• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drejtësia ndërkombëtare, narrativat gjeopolitike dhe kohezioni shqiptar

February 28, 2026 by s p

Nëse drejtësia perceptohet si e ndikuar nga kalkulime gjeopolitike, rrezikohet autoriteti i saj moral dhe besimi publik; ndërsa nëse reagimi shqiptar fragmentohet, krijohet hapësirë për relativizim historik dhe dobësim institucional. Prandaj, domosdoshmëria që del nga kjo analizë është e qartë: mbrojtja e parimeve të neutralitetit dhe transparencës duhet të shoqërohet me unitet institucional, argumentim juridik të strukturuar dhe diplomaci të koordinuar.

Prof.dr Skender ASANI

Themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë nuk mund të kuptohet thjesht si një instrument i drejtësisë tranzicionale; ai është kthyer në një mekanizëm me implikime historike, juridike dhe gjeopolitike, i cili ka tejkaluar shpejt kufijtë e funksionit të tij fillestar. Zyrtarisht, ato u krijuan për hetimin e pretendimeve për trafikim organesh. Megjithatë, pesë vitet e fundit kanë demonstruar një devijim të qartë, ku proceset shpesh pasqyrojnë axhendat politike dhe strategjike të Serbisë, të mbështetura nga faktorë të jashtëm si Rusia. Ky fenomen nuk është i panjohur në historinë ndërkombëtare: shembuj të tjerë, si instrumentalizimi i drejtësisë për qëllime politike në Lindjen e Mesme apo në Ballkanin Perëndimor gjatë dekadave të kaluara, tregojnë se manipulimi i mekanizmave juridikë mund të shndërrojë llogaridhënien individuale në mjete presioni politik dhe diplomatik.

Në rastin e Kosovës, kjo ka rezultuar në një rrezik të dyfishtë: deformimin e narrativës historike dhe minimin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj. Çdo vendim gjyqësor i Dhomave nuk mund të perceptohet më si një veprim juridik neutral; ai bëhet pjesë e një fushëbetejeje strategjike ku politika, historia dhe drejtësia ndërthuren, duke kërcënuar sovranitetin, kujtesën kolektive dhe stabilitetin rajonal. Në këtë kuadër, Dhomat e Specializuara janë transformuar nga një instrument neutral juridik në një mekanizëm imponimi të narrativave të jashtme dhe të kufizimit të perspektivës së konsolidimit të Kosovës, duke shërbyer si një paralajmërim i qartë për komunitetin ndërkombëtar: rreziku i instrumentalizimit të drejtësisë për agjenda të jashtme është real dhe mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin politik dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Në planin historik, zhvillimet aktuale nuk mund të kuptohen jashtë përvojës ballkanike të shekujve XIX dhe XX, të karakterizuar nga përplasja ndërmjet projekteve hegjemoniste dhe proceseve të vetëvendosjes kombëtare. Çështja shqiptare ka qenë një nga dimensionet më të ndjeshme të këtij transformimi historik. Programet strategjike të shtetit serb për rikonfigurimin demografik dhe territorial të rajonit, të mbështetura herë pas here nga konfigurime gjeopolitike lindore, prodhuan tensione të vazhdueshme që kulmuan në konfliktet e fund-shekullit XX. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë shënoi njëkohësisht kolaps institucional dhe krizë të thellë të legjitimitetit politik. Në Bosnja dhe Hercegovina drejtësia ndërkombëtare konstatoi gjenocidin si krim kundër njerëzimit, ndërsa në rastin e Kosova opinioni këshillëdhënës i Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e vendosi çështjen e pavarësisë në një realitet juridik ndërkombëtar.

Brenda këtij konteksti historik dhe juridik duhet parë edhe dimensioni rajonal i drejtësisë tranzicionale. Sinkronizimi i proceseve juridike me finalizimin e gjykimeve në Hagë është interpretuar nga një pjesë e opinionit si potencialisht i përdorshëm si instrument presioni politik ndaj institucioneve shqiptare dhe ndaj shtetësisë së Kosovës. Në këtë optikë kritike, synimet strategjike të politikës serbe në raport me këto procese përmblidhen në tri drejtime kryesore: relativizimi i karakterit çlirimtar të luftës në Kosovë përmes zhvendosjes së fokusit nga përgjegjësitë shtetërore të viteve ’90 drejt përgjegjësive individuale; krijimi i një barazie narrative ndërmjet agresorit dhe viktimës; dhe prodhimi i një klime pasigurie institucionale që ndikon në perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin dhe legjitimitetin e shtetit të Kosovës.

Në këtë kuadër është artikuluar edhe shqetësimi për asimetrinë e perceptuar në burimet dokumentare mbi të cilat janë ndërtuar aktakuzat, të cilat, sipas kritikëve, janë mbështetur në mënyrë të konsiderueshme në materiale të siguruara nga struktura shtetërore serbe. Kulmimi i këtij perceptimi u reflektua në reagimet ndaj kërkesave të prokurorisë për dënime shumë të rënda ndaj ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës, të interpretuara nga një pjesë e opinionit publik si përpjekje për institucionalizimin e një narrative historike përmes instrumenteve penale.

Gjatë gjykimit, pala mbrojtëse prezantoi dëshmi vendimtare nga aktorë ndërkombëtarë të kohës, përfshirë diplomatë të rangut të lartë dhe komandantë të strukturave ushtarake të NATO-s, të cilët, sipas interpretimit të mbrojtjes, sfidojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pamohueshme pretendimet mbi ekzistencën e një strukture të organizuar kriminale. Këto dëshmi nuk përfaqësojnë thjesht deklarata formale, por një pasqyrë autentike të situatës në terren, duke ekspozuar kontradikta të thella dhe të pakthyeshme në argumentimin e hetuesve. Mbrojtja argumenton se shumë nga akuzat e ngritura bazohen në supozime selektive dhe interpretime të njëanshme, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm provueshmërinë e tyre, por edhe legjitimitetin e të gjithë procesit gjyqësor.

Konfrontimi midis akuzës dhe mbrojtjes tejkalon përplasjen proceduriale; ai pasqyron tensionin ekzistencial midis drejtësisë dhe politikës në arenën ndërkombëtare. Dëshmitë e diplomatëve dhe ushtarakëve të NATO-s shfaqen si indikatorë strategjikë, duke paralajmëruar se çdo interpretim selektiv ose vendim i politizuar mund të prodhojë pasoja të thella dhe të qëndrueshme, jo vetëm për individët e akuzuar, por edhe për legjitimitetin e institucioneve ndërkombëtare, për besueshmërinë e proceseve tranzicionale dhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuadër, mbrojtja e paraqitur nuk është thjesht një përgjigje juridike ndaj akuzave; ajo shërben si një thirrje paralajmëruese për komunitetin ndërkombëtar dhe institucionet e drejtësisë: çdo vendim duhet të reflektojë neutralitet, transparencë dhe rigorozitet faktik. Çdo devijim nga këto parime nuk rrezikon vetëm drejtësinë tranzicionale, por edhe pozicionin strategjik dhe integritetin e shqiptarëve në skenën rajonale, duke e kthyer procesin gjyqësor në një test kritik të aftësisë së institucioneve ndërkombëtare për të ruajtur legjitimitetin dhe stabilitetin në një hapësirë të ndjeshme gjeopolitikisht.

Paralelisht me këtë debat, dimensioni akademik dhe institucional shqiptar ka reaguar në mënyrë të strukturuar. Para pesë vitesh, institucionet shkencore dhe akademike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut i drejtuan një memorandum paralajmërues Dhomave të Specializuara dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke shprehur shqetësimin për rrezikun e relativizimit të luftës së Kosovës dhe delegjitimimit të themeleve të shtetësisë. Ky veprim nuk synonte konfrontim me drejtësinë ndërkombëtare, por ruajtjen e integritetit të së vërtetës historike dhe të rendit juridik ndërkombëtar. Përfshirja e drejtuesve të institucioneve shkencore në këtë iniciativë, përfshirë edhe ndjesinë e përgjegjësisë personale për të qenë pjesë e këtij artikulimi kolektiv, dëshmon dimensionin moral dhe institucional të debatit.

Nëse perceptimi për ndikim politik mbi drejtësinë ndërkombëtare do të konsolidohej në opinionin publik, pasojat mund të ishin të shumëfishta: dobësimi i besimit në paanshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare, thellimi i polarizimit rajonal dhe krijimi i një hendeku ndërmjet normës juridike dhe perceptimit shoqëror të drejtësisë. Një hendek i tillë do të kishte implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Përballë sfidave të evidentuara nga instrumentalizimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare duhet të ndërmarrin hapa të koordinuar për të ruajtur integritetin e narrativës historike, sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Kjo kërkon një qasje të dyfishtë: monitorim aktiv dhe dokumentim rigoroz i proceseve gjyqësore, si dhe presion diplomatik të vazhdueshëm për t’u siguruar që çdo vendim juridik të mbetet në përputhje me mandatet ndërkombëtare dhe me parimet e drejtësisë tranzicionale. Për më tepër, është e domosdoshme që dialogu ndërkombëtar të përfshijë mekanizma të garantimit të transparencës, ku komuniteti akademik, mediat dhe faktori civil të kenë një rol mbikëqyrës për të parandaluar përdorimin politik të drejtësisë. Vetëm përmes një strategjie të tillë të koordinuar mund të minimizohen pasojat e instrumentalizimit të drejtësisë dhe të sigurohet konsolidimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Përballë kësaj situate, nevoja për kohezion institucional shqiptar paraqitet si një dimension strategjik. Thirrja për të “folur me një zë” duhet kuptuar si kërkesë për barazi normative, transparencë procedurale dhe respektim të standardeve universale të të drejtave të njeriut, dhe jo si refuzim i drejtësisë. Në këtë drejtim, rezolutat parlamentare në Shqipëri dhe Kosovë përfaqësojnë përpjekje për artikulim institucional të shqetësimeve, ndërsa një koordinim më i gjerë politik, përfshirë përfaqësuesit ( deputetët ) shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, do ta ngrinte këtë debat në një nivel më të konsoliduar diplomatik.

Në përfundim, proceset e Dhomave të Specializuara përfaqësojnë një provë të dyfishtë: për integritetin e drejtësisë ndërkombëtare dhe për kohezionin strategjik shqiptar.

Ato tejkalojnë dimensionin penal dhe prekin drejtpërdrejt narrativën historike të luftës së Kosovës, legjitimitetin e shtetësisë dhe stabilitetin rajonal. Nëse drejtësia perceptohet si e ndikuar nga kalkulime gjeopolitike, rrezikohet autoriteti i saj moral dhe besimi publik; ndërsa nëse reagimi shqiptar fragmentohet, krijohet hapësirë për relativizim historik dhe dobësim institucional. Prandaj, domosdoshmëria që del nga kjo analizë është e qartë: mbrojtja e parimeve të neutralitetit dhe transparencës duhet të shoqërohet me unitet institucional, argumentim juridik të strukturuar dhe diplomaci të koordinuar, në mënyrë që kjo sfidë të shndërrohet në një moment konsolidimi politik dhe afirmimi strategjik të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Interviste

JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE

February 27, 2026 by s p

Prof.Myrvete & Prof.Begzad Baliu/

Dr. Jakup Krasniqi (Negrovc, Drenas. 1951), mësimdhënës, historian, publicist, pjesëtar aktiv i Lëvizjes Ilegale të Kosovës, zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetar i Republikës së Kosovës. Ky është profili atdhetar, intelektual, shkencor e shtetëror i studiuesit me të cilin po merremi në projektin tonë, me synim sintezën e veprës së tij shkencore.

Ai është autor i veprave me kërkimeve shkencore, polemika, sinteza e diskutime për çështje historike e aktuale të cilat shquhen për kërkimet dhe diskutimet e ideve të mëdha kombëtare, guximit qytetar të artikulimit të tyre në kohë shumë të vështira para gjykatave serbo-jugosllave, përmasën intelektuale të formësimit të tyre gjatë luftës për Kosovën dhe sidomos gjatë ndërtimit të shtetit të Kosovës etj.: Kthesa e madhe – Ushtria Çlirimtare e Kosovës (2006), Një luftë ndryshe për Kosovën (2007), Pavarësia si kompromis (2010), Lëvizja për Republikën e Kosovës 1981-1991 sipas shtypit shqiptar ( 2011) Guxo ta duash lirinë, (2011), Pranvera e lirisë ’81 (2011), Flijimi për lirinë (2011), Pavarësi dhe personalitete: në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë (2012), Një histori e kontestuar: kritikë librit të Oliver Jens Schmitt: “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, (2013), Zhurmuesit e demokracisë, (2015), Reflektime demokratike (2017, Skënderbeu dhe porositë për shekullin XXI (2018), Arti i bisedimeve (2018), Ballafaqime historike për çlirim e bashkim kombëtar (2019), Agresioni serb dhe taksa e Kosovës (2021) etj.

E parë në rrafshin diakronik të kërkimit, vepra e Dr. Jakup Krasniqit përfshinë: a. Periudhën Skënderbegiane, me theks të veçantë Skënderbeun dhe ndikimin e tij në formimin e identitetit shqiptar; b. Periudhën e Rilindjes Kombëtare e atë të Pavarësisë, me theks të veçantë bardët e këtyre proceseve; c. Periudhën e Lëvizjes Ilegale të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX me theks të veçantë Frymën Demaçiane, e cila i ka projektuar, përgatitur dhe udhëhequr këto procese deri te Shpallja e Pavarësisë së Kosovës; d. Periudhën e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe sfidat me Gjykatën Speciale etj.

E parë në kontekstin tematik, vepra e Dr. Jakup Krasniqit trajton përmasën historike të ndërndikimit të periudhave historike dhe personaliteteve të kësaj kohe nga njëra epokë në tjetrën, raportet Lindje-Perëndim dhe vendin e shqiptarëve në histori; konfliktet historike serbo-shqiptare dhe Kosovën si hapësirë mitike (serbe), etnike, historike e kombëtare shqiptare; Shpalljen e Republikës dhe raportet me bashkësinë ndërkombëtare; shtetndërtimin e Republikës dhe qëndrimin kritik ndaj zhvillimeve të kohës.

E parë në kontekstin shkencor të krijimit, vepra kërkimore, intelektuale e politike e Dr. Jakup Krasniqit, nuk shquhet për kërkimet historike arkivore (për shkak të burgjeve të gjata, jetës ilegale, luftës, angazhimit të drejtpërdrejtë në shtetndërtimin e Kosovës), por shquhet për sintezat e mëdha historike e politike, të çliruara nga ndikimi politik, institucional e ideologjik i kohës (nga të cilat nuk janë çliruar veprat shkencore të bashkëkohësve të tij para rënies së komunizmit), si dhe për sintezat intelektuale përtej ndikimeve partiake, ideologjike e klanore, prej të cilave nuk janë liruar pjesa më e madhe e veprave shkencore të shkruara pas Luftës së Kosovës.

(Hyrje një një sintezë të mendimit atdhetar, shkencor, intelektual, kulturor e shtetndërtues në veprat e dr. Jakup Krasniqit)

Filed Under: Interviste

KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS

February 24, 2026 by s p

Prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian studies/

Më 22.02.2026, Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtuttgart shënoi Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe përurimin e hapësirave të reja të Konsullatës në Shtuttgart, pra ishte një fstë e dyfishtë e eorganizuar me kujdes dhe pofeionalizëm të lartë.

Me këtë rast morën pjesë një numër i madh bahkëatdhetarësh, të pëfaqësuar në tri gjearata të ndyshme, si penonist nxënës e student, dhe punëtor e krijues e studiues të profesioneve e fushave të ndryshme. Të panishëm ishin edhe përfaqësues të shoqatave shqipatare të Baden Wuternbegut, diplomat dhe mysafir të tjerë.

Përmes kësaj pritjeje u përcollën urimet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa u shpreh mirënjohje e thellë për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit. Dhe Lavdi e përjetshme të rënëve për liri.

Konsulli zori hmdi Bërbatoviërsa u shprehi mirënjohje e thellë të gjithë atre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri konsuli, z. Hamdi Bëbatovci në fjalën e ij përshënetëse, teksoi s 17 Shkurti përfaqëson sakiicën dhe përpjekjen shumëvjeçare ë popullit të Kosoëvës ë liri,. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin e pazëvendësueshëm të mëgatës shqiptare në forcimin dhe mbështetjen e Shtetit të Kosovës, si dhe sprehu mirënjohje pë shtetet mike, në veçnati për Gjrmaninë, për përkrahjen e vzhdueshme. Zoti Hamdi Bërbatoci heksoi në vijimse 17 Shkurti është një datë që na bashkon të gjithëve, një ditë krenarie dhe mirënjohjeje për të gjithë brezat që sakrifikuan dhe punuan për lirinë e shtetin tonë.

Ne kemi pë obligim, që këtë sakrificë ta ruajmë, respektojmë dh ta transmetojmë të bezat që vinë, poashtu, nëpërmes të institucioneve të shtetit të Repuklikës së Kosovës, ti tregojmë botës, se jemi të zotët e vendin tonë dhe dimë e mundemi të qevrisim duke respektuar ligjin dhe duke rujatur e kirjuar demokracinë. Pataj ai, theksoi se, sot jemi mbledhur për të shënuar dy ngjarje të rëndësishme: Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe përurimin e hapësirave të reja të Konsullatës sonë në Shtuttgart. Në këtë rrugë të gjatë e me sakrifica për kombin tonë, të bërjes së lirisë e të shtetit, Mërgata jonë ka luajtur një rol vendimtar, duke qenë një nga shtyllat qendrore të saj – Andaj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju falënderoj nga zemra për gjithëve për kontributin tuaj. Kjo ditë nuk është vetëm një festë, por edhe besimi në të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik, i zhvilluar dhe i integruar në familjen evropiane.

Në të njëjtën kohë, përurimi i këtyre hapësirave të reja shënon një hap të rëndësishëm në shërbim të mërgatës sonë në Baden-Württemberg, si një nga qendrat kryesore të shqiptareve në Gjermani dhe përtej kësaj. Këto ambiente janë më shumë se zyra administrative, kjo hapësire është shtëpi e përbashkët dhe një vend ku do të : gjeni mbështetje, dhedo të merrni shërbime profesionale dhe bashkëpunim të sinqertë. Angazhimi ynë është që Konsullata të jetë sa më pranë jush, duke ofruar shërbime cilësore dhe duke forcuar lidhjen tuaj me atdheun. Duhet theksuar se Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart renditet ndër konsullatat me numrin më të madh të shërbimeve konsullore të ofruara, duke mundësuar në shumë raste kryerjen e shërbimeve edhe pa termin dhe brenda një kohe shumë të shkurtër. Ambientt eja ë konusllatës ihin rreduar me një shije të veçnë duke qenë sa modrne poehe duke uajtur vlerat tradicionale hqiptare.

Gjithashtu, udhëheqësi i Konsullatës, z. Berbatovci, theksoi se pavarësisht këtyre arritjeve, mbetet ende punë për t’u bërë. Një ndër prioritetet është mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Baden-Württemberg. Me këtë rast, ai u bëri thirrje të gjithë prindërve që, për hir të gjeneratave të ardhshme, të mos hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare, sepse asgjë nuk na bashkon më shumë se gjuha dhe kultura jonë e bukur shqipe.

Aktualisht, në Baden-Württemberg janë 25 shkolla (klasa) shqipe, me rreth 500 nxënës dhe 20 mësues. Megjithatë, ky nivel nuk është i mjaftueshëm, duke pasur parasysh numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë Land. Ceremonia u pasurua me një performancë artistike nga grupet e valleve “Besa” – Heilbronn dhe “Kosova” – Fellbach, të cilët sollën një atmosferë festive me valle tradicionale shqiptare.

Për të pranishmit u organizua edhe një koktej rasti, duke krijuar mundësi për bashkëbisedim ndërmjet përfaqësuesve institucionalë, diplomatëve dhe komunitetit shqiptar në Gjermani. konsuli, z. Hamdi BëRbatovci, flënderoj koreografean e shoqërsië Kulturore BESA të heilbronnit. zonjën Greta Bojaj Rrafshi për organizimin programit artistik, veçanërisht të valleve tradicionale shqiptare si dhe të gjithë nxënësit, dhe pjstarët tjerë, të cilët me këngë e valle dhe recitimet e tyre e bënë festën e Pavarësisë më të veçantë.

Filed Under: Interviste

Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë

February 19, 2026 by s p

Shndërrimi fondit arkivor të Milan Shuflajt në trashëgimi të mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe dokumentare evropiane do të përbënte një akt me rëndësi të shumëfishtë shkencore, identitare dhe diplomatike. Një nismë e tillë do të materializonte respektin institucional ndaj kontributit të tij në argumentimin shkencor të vazhdimësisë historike shqiptare dhe në ndërtimin e urave akademike midis botës shqiptare dhe asaj kroate, duke reflektuar njëkohësisht miqësinë tradicionale me popullin e Kroat.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Në historinë e mendimit historiografik evropian për Ballkanin, figura e Milan Šufflay përfaqëson një pikë kthese epistemologjike ku albanologjia, arkivat evropiane dhe historiografia kritike ndërthuren në një projekt të përbashkët shkencor. Kontributi i tij nuk kufizohet në studimin e mesjetës shqiptare, por shtrihet në krijimin e një paradigme kërkimore që e vendosi historinë shqiptare në qendër të dokumentacionit arkivor evropian, duke e zhvendosur atë nga interpretimet ideologjike drejt analizës së burimeve autentike. Në këtë mënyrë, albanologjia u konceptua si pjesë e dijes evropiane dhe jo si një disiplinë periferike e studimeve ballkanike.

Hulumtimi i fondit arkivor të Milan Šufflay, i ruajtur në Arkivin Shtetëror të Kroacisë, dëshmon për një univers të gjerë dokumentar dhe metodologjik. Dorëshkrimet, skedat paleografike, korrespondenca shkencore dhe projektet e papërfunduara zbulojnë një ndërmarrje të madhe intelektuale që synonte të ndërtonte historinë e Shqipërisë mbi bazën e dokumenteve të kancelarive mesjetare dhe të arkivave të Vjenës, Budapestit, Venecias, Dubrovnikut dhe Romës. Ky rrjet arkivor e vendosi historinë shqiptare brenda qarkullimit të qytetërimit evropian mesjetar dhe argumentoi vazhdimësinë historike të elementit shqiptar në hapësirën ballkanike. Për mua personalisht, hulumtimi shumëvjeçar i këtij fondi ka qenë një përjetim i veçantë intelektual dhe emocional: prekja e drejtpërdrejtë e materialeve burimore, hulumtimeve shkencore, letërkëmbimeve dhe relacioneve origjinale me Tirana zyrtare krijon një ndjesi afërsie me procesin e ndërtimit të dijes historike dhe me përpjekjen për ta argumentuar historinë shqiptare mbi bazën e dokumentit autentik dhe metodës shkencore.

Botimi i veprës monumentale Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia shënon një kthesë metodologjike në studimet albanologjike. Përmes publikimit kritik të dokumenteve mesjetare, Šufflay dhe bashkëpunëtorët e tij e zhvendosën debatin historiografik nga narrativat politike drejt analizës së burimeve primare. Kjo ndërhyrje shkencore krijoi një standard të ri kërkimor dhe një kundërpeshë të fuqishme ndaj interpretimeve që mohonin kontinuitetin historik iliro-arbëror-shqiptar. Qytetet shqiptare, institucionet kishtare, rrjetet tregtare dhe marrëdhëniet diplomatike shfaqen në studimet e tij si pjesë e një sistemi më të gjerë civilizues evropian, duke rrëzuar konceptin e izolimit historik të shqiptarëve.

Një dimension i rëndësishëm i veprimtarisë së tij është dialogu me elitën intelektuale shqiptare të kohës. Korrespondenca me institucionet shtetërore të Mbretërisë Shqiptare dhe me Lumo Skendo dëshmon për përfshirjen e tij në projektin e hartimit të një historie të plotë të popullit shqiptar. Në këtë ndërveprim midis arkivave evropiane dhe mendimit intelektual shqiptar, albanologjia merr dimensionin e diplomacisë kulturore dhe të vetëdijes historike kombëtare.

Në planin metodologjik, Šufflay përfaqëson modelin e historianit-arkivist që ndërton narrativën historike mbi analizën kritike të dokumentit. Përdorimi sistematik i paleografisë, diplomatikës, kronologjisë dhe historiografisë krahasuese krijoi një standard të ri për studimet ballkanike dhe e bëri punën e tij një pikë referimi për albanologjinë moderne. Në një kuptim më të gjerë, veprimtaria e tij mund të lexohet si rezistencë intelektuale ndaj instrumentalizimit politik të historisë në Ballkanin e fillimit të shekullit XX.

Konteksti memorial i përvjetorit të vrasjes së tij në Zagreb në vitin 1931 e rikthen figurën e Šufflay-t jo vetëm si studiues, por si simbol të lirisë akademike evropiane. Atentati ndaj tij u perceptua si një goditje kundër dijes dhe kritikës shkencore, duke shkaktuar reagime ndërkombëtare, ndër të cilat spikat reagimi i Albert Einstein, i cili e ngriti këtë ngjarje në nivelin e një shqetësimi për fatin e intelektualëve në Evropë. Kujtimi i këtij akti dhune mbart një dimension emocional dhe etik: ai rikujton se kërkimi shkencor dhe mbrojtja e së vërtetës historike shpesh kanë kërkuar guxim intelektual dhe sakrificë personale.

Përvjetorët e atentatit, të përkujtuar nga komuniteti shqiptar në Kroaci dhe nga qarqet akademike, e kanë shndërruar figurën e tij në simbol kulturor të marrëdhënieve shqiptaro-evropiane. Kjo kujtesë kolektive e lidh albanologjinë me përgjegjësinë morale të shkencës dhe me rolin e arkivave në mbrojtjen e identitetit historik. Në këtë dimension, figura e Milan Šufflay tejkalon kufijtë e historiografisë dhe bëhet pjesë e ndërgjegjes akademike evropiane. Në vitet e fundit, pata nderin të marr pjesë në shënimin e këtij përvjetori, në prani të diplomatëve dhe autoriteteve zyrtare kroate, ku theksova se populli shqiptar i ka një borxh historik kësaj figure për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në argumentimin shkencor të autoktonisë së pandërprerë të shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ky kontribut mori peshë të veçantë në një periudhë kur po hartoheshin projekte dhe plane që synonin jo vetëm zhbërjen e historisë, por edhe zhdukjen fizike të popullsisë shqiptare nga hapësira e saj etnike një qëndresë intelektuale që ai e pagoi me jetën e tij. Në këtë kuptim, përkujtimi i tij nuk është thjesht një akt ceremonial, por një rikthim i vazhdueshëm tek e vërteta historike dhe tek përgjegjësia e shkencës përballë sfidave të kohës.

Në kuadër të bashkëpunimit shkencor evropian dhe të afirmimit të kujtesës historike si pjesë e diplomacisë kulturore, fondi arkivor i Milan Šufflay paraqet një pasuri të jashtëzakonshme dokumentare që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe i përket njëkohësisht historisë së albanologjisë, historiografisë kroate dhe studimeve ballkanike në përgjithësi; për këtë arsye, shndërrimi i këtij fondi në trashëgimi të mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe dokumentare evropiane do të përbënte një akt me rëndësi të shumëfishtë shkencore, identitare dhe diplomatike. Një nismë e tillë do të materializonte respektin institucional ndaj kontributit të tij në argumentimin shkencor të vazhdimësisë historike shqiptare dhe në ndërtimin e urave akademike midis botës shqiptare dhe asaj kroate, duke reflektuar njëkohësisht miqësinë tradicionale me popullin e Kroat.

Në këtë kontekst, themelimi i instituteve kërkimore ose qendrave studimore me emrin e tij në Tiranë dhe Zagreb do të përfaqësonte një model të avancuar të institucionalizimit të kujtesës shkencore dhe të bashkëpunimit ndërakademik, duke krijuar një platformë të përhershme për studime albanologjike, historiografike dhe arkivore. Njëkohësisht, kjo do të shërbente si një investim strategjik në ruajtjen e trashëgimisë dokumentare, në promovimin e kërkimit të përbashkët dhe në konsolidimin e dialogut kulturor shqiptaro-kroat, duke e vendosur figurën e Šufflay-t në vendin që i takon në hartën e institucioneve shkencore të Evropës Juglindore dhe në kujtesën kolektive të dy popujve.

Filed Under: Interviste

“Vatra është aset i komunitetit shqiptar” – Rrëfimi i mësueses Suzana Combi në Chicago

February 18, 2026 by s p

Intervistoi: Mirela Kanini/

Mësuesit janë arkitektët e heshtur të së ardhmes. Ata ndezin kureshtjen, mbjellin dijen dhe frymëzojnë guximin për të ëndërruar më shumë. Ndikimi i tyre jeton gjatë, përtej klasës dhe në çdo arritje të nxënësve të tyre.

Në këtë intervistë vjen rrëfimi i mësueses së gjuhës shqipe në Chicago, me një eksperiencë 48-vjeçare në arsim, znj. Suzana Combi.

1. Kush është Suzana Combi?

Unë e personifikoj veten, para së gjithash, si një nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe shumë të suksesshëm në Chicago. Klodiana, sot farmaciste, e martuar dhe nënë e dy vajzave 20 dhe 16 vjeçe, të cilat dallohen për rezultatet e tyre të larta në shkollë. Andis, djali im, biznesmen që ushtron aktivitetin e tij në Chicago, i martuar dhe baba i dy vajzave 10 dhe 5 vjeçe. Zoti më ka bekuar me fëmijët e mi dhe katër mbesa. Jam bashkëshorte dhe mësuese me një eksperiencë prej më shumë se katër dekadash.

2. Rruga drejt suksesit kalon përmes sfidave. Na tregoni diçka për jetën tuaj dhe fillimet në SHBA.

Kemi ardhur në SHBA në vitin 1998 me Lotarinë Amerikane. Edhe pse ishte diçka që e dëshironim për një jetë më të mirë, na duhej të linim pas gjithçka që dinim të bënim: karrierën dhe profesionet tona. Unë atëherë isha arsimtare prej 25 vitesh, ndërsa bashkëshorti punonte në rafinerinë e naftës.

Erdhëm në Amerikë pa ditur asgjë, madje as gjuhën. Fillimi ishte i vështirë dhe mbështetja më e madhe na vinte nga njëri-tjetri. Vajza ime, Klodiana, dinte pak anglisht nga kurset që kishte ndjekur. Megjithatë, e morëm jetën me guxim dhe iu futëm punës aty ku na u dha mundësia, pa bërë naze, me vendosmërinë se një ditë do t’ia dilnim.

Puna ime e parë ishte në një hotel “Marriott”, ndërkohë që ndiqja mësimet në Truman College për të mësuar gjuhën angleze. Më vonë fillova punë nëpër shkolla, jo në profesionin tim, por si janitore. Nuk më mbante vendi — shkollat ishin habitati im dhe dëshiroja me gjithë zemër t’i kthehesha mësimdhënies.

3. Kur menduat se kjo ishte rruga juaj?

Gjatë kohës që ndërtonim jetën tonë në kontinentin e largët, shkonim rregullisht në kishën shqiptare. Atje ndiheshim mirë, sidomos kur takonim bashkëatdhetarë. Të dëgjosh të flitet shqip në tokë të huaj tingëllon më bukur dhe të ngroh zemrën.

Një ditë dikush tha: “Do të hapim një shkollë shqipe.” Për mua ishte sikur u ndez një dritë jeshile. Drejtoresha e shkollës, kur mori vesh që isha arsimtare, më dha mundësinë të punoja fillimisht si “assistant teacher” (ndihmëse mësuese). Kisha hyrë në rrugën që kërkoja prej kohësh.

4. A ishte e vështirë të realizonit ëndrrën amerikane?

Së pari, njeriu duhet të ketë ëndrra konkrete dhe më pas t’i realizojë ato me përkushtim dhe devotshmëri. Punova për CPS për 14 vjet, me nxënës nga të gjitha kombësitë. Jam vlerësuar shpesh për punën time, jo vetëm nga kolegët, por edhe nga drejtuesit.

Gjatë kësaj periudhe pata rastin të prezantoj Shqipërinë përmes valleve, kostumeve dhe këngëve tradicionale. Nxënësit jo vetëm që i këndonin e i kërcenin me dëshirë, por i pëlqenin shumë. Festonim edhe Festën e Pavarësisë, duke sjellë kulturën shqiptare në shkollë.

5. Çfarë ju motivoi për të arritur këtu ku jeni sot?

Motivimi dhe forca kryesore për të tejkaluar vështirësitë kanë qenë familja dhe fëmijët e mi. Ndihem një grua e realizuar dhe kam dhënë më të mirën e mundshme në çdo etapë të jetës sime.

6. A keni pasur ndonjëherë momente kur keni dashur të tërhiqeni?

Asnjëherë nuk kam thënë “mjaft” apo “u lodha”. Kam parë gjithmonë përpara dhe kam menduar si të jap kontributin tim, duke realizuar njëkohësisht ëndrrat e mia.

7. Flitet me shumë vlerësim për kontributin tuaj në komunitetin shqiptar. Cili është sekreti?

Nuk ka sekret. Është shumë e thjeshtë: dashuria për profesionin dhe për komunitetin që më do dhe më vlerëson.

8. Ju keni mbështetur vazhdimisht degën e Vatra Chicago. Çfarë mund të na thoni për këtë angazhim?

E mbështes dhe kontribuoj për këtë organizatë sepse kam ndjekur me kujdes aktivitetin e saj. Vatra është një organizatë prestigjioze dhe një aset për komunitetin shqiptar. Në këto tre vite ka lënë gjurmë dhe ka realizuar objektiva konkrete në ndihmë të komunitetit. Të kontribuosh për një organizatë të tillë është thjesht logjike.

9. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Do të vazhdoj të jap mësim për aq kohë sa të mundem, edhe pse kam vite që punoj përtej daljes në pension. Shoh një interesim të madh nga prindërit shqiptarë për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.

Prej katër vitesh jap mësim në shkollën shqipe “Kongresi i Manastirit”. Punoj me fëmijë të moshës 5–6 vjeç dhe kam 31 nxënës — një numër i konsiderueshëm. Ndihem e privilegjuar që ndaj eksperiencën time 48-vjeçare me ta.

Një nga sfidat tona të vazhdueshme është sigurimi i librave shkollorë. 28 abetare u mundësuan nga mikja jonë Arjana Jaupi, e cila i solli nga Shqipëria. Shpresojmë që në të ardhmen ta zgjidhim përfundimisht këtë problem.

10. Çfarë do t’i thoshit dikujt që ndjek një rrugë të ngjashme me tuajën?

Sidomos atyre që vijnë rishtaz në SHBA do t’u thosha: mos prisni që në fillim të ushtroni profesionin tuaj. Mos kërkoni shumë menjëherë. Pyesni — nuk është turp. Ndërkohë, punoni diku, edhe nëse ju duket e vështirë. Dhe kurrë, kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat.

11. Çfarë ju frymëzon më shumë?

Njerëzit e fortë, me vullnet të palëkundur. Tek ata gjej veten dhe dëshirën për të realizuar ëndrrat e mia.

12. Cilat janë hobet tuaja?

Më pëlqen shopping-u (pazaret), sepse më bën të ndihem mirë — e kam si terapi. Gjithashtu më pëlqen të vishem bukur. Eleganca dhe prezenca e një gruaje për mua kanë qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës.

13. Një thënie që mund të jetë motoja juaj?

“E dua jetën dhe dua të jetoj.”

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 216
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT