• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRIJIMTARIA POETIKE E AGIM RAMADANIT

July 3, 2024 by s p

Në 25-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, në shenjë nderimi e kujtimi të përjetshëm, po e publikoj një vështrim për krijimtarinë e tij poetike të shkruar para shumë vjetësh.

Nexhat Maloku/

Shprehja e lashtë latine Nomen est omen ndoshta më së shumti i shkon për shtati emrit të Agim Ramadanit. Kur e pagëzuan në majin e vitit 1963 në Zhegrën e Karadakut me emrin Agim, nuk do tu ketë shkuar mendja se Agimi i vogël një ditë do të bëhej Agimi i madh, i agimit të lirisë aq shumë të pritur të Kosovës. Kjo ndërlidhje, fillimisht afektive, e nisur nga dëshira e familjarëve, e mbrujtur me dëshirën për jetë më të mirë, në një kohë të mëvonshme, pikërisht 36 vjet më vonë, në vitin dramatik të Kosovës, vitin 1999, në fundvajin e shekullit njëzet, e gati në agimin e shekullit njëzet e një, do të bëhet një ndërlidhje e pashkëputshme, për t’u shkrirë në një simbiozë Agimi-Agim. Do të shkojë Agimi i Karadakut për të ardhur agimi i Karadakut dhe krejt Kosovës. Pikërisht më 11 prill 1999, Agimi do të shkrihet në trupin e Shqipërisë, do të shkrihet mu në pjesën më neuralgjike të këtij trupi, në kufirin e vënë me dhunë nga pushtuesi sllav, kufi-dhunë ky që aq gjatë nuk e la trupin e Atdheut tonë të frymojë në plotninë e tij natyrore. I mbrujtur me shpirt të ndjeshëm poeti, Agimi, sikur e parandien këtë dhe që në vitin 1994, nga Alpet e Zvicrës, i kthyer me fytyrë e zemër nga Kosova, si dikur sivllezërit e tij arbëreshë, do të shkruaj poezinë me titull “Në mungesën time”:

Tani unë jam hi dhe hije nuk kam

Se kam ndërruar jetë askush nuk e di

Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur

Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë

Nuk jam tretur

Dhe pikërisht në prillin e luleve, në agimin e pranverës, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe pse e dinë, megjithatë pyesin për Agimin ku ka mbetur, e njëkohësisht pyesin edhe vetveten ku kemi mbetur, për të drejtuar sytë e zemrën nga ardhja e agimit të Kosovës, për të vërtetuar pohimin e tij “nuk jam tretur” .

Kjo poezi e shkruar në mërgim, ndërlidhet fort me shpirtin e tij kryengritës, shpirt ky njëkohësisht aq i butë e skofiar, i cili shprehet në krijimtarinë e tij artistike, si në poezi ashtu edhe në pikturë, për t’u bërë lajtmotiv i rrugëtimit të tij deri në agimin e pavdekësisë.

Duke pasur fatin t’a njoh që nga vitet e fëmijërisë për të vazhduar pastaj shoqërinë krejt më vonë në vitet e mërgimit, në Zvicër, kam pyetur veten se si mund të bashkëjetojnë në personalitetin e tij shpirti i fortë i ushtarakut me shpirtin e tij aq të ndjeshëm e të hollë artistik. Por si duket pikërisht ky dyzim i shkrirë aq gjatë në universin e tij jetësor ka mundur të japë një shpirt aq të veçantë luftarako-poetik që e ndeshim rrallë tek brezat e poetëve. Sepse vetëm “lufta” e vazhdueshme e këtyre shpirtrave mund të fisnikronte një karakter të tillë sui generis të Agim Ramadanit.

Krijimet e tij poetike i kisha dëgjuar e lexuar qysh kur ishim në shkollën fillore në Zhegër, shkollë kjo që sot mban emrin e tij. Në orët letrare për ditën e shkollës, lexonim poezitë tona për jetën, të shikuara nga prizmi i botës së fëmijërisë – kësaj parajse të humbur- siç thotë një poet. Shumë vjet më pas, aty nga mesi i viteve ’90-të, Agimi më dha një tufë poezish të shkruara prej tij, duke më thënë që t’i lexoja dhe t’i jepja një mendim për vlerën e tyre artistike. Pas leximit të tyre, mendimin e parë që ia thashë ishte që t’i botonte ato. Por, do të kalojnë vite, dhe botimi i poezive nuk do të ishte prioriteti i parë i tij, sepse ajo pjesa tjetër e shpirtit të tij- shpirti kryengritës do ta thërriste të shkonte në Bjeshkët Shqiptare për të bërë atë që mund të bënte-vetëm ai.

Poezitë e tij u botuan disa vjet më vonë, në vitin 2000. Agimi u shpalos para lexuesve edhe me shpirtin e tij poetik, sepse kështu ishte ai- gjithçka për të tjerët, e për vete?- veç ishte shkrirë në indin e kombit shqiptar.

Në librin me poezi “Një jetë tjetër”, nën përkujdesjen redaktuese të poetit Ali Podrimja, është prezantuar një pjesë e krijimtarisë së tij poetike. Aty janë poezi të shkruara në kohën e rinisë të viteve ’80 të shekullit që lamë pas, pastaj pjesa tjetër më e madhe e shkruar në mërgim në Zvicër, si dhe një pjesë e vogël gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Duke qenë poezi të shkruara në këto vite, ato bartin vulën e fuqishme të përjetimeve të poetit gjatë asaj kohe. Janë tri motive kryesore që e përshkojnë poezinë e Agim Ramadanit, motivi i dashurisë, motivi i mërgimit dhe motivi patriotik.

Në poezitë me motiv dashurie, ku motivi i dashurisë shpesh nuk mbetet i vetmuar por ngërthehet edhe me motive të tjera, poeti shpreh ndjenjat e dashurisë, dashuri kjo që shtrihet jo vetem në një kohë, por siç e shpreh në poezinë me titull “Ëndrra lulëzon”:

Të dua në këngë

Edhe për kohërat që nuk të pata

Dhe për të gjitha kohërat

Kjo dashuri e thellë, e çiltër, i kalon kufijtë e një periudhe dhe vërshon në gjithë jetën e tij- në gjithë zemrën e tij prej poeti. Sepse dashuria, kjo ndjenjë që e çon botën përpara, në shpirtin e poetit e “shëndrron vetminë në dashuri” .

Brenda kësaj dashurie të fortë, në mjaft poezi paraqitet edhe bota e brendshme e poetit, e cila është shpesh e trazuar, ku vetmia, zhgënjimi, dhembja, nuk e ligshton, por e bën më të fortë atë. Në poezinë “Gjurmë dashurie”, poeti me një varg konciz shpreh dhembjen dhe mallin per të dashurën, sa edhe:

Me lot

E lajmë

Vetminë

Kurse në poezinë “Pengu”, lotët janë pengu që poeti i bart që nga “puthja e parë”

dhe dëshiron t’i zhdukë ata, sepse ai “lojën” e dashurisë do ta jetojë ashtu si do ai dhe e dashura e tij, andaj shprehet:

Mos nxjerr më

Lot nga syri

Përmes poezive të këtij cikli, poeti vë në pah se e jeton dashurinë në një kohë të vështirë për ta jetuar ashtu si do ai, është koha kur ende ka shumë pengesa dhe kjo shprehet në mjaft vargje ku përballë një dashurie të zjarrtë është shqetësimi, largësia, dhembja, vonesa, vuajtja, mungesa e trishtimi që e shtojnë brengën e “luftëtarit të fatit dhe dashurisë” .

Por, dashuritë e mëdha gjejnë gjithnjë rrugët për të triumfuar dhe këtë triumf e sjellin si mesazh poezitë “Kur qershitë na buzëqeshin”, “Ty”, “Jashtë vetes të mos mbesim” etj., në të cilat ndrit si rreze dielli dëshira për t’a jetuar dashurinë, për të mos mbetur jashtë rrethit të saj, sepse ashtu jeta humbet ne honet e trishtimit dhe pafrytshmërisë.

Struktura e poezive të Agim Ramadanit është një varg i lirë, por shumë konciz, me thellësi mendimi. Figurat artistike si metafora, krahasimi i japin këtyre poezive një vlerë të veçantë artistike. Edhe pse të shkruara në rininë e hershme të poetit, ato janë një shenjë e një pjekurie artistike të tij.

Në poezitë me motiv mërgimi të cilat Agim Ramadani i ka shkruar gjatë viteve ’90-të, në kohën kur ai bashkë me familjen u detyrua të mërgojë në Zvicër, shprehet dhembja e thellë për largimin nga atdheu dhe jeta e vështirë prej mërgimtari. Është kjo periudha kur një numër i madh i shqiptarëve çdo ditë shtronte kërkesat për strehim në vendet e ndryshme të Evropës Perëndimore. Koha të cilën poeti do ta jetojë në Zvicër, është e përshkuar me përpjekjet për të dalë nga rrethi i monotonisë së jetës së përditshme. Ai bashkë me bashkatdhetarët e tij hap Qendrën Kulturore Shqiptare me seli në Cyrih, ku zhvillon një aktivitet të dendur kulturor e politik. I brumosur me një vizion të qartë politik, ai do të arrijë të grumbullojë një shtresë të konsiderueshme mërgimtarësh, me të cilët do të punojë në ruajtjen e vlerave dhe zhvillimin e mëtejmë të tyre, në paraqitjen e këtyre vlerave para opinionit zviceran, krejt me qëllimin e një prezantimi sa më të denjë të kulturës shqiptare. Agim Ramadani, edhe në mërgim, do të përcjellë me vëmendje të madhe zhvillimet në Kosovë e më gjerë dhe nuk do ta humbë asnjëherë shpresën se:

Kosova megjithatë jeton

Por në këtë shpresë është një mall i përhershëm, i cili është pjesë e vazhdueshme e jetës së poetit, është ky malli për vendlindjen, ku siç shkruan në poezinë “Lojë zjarri”

Malli për vendlindjen më djeg

Është ky mall jo vetëm për familjen, por është mall edhe për rrugët fshatit, për njerëzit e mirë të Karadakut, edhe për baltën që është më e ëmbël se mjalta, siç thoshte një poet rilindas shumë dekada më parë.

Se çfarë malli ndien për Kosovën, poeti i mërguar e thotë bukur në poezinë “Për një pikë ujë Kosove”:

Për një pikë

Ujë Kosove

Ëndrrat më këputen

Valët

Ngrihen peshë

Vetëm një njeri që e përjeton mungesën e Atdheut mund të ndjejë një mall të tillë, mall ky i cili e shtyn atë të thotë se “ do të ju kthehem” atyre bjeshkëve të Karadakut e njerëzve të tij bujarë.

Mërgimi, kjo plagë e rëndë e shqiptarit ndër shekuj, gjithnjë ka bjerrë trupin e atdheut dhe ka shpërndarë shqiptarët anembanë globit, por shqiptari nuk e ka harruar Atdheun. Atdheu është akrepi nga lëviz zemra e mërgimtarit shqiptar. Dhe mërgimtari shqiptar, plagën e mërgimit, nuk e ka lënë vetëm të kullojë por e ka luftuar me forcë me dashurinë që ka kultivuar për atdheun, me ndihmën e pakursyer që i ka dhënë atij. Dhembjen për atdheun e lënë, mërgimtari shqiptar e ka kthyer në një forcë dhe vullnet për ta ruajtur identitetin e tij, për ta mbajtur gjallë urën lidhëse me atdheun, dhe për t’iu vënë në shërbim kërkesave të tij. Duke pasur një mërgatë të tillë, mu në zemër të Evropës, populli shqiptar, jo vetëm që nuk u ligështua, por u bë më i fortë. Mërgata shqiptare ishte ajo që me zërin e saj ua tërhoqi vëmendjen edhe atyre që kishin mbyllur veshët dhe nuk donin t’ia dinin për të. Mërgata shqiptare hyn ne grupin e mërgatave të popujve dinamikë, të cilët nuk i zë shtrati i vetëm një vendi ku nguliten për pak apo për kohë të gjatë. Shqiptari mërgimtar këmbët e duart i ka në vendin e mërguar, po mendjen e zemrën e ka në vendlindjen e vet.

Pikërisht ky qëndrim, kjo frymëmarrje me Atdheun e shtyn poetin që tu drejtohet mërgimtarëve me fjalët:

Lëreni aureolat se atdheun na e shkelën

Turp nëse vonohen Krushqit se Nusja priti gjatë

Është ky një kushtrim për t’i dalë zot atdheut të robëruar. Dhe mërgimtarët shqiptarë do ta dëgjojnë këtë kushtrim, duke u vënë në shërbim të luftës së popullit për liri. Është kjo mërgatë e cila ishte brumosur me këngët e lirisë të 1981, me organizimin e protestave të vazhdueshme, për t’i tërhequr vëmendjen opinionit botëror e qeverive të vendeve përendimore se një popull në Evropë edhe në fund të shekullit XX, ende gjakosej për ta fituar lirinë e tij. Dhe mërgimtarët shqiptarë nuk u mashtruan nga shkëlqimi i perëndimit, por përkundrazi e morën atë si shtytje për t’a bërë atdheun e tyre si vendet e lira ku jetonin. Aktiviteti atdhetar i poetit Agim Ramadani, në vitet para luftës në Kosovë, ishte fokusuar pikërisht në këtë drejtim. Andaj edhe do të kishte përkrahjen e shumë mërgimtarëve që jetonin në Zvicër asokohe. Duke jetuar në një vend të njohur për neutralitetin e tij në botë, Agim Ramadani do të zgjedh fushën e kulturës për të depërtuar në fushën kulturore, (e edhe politike) zvicerane, sepse në zemrat e shqiptarëve veç ishte. Dhe talenti i tij i veçantë në fushën e pikturës i krijoi atij mundësinë që përmes pikturave të paraqitura në ekspozitat e tij, të zgjojë kureshtjen e botës intelektuale zvicerane, duke i nxitur ata për të shtruar shumë pyetje për tragjedinë e popullit shqiptar, e cila ishte paraqitur në pikturat e Agim Ramadanit me një ekspresivitet të rrallë artistik. Këto dy dhunti artistike, poezia dhe piktura, e kanë plotësuar në menyrë harmonike njëra-tjetrën. Duke u futur aq thellë në botën e të pikturuarit, Agim Ramadani s’ka se si të mos i sjell ngjyrat e pikturës edhe në vargjet e tij. Dhe këto vargje të latuara me shumë finesë shprehin botën e brendshme të poetit, shpirtin e tij luftarak. Në njërën nga poezitë më të arrira artistikisht, “ A mjafton pritja” poeti me pesë vargje shpreh dyshimin se:

A mjafton

Të presim vetëm

E të shikojmë

Duke larguar perden

Për të parë si na vjen liria

Në këtë poezi, poeti ka arritur që përmes një gjuhe sa të thjeshtë por njëkohësisht aq domethënëse, të vë në dyshim një iluzion të njeriut se liria mund të vijë vetëm duke shikuar nga pasperdja. Poeti këtu nuk del me fjalë të mëdha, nuk flet për marshime lufte, ai vetëm shtron një pyetje, por një pyetje bosht, që duhet të japë një përgjigje se nga do të anojë shqiptari. Poeti është i bindur se liria do të vijë, por dëshira e tij është që të mos e presim pas perdeve, por të shkojmë në luftë për te, sepse vetëm ashtu do ta meritojmë atë.

Në vargjet e poezisë “Patjetër do të vij” poeti Agim Ramadani përdor një metaforë tepër domethënëse kur shkruan:

Nëse nuk shihemi

Dhe na ndanë vdekja

Jetoje jetën Nënë

Patjetër do të vij

Gjumi yt

Të bëhem

Kjo metaforë “Gjumi yt” siç e vë në pah edhe kritiku Ismail Syla nuk nënkupton “gjumë biologjik, është gjumë filozofik, është tërë dëlirësia njerëzore, shpirti i përpunuar njerëzor i poetit, i piktorit, i njeriut, i luftëtarit që si natyrë e thellë dhe e lartë e shpirtit njerëzor shndërrohet në diçka jomateriale, sublime me cilësi të larta shëruese. Aq më shumë ngrohtësi lirike dhe klimë meditative liron një varg i tillë kur dihet se çfarë entropie ngërthen në vetvete fjala arketipore nënë dhe kuptimi esencial i lirisë i shkrirë me emrin dëshmor.”

Në mjaft poezi me motiv mërgimi, poeti shpreh përmes figurave artistike vetë shpirtin e mërgimtarit. Kjo vie në shprehje sidomos tek poezitë “Parandjenjë e frikshme” ku kukuvajka është një figurë që i shkon shumë tekstit poetik, pastaj te poezia “I mërguari” ku vetmia kjo varfëri e botës së sotme moderne, e ndrydh çdo ditë shqiptarin e mërguar, “Në tehun e pasqyrës” ku poeti shpreh frikën e humbjes së shqiptarit nëpër metropolet e botës, për të ardhur deri tek mendimi për “jetën qençe” të cilën është i detyruar ta jetojë poeti në mërgim. Kjo jetë është e përshkuar me dhimbje, me vuajtje, me mall dhe pikërisht sepse është kështu, poeti e përdor këtë sintagmë me rrezatim aq negativ për jetën e mërgimtarit.

Poezitë me motiv patriotik janë shprehje e shpirtit sa luftarak aq edhe subtil e poetik të poetit Agim Ramadani. I lindur e i rritur në një ambient ku legjendat për trimëritë e heronjve si Idriz Seferi, Azem e Shote Galica, Bajram Curri, Hasan Alia e shumë të tjerë ishin ushqimi i tij shpirtëror, s’ka se si të mos jenë objekt trajtimi në poezitë e tij. Në këto poezi, poeti vë në funksion të vargut metafora të arrira artistike si “damar i tokës”- Idriz Seferi, e deri te i urti Anton Çetta, i cili së bashku me atdhetarë të tjerë bënë që:

Lulëkuqet e padukshme

Derdhin erën e gjakut të falur

Në poezitë me motiv patriotik, si “Kosova”, “Liri”, “Lutëtarëve të vrarë”, “Qëndro” etj., del në pah, në njërën anë, shpirti kryengritës i Agim Ramadanit dhe në anën tjetër, vizioni i tij për Atdheun, për lirinë. Si rrallëkush Agim Ramadani ka sublimuar në një vizionin e tij për lirinë me veprimin konkret, me pjesëmarrjen në luftë, për ta bërë realitet “Nëntorin e Tretë”. Dhe ata që e bëjnë këtë janë ata që “kalojnë nga jeta me vdekje në jetë” sepse vetëm një gatishmëri për të kaluar nga “jeta në vdekje” për lirinë e atdheut, pra për ta shporrur vdekjen nga trupi i atdheut, ua mundëson atyre që pa mund të kthehen përsëri në “jetë”, në pavdekësi të përjetshme. Kjo metamorfozë e luftëtarit të lirisë është e sublimuar në jetën dhe rënien heroike të Agim Ramadanit në luftë për “të kaluar” në jetën tjetër, në jetën e pavdekësisë.

Në ciklin e poezive me motiv patriotik, poeti sikur i paraprin ngjarjeve që do të ndodhin më vonë. Idetë e paraqitura në vargjet e këtyre poezive janë ide që e kanë udhëhequr poetin në jetë dhe do ta udhëheqin edhe në luftë. Poeti i mërguar e ka “humbur durimin” dhe do që të mos rrijë i fshehur, por urrejtjen për robërinë ta shndërrojë në lindje të diellit të lirisë. Edhe pse duke jetuar në Zvicrën e qetë, shpirti i tij i brendshëm është i trazuar, ai nuk e lë t’i adaptohet jetës së rregullt, nganjëherë deri në monotoni, të vendit helvetik, por niset të shkojë në Kosovë, tek Bjeshkët e Nemuna për t’i dalë zot Atdheut. Lufta e tij për lirinë e Kosovës dhe vdekja e tij janë përgjigje se për të fituar lirinë edhe duhet vdekur, sepse një vdekje e tillë është ushqimi i parë, i domosdoshëm, i lindjes së lirisë. Liria, si lindje e tillë, është e dhembshme sepse merr me vete shpirtra të tillë të dëlirë, siç është ai i heroit Agim Ramadani, i cili në poezinë “Në mungesën time” thotë:

Tani unë jam hi dhe hije nuk kam

Se kam ndërruar jetë askush nuk e di

Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur

Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë

Nuk jam tretur

Rënia heroike e Agim Ramadanit, tragjikisht e vërteton pikërisht vargun e tij profetik “në trupin tënd të brishtë jam shkrirë”, pra jeta e tij, bashkë me jetërat e mijëra dëshmorëve, është në trupin e lirisë së brishtë të Kosovës.

Poezia e Agim Ramadanit është poezi e lidhur ngushtë me jetën e jetuar të poetit dhe njëkohësisht me jetën e popullit shqiptar. Ajo është poezi në rend të parë e dalë nga dallgët e jetës, nga imperativi i kohës në të cilën ka jetuar populli ynë. Siç ka thënë Niçe “Ndër ata që shkruajnë, dua vetëm atë që shkruajnë me gjakun e vet. Shkruaj me gjak dhe do të mësosh se gjaku është shpirt”. Dhe pikërisht poezia e Agim Ramadanit është një gjakim për lirinë, për atdheun, për të ardhmen.

Filed Under: Interviste

SAIMIR LOLJA ON ALBANIAN COMMUNISM AND ITS REGIONAL DYNAMICS

July 1, 2024 by s p

Book Review: The Nation-Free Recipe – How the Triple Entente Served Comintern, 2nd ed., Austin Macauley Publishers, New York, 2024

By Peter Marko Tase

This non-fiction book covers Europe and Albania from the start of the 20th century until now. It has many layers that, while all rationally connected, uncover a hidden layer. This book review will deal with one of its constituent layers, while the hidden layer is left for the reader to discover. Albania’s post-World War II communist regime has proved to be with its citizens as ruthless as Hitler’s Blitzkrieg (“lightning war”) campaign in Poland on September 1, 1939.

Enver Hoxha’s alliance of seven years with Yugoslavia’s dictator Josip Broz Tito (1941 – 1948) reflected communist Albania’s geopolitical oscillations and Tirana’s reluctance to embrace the territories of ethnic Albanians encompassing Kosovo today. Tito’s paternalistic role in Albania was highly successful even though Shqipëria – as the locals name it – was the only country in Europe that did not have a communist party in 1940. This observation was accurately made by Lea Ypi, a professor of political theory at the London School of Economics, who grew up in Albania during the last period of Tirana’s communist regime.

However, Yugoslavia’s regime was training Albania’s communist elite and ensuring the Sons of Eagles would not approach Western democracies as a guiding source for shaping government reforms and post-war nation-building principles that embody democratic government and freedom of expression.

According to Raymond Zickel and Walter R. Iwaskiw of the U. S. Library of Congress: “In October 1941, the leader of Communist Party of the Yugoslavia, Josip Broz Tito, dispatched agents to Albania to forge the country’s disparate, impotent communist factions into a monolithic party organization. Within a month, they had established a Yugoslav-dominated Communist Party of Albania (CPA) with 130 members under the leadership of Enver Hoxha and an eleven-member Central Committee.”

In his acclaimed book of realpolitik, “The Nation – Free Recipe: How the Triple Entente Served Comintern,” professor Saimir A. Lolja has disclosed some of the principal matters in Albanian history during the second half of the twentieth century leading up to the inception stages of Tirana’s turbulent post-communist period in which a cascade of blunders caused significant destruction of national economy, defense industry and obliterated the country’s national security mechanisms.

In his book, Prof. Lolja writes: “On December 15, 1947, the Political Bureau of the Central Committee of CPA received the Yugoslav Communist messenger Sava Zllatiç. In that meeting, the puppet Enver Hoxha ordered to speed up Albania’s unification process with Yugoslavia in all fields. He justified (the right of self) that Albania could not be an independent state and install Slavic Communism without fusion with Yugoslavia. The justification was a plagiarism of what the British Foreign Office had designed for “Albania 1913″ as part of a Balkan Communist Federation. In the prescribed letter that Enver Hoxha sent to Josip Broz Tito in March 1948, he asked him not to delay the remaining steps for the dissolution of Albania into the Slavic Communist Balkan Federation, namely into Yugoslavia (Greater Serbia) Nr. 3.”

Hoxha’s strategic cooperation with Tito cemented an iron grip on his country, and he continued with eliminating possible political opposition groups in Tirana; in March of 1945, an extraordinary trial against war criminals was opened in the “Kosova” cinema hall in Tirana; 19 out of the 60 defendants were sentenced to death. The death sentences fell on 17 of them; the other ‘dissidents’ received heavy punishments. That unusual trial was the first in a long series of such trials. The special court’s judicial panel was headed by the Minister of Interior Affairs, Koçi Xoxe, and it generally consisted of incompetent persons who visibly issued politically biased sentences. On May 20, 1947, Minister of Interior Koçi Xoxe, leader of a pro-Yugoslav faction of the CPA, ordered the arrest of nine anti-Yugoslav members of the Constituent Assembly.

In July 1948, the Albanian government cut off diplomatic relations with Yugoslavia. Koçi Xoxe was removed from the government, and the CPA purged the pro-Yugoslav faction during a Congress of the CPA renamed Albanian Party of Labor – APL.

With Tirana establishing close ties with Moscow, the aspirations of Tito to create a Balkan confederation with Albania and Bulgaria were abandoned, and such an economic platform would resurface again in Edi Rama’s playbook on July 29, 2021, when Albania, North Macedonia, and Serbia established The Open Balkan Initiative. It was an alliance that would varnish Serbia’s imperialistic pivot in the Balkans and weaken Kosova as an independent Republic.

The terrorist attack of over 90 Serbian well-trained military personnel inside the sovereign territory of Kosova, in the village of Banjska on September 24, 2023, openly demonstrates Belgrade’s growing appetite to create a new hotbed of armed conflict in Southeast Europe and threaten regional security. According to Reuters, Kosova’s police stated that one officer was killed, and “three of about 30 attackers died in shootouts around the village of Banjska. Monks and pilgrims were locked in the Serbian Orthodox monastery’s temple as the siege raged for hours.”

About this terrorist attack committed by Belgrade and continuously ignored by the European Commission officials, Prime Minister Albin Kurti stated: “The attackers are professionals wearing masks and heavily armed; the shooting was a terrorist attack.” he blamed neighboring Serbia for seeking to destabilize his country […] “Organized crime, which is politically, financially and logistically supported from Belgrade, is attacking our state,” Prime Minister Kurti stated.

Although Moscow loyalists in the Illyrian Peninsula showed their true face, the Albanian Prime Minister Edi Rama, just like Enver Hoxha immediately after World War II, has failed to grasp and draw an accurate analysis of what is Belgrade’s geopolitical posture and true intentions towards its neighboring countries. The 2023-armed clashes in Banjska were too serious to ignore; the loss of police officer Afrim Bunjaku was tragic; however, his heroism marked the end of the Open Balkan Initiative, a so-called regional economic alliance that was merely Serbia’s tool to expand its chauvinistic policies towards non-Serbian ethnic communities inside its territory and apply its malignant, coercive measures, secretive operations across the Balkan Peninsula.

In his volume, Professor Lolja writes: “…However, it lasted until the newly emerged US leadership on world affairs had other strategic plans insisted on by the USA, Yugoslavia Nr. Three separated from the USSR-led communist camp on June 28, 1948. Thus, the USA again saved Albania, that time, from its dissolution into Yugoslavia Nr. 3.”

The deeply analytical volume of Lolja provides a breakthrough in the international relations of Albania during the last eighty years, reflected remarkably by a highly competent author who has conducted significant research on Tirana’s communist dictatorship, foreign interferences, imperial verdicts, and the difficult journey of democracy.

References:

http://www.jacobin.com/…/albania-history-communism…

http://www.en.wikipedia.org/…/People%27s_Socialist…

http://www.euronews.al/…/did-pm-edi-rama-unilaterally…/

www.britannica.com/topic/Balkan-confederation

http://www.ankasam.org/the-implications-of-the-open…/…

http://www.politico.eu/…/kosovo-serbia-police-attack…/

http://www.apnews.com/…/kosovo-serbia-policeman-killed…

Filed Under: Interviste

Një histori personale që lidhet me krimin e pa dënuar grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë

June 24, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Rasti e solli që rreth tre dekada më parë, pa asnjë shkak kur ndodhesha emigrant sezional në Athinë, të ndodhesha në një prej rajoneve të policies greke, në kryeqytetin e Greqisë. Duke qenë se isha në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit grek, mendova se prania ime atje, ishte vetëm një keqkuptim i zakonshëm i organeve të ruajtjes së rendit dhe prisja momentin për t’u sqaruar. Por, kur më futën në qeli dhe më bashkuan edhe me shumë emigrantë të tjerë të kapur rrugëve të Athinës në mënyrë të dhimbshme ndërmjet atyre operacioneve që grekët i quanin “fshesa”, ndjeva dyshimin e një paramendimi. Si nënshtetas shqiptar kërkova të bisedoja me ambasadën shqiptare në Athinë ose të kontaktoja me ndonjë agjenci lajmesh apo redaksi gazete. Por, mbas protestës dhe pretendimeve të mia, polici roje më shoqëroi vetëm deri te zyra e komandantit të rajonit të policies.

-Esi ise çami? (Ti je çam?) – m’u drejtua kapiteni, duke më hedhur një vështrim hetues, kur unë sapo e kisha pyetur pse më kishin ndaluar.

U habita nga kjo pyetje e çuditshme, me të cilin nisi bisedën zyrtari i policisë, dhe, vetëm pasi u mendova pak, iu përgjigja:

-Jo, unë nuk jam çam, por ç’do të kishte po të isha çam? Në fund të fundit, edhe çamët shqiptarë, si unë dhe të tjerët janë. Pastaj, njerëz jemi.

Kryepolici qëndroi pak i menduar.

– Nuk kam çfarë të bëj, – mu shfajësua ai. M’u duk njeri i arsyeshëm, por ishte urdhëruar të zbatonte një urdhër.

– Eshtë vendosur, – vazhdoi ai, – do të kthehesh në Kakavijë.

E kuptova si ishte ndërthurur kjo ngatërresë edhe pse unë ndodhesha aty. Ndaj ishte e kotë të bëja përpjekje për t’u sqaruar. Dikush kishte ngatërruar vendlindjen time dhe unë isha dënuar si çam që të largohesha forcërisht, si i padëshiruar, nga Greqia. Dhe mbas një jave i paraburgosur në qelitë e policies greke vetëm për shkakun se konsiderohesha çam, së bashku me disa emigrantë të tjerë shqiptarë, të keqtrajtuar nga policia, më sollën në kufi.

Kjo histori, si dëshmi e gjalë e jetës sime, më kujtoi edhe një here të vërtetën historike, se krimet, kur nuk dënohen, riciklohen përsëri. Pikërisht ky fakt i gjallë tregon qartazi se popullsia shqiptare e Çamërisë e dënuar padrejtësisht, me tortura çnjerëzore, me vrasje barbare dhe dëbime massive nga Greqia fashiste e viteve 1944-1945, vazhdon të jetë e dënuar nga përndjekja e fshehtë.

Zbimi masiv i çamëve nga shtëpitë e tyre është një barbari, që grekërit e kishin planifikuar shumë kohë më pare, por prej frikës së opinionit ndërkombëtar dhe ndjenjës së përfshirjes në ndonjë konflikt rajonal, u zbrapsën disa here për të gjuajtur rastin e përshtatshëm. Kur robërit dhe të internuarit e kombësive të ndryshme, të grabitur me force nëpër vendet e tyre të pushtuar nga bisha naziste dhe të internuar në kampet e përqëndrimit nëpër Gjermani po ktheheshin, duke lënë prapa erën mbytëse të fushva të largëta të Bukenvaldit dhe të Mathauzenit, çamërit e shkretë po linin trojet e tyre, ku të djegura e ku të plaçkitura, me fëmijë dhe plaçka ngarkuar, të gjallë e të vdekur, për t’i shpëtuar shfarosjes totale prej shtetit grek. Kur bota njerëzore po përgatitej të jepte shembullin e madh të dënimit ndërkombëtar të krimit fashist në gjyqin e Nyrembergut, shteti Helen i sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore, po ledhatonte duart e kriminelëve nacionalistë për të realizuar ëndrrën e vjetër të realizimit të Greqisë së pastër etnike. Ende kur nuk kishte shëruar plagët e saj të rënda të luftës dhe pa hedhur edhe vetë hapin e pare të lirisë, Greqia e nisi çlirimin e saj me “çlirimin” e dhunshëm nga shqiptarët që jetonin në tokat e tyre në juridiksionin e shtetit grek. Ishte një spastrim i pastër etnik, që kaloi pa u vënë re dhe që u krye nëpërmjet tytave të armëve, me vrasje fëmijësh e pleqsh, me presione për të këmbyer besimin si dhe mjaft tortura të egra çnjerëzore. Ankthi nacionalist që ka karakterizuar në disa periudha shtetin grek, që nga koha e krijimit të tij, solli një momente të tillë që ai të mendonte më shumë për të larë hesapet me çamët sesa për ndryshimet e epokës së re që po rilindte.

Fitorja ndërkombëtare mbi agresorët e Luftës së Dytë Botërore pruri edhe tallazet e mëdha të ndarjes së botës midis Lindjes dhe Perëndimit.

Pikërisht në këto çaste të vështira, opportune, të ngarkuara me strese për tërë diplomacinë ndërkombëtare, prej të cilave lindi si pasojë edhe Lufta e Ftohtë, zgjodhi Greqia për të zbrazur armët e shtetit mbi gjithë çamërinë. Ky është me të gjithë parametrat që ka shembulli i një holokausti, si ai i hebrenjve, që bëri fashizmi gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Ai, për fat të keq, nuk u prezantua fare, as në tablote tij më të dobëta në opinionin ndërkombëtar, për arsye edhe të detyrave të tjera të mëdha që kishin mjetet e informacionit që sapo kishin dale nga lufta. Dhe, për pasojë, ky krim barbar, me përmasat e mëdha që ka, mbeti i padënuar plotësisht nga bota përparimtare, që lufton për të mbrojtur të drejtat njerëzore.

Dhe sot, pothuaj të gjithë vizitorëve nga të gjitha kontinentet e botës, kur zbresin në Greqi, për të pare dëshmitë kulturore dhe demokratike të lashtësisë klasike, as që u shkon ndër mend se në vendin e demokracisë dhe të qytetërimit të lashtë, diku në Epirin e Veriut, nga fashistëve grekë të sotëm, që mburren dhe përrallisin në mbarë botën për lashtësinë, është kryer një krim i rëndë njerëzor, me përmasa historike si shkak i intolerances racore, shkak dhe akt ky që është një antipèod i grekërve të lashtë. Asnjë ciceron nuk e ul aspak kokën që të belbëzojë diçka të tillë, as në Akropol, as në Rodos, as në Melesina, as në Delfi dhe as në Janinë. E, gjithashtu, as në stendat e ndonjë muzeumi nuk mund të pretendosh të gjesh diçka të tillë. Edhe në historiografinë greke nuk mund të lexosh, qoftë edhe dy rreshta të tilla. Greqia, pa ndier asnjë përgjegjësi, krimin e ka fshehur mjeshtërisht.

Çetat kriminale të Zervës e më vonë të gjeneral Plasitrës futën në kasaphanën më çnjerëzore që s’do ketë shkrimtar me zemër që të marrë penën e të shkruajë tragjedinë tonë të helamtisur me gjak. Kjo vjershë epope, e cila i kushtohet një gruaje çame, që ishte viktima e monarko- fashistëve grekë, të cilën e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrësisht, është pasqyra më e spikatur e atij krimi që tregon sesa pa mëshirë dora e thika greke u sul dhe mbi fëmijët dhe grate.

Fat-zezë kush bie në duart e tyre

Çfarë mënxyre

Më dogjën mishrat pak nga pak

E sytë më kullonin lotë dhe gjak

Ulërita sa munda dhe lypa mëshirë

Po kot, se strungari me shpirtin e nxirë,

Dëfrente, sadisti………, o gjëmë

Si digjej një mëmë!

Për mua do qe një vojtje më pak

Sikur menjëherë të zhdukesha në flake

Dhe zjarri, oh, zjarri, i ëmbël sheqer,

Sesa kur dejt m’i preku rreshteri

Më e dashur qe vdekja, më i ëmbël qe vreri

“paratë, paratë” ata gërthitnin.

Kështu më foli Sanije Bollati

Mornica, mornica, m’u ngjeth tërë shati,

E leshrat si drizë m’u ngritën përpjetë

Fytyra e saj u bë krejt e zbehtë

Dhe lotët si breshëri i shkonin ngadalë

Poet, o poet, për vojtjet e mia

Në qoftë se vërtet t’u dhimbs çamëria

Mbaj mend se ç’po të them, ta lë amanet:

“M’i thuaj Lutfiut, në është gjallë

që armën të marrë, të dali në ballë

e biri im të mos shkelet me këmbë

nga thundra e barbarit”

Kjo perlë poetike, e njohur fare pak nga publiku shqiptar, e poetit çam Gjergji Komino, i cili ka provuar edhe vetë mes të tjerëve fatin e zi të zbimit nga trojet e tyre, është një lapidary i një krimi të madh ku as komuniteti ndërkombëtar, por as vetë shqiptarët nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur që ka merituar.

Fabula e përrallës greke mbi ujkun dhe qengjin, sipas së cilës ujku i hakërrehej qengjit se më ke turbulluar ujin, ku qengji ende nuk kishte lerë, historia e zhvleftësoi si shumë pallavra të tjera të greqisë për të mbrojtur utopinë e saj të gënjeshtërta, me gjak shqiptari. Gjithë bota e mori vesh se nuk ishte shkaku i Daut Hoxhës dhe Çamëria që Italia sulmoi Greqinë. Daut Hoxha ishte një “casus bellis” dhe asgjë tjetër. Prandaj puna e Daut Hoxhës mbeti si përralla e qengjit me ujkun. Bota nuk ka se si ta justifikojë një krim të tillë të mbuluar, që është ndërkohë edhe një procedent i tillë, që gjakosi me mijëra vetë, i një gjendje të tillë e një turp të tillë, që shkon jek e jek me aktet më barabare hitlero-musoliniane. Por çamërit janë aq fajtorë për kolaboracionizëm me shkelësit (pse disa bejlerë të Çamërisë u bënë vegla të pushtuesit) se ishte fajtor edhe vetë populli grek që nxorri Zervën, Ralisin dhe gjithë ata që dje kanë bërë një politikë fashiste.

Dhjetor 2000

Marrë nga libri autorit “Dritëhije-shqiptaro-Greke”

Filed Under: Interviste

Shteti helen shkel “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”

June 22, 2024 by s p

NATO t’i kërkojë llogari Greqisë, për Ligjin e Luftës me Shqipërinë, çështja çame, ende e pazgjidhur./

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Çështja çame mbetet të jetë një nga ngjarjet më të ndjeshme në historinë e kombit tonë, e cila mbart me vete shumë dhimbje, tortura, humbje të mëdha në njerëz, grabitje të pronave dhe nëpërkëmbje të identitetit të popullsisë shqiptare, në Jug të vendit. Ajo që është akoma më e dhimbshme dhe e turpshme, është se në ditët e sotme mbetet ende e pazgjidhur si çështje, duke “legjitimuar” krimet dhe padrejtësinë e shtetit grek ndaj popullsisë shqiptare çame. Ashtu si në shumë raste të caktuara, edhe këtë herë, ishin Fuqitë e Mëdha ato që u tallën dhe i hapën rrugën padrejtësive në kurriz të popullsisë shqiptare, duke i dhënë dritën jeshile Greqisë për të aneksuar Çamërinë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1913. Pas suksesit të shteteve ballkanike ndaj Perandorisë Osmane, Konferenca e Paqes do të shpërndante tokat, duke kënaqur vendet pjesëmarrëse në luftë, në këtë rast edhe Greqinë. Interesat ogurzeza të “kokave” të larta të botës nuk morën parasysh dëmet e mëdha që iu shkaktuan shqiptarëve, duke nisur që nga krimet çnjerëzore e deri te grabitja e pronës. 27 Qershori i vitit 1944 do të shënonte agresionin më të egër të Greqisë ndaj shqiptarëve, kur forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë, burra, gra dhe femijë.

Greqia vijon ende të shkelë sot “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, duke mos kërkuar falje publike për 2900 viktimat, për 40.000 vetat e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura. Greqia mashtron edhe me tekstet shkollore, ku iu mëson fëmijëve grekë për 8 mijë varret boshe greke, të hapura prej popullsisë shqiptare, duke mbjellë urrejtje dhe shtrembërim të informacionit te brezat e rinj. Aq më keq akoma kur mban në fuqi Ligjin e Luftës të vitit 1940 me Shqipërinë; ky është paradoksi më i madh se si një vend anëtar i NATO-s i ka shpallur luftë një vendi tjetër po anëtar të kësaj organizate. Nëse SHBA do të ftonte në bisedime krerët e politikës së jashtme shqiptare dhe greke, ky ligj do të hiqej brenda një sekondi. Greqia ka përfituar nga lëshimet që i janë bërë, dhe e përdor këtë ligj sa herë që i duhet për t’i bërë presion Shqipërisë. Greqia ka patur mbështetje të madhe nga SHBA, Britania, Gjermania, të cilat nuk e lanë të binte në kthetrat e ekspansionit rus, ndërsa Shqipëria bëri shumë hapa mbrapa me vendosjen e diktaturës komuniste nga Enver Hoxha. Një Greqi e hapur dhe e zhvilluar ekonomikisht, e kishte më të lehtë të bënte lojë të poshtër politike me Shqipërinë e varfër dhe pa mbështetje. Nuk ka asnjë lloj ndjeshmërie, kurrfarë interesi, as nga politika shqiptare për të lëvizur gurët në drejtim të çështjes çame. Edhe pse kemi një parti çame në politikë, PDIU, ku u duk se do t’i hapej drita jeshile çështjes më të ndjeshme në Jug të vendit, për t’u ulur në bisedime me krerët e politikës greke, por gjithçka ka mbetur në tentativë për shkak të interesave politike.

Qeveria e kryeministrit Andrea Papandreu, në vitin 1987, e hoqi Ligjin, por Kuvendi i Greqisë e rrëzoi duke bërë një lojë të pistë. Siç dihet edhe nga faktete historike, Greqia i ka shpallur luftë Shqipërisë, pasi Italia i dha ultimatumin Greqisë të pranonte pushtimin. Kështu, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë, më 28 tetor 1940. Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni. Tetë divizione të përbërë nga 140000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë, Konstandin, nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve, pasuri armike”. Njëkohësisht, të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”.

Nuk mund të përmendim vetëm masakrën e ushtrisë greke, me gjeneral Napolon Zerva, të viteve 1944-1945, por duhet të theksojmë se genocidi në Çamëri ka filluar që në vitin 1913, 1918, 1924, 1936. Greqia mohon njohjen e pakicës kombëtare shqiptare dalë nga Marrëveshja e Lozanës 1923-1924. Sipas studimeve, vetëm në Greqinë e Veriut, në 1913, ka patur rreth 100 fshatra që flitej gjuha shqipe, ndërsa sot kemi rreth 40 fshatra që ende flitet shqip. Bëhet fjalë për Kosturin, Follorinën, Edesën, Selanikun e deri në Evros në kufirin greko-turk të Trakës. Greqia është një nga shtetet më raciste, e cila duhet të fillojë punën nga vetja, dhe më pas të kërkojë falje për krimet ndaj shqiptarëve dhe t’u kthejë atë që u takon.

Filed Under: Interviste

Letër e hapur Ambasadorit gjerman Joern Rohde

June 19, 2024 by s p

Prof.Dr. Sylë Ukshini/

Ambasador i dashur, unë jam i vetëdijshëm që ju transmetoni qëndrimin zyrtar të Berlinit zyrtar, të një vendi që e ka njohur pavarësinë e Kosovës 16 vite më parë. Sigurisht ne vlerësojmë kontributin e madh ndër dekada për lirinë e Kosovës dhe për procesin e shtetndërtimit. Por, ka edhe disa gjëra që duhet të thuhen hapur mes miqsh, koncesionet që po i kërkohen Kosovës janë bërë të tepërta para dhe sidomos pas pavarësisë, përkatësisht nga 6 pikëshi i Ban Ki-moonit në dhjetor 2008 e deri me të ashtuquajturën çështje e dinarit serb.

A nuk është tallje dhe përçmuese për Kosovën të dëgjojë fjalë të tilla nga një ambasador i cili vjen nga vendi që 35 vjet më parë rrënoi Murin e Berlinit. A nuk është tallje që një barrikadë e tillë mbi lumin e tillë nga strukturat kriminale dhe mbetjet e regjimit të Milosheviqit të justifikohet nga ambasadorët e vendeve të BE-së.

Zoti Ambasador

Ju keni qenë me detyrë konsulli, ndërsa unë të zëvendësshefit të misionit diplomati, kur 9 vite më

parë, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit, e cila kishte nisur zbatimin më 17 tetor 2015. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e revitalizimit të urës e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, kur ura e Mitrovicës duhej të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Asokohe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kishin vlerësuar lartë nismën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje duke theksuar rëndësinë e saj politike dhe të sigurisë për vendin tonë. E tash jemi në qershor të vitit 2024, ndërsa Ju flisni se “zgjidhja për Urën e Ibrit është në Bruksel”!

Zoti Ambasador,

Me këtë dinamikë breshke nuk ecet askund, nëse OKB-së i ishin të nevojshme dy vite për adresimin e statusit final të Kosovës (2006-2007), BE-ja që 13 vite po merren a duhet të paguajnë serbët rrymën e shpenzuar, a duhet të bartin targat e Kosovës apo ato të lëshuara nga një shtet tjetër!

Po te aplikohej modeli i negociatave të Brukselit pas Luftës se Dytë Botërore Franca dhe Gjermania do te mbërrinin ne vitin 1970 dhe do te arrinin marrëveshje që makinat me targat e Berlinit te hynin ne Paris dhe ato të Parisit te hynin ne Berlin dhe kështu 25 vite do te kalonin ne mes te Franceze dhe Gjermaneve qe te arrinin marrëveshje për kalimin nga një vend ne vendin tjetër me targat e tyre. Dhe po ashtu ne vitin 1970 do te bisedonin për Strasburgun apo Alsass Lothringen-it a është territor i Gjerman apo Francez dhe cilat targat të makinave duhej të vlenin, franceze apo gjermane.

Prandaj, ka pak vend për krekosje edhe në Bruksel, ashtu si edhe në Kosovë, e për Beogradin të mos flasim, pasi atje akoma akuzohet pse Milosheviqi nuk arriti të krijonte Serbinë e Madhe.

Nuk e kam të qartë përse kërkoni nga Kosova diçka që nuk kërkohet as në vendet tjera evropiane apo të rajonit.

Është e vërtetë që na keni ndihmuar të çlirohemi nga një e keqe e madhe në rajon, nga regjimi i Milosheviqit. Por, mos harroni se edhe Evropën, edhe vendin tuaj, Gjermaninë, e ndihmuan aleatët perëndimor nën drejtimin e SHBA-së (D-Day) që të çliroheni nga keqja hitleriane. Krejt historia evropiane dhe rajonale ka qenë e shoqëruar nga histori të tilla, pra nuk është se vetëm Kosova e gëzoi me shumë vonesë një përkrahje të drejtë dhe të duhur në momentin kur po kërcënohej me zhbërje nga një regjim hegjemonist dhe me një doktrinë gjenocidale. Por, për dallim nga Gjermania, Serbia u bombardua, por doktrina serbomadhe mbeti e padënuar.

Zoti Ambasador

A nuk do ishte mirë të na thoni ku mbeti Marrëveshja Gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbia.

A do të ishte mirë të na thuhet se cilat është politika e jashtme e përbashkët dhe e sigurisë e BE-së në kohën disa vende të BE-së bashkohen me pozicionin rus, iranian, kubanez, koreane veriore ndaj Kosovës, por BE-ja vazhdon të jetë fasilituese e dialogut të Brukselit.

A do të ishte mirë nëse pesë vendet e injorojnë vendimin e GJND-së për pavarësinë Kosovës shkon në favor të etablimit të të Perëndimit në rajon apo favorizon qëndrimin rus në rajon.

A nuk është fyese që edhe 25 pas çlirimit të Kosovës të kërkohet rikthimi në qarkullim i monedhës serbe, pasi aplimi i Euro-së së BE paraqet “rrezik për krizë humanitare” në veri të vendit. Si na qenka e pranueshme EURO-ja për pagat dhe privilegjet e Listës Serbe, por rrezik për qytetarët e thjeshtë. Një pyetje, ndihmat dhe bonuese që merr regjimi serb i Beogradit nga BE-ja janë në EURO apo në dinar? Ndalni këtë stil përçmues të bërjes politikë, sepse edhe nëse jemi ballkanas, na pëlqeni kur dëshironi të na merrni pa asnjë investim mjekët, ekspertët e It-së si dhe punëtorët e krahut! Edhe pse jemi ballkanas fëmijët tanë janë po aq kreativ dhe po aq të shkathët sa fëmijët tuaj në Evropë, por vonesa jonë është edhe për fajin e evropianëve, të cilët nuk hezitonin ta njihnin shtetin e Milsheviqit(1996) edhe atëherë kur shqiptarëve u mohohej e drejta për përdorimit të gjuhës shqipe, kur u ndalohej shkollimi në gjuhën amtare, edhe kur u mohohej e drejta për media në gjuhën shqipe, edhe atëherë kur u mohohej e drejta për punë, për kujdes mjekësor, dhe e drejta për jetë. Pra, nuk jeni krejt pa faje për katër luftërat dhe katrahurën që bëri Beogradi në vitet 1989-199!

Pra, në vend të deklaratave boshe, Kosova ka nevojë për përkrahje të sinqertë dhe jo për trupa që minojnë bazamentin e shtetësisë, siç është Gjykata Speciale e Hagës, e cila jashtë çdo standardit evropian ka marrë mision që spastrimin etnik, vrasjet masive dhe përndjekjen e shqiptarëve për shumë dekada ta barazoj me vrasjet e pretenduara individuale.

Zoti Ambasador, JU e dini që pas Luftës së Dytë Botërore nga Evropa Lindore u dëbuan dhe u përndjekjen 15 milion gjermanë, pati edhe vrasje edhe përdhunime në zemër të Berlinit, madje edhe Dresdeni u bombardua deri në themel, dhe aleatët antifashistë nuk thanë se duhet të formohet në Gjykatë Speciale në Nyremberg dhe aty të gjykoheshin liderët e vendeve të koalicionit antifashist. U tha se këto krime ishin pasojë e luftës dhe jo qëllimi i luftës.

Ndërkaq, ndaj Kosovë ka patur një qasje shumë të padrejtë dhe asimetrike, ka pasur një dëshirë të zjarrtë për të krijuar një simetri mes krimit shtetëror serb dhe krimeve dhe disa vrasjeve eventuale, kryesisht të ndodhura pas lufte, në kohën kur pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv e kishin OKB dhe NATO.

Zoti Ambasador, ju mund të thoni çfarëdo, por një gjë duhet ta dini, normalizimin i marrëdhënieve nuk mund të bëhet me një dialog të tillë të Brukselit, as duke e amnistuar Beogradin si në rastin e agresionit ushtarak në Banjskë. Normalizimi arrihet në Bruksel dhe në Washinton. Vetëm hapja e perspektivës së anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti rajonal. Prandaj, BE-ja, nëse dëshiron të jetë një ndërmjetës i paanshëm, atëherë duhet të kërkojë nga 5 vendet e BE-së njohjen e Kosovës mbi bazën e dokumentit të Ahtisaarit dhe të opinionin të GJND-së.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 216
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT