• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër e hapur Ambasadorit gjerman Joern Rohde

June 19, 2024 by s p

Prof.Dr. Sylë Ukshini/

Ambasador i dashur, unë jam i vetëdijshëm që ju transmetoni qëndrimin zyrtar të Berlinit zyrtar, të një vendi që e ka njohur pavarësinë e Kosovës 16 vite më parë. Sigurisht ne vlerësojmë kontributin e madh ndër dekada për lirinë e Kosovës dhe për procesin e shtetndërtimit. Por, ka edhe disa gjëra që duhet të thuhen hapur mes miqsh, koncesionet që po i kërkohen Kosovës janë bërë të tepërta para dhe sidomos pas pavarësisë, përkatësisht nga 6 pikëshi i Ban Ki-moonit në dhjetor 2008 e deri me të ashtuquajturën çështje e dinarit serb.

A nuk është tallje dhe përçmuese për Kosovën të dëgjojë fjalë të tilla nga një ambasador i cili vjen nga vendi që 35 vjet më parë rrënoi Murin e Berlinit. A nuk është tallje që një barrikadë e tillë mbi lumin e tillë nga strukturat kriminale dhe mbetjet e regjimit të Milosheviqit të justifikohet nga ambasadorët e vendeve të BE-së.

Zoti Ambasador

Ju keni qenë me detyrë konsulli, ndërsa unë të zëvendësshefit të misionit diplomati, kur 9 vite më

parë, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit, e cila kishte nisur zbatimin më 17 tetor 2015. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e revitalizimit të urës e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, kur ura e Mitrovicës duhej të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Asokohe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kishin vlerësuar lartë nismën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje duke theksuar rëndësinë e saj politike dhe të sigurisë për vendin tonë. E tash jemi në qershor të vitit 2024, ndërsa Ju flisni se “zgjidhja për Urën e Ibrit është në Bruksel”!

Zoti Ambasador,

Me këtë dinamikë breshke nuk ecet askund, nëse OKB-së i ishin të nevojshme dy vite për adresimin e statusit final të Kosovës (2006-2007), BE-ja që 13 vite po merren a duhet të paguajnë serbët rrymën e shpenzuar, a duhet të bartin targat e Kosovës apo ato të lëshuara nga një shtet tjetër!

Po te aplikohej modeli i negociatave të Brukselit pas Luftës se Dytë Botërore Franca dhe Gjermania do te mbërrinin ne vitin 1970 dhe do te arrinin marrëveshje që makinat me targat e Berlinit te hynin ne Paris dhe ato të Parisit te hynin ne Berlin dhe kështu 25 vite do te kalonin ne mes te Franceze dhe Gjermaneve qe te arrinin marrëveshje për kalimin nga një vend ne vendin tjetër me targat e tyre. Dhe po ashtu ne vitin 1970 do te bisedonin për Strasburgun apo Alsass Lothringen-it a është territor i Gjerman apo Francez dhe cilat targat të makinave duhej të vlenin, franceze apo gjermane.

Prandaj, ka pak vend për krekosje edhe në Bruksel, ashtu si edhe në Kosovë, e për Beogradin të mos flasim, pasi atje akoma akuzohet pse Milosheviqi nuk arriti të krijonte Serbinë e Madhe.

Nuk e kam të qartë përse kërkoni nga Kosova diçka që nuk kërkohet as në vendet tjera evropiane apo të rajonit.

Është e vërtetë që na keni ndihmuar të çlirohemi nga një e keqe e madhe në rajon, nga regjimi i Milosheviqit. Por, mos harroni se edhe Evropën, edhe vendin tuaj, Gjermaninë, e ndihmuan aleatët perëndimor nën drejtimin e SHBA-së (D-Day) që të çliroheni nga keqja hitleriane. Krejt historia evropiane dhe rajonale ka qenë e shoqëruar nga histori të tilla, pra nuk është se vetëm Kosova e gëzoi me shumë vonesë një përkrahje të drejtë dhe të duhur në momentin kur po kërcënohej me zhbërje nga një regjim hegjemonist dhe me një doktrinë gjenocidale. Por, për dallim nga Gjermania, Serbia u bombardua, por doktrina serbomadhe mbeti e padënuar.

Zoti Ambasador

A nuk do ishte mirë të na thoni ku mbeti Marrëveshja Gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbia.

A do të ishte mirë të na thuhet se cilat është politika e jashtme e përbashkët dhe e sigurisë e BE-së në kohën disa vende të BE-së bashkohen me pozicionin rus, iranian, kubanez, koreane veriore ndaj Kosovës, por BE-ja vazhdon të jetë fasilituese e dialogut të Brukselit.

A do të ishte mirë nëse pesë vendet e injorojnë vendimin e GJND-së për pavarësinë Kosovës shkon në favor të etablimit të të Perëndimit në rajon apo favorizon qëndrimin rus në rajon.

A nuk është fyese që edhe 25 pas çlirimit të Kosovës të kërkohet rikthimi në qarkullim i monedhës serbe, pasi aplimi i Euro-së së BE paraqet “rrezik për krizë humanitare” në veri të vendit. Si na qenka e pranueshme EURO-ja për pagat dhe privilegjet e Listës Serbe, por rrezik për qytetarët e thjeshtë. Një pyetje, ndihmat dhe bonuese që merr regjimi serb i Beogradit nga BE-ja janë në EURO apo në dinar? Ndalni këtë stil përçmues të bërjes politikë, sepse edhe nëse jemi ballkanas, na pëlqeni kur dëshironi të na merrni pa asnjë investim mjekët, ekspertët e It-së si dhe punëtorët e krahut! Edhe pse jemi ballkanas fëmijët tanë janë po aq kreativ dhe po aq të shkathët sa fëmijët tuaj në Evropë, por vonesa jonë është edhe për fajin e evropianëve, të cilët nuk hezitonin ta njihnin shtetin e Milsheviqit(1996) edhe atëherë kur shqiptarëve u mohohej e drejta për përdorimit të gjuhës shqipe, kur u ndalohej shkollimi në gjuhën amtare, edhe kur u mohohej e drejta për media në gjuhën shqipe, edhe atëherë kur u mohohej e drejta për punë, për kujdes mjekësor, dhe e drejta për jetë. Pra, nuk jeni krejt pa faje për katër luftërat dhe katrahurën që bëri Beogradi në vitet 1989-199!

Pra, në vend të deklaratave boshe, Kosova ka nevojë për përkrahje të sinqertë dhe jo për trupa që minojnë bazamentin e shtetësisë, siç është Gjykata Speciale e Hagës, e cila jashtë çdo standardit evropian ka marrë mision që spastrimin etnik, vrasjet masive dhe përndjekjen e shqiptarëve për shumë dekada ta barazoj me vrasjet e pretenduara individuale.

Zoti Ambasador, JU e dini që pas Luftës së Dytë Botërore nga Evropa Lindore u dëbuan dhe u përndjekjen 15 milion gjermanë, pati edhe vrasje edhe përdhunime në zemër të Berlinit, madje edhe Dresdeni u bombardua deri në themel, dhe aleatët antifashistë nuk thanë se duhet të formohet në Gjykatë Speciale në Nyremberg dhe aty të gjykoheshin liderët e vendeve të koalicionit antifashist. U tha se këto krime ishin pasojë e luftës dhe jo qëllimi i luftës.

Ndërkaq, ndaj Kosovë ka patur një qasje shumë të padrejtë dhe asimetrike, ka pasur një dëshirë të zjarrtë për të krijuar një simetri mes krimit shtetëror serb dhe krimeve dhe disa vrasjeve eventuale, kryesisht të ndodhura pas lufte, në kohën kur pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv e kishin OKB dhe NATO.

Zoti Ambasador, ju mund të thoni çfarëdo, por një gjë duhet ta dini, normalizimin i marrëdhënieve nuk mund të bëhet me një dialog të tillë të Brukselit, as duke e amnistuar Beogradin si në rastin e agresionit ushtarak në Banjskë. Normalizimi arrihet në Bruksel dhe në Washinton. Vetëm hapja e perspektivës së anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti rajonal. Prandaj, BE-ja, nëse dëshiron të jetë një ndërmjetës i paanshëm, atëherë duhet të kërkojë nga 5 vendet e BE-së njohjen e Kosovës mbi bazën e dokumentit të Ahtisaarit dhe të opinionin të GJND-së.

Filed Under: Interviste

25 VJETORI I ÇLIRIMIT TË KOSOVËS, NJË NXITJE SHTESË PËR KONSOLIDIM SHTETËROR E EKONOMIK

June 13, 2024 by s p

Me rezistencën e armatosur të viteve 1998/99 dhe sidomos me aktin e sakrificës vetëflijuese të familjes Jashari, e personifikuar përmes figurës titanike të Adem Jasharit, Kosova njëherë e përgjithmonë me ndihmën edhe të aleatëve e miqëve të saj, e mori fatin në duarte veta, duke i shndërruar gabimet historike në favore gjeopolitike për veten dhe për rajonin. Sepse me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, jo vetëm që po mbyllej një vrimë e zezë në Ballkanin Jugprendimor, por po rivendosej një balancë e re e faktorëve politik e kombëtar në Ballkan.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Sot kur kujtojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, si historian dhe si intelektual, e kemi të domosdoshme të bëjmë një bilanc të shkurtër vlerësimesh mbi rrugëtimin e kësaj pjese të kombit, që padrejtësisht kishte ngelur jashtë tërësisë etnike dhe për afro gjysëm shekulli kishte bërë jetë paralele në regjime të ndryshme serbo-jugosllave.

Për historinë, 25 vjet janë pak, por për një komb të ndarë, 25 vjet liri janë një infuzion i çmuar për rimëkëmbjen kombëtare, kulturore, ekonomike e shtetërore, siç ndodhi edhe me Kosovën brenda këtij çerek shekulli, një hark kohor ky i nevojshëm për konsolidimin shtetëror dhe për ndërtimin e strategjive mbi të ardhmen në kuadër të proceseve euro-atlantike.

Ditë më parë, konkretisht më 9 qershor në kalendarin e kujtesës sonë kolektive, para plot 25 viteve në një aeroport sportiv në afërsi të Kumanovës, Serbia nënshkroi kapitulimin pas 78 ditësh sa zgjati bombardimi i NATO-s mbi makinerinë luftarake të regjimi të Milloshevitit dhe me këtë iu dha fund aventures hegjemoniste gati një shekullore të Serbisë në Kosovë.

Kumanova në memorien serbe i ka dy kuptime – në njërën anë frymën triumfaliste pas Betejës së Kumanovës në vitin 1912, atëherë kur Serbia përmes ekspansioneve mbi tokat e fqinjëve e ngriti perandorinë e vet pushtuese, dhe në anën tjetër, gjunjëzimin pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, që solli edhe shkëputjen defintive të lidhjeve shtetërore-adminstrative të Serbisë me Kosovën.

Gjenaralët dhe politikanët serbë, Marrëveshjen e Kumanovës nuk do të donin asnjëherë ta regjistronin në kalendarin e ngjarjeve historike, sepse kjo datë atyre ua kujton humbjen përfundimtare të Kosovës. Kjo datë, për memorien kolektive serbe, është gozhda e fundit me të cilën po mbyllej një histori e errët, e mbushur me vrasje, shpërngulje, djegie e shkatërrime në Kosovë, por në anën tjetër, Marrëveshja e Kumanovës për historinë më të re të Kosovës paraqet ngjarjen më domethënëse që solli kthesën e madhe, duke krijuar një realitet të ri në terren, dhe një perspektivë krejt tjetër për popullin e Kosovës.

Paqja e munguar dhe liria e shumëpritur, ishte mbi të gjitha faqja e re e këtij realiteti, e cila po shkruhej me ngjyrën e kuqe të dëshmorëve të rënë në luftën heroike të UÇK-së. Pa këtë luftë dhe pa rezistencën afatgjate të popullit të Kosovës, liria jo vetëm që do të vonohej, por ajo ka rrezikuar të zëvendësohej me ndonjë robëri të re.

Tani kur kujtojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, gjeneratat e reja të lindura brenda këtij çerek shekulli, do të duhej ta dinin se rrënjët e kësaj lirie datojnë shumë më herët. Kthesa e madhe që ndodhi në qershor të vitit 1999, ishte rrjedhojë logjike e ngjarjeve e momenteve historike të cilat cilat kishin ndodhur edhe para 25 viteve, madje qysh pas LDB, atëherë kur pakënaqësia e shqiptarëve të Kosovës të tradhëtuar nga klikat shoveniste serbo-jugosllave kishte filluar të kanalizohej në forma ilegale dhe në rrugë alternative, që si pikësynim kishte formimin e një vetëdije të re politike e kombëtare të shqiptarëve.

Vitet pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë – NDSH, Grupi për bashkim i Adem Demaçit, demonstrat e1981-shit, janë kapituj shumë të rëndësishëm të rrugëtimit tonë si komb, ku dominonte fryma e mobilizimit kombëtar për një kthesë të madhe që duhej të ndodhte në fund të viteve nëntëdhjetë, atëherë kur gjithë ky rrugëtim u sublimua në tri shkronja – UÇK.

Me rezistencën e armatosur të viteve 1998/99 dhe sidomos me aktin e sakrificës vetëflijuese të familjes Jashari, e personifikuar përmes figurës titanike të Adem Jasharit, Kosova njëherë e përgjithmonë me ndihmën edhe të aleatëve e miqëve të saj, e mori fatin në duarte veta, duke i shndërruar gabimet historike në favore gjeopolitike për veten dhe për rajonin. Sepse me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, jo vetëm që po mbyllej një vrimë e zezë në Ballkanin Jugprendimor, por po rivendosej një balancë e re e faktorëve politik e kombëtar në Ballkan.

Përvjetorët si ky, përpos karakterit festiv, do të duhej të kenë në vete edhe dimensionin e reflektimit mbi hapat e mëtejmë që duhet hedhur. Kosova lirinë e fituar me gjak e sakrifica duhet ta begatojë me politika kreative shtetndërtuese, duke e bazuar gjithë potencialin institucional e shoqëror në tri shtylla: në forcimin dhe rrumbullaksimin e sovranitetit të plotë në gjithë territorin, në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik e social dhe në konsolidimin e aftësive dhe resurseve të sigurisë.

Duke e konsideruar të mirëqenë aleancën strategjike me qendrat e vendosjes ndërkombëtare, Kosova do ta ketë të sigurt rrugëtimin e saj euro-atlantik nëse i qëndron fuqishëm kursit të reformave institucionale e administrative, luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe ngritjes së kapaciteteve zhvillimore-ekonomike e industriale.

Liria e Kosovës ka çmim dhe në 25 vjetorin e çlirimit ky çmim merr një kuptim të plotë, pasi që frytet e sakrificave sublime tani mund t’i shohim të integruara në jetën e përgjithshme institucionale, shoqërore, ekonimie e kulturore.

Lavdi të rënëve dhe patriotëve të shumtë që sakrifikuan për lirinë e Kosovës!

E përjetshme qoftë Kosova!

(Fjalë e mbajtur në Konferencën shekncore “KOSOVA 1989-1999: ORGANIZIMI DHE QËNDRESA PËR ÇLIRIM” në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë).

Filed Under: Interviste

Ekskluzive: Biseda e dy presidentëve të superfuqive, Klinton ka besim në UÇK-në se e mban fjalën!

June 12, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Biseda në mes të presidentit Bill Klinton dhe Boris Jelcin, e zhvilluar më 14 qershor 1999, është dëshmi se besimit të presidentit Klinton ndaj zotimeve të UÇK-së se nuk do të sulmojë trupat ruse në Kosovë.

Biseda është marrë nga arkiva e presidentit Klinton, si dokument i deklasifikuar, dhe ka rëndësi për besimin e presidentit Klinton ndaj UÇK-së, me rastin e shprehjes së shqetësimeve të presidentit rus, Boris Jelcin për trupat ruse.

Biseda mes dy presidentëve të dy superfuqive, është zhvilluar më 14 qershor 1999, nga ora 10:06 deri në orën 10:36.

Më poshtë, është përkthimi i plotë i bisedës së presidentit Bill Klinton dhe Boris Jelcin, i identifikuare si dokument nr. 5128, dokument i deklasifikuar nr. E.O. 13526.

MEMORANDUMI I BISEDËS TELEFONIKE

Subjekti: Biseda telefonike me presidentin rus Jelcin (Yeltsin)

Pjesëmarrësit: Presidenti ( i Shteteve të Bashkuara) – Presidenti Jelcin

Interpretuesi: Nikolai Sorokin

Marrësit e shënimeve: Xhol Shrejder (Joel Schrader), Majls Mërfi

(Miles Murphy), Mat Sibli (Matt Sibley), Xhol Erendreik (Joel

Ehrendreich), Roxher Merleti (Roger Merletti), Dag Bejli (Doug

Bayley), dhe Andrju Uais (Andrew Weiss)

Data-Kkoha: 14 qershor 1999, 10:06 – 10:32 a.m.

Vendi: Zyra Ovale

Presidenti (SHBA): Përshëndetje.

Presidenti Jelcin: Mirëmëngjesi, Bill.

Presidenti (SHBA): Mirëmëngjesi Boris. dje, unë dhe ju ramë dakord për t’i udhëzuar gjeneralët tanë të takohen dhe të zgjidhin problemin e komandimit në aeroport dhe të na raportojnë neve se çfarë kanë zgjidhur. Isha mjaft i dëshpëruar.

Presidenti Jelcin: Po, ata kanë bërë. Ata u takuan dje, dhe unë i dhashë udhëzime të mbajnë negocimet e nevojshme për të mbërritur deri në një marrëveshje në lidhje me rregulloret e ekipit mbështetës për prezencën ruse në aeroportin e Sllatinës, afër Prishtinës. Dhe ne vazhdojmë me kuptimin se ky grup, në kuadrin e fazës së parë, do të mbetet në aeroport dhe do të funksionojë në interesat e forcës së sigurisë ndërkombëtare. Dhe bashkëpunimi i grupit me komandantët e forcave ndërkombëtare të paqes do të portretizohet në bazë të formulës së marrëveshjes së Bosnjës. Forcat që nuk janë aty ende, për të siguruar funksionimin e plotë të grupit, do të vendosen pasi të arrihet marrëveshja dhe në kuadrin e koordinimit me gjeneralin Xhekson (Jackson). Gjenerali Zavarzin dhe Xhekson, tashmë kanë shkëmbyer oficerë ndërlidhës. Ata kanë diskutuar për problemet e sigurimit të sigurisë të personelit të kontigjentit rus. Kam udhëzuar gjeneralin Zavarzin, të arrijë një marrëveshje që parashikon funksionimin e përbashkët të aeroportit të Sllatinës. Një shembull i tillë i përdorimit, të përdorimit të qartë, mund të jetë operacioni i përbashkët në aeroportin Tuzla në Bosnjë. Megjithatë, në këtë rast, pozicionet e kontrollit duhet të mbahen nga Rusia. Dhe është e rëndësisë ekstreme, në dy apo tri ditët e ardhshme, të kemi përfunduar procesin e arritjes së një marrëveshjes për çështjen kryesore të vendosjes së turpave të kontigjenit rus nën komandat e bashkuara, gjatë fazës së dytë të fushës së plotë të operacionit të ruajtjes së paqes. Një marrëveshje e tillë e Pistës 2, apo fazës së dytë, duhet të arrihet në nivelin e ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme, dhe të na raportohet te ne para mbledhjes në Kyln (Cologne).

Në këtë lidhje, e konsideroj shumë të rëndësishme që ministrat e mbrojtjes të takohen nesër apo më së largu pasnesër, në një vend që është i pranueshëm për ata. Nëse sekretari Kohen është i përgatitur, atëherë ministri i mbrojtjes Sergejev (Sergeyev) do të jetë i përgatitut për ta mirëpritur atë në Moskë dhe të takohen aty. Unë po vazhdoj nga mirëkuptimii që, pasi të kemi arritur marrë veshje të tilla mbi çështjen parimore për rregullimin në Kosovë, ajo do të na mundësonte neve të mos e mbingarkojmë agjendën e bisedës sonë në Kyln (Cologne). Në atë rast, ne do të ishim në pozitën për të vendosur vëmendjen tonë në bashkëpunimin ruso-amerikan, për fusha të tjera të rëndësishme. Dua të paraqes edhe një problem për benefitet tuaja, në lidhje me Kosovën. Nëse masat, masat në kohë, nuk mirren atëherë marrëveshja mund të jetë në zgrip, mund të rrezikohet. Çfarë nënkuptohet nga kjo, janë veprimet provokative të të ashtuquajturës Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne vazhdimisht kemi thënë, dhe të gjithë antarët tjerë të G-8 janë pajtuar, se një situatë e tillë nuk mund të lejohet të materializohet ashtu që kthimi i refugjatëve shqiptarë në Kosovë mund dhe do të rezultojë në dëbimin e përfaqësuesve të kombësive të tjera. Për fat të keq, kjo veçse është duke ndodhur. Dhe përgjegjësia kryesore është tek militantët shqiptarë. Kjo është edhe arsye e zhgënjimit tim, që në fakt paqeruajtësit në Kosovë kanë mbyllur njërin sy ndaj këtyre ngjarjeve. Si rezultat i saj, kur kjo ka vazhduar kaq gjatë, është se militantët kanë filluar të kërcënojnë paqeruajtësit rusë. Dhe ju mund t’i imagjinoni rezultatet nëse këto kërcënime bëhen realitet. Zonja Ollbrajt (Albright), e siguroi Ivanovin se punë e nevojshme është bërë në lidhje me liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë dua t’ju kërkoj, ta merrni këtë çështje nën kontrollin e tuaj personal. Kjo është gjitha që doja ta thoja. Presidenti (SHBA): Së pari më lejoni të them se në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ne kemi mësuar për një tentative sulmi kundër Rusisë dhe u kemi thënë atyre se nuk do të tolerojmë sulme ndaj forcave tuaja, dhe UÇK u pajtua se nuk do të realizonin sulmin. Mirëpo, është e rëndësishme të kuptohet pse ata dëshironin ta bënin këtë sulm. Ata besojnë se ngërçi në aeroport do të parandalojë që KFOR të veprojë efektivisht. Ata besojnë se ju keni ardhur në Kosovë për të mbrojtur Serbinë, e jo të bëheni pjesë e forcës ndërkombëtare. Ne ua kemi bërë të qartë se nuk do të tolerojmë sulme kundër forcave ruse. Ne duhet ta zgjidhim këtë ose duhet të presim probleme. Ne duhet të zgjidhim problemin e aeroportit. Tani, ajo se çfarë keni thënë sot për aeroportin është mirë. Pra, mund të operohet në bashkëpunim dhe qasja t’ju garantohet, mirëpo kjo nuk ishte ajo se çka u prezantua nga mbledhja në mes gjeneralit Xhekson dhe gjeneralit të juaj. Pra, bazuar në atë se çka ju më thatë mua, dhe bisedës që Algori (Al Gore) dhe Stepashin patën, gjenerali duhet t’i marrë ato udhëzime në mënyrë që ta zgjidhim këtë çështje sot.

Presidenti Jelcin: Mirëpo, ajo nuk ishte marrëveshja jonë. Së pari, duhet të arrihet marrëveshja dhe pastaj ne menjëherë duhet t’i japim udhëzimet. Presidenti (SHBA): Pajtohem. Ajo çfarë unë po them, nese ne jemi duke u pajtuar për këtë, le të kalojë nëpër pika dhe të shohim nëse kemi një marrëveshje.

Presidenti Jelcin: Në rregull.

Presidenti (SHBA): Së pari, do të ketë një vendosje të përkohshme të trupave, afatshkurtër, duke përdorur modelin e Bosnjës, e cila do të përfshijë një komponentë ruse në aeroport. Së dyti, ngërçi në aeroport do të zgjidhet. Trupat ruse do të qëndrojnë aty, por nuk do të ketë vendosje të reja të trupave deri sa të biem dakord. Së treti, ministrat tanë të mbrojtjes do të takohen për të bërë një marrëveshje afatgjatë për pjesëmarrjen ruse, kështu që ne mund të kemi një takim në Kyln (Cologne) dhe ta ratifikojmë.

Presidenti Jelcin: Pajtohem.

Presidenti (SHBA): Do të doja të ——-

Presidenti Jelcin: E them drejtpërdrejt dhe qartazi se pajtohem.

Presidenti (SHBA): Do të doja të diskutonim edhe për një pikë ose dy, nëse më lejohet. Para së gjithash, do të doja të propozoja që sekretari Kohen dhe ministri Sergejev të takohen në Helsinki, sepse e di që ne e kemi diskutuar këtë më z. Stepashin, dhe ia kam përmendur këtë presidentit Ahtisari, dhe ai ka rënë dakord për ta bërë këtë, prandaj mendoj se ata duhet të takohen atje.

Presidenti Jelcin: Pajtohem dhe do të lëshoj udhëzimet e duhura.

Presidenti (SHBA): Kjo është e mrekullueshme. Gjëja tjetër që doja ta thoja është se unë do të punoj shumë në këtë. Duhet të ketë një rol të drejtë dhe përgjegjës për Rusinë në këtë operacion dhe janë disa çështje më ndryshe se në Bosnjë, dhe i kam disa ide të cilat do t’ia kaloj sekreatrit Kohen dhe do të përpiqem t’i realizoj në mënyrë që ju të jeni të kënaqur dhe që misioni të jetë i suksesshëm. Por, mendoj se është shumë e rëndësishme që ne vendosim disa kushte në mënyrë që misioni të ketë sukses. Prandaj, duhet të biem dakord për kushtet e komandimit të përbashkët, por që të jetë e pranueshme edhe nga ana juaj. Mendoj se mund ta bëjmë këtë. Unë të përkushtohem se do të sigurojmë një rol të barabartë dhe përgjegjës për Rusinë, e që do të jetë e vlefshme edhe për interesat dhe kapacitetet e juaja për të kontribuar. Janë

disa gjëra që askush tjetër nuk mund t’i bëj, dhe ju na duheni aty. Është shumë e rëndësishme.

Presidenti Jelcin: A ishin të gjitha këto çështjet që ju dëshironi t’i

diskutonit me mua?

Presidenti (SHBA): Po këto ishin.

Presidenti Jelcin: Atëherë më duhet të them se pajtohem plotësisht me ju, dhe se do të jap udhëzime të duhura dhe pastaj këto udhëzime do të zbatohen në veprime.

Presidenti (SHBA) : Faleminderit shumë, Boris. Do të jem duke e pritur takimin tonë në Kyln (Cologne). Do ta zgjidhim këtë çështje dhe do të jetë gjë e mirë. Presidenti Jelcin: Shumë mirë, shumë mirë. Bill, jam shumë i gëzuar që kemi zgjidhur këto probleme, që nuk shkelin interesat e partnerëve të tjerë.

Presidenti (SHBA): Mirë Boris, shihemi së shpejti.

Presidenti Jelcin: Deri në takimin tonë.

Presidenti (SHBA): Mirupafshim!

Presidenti Yeltsin: Mirupafshim, Bill! Të mbështes.

– Fundi i bisedës –

Filed Under: Interviste

ÇELËSI SHQIPTAR NË SHKODËR DHE POEZIA…

June 8, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

Nuk mund të rrija pa shkruar, pa sjellë dhe poezinë…

Vepra monumentale, e madhe, me simbolikë universale: “Çelësi shqiptar” – i artistit Alfred Mirashi Milot, sapo u përurua në hyrje të qytetit të Shkodrës.

Lajm i bukur… Pritej… Ai “Çelës”, ashtu dhe ndryshe, gjithmonë vepër arti, i hijshëm dhe intrigues, është vënë dhe në vende të tjera, në qytete të Italisë, ku jeton dhe punon artisti shqiptar, iku që fëmijë atje me dyndjet e mëdha për një jetë më të mirë, mbi të gjitha për një ëndërr dhe ia doli, mbaroi Akademinë Brera të Milanos, ku ishte lauruar dhe piktori i famshëm, Maestro Ibrahim Kodra, i ikur që në kohën e mbretërisë apo ku jeton dhe artisti tjetër me njohje botërore Adrian Paci, pak më tej, buzë një liqeni magjepsës është dhe piktori po ashtu i njohur Gjergj Kola. Ka dhe të tjerë… Miqësia me ta është një tjetër vepër arti.

Njohën artin e madh botëror, u bënë pjesë e tij dhe po ia japin dhe AtDheut…

Dhe ja, erdhi “Çelësi” i Alfred Mirashit, që i ka shtuar emrit të tij dhe vendlindjen-Milot, tashmë i bërë i njohur si emri i tij artistik deri edhe në Kinë, ku ai jep dhe leksione arti. Të shumta janë çmimet dhe vlerësimet që ka marrë nga bota. Ai na dha një “Çelës” universal, me porosinë e artit që të hapim dyer dhe zemra dhe horizonte, ndërkohe dhe na thotë: mjaft me çelësa, jo më mbyllje dhe sikur i shtrembëron ata. Kështu janë vendosur në disa qytete të huaja. Dhe bëhet një punë e madhe, ngrihet një kantier, vijnë vinça, sikur po ndërtohet një uzinë, janë çelsa të mëdhenj, rëndojnë, me tonelata…Çelësi shqiptar i Shkodrës ka dhe një hark të madh si urat, me atë arkitekturën tradizionale tonën, por dhe si hark triumfi i munguar…

…që pastaj të shkojmë né qendër të qytetit, ku duhet të ngrihet madhërishëm Rozafa – e legjendës për nënat, më e bukura në botë…

Ndërkaq unë kam qenë në ekspozita të Alfred Mirashi Milotit dhe në Itali apo në ceremoni çmimesh e takimesh arti me atë, madje kisha shkruar dhe një poezi për “Çelësat” e tij, që është futur në albume dhe së fundmi në librin tim me poezi, i sapo botuar në Itali, dy gjuhësh, shqip dhe italisht. Po e sjell këtu dhe nga dëshira e bukur e përurimit të Çelësit Shqiptar në Shkodrën e dashur.

VISAR ZHITI

ÇELËSAT

– fjalë për piktorin

Alfred MIrashi MILOT –

Çelësat s’e di a vuajnë,

por na bëjnë

të vuajmë…

Na mbrojnë dhe na mbyllin,

ah, na ndajnë.

Gjithë ato dyer, kur dashuria

s’ka derë,

sipas meje është hapësirë

e pafundme.

Edhe lirinë s’mund ta ndash

nëpër qelira dhe t’i japësh Djallit

çelësat e burgut.

Një tufë me çelësa të së mirës,

që janë bërë nga e keqja jonë

dhe çelësat e së keqes

që e kyçin të mirën…

Por era që s’ka fare çelësa-

do të më thoshte im bir,

as dallgët, as kurioziteti, as qeni,

as kali, as dëshirat,

as mali… as dhëmbjet njerëzore, –

do të thosha unë, as…

mbase të gjitha këto janë vetë çelësa

për zbulimin e vetes

dhe të botës.

Po kur u shpik çelësi,

para apo pasi kryqëzuan Krishtin?

Një miku im piktor mban penelin

si një çelës arti

dhe hakmerret ndaj të gjithë çelsave

që na bëjnë të vuajmë,

që na mbyllin dhe na ndajnë…

i shtrembëron në vizatimet e tij,

për të kuptuar

se duhet drejtësi më shumë,

i bën të shëmtuar si monstra,

që të mos i duam…

të kemi frikë, ngjajnë me prangat,

me gozhdët e kryqit…

çelës do të thotë të mos besosh

në njerëz…

çelësi nuk di të qajë…

Ne lindim pa çelësa në duar,

por me 10 gishta,

aq sa janë dhe 10 porositë Qiellore.

Hija e Njeriut ka formën e një çelësi

të madh

që të guxojë të kyçë portat

e errësirës,

kurse agimi s’ka çelësa fare, rrjedh

si kataraktet e së ardhmes.

Le të jenë çelës ngjyra dhe fjala! – mërmëris unë.

Çelës le të jenë loti dhe gëzimet! Dashuria

është i vetmi çelës prej drite. Amen!

VISAR ZHITI

LE CHIAVI

– A pittore Alfred Mirashi MILOT –

Non so se le chiavi soffrano,

ma ci fanno soffrire…

Ci proteggono e ci rinchiudono, ah,

ci separano.

Tutte quelle porte, eppure l’amore non ha porte,

che per me è uno spazio infinito.

Anche la libertà non puoi segregarla

tra le celle

e dare al Diavolo le chiavi del carcere.

Un mazzo di chiavi del bene,

costruite dal nostro male

e le chiavi del male

che sprangano il bene…

Ma il vento che non ha chiavi, –

mi direbbe mio figlio,

nemmeno le onde, la curiosità,

il cane, il cavallo, i desideri,

né la montagna… né le sofferenze

umane, – direi, né…

forse queste sono solo chiavi

per scoprire

te stesso e il mondo.

Ma quando si inventó la chiave,

prima o dopo la crocifissione

di Cristo?

Un mio amico pittore stringe

il pennello come chiave dell’arte

e si vendica di tutte le chiavi

che ci fanno soffrire,

che ci rinchiudono e ci separano…

le deforma nei suoi disegni

per capire

che ci vuole più giustizia,

le stravolge come mostri,

per detestarle…

per impaurirci, somigliano ai ferri,

ai chiodi della croce…

chiave vuol dire non fidarti dell’uomo…

la chiave non sa piangere…

Noi nasciamo senza chiavi in mano, ma con 10 diti,

tanti quanto sono

i 10 Comandamenti.

L’ombra dell’Uomo ha la forma

di una grande chiave

per osare di chiudere

le porte delle tenebre, mentre l’alba

non ha chiavi, scorre come le cascate

del futuro.

Che siano chiavi il colore e la parola! – sussurro.

Chiavi siano le lacrime e le gioie! L’amore

è l’unica chiave di luce. Amen!

Traduzione di Elio Miracco

Filed Under: Interviste

SHOQËRIA, TURBULENCAT DHE PATOLOGJITË QË CËNOJNË EKUILIBRIN E BRENDSHËM TË SAJ

June 1, 2024 by s p

Nga: Fran Gjoka

(Me sociologun Gëzim TUSHI,

“Mjeshtër i MADH”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”)

– Shqipëria po përjeton një situatë të dhimbshme kriminale, ku del në pah një dhunë e pashpjegueshme ndaj femrës. Si mund ta konsideroni ju këtë situatë dhe cilat do të ishin rrugët për ta kapërcyer këtë gjendje? 

-Realitetet sociale në shoqërinë shqiptare kanë kohë që janë të inonduara nga shumë dukuri shqetësuese, të cilat tregojnë dobësimin deri në nivele kritike të shëndetit, kohezionit dhe funksionalitetit të saj. Për nga gjerësia e shtrirjes dhe intensiteti i shfaqjes së disa dukurive, si dhuna, krimi, neurotizmi social, konfliktet në familje, fenomeni i bullizmit në shkollë, divorci në zgjerim dhe dekompozimi i strukturës dhe funksionalitetit në shumë familje, zgjerimi i përdorimit të drogës, alkoolit dhe substancave psikotrope nga të rinjtë, rritja e krimit minor dhe abuzimi seksual në moshat e reja, trajtimi i keq i të moshuarve në familje dhe braktisja e tyre në vetmi, bashkuar këto me patologjitë e politikës shqiptare dhe nivelet alarmante të korrupsionit e bëjnë tablonë të dyshimtë dhe fare pak optimiste. Në këtë tablo të problemeve të shumta sociale, më të cilat po përballet shoqëria shqiptare, në mënyrë evidente dhe shumë shqetësues paraqiten dhuna dhe krimi në familje. Sidomos dhuna dhe krimi mbi gratë për shkak të dominimit të koncepteve maskiliste dhe modeleve autoritariste, të cilat jo vetëm nuk janë zbutur, por përkundrazi janë në një proces agravimi të akseleruar, duke e bërë situatën e familjes dhe statusin e gruas shumë të prekshëm. Në jo pak raste, për shkak të dhunës permanente fizike, psikologjike, verbale dhe emocionale që ushtrojnë meshkujt mbi femrat, burrat mbi gratë e kanë bërë familjen “burg për gratë”. Nëse në mënyrë sintetike dhe sociologjike do të përkufizonim situatën e dhunës mbi gratë në familjen dhe shoqërinë e sotme shqiptare, padyshim do të themi se me këto përmasa alarmante në gjerësi, thellësi dhe intensitetin me të cilin ajo shfaqet, duhet konsideruar si një “betejë e pafituar” nga gratë. Burimet dhe gjeneratorët e vazhduar e të “pashtershëm” të dhunës ndaj grave janë disa faktorë me natyrë të ndryshme fizike dhe metafizike, konceptuale dhe materiale, historike e kulturore, biologjike e psikologjike. Sikur të tentonim të bënim diagnostikimin e këtyre shkaqeve në mënyrë enumerative, do të na duhej shumë kohë dhe investim më strategjik. Por në kuadrin e sensibilitetit për gazetën e nderuar “Nacional”, mund të themi se të gjithë këta faktorë kanë secili peshën e tyre në ekzistencën e dhunës mbi gratë. Një gjë është e sigurt: ne jemi para nevojës që pasi kemi bërë këtë diagnostikim të shkaqeve të dhunëqs mbi gratë, duhet të mendojmë, të ofrojmë dhe propozojmë edhe “terapitë” e duhura politike, psikologjike, kulturore e materiale. Në këtë kontekst, gjykoj se paradigma që është instruktive, në këtë rast ka të bëjë dhe lidhet ngushtë me punën që duhet bërë nga institucionet e edukimit dhe formimit human e qytetar, sikurse janë familja, shkolla, media, institucionet fetare. Por natyrisht edhe ato të parandalimit dhe ndëshkimit të dhunës mbi gratë, e cila, sikurse ka thënë me të drejtë Hillari Klinton në Konferencën e Pekinit në 1995, nuk duhet konsideruar si difekt kulturor, por si veprim i hapur dhe i pastër kriminal, i cili duhet trajtuar dhe ndëshkuar si i tillë. Unë mendoj se bashkimi kompakt i këtyre dy hallkave të procesit të luftës kundër dhunës mbi gratë, domethënë i punës së institucioneve të formimit dhe edukimit me ato të ndëshkimit, kthimi i tyre në një strukturë operacionale kompakte, do të ishte rruga e duhur dhe ajo që imediatisht kërkohet për të mbrojtur gratë tona nga patologjia e dhunës, për t’u garantuar atyre liritë dhe të drejtat njerëzore, duke shmangur kështu paragjykimet e korracuara, arkaike e bashkë me to edhe arketipet maskiliste të trashëguara nga e kaluara dhe që akoma “frymojnë” edhe në ditët tona. Gratë duhet të luftojnë kundër çdo shfaqje mizogjene në familje, shkollë, vendin e punës, politikë, komunitet, familje e kudo që shfaqet. Ato janë në kohën e tyre dhe kanë të drejtë të trajtohen me dinjitet si qënie njerëzore të barabarta. Identiteti seksual i tyre nuk ka pse të jetë “mallkim” për to. Përkundrazi, ky identitet në një shoqëri të emancipuar mund të kthehet në një lloj të veçantë të “privilegjit social”, pikërisht për shkak të gjinisë së tyre. Dhe më në fund, gratë nuk duhet të heshtin ndaj dhunës, përkundrazi ato duhet ta denoncojnë atë pa hezitim. Heshtja është kundër tyre dhe në çdo rast ajo bëhet aleat i dhunës mbi gratë. Ndoshta kjo kërkon edhe një sulm qytetar dhe të qytetëruar edhe kundër indiferencës sociale, që shfaqet shpesh në shoqërinë tonë, e cila ushqehet nga koncepti semplist, i cili dhunën mbi gratë nuk e konsideron problem. Madje e konsideron si problem anësor dhe “çështje rutinore”. Një qëndrim social e qytetar më i angazhuar do t’i ndihmonte gratë në kauzën e tyre të përbashkët kundër dhunës në familje e shoqëri.

Ne foto: Sociologu Gëzim Tushi

–Ngjarja në Shkodër ka tronditur gjithë opinionin publik shqiptar. Cili është mendimi juaj, si profesionist, ndaj shkaqeve dhe arsyeve që çuan në këtë krim?

-Ngjarja e ndodhur para pak ditësh në Shkodër është tejet tronditëse dhe makabre. Në historinë e ngjarjeve kriminale është ndoshta më e rënda, sepse kemi të bëjmë me një kompleks kriminaliteti, ku bashkohet paradoksalisht vetëvrasja me krimin. Këto ditë, me të drejtë, kjo ngjarje ka kapur apogjeun e sensibilitetit social dhe reagimit mediatik. Por shpesh, në analizat e ngjarjes, të shkaqeve dhe përgjegjësive individuale e sociale, në interpretimin e faktorëve janë shfaqur shumë pasaktësi, njëanshmëri e sensibileitete të deformuara. Që jo vetëm nuk të lejojnë të kesh optikë të qartë për shkaqet, por edhe që japin mesazhe të gabuara sociale për rrethanat dhe përgjegjësitë. Ngjarja është e rëndë dhe perceptimi i saj ka qenë tejet tronditës për familjet e viktimave, por dhe opininonin publik. Por nëse duam që të bëjmë analizë objektive dhe të nxjerrim mësime sociale për të ndihmuar në parandalimin dhe “zgjidhjen ndryshe” të kontradiktave dhe konflikteve sociale brenda dhe jashtë familjes, duhet të fillojmë që me objektivitet të bëjmë analiza pa sentimentalizëm dhe gjërave t’u vëmë emrat e duhur. Sepse kjo ngjarje, aq shumë tragjike, në thelbin e vet dhe tronditëse për familjet e viktimave dhe opinionin publik, u bë një lloj “casu beli” për trajtime kakofonike mediatike, me shumë deformime e ambiguitete interpretative. Shpeshherë media në vend të ruajë pavarësinë në analizën dhe gjykimin e rastit është bërë aleate me gjykime apo paragjykime të natyrës empirike apo shkaqeve të improvizuara. Duhet folur shqip, nëse duam të ndihmojmë për të parandaluar dhe shmangur ngjarje të tilla. Pavarësisht se viktimat nuk gjykohen, por përgjegjësia sociale na detyron të themi se sido që të kenë qenë rrethanat, motivet, presionet materiale e agresionet psikologjike që kanë ndikuar si faktor i brendshëm në këtë veprim, nëna ka kryer krim. Së pari, që ka bërë vetëvrasje, që është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm në çdo rrethanë, qoftë nga feja apo edhe shoqëria. Askush nuk ka të drejtë, në asnjë rrethanë t’i marrë jetën vetes me vetëvrasje. Kjo është e para. E dyta, nëse është e vërtetuar se ajo është vrasësja e fëmijëve të saj, ky është krim i rëndë dhe duhet cilësuar pa mëdyshje si i tillë. Megjithatë, tani, pasi ngjarja ka ndodhur, na takon të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar akte të tilla. Dy janë burimet e krimit dhe vetëvrasjeve: shkaqet e brendshme me natyrë psikologjike, mentale e shpirtërore, të cilat janë delikate dhe shpesh e bëjnë të pamundur parashikimin e vetëvrasjes. Por familja, shkolla, komuniteti dhe sidomos rrjeti kapilar i institucioneve mjekësore ka mundësi të dallojë, të marrë masa, të ndihmojë dhe parandalojë ngjarje të tilla. Nuk duhet ndonjë mënçuri e madhe që të dallosh njeriun kur shfaq gjëndje ankthi, pasigurie, dëshpërimi, makthi, paqëndrueshmërie emocionale, etj., që janë shënja të sigurta të fillimit të procesit të destabilitetit mendor, që mund të çojnë njeriun drejt suicidit apo krimit. Ndërhyrja në këtë rast mund të jetë shpëtimtare, rikuperuese dhe rehabilituese, duke shmangur tragjedinë e menduar apo të planifikuar të vetëvrasjes apo krimit. E dyta, janë rrethanat sociale, apo faktori i jashtëm që ndikojnë në situate të tilla, që lidhen me statusin e familjes, gjendjën ekonomike, marrëdhëniet bashkëshortore apo lidhjet midis pjesëtarëve të familjes, konfliktet e mundshme, situatat e agravuara nga përdorimi i lëndëve psikotrope, drogë apo alkool, etj. Këtu është roli i institucioneve sociale dhe atyre të përkujdesit shëndetësor. Sidomos të nevojës për të patur ekipe mobile për të ndërhyrë në momentin e duhur dhe për të intervenuar me instrumente profesionale adekuate për ndryshimin e situatës materiale, psikologjike e sociale në familje.

– A ndikojnë negativisht përplasjet e politikës, që dhuna të bëhët prezente në çdo celulë të shoqërisë dhe si mund te ndikohet mbi një fenomen të tillë?

– Besimi se sa më shumë të përparonte demokracia në Shqipëri, aq më i zhvilluar, qytetar dhe qytetërues do të ishte gjuha dhe dialogu politik, nuk po vërtetohet. Përkundrazi gjëndja linguistike, retorike e oratorike e saj, në gjuhën e politikanëve të pozitës dhe opozitës, është duke u degraduar deri në nivele alarmante. Sidomos në këto ditë të nxehta klimatike dhe politike, marrëdhëniet e pozitës me opozitën kanë qenë të jenë të vështira. Nuk bëhet fjalë për mungesën e logjikës së kompromisit, që në politologji konsiderohet si “lavdia e demokracisë”, por thjeshtë për deformimin e standardeve dhe rrugullat e “gjuhës politike” në Shqipëri.  Në Parlament dhe sidomos mediatikisht, ajo është banalizuar deri në limitet e fundit të etikës dhe ka marrë një rrugë të mbrapshtë në dialogun interaktiv të politikanëve kundërshtarë. Madje ajo është deformuar keq jo vetëm tek politikanët profesionistë, ndikimi i saj si refleks ngjitës ka filluar të ndihet në media dhe e reflektuar gjerësisht edhe në gjuhën komunikuese dhe dialogun neurotik tek publiku i gjerë. Nuk është fjala për të bërë teori për rolin e gjuhës në politikën moderne, por ama kur shikon këtë situatë të shpërdorimit ekstrem, nuk mund të mos evidentosh të vërtetën për nivelin e mjeruar të “gjuhës politike”, për këtë mjet kryesor, në mos të vetëm, me të cilin bëhet politika e kohës demokratike. Një mjet që është pasqyrim i faktit, që politika në këtë vend, në vend të emanciohej si instrument i komunikimit politik, kulturor e publik, po ecën drej degradimit dhe banalizimit të saj. Nuk e di nëse politikanët tanë kanë nivelin e duhur dhe konceptin adekuat për të kuptuar se forca dhe vlera e gjuhës politike, si mjet komunikimi në shoqërinë demokratike, është shumë e madhe. Duket që politikanët, shumica e tyre më saktë, nuk e kanë të qartë “përgjegjësinë e gjuhës politike”. Këtë të vërtetë e kupton kur përballesh me atë që po ndodh në politikën shqiptare, në të cilën ka shpërthyer “epidemia” e një fushatë gjuhësore politike banale, e shfrenuar, e dalë nga kontrolli etik, nga vetëpërmbajtja demokratike. Përgjithësisht politika jonë, tradicionalisht në tre dekada, ka qenë e ashpër, jo tolerante nga pikëpamja fizike, konceptuale e gjuhësore. Sipas mendimit tim, artikulimi gjuhësor ka rënë kaq poshtë, gjuha e politikanëve të këtij vendi duket se ka percepituar në “fundin e lejueshëm saj”, duke e reduktuar debatin jo me instrumentet adekuate e elokuente të saj, por në gjuhë të ashpër, të drunjtë, të fortë, jo etike. Padyshim, atmosfera politike në Shqipëri duket se është e tensionuar për shkaqe thelbësisht ekstragjuhësore. Kjo ndihet dhe kuptohet lehtë nga qytetari, sepse është ai që po përballet përditë nga “bombardimi politik” me gjuhën e “drunjtë”, madje të hekurt, që ka mbuluar politikën tonë. “Eteri” i jetës publike është inonduar nga fushata dhe kundërfushata retorike paralele, të goditjeve dhe kundërgoditjeve gjuhësore politike të pozitës dhe opozitës. Vrazhdësi e skajshme, brutalitet i dukshëm, gjuhë politike devijante, e cila para se të shfaqet në ekran, gati ka nevojë për “pullë të kuqe”. Fytyra të acaruara, grimasa të pakontrolluara të politikanëve e kanë inonduar keq situatën qytetare. Kjo gjëndje e sjelljes dhe e gjuhës politike është duke e cënuar keq dinjitetin e politikës shqiptare, e cila për fat të keq, jo vetëm që nuk po frenohet, por ka marrë rrugën e degradimit moral dhe profesional kreshendo. Një bezdi e vërtetë qytetare, që na vjen si “peshqesh”nga politika, të cilës të paktën mungesën e etikës së sjelljes politike dhe artikulimin banal gjuhësor, nuk ja kemi borxh. Sepse një politikë me gjuhë frenetike, të pa ekulibruar, nuk dëmton vetëm cilësinë dhe performancën e politikës, por pengon qytetarët të jenë në gjëndje të dallojnë, ca më shumë, të ndajnë thelbin e vërtetë të debatit politik, esencën e çështjes nga objekti i artikuluar i “gjuhës politike” që përdoret. Kaq intensive është bërë të folurit me tone banale dhe ofenduese, sa që është bërë e vështirë për qytetarin të dallojë se ku është “argumenti” dhe ku fillon “shpifja”, ku është dhe sa është e vërteta e konfliktit pozitë-opozitë dhe ku mbaron retorika gjuhësore si mjet që fsheh objektin e vërtetë të konfliktit politik, pas “ambalazheve” gjuhësore të përdorura nga politikanët. Gjuha e politikanëve ka humbur sensin, elegancën, argumentin dhe është lëshuar brutalisht në “fushën e vet”. Madje, tani lëviz e lirë, pa asnjë “censurë etike”, sepse ka dalë e lirë në qejfin e saj. Në vend të gjuhës që duhet të ketë argument politik mbushamendës, ne po përballemi me një “fjalamani” të tepërt, me abuzime të shëmtuara me faktet dhe të vërtetat, me shkelje të rregullave dhe standardeve të komunikimit politik. Në historinë e politikës moderne, jo vetëm në Shqipëri, ka raste kur objekti delikat i një debati mund të çojë në degjenerime të përkohshme të gjuhës politike. Por kjo që po ndodh në politikën tonë është ndryshe. Nganjëherë të duket më shumë si qëllim në vetvete, nga që nuk ka aq “lëndë ontologjike”, që të justifikojë këtë gjuhë me logjikë politike sakate, të artikuluar keq, e cila jo vetëm po rëndon situatën e vet, por veçanërisht gjëndjen psikologjike të qytetarit. Nuk është gjuhë politike ajo që kanë përdorur politikanët kundër njëri-tjetrit, sepse në esencë nuk kemi gjuhë që pasqyron të vërtetën politike, por një gjuhë që ka marrë forma të shëmtuara, dredharake, që nuk të tregon as thelbin e debatit, sepse është një gjuhë që nuk është e lidhur drejtpërdrejtë me përmbajtjen e debatit dhe objektin e të menduarit, madje as me standardet elementare, mbi të cilat duhet bazuar të folurit politik. Kjo e ka cënuar rëndë nevojën dhe detyrimin gjuhësor elitist të politikanëve. Në politikën e sotme moderne ka një normë edukate gjuhësore, që politikës i vjen si imperativ kategorik i brendshëm, të paktën që nga koha e Aristotelit, sipas të cilit punët e shtetit dhe të politikës duhet të udhëhiqen nga ata që kanë edukim dhe formim sa politik, etik edhe gjuhësor. Politika është art i vështirë, sidomos kur duhet lufta për gjetjen e argumentit dhe përdorimin adekuat të gjuhës, sepse plotësimi i këtyre standardeve kërkon formim intelektual. Politikanët tanë kanë filluar të flasin pa doganë, pa kujdes etik. Si qytetar i këtij vendi, mendoj se duhet frenuar kjo gjuhë banale, që nuk është natyrale apo organike, për të zhvilluar politikën në një vend të qytetëruar. Nuk është modeli gjuhësor i duhur që duhet përdorur, sidomos nga ata që udhëheqin punët e politikës në këtë vend. Por askush nuk beson se e keqja është vetëm këtu dhe problemet e ditës për politikën tonë janë vetëm “probleme gjuhësore”. Çështja është ca më e thellë. Por atmosfera gjuhësore që ka krijuar politika shqiptare, duke u marrë në frontin më të gjërë të mundshëm me banalitete, po ndikon shumë në deformimin e opinionit demokratik të qytetarëve, të cilët janë bombarduar me gjuhë politike banale, e fshehur në emër të moralitetit politik. 

– Sapo ndodh një krim, çdo shqiptar bëhët gjykatës dhe vë dorë “me kompetencë” mbi fajtorin. Si e shpjegoni këtë gjë?

– Është e vërtetë që shoqëria shqiptare, për shkak të së kaluarës së vet kolektiviste, vazhdon inercinë e gjykimeve populiste dhe reagimeve instiktive, bazuar në arketipet e gjykimeve dhe paragjykimeve të ardhura si module të gatshme të reagimit. Shpesh të parakohshëm apo instiktiv. Kjo është një nga shënjat e nevojës së formimit dhe konsolidimit modern të shoqërisë shqiptare, për të mbajtur distancën nga gjykimet e improvizuara apo konkluzionet e parakohshme. Shqiptarët e kanë qejf gjykimin e personalizuar dhe konkluzionet e “instancës së fundit” për çdo ngjarje apo raste.  Këtu kanë ndikimin e tyre kontroversal edhe sistemet e informimit dhe gjykimit, të cilat gjithashtu nuk kanë reagime adekuate dhe informacione definitive e të bazuara në fakte. Kjo bën pastaj që të kemi”çarje të brendshme” të opinionit publik, gjykime të diversifikuara, të cilat, në jo pak raste, shoqërohen me konflikte të përhapura, të cilat përplasen në të njëjtën kohë me paradigmat morale dhe gjykimet e secilit, të lidhura këto pastaj me nivelin e tyre kulturor, traditën e kulturën familjare, paradigmat rrethanore jetike dhe stuatat e habitateve komunitare. E kemi patur, për fat të keq, në AND e shoqërisë tonë procedimin dhe gjykimin e ngjarjeve, fakteve, ndodhive duke i vënë nën “panoptikonin” e njohur të “vijës së masave” dhe të drejtës së kujdo për të “gjykuar për gjithçka e për çdo gjë”. Besoj se koha e sotme ka si gurë caku të drejtat e njeriut dhe gjykimin e fajtorit nuk e bëjnë as masat, as opinion publik, por organet e drejtësisë. A, kur është fjala për gjykim moral të një akti që ka peshë, interferim dhe ndikim social, po, kushdo ka të drejtë të gjykojë e të mbajë qëndrim. Qoftë në nivel social apo në plan të personalizuar. 

– Përfundimisht, a shihni ju mundësi dhe rrugë për t’i shëruar këto plagë sociale në Shqipëri?

– Situata sociale në Shqipëri këto kohët e fundit është bërë shumë e agravuar. Në sipërfaqe të saj kanë dalë shumë probleme. Të reja dhe të vjetra, të njohura e të panjohura, të cilat duket sikur e kanë zënë shoqërinë në befasi sociale dhe e kanë “kapur për fyti” dhe nuk po e lënë të marrë frymë. Shoqëria po shfaq doza të larta neurotizmi dhe konfliktualiteti shoqëruar me zgjerim të dhunës dhe shtimit të mosmarrëveshjeve sociale. Probleme të shumta në familje, e cila në disa raste duket se ka pësuar rupturë të forta në strukturë, funksionalitet e komunikimet interpersonal brenda saj. Në vend që të jetë një qendër e paqes sociale për pjesëtarët e saj, ajo po bëhet një vatër e konfliktualitetit midis bashkëshortëve, prindërve dhe fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve. Probleme ka edhe shkolla, e cila gjithashtu po vuan patologjitë e saj jo vetëm në aspektin professional e cilësor të mësimdhënies e mësimnxënies, por sidomos në “thelbin deontologjik” të përgjegjësive të saj formuese dhe edukative për formimin qytetar të nxënësve. Probleme kanë edhe institucionet sociale, shëndetësore, strukturat e shtetit dhe pushtetit vendor. Megjithatë, unë mendoj se ka një rrugë për të ndalur këtë kaos social dhe anarki të jetës urbane. Sipas mendimit tim, është e udhës të investojmë për të forcuar ato që përbëjnë bazën e formimit dhe rregullimit të “amortizatorëve” të shoqërisë. Kjo do të thotë që politika, shteti, bashkë me ata që shoqëria i ka zgjedhur apo të përzgjedhur në strukturat e politikëbërjes apo në “bordin e shoqërisë”, duhet të mendojnë dhe të investojnë për të rregulluar funksionimin normal të institucioneve të autoritetit social. Kjo do të thotë që për të sjellë në normalitet jetën shoqërore, duhet të forcojmë ato institucione ku mësohet, edukohet, formohet, por dhe ndëshkohet, sikurse janë familja, shkolla, institucionet fetare, media, shoqëria civile, por dhe institucionet e autoritetit shtetëror. 

– Është degjeneruar familja shqiptare aq shumë, sa tradhëtia bashkëshortore është bërë shqetësim i ditës. Në gjykimin tuaj, si e shikoni ketë fenomen tronditës?

– Padyshim, një nga dukuritë që po e trondit familjen shqiptare dhe po i shton problemet dhe kostot sociale shoqërisë, është zgjerimi i përmasave të divorcit. Në shikimin tim, divorci duhet parë me kujdes në të dy “kahjet” e veta. Nga njëra anë, ai është “kazma e martesës”, por nga ana tjetër, është edhe shprehje e emancipimit të saj, si zgjidhje e qytetëruar në rastet kur lidhja martesore nuk funksionon. Megjithatë, fakti që sasia e divorceve është rritur në përmasa alarmante dhe me shifra socialetronditëse, të detyron të mendosh se shkaqet e këtij fenomeni janë të lidhura me martesën, me kulturën e martesës. Sepse shumë martesa bëhen shpeshherë me mëndjelehtësi dhe pa përgjegjësi, në mënyrë të parakohshme ose nën tundimet e seksualitetit. Krahas tyre, dhe shumë evidente, është tronditja e monogamisë martesore (martesa seksualisht e mbyllur) dhe përhapja e lidhjeve jashtëmartesore apo e lidhjeve paralele. Pasojat e numurit të divorceve në shoqërinë shqiptare janë të shumta, të shumëfishta e të shumëllojshme. Ato rëndojnë mbi familjen, gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Megjithatë kemi nevojë të përmirësojmë edukatën për martesën, kulturën e saj dhe kulturën e divorcit, në mënyrë që ato së pari, të jenë zgjidhje humane, të qytetëruara e konsensuale për ato martesa që nuk funksionojnë apo që janë në situata të parikuperueshme konsensualiteti. Ndërkaq është e udhës që partnerët e divorcuar, por që kanë fëmijë nga martesa e tyre, duhet të kuptojnë dhe të pranojnë se ata, nga divorci, nuk janë më bashkëshortë, por statusi i prindit dhe përgjegjësia sociale e prindërimit ndaj fëmijëve që kanë sjellë nga martesa, mbetet një detyrim i pandryshuar. Ky është një problem që po e shqetëson situatën e fëmijëve, të cilët nga divorci nuk duhet të mbeten “jetimë socialë”, kur i kanë prindërit biologjikë. Qoftë edhe të divorcuar…  

– Sa e rëndësishme është marrja serioze e shëndetit mendor dhe sa e vlerësojnë sot institucionet shtetërore dhe sociale? 

– Filozofët, psikologët, sociologët dhe psikoterapistët kanë parashkiuar se për shkak të ndryshimeve thelbësore që po ndodhin në jetën e sotme, ekzistenca e një shoqërie me natyrë liberale dhe individualiste e gjithnjë e më pak solidare e humaniste, thellimi i natyrës egoiste dhe ambicioze të njeriut, etja e shfrenuar për para, sukses, karrierë, celebritet e famë kanë krijuar kushtet e shfaqjes së problemeve dhe shqetësimeve të shëndetit mendor. Kudo në shkollë dhe në vendet e punës, në rrugë e jetën komunitare përballemi me njerëz që shfaqin shënja pasigurie e dëshpërimi, ankthe e makthe, tronditje shpirtërore dhe çrregullime psikologjike. Është një situatë që duhet vlerësuar, duke evidentuar shkaqet e kësaj dukurie sociale e psiko-patologjike si dhe masat që duhen marrë për të parandaluar agravimin e sëmundjeve dhe kalimin e tyre nga niveli i shqetësimit psikologjik, në standardin e vështirë të sëmundjeve psikiatrike. Duhet treguar kujdes me fëmijët, por dhe njerëzit e tjerë, kur ata shfaqin shenja sikurse janë vetmia, mbyllja në vetvete, asocialiteti, mungesa e dëshirës për t’u përfshirë në jetën sociale, ndërprerja e lidhjeve komunitare, mungesa e dëshirës për të shkuar në shkollë apo për t’u përfshirë në punë aktive, mungesa e oreksit e plot shenja somatike paralajmëruese. Në këtë rast, në mënyrë evidente, është e nevojshme që prindërit, mësuesit, familjarët duhet të kenë kulturën dhe vigjilencën e duhur për të dalluar në horizont fillimet e shfaqjes së problemeve psikologjike, duke bërë ndërhyrjen e domosdoshme përmes trajtimit familjar dhe sidomos psikologjik të shenjave të para të anomalive shpirtërore apo psikologjike. Parandalimi i sëmundjeve mendore është plotësisht i mundur dhe shërimi plotësisht i sigurt, nëse i diktojmë simptomat tek njerëzit dhe bëjmë intervenimet e duhura psikosociale për të rikuperuar shëndetin e tyre mendor. Tani i kemi njohuritë, kushtet, institucionet dhe një armatë të gjerë me punonjës të specializuar, sikurse janë psikologët gjëneralistë e të specializuar, punonjësit socialë, psikoterapistët, sociologët, që kanë “pushtetin e dijes” dhe kompetencën profesionale. Na duhet një kulturë tjetër, duke shmangur stigmën që akoma në pjesë të caktuara të shoqërisë ekziston, që shfaqet në frikën nga kontakti me figura të tilla profesionale, sikurse janë psikologët, sociologët apo edhe psikiatrit. Tendenca globalisht në zgjerim e problemeve të shëndetit mendor, që po agravohen në këtë shoqëri turbokapitaliste e likuide (sikurse thotë Zygmunt Bauman), të konkurencës dhe rivalitetit të pandërprerë, me punë stresuese dhe me orë të gjata, kërkon një tjetër kulturë dhe trajtim preventiv, paraprakisht diagnostikues dhe pastaj edhe terapeutik e rikuperues nga familja, shkolla dhe institucionet e specializuara të shëndetit mendor. Një rishikim më me përgjegjësi i Strategjisë së Shëndetit Mendor dhe aktivizimi më kompakt i strukturave dhe institucioneve me funksione specifike të drejtpërdrejta apo të tërthorta, është një detyrë immediate dhe konditë “sine qua non”, për t’u përballur me situatën aktuale, por dhe tendencat e së ardhmes në këtë fushë delikate të jetës sonë sociale.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 217
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT