• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bashkimi i trojeve shqiptare, amanet kombëtar

August 6, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj

Prej mijëvjeçarësh, shqiptari rron në trojet e veta të lashta. Kjo nuk asht thjesht një deklaratë politike, asht një e vërtetë historike e përgjakun me dëshmi, me dhimba, me heroizëm e me krenari. Historia nuk fillon as në 1913 e as në 1945, por nis në gurët e gdhendun të Dardanisë, në kodrat e Tivarit, në gërmadhat e Butrintit e Apolonisë, ku kombi shqiptar—atëherë i njohun si ilir—ishte themelet e qytetërimit europian. Atë qytetërim që sot Evropa e shpall si veten, ia detyrojnë shumë këtij populli të heshtun, të copëtuem, por kurrë të nëpërkëmbun.

Gjuha shqipe, siç e vërteton shkenca gjuhësore e dokumentuar nga studiuesit europianë si Johann Georg von Hahn, Gustav Meyer, Eqrem Çabej e Aleksandër Stipçeviq, është vijimësi e gjuhës ilire. Ilirishtja e vjetër që kumbonte ndër amfiteatrot e Lisit e Dyrrahut nuk u shua kurrë; u përcollë prej nji brezi në tjetrin, prej lahutarëve të Dukagjinit e deri te burrat e urtë të Labërisë. Shkrimi i parë në tokat ilire nuk lindi në shek. V apo VI pas Krishtit si në shumicën e vendeve sllave, por rreth shek. VII para Krishtit, me alfabetin iliro–epirot. Prej këtij trualli rrjedh vet kultura e Evropës.

Homeri, në Iliadë e në Odise, përshkruen fiset e fuqishme ilire, si peonët, taulantët, dardanët, që luftojnë përkrah trojanëve. Herodoti i shek. V para Krishtit, flet për fise që nuk u nënshtruen kurrë Persëve, e që janë në malet e larta të Ballkanit—ata janë ilirët tanë. Historiani grek Tukididi e më vonë Polibi, Livi e Plini i Vjetër e konsiderojnë Ilirinë si një superfuqi të lashtësisë. Ata i përmendin mbretërit ilirë: Bardhyli, Grabosi, Genti, Teuta, që nuk iu nënshtruen as Romës, përpara se të ndodhë invazioni ushtarak. Roma vetë ndërtoi portet e saj mbi themelet e qyteteve ilire: Dyrrahium (Durrësin), Scodran (Shkodrën), Ulcinium (Ulqinin), Lissus (Lezhën), Risinum (Risanin), Tivar, Apoloni, e Butrint.

Kultura ilire nuk asht vetëm në themele qytetesh por në besime, në arkitekturë, në art, në muzikë, në zakone, në organizim shtetnor. Para se të ndërtohej Roma, ishin mbretërit ilir që zhvillonin ligjin, sistemin fisnor, federatat dhe organizimin juridik të shtetit. Ky asht dokumentum në arkeologji, në të gjetuna që ruhen në muzetë e Vjenës, Berlinit, Beogradit, Zagrebit e Tiranës. Asht koha që shqiptarët mos të jetojnë vetëm në muze e në nostalgji, por të kërkojnë atë që historia ua ka dhanë me të drejtë hyjnore: bashkimin e natyrshëm të kombit në një shtet të vetëm.

Kombi shqiptar u nda padrejtësisht në pesë shtete. Kjo nuk ndodhi për fajin tonë, por për pasojën e pazareve të pista të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Berlinit (1878) e pastaj në Konferencën e Londrës (1913). Ato konferenca e lanë Kosovën nën Serbi, Çamërinë nën Greqi, Malësinë e Madhe e Ulqinin nën Mal të Zi, Preshevën e Bujanocin nën Serbi, dhe shqiptarët e Dibrës e Tetovës nën Maqedoni. Kjo asht një copëtim i padrejtë që nuk njeh as histori as drejtësi. Asnjë komb tjetër në Evropë nuk asht ndarë në pesë pjesë. Vetëm shqiptari. E kjo asht padrejtësia më e madhe historike në Ballkan.

Sot, bota po njeh të drejtën e kombeve për vetëvendosje. Ashtu siç u bashkua Gjermania, siç u pavarësua Kroacia e Sllovenia, siç po kërkon Skocia e Katalonja referendum për fatin e vet, pse shqiptari duhet me mbetë i heshtun? A nuk kemi ne të drejtë me jetue në një shtet të përbashkët, në një atdhe të vetëm, me një flamur, me një gjuhë, me një kulturë të përbashkët?

Asht koha që Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, si dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi,Fatmir Gjeka ,Dritan Abazoviq, Nik Gjeloshaj, Nikoll Camaj , në Preshevë, në Çamëri, në Bulgari e gjetkë, të bashkojnë forcat dhe të formojnë një delegacion gjithëkombëtar shqiptar, i cili do të paraqitet para Bashkimit Evropian, OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky delegacion do të mbështetet në dokumente, arkiva, harta, libra të autorëve të mëdhenj europianë si Wilkes, Hammond, Fallmerayer, Durant, Noel Malcolm, dhe në vet dokumentet e Vatikanit, që dëshmojnë qartë se ne ishim e jemi këtu, në trojet tona, para të gjithëve.

Nuk jemi ne të ardhurit. Jemi ne themelet. Jemi gurët. Jemi zani i lashtësisë. Nuk kërkojmë asgjë që s’na takon, kërkojmë vetëm bashkimin e gjymtyrëve të një trupi të ndamë padrejtësisht. Kërkojmë që gjaku ynë të mos jetë më i përçarë, që në vend të pesë shteteve të kenë një shtet të vetëm shqiptar, që të jetë faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan e Evropë.

Ky shkrim asht një thirrje. Asht kushtrim. Asht kushtrimi i nji kombi që nuk don më me flejtë në gjumë. Të gjithë historianët, akademikët, intelektualët, të ngrihen. Të kërkojnë të drejtën në tryezën ndërkombëtare, jo me pushkë por me argumente, jo me gjak por me dije. Të organizohet një Konferencë Ndërkombëtare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, me përfaqësues nga Brukseli, Parisi, Berlini, Londra, Roma e Washingtoni, ku shqiptarët paraqesin kërkesën e vet për bashkim kombëtar, ashtu siç e ka çdo komb në Evropë.

Mos rrini në gjumë o vllazën shqiptarë. Mos shitni trojet për karrige, për ofiqe, për interesa personale. Të drejtat tona janë të shenjta. Janë për të cilat u flijuan qindra mijëra martirë që nga Teuta e Genti e deri te Isa Boletini e Adem Jashari. E sot ne kemi për detyrë me çue zani tonë, me guxim, me urtësi, me diplomaci, me histori, me të drejtë. Sepse bota dëgjon ata që flasin. Nuk i dëgjon ata që heshtin.

Kombi shqiptar nuk mund të jetë më peng i pazareve të shekujve të kaluem. Ne nuk jemi më të varfun në dije, nuk jemi më pa zë në diplomaci. Ne kemi bijtë tanë në Amerikë, në Evropë, në çdo vend të botës. Le të ngrihet diaspora jonë. Le të organizohen demonstrata paqësore në Washington DC, në Bruksel, në Paris, në Berlin, në Londër, në Romë, në Vjenë, në Gjenevë. Le të dëgjohet zani i kombit të lashtë shqiptar si nji zani i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Kjo thirrje i drejtohet gjithë atyne që ndihen shqiptarë: kudo që janë – në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë, në Çamëri, në Ulqin, në Tetovë, në Plavë, në Guci, në Hot, në Grudë, në Shkup, në Janinë, në Selanik, në Diasporë. Bashkimi nuk vjen vetë. Ai kërkon vullnet, dije, guxim, urti dhe përkushtim.

Dhe kur kjo punë të përmbushet, historia do ta njohë këtë brez si brezin që nuk pranoi me mbetë i ndamë. Do të njohë këta udhëheqës si bij të denjë të një kombi të madh. Do të njohë këtë lëvizje si fillimin e drejtësisë historike në Ballkan. E bota s’ka si me e mohue atë që asht e vërtetë

Filed Under: Interviste

Dështimi me sukses i “Turizmit Elitar”…

August 4, 2025 by s p

Eduart Caka/

Shtete të shumta të Mesdheut, duke nisur nga Spanja për të vijuar drejt Francës, Italisë, Kroacisë, Greqisë, Turqisë, Egjiptit e shumë të tjerave e kanë të konsoliduar prej dekadash sektorin e turizmit, i cili nuk karakterizohet vetëm prej hoteleve të bukura e luksoze. Por nevojiten shumë elemente të tjera, në krye të së cilave pikësëpari vjen shërbimi, infrastruktura, personeli i mirëtrajnuar, shumëllojshmëria e aktiviteteve që i ofrohen pushuesit, çmimet konkurruese etj. Për më tepër, për t’u kthyer në një destinacion turistik në një rajon ku rivaliteti është goxha sfidues nëse do të kemi parasysh fqinjët tanë jugorë por edhe ata përtej Adriatikut, duhet që paketat turistike të përfshijnë të dymbëdhjetë muajt e vitit, jo një muaj e gjysmë apo dy muaj.

Me një përpjekje të sforcuar dhe shumëëë “reklamë”, edhe Shqipëria tenton prej 2-3 vjetësh të bëhet pjesë e “pastës së madhe” të të ardhurave që vijnë prej turizmit. Por, në vend që të mësonim prej vendeve me përvojë në këtë sektor, provuam t’i bijmë shkurt e shkurt me disa “male betoni” të zbukuruara dhe çmime marramendëse që garojnë me destinacionet më luksoze të botës. Sigurisht, kush e provoi një herë, nuk u kthye më…Ky vit nxorri në pah diçka interesante: ndërkohë që hotelet e shtrenjta të jugut mbetën zbrazur, qytetet tona me trashëgimi kulturore e arkitekturore duket janë plot. Duket se turistëve që vijnë këtu tek ne nuk u interesojnë malet prej betoni dhe çmimet e çmendura, por duan të shohin kalldrëmet e Gjirokastrës e Beratit, pazaret e Korçës e të Krujës, qendrat e vjetra të Elbasanit, Shkodrës e Vlorës.

Ka edhe një pjesë tjetër që vijnë për bukurinë e natyrës dhe të alpeve, por turizmi i tyre sivjet u ndërpre prej fadromave. A ka ardhur koha të ndërtojmë një strategji realiste të turizmit shqiptar?.. Sepse, ai elitari duket se përfundoi para se të fillonte…

Filed Under: Interviste

1 gusht 1912, botohet në Rumani gazeta “Atdheu”

August 2, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Në 1 gusht 1912 viti filloi të botohej në Rumani gazeta “Atdheu”, organ i shoqërisë “Bashkimi’, që asokohe kryesohej nga Jani Mihal Lehova, i cili ishte njëherësh edhe kryeredaktori i saj, ndërsa drejtor përgjegjës qe Aleksandru Naum Çërrava.

Ishte e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore letrare, folklorike në gjuhën shqipe.

Programin e vet gazeta e shpaloste që në numrin e parë: “Do të punojë për të drejtat kombtare të Shqipërisë, pas Kostitucionit; do të predikojë bashkimin e shqiptarëve me ndjenjën kombtare; do përpiqet t’u shtjerë dhe ndërmend shqiptarëve të mërgimit, mos të harrojnë mëmëdhenë dhe të ndihin për përparim të kombit, ndër udhë politike, kulturore dhe ekonomike.”

Këtij orientimi gazeta iu përmbajt si në muajt e fundit të periudhës së Rilindjes (deri në shpalljen e Pavarësisë dolën 7 numra), ashtu edhe gjatë jetës në Pavarësi, sidomos deri në numrin e 35-të të saj.

Jeta e gazetës mund të ndahet në dy kohë:

Koha e parë qe periudha kur gazeta pasqyroi ngjarjet që çuan në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më tej zhvillimet në Shqipëri nën qeverinë e përkohshme të Ismail Qemal Vlorës.

Më tej, që nga numri 36, gazeta u transferua në Shqipëri dhe numri 37 doli në qarkullim në qytetin e Durrësit, por botimi bëhej në shtypshkronjën “Nikaj” të Shkodrës.

Koha e dytë e të përkohshmes “Atdheu” nis me shpalljen e Pavarësisë deri në fundin e janarit 1914, kur në Shqipëri bëheshin përgatitjet për ardhjen e pricit Vilhelm Vid në fronin Shqipërisë.

Gazeta “Atdheu” pasqyroi probelmet me të cilat u ndesh qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit, ndërkohë që një vëmendje e madhe iu kushtua bashkimkit politik të shqiptarëve.

Filed Under: Interviste

Dukuri të artit ushtarak të shfaqura në Luftën e Dibrës

July 31, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/

Pjesa II

Përcaktim i drejtimit të goditjes kryesore

Forcat kryengritëse përcaktuan drejtimin e goditjes kryesore, përqëndruan forcat e mjetet e shumta në këto drejtime dhe në pika të caktuara, dhe pse ishin inferiore në raportin e forcave, arritën të krijojnë epërsie ose të zbusin raportin e forcave. Kryengritja e gusht-shtatorit e 1920-s e bërë nga populli i Dibrës kundër pushtuesit serb luajti një rol të rëndësishëm edukativ dhe mobilizues për periudhat e mëvonshme. Së pari, u rrënjos edhe më tepër te masat e popullit urrejtja për pushtuesin e huaj, i cili e tregoi fytyrën e vërtetë prej shtypësi e vrasësi. Së dyti, u shtua dhe u forcua edhe më shumë ndjenja e patriotizmit të masave të popullit. U forcua dhe u shtua edhe më shumë bashkëpunimi tradicional midis dibranëve dhe kosovarëve në luftë me të njëjtin armik. Së treti, spikati trimëria, guximi deri në vetëmohim dhe heroizmi masiv i malësorëve dibranë që në kushtet e pushtimit, pa marrë parasysh sakrificat në njerëz dhe në ekonomi, u përleshën me një ushtri të rregullt, të armatosur më së miri dhe në numër shumë herë më të madh. Së katërti, u provua dhe një herë aftësia luftarake dhe taktika popullore. Së pesti, u demaskua reaksioni vendas. Së gjashti, u hodhën poshtë akuzat falso të qarqeve të larta të borgjezisë serbe mbi “egërsinë” e dibranëve, të cilët, megjithëse kishin pësuar shumë në kurrizin e tyre, u sollën në mënyrë njerëzore ndaj të plagosurve dhe robërve duke i mjekuar ushqyer e përcjellë deri në destinacion. Së shtati, u bënë përpjekje, sado të kufizuara, për të bashkërenditur veprimtarinë me qarqet politike maqedone që vepronin kundër politikës serbomadhe, për mevetësinë e Maqedonisë. Së fundi, u bë e qartë për elementët e mashtruar, esadistë të Dibrës, se politika e serbëve ndaj Shqipërisë ishte një politikë armiqësore dhe çdo bashkëpunim i mëtejshëm me ta ishte në dëm të interesave kombëtare.

Mësymja në përgjithësi filloi nga rajonet malore dhe u drejtua mbi garnizone dhe qendra të vogla, sipas vendimit të kuvendit, çetat dhe forcat luftarake u nisën në drejtimin e objektivit të mësymjes sikurse ishin përforcimet serbe. Luftëtarët ju afruan objektit në kolona marshimi dhe rreth 2 km pranë objektit të sulmit, ndalonin në vende të maskuara. Këtu pas njohjes me terrenin dhe objektivat, përcaktuan detyrën luftarake për luftim dhe kohën kalimit në sulm me sinjale. Sulmet zakonisht ishin rrethore dhe të vrullshme mbi garnizonin. Brenda ditës luftimet ishin të përfunduara dhe me fitor të forcave kryengritëse.

Mbrojtja zakonisht fillonte kur luftëtarët kishin kapur pozicione të rëndësisë taktike dhe deri operative dhe ishin afër rajoneve të fortifikuara. Mbrojtja e luftëtarëve u karakterizua gjithmonë nga manovra e shpejtë dhe krahëmarrëse. Pikënisja e luftimeve ishte ndeshja në një vijë dhe pozicion të caktuar terreni, ku luftëtarët organizuan mbrojtje, prita dhe kurthe.

Forcat kryengritëse kaluan në mësymje dhe duke realizuar objektivat operativë me metodat taktike, me goditje të njëpasnjëshme, e nga disa drejtime duke shfrytëzuar sistemin e mbrojtjes armike të përbërë nga garnizone të veçuara, me largësi ndërmjet tyre, si dhe përfituar nga karakteri i thyer i terrenit.

Në rezultat të pushtimit të garnizoneve ushtarake fortifikuese kur armiku u përqëndrua, forcat kryengritëse duke e njohur armikun, në forca e mjete dhe në mbrojtjen e fortifikuar, u përqëndruan në mënyrat e sulmit mbi objektet e fortifikuara. Objektivat u arritën duke gërshetuar drejt sulmet e vazhdueshme me karakter shqetësues, raskapitës e demostrativ, me veprime mësymëse të të gjitha çetave në kushtet e luftës frontale për shpërthimin e rajoneve të fortifikuar. Në këtë mënyrë u shmang luftimi pozicional, u përdorën metoda aktive, dinamike që ndikuan në kompesimin në forca e mjete të luftëtarëve, i dhanë luftës karakter vendimtar duke çuar në shpartallimin e armikut superior dhe çlirimin e Peshkopisë dhe të Dibrës.

Realizimi i disa masave të maskimit, si një nga tiparet e artit taktik, bëri që përgatitja e çetave në fshehtësi dhe shpejtësi, të ishte parësore në drejtim. Risi e re ishte kalimi i pengesave, i transheve deh i luftimeve trup me trup. Masa luftarake të marra nga njëra anë, si dhe qëndrimi në pozicione i ushtrisë serbe, e vunë komandën serbe përballë të papriturave duke u bërë faktor i rëndësishëm për suksesin.

Çështja e furnizimit me ushqime e materiale të tjera luftarake ishte një ndër problemet e ndërlikuara që u zgjidhën në luftë e sipër. Duke vlerësuar kushtet e vështira të furnizimit, u përcaktua si e vetmen zgjidhje, mbështetja në forcat e çdo fshtai për çetën e vet. Burim kryesor i furnizimit u bënë fshatrat e Dibrës. Masa e gjërë e fshatarësisë, megjithëse mjaft e varfër vunë në dispozicion të forcave kryengritëse të gjitha sendet e nevojshme ushqimore, blegtorale e bujqësore e siguruan ndihma të konsiderueshme dhe për mjaft materiale të tjera. Burim shumë i rëndësishëm për furnizimi u bë dhe armiku, sidomos për armatim e municion. Sigurimi i armatimit duke ia rrëmbyer armikut në fushën e luftës, ishte një nga objektivat kryesore të planit të komandës së forcave kryengritëse, veçanërisht gjatë fazën e parë të luftës, i cili u realizua me shumë sukses dhe i përmirësoi në mënyrë të ndjeshme kushtet e armatimit të Forcave Kryengritëse gjatë fazës së dytë të luftës.

Taktika e luftimit përdori forma e metoda orgjinale që u mbështetën në traditën e pasur luftarake të popullit dhe që u mbajtën parasysh në format e organizimit ushtarak e shkallën e pajisjes me teknikë luftarake të Forcave Kryengritëse. Forcat Kryengritëse gërshetuan drejt taktikën e luftës në front të rregullt me format e metodat e luftës tradicionale. Taktika u shqua nga aktiviteti, dinamizmi dhe shpirti sulmues. Nëpërmjet goditjeve të befasishme, sulmeve natën, vendosmërisë në luftim, manovrueshmërisë e shfrytëzimit të terrenit, përdorimit me shpirt krijues i mjeteve rrethanore, etj., Forcat Kryengritëse kapërxyen pengesat me tela, shpërthyen pozicionet e fortifikuara dhe zgjidhin detyra të vështira në luftim. U bënë veçori e taktikës sulmet e pandërprera me forca të kufizuara, që nuk i lanë forcat serbe të merrnin frymë, i mbajtën në panik e në tension të vazhdueshëm nervor dhe u siguruan forcave kryengritëse iniciativën. Në Luftën e Dibrës përdorim të gjerë morën veprimet luftarake mësymëse, por në momente të caktuara u përdorën dhe luftimet mbrojtëse. Taktika e luftimeve mbrojtëse u karakterizua gjithashtu nga qëndrueshmëria, aktiviteti, ndërtimi i kurtheve, pritave etj.

Lufta e Dibrës e viteve 1920-1921 tregoi vitalitetin dhe energjinë luftarake të një populli që u ngrit në këmbë për të mbrojtur me gjak lirinë dhe pavarësinë e vet. Kjo luftë u bë një thesar i paçmuar i traditave luftarake të tij, u trashëgua e u ngrit në një shkallë të lartë nga formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këto tradita, kjo përvojë duhet të mësohen e të njihen nga ushtarakët e të gjitha strukturat e sigurisë në interes të rritjes së aftësive luftarake e të përdorimit me mjeshtëri në fushën e luftës të formave e metodave të luftimit sa më të gjalla e më të larmishme.

Filed Under: Interviste

Për një vetëdijësim gjuhësor

July 28, 2025 by s p

Prof. Xhafer Beqiraj/

Keqpërdorimi i gjuhës shqipe në rrjetet sociale

Gjuha shqipe, si shenjë thelbësore e identitetit kombëtar, po përballet me një krizë të thellë në aspektin e përdorimit në komunikimin e përditshëm. Rrjetet sociale, të cilat në parim ofrojnë mundësi për shprehje të lirë dhe përhapje të kulturës gjuhësore, fatkeqësisht janë shndërruar në pasqyra që zbulojnë deformimin dhe keqpërdorimin e shqipes së shkruar. Në to, gjithnjë e më shumë vërehet një përdorim i shthurur i gjuhës, i cili qëndron jashtë çdo norme standarde ose dialektore, duke krijuar kështu përshtypjen e një kodi të paqëndrueshëm gjuhësor që ngjan më shumë me një përzierje elementesh të paartikuluara sesa me një sistem të gjuhës natyrore.

Veçanërisht shqetësuese është dukuria që kjo mënyrë shkrimi nuk përfaqëson devijime të vogla nga norma standarde, por dëshmon për një nivel të ulët të zotërimit të gjuhës amtare nga folësit e saj, në Kosovë dhe më gjerë. Mjafton t’u hedhim një sy shkrimeve të ndryshme në rrjetet sociale dhe do të shohim se fjalët janë të gjysmuara, të renditura pa lidhje logjike, pa përshtatje gramatikore dhe pa shenja pikësimi. Fjalitë janë të copëzuara (sikurse edhe fjalët), pa koherencë sintaksore dhe semantike, ndërsa përmbajtja humbet në një rrjedhë të çrregullt formulimi, ku mungon qartësia e mesazhit dhe e informacionit.

Kjo mënyrë shprehjeje nuk është më thjesht shpërfillje e rregullave, por manifestim i një mosnjohjeje serioze gjuhësore dhe e mungesës së ndërgjegjes për funksionin e gjuhës në komunikimin e shkruar apo pakujdesi e atij/asaj që e shkruan shumë keq shqipen tonë të bukur. Më poshtë po paraqesim disa shembuj, të shkëputur nga rrjetet sociale, për të dëshmuar nivelin shqetësues të jogramatikalitetit dhe të varfërisë së performancës gjuhësore të një numri jo të vogël që shqipen e kanë gjuhë amtare:

– *“Sa hash m…. palidhje pse nuk ehash ni byrek me mish ani tbon mir po kqyrish me hangër qka nuk duet apo kiqef veq me Le palidhje”;

– *“Oj kuder oj hajneshe oj e paftyre epa moral tije veq nji rrence e poshter na kemi ndigju qe edheburrin tend pk e rrehshe qese qfar kuqke je”;

– *“Kush nuk te do plaste ne vent ti vazhdo rrugn tende njerzit e lig jan gjithmon ne peezencn ne jet sikush do ne rrugn e vet po ske cte besh kur ngaterrohen ne rrugn tende”;

– *“Bo bo gje me te shpifur nuk kam pare qjane keto shpifsira keto qaf lesha apo kok lesha te pa lare zhulsat e mutit kushedi sa e Kane pleshtin ne ne koke degjeneroj familjen ola per nje koke lesh”…

(Përshkrim i fjalëpërfjalshëm. Shembuj të tillë ka shumë, andaj mjaftohet me kaq.)

Sikundërse shihet te shembujt e mësipërm, në aspektin sintaksor vërehen shthurje të dukshme, si p.sh.: mungesë e koherencës, renditje e çorientuar e përbërësve të fjalisë, përdorim i pasaktë i lidhëzave dhe i sintagmave etj. Teksti, për pasojë, largohet nga struktura natyrore e gjuhës dhe kështu shndërrohet në një përzierje fjalësh të papërpunuara dhe të pashqiptueshme. Në vend që të shërbejë si bartëse e kuptimit, gjuha e shkruar në rrjetet sociale shndërrohet në paqartësi komunikimi. Dhe, si rrjedhojë, fiton përshtypjen sikur ke të bësh me një gjuhë të panjohur, b.f. “indisht” apo “kinezisht”!

Ajo që ndodh nuk është as zhvillim dialektor, as normë e gjuhës standarde, por një çrregullim gjuhësor i pashoq. Ky keqpërdorimi i gjuhës, i krijuar nga mosdija, pakujdesia, nga mungesa dhe mospërfillja e normës, nuk përfaqëson asnjë traditë gjuhësore shqiptare. Përkundrazi ai e minon normën gjuhësore dhe zvogëlon rolin e saj si mjet themelor i komunikimit dhe si shenjë themelore e identitetit kombëtar.

Ky fenomen reflekton një krizë të thellë pakujdesie kulturore, arsimore… Rrjetet sociale nuk janë më thjesht platforma të lirisë së shprehjes, por janë sot edhe tregues të gjendjes reale të performancës gjuhësore në shoqërinë shqiptare. Prania e një numri të madh përdoruesish që nuk janë në gjendje të strukturojnë një fjali të qartë, të përpiktë dhe gjuhësisht të saktë është një alarm i fortë për sistemin arsimor dhe për të gjitha institucionet tona.

Kundër këtij shpërfytyrimi gjuhësor nuk mjaftojnë më thirrjet formale për respektimin e normës. Kërkohet një ndërhyrje e gjerë dhe sistematike që fillon me rishikimin e mënyrës së mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkolla, me forcimin e rolit të medias dhe të autoriteteve institucionale. Duhet të krijohet një kulturë e re e përgjegjësisë gjuhësore, në të cilën përdorimi i drejtë i gjuhës të moskeqpërdoret si pasojë e mosdijes a e pakujdesisë, por të jetë normë që duhet zotëruar e duhet zbatuar.

Një dimension po aq shqetësues i gjuhës së përdorur në rrjetet sociale është edhe prania e fyerjeve, e ofendimeve dhe e gjuhës së urrejtjes, e cila manifestohet në forma të ndryshme: nga sulmet personale deri te paragjykimet racore, gjinore, fetare apo politike. Këto forma shprehjeje jo vetëm që cenojnë etikën e komunikimit publik, por ndikojnë edhe në ndotjen e mjedisit gjuhësor dhe emocional/psikologjik të shoqërisë. Me këtë dukuri merret ekolinguistika, një disiplinë e re në gjuhësi, e cila studion ndërveprimin midis gjuhës dhe mjedisit në kuptimin më të gjerë të fjalës, përfshirë mjedisin shoqëror, etik etj. Sipas kësaj qasjeje, gjuha e urrejtjes është formë e ndotjes simbolike që destabilizon jo vetëm marrëdhëniet ndërnjerëzore, por edhe harmoninë e komunikimit. Kjo qasje na fton të ndërgjegjësohemi për ndikimin e fjalës në mirëqenien kolektive dhe të promovojmë përdorimin e gjuhës si mjet kulture e identiteti e jo shkatërrimi.

Nëse kjo tendencë e shpërfilljes së shqipes së shkruar (por edhe e ligjërimit të folur) nuk ndalet, pasojat do të jenë të thella. Do të zvetënojmë një nga shtyllat më të rëndësishme të ndërgjegjes sonë kombëtare dhe kulturore – gjuhën si mjet komunikimi, përkatësie dhe zhvillimi. Në një shoqëri ku gjuha e shkruar nuk respektohet, edhe mendimi humbet saktësinë, edhe komunikimi mjegullohet, edhe kultura zbehet.

Për këtë dukuri, ndër të tjera, Gjergj Fishta te poezia “Gjuha shqype” thotë:

“…Pra, mallkue njaj bir Shqyptari,

Qi ket gjuhë të Perendis’,

Trashigim, qi na la i Pari,

Trashigim s’ia len aj fmis;

Edhe atij iu thaftë, po, goja,

Qi përbuzë ket gjuhë hynore…” (Gjuha shqype)

Këto vargje të Fishtës janë një thirrje e fuqishme për ruajtjen, respektimin dhe zhvillimin brez pas brezi të gjuhës amtare. Ai e sheh gjuhën si trashëgimi hyjnore dhe mallkon çdo shqiptar që nuk e ruan apo që e përbuz atë, duke theksuar se gjuha shqipe është themeli i identitetit kombëtar, e cila ruan dhe përcjell brez pas brezi historinë, kulturën dhe traditat e zakonet tona, me një fjalë, qenësinë tonë kombëtare. Pra, Fishta dhe rilindësit e tjerë na lanë amanet, duke na porositur se ruajtja e gjuhës është detyrë e shenjtë për secilin shqiptar, sepse përmes saj kombi shqiptar mbetet i njohur, i nderuar mes popujve të botës së civilizuar.

Si përfundim, le të mësojmë nga popujt e tjerë se si e trajton gjuhën e vet, me sa fanatizëm kujdesen, e ruajnë dhe e zhvillojnë atë.

“Gjuha shqipe është zëri i përbashkët i historisë sonë.”

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 213
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT