• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Lumnije Kqiku, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri: Mjekët shqiptarë, vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor austriak

June 16, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Dr. Kqiku cila është historia e themelimit të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri? Cili është misioni dhe veprimtaria e saj?

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA) u themelua në mars të vitit 2022 me seli në qytetin e Grazit. Misioni i shoqatës është avancimi i shëndetit përmes edukimit dhe bashkëpunimit profesional. Për ne është shumë e rëndësishme të ndërtojmë ura bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Austri, SHBA, Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare. Shoqata jonë organizon aktivitete edukative për komunitetin, simpoziume profesionale dhe aktivitete sociale që promovojnë shëndetin dhe solidaritetin në komunitet. Ne besojmë se mjekësia nuk kufizohet vetëm brenda klinikës, por ka edhe një rol të rëndësishëm human dhe edukues në shoqëri.

2. Cili ka qenë kontributi i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë për komunitetin shqiptar në Austri në krijimin e një rrjeti të fortë profesional mes mjekëve shqiptarë?

Një nga objektivat tona kryesore është krijimi i një rrjeti të fortë profesional mes mjekëve shqiptarë, kudo që ndodhen. Synojmë të promovojmë edukimin e vazhdueshëm profesional, shkëmbimin e përvojave klinike dhe përfshirjen e mjekëve të rinj në kërkimin shkencor.

Deri më tani, shoqata ka organizuar tre simpoziume shkencore, të cilat kanë shërbyer si platforma të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e arritjeve shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet mjekëve shqiptarë.

Përmes aktiviteteve tona, kontribuojmë në forcimin e lidhjeve profesionale dhe shoqërore brenda komunitetit shqiptar në Austri, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim.

3. Cili është synimi juaj për bashkëpunim institucional dhe profesional me institucionet në vendlindje dhe trojet e tjera shqiptare?

Qëllimi ynë kryesor është krijimi i një rrjeti profesionistësh që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, në sisteme të ndryshme shëndetësore dhe me angazhime intensive profesionale, duke nxitur bashkëpunimin institucional dhe kolegjial me vendlindjen.

Motivimi ynë mbetet shumë i madh, sepse shohim një dëshirë të fortë nga komuniteti për edukim dhe bashkëpunim. Besoj se, kur ekziston një mision i përbashkët dhe dëshira për të kontribuar për vendlindjen, sfidat bëhen më të përballueshme.

4. Cilat janë planet dhe projektet për rritjen dhe zhvillimin e shoqatës në vitet që vijnë?

Ne synojmë të zgjerojmë bashkëpunimet tona akademike në të gjitha trojet shqiptare dhe në vendet evropiane ku veprojnë mjekë shqiptarë, përmes konferencave, aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe projekteve kërkimore.

Gjithashtu, dëshirojmë të krijojmë partneritete me universitete, institucione shëndetësore dhe organizata lokale për të promovuar edukimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave mes mjekëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Besojmë se bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor për avancimin e kujdesit shëndetësor në komunitetin tonë.

5. Cilat janë botimet dhe arritjet kryesore shkencore të anëtarëve të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri?

Anëtarët e shoqatës kanë realizuar botime shkencore në fusha të ndryshme të mjekësisë, pasi në SHMSHA janë të angazhuara personalitete të shquara shkencore dhe akademike që veprojnë në universitetet shtetërore austriake.

Këto kontribute shkencore pasqyrojnë nivelin e lartë profesional dhe akademik të anëtarëve tanë dhe shërbejnë si një urë lidhëse mes kërkimit shkencor ndërkombëtar dhe komunitetit shqiptar.

6. Si e vlerësoni bashkëpunimin me partnerët austriakë dhe çfarë rëndësie pati Simpoziumi i Tretë i SHMSHA-së, i mbajtur më 13 qershor 2026 në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Steiermarkut?

Më 13 qershor 2026 u mbajt Simpoziumi i Tretë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA), në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Steiermarkut. Ngjarja u zhvillua në ambientet e Odës së Mjekëve të Steiermarkut dhe u karakterizua nga një atmosferë profesionale dhe shoqërore.

E veçanta e simpoziumit të këtij viti ishte formati i ri me një dimension më të gjerë institucional, pasi për herë të parë u organizua në bashkëpunim të ngushtë me Odën e Mjekëve të Steiermarkut. Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në fuqizimin e lidhjeve profesionale ndërmjet komunitetit mjekësor shqiptar dhe institucioneve austriake.

Simpoziumi mblodhi së bashku profesionistë të shëndetësisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe mbarë Austria për të ndarë përvoja, zhvillime të reja shkencore dhe për të forcuar rrjetëzimin mes mjekëve shqiptarë. Ai shërbeu si një platformë profesionale dhe shkencore për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë.

Simpoziumi u akreditua me 9 pikë DFP nga Oda e Mjekëve të Steiermarkut, duke ofruar vlerë të shtuar profesionale për pjesëmarrësit.

Me këtë organizim, SHMSHA dëshmon rolin e saj si një urë lidhëse mes profesionistëve shqiptarë dhe institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar se kontributi i mjekëve shqiptarë në Austri është një vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor austriak dhe një burim i çmuar dijeje për mbarë kombin shqiptar.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Gazetën “Dielli” për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë aktiviteteve tona dhe komunitetit shqiptar në diasporë. Gazeta “Dielli” ka qenë gjithmonë një promovuese e rëndësishme e intelektualëve dhe profesionistëve shqiptarë në diasporë dhe një zë shumë i vlefshëm për komunitetin tonë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Sokol Paja

Ballkani në prag të një rikonfigurimi të ri ekonomik dhe strategjik

June 16, 2026 by s p

Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Ballkani Perëndimor po hyn në një fazë të re të rivalitetit ekonomik dhe gjeostrategjik, ku infrastruktura e transportit nuk përfaqëson më vetëm një instrument të zhvillimit ekonomik, por një element kyç të sigurisë kombëtare dhe kolektive. Në këtë kontekst, Koridoret 8 dhe 10 po shndërrohen në dy nga drejtimet më të rëndësishme të transportit, tregtisë dhe mobilitetit ushtarak në Evropën Juglindore.

Për Maqedoninë e Veriut, këto korridore nuk janë thjesht rrugë komunikimi. Ato janë arterie të zhvillimit ekonomik, nyje të integrimit rajonal dhe pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë euroatlantike. Në të njëjtën kohë, ato janë objekt i konkurrencës së re rajonale, ku shtetet fqinje përpiqen të pozicionohen si qendra të reja të transportit dhe logjistikës.

Takimet e nivelit të lartë ndërmjet vendeve të rajonit dhe institucioneve evropiane për zhvillimin e rrjeteve hekurudhore dhe rrugore tregojnë qartë se Ballkani po hyn në një etapë të re zhvillimi. Në këtë garë, nuk mjafton vetëm pozita gjeografike; vendimtare bëhen investimet, teknologjia, shpejtësia e realizimit të projekteve dhe përputhshmëria me standardet evropiane.

2.Koridori 10 – shtylla ekonomike e Ballkanit

Koridori 10 mbetet një nga arteriet më të rëndësishme të transportit në Evropën Juglindore. Ai shtrihet në rreth 2.300 kilometra, duke lidhur Salzburgun e Austrisë me Selanikun e Greqisë përmes Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Segmenti që kalon nëpër Maqedoninë e Veriut përfshin rreth 207 kilometra autostradë dhe 216 kilometra linjë hekurudhore, duke e bërë vendin nyjën kryesore të lidhjes ndërmjet Evropës Qendrore dhe Detit Egje.

Pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut është një avantazh natyror. Rruga që kalon përmes territorit të saj mbetet më e shkurtra dhe më ekonomike për transportin e mallrave nga Mesdheu drejt tregjeve të Evropës Qendrore.

Megjithatë, ky avantazh nuk është i përhershëm. Konkurrenca rajonale po intensifikohet. Prej vitesh po diskutohet projekti për një linjë të shpejtë hekurudhore ndërmjet Sofjes dhe Athinës, e cila do të krijonte një korridor alternativ dhe potencialisht do të anashkalonte territorin e Maqedonisë së Veriut.

Nëse ky projekt realizohet më shpejt dhe me efikasitet më të madh, ekziston rreziku që vendi të humbasë një pjesë të rëndësishme të trafikut tregtar dhe të reduktohet roli i tij si qendër logjistike rajonale.

Për këtë arsye, investimi në segmentin hekurudhor Kumanovë–Shkup–Veles–Gjevgjeli është më shumë se një projekt infrastrukturor; ai është një investim në të ardhmen ekonomike dhe gjeostrategjike të shtetit.

Një tregues i qartë i rëndësisë së këtij drejtimi është edhe zhvillimi i Portit të Selanikut. Vetëm gjatë vitit 2025, ky port ka përpunuar mbi 617 mijë kontejnerë (TEU), me rritje prej 9.1% krahasuar me vitin paraprak, duke u shndërruar në një nga portet më dinamike në Mesdheun Lindor.

3.Koridori 8 – ura ndërmjet Adriatikut, Egjeut dhe Detit të Zi

Nëse Koridori 10 përfaqëson drejtimin veri-jug, Koridori 8 është aksi strategjik lindje-perëndim që lidh Adriatikun, Detin Egje dhe Detin e Zi. Ky korridor, me gjatësi prej rreth 1.200 deri në 1.300 kilometra, kalon nga Durrësi përmes Tiranës dhe Shkupit deri në Sofje, Burgas dhe Varnë. Nga aspekti ekonomik, ai krijon mundësi të reja tregtare dhe investuese.

Nga aspekti politik, ai forcon integrimin rajonal dhe afrimin e vendeve të Ballkanit me Bashkimin Evropian.

Ndërsa nga aspekti i sigurisë, ai paraqet një nga drejtimet më të rëndësishme të mobilitetit ushtarak në Evropën Juglindore.

Koridori 8 konsiderohet si vazhdimësi moderne e rrugës historike Via Egnatia, e cila për shekuj me radhë ka lidhur Adriatikun me Lindjen.

Megjithatë, zhvillimi i tij ende mbetet i papërfunduar. Segmenti hekurudhor lindor në Maqedoninë e Veriut, nga Kumanova deri në kufirin me Bullgarinë, ka gjatësi prej 88 kilometrash, ndërsa pjesa Kumanovë–Beljakovcë prej 30.8 kilometrash tashmë është funksionale.

Përfundimi i plotë i këtij korridori do ta transformonte Maqedoninë e Veriut në një nyjë të rëndësishme të transportit ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi.

Rëndësia ushtarake e Koridoreve 8 dhe 10

Në kushtet e ndryshimit të mjedisit të sigurisë në Evropë, sidomos pas luftës në Ukrainë, NATO i kushton rëndësi të veçantë mobilitetit ushtarak.

Koridoret 8 dhe 10 janë pjesë integrale e konceptit të NATO-s për lëvizshmërinë Ushtarake

e cila synon heqjen e pengesave fizike, ligjore dhe administrative për lëvizjen e shpejtë të forcave aleate.

Për NATO-n, Ballkani nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një urë lidhëse ndërmjet Mesdheut, Evropës Qendrore dhe rajonit të Detit të Zi.

Këto korridore mundësojnë dislokimin e shpejtë të forcave tokësore, transportin e mjeteve të rënda ushtarake dhe sigurimin e mbështetjes logjistike në rast krizash apo konfliktesh.

Lidhja e tre deteve – Adriatikut, Egjeut dhe Detit të Zi – krijon mundësi të jashtëzakonshme për logjistikë shumëdrejtimore dhe për manovrimin e shpejtë të forcave aleate.

Pikërisht për këtë arsye, standardizimi i infrastrukturës sipas kërkesave të NATO-s, ndërtimi i urave me kapacitet të lartë mbajtës dhe modernizimi i rrjeteve hekurudhore janë bërë prioritete strategjike.

4.Rrjeti evropian TEN-T dhe pozita e Maqedonisë së Veriut

Koridoret 8 dhe 10 janë pjesë e rrjetit evropian të transportit TEN-T, i cili lidh mbi 424 qytete të mëdha evropiane dhe përfshin 9 korridore kryesore transporti.

Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut nuk është thjesht një vend tranziti, por një hallkë e rëndësishme në arkitekturën e re të transportit evropian.

Nëse investimet realizohen sipas standardeve evropiane dhe afateve të planifikuara, vendi mund të shndërrohet në një qendër rajonale të logjistikës, shpërndarjes së mallrave dhe mobilitetit ushtarak.

Përfundim

Koridoret 8 dhe 10 nuk janë më vetëm projekte infrastrukturore. Ato janë instrumente të zhvillimit ekonomik, faktorë të sigurisë kolektive dhe elemente kyçe të rivalitetit të ri gjeoekonomik në Ballkan.

Për Maqedoninë e Veriut, sfida nuk është vetëm ruajtja e pozitës aktuale, por transformimi i saj në një nyjë strategjike rajonale, ku ndërthuren interesat ekonomike, politike dhe ushtarake. Nëse shteti arrin të modernizojë këto korridore sipas standardeve evropiane dhe të NATO-s, ai do të forcojë jo vetëm ekonominë e tij, por edhe pozitën gjeostrategjike në Ballkan dhe në hapësirën euroatlantike. Në epokën e rivalitetit të ri global, kontrolli dhe funksionaliteti i korridoreve të transportit nuk do të përcaktojnë vetëm rrjedhën e mallrave, por edhe balancën e fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake në rajon. Maqedonia e Veriut gjendet pikërisht në këtë kryqëzim historik dhe mënyra se si do t’i zhvillojë Koridoret 8 dhe 10 do të përcaktojë rolin e saj në Ballkanin e dekadave të ardhshme.

Filed Under: Interviste

TOKA E SHQIPËRISË – E ARDHMJA E KOMBIT

June 11, 2026 by s p

Një Udhërrëfyes për Mbrojtjen e Bregdetit, Tokës Bujqësore dhe Trashëgimisë Kombëtare të Shqipërisë në Shekullin XXI.

“Tokën nuk e trashëgojmë nga paraardhësit tanë; ne e marrim hua nga fëmijët tanë.”

— Proverbë e amerikanëve vendas.

Nga Cafo Boga, M.S. Diplomacy

Nju York, 11 Qershor 2026

Për më shumë se tri dekada, debati publik në Shqipëri është përqendruar te zgjedhjet, partitë politike, korrupsioni dhe zhvillimi ekonomik. Megjithatë, nën të gjitha këto çështje qëndron një pyetje shumë më themelore: Kush do ta zotërojë Shqipërinë pas pesëdhjetë vjetësh? Kjo nuk është një pyetje retorike.

Një komb mund t’u mbijetojë ndryshimeve të qeverive, krizave ekonomike dhe gabimeve politike. Por sapo kontrolli mbi tokat më strategjike, bregdetin, burimet natyrore dhe trashëgiminë kulturore kalon përgjithmonë në duar të tjera, rikuperimi bëhet shumë më i vështirë.

Çështja me të cilën përballet Shqipëria sot nuk është nëse investimet e huaja janë të mira apo të këqija. Shqipëria ka nevojë për investime, teknologji, ekspertizë, partneritete ndërkombëtare dhe qasje në tregjet globale. Pyetja e vërtetë është se si mund t’i mirëpresë këto investime pa humbur kontrollin mbi asetet që përcaktojnë identitetin e saj kombëtar dhe të ardhmen afatgjatë.

NJË VEND I VOGËL ME HAPËSIRË TË KUFIZUAR STRATEGJIKE

Ndryshe nga vendet e mëdha, Shqipëria zotëron një territor të kufizuar dhe të pazëvendësueshëm. Bregdeti i saj shtrihet vetëm në disa qindra kilometra. Tokat bujqësore përbëjnë një pjesë të kufizuar të territorit kombëtar. Malet, lumenjtë, pyjet, lagunat, vendet arkeologjike dhe fshatrat historikë janë pasuri që, pasi humben, nuk mund të rikrijohen. Për një vend me më pak se tre milionë banorë, këto burime janë shumë më tepër sesa asete ekonomike. Ato janë pjesë e identitetit, sovranitetit dhe sigurisë afatgjatë të vendit.

Prandaj, debati për tokën nuk duhet parë vetëm si një çështje zhvillimi ekonomik. Ai është, në thelb, një debat për të ardhmen e kombit.

DIMENSIONI HISTORIK

Ndjeshmëria e Shqipërisë ndaj çështjeve të tokës dhe trashëgimisë kombëtare është e rrënjosur thellë në historinë e saj. Para shpërbërjes së Perandorisë Osmane, shumica e trojeve të banuara nga shqiptarët përfshihej në katër vilajete: Shkodër, Kosovë, Manastir dhe Janinë. Megjithatë, kur Shqipëria shpalli pavarësinë në vitin 1912, kufijtë e përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës të viteve 1912–1913 lanë jashtë shtetit të ri shqiptar territore të gjera të banuara nga shqiptarë. Kosova dhe zona të mëdha shqiptare në Maqedoninë e sotme të Veriut iu dhanë Serbisë; Çamëria iu dha Greqisë; ndërsa Ulqini, Plava, Gucia dhe territore të tjera veriore iu dhanë Malit të Zi.

Sipas vlerësimeve të cituara gjerësisht nga historianët shqiptarë, Shqipëria humbi midis 50 dhe 60 për qind të territorit të banuar nga shqiptarët, ndërsa rreth 30 deri në 40 për qind e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri. Principata e Shqipërisë u krijua me një territor prej vetëm rreth 28.748 kilometrash katrorë.

Pavarësisht nëse kjo çështje shihet nga këndvështrimi historik, politik apo diplomatik, një realitet mbetet i qartë: Shqipëria moderne hyri në shekullin XX pasi kishte përjetuar tashmë një tkurrje të thellë territoriale.

Për këtë arsye, çështjet që lidhen me tokën, bregdetin, burimet natyrore dhe trashëgiminë kulturore nuk janë thjesht çështje ekonomike. Ato janë të pandashme nga kujtesa historike e formësuar nga humbjet territoriale dhe lufta për mbijetesë kombëtare.

Një komb që ka humbur një pjesë të madhe të territorit të vet historik e sheh natyrshëm administrimin e pasurive të mbetura strategjike si një përgjegjësi afatgjatë kombëtare.

ZGJEDHJA E RREME MIDIS ZHVILLIMIT DHE MBROJTJES

Për vite me radhë, shqiptarëve u është paraqitur një zgjedhje e rreme: ose të pranojnë zhvillimin pa kufizime, ose të mbeten të varfër.

Ky argument është njëkohësisht i thjeshtuar dhe mashtrues.

Shumë vende të suksesshme kanë dëshmuar se rritja ekonomike dhe mbrojtja e interesit kombëtar mund të ecin paralelisht. Qëllimi nuk duhet të jetë ndalimi i zhvillimit, por orientimi i tij me mençuri.

Ekziston një dallim thelbësor midis ftesës për investitorët që të ndërtojnë në Shqipëri dhe transferimit të përhershëm të aseteve strategjike kombëtare.

Zhvillimi duhet t’i shërbejë kombit — jo kombi zhvillimit.

ÇFARË MUND TË NA MËSOJË EVROPA

Përvoja e vendeve të tjera evropiane ofron mësime të vlefshme.

Disa shtete negociuan periudha tranzitore dhe mekanizma të posaçëm mbrojtës kur iu bashkuan Bashkimit Evropian. Polonia kufizoi për vite me radhë blerjen e tokës bujqësore nga të huajt pas anëtarësimit. Kroacia negocioi masa të ngjashme mbrojtëse. Hungaria dhe disa shtete baltike vazhdojnë të ruajnë mekanizma të ndryshëm për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe burimeve strategjike.

Mësimi është i qartë: Bashkimi Evropian nuk u kërkon shteteve anëtare të heqin dorë nga çdo instrument i mbrojtjes së interesit kombëtar.

Ajo që kërkon Bashkimi Evropian është transparencë, ligjshmëri, proporcionalitet dhe trajtim i barabartë sipas rregullave të përcaktuara qartë.

Sfida për Shqipërinë nuk është nëse mund t’i mbrojë asetet e saj strategjike.

Sfida është nëse ka vullnetin politik për ta bërë këtë.

ÇFARË NUK DUHET TË TRAJTOHET KURRË SI PRONË E ZAKONSHME

Jo çdo parcelë toke ka të njëjtën vlerë strategjike.

Disa kategori pasurish meritojnë mbrojtje të veçantë:

Bregdeti kombëtar dhe plazhet;

Ishujt dhe ekosistemet detare;

Tokat bujqësore me rëndësi për sigurinë ushqimore;

Parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura;

Vendet arkeologjike dhe pasuritë e mbrojtura nga UNESCO;

Fshatrat historikë dhe peizazhet kulturore;

Burimet kryesore ujore dhe pellgjet ujëmbledhëse;

Rajonet strategjike kufitare.

Këto nuk janë thjesht prona të paluajtshme.

Ato janë pjesë e trashëgimisë kombëtare të Shqipërisë dhe duhet të trajtohen si të tilla.

ÇFARË MUND TË MËSOJË SHQIPËRIA NGA VENDE TË TJERA

Në mbarë botën, shumë shtete të vogla kanë miratuar politika që synojnë ruajtjen e kontrollit afatgjatë mbi tokat strategjike, duke vazhduar njëkohësisht të tërheqin investime.

Një shembull domethënës është Izraeli, ku pjesa më e madhe e tokës mbetet pronë publike dhe zakonisht vihet në dispozicion përmes kontratave afatgjata të përdorimit, në vend që të shitet përfundimisht. Vende të tjera kanë krijuar mekanizma të posaçëm për mbrojtjen e tokës bujqësore, zonave me ndjeshmëri mjedisore dhe aseteve të tjera strategjike.

Shqipëria nuk ka nevojë të kopjojë asnjë model të veçantë.

Por duhet të kuptojë parimin që qëndron pas tyre:

Politika e tokës është politikë kombëtare.

Një vend që humb kontrollin mbi territorin e tij më strategjik, gradualisht humb kontrollin edhe mbi të ardhmen e vet.

NJË “NATIONAL LAND TRUST” PËR BREZAT E ARDHSHËM

Një ide që meriton shqyrtim serioz është krijimi i një institucioni të ngjashëm me atë që në vendet anglo-saksone njihet si “National Land Trust” — një mekanizëm i krijuar për të mbajtur dhe mbrojtur përgjithmonë asetet territoriale me rëndësi strategjike dhe kombëtare.

Një institucion i tillë mund të marrë në administrim dhe mbrojtje afatgjatë:

Zonat strategjike bregdetare;

Peizazhet natyrore të mbrojtura;

Ishujt dhe rezervatet detare;

Sitet kryesore arkeologjike;

Zonat e trashëgimisë kombëtare.

Investimet dhe zhvillimi do të vazhdonin të inkurajoheshin. Hotelet mund të ndërtoheshin. Turizmi mund të vazhdonte të zhvillohej.

Por pronësia mbi asetet themelore strategjike do të mbetej nën kontroll të përhershëm shqiptar, pavarësisht se cila qeveri ndodhet në pushtet në një moment të caktuar.

Kjo qasje do të siguronte një ekuilibër ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së interesit afatgjatë kombëtar.

Në fund të fundit, një vend që humb kontrollin mbi territorin e tij më strategjik rrezikon të humbë gradualisht edhe kontrollin mbi të ardhmen e vet.

VETËM TOKA NUK MUND TA SHPËTOJË SHQIPËRINË

Në fund të fundit, pronësia është vetëm një pjesë e ekuacionit.

Një vend mbijeton sepse njerëzit e tij vazhdojnë të jetojnë në të.

Nëse fshatrat vazhdojnë të zbrazen, nëse të rinjtë shqiptarë nuk mund të përballojnë blerjen e një shtëpie, nëse bujqësia bëhet gjithnjë e më pak konkurruese dhe nëse rajone të tëra mbështeten vetëm te turizmi sezonal, atëherë edhe ligjet më të mira për mbrojtjen e tokës nuk do të jenë të mjaftueshme.

Forma më e fortë e mbrojtjes territoriale është popullsia.

E ardhmja e Shqipërisë varet jo vetëm nga mbrojtja e tokës, por edhe nga aftësia e shqiptarëve për të jetuar, punuar, investuar dhe krijuar familje në atë tokë.

PËRFUNDIM

Pyetja që shtrohet sot për Shqipërinë është më e madhe se çdo parti politike, qeveri apo projekt i veçantë investimi.

Ajo lidhet me përcaktimin e marrëdhënies ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe kujdestarisë kombëtare.

Investimet e huaja duhet të mirëpriten.

Rritja ekonomike duhet të inkurajohet.

Por disa pasuri duhet të shihen përmes një prizmi më të gjerë — një prizmi që merr parasysh jo vetëm fitimet e sotme, por edhe interesat kombëtare të nesërme.

Brezi i ardhshëm nuk do të na gjykojë nga numri i lejeve të ndërtimit që kemi lëshuar apo nga numri i resorteve luksoze që kemi ndërtuar.

Ai do të na gjykojë nga fakti nëse patëm mençurinë të ruanim atë që e bën Shqipërinë të veçantë.

Pyetja nuk është nëse Shqipëria do të zhvillohet.

Pyetja është nëse brezat e ardhshëm do të trashëgojnë një vend që ende mund ta quajnë të tyrin.

Filed Under: Interviste

Grupi i Valleve “Fluturimi i Shqipes” në “Festë n’Shesh” në Toronto

June 10, 2026 by s p

Denajda Dhrimaj/

Ishte një kënaqësi dhe nder i veçantë për Grupin e Valleve “Fluturimi i Shqipes” të merrte pjesë në aktivitetin kulturor Festë n’Shesh, i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe Konsullata e Republikës së Kosovës në Toronto.

Ky aktivitet mblodhi së bashku shqiptarë nga të gjitha trevat, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë festive, të mbushur me krenari kombëtare, kulturë dhe tradita shqiptare. Në këtë ngjarje morën pjesë grupe të ndryshme vallesh, këngëtarë dhe artistë nga komuniteti shqiptar, të cilët sollën para publikut pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.

Fëmijët dhe të rinjtë e Grupit “Fluturimi i Shqipes” performuan me përkushtim dhe pasion, duke prezantuar valle tradicionale shqiptare që u pritën me duartrokitje dhe entuziazëm nga të pranishmit. Për muaj me radhë ata u angazhuan në prova dhe përgatitje intensive, duke dëshmuar dashurinë e tyre për kulturën dhe identitetin shqiptar.

Pjesëmarrja në Festë n’Shesh ishte një mundësi e shkëlqyer për të promovuar vlerat tona kombëtare, për të forcuar lidhjet brenda komunitetit shqiptar në Kanada dhe për t’u dhënë brezave të rinj mundësinë të krenohen me rrënjët e tyre.

Falënderojmë organizatorët për ftesën dhe mikpritjen, si dhe të gjithë prindërit, vullnetarët dhe mbështetësit që kontribuojnë vazhdimisht në suksesin e grupit tonë. Një falënderim i veçantë shkon për fëmijët dhe të rinjtë tanë, të cilët me energjinë, disiplinën dhe talentin e tyre vazhdojnë të jenë ambasadorë të denjë të kulturës shqiptare.

“Fluturimi i Shqipes” mbetet i përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e traditave shqiptare, duke frymëzuar brezat e rinj të mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Filed Under: Interviste

ZGJEDHJET NË KOSOVË — KUR RINIA HESHT, DEMOKRACIA DOBËSOHET

June 9, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Nga Prishtina në Tiranë e Shkup, mesazhi është i njëjtë: Mjaft me politikën e vjetër! Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, me një pjesëmarrje vetëm prej rreth 37 për qind të elektoratit, nuk janë, thjesht, një ngjarje politike e kufizuar brenda kufijve të Republikës së Kosovës. Ato janë pjesë e një fenomeni më të gjerë që po shfaqet gjithnjë e më qartë në mbarë hapësirën shqiptare: rritja e distancës midis qytetarëve, veçanërisht të rinjve, dhe klasës tradicionale politike.

Askush nuk mund ta shpërfillë faktin se shumica e qytetarëve të Kosovës zgjodhën të mos votojnë dje. Ky nuk është vetëm një problem elektoral. Është një sinjal politik, shoqëror dhe moral që kërkon vëmendje serioze nga klasa aktuale politike në Kosovë, Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Kur shumica hesht, demokracia humbet një pjesë të forcës së saj.

Por kjo heshtje nuk është vetëm e rinisë së Kosovës. Por në muajt e fundit, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup janë dëgjuar zëra të rinj proteste. Të rinj që nuk identifikohen domosdoshmërisht me partitë politike, tradicionale. Është një rini që kërkon mundësi më të mira ekonomike, institucione më të ndershme, drejtësi më funksionale dhe një politikë më pranë interesave të qytetarit shqiptar kudo. Në forma të ndryshme, edhe ata po shprehin të njëjtin zhgënjim ndaj një klase politike që, sipas tyre, ka vite që qarkullon brenda vetes, pa prodhuar pothuaj asnjë nga ndryshimet e premtuara.

Mesazhi i rinisë shqiptare në të tre qendrat kryesore të kombit është i ngjashëm: kauzat e qytetarëve nuk mund të mbeten peng i politikanëve të karrierës. Për të gjithë ata që duan të shohin, në Kosovë, ky mesazh u shpreh dje përmes mos-pjesëmarrjes masive në votime. Në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, ai po shfaqet nëpërmjet protestave, aktivizmit qytetar dhe mosbesimit në rritje ndaj institucioneve politike dhe politikanëve në përgjithsi. Format mund të jenë deri diku të ndryshme, por thelbi është i njëjtë.

Brezi i ri nuk po kërkon vetëm ndërrimin e qeverive. Ai po kërkon ndryshimin, njëherë e mirë, të mënyrës së të bërit politikë. Siç kam theksuar ditët e fundit në disa shkrime modeste, Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf, historia e Kombit shqiptar tregon se lëvizjet më të rëndësishme kombëtare kanë lindur kur rinia ka marrë përgjegjësi për fatet e vendit. Kështu ndodhi në kohën e Rilindjes Kombëtare të Lidhjes së Prizrenit. Kështu ndodhi me lëvizjet studentore në Kosovë, fund shekullin e kaluar. Kështu ndodhi me studentët shqiptarë që sfiduan diktaturën komuniste në Shqipëri me 1990-91. Në çdo rast, energjia e ndryshimit erdhi nga brezat e rinj dhe jo nga establishmenti politik i kohës. Prandaj, klasa politike aktuale shqiptare kudo që ndodhet duhet ta lexojë drejtë e mirë mesazhin e ditëve tona. Nuk mjafton të fitosh zgjedhjet. Duhet të fitosh besimin e qytetarëve. Nuk mjafton të sigurosh mandate. Duhet të krijosh shpresë dhe legjitimitet.

Kosova nuk humbi dje vetëm se pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët. Humbja më e madhe do të ishte nëse politika nuk arrin të kuptojë arsyet e kësaj mos-pjesëmarrjeje në votime. Po kështu, Tirana dhe Shkupi zyrtar do të gabonin rëndë nëse protestat dhe pakënaqësitë e të rinjve do të trajtoheshin si episode kalimtare. Nuk janë të tilla! Sepse, në të gjithë hapësirën shqiptare po formësohet një brez i ri që kërkon përgjegjësi, meritokraci, transparencë dhe institucione që punojnë për qytetarin. Ky brez nuk kërkon privilegje. Kërkon të ardhme, shpresë dhe perspektivë për të ardhmen në vendin e tyre.

Dhe nëse politika shqiptare — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë e Shkup –Frank Shkreli: Një gjuhë, një identitet, studentët dalin në mbrojtje të shqipes | Gazeta Telegraf, –vazhdon të mos e dëgjojë këtë zë, atëherë rreziku nuk është humbja e radhës në zgjedhje. Rreziku është humbja e besimit të një brezi të tërë, në të bërit politikë dhe në vet demokracinë e brishtë të shqiptarëve.

Demokracia jeton dhe forcohet nga pjesëmarrja e votuesve në proceset politike, sidomos pjesmarrja në zgjedhje. Kombi forcohet nga shpresa. Kur rinia largohet nga politika ose e sheh atë me mosbesim, atëherë asnjë parti nuk mund të quhet fituese. Të gjithë humbin.

Dhashtë Zoti që klasa aktuale shqiptare ta kuptojë mirë nivelin e zhgënjimit të votuesve shqiptarë, në këtë moment historik, 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit — nga Prishtina në Tiranë e deri në Shkup – se rinia shqiptare po jep shënja të qarta, (qoftë me mos-pjesëmarrje në votime si në Kosovë, ose me protesta sin ë Tiranë e Shkup) për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, se rinia e zhgënjyer deri tani nga politika, kërkon një kontratë të re morale me politikën. Ajo nuk po kërkon premtime të reja, por përgjegjësi. Nuk po kërkon parulla, por rezultate; nuk po kërkon liderë të përjetshëm, por institucione që funksionojnë për të gjithë, dhe pa dallim. Kjo është sfida e vërtetë e kohës sonë. Nëse politika do të ketë urtësinë ta dëgjojë këtë zë, demokracia shqiptare mund të dalë më e fortë.

Nëse jo, atëherë heshtja e kutive të votimit në Kosovë dhe zhurma e protestave në Tiranë dhe në Shkup, do të vazhdojnë të japin të njëjtin mesazh. Mjaft është mjaft me politikën e vjetër pseudo-komuniste të dështuar e konfliktuale, anë e mbanë trojeve shqipptare! Koha e politikës së vjetër e këtyre 35-viteve po perëndon, ndërsa koha e një brezi të ri po troket në derën e historisë. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf,

Sepse, në fund, kur rinia hesht, xiç ndodhi me këtë rast të zgjedhjeve në Kosovë, humbet vet demokracia dhe liria. Kur rinia largohet, humbet kombi. Shpëtimi i Kombit dhe “Shpëtimi i Shqipërisë është në duart e vetë shqiptarëve”, ka thënë, Abdyl Frashëri i Lidhjes së Prizrenit. Një mesazh që sot tingëllon po aq aktual për të rinjtë e këtij brezi të shqiptarëve në Prishtinë, Tiranë e Shkup, ashtu siç ka qenë edhe në kohën e Rilindjes së vërtetë Kombëtare, mbarim shekullin e XIX e fillim shekullin XX.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 234
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT