• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Roland Bimo: Rusia, kërcënim për SHBA dhe BE, Shqipëria dhe Kosova të rrisin buxhetet ushtarake

May 31, 2024 by s p

Flet ambasadori i parë shqiptar në SHBA pas rënies së komunizmit

Bashkëbisedoi: Eneida Jaçaj/New York

Rruzulli tokësor rrezikon të shndërrohet në “fuçi baruti” ashtu siç ndodhi në Luftën e Parë Botërore, pasoja e së cilës solli shkatërrime të mëdha dhe një numër të lartë humbje njerëzish. Situata politike ndërkombëtare paraqitet shumë e tensionuar dhe e nxehtë, për shkak të mosmarrëveshjeve mes shteteve, të cilët po legjitimojnë luftën dhe jo konsensusin. Lufta Rusi-Ukrainë, Israel-Palestinë, konflikti i SHBA-ve kundrejt Kinës dhe Rusisë, konflikti i kahershëm në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ballkanin Perëndimor, duket se do të ndryshojnë rrjedhën e politikës ndërkombëtare dhe mentalitetin e shteteve të botës. Duket se bota po i afrohet më shumë se kurrë Luftës së Tretë Botërore. Politika e jashtme mes shteteve ndryshe mund të quhet “biznes me interesa të larta”, por ata që vuajnë pasojat janë popujt. SHBA dhe Perëndimi, si dy gardiane të sigurisë dhe paqes në botë, po përpiqen të vendosin rregullin dhe qetësinë, por, në fund të fundit do të triumfojnë interesat e shteteve më të fuqishme, ashtu siç e ka treguar historia me Shqipërinë, e cila u përdor “mish për top” për të kënaqur shtetet që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore. Nëse shpërthen një luftë botërore, Shqipëria dhe Kosova hyjnë te shtetet që mund të preken, dhe duhet të marrin masa për shkak të rrezikut të jashtëm. Rreth zhvillimeve politike në arenën ndërkombëtare flet ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, ambasadori i parë shqiptar në SHBA, Roland Bimo, i cili, si njohës i mirë i fushës së diplomacisë dhe politikës së jashtme, jep një qasje apo një reflektim mbi mosmarrëveshjet që gjenden shtetet sot mes tyre. 

-Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur zyrtarisht në vitin 1922, pas mbështetjes së çështjes shqiptare që i dha Presidenti Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes së Parisit, 1919-1920, ndërsa gjatë periudhës së komunizmit nuk shkeli asnjë këmbë amerikani në Shqipëri, dhe ata që ishin u dëbuan. Mbi çfarë kriteresh u ngrit kjo marrëdhënie diplomatike, dhe si u shndërrua SHBA nga një shtet armik, në një shtet kaq të dashur për shqiptarët?

Marrëdhëniet e popullit shqiptar me ShBA janë shumë të veçanta, jo pa shkak jemi quajtur një nga kombet më pro amerikane në botë. Përgjigja ndaj pyetjes kërkon reflektim për një periudhe më shumë se 100 vjeçare, dhe më duket e vështirë të përmbledh në pak rreshta gjithë sa mendoj se ka ndodhur. Por, parë nga larg e lart dhe në “hindsight”, dalja në skenë si fuqia më e madhe botërore e gjigantit SHBA në fillim të shekullit të 20, koinçidon edhe me kurorëzimin me një fitore gjysmake të luftrave shekullore të popullit shqiptar për liri e pavarësi. Them gjysmake, sepse Kosova mbeti jashtë kufijve politikë të Shqipërisë në vitin 1912. Epërsia amerikane në shfronësimin e fuqive të mëparshme shfaqej në dominimin ushtarak, ekonomik dhe politik, por edhe si fuqia më emancipuese në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo u duk qartë në parimet e reja që do të duhej të rregullonin marrëdhëniet ndërkombëtare, të koncentruara në të famshmet 14 pika paraqitur nga Presidenti Wilson, së pari në Kongresin Amerikan dhe më pas në Konferencën e Paqes në Paris. SHBA shpalosën idetë më përparimtare për kohën lidhur me vetvendosjen e popujve dhe konsideronte politikat imperialiste të fuqive evropiane si shkakun kryesor të luftrave. Nga ai moment, Shqipëria e populli shqiptar, në përpjekjet e tij për liri e pavarësi, kanë gëzuar mbështetjen e SHBA. Edhe në Luftën e Dytë Botërore, përpjekja për liri e popullit shqiptar ishte e integruar fort me aleancën antifashiste, pjesë e rëndësishme e të cilit ishin SHBA. Por, vitet e akullit në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe vetizolimi total i Shqipërisë, pasuan vendosjen e komunizmit në Shqipëri. ShBA janë konsideruar për më shumë se gjysëm shekulli armiq, nga regjimi komunist në Shqipëri, por në asnjë rast nga populli shqiptar. Kujtim i mbështetjes së SHBA për pavarësinë e Shqipërisë, vlerat themelore amerikane të lirisë e demokracisë, mënyra amerikane e jetesës, muzika, letërsia, filmi e gjithshka që hyn në kategorinë “fuqi e butë” kanë luajtur rol në ruajtjen e dashurisë e respektit të shqiptarëve për SHBA dhe rezistencën kundër e deri në rrëzimin e komunizmit. Sa sipër nuk do të kishte kuptim pa përmendur ndikimin e jashtëzakonshëm që ka patur në Shqipëri suksesi i diasporës në ShBA. Adhurimi i presuar e i heshtur ndër vite, gjeti rastin e shpërtheu në mikpritjen e treguar ndaj ish-Sekretarit të Shtetit Baker, gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 qershor 1991. Në themel të marrëdhënieve qëndron mbështetja parimore e SHBA për luftën e një populli të vogël për liri e pavarësi, mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga lakmitë e vendeve fqinjë dhe fuqitë e mëdha mbështetëse të tyre, si dhe përpjekjet e përbashkëta për paqe e zhvillim bazuar në demokracinë dhe liritë e njeriut. Thirrja e z. Baker në Tiranë “Freedom ëorks”, rezonoi fuqishëm te një popull i ndrydhur dhe i dërrmuar nga diktatura komuniste. 

-Cili ka qenë roli i SHBA-së në këto 32 vite demokraci, në politikën e brendshme, por sidomos në atë të jashtme?

ShBA kanë luajtur rol vendimtar në çrrënjosjen e komunizmit, demokratizimin e vendit, funksionimn e shtetit ligjor dhe avancimin e pozicionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. 

Elitat politike shqiptare, në mungesë të një tradite demokratike dhe të një ekonomie të zhvilluar, shumë shpesh gjatë të 32 viteve të funksionimit të demokracisë, jo rrallë e klasifikuar nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, si “hibride” apo me probleme, kanë shfaqur dukshëm tendenca autoritarizmi dhe prirjen për të kufizuar të drejtat e opozitës, lirinë e fjalës, të shtypit, të grumbullimit etj. Shoqëruar me mungesa të dukshme në efikasitetin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtë e dëshmojnë një numër raportesh të Organizatave Ndërkombëtare si dhe raporte të specializuara të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në këtë këndvështrim, ndonëse me interesa politike e gjeostrategjike shumë të përafërta ose edhe të njëjta, SHBA nuk kanë munguar në asnjë moment të shprehin kritikat e tyre ndaj autoriteteve shqiptare për korigjimin e praktikave që bien ndesh me parimet demokratike. Kjo mund të ketë çuar edhe në episode të pakëndshme personale për politikanë shqiptarë, por kanë rritur më tej besimin e shqiptarëve te SHBA. Mbeshtetja e SHBA për Shqipërinë, është e gjithanshme. Vështirë të thuhet se Shqipëria do të kishte bërë ndonjë hap serioz drejt anëtarësimit në BE pa nxitjen dhe mbështetjen e SHBA. Vetë ekzistenca dhe suksesi i deritanishëm i Bashkimit Evropian i dedikohet mbështetjes që SHBA i kanë dhënë Evropës gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë. Suksesi më i madh i bashkëpunimit në politikën e jashtme është mbështetja e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, moment i cili për nga rëndësia është i krahasueshëm me vetë datën e pavarësisë. Së fundi, mbështetja amerikane për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit kanë rritur më tej pozitivitetin dhe respektin e popullit shqiptar për ShBA.

-A është sot diaspora shqiptare po aq e zjarrtë dhe aktive në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar dhe adresimin e çështjeve pikante në instancat më të larta të shtetit amerikan, sa ajo e viteve 20-30 kur lobonte për çështjen e kombit shqiptar?

Nuk është i njëjti efikasitet i punës, por kontributi i saj mbetet domosdoshmëri. Që nga koha kur imzot Fan Noli lëshonte thirrjen drejt Shqipërisë “mbahu Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” ka kaluar shumë kohë, jo vetëm si vite por edhe si zhvillime. Është një periudhë ku revolucioni teknologjik e në mënyrë të veçantë ai në fushën e informacionit dhe komunikimit ka kthyer përmbys shumë raporte dhe mënyra pune. Nga ana tjetër, gjatë kësaj kohe edhe Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në të gjithë drejtimet dhe reputacioni i saj ndërkombëtar është forcuar ndjeshëm. Ndërkohë në diasporë janë forcuar kapacitetet profesionale e organizative me breza të rinj. Bazuar në sa sipër do të duhet të bëhet më tepër për të gjetur e përdorur rrugë e mënyra të ndryshme organizimi e komunikimi, që të arrihet efiçenca e dikurshme e ndikimit të diasporës shqiptare në ShBA. Shqiptarët mbeten të lidhur me atdheun dhe shprehin një dashuri e dhimbsuri të veçantë për vendin dhe të afërmit e tyre. Ajo që ndoshta duhet përshtatur në kushtet e reja, është që ky aktivizim individual e parokial të harmonizohet e koordinohet në një shkallë më të gjerë, me pjesëmarrje më të madhe, pa dallime krahinore apo partiake. Modelet e organizimit aplikuar edhe nga kombe të tjerë, janë nga më të ndryshmet. Para shumë vitesh, SHBA përmes USAID kanë ndihmuar projekte të organizimit të Diasporës Shqiptare në ShBA dhe Evropë, kryesisht në formën e nxitjes së bashkëpunimit të entiteteve ekonomike në diasporë. Këto eksperienca mund të analizohen dhe përsosen më tej. Mendoj se duhet të piqemi më tej politikisht për të dalluar ndryshimin ndërmjet interesave afatshkurtër politike të momentit dhe të partive dhe atyre afatgjatë të kombit dhe komunitetit. Situatat ndërkombëtare pritet të jenë aspak të qeta e të qarta. Ndihma e diasporës mbetet më e nevojshme se asnjëherë për të mbështetur vendlindjen. 

-Dihet tashmë se pa rolin e SHBA-së, Kosova nuk do të arrinte pavarësinë. Politika aktuale e Kosovës gjendet shumë e tensionuar për shkak të projektit europian për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kryeministri Albin Kurti ka vendosur disa kushte për realizimin e këtij projekti, ndërsa po has në presionin e SHBA-së për të nxituar në themelimin e asociacionit. A do të krijohej një Serbi e vogël në Kosovë nëse ky projekt do të realizohej, dhe si do të ndikonte më pas Beogradi në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës?

Nuk ka shqiptar në vendlindje apo diasporë të mos shqetësohet për pozicionime të ndryshme të faktorit shqiptar apo pjesëve të rëndësishme të tij, në raport me SHBA. Është pothuaj e pamundur të kujtojmë se çfarë kemi menduar deri sa filloi fushata ajrore e NATO-s për zmbrapsjen e agresionit serb në Kosovë, mbrëmjen historike të 24 mars 1999. Serbët e Millosheviçit me siguri nuk e kanë besuar se do të ndodhte angazhimi i fuqisë më të madhe botërore dhe aleancës më të sukseshme të mbrojtjes dhe sigurisë, NATO, në mbrojtjen e një populli dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Por historia nuk është deterministe. Fati nuk është i paracaktuar. Rrallë herë në historinë e ndërhyrjeve ushtarake ka patur një përputhje të imperativit moral, (ndalimi i spastrimit etnik) dhe interesi i fuqisë së madhe SHBA për të forcuar sigurinë europiane. Kombinim që nuk besoj se do të shfaqet në një rrethanë tjetër. Duhet shumë mençuri e largpamësi për të parë në të ardhmen. Se si mund të funksionojë Kosova me asociacion apo pa të, është e pamundur të parashikohet me saktësi. Por mund të flitet për pasojat negative që vijnë për Kosovën dhe popullin shqiptar prej mosmarrëveshjeve me SHBA. Aktualisht, situata e faktorit shqiptar në rajon është përtej zenithit, më pak i bashkuar se para disa vitesh. E ardhmja është e pasigurt me armatimin e vazhdueshëm të Serbisë, rritje tensioni, provokime si ai në Banjska, mosmbajtje premtimesh apo mosrespktim të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Në çdo rast do të duhet të mbajmë parasysh se për mirë apo keq, nacionalizmi do të vazhdojë të jetë forcë shtytëse në marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen e parashikueshme dhe se SHBA nuk janë superfuqia e pasfidueshme sikurse 20 vite më parë. Në këtë proces të lëvizjes së pllakave tektonike të sigurisë botërore, të konfigurimit të aleancave antiamerikane dhe antiperëndimore, nuk do të ishte i tepërt një debat ndërshqiptar për këputjen sa më shumë të një varësie nga Serbia, si në transport, tregti, energjetikë dhe shqiptarët të orientohen më shumë drejt Detit Adriatik.

-A po e dobësojnë marrëdhëniet diplomatike me SHBA-në deklaratat nacionaliste të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një kohë kur shteti më i fuqishëm i kërkon të avancojë me asociacionin e komunave me shumicë serbe?

Marrëdhëniet diplomatike Kosovë-SHBA janë dukshëm të influencuara negativisht për shkak të mosrealizimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të thuash ndryshe është të mos shikosh realitetin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme për paqen dhe sigurinë në botë. Shqiptarët si aleatë të ngushtë do të duhet të mbështesin sa të kenë mundësi Shtetet e Bashkuara në këtë pjesë të vogël të rruzullit ku jetojnë. 

-OKB votoi rezolutën për përkujtumin e genocidit në Srebrenicë. A është ky një ogur i mirë për njohjen e genocidit serb mbi popullin e Kosovës?

Rezoluta ishte një hap i mirë në drejtimin e duhur dhe ndoshta pak i vonuar. Para dhe pas miratimit të kësaj resolute, ata që duket se nuk duan të njohin realitetet e pasojave të hidhura të politikave të tyre, tentuan politizimin e skajshëm të rezolutës. Nuk ishin Kombet e Bashkuara, përkundrazi, ishin autoritetet e Serbisë që insistuan të identifikoheshin me autorët e genocidit në Bosnie Herzegovinë, Srebrenicë. Rezoluta nuk dënon kombe apo etni, por thjesht ata që kryen genocid. Përballë një politizimi të skajshëm të çdo veprimi në arenën ndërkombëtare, nuk besoj se dënimi i genocidit serb në Kosovë mund të ndodhë së shpejti, por gjthsesi do të duhet të mbetet në prioritetet e punës të diplomacisë së të dy shteteve shqiptare dhe diasporës aktive. 

-Për shkak të lëvizjeve demografike, popullsia e Kosovës është tkurrur me 8 për qind. A mendoni se populli kosovar nuk ka besim te politka aktuale, dhe, kjo tkurrje, a është në favor të Serbisë?

Tkurrja e popullsisë është problem në të gjithë Ballkanin, madje edhe më gjerë në Evropë. Serbia vuan ndoshta edhe më shumë këtë fenomen. Disa projeksione të Kombeve të Bashkuara bëjnë fjalë se brenda 20 vjetësh, Serbia do të ketë pak më shumë se 5 milionë banorë.

Largimi nga vendi i të rinjve është problem shumë i mprehtë edhe në Shqipëri, dhe objekt i një debati të ashpër politik. Është evidente se cilado forcë politike që të ishte në pushtet do të ndeshej me të njëjtin fenomen. Mendoj se shqiptarët besojnë se kjo është një çështje themelore e interesit kombëtar dhe që meriton një debat përtej ndarjeve partiake, për të identifikuar shkaqet dhe adoptuar politikat e përshtatshme. Nevoja për fuqi punëtore e vendeve të Bashkimit Evropian është një magnet i fuqishëm, i cili mund të neutralizohet vetëm me politika të përshtatshme nga Kosova dhe Shqipëria. Nuk kam shumë besim se elitat politike në Kosovë apo në Shqipëri do të mësojnë të reagojnë më shpejt se sa realitetet në terren.

-Situata në arenën ndërkombëtare paraqitet shumë e tensionuar, sa i takon luftës Rusi-Ukrainë në njërën anë dhe në anën tjetër lufta Israel-Palestinë. SHBA-të i kanë refuzuar mbrojtjen ajrore Ukrainës, ndërsa kanë rrëzuar raketat dhe dronët mbi Israelin, për të cilin po shkojnë miliarda dollarë në armë dhe municione. Si e shihni rolin e SHBA në këto dy situata lufte?

Tmerret e luftrave, vkitimat e pafund të civilëve të pafajshëm, shkatërrimet e paimagjinueshme që është në gjendje të shkaktojë makineria ushtarake sot, si pasojë e tekonologjive moderne të vrasjes, ushqejnë tek opinioni botëror një ndjesi të papërgjegjshmërisë së elitave për të mbajtur nën kontroll reflekset politike. Gjykatat Ndërkombëtare, si Gjykata e Krimeve apo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po mundohen të japin kontributin e tyre, duke bërë përgjegjës për krime lufte liderat si Putin në Rusi apo Netanjahu në Izrael. Shtetet e Bashkuara janë në një pozicion delikat dhe përpiqen me gjithë sa munden të ruajnë paqen dhe rendin botëror bazuar në rregulla dhe ligjin ndërkombëtar. Njihen nevojat e Ukrainës për mbrojtje kundërajrore dhe një pjesë e konsiderueshme e ndihmës amerikane prej 61 miliardë dollarësh miratuar nga Kongresi Amerikan pak javë më parë, do të shkojnë pikërisht në këtë drejtim. 

-A do të ishte kërcënim për SHBA-në fitorja e Rusisë mbi Ukrainën? 

Varet shumë nga definicioni i fitores, çfarë quhet fitore për Rusinë. Humbja e kaq shumë njerëzve në front nga ana e Rusisë, pothuaj një gjeneratë të rinjsh, futja e ekonomisë ruse në binarët e ekonomisë së luftës, izolimi ndërkombëtar, varësia nga Kina, etj, vështirë se mund të kualifikohen si fitore të Rusisë. Imponimi nga ana e Rusisë i mentalitetit të saj për Rendin Botëror dhe mënyrën se si zgjidhen problemet ndërkombëtare, është kërcënim serioz për paqen dhe rendin botëror, natyrisht dhe për SHBA që janë garantorët e këtij rendi. Kërcënim për SHBA dhe gjithë Bashkësinë Ndërkombëtare demokratike është shkelja e ligjit ndërkombëtar nga ana e Rusise dhe legjitimimi i përdorimit të forcës për zgjdhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.

-Rusia dhe Kina po i shesin armë Serbisë. A mendoni se po Rusia dhe Kina po vijojnë përgatitjet për të shtrirë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, dhe sa do t’ia arrijnë?

Përdorimi i armëve në Ballkan do të ishte çmenduri, por provokacionet si ai në Banjska, Kosovë, tregojnë se provokatorët nuk mungojnë. Siguria erdhi nga veprimet profesionale të policisë së Kosovës, ndërkohë që reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare ishte i vakët dhe ende nuk ka një qëndrim zyrtar për ngjarjen. Siguria më e madhe vjen nga prezenca e NATO-s në Kosovë dhe trupave të BE në Bosnje-Herzegovinë. Kosova dhe Shqipëria do të duhet të mendojnë më seriozisht për mbrojtjen, çka duhet të reflektohet në buxhetet e tyre ushtarake. 

-Si e shihni përballjen në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, mes Xho Baiden dhe Donald Trump?

Si një admirues i SHBA, ndjej keqardhje që në këtë kompeticion mungon e ardhmja, në kuptimin e moshës së pretendentëve në përballjen politike më të rëndësishme të SHBA në çdo 4 vjet. Pronari i përkohshëm i Shtëpisë së Bardhë është padyshim njeriu më i rëndësishëm dhe i pushtetshëm në botë, por besoj se demokracia dhe zbatimi i ligjit janë më të fuqishme në SHBA se sa instinktet politike të kujtdo që do të donte të deformonte parimet demokratike.

-Çfarë roli pritet të ketë Amerika në dy frontet e luftës, Ukrainë-Rusi, Israel Palestinë, nëse zgjedhjet i fiton Trump?

Mendoj se në mbrëmjen e 5 nëntorit 2024 merr fund debati dhe pasiguria se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me pozicionimin e SHBA për problemet më të mprehta që shqetësojnë botën dhe për të cilat pretendentët kanë opinione të ndryshme. Është një praktikë e njohur që diferenca midis premtimeve elektorale dhe realiteteve është shpesh jo e vogël. Ndoshta kufijtë e Jugut të SHBA do të marrin më shumë vëmendje. Me shumë keqardhje, por për momentin nuk duket asnjë kuadër marrëveshje, për të cilën palët në konflikt si në agresionin e Rusisë kundër Ukrainës ashtu edhe të Luftës së Izraelit në Gaza të kenë ndonjë kuadër marrëveshjeje, për të cilën palët të jenë disi afër. Europianët janë në trajektoren e eskalimit dhe Izraeli nuk po tregon ndonjë projekt politik se si do të zgjidhë çështjen Gaza. Kushdo që të jetë në Shtëpinë e Bardhë do të ndeshet me sfida të vështira dhe do duhet të mbështetet nga një bashkëpunim sa më i gjerë ndërkombëtar.

Filed Under: Interviste

Kosova bëhet anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

May 27, 2024 by s p

“Zëri i Amerikës”/

  • Leonat Shehu

Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi të hënën vendimin për ngritjen e statusit të Kosovës në anëtarë të asociuar në këtë organizatë.

Shumica e vendeve votuan për, një ishte kundër ndërsa 14 abstenuan.

Që nga viti 2014 Kosova kishte statusin e anëtares vëzhguese ndërsa me ngritjen e statusit tashmë parlamentit të Kosovës i lejohet të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e Komiteteve dhe nënkomiteteve, seminaret e Rose-Roth dhe seancat plenare ku mund të paraqesë rezoluta dhe ndryshime në rezoluta.

Vendet e asociura megjithatë nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë Parlamentare dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Ngritja e përfaqësimit të parlamentit të Kosovës në këtë organizatë është kundërshtuar ashpër nga Serbia, përfaqësues të së cilës kanë thanë se statusi i asociuar për Prishtinën është shpërblim, ndërsa ajo po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për të penguar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për të mos përmbushur detyrimet e saj nga marrëveshja e Brukselit.

Presidetja e Kosovës Vjosa Osmani në reagimin e saj në rrjetet sociale tha se NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në tokë të dëgjohet. “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, shkroi ajo.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare këshilluese për NATO-n dhe përfaqësohet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të NATO-s.

Filed Under: Interviste

ÇËSHTJE GRAMATIKORE…

May 25, 2024 by s p

Xhelal Zejneli/

FJALA DHE PJESËT E SAJ  – Fjalët mal, det, di përbëhen vetëm prej një pjese që quhen rrënjë. Rrënjës mund t’i shtohen parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa, që ndryshe quhen morfema ndajshtesore. Pjesët përbërëse të fjalës ndryshe quhen morfema. Morfemat ndahen në morfema rrënjore dhe në morfema ndajshtesore. Te fjala përhap, fshatar mbartëse e kuptimit të fjalës janë morfemat rrënjore hap, fshat, ndërsa pjesët për-, ar janë morfema ndajshtesore. Me morfemat ndajshtesore krijojmë fjalë të reja. 

RRËNJA E FJALËS – Fjala pa parashtesë, pa prapashtesë dhe pa mbaresë është rrënjë e fjalës. Kur rrënjës i shtojmë morfema ndajshtesore (parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa) atëherë krijojmë fjalë të reja. P.sh. prej fjalës dorë krijojmë: dorezë, dorëz, dorëzim, dorëzoj, dorëzues, përdor, përdorim, i përdorshëm, përdorues, i përdorur, i papërdorur, i papërdorshëm etj. 

TEMA E FJALËS – Temë e fjalës është pjesa që mbetet pasi të hiqen mbaresat dhe prapashtesat trajtëformuese që shërbejnë për formimin e shumësit të emrave. Mbaresë është morfema që i ngjitet fjalës në fund për të ndërtuar format e lakimit: lis-i (i-ja është mbaresë). P.sh: nën+shtet+as+i: shtet (rrënja), nënshtetas (tema), i (mbaresa).

Te fjalët pa parashtesa dhe prapashtesa tema përputhet me rrënjën e fjalës dhe quhet temë e parme. Tema të këtilla: dash-i, shok-u, lis-i, nip-i. Te fjalët fshatar, nëpunës tema nuk përputhet me rrënjën dhe ajo quhet temë jo e parme. Kemi edhe temë fjalëformuese: fshat+ar. Nga kjo fjalë krijojmë fjalën fshatarësi.

PARASHTESAT DHE PRAPASHTESAT – Parashtesa është pjesë e temës që i shtohet para temës së parme. Prapashtesa është pjesë e temës që i shtohet pas temës së fjalës. Parashtesa, rrënja dhe prapashtesa përbëjnë temën e fjalës. 

MËNYRA E FORMIMIT TË FJALËVE – Për nga përbërja, fjalët ndahen në dy grupe: në fjalë të parme dhe në fjalë jo të parme. Fjalë të parme quhen fjalët që nuk janë formuar nga një fjalë tjetër: dorë, buzë, sy, nip etj. Tema e këtyre fjalëve përbëhet vetëm nga rrënja. Fjalë jo të parme quhen fjalët që janë formuar prej temës së një fjale tjetër me anë të parashtesave dhe prapashtesave. P.sh fjalët fisnik, bukuri, lindje janë fjalë jo të parme ngase janë formuar në bazë të temave fis, bukur, lind. 

Fjalët jo të parme formohen me anë: të prejardhjes, të paranyjëzimit, kompozimit, përngjitjes, konversionit. Fjalët formohen edhe me mënyra të përziera. Varësisht nga mënyrat e fjalëformimit, fjalët mund të jenë: të prejardhura, të përbëra, të përngjitura. 

FJALËT E PREJARDHURA 

1. Formimi i fjalëve me parashtesa – Formohen me parashtesa, me prapashtesa dhe me parashtesa e prapashtesa njëkohësisht. Parashtesa janë: për-, pa-, mos-,, nën-, mbi-, jo-, ndër-, stër- etj. P.sh. pa+aftësi, mos+pajtim, për+buz, jo+shkencor, nën+shtrim etj. Parashtesa janë edhe fjalët: bashkë-, para-, kundër-, sipër- etj. P.sh. bashkë+punoj etj. Si parashtesa për formimin e fjalëve të reja shërbejnë edhe tingujt: ç-, sh-, zh-, s-, z-. P.sh. ç+lodhje, sh+paloj, zh+duk, s+kuqje, z+bardh. 

2. Formimi i fjalëve me prapashtesa – Numri i prapashtesave është rreth tri herë më i madh se numri i parashtesave. Janë mbi 160 prapashtesa: -ar, -as, -atar, -e, -es, -shë, -ë, -im, -isht, -shëm etj. P.sh. det+ar, dimër+or, bes+nik, i ar+të, lir+isht, kalim+thi, punë+tor, anë+tar, i fam+shëm etj. 

3. Formimi i fjalëve me parashtesa e prapashtesa – P.sh. më+sy+sh, për+fund+o+j, s+kuq+je, z+but+je, nën+det+ëse, i për+bashkë+t etj.

PARANYJËZIMI – Fjalë të reja formohen edhe me anë të nyjës së përparme. P.sh. laj, larë, i larë; hap, hapur, i hapur. Flas, folur, të folurit, ha, ngrënë, të ngrënët, jam, qenë, të qenët.

FJALËT E PËRBËRA (KOMPOZITAT) – Përbëhen prej dy a më shumë temave. P.sh. at+dhe, botë+kuptim, mirë+sjellje, krye+qytet. Kompozitat formohen me bashkimin: e dy emrave: bukë+pjekës; e një emri me një mbiemër: belhollë; e një ndajfoljeje me një emër: keq+bërës; e një numërori me një emër: dy+anshmëri; e një përemri me një emër: vet+dije; e një ndajfoljeje me një folje: keq+kuptoj; e një emri me një folje: buzë+qesh. Disa kompozita shkruhen me vizë në mes: hyrje-dalje, vajtje-ardhje, tekniko-shkencor, ideo-estetik; qytet-hero. Por, kompozitat si: verilindje, marrëdhënie, shitblerje etj. shkruhen bashkë. 

FJALËT E PËRNGJITURA – Janë fjalë që janë formuar me anë të përngjitjes së dy a më shumë fjalëve që dikur janë përdorur si togfjalësh. P.sh. togfjalëshi atë herë është ngjitur dhe është bërë një fjalë e vetme atëherë; se pse=sepse, mire dita=mirëdita, farë e fis=farefis, gjë e gjëzë=gjëegjëzë, dy mbi dhjetë=dymbëdhjetë, në se=nëse, nga që=ngaqë, se cili=secili, ndo kush=ndokush etj.

FORMIMI I FJALËVE ME KONVERSION – Konversion është kalimi i një fjale prej një pjese të ligjëratës në pjesë tjetër të ligjëratës, pa ndryshime fonetike e morfologjike. Në këtë mënyrë formohen emra prej mbiemrave (emërzim) si dhe mbiemra prej emrave (mbiemërzim). Në këtë mënyrë formohen edhe disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. 

Emërzimi – P.sh. i ligu – emër i formuar nga mbiemri i ligë; e mira – emër nga mbiemri e mirë; e bukura (nga e bukur), e vërteta (nga  e vërtetë). 

Mbiemërzimi ose shndërrimi i emrave në mbiemra: besnik, bujar, fisnik, dinak. Këto fjalë përdoren edhe si emra edhe si mbiemra. Kur përdoren pa ndonjë emër tjetër, janë emra. Kur gjenden pas ndonjë emri, atëherë janë mbiemra. P.sh. luftëtar (emër), popull luftëtar (mbiemër), plak (emër), burrë plak (mbiemër).

Shndërrimi i fjalëve në ndajfolje – P.sh. Ditën punojmë, natën pushojmë (emrat ditën dhe natën në rasën kallëzore janë ndajfolje kohe). Në ndajfolje shndërrohen edhe mbiemrat duke ua hequr nyjën e përparme, foljet në pjesore dhe në përcjellore. 

SINONIMET – Fjalë me forma e përbërje tingëllore të ndryshme , por të njëjta për nga kuptimi leksikor. P.sh. rrugë-udhë; krye-kokë; hap-çel; tavolinë-tryezë; shikoj-vështroj; gjel-këndes; litar-konop-tërkuzë; vajzë-çupë-çikë-cucë-gocë-vashë. 

vatan, ndikim-influencë, përvojë-eksperiencë, fqinj-komshi, përfundim-konkludim. Në këto raste duhet të përdoren fjalët shqipe. 

ANTONIMET – Janë fjalë me përbërje fonetike të ndryshme dhe me kuptim të kundërt: gëzim-hidhërim, dritë-errësirë, verë-dimër, dritë-natë, rini-pleqëri, blej-shes, marr-jap, këndoj-vajtoj, i ri-plak, i mirë-i keq, afër-larg etj.

HOMONIMET – Janë fjalë me përbërje tingullore të njëjtë, por ndryshojnë nga kuptimi:  zë, vesh, verë, bredh, pres etj. P.sh. Zë një vend të mirë. S’më zë gjumi (zë – folje); Ai ka zë të bukur  (zë – emër). Rina vesh rroba të mira (vesh – folje); Rona ka vesh për muzikë (vesh – emër). Gjyshi pi verë (verë – folje); Gresa në verë shkon në Sarandë (verë – emër). 

Ka fjalë që ndryshojnë për nga theksi, p.sh. Rita ka shumë para (para – emër); Dalina doli para teatrit (para – parafjalë). Bari duhet kositur. Në bjeshkë pamë një bari.

NDËRKOMBËTARIZMA. Shumë fjalë të huaja janë zëvendësuar me fjalë shqipe si: subjekt me kryefjalë, predikat me kallëzues, nominativ me emërore, evitoj me shmang, abonim me parapagim, aprovoj me miratoj, angazhim me zotim etj. 

ARKAIZMAT – Janë fjalë të vjetruara që janë përdorur në të kaluarën, e që sot kanë dalë nga përdorimi. Në vend të tyre janë krijuar fjalë të tjera. Arkaizma: kut (metër), okë (kilogram), mokër (gur mulliri) etj. HISTORIZMAT – Fjalë që janë përdorur në një periudhë historike, e që sot nuk janë në përdorim. P.sh. aga, be, pasha, kryeplak, alltie, nagant, martinë, patllake, bandere, gjyle, fishek, topuz, kobure, shishane, bajrak etj. DIALEKTIZMAT dhe KRAHINORIZMAT – Fjalë që përdoren vetëm në një dialekt e që nuk janë bërë normë letrare quhen dialektizma. P.sh. gegërisht: korit-turpëroj, varrë-plagë, dollap-dritare, çikë-vajzë, qeramide-tjegull; toskërisht: nakatos-përziej. Po qe se këto përdoren në rajone më të ngushta gjuhësore, atëherë quhen krahinorizma. Me krahinorizma zëvendësohen fjalët e huaja dhe ndërkombëtarizmat, si p.sh. emnak (adash), brezore (tarracë), gjedhe (model), përkushtoj (dedikoj), ballor (frontal), hulli (brazdë) etj. NEOLOGJIZMAT – Janë fjalë dhe shprehje të reja që sapo kanë filluar të përdoren në gjuhën letrare. P.sh. bashkëjetesë, bashkëbisedim, drejtshkrim, drejtshqiptim, përligj etj. Me fjalët e reja zëvendësohen arkaizmat, huazimet dhe ndërkombëtarizmat. P.sh. i vetëdijshëm për koshient, sasi për kuantitet, cilësi për kualitet, sasior për kuantitativ, cilësor për kualitativ, novitet për risi etj. Fjalët e reja formohen me parashtesa dhe prapashtesa apo me përngjitjen e dy a më shumë fjalëve. P.sh. mbifitim, mbikalim, ujësjellës, përçues, gazsjellës, naftësjellës, mbikalim etj. PROFESIONALIZMAT – Fjalë që janë karakteristike për një profesion apo lëmë të caktuar. Bujku ka përdorur fjalët: lesë, lesoj, umb etj.; bariu: laro, kuqal, syskë, kërluk etj. në shtypshkronjë: linotip etj. Në leksikun (fjalorin) profesional përdoren fjalët profesionale. Në gramatikë: emër, kryefjalë. prapashtesë etj.; në matematikë: zbritje, shumëzim, pjesëtim, thyesë etj. në gjeografi: gji, baticë, etj. 

NJËSITË FRAZEOLOGJIKE (frazeologjizmat) – Funksionin e një fjale mund ta kryejnë dy a më shumë fjalë që përdoren si shprehje gjuhësore. P. sh. besoj – zë besë, harroj – më del nga mendja etj. Frazeologjizmat kanë fuqi shprehëse shumë më të madhe se fjalët e rëndomta. P.sh. thika në gjalpë, dhëmb për dhëmb, gacë e mbuluar, shkel e shko, thur e shthur, çan dërrasa, ua mbathi këmbëve, më bëhet zemra mal. E bëri hi e pluhur. I vari buzët. I hedh hi në sy. Flet në tym. Iku nga shiu ra në breshër. Është bërë koc e lëkurë. Hoq të zitë e ullirit. etj.

FJALORËT – Janë dy lloje: fjalorë enciklopedikë dhe fjalorë gjuhësorë (linguistikë). Në fjalorët enciklopedikë shpjegohen në formë të shkurtër gjëra nga lëmi i shkencës, i artit, i letërsisë, i filozofisë etj. Fjalorët gjuhësorë ndërkaq, janë disa llojesh: shpjegues, dygjuhësh, shumëgjuhësh, drejtshkrimor, frazeologjik, etimologjik, terminologjik, dialektor, fjalor i fjalëve të huaja etj. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe përmban 41000 fjalë dhe një numër të madh njësish frazeologjike. Fjalori i parë etimologjik i gjuhës shqipe është ai i albanologut gjerman Gustav Majer, i botuar më 1891.

NDRYSHIMET FONETIKE TË TINGUJVE – Në gjuhë, sipas ligjeve gjuhësore, me kalimin e kohës, ndryshojnë tingujt. Ndryshime fonetike janë: asimilimi (përngjashmimi), qiellzorizimi (palatalizimi), metafonia, apofonia, rotacizmi etj. 

ASIMILIMI (përngjashmimi) – Është ndryshimi fonetik kur dy tinguj të ndryshëm pranë njëri-tjetrit bëhen të njëjtë ose të ngjashëm. P.sh. dëgjoj-dëgjoj=dëgjoj, mbasi- bbasi-basi-pasi; s+kuq=skuq, por s+but=zbut (dhe jo sbut), s+bardh=zbardh dhe jo sbardh, sh+vendos= zhvendos dhe jo shvendos.

ELIZIONI – Rënia e zanores fundore të pjesëzës të apo të nyjave të, së kur gjenden para trajtave të shkurtra i dhe u si dhe rënia e zanores ë trajtave të shkurtra më, të kur bashkohen me trajtën e shkurtër i dhe me pjesëzën u. P.sh. Dua t’i (të i) them…Nuk bën t’u (të u) tregosh…Rina m’i (më i) dha biletat. Nuk kemi elizion në rastet: në arë, të egra, në ujë, të anës tjetër etj. Pra nuk thuhet: n’arë, t’egra, n’ujë, t’anës tjetër. 

APOSTROFI – Është shenjë që shënon rënien e ë-së fundore: 

a) Të trajtës së shkurtër të përemrave vetorë më dhe të kur gjenden para trajtave të shkurtra i dhe u dhe pjesëzës u të foljeve joveprore. P.sh. M’i jep librat, e pasi t’i lexoj, t’i kthej. M’u plotësuan dëshirat. T’u dha rasti…t’ia kthesh të mirën.

b) Të pjesëzës të të mënyrës lidhore…: P.sh. t’i ndihmosh, t’ia shpjegosh, t’i kuptojë, t’ju them, Dua t’u drejtohem, t’ua  numëroj …Për t’u edukuar…

c) Porosinë e t’et, kujtimet e s’ëmës

ç) S’e merr me mend, ç’ndodhi, Ai s’mund t’ia falë vetes, s’më tregove, s’iu përgjigje, s’mungon, s’është, ç’bën, ç’të bësh. Përemri i pacaktuar çka dhe përemri pyetës çfarë shkruhen pa apostrof.  

METAFONIA – Është ndryshimi i zanores a në e dhe të e-së në i. P.sh. dash-desh, kunat-kunetër, mëzat-mëzetër, natë-net, plak-pleq etj. Unë dal- ti del, unë marr-ti merr. Në vetën e dytë shumës e-ja kthehet në i: dilni, flitni, ngitni, vritni, dilja, flitja, ngitja.

Ndërrimi i e-së në i: breg-brigje, shteg-shtigje. Ndërrimi i o-së në e: njoh-njeh, shoh-sheh.

APOFONIA – Shndërrimi i a-së dhe e (je-së) te koha e tashme e foljes në o kur folja ndodhet në të kryerën e thjeshtë. Koha e kryer e thjeshtë: dola, mora, hodha, brodha, nxora, vola, solla. Foljet te të cilat a-ja apo e-ja e rrënjës ndryshon në o quhen folje apofonike. Foljet apofonike që mbarojnë me l, ll dhe rr në trajtën e pashtjelluar nuk marrin ur por ë. për të dalë, për të marrë, për nxjerrë, për të mbjellë dhe jo për të dalur, për të marrur, për të nxjerrur, për të mbjellur. 

Foljet apofonike që mbarojnë me rr, në të kryerën e thjeshtë shkruhen me r dhe jo me rr.

QIELLZORIZIMI (palatalizimi) – Kur tingujt k dhe g ndodhen para i-së dhe e-së kalojnë në q, gj: ka-qe, mik-miq, peshk-peshq, zog-zogj, burg-burgje, breg-brigje, murg-murgj, lëng-lëngje. Qiellzorizim kemi edhe në rastet: ndjek-ndiqni, ndiqja, pjek-piqni, djeg-digjni, dogja. qiellzorizohet edhe ll-ja fundore: buall-buaj, kërcell-kërcej, yll-yje, portokall-portokaj etj. 

ROTACIZMI – Kalimi i n-së në të folmet toske në pozicionin midis dy zanoreve, në r. Është dukuri e vjetër fonetike. P.sh. te fjalët huni druni, vena, kunora, peni, freni n-ja ka kaluar në r dhe kemi: huri, druri vera, kurora, peri, freri etj. Edhe fjalët drapër, dhelpër, emër, femër, lakër përdoren në formë të rotacizuar. Nuk kemi rotacizëm te fjalët hëna, puna, nëna etj. 

METATEZA – Këmbimi i vendit të tingujve në disa të folme popullore: leblebi-elbebi, lëshoj-shloj, bajrak-barjak, mullar-murall, llagap-gallap, kthej-thkej etj. Format e dyta nuk përdoren në gjuhën letrare. 

RËNIA DHE SHTIMI TINGUJVE – Në të folmen popullore ka raste të rënies së tingujve: Agim-Gim, Fatoni-Toni, Afërdita-Dita, Mehmet-Met, shtëllungë-shllungë,shtëpi-shpi, erdhi-erdh, pati-pat, fjeti-fjet. Për ta lehtësuar shqiptimin, shtohen tinguj h, j, v: bela-belaja, kala-kalaja, ide-ideja, afrohem-afrohem. Këtë dukuri nuk e kemi te fjalët: liri-liria, rini-rinia, shtëpi-shtëpia.

NDARJA E FJALËVE NË RROKJE NË FUND TË RRESHTIT – Fjalët njërrokëshe nuk ndahen: bujk, dash, ah, mal, kopsht, lëng, shkëmb etj. Fjalët dyrrokëshe: bo-ta, do-ra, li-si. Fjalët trerrokëshe: po-pu-lli, zha-pi-ni. Fjalë katërrokëshe: xi-xë-llo-nja. Fjalët me dy ose më shumë bashkëtingëllore ndahen: ko-dra ose kod-ra, hu-dhra ose hudh-ra, ka-fsha-ta ose kaf-sha-ta, i vo-gli ose i vog-li etj. Togjet prej tri bashkëtingëlloresh ndahen: lu-ndra,lun-dra, lund-ra. Fjalët me dy zanore njëra pas tjetrës: mi-ell, blu-aj, ku-adër; më-sue-si, i shkël-qye-shëm. Fjalët e përbëra ndahen: nën-shkrim, për-cak-tim. Një shkronjë e vetme nuk mund të qëndrojë as në fund të rreshtit, as në fillim të rreshtit: udha dhe jo u-dha; ba-bai dhe jo ba-ba-i; bu-rri dhe jo bur-ri, do-gja dhe jo dog-ja. Fjalët në thonjëza nuk ndahen: “Gjimnazisti” dhe jo “Gjimna-zisti”. Nuk ndahen fjalët – shkurtesa: ShBA, OKB, NATO, BE.

Xhelal Zejneli

Filed Under: Interviste

Rei Hodo dhe libri poetik “Apricus”

May 23, 2024 by s p

Çerçiz Loloçi/

Kushdo që e ka lexuar librin e fundit poetik “Apricus” të Rei F. Hodos, me parathënie të shkrimtarit Bashkim Hoxha, Botimet Jozef ka vënë re se kemi të bëjmë me një zë të veçantë, që mundohet të sjellë diçka të re në letërsinë shqipe dhe të shprehur mjeshtërisht në një formë të pazakontë.

Ai e ka formësuar librin me vetëm tetë poezi dhe konkretisht: “Thellë”, “Tej thellësisë”, “Dashurisë, një port i heshtur”, “Një shpirti tjetër”, “Cogitatio”, “Eros”, “Rrudhë qytetesh” dhe “Mëkatit”, por secili titull ka brenda tij një cikël poetik, shkruar me varg të lirë dhe që bart mendim, ndjejë dhe që e fton lexuesin për të marrë përjetimet e veta.

Ai nuk përkujdeset shumë që secila poezi të ketë një numër harmonik dhe të barabartë strofash, (ka syresh me 24 të tilla, me 15, me 10, me 9, me 3 e deri me 1), por ndërkaq secila prej tyre është e pangjashme, e ndjerë, emocionuese ku autori dëshiron të jetë vetvetja.

Rei Hodo ka një njohje të gjerë të letërsisë vendase dhe asaj të huaj, teksa preferon që para çdo poezi-cikli të risjellë Fatos Arapin dhe Lasgush Poradecin, Alen Bosquet dhe Giuseppe Ungaretin, Martin Camaj dhe Visar Zhitin, Enton Bidon dhe Edmond Tupjen.

Po kështu në poezinë e katërt ai risjell njeri pas tjetrit Bertoluccin, Xh. Spahiun, S. Hamitin, L. Lleshanakun, A. Samarakis, F. Arapi, F. Kraja, N. Kazanzakis e P. Rilken, jo thjesht e vetëm për t’i përmendur, por edhe për të skicuar gjendje të ndryshme të shpirtit njerëzor.

Rei Hodo nuk shquhet për shumëllojshmëri temash, por për të hyrë në botën njerëzore, në skutat më të thella, për të gjetur poezi edhe atje ku një sy i zakoshëm nuk mund të shkojë dhe në këtë mënyrë ai dialogon vazhdimisht me lexuesin.

Një inkursion i shpejtë, në krijimin e parë, me vargjet poetike më të bukura të Rei Hodos mund të shfaqej edhe në këtë mënyrë:

atdheun e vramë të gjithë

unë e vrava

e vave dhe ti aq fare pak

duart… i gjakosëm të gjithë në gjak…

prej Penelopës u qëndisën galaktika

në fron

mbretëron hëna

në tokë

njerëzit

gërryejnë njeri-tjetrin si acid nga e pathëna…

në s’më gjen askund në qytet

dhe as në pa pavionin e të vdekurve

nuk gjendet emri im

kërkomë në manastirin e poezisë

atje do të jem bërë murg…

hijet u zhveshën trupash

shpirti mbeti qënie pa emër

shpina e dorës tënde

rrok

buzët e Ferrit

Purgatori mbeti në ëndërr

Parajsa pamundësi…

fundi i vjeshtës

zverdhen jo

gjethet

ndjenjat bien rrugëve…

Vargje nga poezia ‘Thellë’.

Kurora e vëllimit poetik është krijimi “Dashurisë, një port i heshtur”, që fare mirë mund të ishte edhe titulli i librit; autori zbulon këtu stinën e pestë për një nga ndjenjat më të bukura njerëzore që janë thurur miliona e miliona vargje e megjithatë ajo është e denjë për çdo antologji poetike të autorëve shqiptarë, ballkanikë dhe europianë.

May be an image of text

See insights and ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Interviste

“Antroposofia arbëreshe,  rrëfime nga Caterina Bellusci”

May 22, 2024 by s p

Ornela Radovicka /

Duhet të themi që në fillim që ky libër nuk do të kishte qenë lehtë të dilte në dritë pa ndihmën z. Vehbi Miftari, Kreu i Misionit të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë në Romë, por që personalisht nuk më pëlqen të flasë e ti përfshijë këta njerëz në rolin e detyrave që mbartin , por për i zë në gojë për   zemrën e tyre që venë në shërbim të kombit,  që rrallë gjenden e një prej tyre,  është edhe z. Miftari,  një njeri shumë korrekt, që kur premton mban fjalën, disponibile, dhe një vëlla i arbëreshëve, i cili ka fituar zemrat e këtyre njërëzve, por edhe një mik që At Bellusci e do me shpirt. 

Mjaftoi një fjalë nga ana ime, për këtë projekt dhe kjo punë u krye. Nuk kisha shumë besim se shumë na premtojnë dhe na harrojnë sa kthen krahët.  Megjithatë ka edhe  nga ata që na kanë mbështetur  çështjen arbëreshe  pa asnjë lloji interesi, dhe janë  aq të paktë sa numërohen me gishta, përfitoj nga rasti të falenderoj me zemër Gazetën “Dielli” në Amerikë, por edhe Pro integro.ch,  që na kanë hapur dyert dhe na mbështesin pa hezitim. Mendoj se çështja arbërshe është një çëshjtje kombi dhe se duhet të japim një kontribut që të gjithë.   

Redaktimi  i librit u bë nga vet Z. Vehbi Miftari, i cili  punoi me këto materiale, dhe e çoi deri në fund misionin e tij deri në publikim. Rrëfimet, dhe përmbajtja në  faqet e këtij libri janë ai “cikli Meridian” të një populli shqipfolës ardhur nga Ballkani shqipfolës,  lindur në Itali, po jo “i ingrirë” në shekullin XV, me një kulturë “ndryshe”me shqiptarët e sotëm, me një vetëdije “arbërore” dinamike e jo statike, një popull krenar për ruajtjen e identitetit,  të  jetës modeste,  të një populli fsnik, dhe unik në rruzull dhe që ruajtën gjuhën dhe ritin!  dhe këta quhen arbëresh. 

Arbëreshët, janë një popull  me një hapsirë fisike në territorin Italian, në shtatë krahinat e saj, të deklaruar si rajone me popullsi minoritare historike, të mbrojtura nga ligj i çalë i  482\99( që është paradoksale me artikullin  gjashtë, dhe nëntë të Kushtetutës italiane) dhe ky fakt  është një nyje, që kërkon një rrjet të gjerë bashkpunimi të shumë strukturave bilaterale midis  shteteve Italisë  si dhe Republikës së Shqipërisë, Kosovës, si edhe Maqedonisë, si edhe një rrjet kapilarësh të komunave arbëreshe e  të rajoneve ku ata shtrihen  për të shkoqitur këtë ngërç ku sot për sot kjo  temë është një temë hemorragjike.   

Në këtë libër në mënyrë të veçantë  jam përqëndruar të mbledh ato rrëfime, këngët, toponime,  në kujtesën e Rina Bellusci, një grua afër të 90-ave, dhe  kodifikuar ashtu siç i kam dëgjuar prej saj, në arbëreshten e saj. 

Ky mision ishte i vështirë, flasim për një gjuhë orale,  këngë që kërkonin të ridëgjoje disa herë tekstet,  si edhe kujtesa e një zonje 90 vjeçare në të njëjtën kohë edhe të ridëgjoja incizimet e shumë këngëve të ruajtura  në kasetat depozituar pranë Bibliotekës  A.Bellusci, të studjoja kostumin e Frasnitës, stolitë e tyre,  si edhe  të njihesha me argalinë.

Mendoj se ky libër mbart deri diku  vlerën  kryesore atë të gjuhës arbëreshe, të folmes lokale të Frasnitës, ku poezitë, dhe disa rrëfime janë në arbërishten e ruajtur nga Rina.  Është një gjuhë e cila nuk mësohet dhe shkruhet në shkollë,  e për këtë  na del si detyrë ta kodifikojmë fjalët arbërisht,  këtë gjuhë e cila shërben gjuhësisë shqipe, por në të njëjtën kohë  njihemi me  kulturën e vëllezërve tanë larguar prej 600 vjetve.  

Vitet kalojnë dhe Rina, edhe pse në një moshë disi të thyer, vazhdon e pret, mysafirë nga e gjithë bota. Ulet pranë tyre. Rrëfen, këndon, dhe kur të gjithë ikin, ajo vazhdon të shikojë nga dritarja… Pret  që dikush nga atdheu mëmë, ose nga trevat e saj  të vijnë dhe t’i vizitojnë këta vëllezër, zhytur në malet e Polinit, që janë ndjerë dhe ndihen me shekuj vetëm, të braktisur, të malluar, dhe që gjithmonë i mbajnë sytë  nga Mëma Shqipëri, por edhe tashmë nga Kosova, Maqedoni e Veriut  dhe e trevat e tyre 

Të gjtha dyert e shtëpive i kanë me vështrim nga lindja, varret, kishat, të gjitha me drejtim nga erdhën. Ata duken sikur thonë: Jemi këtu, duke pritur prej 600 vitesh! 

Në sytë e Rinës duket edhe trishtim për këtë komunitet që është shpopulluar ku rreziku i përgjithshëm i asimilimit të tyre në erën e globalizimit, qëndron si një prerës me dy thika.     

Rina këtë Arbëri e vadit çdo ditë me këngët, traditat, folklorin, gjuhën, ritin e saj. 

Askush nuk ka dalë nga ai prag pa u emocionuar, as edhe të rinjtë,  kur Rina me vëllain e saj At Antonio që pothuajse 88 vjeç, mbledhin energjitë, mobilizohen me shpirt, pastaj të kapin dorën dhe si një zinxhirë duarsh ku përcillen emocionet e shpirtit nisin e ja thërrasin këngës “Kur dy arbërshë bëhen bashkë”. 

Ky libër le të jetë si një nga ato shenjat pozitive të cilat tregojnë edhe pse ky popull në agoninënë e gjuhës së tyre ata janë  ende të gjallë, jo të padukshëm,  dhe se në mes tyre ka një mori vëllezërsh shqipatar që i duan dhe janë bashkë me ta. 

Shpesh pyes veten: A nuk do ishte mirë që shqiptarët të cilën bredhin e viztitojnë botën, të rezervonin sikur edhe nja dy ditë pushimi  prej lejes së tyre edhe tek arbëreshët e Kalabrisë. Ata janë një minierë e madhe shpirtërore. Në ato katunde do të gjeni shpirtin e gjallë Arbër, këngët, veshjet, muze, ushqimin, por edhe kulturë, teatër, arkitekturë. Ju lutem kur të vini e të shikoni, mos i gjykoni kur të shihni vetëm pleq. 

Ndihen të sëmurë, të ndarë, disi hallakatur, të mallëngjyer, por iu siguroj që ata janë një potencë intellektuale, artista në shpirt, dhe  do të gjeni dy Federatat e e tyre UNIARB DHE FAA, që kanë bërë atë që nuk kanë bërë kurrë istitucionet.

Ky popull meriton të ndihet dinjitoz në hapsirën e tij, duke patur një gjuhë të përbashkët,(Unifikimi i gjuhës të tyre mbështetur në 50 të folmet e tyre është shumë e rëndësishme) sepse vetëm me një gjuhë të përbashkët forcohet më shumë  Arbëria, e mban identitetin e saj. Me atë  gjuhë do flasin bijëve të tyre, e do  shkruajnë historinë e tyre që deri më sot nuk është shkruar! 

Mos Harroni se arbëreshët në Itali janë më të vjetër se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më këtë do të them që janë një popull dhe jo një etni! (Në vijim disa foto)

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga At Bellusci 1980

C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240311-WA0029.jpgZ. Vehbi Miftari, redaktori i librit, në familjen e At Belluscit dhe i dorëzon kopjen e parë të librit zonjës Katerina Belluschi. 

C:\Users\iljas\Downloads\20240522_130020.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240510-WA0029 (1).jpg

Në foto Caterina Bellusci dhe Ornela Radovicka. Një perqafim për këtë mëmë rreth të 90-ave  kaq fisnike, që pa u lodhur na ndihmonte të kodifikoja, çdo rrëfim të saj. E falenderoj me shpirt.   

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 217
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT