngrinin lart flamurin kombëtar.

            Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime. Këngët patriotike pushtuan sheshin. Një vizitë në varrin e Plakut të Pavarësisë dhe një mori kurorash dhe lulesh zbukuruan atë varr historik. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para përmendores së  Pavarësisë hipën ata që për pesëdhjetë vjet e kishin të ndaluar të flisnin dhe të mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën   me   dëshirën   e   tyre   për   të  shprehur  atë  që mendonin prej vitesh. Në Sheshin Historik të Flamurit gjëmuan zërat e tyre:

            – Dita e 28 nëntorit, dita e shenjtë e flamurit,  festa jonë kombëtare erdhi. Këtë vit kjo festë ka diçka të veçantë. Për herë të parë pas dyzeteshtatë vitesh robërie komuniste, në qytetin tonë po valëvitet krenar flamuri kombëtar, pa yllin e urryer të sistemit totalitar komunist.

            Duçja i vuri flamurit tonë spatën e fashizmit, Enver Hoxha yllin sllav të komunizmit. Por këtë radhë po valon flamuri i Ismail Qemalit, ai flamur që u bë simbol i nderit dhe trimërisë, i qëndresës dhe vetëmohimit. Po valvitet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore në mes dhe jo flamuri i komunizmit me yllin e urryer.         

            Në sytë e pjesëmarrësve shiheshin gjurma lotësh. Ishin lotët e lirisë, të asaj lirie që kishin vite që e ëndërronin. Zëri vazhdonte të buçiste:

            – Ka kohë  që  nga  vatrat  tona  ka  ikur  gazi  dhe hareja. Vendin e tyre e kanë zënë brengat dhe lotët. Regjimi e katandisi vendin në një gjendje të tillë që asnjë   mendje   e  shëndoshë  nuk  mund  ta  përfytyrojë. Njerëzit janë pa punë, pa bukë, pa strehë, pa mbrojtje.

            Kasta e përmbysur përpiqet me të gjitha mjetet, që ende janë në dorën e saj, të fusë vendin në një rrugë pa krye. Në krye të kësaj kaste qëndron Presidenti i vendit, hija e diktatorit të përmbysur. Dora e tij është ndjerë kudo. Është ndjerë gjatë viteve të sundimit komunist.   Është   ndjerë   në   dhjetorin   e   kaluar,   kur  urdhëronte goditjen e studentëve. Është ndjerë  në  shkurt  kur rrëzohej shtatorja e  diktatorit.

– Qindra flamuj kuq e zi pa yllin e kuq të komunizmit  po valëviten në këtë ditë të shënuar  përmbi të gjitha po ushtojnë vargjet e himnit tonë kombëtar,  të harruara qëllimisht nga regjimi i kaluar:

 

                                                Se Zoti vetë e tha me gojë,

                                                Që kombet shuhen përmbi dhe,

                                                Por Shqipëria do të rrojë,

                                                Për të, për të jetojmë ne!

 

Fjalët u shoqëruan me brohoritje të mëdha. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë, pranë bregut të detit.

            Kështu u mbyll kjo ditë e shkëlqyer historike që për  pjesëmarrësit e saj do të  mbetet  një

nga ditët më të paharruara të jetës së tyre

 

Filed Under: Histori Tagged With: e popullit, Flamurin, me gjakun, reshat kripa, ta ngrene duar, te panjollosura

ARMET E SKENDERBEUT EKSPOZOHEN NE MUZEUN HISTORIK

November 23, 2012 by dgreca

Armët origjinale të heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti – Skënderbej, u ekspozuan sot për herë të parë në Tiranë pas 500 vjetësh. Mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova vizituan Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë për të parë nga afër shpatën personale të heroit kombëtar dhe përkrenaren e tij, me kokën e dhisë të stilizuar mbi të.
Ato u sollën në muzeun e Tiranës nga muzeu i Vienës në shenjë nderimi për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Muzeu historik i Shqipërisë dhe muzeu historik i Vienës çelën sot bashkarisht në Tiranë ekspozitën “Armët e Skënderbeut në Shqipëri”, dhe kjo është hera e parë pas 5 shekujsh që shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit mbërrijnë në atdhe. Në ceremoninë e rastit morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga Tirana dhe Viena, historianë, studiues dhe qindra të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.
Drejtuesit e muzeut që përgatitën ekspozitën e vlerësuan si ngjarje historike kthimin e armëve të heroit kombëtar pas afro 5 shekujsh në atdheun, ku të gjithë krenohen me veprën e tij të bashkimit të shqiptarëve në luftën për liri.
Kryeministri Sali Berisha tha se “shqiptarët e kanë bazuar identitetin e tyre tek gjuha dhe historia, ndaj Skënderbeu është shtylla kryesore e identitetit të tyre kombëtar dhe përfaqësuesi i shpirtit të tyre perëndimor. Duke respektuar fenë e njëri-tjetrit, në historinë e tyre shqiptarët besuan tek Zoti dhe tek Skënderbeu” – tha ai.
Shpata dhe përkrenarja e heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut ruhen prej dekadash në muzeun e Vienës ku edhe atje janë vizituar nga mijëra shqiptarë dhe studiues. Sjellja e shpatës dhe përkrenares së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nga muzeu i Vienës për disa javë në Shqipëri është rezultat i bashkëpunimit kulturor midis të dy vendeve dhe shenjë e nderimit të përbashkët për 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

 

Filed Under: Histori Tagged With: armete Skenderbeut, ekspozohen, ne Muze

SHQIPERIA 100 VJET PAVARESI, ÇAMERIA 99 VJET ROBERI

November 22, 2012 by dgreca

NGA ERVIN FETAHU/

 “Supozohet se fantashkenca po mundëson ëndrrën e kahershme të njerëzmit,depërtimin në të shkuarën e ngjarjeve duke jetuar të tashmen,duket paksa joreale,por njeriu e ka seriozisht këtë tentativë,novacionet dhe shpikjet e mëparshme i mbushin mendjen njeriut se mund tia dalë të ndërtojë një satelit eksplorues e zhbirilues të hapesirës yjore, ky satelit nuk përngjan me satelitët e tjerë,është disi ndryshe,ai rrëket të thithi valë hapsinore duke tentuar të takoj një yll fotograf “Yllin memorizues”, i cili ka për funksion regjistrimin e së tashmes e cila kthehet në të shkuar, pra në të gjitha dimensionet,edhe pse ky yll ndodhe mijëra vite drite larg nesh,ai afron objektivin,e me lehtësi të madhe,na regjistron në detaj. Madje edhe “N.A.S.A” bashkë me gjigandin “Google Earth” kur lëshojnë satelitët e tyre regjistrues në hapësirë,domosdo këtë yll do të kenë kopjuar. Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur ai të dëshmoj,po po,jam i bindur se një ditë e kaluara jonë do paraqitet si dëshmitare e asaj çka mendja e gjymtyrët tanë kanë vepruar, do të na zëri rrugën e do të na thojë hej ti, hej ju…! shikoni me sytë tuaj njgjarjet e moteve të shkuar,e bashkë me to,do të rrefehen të vertetat…!”

E nisa kështu jo më kot,dëshiroj të ndalem pak,e të vlerësoj memorien, pa të cilën s do kishim trashëgimi,e jo vetëm kaq,por ajo rivalizon gjithë shqisat e marra sëbashku.Madje,siç do gjë në këtë ruzull,edhe ajo ka një armik e antagonist të fortë,dualizon e ndeshet me të, “harresa dhe kujtesa”,armike të vjetra së njëra tjetrës,betejë e hershme sa vetë njerëzimi.Madje në civilizimet e popujve të lindjes,njeriu etiketohej me cilësinë predominante të tij “Harrues”, rreziku qëndron gjetkë,nëse harron,patjetër që mohon.Kujtesa shpesh herë të zgjat jetën,ajo mundëson të jetosh në dy kohë,të ngacmon nostalgjitë e së kaluares,por ama,jo pak herë gërvisht plagë të zëna kore nga e shkuara,mund të themi që të dyja janë një mrekulli,lum ai që i menaxhon.Popujt e kombet e ndryshëm,edhe pse e dinë fare mirë se harresa është veti njerëzore,kjo nuk i ka penguar të marrin masa,e të kacavirren në trungun e kujtesës duke vjelë në degët e saj memorien e tyre histroike,duke e shtrydhur fort e fort,e kështu lëngu i dalë prej saj shndërrohet në melhem,bëhet mësim e përvojë për të ardhmen.

Shqipëtarët duke qenë qytetarë të kësaj bote,normalisht janë antarë të familjes madhe njërëzore,e ndarë në fise e fara,popuj e kombe, edhe ne na takon të kemi pozicionin tonë historik,po vallë, deri në ç’masë po e shtrydhim frutin e memories…!Shekulli që po përcjellim,pra jo ai kalendarik,por shekulli historik i joni,duket se atribuohen shumë fatkeqësi të,dhimbje,përpjekje e mundime,pse jo,edhe arritje, evenimente e ngjarje historike,ku vlen të veçojmë pavarësinë e Kosovës,realizimin e disa të drejtave të kufizuara tek shqiptarët e Malit të Zi e Maqedonisë e gjetkë,dhe ja tek jemi në jubileun e “100-vjetorit” të pavarësisë,ku u vunë gurët e parë të themelimit të shtetit shqipëtar.Pikërisht ky vit,ekzaktësisht ky muaj,kulmon ëndrën e kahershme,sakrificën e burrave dhe grave të këtij vendi për të arritur  ditën madhështore,pra “ 100 vjet shtet ”.Fillimisht,si shqiptar i Çamërisë,më takon tia uroj vetes sime këtë pavarësi,e më pas gjithë kombit tim.Mos harrojmë se shumë popuj në botë  kanë sakrifikuar dhe ende nuk kanë një shtet të tyren,ndaj ne si shqipëtarë duhet të falenderojmë të madhin Zot,që bëri të mundur të kemi “shtëpizën tonë të vogël”,por të madhe në shpirt,ku mblidhen gjithë shqiptarët anë e kënd,dhe kjo është “Shqipëria jonë”.E si mund të mos cekim rolin e shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë,ku fronti i parë i betejave ishin këto dy treva martire,ku ranë dëshmorët e parë të kësaj Shqipërie që gëzojmë sot.Pak më lart në mënyrë simbolike përmenda “shtëpizën tonë të vogël”,themë kështu,sepse shumë bukur mund të kishim shtëpinë e vërtetë shumë herë më të madhe,por siduket gërshërët e fqinjve ishin goxha të mprehta,shqiponjës ia prenë krahët. Ç’kërkonin shqiptarët,ata kurrë nuk i hynë  në hak askujt ? normal që ata nuk kërkonin asgjë më shumë sesa hallallin që u takonte,atë që mijëra vjet u ka takuar.U sakrifikuan trojet më të mbegata e më strategjike,e kështu ngeli “shtëpiza e vogël me zemër të madhe”.Ky vit jubile na bënë disi më të fortë,jemi antarsuar në “N.A.T.O”,kandidat për në “B.E”,rrëzuam komunizmin,po luftojmë ende me komplekset e së kaluarës,e kështu me rradhë po kalojmë tranicionin e gjatë.Nëse për një çast meditojmë pak më thellë,do të shohim që rrugës na ka ngelur ende shumë obligime e detyra pa mbaruar,e nëse nuk i bëjmë ato,atëher brezat pasonjës do hakmerren ndaj nesh,ndoshta do të na harrojnë,ndoshta do të na abandonojnë,ndoshta mallkim i madhë do bjerë mbi ne…! Në fund të fundit detyrat duhen ndarë,e më pas bashkëveprojnë të koordinuara,psh shqiptarët e Çamërise festojnë këtë pavarësi të atdheut tyre në dy realitete, njëri sy i shndrin, i qeshur nga gëzimi,teksa tjetri,vajtonjës me ligje,e brejtur me mallë  Çamërie.Nuk jam emocional,por deri tani kjo hise na ka rënë pë pjesë.Astrologët e vlersojnë shumë renditjen e yjeve,ndoshta edhe ata janë dëshmitar prej andej larg,ekunoksi vjeshtar,ku cikli plot “99” vjet po na largohet,ky numër mesa duket paska goxha simbolikë,ndoshta i merr me vete brengat tona,ku dimret e acarta kthehen në pranvera, ku vatani  ynë i marrë peng kthehet tek të zotët,të cilët janë flakur e dëbuar në shurdhërine e miopinë e atyre që “drejtësi vendosin”.Shekull i çuditshëm,ritmi i dhe dinamizmi i këtij 100-vjeçari ia ka kaluar mijëra viteve sëbashku.Veçse shqiptarët e Çamërisë në planin individual kanë arritur të kapin kohën,por në planin e tyre historik të mbetur në periferinë e shoqërisë,s’mund të shijojnin sukseset dhe inovacionet e politikës,ekonomisë,diplomacisë etj.Të gjitha këto që sapo përmenda i kanë pas kundra,për mos mjaftuar me kaq,ata kanë pësuar mbi shpinë presionin dhe trysninë e makinës luftarake kriminale të barbarëve dhe forcave të errta grekë,që mbi ta ushtruan genocid të pa shoq.Treçereku i këtij shekulli e mbajti botën  mbërthyer me dy luftra shkatërruese,krijoi drama e tragjedi,fatkeqesisht la shumë pak hapesirë të viheshin në vendë të drejtat e mungura,e për pasojë po dëshmojmë 99-të vite mërguar e malluar,me shpresën se patjetër do të ketë zgjidhje për ne,përderisa ka Zot,përderisa ka memorie,përderisa ka ende lapës e letër, e përderisa ka “Gen të fortë”,zgjidhja është tek pragu i derës,pak nuhatje,pak durim dhe ne do ta shohim veten  protagonist të zgjidhjes.Dikush,ndoshta me të drejtë mund të mendojë se drama juaj nuk mund të jetë e vetmja,qoftë brenda kombit shqiptarë,qoftë edhe në kombe të tjerë,pra pse duhet ta përjetojmë,e të ndihemi  kaq të lenduar…! Sigurisht,nuk është hera e parë ku tokat shqiptare robërohen,ato kanë njohur pushtime e robërime prej Romakëve, Bizantinëve,Sllavëve,Venedikasve,Otomanëve etj, pse pikërisht duhet të ketë ndryshim dhe të jetë më e dhimbëshme kjo robëri nga ato të mëparshmet?! S’do shumë mend të dashur miq,në pushtime ka vrasje,masakra,ka edhe grabitje e dhunime,por ama,askush më parë nuk mundi ta zbrazte Çamërinë nga popullësia e saj autoktone,askush nuk e zhbëri fisnikërinë,askush nuk prishi kultet,askush nuk ndaloi të flitej shqip aty,askush nuk arriti të pengonte kulturën,vallet dhe etnografinë tonë,askush nuk eksperimentoi me “ADN” tonë,pra ne ishim kollonë vertebrale e Çamërisë.Nuk lejuam askënd të na nëpërkëmbte,e as kemi ndërmend të lejojmë shtetin “uzurpatoro-modern”grek.Nuk mund të shtyhet duke vazhduar akoma  me pengmarrje,s’mund të zhurisi dot nderin tonë. Këtij 100-të vjeçari po i vjen fundi,komshiu ynë jugor po e kupton rëndësinë e një zgjidhje për çështjen çame e të transaksioneve tona ligjore e legale,këtë ia imponon vetvetiu koha, veriu i Greqisë ka vite që ka ngecur në një ngërç ekonomik,s’mund të ketë investime në tokat e tjetër kujt,ndaj të bëjmë thirje ty o Greqi,që vetë na ke regjistruar si nënshtetasit e tu, bëhu realiste,mjaft më me tokat tona nën sqetull…! bëhu pak koherente,çdo gjë e ka një limit e një hark kohor.Jemi në një kurs të ri botëror,i cili krijon mundësi e hapësira për rregulla e situata të reja gjeostrategjike,ku çdo 100-të vjet prodhohen e dalin personalitete që marrin popujt prej dore e u tregojnë atyre rrugët e së ardhmes.Sigurisht,edhe për ne shqiptaret,do ketë gjenerata të cilat do drejtojnë vendin  drejt aspiratave të drejta e sublime,ndaj duhet të shpresojmë…! Pas rrebesheve,qielli kthjellohet e dielli ndrin i bukur si dikur. Pyetja shtrohet se si do tia dalim të rikthejmë atë që ky 100-të vjeçarë na e rrëmbeu prej duarve,e na la jetim në mes të udhëkryqeve të kohës.Shpresën e parë duket se na e dhuron koha,ajo na divorcoi nga ky shekull,duke na përcjellë tek pasuesi i tij,që kurrësesi nuk do i ngjasoj pararendësit.Ndodhur në realitete krejt të ndryshme,ku bota nuk i ka hasur më pare,në kriza monetare,ku xhepa e rripa konfliktesh ziejnë ngado,korridoret ku kombi unë është i ngulur prej mijëra vjetësh, mundësojne një rol predominant në rajon,pra shqiptarët do rikonfigurohen edhe njëherë Arkontët (Zotërit) e korridoreve lindje-perëndim,pra do riaktivzojnë zanatin e vjetër,atë të posedimit të rrugëve ekonomike,ku prekin akset më të rëndësishme të rajonit e më gjerë, patjetër që ne shqiptarët e Çamërisë kemi hipotekuar asetet tona , në hapësirat ujore e tokësore të Epirit.Shqiptarëve të Çamërisë u duhet rizgjuar disi nervi,nuk mund të jesh aktiv nga boksit të televizionit apo kompjuterit,nuk mund ta prekësh lindjen e perëndimin thjesht duke qenë vëzhgues apo tifoz.Normal,kjo situate sjell disi konfuzion,por s mund të jemi thjesht poseduesit e fjalëve të ngrohta.Duhet ritëm e kurajo për sfidat që na presin,normal,nuk do të jenë edhe aq të lehta, pa një projekt dhe platformë mbarëkombëtare. Mënyra e vetme e reformimit të kauzës tonë është unifikimi dhe dakortësia e mendimeve të pjakura,por edhe larmia e tyre nuk na bënë dëm.Vjelja dhe gjetja e burimeve humane,ku këto dy dekada shihet qartë se kanë ndihmuar në një produkt cilësor të kapaciteteve intelektuale e drejtuese të komunitetit Çamë,do ishte adekuate.Po perse vallë,duhet një rizgjim,përse novojitet një subkoshiencë…? është fare e thjeshtë,fëmija nëse nuk qan,nëna nuk i jep të pijë, bota e madhe nuk dëgjon nëse nuk e ngremë zërin,të drejtat nëse nuk kërkohen, nuk realizohen,dhe për pasojë vdesin kauzat e bashkë me to edhe zotërit e tyre. Për të evidentuar anë pozitive përherë ka vend,aspak nuk është se kemi qëndruar në vendë numëro,nga një organizim qytetar,pra Shoqatë Atdhetare Patriotike Çamëria,me pak vonesë,por gjithësesi kaluam në një platformë të mirëfilltë politike,kemi tashmë një parti që e krijuam me mund e me djersë,pra partinë Drejtësi,Integrim dhe Unitet“P.D.I.U”.Shpeshherë na kap kriticizmi për ato çka veprojmë,por kjo s na pengon të vlerësojmë ato çka kemi arritur,në këto çaste duhet të mbështesim nismën për rezolutën Çame në parlament,zëri parlamentar është i domosdoshëm,askush nuk e mbron dot këtë kauzë më mirë se bijtë e saj.Ky vit gjithashtu është vit elektoral,çdo kush do mblidhet në kosheren e vet,ne na takon të koordinohemi tek kosherja jonë,tek kosherja e bletëve punëtore,nuk duhet të kemi filozofinë “mbush e mbush,e më pas vëri shkelmin”, nëse do presim degën ku kemi hipur,ne të parë do vritemi e lëndohemi,boll jemi lënduar nga ata që na dëbuan.Duke lexuar një thënie profetike e cila thotë,”punët gjykohen nga qëllimi që ke në to” të gjykojmë qëllimet është pak e vështirë,duhet pak kohë,ne nuk posedojmë të fshehtat e zemrave,ndaj koha është gjykuesi më i drejtë.Në mbyllje i uroj edhe njëherë kombit shqiptarë këtë 100-vjetor,jetë të gjatë sa malet e Shqipërisë…!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: 100 vjet, 99 vjet, Cameria, ervin fetahu, pavaresi, roberi, shqiperia

“NUK MUND T’I MOHOSH NJË KOMBI NDJENJAT E NATYRSHME”

November 22, 2012 by dgreca

Nga: Prof.as.Dr. Qazim Kashari/

Sali Gjukë Dukagjini është një nga veprimtarët e shquar të arsimit dhe të kulturës kombëtare, i cili mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe firmosi Deklaraten e Pavarësisë. Ai ishte delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, u zgjodh në “Pleqësinë” (prej 18 vetash) dhe më vonë Qeveria e Vlorës e emëroi drejtor arsimi për prefekturën e Beratit. Shënoj se një pjesë e delegatëve, në Kuvendin e Vlorës, ishin anëtarë ose themelues të klubeve, si dhe pjesëmarrës të kongreseve kombëtare të arsimit e kulturës shqiptare. Ky shkrim synon të japë vetëm një pjesë nga veprimtaria e Sali Gjukës, në gazetën “Bashkimi i Kombit” të Manastirit.

Ne ç’rrethana Sali Gjuka ngarkohet me drejtimin e gazetës? Ç’probleme ngriti e trajtoi? Në numrin 41, qershor 1910, hodhi dritë për pyetjen e parë: Ai shkruan se dy ditë më pare, më 15 qershor 1910, në zyrën e shtypshkronjës, ku dhe ai ishte i pranishëm, futet një polic dhe kërkon Fehim Zavalanin, drejtor i gazetës “Bashkimi i Kombit”, të shkonte me të tek urdhëtari i armëmbajtësve. Atje e burgosin. Valiu i Manastirit tregon shkakun: “Shikoje këtë tejshkrim, që më erdhi nga Shefqet Turgut Pasha, në të cilën thotë se artikulli i botuar në gazetën tuaj (20 maj 1910) ka sjellë një trazim të madh në Gjakovë”.

Ishte koha, kur në Kosovë kishte shpërthyer kryengritja kundër xhonturqëve dhe politikës djallëzore serbomadhe. Në 20 ma,j gazeta boton në faqe të parë shkrimin “Letër prej Elbasanit”, i cili ka në fund firmën “Kamani”. Në të tregohej për luftimet në Kosovë, për betejat e përgjakshme të kryengritësve shqiptarë kundër ekspeditës ushtarake të Turgut Pashës. “Kamani” tregon fakte për vrasjen e pleqëve dhe të fëmijëve. Flet për qëndrimin heroik të grave, që luftonin bashkë me burrat, se si një shqiptare e Kosovës me tre djemtë e saj luftoi me trimëri, por në fund u rrethua dhe vritet në mënyrë barbare…

Këto shkrime kishin ngjallur një urretje të madhe te populli i Kosovës. Ja, pse Turgut Pasha i dërgonte telegramin Valiut të Manastirit, për arrestimin e drejtorit të gazetës “Bashkimi i Kombit”.

Po,cili ishte “Kamani”, autori i shkrimit? Përgjigjen na e jep gazeta (Nr.42, 24 qershor 1910), ku shënohet: Të hënën, më 21 qershor, sollën këtu nga Elbasani z.Kristo Dako…Shkaku i burgimit ishte shkrimi i tij në gazetën tonë, me pseudonimin “Kamani” . Në këto rrethana, patrioti demokrat Sali Gjuka ngarkohet me drejtimin e gazetës “Bashkimi i Kombit” dhe përpiqet me guxim që ajo ta vazhdojë veprimtarinë për çështje kombëtare.

Në artikujt, që boton me firmën  e tij, Sali Gjuk Dukagjini apo Gjuk Dukagjini, trajton probleme të Kombit, të gjuhës, arsimit dhe luftës për fitoren e pavarësisë. Në shkrimin “Kthjellim” (qershor, 1910) ai dënon ashpër politikën  xhonturke ndaj shqiptarëve të Kosovës. I kundërvihet lajmëtarit të gazetës ”Tanin”, organ i komitetit xhonturk “Bashkim e Përparim”. Ndër të tjera, ai shkruan: “ Lajmëtari i fletës “Tanin”, tue kallzue ngjarjet e Gjakovës, shënon se si këtu (në Gjakovë) edhe fëmijët na  vështrojnë me sy idhnimi dhe na marrin shenjë, si në vend të hutës. Djelmoshat nuk po i rrëfejnë armët. Sipas shkrimit, në “Tanin”, djelmënia e atyrshme duhet të dënohet, të shtypet”. Ja çfarë shkruan Sali Gjuka kundër “Tanin”: Sa fjalë e naltë (ironizon ai), sa mendim i kthjellët, sa kujtim, qytetnim del te fjalët : të shtypen djelmoshat shqiptarë të Kosovës! Sot në Europë ka shumë shoqni për me i mbrojt shpendët prej rrezikut… ndërsa zotnia i “Tanin” nuk e ka për mkat, që kërkon të dëmtojë, të shtypë, të poshtnojë “zogjt e shqypes”.., por nuk mund t’ia arrijë qëllimit, sepse djelmoshat e Kosovës qëndrojnë shumë lart nga trimëria dhe zgjuarsia. Në këtë kuadër, ai vazhdon: Të hapen shkolla shqipe, të përhapet ditunia në ato vise dhe do të dalloni shpejt përparimin e kombit shqiptar.

Në faqen e dytë të gazetës “Bashkimi i Kombit”(17 qershor 1910), në shkrimin “Trazirat në Gjakovë dhe më tej në Kosovë”, shkruan : Atje derdhet gjak, pengohet hapja e shkollave shqipe, ndërtimi i udhëve të hekurta etj… Këto duhet të jenë frutat e konstitucionit dhe jo topat e barbaritë xhonturke. Më poshtë vijon: “Apo mos ka këtu ndonjë marrëveshje e dinakëri antishqiptare, që bën Petrua i Serbisë?” Sali Gjuka qëllonte mirë, si reaksionin xhonturk, ashtu dhe prapaskenat e politikës djallëzore shoviniste serbomadhe në dëm të popullit shqiptar.

Në artikullin “Drejtësia”(Nr.42, 24 qershor 1910) ai shkruan: Të ruhemi shumë prej dinakërisë… jemi në shekull “komliarë”, mos t’na dinë se s’kemi mend fare. Në kohë tiranike ishte rrezik të flitej fjala “ittihad” e sot asht ma në fat të zi fjala “bashkim”, e cila s’ka asnje fije ndryshimi me të parën, ma i madhi faj i kësaj fjale asht pse i përket gjuhës shqipe. Këtej del dinakëria xhonturke sepse dihet mirë, që gjuha shqipe është mburojë e fortë e Kombit tonë, siç e thonë, “ajo asht si bariu, që ruan dhentë”. E, pra, kjo nuk i pëlqen “xhonëve”, forcimi e perparimi i Kombit tonë. Shkrimet e tij shquhen për ndjenjën e fortë të dashurisë për Kombin Shqiptar, për Atdheun e lirë të pavarur. Shumë kuptimplotë tingëllon shprehja e tij, “Nuk mund t’i mohosh një kombi ndjenjat e natyrshme, kurrë për këtë jetë”.

Sali Gjuka shquhet edhe si gjuhëtar e tregimtar, tërheq vëmendjen për shkrimet e krahinës, ku kishte jetuar fëmijërinë e rininë e tij, bukuritë e saj, ato bjeshkët me kullotat verore plot bylmet, si dhe ujëvarat me rrjedhjet e shkumbëzuara, me bukuri të veçantë. Interesante janë shkrimet e tij për traditat e zakonet e zonës ndërmjet Pejës e Gjakovës. Në tregimin për jetën, ushqimin, gjuhën, vetitë, karakterin, besën etj. ai shënon, ndër të tjera, se ata janë trima të papërkulur, njerëz të besës dhe bujarë të njohur. Në një katund me 200 shtëpi mund të gjenden mbi 15 të moshur 120 vjeç. Gratë janë trimëresha. Shpesh ato veshin rrobat e burrit e ngjeshin në brez armët e tij dhe luftojnë me guxim të rrallë. Me djepin në shpinë shkojnë në arë, nuk lërojnë, por ndihmojnë burrat me punë të tjera. Të gjithë banorët e kanë për zakon që, kur zbresin nga bjeshkët, atë natë kanë dasmë. Qesin pushkë e thërrasin njëri-tjetrin, duke qëlluar një herë më shumë. Janë të lidhur ngushtë dhe festojnë të bashkuem. Atë natë kanë mish me oriz, grurë të zier dhe petë me ajkë. Të nesërmen kanë për drekë kos, djathë etj. Bujtarin e presin si më mirë. Janë të zgjuar, trima e qëllojnë për bukuri. Janë të etur për shkolla shqipe, për të cilat po përpiqen pa pushim.

Pra, shënon me tej Sali Gjuka, të gjithë sëbashku të punojmë, të mundohemi me shpirt e me gjallni për përparimin e forcimin e Kombit Shqiptar! Dhe vetë ai e vuri në jetë më së miri këtë gjë, deri sa i mbylli sytë përgjithnjë, në tetor 1925, në Berat, kur kishte dhënë aq shumë për Pavarësinë e Shqipërisë dhe zhvillimin e arsimit tonë kombëtar.(Ne foto: Sali Gjukë Dukagjini, “Mësues i Popullit”)

Tiranë, 22 nëntor 2012

( E dëgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

Filed Under: Histori Tagged With: firmetari, i pavaresise, Prof. Qaim kashari, Sali Gjuka

DITA E FALENDERIMEVE NË AMERIKË- 2012

November 22, 2012 by dgreca

Në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i  atëhershëm i Amerikës Xhorxh Uashington, Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit…/

Nga Frank Shkreli/

Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festohet Dita e Falenderimeve.   Dita e Falenderimeve në Amerikë është një ditë e dalluar në kalendarin vjetor të këtij vendi.   Është me të vërtetë një festë kombëtare, në të cilën përfshihen dhe marrin pjesë të gjithë qytetarët, për një qëllim të përbashkët, dhe pa dallim feje, pikpamjesh politike ose origjinë etnike, vetëm e vetëm për të falenderuar Perendinë për bekimet që u ka dhenë familjeve dhe vendit të tyre, ku ata jetojnë.

Çdo vit, Dita e Falënderimeve shënohet të ënjten e katërtë të muajit Nëntor.   Këjo festë e ka origjinën në fillim të historisë së këtij vendi kur  kolonët e parë pelegrinë nga Anglia u vendosën në këtë hapësirë në shekullin e 16-të dhe të cilët ,pas të korrurave të bollëkshme,  vendosën që të pushonin nga puna e mundshme për të falenderuar Perëndinë për të gjitha bekimet që u kishte dhënë atyre gjatë një periudhe shumë të vështirë për ta.   Thuhet se pelegrinët mësuan nga indianët vendas për të mbjellur misër,  fasulje dhe kunguj, ashtuqë në Vjeshtën e vitit 1621,  nja 90 prej tyre, se bashku me indianet vendas, përgatitën një darkë të madhe për të shënuar ditën e parë të falenderimeve.

Në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i  atëhershëm i Amerikës Xhorxh Uashington, Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit, në bazë të kushtetutës së re, të caktuar si “një ditë falënderimesh publike, kushtuar të Madhit Zot, Autorit të të gjithë të mirave që kanë qenë, që janë dhe që do të jenë”.   Presidenti Xhorxh Uashington, duke caktuar ditën e Falenderimeve si festë kombëtare, u përpoq që të perdorte një ton gjithëpërfshirës dhe pa preferuar ndonjë fe ose besim, por në të njëjtën kohë, ai theksoi bekimet politike, morale dhe politike  — për demokracinë e re – të cilat sipas tij bëjnë të mundur funksionimin e një qeverisjeje të mirë, duke perfshirë edhe pendimin personal dhe kombëtar, kur është e nevojshme për të pranuar gabimet, madje edhee në nivel kombëtar.   Në Tetor të vitit 1777, të gjitha 13 kolonitë e para amerikane të asaj kohe u bashkuan për të festuar ditën e Falënderimeve, që në të njëjtën kohë shënoi edhe fitoren e kolonive të reja amerikane në luftën e tyre kundër Perandorisë britanike.  Gjatë viteve që pasuan, festimi i kësaj dite pësoi ndryshime, por më në fund, presidenti Abraham Linkolni më 1863 shpalli zyrtarisht të Ënjtën e katërt të Nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve.

Disa prej presidentëve më të dalluar të Shteteve tëBashkuara, siç janë  Xhorxh Washingtoni, Abraham Linkolni dhe Franklin D, Rusvelti — kanë luajtur rol me rëndësi për të bërë  që Dita e Falënderimeve të jetë për të gjithë amerikanët, pa dallim,  një ditë për të festuar me familjet e tyre traditat dhe idealet amerikane.

Në të vërtetë, historikisht, këjo ditë është jo vetëm Ditë Falënderimesh, por gjithashtu shënon dhe  nënvijon rëndësinë e traditës së kuptimit të vetqeverisjes së mirë, të punës së rëndë dhe etikës në punë, të komuniteteve qe varen nga vetvetja  si edhe besimin në Zotin.   Urata e Xhorxh Uashingtonit për Ditën e Falënderimeve ishte kuptimplotë nga pikpamja përsonale si dhe në nivel kombëtar, pasi i lutej  Perëndisë me uratën:

“Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë me të madhe të Madhit Zot dhe udhëheqsit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtç dhe të zbatojë ligjet konstitucionale me besnikëri.  Që Perëndia të ruaj dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidmos ato që janë mike me ne dhe bekojë të gjithë  ata o Zot me një qeveri të mirë, falu o Përendi paqë dhe mirëkuptim…..”

Duke   i ndejtur besnike kësaj tradite, gjatë gjithë historisë amerikane,  presidentët amerikanë i kanë ofruar lutje   Perëndisë — por pa preferuar një besim fetar ose një tjetër — në raste   fitoresh ushtarake ose në  raste fatkeqsishë   dhe katastrofash kombëtare.

Edhe   sivjet, në deklaratën e tij me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën   amerikane, Presidenti Barak Obama tha se  ”kur presidenti Xhorxh Washington shënoi ditën   e parë të Falenderimeve të demokracisë tonë, ai iu lutë Krijuesit tonë për   paqë e bashkim dhe kur Kombi përjetoi ndasitë më të thella në historinë e tij   gjatë luftës civile, Presidenti Abraham Linkoln na kujtoi se thellë në zemër   dhe në shpirtin tonë ne jemi një Komb,  që mund të përkulet por nuk mund të   thyhet.”   Presidenti Obama tha se   këto shprehje të bashkimit kombëtar janë edhe sot aktuale.   Duke iu drejtuar bashkkombasve të tij në   këtë ditë të Falenderimeve, Presidenti Obama inkurajoi  ”qytetarët e Shteteve të Bashkuara që të   bashkohen — qoftë në shtëpitë e tyre, qoftë në faltoret, qendrat e   komuniteteve të ndryshme,  ose në   shtëpitë e miqëve e të shokëve të tyre – që të falenderojnë Perendinë për të   gjitha bekimet që Ai na ka dhënë  gjatë   vitit ë kaluar… dhe të ndajmë bekimet tona me të tjerët….”

Amerikanët,   nga natyra janë popull optimist madje edhe në kohë të vështira.   Megjithë problemet ekonomike që vitet e   fundit kanë goditur këtë vend dhe pjesën më të madhe të botës,  megjithë fatkeqsitë natyrore të kohëve të   fundit, si dhe përballë një të ardhme të pasigurtë, amerikanët sot kujtojnë   ditët e para të demokracisë së tyre si dhe vështirsitë dhe fatkeqsitë e   brendshme dhe të jashtme gjatë historisë së tyre, përfshirë edhe luftën civile   — amerikanët janë të vetdijshëm se jetojnë në një vend me shumë bekime,  dhurata të Përendisë, ku çdo person ka të   drejtë të jetojë, të punojë dhe t’i lutet Perednisë në liri.

Filed Under: Histori Tagged With: 2012, dita e Falenderimeve, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 694
  • 695
  • 696
  • 697
  • 698
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT