• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË LETËR E PA NJOHUR E ISUF LUZAJT NGA VENTOTENE

March 28, 2024 by s p

Nga Enver MEMISHAJ/

Isuf Luzaj ka lindur në vitin1913 në Kaninë, Vlorë, vdiq në vitin 2000 në Amerikë dhe u varros në vendlindje. Gjatë Luftës Antifashiste ishte profesor në Shkollën Tregëtare të Vlorës. Më 28 nëntor 1939, në qytetet kryesore të vendit në Tirane, Korçe, Shkodër, Vlorë, etj., profesorët dhe studentët e shkollave të mesme me rastin e përvjetorit të Shpalljes se Pavaresise protestuan me flamurin shqiptar pa shenjat e Liktorit, për një Shqiperi të lirë dhe të pavarur. Në Vlorë, prof. Luzaj kujton se ishin rreth “njëmijë studentë dhe njëmijë qytetarë, brodhëm rrugëve të Vlorës, duke kënduar himnin e flamurit”. Reagimi i pushtuesve fashistë ishte i ashpër. Luzajn e arrestuan dhe e internuan në ishullin Ventotene të Italisë. Ne tetor 1941, me ndërhyrjen e Ali Kelcyres Isuf Luzaj lirohet nga internimi, kthehet në Shqipëri dhe vihët në udhëheqje të luftës kundër pushtuesit fashist të vendit. Kuestura e Vlorës me shkresën nr. 088 Div. I datë 16 prill 1940 njofton Këshilltarin e Përhershëm të Policisë Tiranë si më poshtë:

“Lënda: Isuf Luzaj i Muhametit, i internuar politik.

Për informim të detyrueshëm, kam nderin të përciell një kopjo të letrës të gjetur gjatë kontrollit postar të të burgosurit në lëndë, shkruar për të vëllanë e tij Ifrahim Luzaj.

Letra u trajtua sipas kursit të dhënë. Organizatori Policisë Jacono”.

Më poshtë po japim pwrkthimin nw shqip tw letrws qw Isuf Luzaj i drejton familjes:

“Ventotene, 4.4.1940.

E dashur nënë, vëlla i dashur, motër e dashur, më e dashura e familjes, përshëndetje të gjithëve.

1. Gjëja e parë për të cilën dua t’u shkruaj, është t’ju bëj të ditur se është në interesin tonë të shkruajmë gjithmonë në italisht, jo vetëm unë por edhe ti (përgjigja italisht). Korespodenca bëhet më e përshtatëshme dhe më e shpejtë.

2. Më dërgoni sa më shpejtë 500 lireta italiane, me çek banke, në këtë adresë: Jusuf Luzaj, i internuar politik në ishullin Ventotene, Littorio.

3. Më dërgoni të paktën një këmishë, një këmishë të re dhe gjëra të tjera që ju mendoni se janë të rëndësishme për mua këtu.

4. Më dërgoni fotografi të sejcilit, të vjetërve dhe të rinjëve, të familjes sonë, në mënyrë që t’i kem ato për t’ju kujtuar. Të gjitha me pako postale.

5. Tani më kujtohet që Rahileja dhe Drita nuk shkruajnë dot italisht, ja çfarë duhet të bësh: Ifrahimi e shkruan letrën çfarë kanë dëshirë të shkruajnë Rahileja dhe Drita, dhe duhet ta përkthesh në italisht fjalë për fjalë, sipas dëshirës së tyre, kështu unë do të kem korespodencë të plotë prej tyre, mirë?, Po!…

6. Ti Skënder me Ifrahimin rri i qetë, mos fol me njeri, mos shko në qytet, përveçse të blesh ushqime, se nëse të folurit është argjend, heshtja është flori, tha moralisti romak Seneka.

7. Tanimë dëgjo me vëmëndje, këtë që do të them dhe dua që të të bëjë shumë përshtypje. Sa bukur qeshje dikur, gëzohu dhe merre çështjen me optimizëm, se herët a vonë e vërteta do të dalë në shesh dhe eprorët do ta shohin se ne nuk jemi fajtor.

Një dorë nga qielli duhet të rregullojë të vëretën dhe drejtësinë, duke i vendosur në vendin e tyre. Atëhere eprorët do të na japin lirinë, dhe ne do të shohim njeri tjetrin më të lumtur se përpara largimit tim. Dante thotë: “Kulmi i stuhisë, shumë herë, është më i lumtur se një ditë pranvere”.

8. Pas 5 ditë burgimi në burgjet gjyqësore të Barit na sollën këtu në ishulin Ventotene, 6 orë me anije me avull nga Napoli, drejt detit Mesdhe në një ishull të bukur Arjan Sana Marittima. Tokë e bukur romake, e mrekullueshme, pranë detit ku dallga e fryrë shkëlqen, shkëlqen dhe bën zhurmën e bukur të harmonisë hyjnore.

Eprorët tanë janë të gjithë siç e kam kuptuar deri tani shumë të sjellshëmnë, në një mënyrë që nuk mund të imagjinohet. Njerëzit e këtij ishulli (besoj rreth 1500 banorë pa qenë i sigurt për numurin sepse nuk kam pyetur askënd) janë shumë të sjellshëm…”

Shënim:

Nuk ka qenë e mundur të gjendet vazhdimi i letrës. Rahileja ishte motra e Isuf Luzajt që vuajti 10 vjet në burgjet e Enver Hoxhës, ndërsa Drita ishte bashkëshortja e tij e cila e mbylli jetën e saj në internim, së bashku me 5 fëmijët.

Filed Under: Histori

Mikel Maruli – poeti madh arbëror i rilindjes europiane (1458 – 10 Prill 1500)

March 26, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Në hapësirën shqiptare, ky poet është krejtësisht i panjohur, madje po kaq i panjohur është edhe libri i posaçëm studimor që i kushtoi atij njëri nga estetët më të mëdhenj Italianë, Benedeto Kroçe me titull “Mikel Maruli Tarkaniota: elegjitë e atdheut të humbur dhe disa këngë të tjera” (1938). Në këtë studim, përtej trajtimit të figurës në dimensionin e tij etik dhe civil, Kroçe përpiqet të na ilustrojë vlerësimin e madh që ka për autorin, duke e shpallur atë si njërin nga poetët më të mëdhenj të viteve 400’, nëpërmjet citimit proverbial “ndoshta më shumë nga të gjithë fluturoi Maruli”. Në këtë rrjedhë vlerësimesh kanë kaluar edhe mjaft studiues të tjerë, duke theksuar mbi të gjitha disa cilësi të tij thelbësore. Ajo që e dallon nga dy prej bashkëkombasve të tij më të shquar, nga një Pontano apo një Poliziano, është kapaciteti i trajtimit të latinishtes si një gjuhë e gjallë, si një mjet shprehës jo i rezervuar për abstraksione të rafinuara të stilit humanist, por të përshtatshëm për të komunikuar përvojat më “përzhitëse” të jetës. Në këtë kuptim poezia e tij shërben si një qendër unifikuese e një tensioni të brendshëm religjioz, naturalistik dhe panteistik. Edhe vetë biografia apo prodhimi i tij letrar e provon një pohim të tillë. Nga njëra anë ushtar aventurash nën udhër të shumë të pushtetshmëve, nga ana tjetër një letrar latin i shquar si poet filozof, si një ekspert i filologjisë, sidomos asaj greke, dhe i dalluar në gjithë panoramën e studiuesve të kohës, jo vetëm për korrigjimin e tekstit të famshëm të Lukrecit, por edhe si kritik i aftë e plot argument i tij. Autor i elegjive të mrekullueshme për atdheun e humbur, Konstandinopojën ku kish lindur, i epigrameve brilante të dashurisë në frymën e rilindjes europiane, por mbi të gjitha i himneve të tij mbi natyrën. Pietro Rapezzi, përkthyesi i famshëm i autorëve latinë, por edhe i autorit, shprehet se “në tërësinë e produktit të tij letrar shprehet qartësisht se vargjet e Marulit e tejkalojnë jetën prej së cilës ato lindën për t’u shndërruar në një mendim poetizues”. Në poezitë e tij, në të vërtetë, është shtegtare dhe gjurma e përvojës së tij ftilluese, që në mënyrë misterioze shpërndahet në bukurinë meditative të fjalëve magji-ndjellëse, po njëlloj si jeta e autorit që u përmbyll parakohe në ujrat e rrëmbyeshme dhe të parezistueshme të Çeçinas, lumit ku ai u mbyt fizikisht në atë të djelë prilli të vitit 1500”. Maruli lindi në Konstandinopojë, atëherë kur Turqit sapo e kishin pushtuar këtë vend, por tërë jetën u deklarua, greko-romak ose bizantin dhe “kostantinopolitanus”. Familja e të atit, bazuar në të dhënat e Paolo Cortesit, rridhte nga mbretërit e Dimes. Si paraardhës të lashtë ajo krenohej me perandorin Gordiani, të cilët nga ana e tyre ishin të prejardhur nga republikanët romakë të familjes Gracchi dhe perandorit Trajan. Prejardhja greke ose më saktë arvanitase, i vinte nga nëna, e lidhur me brezninë e Paleologëve, pasi në epigramën I, 52, vëllimi 3, ai e përmend vetë begatinë e familjes mëmësore. Pas rënies së Konstandinopojës, familja mërgoi për Raguzë, një Republikë asokohe e pavarur. Lirinë e qytetit, së bashku me bujarinë, bukurinë, mirëqënien dhe besnikërinë ndaj ligjeve dhe traditave, ai e këndon dhe e lëvdon si një privilegj në Epigramën IV, 17. Po megjithatë Maruli nuk e thekson si të bukur fëmijërinë e vet: përkundrazi nëpër vargje të shumtë ai përmend vajtime, kujtime padrejtësish, sëmbimesh e dhimbjesh mërgimi për një atdhe që nuk iu zhduk kurrë nga mendja në çcdo ditë të jetës së vet. Edhe në ditën e fundit të jetës, si një mërgimtar emblematik, ai nxitoi të kalojë ujrat e një lumi të tërbuar, vetëm për të shpejtuar nisjen kah vendlindjes, njësoj si lejlekët shtegimtarë që edhe në moshën më të thyer kanë për zakon të kthehen drejt folesë së tyre. Është ky njëri nga zakonet më emblematikë të personalitetit të individit shqiptar të të gjitha kohrave, zakoni i kthimit në vendlindje, ndaj dhe poetika maruliane në vetvete arrin të kthehet në një simbolikë poetike të kodit burimor shqiptar, që në këtë rast shpëtheu në degën arvanitase të rrjedhës së tij, ose më mirë në rrjedhën e mërgimtarëve të epokës skënderbegiane ose më saktësisht në rrjedhën tjetër të madhe që shoqëroi elitat e principatave të Moresë së asaj kohe, të përfqësuar në degën e mërgimtarëve-stradiotë.

Filed Under: Histori

KUJTOJMË PREKË CALIN E MALËSISË SË MADHE

March 25, 2024 by s p

Pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, 25 Mars, 1945

Nga Frank Shkreli

Prekë Pjetër Cali – Piramida e kufirit shqiptar

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahuten tashti njiherë

Na i thuej trimnitë e doket fisnike

Na i kujto të parët se e kishin për nder:

Deken m’e ba sikurë me le

Të huajve nën thunder mos me iu nënshtrue” –

(Ndoc Vulaj, Lufta e Kelmendit, botuar në 1999 nga Shtëpia Botuese, “Gjergj Fishta”)

Në këtë ditë të 25 marsit kujtohet Kreshniku trim i Malësisë së Madhe, nderohet dhe përkujtohet Heroi trupmadh, me një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshniku i maleve tona, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin – ‘Nderi i Kombit’. Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur në përgjithësi integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe, në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri – përpjekjet për të cilën edhe është pushkatuar në këtë ditë, 79-vite më parë.

Kujtojmë Prekë Calin, bashkëpunëtor i qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar në Gjirokastër nga Ahmet Zogu si kundërshtar i tij dhe Prekë Calin e pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu.

Përkujtojmë Prekë Calin, të cilit as varri nuk i dihet. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.

Ky është Prekë Cali “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje. Dom Ndre Zadeja, meshtar, poet e atdhetar i flakët, martir i parë i Kishës Katolike shqiptare gjatë persekutimeve barbare të periudhës komuniste.

Sot, përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin dhe Shqiptarin e madh, i cili për vite me rradhë luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.

Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga kthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.

Përkujtojmë Prekë Calin e Selcës së Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrënisë, të mik-pritjes e bujarisë, gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqipërisë, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili sakrifikoi edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqipëri.

Harresa e vrasjeve të patriotëve shqiptarë si Prekë Cali nga regjimi komunist enverist dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare duhet të shqetësojë ndërgjegjen e çdo shqiptari.

Në vend të harresës do duhej të përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin, i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari — Prekë Cali është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë”.

Prandaj, sot le të përkujtojmë Prekë Calin e Malësisë së madhe, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjëja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat me të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një qëndresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët për nga historia dhe identiteti — sllavo-aziatik me prejardhje, kriminal në shpirt për nga natyra e morali, një regjim që iu imponua shqiptarëve nga armiqtë më të përbetuar të Kombit.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëxohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, Rrnoft populli shqiptar. Herët ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.

Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si simbol i gjakut të derdhur në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkëluftëtarët e tij, disa prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu në të njëjtën ditë me të, si edhe për mijëra martirë të tjerë nacionalistë anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.

Prandaj edhe njëherë le të shënojmë kujtimin e këtij burri të madh duke shpresuar që, më në fund, të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike e cila është aty për t’u zbuluar dhe, vetëm asaj t’i jepet arsyeja. Ashtuqë, heronjve si Prekë Cali, përfundimisht, t’u kthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon në historinë e Kombit shqiptar të gjithë patriotëve të vërtetë si Prek Cali.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit. Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës së tij anti-sllave dhe anti-komuniste, në shekuj!

Frank Shkreli

Vasel Shkreli, shqiptaro-amerikani me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe me këngën kushtuar Trimit të Kelmendit, Prekë Cali.

Filed Under: Histori

NJË KUJTESË PËR KRYENGRITJEN E MALËSISË SË MADHE KUNDËR PERANDORISË TURKE-OSMANE 1911

March 24, 2024 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Si sot, me 24 mars 1911 në trojet e Malesisë Madhe filloi kryengritja më e madhe dhe e fuqishme kundër perandorisë pushtuese shekullore turke-osmane, (ku në monografinë time të botuar para disa viteve e quajta Kryekryengritja e Malësisë Madhe….). Në ato ditë të stuhishme mendja, zemra dhe shpirti i shqiptarisë ishte drejtuar , në Rapsh të Hotit, në zemren e Malesisë, në votren e zjarreve të pashuar te atdhedashurisë , në çerdhen e lirisë , në strehen e flamurit të Arberisë.. Këtu në keto troje ku e kishte folenë shqipja me zogjte e saj. Ketu në keto hapsira toksore e qiellore të tejngopura me sakrifica , lotë e gjakë . Ketu ku mbiu kushtrimi e u rrite liria, ketu u ruajt edhe besa ,bujaria , urtia e trimeria , ketu mbiu e mori jetë edhe ënderra europiane qe sot po mundohemi të guxojmë ta shohim zhgjandërr… Ketu historia është e “gjallë”, këtu nuk u shua kurrë “drita” e vepres Skenderbegëjane , dhe porosia e Gjon Lulit-Dedvukaj ,(babes së Dedes): “Se as drita nuk shkelqen dhe as dielli nuk ngrohë në keto troje deri sa të sundoi turku apo shkjau..”. Ketu e kishte fillimin dhe kushtrimin kryengritja antiosmane më e madhe dhe më e lavdishme e Malesisë Madhe me aleatet e saj Shkodren, Nënshkodren, Dukagjinin , Mirditen e më gjërë. Ketu me 24 MARS 1911 prijësi trim e i urtë i atdhetarisë Ded Gjon Luli së bashku me trimat Kolë Marash Vata , Zef Lani , Gjon Pllumi , Pjeter Vogli , Prelë Nika , Lucë Nikë Shabi , Prelë Keri ,Tomë Llesh Dragu ,Vatë Gjon Gojçaj ,Gjelosh Gjokë Mihaj , Gjokë Kolë Shabi , Zef Marash Dojani , Vuksan Lekë Alia , Nikë Gjelosh Luli , Dedë Elez Shabaj , Preç Lulash Lekaj ,Tomë Dedë Gjo’Nishi , Gjon Ujkë Miculi , Prekë Gjeto Marku ,Prekë Gjeto Deda , Lukë Nikë Pllumi , e tjer burra të Hotit e Malesisë , do të mësynin si duhi mali , dy çibanet turke që rendonin mbi keto troje ; posten e Grykes së Leqes dhe posten e Çemerrit , dhe njekohesisht me ketë sulm do të merrte flakë kryengritja heroike e Malesisë , që do të trondiste Stambollin dhe do të mahniste Europen me guximin e trimërinë e malësorve per tu matur me perandorinë turko-osmane para së ciles ndër shekuj ishte dridhur vet Europa…. Ketë ditë të stuhishme të fillimit të kryengritjes antiosmane poeti kombetare At Gjergj Fishta (në “Lahutën e Malcisë) do ta perjetsonte me vargjet plot pathos atdhetarie:

“Ded Gjon Luli , si iu lut Zotit

Sot prej nadjet ,pa zbardh drita ,

Me njëzetë djem ,po njezet petrita ,

Synin gacë ,zemren duhi ,

N’shtatë “mauxerre e në nji allti”

M’asqer Mbretit ka sulmue ,

N’dy kausha kta ngujue ,

T’njehun rrafsh gjashtedhjetë nizamë

Fusha e Rapshes se ç’ka marrë gjamë..”

Kryengritja antiosmane zgjati plot 133 ditë (24 mars-04 gusht 1911) , duke shkruar faqe të reja të lavdishme në historinë e Malesisë e Shqipërisë, ku per Shqiperinë e lirë e Flamurin kombetar dhanë jeten qindra deshmorë , ku si gjithnjë në vend të parë qendron Hoti ,pa mbetur prapa Gruda, Kelmendi, Kastrati ,Shkreli, Trieshi e gjithë Malesia, por edhe Dukagjini e më gjërë. Gjatë kesaj kohe plot afsh atdhetarie malesoret kryengrites zhvilluan dhjetra beteja nga më heroiket… Por kulmi i kesaj kryengritje arrinë me 6 prill 1911 kur malësorët kryengritës ngriten Flamuri kombetarë në Deçiq (Bratilë) pas 432 viteve erresirë turke-osmane. Nga Deçiqi, do të niste udhetimin 600 ditore (6 prill 1911 – 28 nentor 1912) flamuri kombëtar , i cili si flaka olimpike udhetoi duke lëshuar dritën e dhanë kushtrimin , se kush është shqiptarë i vertet duhet të rrokë armet e t’i dalë zot atdheut… Ketu filloi udhetimin 523 ditor nga veriu në jug të Shqipërisë memorandumi i Greçes (23 qershor 1911) i cili ishte pararëndës i programit politik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë me 28 nentor 1912.. Gjatë ketij udhetimi “Epik” memorandumi i autonomisë i ngjante një kënge majakrahu me “nota” kushtrimi… Nga Malesia e Madhe moren vrullë dhe udhëtuan nëpër Shqiperi e Europë per ditë e muaj edhe korifejt e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë , Ismail Qemali , Luigj Gurakuqi , Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri etjerë , të cilet kishin marrë besimin , bekimin e sigurinë se koka e Shqiperisë (jo vetem nga ana figurative).

Në ketë kujtesë të vogel para vepres së madhe të kryengritësve malësore nuk po munden pa ju permendë emrat disa korifenjëve të kesaj kryengritje si : Dedë Gjon Luli, Sokol Baci , Palok Traboini, Dedë Nikë Bajraktari, Tomë Zoli , Kolë Zefi , Zef Miliq Lulgjuraj , Marash Uci , Mark Gjeka , Pjeter Nikë Daku, Maço Grishi , Lulash Zeka , Zef Peri , Prelë Kolë Shyti , Tomë Nikoll Hasani, Gjeto Marku , Pjeter Gjokë Toshi , Lucë Prelë Nishku , Dodë Preçi , Gjelosh Gjoka , Dedë Gjon Ujka , Gjelosh Doka ,Tomë Nika , Vatë Marashi , Martin Preka , Dok Lani , Kolë Kurti , Mirash Luca , Pjetër Zeku, Dedush Marashi , Gjeto Daka , Lukë Marku , Kolë Gjon Leci , Lucë Gjeloshi, Dasha Nika , Smajl Mustafa , Deli Meta , Sokol Mali , Gjon Nikë Plluci , Islam Makalushi , Pretash Zek Ulaj , Dedë Prelë Marashaj , Zenel Shabani , Lucë Mark Gjeloshi , Fran Pali , Gjon Uc Bajraktari , Mirash Pali ,Nikë Zeka, Bec Tahiri , Gjelosh Toma (Bëkaj), Dul Gjelosh Palushaj , Gala Smajli , Nikollë Ivanaj, Gilë Dosh Margilaj , Marash Mark Gjeloshaj , Istref Alija, Nikoll Mirash Gjokaj , Kole Maci , Lek Ivani-Bekaj , Lekë Shaba –Gojcaj , Dyl Sokol Bajraktari , Lul Rapuka , Llesh Gjergji , e deri te zanat malesore Tringë Smajlja, Nore Kolja , Mitare Lucja etjerë etjera…

Per kryengritjen e Malesisë së Madhe që i parapriu shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë, gazeta më e madhe britanike “The Times” e dates 21 korrik 1911 do të shkruante : “..Kur të shkruhet historia e kohës sonë , lufta e Malësorve shqiptarë do të kujtohet si një nga epopet më të shkelqyeshme të luftes moderne..”

Nderë e lavdi të perjetëshme ,deshmorëve , martireve dhe veprimtarëve që u sakrifikuan per Flamurin e Lirinë e ketyre trojeve nga më shqiptaret dhe Europianet e Shqiperisë Etnike..

(VOO: Më hollësisht e gjërësisht (me reerenca),shih monografinë time modeste me titull: “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-Osmane 1911”, botim i vitit 2016 dhe ribotim i vitit 2019).

Filed Under: Histori

Prejardhja e popullit shqiptar në këndvështrimin e Antropologjisë historiko-kulturore

March 23, 2024 by s p

Prof. emeritus, Prof. Dr. Aleksandër DHIMA, Senior Researcher

Universiteti Europian i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Humane

Abstract

     The aim of this paper is to present an effort on designing a biological-cultural basis transmitted during centuries regarding the ethnical Anthropology of Albanians. This study is composed of two parts: 

     – The first one deals with anthropological structure of todays’ Albanians. Here are discussed also the genetical features and their place in the taxonomic systems of European populations. Later, elements of traditional culture are analyzed, elements that have contributed to the consolidation of local anthropological variants.

     – The second part presents anthropological data of around 800 skeletons collected during archaeological expeditions in 60 sites of country, belonging to a wide period of time from the Neolithikum (6 millennium BC) till the beginning of the XX century. The evolution in time of anthropological features in the areas inhabited by before Illyrians (of the Pellasgian era) up to Arbërs of the Middle Ages includes also the processes accompanying the biological-cultural transfer up to the centuries when the Albanian nation was conceived.

     Next, we talk about the Dynarization/ Adriatization process, at the basis of which stand the evolutive trends justifying, up to a certain point, the Illyrian /Albanian continuity. 

Key words: ethnical Anthropology, social-cultural Anthropology, Illyrian /Albanian continuity.

Hyrje

     Procesi i përafrimit të grup-popullatave të vjetra (në rastin tonë i (para)ilirëve dhe më pas i bartësve të kulturës arbërore) me shqiptarët e sotëm nuk duket të ketë qenë thjesht biologjik. Në vazhdën e këtij procesi do të ketë ndodhur- me shumë gjasë- edhe kryqëzimi i (nën)kulturave, që çojnë në një rezultante më të gjerë, përkitazi asaj biologjike. Në këtë këndvështrim, mund të kuptohet lidhja “e jashtme” midis sintezës antropologjike dhe formacionit etnik përkatës, me përbërësit themelorë: gjuhën dhe kulturën.

    1. Nga hulumtimet e deritanishme mbi popullsinë e sotme të Shqipërisë është mbledhur një material antropologjik statistilkisht i besueshëm (mbi 5000 subjekte/ 3800 meshkuj, 1260 femra) në grup-popullatat vendase, të ngulura aty prej së paku 5 brezash, që janë banorë të rrethinave tipike të zonave të mëdha etno-gjeografike (fig. 1), çka mund të shërbejë për ndërtimin e një profili përmbledhës mbi tiparet antropologjike të shqiptarëve. Është pikërisht ky profil që mund të shërbejë dora-dorës si mjet për krahasim me materialet skeletore të periudhave (para)historike.

    Nga analiza formale e të dy sistemeve të tipareve antropologjike klasike (matjet dhe shenjat përshkruese), gërshetimi i tyre Veri/Jug tregon qartë që afria midis dy pjesëve të “trungut” shqiptar është kaq e dukshme, sa që vizualisht nuk bie në sy asnjë “ndarje” e qartë; vija ndarëse (konvencionale) midis grupeve brenda dy komplekseve të mëdha etno-kulturore vendoset në veri të lumit Shkumbin, gjë që përputhet pak a shumë me kufirin tradicional midis dy grupeve të mëdha dialektore (fig. 2).

A map of the country

Description automatically generated

Fig. 1

     Në epiqendër të këtij afrimi qendron i ashtuquajturi “tipi dinarik” i autorëve klasikë, të cilin unë me kohë e kam quajtur “tipi adriatik”, meqenëse shtrirja e tij nuk kufizohet në Alpet dinarike (Malësia e Malit të Zi dhe në Alpeve shqiptare), por ka një shtrirje të gjerë në Ballkan: prej jugut të Sllovenisë, në Kroaci, Bosnje- Hercegovinë, në Mal të Zi, në gjithë territorin e Shqipërisë së sotme, në pjesën perëndimore të Maqedonisë, 

A map of the island

Description automatically generated with medium confidence

Fig. 2

deri në grup-popullatat malore të veri-perëndimit të Greqisë së sotme, për të kaluar më tej në grup-popullatat e rajoneve juglindore të Italisë që lagen nga deti Adriatik.

     Në Shqipëri, konsolidimi i tipit adriatik mbizotërues është ndikuar dukshëm edhe nga veçoritë e kulturës vendase, sidomos në aspektin e lidhjeve martesore, që janë realizuar tradicionalisht në një rreth të ngushtë zonal (fig. 3).

A map of the united kingdom

Description automatically generated

Fig. 3

    2. Në pjesën e dytë të kumtesës parashtrohen në mënyrë të përmbledhur të dhënat antropologjike e kulturore që mbështeten në studimin e mbi 800 skeleteve njerëzore, të mbledhura gjatë ekspeditave arkeologjike në 60 site (kodërvarre, vendbanime, varreza të dysta, kështjella, qimitere etj.) që i përkasin një harku të gjerë kohor prej epokës së Neolitit (mijëvjeçari VI p.Kr.) deri në fillim të shek. XX (fig. 4).

A map of the country

Description automatically generated

Fig. 4

     Neoliti i hershëm përfaqësohet në material më së miri nga skeleti i zbuluar në vendbanimin e Podgories/ Korçë (mijëvjeçari VI p.Kr.). Nga të gjitha tiparet matëse dhe përshkruese, ky skelet rreshtohet në taksonin mesdhetar klasik (kokëgjatë, me dolikocefali të moderuar dhe i brishtë), ashtu si skeletet e zbuluara në vendgjetjet ballkanike të njëkohshme. Në gjetjet e periudhave pasardhëse neo-eneolitike nga Cakrani /Fier (mijëvjeçari IV p.Kr.) dhe Maliqi /Korçë (gjysma e parë e mijëvjeçarit III p.Kr.) vazhdojnë të jenë të pranishme variacione të këtij qerthulli klasifikues.

     Epoka neo-eneolitike në Shqipëri i takon pa dyshim, sipas pikëpamjes time, të ashtuquajturës “erës pellasgjike”, të karakterizuar nga një homogjenitet i prekshëm kulturor në të gjitha trevat e Ballkanit dhe nga një prirje tipologjike pak a shumë e ngjashme e tipareve antropologjike në këto treva të gjera, e vërtetuar kjo nga analiza diskriminante e të dhënave statistikore.      

     Etnogjeneza e ilirëve daton në fillimet e epokës së Bronzit. Në vendbanimin e Maliqit (faza Maliq IIIa) shfaqen elemente krejt të reja kulturore, sidomos në qeramikë, në teknologji, në forma dhe në dekorin e saj, të cilat- në treguesit më themelorë- dallohen nga ato të epokës së Eneolitit. Ky fakt nuk ka se si të shpjegohet me lidhje gjenetike apo me evolucion të brendshëm tipologjik, aq më tepër që këto elemente shfaqen në mënyrë të menjëhershme dhe të papritur, çka tregon se kemi të bëjmë me prurje të një elementi të ri tipologjik. Në skeletet e varreve qendrore nga tumat e Çinamakut /Kukës, Pazhokut / Belsh, Dukatit /Vlorë dhe Piskovës /Përmet, të cilët datojnë në fundin e mijëvjeçarit III p.Kr., gjenden variante të taksonit kromanjoid (shumë kokëgjatë, me dolikocefali të shprehur dhe me eshtra të forta), që do të përfshiheshin në të ashtuquajturin “tip protoevropian” i cili do t’i përgjigjej fazës fundore të valëve migruese, të ashtuquajtura kulturalisht “kurgane”.

    Prej këtyre të dhënave mund të hamendësojmë se tiparet e vjetra mesdhetare dhe konteksti i mënyrave të varrimit do t’i përqasnin këta skelete me banorët e stepave verilindore, të cilët- gjatë lëvizjes drejt jug- perëndimit në fillimet e Erës së metaleve– mbërritën deri në Danub e në viset fqinje ballkanike.

  Tipi protoevropian, që qendron në bazë të ndërtimit antropologjik të këtyre subjekteve, është një element i ri, i huaj për situatën e kahershme antropologjike të Evropës juglindore, ku tiparet mesdhetare, në kuptimin e gjerë të fjalës, ishin mbizotëruese. Por, për shkak të materialeve të pakta, ne s’mund të përcaktojmë ende me siguri lidhjet midis ardhësve të rinj dhe grupeve lokale vendase neo-eneolitike, e sidomos rrethanat kulturore të lidhura me faktin nëse ky element i ri indo-evropian (term ky i huazuar nga gjuhësia) do të ketë asimiluar substratin e vjetër fizik e kulturor, të quajtur konvencionalisht “pellazgjik”. E thënë me fjalë të tjera: a do të ketë qenë ky element përgjegjës për një popullim të ri? Më e udhës do të ishte të pranohej një simbiozë morfologjike-kulturore e ardhësve me elementin e vjetër autokton.

     Kohët e fundit, në rrethet shkencore të Shqipërisë është hedhur për diskutim një hipotezë e re, sipas së cilës kultura e periudhës së Bronzit të hershëm në vendgjetjet nga Shqipëria dhe Kosova është formësuar nga bashkëjetesa e komponentit vendas eneolitik dhe atij migracionar anatolik, të ardhur kryesisht nga juglindja…elementet e rrallë “kurganë”, të pranishëm në këtë kulturë, janë thjesht dhe vetëm refleks i infiltrimeve dhe ndikimeve kulturore të transmetuara gjatë shkëmbimeve ekonomiko-tregtare. Kjo hipotezë vlen të vështrohet seriozisht, por ende nuk jemi të sigurt se kush e barti realisht idiomën gjuhësore indoevropiane deri në trojet e Ballkanit, te popujt e dikurshëm neo-eneolitikë të Evropës. Për zgjidhjen e kësaj enigme, është gjuhësia e krahasuar që mund të na japë një vizion më të qartë.

     3. Duke nisur nga periudha e Bronzit të vonë vërtetohet një proces i ri, që lidhet me konsolidimin e etnosit ilir. Me këtë periudhë lidhet hallka tjetër e rëndësishme në procesin e formimit të tipareve antropologjike të ilirëve: shfaqja e elementit dinarik /përkatësisht adriatik. Të dhënat tona dhe ato të autorëve të tjerë vërtetojnë se rajonet ilire ishin përfshirë tashmë masivisht nga procesi i brakikranizimit (zgjerimit të kokës). Nga ana tjetër, shenjat e para të adriatizimit (zgjerimit dhe njëkohësisht sheshimit të kokës nga pas) shfaqen në territoret tona rreth fundit të shek. XII p.Kr. Shembull tipik në këtë drejtim ofrojnë skeletet e shtresave të poshtme të tumës së Barçit/ Korçë.

     Prirja drejt varianteve dinarike/ adriatike zhvillohet më tej gjatë epokës së Hekurit, kur shfaqen skeletet e para adriatike të mirëfillta. Shembuj tipikë gjenden në skeletet e tumës së Patosit /Fier (shek. XI-VIII p.Kr.), si dhe në kafkat ilire nga Berati e Liqethi /Skrapar (shek. V-II p.Kr.), por neo-mesdhetarët dhe tipa të tjerë të taksoneve alpin e nordik janë ende të pranishëm. Në gjetjet e njëkohshme të zbuluara në trevat veriperëndimore e qendrore të Ballkanit jemi përpara një situate të ngjashme antropologjike, çka tregon se midis grupeve të ndryshme të popullsisë ilire patën ekzistuar lidhje gjenetike, ashtu sikurse- në mjaft raste- edhe lidhje të natyrës kulturore. 

     Në periudhat pasardhëse, kjo prirje vazhdon pak a shumë në vijë të drejtë sidomos në grupet e prapatokës ilire, si në Ninçë /Kukës, Arapaj /Durrës, Bylis /Fier, Amantie /Vlorë, Symizë /Korçë, Antigone /Gjirokastër etj., ku proceset e adriatizimit zhvillohen më tej, prandaj edhe trajektorja aty shkon në ngjitje.     

     Ndërkohë, profili i përzier i grup-popullatave në vendbanimet koloniale të periudhës helenistike (shek. IV-II p.Kr.) deri në pushtimin romak (shek. I-IV e. s.), si në Apoloni /Fier, Dyrrah /Durrës, Butrint /Sarandë (fig. 5), duhet të lidhet me përbërës etnikë me prejardhje të ndryshme, ndonëse edhe aty nuk mungojnë subjekte me tipare dinarike/adriatike.  Ka të ngjarë që prurja ilire në këto vendbanime koloniale, sidomos në shekujt e fundit të ekzistencës së tyre, t’i mvishet ndryshimit demografik, për shkak të humbjes së rëndësisë kulturore dhe, për pasojë, nevojës për mbijetesë ekonomike të tyre.

    4. Ilirët përmenden për herë të fundit në burimet e shkruara të shek. VI e.s. Edhe më parë, gjatë periudhës së dyndjes së popujve (shek. IV-VI e.s.) filluan të humbasin gjurmët e këtij grupi etnik të dallueshëm. Seritë eshtrore të studiuara nga kjo periudhë vërtetojnë se s’ka pasur ndonjë imigrim të rëndësishëm apo masiv në trevat shqiptare, përveç të ashtuquajturave “dyndje barbare”, të cilat do të kenë lënë gjurmë kryesisht në kulturën lokale. Kështu p.sh., disa elemente avare në gjetjet nga Komani dhe Ndroqi (Shqipëria veriore e qendrore) si dhe tiparet veriore e kromanjoide te disa skelete të zbuluara në varrezat e zonës bregdetare (Lezhë, Durrës) duket se mund të lidhen me praninë e sllavëve të hershëm. Edhe në disa seri eshtrore më të vona, kryesisht nga Shqipëria juglindore (rreth shek. X-XII të e.s)., shfaqen gjurmë të tipareve verilindore, si në Gostomickë /Skrapar, Shtikë /Kolonjë, Rapckë /Përmet, të cilat mund të lidhen historikisht me kohën e pushtimit bullgar të vendit.

     5. Në pikëpamje të antropologjisë historike, ngjarja më e rëndësishme gjatë Mesjetës së hershme (shek. VII-XI e.s.) ka qenë ecuria me një intensitet të ri e procesit të adriatizimit, i trashëguar nga epokat/ periudhat e mëparshme. Studimi i vargjeve eshtrore të shumta nga kjo periudhë tregon se struktura antropologjike e grup-popullatave përkatëse do të ketë pasur një “taban” të përbashkët gjenetik, çka mund të vërtetohet nëpërmjet ecurisë kronologjike të tipareve antropologjike në varrezat e Buklit dhe të Krujës në veri të vendit dhe- në një farë mase- në ato nga jugu i vendit, si p.sh. në kompleksin tumular të luginës së mesme të lumit Vjosa. Ky deduksion mund të provohet më së miri nga krahasimi dykohësor i tipareve antropologjike në gjetjet eshtrore nga varrezat e Komanit /Pukë dhe Prosekut /Mirditë, të cilat i përkasin tipologjikisht kulturës së Komanit, ndërkohë që në jug të vendit gjetjet arkeologjike dëshmojnë një inventar relativisht të varfër, që është interpretuar si ndikim i drejtpërdrejtë i “hapjes” së kësaj zone drejt qytetërimit bizantin. 

     Nga fundi i Mesjetës së hershme e këtej dëshmohet një rritje e pandërprerë e vlerës së treguesit horizontal të kafkës në drejtim të brakikranisë, përkatësisht adriatizimit. Meqenëse ilirët nuk ekzistojnë ’më si një grup i dalluar etnik, procesi në fjalë duhet t’i atribuohet tashmë popullsisë arbërore.      

     Gjatë Mesjetës së vonë (shek. XII-XVIII e. s.) dëshmohet përsëri një ngritje e kurbës, që arrin kulmin në dy shekujt e fundit (fig. 6), çka shërben edhe si pasqyrë retrospektive për situatën antropologjike të popullsisë 

A graph of a graph

Description automatically generated with medium confidence

Fig. 5

A graph with lines and numbers

Description automatically generated

Fig. 6

së sotme të vendit. Me sa duket, në këtë proces do të kenë ndikuar- midis të tjerash- format e ndryshme të endogamisë (martesat brenda një territori të ngushtë etno-kulturor), sidomos në zona të izoluara për kohën.

     Në themel të kësaj dukurie qendrojnë proceset evolutive, të cilat përligjin- deri në njëfarë mase- vazhdimësinë iliro-shqiptare. Deri tani janë studiuar disa faktorë ndikues në këto procese. Por jemi ende “në gjysmë të rrugës”, sepse për vërtetimin e kësaj hipoteze nevojiten studime më të thelluara.

Bibliografi

Alcobe, D.S. (1942). Estudios antropologicos en tres altos valles de los Pirineos. Barcelona: Annales 

     Universidad Barcelona: 239-306.

Aliu, Skënder (1996). Tuma e Shtikës. Tiranë: “Iliria” vëll. XXVI, nr. 1-2.

Anamali, Skënder (1974). Nga ilirët tek arbërit. In: “Kuvendi i Irë i Studimeve Ilire (Tiranë, 15-20 shtator    

     1972). Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë/ Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i 

     Letërsisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, vëll. II: 153-172.

Id. (1985). Procese shndërrimi në trevën jugore ilire në shek. I-IV. Tiranë: Akademia e Shkencave e

     Shqipërisë, Qendra e Kërkimeve Arkeologjike.  

Id. (1979-1980). Antikiteti i vonë dhe Mesjeta e hershme në kërkimet shqiptare. “Iliria” vëll. IX-X: 5-12.

Id. (1988). Problemi i formimit të popullit shqiptar në dritën e të dhënave arkeologjike. In: “Konferenca 

     Kombëtare për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës së tij” (Tiranë, 2-5 korrik 1982).     

     Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë: 337-355.

Andrea, Zhaneta (1985). Kultura ilire e tumave në pellgun e Korçës. Tiranë: Akademia e Shkencave e 

     RPSSH, 1985.      

Billy, Ginnette (1962). La Savoie; Anthropologique physique. In: “Bulletins et Mémoires de la Société d’ 

     Anthropologie de Paris” (Paris). 

Bodinaku, Namik (1981). Kërkime arkeologjike në rrethin e Përmetit. “Iliria” vëll. XI, nr. 2: 243-254. 

Id. (1982). Varreza tumulare e Pazhokut. “Iliria” vëll. XII, nr. 1: 49-88.

Id. (1983). Kultura e varrezës së hershme mesjetare shqiptare në luginën e sipërme të Vjosës të rrethit të 

     Përmetit. “Iliria” vëll. XIII, nr. 1: 241-247.  

Id. (1985). Migrimet e periudhës së bronzit të hershëm dhe roli i tyre në formimin e etnosit ilir. “Iliria” 

     vëll. XV, nr. 2: 181-189.

Id. (2001-2002). Varreza tumulare e Dukatit në rrethin e Vlorës. “Iliria” vëll. XXI-XXII, nr. 1-2: 9-76.

Bunguri, Adem (2022). Rivlerësimi i hipotezës së migracionit “kurgan” sipas evidencës arkeologjike nga     

     Shqipëria dhe Kosova. In: “Aktet e Kuvendit Mbarëkombëtar të Studimeve Albanologjike” Tiranë:

     Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vëll. II. 

Ceka, Neritan (1975). Un tumulus à Dukat. “Iliria” vëll. III: 139-154.

Coon, Carlton Steven (1950/1970. The Mountains of the Giants; A racial and cultural study of the North 

     Albanian Mountain Ghegs. Cambridge-MA: Harvard University/ Papers of the Peabody Museum of 

     American Archaeology and Ethnology, Vol. XXIII, No. 3, 1950; New York: Kraus Reprint Co., 1970.

Čović, Borivoj (1986). Die Ethnogenese der Illyrer aus der Sicht der Vor-und Frühgeschichte. In: 

     Wolfram Bernhardt & Annelise Kandler-Pálsson (Hrsg.) “Ethnogenese europäischer Völker aus der 

     Sicht der Anthropologie der Vor-und Frühgeschichte” Stuttgart-New York: Gustav Fischer: 55-74. 

Dhima, Aleksandër (1981). Materiale skeletike mesjetare nga tuma e Piskovës, Përmet. “Iliria” vëll. XI, 

     nr. 1: 155-189. 

Id. (1982). Një kafkë ilire nga Liqethi, Skrapar. “Iliria” vëll. XII, nr. 2: 233-237. 

Id. (1984). Ecuria kohore e tipareve antropologjike në trevën e Kolonjës. Tiranë: “Etnografia Shqiptare” 

     vëll. 14: 295-322. 

Id. (1985). Materiale skeletike nga nekropoli i Dyrrahut. “Iliria” vëll. XV, nr. 1: 247-272. 

Id. (1986a). Kafka të periudhës antike të vonë nga Bylisi. “Iliria” vëll. XVI, nr. 2: 171-185. 

Id. (1986b). Studim antropologjik i kafkave të faltores së Vithkuqit. Tiranë: “Revista Mjekësore” nr. 4: 

     75-82. 

Id. (1987a). Survey of anthropological features of the Illyrians. Stuttgart: “Anthropologischer Anzeiger”, 

     Bd. 45, Hf. 2: 131-144.

Id. (1987b). Studim antropologjik i gjetjeve eshtrore nga varreza e Rapckës. “Iliria” vëll. XVII, nr. 2: 123-154.     

Id. (1988a). Kafka ilire nga rrethi i Beratit. “Iliria” vëll. XVIII, nr. 1: 199-201. 

Id. (1988b). Hulumtim antropologjik i gjetjeve të reja eshtrore nga varreza e Komanit. “Iliria” vëll. VIII, 

     nr. 2: 177-211. 

Id. (1988c). Studim antropologjik i materialit eshtror nga Butrinti dhe rrethinat. Tiranë: “Butroti- 

     Përmbledhje studimesh” Akademia e Shkencave e Shqipërisë/ Qendra e Kërkimeve Arkeologjike:     

     261-284. 

Id. (1989). Lënda eshtrore e varrezës së Prosekut. “Iliria” vëll. XIX, nr. 1: 177-212. 

Id. (1993). Evolutionary Trends in Albanian Anthropological Material. Firenze: “International Journal of 

     Anthropology” Vol. VIII, No. 4: 221-231. 

Id. (1994). Ethnical Anthropology of Albania. Stuttgart-Jena-New York: “Homo”, Bd. 45, Hf. 2: 127-158.

Id. (2016). Hyrje në Antropologji. Tiranë: Ideart. 

Id. (2017). Antropologjia etnike e shqiptarëve. Tiranë: UET Press. 

Id. (2022). Etnogjeneza e shqiptarëve në optikën e antropologjisë. In: “Aktet e Kuvendit Mbarëkombëtar

     të Studimeve Albanologjike” Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vëll. II.

Id. (2023). Der Übergang von der Spätantike zum Frühmittelalter im albanischen Lebensraum aus dem 

     Gesichtspunkt der historischen Anthropologie. In: Proceedings of the 7th German-Albanian Cultural 

     Studies Conference “The Albanian Language Area and Its Surroundings During Antiquity to the High 

     Middle Ages” (Hubmersberg/Nürnberg, 21st -22nd April 2023).  

Dhima, Aleksandër & Dhimitër Tole (1979-1980). Të dhëna të reja mbi tipin antropologjik të shqiptarëve 

     gjatë Mesjetës. “Iliria” vëll. IX- X: 301-351. 

Gimbutas, Maria (1986). Remarks on the Ethnogenesis of Indo-Europeans in Europe. In: Wolfram 

     Bernhardt & Annelise Kandler-Pálsson (Hrsg.) “Ethnogenese europäischer Völker aus der Sicht der 

     Anthropologie der Vor-und Frühgeschichte”. Stuttgart-New York: Gustav Fischer: 5-20.

Islami, Selim; Skënder Anamali; Muzafer Korkuti; Frano Prendi (1965). Ilirët dhe Iliria te autorët antikë; 

     Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë. Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës/ Instituti i 

     Historisë dhe Gjuhësisë, vëll. I.

Jubani, Bep (2012). Tumat e dardanëve alpinë të Çinamakut. Tiranë: Akademia e Shkencave të 

     Shqipërisë.

Korkuti, Muzafer (1981). Tuma e Patosit. “Iliria” vëll. XI, nr. 1: 8-34. 

Late, Fatmir & Aleksandër Dhima (1989). Gjetje eshtrore nga bazilika e Amanties. “Iliria” vëll. XIX, 

     nr. 1: 271-275. 

Marcsik, Antonia (1976). The anthropological material of the pit-grave Kurgans in eastern Hungary. In: 

     I. Ecsédy (ed.) “The People of the Pit-Grave Kurgans in Eastern Hungary”. Budapest: Akadémiai     

     Kiadó.

Martin, Rudolph (1928). Lehrbuch der Anthropologie in systematischer Darstellung. Jena: Gustav 

     Fischer (2. Aufl.) Bd. II.

Mikić, Živko (1986). Die Ethnogenese der Illyrer in Jugoslawien aus der Sicht der Anthropologie. In:  Wolfram Bernhardt 

     & Annelise Kandler-Pálsson (Hrsg.) In: “Ethnogenese europäischer Völker aus der Sicht der Anthropologie der Vor-

     und Frühgeschichte” (Stuttgart-New York: Gustav Fischer: 75-89.

Necrasov, Olga & Maria Cristescu (1962). Contribution à l’étude anthropologique des squelettes des tombes à

     ocre, trouvés sur le territoire de la R.P. de Roumanie. In: ”VIe Congrès International des Sciences

     Anthropologiques et Ethnologiques” Paris/ Musee de l’Home: 663-667.

Nemeskéri, Jànos & Aleksandër Dhima (1988). Sprovë për rindërtimin paleobiologjik të popullsisë 

     apoloniate të shek. I-III të e.s. “Iliria” vëll. XVIII, nr. 1: 119-155.

Nemeskèri, Jànos & L. Lengyel (1976). Neolithic skeletal finds. In: Maria Gimbutas (ed.) “Neolithic 

     Macedonia, as reflected by excavation at Anza, Southeast Yugoslavia”. Los Angeles-CA: University 

     of California/The Institute of Archaeology: 376-410. 

Popović, Vladislav (1975). Les témoins archéologiques des invasions avaro-slaves dans l’Illyricum 

     Bizantin. Rome: “Mélanges de l’École française de Rome/Moyen Âge”, vol. 87, nr. 1: 445-504. 

Prendi, Frano (1966). La civilisation préhistorique de Maliq. Tirana: “Studia Albanica” Vol. 3, No. 1: 

     255-272.

Id. (1982). Die Bronzezeit und der Beginn der Eisenzeit in Albanien. Berlin: “Prähistorische Archäologie 

     in Südosteuropa zwischen 1600 und 1000 v.Chr.” Bd. I.

Id. (1990). Le Néolithique ancien en Albanie. Frankfurt am Main: “Germania” Bd. LIVIII, Hf. 2: 410-418. 

Winkler, Eike-Meinrad (1983). Volk, Kultur, Ethnos, Population, Typus; Zur Methodik der ‘ethnischen 

     Deutung’. Wien: “Mitteilungen der Anthropologischen Gesellschaft in Wien” Bd. CXIII: 5-14. 

Ylli, Asim (1975). Disa të dhëna kraniometrike. Tiranë: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë. 

Ylli, Asim; Sazan Gabrani; Artur Hafizi (1985). Përcaktimi i tre indekseve kryesorë në një seri kafkash nga 

        Berati. “Revista Mjekësore”nr. 5: 73-75.

Zojzi, Rrok (1962). Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Tiranë: “Etnografia Shqiptare” vëll. I: 16-62.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT