Muzeu Historik Kombëtar/
Andon Zako lindi më 26 mars të vitit 1866 në Sheper të Zagorisë. I njohur më vonë me emrin letrar Çajupi (nga emri i malit në krahinën e Zagorisë), mësimet fillore i mori në shkollën greke në Nivan, në një fshat të krahinës ku lindi. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vjet në liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”. Më pas, më 1887, vazhdoi studimet për jurisprudencë në Gjenevë. Në vitet 1894-1895 punoi njëfarë kohë si avokat në Kajro, por karriera e tij juridike mori fund shpejt për shkak të mbrojtjes që bëri në favor të një shoqërie franceze kundër interesave të princit të Egjipti. Pas kësaj mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adaptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe. Më 1909 botoi pamfletin e njohur “Klubi i Selanikut”, ndërsa më vonë u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë.
Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi edhe krijimtarinë letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, që dallohet nga fryma luftarake, patriotike dhe popullore në brendi dhe në formë.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend jo vetëm si poet, por edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes”, me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut”, botuar më 1937.
Realizimi i filmit artistik “Përrallë nga e kaluara”, me regjisor Dhimitër Anagnostin, sipas motiveve të komedisë “14 vjeç dhëndër”, na e sjell përherë e më pranë krijimtarinë e tij letrare.
Foto: wikidata.org