
Rafaela Prifti/
Sot u festua Dita e Arkitekturës së Peizazhit në fermën Uka, Laknas, Tiranë. Meqenëse është një disiplinë e re shkencore e Arkitekturës në Shqipëri, një ditë si kjo e bën atë pjesë të jetës sonë, thonë organizatorët nga Departmenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Shoqata e Arkitektëve të Peizazhit e Shqipërisë dhe Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit.
Ky është një art më vete i ndërthurjes së objekteve apo strukturave me mjedisin natyror që lidhet drejtperdrejt me mirëqenien e shoqërisë.
Ndonëse programi i studimeve në Arkitekturën e Peizazhit në UBT ka mbushur dhjetë vjet, studentët që kanë kryer një cikël të plotë në këtë fushë kanë filluar në vitin 2018. Profesori i Universitetit Bujqësor Zydi Teqja thotë se “numri i specialistëve të këtij profesioni të ri sot është rreth 30-40. Për të diplomuarit ka fusha të gjera punësimi që nga ndërmarrjet të cilat merren me hapësirat publike deri te studiot e projektimit.”
“Këtë vit akademik për herë të parë filloi zbatimi i programit Diplomë Duale në Arkitekturë Peizazhi me Universitetin e Viterbos, Itali, që ju jep mundësi studentëve që regjistrohen në këtë program të pajisen edhe me një diplomë të vendeve të BE-së,” thuhet në njoftimin për shtyp.
Punimet e studentëve të Arkitekturës së Peizazhit u paraqitën në hapësirë të hapur në Laknas, tetë kilometra nga Tirana, në festimin e sotëm. Brezi i njëzet vjeçarëve është grup demografik i interesuar për ekologjinë e projektimeve rezidenciale si edhe të hapësirave publike të lidhura në mënyrë të pandarë me natyrën, që është thelbi i Arkitekturës së Peizazhit dhe për të cilën Shqipëria ka shumë nevojë.
Sa për kuriozitet, koncepti i arkitekturës së kopshtarisë – term i viteve 1800 – kishte të bënte projektime masive të pallateve mbretërore, parqeve, objekteve fetare etj. Në vitin 1828, tregtari skocez dhe kujdestar i agrikulturës krijoi togfjalëshin “arkitekturë peizazhi” që hyri në përdorim të gjerë nga John Claudius Loudon, botanist, kopshtar dhe autor skocez.
Arkitektët e peizazhit ndërtojnë hapësira që ju shërbejnë të gjithëve që nga rrugëkalimet panoramike, lagje dhe parqe, deri te autostradat.