
Andon Zako Çajupi, një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare, poet romantik, dramaturg dhe atdhetar i përkushtuar u nda nga jeta më 11 korrik 1930 në Kajro, Egjipt, në moshën 64-vjeçare.
Ai lindi më 27 mars 1866 në Sheper të Zagorisë. Pseudonimin letrar “Çajupi” e mori nga mali Çajup i vendlindjes, duke e përjetësuar mallin për gurët dhe malet e Zagorisë.
Pas studimeve për drejtësi në Gjenevë, ku përjetoi edhe humbjen e hershme të bashkëshortes, Çajupi u vendos në Kajro. Aty u bë shpirti i kolonisë patriotike shqiptare, duke mbrojtur interesat e kombit dhe duke demaskuar synimet e xhonturqve, grekomanëve dhe armiqve të tjerë të çështjes kombëtare.
Vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902), ku përfshiu edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”.
Ai la pas një trashëgimi të pasur letrare që vijon me komedinë “Pas vdekjes” (1937), tragjedinë “Burri i dheut” (1935), poemën satirike “Baba Musa lakuriq”, si dhe përkthime e përshtatje nga letërsia franceze e sanskrite. Vjershat e tij patriotike frymëzuan çetat e lirisë dhe kryengritjet që çuan në pavarësinë e Shqipërisë më 1912.
Çajupi mbajti qëndrime të vendosura demokratike dhe antimonarkiste, duke protestuar kundër shpalljes së mbretërisë nga Ahmet Zogu. Ky qëndrim ia mbylli rrugën kthimit në mëmëdhe, por nuk ia zbehu kurrë dashurinë për Shqipërinë.
Me veprën e tij, Çajupi u bë pas Naimit poeti më i njohur i kombit, duke i dhënë frymë të re letërsisë dhe mendimit shqiptar.